Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, priti te enjten në ambientet e komunës, At Nikollë Markun nga Shqipëria, i cili njihet si mbrojtës kishës kombëtare shqipëtare dhe kundërshtar i rreptë i kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatos i cili konsiderohet si një pro grek, që punon për interesat e Greqisë.
At Nikollë Marku në këtë takim ishte i shoqëruar nga intelektualë dhe veprimtarë të çështjes shqipëtare si Mahmut Skenderi i cili jeton dhe vepron në SHBA, SHpëtim Pollozhani, Irfan Vlashi, Sejdin Lloga etj.
“Kam ardhur në Maqedoni për herë të parë në vitin 1992, e kujtoj që atëherë ishte situatë krejtë ndryshe nga kjo e sotmja. Jam shumë i lumtur që sot ju shoh ju si një djal i ri dhe me vizion që po udhëhiqni këtë qytet shqipëtar, sinqerisht ju uroj një punë të mbarë në rrugën që keni nisur për mbrojtjen e interesit shqipëtar. Shqipëria fatkeqsisht po kalon periudhë të vështirë. Qeveria jonë ka rënë preh e shovenizmit grek i cili përdor gjitha metodat për të aneksuar jugun e Shqipërisë. Rinia jonë e veshur me petkun e lakuriqësisë po devijon plotësisht nga rruga e drejtë kombëtare. Akadimitë tona të shkencave janë krejtësisht jashtë funksionit. Megjithatë ne si popull gjithmonë e kemi pasur vështirë në hitorinë tonë, prandaj duhet të bashkohemi për të shpresuar për ditë më të bukura ashtu si ju shqiptarët e Maqedonisë edhe ne në Shqipëri dhe kudo tjetër“, tha At Nikoll Marku në takimin me kryetarin Sela.
Ziadin Sela shprehu respektin e tij ndaj At Nikollë Marku për guximin dhe punën që po bën ky i fundit për të mbrojtur interesin shqipëtar.
“Ka ardhur koha ti themi gjërat ashtu siç janë. Ju jeni një rast që duhet marrë shembull nga të gjithë shqipëtarët kudo që janë. Unë e vlersoj punën tuaj për mbrojtjen e identitetit të pastër shqipëtar të kishës ortodokse që e kemi trashëgimi nga i madhi Fan Noli. Mbështetja jonë është e plotë, ju e keni derën e hapur gjithmonë në Strugë, ndërsa së shpejti do të vijmë tju vizitojmë edhe në Shqipëri“, tha Sela.
Ziadin Sela mysafirëve ju dhuroi nga një dhuratë simbolike nga komuna e Strugës ndërsa më pas të gjithë morën pjesë në mbrëmjen artistike kushtuar z.Lebit Murtishi që u zhvillua në pallatin e Kulturës në Strugë.
Ekstremizmi fetar s’ka vend në Kosovë
Nga Enver Hoxhaj*/
Zhvillimet e ditëve të fundit përkitazi me përfshirjen e shtetasve tanë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste që rezultuan me një aksion të madh policor në Kosovë janë njëra hallkë e reagimit shtetëror ndaj këtij fenomeni.
Arrestimi i dhjetëra prej tyre është kundërpërgjigjja ndaj kërcënimi fizik dhe të sigurisë sonë përderisa dilemat më të mëdha që kemi para vetes si shoqëri është si ti qasemi ekstremizmit fetar në një plan më afatgjatë. A kemi vullnetin dhe dijen për tu përballur me këtë fenomen në rritje në të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe më gjerë? A mund dhe duhet ta marrë këtë barrë vetëm shteti përmes institucioneve të sigurisë apo është obligim i të gjithëve? A përbën ndër rreziqet kryesore për Kosovën në dekadën para nesh së bashku me sfida tjera në planin e jashtëm sikurse ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në punët e brendshme?
Historikisht, islami në Kosovë nuk ka traditë të përdorimit të tij për qëllime politike ekstremiste dhe radikale. Feja islame nuk ka përbërë orientim apo mënyrë të sjelljes në jetën publike të saj tek shqiptarët. Gjatë dy shekujve të kaluar elitat shqiptare duke vepruar në Perandorinë Osmane kanë formësuar një botëkuptim të qartë politik dhe paqësor për të ardhmen e shqiptarëve. Ata promovuan idenë se për shqiptarët ‘dielli lind në Perëndim’, që flet për dëshirën dhe orientimin pro-perëndimor të popullit shqiptar. Aspirata, këmbëngulësia dhe domosdoshmëria për tu shkëputur nga Perandoria Osmane bëri që ndikimi i islamit në shoqëri të dobësohej. Në shekullin XX, gjatë sundimit komunist, për shqiptarët, feja nuk e kishte rolin dhe hapësirën e duhur në jetën publike.
Tendencat e para të mësimeve radikale islame nisën me rënien e komunizmit dhe pas ndryshimeve të mëdha ndërkombëtare përfshirë edhe Kosovën e pjesë tjera të botës. Ky zhvillim i ri u manifestua nëpërmjet shfaqjes së tendencave për ekstremizëm fetar e deri tek pjesëmarrja e qytetarëve nga Ballkani në luftërat në Lindje të Mesme. Në vitet e fundit shfaqet dukshëm krijimi i disa premisave të vogla dhe shpesh të kamufluara të cilat mund të shndërrohen në një realitet të përbashkët kërcënues për sigurinë e Kosovës. Pashmangshëm kjo varet edhe nga fakti se si do të sillet shteti i ri i Kosovës dhe shoqëria e saj ndaj ekstremizmit fetar.
Premisa e parë është shoqërore dhe ka të bëjë me përhapjen e herëpashershme të ideve dhe mësimeve radikale. Përkundër faktit që Kosova është shtet laik dhe shoqëria e saj është sekulare, kohëve të fundit dëgjohen zëra radikal nga disa prijës fetar islamik të cilët janë arsimuar në vendet arabe dhe islame. Ata predikojnë një islam tjetër larg islamit tradicional shqiptar dhe një mënyrë jetese i ndryshëm me realitetin kosovar. Pa ndikim nuk janë as asociacionet e ndryshme të financuara që nga paslufta prej botës arabe të cilat mundohen ti tjetërsojnë botëkuptimet e të rinjve dhe njerëzve me ndikim në Kosovë. Herë pas here ka edhe intelektual e njerëz të kulturës të cilët në mënyrë të vetëdijshme dhe këmbëngulëse e interpretojnë gabimisht por me qëllim për rolin që kinse ka pasur feja në Kosovë dhe fuqinë që ajo përfaqëson sot.
Premisa e dytë është politike dhe ka të bëjë me lindjen e partive të vogla politike të cilat nuk gëzojnë mbështetje elektorale. Disa prej tyre në mënyrë të pavetëdijshme përpiqen ta kthejnë islamin në një ideologji reaguese dhe rezistuese në Kosovë. Këto parti me orientim fetar radikal synojnë që të gjejnë hapësirë të re, të krijojnë elektoratin e vetë, të shtyjnë dhe nxisin tema kundërthënëse të karakterit fetar. Është një përpjekje aktive për të islamizuar jetën publike dhe politike në Kosovë. Njëherësh, këto përpjekje për islamizim të jetës publike kanë për qëllim që të promovojnë një identitet konkurrues anti-evropian që është kundër interesave vitale të Kosovës.
Premisat e sipërpërmendura në përmasa të vogla por në dukje shumë aktive e kanë kokën e tyre ideologjike dhe mbështetjen financiare jashtë Kosovës tek grupe dhe ideologji në Lindje të cilat e shohin Kosovën si një zgjatje të tyre. Në disa vende islame ka grupime politike të cilat i shohin shtetet e tyre si një qendër të islamit dhe trajtojnë myslimanet në Evropë si instrumente dhe kontingjente të politikës së tyre. Natyrisht që këto rryma në Kosovë u shërbejnë interesave të jashtme. Ato janë kundër islamit tradicional të Kosovës të kultivuar me shekuj i cili ka qenë çdo herë larg çështjeve politike e publike, dhe i cili asnjëherë nuk ka synuar të dominoj apo kontrolloj sferën publike. Rryma të tilla radikale padyshim që synojnë kontrollimin e jetës publike duke promovuar një rend të ri dhe të huaj kulturor dhe moral, që nuk përkon me orientimin perëndimor të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Përtej kësaj, ekstremizmi fetar ka për qëllim që t’a armiqësojë Kosovën me Perëndimin, që SHBA-të dhe BE-ja të humbin besimin tek shteti dhe shoqëria kosovare. Diçka e tillë do t’i shërbente natyrisht propagandës serbe dhe asaj ruse kundër shtetit të Kosovës.
Në adresimin e tendencave të tilla radikale, Kosova duhet të ketë vullnet politik të pathyeshëm dhe konsensus shoqëror të plotë për ti marr ato si një kërcënim për sigurinë e vendit. Ky zhvillim i ri nuk kanë të bëjnë vetëm me sigurinë në kuptimin fizik, por edhe me përpjekjen për të parandaluar formësimin e një shoqërie të mirëfilltë evropiane në të cilën rrugëtim gjendet Kosova tani dhe shekuj më parë. Përtej reformave të rëndësishme për Kosovën sic janë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, Kosova nuk duhet të lejoj ngadalësim apo degradim të agjendës euro-atlantike. Po ashtu, partnerët strategjik të Kosovës karshi vendit tonë dhe rajonit duhet të asistojnë që ekstremizmi fetar të mos dëmtoj orientimin euro-atlantik dhe demokratik të rajonit.
Në këtë drejtim, Kosova duhet të përforcoj tutje strukturat e sigurisë dhe inteligjencës të cilat do të punojnë në parandalimin e çdo tendence radikale për ta privuar jetën dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, strukturat e Bashkësisë Islame në Kosovë që ruajnë traditën shqiptare të islamit duhet të angazhohen fuqishëm për të larguar elemente ekstremiste përmes inkurajimit të një islami të moderuar dhe paqësor. Për më shumë, elitat kosovare duhet të mos bien preh e një naiviteti që shoqëria kosovare është diçka mes Lindjes dhe Perëndimit por ta mbështet fuqishëm orientimin tonë euro-atlantik edhe për shkak të lidhjeve gjeografike e kulturore më Evropën. Shoqëria kosovare është pjesë e qytetërimit evropian në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk ka kapacitet që ta luaj rolin e një faktori ndërlidhës mes Lindjes dhe Perëndimit. Madje askush nuk kërkon nga shoqëria kosovare ta luaj një rol të tillë. Përfundimisht reagimi i shtetit ndaj këtij fenomeni ka ndodhur dhe na takon të gjithë neve si shoqëri si do të sillemi më tutje.
Autori është Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
*Minister i Jashtem i Kosoves
Fullan: Ik!
Në rrjetet sociale mbi 95 përqind e shkruesve shkruajnë se politika dhe diplomacia e huaj është e blerë në rastin Fullani. Asnjë nuk flet, me përjashtime te vogla për skandalin e bankës së Shqipërisë ku janë vjedhur 7.1 milion dollarë
Një turp i madh se si zyrtari i Shtetit nuk ikën, por rri më zot në karrike !- shprehen në rrjetet sociale.
***
Dje ndodhi ajo çka pritej të ndodhte në Këshillin Mbikqyrës: Guvernatori Fullani nuk u shkarkua. Por ajo që nuk besohej se mund të ndodhte ishte vajtja e ambasadorit amerikan Arvizu, para mbledhjes, tek zyra e Guvernatorit. Kjo nuk pritej! Dhe sapo mediat e dhanë si lajm, gjoja se nuk ishte lajmëruar media, filluan dyshimet e shumë analistëve të medias së pavarur se vajtja e ambasadorit ka më shumë mundësi që të lëshojë sinjalin për Këshillin Mbikqyrës se nuk duhet shkarkuar, ndonëse dihej se përveç Ermelinda Meksit, asnjë tjetër nuk kishte takat të dilte mbi lekët që merr çdo muaj si anëtar i Këshillit dhe që nuk janë pak, por fiks 4 milionë lekë, pa harruar përfitime të tjera. Pra, ambasadori Arvizu e bëri efektin e vizitës. Në të vërtetë, mesazhi i tij ka një mijë kuptime, ndonëse thelbi kishte të bënte si në atë shprehjen popullore se “miku në ditë të vështira duket” dhe faktikisht, “ilaçi amerikan” turbulloi çdokënd. Politika u struk edhe më shumë, paçka se Guvernatori është mik me të gjithë, djathtas e majtas. Një pjesë e medias u tërhoq edhe më në skuta, pasi përshpërisnin se “derisa shkoi ambasadori amerikan, ç’punë kemi ta kruajmë ne!”, ndërkohë shoqëria civile vazhdoi me mbledhjen e firmave kundër Fullanit. Edhe këta do të vazhdojnë derisa të lodhen nga vapa e gushtit apo të blihet ndonjë drejtues i kësaj nisme qytetare.
Vjedhja e 7 milion dollarëve është e zgjatur në kohë, shumë veta janë arrestuar, prokuroria vazhdon hetimet dhe nëse pritej që ditën e parë të ndodhte diçka ishte dorëheqja e Guvernatorit Fullani. Pasi kaluan dy ditët e para të skandalit shumëpakkush që merr vesh se si luhet “kumari politik”, besonte në një dorëheqje. PD-ja as që bëri zë, PS-ja ka ca zëra që flasin, por që nuk vendosin; Qeveria foli, porse edhe nuk tha gjë saktësisht; Presidenti heshti, LSI-ja edhe tha, edhe nuk tha. Berisha foli hapur pro Fullanit. Dhe si në përralla pozitë dhe opozitë janë bërë një për rastin Fullani. Mazhoranca ka një detyrim ligjor, por edhe publik, pasi ka marrë 1 milion vota e pikërisht Edi Rama dhe Ilir Meta, që të sqarojnë me gojën e tyre se çfarë pozicioni kanë në raport me Guvernatorin për rastin në fjalë. Nuk është pushim gushti apo gjoja se parlamenti nuk punon, sepse kur duan e gjejnë mënyrën për të folur Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, lideri i opozitës, bile kur duan, përdorin edhe Facebook apo rrjet tjetër social. Pse heshtën deri tani, apo pritën të dilte Ambasadori Amerikan që të lakonte, edhe pa e thënë troç, se Fullani nuk duhet larguar. Nëse nuk janë për ta larguar si profesionist apo edhe politikisht, le ta thonë dhe nuk ka asgjë të keqe, ndonëse publiku është ai që vendos nëse kanë apo jo të drejtë. Por duhet folur!
Ardian Fullanin e njoh personalisht, ndonëse nuk e kam shumë mik si shumë kolegë. Ai është një specialist shumë i zoti, me miqësi të gjithëanëshme dhe i gjithëpranuar. Por këto që thashë nuk më kanë ndaluar apo t’ia ritheksoj edhe publikisht se ai duhet të japë dorëheqjen. Duhet ta bëjë në emër të vetvetes e jo gjoja për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit apo shumëçkara që sajohen këto ditë, pasi po iku Fullani bëhet nami. Ai ka nevojë të ikë për të krijuar një standard të një funksionari publik që kur ndodh një skandal, pasi është në të vërtetë skandal, ikën. Nuk futem tek ata që mendojnë se Guvernatori po qëndron që “të pastrojë letrat”, apo se “nuk e lënë të tjerët për t’u larguar”. Ai ka bërë shtatë vite si Guvernator dhe ka fituar mandatin e dytë, por tashmë i ka mbetur “dopio gjashta” në dorë. Natyrisht që janë në burg ata që kanë faj penalisht apo mund të shkojnë edhe të tjerë, porse një faj moralisht duhet ta ndjejë edhe Guvernatori. Nuk po nxitohem të them se mund t’i shkojë penaliteti edhe Guvernatorit, siç po duan disa të tjerë të vrapojnë për ta thënë, por Fullani duke qenë një zyrtar i sprovuar në detyra të larta nuk ka pse rri me zor në atë karrike. Ç’e do atë karrike e cila sa herë sillet rrotull i dalin tetë zyrtarët e tij të emëruar me firmën e tij, e që janë me pranga në duar!
Ardian Fullani ka nevojë jo për t’i thënë ndryshe në telefon e ndryshe në biseda të lira në kafene, siç po bëjnë shumë prej atyre që kanë njëmijë fije të lidhura me firmën e Guvernatorit. Nëse ai ka nevojë që të bindë veten se duhet të rrijë me zor prapë Guvernator, pas kësaj që i ndodhi, atëherë po bërtas edhe unë: Mos ik, Fullan!
Por ai prapë duhet të ikë!
Nikoll Lesi
Patozi: Fullani duhet ta kishte dhënë dorëheqjen ditën e parë
Se pari, refuzoj kategorikisht t’i pergjigjem pyetjes ne mode te ketyre diteve, nese jam me Fullanin, apo kunder tij. Sepse me duket teper fyese, nderkohe qe nuk kam asnje arsye ne bote qe te jem patjeter ne njeren ane te kesaj barrikade artificiale. Por sigurisht qe mund te flas rreth asaj qe po ndodh me Banken e Shqiperise, pas zbulimit te vjedhjes se bujshme.
Mendoj se skandali eshte nje pasqyre e perkryer per te pare fytyren e deformuar te institucioneve tona, ose me mire te themi, te vete sistemit, qe kemi ndertuar. Eshte pikerisht ajo qe ne nje fare menyre kemi mbjelle e qe tani po e korrim dhe ketu nuk kam parasysh vetem Banken e Shqiperise. Sepse, po te zhvendosesh ne shumicen e atyre, qe konsiderohen institucione te pavaruara, eshte e njejta panorame, ku pothuaj gjithcka vertitet rreth titullarit, i cili eshte edhe dielli edhe shiu, por mbi te gjitha percaktuesi i vetem i raporteve, jo vetem te brendshme te “cifligut” te vet, por edhe ato qe rregullojne marredheniet me te tretet.
Dhe kete askush nuk e thote, ndonese pakkush nuk e di. Ne kemi nevoje per nje sjellje te re insistucionale, e cila para se gjithash percohet nga politika, e cila eshte edhe pergjegjesja kryesore, ne mos e vetmja per kete gjendje. Jo thjesht me emerimet e saj pergjithesisht klienteliste, se sa me marredheniet e kompromentuara, qe vendos me te zgjedhurit e vet, pas votimit te tyre.
Por cfare po ndodh realisht? Qeveria kerkon te laje duart, duke treguar gjoja pafuqine e vet per te reguar. Eshte fshehur ai burri, qe edhe per gjene me te vogel, te tund para syve pergjegjesine para 1 milion “shuplakave”, qe e kane votuar me 23 qershor. Ne fakt, kryeministri ka marre pozicionin me te keq, ate te skuthit, i cili nuk eshte i shqetesuar fare prej skandalit, por thjesht perpiqet te perfitoje sa mundet prej tij. Mendoj se Edi Rames i intereson qe vorbulla me kerkesen per doreheqje te Fullanit te vazhdoje, duke shpresuar se nje fare fature me te i shkon edhe opozites, si dhe partnerit te koalicionit, Ilir Meta, i cili eshte shprehur hapur pro tij.
Por ai eshte brenda gjithashtu edhe per skenarin tjeter, qe Fullanin ta lene nervat, apo te ndodhe dicka tjeter dhe ai te largohet. Me siguri qe e ka bere gati zevendesuesin dhe eshte dramatike te mendosh qe ne mendje ka nje njeri qe duhet t’i behet nje nder, i cili jo vetem te mos e permiresoje situaten ne Banken e Shqiperise, por mund ta coje edhe me keq. Te vetmen detyre do te kete qe here pas here t’i bej fresk qeverise, ne kembim te nje zinxhiri marramendes perfitimesh dhe me te gjithe Banken ne dispozicion, te cilen vetem se nuk e hipotekon dot ne emer te vet. Sepse ndryshe, do e kishim sot nje kryeminister qe do te fliste per ligj te ri te funksionimit te Bankes dhe per nje qasje te re te qeverisjes se saj, te raporteve te reja te saj me ekzekutivin dhe parlamentin, po aq sa edhe duke u rene kembanave se ne te njejten derexhe ndodhen edhe institucionet e tjera, pavaresisht se ne to nuk kane shperthyer skandale te ngjashme.
Ndersa Ilir Meta, si politikan pragmatist qe shquhet, eshte me i drejtperdrejte. Vete ben sikur e mbron publikisht, ndersa nga ana tjeter i leshon te tijet qe nuk kerkojne vetem koken e Fullanit, por edhe ato te Keshillit te Bankes. Natyrisht, duke menduar si gjithmone se ne cdo torte qeverisese nje cope e mire i takon LSI-se. Ky kombinacion sigurisht qe e tejkalon edhe pritshmerine me optimiste te antifullanisteve, pasi as qe mendohet qe nje keshill i rinovuar do te mbaje te njejin guvernator. Me nje gur, vret dy zogj, merr keshillin dhe pastaj largon edhe Fullanin. Pra, shikohet qarte se qeveria, apo mazhoranca ne pergjithesi, duan thjesht dhe vetem ta kapin per vete Banken e Shqiperise, jo te ndreqin ndonje gje ne te, dhe ne keto rrethana e gjitha ngjan me nje loje te piste politike.
Ndersa opozita duket si me e sinqerta ne qendrimin e saj, pavaresisht se, si cdo gje ne kunderrrjedhe, ai nuk eshte per t’u lakmuar ne keto caste. Ajo eshte e perligjur gjithesesi ne piken qe shikon nje sulm te paster te mazhorances per te futur nen sqetull nje tjeter institucion te pavarur dhe per ta perdorur kunder saj. Por deri ketu. Per fat te keq, themelet e Bankes jane tronditur nga nje bombe qe plasi nga brenda, dhe jo si ato te ambasades sovjetike, per te cilat mund te akuzohej qeveria.
Ne rast se ne do te ishim shtet serioz, sic nuk jemi, Ardian Fullani do ta kishte dhene doreheqjen qe diten e pare. Njesoj si ne perendim nje minister transportesh largohet pa u menduar dy here nga detyra per shkak te perplasjes se nje treni. Me kete rast, do te kishte evituar furine e histerikeve kunder tij, qe duket se nuk kane ndermend ta leshojne. Ndonese te grupuar nga arsye nga me te ndryshmet me njeri-tjetrin, ata duken kembengules. Por mbi te gjitha, se do te kishte qene edhe vete i bindur se ne nje shtet te lire dhe normal askush nuk mund te lincohet pafundesisht edhe sikur te kete pergjegjesi direkte per ndonje afere, jo me te ndodhe e kunderta.
Nga ana tjeter, dhe kjo eshte me e rendesishme, qeveria nuk do te ferkonte duart se u hap nje vend per “qoke” te madhe, por do te kishte nisur negociatat me opoziten per te zgjedhur nje guvernator sa me konsensual. Mendoj se Shqiperia ka me shume nevoje per nje guvernator te gjithepranuar politikisht, sesa per nje president te tille. Por kjo qeveri duket shume vite drite larg ketij koncepti.
Per shkak se ne nuk jemi nje shtet serioz nuk ka ndodhur deri tani asnje nga te dyja, ndaj edhe eshte e padrejte qe per gjithcka po zhvillohet te fajesohet vetem Fullani.
Identifikohet kërcënuesi i Ajtanga Lubonjës që mbledh firma kundër Fullanit
Forcat blu të komisariatit Nr. 1 në Tiranë, kanë arritur të identifikojnë në një kohë rekord, personin që ka kërcënuar nëpërmjet një mesazhi mbrëmjen e djeshme Ajtanga Lubonjën, njërën prej nismëtareve të peticionit që është ndërmarrë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.Sipas burimeve nga policia mësohet se ka qenë 28-vjeçari Aleksandër Rrema, banues në Tiranë, personi i cili i ka dërguar mesazhe kërcënuese Lubonjës, për të ndërprerë angazhimin e saj në peticionin për shkarkimin e Guvernatorit të Shqipërisë.
Për 28-vjeçarin ka nisur procedimi për veprën penale “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.
Mesazhi kërcënues kundrejt Lubonjës:
”Dimë gjithçka për ty, dimë se kush je dhe çfarë bën. Tani kohët e fundit po merresh me një peticion që i shërben një politike të caktuar dhe të komanduar nga lart. Mos të të duket vetja e madhe kur nuk di asgjë se çfarë bëhet me ty. Hap sytë dhe shiko mirë përreth. Jam një që të dua të mirën, prandaj po të flas. Mos na detyro që të marrim masa të rrepta kundrejt teje. Hiq dorë sa je në kohë.”(koha Jone)
Flet Fullani: Qëndrimi si Guvernator tregues përgjegjshmërie
Tre javë pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë Guverantori Ardian Fullani vendos të flasë.
Zoti Fullani, tre javë pas publikimit të lajmit për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, ju nuk keni dalë personalisht të sqaroni rrethanat, përgjegjësitë tuaja dhe pasojat e ngjarjes. Pse kjo heshtje, kur opinioni publik e ka temën e ditës vjedhjen e Bankës Qendrore?
Duke ju falenderuar për mundësinë që më keni krijuar, dëshiroj të saktësoj se: Ngjarja është njoftuar dhe denoncuar nga Banka e Shqipërisë, dhe unë personalisht kam dalë në konferencë shtypi për të informuar publikun për të dhe masat emergjente që u morën që ditën e parë. Anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës po ashtu janë shprehur në media. Pa numëruar këtu deklaratat për shtyp. Duhet të keni parasysh që Posti i Guvernatorit është i tillë që ai flet me deklarata dhe komunikata shtypi. Së dyti, dëshiroj të theksoj se çështja është në hetim dhe është një çështje mjaft delikate. Çdo deklaratë që mund të shuajë kuriozitetin publik, mund të dëmtojë rëndë hetimin dhe zbardhjen ligjore të ngjarjes. Kam preferuar që hetimi të mos dëmtohet, edhe duke u dëmtuar unë personalisht, me mjaft akuza të pavërteta që qarkullojnë. Pas kontakteve me Prokurorinë, jemi angazhuar për të krijuar të gjithë kushtet për një hetim të shpejtë, profesional, të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent. Kjo mënyrë, i shërben publikut më shumë se sa show mediatik i një Guvernatori. Nëse ju mendoni ndryshe, mund t’ju kuptoj, por për mua si Guvernator, hetimi, sekreti i tij dhe dalja e përgjegjësisë, është më e rëndësishme se sa përgjigja ndaj akuzave që më kanë hedhur mbi shpinë.
Një pjesë e opinionit publik, por edhe politikanë kërkojnë dorëheqjen tuaj si akt i marrjes së përgjegjësisë për dëmin financiar të ndodhur. Cili është reagimi juaj, a keni menduar gjatë këtyre ditëve dorëheqjen dhe çfarë ju ka penguar?Hetimi i Prokurorisë ka zbuluar deri më tani se Ardian Bitraj është ndihmuar në këtë vjedhje nga një sërë faktorësh; kanë munguar kontrollet periodike në arkën stok dhe atë në veprim nga përgjegjësit, nuk janë zbatuar protokollet e sigurisë për mbajtjen e çelësave të kasafortës dhe personi që duhej të mbikëqyrte kamerat, nuk ka dhënë asnjë sinjal për atë që ka ndodhur. Në analizën tuaj, pse nuk kanë funksionuar gjithë këto hallka?
Ju thashë edhe më sipër, çështja është në hetim. Përveç informacionit që kemi bërë publik, nuk mund t’ju jap detaje të tjera, por ju siguroj se lajmet që qarkullojnë çdo ditë kanë pasaktësi dhe të pavërteta. Ajo që rezulton nga analizat e kryra, është se nuk janë zbatuar rregullat proceduriale të përcaktuara si në aktet e Këshillit Mbikëqyrës, ashtu edhe në ato të miratuara nga Administratorët. Ndërkohë, ne po kryejmë me përgjegjësi të plotë rishikimin e gjithë procedurave tona që kanë lidhje me administrimin dhe kontrollin e vlerave monetare. Dua të theksoj se Banka e Shqipërisë, me asistencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, ka marrë, dhe po merr të gjitha masat që garantojnë mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ngjarje që kanë ndodhur edhe në banka të tjera qendrore të mëdha si në Angli, Irlandë apo Australi.
A ka çeduar auditi i brendshëm dhe i jashtëm i Bankës? A kanë ata përgjegjësi ligjore në këtë rast?
Të gjitha kontrollet e auditit janë kryer, çdo vit, konform planeve të miratuara. Jam i bindur që hetimi i nisur do të ndajë përgjegjësitë për të gjithë hallkat e përfshira në këtë proces. Auditi është vetëm një pjesë e zinxhirit të mekanizmit operacional dhe atij kontrollues të Bankës së Shqipërisë. Duhet të sqaroj se auditi i brendshëm (Inspektori i Përgjithshëm – Drejtuesi i Departamentit të Kontrollit) i Bankës së Shqipërisë caktohet nga Parlamenti me një mandat pesëvjeçar. Auditi i jashtëm përzgjidhet me një procedurë prokurimi ku ftohen të marrin pjesë, shoqëritë audituese më të njohura në botë. Dëshiroj të theksoj se auditi i jashtëm i Bankës së Shqipërisë, prej së paku 15 vitesh realizohet nga shoqëri ndërkombëtare të mirënjohura auditimi.
A keni pasur ju sinjale për profilin e autorit të vjedhjes; një person aspak i besueshëm, i varur nga kumari dhe lojërat e fatit, që punon në një nga degët më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë? Nëse jo, kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë neglizhencë?
Personi në fjalë është në punë në sistemin bankar që prej viti 1993. Në Bankën e Shqipërisë punon prej vitit 2005. Nga dokumentacioni në përmbajtje të dosjes së tij personale në lidhje me punësimin e mëparshëm, nuk ka rezultuar asnjë sinjalizim apo indicie rreth sjelljes apo ndonjë shkelje të mundshme të parimeve të kodit të etikës për punonjësin në Bankën e Shqipërisë. Për shkak të pozicionit specifik të punës, është çertifikuar nga organet e specializuara për nivelin më të lartë të sigurisë që në vitin 2011. Por ne po rishikojmë të gjithë procedurat e “verifikimit të pastërtisë” të gjithë personelit dhe veçanërisht atyre në pozicione të caktuara.
Posti juaj si Guvernator ka shumë kompetenca ekzekutive. Emërimet janë njëra prej tyre. Në kushtet kur 9 punonjës të Bankës ndodhen tashmë të arrestuar, a ndjeheni ju përgjegjës për përzgjedhjen apo emërimin e tyre?
Përveç Bitraj, të gjithë punonjësit nën hetim kanë punuar në Bankën e Shqipërisë, për një kohë të gjatë prej 10 -15 viteve. 8 persona janë punësuar në Bankë para se të nisja punën si guvernator më 2004.
Politika është ndarë këto ditë në reagime, ku disa kërkojnë dorëheqjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe disa të tjerë, të drejtuesve ekzekutivë si ju dhe Zv.guvernatori. Në të vërtetë, cilat janë përgjegjësitë tuaja dhe cilat i takojnë Këshillit Mbikëqyrës për situatën e krijuar. Pra, nga kush duhej të ishte diktuar në kohë kjo vjedhje?
Unë nuk e kam parë politikën të ndarë, por siç ju thashë edhe më lart, ajo ka qenë mjaft e qartë në deklaratat e saj zyrtare. Ka përçuar maturi. Deklaratat individuale, janë e drejtë e cilitdo. Nga ana tjetër, Banka Qendrore është një institucion i pavarur, i përgjegjshëm dhe llogaridhënës, që njeh dhe respekton vetëm qëndrimet zyrtare. Unë si Guvernator, Këshilli Mbikëqyrës dhe gjithë stafi i Bankës, jemi maksimalisht të angazhuar për të garantuar funksionimin normal të institucionit, në përputhje të plotë me ligjet e vendit.
Ka pasur aludime në media për një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, ku Ermelinda Meksi ka kërkuar dorëheqjen tuaj. Si qëndron e vërteta dhe a keni ju ende besimin e Bordit të Këshillit Mbikëqyrës?
Ju thashë edhe më lart, ka patur shumë të pavërteta në media këto kohë. Kjo është njëra prej tyre. S’ka asgjë të vërtetë në këtë lajm.
Zoti Fullani, ju njiheni si mik i politikanëve dhe kjo ka shkaktuar një dozë më të madhe reaksioni. Por si janë raportet tuaja sot me Ramën, Berishën dhe Metën?
Në pyetjet tuaja, ju pyesni për marrëdhëniet me kryeministrin, ish-kryeministrin, dhe kryetarin e Parlamentit. Mandati i Guvernatorit është specifik që tejkalon atë të qeverive. Objektivat e Bankës Qendrore – garantimi i stabilitetit makro-ekonomik dhe tij financiar shkon përtej programeve politike afatshkurtra të qeverive. Një Bankë Qendrore që nuk është e pavarur nuk e përmbush dot misionin e saj. Kjo nuk do të thotë detyrimisht që Banka Qendrore duhet të “përplaset” me qeverinë e radhës dhe kur kjo ndodh, jo detyrimisht kjo ndodh publikisht dhe shpesh nuk vihet re nga publiku. Çelësi i suksesit i bankës qendrore qëndron në respektin dhe mirëkuptimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme, në harmonizimin e politikave. Kam patur dhe kam kënaqësinë të punoj me 3 presidentë, 3 kryeministra, 3 kryetarë parlamenti. Detyrat e mia institucionale kërkojnë që të ndërtoj marrëdhënie pune dhe besimi reciprok, por pa cënuar në asnjë rast pavarësinë institucionale që qëndron në themel të përmbushjes me sukses të objektivave të Bankës.
Jehona mediatike e vjedhjes në Bankë mori përmasa të tjera, kur media publikoi fotot e ditëlindjes së djalit tuaj, por edhe koleksionin e tij të shtrenjtë të orëve apo makinave. Cili është komenti juaj për këtë? Si do t’i përgjigjeshit gjykimit të opinionit publik, që hedh dyshime mbi burimin e pasurisë së familjes tuaj?
Insistoj edhe një herë. Në këto ditë dhe javë kanë qarkulluar shumë të pavërteta. Të pavërteta që më kanë prekur mua, familjen time, fëmijët e mi. Kam preferuar të mos përgjigjem dhe të mos hyj në këtë debat, sepse kam gjykuar që emergjenca në bankë pas ngjarjes së rëndë ka qenë më e rëndësishme se sa beteja ime personale. Me shpifjet, ju siguroj se do të përballem për të ruajtur dinjitetin tim dhe atë të familjes sime. Të ardhurat dhe pasuria e familjes sime është prej më se një dekade subjekt i vetëdeklarimit dhe kontrollit nga institucionet përkatëse. Çdo pasuri dhe pronë e familjes është lehtësisht e verifikueshme dhe vërtetueshme. Por në ndonjë rast, spekulimet, janë më interesante se sa e vërteta. Unë punoj prej 40 vitesh dhe në këto 4 dekada kam pasur mjaft pozicione të rëndësishme, në sektorin publik dhe atë privat, të cilat jo rrallë më kanë vendosur në qendër të vëmendjes mediatike. Karriera ime nuk fillon dhe as nuk mbaron në Bankën e Shqipërisë. Ju siguroj, që s’do të lejoj asnjë spekulant të njollosë emrin tim.
Ngjarja e ndodhur, edhe pse e rëndë, nuk ka prekur asnjë nga treguesit e sistemit bankar. Veprimet monetare në arka dhe sportele janë në parametra normalë. Sistemi bankar funksionon në parametra optimalë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare të gjitha shërbimet. Publiku ka ditur të bëj dallimin mes një ngjarje të izoluar dhe sistemit.
(marre nga MAPO)
Xhuli Spahiu shpalos portretin e humanistes dhe veprimtares Behide Hasanit
Shkruan Asllan Dibrani/
Vapa e madhe e këtyre ditëve të Gushtit përkundër fluksit të pushimeve në shumë vende pati edhe aktivitete të ndryshme kulturore . Njëri ndër këto aktivitete ishte edhe Seksioni i XII shkencor, i organizuar nga (Shoqata e Intelektualëve Mbarë Shqiptar )”Trojet e Arbrit”. Tubimi u mbajt në hotel “Evropa” në Gjakovë, më 9 gusht 2014. Tema ishte me karakter historik nga “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe Qëndresa shqiptare”.
Ne takim morën pjesë rreth 80 veta,nga e gjithë bota që grumbulloj intelektual krijues dhe publicist të ndryshëm.
Kumtuesit trajtuan, evokuan dhe shpalosën kujtesën historike për ngjarje e figura të atyre viteve të rënda e dramatike të Kosovës së ripushtuar. Kujtesa historike për qëndresën antisllave e shqiptarëve të Kosovë, sinjalizoj edhe njëherë në aspiratën tonë kombëtare për të drejtën e vetëvendosjes së këtij kombi për të jetuar brenda një shteti shqiptar, vetëpërcaktim që u mohua sistematikisht nga sllavët pushtues.
Pjesëmarrësit Nue Oroshi, Tomë Mrijaj prof. Dr. Muhamet Shatri, janë vetëm nga disa drejtues të kësaj Shoqate, e cila ka nisë rrugëtimin e saj që para një dekade dhe ka nxjerrë në dritë njëmbëdhjetë numra të vet, ku përmbledh kumtesat e një seksioni shkencor. Në mesin e 85 referuesve, me kumtesat e tyre dhanë kontributin e tyre autorë si prof.dr.Muhamet Shatri, prof. dr. Jahja Drançolli, Ahmet Mehmeti, dr. Riza Sadiku, dr. Izber Hoti, dr. Mehmet Rukiqi, mr. sci. Nue Oroshi, Tomë Mrijaj, Mentor Kaçi, Leonora Laçi, Selman Etemi, Artur Roshi, Sulejman Gjana, Gjon Marku, Frrok Kristaj, Prend Buzhala, Fatbardha Mulleti -Saraqi, Xhemal Meçi, Pal Canaj, Avni Bilalli, etj. Pjesëmarrësit ishin nga Kosova , Shqipëria, nga trojet etnike në Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë, nga diaspora jonë në Evropë,nga Amerika dhe Australia. Vlerat dhe kumtesat shkencore i paraqiten mbi 80 veta .
Aty pati edhe të pranishëm që kishin një reputacion kombëtare në veprimtarinë e tyre dhe aktivitete kombëtare , shkencore krijuese dhe humanitar nga të cilat përmes këtij tubimi u pasqyruan shumë shkrime .
-Një nder pjesëmarrësit e këtij takimi ishte edhe Xhuli Spahiu një poete , aktiviste dhe një punëtore e zellshme nga Gjilani me një serë aktivitetesh , humanitare dhe është “Sekretare e Shoqatës për të drejtat e liritë e njeriut për Kosovë”. Zonja Xhyli pasqyroj figurën e aktivistes nga Zvicra, zonjën Behide Hasanin që pa ju shmangur simpoziumit e përputhi në formë profesionale portretin e saje me sa vijon:
Kam nderin dhe privilegjin që gjendem sot në mesin e juaj në mesin e shumë intelektualëve ,historianëve, shkencëtarëve, por edhe veprimtarëve e humanistëve të shumtë të Kosovës dhe ma gjerë që po marrin pjesë në këtë takim me vlera nacionale. Në mesin e këtyre njerëzve kam nderin dhe jam shumë e lumtur që është sot në mesin tonë një grua me një zemër të madhe ,me shpirt të pasur, me dashuri ndaj gjithë njerëzimit dhe një grua me një dinjitet aq të madh e cila dinë të afroj dhe ndihmoj në çdo aspekt. Pra të nderuar e shumë të respektuar kjo është zonja Behide Hasanaj , një grua me shpirt dhe zemër shqiptare. Unë sot para jush kam nderin të shpalos në pika të shkurta për jetën dhe veprën e të madhes Behide Hasanaj .Pra jeta dhe vepra e humanistes dhe veprimtares, zonjës Behide Hasanaj, është mbushur me një bagazh të madh, me një aktivitet te gjithanshëm sidomos për shqiptarët në Zvicër . Është një humaniste e cila virtytet e humanitetit i ka marrë nga tradita jonë shqiptare, e mishërimin për ta ndihmuar të varfrit ,i ka marrë nga idolja dhe e madhja humanistja Nënë Tereza – Gonxhe Bojaxhiu. Veprimtaria e saj dhe kontributin e ka filluar qysh në vitet e fëmijërisë që nga mosha 7 vjeçare në klasën e dytë të shkollës fillore. Hapat e parë të shkollimit i morri në Pejë. Ndërtimi i saj si një qytetare në vitin 1980 e gjeti me aktivitete të mëdha me kontributin e saji humanitar. Kështu që në vitet e tetëdhjeta zonja Behide filloj me çeize të nusërisë ku kontributi i saj ishte humanitarë, po ashtu vullnetarisht ajo edhe qepte çejzin e nuseve me çka i tubonte këto financa të grumbulluara për të varfrit . Atyre vajzave apo nuseve që ishin të varfra dhe se nuk kishin si me pagua çejzin e martesës kështu që ajo falas ju qepte dhe i ndihmonte . Ditën për veti punonte e natën për ata qe nuk kishin mundësin të paguanin. Gjithnjë solidariteti i saj ishte në qendër të vëmendjes me ato kushte që vepronte dhe punonte!.
Ajo krijoj familje dhe i rriti, po ashtu edhe fëmijët e vet, falë punës dhe ato veti ju ka promovuar edhe fëmijëve të vet në edukatë dhe kulturë, po edhe ne shpirt të pajisur me vepra humane për t’i ndihmuar të tjerët. Pasi që Kosovën e përfshin ngjarjet e viteve 1981, mori rrugën e kurbetit nga qe nuk pati siguri nga arrestimi , fillimisht ajo shkoi në Sarajevë. Edhe atje u aktivizuar dhe u përkujdes për jetimë nga që e ndiente veten gjithnjë në lëkuren e skamnorëve dhe i ndihmonte .Nga Sarajeva shkoi në Zvicër në vitin 1983. Këtu kishte fillua mu marr me çështjen kombëtare me që ra në lidhje me shumë organizator qe u inkuadruar edhe në këto lëvizje për t’ju rrekur veprimtarisë për çlirimin e Kosovës nga okupatori serbo-sllav. Zonja Behide vazhdoi punën humanitare për krah veprimtarisë politike për Kosovën. E madhja humaniste, zonja Behide Hasanaj, grua e cila nuk diti të lodhet kurrë për këtë popull .Grua e cila ka dhënë dhe jep shumë për këtë popull dhe deri tash nuk është ndalur asnjëherë t’u u dal në ndihmë njerëzve me nevoja nga Kosova që fillimisht janë të pa strehë e të pa shtëpi. Kjo aktivitetin e vet e përhapi edhe në shumë shoqata humanitare Zvicerane si dhe me shumë personalitete bamirëse dhe politike të shtetit zviceran i cili e ndihmoji Kosovën në shumë aspekte .Zonja Behide Hasanaj gjatë luftës në Kosovë u angazhua direkt përmes Shoqatave Humanitare ne Zvicër dhe e ndihmoji popullin shqiptar në Kosovë. Me aktivitete humanitare Behide Hasanaj pas shumë viteve në shërbim të humanitëtit është e gatshme që edhe njëherë të rifillojmë rrugën e pajtimit që bëri i madhi profesor Anton Qeta me rini dhe popull. Zonja Behide shprehet, dëshiroj ta shuajmë hasmërinë në mes veti. Mos ti lëmi nënat me duar në gji, të mbesin fëmija pa bukë dhe pa shkolla. Ajo thërret përmes një mesazhi ku thotë kështu ” Vëllezër e motra, kudo që jeni të shtrijmë dorën e pajtimit e di se është vështir, po ta bëjmë zemrën guri dhe të ja falim gjakun njeri tjetrit” Serbisë po ja falim krejt gjenocidin çka ka bërë kundër popullit tonë. Serbisë po i falim njerëzit e pa gjetur apo të varrosur nën asfaltet e Serbisë .Po i falim dëbimin nga vatrat tona neper botë!!!!???… Po i heshtim dhe po i harrojmë 20 mi femra të përdhunuara, ende të pa përkrahura apo rehabilituara!. Po tolerojmë Serbinë për dëmet e pa kthyera nga gjenocidi prandaj ta falim edhe na njeri tjetrin, me kusht qe mos të derdhet gjaku në mes veti. Serbin po e durojmë edhe kur cenon integritetin e vendit tonë, andaj të pajtohemi në mes veti që t’i dalim zot atdheut tonë të shtrenjtë. Ushtrinë tonë mundohen që ta njollosin prapë ne po shuajmë dhe po durojmë, andaj të respektojmë njeri tjetrin që ta duam sa ma shumë atdheun përmes njëri tjetrit. Kurse tek ne, të na ndodhin këto vrasje ne mes vete nuk është mirë. Prandaj i ftoji gjeneratat e reja tash me vullnetin e tyre qe kanë ta ndjekin rrugën e të ndjerit profesor Anton Qetes dhe veprimtareve patriot ndaj atdheut…
Të shkruhet e flitet për humanisten Behide Hasanaj, nuk është e lehtë sepse kontributi i saji në shërbim të humanitetit është i madh. Ajo është një humaniste me shpirte të madhe e cila me punën e saji të palodhshme dhe përpjekjet e mëdha në shërbim të humanitetit, bëri që të përfiton zemrat e shumë organizatave humanitare në Zvicër dhe më gjerë, që ti dalin në ndihmë të varfërve dhe skamnorëve në Kosovë. Le të mbetet për fund ta falënderojmë zonjën Behide, për kontributin e dhënë edhe në ekspozitat mbi gjenocidin serb në Kosovë, që i panë me mijëra zviceran e qe sensibilizoj shumë qytetarë të këtij vendi qe ti ikën propagandës së Beogradit kundër popullit shqiptar.
Ne Foto: Zonja Xhuli Spahiu gjatë leximit te kumtesës së vet kushtuar z.Behide Hasanin përmes këtij takimi.
Hajdutet me “duar te pastra”
Nga Mimoza Dajci/
Shqiperia ky vend i varfer per fakirin popull, por i pasur per hajdutet e tij, dhunohet perseri me vjedhjen e thesarit ne Banken Shteterore. 10 persona te arrestuar deri me tani, per shumen mbi 7 milion dollare. Pas hetimeve ndosha kjo shifer do te rritet si nga numri i te arrestuarve ashtu edhe nga shuma e parave te vjedhura. Thone se hajduti eshte edhe vrases, pasi nuk ka menyre tjeter per te mbrojtur vjedhjen e tij e cila eshte baraz me krimin. E ky krim i rende ndodh sot ne mes te dites me diell ne vendin tone per vite me rradhe e askush nuk “di asgje”. Eshte koha kur ish te persekutuarit politik akoma nuk jane likujduar per vuajtjet e tyre nga burgjet e kalbura te diktatures komuniste, ndersa keta zoterinj, zonja apo zonjusha hajdute mbushin prapanicat e tyre me parate e djersen e popullit. Si nuk menduan pak per popullin e varfer e ne vecanti per ate kategori njerezish qe presin prej vitesh te marin demshperblimet e tyre te burgut politik, te asaj gjenerate qe vuajti padrejtesisht neper birucat e lageshta te atij rregjimi makaber. Pra duket qarte se keta individe hajdute “moderne”qe vodhen Banken Shteterore Shqiptare vinin nga ajo kategori familjesh qe nuk kishin pesuar asgje nga komunizmi shqiptar, perkundrazi ishin te perkedhelurit e tij. Turp per ata e familjet e tyre, e mjere per popullin tone se te kush i ka besuar te ardhurat e veta. Krimi duhet ndeshkuar me te njejten monedhe, hajdutet te denohen para popullit ashtu si i denonte enver hoxha njerezit e pafajshem ne mes te qytetit gjate atij rregjimi te mallkuar qe mbolli vetem urrejtje e lufte klasash per kedo qe kishte nje anetar te familjes te denuar per motive politike.
Propaganda ishte e tille ne Shqiperi ku per 50 vite nese dikush denohej per vjedhje, nuk shikohej me urrejtje si krim i rende ndaj shtetit apo popullit te tij, ndersa ai qe deklaronte hapur te verteten e hidhur te jetes se shqiptareve ose nese fliste qofte edhe per nje vjedhje ordinere te kryer nga dikush denohej per agjitacion e propagande, ndersa ne boten e qyteteruar ndodh e kunderta, hajduti mer denimin maksimal te fajit te kryer.
Ne nje familje po te veresh se, hallet e punet nuk shkojne mire, pergjegjesia sigurisht bie mbi te zotin e shtepise, keshtu edhe me Banken Shteterore Shqiptare nga kjo vjedhje galopante sigurisht faji bie edhe mbi kreun e saj. Kush i mbron e perpiqet ti shfajesoje hajdutet e popullit tone, ne rastin konkret te Bankes Shteterore tregon se akoma kerkohet te manipulohet mbi kete krim mafioz ne Shqiperi. Emigrantet shqiptare enden neper bote, per te fituar para me djersen e ballit, disa dergojne nje pjese te fitimeve te tyre ne atdhe, nuk e dinin te gjoret se valuta e tyre shijohej per qefet e shfrenuara te bankireve aventuriere shqiptare. Nje pjese jo e vogel e emigracionit tone kane lene prindet e te afermit e tyre ne Shqiperi e rropaten rrugeve te botes duke punuar qofte edhe per nje cope buke, per mbijetese, apo per nje jete me te mire, kurse mafja shqiptare “fiton” mundin e tyre pa asnje lodhje.
Populli shqiptar e shtresa e persekutuar politike shqiptare priste me shume nga keto vite ne vazhdim qe permbysen diktaturen komuniste, por ne vend te paqes e mireqenies sociale jane shtuar akoma me shume krimet, vrasjet, korrupsioni, dhuna e jeta e shfrenuar e luksoze e individeve te vecante. Mjere ku po shkon vendi yne, e cfare drejtimi do te mare e ardhmja e brezave tane?
New York, gusht 2014