Sekretari i Vetëvendosjes i jep fund jetës duke u hedhur nga kati i gjashtë/
Rreth orës 9.30, një vdekje e dyshimtë ka ndodhur tek rruga “Muharrem Fejza”, lagjia e Spitalit.
Dyshimet e para janë se bëhet fjalë për vetëvrasje.
I riu i vdekur është Arbnor Dehari, 28 vjeçar.
Ai ka qenë Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinë.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë opinionin publik se sot tragjikisht, në moshën 28 vjeçare, ndërroi jetë aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbënor Dehari. Arbënori rrjedh nga një familje patriotike me prejardhje nga Kumanova. Ai ishte aktivist i devotshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që nga vitet e para të formimit të saj, duke marrë pjesë në shumë aktivitete, aksione, protesta dhe demonstrata. Ka qenë i ngarkuar me detyra konkrete dhe përgjegjësi brenda Lëvizjes, duke qenë me vite anëtar i Sekretariatit Për Media dhe Komunikim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Prej vitit 2012, i ndjeri ka qenë sekretar organizativ i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, duke qenë ndër aktivistët kryesorë dhe më meritorë në fushatën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato të përgjithshme. Vdekja e tij është humbje e madhe si për familjen poashtu edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! Në këto moment të rënda, shprehim ngushllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, dashamirëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në një komunikatë për media të Lëvizjes Vetëvendosje.
Bukurite Shqiptare- Velipoja, një destinacion turistik i preferuar
Nga Nikolla Lena–Një destinacion turistik veror shumë atraktiv për periudhën e nxehtë, mbetet dhe Velipoja. E ndodhur shumë afër qytetit të Shkodrës dhe zonave për rreth saj, afër me Malin e Zi dhe fshatrat e tij në brezin kufitar, duke shfrytëzuar çmimet e leverdisëshme në fjetje e në ushqim, po terheq përditë e më shumë pushues nga këto treva.
Velipoja është një qytezë e vogël bregdetare në veriperëndim të Shqipërisë. Ndodhet në grykëderdhjen e lumit Buna (të vetmit lumë të lundrueshëm në Shqipëri), aty ku ai derdhet në Detin Adriatik në afërsi të kufirit me Malin e Zi.
Velipoja ka një vijë bregdetare të konsiderueshme që përfshin edhe Ishullin “Franc Josef”, i cili vazhdimisht ndryshon formë dhe bëhet tërheqës për vizitorët.
Banorët dhe vet Komuna e Velipojës,e kanë kuptuar rëndësinë e vlerës ekonomike të turizmit. Ata përveç produkteve bujqësore BIO që i kultivojnë në kopshtet e tyre, ofrojnë për pushuesit edhe shumë punime të zejeve tradicionale. Nuk mund të largohesh dotë prej andej pa mar diçka me vete si pjes e një mbrese positive që ke kaluar në këtë vend. Drejtuesit e pushtetit lokal,kanë mar masa për një higjenë normale,shërbim korekt dhe furnizim me ujë të pijshëm. Me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, e shpërndarë në disa vendbanime të vogla, me qendrën më të madhe Velipojën, mirëpresin çdo sezon veror mijëra pushues anembanë trevave shqipëtare edhe për të bërë biznesin e tyre. Sigurisht rëra e jodizuar e ka bërë të famshëm plazhin e Velipojës për cilësitë e saj kuruese, por Velipoja ka më tepër arsye për ta zgjedhur si destinacion për pushimet verore.
Adhuruesit e natyrës do të mrekullohen me gërshëtimin harmonik që do të gjejnë në këtë vend. Deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali janë gjithçka që perëndia mund ti ofronte kësaj pjese të bekuar toke, padyshim mund të cilësohet një perlë e vërtetë e natyrës.
Në ujrat e rrjedhshëm të Bunës të apasionuarit pas peshkimit mund të ushtrojnë sportin e tyre në lloje të ndryshme peshkimi të ujrave të ëmbla si : troftë, krap, etj.
Çmimet e hoteleve, kabinave apo dhomave të akomodimit, janë të ndryshme dhe variojnë sipas kushteve që afrojnë.
Vitet e fundit Velipoja ka rritur potencialin e saj turistik, duke tërhequr jo vetëm pushues nga veriu i Shqipërisë që e zgjedhin këtë plazh për shkak të distancës së afërt por edhe pushues nga Kosova dhe Maqedonia.Velipoja dhe infrastruktura e saj mikëpritëse,mbetet një tërheqëje e veçantë për turizmin Shqipëtar.
Ekspozite pikture në qëndër të Himarës
Nga Zina Tosku/Himara e parë në një këndvështrim tjetër, në një ekspozitë më piktorët shqiptarë të peisazhit. E cilësuar nga organizatorët e saj, si “ ato që natyra dhe historia ia ka dhënë më bollëk Himarës’, ditën e djeshme ka qënë mbrëmja përmbyllëse, me piktoret shqiptarë në një ekspozitë në Himarë.
Pas katër ditëve të grumbullimit në koloninë e piktorëve shqiptarë të peisazhit, mbrëmjen e djeshme është organizuar në qëndër të Himarës ekspozita ku janë prezantuar punimet e artistëve më të njohur .Prezantimi i 100 tablove pikturash me vaj të 30 piktorëve.
Në aktivitetin e organizuar ka qënë i pranishëm dhe nënkryetari i Komisionit të medias dhe sportit, Alfred Peza, ndërkohe kanë qënë të pranishëm dhe piktorë të njohur, si Helidon Haliti, Vangjo Vasili ( pogradec), Abdi Bajrami (tetove), Pashk Pervathe (lezhe), Agron Polovina (berat), Agron Dine (vlore), Jorgo Mici ( janinë). Pas kolonisë së parë të piktorëve të peizazhit të organizuar në zonën e Orikumit, kjo është veprimtaria e dytë që organizon Instituti i Librit dhe i Promocionit në Tiranë në bashkpunim me Bashkinë e Himarës në Dhërmi.
Ne Foto:Piktori Helidon Haliti
Kalendar-Sot, Pesëmbëdhjetë vjet nga çlirimi i Prishtinës
Sot shënohet 15 vjetori i hyrjes së pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë dhe fillimi i largimit të forcave serbe nga kryeqyteti.
Çlirimi i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës ndërlidhet me ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe të veprimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve në ish Jugosllavi.
Përvjetori i çlirimit të Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi. Në të njëjtën ditë, pa koordinimin e NATO-së, në Kosovë kanë hyrë edhe forcat ruse, të cilat janë stacionuar në Aeroportin e Prishtinës.
Për nderë të 11 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Prishtinës, Komuna e Prishtinës organizon një varg aktivitetesh: Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë shfaqet program i shkurtër artistik, flasin Drejtori i Arsimit, Jusuf Thaçi, dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, si dhe bëhet ndarja e certifikatave dhe dhuratave për vendin e I,II, III. Shpërblim po ashtu do të ketë dhe për esenë më të mirë në Konkursin në shkallë komune “Gjuhëtari i Ri 2014”. Po ashtu, do të zhvillohen dy ndeshje sportive miqësore në mes të ekipeve të Gjimnazit “Sami Frashëri” të Tiranës, dhe Gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës:
Kurse, Qendra Kulturore e Fëmijëve, pasdite organizon koncert me këngë dhe valle në Sallën e Kuqe, si dhe ekspozitë me punë dore nga fëmijë të shkollave fillore.(Bota Sot)
BURRI I PESË GRAVE
Tregim Nga Vullnet MATO/
Don Jovani ishte një shofer shtatshkurtër nga Palasa e Himarës. Epiteti Don Jovani, që i kam përngjitur emrit të këtij njeriu, përputhet tërësisht, jo vetëm me karakterin e tij tejet feminist, por edhe me tingëllimin fonetik të Don Zhuanit, aq të njohur në veprimtaritë e veta mashtruese me gratë.
Ai nuk kishte as ndonjë pamje tërheqëse, për të joshur aq shumë femrat, si Don Zhuani i famshëm. Por kishte një natyrë prej zamke, që u ngjitej atyre me ngulmin e pashkëputur, me gazin e paperënduar në buzët e tij dhe me një zë aq nanuritës, sa mund të prekte telat e zemrave të grave të ndjeshme.
Me Jovanin, tepër larg profesionit dhe pasionit tim letrar, më lidhëm dy fije të padukshme të dobësisë sime të hershme: Himara e bukur pranë vendlindjes dhe gjuha greke, që pata mësuar në Sarandë qysh në vegjëli. Duke vënë re se në parcelën gjuhësore të trurit, po më thaheshin disa fjalë të pa ujitura prej kohësh, Jovani ishte një rastësi e mirë ushtrimore, jo vetëm për të vaditur atë gjuhë, por edhe për të mësuar disa pasurime të reja në fjalorin bashkëkohor të greqishtes.
Ajo që dua të tregoj kryesisht, nuk është ky informacion i thjeshtë, por fakti se ky prototip i pushtit shqiptar, më befasoi duke më zbuluar jetën e tij, se kishte pesë gra dhe një tufë fëmijë me secilën prej tyre. Punonte shofer autoambulance në spitalin qendror të Tiranës dhe kjo i jepte mundësi të shkonte në çdo lagje e shtëpi, ku thirrej urgjenca shëndetësore.
Ne u takuam rastësisht, teksa e dëgjova të fliste greqisht me një person në afërsi të pallatit tim, ngjitur me spitalin, ku ai për disa net me radhë parkonte makinën. Jo se spitali nuk kishte parkim për mjetin e tij, por sepse në këtë pallat, atij i kishin mbetur sytë te një vajzë katërmbëdhjetëvjeçare, me të cilën ishte njohur gjatë thirrjes së urgjencës për njërin nga prindërit e saj.
Pra, ai kishte lënë gruan e parë të ligjshme me pesë fëmijë, në shtëpinë e vet dykatëshe në Palasë. Tek e cila shkonte rrallë, sa për të mos e lënë djerrë, sikur barku i saj të ishte një parcelë, ku ai mund të mbillte çdo dy vjet një kokëlakër të re. Sepse për fëmijët e harruar që linte pas, nuk e merrte malli. Donte vetëm sa ta shihte fshati, se ajo familje kishte burrë që gruaja të vazhdonte të mbante lidhur gurët e vjetër të mureve të shtëpisë së tij. Ashtu siç kishte qenë zakoni me burrat kurbetllinj të atij bregdeti, që ktheheshin vetëm kur fillonte t’u harrohej emri. Ndërkohë ai bashkëjetonte me një kuzhiniere të shëndetshme në Tiranë, me të cilën kishte bërë tre fëmijë, pasi ajo e kishte pranuar të banonte në shtëpinë e saj. Kishte dy fëmijë me një infermiere, tek e cila shkonte për të fjetur disa net në javë, me pretekstin se netët e tjera gjendej në gatishmëri urgjence. Kishte shtuar pjellën e tij edhe me dy fëmijë të tjerë te një grua në Sauk. Kishte dy vjet që ishte bërë baba i paligjshëm, me një punëtore të kombinatit ushqimor. Dhe tani së fundi, Jovani bënte dashuri fshehtas te pallati im, me një adoleshente, e cila dilte nga kati i parë, kur prindërit e saj bënin gjumin e mesnatës dhe i shkonte te shtrati portativ që mbante në autoambulancë.
Dy pyetjeve të mia konfindenciale, në mënyrën habitore, ai u ishte përgjigjur kësisoj:
– More Vani, çfarë i shijon ti asaj fëmije?
– E para, ajo ka qejf vetë, – qeshi ai me kërcëllimë. – Pastaj puna ime kuptohet, maçokut të vjetër i shijojnë më tepër minjtë e njomë!…
U preka shpirtërisht nga këto fjalë mizore, sepse nuk mund te qeshja me poshtërsi të tilla.
-Po kështu si e ke zënë ti, more varvat i himarjot, mund të bëhesh me dyzet gra dhe të formosh një batalion me kopilë të paligjshëm!…
– Kurani mysliman, nuk thotë kot, se burri mund të ketë deri në shtatë gra…
– Por ama Bibla jote nuk ta lejon kurrsesi, – ia ktheva me të njëjtën monedhë.
Ai nuk u mendua fare për të më dhënë përgjigjen që meritoja:
– Unë nuk shkruaj libra, – tha krejt i qetë e buzagaz. – Në këtë botë njeriu ka dy qëllime, ose të shpjerë botën përpara me shkencë, ose t’i shtojë botës popullsinë. Unë mund të bëj vetëm të dytën, përderisa karburatori im ma shpie currilin e naftës të digjet mirë në çdo motor…
Mirëpo adoleshentja pa përvojë femërore i hapi telashe të papritura. Dhe Jovani, si rrallëherë m’u duk tejet i mërzitur kur ma zunë sytë sërish.
– E mbusha aksidentalisht!- tha kur e pyeta për shkakun atij trishtimi që shprehte fytyra e tij.
– Ti je i çmendur! – i thashë i tronditur me ton të ashpër.
– Jam i mençur dhe i specializuar për këto punë aty ku punoj, – tha ultas. – Unë lepurin nga barku, ia nxjerr asaj edhe sikur të shkojë tre muajsh, por kam problem, një shuk me para për maminë, që të pranojë ndërhyrjen e abortit në shtëpinë e saj. Tani pres mos na japin ndonjë shpërblim për Vitin e Ri, se rroga nuk më mjafton…
Atë çast m’u kujtua se për tipa të tillë njerëzish sharlatanë, ka një shprehje që përdorin zakonisht gratë: “Të qafsha me lot e me qurre! “
Tri javë rresht, Jovani ishte tym dhe nuk u duk për të kaluar mesnatën pranë pallatit tim. Javën e katërt, në prag të Vitit të Ri, ai i ra borisë, teksa po nxitoja hapat përgjatë rrugës “Bardhyl”
– Jasu, patridha! – lëshoi dy fjalë të vetme, duke nxjerrë kryet nga dritarja e makinës, me atë gazin e tij kërkëllitës, kur ishte me qejf.
– Hë, – i thashë gjithë merak, – ç’bëre për atë hallin e madh?…
– To petakse ! (e hodhi!) – tha greqisht.
Mora frymë thellë dhe sikur u lehtësova nga keqardhja që kisha ndjerë kur më tregoi fillimisht për atë ngjarje.
– Po më dëgjove mua, mos bëj budallallëqe të tjera me të dhe as me ndonjë tjetër, se do gjesh belanë më keq!…- e këshillova për të bërë sadopak detyrën që më takonte.
– Po nuk bëra prapë, vdes! – tha duke qeshur dhe i dha gaz makinës drejt spitalit.
Një copë herë më bëri sërish të mendoj thellë, ky njeri i çakorduar në ndjenjat e tij noprane. Por, duke u marrë me telashet e punëve të mia familjare, gati e kisha harruar, kur pas ca kohësh më doli para syve papritmas, si fanti spathi i ngjyrës së zezë. Ai ndali makinën ndanë rruge, me një pamje krejt të zbehtë, të tretur nga vuajtja e thellë shpirtërore.
– Më ka ndodhur hataja e të gjitha hatave! – lëshoi fjalinë e parë, duke marrë frymë thellë, sikur nuk i mjaftonte ajri.
– Ç’dreqin ke katranosur përsëri, more tartakut? – i thashë duke mos pasur aspak dëshirë të zgjatem në bisedë me të.
– Unë të dëgjova ty, patridha, dhe kam bërë ca frena kohët e fundit, – tha me zë të mekur. – Po gruaja në fshat, pas kaq kohësh i mori vesh të gjitha qyfyret e mia. Ajo nga inati u marros fare, spërkati shtëpinë me benzinë, i vuri flakën dhe i dogji të tëra me kuç e me maç, pastaj shkoi me gjithë fëmijët te prindërit e saj. Mua më la vetëm një gërmadhën me gurë të zinj, që edhe miliona po të kisha, nuk bëhet më kurrë shtëpi siç ishte. Tani kam mbetur si ai huri i shkulur në mes të udhës dhe zoti e di se ku do ngulem, kur të dal në pension. Se edhe ajo kuzhinierja që më mbante në shtëpinë e saj, i kishte shkuar infermieres, dhe duke bërtitur “kurve!”njëra e “kurvë!”tjetra, i kishin shkulur flokët njëra-tjetrës…
Nuk m’u durua më tej, prisha edhe unë gojën me të:
– Do vijë dita kur edhe ti, si kurvar i tyre, të mos kesh më asnjë fije floku. Se ato do mblidhen të tëra bashkë me gjithë fëmijët dhe do të t’i shkulin qimet e kokës një nga një. Atëherë ç’farë do bësh, more qyqar?!…
– Do ia heq vetes, ose do pi bar miu, se minj të njomë nuk do ha dot më! – tha dhe tërhoqi këmbët zvarrë drejt autoambulancës.
Dukej tamam, sikur ishte nën efektin e barit të miut, ende pa e pirë atë helm shfarosës.