• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIJËRA LIBRA SHQIP DHURATË PËR PLAVË-GUCINË

August 21, 2014 by dgreca

Nisma e Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë e presidentit të saj, historianit e koleksionistit, Shpëtim Sala/
Shkruan nga Plave- Guci: Ramiz LUSHAJ/
Një kërkesë vrellon nga Plavë-Gucia. Ing. Tahir Gjonbalaj, një nga personalitetet elitare të kësaj krahine etno-historike shqiptare në shekuj, sëbashku me disa shqiptarë atdhetar plavë-gucias, i përcjellin besimin e vet të plot’ e të sigurt Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH) në Tiranë për t’iu dhuruar libra në gjuhën amtare shqipe për bibliotekën publike të komunës së Gucisë. Nuk është hera e parë që ndihet një mungesë e nevojë e tillë, pasi kanë fol shpesh gazeta dore, portale në internet, e së fundit, edhe një televizion kombëtar shqiptar i Tiranës në një emsion të tij për kit’ trevë. Edhe vet e kam ngrit’ si problematikë. Këto ditë i kam shetitë me sy e kamb’ krejt qytetet Guci e Plavë me rrethina e kurrkund nuk kam pa astenji libër të vetëm në shqip. Asnjë gazetë apo revistë në shqip. Aty, në disa kioska, i gjen vetëm në serbisht (apo: malazeze, si i thonë këndej) e në boshnjakisht… Edhe librat shkollor në shqip janë të pakët, të mangët, të diskutueshëm…për orët e tyre të mësimit edhe në shqip si në 9-vjeçaret e Gucisë e të Plavës apo filloret shqipe në disa fshatra të trevës. Nuk po hy’ me rrëfye për varfërinë e tejskashme në libra shqip të bibliotekave komunare publike në Guci e Plavë e në shkolla. Plavë-Gucia, ndryshe nga çdo krahinë tjetër kufitare me Shqipërinë ose Kosovën, për të blè një libër në shqip në qytetet ma të afërta si Pejë apo Gjakovë ose Shkodër e Lezhë, iu duhen tek e pakta 4 deri në 6 orë rrugë me shkue e po kaq me u kthye në vendlindje. Një fëmijë 12 vjeç në një shtëpi u zgjue syskuqur në mëngjes, pasi gjithë natën kishte lexue një libër timin për Kosovën, mjaft i vështirë për moshën e tij. Pra, dashuria për librin është shumë e madhe. Kjo gjendje e jashtëzakonshme për shqiptarët e ndërkombëtarët, pasi ka të bajnë me vet praktikat shovene të asimilimit të shqiptarëve etnikë, të cilët në komunën e re të Gucisë janë 41 për qind e popullsisë së saj, ndërsa në disa fshatra të mëdha me qindra banorë si në Vuthaj, Martinaj, etj. janë mbi 98 për qind. Kjo gjendje është e patolerueshme për vet shtetin e Malit të Zi që po don me hy’ në Europën euro-atlantike, ka statusin e vendit kandidat për në BE, po synon antarësimin në NATO, hiqen si “kampion të demokracisë” në Ballkan (!)
Krahina e Plavë-Gucisë është një luftëtare e madhe e kombit shqiptar, pasi Lufta e saj e Nokshiqit (1879-1880) ishte ma e madhërishme se e Termopileve, ishte Parathënia e Shpalljes së Pavarësisë së Pambyllun të Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit. Plavë-Gucia është edhe e sakrifikuar për lirinë kombëtare deri në tragjedi që përbajnë genocid nga ma të mëdhenjt në botë, pasi në vitin 1913 Mbretëria e Malit të Zi të Krajl Nikollës i vrau 700 shqiptarë në varre masive.
Perandoria Otomane në krahinën e Plavë-Gucisë hapi shkollë serbe më 1868 dhe shkollë turke më 1878 po astenjiherë shkollë në gjuhën shqipe për shqiptarët etnikë. Vetëm Austro-Hungarezët në vitet e Luftës së Parë Botërore (“Koha e Nemces”) dhe italianët në vitet e Luftës së Dytë Botërore (“Koha e Shqypnisë”) hapën masivisht e cilësisht shkolla shqipe. Jugosllavia e Krajlëve, e Titos, e Millosheviçit e tashti Mali i Zi i Gjukanoviçit me shkollat shqipe kanë luajt lojë shovene “hap e mbyll”, etj. Sidoqoftë për aq kohë sa u hapën e mbyllen dhe aty ku u hapën e mbetën këto shkolla shqipe (apo paralele në shqip), prej atëherit e deri më sot, në rreth një shekull kohë, kanë luajt rolin e vet madhor e hyjnor për breznitë shqiptare të atyshme, të cilët u shkolluan për lart edhe në Prishtinë e Tiranë e ndokund tjetër. Nga krahina e Plavë-Gucisë, nga studimet me libra në gjuhën shqipe, kanë dalë fuqi intelektuale të kohës, të cilët janë të origjinës apo i kanë ende kulla e troje aty, si akademik Esad Mekuli – lind në qytetin e Plavës, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës; akademik Rexhep Qosja – lind në Vuthaj, ish drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës; akademik Jashar Rexhepagiq – lind në qytetin e Plavës, shkrimtar e studiues; akademik Rexhep Ferri, pedagog e piktor; prof. dr. Fehmi Agani, Ukshin Hoti, prof. dr. Isuf Dedushaj – lind në Vuthaj, ish ministër i Shëndetësisë i Kosovës; Hasan Mekuli – lind në Plavë, ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; dr. Liri Berisha e Rexhep Ramës nga Martinajt – Zonja e Parë e Shqipërisë (1992=1997), autore libri mjekësor, etj.; Zuvdi Hoxhiq –Berisha, lind në Guci, poet e shkrimtar; Rexho Mulliq – lind në Guci, kompozitor; Mimoza Ahmeti – poete, etj.; studiues e botues të veprave për historinë e kulturën e krahinës si Rexhep Dedushaj, Hasan Gjonbalaj, Ismail Ahmetaj (në Tiranë, në Amerikë), Elmaz Plava, Binak Ulaj, Idriz Ulaj, Adem Dervish Çelaj, Ali M. Ahmeti; Alex Selimaj – mjeshtër i fotografisë artistike; Sadri Ahmeti – piktor e poet; Avdyl Dedushaj – aktor; piktorët Zake e Musë Prelvukaj; Gëzim Mekuli – publicist; Adem Haxhaj – përkthyes; Fortuna Balidemaj – Mehaj – poete; e dhjetra të tjerë.
Veçojmë edhe ing. Tahir Gjonbalaj, kryeorganizator, nismëtar e kryefjalë i veprimtarisë tradicionale plavë-guciase “Alpet Shqiptare – Vuthaj”, i katër sesioneve shkencore (me kumtime të akademikëve të Tiranës, Prishtinës, etj.) për Plavë-Gucinë, e kryenegociator i nismës ma të fundit për pasurimin e bibliotekës publike të Gucisë më libra shqip tue koordinue me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (SHMKSH) në Tiranë, e cila ka për president historianin, koleksionistin e publicistin Shpëtim Sala, i dekoruar nga AFCES me çmimin “Frang Bardhi”, etj.
Shpëtim Sala është një “ambasador i kulturës shqiptare” në botë. Ai ka kryer veprimtari dinjitare, të shumta, të ndryshme: si ekspozita me koleksione relikore me libra të vjetër, flamuj, objekte, etj. si për Flamurin Kombëtar Shqiptar, për Skënderbeun, për shkollat shqipe, për ngjarje e figura historike, etj. E tillë ishte ekspozita në Budapest për 90 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Hugari, ekspozita në Trieste për shkollat e hapura nga italianët në Shqipëri. Veprimtari të kësaj natyre ka pasë edhe në Strugë (katër herë), Prizren (tre herë), Prishtinë e Ulqin (nga dy herë), Shkup (Maqedoni), Tuzi (Mali i Zi). Qendra (QMKSH) që e drejton prej një dekade ka një biografi të pasur pune, veprimtarie: mijëra koleksione të kontributeve shqiptare përgjatë historisë sonë kombëtare, dhjetra ekspozita (edhe në Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, etj) të ndjekura nga mijëra vizitorë; disa botime me interes shkencor, kanë hap’ librari të tyre në Tiranë, synojnë të çelin një muzeum etnografik kombëtar, etj.
Historiani Shpëtim Sala ka në CV e tij disa botime emblematike: vepra madhore shkencore “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” në dy vallime me 634 faqe (v. 2013); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (Tiranë, 2006, 2011), “Shkollat shqipe në vitet 1878-1944” (Muzeu Historik Kombëtar. Tiranë, 2014), “Letra të panjohura të Fan Nolit 1906-1913” (Botimet Franceskane At Gjergj Fishta, Shkodër, 2008), “Një perandor në Prizren” (Botimet Franceskane, Shkodër, 2008), “Maximilian Lambertz – Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund gushti 1916” (Përkthim nga gjermanishtja, botim i franceskanëve – Shkodër, 2011), “Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (QMKSH, 2011), “Këngë qytetare të kënduara në Shqipërinë e Mesme” (QMKSH, 2011), etj. Pesë veprat dorëshkrimore tejet të veçanta të historianit Shpëtim Sala kanë interes të jashtëzakonshëm kombëtar, si monografitë shkencore: “Kontribute të Shqiptaro-Amerikanëve në Çështjen Kombëtare Shqiptare” (mbi 500 faqe); “Klubet, shoqëritë, vëllazëritë, komitetet dhe lidhjet e krijuara jashtë Shqipërisë në vitet 1824-1912”; “Orkestrat frymore shqiptare 1878-1939”; “Shtypshkronjat, botuesit dhe libraritë shqiptare në vitet 1869-1944”, “Enciklopedi e fotografisë shqiptare shek. XIX-XX”.
Nisma ma e re, kjo e fundit për të dhuruar mijëra libra për Plavë-Gucinë, nuk është e para në veprimtarinë e historianit, koleksionistit, botuesit e publicistit Shpëtim Sala e Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë. Vet, i përkushtuari misionar i Çështjes Kombëtare Shqiptare, Shpëtim Sala, ndër vite, ka dhuruar mbi 3.000 libra për biblioteka, shkolla e institucione të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, etj.
Kjo nismë atdhetare kulturore e arsimore e Shpëtim Salës e QMKSH në Tiranë ka marrë vlerësime nga tëgjitha trevat shqiptarë në Ballkan e në mërgatat shqiptare në botë. I ndjekim disa komente të këtyre ditëve në rrjetin social facebook. Veprimtari i dimensioneve kombëtare, Tahir Gjonbalaj, shpreh mirënjohjen e tij: “I faleminderojmë të gjithë ata si e kanë marrë shumë seriozisht kërksën tonë për pasurimin dhe rritjen e fondit të librave në gjuhën shqipe në krahinat e Plavës e të Gucisë”. Historiani e koleksionisti Jaho Brahaj, autor i monografisë shkencore “Flamuri i Kombit Shqiptar”, etj: vlerëson: Nismë dinjitoze dhe fisnike. Ilia Karanxha e cilëson: aksion atdhetar e patriotik. Poeti e shkrimtari Kristaq Shabani nga Gjirokastra, president i LNPSHA Pegasi – Albania, prononcohet: një akt i lartë për gjuhën shqipe.Poetët, shkrimtarët e studiuesit pegasianë do të sjellin një fond të konsiderueshëm me librat e tyre”. Naser Vuçetaj nga Zvicra i shpreh përgëzimet e tij.
Gjithandej vijën komente tejet vlerësuese për nismëtarin prijëtar, personalitetin e veprimtarive me vlera kombëtare, Shpëtim Salën. Nga Amerika, të dy sëbashku, Mchaell sala e Hektor Sala e mbështesin nismen dhe, përveç kësaj, Hektori shkruan i entuziasmuar në fb: “Ju lumtë Shpëtim. Me punën tuaj aq të dobishme ti po i vjen në ndihmë popullit shqiptar kudo që jetojnë.Ti po nderon familjen dhe të gjithë kombin shqiptar. Marr’ shkas të sqaroj se kjo nuk është rastësi po një ndjenjë patriotike që po e trashëgon nga paraardhësit e tij, të cilët në koëra kur kombi i ka thirrur kanë qënë të gatshëm t’i përgjigjen pa kursyer dhe jetën. Historia nuk flet vetëm për një rast, por për gjenerata të tëra…Na nderova të gjithëve si familje!”. Atdhetari e koleksionisti i njohur Shkëlqim Gjoçuka shkruan nga Italia: “Shpëtim e ka emrine shpëtim është”. Njëjtësisht, shprehet edhe atdhetari vuthjan, Shaqir Gjonbalaj në Nju Jork: “Emrin Shpëtim po e përdor në vepra. Zoti të bekoftë!’.
Nisma “Libra dhuratë për Plavë-Gucinë” ka marrë përkrahje të madhe, tepër entuziaste, ka veprime konkrete. Deri tani janë grumbullue e premtue mbi 2.000 copë libra. Poeti për fëmijë. Fran Ukcama në Fier, komenton në fb: “Zogjtë e shpirtit tim – librat, do të fluturojnë drejt Gucisë”.
Ndër përkrahësit e parë kontributor me libra veçojmë: Shpëtim Salën, Emona Metaliaj, Vasfi Baruti, Shkëlqim Gjoçuka, Kristaq Shabani, Nikollë Loka, Frederik Stamati, Lulzim Ferati, e dhjetra të tjerë.
Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë parashtron rregullat e saj përparësor për të gjithë dhuruesit: pranon libra në gjuhën shqipe, libra albanologjik, shkollor, artistik, shkencor, po jo libra politik e fetar. Librat e dhuruar do të dorëzohen të gjitha në librarinë publike në komunën e Gucisë e, prej aty, komisioni përkatës vendor (kopjet e dyta, treta, etj.) do t’i ndajë në bibliotekën tjetër të Plavës e në bibliotekat e shkollave në Guci e Plavë. Gjithçka konkrete: nismëtari institucional Shpëtim Sala ka vendos në fb adresën e komunikimit: Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Rruga Don Boska. Nr. 29. Tiranë. Numri i telefonit celular: 068 21 88 499.
Në përmbyllje: kjo nismë, ky kontribut, që po jep Shpëtim Sala me Qëndren Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, nuk e kanë dhanë as shteti i Malit të Zi –jo se jo, po as shtetet shqiptare në Tiranë e Prishtinë me institucionet e tyre të politikave të jashtme, kulturore e arsimore.
Puna e tyre ka një kryefjalë: Kombëtare. Nga të gjithë po burimon ma e para fjalë: Nderim! Nisma e tyre është ftesë-hapur për të gjithë e ka një objektiv të lartë: Mijëra libra shqip dhuratë për Plavë-Gucinë!
Plavë-Guci, 20 gusht 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: dhurate, mijera libra, ne shqip, Plave-Guci, Ramiz Lushaj

SHBA: Ura Verrazano – Narrows – shënon 50-të vjetorin e ndërtimit

August 21, 2014 by dgreca

Çdo ditë gati 200.000 automjete, simbas statistikave kan për të udhëtuar në mes Staten Islandit dhe Brooklynit, nëpërmjet kësaj ure dhe rreth 66 milionë automjete, përdorin atëçdo vit/
BEQIR SINA, New York/
RICHMOND STATEN ISLAND : – Ditëlindja e 50-të e urës Verrazano-Narrows Bridge, është duke u shënuar në Nju Jork, me aktivitete të ndryshme. Në ishullin Staten Island – këto ditë, ishullorët kan hapur një ekspozitë, e cila pasqyronë kronikën e ndërtimit të kësaj ure. Urë, kjo që nisi ndërtimin e saj në vitin 1959 dhe zgjati pësë vjet deri sa përfundoi – deri në vitin 1981 duke mbajtur titullin si ura më e gjatë në SHBA.
Metropolitan Transportation Authority – MTA, në bashkëpunim me Muzeun Historik, hai këtë fillim javë ekspozitën, me fotografi dhe relike historike, të ruajtura qysh nga ndërtimi i urës – të cilat, përfshijnë “rrugëtimin” për pesë dekada, të kësaj ure gjigande.
Ura Verrazano-Narrows Bridge, është ajo që lidh dy qytetet më veriore të Nju Jorkut, ishullin e Staten Island dhe Brooklynin. Qytete këto, për ne shqiptarët, njihen më së shumti mbasi aty jetojnë aktualisht edhe një komunitet i madh me emigrantët shqiptarë( ata nga Mali i Zi dhe komuniteti dibranë me 15 mijë banorë, shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria) . Banorë, të cilët, këta ngaqë punojnë jashtë ishullit, pothuajse çdo ditë, u bie rasti të kalojnë mbi këtë urë, kaq madhështore.
Ndërkaq, çdo ditë gati 200.000 automjete, simbas statistikave – kan për të udhëtuar në mes Staten Islandit dhe Brooklynit, nëpërmjet kësaj ure, dhe, rreth 66 milionë automjete, përdorin atë çdo vit, tha David Riggs, inxhinier i mirëmbjatjes së objektit për urën Verrazano Bridge.
“Kur kjo urë, u hap për automjetet 50 vjet më parë, ishulli i Staten Island – ishte pothuajse i pabaueshem ( me rreth 100 mijë banorë) por, në pesë dekada njujorkezët ishin më pranë, ishullit, dhe, e mbi populluan atë duke e çuar numërin e popullsisë, sot në gjysmë milioni banorë” tha James Fortunato, z/vendes President dhe Shef i Operacionit për Urat dhe Tunelet në Nju Jork, duke shtuar se “Historia se si kjo urë është ndërtuar, është aq bindëse sa edhe trashëgiminia e saj.”
“Verrazano, ka një dashuri të veçantë në zemrën e çdo banori të ishullit Staten Island,” tha Fortunato, duke shtuar se “për mua, ura është si një shtëpi e dytë”, tha ai.
MTA duke bashkëpunuar me Muzeun Historik në Staten Island – të cilët janë kuratorët e ekspozitës, thanë se ajo do të qëndroi e hapur deri në fund të vitit. Kjo ekspozitë, thotë kuratori i saj fokusohet në katër pjesë të rëndësishme të fotove nga ndërtimi i urës – dy kullav( ura është me dy këmbë ), kuvertën elsatike, kabllot e trashë të çelikut dhe pjesën e quajtur Anchorage.
Ekspozita, është e titulluar “Spanning the Narrows for Five Decades, dhe, përfshin pesë dekada, duke pasqyruar edhe punën e dy artitekve që projektuan urën Othmar Ammann dhe Robert Moses. Ndërsa, filatelia amerikane, do të nxjerr gjatë këtyre muajve një set me pulla postare, me fotografinë e Urës Verrazano Bridge, histori në pesë dekada.
Përveç nga fotot, ekspozita përfshin një pjesë e telit kabllor dhe “gozhdat” dhe vidat e përdorura në urë, xhitonet e para që paguhej kalimi i urës fotografitë e Giovanni da Verrazano – edhe sheshi i postbllokut prej nga hapja e saj e madhe në 21 nëntor 1964.
Shërbimi postar në Shtetet e Bashkuara gjithashtu, do të zbulojë zyrtarisht një vulë ekspres që përkujton 50 vjetorin e urës, kurse një vulë e rregullt me pullën postare, është lëshuar në vitin 1964, duke festuar hapjen e urës.
“Ne jemi të kënaqur për të bashkëpunuar me MTA, për të festuar këtë moment historik në “jetën” e urës Verrazano-Narrows,” tha Drejtori Ekzekutiv i Muzeumit Historik në Richmond Town, zoti Ed Wisemanduke shtuar se: “Uraishte një ndërtim i mahnitshm i inxhinierisë, amerikane të asaj kohe, kur ajo u ndërtua në vitet 1960, dhe ende sot ajo është një nga simbolet më të dhe të njohura të Staten Islandit, portreti i këtij ishulli ikona e urave njujorkeze”, tha ai.
Më 21 nëntor, zyrtarët e administratës së urës Metropolitan Transportation Authority – MTA,lajmëruar se lajmëruar se do të mbajnë një ceremoni me zyrtarë të zgjedhur lokal shtetror, si dhe personalitete të tjera njujorkeze, në të dal të urës në Fort Wadsworth, Staten Island.
Aktivitete të tjera, thanë ata do të përfshijnë, këtë 50 vjetor të ditëlindjes së urës, Verrazano – edhe një breshëri me 50-të shtëna me top – të cilat do të bjenë përshëndetjen nga ana e ushtrisë amerikane. Kurse, 25 të shtëna me top nga çdo anë të urës, dhe një spektakël me hedhje ujë me ngjyrat e flamurit amerikan nga anijet e Departamentit të mbrojtjes kundërzjarrit të Qytetit të Nju Jorkut, së bashku me spektaklin me fishekkzjarre, janë në planin e festimeve.
Ura ka dy kate me 6 korsi në çdo kat
Ura e quajtur Verrazano – Narrows Bridge, është e ndërtuar në mes dy ishujve Staten Island në perendim dhe dhe Brooklyn në lindje, të Nju Jorkut, në Shtetet e Bashkuara. Ndërtimi i urës filloi në vitin 1959 dhe pua për ndërtimin e saj zgjati pesë vjet – ndërsa në vitin 1964 ura u hap për automjetet.
Verrazano – Narrows Bridge, është e gjatë 1600 metra (1.6 kilometra) dhe ka një hapësirë kryesore e cila është është 1,298 metra. Kjo urë deri në vitin 1981 – ishte ura më e madhe në SHBA dhe sot është ura më e madhe për numërin e automjetve që kalojnë çdo ditë mbi të.
Ura ” Verrazano-Narrows Bridge” ka qenë një projekt jashtëzakonisht i shtrenjtë, kryesisht për shkak të problemit të blerjes së tokës, në atë kohë, ish pronarve të saj – kostoja e saj totale e urës ishte 325.000.000 dollar amerikan.
Verrazano-Narrows Bridge është emëruar mbasi zbuluesi italian Giovanni da Verrazzano, i cili është njohur si evropiani parë, që ka kaluar ngushticën Narrows dhe zbuloi Nju Jorkun, duke përshkruar lumin Hudson dhe lumin East River.
Tarifa për kalimin e urës: automobila të pasagjerëve me dy a më shumë pasgjerë 7 dollar. Për ata që paguajnë para në dorë 15 dollar. E-ZPass 10,66 dollar. Banorë i Staten Island me para në dorë 8,53 me E-ZPass 6,00 dollar, veteranët e luftës dhe ushtarakët 2,96 dollar.
Tek ndërtimi i kësaj e ure, e cila lidh Brooklynin dhe Staten Island, është shënuar edhe një incident i cili është konsideruar si një simbol i sulmit të Kinës mbi ekonominë gjigande amerikane.
Për fat të keq, 34 milionë dollarë të çelikut të përdorur ka qenë imoprtuar nga Kina, por ka rezultura se çeliku ka qenë i falsifikuar prej Kinës.
Si ndodhi kjo?
Autoriteti Metropolitan i Transportit, thotë se një falsifikues kinez u kap për shkak se dy kompanitë amerikane, që e kontaktuan atë, për projektin u vërtetuan se i mungonte cilësia teknologjike prodhuese, në pajisjet e veçanta dhe kapacitetet financiare për të bërë punën si duhet me këtë cilësi çeliku nuk përputheshin me njëra tjetrën.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, SHBA, Ura Verrazano - Narrows - shënon 50-të, vjetorin e ndërtimit

Gëzim në familjet BUÇAJ dhe IVEZAJ

August 20, 2014 by dgreca

Kronikë nga Komuniteti në Nju Jork/
Ditën e dielë me 2 gusht 2014, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, NY, u lidhën me nye ari dy të rinjet, Tonini i biri i të ndjemit Marash dhe Trashe Buçajt, me zojushën Lena, e bija e Vasel dhe Age Ivezajt.
Kunorën shejte e celebroi i Përndershmi Dom Pjeter Popaj, në praninë e të dy familjevet dhe të farefisit të shumtë nga të dy palët. Të gjithë ishin veshë bukur si ka hije për këso rasah gëzimi dhe Kisha ishte zbukurue me lule si për ditë feste.
Gjatë predikimit Dom Pjetri foli për vlerën e martësës dhe për randësinë e lidhjes së përjetshme të dy të rijvet, me porosinë e besnikisë dhe të respektit reciprok. Ai foli me levdata për dy të rijt që kishte pasë rasë me i njoftë mirë gjatë ditëve të pergaditjes para kunorës dhe shprehi besimin se ata do të kenë nji jetë të lumtun në hirin e Zotit dhe në traditat e mira shqiptare të trashigueme prej prindëvet dhe se gjuhën e traditat e mira do t’ua kalojnë fëmijvet, sikurse prindët ua kanë mësue këtyne. Mbasi i thanë PO njenitjetrit tue ndërrue unazat, Dom Pjetri u dha bekimin, i shpalli burrë e grue dhe u bani urimet, duertrokitjet e të pranishëmvet kumbuen tue mbushë Kishën bashkë me tonet e muzikës allegro që përciellte hapat e gëzueshëm të qiftit, i cili drejtohej me gëzim kah jeta e përbashkët.
Darka me rreth 400 mysafirë u shtrue në restorantin “Eastwood Manor”. I përndershmi Dom Pjetër erdhi për të bekue darkën dhe përsëriti urimet qiftit të ri për lumtuni në jetë, përgëzoi familjarët dhe përshëndeti të pranishmit, mandej u largue për të shërbye familje tjera.
Në emën të familjes së dhandrit, të pranishmit i përshëndeti dr. Gjon Buçaj, i cili uroj qiftin e ri që të kenë jetë të lumtun dhe të plaken bashkë. Ai tha se familja Buçaj ishte dyfish e gëzueme, për nusen e mirë, por edhe pse kishte nxanë mikun e mirë. Në emën të familjes së nuses përshëndeti z. Gjon Fran Ivezaj, i cili uroi Lenës e Toninit jetë të gjatë e të lumtun dhe i porositi që të mbajnë gjuhën dhe traditat shqiptare, si u ka hije të dy krahinave të prejardhjes së prindëvet, “ku me shekuj janë rritë sokolana e sokolesha të malevet tona kreshnike”, u shpreh ai. Për këtë gëzim, përveç farefisit të këtushëm nga ana e dhandrit, kishin ardhë nga Europa dajët, vëllaznit Kolaj, Çuni me zojën Tereze dhe Kola. Nga ana e nuses kishin ardhë shumë farefis; binte në sy daja, z. Ded Kol Miri Dedvukaj me zojën dhe z. Kanto Dushaj, Drejtor i “Radio Maria” nga Michigan-i e shumë të tjerë.
Kangë e valle, me muzikë nga Lindon Gjelaj me grupin, vazhduen deri vonë. Të gjithë përjetuen nji mbramje të kandshme dhe u shpërndanë të kënaqun që të dy familjet me rrethin e tyne kishin festue së bashku gëzimin e martesës së dy të rijve.
Redaksia e “Diellit” uron çiftit të ri lumturi në jetë dhe trashëgim.(Korrespondenti i DIELLIT)

Filed Under: Komunitet Tagged With: BUÇAJ dhe IVEZAJ, Gëzim në familjet

Presidenti Obama: Në shekullin e XXI nuk ka vend për Shtetin Islamik

August 20, 2014 by dgreca

EDGARTOUN (SHBA), 20 gusht- Presidenti Barack Obama gjykoi sot se grupime si ai i xhihadistëve ultraradikalë të Shtetit Islamik (SHI), që mori përsipër vrasjen e gazetarit amerikan, nuk kanë vend në shekullin e XXI.
“Shteti Islamik nuk flet në emër të asnjë feje. Asnjë besim nuk thotë se duhen masakruar të pafajshmit. Ideologjia e tyre është hiçi”, theksoi Obama, duke kërkuar një mobilizim për të evituar që ky “kancer” të përhapet.
Duke i kërkuar qeverive dhe popullsive të Lindjes së Mesme të punojnë së bashku për të zhdukur këtë kancer, ai premtoi se SHBA-ja, që vazhdon me sulmet ajrore në Irak prej disa ditësh, do të vazhdojë të luftojë kundër xhihadistëve ultra radikalë.
“Ata kanë plaçkitur qytete dhe fshatëra, vrarë civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur në veprime të dhunshme shumë frikacake”, theksoi Obama, me fytyrën serioze, gjatë një fjalimi në Edgartoun, në Masaçuset, ku po kalon pushimet me familjen.
“Ata kanë rrëmbyer gratë dhe i kanë torturuar, përdhunuar dhe skllavëruar. Ata kanë vrarë myslimanë, si sunitë edhe shiitë, me mijëra. Ata u kthyen më pas nga kristianët dhe nga minoritetet fetare”, vazhdoi ai.
“Ne do të jemi vigjilent dhe të pamëshirshëm. Kur amerikanët sulmohen diku në botë, ne bëjmë të pamundurën që drejtësia të vihet në vend”, paralajmëroi Obama duke kërkuar një mohim të qartë ndaj kësaj ideologjie nihiliste.
Presidenti amerikan theksoi se ka biseduar edhe me familjen e James Foley pas ekzekutimit që tronditi ndërgjegjen e të gjithë botës.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi sot autenticitetin e videos së publikuar dje ku tregohet vrasja e gazetarit amerikan.
Në një video të shpërndarë në internet, Shteti Islamik tregon një njeri të maskuar dhe të veshur në të zeza që i pret kokën James Foley. Gazetari ishte rëmbyer nga persona të armatosur në nëntor të vitit 2012 në Siri.
James Foley, 40 vjeç, ishte një reporter me eksperiencë, kishte mbuluar ngjarjet e konfliktit në Libi para se të shkonte në Siri, ku ai merrej me ngjarjet që shoqëruan kryengritjen kundër regjimit të Bachar al Assad-it për faqen amerikane të internetit “GlobalPost”, AFP dhe shumë media të tjera.
Pentagoni njoftoi gjithashtu se sulmet ajrore në Irak vazhdojnë dhe sot u kryen disa të tjera kundër Shtetit Islamik

Filed Under: Kronike Tagged With: Në shekullin e XXI, nuk ka vend, për Shtetin Islamik, Presidenti Obama

Ekzekutimi Si Hakmarrje e ISIS ndaj gazetarit Amerikan

August 20, 2014 by dgreca

James Foley, reporteri i lirë 40-vjeçar amerikan, u ekzekutua në mënyrë ç’njerëzore me prerje koke me thikë nga terroristët ultraradikalë të Shtetit Islamik.
Ekzekutimi i tij u publikua i plotë në një video në rrjetin social Youtube. Por më pas pamjet rrënqethëse u larguan nga drejtuesit e këtij rrjeti. Video e shpërndarë nga vetë xhihadistët titullohej “Mesazh për Amerikën”. Në nisje, shfaqet një mesazh me shkrim në arabisht dhe anglisht, ku shpjegohet se ekzekutimi i reporterit është përgjigjja e parë në formë hakmarrjeje për urdhërin që presidenti amerikan Barak Obama dha për sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në veri të Irakut.
Më pas flet vetë Foley, i veshur me uniformën e të burgosurve të Guantanamos, i cili përpara se të ekzekutohet, reciton një mesazh, që pa dyshim është përgatitur nga pengmarrësit e tij.
Ai akuzon qeverinë amerikane si përgjegjëse për vdekjen e tij, ndërsa shpreh hidhërimin që nuk pati kohë të takonte familjarët përpara se të vdiste.
Pas tij, xhihadisti me fytyrë të mbuluar, i cili dyshohet se është shtetas britanik, pasi flet anglisht me një theks londinez paralajmëron se një tjetër amerikan është në duart e tyre dhe do të ekzekutohet.
Bëhet fjalë për korrespondentin e revistës “Time” Steven Joel, i zhdukur në gusht të 2013-ës në Libi. Gjithçka sipas tij, varet nga vendimet e ardhëshme të presidentit amerikan Barak Obama.
Për këtë video reagoi nga Uashingtoni, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane Caitlin Hayden. Ajo e konsideroi tmerruese videon dhe tha se shërbimet inteligjente po punojnë për të verifikuar nëse ajo është autentike.
Ndërsa familjarët e reporterit amerikan përmes një mesazhi të shpërndarë për mediat , u bëbë thirrje pengmarrësve, të kursejnë jetët e robërve të tjerë, ndërsa shprehën krenarinë për punën e djalit të tyre në Siri.
James Foley, reporter lufte, që më parë kishte mbuluar ngjarjet në Afganistan e Libi, për media të ndryshme amerikane, u zu rob më 22 nëntor 2012 në verilindje të Sirisë, teksa realizonte reportazhe, për konfliktin mes forcave qeveritare siriane dhe atyre anti-Asad.
Më herët, Shteti Islamik kishte paralajmëruar se do të hakmerrej ndaj Shteteve të Bashkuara për sulmet ajrore, kundër objektivave të tyre në veri të Irakut, që ndihmuan në avancimin e militantëve kurdë dhe forcave qeveritare të Bagdadit drejt Mosulit.

Filed Under: Kronike Tagged With: e ISIS ndaj, gazetarit Amerikan, Hakmarrja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4456
  • 4457
  • 4458
  • 4459
  • 4460
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT