• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vlerë universale

July 28, 2014 by dgreca

Faktori kohë si vlerë…/
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/
… Të nesërmen vendosa të shkoja te mjeku. Papritmas në rrugë u ndesha me kolegen time, e cila parkoi makinën dhe u bashkua me mua. Fjalët e saj mbi gjendjen sipërfaqësore të shëndetit tim, më ngrohën zemrën .
-Faleminderit. Në fakt ndihem më mirë, por…
-Por…Çfarë do të thuash?
“-Gjithçka është në vartësi të kohës,- nisa ta sqaroj, ndërsa po po prisnim mjekun.
-Është pikërisht koha, ajo që na rezervon të papritura të mëdha apo të vogla, të këndshme apo të pakëndshme, të pëlqyeshme ose të papëlqyeshme. Sido qofshin ato, ndodh që ta ndryshojnë rrjedhën e jetës.
Edhe kur nuk je e vëmendshme apoe ke harruar, është ajo që të kujton . Papritur e kujtuar të duket sikur në vesh të kumbon një zë i huaj, por që të duket i njohur , magjepsës e hyjnor:’ Ej… mos harro se unë jam e plotfuqishme, e pamposhtur , e palodhur dhe ripërtëritëse… Kam në dorë sahatin magjik, ku shoh se si rendin, çaplojnë e fluturojnë sekondat, minutat , orët , ditët…Mos u habit nëse kam pamje të çuditshme, herë si një krijesë e mbinatyrshme që pa kuptuar shëroj e gëlltis plagët që unë kam shkaktuar.
Unë e sajoj një takim të rastësishëm, një pikëtakim vështrimesh të paqëllimshme, një përplasje të vogël pa dashje, që nuk shkakton asgjë, që nuk është aksidental në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund të sjellë atë që ti e quan ndryshim. Ky mund të jetë ndikues në marrëdhëniet e qenies tënde me ndjenjat, me profesionin, apo edhe me mënyrën e të jetuarit..”- ai zë i brendshëm apo mbinjerëzor ka të drejtë. Gjithsesi ai zë i çuditshëm s’më lë të qetë…”
-E di që nuk më beson, por…Magjia ime është e pakonceptueshme. Nuk të bind? Kush tjetër veç meje bën që dita të puthet me natën, që muajt të përqafohen me vitet , që shekujt të kapen për dore dhe të ecin bashkë me epokat…, kush vallë?!
Unë edhe brenda boshësisë, jam kumbimi që s’njeh kufi. Ngjasoj me një këmbanë, jehona e së cilës nuk pushon kurrë. Jam e plotfuqishhme në çdo pjesë të universit që krijoj. Nga sekondë e heshtur, shndërrohem në çast të zjarrtë të pa harruar lumturie apo të një fundi fatal! Unë çaploj bashkë me fatin,mew të mirën e me të keqen…
A e di se unë jam përbindësh? Ndaj jam e pavdekshme dhe çdo çast të pëshpëris ty : ‘o jetë që gëlon papushim, je e vdekshme, kurse unë jo! Të ndjek ty, të pres e të shoqëroj deri sa jep frymën e fundit…Kjo të lebetit, të tromaks e të lë pa frymë, pa gjumë…Kujtohu sa herë je e paqetuar, gjumarratisur në netët e pafjetura…?
-Po ti nga e di këtë?- pyeta e zgurdulluar .
-E shikon që jam unë ajo që zgjova kureshtjen tënde… Ti habitesh kur unë qesh…, qesh me të madhe. Përsëri ti nuk e di se unë qesh, se asgjë nuk më mposht. Di se nuk ndalem nga asgjë dhe para asgjëje s’tutem dhe as friksohem. Duke qenë e plotpushteshme, më bën të jem e kudogjendur.Jam edhe shoqe e mirësisë. Jam galopim i gëzimit, jam kënga vajtuese e vdekjes, oksigjen për frymëmarrje, forca e emocionit, shkaku i ndryshimit, motivi i shpejtësisë, unë i jap kuptimi së ardhmes. Unë jam gjithçka! Unë kam gjithcka! Jam era ripërtëritëse . Nuk jam krijesë si ti që frymon, por jam ajo prej së cilës lindin sekonda, minuta, orë, ditë, javë, muaj,vite shekuj, mijëvjeçare…jam e pashtershme.”
-Po më çudit! Të lutem më thuaj se cila je ti?
-Vazhdo mendimin që ke nisur…,e do ta mësosh emrin tim
“ -Një ndryshim i tillë vjen kur është në harmoni të plotë thelbësorja, ose qenia humane, me atë të veçantë që të tjerët nuk e vënë re dot tek ti. Kjo e veçantë nuk është e dukshme sepse ajo është tejet personale, është vetjake… Është diçka me të cilën ke lindur, ndaj nuk i përket askujt, por është pjesëz e qenies sate… Pa e vënë re, pa e ditur, pa u shprehur, në memecërinë e heshtjes së plotë, ajo fle brenda teje, rritet bashkë me qenien tënde dhe pa e kuptuar as Nevetja, ajo e veçantë është bërë pjesë e pandashme e jetës tënde. Kjo bashkëjeton me ty dhe është aq e vërtetë, sa edhe bujku që si askush tjetër, ndjen aromën dhe frymëmarrjen e tokës, pa të cilën nuk mund të jetojë. Ose kjo e veçantë është si detari që njeh gjuhën dhe shpirtin e detit. E njëjta gjë ndodh edhe me aviatorin, i cili gjatë fluturimit bashkëbisedon me ajrin e atmosferës. Këto raste që përmenda, me kalimin e kohës kthehen në vlera dhe bëhen një masë e vetme, e pandashme me atë diçka, atë të veçantë që u është bashkangjitur si pjesë e qenies së tyre. Njeriu ia njeh vetes këtë të veçantë, këtë dhunti të falur, kur ajo është bërë domosdoshmëri, gjë që e spikat vetëm përmes arsyes, kur truri i tij ka arritur mbindërgjegjen, pra është në shkallën më të lartë të logjikës.
Përshembull bujku e dashuron tokën deri sa ka jetën, madje flijohet për të. Në rast stuhije në det, kapiteni i anijes kur sheh se s’ka rrugë tjetër shpëtimi, nxjerrë jashtë rrezikut jetët e ekuipazhit dhe vet mbytet bashkë me anijen. Vdesin bashkë si një qenie e vetme në ujërat oqeanike, me të cilat kishin një gjuhë të përbashkët.
Më thoni cili aviator është treguar burracak dhe e la timonin, apo e braktisi sallën e komandës së aeroplanit, duke e lënë atë në mëshirën e trysnisë së faktorëve atmosferik?! Si në këto raste e në mijëra e miliona të tjera, duket se mes tyre, me fije të padukshme është krijuar një lidhje e ngushtë organike që shkrihet në një masë të vetme.Këto ndjenja nuk lindin menjëherë sa hap e mbyll sytë, por me kohë ato bëhen pjesë të pandashme të qenies së cilitdo. Ndaj ndjesia e të veçantës së tyre vdes bashkë me ata,- ndërsa ngisja makinën ne të dyja vazhdonim bisedën.
E tillë, e paepur është edhe dashuria. Në një gjendje të tillë isha edhe unë kur u ndava me dashurinë e jetës sime atje te shkallët e universitetit. Ishte një ndarje pas atyre ditëve jashtëzakonisht të bukura që kaluam bashkë…, e cila kishte lënë tek unë një boshllëk. Gjithsesi ende nuk e kuptoja se ç’ishte ajo gjë e rëndësishme që më mungonte e më bënte të vuaja shpirtërisht. Veçse brenda qenies sime nuk di se ç’kisha …ndieja një shpirt të zbrazët, që dukej si një zgavër e boshuar. Pa humbur kohë e pikasa se ndarja e përkohëshme është një nga provat më bindëse që vërteton se sa e fortë është ndjenja. Varet se sa i rezistojnë mungesës së njëri-tjetrit partnerët, gjë që shërben si prove dashurie.
Sot të gjithë e dimë se jeta e njeriut lind së bashku me ndjenjat, paçka se ai ende nuk është i aftë mendërisht apo logjikisht t’i dallojë. Kur arrin shkallën e njohjes dhe të përceptimit të ngjyrave, formave, gjendjeve, shijeve etje, atëherë fillon edhe ndarja e tyre, një tip klasifikimi ndjesish sipas ndërgjegjësimit të moshës. Secila ndjesi rritet e përsoset gradualisht me rritjen fizike dhe pjekurinë mendore.
E para dashuri që lind te njeriu, është dashuria e fëmijës për nënën, e cila rritet e vazhdon të rritet krahas ndryshimit fizik, mendor dhe kohor që pëson fëmija. Kalojnë vitet, ndërsa jeta paraqet kushte e kërkesa të tjera të reja dhe akoma më të ndëlikuara. Kur tek djali apo tek vajza lind një ndjenjë e re, dashuria për partnerin, atëherë nis dhe mënjanohet pak dashuria ndaj nënës, por kurrë nuk shuhet. Dashuria për nënën dhe mungesa e saj janë të pranishme edhe kur ajo mungon fizikisht…kurrë nuk shuhet, por përherë edhe në pragvdekje endjen pranë.
Gjatë muajit të fundit që më kishte ngelur nga leksionet dhe shlyerjet, më merrte malli për mamanë, babanë, vëllanë e vetëm, të cilin e kisha edhe shokë të mirë. Shpesh herë sillja ndërmend apo më dilnin para syve veprime e zakone të tyre, çaste të bukura, shaka, zënka. Por sa kujtoja mungesën e tyre, parafytyrimet nuk ma plotësonin atë që doja. Mundohesha të harroja, po ndieja një zbrazëti në shpirt dhe më sëmbonte zemra. Më dukej sikur në hapësirën ku jetoja mungonte ajri i domosdoshëm. Nuk mbushesha dot me frymë, sikur ajrit i ishte larguar oksigjeni i nevojshëm dhe unë mbytesha si i sëmuri që vuan nga astma. E kisha të qartë se këtë psikologji ma sillte gjendja shpirtërore. Gjithashtu e merrja me mend se kush ishte shkaku i vërtetë i gjendjes sime të njelmët që më shtynte drejt plogështisë.
Qysh atëherë nisa ta vlerësoja faktorin kohë. Mund të jetosh me vite të tëra me dikë pranë dhe nuk e ndjen mungesën e largimit të tij. Kurse me kaq pak kohë që isha njohur me atë djalë simaptik,, ishte bërë për mua aq i pandashëm, ashtu siç janë elementët e domosdoshëm jetik, si: ajri, drita dhe uji. Herë-herë bija në mendime, madje edhe në leksion më fluturonte mendja tek Ai…
Para syve më shfaqeshin vendet ku kishim shkuar bashkë, puthjet, përqafimet, bisedat, përmes të cilave ne njohëm të shkuarën e secilit. Pataj bëmë analizën e lidhjen logjike, se çfarë të përbashkëta dhe të veçanta kishim. Ku duhej të synonte secili nga ne, që të ecnim paralel në rrugën tonë, e cila ishte zgjedhja jonë. Ishte detyra jonë që zgjidhjen duhet ta bënim vetëm ne të dy dhe askush tjetër.
Edhe pse kishim pak kohë bashkë, tani i dashuri im ishte bërë vetja ime e dytë. Mendimi se lumturia më kishte trokitur dhe më kishte pushtuar trup, shpirt e mendje, nuk më mjaftonte…Doja ta kisha të dashurin tim pranë…
-Aty ndal…Tani sapo e the se cila jam unë.E ke përsëritur shpesh, por nuk ta ndërpreva rrëfimin.Ishte bukur tek dëgjoja që më vlerësoje…
-Eh sa shumë kam folur dhe…, nuk di se ku duhet të vë gishtin.
– Unë jam koha!Jam ajo e padukshmja që të ka shoqëruar ty dhe shpesh të angështon, duke të të marr frymën.
Jam qenie e pajetë që ngahera ripërtëris pllakëza monotone përpjestimore dhe ia dhuroj jetës që fati e përplas në humnerat e veta, të cilat unë i hap!
Unë jam koha : një erë e lehtë që të fryn çdo ditë në fytyrë, të kujton ,të sjellë në jetë, të pret…Unë jam Koha që shoqëroj jetën në çdo hap e çdo bëmë!”
”- Teksa kisha ngelur e shastisur nga ai duel i ndërgjegjes e po kthehesha në konvikt, pranë meje frenoi butë një makinë. Pa u ndikuar nga automjeti, nuk e ktheva kokën, po vazhdova rrugën e përhumbur në atë dialog mistik dhe me mendjen tek i dashuri im. Ndërkohë dëgjova që pas shpine zërin e tij të butë e të shumëpritur…, i cili, me përrallëzën e tij, më solli në realitetin real.
“Na ishte një herë një vajzë e dëshpëruar sepse i ishin mbytur gjemitë.E ëmbla vogëlushe mendonte se me ç’varkë do ta përshkonte pellgun ujor që të dilte në bregun tjetër se atje e kishte shtëpinë. Gjithashtu atje e priste edhe i dashuri i saj. I marrosur pas saj, i dashuruar si kurrë ndonjëherë, Ai e nuhati se çfarë i duhej vajzës që donte. U bë zog me krahë, fluturoi dhe iu gjend asaj në kohën e duhur. E gjeti atë të përlotur dhe të shqetësuar, se nuk po gjente rrugëzgjidhje. Me gjuhën e tij i fshiu lotët e kristaltë dhe e mori në krahë…
-Po pastaj çfarë ndodhi?- e pyeta unë që kisha ngelur gojë hapur nga çudia.
– Përgjigja e tij ishte pa fjalë…Më rrëmbeu në krahë, më rrotulloi dhe pastaj nisëm të putheshim si të çmendur. Atë çast po silleshim si dy fëmijë të pafajshëm, kur lodrojnë e puthen me rrezet e diellit.
Hip në makinë.
-Më parë më duhet të shkoj në konvikt…
-Si të urdhërojë zonjusha ime e ëmbël…”
Atë çast s’isha në gjendje. E lajthitur nga gëzimi i papritur isha gati të bëja marrëzinë më të madhe. Më dukej sikur qiejt u çanë dhe portat e Parajsës ishin hapur enkas për mua… “- rrëfeja e përhumbur.
Zëri i infermjeres që më thirri emrin më shkëputi nga rrëfimi…dhe nisa të jetoj realitetin në kohë reale.

Filed Under: ESSE Tagged With: Një vlerë, universale, Vilhelme Haxhiraj Vranari

Në Çikago provokime nacionaliste serbo-greke kundër shtetit të Kosovës

July 28, 2014 by dgreca

Chikago, 28 Korrik 2014- Sot në Çikago,edhe përmes lojës së futbollit,qarqet e caktuara nacionaliste serbo-greke provokuan popullin shqiptar dhe shtetin e ri demokratik të Kosovës.Par se të filloj loja e futbollit në mes të KF Liverpulit nga Anglia dhe Olimpiakos nga Greqia,grupet shoveniste serbo-greke kishin vendosur një parullë të gjatë në stadiumin e qytetit në Çikago me titull ofendues ,,Kosova është Serbi,,.Për këtë akt nacionalist dhe sjellje të shëmtuar,,sportive,,organet e sigurimit sa çel e mbyll sytë e hoqën parollën nga stadiumi me vërejtjen dhe për fillimin e lojës ashtu si e do rendi sportiv.
Për këtë akt nacionalist serbo-grek në stadiumin e futbollit në Çikago,menjëherë ka qenë reagimi i organizatave politiko-kombëtare dhe sportive shqiptaro-amrrikane.Anëtari i Kryesisë së KF,,Albanian Stars,,Alil Sherifi ka theksuar se aktet e tilla provokuese serbe nuk janë të panjohura për ne.Klubi ynë futbollistik shqiptaro-amerikan është një ndër ekipet më të mira të Ligës së Qytetit në Çikago dhe me krenari e prezentojmë kombin dhe atdheun shqiptar në fushën e futbollit në Amerikë,ka thënë për(INA)sportisti Alil Sherifi.

Ndërkaq,lidhur me provokimet e sotme serbo-greke kundër shtetit të Kosovës,kanë reaguar Skënder Karaçica,drejtor ekzekutiv i SHSHA-së dhe Xhevat Sherifi,kryetar i LSHD-së.Ata përmes reagimit të tyre kanë thënë se Departamenti për sport në Bashkësinë e Qytetit në Çikago duhet të veprojnë konformë ligjeve të shtetit amerikan dhe për qarqet antishqiptare serbo-greke duhe të kenë të qartë se këtu është shteti i Amerikës,e jo Serbia dhe Greqia,që në rrugën e BE-së ende merren me skenarët e vjetër dhe me motive të njohura antishqiptare në Ballkan.Për rastin provokues dhe që e prishi traditën e mirë tëlojës së futbollit pas përfundimit të Botërorit,,Brazili 2014,,përfaqësuesit e këtyre dy organizatave shqiptaro-amerikane do të kërkojnë nga institucioinet e Bashkësisë së Qytetit në Çikago dhe përmes kryebashkiakut Rahm Emanuel,që ndaj provokimeve serbo-greke të merren masat e duhura karshi ligjeve demokratike për ndalimin e akteve nacionaliste kundër popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës,miq të përjetshëm të SHBA-ve.(INA)

Filed Under: Mergata Tagged With: ne Cikago, provokime nacionaliste serbo-greke kundër, shtetit të Kosovës

SHQIPTARI TRIM SI KY, NUK VDES KURRË!

July 28, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto: AT PJETER MËSHKALLA S.J.
(25 Shtator 1901 – 28 Korrik 1988)/
(Portret me lapsë, nga F.Radovani)/
Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MËSHKALLËN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij… Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të Rinisë Shqiptare dhe kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë Gjenocidit komunist.
Shqipja me kthetrat e Saja, atë ditë… ka skalitë në një shkamb:
“Edhe një Hero ma pak!”…
●Plot 60 vjetë perpara At Pjeter Mëshkalla, në vitin 1954, kur ishte në Burgun e Burrelit i dënuem që në vitin 1947 ka shkrue këte poezi, e cila asht nxjerrë si shumë të tjera nga djelmët e rij që ma vonë… dolën të plakun nga burgu…
●Autori i Pavdekshem i saj, si gjithmonë, me optimizmin e Tij, kje frymzues i idealeve të nalta tek Rinia Shqiptare!

JETË E RÉ

Në kthesën e një djali të ri:
“Kaq i vogël fëmi e kaq i madh mëkatar!”
Sh’ Augustini
Në zemrën teme lindi jeta,
shpirti asht mbushun me dëshirë,
me ndriti mendjën e vërteta,
vuejtjet më duken gurrë me hirë.

Lindi Krishti në zemrën téme,
më pruni paqë e dashuni,
më rreshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinën e burgut të zi.

Unë dikur me mburrje shkojshe
për pusina, kurtha e léqe;
krime n’ têrr unë farkëtojshe:
holla vrapin për rrugë të kéqe…

Epshi e faji janë veriga
që tue lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi në punë të liga,
që veç rrathët ma fort shterngojnë.

Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pré!
U thyen prangat, ktheu liria ,
shtegu u hap për J E T Ë TË R É !

BB(Burgu Burrel) 1954.

●Shenim nga FR: Poezia asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 26 Korrik 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Fritz radovani, NUK VDES KURRË!, SHQIPTARI TRIM SI KY

EPIKA BLU E EDISON GJERGOS DHE FRYMA VITEVE ‘70

July 28, 2014 by dgreca

Ne Foto: Edison Gjergo: Epika e yjeve të mëngjesit” 1971/
NGA KOLEC TRABOINI/
“Epika e yjeve të mëngjesit” – për këtë vepër oil në canvas, me dimensionet e telajos 179 x 119.5 cm, krijuar në vitin 1971 u dënua me burg Edison Gjergo (1939 -1989).
Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës. Një fundnate e thellë, një rapsod i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë. Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të zezë. Por luftën ata e donin të ndritur, farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks, gjithçka në eufori…
Megjithëse diktaturë ajo kohë pas vitit 1970, ishte një gjëndje kërkimi prej krijuesve për të sjellë pikvështrime, mjete stilistikore shprehëse e subjekte të reja në art. Edhe në letërsi me tregimtarët e rinj apo poetët ndodhte po ashtu. Bilal Xhaferri kishte shkruar një tregim me temë të përafërt, por në të vërtetë tërë tregimet e Bilalit ishin impresionante. Të rinjtë e brezit tonë si të thuash i përpinin tregimet e tij në faqen letrare të gazetës “Zëri i rinisë”. Me arratisjen e tij gjithçka që kishte shkruar u ndalua dhe u dogj si “Lirishta e kuqe” poezi si dhe romani “Krastakraus” për epokën e Skënderbeut. Ruaj në kujtesë që pas arratisjes së Bilal Xhaferrit në vitin e parë të studimeve universitare arrita të gjej librin me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj” të cilin ma dha bashkstudentja e degës së gazetarisë Zenepe Çekrezi- Luka. Për të qënë të sigurt se nuk do të na diktonin e spiunonin e kishim grisur kopertinën dhe nuk gjëndej në asnjë cep të librit emri i Bilalit. Por atë libër të ndaluar e lexonim dhe e kalonim dorë në dorë si ungjill arti.
Duhet pranuar se megjithë frikën që ekzistonte, krijuesit përpiqeshin të dilnin nga korniza, veçanërisht të rinjtë, kam parasysh edhe dramaturgun e ri Shpëtim Gina (13.12.1951-15.08.1974) që e kisha bashkstudent në Universitet, me dramën e tij “Armiqtë”, vënë në skenë nga Mihallaq Luarasi. Shpëtimin e mbyti sigurimi në Mamurras , në lumin Drojë, sepse e kishin konsideruar si dramaturg dekadent. E kishin venë në shënjestër dhe arritën ta eleminojnë më 15 gusht 1974. Edhe ai kish guxuar të bënte një art ndryshe prej skematizmit të kohës. Në burg do të përfundonte edhe liriku më i ndjeshëm i kohës Frederik Rreshpja, të cilin e njihja nga afër dhe kishim punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nën këto influenca e dëshira për të bërë diçka ndryshe mbaj mend në atë kohë të kem shkruar edhe vetë ndonjë tregim si “Stina kur pikonin yjet” ca partizanë që ecnin nëpër natë me shoqen e plagosur që u vdes në agim, apo një tjetër “Në mesnatë” me të njejtën frymë, por të dy këto tregime m’i refuzuan kur botova librin e parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur”, 1973, ndaj pashë ç’pashë i zhduka. Dëshira të tilla dhe tentativa për t’u shfaqur sa më origjinal ndjehej kudo tek autorët e rinj. Por kur u zhvilluan pleniumet famëkeqe për letërsinë e artin dhe për mbarë krijimtarinë artistike, të tmerruar shumëkush hoqi dorë nga krijimtaria, sepse ishte si të ecje mbi mina, ose përndryshe duhej të ecnin në trasenë e sigurtë të shabllonizmit e skematikës së real-socit.
Edison Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me burg për një tabllo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë.
Burgu e dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të krijimtarisë. Por gjithsësi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë. Ndrroi jetë në vitin 1989 në moshën 50 vjeçare. Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit, mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shëmbur diktatura, ndërkohë që pak flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një dizidencë kundër sistemit monist.
Në të vërtetë dizidenca ishte Edison Gjergo me tabllonë e tij “ Epika e yjeve të mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe. Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në 1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës, atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e me një sakrificë të jashtzakonshme.
Piktori Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte frytet e veprës së vet, si fati i shumë artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.

Filed Under: ESSE Tagged With: EDISON GJERGOS DHE, EPIKA BLU E, FRYMA VITEVE ‘70, Kolec Traboini

” GUCIA E PLAVA NE VALET E JETES “, NJE LIBER I DHEMBSHEM

July 27, 2014 by dgreca

Nga Rexhep DEDUSHAJ/ New York/
uke e lexuar librin e HASAN I. GJONBALAJ : ” GUCIA E PLAVA NE VALET E JETES ” – Peje 2011/
Keto dite me ra ne dore libri i lartepermendur ne te cilin lexuesi i vemendeshem i verene dy qellime te autorit;
– Dhembeshuria e tij per kete bote – meqe e verente se eshte para vdekjes.
– Thenja e asaj qe ka mbetur pa u thene gjere me tani per historine e Krahines se Plave – Gucise:
Libri bene fjale per vitet 1941-2011…
Qe ne titullin e pare :ARMA E GJYSHIT ,Hasani merret me vdekjen ” si burr”,duke ia lene armen nipit .Ai armete e tij :dijen,talentin per te shkruar,ate qe e ka mesuar gjate jetes etj.ua len nipave neper librat e shkruara prej tij,me porosi te qarta se :” Vatani ” nuk duhet leshuar ,por duhet te mbrohet sic e mbronte gjyshi i tij 80 vjec.
Jane keto porosite e fundit te ketij intelektuali krijuese,i cili vec e dinte se ka shkelur ne drrasen e fundit te jetes!Shum shpejt edhe vdes…
Ne liber autori,ndoshta per here te pare ne jeten e vet e shfryne mllefin ,e shliron shpirtin ,per ate qe e ka pare,e ka perjetuar dhe s’ka guxuar kurr ta thot!!Dikush mund te thot se u be trim para vdekjes.JO.Por s’deshti me i marrur me vehte mesheftesite qe i dinte ,i kishte perjetuar e qe ia kishin shkurtuar jeten.Ne fshatin GURAKUQ qe do ta quante VUTHAJ” vetem atehere kur te lahet Shkembi i Kuq me rreze lirie ” ( f.53).
Kush e ka njohur Hasanin si e njihsha une,psh.veshtire e ka ta besoj se eshte ky liber i tij.Por,PO.Shprehjete jane te tija.Perputhen ngjarjeste e perjetimet e tija.Eshte i pezmatuar sic ishte pas Luftes ne Kosove :Pse Gucia e tij s’iu bashkua Kosoves?!Pse ishim kaq te nemur ?? Por edhe e len porosine se kurr askush se ka pranuar okupatorin e as qe do ta pranoj ,nga ajo krahine.
Jane tmerruese per PARINE e Plave- Gucise ” marreveshja e partizaneve shqiptar me ata malazezo- serb dhe marrveshja e Preke Calit me cetniket karshi parimeve te parise .Ishin dy plumba te rende per nacionalistet vendas…” (f.31).
Pastaj,si i nxierrnin kacaket pas LDB nga shpellate .Si i tradhtonte njerzit ” pushteti popullor “i Shqiperise duke shpallur amnesti per ta e lidhur ia dorzonin OZN-nes .Dihet fati i tyre pastaj…”( Artikulli :Dy kurthe per Kacak ” f.46.)
Pra,HASAN ISUFI – sic e quanin ,foli pak pa vdekur.Foli ate qe e kishte renduar tere jeten .Ate qe e kishte pare me sy.e kishte perjetuar ne shtepine e vet,te miqte e dajte e vet,ne fshatin e vet…
Ja vlen ta lexoni e shihni cfare bene komunistet e te dyja aneve te kufirit Shqiparo-Shqiptar…
I pershkruane te gjitha marifetelleqet e “pushtetit popullor “(lexo:UDB-ese)ne Vuthaj e me gjere…Verasjen e njerzve naten e fajsimin e fqinjeve per ate (duke e nxitur vellavrasjen ne mes Vuthjaneve).Pastaj,plackitjet e fshatareve,qethjen e deleve ne pike te dimrit,qethjen e kuajve dhe djegejen e sanave : “Zullumi ia kishte kaluar cdo te keqeje,..Ishte vepra me e shemtuar ,Si metode e futur nga pushteti qe t’i vinin flake sanes ne mullar mu ne balle te dimrit ,neper bore dhe shi!!”(f.53-54).”Nder te paret ne ndihme ( per fikjen e zjarrit-R.D.)arrinin dy mesues te fshatit …”(f.54)
Dhe,gjate viteve 1950-1967 e arriten kulmin e mosbesimit ( te fshataret ne njeri tjetrin _R.D.)duke perfunduar edhe ne disa gjakderdhje “(57).
Kulmin e mizorise UDB-a e arrine kur ne T’Shtrejte (me 18 korrik 1951-R.D.)” i pushkatojne dy DEDUSHAJ : Cung Tahirin me djalin e vellait Isuf Zymerin .Nuk nevijitej pseja,sepse te gjithe ishim para pushkatimit…”(f.59).
Keto bejne qe njerzit te ikin ,t’ia lene shtepine dhe pasurine ndonje plakut e plake.Duke e citua nje plake te tille buz Brematanes:” Per njerimin tim jam bindur se ata qe u larguane nga kjo zemer shqiptare ,do t’i lene zemrat e tyre neper pluhurin e rrugeve kryqe te botes ,te mos flas per ata qe u linden atje.atje dhe atje.Nuk me mjafton qe te vijne diten e varrosjes ,sepse nuk i shoh.”(f.73).
Hasani merr pjese ne varrimin e shume te rinjeve qe vinin ne arkivole nga Amerika.Ne pajtimin e gjaqeve qe i kishte shkaktuar UDB-a me kalecet e vet.Jo vetem ne Vuthaj por edhe ne fshatrat tjera te krahines ne fjale.Flet per shqiptarin e fundit te Nokshiqit legjendar etj,etj.
Me ka rene ne sy se vitet e fundit emri i Hasanit eshte lene ne harrese .Ai Hasani qe te semur e siellnin neper promovime librash e raste te tjera te krahines .Tani intelektualet e fshatit te tij,bile edhe ata qe ai i quante ; I MADHI N.N. se permendin askund neper emisione televizive ku thuhet se per Krahinen e Plave-Gucise s’ka shkruar askush!!
Tani po e kuptoi se Hasani i ka zhgenjyer fansate e vet me librin ne fjale.S’e kane pritur prej tij qe ish spiuneve te UDB-ese do tua permende te berat e tyre ne GURAKUQ- sic i quane ne liber Vuthajt.
Por Hasani ishte Vuthjane i vertete .Vuthjanet se permendin vuthjanin per te keq para te tjereve .Vepren ua ka permendur e emrat e keqeberesve jo. edhepse i ka ditur mire.Andaj ,bijte dhe nipate e atyre “bemireseve “te UDB-ese bejne mire me reflektuar e mos me u shitur me si ” patriot”te medhenje duke i share krijuesit tone se nje dite do ti permende ndokush edhe emrate e njerzeve te atyre te berave qe i pershkruane Hasani.U keshilloi ta lexoni librin e fundit te Hasan Gjonbalajt ne mos e pacit lexuar ende dhe reflektoni se boll ua kemi pare “hajrin”…

Filed Under: Komente Tagged With: " GUCIA E PLAVA NE VALET E JETES ", I DHEMBSHEM, NJE LIBER, rexhep dedushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4502
  • 4503
  • 4504
  • 4505
  • 4506
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT