• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënë dhe babë

August 28, 2014 by dgreca

(Në ditën e Ikjes së Madhe)/
Nga Albert Z. Zholi/
-skicë-/
Ditë e ftohtë nëntori 1993! Kakavija dhe pse e mbushur me njerëz, dukej si e ngrirë, e ngrirë. Vetëm avuj dilnin nga gojët njerëzore. Zërat dukeshin sikur ishin trembur nga ai realitet i zymtë, prekës, strukur në ndërgjejgjen e tyre, për t’iu përshtatur makthit të padashur të ndarjes. Njerëzit shihnin si të hutuar njeri-tjetrin, duke mos gjetur dot fjalët e përshtatshme të ndarjes. Fytyra të mpira, të vrejtura, të dëshpëruara, mbushur plot ankth dhe brengë të shihnin sytë gjithandej. Lotë ngrirje që të përcillnin në mënyrë të pavetëdijshme një zbarzëti shpirtërore sikur të ndodheshe në një planet të panjohur dhe jo në një pikë kufitare të atdheut tënd të shtrenjtë. Kur ndodhesh në këtë kufindarjeje, kur shikon të valvitet krenar flamuri kombëtar, natyrshëm në qënien tënde të gëlon një ndjenjë gëzimi që të jep forcë dhe krah që më vonë, po kjo vijë imagjinare e ndarjes kufitare, sapo e kalon, të prêt forcat, të dezulizionon, të mpak, të bën të psherëtish thellë, thellë në shpirt. Asnjë cicërimë zogu nuk dëgjohej. Edhe qentë që na vinin rrotull nëpër këmbë të shihnin si të hutuar duke tundur vetëm kokat dhe bishtin. Të gjithë po flisnim me shikim dhe me kokë. Heshtje misterioze në mes mijëra gjallesash njerëzore. Policët, miratimin apo mosmiratimin e kalimit e bënin me të tundura të kokës. Nga kjo soditje aspak relaksuese, më shkëputi zëri i ëmbël i nënës sime:
-Do të ikësh dhe ti bir ?!
-Po nënë, do të iki !
-Po ti punë të mirë kishe mor bir…! -dhe psherëtiu thellë, shumë thellë. U mbështet në gjoksin tim dhe filloi të qajë me dënesë. Lotët e saj të nxehtë dhe të kripur depërtuan nëpër bluzë dhe lagën gjoksin tim.
-Po ndahemi biro, po ndahemi së gjalli. Dy në Greqi, një drejt Italisë, ne në shtëpi si kërcunj. Unë s’dija ç’ti thoja, vetëm i lëmoja flokët e thinjur. Babai im i mirë, rrinte si i ngrirë me vështrimin tutje në thellësi të Greqisë.
-Do të mblidhemi ndonjë ditë të gjithë bashkë o bir ?!
-Do të mblidhemi nënë, do të mblidhemi !
-Po kush na ndau kështu, kush…?! -dhe filloi të qajë me zë, duke më pushtuar më fort rreth vetes. Ishim në kufirin e ndarjes në Kakavijë … Disa metra përballë nesh, një vajzë e vogël 5-6 vjecare mes të qarave thërriste:
-Baba, baba, ktheu mos më lër vetëm! Ndërsa ai po i tundëte dorën nga ana tjetër e kufirit.
-Më tej dy të sapo fejuar:
-Do të ikësh i dashur …?- dhe dy pika loti si margaritar i ranë faqeve të bukura. Po ne s’ndenjëm as… -dhe shikon me turp nga prindërit.
-Një nënë tjetër :
-Mos më harro bir i nënës ! Të lutem, vetëm letra dhe zërin në telefon duam, asgjë tjetër!- dhe kafshon buzën për të ndaluar lotët. Dhe ja … Hapet një portë. Një portë hekuri. Kaluam një prag. Pragun e një porte të ftohtë, që ndante dy shtete, dy botë. Andej nga ne ankth, dhimbje, braktisje, toka djerrë, lotë. Këndej këngë, gjelbërim, punë. Ne, shumë pak po e kalonim këtë portë, shumë të tjerë kalonin për tek bota e ëndrrave duke kaluar male të thepisur, gryka të mbuluara me borë, pyje me egërsira, dete të ftohtë dhe të mjegullt, lumenj të rrëmbyeshëm …
-Shkonim të gjenim parajsën…(E gjetëm ?!) Mbrapa linim lotë…
Kakavijë- 23 Nëntor 1993.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Zholi, Nënë dhe babë

HALIM DERALLA- PERSONALITET I SHQUAR I LËVIZJES AUTONOMISTE SHQIPTARE

August 28, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/
Padyshim që historia e një kombi,është historia e familjeve të mëdha të këtij kombi.Familjet e mëdha shqiptare,kanë qenë në çdo kohë barrikadat e para ndaj çdo rrebeshi,të paepura në stoicizmin e tyre ato kanë pritur e janë përballur me hordhi armiqësh gjithfarësh,duke mbrojtur njëherazi nderin e tyre dhe kombin.Padyshim në vargun e këtyre familjeve të mëdha,dera e Derallëve,zë vendin e saj të merituar,në historinë shqiptare të shekullit të kaluar.Ndër pinjollët e kësaj dere,Mehmet Pashë Derralla do të linte grada dhe ndere të ofruara nga Porta e Lartë,duke u vënë plotësisht në shërbim të Shqipërisë,në radhët e para të kalorësve që kërkonin pavarsinë e trojeve etnike arbërore.Këtë shqiptarizëm të kulluar,ministri i luftës i të parit shtet shqiptar (1912) do ta përcillte pos të tjerave edhe tek djemtë e tij,Halimi,Gajuri,Hyseni etj.
Halim Deralla,ka lindur në fshatin Gradec,në rrethina e Tetovës,në vitin 1879.Fëmijërinë e kalon aty e më tej,nis mësimet e para në shkollën qytetëse të Tetovës.Mbasi mbaron mësimet aty niset në Stamboll kryeqendra e Perandorisë Osmane,e lakmuar sidomos nga djemtë e dyerve të mëdha siç ishte Halimi.Në të vërtetë mëson shumë,ku kalon pjesë më të madhe të kohës mbi libra dhe pas mbarimit të shkollës së mesme vijon studimet,në vitin 1898,në fakultetin e drejtësisë.Falë reputacionit që Mehmet Pashë Derralla,gëzonte asaj kohe në rrethet patriotike shqiptare,Halimi do të binte në kontaktë me idetë e para të rilindasve shqiptarë,për autonominë e trojeve arbërore.Studentin e Tetovës do ta shihnin me respekt në Stamboll,jo vetëm për këmbënguljen në përvetsimin e dijeve por edhe për natyrën e tij disi të heshtur,fjalëpak dhe krenarë.Kështuqë me mbarimin e fakultetit të drejtësisë emërohet si nënpunës i lartë i administratës osmane në Serbi.Ai do të dallohej për korektësinë në funksionet shtetërore,çka ishte diçka e radhë në radhët e nënpunësve të korruptuar të perandorisë së asaj kohe.Madje shkallët e karrierës së tij në fushën e jurispondencës,mund të ishin tejet të lehta,nëse në agim të shekullit të kaluar,nuk do të kishte dalë në pah,çështja shqiptare.Në fillim të vitit 1908,i jati i Halimit,Mehmet Pashë Deralla,në bashkëpunim të ngushtë me Ismail Qemalin,Hasan Prishtinën,Dervish Himën,Ibrahim Temon, Mid’hat Frashërin etj,ideojnë lëvizjen autonomiste në Vilajetet shqiptare,tashmë atij i duhet të udhëtojë në krahina të ndryshme,të zgjojë vetëdijen nacionale,të zgjojë bashkëkombasit e vet prej territ osman.Por i duhet të qeverisë edhe pronat e mëdha që ka në Tetovë e rrethina,dhe në këto kushte ai thërret të birin e vet,Halimin,për ta ndihmuar në detyrën e madhe që duhet të përballonte.Halimi tanimë pothuajse 30 vjeçar,me shtratin e lartë me atë vështrimin e thellë e të menduar do të ngarendë për t’u vënë plotësisht në shërbim të kombit të vet,duke kuptuar se drejt pavarsisë të trojeve etnike,shkohej me pushkë dhe dituri.Halimi do të jepte ndihmesë të madhe, në vitin 1908,sidomos në përkrahje të shkollave shqipe,në Maqedoninë shqiptare.Me nismën e tij i përkrahur edhe nga Dervish Hima,biri i Derallave do të blente abetare dhe libra shqip për t’ua shpërndarë falas nxënësve në Tetovë e rrethina.Burime të diplomacisë austrohungareze,duke folur për këto troje na bëjnë me dije se ;”ndonëse zyrtarisht shkollat nuk janë çelur,në to zhvillohet rregullisht çdo ditë dy orë mësim për gjuhën shqipe”.(Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi i dokumentave të Vjenës.Raport i konsullit Pollanc,dërguar Vjenës,dok.26 ).
Turqit e rinj pamvarsisht se patën premtuar shumë liri e të drejta për shqiptarët,kur panë se lëvizja autonomiste sa vinte e rritej u përpoqën të ndalnin me çdo mjet atë.Kështu,ata mundën të kufizonin deri diku pjesëmarrjen e gjërë të luftëtarëve të kosovës në Ferizaj,të cilët sidoqoftë arritën të lidhin besën në atë kuvend burrash.Autoritetet ushtarake osmane u përpoqën me çdo kusht të ndalnin këtë manifestim,kinse Stambolli do t’u plotsonte shumë shpejt kërkesat.. por atdhetarët shqiptarë e kuptonin se kjo ishte një manovër sa për të kaluar radhën.Sali Gjuka,Halim Deralla,Dervish Hima, Nijazi Resnja etj,bënë çësht e mundur që marshimi i shqiptarëve drejt Shkupit të mos ndalej.Ngase Korparmata e Dytë me qendër në Manastir përbëhej në pjesën më të madhe prej shqiptarëve,ngase patën nisur të vepronin komandat lokale të shqiptarëve në Tetovë,Gostivar,Dibër,Strugë,Ohër e Manastir etj,në mbrëmjen e 24 korrikut 1908,Porta e Lartë vendosi të ndal marshimin,duke dëgjuar kërkesat e shqiptarëve dhe duke iu dhënë atyre menjëherë disa prej të drejtave të mohuara.Burime të historiografisë sonë,na bëjnë me dije se në bisedimet e përfaqsuesve të luftëtarëve kanë qenë pos të tjerëve edhe Halim Deralla,i cili me autoritetin që gëzonte ka mbrojtur me logjik e vendosmëri të drejtat e shqiptarëve.Pas tri katër ditësh pothuajse në gjendje lufte,Shkupi u zbraz prej luftëtarëve shqiptarë të cilët mundën të fitonin disa të drejta elementare.Ndër këto të drejta ishte edhe largimi i punonjësve osman të korruptuar,të cilët populli nuk i duronte dot.”Komiteti shqiptar,njoftonte Pllanc,po urdhërojnë autoritetet lokale turke,të pushojnë nga detyra punonjësit që nuk i do populli”.( Arkivi i Institutit të Historisë–Tiranë.Fondi i doku. të Vjenës,dt.29 korrik 1908).
Në vitet 1908-1912 shtëpia e Derallave,në Tetovë do të shëndrrohej në një çerdhe të shqiptarizmës.Mehmet Pasha dhe i biri Halimi do të ishin kurdoherë në krye të lëvizjeve të mëdha atdhetare,duke dhënë ndihmesë jo vetëm me trimërinë,guximin,logjikën por edhe me pasurinë e tyre.Të dy sëbashku ata do të prisnin e do të përcillnin në shtëpinë e madhe në Tetovë,Trimat patriotë e atdhetarë si Sali Gjukën,Bedri Pejanin,Bajram Currin,Isa Boletinin,Mid’hat Frashërin, Hamdi Ohrin,Hoxhë Vokën dhe dhjetra atdhetarë të tjerë nga krejt viset etnike shqiptare. Ata do të merrnin pjesë në Kuvendin e Junikut e mandej në fillim të viteve 1912,do të komandonin çetën e parë të luftëtarëve tetovarë, e cila rroku armët për t’u bërë ballë sulmeve osmane dhe atyre serbo-bullgare.Në gushtin e vitit 1912,Hasan Pristina me cilësinë e përfaqsuesit shqiptar të trevave të veriut,zhvilloi disa bisedime me autoritetet e larta osmane,në Prishtinë dhe Ferizaj.Mandej në Ferizaj ai i paraqiti komisionit qeveritar osman edhe një memorandum prej 14 pikash.Ky memorandum iu dorëzua komisionit osman në 9 gusht 1912,duke deklaruar që në rast se brenda dy ditëve nuk do të pranoheshin,atëherë forcat shqiptare kryengritëse do të marshonin drejt Shkupit.Pas kësaj forcat shqiptare të komanduara prej Idriz Seferit,Isa Boletinit,Hasan Prishtinës etj,u riorganizuan dhe u nisën me tren drejt Shkupit.Meqenëse qeveria osmane e vonoi përgjigjen e memorandumit atëherë shtabi madhor i kryngritjes shqiptare,vendosi të marrë Shkupin,dhe brenda 48 orëve,qyteti u rrethua nga rreth 30 mijë luftëtarë shqiptarë,ndërkaq edhe brenda qytetit,atdhetarë të tjerë në mënyrë të fshehtë po organizoheshin.Valiu i Kosovës,Masar beu,i ndodhur në këto kushte të vështira dha dorëheqjen.Ndërsa komandanti i granizonit ushtarak të Shkupit,në pamundësi t’u bënte ballë kryengritësve,u largua fshehurazi duke vënë në dijeni Portën e Lartë për revoltën e madhe të shqiptarëve.Në këto rrethana më 12 gusht 1912 rruga ishte pothuajse e hapur.Shkupi qyteti i lashtë i trojeve arbërore ishte fare pranë lirisë së ëndërruar prej 5 shekujsh.Pasi patën marrë të gjitha masat,pasi kishin njoftuar atdhetarët shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë për çfar ishte arritur,burrat mëmëdhetarë,nuk munguan të hyjnë në Shkup.”Prijësit dhe udhëheqësit e shquar ;Hasan Pristina,Idriz Seferi,Isa Bolentini,Bajram Curri,Halim Tetova,Shan Prizëreni,Ramadan Zaskoci,prijnë drejt Shkupit me flamuj të shpalosur me bandën muzikore kryengritëse me brohoritje entuzijaste”.( Sh. Braha “Idriz Seferi “ – Tiranë 1982 , faqe 177 – 178 ).
Në nëntorin e vitit 1912,atëherë kur Mehmet pashë Deralla udhëtonte drejt Vlorës si një përfasues i popullit të Kosovës,i biri i tij Halimi në krye të një çete prej 200 luftëtarësh tetovarë do të virej në mbrojtje të trojeve shqiptare.Dihet tanimë se pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani fqinjët tanë të përkrahur dhe nga Rusia Cariste,Franca e Anglia,kërkonin aneksimin e tokave tona.Orekset shovene parashihnin coptimin e plotë të Shqipërisë ndaj grekët,bullgarët,serbët malazezët,pasi krijuan Aleancën e krishtere ballkanike iu vërsulën ndaj tokave shqiptare me grykësinë e një lukunie ujqish,ndonëse formimi i shtetit të parë,të pavarur shqiptar pati dimensionet e veta historike,ky akt nuk mundi gjithsesi të shpëtonte Shqipërinë prej coptimit të saj.Dhe ndërsa përfaqsuesit e Fuqive të Mëdha,koteshin të përgjumur kur ndahej toka shqiptare,ishin bijtë e saj si Halim Deralla,të cilët pa marrë në sy rrezikun,luftonin viseve të atdheut për lirin e tij.Pas dorëheqjes së Ismail Qemalit-Vlorës,dhe kabinetit të tij,Mehmet Pashë Deralla,shkon sërish në Tetovë.Por serbët nuk mund të harrojnë as atë as birin e tij Halimin,të cilët organizuan një varg betejash për mosnështrimin e Tetovës,Gostivarit,Kumanovës e Strugës,prej çizmes sllave.Për më tepër,në luftërat e zhvilluara në këto treva në vitet 1913-1914 dera e shquar e Derrallave ishte vënë në shënjestër të qeverisë bullgaromadhe të asaj kohe.Është kjo arsyeja që atë e birë në vjeshtën e vitit 1914 e arrestojnë dhe e dërgojnë të lidhur në Karlova të Bullgarisë.Atë e bir,do të akuzohen rëndë prej gjygjit ushtarak bullgar,por ka qenë ndihma e pakursyer e disa atdhetarëve shqiptarë të Shkupit të cilët kanë ndihmuar në arratisjen e tyre prej burgut të Karlovës,dhe ç’prej vitit 1914 e deri në fund të vitit 1915-ës,Mehmet Pashë Deralla së bashku me të birin jetojnë maleve e pyjeve të Sharrit,të ndjekur prej hafijeve serbosllave e bullgare.
Në vitin 1921,atëhrë kur hap dyert parlamenti i parë shqiptar,Halim Deralla do të ishte deputet i trevave të Maqedonisë shqiptare.Ai do të sillte në këtë parllament,me zërin e lartë krejt barbarizmat serbosllavo-bullgare që luheshin në kurriz të bashkëkombasve të vet,nën regjimin e urryer serb.Deralla ashtu si kundër i ati,do të mbronte pa u friguar çështjen shqiptare,ndonëse kërcënimet i vinin nga të katër anët,madje duke i bërë edhe tentativa për ta eleminuar fizikisht.Në rast të shpërnguljeve të mëdha që Beogradi kishte planifikuar me Stambollin,për ekstradimin e shqiptarëve mysliman në Azi,Halim Deralla jo vetëm në parllament,por sidomos në Tetovë,Gostivar e Kumanovë madje deri në fshatrat e Prilepit,do të shkonte vet të bisedonte me bashkëkombasit e tij,duke potencuar idenë se trojet shqiptare askurrë nuk duhet të braktisen.Edhe në disa raste kur autoritetet sllavobulllgare u rrëmbyen me forcë fshtarëve shqiptarë shtëpitë dhe tokat e tyre,Halim Deralla i ndihmoi ata me flori duke u blerë shtëpi të reja.Tejet vizionar,në rrafsh të politikës shqiptare dhe asaj ballkanike,Halim Deralla do të mbante një qëndrim të prerë veçanërisht në ngjarjet e qershorit të vitit 1924,si rallë kush prej politikanëve të asaj kohe ai do ta konsideronte revulucion bollshevik tejet të gabuar dhe të dëmshëm madje në shenjë revolte do të linte Tiranën ku nuk i munguan edhe ofertat për poste të rëndësishme.Në shtëpinë e madhe të Derrallave në Tetovë,së toku me vëllezërit e tij Gajurin dhe Hysenin,do të kujdesej për pronat e trashëguara të familjes,pa harruar edhe kuvendet me prijësit e çetave të kaçakëve të Maqedonisë shqiptare.Lëvizjen kaçake në këto treva,Halim bej Deralla do ta ndihmonte jo vetëm me porosi e udhëzime,por sidomos me ndihmë të pakursyer materiale.Vetë shtëpia e tij në Tetovë,shpesh herë do të ishte strehë e sigurtë e prijësve kaçakë.Kur kryeministri shqiptarë Ahmet Zogu me ndihmën e shteteve të Evropës mori rrugën e udhëtimit për në Shqipëri,ai ka bujtur një natë së bashku me 200 burra,në shtëpinë e Halimit në Tetovë.Halim Beu e ka pritur siç e donte ndera e shqiptarit dhe sipas të dhënave familiare e ka përcjellë të nesërmen duke i bashkangjitur formacioneve të tij edhe disa trima të Tetovës,Gostivarit e Kumanovës,të cilët do të përcillnin deri në Tiranë,24 dhjetori i vitit 1924,i quajtur ndryshe si Triumfi i Legalitetit,mban kësisoj brenda tij edhe bujarinë dhe besnikërinë e Halim bej Derrallës.Në vitet 1925-1928 biri i Tetovës,zgjidhet përsëri në parllamentin shqiptar si përfaqsues i trevave të Maqedonisë shqiptare.Edhe në këto vite ai do të dallohej sa për frymën e vendosmërinë për shtetin ligjor në shtetin amë,aq edhe për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të bashkëkombasve të vet si në Kosovë,maqedoni,çamëri etj.Fjala e tij se “na jena përgjegjës përpara historisë për jetën e 2 milion shqiptarëve që padrejtësisht u ndan nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913”,do të dëgjohej e fuqishme në sallën e parllamentit shqiptar dhe do të pasohej edhe nga burra të tjerë të shquar si ; Ali bej Këlcyra, Rauf Fico,At Gjergj Fishta,Mustafa Kruja etj.
Në fillim të viteve 30 të shekullit të kaluar Halim Derralla shkon sërish në Tetovë të jetojë pranë gruas,vajzave,vëllezërve dhe bashkëluftëtarëve të vet të shumtë.Ndërkaq personaliteti i tij nuk mund të pajtohej me reformat kolonizuese serbosllavo-bullgare,si dhe me dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj banorëve të Maqedonisë shqiptare,ndaj ai e ngre lart zërin e tij në mbrojtje të fatit të bashkëkombasve të vet.Duke qenë jurist i sprovuar,Beogradi nuk mund ta arrestonte pasi gjyqi mund të demaskonte akoma më keq regjimin serbosllav.Për këtë shkak serbët,ashtu si kundër kanë vepruar edhe qindra herë të tjera,paguan njerëz për të vrarë Halim Derallën.Dy atentate radhazi në vitet 1930-1931 bënë jehonë të madhe jo vetëm në Tetovë por edhe në Beograd e Tiranë.Ndërsa forcat e errëta të Beogradit i tmerronte ideja se edhe pas këtyre atentateve Halim Tetova jetonte ende,ishte Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu,i cili e ftoi bujarisht burrin e shquar të linte Tetovën dhe të shkonte në Tiranë.Një vit më pas,në pranverën e vitit 1932,Halim Derralla sëmuret në shtëpinë e tij. Populli i Tiranës dhe i gjithë viseve etnike shqiptare e përcollën me respekt birin e vet.personalitetin e shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Halim Derralla, Levizja autonomiste, shqiptare

AZGAN HAKLAJ DHE ORA E KURDISUR E SHQIPTARISË

August 28, 2014 by dgreca

– “Burrat e fortë lëvizin vetë zembrekun e kohës” /
Nga Vasil BOZO/
Sa herë takoj Azgan Haklajn, emri i të cilit përkon aq shumë me pamjen e tij të jashtme dhe cilësitë vetjake të karakterit të tij, kujtoj një thënie të hershme të Niçes, kur thoshte në mënyrë figurative se burrat e fortë lëvizin vetë zembrekun e kohës. Duket se në një farë mënyre kjo ka ndodhur dhe me birin e shquar të Tropojës së bukur, Azgan Haklajn, i cili duke ndjekur gjurmët historike të të parëve të tij atdhetarë fisnikë e luftëtarë të sprovuar në kalvarin e qëndresës sonë kolektive, ka lëvizur me ritmin e vetë ëndrrës së tij për një Shqipëri Natyrale, kryeçështja e tij, qoftë në veprimtarinë si publicist, analist e kulturolog, qoftë si politikan e veprimtar shoqëror e atdhetar.
Prania e tij e përhershme në shtyp dhe media, është pjesë e lëvizjes së tij në drejtim të vetëdijësimit të atyre për të cilët shkruan, për misionin e pambaruar kombëtar, për devizën e mbetur në mes, e cila nuk mund të jetë e plotë, pa bashkimin e të gjithë vektorëve të hapësirës sonë mbarëkombëtare. Haklaj ka ndjekur me kurajë dhe guxim të pashembullt rrugën e korifejve të shtypit të lirë, Konicës, Fishtës, Gramenos, Merxhanit, Kadaresë, rrugën e atyre gazetarëve që rilindin si Feniksi pas çdo shkrimi e ideje, në një rrugë të vështirë, që ndonjëherë shkon drejt sprovave të kalvarit. Haklaj ka shkuar gjithmonë drejt këtyre sprovave, aq sa për fjalën e lirë në shtyp dhe në podiumet politike, është sulmuar me tritol duke synuar eleminimin e tij, por ai ka mbijetuar dhe deviza e tij e lirisë vazhdon, më e fortë dhe më kuptimplote se kurrë.
Përveç angazhimit të tij si deputet në periudhën e ndezur 2001 – 2005, Azgani ka krijuar dhe drejton Unionin Artistik të Kombit Shqiptar, të cilin sikurse shprehet, synon ta shndërrojë “në një Parlament shpirtëror ku flitet me gjuhën universale të artit për hallet dhe plagët e kombit.” Dhe pa drojë mund të pohojmë se ai e ka realizuar më së miri këtë me një sërë veprimtarish brenda dhe jashtë vendit, duke na bindur se Seferisi nuk e kishte fjalën vetëm për grekët kur thoshte: “Ngado që shkoj atdheun e marr me vete”. Haklaj e merr atdheun në çdo ritëm e lëvizje të valles, në çdo shkronjë e fjalë të derdhur në libra e gazeta, në çdo lëvizje kulturologjike, që synon t’i bëjë të papërfillshëm dhe inekzistues kufijt midis shqiptarëve.
Autori Haklaj, pa u përkujdesur për ekuilibrat e brishtë dhe atrificet që ta hapin shpejt dhe me lehtësi rrugën drejt karrierës dhe suksesit fiktiv, me vrullin që e karakterizon në jetë, u vërsul shpatëzhveshur në logun e dueleve kalorsiake, ndërkohë që rivalët dhe kundërshtarët e tij përdornin mjete të dyshimta, të fshehur pas strukturave të dyshimta të një shteti të brishtë dhe të ndërtuar jo dhe aq mbi principe morale e jurdike se sa mbi konjukturat e çastit. Këto përballje të drejtëpërdrejta dhe kurajoze vijnë në katër librat e Haklajt me gjuhën e ftohtë të dokumentit të shkruar, të stivosur në raftet e arkivit të Kuvendit të Shqipërisë ose të mbetur si dëshmi e shkruar e zeza mbi të bardhë në shtypin e përditshëm të asaj kohe. Janë përballje dinjitoze, të denja për një politikan të kalibrit të lartë, i cili nuk di ta ndajë fjalën me veprimin dhe e konsideron aksionin politik në dobi të atyre që e kanë votëbesuar, të përkrahësve por dhe të kundërshtarëve të tij, si e vetmja rrugë për të ndërtuar realitete progresive politike dhe njerëzore.
Për Haklajn si veprimtar i shquar shoqëror e kombëtar, si politikan, si publicist dhe njeri i aksionit atdhetar, i cili pas gjashtë atentateve të dështuar dhe sulmit me tritol në banesë, jo vetëm nuk është dekurajuar, por e ka ngritur aksionin gjithëpërfshirës intelektual e njerëzor në kuota të reja, kanë shkruar figura të tilla të artit e kulturës shqiptare si Dritëror Agolli, Preç Zogaj, politikanë të njohur, shkrimtarë e analistë si Shpend Topullaj, Ramiz Lushaj, Dukagjin Hata, Qazim Shehu etj.
Ai është bërë objekt i kancelarive të larta ruse dhe amerikane, me letrat e tij të forta, drejtuar këtyre kancelarive, ku kërkon vënien përfundimisht në tryezën e zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptare.
Artisti tek Azgani është një tjetër dimension i figurës së tij, ndoshta ajo pjesë e personalitetit që bën sa të fortë e stoik, aq të ndjeshëm para halleve të të tjerëve, para dhimbjeve të njerëzve të thjeshtë, të cilët e duan dhe e respektojnë.
Kur kërcen, ai duket sikur flet njëherësh me tokën e qiellin, sikur flet me zanat e Eposit të Kreshnikëve e thërret në ndihmë fuqinë magjike të Mujit e Halilit, sikur dehet me rrjedhën e ujëvarave të Valbonës e rilind tek çdo gjethe ahu e shushurimë pranvere në bjeshkë.
Për njerëz si Azgan Haklaj vjen ora e veprimit dhe evidentimit të vlerave vetëm kur vjen dhe Ora e Shqiptarisë, kur kjo orë kurdiset dhe punon normalisht, në drejtimin e duhur, në kohën e duhur dhe për kombin e duhur, siç po ndodh tash disa kohë me orën e fatit mbarëshqiptar.
Haklaj si parlamentar i fjalës, mendimit e besimit të lirë, si artist i shquar, si korife i aksionit kombëtar, është gjithmnonë në ballë; si politikan e kulturolog i veprimit ecën shqiptarisht, duke lënë pas gjurmë të bukura, nga Presheva në Gostivar, nga Shkodra në Tiranë, nga Prishtina në Artë e Filat, me Flamur Kombëtar Shqiptar, drejt kryeqëndres së tij të kahershme, Shqipërisë Natyrale.

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, DHE ORA E KURDISUR, E SHQIPTARISË, Vasil Bozo

Me kostum dhe kollare në det – Black Tie Beach 2014

August 28, 2014 by dgreca

BENSONHURST BROOKLYN NYC : Për të pestën her në rradhë – në një nga plazhet më të frekuentuara në Nju Jork, u mbajt aktiviteti vjetor i ashtuquajtur : “Me kostum dhe kollare në det – Black Tie Beach”..
Në këtë akivitet argëtues – kan marrë pjesë qindra pjesëmarrës, të cilët preferuan të kaloin një ditë në plazh me veshjet e tyre të zakonëshme – burrat në veshje me kostume dhe krevatë të zezë, ndërkohë që gratë laheshin në det me fustane nuserie.
Plazhi Coney Island në lagjen Brooklyn të New Yorkut, u mbush dje me grupe të ndryshme të njerëzve të të gjitha moshave e racave që plot gaz u hodhën në det, duke luajtur lojëra, dhe benin not në oqean me veshjet e zakonëshe.
Mirëpo – simabs një tradite të kahershme hebraike disa çifte kan shfrytëzuar këtë aktivitet për të hyrë në det me kostume tuxedos dhe vajzat e reja me fustanet e nusërisë për më shumë fat në jetën dhe dashurinë e tyre.
Ky vit ishte një i përfshirë me një ngjarje të bukur Black Tie Beach, tha njëri prej organizatorëve duke shtuar se ne patëm një pjesëmarrje të madhe dhe shumë herë se më parë. Pasi këtë aktivitet për tre vjet e mbajtëm nëBrighton Beach, këtë vit ne u drejtuam më tej në perëndim për të mbajtur atë në plazhin Coney Island . Mbasi Coney Island ka qenë shumë më i përshtatëshëm në kë sesion për tu mbushur me njerëz, dhe shtuar argëtimin.
Black Tie Beach ndodhur në qytete të tjera në mbarë botën në të njëjtën ditë. Ky akivitet u mbajtë në të njëjtën ditë në disa qytete të tjera në mbarë botën, duke përfshirë edhe qytete amerikane Bostonin dhe Jacksonville në Florida. /Beqir SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: Beach 2014, Beqir Sina, Me kostum dhe kollare në det - Black Tie

Samiti i Berlinit, si shans dhe mundësi

August 28, 2014 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
“Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”./
Woodrow Wilson, 4 korrik 1918/
Kjo deklaratë e ish – presidentit amerikan të vjen vetiu në mendje kur dëshiron t’i kthehesh një teme të rëndësishme si ajo e Samitit të Berlinit, i cili prej dje po vijon punimet nën drejtimin dhe kujdestarinë e kancelares Angela Merkel. Në këtë samit janë mbledhur dhe po diskutojnë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perendimor krerët e shtetit ose të qeverive të shtatë vendeve, përkatësisht, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Shkurt shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, plus Shqipëria. Kjo formulë e integrimeve euroatllantike është përdorur para një dekade në Europë, por u kumdështua nga disa vende, sidomos Shqipëria, Sllovenia dhe Kroacia, për të shmangur çdo keqinterpretim në përqasjen me federatën jugosllave të kohës së sundimit komunist.
Ka ditë që kjo ngjarje përflitet si një sukses i jashtëzakonshëm i kryeministrit shqiptar, për shkak se Ai, pra zoti Rama, në përfundim të Samitit do të përfaqësojë kolegët e tjerë në konferencën e përbashkët për shtyp. Sigurisht që përzgjedhja e kryeministrit të vendit tonë për pjesmarrje në konferencën e përbashkët për shtyp është një vlerësim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rolin pozicionin e ri që ata kanë fituar në rajonin e Europës Juglindore. Unë e shoh këtë edhe si simbolikë të vlerësimit që Merkel ka për zotin Rama personalisht e njëkohësisht si përpjekje të saj për ta inkurajuar atë në zhvillimin e demokracisë e vendosjen e shtetit ligjor në vendin tonë.
Se Shqipëria ka një rol parësor në integrimet rajonale, kjo tashmë është një fakt i provuar dhe një mendim i konsoliduar me politikat konstruktive të saj përgjatë 23 viteve të shkuara, me kontributet e saj permanente për implementimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe në vatrat e tjera të konfliktit në botë, me politikat e vazhdueshme të integrimeve rajonale dhe zgjidhjes me dialog të problemeve dypalëshe ndërkufitare. Ndërkohë thuajse të gjitha vendet e tjera, përfshirë dhe Greqinë, kanë dëshmuar në vazhdimësi ose herë pas here se i përkasin një epoke tjetër, kur Ballkanin e sundonin periudhat konfliktuale, luftrat shfarosëse, urrejtja, ndjenja e hasmërisë dhe fobi të shumta kundër njëri-tjetrit.
Samiti i Berlinit është i pari Samit që zhvillohet me tematikën e integrimeve europiane e rajonale me iniciativën e një kancelari gjerman. Në këtë kuptim ky Samit ose Konferencë duket të luajë një lloj roli si Samitet e Kartës së Adriatikut, të cilët patën dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në procësin e anëtarësimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit në NATO. Vetëm se Kartën e Adriatikut e ideuan dhe udhëhoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi lider i Aleancës së Atlantikut. Iniciator i saj ishte ish- presidenti Xhorxh W. Bush. Ndërkohë që Samiti i sotëm u ideua dhe udhëhiqet nga Gjermania, si vend lider i Bashkimit Europian. Kancelarja Merkel luan të njëjtin rol si presidenti Bush, por tashmë me një objektiv tjetër, integrimin e rajonit në BE.
Konferenca e Berlinit ka domethënien e saj të shumanshme. Kryesimi i saj prej Angela Merkel është garanci se ky samit nuk do të mbetet si një akt formal në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perendimor. Ai do të jetë një takim, në të cilin do të vendosen themelet e të ardhmes auropiane të Ballkanit Perendimor dhe mbi të gjitha një konfirmim i faktit se integrimi në BE do të jetë një proces i pakthyeshëm.
Samiti i Berlinit tërheq vëmendjen në disa aspekte historike dhe aktuale. Ai mbahet një shekull pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Po të kemi parasysh faktin së Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan me vrasjen e princit austriak, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, pra se kjo luftë ishte pasojë e një sherri të madh ballkanik, ku shquhej ambicja e Serbisë për ta sunduar gjithë rajonin, atëherë duhet të themi se Samiti i Berlinit konfirmon një ndryshim rrënjësor në gjeopolitkën dhe sjelljen e shteteve dhe popujve të këtij rajoni. U desh ndërhyrja e NATO-s në Kosovë si dhe angazhimi politik e diplomatik i Uashingtonit dhe Brukselit që të vinim deri te kjo situatë, në të cilën të sundojë tashmë paqja, siguria, stabiliteti dhe harmonia, ndonëse ende në kufijtë e brishtësisë. Pra,edhe një paqe, siguri dhe stabilitet I imponuar nga nevoja e të gjitha këtyre vendeve për një ardhmëri më të mirë për veten e tyre.
Gjermania, duke qenë iniciatore e takimit të gjashtë vendeve ballkanike, duket dëshiron të konfirmojë faktin që pas një shekulli në rajonin tonë është implementuar thuajse identik vizioni I Perandorisë Austro-Hungareze dhe vetë Berlinit për një Ballkan të modelit të asaj që aso kohe e proklamoi presidenti amerikan, Woodrow Wilson, sipas të cilit: “Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”. Vjena dhe Berlini erdhën në konfliktin e verës së vitit 1914 për shkak të vizioneve të ndryshme midis Boshtit dhe vendeve të Antantës sa i përket gjeopolitikës së rajonit tonë. Dhe ndonëse në Konferencën e Paqes së Parisit Gjermania dhe Austro-Hungaria u ndëshkuan rëndë, duke anashkaluar për herë të parë që prej 1648-ës parimin e ruajtjes së ekuilibrave të Fuqive të Mëdha, Ëilson në princip mbështeti vizionin e paraLuftës të Fuqive të mundura në Luftën e Parë Botërore. Sot ky vision është realizuar në praktikë, Bosnjë-Hercegovina tashmë është një shtet sovran dhe i pavarur. Eshtë krijuar shteti i Maqedonisë, fatmirësisht pa luftë dhe konflikt të armatosur. Kosova ka shtetësinë e saj dhe shqiptarët kanë rifituar pozitën e tyre gjeopolitike në rajon. Pikërisht ajo çfarë kishte projektuar Austro-Hungaria me mbështetjen e Gjermanisë më 1912-1914. Në këtë kuptim Angela Merkel e rikthen vendin e saj në rolin e një fuqie fituese të Luftës së Parë Botërore, duke rikonfirmuar në këtë samit të së enjtes, se vizioni i vendit të saj dhe aleatit të natyrshëm, Austrisë, tashmë është një realitet i padiskutueshëm. Ndërkohë ajo duket se bën me dije se bota nuk do të hynte në luftë para 100 vjetësh, nëse Fuqitë e Mëdha që fituan luftën për shkak të forcës, por jo të ideve e vizionit për rajonin e Ballkanit Perendimor, do të kishin pranuar projektin Austro-Hungarez dhe gjerman të ndërtimit të hartës politike të Ballkanit. Në këtë rast vetë kombet ballkanike nuk do të kalonin në një kalvar vuajtjesh, si rezultat i konflikteve të pandërprera midis kombeve dhe popujve të rajonit.
Konferenca e Berlinit është një ngjarje, një ngjarje që dallon nga samitet e tjera të BE-së gjatë periudhës mbi 20 vjeçare për shkak të seriozitetit, momentit politik dhe zhvillimeve dramatike në lindje të Europës, ku kam parasysh krizën dhe konfliktin ruso-ukrainas. Gjermania për herë të parë i rikthehet interesimit të saj për rajonin e Europës Juglindore në mënyrë direkte dhe komplementare. Mesa duket ajo e sheh këtë rajon si mundësi për të gjerneruar resurse të mëdha për popujt e shtetet ballkanike, por edhe për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Konflikti në Ukrainë e ka nxitur Gjermaninë dhe kancelaren Merkel që të implementojë një program e projekt zhvillimi të gjithanshëm në rajonin tonë. Në këto projekte bën pjesë ndërtimi i infrastrukturës si dhe investimet kapitale për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Kriza në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për dominim në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, bëjnë që Gjermania të tërheqë gradualisht një pjesë të kapitalit të saj nga Rusia dhe ta investojë atë në vendet e rajonit tonë.
Shqipëria i ka të gjitha shanset të shfrytëzojë momentin e “artë”, do ta quaja, për të. Ajo duhet të dëshmojë vullnet dhe partneritet të sinqertë me Gjermaninë dhe partnerët e miqtë e saj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, Turqinë dhe vende të tjera. Dy janë elementët themelorë ku duhen adresuar zgjidhjet:
Së pari, politikës dhe diplomacisë shqiptare i nevojitet të punojë me sinqeritet me aleatët e saj strategjikë, të lartpërmendur ose me fqinjët dhe vendet e rajonit, me të cilët synohet ndërtimi i urave të paqes, sigurisë, stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit të ndëersjelltë e të dyfishtë. Kjo do të thotë që shqiptarëve nuk u lejohet të bëjnë politikë e diplomaci të bazuar në ideologji, por në interesat kombëtare. Kjo do të thotë që strategjitë e bashkëpunimit të mos ndikohen nga nevojat elektorale, por nga interesat nacionale. Kjo do të thotë diskutim në tavolinë i të gjitha çeshtjeve që kërkojnë zgjidhje dhe jo vendimmarrje të njëanshme. Kjo do të thotë transparencë në marrëdhëniet me partnerët e aleatët tanë dhe jo qëndrime të dyfishta e të ndikuara nga “armiku i armikut tim”.
Së dyti, lehtësi maksimale për investime publike e private. Gara e krijimit të lehtësive të tilla është garë konkurence midis të gjitha vendeve tona të rajonit. Projektet e mëdha, të cilat prodhojnë punësim, prodhim, eksport, të ardhura e mirëqenie jaën destinacion i të gjitha vendeve të rajonit përfshirë edhe Greqinë dhe Bullgarinë e ndoshta Rumaninë dhe Turqinë, përveçse vendeve tashmë pjësmarrëse në Samitin e Berlinit. Ato i fiton ai vend, i cili krijon mekanizma të qëndrueshëm e bindëse për mbrojtjen e investimeve të huaja. I fiton ai vend, i cili udhëhiqet nga parimet e një demokracie funksionale dhe liberale si dhe parimet e ndërtimit të shtetit ligjor. Retorika e shtetit ligjor mbetet vetëm retorikë, nëse nuk shoqërohet me funksionimin normal të institucioneve qeverisëse të vendit. Për pasojë demokracia nuk funksionon, nëse mungon dialogu i brendshëm, përfshirja e të gjithë faktorëve e grupeve të interesit në vendimmarrje e kështu me radhë. Nuk mjafton të ndërtosh një diskurs pozitiv për sytë e ndërkombëtarëve dhe një diskurs dhe qëndrim të papranueshëm e negative për sytë e opozitës dhe kundërshtarëve politikë. Përkundrazi, nëse qëndrimet për politikat e brendshme merren të shkeputura dhe të veçuara nga qëndrimet dhe partneriteti me ndërkombëtarët, atëherë dështimi është i garantuar. Mund të duket se ka një sukses të pjesshëm e të përkohshëm, por kurrësesi një sukses të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Konkurenca midis kombeve ballkanike për investime ka tashmë përvojat e veta, nëse kemi parasysh investimet miliardëshe të Kinës në portet greke dhe investimet po ashtu miliardëshe të Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi e Beograd.
Konferanca e Berlinit është një shans, madje një shans i barabartë për të gjitha vendet e rajonit pjesmarrëse të saj. Diferencën do ta bëjë implemtnimi i një politike dhe diplomacie të shkathët, të drejtpërdrejtë e transparente, me qëllim që të fitohet besimi i partnerëve dhe aleatëve. Pa besim nuk ka bashkëpunim në asnjë segment te jëtës politiko-shoqërore. Vetëm me anën e besimit mund të garantohet suksesi i lidhjeve të gjithanshme të Shqipërisë me botën. Besimi nuk fitohet me mburrje si në kohën e Titos, Stalinit, Hrushovit e të Mao Ce Dunit, por me qëndrime dhe veprime korrekte. Nuk fitohet as me batuta dhe kritika ndaj partnerëve, shpesh herë pa vend dhe në kohën e gabuar. Ndërtohet me dialog dhe diskutime të sinqerta, me zgjidhjen e problemeve në tavolinë. Dhe probleme Shqipëria ka me disa vende të rajonit. Ka me Greqinë sa i përket çeshtjes çame dhe vendosjes së dëmarkacionit kufitar në ujrat detare të Jugut. Ka me Maqedoninë sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe implementimit të Marrëcveshjes së Ohrit. Ka probleme me Serbinë, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Kosovës si dhe të mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por ka dhe me vende të tjera për shkak të trajtimit të gabuar të pakicave shqiptare në këto vende. Kohët e fundit flitet për herë të parë që prej kur vendin e drejtonte udhëheqësi komunist, Enver Hoxha, për grindje dhe konflikte midis politikës shqiptare dhe asaj të Turqisë.
Të gjitha këto na bëjnë të besojmë se Samiti i Berlinit është vetëm fillimi i asaj që duhet të ndërtohet në planin politik, integrues, ekonomik, kulturor e në fushën e sigurisë në rajonin tonë. Euforia është dhe mbetet aleati më i keq i qeverisë dhe të gjithë faktorëve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e rajon, sa i përket rolit që duhet të luajmë në implementimin e shpejtë të projeketeve politike, ekonomike e më gjerë, të diskutuara dhe miratuara në Berlinin e datës 28 gusht 2014. Thelbi i gjithë kësaj që thamë mbetet përsëri te ideja e ish-Presidentit amerikan Wilson të cituar në fillimin e këtij shkrimi.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe mundësi, Enver Bytyci, Samiti i Berlinit, si shans

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4439
  • 4440
  • 4441
  • 4442
  • 4443
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT