• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhuna seksuale ndaj femrave – krim kundër njerëzimit

June 12, 2014 by dgreca

(Më 10-13 qershor 2014 po mbahet në Londër një konferencë ndërkombëtare kundër dhunës seksuale si instrument lufte, organizuar nga Sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe William HAGUE, me pjesëmarrje të aktores amerikane Angelina JOLIE, si dhe 140 shteteve të botës.
Për këtë konferencë ishim të ftuar edhe ne si Kishë katolike e Kosovës. Në pamundësi të pjesëmarrjes, ja shkrimi i përgatitur për këtë rast dhe shkas…
NGA DON LUSH GJERGJI/
Një ndër mjetet më të turpshme të luftës padyshim është dhuna seksuale ndaj femrave, e cila si duket, është përgatitur dhe zbatuar sistematikish nga ana e ushtrisë, policisë, paramilitarëve në luftën e shthurjes së ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Mirëpo kjo dukuri deri me sot nuk është ndriçuar gati aspak, edhe më pak është dënuar nga institucionet dhe organet kompetente juridike dhe administrative. Çka është edhe më keq, femrat fatzeza, të cilat kanë pësuar këtë dhunë, disa prej tyre edhe sistematikisht dhe vazhdimisht, kanë mbetur në vetmi dhe në vuajtje, në heshtje dhe në harresë, në luftë dhe konflikt me vetveten, me rrethin familjar dhe shoqëror. Ato tashmë “jetojnë” sepse të gjalla s’mund të “hyjnë në varr”, s’mund të dalin prej “lëkurës” dhe përvojës së tmerrshme të tyre. E ne, kush dhe ku jemi sot?

1. Pse nuk flitet, shkruhet dhe bisedohet për dhunën seksuale ndaj femrave në Kosovë?

• Mosnjohja e saktë e tematikës dhe numrit të femrave të dhunuara;
• Frika, marrja, diskrecioni, mosbesimi për ta shprehur këtë përvojë të hidhët dhe dramatike;
• Mungesa e individve dhe istitucioneve të specializuara për hulumtimin dhe trajtimin e femrave të dhunuara, si dhe këndveshtrimi i “tabu temës” për ne;
• Frika, rreziku për rrënimin e familjeve të goditura dhe mungesa informimit sa më të saktë dhe krijimi i përkrahjes së opinionit publik ndaj femrave të dhunuara;
• “Morali i dyfishtë” shpesh edhe dhe formal, sa për sy e faqe, që e rëndon gjithnjë e më shumë gjendjen e grave të dhunuara si dhe pozitën e tyre në familje dhe në shoqëri.

2. Çfarë qëllimi mund të ketë dhuna seksuale ndaj femrave?

• Thyrja morale dhe shpirtërore e kundërshtarit në pikën më të ndieshme dhe më të dobët, siç janë femrat. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka thënë se dhuna seksuale ndaj femrave është “arma shkatërruese e luftës” (26 maj 2014).
• Poshtërsimi dhe turpërimi i tyre, shpesh edhe infektimi me virusin HIV, paaftësia për të lindur fëmijë pas këtij keqpërdorimi, ose edhe lindja e fëmijëve të paligjshëm – “kopilave” nga marrëdhëniet seksuale me dhunë.
• Rrënimi i familjes dhe krijimi i mosbesimit mes çiftave martesore. Sipas disa statistikave llogaritet që në ish-Jugodllavi janë dhunuar gjatë viteve 1992-1994 deri në 60. 000 femra. Thuhet që në Kosovë numri i tyre mund të jenë afro 20. 000 femra.
• Nëpërmjet këtij veprimi jonjerëzor, mos të them djallëzor, vazhdojnë pasojat dhe dhembjet e luftës edhe pas përfundimit të saj, ndoshta në shumë raste edhe gjatë tërë jetës së tyre, të familjeve dhe të afërmve të tyre.

3. Çka duhet dhe mund të bëjmë ne?

• Njohja dhe trajtimi i dhunës seksuale ndaj femrave të jetë jo vetëm krim ndërkombëtar, por edhe krim kundër njerëzimit, si “skllavëri” e ditëve tona dhe e kohës sonë, si mjet për asgjësimin moral të kundërshtarit në luftë.
• Kjo nënkupton ndëshkimin sa më të rrebtë dhe shembullor ndaj shkaktarëve të dhunës seksuale ndaj femrave, mbi të gjitha ndihmën, përkrahjen dhe rekuperimin e plotë të grave në forma dhe trajta të ndryshme njerëzore, profesionale, për t’i ndihmuar dhe aftësuar ato për jetën personale, familjare, martesore dhe shoqërore.
• Solidariteti, mirëkuptimi dhe përkrahja e plotë e mbarë shoqërisë, për ta ndihmuar shërimin dhe rehabitimin e femrave të dhunuara, me një logjikë të shëndoshë dhe zemërhapur. Arsyet kryesore janë këto: gratë e dhunuara nuk janë fajtore që janë femra, që kanë një moshë relativisht të re, që janë të bukura dhe tërheqëse, që i përkasin anës kundërshtare në luftë apo në konflik. Pra, të punojmë me to për shfajësimin e tyre shpirtëror dhe moral, si parakusht për rehabilitimin sa më të plotë të tyre.
• Femrat e dhunuara, për mendimin dhe vlerësimin tim, janë heroina dhe martire të lirisë dhe të demokracisë, të cilave ua kanë dhunuar trupin, por jo edhe shpirtin, brendinë, dinjitetin dhe lirinë njerëzore, vullnetin për ta vazhduar jetën.
• Dhuna çdo herë shkaktor frustrim, frustrimi shpërthen në agresivitet. Përvojat e tilla kaq të errëta dhe të vështira, lypset kuptuar dhe trajtuar me shumë vëmendje, kujes dhe dashuri, sepse atë janë plotë me plagë.
• Bashkëndarja e përvojës së tyre, solidariteti, mirëkuptimi, kujdesi dhe përcjellja e vazhdueshme, për t’i aftësuar dhe rehabilituar sa më mirë për jetë, që mos të rrezikojnë humbjen e ndjenjave njerëzore, që mos të pësojnë nga urrejtja në vazhdimësi, që mos ta humbin vetëbesimin dhe mirëbesimin ndaj të tjerëve, me këtë edhe ndjenjen e dashurisë dhe përkatësinë e gjinisë femrore. Nga statiskika dihet që 17% të femrave të dhunuara bëjnë vetëvrasje, si alternativë e vetme për t’i ikur frustrimit dhe poshtërsimit të vazhdueshëm.
• Seksualitieti është një ndër mënyrat e rëndësishme të komunikimit ndërgjinor dhe ndërnjerëzor, për tejkalimin e vetmisë, egoizmit, për shprehjen e dëshirave, nevojave, kërkesave ndaj tjetrit, për jetësimin e dashurisë.
• Dhuna seksuale është posedimi e femrës, objeketivizimi i saj, shndërrimi në gjësend, keqpërdorimi dhe keqtrajtimi i skajshëm i seksualitetit. Dhuna seksuale thellë lëndon dhe keqpërdor nderimin, lirinë, integritetin trupor dhe shpirtëror të femrës, barazinë e plotë gjinore mashkull-femër, është robëri epshore për njeriun.
• Në aspektin moral të krishterë dhuna seksuale ndaj femrave gjithmonë dhe gjithkund është mëkat i madh apo i rëndë, dëmton parafytyrimin e Zotin në njeriun, është dekadenca e rëndë morale dhe shpirtëore.
• Ne, familja, shoqëria duhet të përqendrohemi në dy drejtime: për trajtimin sa më të gjithanshëm të dukurisë së dhunës seksuale ndaj femrave, pra, për dënimin e merituar ndaj zbatuesve dhe shkaktarëve, por edhe më tepër për mirëkuptimin, shërimin dhe rehabilitimin sa më të mirë dhe të suksesshëm të femrave të dhunuara. Ato vërtet janë persona që ne duhet t’i çmojmë, t’i nderojmë, t’i përkrahim, sepse kanë dhënë shumë nga jeta e tyre për liri dhe demokraci, për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë.
Prishtinë, 10. 06. 2014
Don Lush GJERGJI

Filed Under: Analiza Tagged With: – krim kundër, Dhuna seksuale, don Lush Gjergji, ndaj femrave, njerëzimit

ARSHI PIPA PËR FAN NOLIN

June 12, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Muajin e kaluar u shënjtërua kisha ortodokse shqiptare, “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë ku ishin ftuar shumë udhëheqës botërorë të Kishës Ortodokse dhe ku ishin të pranishëm edhe udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për Shqipërinë. Dhe si e tillë, megjithëse unë ndoshta nuk e kam ndjekur mirë situatën dhe mbase mund të jem gabim, por mu duk sikurë nuk dëgjova të jetë përmendur shumë emëri i Fan Nolit — arkitektit dhe themeluesit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Thashë me vete, deklaratat fyese anti-shqiptare të kryepeshkopit serb Irinej në Tiranë ishin tepër të rënda për çdo shqiptar, por “harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vet, është e pafalshme.
Harresa zyrtare ndaj rolit që ka luajtur Fan Noli në jetën fetare, politike dhe kulturore të kombit — si kishtar dhe si politikan – nuk ishte e para ndaj tij dhe as ndaj personaliteteve të tjera të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Përballë kësaj atmosfere gjatë shënjtërimit të Kishës Ortodokse në Tiranë, ku me qëllim ose pa qëllim, siç duket u hodhë në harresë roli fetar dhe kombëtar i themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, gati si në hakmarrje fillova të lexoja mbi jetën dhe veprën e Fan Nolit, kështuqë ditët e fundit më ra rasti të lexoj një artikull të gjatë, që kishte shkruar Profesor Arshi Pipa në revistën “Kritika”, më 1944 në Tiranë, revistë kjo që botohej dhe drejtohej prej tij. Artikulli, që më vonë u botua edhe në gazetën “Shqiptari i Lirë” e Komitetit Shqipëria e Lirë në New York, mban titullin, “Fan Noli: Bariu i Popullit”. Si rrjedhim, mendova se ia vlenë që të ndajë disa shënime mbi këtë vlersim të lartë që i bëhet Nolit nga Arshi Pipa, për lexuesit që ndoshta nuk kanë patur rast ta kenë lexuar më parë.
Siç duket, Arshi Pipa i mërzitur nga harresa e deri atëhershme ndaj figurës kombëtare të Nolit u detyrua të shkruante artikullin, sepse sipas tij, figura e Fan Nolit deri atëherë ishte lënë “në heshtje të pameritueme”. Ai e cilëson Nolin si njërin “prej të mëdhëjve tanë, një personalitet politiko-fetar”. “Ai është një përfaqsues i kombit në kuptimin e vërtetë të fjalës”, shkruante Arshi Pipa më 1944.
Duke e quajtur Nolin, “Bari i Popullit”, Profesor Pipa vlerësonte se karakteristikë e fjalimeve dhe të shkrimeve të prelatit shqiptar “është gjithmonë ideali humanitar dhe kombëtar i Fan Nolit” dhe vazhdon duke thënë se, “Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: Atdhe e Njerëzim. Më parë Atdheu!”
Për të bindur lexuesin se roli i Nolit në jetën politike dhe fetare të Shqipërisë nuk duhej qitur në harresë dhe për të pasqyruar njëkohsisht edhe atdhetarizmin e Fan Nolit, Arshi Pipa nxjerrë një paragraf nga një fjalim që Noli kishte mbajtur më 1911 në Amerikë, në një kohë kur, siç thotë ai, nuk kishte Shqipëri, por kishte shqiptarë. “Shqipëria kërkon luftarë. Le të rendim te thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq në flagë të luftës që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shënjtë i Lirisë dhe të vdesim dyke thirrur: Rroftë Shqipëria”. Ishte kjo thirrja e Nolit drejtuar bashkatdhetarve të vet në mërgim më 1911, për t’i shkuar në ndihmë Shqipërisë.
Pipa shkruan se njeriu njihet nga idetë dhe nga ndjenjat e tija dhe shton se idetë e Fan Nolit, mbi disa prej problemeve njerëzore më të rëndësishme, siç janë feja, kombi, qeverisja, janë çështje që Noli i kuptonte shumë mirë”, thotë Profesor Pipa. Noli, shkruan ai, e kishte kuptuar se, “Feja dhe kombësia nuk janë dy ide që përjashtojnë njëra tjetrën. Mjaftë që e para t’i përshtatet së dytës. Feja përfshihet kështu tek kombi, si një rreth më i vogël, në një rreth më të madh…në atdheun shqiptar që i përmbledhë, jo ma si rrathë të dalluem, por si tri unaza të lidhura bashkë me një nye trefish, të pakëputshëm, në mes”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa, në vlerësimin e tij në lidhje me idetë e Nolit përsa i përket kombit dhe rolit që duhet të luajnë fetë në një shoqëri.
Në artikullin e tij, kundër heshtjes dhe harresës së rolit që ka luajtur Fan Noli në historinë e kishtare dhe kombëtare të Shqipërisë, të shkruar 70-jetë më parë në revistën “Kritika” që ai vet botonte në Tiranë — në lidhje me problemet në relacionet komb-fe, — Arshi Pipa citon Nolin të ketë thënë se, “U muar vesh më së fundi se mjerimi ynë s’ish aq në ndryshimin fetar (midis nesh), se sa ndër krerët fetarë të huaj dhe për ata që vepronin si vegla të tyre të vërbëra.” Për hir të fesë nuk ndrrohet kombësia, shkruan Pipa dhe vazhdon të citojë Nolin i cili ka thënë se, “Njeriu mund të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë kombësinë e tij, pa venë në ball një vulë prej tradhëtari”, ka deklaruar Bariu i Popullit, Fan Noli
Arshi Pipa shkruan mbi Fan Nolin-Bariun e Popullit, duke komentuar se, “Feja për Nolin ishte një funksion i kombësisë.” Sipas tij, “Noli u bë prift pse ashtu e donte dobija e atdheut”. Ndërsa në lidhje me gjëndjen aktuale politike të kohës, të cilën Pipa e cilësonte si “lëngatën e vazhdueshme të këtij vendi të vuajtun”, ai e citon Nolin ta ketë përshkruar anarkinë politike të atëhershme duke thënë se, “Këtu, brenda një dite, si me magji – tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar.”
Vazhdon artikullin Arshi Pipa duke cituar nga kushtrimi i Nolit drejtuar shqiptarëve të Amerikës më 1911, në të cilin ai u bënte thirrje atyre të ndihmonin atdhetarët që kishin marrë pushkën kundër pushtuesit turk, “plot sulm e flakë baroti”, duke kritikuar gjithashtu edhe ato që ai quan si “injorancën, mungesën e kulturës dhe mungesën e ‘fundit moral’, siç e quajti Noli. Ndërsa bën pyetje se, “Cili është morali i një kombi? Cila është ajo gjë e cila e bën një komb të rrojë? Është ideja e madhështisë së tij”, përgjigjet Noli, por vijon duke paralajmëruar se, “Ne nuk njohim historinë, traditat tona, për të pasur një ndjenjë të fortë kombësie”, dhe shton se, “madje vet emëri i Skënderbeut ishte i panjohur për ne”, citohet Noli në artikullin e Arshi Pipës. Noli inkurajon bashkatdhetarët në Amerikë se edhe kombi shqiptar ka heronjë siç ka Amerika, Washingtonin dhe përmend Isa Boletinin dhe Marash Ucin, duke shtuar se lufta dhe fitoret e shqiptarëve nuk janë aspak më të vogëla se ato të heroit amerikan, por thekson Noli, ata nuk njihen sepse “nuk ka pasë historianë që t’i shpallte, poetë që t’i këndonte: Shqiptarë që t’i lexojshin…”.
Në artikullin e tij të botuar shtatë dekada më parë, përveçse ve në dukje atdhedashurinë e flakët të Nolit, Arshi Pipa shkruan edhe për “mendësinë e tij ndriçuese, tipikisht humaniste” dhe në mbështetje të kësaj citon nga fjalimin që Fan Noli kishte mbajtur në Korçë më 1923, ku kishte shkuar për të biseduar me korçarët për mënyrën e qeverisjes. Pipa shkruan se Noli u drejtohet korçarëve në mënyrë të paqët, me një bisedë miqësore, të matur e të arsyeshme duke thënë se: “Kam ardhur për herën e dytë në qytetin tuaj të bukur, me gëzim të math që të këmbejmë mendimet mbi çështjen e Kuvendit Themeltar. Kam ardhur të shoh miqë të vjetër dhe të fitonj miq të rinj. Po këtë herë, jo me bekime në të cilat populli përgjigjet amen, por me proponime dhe mendime të cilat do t’ju ftonj t’i peshoni, t’i pëlqeni e t’i vazhdoni.”
Arshi Pipa e cilëson këtë deklaratë të Nolit, si fjalët e një njeriu të ndershëm i cili nuk dëshiron të përfitojë nga petku i tij fetar për të terhequr turmat. “Flet politikani, heshtë kishtari – feja që bëhet vegël e politikës humbë dinjitetin e vet”, shkruante Arshi Pipa në revistën e tij “Kritika” në Tiranën e vitit 1944, duke shtuar se, “Noli ashtë në politikë sikurse në fe: kundër fanaticizmit, kundër demagogjisë: liberal e tolerant gjithmonë.” Arshi Pipa shprehet në shkrimin dedikuar Fan Nolit 70-vjetë më pare, se “historia, shpeshëherë na duket si shumë e verbët, shumë e egër”, sikur don të na thotë se historia nuk e ka trajtuar drejtë Fan Nolin, dhe e përfundon artikullin e tij duke thënë se, “Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të nalta njerëzore. Ata, që ma tepër e kanë dashtë njerzinë, ata janë kryqëzue prej saj”, ka thënë Arshi Pipa, në vlerësimin e rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit në artikullin me titull “Bariu i Popullit”, në numrin 4 të revistës “Kritika” të viti 1944, të drejtuar prej tij.
Fatkeqsisht, duket se kjo hipokrizi për të cilën shkruante Arshi Pipa 70-vjetë më parë vazhdon të mashtrojë edhe sot idealet më të larta njerëzore, politike dhe fetare dhe të shtrembërojë dhe të mohojë historinë. Anashkalimi, ose siç shkruante Arshi Pipa më 1944, “heshtja e pameritueme” ndaj rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit duket se u zbatua edhe gjatë ceremonisë së shënjtërimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Tiranë, kohët e fundit. Kushdo qofshin ata që e hodhën në heshtje prelatin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse shqiptare, oratorin, diplomatin, letrarin, poetin, muzikologun — Fan Nolit nuk ia ulin as meritat fetare dhe as ato atdhetare dhe as nuk mund t’ia humbin shkëlqësimin e tyre të denjë, as para popullit shqiptar as para botës. Fan Noli mbetet njëri prej viganëve të Rilindjes kombëtare të shqiptarëve, i cili me vetitë e tija të rralla u përpoq dhe kontriboi me sa kishte mundësi për Kishën e vet, të cilën ai themeloi si dhe për Atdheun, për të cilin megjithse në mërgim, jetoi dhe punoi pa kursim. Për këtë, Fan Noli meriton ndër shekuj mirënjohjen, jo vetëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe të mbarë kombit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arshi Pipa, fan noli, Frank shkreli, Kisha Autoqefale

3 Qershor, Vatra per Shpetimin e Shqiperise dhe…njohja nga Shteti Amerikan

June 12, 2014 by dgreca

Me 3 Qershor 1917 VATRA hapi fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë” dhe mblodhi 150 mijë dollarë me të cilat u shpëtua Shqipëria në Konferencën e Paqes/
Qershori ka dy ngjarje madhore për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA, 3 qershor 1917- Dita e Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë dhe 13 Qershor 1912- vatra njihet zyrtarisht prej Shtetit të Massachusetts.
Në Kalendarin e Vatrës dhe rekordet arkivore shkruhet: Me 13 Qershor 1912, u njoh prej shtetit të Massachusetts dhe mori diplomën e saj(Charter), të shënuar prej zotit Albert P.Langtry, sekretarit të Shtetit. Në aplikim ishin të shënuar emrat e Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota.
Pra sot, me 13 Qershor 2014, mbushen 102 vjet nga regjistrimi i Vatrës në shtetin e Massachusetts, ndërkohë që data e themilimit të Vatrës mbetet 28 Prill 1912.

3 QERSHOR- VATRA DHE DITA E SHPËTIMIT TË SHQIPËRISË NGA SHQIPTARËT E AMERIKËS

Data 3 qershor, e cila njihet si Dita e Shëptimit të Shqipërisë, e kishte fillesën që në një takim të Komisionit të Vatrës në muajin Maj 1917. Komisioni që drejtonte Vatrën u mblodh me 20 maj 1917 në orën 3 pas drake. Në qendër të punës ishte raporti i dërguar nga Delegati diplomat i Vatrës në Londër, Mehmet Konica. Pas atij raporti një letër dërguar nga delegate tjetër i Vatrës në Zvicër, Dr. Turtulli, i mallëngjeu vatranët e pranishëm. Delegati propozonte që të ngrihej një Komitet për mbrojtjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Këtij qëllimi t’i paraprinte një fushatë për të mbushur arkën e Vatrës me qëllim që të mundësohej financimi i këtij shërbimi diplomatik i munguar në mungesë të një shteti shqiptar, dhe të financoheshin miqtë diplomatë të Shqipërisë në Amerikë dhe Europë. Propozimi i dr. Turtullit shoqërohej me shembullin e tij dhurus, duke dërguar(1,000.00) një mijë dollar.
Komisioni drejtus i Vatrës e priti propozim-dhurimin me duartrokitje dhe menjëherë nisën diskutimet për detyrat e shqiptarëve të Amerikës në mbrojtje të Atdheut në ato kohë kritike. Diskutatnët arritën në një pikë të përbashkët:Vatra do të mbetej gjithnjë e turpëruar në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e Botës po të mos i përgjigjej nisjes së fushatës të propozuar nga dr. Mihal Turtulli,i cili duke dërguar 1000 dollarë, e bënte fakt të kryer hapjen e fushatës dhe Vatra duhej ta niste sa më parë. U mor vendimi që Vatra t’i përgjigjej dhuratës dhe thirrjes së nxehtë të atdhetarit të shkëlqyer, ashtu si ua kërkonte nderi atdhetarëve të Botës së Re, trimërisht me dorë dhe zemër të hapur.
U vendos me një zë:
1-Të caktohej e Diela e 3 qershorit, si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë, për ët mbledhur një shumë së paku prej 40 miëj dollarësh të këshilluar prej Dr. Turtullit.
2- (Lexoje të plotë në Diellin e printuar)

Filed Under: Vatra Tagged With: 13 qershor 1917, 1912, 3 qershor, dalip greca, Vatra

Freedom House: Shqipëria dhe Kosova, ndryshim pozitiv

June 12, 2014 by dgreca

Nga Julian Zyla/
Organizata Freedom House publikoi sot raportin e saj vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë. Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Për Shqipërinë, kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet për kategoritë e “Procesit elektoral” dhe “Qeverisjes demokratike në nivel qendror”. Të dy këta sektorë janë përmirësuar me 0.25 pikë, në një shkallë nga 1 në 7. Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në këtë raport vjetor dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar janë: “Shoqëria civile”, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”.
Raporti shprehet se “Shqipëria arriti ndryshim pozitiv për herë të parë që nga viti 2008, falë zgjedhjeve parlamentare” të muajit qershor vitin e kaluar dhe “transferimit paqësor të pushtetit”. Vlerësimi për demokracinë në Shqipëri, që përbën mesataren e shtatë sektorëve të vëzhguar, është përmirësuar nga 4.25 në 4.18, në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 nivelin më të ulët.
Në një intervistë në Nju Jork për Zërin e Amerikës, drejtoresha e këtij raporti, Sylvana Kołaczkowska, tha se “ka shenja të hershme se qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma, për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha.”
“Në këtë pikë është ende herët,” shtoi ajo. “Kemi parë jo vetëm retorikë, por edhe hapa konkrete, megjithatë mendoj se është ende herët për të festuar. Ajo që mund të them është se duket të ketë një vullnet politik më të madh në këtë qeveri sesa në atë të mëparshmen për të zgjidhur disa nga dobësitë kronike në vend, në veçanti në sistemin gjyqësor shqiptar.”(VOA)

Filed Under: Rajon Tagged With: Freedom House:, ndryshim pozitiv, Shqiperia dhe Kosova

VATRA-MOS I RIDËNONI PËR SË DYTI ISH TË PËRNDJEKURIT POLITIKË! INDIFERENCA ËSHTË KRIM NË VETVETE.

June 11, 2014 by dgreca

DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA PËR GREVËN E ISH TË PËRNDJEKURVE POLITIKË/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po e ndjek me shqetësimt të madh grevën e të Përndjekurve politikë të Shqipërisë.
Vatrën e shqetëson së tepërmi rrezikimi i jetës së të ngujuarëve, mosreagimi i Qeverisë dy javë pasi të përndjekurit kanë hyrë në Grevën e urisë, heshtja e opinionit qytetar, veçanërisht e shoqërisë civile, madje edhe të organizatave jo qeveritare që kanë prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve (përfshi dhe institucionin e Avokatit të Popullit), mos fokusimi i medias në kërkesat dhe rrezikimin e jetës së kësaj shtrese të përvujtur në diktaturë, të paintegruar dhe të nëpërkëmbur nga politika në më shumë se dy dekada.
Një vend që synon të shkojë në Europë, nuk duhet të heshtë përballë kërkesave të drejta të të përndjekurve politikë.
Në një kohë kur në mitingjet qeveritare shfaqen portretet e diktatorit Enver Hoxha, kërkesa e të ngujuarëve për dënimin e tij si ideator dhe zbatues i ideologjisë totalitare, që sundoi vendin për 46 vite dhe heqjen e të gjitha titujve të fituara gjatë periudhës komuniste, është jo vetëm kërkesë e drejtë por tepër e vonuar.
Politika shqiptare ka zvarritur dhe ka futur në “kalendrat greke”, dekomunistizimin e shoqërisë dhe nuk ka dënuar krimet e komunizmit, ideatorët dhe ekzekutuesit.
Të përndjekurit e ngujuar po kërkojnë hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i detyruan të bëhen të tillë për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruar.
Vatra bashkohet edhe me këtë kërkesë dhe i bënë thirrje Parlamentit të Shqipërisë, forcave politike dhe shoqërisë civile që të hartojnë dhe të miratojnë sa më shpejt ligjin e Lustracionit. Shoqëria shqiptare duhet të ndahet një herë e mirë nga krimet e komunizmit dhe të dënojë kriminelët dhe fajtorët.
Po ashtu Vatra përsërit kërkesën e saj që në emërimet dhe shkarkimet në administratë, të hiqet dorë një herë e mirë nga militantizmi dhe si në të gjithë botën e qytetëruar të aplikohen kriteret profesionale dhe konkurimi. Moskthimi në punë i të pushuarëve që kanë fituar me vendim gjykate, çon në injorimin dhe mosfunksionimin e shtetit ligjor.
Përsa i përket kërkesës së të përndjekurve të ngujuar për përfundimin e dëmshpërblimit financiar brenda afateve të caktuara në ligj dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale, është detyrim i qeverisë dhe i shoqërisë shqiptare.
Heshtja që po shoqëron këtë grevë urie përbën rrezikun e ridënimit të kësaj shterese, më e përvujtuara e shoqërisë shqiptare.
Dialogimi i shtetit shqiptar me grevistët përbën detyrim ligjor, heshtja e ridënon përsëdyti këtë shtresë. A nuk mjafton fakti që të ngujuarit kanë mbi supe 275 vite burg personal apo familjar! Çdo përgojim nuk e zgjidh problemin.
Shoqëria shqiptare nuk mund t’i dënojë me heshtje ish të përndjekurit politikë. Në mënyrë të veçantë Instituti i të Përndjekurëve politikë nuk mund të injorojë kërkesat e bashkvuajtësve.
Një qeveri që aspiron të shkojë në Europë, nuk mund të dënojë me indiferentizëm qytetarët e saj! Një klasë politike që nuk dialogon nuk mund t’i prijë demokratizmit të shoqërisë.
Vatra i bën thirrje shoqërisë shqiptare që të japë kontributin e saj për zgjidhjen e kërkesave të të ngujuarve dhe të marrë në mbrojtje jetën e tyre.
INDIFERENCA, PO, ËSHTË KRIM NË VETVETE!

New York, 11 Qershor 2014

Filed Under: Vatra Tagged With: deklarate, ish te perndjekurit politik, per grevistet, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4556
  • 4557
  • 4558
  • 4559
  • 4560
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT