Nga Pjetër Jaku/
Kryesia e Degës së Vatres Michigan ,të martën me datën 10 Qershor 2014, në Bibliotekën e Kishës së ShënPalit pati një takim me Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe sekretarin e tij, Dom Fatmir Koliqin. Në takim merrnin pjesë Famullitari i kësaj Qendre Dom Fran Kola, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës, Dom Fatmir Koliqi, Kryetari i Degës së Vatrës Alfons Grishaj, Nënkryetari Pjetër Jaku, sekretari Mondi Rakaj, anëteri i këshillit të përgjithshëm të Vatrës, Kujtim Qafa, arkëtari i kësaj dege Julian Çefa dhe aktivisti vatran PetritDoda.
Në këtë takim, i cili zgjati për më shumë se një orë, u diskutua rreth punës së Vatrës dhe rëndësisë së këasaj Federate Panshqiptare në të gjitha problemet shqiptare, në jetëgjatësinë e saj, si një ndër organizimet më serioze në diasporë dhe që ka luajtur një rol të rëndësisë së veçantë në zgjidhjen e problemeve me rëndësi kombëtare. Përafërsisht këtë e theksoi Ipeshkvi në përshëndetjen e tij, duke u ndaluar edhe në bashkëpunimin e saj me oragnizmat fetare që ka pasur e ka në diasporë, sidomos në Amerikë. Imzot Dodë Gjergji theksoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin vëllazror të shqiptarëve, edhe pse kanë besime të ndryshme.“ Para se të jemi katolikë, mysliman apo ortodoks, – theksoi Ai,- jemi shqiptar, ndaj edhe nuk kanë pse të na ndajnë besimet kur bëhët fjalë për kombin, për gjuhën, për kulturen tone të përbashkët. Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike kanë një bashkëpunim të mire dhe në asnjë rast nuk dalin me deklarata që kundërshtoj nënjëra- tjetrën edhe kur ka pasë raste të diskutueshme. Bash për këtë edhe ju këtu, sidomos në Detroit duhet të siguroni një koordinim të mire të aktiviteteve të përbashkëta e vëllazërore. Përsa i përket dyKishaveKatolike, që funksionojnë në këtë komunitet vital, falë edhe punës e ndihmës tuaj, unë mora përgëzimet më të mira, në takimin që pata dje në Arqipeshkvinë e Detroitit, – përfundoi Ipeshkvi.”
Nga ana e tij, Kryetari i Degës sëVatrës, Alfons Grishaj e falenderoi Ipeshkvin për takimin që u kishte rezervuar, duke vënë në dukje bashkëpunimin që kishin siguruar me këtë qendër fetare dhe kombëtare, falë punës së mire dhe përkushtuese të Don Fran Kolës, i cili në të gjitha rastet edukimin fetar e lidh me atë patriotic dhe kombëtar, duke qënë i pranishëm dhe ndihmuar çdo aktivitet të këtyre përmasave. Poashtu,-vijoj kryetari i kësajDege, ne kemi bashkëpunuar dhe gjetur mirëkuptime dhe me Kishën ZojaPajtore dhe famullitarin e saj Dom NdueGjergji, i cili në të gjitha evenimentet e rëndësishme ka qënë pjesëmarrës. Kemi bashkëpunim shumë të mire edhe me Teqen Bektashjane të Baba Rexhepit dhe po përpiqemi shumë të kemi të njëjten marrëdhenie edhe me Xhaminë Shqiptare të Detroitit, e cilakohët e fundit ka qënë lëkundur paksa.
Në këtë takim folën edhe nënkryetari i kësaj dege PjetërJaku, duke kërkuar që Ipeshkvia e Kosovës në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës të ndikoj në përmirësimin e marrëdhenjeve të Xhamisë së Detroitit me Qendren Katolike të ShënPalit, si dy komunitete që kanë bërë histori në qendrimet e tyre atdhetare.
Poashtu, Kujtim Qafa dhe Julian Çefa falenderuan Ipeshkvin për këtë takim, si dhe Dom Fran Kolen për punë e tij të mire në shërbimet fetare dhe ato patriotike, duke qënë një punëtorë I zellshëm ne të mirën e shqiptarëve.
Pas takimit, Këshilli i kësaj Kishe kishte përgaditur një drekë, e cila kaloi në një atmosphere gazmore, ku nuk mungoi ndonjë pyetje miqësore Ipeshkvit, por as humori, që zakonisht shoqëron kohën pas një takimi serioz.
RRUGA HISTORIKE E VATRES – VATRA NE VITIN 1919
Ne Foto- Delegatet ne Kuvendin e Vatres me 1920/
Sulmi i Grekeve ne jug, vdekja e Ismail Qemalit dhe “gerricja” e Mihal Gramenos tek Koha, delegatet e Vatres ne Zvicer Mithat Frasheri dhe Dr. Mihal Turtulli, Vatra dhe marredheniet me miqte angleze-Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, Konferenca e Paqes dhe armiqte e Shqiperise Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë…/
Javën e fundit të Jenarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë.
Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.
Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Peruza t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit.
Dielli, në një artikull të shkurtër, tha ca fjalë të mira për Ismail Qemalin pas vdekjes së tij, të cilin e pat kundërshtuar dhe kritikuar ashpërisht për një kohë të gjatë. Me atë rast, Mihal Gramenua shkrojti në gazetën e tij “Koha” dhe e duguliti Diellin duke i hedhur këtë gur: “Vdis pa të të dua!” Ay koment i shkurtër po në vënt e zemëroj editorin e Diellit Bahri Omarin, i cili në përgjigjjen e tij përdori ca fjalë të dobëta kundrë Ngritesit të Flamurit dhe editorit të “Kohës.”
Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.
Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.
N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.
Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.
Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.
Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.
Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.
Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.
Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!
Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.
Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.
Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.
Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.
Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.
Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.
Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.
Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.
Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.
Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.
Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.
Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.
Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.
Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.
Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë të Diellit në Shqipëri.
Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).
Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.
Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë për nder të Zonjës.
Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”
Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.
Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.
U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.
Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.
Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.
Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.
Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.
Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.
Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.
Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo sumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!
Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.(Fragment nga “Historia e Federates Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit-Ne Foto: Refat Gurrazezi ne Seminarin e 60 Vjetorit te Diellit, NY)
KUVENDI I VATRËS DO T’I ZHILLOJË PUNIMET NË MONROE COLLEGE
Kuvendi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA do të mbahet me 14 Qershor 2014 dhe fillon punimet në orën 10.00 para dite në Monroe College
Adresa:
Monroe College
2501 Jerome Ave, New York, NY 10468
Tel. (718) 933-6700
Në Monroe College shkohet me Trenin D, ose trenin 4 kur vjen nga Manhatan, ose me Autobuzin 12 nëse udhëton nga Manhatani në Bronx me Trenin 2 ose 5.
Ne Foto: Kuvendi i Vatres,prill 2013-Royal Regency hotel,Yonkers,NY
Z. Barka, Ortodoksizmi nuk është antishqiptar, por janë ortodoksit e segmenteve shtetërore greke dhe sllave antishqiptar!
Replik me z.Panajot Barkën/
“Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjalli të vdekurit e mëdhenj grek prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë”./
Nga Arben LLALLA*/
Më 11 Qershor profesori i Katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës prof.dr.Panajot Barka në gazetën Shekulli, botoj një shkrim me titull: “Antishqiptare nuk është Ortodoksia…”. Ku ngre shqetësimet e tij për zërat kundër pranisë së përjetshme të kryepeshkopit të Shqipërisë Hirësisë së tij z.Anastasit dhe deklaratave antishqiptare të Patriarkut serb Irinej. Z.Barka që në fillim të shkrimit të tij e nis me titullin provokues sikur ortodoksinë shqiptarët e kanë kuptuar si antishqiptare, por në të vërtetë i rikujtoj z.Barka se shqiptarët janë ata që e sollën ortodoksinë në Ballkan, tek grekët, serbët dhe bullgarët. Shenjtorët e parë të ortodoksisë ishin shqiptar, por është gjë tjetër që Greqia dhe Serbia i përvetësuan këta shenjtor.
A është ortodoksia antishqiptar? Mendoj që pyetja nuk duhet shtrohet a është ortodoksia antishqiptare, por a janë ortodoksit sllavët dhe grekët antishqiptar? A e keqpërdorin sllavët dhe grekët ortodoksinë për interesat e tyre shtetërore? Nëse do ti referohemi historisë së kombit tonë ushtritë greke e sllave me kryqin në dorë dhe në emër të kishës ortodokse kanë kryer masakra mbi popullsinë e pa mbrojtur shqiptare qoftë muhamedane apo të krishterë, pra nuk kanë bërë dallime fetare por etnie në rastin e kombit shqiptar. Kujtesën e kemi të freskët për luftën në Kosovë dhe masakrat e ushtarëve serb që i bënin më kryqin ortodoks, pa folur për ato vrasjet e shekujve 19-20.
Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjalli të vdekurit e mëdhenj grek prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë.
Ju z. Panajot Barka, në shkrimin tuaj përmendni Riga Fereun i cili në poemën e tij i bënë thirrje popujve të Ballkanit që të ngrihen kundër Perandorisë Osmane. A e dini ju z.Barka se Riga Fereu nuk e përmend asnjëherë fjalën grek apo elenas dhe shqiptarët i quan Arvanitas? Përse?
Ju në shkrimin tuaj më tej shkruani: “Më 1, në Tiranë dhe në Shqipëri shkruhej një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument. U mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej.” Z.Barka i lini përrallat për studentët tuaj që diplomohen duke ngrohur karriget nëpër kafene, sepse e vërteta është krejt ndryshe.
Ju sjellë z. Barka disa fakte ku është mbledhur Primati Botëror i Ortodoksisë.
1). Primati i ortodoksisë botërore është mbledhur më 19 Nëntor, në Serbi me rastin e vdekjes së Patriarkut Pavlo.
2). Më 5 Tetor 2013, në Beograd u mbajt mesha me rastin e 1700 vjetorit të nënshkrimit të Ediktit të Milanos, 313. Kjo meshë u festua në katedralen e Kryeengjullit Mihal me nisjen e lutjeve nga Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, etj.
3). Më 6 Tetor 2013, për në qytetin e Nishit, në vendlindjen e Kostandinit të Madh. Falja e ditës u krye në kishën e sapo ndërtuar të Shën Kostandinit dhe Elenës. Pas ritualeve fetare Patriarku i Serbisë Irinej u ndau medalje të artë të akorduar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë “Perandori Kostandin”, drejtuesve të kishave ortodokse botërore, midis tyre dhe kryepeshkopit të Shqipërisë hirësisë Anastas Janullatosit.
4). Më 7 Tetor 2013 krerët ortodoks si Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Patriarku i Serbisë, Irinej Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, vazhduan turneun për në kryeqytetin e Malit të Zi, Potgoricë ku mbajtën meshën në katedralen e “Ngjalljes së Shën Sotirit”.
Mund tju sillja edhe fakte të tjera për takimet e Primatit Botëror të Ortodoksisë , por mjaftojnë besoj këto të kohëve të fundit.
Më tej z.Barka na Amniston Shën Kozmain, ku sipas tij, ai përhapte ortodoksinë në gjuhën zyrtare greke ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Ky nuk është argument për ta Amnistuar Shën Kozmain tek shqiptarët sepse e dimë fare mirë misionin e tij. Shën Kozmai është babai i përhapjes së greqizimit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, njëri në to është shkrimtari grek, Thoma Paskidhus. Shën Kozmai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Në gazetën “Shqip”, 7 tetor 2006, prof. Delvina solli dokumente për Shën Kozmanë, ku thuhej: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit). Një dokument tjetër për greqizimin e fshatrave shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait janë Frashtani dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohen nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të greqizohen.
Ju, Profesor Barka në tërë opinionin tuaj nuk përmendët faktin e provokimit të Patriarkut serb Irinej dhe ngritjen e flamurit serb brenda territorit e Katedrales “Rigjallja e Krishtit”. Ku përfaqësuesit e kombeve të tjera që ishin të ftuar nuk e ngritën flamurin e tyre kombëtar atë ditë, duke respektuar mikpritjen shqiptare.
Ne, shqiptarët që mendojmë dhe veprojmë me zemër e mendje shqip, nuk kemi frik nga ringjallja e ortodoksisë shqiptar, por kemi frik nga asimilimi i ëmbël i ortodoksëve shqiptar në ortodoks grek dhe sllavë, gjë që është e dëshmuar.
Në përfundim z.Panajot Braka ju rikujtoj që Ju nuk e keni të drejtën të diskutoni për Ortodoksinë shqiptare sepse s’jeni me kombësi shqiptare, për ortodoksinë shqiptare lërini të diskutojnë vetëm shqiptarët sepse ne kemi figura të ndritura që na kanë lënë disa Amaneti si: Ne vërtetë kemi Bajram dhe Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë. Prandaj nuk kemi nevojë për këshilla nga ata që s’ia duan të mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku bëni pjesë edhe Ju, këtë ua dëshmojë me fakte.
Ç’ju lidh juve z. Barka me drejtuesit e disa organizatave ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë? Në çfarë cilësie merrni pjesë në festimet për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit? Ku ndodheni në podium në këtë foto me ekstremistin Harrallambos –Babis Karathanos, deputetin Virona G. Polidhoras.
Për çfarë qëllimi z. Barka i keni dërguar Raport mbi gjendjen e minoritetit grek Institucioneve Ndërkombëtare në vitin 2003, ku përmendni edhe Autonominë e Vorio Epirit? Ky raport është përgatitur nga Ju, ekstremisti grek Babis Karathanos, A. Soku dhe K. Saferatis.
*HISTORIAN
Antishqiptare nuk është ortodoksia…
Nga Panajot Barka*/
Ne Foto: Panajot Barka,Babis Karathanos,Virona G. Polidhoras/
Zhvillimet mediatike që pasuan inaugurimin e katedrales ortodokse në Tiranë me praninë e primatit të ortodoksisë botërore, konfirmuan në ekstremitet konstatimin e Kadaresë te diskursi “letrar”, “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Antishqiptarizmi i këtij segmenti të rëndësishëm për çdo shoqëri të emancipuar në dukje është në mbrojtje të ortodoksisë në emër të kombëtarisë. Në esencë është kundër ortodoksisë, për shkak të përparimit të saj. Duke iu referuar logjikës së Kadaresë, “furtuna” mediatike kundër ortodoksisë nga ekstraortodoksë, ishte në thelb një tregues “i ndjesisë këmbëngulëse kundër Evropës”. Madje, u përdorën mjete që komprometuan keqas moralin intelektual. Një analizë krahasuese, çon në fatin e Voskopojës dhe simetrinë e kontradiktave të fundit të shekullit të 19-të,dhe fillimshekullit të 20-të, në lidhje me Shqipërinë, ku aktorë ishin faktorët me interesa gjeostrategjike të njohura historikisht.
Qëllimi është krijimi i ndjesisë së fajit dhe inferioritetit të komunitetit ortodoks ndaj “përfaqësuesve të kombëtarësisë”. Para disa kohësh dukej sikur këto qarqe e dëshironin veprën primatit të KOASH-it, Kryepeshkopit Anastas, për ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare, por duke e mohuar atë personalisht. Reagimet e fundit treguan se më shumë kanë frikë nga kjo ringjallje e kishës ortodokse. Pra nuk duan as Kryepeshkopin dhe as veprën e tij. Një situatë e tillë, ka provokuar midis ortodokseve shqiptarë autocensurën, e manifestuar nëpërmjet heshtjes dhe e keqinterpretuar si përkrahje e këtyre qarqeve, ose si tolerancë. Ortodokset nuk reaguan as kur akuzuan besimin e tyre si më të rrezikshëm se fundamentalizmi islamik. Në thelb, këto qarqe bëjnë sikur harrojnë se duke provokuar tolerancën e vërtetë të vendosur midis besimtarëve të feve të ndryshëm në shekuj, tolerancë e cila ka si thelb të shëndoshë, origjinën e përbashkët fetare, mund t’i shndërrojnë komunitetet fetare në Shqipëri në pllaka sizmike në veprim.
Më 1, në Tiranë dhe në Shqipëri shkruhej një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument. U mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej. Takimin, qoftë edhe ceremonial, e kryesonte Patriarku Ekoumenik i Kostandinopojës, i cil vjen i dyti pas Papës. Në kushtet e krizës globale, ky takim shënjon nevojën e bashkëpunimit e të mirëkuptimit në plan ndërkombëtar. Dhe ky fakt historikë ndodhi në Tiranë disa javë para se Evropa të vendosë r statusin e vendit kandidat. Kisha Ortodokse dha një mesazh të pashembullt drejt kësaj aspirate të popullit shqiptar. Për këto qarqe, eklipsuan peshën historike të pranisë së primatit botëror të ortodoksisë me prezencën e një njeriu me veladon, i njohur me emrin Nikoll Marku. U promovua si shpëtimtar i ortodoksisë shqiptare nga primati i ortodoksisë botërore, një njeri të cilin rregullat kanunore të ortodoksisë nuk e njohin për prift. U promovua një njeri që mban të uzurpuar një kishë pronë të KOASH-it. Nikollë Marku i ka humbur të gjitha gjyqet për pronësinë mbi të, megjithatë nuk pranon ta dorëzojë kishën. Argumenti se ai për këtë veprimtari ka marrë leje nga shteti, në rastin e hierarkisë fetare ortodokse është i pavlerë, se bëhet fjalë për një OJQ. Ana tjetër e kësaj përbaltjeje të ortodoksisë nga këto qarqe lidhen me ngatërresën e qëllimshëm midis autoqefalisë dhe puritanizmit (shqiptar).
Në emër të traditës kishtare shqiptare pretendohet për një shkëputje puritane nga tradita kishtare ortodokse në përgjithësi. Sebepi kësaj here u gjet te përdorimi i greqishtes nga drejtuesi i meshës, Patriarku Ekumenik Bartholemeu. Primati Ekumenik mëshoi në gjuhën zyrtare të traditës së kishës bizantine, që është gjuha greke. Por u respektua edhe parimi “një besim shumë gjuhë” i zbatuar në perandorinë me jetëgjatë në botë, për të ruajtur harmoninë dhe tolerancën ndërkomunitare të saj. Ndaj, bashkë me greqishten u dëgjua edhe shqipja edhe mbi 10 gjuhë të tjera. Nga ana tjetër, asnjë nga popujt ortodoksë të ish-perandorisë bizantine dhe asaj otomane, pavarësisht nga marrëdhëniet e vendosura me Patriarkanën në momentin e pavarësimit të kishës së tyre, nuk mohuan në vijim tharmin grek. Në raport me Shqiptarinë. Sipas Nathalie Clayer, shqiptarizmi në vitet ’70-të të shekullit 19-të ishte “produkt i helenizmit ose si identifikim ose si reagim”. Konkluzioni i ballkanologes franceze, përbën faktikisht edhe thelbin e marrëdhënieve midis helenizmit dhe shqiptarizmit në formim. Në vitet ’30-të të shekullit të 19-të, kur Shoqëria Biblike i kërkoi leje Patriarkanës për përkthimin e librave të shenjta në gjuhën shqipe, kjo e fundit e pranoi, pasi besonte se ishte një mundësi që elementi shqiptar, nga më të devotshmit në krah të Perandorisë Otomane, të rikthehej te besimi i krishterë. Në atë kohë, me përjashtim të Greqisë, ajo që përvijohej te popujt ballkanas ishte lufta kundër Perandorisë Otomane. Në këtë drejtim çonte ujë edhe përpjekja e shën Kozmait për të ruajtur ortodoksinë nëpërmjet gjuhës së saj zyrtare –greqishtes, ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Iluminizmi i tij shkonte përkrah idesë së Riga Fereut për bashkimin e të gjithë popujve të Ballkanit kundër Perandorisë. Po kësaj ideologjie i shërbente dhe Voskopoja, e cila në bashkimin e popujve të krishterë kundër Perandorisë Otomane nuk mund të mos vinte re elementin shqiptar dhe si të tillë nuk mund të mos stimulonte gjuhën e tij, ashtu siç bëri edhe për popujt e tjerë, duke botuar libra e fjalorë me bazë greqishten. Mirëpo, duhet venë re se, nëse Ali Pasha e dogji Voskopojën se konkurronte Janinën, shkatërruesit e mëvonshëm të saj, të shpallur heronj, nuk kishin argument tjetër veçse rrezatimin e saj multietnik ortodoks, zhvillim që trembte shumë Perandorinë Otomane. Duhet thënë a se themeluesit e shqiptarizmit në shekullin e 19-të ishin kryesisht ortodoksë. Aktivizimi i tyre për dekada të tera, solli promovimin e krishterimit ortodoks shqiptar dhe në vijim promovimin e gjuhës shqipe si element bazë të identifikimit kombëtar. Pra, në periudhën e gjatë deri në ditën tona të krishterimit ortodoks, tharmi grek është i pamohueshëm. Nëpërmjet Bizantit iu injektua Perëndimit dhe Lindjes dhe qëndron në themelet e ortodoksive të kombeve e shteteve. Ortodokset shqiptarë, pavarësisht nga arsyet, u treguan punëtorët më të mëdhenj në shërbim të kombit të tyre. Në këtë aksion të gjatë historik ata asnjëherë nuk i pengoi as të qenit ortodoksë e as të pasurit lidhje me traditën helene. Ahmet Zogu u mbështet pikërisht te ata për të ndërtuar shtetin e parë shqiptar. Të njëjtën gjë bëri edhe sistemi komunist. Hoxha, kur i duhej të identifikonte Shqipërinë me Perëndimin, i tregonte asaj pikërisht kulturën ortodokse shqiptare. Sot, kisha ortodokse e ka përparimin e saj të padiskutueshëm. Qarqet që i prodhojnë të njëjta shkaqe historike, janë shfaqur dhe veprojnë kundër saj. Veprimi i parë ka të bëjë me lejimin e shkatërrimit përfundimtar të traditës shekullore të kulturës ortodokse në vend. Veprimi i dytë ka të bëjë me pengesën, diskriminimin dhe zhvlerësimin si antishqiptare të arritjeve të sotme të Kishës Autoqefale Shqiptare.
* Botoi: SHEKULLI, 11, qershor 2014