• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E sotmja është nxënësja e së nesërmes

September 5, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI /
“I lumtur është ai njeri,i cili fiton mendjemprehtësinë e të mësuarit që në rini,por tri herë më i lumtur është ai që ruan zellin e rinisë në moshë të kaluar”(Dagobert Rune)
Mendimi s ´është më pjesë e gjykimit kur bëhet prangë e kuriozitetit”, kjo thënie, është thelbi i mënyrës së mësimdhënies. Mësimdhenia nuk është thjesht një profesion; mësimdhenia është art, në të cilin mësuesi me pasionin e tij për dijen, me integritetin dhe përgatitjen e tij arrin t’i frymezojë studentët e vet, pasi nuk është thjesht aftësia për t’i mësuar njerëzit, por është aftesia për t’i frymëzuar ata që e bën ndryshimin midis një mësuesi të zakonshëm dhe një mësuesi të mirë. Mësuesi në klasë nuk jep vetëm njohurinë mbi subjektin, të cilën studenti e gjen edhe nëpër libra, por jep edhe atë ccfarë ai është si person në vetvete, eksperiencën personale, tërësinë e vlerave dhe cilësinë e karakterit të tij. Mësimdhënia e mirë ka për kusht domosdoshmërinë për të pasur një komunikim të hapur e të lirshëm midis pedagogut e studentit, një marrëdhënie të bazuar në respekt të vërtetë e të ndërsjelltë, duke krijuar një ambjent në të cilin studenti nuk do të ketë ndroje të shprehë mendime, të bëjë pyetje, të sqarojë paqartësira, si dhe të ofroje nga ana e tij sa herë që të mundet plotësime e risi në dijet në fjalë, duke u ndjerë i mirëpritur, i pranuar dhe i vlerësuar nga profesori. Eshtë ccështje sedre profesionale dhe një interes parësor që studentet të kuptojnë ccfarë u shpjegohet ne leksion dhe te marrin pjese ne aktivitetet qe ndodhin ne seminar. Nuk ka asnjë gjë tepër të vështirë për t’u shpjeguar; asnjë njohuri apo arsyetim nuk është tepër i komplikuar për t’u sqaruar. Nese pegagogu ka kaluar kohë për ta hulumtuar dhe për ta kuptuar konceptin së pari vetë, atëhere asnjëherë nuk është tepër e vështirë t’ua përcjell atë koncept studentëve, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë. Synimi pedagogut është që studenti ta kuptojë leksionin që në klasë, duke e dëgjuar prej tijë, dhe në shtëpi pastaj t’i mbetet vecse thellimi dhe pasurimi i bazave që ka marrë në klasë me detaje të mëtejshme.. Është cështje dinjiteti për një arsimtar të ruajë ndershmërinë, drejtësinë në gjykim dhe vlerësimin në bazë merite. Ruajtja e dinjitetit ka aspektin e vet profesional; besoj që asnjë intelektual, student qoftë apo arsimtar, nuk duhet të përvetesoje në ndonjë lloj mvnyre punën e një tjetri dhe ta paraqesv atë si të vetën, pa i dhënë kredit autorit, apo të përdorë rrugë të tjera të shkurtra që nuk janë të bazuara në studim e hulumtim të vërtetë personal e në punë të ndershme shkencore. Mësimdhenia dhe studimi janë aktivitete idealiste dhe jo materialiste; në këtë këndvështrim, studenti nuk duhet të vijë në universitet thjesht për të marrë një diplomë, por për të marrë arsimim, dhe pedagogu duhet të ketë qëllime të larta në vetvete dhe ta përdorë mësimdhënien jo si mjet shkëmbimi të interesave materiale, por me një mentalitet të ndërgjegjësuar që ndikimi i tij pozitiv apo negativ jehon në brezat dhe influencon drejtpërdrejt mënyrën në të cilën mbruhet shoqëria e një kombi. Mësuesi duhet të jetë një studiues gjatë gjithë jetës së tij; besoj që në momentin në të cilin një mësues pushon se marri informacion, pushon së lexuari material plus që e tejkalon detyrimin e vet të orës së mësimit, ai pushon së dhëni atë substancë të freskët, të padëgjuar më parë, të vërtetë, bashkëkohore, realisht të dobishme e të shijshme për mendjen e një intelektuali, që është dija e vërtetë. “Njerëzit e zgjuar vlersëojnë të gjithë njerëzit, pasi ata shohin të mirën te secili sidomos tek shkollimi dhe e dinë se sa e veshtirë është të bësh dicka të mirë me anë të dijës” ka thënë mbi këtë problem, Baltazar Graciani. Teknologjia dhe ndihma që ajo ofron në mjete për lehtësimin e punës në arsim janë thelbësore për të pasuruar studentin me dije dhe eksperiencë intelektuale. Arsimtari duhet të luajë një rol aktiv në përdorimin e mjeteve teknologjike në mësimdhënien e tij, si dhe në nxitjen e studentëve për punë të pavarur dhe drejtimin e tyre tek burimet e duhura teknologjike në ndihmë të studimit.
Qëllimi në mesimdhënie duhet të jetë i trefishtë: t’u transmetoj studentëve njohuri të sakta, të plota e të mirëinformuara; t’u transmetoj atyre, megjithëse pa fjale, vlerat bazë të moralit e të karakterit dhe pasionin për dijen; t’i frymezoj ata qe t’i cojnë përpara këto vlera në ccfarëdo profesioni të ndodhen në jetën e tyre.
“E sotmja është nxënësja e së nesërmes”(Tomas Fuller)

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Zholi, e së nesërmes, E sotmja është, nxënësja

NJË BALONË NË AJËR, NJË MIQËSI MË SHUMË

September 5, 2014 by dgreca

Nga Sokol Demaku/ Suedi/
Muaji gusht është muaji i fillimit të vitit të ri shkollore në shtete skandinave, muaj i ardhmërisë sonë. Ne këto ditë ishim në një shkollë fillore ketu në Suedi, më përsë afermi në Fjärdinskolan të qytetit Borås, cili shtrihet në Suedinë përendimore afër qytetit të dytë me të madh suedez Göteborg. Në këtë shkollë vijojnë mësimit mbi 65 fëmijë shqiptar duke filluar nga klasa parashkollore deri në klasën e gjashtë në kuadër të 360 nxënësve sa ka gjithë shkolla. Duhet përmendur faktin sa ne mësuam këtu se në këtë shkollë fliteshin 32 gjuhë botërore nga nxënësit e saj.
Në Fjärdingskolan të qytetit Borås të Suedisë është bërë traditë që fillimi i vitit shkollor të festohet më lëshim balonash në qiell. E ky është viti i kaërtë më radhë që nxënësit e kësaj shkolle ne muajin gusht në muajine fillimit të vitit të ri shkollore kanë festë, festëne e fillimit të vitit të ri shkollor si dhe festëne balonëve.
Ne ishim mysafire në këtë shkollë më rastin e fillimit solemn të vitit të ri shkollore e që këtu ishte traditë që në javën e dytë të fillimit të mësimit nxënësit e shkollës të lëshojnë në ajrë balona në shenjë mirësie, mirëqenje dhe respekti. Ishte viti i katërt që nga nxënësit e kësaj shkolle kjo ishte bërë traditë dhe kishte efektin e saj pozitiv në ketë drejtim.
Vitin e kaluar ishin lëshua mbi 288 balonë të lidhurë në 24 tufë për secilën klasë me një letër shkruar nga sejcila klasë me adresë dhe shenim si më poshtë:
”Tu ngjatë jeta!
Kjo është një letërt shkruar nga klasa 3K, Fjärdingskolan nga qyteti Borås. Sot ne fillojmë në menyrë solemne vitine ri shkollor më lëshim balonësh në qiell. Nese ti do më gjesh mua të lutëm na shkruaj një letër”.
Kështu kanë shenua në letrataë e tyre të gjitha klasat e kësaj shkolle e ku këtë vit jane 27 kasa enë qill lëshuan 324 balonë.
Këtë vit ishte kenaqësi te ishe me keta nxenes sepse ne mesine tyre ishte edhe personi qe vitin e kaluar kishte gjeturë në kopshtine e saj ballonat me letrën me adrese se kesaj shkolle dhe klasës e cila kishte lëshua në ajrë balonat. Ishte ish nxënësja e kësaj shkolle Ingela Axelsson e cila para 37 vitesh kishte qenë nxënës e kesaj shkolle mu në klasën e gjashtë në atë kohë. Ajo sot jeton dhe punon në rrethinën e Göteborg bashkë me fmailjen e saj. Nga Fjärdingskolan vendbanim i i saj duhet të ketë diku mbi 130 km ku edhe eshte gjeture balona e hudhurë në ajrë vitin e kaluar. Kjo ishte ish nxënsja e Fjärdingskolan Ingela Axelsson e cila mori pjesë në manifestimine vitit të ri shkollor dhe në lëshuarjen në ajrë të balonave nga nxënësit këtu.Ajo thotë se u ndje e lumtur dhe se kjo është një deshmi se njeriu ndihet mirë kur është ne vemndlidjen ne e tij dhe në mesin e njerëzve të mirë.
Kjo është një deshmi se ne vendet ku cdo gjë funksionon për së mbari, ku njeriu ka respektin për njeriun e mund të ketë gjëra të mira, gjëra të bukura të cilat të bëjnë të ndihesh krenar dhe të mendosh se ndoshta je në shtëpinë tende.
Por edhe ne vet duhet të jemi në ball të ketyre gjërave pozitive për ne, për vendin tonë, për fëmijet tanë, por si duket ne bëjmë pak në këtë drejtim e më shumë krysisht ata të cilët janë në rrjedhën e këtyre ngjarje. Kjo është një deshmi se në ketë vatër arsimi edhe i huaji mund ta ndjej vetën sikur në shtëpi të vet thonë nxënësit e kombeve të ndryshme që vijojnë mësimet në këtë shkollë.
Besoj se edhe ne shkollat tona ka mudnësi ne cdo fillim vitit të organzihen manifestime te tilla me nxënësit. Nuk duhet shumë investim as material as fizik por vetëm vullnet dhe dashuri per punëne, dashuri për njeriun, për fëmijen.
Athua i kemi ne keto?!

Filed Under: Reportazh Tagged With: nje balone ne ajer, nje miqesi me shume, Sokol Demaku

SARANDA DHE DETARËT SHQIPTARË

September 5, 2014 by dgreca

Saranda jonë historike, piktoreske e turistike, një Vatër miqësie e respekti për detarët shqiptarë…/
Mbresa nga Saranda/
Shkruan: Shefqet Kërcelli/
Si pjesë e grupit të punës për organizimin e një vizite të hapur në anijen më të re të Forcës Detare, të emërtuar “Butrinti”, udhëtojmë drejt Sarandës. Ideja ishte të promovojmë aftësitë lundrimore të kësaj anije, e cila do operojë kryesisht në ujërat e detit Jon. Sa herë që më bie rasti të kem nonjë aktivitet në këtë qytet të bukur një mori mendimesh e mbresash shoqërojnë memorien e imagjinatën time, se cka një gjë të vecantë, herë-herë mistike ky qytet. Bashkë me kolegët e mi në Flotë, Kapiten Engjëllin, Dorianin e Emrushin e kishin merakun tek mbarëvajtja e vizitës, si do pritet anija, cfarë do na afrojë Saranda në këtë fund gushti? Në fakt shumicën e herëve në Sarandë kemi shkuar me anije, por këtë radhë për arësye të kohës, shkuam me tokë, sic thonë detarët. Postblloqe të policisë që hasëm rrugës na përshëndesnin gjatë këtij udhëtimi të qetë drejt qytetit jugor të vendit. Ata janë në punën e tyrë, thotë kapiten Engjëlli. Mbas dy ndalesave, një në Ujin e Ftohtë dhe në një kafe në afërsi të Dervicanit në muzgun e datës 27 gusht ju afruam Sarandës. Gjatë rrugës provuam njohuritë tona gjeografike për zonat dhe qytetet që kaluam, por një ndjenjë ankthi na shoqërontë gjithë kohës. Në mëndje kisha fjalët e kapitenit të vjetër Sali Alushi{Kripa} {I thonë kështu se ai për 40 vjet rresht ka transportuar një mal me kripë nga Vlora në Sarandë}, e qindra detarëve të tjerë, që më kishin përcjellë një copë kujtim nga Saranda:-banorët e këtij qyteti janë mikpritësit më të mëdhenj të detarëve! Dhe këtë herë vesin human të sarandiotëve do e provonim vetë. Anija “Butrinti” ishte nisur nga moli i bazës Pashaliman dhe atë mbrëmje do bregëzohej në molin e portit të Sarandës. Qysh në hyrje pamë se qyteti ishte gjysmë i zbrazur nga turistët dhe pushuesit e shumtë. Por kjo nuk ishte zhgënjyese për ne, se kështu ndodh në cdo fundgushti. Të lodhur nga ky udhëtim i gjatë u ulëm për kafe tek lokali i z.Bajram Coraj. Për Bajramin më kishin folur dhe kolegët e mi. Ai dhe djali i tij Lorenci janë bërë “Vatra” e detarëve tanë civilë dhe ushtarakë prej shumë kohësh. Një burrë rreth të 60-tave, babaxhan, me shpirt e zemër të madhe, ashtu i kanë ecur punët dhe gjendja këtu në Sarandë. Bajrami dhe familja e tij kanë erdhur nga Gllava e Tepelenës në Sarandë mbas viteve ’90, si mjaft të tjerë e kanë fituar qytetarinë dhe respektin si banorë të denjë të këtij qyteti. E kanë filluar punën thjeshtë, pastaj gradualisht në sajë të djersës së tyre në ndërtimtari kanë përmirësuar jetën e tyre. Xha Bajrami është i kënaqur me Sarandën, familjen, jetën e tij, por mbi të gjitha ai gëzohet kur në lokalin e tij vijnë detarë. Kam pasur respekt të hershëm për detarët më thotë, por këtë ndjesi ma shtuan miqtë e mi të afërt, Kapiten Engjëll Sinani dhe Mario Myftari. Të dy oficerë e lundërtarë shembullorë në Forcën Detare. Nuk është thjesht miqësia që kam me ta, thotë xha Bajrami, por zanati i vështirë e plot sakrifica i detarit. Ne këtu në tokë jemi të sigurt, por deti ka shumë andralla…Nga shtëpia ku banoj shoh portin, kënaqem kur hyjnë e dalin anije të ndryshme. Një shpirt dhe derë e hapur për detarët, ky është xha Bajrami. Kështu duke biseduar për detin, për Sarandën, për miqtë, pa venë re koha kaloi dhe ne vrapuam drejt molit ku anija “Butrinti” po bregëzohej lehtësisht në dritat vezulluese të portit Sarandë. Në këto ditë të nxehta Gushti, erërat e Onhezit të lashtë lehtësuan këtë lundrim të anijes “Butrinti”, e cila do jetë pjesë e pandarë e gjithë operacioneve detare në ujërat e Jonit, vecanërisht në gjirin e Sarandës, si ato për zbatimin e ligjshmërisë detare ashtu dhe për sigurinë e jetës në det. Këngë të serenetave korcare vinin ëmbël në bordin e anijes nga një lokal aty afër. Natyrshëm bregëzimi i anijes patrulluese “Butrinti” në molin e portit të Sarandës jo vetëm hijeshoi dhe ndricoi molin, por në një farë mënyrë rikujtoi dhe pasuroi traditën shekullore detare të banorëve të Sarandës. Për pritjen e anijes sipas rregullave portuale, Kapiteni i portit Sarandë Kosta Dhima dhe Autoriteti Portual me drejtor Sotir Gavella, të njoftuar më parë kishin marrë masat përkatëse, ndaj cdo procedurë kaloi normalisht. Kapiteni i ri i anijes Ermal Hila dhe ekuipazhi i tij ishin mysafirë të parë në këtë port nga kjo mbrëmje deri më 29 gusht.Vërtet anija “Butrinti” është e re, por ekuipazhi i saj është i trajnuar më parë në anije të tjera si MotoVedeta{MV} Seaspectrum, 65 foot, MV Mok 3, 46 foot dhe Anijet e shpejta “Archangel”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Mjaft kuadro të anijes, oficerë dhe n/oficerë janë trajnuar në SHBA ose kanë marrë pjesë në stërvitje e trajnime të ndryshme të zhvilluara me specialistët amerikanë në Shqipëri. Kështu e kaluam atë mbrëmje, ndërsa ekuipazhi po sistemonte gjërat mbas atij lundrimi, ne po shikonim cfarë na ka mbetur pa realizuar nga plani ynë, po mediat, personalitetet, miqtë, detarët sarandiotë, a e kishin marë ftesën tonë, a do na vizitonin?! Ndërkohë dicka kisha përgatitur paraprakisht për gjeografinë dhe historinë e Sarandës, por pamja që më afroi Saranda atë buzëmbrëmje më detyroi të sistemoj dhe njëherë njohuritë e mija për gjeografinë dhe historinë e këtij qyteti. Nga hoteli ku qëndrova ato dy ditë studjova mjaft për këtë, por bëra dhe plot fotografi të bukura. Peisazhi i Sarandës ta krijon këtë mundësi. Gjeografikisht, një pozicion i lakmuar për transport detar… Qëllimi i këtij reportazhi nuk është thjesht evidentimi i vlerave historike, ekonomike dhe turistike, se për këto ka disa botime dhe guida, ku me të drejtë Saranda cilësohet si një nga perlat e Shqipërisë, me një aktivitet të bazuar kryesisht në turizëm dhe transport detar. Por qyteti bashkë me zonat përreth dhe banorët e saj kanë dhe një vecori tjetër, sepse qysh nga fenikasit e lashtë {shek.VI-V-të p.K} dhe deri në kohët moderne ata kanë kultivuar e zhvilluar një traditë të lashtë detarie. Në fillimet e tij, qyteti ka shërbyer si një portë për qytetin antik të Finiqit dhe si rrjedhojë edhe si portë hyrjeje për në rajon. Moli i Sarandës ka njohur mjete detare në cdo kohë dhe me qindra detarë sarandiotë me dha pa uniformë kanë shërbyer në anije të ndryshme vendase dhe të huaja. Në pragun e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Saranda kishte një zyrë doganore, një karantinë për përpunim mallrash, një zyrë agjencie lundrimi, një han dhe disa lokale shërbimi. Një skelë e vogël e ndërtuar në vitet ’20 ka qenë deri në vitet e ’30, e cila gjatë pushtimit fashist u zgjerua për t’ju përgjigjur nevojave të pushtuesve. Mbas clirimit për kushtet e mungesës së rrugëve automobilistike, porti i Sarandës mori rëndësi të vecantë për transportin detar të zonës jugore. Krahas transportit të refugjatëve came u transportuan me mijëra ton mallra, ushqimore, veshmbathje, etj.. kapiten Elmaz Goxhaj kujton se mbas clirimit 4 MB e para që përdornim si ”Qemal Stafa”, “Kurveleshi”, “Vjosa”, “Mesapliku” ishin me leverdi, sepse ato lëndën e drurit e conin nga Shëngjini në Sarandë dhe nga këtej qymyrin e Tepelenës e conin në Shëngjin. Psh. një MB merrte 150 t lëndë druri, imagjinoje që këto ti coje në Sarandë me mjete automobilistike, duheshin 60 mjete tip “Skoda” të asaj kohe, plus 60 shoferë. A e dini se ku e ka zanafillën kënga “dampe..dampe..”? kujton marinar Xhavit Kapidani, dhëndër në Sarandë. Pikërisht në molet e këtij porti në vitet ’65-’66 me Motobarkat “Vjosa”, “Kurveleshi”, “Bajram Curri”, “Ali Kelmendi”, “Sazani”, etj. transportuam qindra kokë bagëti të imta për në zonat veriore të vendit. Vit pas viti porti u riparua dhe u pajis me mjete ngarkim-shkarkimi Këtu qysh në vitet ‘60 janë bregëzuar anije me tonazh deri 3500 t, si psh. ish anija “Mati”. Tashmë porti i Sarandës është rindërtuar, një port i vogël me standarte bashkëkohore. Është gjë pozitive se të gjitha institucionet detare si Autoriteti Portual, Seksioni i Policisë Kufitare dhe Emigracionit, Dogana, Kapiteneria dhe Autoriteti Portual janë në distancë prej disa jardësh dhe mund ti vizitosh për pak kohë. Në gjirin e Limjonit tashmë krahas portit ushtarak përballë është porti i transportit dhe peshkarexhave. Tashmë Saranda është e kompletuar me disa mole gjë që lehtëson transportin e të gjitha llojeve. Këtë e pamë konkretisht gjatë ditëve që qëndruam atje. Dhe kur ka lëvizje mjetesh detare, ka jetë, ka zhvillim. Saranda ishte porti i tretë në vend nga rëndësia, pas Durrësit dhe Vlorës. Vetë qyteti i Sarandës ndodhet në pjesën veriore të gjirit me këtë emër dhe ka trajtën e një amfiteatri të madh, duke u mbyllur nga veriperëndimi. Krahas trashëgëmisë është qytet pothuajse i ri me një arkitekturë bashkëkohore. Ka një bukuri të rrallë sidomos kur e sheh nga deti. Gjiri i Sarandës formohet midis kepit Denta në jug dhe kepit Paladha në VP. Vija bregdetare futet në kontinent 6 kabel.{një kabel =183 m}, në trajtën e një harku në drejtim të veriut dhe përbën këmbët e vargmalit që shkon paralel me bregun. Gjiri i Sarandës është i thellë. Në hyrjen e tij thellësitë janë 20-50 m. Barasthellësia 5 m kalon në largësinë 20-30 m nga bregu, ndërsa barasthellësia 10 m kalon 100-120 m nga bregu. Në pjesën veriore, në largësinë 0.5 milje nga Kepi i Paladhës, shtrihet cekina e Sarandës, me një gjerësi 1.5 kabel dhe gjatësi 4 kabel. Lundërtarëve u këshillohet të mos lundrojnë në afërsi të Kepit Paladha më afër se 5 kab. Prej tij trualli është lym me një trashësi 3 m dhe poshtë tij është shkëmbor. Erërat zotëruese për gjirin e Sarandës janë ato të drejtimeve VL, JP dhe Veri. Valëzimi në gjirin e Sarandës nuk është shumë i madh, ai arrin deri në forcën 3-4, pasi mbrohet nga ishulli i Korfuzit. Për bregëzimin e anijeve në fundin e faqes lindore të kepit Paladha është ndërtuar bankina që lidhet drepërdrejt me sheshin e shkarkimit të portit dhe ka të njëjtin drejtim si të Kepit nga veriu në jug. Në anën perëndimore shtrihet kalata me drejtim lindje-perëndim me gjatësi 53 m dhe thellësi 6.8 m. Historikisht, një qytet i integruar natyrshëm me historinë shumë shekullore të popullit tonë…I shtrirë në vijën bregdetare më të lakuar e të bukur të Jonit, qyteti i Sarandës mbart në vetvete vlera reale historike, piktoreske e turistike. Gjurmët e jetës në trevën e Sarandës shfaqen që në periudhën e paleolitit të mesëm 100 mijë deri 30 mijë vjet më parë, të cilat janë gjetur në stacionin prehistorik të Xarës, në mezolit krahas stacionit Xara 2 dhe në shpellën e Shën Marinës në Bogas e zonën e Konispolit, në epokën e bronzit tek vendbanimi i Badhërës e Kalaja e Kalivosë. Për herë të parë, në burimet e shkruara të shek. II-të p.K, nga disa historianë e studjues të asaj kohe si Straboni, Ptolemeu, Ciceroni, Polibi, etj. qyteti përmendet me emrin Onhezmos. Ky emër lidhet me emrin e një ere të favorshme për detarët që frynte nga juglindja në gjirin e këtij qyteti. Onhezmi në lashtësi ishte një qytet port i cili bashkë me qytetet e tjera bregdetare ilire lidhte Ballkanin Perëndimor me vendet e Europës Lindore. Një pikë strategjiko-ekonomike shumë e favorshme për romakët, ilirët dhe më vonë për strukturat politiko-ekonomike të krijuara nga pushtuesit e ndryshëm dhe shqiptarët. Ndonëse ishte vendosur në një pozitë të favorshme, Onhezmi nuk arriti të shndrrohej në një qendër të fuqishme si Butrinti, e aq më pak si Apolonia apo Dyrrahu të vendosur në bregun e Adriatikut. Onhezmi antik mbeti për një kohë të gjatë vetëm porti i një qyteti më të madh në krah të tij, Foinikes (Finiqi i sotëm). Qyteti mori një rëndësi relative në periudhën e pushtimit romak. Straboni, gjeograf i famshëm romak i shek. të I-rë p.K., e përmend si një pikë të rëndësishme tranziti në lidhjet mes Romës dhe Greqisë. Në shek. e IV-të qyteti u rrethua me mure mbrojtëse deri ne dy metra të trashë. Deri në shekullin e IV-të pas Krishtit ishte nën Perandorine Romake, gjë që vërtetohet nga rrënojat e mureve rrethuese, pjesë e të cilëve ndodhen edhe në shëtitoren e qyetit. Këto mure rrethonin një sipërfaqe prej pesë hektarësh duke krijuar një kështjellë të fortifikuar me 20 kulla mbrojtëse. Nga shek. i IV-të deri në shekullin e VI-të Onhezmi ishte nën perandorine Bizantine. Në brendësi të këtij territori janë zbuluar mbetje banesash, por dhe një bazilikë paleokristiane e shekullit të VI-të me dysheme të zbukuruar me mozaik e cila më parë ishte përdorur si sinagogë. Kjo sinagogë e zbuluar në vitin 1971 dhe e vendosur në qendër të qytetit, flet qartë për praninë e hershme të hebrenjve në këtë zonë, që në vitet 70 p.K. Gjurmë të krishtërimit hasim në këto treva që në shek. IV-VI-të, ku në Sarandë, Butrint, etj, ka ndërtesa, bazilika e pagëzimore, {Baptistere} me kohështrirje të ndryshme. Kështu në shekujt XIII-XIV-të në këtë trevë janë ndërtuar një numur i madh kishash e manastiresh që ruhen ende sot, psh manastiri i Mesopotamit, i cili ka vlera të vecanta arkitektonike. Pra, Saranda ruan në gjirin e vet thesare e identitete të një kulture e qytetërimi të lashtë të shtresëzuar në mbi 2000 vite. Në vijim qyteti njohu dyndje dhe pushtime të ndryshme, kështu në v.551, Onhezmi dhe Butrinti u palckit e dogj nga gotët e ostrogotët, në v.887 një flotë e fuqishme saraçene e rrënoi qytetin brenda pak kohësh. Në shek. e X-të Onhezmi u bë liman i rendësishëm për Temën e Nikeas. Në v. 1034 qyteti u pushtua nga Bullgarët, gjysëm shekulli më vonë nga normanët e Giuskardit dhe në shekujt XII-XIII-të në qytet qëndruan për pak kohë dhe venecianët. Pushtuesit osmanë shkelën më 1413, deri sa u larguan mbas 5 shekujsh. Nën regjimin otoman Saranda u bë me një dekret të Portës së Lartë pronë private e Sulltan Abdyl Hamitit. Si pasojë e sulmeve dhe plaçkitjeve të njëpasnjëshme banorët e Sarandës janë detyruar të zhvendosen disa herë dhe në shek. e XVIII-XIX-të u vendosën në kodrën e Lëkurësit. Emri Sarandë përmendet për herë të parë në vitin 1412. Saranda vjen nga një manastir i hershëm kristian që i kushtohet Dyzet Shenjtorëve (“Ágios Saránda” në greqisht, “Santi Quaranta” në italisht). Kështu quhej një manastir i ndërtuar në periudhën bizantine në një kodër në lindje të qytetit, ku dukshëm ruhen edhe sot rrënojat e tij. Shenjën e barazisë mes Onhezmit dhe Sarandës e vuri udhëtari dhe studjuesi anglez i shek.XIX-të W. Martin Leak. Gjatë pushtimit fashist më 1939, diktatori Benito Mussolini e quajti Sarandën “Porto Eda”, për nder të vajzës së tij të madhe. Porti dhe deti Jon, pozita gjeografike e favorëshme, ditët e shumta me diell, {270 në vit}, ka sjellë që jeta e banorëve të këtyre trevave me plot histori të mos shuhet, por të rilindë mbas cdo pushtuesi, duke ecur paralel me cdo regjim ekonomiko-shoqëror të krijuar nga iliro-shqiptarët. Detarët dhe Saranda.. Qytet i mbushur me kujtime e tregime detarësh, një mbijetesë përmes detit… Si fshatari me tokën, ashtu është lidhur marinari me detin. Rreziqet janë aq të shumta për marinarin, sa nuk mbahen mend. Gjysmën e kujtimeve detarët shqiptarë të pasviteve 1946 e kanë të lidhur me këtë qytet piktoresk. Kap. Sali Alushi kaloi 40 vjet, ka cuar një mal me kripë nga Vlora në Sarandë. Kapiten Llazar Shyti kujton se, nuk më harrohet një rast mikpritje e ishdrejtorit të portit Sarandë, me sa mbaj mend Vangjel Nini, i cili mbasi shkarkuam ngarkesën e anijes shtroi një darkë tek hotel “Butrinti” për ekuipazhin e anijes “Partizani”. Shumë popuj të lashtë e konsiderojnë detin, qoftë për pamjen e paqëndrueshme e misterioze, për forcën e tij shkatruese apo për përbindësha që jëtojnë aty, kucedra me shumë krerë, gjarpërinj të mëdhenj, delfinë, mbi të gjitha, balena,-si personifikim të së keqes. Për të larguar këto mendime supersticioze banorët e Sarandës e Bregut, njohjen e detit, të mistereve te tij e kanë pasur cështje mbijetese. Kështu janë sarandiotët, për ta deti është vetë jeta, gjaku dhe shpirti i tyre, i ka hyrë kripa e Jonit në gjak e si del më, më thotë kolegu im Roland Rugji, ish notar i klubit Butrinti. Landi kujton me respekt ishnotarët e këtij klubi, nder i Sarandës dhe Shqipërisë, Shpëtim Kote, {Lime}, Myrteza Didati, Shpëtim Idrizi, Thanas Totoni, Edmon Zherka,{emigrant në SHBA}, Ilir Mecaj, etj. si dhe notaret femra Elza Minga, Pranvera Rrapushi, Ludmidha Mece, etj. Po sot, sot ku është ky sport tradicional i Sarandiotëve?! Detari plak, {kushtuar Barba Gaqos, Jorgos, Jahos, Vasilit, etj.} Deti!… Dorën e rrudhur e shtrin drejt tij pa e parë. Është dicka e tij, që i përket vetëm atij. Ka qenë pjesë e pamdarë për vite me radhë. E cmund të thotë? Detari plak ka kaluar gjithë jetën në det. Qëndrimi i tanishëm në tokë e qetëson, e siguron. Këtë dialog të shurdhër që e ka filluar qysh në fëmini, do ta vazhdojë deri në fund si një marrveshje të heshtur bashkëjetese, mirkuptimi të dyanshëm. Deti si dhe me parë i jep gjithëshka që i duhet për të jetuar. Para së gjithash, sigurinë e thellë, njerzit ecin, kalojnë shëtitores së Sarandës, ndërsa deti qëndron bri tyre. Sa më shumë të lëvisshëm e të paparashikueshëm janë njerzit, aq me real e i pandryshueshëm është ai. Pastaj vijnë ato gjërat e vogla e të përditëshme:-peshqit për supën që e gatuajnë vetë e frutat e detit që i peshkojnë, ose në shkëmbinjtë e molit, o në brigjet aty pranë. Po të ketë një barkë marinari plak është me fat, se mund të dalë e të peshkojë aty pranë ose të shëtisë turistët e të nxjerrë nonjë lek për të ndihmuar pensionin qesharak. Jeta e tij vazhdon të jetë e lidhur tërësisht me detin e ai interesohet për gjithëshka ka të bëje me portin, me velierat që hyjnë e dalin atje, ecejaket e peshkarexhave, me të gjitha barkat e peshkimit me të cilat jetojnë bijtë, të afërmit, miqtë, me buletinin meteorollogjik, për të cilin interesohet cdo ditë e që vazhdon të parashikojë me tepër për zakon, se sa për nevojë. Është një lidhje e thellë, pothuaj me një ndjenjë të vagëlluar pronësie që njeriu provon për detin, në shoqërinë e të cilit ka kaluar gjithë jetën. Zhytësi sarandiot…Është bukur të fantazosh, madje shumë më bukur se të zbulosh, na thotë një zhytës. Ai ka dëshirë të tregojë dicka nga zbulimet e tij. Ishim ne veri të kepit të Paladhës, në cekeninë afër bregut. Zhytemi në kërkim të mbeturinave të anijeve të mbytura në shekuj. Për një cast, në një guvë natyrore të mbrojtur nga rrymat, na kap syri një shtambë të pa prishur. Ulemi për ta parë dhe përpiqemi ta shkulim. Por s’ështe aq e lehte, sepse molusqet dhe koha e kanë ngjitur pas shkëmbit. Duke u ngjitur lart për të marrë cimën në barkë, vemë re mbeturina të tjera shtambash në largësi pothuajse të barabarta nga njëra-tjetra dhe në vije paralele me bregun. Pa dyshim nonjë anije romake e ngarkuar me shtamba, e ndodhur papritmas në mes të fortunës, është munduar të shpëtojë duke lehtësuar ngarkesën. E kush e di sa anije të tilla fenikase, grekë, romake, kanë dashur, por nuka kanë aritur ta bëjnë këtë në kohe, kur i ka zënë stuhia në mes të detit e i ka vërvitur si lëvozhgë arre në mëshirën e dallgëve. Midis këtyre amforave e shtambave të lashta duhet të ketë dhe varreza anijesh, madje dhe thesare të varosura në fund të detit! E kush nuk ka ëndëruar e dëgjuar për thesare që flenë në thellësitë e deteve. Kthehem me cimën që kemi marë nga barka dhe lidhim shtambën, pastaj gërryejmë me thikë koren që e mban terrakotën elegante të ngjitur pas shkëmbit dhe duke e tërhequr litarin me forcë, e ngjitëm atë më lart. Ky veprim bëhet me shumë kujdes, sepse shtamba. meqë ka qëndruar për një kohë aq të gjatë në ujë është shumë delikate dhe mund të thyhet në cast. Më në fund pas dy mijë vjetësh, shtamba del në dritë e mund të thahet në diell. E pastrojmë me kujdes dhe e studjojme mirë, sepse jetgjatësia e kësaj shtambe të përdorur për verë ose ujë është po aq sa jetë ka qyteti i Sarandës…Këto histori e shumë të tjera përcillen nga njëri brez detarësh tëk tjetri. Nga kjo rrymë deti vjen plejada e detarëve sarandiotë bashkë me detarët e Bregut dhe Himarës, Vangjel Bixhili, familja Qezari, Llambro Zhupa, Vangjel Ll.Zhupa, Mimi Nikolla, Marko Duni, Anagnostët nga Vunoi, Grigor Llazari, Spiro G. Llazari, Foto Kuculi, Marko Vreto, Andrea Treko, Thoma Bifsha, Llambro Dede, Spiro Veci, Kol Veci, Gaqo Nako, Vasil Mitro Zhupa, Mantho Kuculi, Vangjel Kuculi, Foto Muco, Llambro Ziso, Gjikë Marashi, Thoma Sema, Ligor Sava, Gaqo Lepuri, {Barba Gaqo}, Guri Nazifi, Vangjel Papa, Vasil Bixhili, Nazim Balla, Dhimitër Paco, Jorgji Kusi, Thoma Neranxi, Foto Kocani, Vasil Koci, Vangjel Mimnikolla, Llambro Caci, Leonidha Papa, Stefo Ziu, Kol Bixhili, Milto Muco, Odise Neranxi, Vasil Leka, Niko Papa, Petro Shteto, Vangjel Papa, Vasil Bua, Kosta Muco, Jorgji Seva, Jani Nasto, Kosta Dabo, Petro Dabo, Vasil Dabo, Pano Bixhili, Koco Ziso, Andon Ziso, Thanas Zhupa, Koci Bozo, MJilo Mëhilli, Vangjel Jani, Bastri Paci, Spiro Thomai, Pilo Andoni, Pilo Gllava, Agim Zholi, Vasillaq Qirjako, Stiljan Nika, Kostandin Dhima, Xhezo Tola, Visarion Qejvani, Yzeir Zeneli, Ismail Duka, Halil Halili, Arqile Peci, Perikli Xhixho, Bilbil Musaraj, Vilson Shkëlqimi, Polo Guga, Arjan Islamaj, Arif Kanani, Arjan Demiri, etj. Si ishoficer dhe tashme specialist i mardhënieve civilo-ushtarake në Forcën detare nuk i kam ndarë asnjëhere detarët e transportit dhe institucioneve civile nga ato ushtarake, ndaj po i jap bashkë dhe detarët me uniformë të Sarandës. Pjesë e kësaj memorie është dhe shkurti i vitit 1974, kur në Veriperëndim të Sarandës, në gjirin e Limjonit ose Gjirin e Qetë, disa kuadro detarë dhe anije luftarake hodhën themelet e Bazës Ushtarako-Detare të Sarandës, e cila u krijua mbi bazën e skuadriljes me 6 KS, të vendosur atje që më 1969. Në v.1974, BUD-i kishte 12 KS, 3 GJDV, prodhim kinez, një anije polumbare, një katër rade, nënrepartet e bregut, etj. Nga ajo kohë me qindra kuadro dhe detarë kaluan rininë këtu dhe ruajnë kujtimet më të bukura. Fillimisht komandant u caktua Ndue Jaku dhe më vonë P.Xhixho, komisar D.Gjergji e Shef Shtabi K.Paskali, kuadrot M.Kaçi, P.Duka, E.Shtylla, A.Godo, M.Jonuzi, T.Kocaqi, P.Andoni, L.Lleshi, S.Hoxha, P.Kuçi, M.Telaj, Nj.Demko, Xhevahir Dardha, S.Qendro, K.Godolja, Muço Muho, R.Abedini, J.Papingji. Mystehak Balili, Gaqo Melka, Leonidha Majko, M.Qorduka, Ylli Molla, P.Puleri, A.Ylviu, Th.Gjika, Rahman Dollomaja. F.Kreshpani, Engjëll Sinanaj, Nasho Totoni, Shpëtim Çicaj, Rakip Çaçllari, Renato Dauti, Alban Çavo, Vangjel Shyti, Vilson Alushaj, etj. Mbas z.P.Xhixho, drejtues të bazës kanë qenë Bilbil Aliaj, Fitim Pajo, Subi Zeneli, Nasip Hoxha, Myzafer Qesaraku. Cdo ditë shtohej respekti e dashuria për njëri-tjetrin, pamvarësisht se vinin nga krahinat e gjithë Shqipërisë, kujton detari i vjetër Njazi Demko. Qytetarët e saj mrekulloheshin me bardhësinë e unifomave të marinës, e cila ju shtua bukurisë së rrallë të këtij qyteti piktoresk. Duke ju referuar kujtimeve të detarit të vjetër, ai thotë se “kjo bazë u ngrit me thonj e djersë, në një terren me shkurre e gurë ku fishkëllenin gjarpërinjtë, këtu u ngritën cadra për kuadrot dhe familjet e detarëve. Detarët tanë filluan jetën e re nën mikpritjen e banorëve Sarandiotë. Ata krenoheshin me bazën, me kuadrot dhe detarët e saj, ndaj shpejt vendosën mardhënie e respekt të ndërsjelltë”. Mjaft prej pionierëve të bazës banojnë ende në Sarandë, por, që nga koha kur i dhanë Flotës rininë dhe vitet më të mira të jetës dhe deri tani, pamvarësisht thinjave të moshës, me pjekuri dhe mençuri, ata ndjekin nga afër çdo zhvillim të Forcës Detare dhe inkurajojnë çuarjen para të vlerave e traditave më të mira të detarisë. Aktualisht ne si Forcë Detare vërtet kemi një ekip të vogël në këtë bazë jugore, por këta kuadro dhe detarë bashkë me anijen “Butrinti” që do jetë pjesë e bazës, i freskojnë banorëve të mrekullueshëm të Sarandës respektin për uniformat e bardha. Natyrisht kësaj sage marinarësh i bashkohen dhe ekuipazhi i anijes “Butrinti”, që nga kapiten Ermal Hila e me radhë Mario Miftari, Alban Dafa, Geisi Ago, Preng Gjergji, Sokol Hametaj, Patriot Salihila, Artan Kojanaj, Shkëlqim Devollaj, Lulëzim Delaj, Gëzim Abazaj, Eduard Cela, Aldion Asamataj, etj. Sarandiotët presin “Butrintin”… Sipas programit paraditen e 28 Gushtit, vizitorë të anijes ishin personalitetet e qytetit të Sarandës, Kryetari i bashkisë zoti Stefan Cipa, n/prefekti zoti ilir Hysi, drejtues të Policisë së Rendit e asaj Kufitare, të Autoritetit Portual, të Kapitenerisë, Doganës, të detarëve, shoqatës së ushtarakëve në pension, media, etj. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i anijes më të re të Forcës Detare, me emrin kuptimplotë “Butrinti”, e cila do të lundrojë e operojë kryesisht në ujërat e Detit Jon. Fillimisht Komandanti i Forcës Detare, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti i uroi mirseardhjen miqve në bord duke u shprehur se, është nder dhe kënaqësi për mua si Komandant i Forcës Detare, t’ju uroj dhe përshëndes në këtë vizitë prezantuese të anijes më të re “Butrinti” në qytetin tuaj historik e piktoresk. Sot ekuipazhi i anijes “Butrinti” sjell urimet e mbarë detarëve shqiptarë nga Shëngjini, Durrësi, Vlora dhe Himara, me të cilët detarët këtu kanë ndarë lundrimet e vështirësitë e detit, por njëherazi ata sjellin dhe një falenderim për banorët e Sarandës, të cilët kanë qenë dhe mbeten mikpritësit më të mëdhenj të detarëve në vendin tonë. Këtë e tregoi më së miri rasti i 28 shkurtit 1973, kur banorët e këtij qyteti ju gjendet afër fatkeqësisë së disa anijeve tona. Në këtë ngjarje të dhimshme për flotën tonë oficeri i ri, kapiteni i ardhshëm Ilir Kocilja, dëshmor i atdheut, për të shpëtuar anijen, mbeti mes thellësive të gjirit të Sarandës, duke ngelur përjetësisht në kujtesën e banorëve fisnikë e humanë të këtij qyteti. Më pas gjenerali foli shkurtimisht për historinë e Flotës sonë dhe Bazës detare Sarandë, rolin e detarëve shqiptarë i cili në çdo periudhe, epokë apo ngjarje historike, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare në vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Ndaj mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Në këtë rrugë historike përfshihet roli i pazvëndësueshëm i detarëve me ose pa uniformë nga qyteti i “dyzet shënjtorëve”, të cilët kanë shkruar me gërma të arta historinë e tyre në plejadën e detarëve shqiptarë. Vlen për tu përmendur roli i detarëve Sarandiotë në cminimin e Kanalit të Korfuzit në vitet 1958-1959, ku ata bashkë me marinarët vendas e grekë rrezikuan për të siguruar jetën e banorëve në dy anët e gjirit, duke treguar vlerat më të mira të humanizmit, bashkëjetesës e fqinjësisë së mirë. Sigurisht që anëtarësimi i vendit tonë në NATO, e bëri evident ndryshimin dhe reformimin e Forcës Detare,-vijoi gjeneral Shkurti, përfshi përmirësimin e legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave, modernizmin dhe pajisjen me mjete të kohës, etj. Në këto vite FD ka bërë hapa para në realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të ri të Vëzhgimit të Hapësirës sonë ujore dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Pjesë e punës sonë ka qene dhe krijimi për herë të parë i parkut nënujor të Ksamilit, në bashkëpunim me specialistët e SHBA dhe ekuipazhin e anijes “Herkules”. Zhvillimi, modernizimi e transformimi, kjo është simbolika e Forcës sonë Detare në këto vite. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte pajisjae FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133). Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anijen e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti. Anije me emrin kuptimplotë ”Butrinti” sot qëndron hijerëndë në portin e Sarandës, e mirëpritur nga banorët e saj. Sigurisht ne jemi të ndërgjegjshëm se në të ardhmen kemi plot sfida e detyra konkrete, që kanë të bëjnë me transformimin dhe modernizimin e Forcës sonë dhe rritjen e sigurisë detare për të cilat kemi paracaktuar vizionin, objektiva e synime të qarta. Ju premtojmë se me këto mjete të mundësuara nga shteti dhe populli shqiptar do jemi prezentë në cdo kohë e situatë në ujërat e detit Jon, pranë komunitetit Sarandiot e më gjerë. Në këtë kuadër vlerësoj mbështetjen e bashkëpunimin Tuaj dhe ju uroj shëndet e suksese në familje dhe punët e përditëshme! -theksoi Gjenerali. Nga ana e Tij Kryebashkiaku i Sarandës zoti Stefan Cipa, i uroi mireseardhjen ekuipazhit të “Butrintit”, dhe i quajti ata si pjesë të banorëve të qytetit. Ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në këtë qytet! tha zoti Cipa. Ndaj ju uroj suksese në misionin tuaj fisnik dhe lundrim të qetë në ujërat e Jonit. Ndërkohë që ekuipazhi po përgatiste anijen për lundrim, kapiten Ermal Hila, u shpjegoi të ftuarëve disa karakteristika të anijes më të re, si psh. gjatësia, 42.80 m, gjerësia, 7.11, peshkimi, 2.52 m. shpejtësia, 26 nyje, autonomia-14 ditë, etj. të dhëna që pjesmarrësit i panë konkretisht gjatë një lundrimi të shkurtër me këtë anije në gjirin e Sarandës. Kërshëria e të ftuarëve shoqëroi gjithë lundrimin. Madje disa prej tyre provuan dhe drejtimin e anijes. Marja e drejtimit të anijes nga zoti Cipa, krijoi një moment të vecantë në anije. Në fakt zoti Cipa ka lidhje me detin jo thjesht si banor i Sarandës, por më herët kur ishte Ministër i Brendshëm, {1999} ka përkrahur cdo inisiativë për bashkëpunimin ndërinstitucional në zbatimin e ligjshmërisë detare sic ishte qendra e antitrafikut detar. Ai mbetet një mik dhe aleat i detarëve. Një pamje të vecantë i dhuroi pjesmarësve dalja në det e skafit të anijes, ku kapiten Mario Miftari dhe grupi i tij i dhuruan vizitorëve një spektakël të vërtete. Performanca e anijes “Butrinti” gjatë lundrimit dhe pamjet që të afronte natyra në gjirin e Sarandës na krijoi të gjithëve një ndjesi të këndshme. Në fund të lundrimit miqve ju dhuruan simbole të anijes. Por, ndërsa kjo pjesë e aktivitetit u mbyll, meraku jonë ishte mbasditja. Ku nga ora 17.00 deri më 22.00 kishim vizitë të hapur të qytetarëve në anije. I pari që na qetësoi ishte kapiten Agim Zholi. Ai na tha se qytetarët sarandiotë janë të aposionuar mbas cdo mjeti detar e jo më për një anije të re ushtarake. Kapiteni ka kryer detyra të ndryshme si oficer lundrues deri kapiten në kapitenerinë e Portit. I dhënë pas profesionit të detarisë dhe cdo botimi që del në këtë fushë kapiteni ushtron zanatin e Pilotit në këtë port, por bashkë me familjen ka dhe një agjenci të përpunimit të velierave turistike dhe trageteve. Më parë kapiteni ka përpunuar dhe anijet ushtarake të SHBA e NATO-s që kanë vizituar Sarandën. Kultura dhe pasioni i tij në këtë fushë është përcjellë dhe në media të huaj. Cdo vizitor dhe turist i huaj që ka pasur rastin të provojë shërbimin me kulturë e profesionalizëm të kapitenit është rikthyer përsëri vitin tjetër në Sarandë. Z.Agim afroi ndihmë falas për punët e vogla kancelarike që kishte anija jonë dhe sa herë të keni nevojë, ejani pa merak, tha. Kënaqem kur ju afroj cdo shërbim detërëve tanë. Zyra e tij ishte e mbushur me botime të shumta për detin, guida turistike, burime të huaja për Shqipërinë por dhe video. Një ushtarak amerikan nga Neë Yorku, Hugh Moore ka realizuar një video interesante për vizitën në Sarandë dhe pritjen e kapiten Agimit.….Bukuritë e natyrës sarandiote ai i shoqëron me tingujt e kitarës. Kështu z.Hugh dhe Linda Moore janë miqtë Njujorkezë të kapitenit e Sarandës. Ndërkohë kapiteni na hoqi dhe merakun e vizitorëve. Sarandiotët shijojnë deri vonë mbrëmjet e qytetit, ndaj mos u bëni merak. Kështu dhjetra banorë të qytetit mbas pushimit të mbasdites rreth orës 18.00 vërshuan drejt anijes. Thuajse cdo familje sarandiote ka një detar me ose pa uniformë. Detari i vjetër Jaho Decka ka shërbyer 40 vjet në marinë nga Shëngjini në Sarandë. Ai bashkë me djalin dhe nipërit nuk ngopet duke parë anijen. I gëzohet motorëve Caterpillar, Eh! psherëtin, duke fshirë lotët, kushte më të mira për detarët nuk ke ku gjen, thotë. Mbajeni pastër cuna! Këtu duhet të hysh me këmishë të bardhë e të dalësh me të pa asnjë njollë! Ndërkohë Detari Zini Brahimi, tani emigrant në Greqi erdhi me dy vajzat Marinelën dhe Aleksandrën nga ishulli i Kretës. Malli për anijen dhe detin e kam që nga Kepi i Palit, thotë Ziniu, teksa kujton shokët e tij marinarë të viteve ’89-90, por dhe kuadrot Polo Guga, Mihal Prifti, etj. Peshkatari i vjetër Jorgo Nathanaili me kap.Agim Zholin dhe detarë të tjerë kuvendonte në pjesën e bashit të anijes me detarë të vjetër e pjesëtarë të ekuipazhit. Dikush në kic i thoshte në telefon një shoku të tij:-pse s’më lajmërove më parë. Këtu qënka një mrekulli. Në cdo pjesë të anijes diskutohej për detin. Për më se 5 orë anija “Butrinti”, cdo pjesë e saj u kthye në auditorium detarësh. Diskutoheshin tema të ndryshme për detin, shpesh me tone të larta. Më pas dhe kapiten Kosta Dhima bashkë me kapitenin e vjetër Yzeirin, “inspektuan” anijen dhe si vizitorë. Ura e komandimit u tërhiqte vemëndjen kapitenëve. Vec sarandiotëve me dhjetra shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e diasporës ishin miq në anije. Ata nuk mund ta fshihnin krenarinë nga sytë e tyre. Eja! Mirëseerdhe vëlla! se kjo anije është e Jona, i thoshte detari i vjetër Artan Kojanaj. Foto pa fund në anije dhe me ekuipazhin, secili mundohej të kishte një kujtim, kapele e simbol nga Flota dhe anija “Butrinti”. Ndërkohë xha Bajrami nuk harroi tu sillte marinarëve pije të ftohta freskuese. Është vapë thoshte, djemtë janë bërë me djersë! Ej! ku arrin bujaria e këtij burri i thashë policit ushtarak Ramo. Polici ushtarak Ramo Koli nga Lazarati, kishte sjellë djalin dhe nipin me vete. Kam bërë mjaft shërbim në tokë thotë Ramo, por shërbimi në anije qënka i vecantë. Me këtë rast i krijova një mundësi dhe djalin të njihet me detin. Sështë cudi ta bëj detar. Gjatë mbrëmjes anija u vizitua dhe nga turistë të huaj, kishte dhe gazetarë midis tyre. Pamjet e anijes dhe shpjegimet e djemve tanë anglishtfolës i kishte lënë pa mend këta të huaj, aq sa kur largoheshin jepnin falenderimet më të perzemërta. Më të mrekulluar ishin një cift zvicerian nga Berna, të cilët nuk ndaheshin nga djemtë tanë. Sa keq që ne nuk kemi det, thoshin. Falenderime e mirrjohje pa fund për mikpritjen e nivelin e detarëve tanë. Ndërkohë ishkomandanti i Bazës Asllan Godo, sidoqë ishte paradite nuk ju nda dhe mbasdite anijes. Me këtë anije dhe këta djem të aftë profesionalisht mu mbush zemra me shpresë, Flota shqiptare ka rënë në duar të sigurta, me këta djem do ecë përpara, theksoi kapiteni në atë mbrëmje gushti. Ne ishushtarakët jemi shtresa më patriote dhe e ndershme e shoqërisë shqiptare nënvizoi kapiteni, ku secili ka personalitetin dhe karakterin e vet të pranueshëm në shoqërinë shqiptare. Fluksi i njerzve rritej nga minuta në minutë, tashmë ankthi jonë u kthye në të kundërtën e vet, ndjenja gëzimi dhe krenarie shihje në fytyrat e ekuipazhit të “Butrintit”. Ata ishin të zotët e shtëpisë ndaj duhet të tregonin vlerat më të mira. Me bindje them se djemtë tanë treguan mikpritjen, nivelin, kualifikimet në SHBA, profesionalizmin, ekselencën dhe xhentilesën e tyrë në cdo veprim e bisedë që bënë ato ditë gushti 2014. Djem të rinj, të bukur, u bënin hije uniforma e bardhë, me ëndra, shpresa e pasione për të ardhmen e profesionit e detarisë shqiptare. Ora po i afrohej mesnatës, Saranda filloi të pushonte dhe bashkë me të djemtë tanë që përgatiteshin për lundrimin e radhës. Sipari i vizitës së bukur e historike të anijes “Butrinti” u mbyll me një djalosh sarandiot, Franc Likaj, e kishte emrin. Do bëhem kapiten i kësaj anije xhaxhi, më thotë. Po, ja kthej, ti do mësosh fort, do bëhesh marinar e pastaj kapiten i saj në vitin 2030!
Në vend të prologut…
Me të drejtë në faqen zyrtare të Bashkisë midis të tjerave shkruhet:-Saranda ka një klimë tipike mesdhetare. Zona e Sarandës karakterizohet nga një numër i madh habitatesh natyrore, gjysmënatyrore, artificiale dhe njihet për prodhimin e agrumeve dhe ullirit, ndërkohë që pemët frutore zënë rreth 30 për qind të sipërfaqes. Pasurisë bimore të Sarandës i shtohet edhe bimësia ujore e detit Jon. Në thellësitë e Jonit nuk mungojnë edhe koralet. Delfinët janë miq të qytetit, duke u afruar brigjeve të Sarandës. Një breshkë e llojit Careta-Careta është parë së fundmi në Butrint. Ujërat detare janë jashtëzakonisht të kthjellëta dhe me ngjyrë blu. E gjithë zona ofron habitate të çmuara me peshq dhe lloje të tjera kafshësh detare. Bregu i detit Jon është në shumë zona ende i virgjër dhe jashtëzakonisht i bukur…Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, e pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike shqiptare. Kjo trashëgimi e pasur arkeologjike e gërshetuar me bukuritë e natyrës, si dhe portin e saj natyral, përbën bazën më të rëndësishme për të promovuar zhvillimin e imazhit aktual të Sarandës, si një destinacion i turizmit klasik botëror, si dhe për të tërhequr tregun e turizmit të veçantë. Miqësisht unë do shtoja se pasuria më e madhe e këtij qyteti janë banorët e saj, qytetarë në kuptimin e plotë të fjalës, njerëz të thjeshtë etë dashur, më punë të vet, plot mirësjellje e kulturë që të bëjnë të kthesh kokën pas dhe mos i harosh. Në sytë e atyre që takuam, banorë e nënpunës pamë dritë shprese dhe kurajo, ata e dinë mirë kur shteti shqiptar lëviz në kursin e duhur, sepse janë detarë të mirfilltë. Duke lexuar këto rreshta mu kujtua dicka nga historiani grek Plutarku, i cili shkruan se delfini është e vetmja kafshë që e do njeriun si të tillë, dhe natyra i ka lejuar atë që quhet miqësi pa interes. Delfinët vizitojnë shpesh Sarandën, pra me rregull treshi del se sarandiotët të duan pa interes. Me këto mbresa u larguam atë mëngjes të datës 29 gusht nga ky qytet që na afroi aq miqësi e mikpritje. Një qytet simbiozë me detarët. Anija “Butrinti” la portin e saj për tu rikthyer me nonjë mision tjetër, dhe bashkë me të edhe ne me shikimin prapa për të ardhur në evente të tjera në këtë qytet, sigurisht për të takuar dhe banorët e mrekullueshëm të këtij qyteti, detarët dhe miqtë e shumtë. Gjatë këtyre ditëve shpesh thoja me vete se mos e kemi tepruar me emrin “Butrinti”, se disa anije shqiptare e kanë këtë emër, por kësaj zone i duhej anija me këtë emër, le te jetë një anije ushtarake dhe një transporti. Sa më shumë anije me këtë emër. E meritojnë! Ta gëzojnë!
Literatura
-Histori e Popullit Shqiptar, vëll. i I-rë dhe i II-të, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2002.
-Antologji e Detarisë Shqiptare, nga lashtësia deri në v.1960, pjesa e I-rë, Durrës 2012.
-Antologji e Detarisë Shqiptare, nga viti 1960-2012, pjesa e II-të dhe e III-të, Durrës 2013.
-Polibyius on Roman imperialism…Library of Congres, 1987.
-Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Prof. Perikli Qiriazi. Tiranë 2003.
Shënim: Ky reportazh do jete pjesë e vëllimit të IV-të, Antologji e Detarisë Shqiptare, nga viti 2012 e në vazhdim…

Shefqet Kërcelli
Sarandë, 27, 28, 29 gusht 2014

Filed Under: Reportazh

Kohëthyerja

September 5, 2014 by dgreca

Tregim nga Hazir Mehmeti/
Përgjumësia e sillte Adanin mashtrueshëm në fshatin e tij rrëzë Bjeshke. Hapi sytë. Pa se ndodhej në dhomën e Hotel “Vera” me dritaren përballë detit, tek atëherë iu kujtua se ishte në Durrës. Një turrje qensh dhe britma e një gruaje e shkundi nga molisja e natës, hodhi anash çarçafin dhe u iu drejtua dritares. Një grua e lemerisur mbrohej nga qentë, duke u zhytur e veshur në ujë deri në bel për t’i shpëtuar kafshimit. Një pamje shqetësuese që në ditën e parë të pushimit për të cilën kishte udhëtuar nga Veriu i i Largëte. Çadrat e mbyllura me shtretërit pushues krahkthyer në rërë heshtnin në renditjen e tyre mëngjesit që priste lindjen e diellit. Baloja, Bishtcubi, Topalli, Qafërrjepuri e Hundëgjati nuhaten ardhjen e vrapuesve sportistë përgjatë rërës që lagej nga deti, ulën bishtat dhe zunë pozitat e tyre mes shtretërve e çadrave në pritje të pushuesve, të cilët tani flinin në qetësinë e ajrit jodizues, sjellë nga erërat dhe rrebeshi i shiut të natës. Bardhoshi në kthim e sipër me këmbën e parë varur cangël, ngriti këmbën e pasme dhe ia futi shurrës cercallë krevatit aty pranë. Shtatë vaporët përballë që prisnin ankorimin dukeshin hije të shpuara me drita vezulluese në reflektimin valëve të shkumuara të cilat shuheshin pas disa çastesh bashkë me shushurimën e tyre.
Adanit iu kujtua pylli i pishave dikur me qetësinë e tij, zëri gjinkallave në gushtin e nëntëdhjetë e tetën kur kishte ardhur pas njëzet e katër vjetësh arratisjeje. Tre bunkerët, prej të cilëve i mesit më i madh, qëndronin para katër pishave të mbetura nga pylli i vjetër me gjithë hijet e tyre që lageshin nga valët e lehta të mëngjesit.
“O Zot, si shpëtova. I rrethuar nga betoni në kanalin komunikues mes bunkerëve. Nata e errët dhe shiu i dendur malor mbulonin çdo gjë. Rrallë ndonjë vetëtimë e dobët e verës së vonë ishte syri i çdo gjëje, por lisat e gjatë me trungje të trashë e pengonin vëzhgimin e zbuluesve. Tri ditë maleve, konservat mbaruan me fillimin e luftës me urinë majë bjeshkës në jugpërballje me Korabin plak”.
Cingërima e vonuar e celularit në zgjimin e tij i kujtoj se kishte planifikuar të flinte më shumë se nevoja e tij për gjumë natën e parë. Mori llullën, e mbushi me duhan, të cilin e kishte blerë sapo arrin në Durrës, tek Ura e Dalanit, hapi derën e ballkonit ku e priste plastkarrigia. Lehtë ndjeu freskinë e ajrit me aromën e detit, e cila i kishte munguar me vjet në zhuritjen përmallues të mërgimtarit.
Pushimet në bregdetin e ftohtë verior asnjëherë nuk i kishin lënë përshtypje, mungonte çdo gjë për të cilën kishte lindur e ëndërruar.
Mbështeti mjekrën me leshin e saj të thinjur në dorën e majtë, nguli sytë larg, larg mes degëve të pishave në shkëlqimin e rrezeve të sapo arrira në shpatin e Shkëmbit të Vajës. Iu kujtua Ana, flokët e saj të gjata që preknin belin e hollë, buzët e holla me sy të mëdhenj që lëshonin shkëndija, ato duar me gishta të gjatë e lëkurë të njomë fëmije. Atje, sipër shpatit, nga dukej kaltërsia e detit ishin takuar disa herë, shumë herë, shumë…Takimi i fundit kishte qenë ditën që nisej për ushtri.
“Ana, të dua shumë, shumë sa vet jetën”- pëshpëriti për të mijtën herë me gjysmë buzët e lira nga rrethimi i bishtit të llullës ngjyrëdruri.
“Dhe, unë ty Adan. Ti je fati im i vetëm” -, kishte thënë ajo dhe lotët kishin njomur faqet e kuqe prush.
Ofshani. Jetë o jetë, dhe sytë u ndalën mbi tryezë ku “Taraboshi” i radhës e priste me verdhësinë xhelozie në shkëlqimin e lojës së kohës të pa jetuar. Shtëllunga tymi fijeformë ngjiteshin ngadalë deri në ndaljen sipër ballkonit të qetë. Gota e zbrazur e konjakut qëndronte e vogël pranë etiketës gjysmë të grisur të “Skënderbeu” me përkrenare ngjyrë ari, ku dallohej vetëm gjysma e brinjëve të kokëdhisë.
Tani e kuptoi se shumëçka kishte ndryshuar jashtë ëndrrave e shpresave të tij. Takimi me të dashurën e tij kishte mbetur vetëm ëndërr. Ajo fillimisht kishte përfunduar në burgun e Spaçit, si e fejuara e armikut të shtetit e pastaj e internuar në Ishullin e Zi . Nuk dihej viti i vdekjes e as varri i saj. Thuhej se ishte çmendur dhe kishte kërkuar gjithmonë dike, thërriste një emër që e kuptonte vetëm ajo. Në fund ishte vërsulur me vrap drejt vaporit që kishte parë diku larg në Otrantë dhe kishte rënë nga shkëmbi copë e grimë në gurët ku përplaseshin valët e detit.
“E shkreta Ana, po ta dija të paktën shkëmbin e ikjes tënde, do veja të paktën një kurorë”. Përmallshëm hapi me dorën e majtë kapakët e medaljonit të flakëruar me gravurën e shqiponjës sipër, pas së cilëve, në mjegullën e syve të tij doli fytyra e zbehtë e Anës me pamjen e një të burgosure prapa portës së çelisë. Ishte Ana dikur me buzëqeshjen e saj.
“Ana do…. Ana do ta…. Ana do ta vë kurorën atje ku shpirti yt u lirua nga vuajtjet e ferrit komunist. Të betohem, Ana ime, Ana ime…. Vetëm kjo tani ka mbetur e mundur të bëj për ty”.
Mbylli kapakët e medaljonit mes grushtit, krisma e tyre në veshët e tij kujtoj portën e hekurt të ndryshkur në burgun ku dergjej Ana. Tymi që dilte nga llulla përzihej me avullin mundues të tymuesit në hapësirën e cila filloi të ndriçohet nga rreze gjithnjë e më të forta dielli ashtu sikur gjallëria e zërave përzier me të lehurat e qenve dhe pëllitja e ndonjë gomari që priste në kurriz koshat me fruta në nisjen e ditës drejt rërës së plazhit.
“Fruta bio nga Fshati, sapo i vola”- u dëgjua zëri i njeriut shtatshkurtër, i cili tërhiqte kapistallin e gomarit të ngarkuar nga disa kosha të mbushur me gjithfarë frutash, ku vetëm këmbët e koka me veshët e gjatë dukeshin nga kafsha. Nga dy kosha anash, kurse mbi kurrizin e kafshës dy të tjerë ku dukeshin pjeprat e verdhë si limoni.
-“Keni fiq zotëri”- u dëgjua një zë gruaje diku nën çadrat e rendit të dytë.
– “Po zonjë, kemi fiq sapo të vjelë, njëqind lek kilogrami”- u përgjigj fshatari.
Adanitentoi ta njihte bashkëfshatarin e Anës së tij, por koha, si e pamëshirshme që është, kishte tretur çdo gjë dhe imtësitë e skajshme të kujtesës. Aroma e shtalbave që piqeshin pak metra nga këmbët e tij ndërrohej me aromën e petullave, herë me aromë pjepri në thyerjen e erës së detit bashkë me shushurimën e valëve që mbaronin pa reshtur në rërë.
“Ujë i ftohtë, birra, redbull” u dëgjua djaloshi që shtynte biçikletën e ngarkuar me frigorifer udhëtimi. “You, whospeakEnglish- Luleshtrydhe “, tjetri energjik me gjysmë rafti stilopori mbushur me luleshtrydhe, i varur në dy supet me rrip të zi. Mes anglishtes së tij përsëriste vetëm një fjalë shqip, edhe pse turist të huaj nuk takoje askund.
“Merre një petull zotëri, kemi edhe fli, doni?”- ia priti tjetri tani nga thellësia e çadrave drejt hotelit.
“Erdhi freskia e Fshatit me fiq, kumbulla e nektarina”- u dëgjua fshatari tjetër me gomarin e lodhur të ngarkuar sa mezi nxirrte këmbët e thata nga rëra e butë përvëluese e plazhit. Majtas, skaj koshi, varej kandari me boçat e tij në ritmin e hapave të kafshës ku pa dashur ia kujtua dashi i tij dikur në vapën përvëluese.
“Përsëri Fshati, sikur ta pyes rreth lagjes Bora, ndoshta…. “ mendoi Adani kësaj radhe i shqetësuar.
Tërë dita kishte mbaruar me gjithfarë thirrjesh e ofertash nga më të ndryshmet, ndoshta nga më të çuditshmet, siç ishte oferta e perdeve, fustaneve, orëve apo krisma e daulleve e tarabukut, çiftelisë apo lypësi me veshjen e tij nga arnat prej flamujve nga shumë shtete të lidhur këmbëve, mbi e nën gju. Flamuri trengjyrësh i Kosovës dallohej qartë mes ati kuqezi dhe një flamuri tjetër të kaltër nё të kuq lidhur në këmbën e majtë mbi gju. Flamuri evropian, i rrethuar me shumë të tjerë mbi e nën tё që nuk deshifroheshin lidhur në të djathtën e tij përplot varje leckane shumëngjyrëshe. I tërë Pazari i Roskovecit defilonte para pushuesve me karroca gjithfarësh, me motor e pa motor, me rroba, gjëra plastike, syze, mollësheqer. Mes tyre dallohej MacedoniaGelati Granite Bibite” në të poshtmen e mbrapsmë të saj dukej shenja e harruar e njëqindvjetorit të shtetit shqiptar, edhe pse tani ishte viti i dytë e shekullit pasues, karroakullore, pastaj, shtazë për foto kujtimi ku veçohej ariu, majmunët, gjarpinj, kuaj, gomarё e çka jo tjetër. Secila kishte tonin e zërit nga cis e deri në bas, pa bori e me bori, C-dur, në A-mol, soprano e bas, i pa përsëritshëm as në kompozimet e klasikëve të njohur. Oferta “Urdhëroni banane”- ishte më e shprehura dhe s’mund të dremiste asnjë minutë sy edhe pse kishte nevojë.
Dera e blinduar e dhomës me çelësin dhëmban në dy anët e tij nuk kuptohej lehtë se cila e fillonte hapje e cila mbylljen. Kjo nuk e shqetësonte shumë sa rrethanat, përse do duhej një derë e një çelës i tillë, shumë dyer të tilla brenda gjashtë kateve të një godine sikurse ishte hoteli i ri me katin e fundit të papërfunduar. Ishte kjo tregues pasurie e pronarit apo e pasigurisë nga hajdutët e grabitësit gjithandej vendit të lashtë po aq sa telashet e tij me vetveten. Kjo nuk ishte më rëndësi në shikimin e Adanit. Ai kishte ardhur për pushime verore në vendin e tij, në fshatin e Anës së tij, i cili zgjonte njëkohësisht kujtim e neveri kur e mendonte të kaluarën. Dhe, ai vet nuk e kuptonte sekretin e tërheqëses të këtij vendi kaq kryeneç me parregullsitë e sigurta si normalitet i jetës.
Vuri syza dielli, edhe pse retë kishin errësuar gjithçka. Pagoi taksin bashkë me një të gjashtën e tij prej pesëdhjetë lekësh bakshish, vuri ombrellën mbi kokë dhe mori tatëpjetën e kodrës përtej hekurudhës së ndryshkur e të mbuluar nga barishte sa mezi dallohej se çfarë ishte. Në lakesën e parë majtas fillonte rruga e vjetër.
-Mirëmëngjesi!
-Mirëmëngjesi!- ia kthyen përnjëherësh disa banues para të cilëve qëndronin gota e filxhanë kafeje mëngjesi.
-Jeni kosovar, kërkoni bujtinë?- iu drejtua gruaja nga dritarja e katit me leckë në dorë e gjysmë trup të varur jashtë kapakëve të vjetër druri të cilën e pa tek pasi e ngriti çadrën.
-Jo zonjë, unë nuk kërkoj bujtinë, nuk jam nga Kosova, jam nga Tirana, me rrënjë nga Veriperëndimi. Mund të më thoni diç rreth familjes Bori apo Borini, siç e quanin dikur. Kisha një mik nga ajo familje.
-Urdhëroni e mirë se vini, ne jemi familja Borini.
Adani mbeti pa frymë, çadra me dy trenj të thyer i rrëshqiti anash bashkë me republikën e tij të kafet dhe era me pikat e shiut ia freskuan qafën e veshët e ngrohur zjarr. Fillimrruga e vjetër ishte e shtruar me rërë dhe gurët e kalldrëmit të dikurshëm dukeshin vetëm aty këtu skajeve mbi të cilët kishte ecur me Anën deri sipër shpatit të Shkëmbit të Vajit e pastaj disa minuta majtas deri në cakun e tyre ku dukej kaltërsia e detit.
“Kjo nuk është e mundur”-mendoi dhe vërejti skaj dritares ndërrimin e fytyrave kureshtare, të cilat lëshonin një shikim dhe humbnin në errësirën brenda dhomës.
Tani fshati përballë detit kishte ndryshuar çdo gjë, shtëpitë, banorët, rrugicat. Në Lëndinën e Mushkës, poshtë fshatit, tani ishte ngritur hoteli dymbëdhjetëkatёsh me emrin e kryeqyteti për ku të nxirrte rrugica e ngushtë e rrethuar me beton fqinjësh dhe grumbuj bërlloku me shkëlqimin shumëngjyrësh të mbetjeve plastike.
-Adani hoqi syzet dhe republikën e tij, i vuri mbi tryezë dhe ndjeu freskinë e ajrit nën tënden e zhurmshme nga pikat e shiut. Freskia e shiut nuk ia shuante zjarrin që i vlonte në gjoks. Më nuk kishte zë, tani flisnin ndjenjat. Shija e kafes ishte e njohur nga ajo që kishte pirë dikur këtu me Anën dhe sikur ia ringjalli. gjembat e fajësisë për tё.
-Hej ti, kriminel. Ty po them. Kriminel- u vërsul një grua me fustanin e bardhë deri në fundkëmbë me gjoksin e ç’kopsitur, e cila mbante në dorë një arkë të kafet druri. Para se ta kapnin qifti i ulur skaj derës ajo e hodhi me fuqi mbi tryezën nga u ngritën copa thyerjesh, spërkatje kafeje e lëngjesh, duke u përzier me pikat e shiut rrëke që binte.
-Ti, dëgjon! Ti je vrasës! Si s’të vjen turp të vish këtu, dezertor i pabesë. Ik nga ke ardhur me gjithë surratin e ndyrësitë tuaja! I mallkuar!
Fytyra e çartur nga zemërimi rrethuar me blej flokësh të lagur lëngonte nga lodhja e hidhërimit të mbledhur kohëve që kishte pritur shpërthimin si një vullkan pas shumë shekujve. Pas disa çastesh çetësimi gruaja mblodhi vetën, u ngrit në këmbë dhe bashkë me dy përcjellës, që e mbanin për krahësh, u nis oborrit drejt shtëpisë. Me një të kthyer pas lëshoi zërin:
-Merre arkën, e ke porosi nga Ana!
Çdo gjë që kishte brenda arkës peshonte plumb, që rëndonte mbi një trup të dërmuar nga jeta.
“Gjithçka kujto nga unë, vetëm jetën time jo”- shkruante Ana në faqen e fundit të ditarit. “Në skajin perëndimor të Ishullit është shkruar “Ana Borini”-kujtonte Era, motra e saj e cila kishte mbetur e vetme nga familja.
Perëndimi i diellit të ditës së fundit ngjyrosi me rrezet e tij dy emra në shkëmbin ballë detit “Ana e Adani- amshim në takimin e përjetshëm”.

Durrës, 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hazir Mehmeti, Kohethyerja, Tregim

FESTIVALI I GJINOKASTRES,SHEMTUES I KOSTUMIT KOMBTAR SHQIPTAR(IV)

September 5, 2014 by dgreca

Ne Foto:Kostume Shkodrane nga Piktori Kolë Idromeno/
Nga Fritz RADOVANI/
Vazhdon letra…
Grueja shkodrane, me atë veshje madhshtore të saj ka ndejë perkrah burrit, i veshun ky jo me tirqi të bardha, qi asht veshja e pergjithëshme e Maleve të Veriut të Shqipnisë, por me brenavekë të zezë, kur si grueja që zavendsoi ragjen në brenavekë, poashtu, brijë burrit që edhe ky, zavendsoi shallvarët cohe të kuqe me brenavekët. Gjithashtu mbështolli inat me brez mëndafshi me ngjyra. Veshi anteri kumashi të kuq me vija të zeza të qendisun me tehri. Në parzem të burrit, këmisha e rrahun e ngrime në ujti me perrreth sumbullat e mëndafshta vezake të arta ose të zeza, me majuca të kuq të kapakëve të anterisë. Në qafë qafëzen e ngrime, e rrahun në ujti me kravatë të mëndafshët të zezë, të lidhun flutur, të cilat zevendsuen gryken e këmishës harkate e punueme me gjylpanë e shtrime perrreth qafës; jeleku cohe të kuqe i punuem nga terziu me tehri e lule dhe në buzë të jashtme të kapakëve, gjatë tyne të ngjituna sumbulla të arta mëndafshi ose të zeza, dhe në maje të kuqe; në krye fes të kuq të madh me xhufkë që derdhej mbi supa e që u zevendsue me fes të kuq të rrasun mbi krye (tanuz), gjithnji me xhufkë të madhe të kaltert, sahat me zinxhir perrreth qafës dhe revolver me dorezë sermi të punimit të argjentarit.
Kjo veshje e grues dhe e burrit fillim e mbarim kuq e zi të Flamurit Kombit, dhe karakteristike në të gjithë Ballkanin, per atë bukuri stolinash asht njoftë e vlersue në shkrime e botime europjane si në Vjenë, Budapest e Triestë, Venedik e Romë të shetinave shkodrane të hershme e të vona, në krejt Dalmacinë, Bosnjen e Malin e Zi, ku puntorë zanatçi shkodranë per veshje kombtare, kerkoheshin e punojshin veshjet e popullit të tyne.
Familja e Krajl Nikollës së Malit të Zi, asht sherbye per veshjet e mbathjet nga zanatçi shkodranë si, po permendi ata ma në za si kje: Gjon Gjo Kola e Lazer Çefa, të cilët, edhe u kanë mësue fëmijve të asaj familje edhe gjuhen shqipe, të cilët e kanë folë edhe në moshen e tyne madhore, si Elena, mbretnesha e Italisë.
Në Boston të Amerikës, asht njoftë veshja e grues shkodrane me anë të së shoqes së burrit Kini i Mati Kokës, i vuem, si thotë Imzot Noli, nga shqiptarët e atyshem, në mbrojtje të tij nga frika se mos e vrasin grekët, per ndamjen e Kishës me themelimin e Kishës Autoçefale Ortodokse Shqiptare, me liturgji në gjuhen shqipe, nga ajo greke të propagandës së Jugut të Shqipnisë, si Vorio – Epir grek.
Ajo grue e hishme e Kinit Mati Kokës, në veshjen e saj shkodrane si në paraqitjet, në pritjet në shtëpi dhe në shetitjet jashta shtëpijet asht qitë në fotografi nga fotografi Marubi i Shkodres, dhe asht perhapë me kartolina të shtypuna të Alterocca – Termi i Italisë. Rishtypë tash vonë në nji botim të nji artikulli të filologut Dr. Eqrem Çabej, në revisten “Knjiga o Balkani I” e Belgradit, me emertim “Zivot i običaji Arbanasa” (Jeta dhe doket e Shqiptarëve), me të cilën rishtypje ka ndriçue veshjen shqiptare me veshjen e grues shkodrane.
Si para tij asht edhe në botimet e permenduna të konsujve të Francës së Shkodres Heqvard e Degrand, të Inglizës Miss Edith Durham, të austriakut Theodor Ippen e të hungarezit Baron Dr. Franz Nopcsa. Me atë veshje të grues shkodrane madhshtore të artit punës dhe e pasun stolinash të mëndafshta e të arta, gratë e hueja Konsujsh e të tjera, e kanë pelqye të dalin në fotografi të Atelierit fotografik Marubi, dhe të zbukurojnë odat e pritjes kudo në vendet e tyne.
Sot, këtu në Shkoder, nuk shifet ma, asht ndrye në arkat e nusisë së plakave në Muze, pse edhe ajo kohë e artë e qytetit asht kthye në ate të thjeshtë të veshjes frenge, e pergjithshme në mbarë qytetin. Ka mbetë tash në veshjen e Maleve e të katundeve të ndrituna me ato stolina sermi në parzmat e tyne e qendisjet e tyne, nanë e bij, në të cilen, gjithnji ruhet ajo ngjyrë kuq e zi e Flamurit të Kombit, i perjetsuem në atë petk shajaku, në koret, kuq në pjesen e siperme e të fundit, dhe zi në mes të petkut.
Janë per t’ u kujtue per punen e artit të tyne të veshjes terzitë, mjeshtra Gjok Baba, Mati Tukja, Kolë Raboshta, Mati Ujka, Gjon Shahini e Zef Nikoll Gera, i qitun ky me puntorët në kartolina nga fotografi Marubi, me nja 40 puntorë zanatçi në dugajtë e tyne të qytetit per veshjet e grave dhe të burrave.
Në Pazarin e 2000 e sa dugajve per veshjet e Maleve e të katundeve në sokakun e veçantë, i quejtun i “Tallaganxhijëve”, ishin Filip e Jakë Beni, Shan Çefa, Gjon Curani, Kolë Bazhdari, Simon Kadarja, qi kje edhe poet nen pseudonimin Dimo Akasari, me vjerrshat e tija në të perkohshmen shqip “Albania” e vjetit 1897 e ma vonë.
Argjentarët per vathë e unaza, bylyzykë e stolina të parzmave të grave, çibukë, zinxhir sahatash, doreza armësh, kutija duhani e cingarishte me të tjera filigrane, si në qytet Tuk Jakova, Pjeter Logoreci, Kristo Jakova, Pjeter Bedeni, dhe në Pazar, në sokakun e quejtun i Kujxhijëve ishin: Cin Jakova, Gjon Cepi, Nush Cepi, Luigj Bedeni.
Mendova me ju dhanë nji pasqyrë sa ma besnike të veshjes shkodrane, tue pa të persëritun lanjen e saj mbasdore me Albumin e Artit Popullor të Shqipnisë, dhe e shemtueme në këte çfaqje Festivali Folklorik Kombtar në Gjinokaster të këtij vjeti 1978.
Me shpresë se interesimi i Juej, si drejtuer i Institutit të Folklorit, nuk do ta lejojë ma, të persëritet ma ajo paraqitje e veshjes së grues shkodrane në atë mënyrë të shemtueme,
me nderime ju pershndes,
Gjon Kamsi (firma d.v.)
Drejtuesi: Rruga Sumej, nr. 114
Shkoder
Shenim nga F. Radovani: Letra asht kopjue pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Theksimi në fund asht ba nga ana ime.
Botohet nga FR, Melbourne, 2014.
Vazhdon Pjesa e V…

Filed Under: Opinion Tagged With: FESTIVALI I GJINOKASTRES, Fritz radovani, KOMBTAR SHQIPTAR(IV), SHEMTUES I KOSTUMIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4425
  • 4426
  • 4427
  • 4428
  • 4429
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT