Foto: Fshati Doli i Guci, ne rreth te kuq pronat e shqiptareve etnik katolik qe rrezikojne te kthehen ne prona shteterore te shtetit shoven te Malit te Zi gjukanovician (Foto: Alex Selimaj)/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Doli është një fshat i vogël shqiptar tokëngjit qytetit të Gucisë, i shtrirë në fushë, i kapet edhe malit. Një pozicion gjeo-strategjik i lakmueshëm. Vendi i bollekut për tokë buke e mbajtje të blegtorisë. Në rregjistrimin shtetëror malazez të vitit 2011 i figurojnë 102 banesa. Popullsia e tij është ma e madhe në emigracion se sa në trojet e veta etnike. Një rast i ngjashëm, dukuri gangrenë e përgjithshme, për krejt krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë, e cila ka rreth 3.000 banorë në dykomunshin, e po të kthehet tanësisht mërgata shqiptare bahen 13.000 banorë shqiptarë, sa ç’asht krejt popullsia e sotme e saj me shqiptarë, boshnjakë, malazezë, serbë, etj.
Doli ka mbet i vetmi fshat me popullsi katolike në krejt krahinën e madhe etno-historike të Plavë-Gucisë. E ka edhe kishën e vet. Prej hejcekurit thirret “Kisha katolike e Dolit”. Këta qëndrestarë të rrallë të mos asimilimit etnik e fetar përngjajnë si një “oaz”, pasi ortodoksit malazezë e serbë dhe muslimanët boshnjakë iu thonë: “shqiptarët katolikë të Dolit”. Gjithmonë dyert e Dolit kanë nxjerrë burra të mirë, të meçëm, luftëtarë, dijetar, të cilët ia kanë mbajt lart emrin e veprat visit të vet etnik shqiptar.
Dolit të vogël, sivjet, në kit’ gusht 2014, i ka ra një hall i madh, për të cilin po ia çon një kartolinë publike Shkelqësisë së Tij, Papa Franceskut, para vizitës në Shqipëri, tue iu lut për ndihmë direkte, për ndërhyrje të shpejtë, pasi shteti i Malit të Zi të Gjukanoviçit po ua grabit tokat e të parëve të vet, po ua shtetëzon me të padrejtë ato, po kryhet një akt i ri neokolonial, po synohet asimilimi fetar e etnik i popullsisë e tokës së tyre etnike.
Shteti i Malit të Zi gjukanoviçian ka çue në vjeshtën e vjetit 2013 një aeroplan mbi hapësirën gjeo-fizike të Plavë-Gucisë për me i filmue krejt pronat e kësaj krahine, asaj kohe në një komunë të vetme: Plavë-Guci. Kjo duhej për kadastrimin e tokës, etj. Ç’ka ndodhi realisht?
Doli, banorët e tij, sipas rregullit shtetëror, në pronat e veta – në katër qoshet e tyre, kishin vendos shenja të bardha kufitare. Kohëardhja e avionit në vjeshtë për filmime nga ajri e ka damtue seriozisht proçesin e rregjistrimit të pronave të tyre me pemë, kopshtije, lisa, ara. Shenjimet e bardha nuk dallohen në hartë nga ramja e gjetheve të zverdhura vjeshtuke, etj. Kjo është e keqja, po pas saj vjen e keqja tjetër ma e madhe:
Nga Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, kanë ardhë “komisionet e posaçme të tokës”, të cilët në ato vende ku shenjat janë shuejt apo, sipas tyre: “nuk duken qartë”(!) si dhe në ato shtëpia të shqiptarëve katolikë të Dolit (si ata në emigracion) që nuk ndodhen aty të pranishëm fizikisht gjatë matjeve kadastrale, ua kalojnë pronat vetjake familjare si “pasuri shtetërore”(!!!) Kjo është një formë neokolonializimi modern, që çon drejt asimilimit etnik e fetar.
E keqja ndjek të keqen: Qeveria e Malit të Zi qëllimisht ka lanë një afat kohor të shkurtër, pothuaj dy javor, për proçesin e kadastrimit të ri mafioz, antishqiptar, neokolonial të tokave, si në Doli edhe në krejt Plavë e Guci, ndaj shqiptarët kudo që janë në çdo vend të botës duhet të vijnë urgjent në vendlindje, të mbrojnë e shpëtojnë tokat e veta, kullat e veta, pasurinë e breznive të veta etnike shqiptare.
Përndryshe ka edhe një tjetër të keqe të madhe, tejet të madhe: Ata, që “komisionet e Podgoricës” ua shtetëzojnë tokat e tyre pronësore (si tokën e bukës e atë të malit) duhet të bredhin gjyqeve të pafund nga Plavë-Gucia deri në Podgoricë, do të humbin kohë me vite, do të kenë shpenzime të mëdha e të tepërta, do të kenë kushtëzime për asimilim etnik e fetar, e pas gjitha këtyre ecejave pa cen e pa cak, nuk i dihet fundi fitimtarit: shteti shoven malazez apo qytetarët e malësorët e Dolit e të krejt dy komunshit” Guci e Plavë?!!!
Çështja shtrohet: Pse Doli i çon kartolinë publike Papa Franceskut?! E para, se shqiptarët etnik në krejt Malin e Zi zanë vendin e parë si popullsi e besimit katolik, pastaj vijnë malazezët e kroatët. E dyta: se shqiptarët katolikë të Dolit kanë mbetë “oaz” në Plavë-Guci e nën presione të shumfishta për ndrrim feje e etnie. E treta: se Guci (përfshi edhe Dolin) kanë gjet strehim të krishterët që përndiqeshin nga inkuizicionistët e ndryshëm në shekujt e parë pas Krishtit, biles Gucia thirrej “Vendi i kishave”. Edhe sot në Guci ka edhe shpella me emra shenjtorësh etj. E katërta: Gucia, Plava, Hoti (Jasenica) u ringritën si qytete nga Konstandini i Madh (e dinastia e tij) që e shpalli Krishtërimin fe zyrtare, etj. E fundit, shqiptarët katolikë kanë qënë tejet të diskriminuar e të asimiluar në malazezë nga politika shovene e Krajl Nikollës, Titos, Millosheviçite Gjukanoviçit. Shifrat flasin vet: në vitin 1912 krahina e Plavë-Gucisë kishti mbi 9.1 për qind të popullsisë shqiptarë katolikë e, në vitin 2011, sipas rregjistrimit shtetëror malazez, kanë mbetë vetëm 0.95 për qind e, pothuaj terësisht në fshatin e vogël Dol të Gucisë.
Guci, 11 gusht 2014
Foto: Fshati Doli i Guci, ne rreth te kuq pronat e shqiptareve etnik katolik qe rrezikojne te kthehen ne prona shteterore te shtetit shoven te Malit te Zi gjukanovician (Foto: Alex Selimaj)
7 Pakistanezët e vrarë dhe ngjarjet e Lubotenit a do të hapin dyert e Hagës për Shkupin?
13 vjet nga masakra e vitit 2001 në fshatin Luboten në të cilën forcat maqedonase vranë dhjetë shqiptarë, dogjën 14 shtëpi dhe arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 shqiptarë/
Nga BEQIR SINA New York/
ISLAMABAD PA: Sot shënohet 13 vjet nga masakra e vitit 2001 në fshatin Luboten në të cilën forcat maqedonase vranë dhjetë shqiptarë, dogjën 14 shtëpi dhe arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 shqiptarë. Simbas shtypit të asaj kohe kur ndodhi ngjarja thuhet se :”Një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit anëtarët e një njësie policore të komanduar prej Johan Tarçullovskit kryen një sulm të paligjshëm në Luboten ku u vranë gjashtë vjeçari Erxhan Aliu, Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili.”
Masakra ndaj popullsisë civile shqiptare në fshatin Luboten dhe vrasja e shtatë “klandestinve” pakistaniez në afërsi të Shkupit, thuhet se janë futur në dosjet e Tribunalit Ndërkombëtar të Ngritur për Krimet e Luftës në Gjykatën Hagës. Sipas, disa njoftimeve të axhensisë së lajmeve të Pakistanit PIA, vite më parë thuhej se Gjykata Ndërkombëtare Hagës, së shpejti do të ngre padinë me aktakuzën – lidhur me dy ngjarjet e shumë të përfolura më parë, si masakra kundra njerëzimit, atë të vrasjeve të disa shqiptarve në Luboten dhe vrasjen mizore të shtatë emigrantëve pakistanez. Sipas këtyre informacioneve potencohet se tashmë janë grumbulluar të gjitha provat dhe shumë shpejt pritet të formulohet edhe aktakuza e këtyre vrasjeve. Në qëndër të saj – pati cituar mbas ngjarjes PIA-s, është ish ministri i punëve të Brëndëshme të Maqedonisë, Lube Boshkovski. Ngjarja, thuhet se ndodhi kur në fshatin Luboten – ndërsa kishin filluar bisedimet për paqe, janë masakruar dhjetë shqiptarë etnik të pafajshëm. Akuza e dytë bie mbi atë fakt, ndërsa, shtatë emigrantë pakistanez të cilët kishin hyrë në këtë vend ilegalisht për transit për në ndonjë vend perendimorë, pasi u zbuluan nga foracat e policisë shterore, të cilat në atë kohë komnadoheshin nga ministri i brëndëshëm Bushkovski, janë vrarë në pritë nga forcat speciale maqedonase. Dhe më pasë në mbulim të krimit, mendohet, se frocat speciale dhe politika vendase, e ushqyer nga shtypi pro qeveritar maqedonas, e trajtuan këtë vrasje si vrasje ndaj një grupi terrorristë islamikë, të lidhur sipas tyre gjoja më grupet luftarake shqiptare UÇK dhe AKSH-në.
“Maqedonasit të akuzuar për krime lufte: Thirrje për në Hagë për të hetuar rolin e ish ministrit të brendëshëm i vijës së ashpër, shkruante më 6 tetor, 2001, gazeta britanike DailyTelegraf duke shtuar se “… Gjykata e Hagës ka për të hetuar zotin Boshkovski për” shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës, shkelje të ligjeve që rregullojnë luftërat- kodin e luftës dhe krime kundër njerëzimit “.
Ngjarja e Lubotenit : Shqiptarë të pafajshëm civilë të vrarë, disa dhjetëra tjerë i kanë maltretuar si dhe kanë djegur 20 shtëpi dhe kanë shkaktuar dëme tjera
Një vlersim tepër realistë ishte rreth kësaj ngjarje edhe Raporti i shpallur nga ana e Organizatës “Human Rights Watch” me qender në New York, si raport i cili thuhet se objektivisht i pasqyroi ngjarjet e gushtit në fshatin Luboten. Raporti pasqyron një të vërtet, e cila flet qartë se në fshatin Luboten nga ana e policisë maqedonase janë kryer krime të cilat bien edhe nën juridiksionin e Gjykatës së Hagës. Në raportin e vet Organizata “Human Rights Watch” akuzon policinë maqedonase se prej 10-12 gusht kanë vrarë civilë shqipëtarë, disa dhjetëra tjerë i kanë maltretuar si dhe kanë djegur 20 shtëpi dhe kanë shkaktuar dëme tjera. Në raportin e HRW-së po ashtu thuhet se ministri i Punëve të Brendshme, ka qenë prezent në kohën kur policia ka maltrejtuar dhe vrarë civilë në fshatin Luboten.
Shtatë klandestinë pakistanez zihen në pritë nga sepcialet e policisë maqedonase dhe vriten
Simbas raportit thuhet se më katër mars në mbrëmje afër një vreshti në periferi të Shkupit, ka ndodhur dhe vrasja e shtatë klandestinëve pakistanezë, e cila supozohet të ishte e kurdisur nga policia speciale maqedonase.
“Ky është akt kriminal, meqë bëhet fjalë për persona të pafajshëm aziatik, të cilët janë munduar që ilegalisht të kalojnë nëpër Maqedoni dhe të shkojnë diku në ndonjë shtet të zhvilluar evropian për të siguruar ekzistencën e tyre”, thuhej në fillim të reagimit të subjekteve politike shqiptare në Maqedoni. Në reagimin ndaj vrasjes së shtatë personave në vazhdim – pohohej se strukturat qeveritare me këtë akt tragjik, mundohen t’i diskreditojnë subjektet politike UÇK-në për gjoja lidhjet me rrjetin terroristë Al-Kaida.
Si do qoftë është menduar se tragjedia ka mundur të evitohet,meqë personat e vrarë kanë qenë klandestinë. Ata kanë mundur të arrestohen, kjo është praktikë në shumë vende të zhvilluara, ku kanë më shumë klandestinë, por vrasja ka qëllime politike dhe ashtu shfrytëzohet”, thuhej edhe në reagimet e subjekteve poltike shqiptare, në Maqedoni rreth tragjedisë së personave të pafajshëm.
Sevasti Qiriazi- Dako
Sevasti Qiriazi- Dako vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh, Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, inxhinierit të aftë, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën./
Nga ANTON ÇEFA/
Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut, renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia. Cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.
Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.
Lindën dhe u rritën në një mjedis familjar thjesht shqiptar; një djep vertetë i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar më vonë: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë, apo heronjve shqiptarë…Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit e na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.
Prindërit, Dhimitri e Maria-edhe kjo një vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës-patën 10 fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga, pak më vonë, kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj patriotik. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte patriotët e shquar të Rilindjes si Kostantin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj.
E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që heret nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u rregjistrua në Kolegjin e Konstantinopolit, e para vajzë shqiptare që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Konstantinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën” d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat.
Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin, shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhët turke e arabe për fëmijët myslimanë. Me 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare: Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj.
E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër i Sevastisë, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Konstantinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit.
Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoq leksionet në fakultetin e pedagogjisë në University of Chicago dhe Northern University. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë.
Në vitin 1905, u kthye në Evropë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarin energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Me që ai ishte i specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe, dhe që qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë.
Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëllimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan ata me njeri-tjetrën dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrin dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me devocion e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.
Mbas luftave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912- 1914; por për arsye të përndjekjeve të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore, shkuan në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako.
Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star”, çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që e shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, me 12 tetor 1918, në prag të Konferencës së Paqes së Parisit.
Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe së bashku me Parashqevinë, që kishte shkuar atje nga Parisi, mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias-një institut me karakter thellësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme arsimore e edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahine dhe besimi.
Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjet shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias.
Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, burgosjeve, torturave, vrasjeve, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj.
Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh, Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, inxhinierit të aftë, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën.
Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël dhe guzhinierja e Institutit Kyrias.
Për oportunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë asaj i qe dhanë titulli “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “ u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.
*Botuar në “Dielli”, viti 1999, nr. 2 me rastin e 50 vjetorit te Vdekjes. Autori, Anton Cefa e drejtoi Gazeten Dielli qe nga viti 1994 deri ne gusht 2009/
U mbyll porta e ferrit
Nga Gëzim Llojdia/
1. Mortja nuk ngjiste në Goronecë . Afrohej si vetëtimë . Vejushë në të zeza . Shfaqej qartë pamja e saj. Rrëshaja si hije . Përpara mugut . Kullonin sokakët , lot Kërciste çatmaja. Xhindosej vivari. Kyçnin portat goronecarët . Një erë e marrë frushullonte . Në pritje , vdekje me plagë të thella . Binte trazimi i gjakut te mortja . Kthehej , përhumbsh dhe zhdukej . Kaurkat thoshin , prifti i tyre e largonte mortjen .
-Një ditë do të kthehem tek ju , ishte thirrja në kohë-mungesën e saj .
Goroneci mbylli varrezën e Gjohelmit .
E premte . Mëngjesi i ftohtë shoqëruar me një cipë vese. I hirtë mëngjes , survejohej përtej qelqeve . Roja i vuri kyçin.
-Sot mbyllim varrezën, tha ai solemnisht , nga të ikurit afër zemrës .
Pleqësia e xhivarrit morri në dorë një raport të rojtarit të varrezave.
2. Raporti fillonte me fjalët:
“ Nëse ne e ndjejmë dhimbjen , lotët tanë bëjnë një oqean vuajtjesh për ta . Një shtresë e hollë mjegulle na vendos koha si distancë nga ndarja . Në buzët tona që dridhen lexon ikjen tuaj. Në dorën tuaj , shtrihet mbretëria e heshtjes….Shifra nga raporti:80% e pleqve të Goronecit ishin në fushnajën e madhe të harresës . Mendimi i tyre ishte thyer në mes . Ishin tepër të sigurt se një ditë plakat e Goronecit . Çantën e teshave në supë,do të shkonin në fushnajën e madhe , ndërsa do ti prisnin me “mirëardhëshi”…
3.Plakat mbetën në Goronecë . Mortja hidhte hapin mendueshëm në mugëtirë . Do ta mortonte Goronecin . Lot i ngrohtë befas të bulëzoj .
-Perëndi , tha prifti , lutemi të ik vdekja nga Goroneci ynë . Të iki silueta e saj .Të humbas frika në mëndje , në zemër.
Në atë tokë belikë diku thellësisht nuk u desh të shkonte . Askush nga plakat e Goronecit.
U kërkua nëpër thellinat e një depoje të vogël tek varret . U gjet në dyshekun ku dremiste rojtari . Plakat , thaheshin në vitet e Goronecit mitik . Ndërsa si në rinin e tyre . Gjelbëronin. Në perëndim të jetës . Plakat e Goronecit po agonin , sikur të kishin dalë nga vesimi i mëngjeseve.
4.Rapsodi i fshatit Bert Ruzhaj mbasi korri barin,shiu grurin në lëmë,shkroi ndoca fjalë,për raportimin e rojës së varrezave.
”Unë Bert Luzhaj me profesion rapsod i përjetshëm po kumtoj këtë poemë .Poema ka 6 strofa.Titull mbreslënës.Xhivari ynë,në mot të motit,e ka quajtur mortja:
Gdhiu mug në xhivarin e Kunjovës
një zë klithi frikshëm:-Erdhi mortja,
klithma,plakash në kor,në mëhallën tonë,
u lëkund nëpër magji,xhivari i poshtëm.
Rrugicat u shkretuan. Vuvosën dyert.
si erë mbi re i ndoqi frymë e keqe.
-Sonte dhe vetëm sonte vjen mortja,
njerëzia vraponin,të ngujoheshin
-Ç’është kështu-thirri kryeplaku
-Futu brenda po arrin mortja,
ç’orë,ç’minutë do të thermojë jetët
e zeza,që s’ka shërim mortja.
Po vjen me këmbë me duar,
nuk i ndjen dridhjet sizmike, frika
kush mund ti thyej sonte, eshtrat tona,
mellan i zi po rrjedh nëpër rrugica.
S’dua të më fshiheni nën dhera,
me hapin tim ecin muret,dallgët bëhen hi,
copëra pasqyrash,ditën e grisin,
degë e heshtje, det me qiellin e zi.
Nuk pati derdhje ujërash,u tkurrën burimet,
as furrat nuk punuan ,tymtarët qëndruan kot.
-Ç’bëhet kështu-pyeti prifti i Kunjovës,
është kohë e vesës për të derdhur lot.
Nipi pyeti gjyshen: Ç’farë është mortja ?
E largët. E shurdhueshme. E tmerrshme.
Me zëra vuajtjesh,këmbëkryq. Gjithçka e ftohtë.
Pa zhurmë ,e përhumbshme,ulur përmbi heshtje.
GREQI, Edhe Vila e Musolinit ne shitje se bashku me qindra prona të famshme
Vila e Musolinit në Rodos ka mbetur e braktisur që nga viti 1947. Muret dhe vatrat e zjarrit janë dëmtuar plotësisht nga mbishkrimet, dritaret nuk janë më dhe tavanet kanë rënë. Pothuajse e paprekura në vend veranda prej druri me pamje nga deti/
Ne Foto: ”Villa de Vecchi” e Musolinit ne Rodos/
ROMË, 12 gusht – Duhej të ishte një vilë pushimi e Duçes, por në vend të kësaj, një shtëpi e ndërtuar nga një besnik i tij në ishullin Rodos në vitin 1936, Benito Musolini nuk shkeli kurrë. Aktualisht, për të mbushur thesarin e shtetit, fondi i pasurive të patundshme greke ka vënë në shitje apo me qera 13 prona të tjera të famshme, të braktisura prej shumë vitesh. Projekti është pjesë e një plani për shitje ose qera të rreth 80 000 pronave, mes të tjerave një kala në Korfuz, një ish-bazë ushtarake amerikane në Kretë e të tjera nga të cilat shteti grek shpreson të fitojë rreth 50 miliardë euro deri vitin e ardhshëm për të shlyer borxhet me BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. E ndërtuar nga guvernatori i atëhershëm i ishullit në malin e profetit Ilia, Cesare Maria de Vecchi, vila e Duçes është një nga projektet më me vlerë. Një strukturë dykatëshe druri, e rrethuar me pyje me pisha dhe me pamje marramendëse të Egjeut. Për ofertat e fondit grek, ”Villa de Vecchi” mund të jepet me qera për 50 vjet me idenë për ta kthyer në një nga hotel luksoz të Rodosit, një nga destinacionet më të njohura turistike greke. Natyrisht, vendimi për të shitur ose për të dhënë me qera këto prona publike, me vlera të madhe historike dhe kulturore, ka shkaktuar një valë polemikash. Për të cilat, menaxherin i fondit, Andreas Tapranxis e ka një përgjigje. “Prona të paluajtshme si ‘Villa de Vecchi’ janë varrosur për vite me rradhë. Kjo është një
mundësi për ta sjellë atë përsëri në lavdinë e mëparshme”, tha Tapranxis për agjencinë ”Bloomberg”. Vila e Musolinit në Rodos ka mbetur e braktisur që nga viti 1947. Muret dhe vatrat e zjarrit janë dëmtuar plotësisht nga mbishkrimet, dritaret nuk janë më dhe tavanet kanë rënë. Pothuajse e paprekura në vend veranda prej druri me pamje nga deti