Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Në historinë botërore tashmë ka hyrë një datë e vecantë: 11 shtatori i vitit 2001, që sivjet i përkujtojmë 13-vjetorin, çka na bën të kemi dhimbje e nderim për tragjedinë e viktimave njerëzore të kësaj dite; formon një apel ndërkombëtar për luftën e pambaruar kundër terrorizmit në kohën e hapësirat e shfaqjes së tij; përbën një epope qëndrese të shumanshme amerikane e solidarizim shumplanësh të komunitetit ndërplanetar .
Kjo datë në paralelet dhe meridianet e globit tokësor nuk është start i një Lufte të Tretë Botërore të një lloji tjetër dhe nuk përbën as Luftën e 11-të të SHBA, por është një Luftë e Pambaruar për Paqe Botërore.
Kjo datë nuk e ka ndrruar Botën e sotme, por tregoi faktin se sa shumë ka ndrruar Bota në këtë Mijëvjecarin e Tretë.
Kjo datë dëshmoi edhe dicka tjetër: Kush është Amerika për Amerikën dhe kush është Amerika për Botën.
2.11 Shtatori tragjik i vitit 2001 është një histori e përseritur e Peal Harbor të 7 dhjetorit 1941 në ishujt Hauai të SHBA, me të vetmin ndryshim se para 13 vitesh Amerika u sulmua nga brenda hapësirës gjeopolitike të saj, ndërsa para 73 vitesh u sulmua nga jashtë territorit të saj.Po ka edhe dicka tjetër: Në rast se më 1941 kamikazët kishin për adresë një shtet të vetëm ndërluftues, tashmë ishte një armik i pa atdhe, i pa ngjyrë, i pa fe, i pa besë – terrorizmi ndërkombëtar i sofistifikuar pas emra organizatash e individësh, që në gjak kanë bomba e trurin e droguar për gjakderdhje.
Në të dy rastet Amerikën e sulmuan për t’ia humbur krenarinë e sovranitetin e saj dhe në të dy rastet Amerika fitoi në vetëvete e doli përtej vetëvetes për të ruajtur e lartësuar dinjitetin, paqen e lumturinë e Botës.
Sot Amerika është strategjike për Vetëveten dhe për Botën në të dy anët e saj: në Lindjen Atlantike për Europën dhe në Perëndimin Paqësor për Azinë, cka i ngjan një peshoreje graviteti ekonomik e ushtarak për këto dy kontinente, që aktualisht në lidhjet e saj anon nga ana europiane me Bashkimin Europian, Federatën Ruse e shtete te tjera mesdhetare e nordike, por në të nesërmen e afërt e të shpejtë mund të anojnë edhe nga ana aziatike me Kinën e Indinë të shumëpopulluara e të tjera shtete të kësaj hapësire…
Sot Bashkimi Europian, për nga ana e konsolidimit si Union, është 200 vjet pas Amerikës, ndërsa nga ana ushtarake, Amerika është 50 vjet përpara Europës..
Sot Amerika, për nga tregtia shumëplanëshe, mbulon 51 për qind të asaj botërore.
Pra, Amerika është Amerikë.
Ndaj 11 shtatori 2001 nuk e donte të tillë.
3.11 shtatori nuk është ngjarje tragjike e një date, por janë disa ngjarje të këtilla në Amerikë, të drejtuara kundër Amerikës, që cuan te kjo ngjarje tragjike: është vendosja e bombës në Uorld Trade Center në vitin 1993: është goditja terroriste me bombë në një pallat me zyra në qytetin Oklahama më 19 prill l995; është tjetër goditje në një pallat banimi në Khobar Touers; është akti terrorist në ambasadat amerikane në Kenia e Tanzani; ështeë goditja me bombë në USS Cole në vitin 2000.
4.11 shtatori Amerikën nuk e gjeti në gjumë, por Bota kishte rënë disi në qetësi, biles edhe pas goditjes në Kullat Binjake e në Pentagon shumëkush priste rënien e Amerikës dhe kundërgoditje ndaj terrorizmit të rishfaqur në mënyrën më cnjerëzore e me gjakderdhje të mijëra viktimave të pafajshme
Cuditërisht Jelcini në Pallatin e Bardhë në Moskë i fërkoi duart e trumbetoi se tashmë kemi vetëm “Shtetet e Shpërbëra të Amerikës” e nuk apelonte menjëherë për luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Sadam Hyseini ia shkelte brutalisht rezolutat e përseritura OKB-së dhe ia përzente inspektorët, ndërsa Pallati i Qelqtë në Nju York nxirrte rezoluta të reja e priste që djalli të bëhej ‘”engjëll”.
Gjykata e Hagës e linte të lirë kriminelin Milloshevic e oborrtarët e tij duarpërgjakur në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e së fundit në Kosovë e lëshonte deklarata e fletë-arreste të risigluara duke vënë në shpërblim për kapjen e tij miliona dollarë.
Talebanët në Afganistan i gjuanin me top portretet e Budës të skalitura në male duke i shkatërruar ato e budistët rrinin duke i vajtuar në mënyrë mediatike.
E shembuj të tillë mund të sjellim prapë, por duam të nënvizojmë se kjo qetësi e botës së vitit 2001 ishte kaq e cuditshme, burokratike e individualiste saqë lejoi e coi në faktin e ditën që në një pjesë të Globit, në Amerikë, në Tempullin e Demokracisë, në selinë e Organizatës Botërore të Tregtisë, terrorizmi të godiste kaq ashpërsisht e pabesisht.
5.Amerika e ka përgjegjësinë e vet që u goditë në Nju York e vecanërisht në Pentagon, por, për këtë, askush nuk mund ta paragjykojë, ta gjykojë apo pasgjykojë Amerikën, se përse u goditë e aq më tepër që Bota të largojë përgjegjësitë e veta në këtë histori, në këtë tragjedi, në këtë datë, në këtë ditë.
Oktapodi i terrorizmit ndërkombëtar duke sulmuar Amerikën kërkonte të gjunjëzonte Botën.
Po të rrëzohej Amerika në një ditë, në atë 11 shtator 2001, Bota do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, që të ringrihej deri në kapërcyell të shekullit tjetër, sepse botës do ‘i mungonte shembulli amerikan, sipërmarrjet ndërkombëtare amerikane, konkurimi ndërplanetar amerikan nga nëntoka e deri tek yjet e galaktikës sonë.
Amerika ka dëshmuar në këta shekujt e fundit se nuk rrëzohet nga lufta e me luftë, por vecse duke e konkuruar me vlera nivele larta, të cilat i ka në stadrritjeje, biles edhe me 11 shtator 2001 i tregoi botës vlera të saj të reja si në përballimin njerëzor e organizativ të kësaj tragjedie dhe në kundërpergjigjen ndaj terrorizmit ndërkombëtar.
6.Amerika gjithënjë e ka paralajmëruar Botën për rrezikun imediat e katastrofal të terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa Bota nuk e ndjente sa e sic duhej këtë rrezik real e me kosto tepër të lartë njerëzore, ekonomike e ushtarake.
U deshtë, ndoshta 11 shtatori 2001, kur terrorizmi ndërkombëtar sulmoi nga Qiejt e Amerikës, që njerëzit e shtetet e planetit të ecnin me këmbë në tokë e mend në kokë në luftën ndaj terrorizmit, qoftë në Afganistan e në Irak apo kudo gjendet ose shfaqet në hartën e Globit.
Amerika, edhe nga 11 shtatori 2001 e këtej, e ka kryer detyrën e lartë përballë kombit të vet e historisë, për kohën e sotme e të nesërme, duke luftuar me të gjitha format e mjetet, në krye të Koalicionit Botëror kundër Terrorizmit Ndërkombëtar.
Amerikën nuk do ta mbante Toka po të mos përgjigjej denjësisht kur iu sulmuan Qiejt e saj.
LIDHJA KOSOVARE DHE NDERKOMBETARIZIMI I CESHTJES SHQIPTARE
Si u ndërkombëtarizua çështja e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në vitet 1949-1999/
(Recension për veprën “Lidhja Kosovare” të historianit të mirënjohur Prof. Dr. Riza Sadikut)/
Nga Leonora Laçi/
Një mërgat shqiptare e përçarë, e ndarë sipas bindjeve politike, kurrësesi nuk mund t’i shërbente Atdheut të roberuar apo dhe trojeve etnike, të mbetura jashtë Shqipërisë londineze, prandaj doli si nevojë e kohës krijimi i një organizate gjithëpërfshirëse, që çështjen e shqiptarëve (që ndodheshin nën Jugollsllavi) ta trajtonte me një zë të vetëm në organizmat ndërkombëtarë.
Mërgata shqiptare, veproi në vende të ndryshme demokratike. Më sëshumti ajo u dallua për aktivitete të ngjeshur politike në shtetin më të lirë dhe demoktatik në botë, sikurse janë ShBA-të. Atje zëri ynë gjeti mbështetjen më të madhe nga Administrata Amerikane, dhe konkretisht nga senatorë dhe kongresmenë amerikanë, dashamir të çështjes shqiptare, si mbrojtës të lirive dhe të drejtave të popujve të robëruar, ligje këto të hartuara dhe mbrojtura nga konventat ndërkombëtare.
Kjo vepër e Prof. Dr Riza Sadikut, i kushtohet veprimtarisë së “Lidhjes Kosovare”. Ajo na shërben, për tu njohur më mirë me fakte dhe argumente historike, mbi veprimtarinë e organizatës nga viti 1949-1999.
Për më shumë, në faqet e librit, shohim se organizata në fjalë, i shërbeu deri në vetmohim asaj pjese shqiptare, që mbeti jashtë kufijve të vitit 1913, e konkretisht Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë (Iliridës), e atyre në Mal të Zi, që u përfshinë nën Jugosllavinë titiste e më pas nën diktaturën e Millosheviqit.
Përmes veprës voluminoze historike me mbi 400 faqe, bëhet e njohur çdo inistiativë dhe hap i ndërmarrë nga organizata “Lidhja Kosovare”, me tipare të theksuara nacionaliste, e cila si bosht orientues është mbështetur gjithnjë në Dekalogun e atdhetarit largpamës Mit’hat Frashërit.
Në fletët e librit mësojmë, se më vonë me kërkesën e Shërbestarit të Kombit, pinjoll i familjes së Frashëllinjëve patriotit të shquar Mit’hat Frashërit, u vendosën themelet e organizatës në vitin 1949, ku, rreth saj u mblodhën atdhetarët më në zë, mbrojtësit më të zjarrtë të çështjes kombëtare.
Në analet e historisë së kohës, janë të shenuara me gërma të arta emrat e figurave të shquara të atdhetarizmit. Të tillë mund të përmendim Sekretarin e Organizatës Patriotike “Lidhja Kosovare”, Prof. Luan Gashi, i cili, më 1 gusht të vitit 2014, në Prekazin legjendar, u vlerësua nga Ministria e Diasporës, për kontributin e madh për çeshtjen e Kosovës.
Vepra e Prof. Sadikut, ofron edhe emra të tjerë si antarë më aktiv të Organizatës në fjalë, si: Rexhep Mitrovicën, Hafëz Isuf Azemin, Mustafa Henci, Ajet Rushiti, Ing. Nexhat Mitrovica, Ing. Adem Glavica, Prof. Ibrahim Kelmendi dhe shumë atdhedashës të tjerë nga Organizata “Balli Kombëtar”, si: Vasil Andoni, Zef Pali, Imam Vehbi Ismaili, Dr. Nihat Bakalli etj.
Gjithashtu, një mbështetje të madhe Organizata “Lidhja Kosovare”, gjeti edhe nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, që sapo ishte formuar, me mbështetjen dashamirse të anglo-amerikanëve.
Autori i mirënjohur në botën shqiptare, studiuesi i palodhur Prof. Riza Sadiku, nuk u kursye në hulumtimet e tij, udhëtimet e shpeshta nga një vend në tjetrin, për t’a bërë këtë vepër sa më të plotë, madje dhe udhëtimet e here pas hershme drejtë SHBA-ës, prandaj ky libër, është gjithëpërfshirëse me shumë fakte të panjohura, ku, qëllimin kryesor të tij, ka pasqyrimin e pasur të aktiviteteve të “Lidhja Kosovare”, duke u mbështetur në arkivat e veprimtarëve, që vepruan ndër dekada, si dhe periodikun e shtypit të kohës të mërgatës shqiptarë dhe shtypin e huaj.
Në këtë vepër shumë të rëndësishme, gjenden dokumente origjinale, korrespondenca, letra dërguar Fuqive të Medha, raporte e projektrezoluta të paraqitura, para organizatave ndërkombëtare dhe kongreseve tëBashkimit Federal të Grupeve Etnike të Evropës.
Vepra në fjalë, për nga struktura është e ndarë në gjashtë kapituj. Ajo fillon me rrethanat se si u formua organizata, programin dhe statutin, themelimin dhe njohjen e saj ndërkombëtare, e cila më vonë vijon me pjesëmarrjen e “Lidhjes Kosovare” në kongreset e përvitshme të BFGEE-së, ku, me fakte të pamohueshme e raporte i paraqiti të pranishmëve (nëpërmjet delegacionit të saj), mohimin e të drejtave të shqiptarëve nën Jugosllavinë, përsekutimet, vrasjet e burgosjet e njerzve të pafajshëm, ku, i vetmi krim i tyre ishte të qënurit shqiptarë.
Në çdo kongres që u zhvillua, në çdo përvjetor të Pavarsisë iu kujtua botës së lirë se shqiptarët po privoheshin nga liritë dhe të drejtat e tyre, gjë që nuk bëhej me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Në libër, lexuesi mëson, se nëpërmjet delegacionit të saj bëhej ndërgjegjsimi i opininoit ndërkombëtar. Kjo praktikë pune, sipas autorit të veprës historike Prof. Sadiku, ishte qëllimi kryesor. Në këtë mënyrë, u arrit që Fuqitë Perendimore t’i imponojnë Jugosllavisë “rregullat e lojës”.
Vlen të përmendet angazhimi i Lidhjes Kosovare në Kongresin XVII të BFGEE (Bashkimi Federal i Grupeve Etnike të Evropës), që u mbajt në maj të 1967 në Aberna të Danimarkës, ku, në mes të tjerave një nga delegatët përmendi dokumente të shtypit jugosllav dhe atij ndërkombëtar, për të argumentuar sa e fuqishme ishte shtypja, krimet, diskriminimet dhe përsekutimet e deri atëhershme të autoriteteve serbo-malazeze, që kishin bërë ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.
Ndërsa, në Kongresin XIX të BFGEE (Maj, 1969), në Colmar të Alzas-it të Francës,që përkonte me faktin se 6 muaj më parë kishin shpërthyer demostratat e nëntorit 1968 në Prishtinë, Tetovë dhe Ulqin, ku, organet policore në bashkëpunim me ato gjyqësore të regjimit komunsit të Beogradit ndiqnin e burgosnin dhe denonin rininë e pafajshme shqiptare, që kërkonte të ishte e barabartë me popujt e tjerë. E gjithë pabarazia kombëtare, politike, shoqërore, sociale, ekonomike, kulturore si dhe represioni e robërimi i shqiptarëve, duke ushtruar mbi ata terror psikologjik deri në asgjesim të plotë apo dhe shpërngulje nga shtëpitë e tyre.
Në kongres, përveç raportit të hollësishëm për gjëndjen e shqiptarëve nën Jugosllavinë, u saktësua, se: “Gjëndja e vështirë në Kosovë para 2-3 vjetëve e pranuan Qeveria e Beogradit dhe mediumet serbe me rastin e shkarkimit të Minsitrit të Punëve të Brëndshme të Jugosllavisë A. Rankoviq, me të cilin rast dolën në shesh krimet dhe mizoritë e bëra ndaj shqiptarëve”.
Mes të tjerave, në raport thuhet në formë revolte: “Në zemër të Evropës, afër dy million kosovarë shqiptarë ndrydhen nëpër kampe, arrestohen, torturohen. Ma se 50.000 shqiptarë, janë vramë nga fundi i 1944-s deri me 1965, nga regjimi komunist i vendosur mbas luftës, edhe bota hesht, ndërsa Marshali Tito çon zanin për të drejtat e vendeve ma të vogla të Afrikës”.
Me këto fakte, justifikohen edhe demostratat e rinisë kosovare, pikërisht një ditë para përvjetorit të Pavarsisë. Këto revolta dëshmojnë për shpirtin kryengritës dhe janë thelbi i dëshirës, për të qënë të lirë e të pavarur, ku flamuri shqiptarë të valvitet pa frikë, e gjuha e embël shqipe të flitet anëkënd trojeve shqiptare.
Raporti, ilustrohet dhe me akt-akuzat konkrete të regjimit komunist, ku thuhet: “Në përiudhën prej 28 Nanduer deri me 1 dhjetor 1968, në Gostivar dhe në disa fshatra të kësaj komune, me qëllime të këqija, kanë valvitë flamujtë shqiptarë, kanë lëshuem parulla armiqësore, kanë shkaktuar urrejtjen nacionale në mes të popullsisë, kanë nxitë popullsinë e ndryshme anti-kushtetore, anti-shtetnore, dhe kundër Republikës të Maqedonisë”.
Këto sjellje të shqiptarëve për liri e barazi, konsiderohen si krime, ndonse më të madhe Jugosllavia propogandonte se “popujt e saj jetonin në harmoni, të lirë dhe të barabartë”. Kjo ishte një gënjeshtër e madhe, në rastin e shqiptarëve, të lodhur nga padrejtësitë në kurriz të tyre.
Menyrën sesi regjimi Beogradit trajtonte shqiptarët “Lidhja Kosovare”, në emër të afro 2 milion shqiptarëve, do çoj zërin deri në instancat më të larta siç ishin: zyrat e shtypit dhe diplomacisë, organizatat ndërkombëtare të paqes dhe mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, sindikatave etj. Mes të tjerave, informata saktësonte: “Nën regjimin e ri të ashtëquajtur socialist, politika e kombësive, që parashef Kushtetuta e shtetit federative jugosllav, nuk asht zbatue për kombësinë shqiptare. Ndërsa Mali i Zi me 450.000 banor nga të cilët pothuajse gjysma janë shqiptarë, dhe nji Maqedoni me 1.400.000 frymë, nga të cilët një pjesë e mire, përbëhet prej shiqptarësh, kanë republikat e tyre autonome, të një milioni e gjysmë shqiptarët ndodhen të ndamë në tri Republika, në at të Malit të Zi, Maqedonisë, dhe nji krahinëe ashtuquajtur autonome i asht ngjitun Serbisë. Qëllimi i kësaj ndamje administrative, asht fare i dukshëm: Jugosllavia don me shtyp çdo ndjenjë kombtare të shqiptarëve, çdo zhvillimi kulturor, për me i zhduk ma lehtë me anën e tmerrit dhe mizorive, të shpronsimit dhe kolonizimit”.
Dëshminë më të mire, mbi gjëndjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi e dha troç një nga shefat e policisë serbe, Millovan Jashoviç, kur desh të çfajësohej, për mizoritë e kryera kundrejt shqiptarëve: “Ishte më të vërtet gja e teprume dhe e neveritshme, – tha ai- por këtë mënyrë veprimi e kishim trashëgim”.
“Lidhja Kosovare”, në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e Lirë”, u dërguan telegram OKB-së dhe Shtëpisë së Bardhë, lidhur me dënimin e 36 shqiptarëve në gjyqet e Pirshtinës dhe Shkupit.
Në veprën e Prof. Dr. Riza Sadikut, trajtohen shumë çështje të rëndësishme, ku midis tyre ishte edhe reagimi protestues i “Lidhjes Kosovare”, kundër Konferencës së Beogradit, për Marrveshjen e Helsinkut.
Ajo organizoi edhe tubime të tjera. Në historinë e diasporës, përmendet edhe sot e kësaj dite protesta e madhe para Shtëpisë së Bardhe, pikërisht ditën e 16 qërshorit 1977, kur do të mbahej Konferenca në Beograd.
Në kongreset e mëvonshme të BFGEE-së (Prill, 1982) në Strasburg të Francës, delegatët kosovarë paraqiten raportin dhe Rezulutën, për dhunën gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981. Asokohe manifestimeve të studentëve shqiptarë gjatë periudhës mars-prill 1981, forcat policore iu kundërpërgjigjen, duke ushtruar dhunë.
Nga raportet e kohës, thuhej se ishin vrarë mbi 3000 burra, gra e fëmijë, pa përfshirë këtu shifren e lartë të arrestimeve dhe turturave në burgje.
Këto masa shtypëse dhe vrasese të Qeverisë Jugosllave, janë mohim flagrant i shpalljes së përbotshme të Drejtave të Njeriut e i Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuar, që Jugosllavia vetë i kishte nënshkruar.
“Lidhja Kosovare”, nuk e reshti aktivitetin dhe luftën e saj të ftohtë deri në realizimin e plotë të asaj që Jugosllavia e kishte trajtuar si “çështje të brëndshme” të saj. Organizata, arriti të bind opinionin ndërkombëtar, se Kosova s’ishte çështje e brëndshme e Jugosllavëve dhe me ardhjen e Millosheviqit në pushtet situate u bë më e rëndë, duke marrë tiparet e një gjenocidi dhe etnocidi të madh ndaj shqiptarëve.
Vëmendje të veçantë çështjes së Kosovës, po i kushtonin dhe revista e gazeta siç ishte javorja “Danas” e Zagrebit apo dhe prestigjozia “The New York Times” e datës 4 prill 1989 ku saktëson, se: “ Në Prishtinë e në Ferizaj për një ditë kshin vdekur 15 veta, se në Prizren kishte parë shumë të rinj të moshës 9-13 vjeçarë të plagosur rëndë nga plumbat shpërthyes dum-dum, të cilat armë me konventa ndërkombëtare dhe me marrëveshjen e Gjenevës janë të ndaluara”.
Ajo që theksohej në kongreset e BFGEE-së, ishte reale, se: “Pa një zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës në Ballkan, nuk duhet pretenduar të ketë paqe dhe qetësi”. Lidhja Kosovare, tregoi gatishmërinë e saj në vitin 1993, duke mbështetur dhe “Lidhjen e Çamerisë”, në Kongresin e BFGEE-së, që u zhvillua në Flenesburg të Gjermansië, ku, përveç delegacionit të Organizatës së “Lidhjes Kosovare” të udhëhequr nga Prof. Luan Gashi Sekretar i Përgjithshëm dhe nga Hafëz Jusuf Azemi e Ajet Rushiti, anëtarë të Komitetit Qendror, punimet e kongresit, u ndoqën dhe nga Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërsië në Bon, Bardhyl Kulla, gazetari kosovar Jusuf Buxhovi dhe pjesëmarrës për herë të parë ishte dhe Kryetari i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”.
“Lidhja e Çamerisë”, paraqiti një raport përgatitur nga Prof. Kolë Boçari, ku, me fakte dhe dokumente paraqitet dhuna e organizuar dhe sistematike të regjimit grek ndaj popullit shqiptarë çamë, gjatë gjithë periudhave historike. Aty u kërkua, që Kongresi të ushtronte trysni mbi Qeverinë Greke, që të lejoj kthimin e çamëve në trojet e tyre nga ishin shpërngulur, tu kthehej pasuria dhe të lejohej zhvillimi i kulturës kombëtare.
Lidhja Kosovare, veproi pareshtur, duke i dërguar dhe informuar dhe Shtëpinë e Bardhë, për çështjen e shqiptarëve nën Jugosllavinë.
Pas viteve 90’ Lidhja Kosovare, apelonte dhe kërkonte vazhdimisht, që ndërkombëtarët të mos lejonin që Kosova të kthehej në një Bosnje të Dytë.
Në vitet 1995-96’, burgjet ishin mbushur me elitën kosovare, të kryesuar nga Prof. Ukshin Hoti, dhe anëtarët e Kuvendit të Kosovës, si: Bajrush Xhemajli, Adem Salihaj, Xhelal Canziba etj. Po ashtu autoritetet serbe, përtej çdo limiti sulumuan dhe vendet e shenjta sikurse ishte rasti i Kishës Katolike të Bishtazhinit në Komunën e Gjakovës, si dhe torturuan barbarisht meshtarin e nderuar Don Viktor Sopi dhe motrën e nderit Roza Çerkini.
Gjëndja në Kosovë dita ditës po përkeqsohej. Këtë gjë e pasyqon edhe shtyp i huaj. Kështu revista analitike me famë botërore *The Economist” (Londra) e datës 29 mars 1997, i kushton një artikull, duke u shprehur se“Gjendja në ato vënde është si një kuti baruti, e gatshme për të shpërthyer në çdo moment”.
“Lidhja Kosovare”, në kongresin e radhës të BFGEE-së të mbajtur në Çeki, kërkoi me një rezozlutë të veçantë, që urgjentisht të vendoseshin trupat e NATO-s në Kosovë. Kjo inisiativë u pranua unanimisht nga Kongresi. Ndërhurja në Kosovë e NATO-s (të kryesuar nga SHBA) ishte e pashmangshme dhe zgjedhja e duhur, për të ndërprerë gjenocidin biblik serb ndaj shqiptarëve.
Siç vihet në dukje, në gjithë aktivitetin e Lidhjes Kosovare, qëllimi kryesorë ishte ndërkombtarizimi i çështjes Shqiptare nën Jugosllavi, në çdo përvjetor të Pavarsisë dhe në çdo aktivitet tjetër, kërkohej zgjidhja e çështjes shumë delikate. Mbështetja nga shumë senator e kongresistë amerikanë, nuk mungoi. Kjo reflektohet shumë bukur edhe nga studiuesi Prof. dr. Riza Sadiku në veprën voluminoze, duke përmendur konkretisht shumë emra, sipas kontributit të secilit prej tyre.
S’mund të lëmë anash ndërhyrjen e Organizatës Lidhja Kosovare, më 17 qershor 1982, pranë Ambasadorit të Kombeve të Bashkuara Z. Jane Kilpatrick për njohjen e Republikës së Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë, si dhe të kërkohej amnisti për mijëra shqiptarë, që gjenden nëpër burgje jugosllave.
Cilësohet dhe lidhja e ngushtë e bashkëpunimi për zgjidhjen e çështjes Shqiptare, mes Komiteti “Shqipëria e Lire”, “Ballit Kombëtar” dhe “Lidhjes Kosovare”, ku dhe organet e shtypit të këtyre organizatave ishin mjetet informuese për diasporën si gazeta Flamuri, Besa, Përpjekja Kosovare. Lidhja Kosovare, do të mbahet mend si zëdhënëse të palodhura e çështjes shqiptare deri në vitin 1999, ku dhe NATO ndërhyn në Kosovë për t’i dhënë fund gjenocidit të politikës së Beogradit mbi shqiptarët.
Lidhja Kosovare, mbështeti fuqimisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarve të Maqedonisë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Historiani Prof. Dr. Riza Sadiku, me seriozitet dhe fakte të pamohueshme, ka arritur që me anë të kësaj vepre të na paraqes veprimtarinë e emigracionit shqiptarë që e dëshiruan atdheun e tyre të lirë dhe për këto ideale u përpoqën fizikisht, mendërisht dhe financiarisht, duke bashkuar forcat pranë Lidhjes Kosovare, për t’i shërbyer atdheut, i besuan pjekurisë politike dhe vendosmërisë së organizatës në fjalë.
Për çmueshmërine e kësaj vepre, na tregojnë burimet e përdorura përveç arkivave të aktivistëve kosovar, që ishin pjese integrale e Lidhjes Kosovare, janë dhe shtypi emigracionit e i huaj si dhe veprat e studiuesve shqiptar, që kanë studiuar mërgatën shqiptare.
Rëndësia e veprës, nuk u shërben vetëm historianëve të sotëm, por edhe brezave të ardhshëm, që do t’a shkruajnë historinë me pa-anshmëri dhe të zhveshur nga dogmat.
Kjo vepër e mirëseardhur e historianit të mirënjohur Prof. Dr. Riza Sadikut, shërben si referencë për atë version zyrtar të historiografisë shqiptare.
Presidenti i Nishani do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Miçiganit
Ne Foto: Gjate vizites te Presidenti i Republikes se Shqiperise, Z. Bujar Nishani ne komunitetin shqiptar ne Detroit ne datat 22 dhe 23 Shtator 2013./
Nga Rafael Floqi/Michigan/
Presidenti i Nishani do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Miçiganit. Në ligjëratën e tij Presidenti do të flasë për demokratizimin dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër profesorë dhe studentë shqiptarë që studiojnë dhe punojnë në këtë unversitet do të organizojnë edhe një fond për studentët shqiptarë nga ky universitet dhe një mëngjes pritje për këtë rast
Sipas informacioneve nga qendra Weiser për Demokracitë në Zhvillim në Universitetin e Miçiganit, në Ann Arbor Bujar Nishani, president i tanishëm i Republikës së Shqipërisë, do të mbajë më 29 shtator, ligjëratën me titull “Shqipëria, një demokraci e re drejt Bashkimit Evropian,” e cila do të përqëndrohet në transformimet demokratike në vendin tonë gjatë dy dekadave të fundit dhe sfidat e kalimit nga një shtet socialist në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe masat e qeverisë për të siguruar integrimin evropian dhe pengesat për sukses. Ndër temat e tjera do të përfshihen liria fetare brenda Shqipërisë, siguria rajonale në Ballkan, dhe roli që mund të luajnë studentët në avancimin e parimeve demokratike në mbarë botën.
Leksioni do të mbahet ditën e hënë, më shtator 29, 2014, në orën 4:00 pm në Rackham Auditorium, 915 E. Washington St, Ann Arbor, MI. Hyrja është e lirë dhe e hapur për publikun. Leksioni do të prezantohet nga Qendra Weiser për zhvillim e Demokraci, me mbështetjen e Qendrës për Studime Europiane dhe Qendrës Për Studime Ruse dhe të Evropës Lindore si dhe për studime euroaziatike.
Qendra Weiser për zhvillim Demokraci (WCED) kombinon studimet akademikë me aplikimet praktike, promovon bursa për të kuptuar më mirë kushtet dhe politikat që nxisin kalimin nga sundimi autokratik drejt qeverisjes demokratike, nga e kaluara tek e tashmja. Ajo gjithashtu edukon gjeneratat e reja të cilët mund ta aplikojnë studimet dhe përvojën e tyre për të ndihmuar e zgjeruar liritë demokratike. Ajo është emërtuar për nder të Ronald dhe Eileen Weiser të cilët të frymëzuar nga koha e qendrimit të tyre në Sllovaki, gjatë shërbimit tëz. Weiser si ambasador amerikan në vitet 2001-04, dhe ka nisur operacionet qysh nga shtatori 2008.
Ftesa presidentit u bë me nismën e një studenteje për postdoktoraturë, Albana Shehaj dhe u mbështet nga Shoqata e Studentëve Shqipataro Amerikanë dhe nga drejtoresha e Donacioneve dhe Angazhimeve Ndërkombëtare pranë, Kolegjit të Letërsisë, Shkencës dhe Arteve, Klementina Sula.
Hyrja do të jetë falas dhe organizatorët inkurajojnë për të marrë pjesë sa më shumë anëtarë të komunitetit shqiptar pasi auditori zë më shumë se 1000 veta . Në këtë kuadër për nder të vizitës së Presidentit, nga Universiteti i Miçiganit do të ndërmirret edhe Nisma e Bursave Verore për Komunitetin Shqiptar e cila shpreh dëshirën për të bashkëpunuar me komunitetin shqiptaro-amerikan në Michigan për të rritur mbështetjen për të filluar një financim edhe nga Universiteti i Miçiganit. “Iniciativa e bursave verore per Komunitetin Shqiptar,” do të ofrojë fonde për studentët shqiptarë nga një spektër i gjerë i disiplinash të Universitetit të Miçiganit për të studiuar, bërë hulumtime, ose ndjekur praktika në Shqipëri dhe në vendet fqinje përreth që synojnë të bashkohen me BE në. Ky fond do të investohet edhe nga Universiteti i Miçiganit në masën 4.5% të totalit për çdo vit. Fondet do të administrohen nga Qendra Weiser për Evropën dhe Euroazinë “,shkruan Klementina përgjegjëse për këtë nismë.
“Qëllimi ynë është për të mbledhur deri 100.000 $ para vizitës së Presidentit. Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe pesë institucionet kulturore fetare në komunitetin shqiptaro-amerikan për të punuar me anëtarët e tyre për të kontribuar në këtë qëllim. Nëse komuniteti mund tëmbledhë $ 100,000 ose më shumë për të mbështetur përvojat e studentëve të tilla si këto, atëherë Universiteti i Miçiganit mund të shtojë 25% të fondeve dhuratë”, bën me dije Klementina Sula .
. Deri tani ata kanë marrë një donacion prej $ 25,000 nga Sava Lelçaj Ne do të donim për të mbledhur këto para para 24 shtator në mënyrë që ne mund ta njoftonim për këtë dhuratë nga Universiteti i Miçiganit, kur Presidenti i Shqipërisë të jetë këtu. Kjo dhuratë, e cila është një investim për studentët tanë dhe një investim për Shqipërinëë e do t’i tregojë Presidentit që komuniteti shqiptar në Michigan ka investuar në promovimin e bursave.
Gjithashtu , një brunch. mëngjes festiv do të mbahet të martën, më 30 shtator në 9:30 am me Presidentin Nishani dhe studentët nga Organizata Studentore Shqiptaro Amerikane në Universitetin e Michiganit Në qoftë se anëtarët e komunitetit të bëjnë një donacion prej 250 $ ose më shumë ata do të ftohen nga Universiteti i Miçiganit në këtë mëngjes të Presidentit me studentët shqiptaro-amerikane. Mëngjesi shtrohet ë Aventura Restorant cila është në pronësi të zonjës Sava Lelçaj, e cila ka marrë persipër këtë mëngjes .Të gjitha donacionet do të mbështesin Fondin “Nisma Shqiptare për Studime Verore në Universitetin e Miçiganit. Të interesuarit mund të kontaktoni nëpërmjet telefonit znj Klementina Sula në &34.615.6634) ose e-mail (ksula@umich.edu) në qoftë se kannë ndonjë pyetje.
Shënim : Individët e interesuar për të kontribuar në këtë fond mund të shkruajnë një check të pagueshëm Universitetin e Michigani dhe ta postojnë atë Klementina Sula, Drejtoreshë e Donacioaneve dhe Angazhimeve Ndërkombëtare pranë, Kolegjit të Letërsisë, Shkencës dhe Arteve, , Director of International Giving and Engagement, College of Literature, Science, and the Arts, 500 South State Street, Suite 5000, Ann Arbor, MI 48109.
PROKURORIA, GUVERNATORI DHE KËSHILLI MBIKQYRËS I BANKËS KOMBËTARE
SHKRUAN: GAVROSH LEVONJA/New York/
Arrestimi i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, që nga mënyra dhe rrethanat si u realizua, deri diku përbente dhe një surprizë, natyrisht që pati një jehonë të gjerë në opinionin publik, madje dhe në qarqet politike. Pjesën e luanit në këtë jehonë, pa dyshim, e pati prokuroria nga zyrat e së cilës doli dhe urdhëri për vënien nën pranga të zotit Fullani. Kështu, vetë prokurori firmën e të cilit mbante urdhër arresti do të ishte heroi i ditës në pjesën më të madhe të mediave shqiptare dhe sidomos në rrjetet sociale. Kuptohet se lavdet e përgëzimet në adresë të prokurorisë ishin dicka që pritej, po të kihet parasysh se prokuroria, e cila, për të qenë realistë, gjatë një periudhe shumëvjecare ka dështuar ose të paktën ka qenë e pafuqishme për të pasur sukses me dosjet e ceshtjeve të bujshme, ku të akuzuar kanë qenë personalitete nga politika apo qarqe të lidhura me të. Madje arrestimi i Fullanit, krijoi një frymë optimizmi se më në fund prokuroria po shkëputej nga prangat e politikës duke filluar luftën kundër krimit shtetëror. Mirëpo, duke analizuar zhvillimet menjëherë pas daljes në dritë të lajmit për vjedhjen në mjediset e thesarit të Bankës së Shqipërisë, në radhë të parë reagimet e klasës politike shqiptare, opozitës dhe qeverisë, mendoj se nuk ka vend për optimizëm përsa i përket të ardhmes së aktivitetit të organit të akuzës kur është fjala në raportet me politikën, më së pari me pushtetarët e radhës. Gjatë gjithë periudhës që nga dita e publikimit të vjedhjes së Ardian Bitrajt, politika shqiptare është ndodhur midis dy zjarresh; nga njëra anë presionit të pjesës më të madhe të opinionit publik i cili kërkonte ndëshkimin e guvernatorit si përgjegjës kryesor dhe nga ana tjetër një reagimi të mundshëm të ndërkombëtarëve, të cilët cdo hap që mund të conte drejt shkarkimit të guvernatorit të bankës, mund ta cilësonin si “cënim të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”. Aq më tepër kur kryeministri, Rama ishte shprehur për “stabilitet financiar” gjë që nënkupton meritën e Bankës së Shqipërisë, në një kohë kur edhe Këshilli Mbikqyrës i bankës, pas një votimi, kishte hedhur poshtë, pothuajse unanimisht një shkarkim të mundshëm të Fullanit qoftë dhe në formë dorëheqjeje. Në dritën e një optike të tillë, mund të shpjegohet dhe “guximi” i një zyrtareje të bankës për të injoruar parlamentin duke mos denjuar të paraqitej për të dëshmuar para komisionit parlamentar për ekonominë. Fakt është se kushtet për të vënë në lëvizje mekanizmat për rrëzimin e Ardian Fullanit nga maja e piramidës bankare të Shqipërisë do të fillonin vetëm pas arrestimit të tij në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga prokurori Troci. Personalisht, duke pasur parasysh sa më sipër, urdhëri i prokurorisë për të prangosur guvernatorin e deriathershëm të Banksës së Shqipërisë, jo vetëm nuk më bën “optimist” për fillimin e një “sfide” të organit të akuzës kundër shkelësve të ligjit nga radhët e pushtetarëve, por, në të kundërt, them se duke arrestuar Fullanin, prokuroria i bëri shërbimin e radhës politikës duke e cliruar nga “barra” e rëndë për të vepruar kundër kreut të bankës qëndrore të vendit. Duke lexuar pesë shkeljet mbi të cilat prokuroria ka bazuar akuzën kundër ish-guvernatorit te Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, te krijohet përshtypja se gjithcka është bërë në kushtet e emergjencës së krijuar si rezultat i ndonjë presioni për të “bërë letrat” që do ta dërgonin numrin një të bankës prapa hekurave.
Zoti Fullani ndodhej ne krye të Bankës së Shqipërisë që nga tetori i vitit 2004, pra një periudhë dhjetëvjecare, gjë që natyrshëm të con tek pyetja: “Shkeljet” e konstatuara prej prokurorisë e kanë zanafillën që prej viti 2004, vitin e kaluar apo muajin e kaluar? Mirë, Fullani, nuk paska propozuar zv/guvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, po Këshilli Mbikqyrës si është e mundur që nuk i a ka kërkuar atij një gjë të tillë. Prokurori i ngarkuar për cështjen në fjalë, në komunikatën e publikuar nuk përmend ndonjë fakt si fjala vjen që “filan antar i këshillit mbikqyrës i a kërkoi por guvernatori nuk e përfilli”. E njejta gjë mund të thuhet edhe për “shkeljet” e tjera; Si ka mundësi që ky këshill i quajtur mbikqyrës paska bërë sehir Fullanin duke e lënë të shijë si të dojë qe nga dita e ardhjes në krye të bankës qëndrore të vendit? Ndoshta duke mos qenë në kontakt direkt me atë c’ka është bërë në Bankën e Shqipërisë në vite mund edhe të gaboj, por logjika më con në atë që “shkeljet” në fjalë duhet të kenë ekzistuar që para ardhjes së Fullanit. P.sh. nëse do të kishte pasur një zv/guvernator të dytë para Fullanit, kur pse dhe si u largua? Si ka mundësi që Fullani i akuzuar se ka mbushur bankën me miq, të afërm të tij dhe të politikanëve të rëndësishëm e paska lënë t’i shpëtojë një post i tillë pa emëruar dikë të vetin? Së dyti, kur flitet për “nisma juridike”, për “rregullore të thesarit”, për “politika për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme”, etj. të gjitha këto paskan qenë lënë të bëheshin ditën kur do të vinte këmbë në zyrën e guvernatorit, Ardian Fullani? Gjithashtu, po para Fullanit si kryheshin auditet në Bankën e Shqipërisë? Dihet se në Shqipëri ai që vjen në krye të një institucioni më shumë është i prirur të ndryshojë njerëzit se sa normat e stilin e punës. Nuk dihet saktësisht nëse është shtyrë prokuroria për të hetuar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë para ardhjes në krye të saj të Fullanit. Nëse do të shpresohej për një hetim të suksesshëm, ky nuk do të ishte i mundur pa hetuar imtësisht aktivitetin e Këshillit Mbikqyrës. Konkretisht,shkeljet e evidentuara nga organi i akuzës, gjykuar nga përmbajtja e tyre duhej të kishin qenë objekt shqyrtimi i Këshillit Mbikqyrës të Bankës, antarët e të cilit duhej të kishin ngritur zërin edhe për shkëljen apo abuzimin më të vogël nga ana e kreut të bankës. Madje, më shumë se guvernatori, roli kryesor i të cilit janë probleme të tilla si politikat monetare, koordinimi i tyre me situatat ekonomike e sociale të vendit, me levizjet në qarqet financiare ndërkombëtare, i mbetej anëtarëve të këshillit të merreshin me atë që mund të konsiderohet si “prapavija” sic janë problemet e sigurisë, apo zbatimi i rregulloreve të brendshme, etj. Lidhur me këtë ma do mendja se në asnjë vend të botës guvernatori i një banke ka luksin të merret me problemet e sigurisë në një institucion bankar qoftë dhe të nivelit të dytë. Përsa i përket auditeve guvernatorja e re dëshmoi para prokurorisë se për auditet e munguara në vitet 2012, 2013 dhe 2014 përgjegjësia i takon ekskluzivisht kryeinspektores se arrestuar, Golemi, po athere si mund të mbetet jashtë përgjegjësive vetë guvernatorja e re, deri dje zv/guvernatore, të cilës nuk i paskan rënë në sy auditet e munguara gjatë një periudhë trevjecare? Të gjitha akuzat ndaj Fullanit duke pasur parasysh qëllimin dhe kuadrin ligjor të funksionimit të këshillit mbikqyrës, rëndojnë dhe mbi antarët e këtij këshilli i cili paska qenë një organizëm krejt formal, i ngjashëm me bordet e institucioneve e kompanive të ndryshme, ku të emëruarit e kanë kuptuar detyrën e tyre vetëm për të marrë rrogat e majme duke e pasur qenien në këshillin mbikqyrës si “punë të dytë”. Normalisht, antarët e këshillit mbikqyrës duhej të ndëshkoheshin me kthimin e këtyre rrogave për punë të pakryer.
“…VARRI I TIJË DY KONTINENTE…”
Nga Albert Z. Zholi/
Ishte ditë vjeshte, por dielli digjte si në gusht. Këmbët më cuan përpara një dyqani ëmbëlsirash. Në vitrinë më tërhoqi vëmendjen një portret i njohur, vendosur në një kornizë. E kisha për herë të parë nëpër faqet e librave të shkollës. Ashtu i lodhur sic isha, i pluhurosur e i leckosur , qëndroja para vitrinës dhe nuk ngopesha së pari. Ishte ajo fytyrë, ajo mjekër hijerëndë, ata sy fisnikë, ajo hundë si shqiponjë, ajo vështrim ëndërrimtar …Para meje ishte Ali Pasha …
-Ti qitas? ( cfarë shikon)- foli pronari i dyqanit, duke menduar se po lëpija, nga jashtë xhamit, ëmbëlsirat e tij.
-Pashanë e Janinës shikoj- iu përgjigja unë krenar e zëfortë, në ato dy fjalë të pashqitëshme…
Pronari më pa i cuditur, pastakj dic tha nëpër buzë e hyri brenda…” Këto i lexova tek një libër i pa botuar ende i Kzharkallit. Dhe brenda trurit nisën të lëviznin me jehonë, vjershat e këngët, historitë e gojëdhënat për Ali Pashë Tepelenën e Janinës… Që edhe pse kish vdekur më 5 shkurtin e 1822-shit po jetonte në dy jetë : Jetën e luftës e jetën e këngës… Dhe jeta e dytë e këngës, ishte më e madhërishmja, më e pavdekshmja. Por e vecanta e këtijë njeriu me dy jetë është se ai i kishte të gjitha nga dy: Dy gjuhë, dy vende, dy fe, dy pashallëqe, dy gra, dy djem, dy varre…
Kjo e vecantë për të gjithë njerëzit që kanë bërë histori , është përjetuar edhe në këngë
“… Ali Pasha me dy varre,
Në dy shtete, në dy qytete,
Varri I tij, dy kontinente …” Tepelena e lindi, Janina I mori kokën.
Të parën e shkeli këmbëzbathur, të dytën e bëri vetë …
“ Janinë, Janinë e shkretë,
Të pacë ndërtuar vetë,
S’të gëzova as unë as djemtë…”
Të rëntë zjarri të djegtë…”
Hija e tijë është e kudoshtrirë, sa gjithkush, duhet t’I hedhë me kujdes hapat, për të mos e shkelur…
Por ai është e njëherësh fshihet e bëhet I padukëshëm. Dhe në momente kur po populli ka ethe e zjarrëllëk shpirti e kërkon që të shfaqet me dy jetët njëherësh:
“…Ku je Ali Pashë ku je?
Mblidhi trimat ku i ke?!…