• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEAN-CLAUDE JUNKER, I TREMBËDHJETI PRESIDENT I KOMISIONIT EUROPIAN, MIK I MIRË I SHQIPTARËVE

June 30, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Jean-Claude Junker, i rritur në vite e politikë me Europën e Bashkuar, ish kryeministri i madh i Luksemburgut të vogël, është mik i mirë ndihmatar i shqiptarëve të sotëm të Ballkanit në zhvillime e integrimet euro-atlantike.
Sivjet, po vjen si i trembëdhjeti President i Komisionit Europian. Ky personalitet elitar, kontributiv e aktiv, në detyrën e tij të re mandatore, me siguri do të jetë jo vetëm e sotmja po edhe e nesërmja e Europës së Bashkuar.
Jean-Claude Junker, në kohën pas rënies të Murit të Berlinit, është kryeministri ma jetëgjatë në pushtet (1995-2013) në shtetet antare të Bashkimit Europian. Nëse flasim edhe për shtete europiane që kanë statusin e Vendit Kandidat për në BE, atëherë politikani euro-atlantik Junker renditet i dyti, pas antishqiptarit Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, pasi ky i fundit e ka mandatin e shtatë si kryeministër dhe një mandat presidenti prej se nga viti 1991.
Jean-Claude Junker, në pesë mandate kryeministrore e ka ngjit Luksemburgun në lartësi të atilla zhvillimi të gjithanshëm saqë të jetë një nga vendet model edhe për Bashkimin Europian, edhe për Botën. Si vend demokratik. Si vend i zhvilluar. Si vend neutral, paqësor e tejet dashamirës ndaj Europës e Botës. Luksemburgu, sipas FMN në Uashington, në vitin e kaluar (2013) në treguesin të ardhurat për frymë të popullsisë zenë vendin e dytë në botë (pas Katarit) me 78.670 USD. Në këto zhvillime e arritje edhe shqiptaro-luksemburgasit nga Shqipëria, Kosova, etj. të cilët zënë vendin e katërt për nga popullsia, kanë kontributet e tyre. Si qytetarë luksemburgas, shqiptarët e atyshëm, kanë nderime të larta e lidhje të mira me Madhërinë e Tij, Henri-Duka i Luksemburgut, me ish kryeministrin luksemburgas, Jean-Claude Junker; me kryeministrin aktual, Xavier Bettel, etj. Në këtë vend të moçëm, monarkist, euro-atlantik, në një të ardhme të afërt, flitet e mundet që shqipja të jetë gjuha zyrtare e katërt, pas gjermanishtes, frengjishtes e asaj luksemburgase, pasi Luksemburgu, si rrallëkush e si rrallëkund, i flet kohës me gjuhën e Europës së Bashkuar.

2.
Luksemburgu në zemër të Europës do të ketë Junker të tretin kryeministër të tij të zgjedhur President i Komisionit Europian, pas Gaston Thorn (1981-1985) e, së vonit, Jacques Santer (1995-1999). Numrin ma të madh të presidentëve të KE qyshse nga themelimi i Bashkimit Europian e kanë pasë nga dy herë Franca e Italia, ndërsa Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Hollanda, Spanja, Portugalia vetëm nga një herë. Aktualisht, në Komisionin “Barroso II” (2010-2014), është Zv/Presidente një luksemburgase, Viviane Reding. Në këto nivele përfaqësimi Luksemburgu ndihet i nderuar, po nuk duhet të trajtohet si “i privilegjuar”.
Pse e themi këtë? Për disa arsye: Luksemburgu është një vend monarkist me një dinasti nga ma të vjetrat e botës, Duka i Luksemburgut, e cila është ende në drejtimin e shtetit. Njëherash është nga shtetet e para të botës që e kanë fitue lirinë e pavarësinë, qyshse në vitin 1815 kur doli nga okupimi i Perandorisë Franceze, sipas Traktatit të Parisit. Luksemburgu është një nga gjashtë shtetet themeluese të Bashkimit Europian, sëbashku me Francën, Gjermaninë Perëndimore (sot, RF të Gjermanisë të Merkelit), Italinë, Belgjikën e Hollandën. Luksemburgu është edhe një nga dymbëdhjetë shtetet themeluese të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO). Luksemburgu është themeluese e BENELUX sëbashku me Hollandën e Belgjikën. Luksemburgu është edhe një nga vendet antare të OECD, qyshse nga viti 1961.
Luksemburgu është një shembëllim edhe për Shqipërinë e vogël, që dëshmon se personalitete të saj në një të ardhme të afërt, me antarësimin në BE, mund të jenë edhe në detyra të larta të Bashkimit Europian.

3.
Ish kryeministri luksemburgas Jean-Claude Junker është një mik i sprovuar i shumëfishtë i Shqipërisë, i shqiptarëve në Ballkan. Historia është dëshmitare, e cila ma shumë do flasin në të ardhmen.
Me Shqipërinë, lidhjen e parë zyrtare e ka vendosë në vitin 1995 me njohje nga afër e të pandashme me Presidentin e Shqipërsië Sali Berisha në një takim të nivelit të lartë të OKB-së në Kopenhagën. Në vizitën e tij në Tiranë, më 25 shtator 2008, kryeministri Junker do të deklaronte botënisht në një konferencë shtypi për kolegun e tij, Sali Berisha: “Kam një miqësi të madhe me Kryeministrin, sepse ai iu jep një rëndësi të madhe lirive demokratike. Kam simpati për të, sepse ai është një njeri i guximëshëm, i cili ka vënë në zbatim reforma të vështira”. Vet kryeministri luksemburgas, Junker, pohon se me Sali Berishën se “nuk jemi ndarë më, pavarësisht nga funksionet që kemi pasur”, “Jemi miq të mirë”, etj.
Kryeministri luksemburgas, Jean-Claude Junker, gjatë vizitës në Tiranë (2008) deklaron: “Admiroj gjithashtu edhe popullin shqiptar, një popull i guximshëm që dëshiron ndryshimet dhe që i pranon realitetet e vështira që i sjellin të gjitha këto ndryshime”. Ai flet për këto zhvillime e ndryshime të shumta e në ecuri, të cilat i vlerëson të rëndësishme për “imazhin e Shqipërisë në botë” dhe “për vizionin e ardhshëm të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior”. Në kohë mjaft të vështira si ato të viteve 1997-’98 kryeministri Junker dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jacques Santer (1995-1999), ish kryeministër luksemburgas, iu gjendën pranë Shqipërisë në kohën e duhur e në mënyrën e duhur. Ai, sikurse edhe disa liderë amerikanë e europianë, garantoi në Tiranë, në shtator 2008, se Shqipëria do të antarësohet në NATO në Samitin e prillit 2009 duke theksue se “Shqipëria më në fund dhe në mënyrë formale do të kthehet në gjirin e familjes së madhe europiane, së cilës ajo i përket dhe nga e cila e larguan vendimet e kobshme të ndarjes së kontinentit” (Thëniet marrë nga libri “Me Sali Berishën një epokë e re”. Botim i ACABS e AFCES. Tiranë, 2009, fq. 296-’98).
Një miqësi të mirë kanë ndërveti edhe kryetari PD-së e i Opozitës ë Djathtë e kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha me ish kryeministrin luksemburgas, Jean-Claude Junker, Presidenti i ri i Komisionit Europian, gjatë takimeve të tyre në kuadrin e tubimeve të Partive Popullor Europiane (EPP) në Bashkimin Europian. Kjo dëshmohet edhe në mesazhin e urimit të 27 qershorit 2014 ku lideri Basha i përcjell urime liderit paneuropian, Junker. Ai e cilësoj lajm të gëzueshëm “miratimin nga Këshilli Europian të kandidatit të PPE Jean Claude Juncker, për drejtimin e Komisionit Europian” si dhe i jep disa vlerësime meritore: “ Juncker është një politikan me përvojë të madhe dhe një europianist i palëkundur. Emërimi i Juncker është lajm i mirë për Europën dhe për Shqipërinë, pasi Jean Claude Juncker është mbështetës i integrimit europian të Shqipërisë.”
Luksemburgu është një shtet mik i Shqiptarëve në Ballkan në këto tre dekadat e fundit. Madhëria e Tij, Henri, Duka i Luksemburgut ishte më 28 maj 2014 për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku riafirmoi mbështetjen e Tij për Kosovën e Shqiptarinë.
Gjithmonë burrat e mëdhenj, edhe në dy vende të vogla si Luksemburgu me Shqipërinë e Kosovën, lidhin miqësi të mëdha. Ne, shqiptarët jemi vlla pa vlla në kit’ botë, ndaj na duhen miq të mëdhenj, miqësi të mëdha, që të ecim ma shpejt, që të jemi ma të fortë.

Shqipëri Etnike, 29 qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: europian, I KOMISIONIT, i shqiptareve, I TREMBËDHJETI PRESIDENT, JEAN-CLAUDE JUNKER, MIK I MIRË, Ramiz Lushaj

“ATDHETARËT QË NUK PËRFUNDUAN VITIN SHKOLLOR”!

June 30, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Në këtë vështrim nuk do të shkruajmë për përfundimin e vitit shkollor 2013 / 14 (ndonëse na takon ta bëjmë këtë), nuk do të shkruajmë për aktivitetet që u organizuan sa i përket testimit ekstern të të arriturave të nxënësve në arsimin fillor tetë-nëntëvjeçar si dhe në atë të mesëm gjimnazor, profesional dhe artistik. Nuk do të shkruajmë as për veprimtaritë që u organizuan lidhur me dokumentin didaktik, siç është Matura shtetërore, një dokument që u paragjykua dhe u keqinterpretua në kuadër të debateve të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme, sidomos nga njerëz të cilët, lëre që nuk e njohin fare këtë dokument, por sot e kësaj dite bëjnë përpjekje ta manipulojnë politikisht dhe së fundi edhe ta rrënojnë dhe ta bëjnë hi e pluhur. Nuk do të shkruajmë as për rezultatet (e shkëlqyeshme) të mësuesve sidomos të normalistëve që, fatkeqësisht, janë rralluar dhe mbase mund t’i numërosh në gishta, nuk do të llafosim as për gjymtimet që edhe kësaj radhe mëtuan t’i konceptojnë si vlera, nuk do të shkruajmë as për magjistraturat a doktoratat (jo) meritore për faktin se kjo nuk është në kompetencat tona. Përkundrazi, do të shkruajmë për disa mësues patriotë dhe atdhetarë të cilët, në mbrëmjen e 31 dhjetorit të motit 1951, me një vendim të gjykatësit hetues do të përfundojnë në hapësirat e burgut të Tetovës, kurse më vonë do të transferohen në Gjykatën e Rrethit të Gostivarit, ku edhe do të akuzohen a ngarkohen me faj për veprimtari armi-qësore.
Do të shkruajmë për kampionët e ndërgjegjes së Tetovës, për nacionalistët e ndershëm…, për disa shërbëtorë, dishepuj a atdhetarë që nuk arritën ta përfundojnë vitin shkollor sepse ishin në kërkim të lirisë së vonuar të atdheut, do të shkruajmë për gjeneratën e atdhetarëve gjegjësisht mësuesve të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, për ata që ndërtuan monumentet e arsimit shqip në Tetovë dhe rreth saj…, për lavdet e tyre, për ecejaket e tyre të fundit drejt panteonit të dijes dhe dritës…, do të shkruajmë për Sadudin Abdulla Gjurën (1926-1960) nga Shipkovica, i cili nuk përfundoi vitin shkollor sepse në motin 1952 “në emër të popullit jugosllav”, do të dënohet me 14 vjet burg të rëndë, për Vehbi Ahmet Lushin (1925-1999) nga Tetova, edhe ky nuk përfundoi vitin shkollor, pasi që u dënua me 9 vjet heqje lirie, për Gani Selman Lumën (1915-1989), që po kështu do të dënohet me 10 vjet burg të rëndë, edhe ky patriot tetovar nuk e përfundoi vitin shkollor, po një gjë të tillë nuk arriti ta bëjë edhe arsimtari i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Salajdin Efraim Huseini (1930-2007), i cili bashkë me Nijazi Fandën (1923-1979), me Sali Lisin (1923-1969), me Ismail Saidin (1925-1989), me Muhedin Hadrin, me Sheref Kazazin (1921-2000), me Xhemali Beqirin (1929-1987) si dhe me mësuesin Sabri Ramizi (1931) do të vuajnë dënimin në repartin Petrova Rupa të Goli Otokut famëkeq.
Shumë kohë më parë bashkëveprimtarët do të thonë se ditën kur u lexua aktakuza të “pandehurit” hiç fare nuk ishin të preokupuar me dënimet, as me meseletë a vakitë me të cilat ishin “ballafaquar”, sepse e gjithë kjo për ata kishte qenë një ndodhi e zakonshme e dalë nga jeta e përditshme politike, mbase këto ndodhi nuk u “hynin në punë”, jo pse nuk ishin pjesë e kureshtjes së tyre, por pse nuk kishin kohë për të humbur për gjëra periferike…, thonë se gjatë hetuesisë të gjithë të “…pandehurit në fjalë, ishin të padefinuar, të paqartë, mosbesues dhe së fundi, njerëz me sjellje (skajshëm) prej indeferenti”! Ata do të karakterizohen edhe me faktin se ishin superiorë sidomos në aspekt të inteligjencës. Gjithë këtë superioritet të tyre asnjëherë nuk e vunë në “funksion të mendjemadhësisë provincialiste”…, këta shërbëtorë a dishepuj besnikë të popullit do të përjashtonin a do të refuzonin në vijimësi çdo bashkëpunim me hetuesin, me bashkëpunëtorët e UDBA-s, në veçanti me shqiptarët a kalorësit e vonuar të kauzës apo edhe me “kodoshët me koqe të vyshkura”! I gjithë ky “refuzim a përjashtim i tyre për bashkëpunim” kishte kosto të lartë.
Sot nuk mund të shkruash ndryshe për njerëzit që i përmendëm më lart, aq më pak “nëse një herë e ke thënë të vërtetën për retrospektivën patriotike të tyre”, gjithë kësaj nuk ka nevojë t’i shtosh a t’i heqësh as një pikë a presje. E gjithë kjo histori e tyre nuk mund të paragjykohet, nuk mund të thuash se historia e tyre është e ngatërruar, e papëlqyeshme apo edhe tragjike. Tekefundit, ajo mbetet e ndritur pavarësisht se disa kapituj të saj gjatë kohë e heshtën të vërtetën ndaj njerëzve që ishin pjesë e kësaj historie, një kapitull që vetvetiu rrezikohej të “përmbytej dhe më pastaj të njehsohej me harresën tonë kolektive”! Të gjithë ata që do të bëjnë përpjekje ta njohin a ta “studiojnë” nga afër këtë histori të atdhetarëve gjegjësisht të mësuesve (të cilët asnjëherë nuk e përfunduan vitin shkollor), që në fillim detyrohen të “heqin dorë” nga paragjykimi dhe nga faktet e sajuara po edhe të shtrembëruara nga ish-historianë të njëmendjesisë. Gjithsecili që do shkruajë për këta njerëz duhet pasur parasysh se historia e tyre është aristokrate…, duhet pasur parasysh se do të shkruajë për mësuesit patriotë më të përfolur, të thekur, rebelë, bohemë, disidentë dhe mbase njerëz me emër e mbiemër më të lakuar.
Është një urtësi popullore që përdoret në krahinën e Mirditës që tregon se kur nuk të ka lezet fjala në kuvend, është e njëllojtë sikur ke vdekur edhe vetë. Unë kam dëgjuar se fjala e atdhetarëve gjegjësisht e mësuesve të Petrova Rupës së Goli Otokut, lëre që ka pasur lezet, por edhe peshë. Për ta përfunduar këtë shkrim, për “një vit shkollor të papërfunduar nga ana e atdhetarëve” më duhet t’i referohem një mendimi filozofik të dijetarit Pjetër Mëshkalla, ku, pos të tjerash, thuhet: “Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira”.

Filed Under: Opinion Tagged With: “ATDHETARËT, Fadil Lushi, QË NUK PËRFUNDUAN, Vitin shkollor

JU FLET “Zëri i Arbërit” NGA NORVEGJIA

June 30, 2014 by dgreca

“Zëri i Arbërit” dëgjohet edhe në Zelandë të Re, Amerikë, Kanadë…kudo në Evropë e trojet shqipëfolëse./
E shenjëta REDAKSI E REVISTËS KOMBËTARE – DIELLI!
Të dashur bashkatëdhetar, shokë, miq, vëllezër…dëgjues!
Pasnesër është një datë e shënuar me shkronja të arta në Kalendarin
Historik të Botës Shqiptare dhe të neve në redaksinë e Radio “Zëri i Arbërit”;
Përkujtojmë 2 Korrikun e vitit 1990 kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit
të Kosovës i thanë JO-në e madhe Serbisë okupuese…
Duke pasur parasysh këtë fakt dhe mijëra tjera para e pas saj, edhe ne pas
asaj golgote të cilën e pësuam, pas atij kalvari biblik…deshëm që sadopak të
bëjmë diçka për fëmijët tanë, bashkatdhetarët tanë fillimisht këtu në Norvegji e tani
kudo në botë; më 2 Korrik 2001 hapën radiostacionin që aq bukur simbolikisht
tingëllon, “Zëri i Arbërit”. Pikërisht në këtë datë për herë të parë u dëgjua fuqishëm
zëri Arbënor në etërin e Norvegjisë “Ju flet radio “Zëri i Arbërit” në valën FM 99.0 MHz”!
në radiostacionin regjional RADIO FOLLO i cili dëgjohej edhe 50 kilometra në
brendi të Suedisë…
Para kësaj përshëndetje në gjuhën e Perendisë, realizatori teknik i Radio Follos,
z.Per Sverre Egen, në fund të emisionit, kur duhej të fillonte programi shqip, informoj
mesa vijon dëgjuesit norvegjez: “Tani në vazhdim do dëgjoni premieren botërore, zërin
shqip për komunitetin shqiptar në Norvegji”…A mund të përshkruhen emocionet kur u
dëgjua HIMNI I FLAMURIT? Pastaj fjala hyrëse e redaktorit, informatat për Kosovën me
përplot plagë kur ende gjaku ishte i vreskët e më të dashurve tanë s`ua dinim as varret…
Pastaj, emisioni për fëmijë “E dua Atdhenë” dhe ato këngë me vlera dhe shprehjen e
bindjes sonë se: Kurr më s`do u prishet lumturia…ëndërrat e tyre! Pasuan këngët me
vlera për të rënët, fjalët e mendimtarëve të mëdhenjë, prezentimi i figurave të shquara
Kombëtare dhe në fund të orës së parë një pikë e mirfilltë humori,(dëshmi këto të cilat
ruhen në arkivin e radios me mijëra skedar edhe sot pas 13 vitesh).
Vitin e parë e filluam me vetëm një orë program;
Vitin e dytë me tre orë programe, kurse vitin e tretë me pesë e në nëntor të vitit 2003
me shtatë orë programe të drejtëpërdrejta…
Nga data e shenjët, 17 Shkurti, 2008, emitojmë program 24 orë për çdo ditë dhe ate
nga 5 e 6 orë drejtëpdrejtë me program edukativ ku pseudovlerat s`kan vend tash 13 vite.
Pasqyra e programeve ditore mesa vijon: për çdo ditë emisioni për fëmijë nga ora 20-
21;00 e pastaj “Mikrofoni i dëshirave të dëgjuesve” Nga ora 22:00 çdo ditë Kalendari
Historik i Botës Shqiptare dhe nga ora 22:00 – 02 pas mesnate temat kryesore në ditët
mesa vijon:
E hënë – Arkivi i radios dhe sa ju ka pëlqyer programi një javor i “Zërit…”
E martë – Sote radhën e ka…emisioni Ftesë në studio, me mysafir…
E mërkurë – Top lista e këndëve; folklorike, popullore, argëtuese…
E enjte – Fjala e bukur artistike,(deklamojmë vargje të Rilindasve e brezat të cilët
i pasuan dhe afirmojmë edhe pena të reja);
E premte – Kuizi i diturisë:22:00-24:00; 00:00-02:00 Programi i natës;
E shtunë – Mbrëmja gazmore dhe
E dielë – Programi me “Thesarët e odave shqiptare”, sajuar me anekdota, thënie
të mendimatërëve të mëdhenjë, satirë etj.
Ne në redaksinë e “Zërit të Arbërit” jemi duke e përgaditur librin monografik për
këtë medium i cili dëgjohet edhe në Zelandë të Re, Amerikë, Kanadë…kudo në
Evropë e trojet shqipëfolëse…ku do zënë vend mijëra letra…puna stafit dhe kontributi
i dëgjuesve i skalitur në skedar dhe shumë gjëra me vlera…
Këtë gëzim të papërshkruar deshëm ta ndajmë edhe me juve të dashur miq kudo që
jeni.
Me respekt, Imri TRENA, Kryeredaktor i radios

Filed Under: Mergata Tagged With: Gazeta Dielli, Norvegji, Zeri i Arberit

ELEGJI DHE KRONIKE PËR NJERIUN E MIRË,MARASH MALI

June 30, 2014 by dgreca

Ne Foto:Marash Mali 1921-2014/
ELEGJOJ PËR NJERIUN E MIRË/

Marash Mali, tu deshën 93 vjet /
për të ardhur në ditën e fundit në Florida/
sepse çdo kush që vjen edhe ikën./

Marash Mali, të shihja me adhurim/
nuk e di binim a nuk binim kushurinj/
edhe unë e kisha gjyshen nga Shkreli./

Marash Mali, siç kishte emrin/
kishe dhe punë të mëdha/
trimërinë, dashurinë dhe dhëmbjen./

Marash Mali, ushtar i Atdheut
Prenk Calin kishe komandat
e burgjeve të diktaturës ua pe tmerrin.

Marash Maliti, udhën e jetës e pate të gjatë
urtësinë po aq të madhe, si mal
dhe dashurinë për artin të pakufi.

Tani ti shkon në amëshimin e pasosun
i qetë se na la pas çfarë deshe
dhe atë që deshe mbi gjithçka: Shqipërinë.

Kolec Traboini
30 qershor 2014

MARASH MALI
1921-2014

I lindur m 1921 në Dedaj të Shkrelit, në një familje e njohur për “vojvodë” dhe mjaft e përmëndur për burra të urtë dhe atdhetarë. Marashi, shkollimin e fillores dhe të mesmes i bëri në qytetin e Shkodrës, si jetim në Jetimoren e konviktit “Malet tona”. Ndërkohë shkon në Itali dhe kryen specializimin, në degën e Pyjeve. Në prag të kapitullimit të nazifashizmit në Shqipëri, bashkohet me katër oficerë madhorë të Malësisë Madhe, në formacionin “Beslidhja e Malësisë së Madhe” e me vullnetarët e kësaj treve kishte për qëllim mbrojtjen e krahinës pa u inkuadruar në asnjë grupim politik. Mbas kësaj, në vijim të beslidhjes, kur u krijua për të njëjtin qëllim “Batalioni Shkreli” me komandant major Dom Nikollë Gazulli, Marashi ishte kapiten i klasit parë në këtë battalion. Mbas ardhjes së komunizmit në Shqipëri, ky bashkë me Llesh Marashin etj., ka qënë njëri nga nismëtarët e kryengritjes së Malësisë Madhe, që i sollën atij edhe burgim politike. Me anë të një amnistije del në liri dhe me këtë rast punësohet si specialist pranë “Byrosë së projektimeve Shkencore Pyjore” në Ministrinë e Bujqësisë, ku falë aftësive si specialist ishte ndër të parët kontribues i rilevimit shkencor të disa ekonomive pyjore shqiptare. Krahas kësaj pune, ka debatuar me shkrime në revisten “Ylli” e gazetën “Bashkimi”, gjithmonë për problemet në mbrojtje të ekonomisë shtetërore. Ishte shumë i dhënë mbas letërsisë, historisë dhe hulumtues i aftë e me pasion i zakoneve kanunore. Vepra e tij e parë, drama historike “Gjaku i falun”, ndonëse drama është shkruar në vitin 1958 dhe vlerësuar nga autorët më në zë të asaj kohe, nuk u bë e njohur, për shkak të motiveve politike. Duke mbet gjithnjë një atdhetar shqyptar. Marashi pranohet edhe me nënshtetsi Amerikane. Bëhet edhe antari i shoqatës se shkrimtarëve shqip- amerikanë dhe shkruan një dokumentar të titulluar.“Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”. Gjatë jetës tij në emigracion në Amerikë shkruan artikuj me vlera historike në “Revistën Kuvendi” në gazetën” Illiria”, në gazetën e Vatrës “Dielli” dhe në gazetën “Shkodra”
Librat e botuar janë “Gjaku i falun”, dramë dhe “Ngjarje historike dhe figura të shquara Shqiptare” publicistikë.

Filed Under: Kronike Tagged With: elegji, Marash Mali, nderroi jete, nga Kolec Traboini

Qeveria e re e Kosovës

June 30, 2014 by dgreca

Nga Uk LUSHI/
Zgjedhjet e Përgjithshme të 8 qershorit në Republikën e Kosovës proceduralisht u zhvilluan shkëlqyeshëm. Qytetarët (si ata që votuan si ata që nuk votuan) qëllimshëm prodhuan një rezultat i cili nuk përcakton fitues të pastër. Me deklarimin shatra-patra të vullnetit të tij populli i Kosovës u ka dërguar skalioneve politike vërejtje serioze se nuk janë duke punuar mirë dhe nëse nuk përmirësohen, shumë shpejt dhe pa paralajmërim, mund të hidhen në koshin e të kaluarës dhe turpit politik.
Mirëpo kastat politike të Kosovës, në vend se të reflektojnë për metoniminë e pakënaqësisë popullore, akoma pa u bërë certifikimi i numërimit të votave, nisën një lojë politike prozaike dhe të paskrupullt. Tash për tash, kundruall qëndrojnë dy taborë xhindosja e të cilëve me njëri-tjetrin është brengosëse. Në njërën anë janë rreshtuar PDK me një grumbull partiçkash, kurse në tjetrën janë fortifikuar LDK, AAK dhe Nisma, me Lëvizjen Vetëvendosje në prapavijë.
Partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje demokratike natyrisht që e kanë të drejtën e patjetërsueshme të afrohen dhe lidhen me cilëndo organizatë politike që duan, por çdo subjekt politik është i obliguar të marrë parasysh edhe pasojat për vendin të çdo veprimi që bën e, bile, edhe që nuk bën. Pasojat e lëvizjeve politike bëhen jashtëzakonisht të rëndësishme veçanërisht kur ka ngërç në sistemin politik. Përfaqësuesit e zgjedhur në një shoqëri demokratike nuk duhet kurrë të bëjnë pushtetin prioritet mbi shtetin. Lojërat taktike për fuqi pushtetare mund t’i kushtojnë Kosovës shumë dhe duhet të ndalohen përnjëherësh. Patriotët e vërtetë kontribuojnë jo vetëm kur kanë pushtet, por edhe në opozitë.
Vendi ynë ka probleme të rënda që mund të na eksplodojnë në duar çdo çast. Nuk kemi kohë për byrytje ambiciesh të papërmbajtura dhe intriga të poshtra. Republika e Kosovës nuk e ka përfunduar përpjekjen e madhe të shtet-ndërtimit. Fqinja jonë në veri-lindje, Serbia, ende mundohet t’i realizojë ëndrrat e saj hegjemoniste, paksëpaku pjesërisht, dhe, nëse i krijohet rasti dhe nëse lejohet, mund të tentojë të ndërhyjë në territorin tonë si Rusia në Ukrainë. Ekonomia është e lodhur dhe në nevojë për reformim formal dhe përmbajtjesor. Papunësia, varfëria dhe boshllëku i mosekzistencës së klasës së mesme rrezikojnë shpërthime sociale fatale. Bota dhe bashkësia ndërkombëtare, që ne e kemi për qejf t’i quajmë miqtë tonë— duke harruar se në marrëdhëniet e shteteve nuk ka dashuri por vetëm interesa— kanë probleme më urgjente se gjendja dhe meskinitetet e pjesës së madhe të pjellës politike të Kosovës dhe nuk na kanë në qendërvëmendje siç gabimisht beson një pjesë e popullit tonë. Në fund të fundit ne vetë duhet të arrijmë në stadin ku ndërkombëtarët duhet t’i mbajmë në distancë partnershipi për çështjet dhe aspiratat tona. Gjithashtu na duhet edhe një grimë kohë derisa vërtetë të kemi elita dhe politikanët nuk guxojnë që me veprime të papërgjegjshme të shtyjnë fillimin e punës së madhe që na pret të gjithëve. Shumë njerëz kanë dhënë mund, djersë dhe gjak që Republika e Kosovës të bëhet. Porse bërja nuk është e mjaftueshme. Republika duhet të forcohet dhe çimentohet si mekanizëm i përhershëm i popullit të Kosovës.
Sido që do të ndodhë, Kosova assesi nuk do të mbetet pa qeveri. Mirëpo kjo kohë e kërkon një qeveri të re ndryshe. Momenti dhe zhvillimet politike, pavarësisht cili grupim e merr mandatin zyrtar ta formojë ekzekutivin, kushtëzojnë një qeveri mikse— gjysma me politikanë dhe gjysma me ekspertë dhe teknokratë. Politikanët kanë nevojë për ekspertët sepse tashmë është e qartë që nuk e kanë kapacitetin të zgjidhin problemet që janë bërë stivë, ndërkaq ekspertët i nevojisin politikanët sepse nuk posedojnë legjitimitetin zgjedhor dhe mbështetjen e infrastrukturës partiako-politike. Qeveria e re me këtë kombinacion do të ketë pushtetin për një periudhë kalimtare ndërsa do të prishë klientelizmin dhe status quo-në që e ka përfshirë Kosovën në vitet e fundit dhe njëkohësisht do të godasë vatrat e korrupsionit dhe istikamet e forcave që kanë shfrytëzuar shtetin për interesa të ngushta. Dihet që qytetarët e Republikës së Kosovës janë më të izoluarit në Europë dhe kjo katastrofë duhet kthyer në vendosmëri që agjenda e integrimeve kombëtare dhe europiane të përshpejtohet. Së fundmi, angazhimi kryesor i këtij ekzekutivi të ri me politikanë me autoritet dhe profesionistë të ditur duhet të përqendrohet në përgatitjen e Republikës për zgjedhjet e ardhshme dhe transfuzionin e klasës politike me kuadro të afta dhe përgjegjshme.
Kosova ka personalitete me zotësi si brenda shtetit ashtu edhe në Diasporë. Populli ynë ka pasur suksese të mëdha në luftën për lirinë e Kosovës pikërisht pse arritëm të mobilizojmë krejt kapacitetet njerëzore dhe materiale si popull. Kosova demokratike dhe vend i mundësive për të gjithë ka qenë ëndrra e heronjve dhe martirëve të saj që flijuan jetët e tyre dhe ajo është edhe ëndrra e shumicës sonë absolute.
Në çdo shtet me demokraci të mirëfilltë zgjedhjet parlamentare janë një ngjarje e gëzueshme. Qytetarët shkojnë në vendvotime për të kryer detyrimin dhe të drejtën e tyre më të rëndësishme. Populli i mrekullueshëm i Kosovës nuk do t’i falë më ata që u ka besuar me përfaqësim dhe pushtet. Është rasti i fundit që këtyre qytetarëve që kanë sakrifikuar përgjatë një jete njeriu t’u jepet një qeveri që do të krijojë bazën që qeveritë pasardhëse dhe të reja gjithmonë të gjejnë vendin më mirë se sa kur e kishin marrë nën kujdes atë qeveritë në ikje. Qeveria e vetme që mund ta ndryshojë kursin e deritanishëm të keq do të jetë një qeveri e re, e cila doemos duhet të jetë mikse.

Filed Under: Analiza Tagged With: e kosoves, Qeveria e re, Uk Lushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4530
  • 4531
  • 4532
  • 4533
  • 4534
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT