• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MALËSORE KONKUROI PËR MISS USA 2014

June 9, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Më 8 maj, në qytetin Baton Ruzhë të shtetit Luiziana të Shteteve të Bashkuara u mbajt konkursi i bukurisë për të zgjedhur nga 50-konkurentet më të bukura të vendit,një përfaqsuese nga secili shtet i Amerikës, për Miss USA 2014. Njëra nga këto konkurente ishte edhe Elizabeta Ivezaj, bukuroshja shqiptare me origjinë nga Malësia e Madhe, e cila përfaqësoi shtetin e Miçigenit në konkursin mbarë kombëtar amerikan të bukurisë.Elizabeta Ivezaj nuk fitori konkursin kombëtar të bukurisë, pasi juria në atë konkurs zgjodhi përfaqsuesën e shtetit Nevada, por megjithkëtë Elizabeta bëri histori, si e para bukuroshe me origjinë shqiptare që kishte siguruar titullin Miss të një shteti të Amerikës, siç është shteti Miçigen me 10-milion banorë, gjë që ia bëri të mundur asaj të konkuronte në festivalin kombëtar të bukurisë për vitin 2014.
Shqiptarët në Amerikë kanë arritur sukesese të dukshme në shumë fushë e aktivitete të jetës dhe veprimtarisë së tyre në këtë vend, por me sa di unë, në fushën e bukurisë, Elizabeta Ivezaj është e para shqiptaro-amerikane e cila ka konkuruar me sukses për të arritur në nivelin e përzgjedhjes si më e bukura e një shteti, e pastaj si e tillë të përfaqësojë atë shtet në nivelin kombëtar të përzgjedhjes së Miss USA. Për ata që ndoqën të djelën mbrëma programin televiziv të konkurencës për emërimin e Miss USA, duhet të kenë parë zonjushën Elizabeta Ivezaj dhe të kenë dëgjuar shqiptimin e qartë të emërit të saj para miliona shikuesve në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Krenari kjo për për vet Elizabetën dhe për familjen e saj, por edhe për Malësinë e Madhe dhe kombin shqiptar. Ky vlerësim që i është akorduar asaj, nuk është vetëm për bukurinë e saj, por edhe për arritjet e saja deri tani. Ajo është modele, e cila aspiron të bëhet aktore, ndërsa vazhdon studimet në Universitetin Oakland, me përqëndrim në degën e psikologjisë dhe të studimeve për çështjet e grave. Ajo ka thënë se ka zgjedhur këtë degë studimesh me shpresë për të punuar në të ardhmen, për të sjellur vëmendjen mbi të drejtat e grave kudo në botë.

Elizabeta Ivezaj ka lindur në shtetin Miçigen të Amerikës, por familja e saj rrjedhë nga Malësia e Madhe, nën Mal të Zi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës disa ditë para konkursit për Miss USA 2014, Elizabeta tha se është krenare për origjinën e saj dhe se madje kishte përfshirë elementë të origjinës së saj shqiptare në fustanin e saj që kishte veshur për konkursin kombëtar. Ajo shtoi se ishte “shumë e lidhur me njerëzit tanë dhe se duhet të jemi admiruesit e parë të njerzëve tanë.” Elizabeta Ivezaj tha gjithashtu se kishte vendosur t’i hynte konkursit të bukurisë në Amerikë, ndër të tjera, edhe për t’u thënë vajzave shqiptare që të bëjnë diçka ndryshe nga e zakonshmja, dhe njëkohësisht duke shërbyer si shembull për to, theksoi ajo, që të “ndjekin realizimin e cilësdo ëndërre që kanë”. Ajo i tha Zërit të Amerikës se krenaria e saj për prejardhjen e saj e bën atë të jetë edhe më shumë e lidhur me njerëzit tanë dhe njëkohsisht, tha ajo, duhet të jemi edhe admiruesit e parë të njerzëve tanë.
Elizabeta Ivezaj, si përfaqsuese e bukurisë së shtetit Miçigen është shprehur se ka patur një mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan si dhe nga Shqipëria dhe më gjërë dhe se nuk i ka munguar përkrahja nga shqiptarët dhe se kjo ishte diçka që e ka motivuar atë edhe më tepër të vazhdojë për të shkuar përpara. Ajo shpreson se me shembullën e saj, ajo do të inkurajojë vajzat e reja shqiptare në Amerikë dhe më gjërë që të ndjekin realizimin e ëndërrave të tyre dhe të mos heqin dorë nga pasioni që i shtynë ato për të bërë diçka ndryshe nga e zakonshmja.
Konkurenca për bukurinë e rrallë të femrës shqiptare, sidomos të atyre nga Malësia e Madhe ka qenë një traditë ku femërat malësore kanë shpalosur bukurinë e tyre natyrore por edhe kanë mbajtur gjallë kulturën dhe traditat shekullore të atyre anëve, nepërmjet veshjes dhe karakteristikave të tjera të kulturës dhe zakoneve. Andaj, qoftë Elizabeta Ivezaj Miss Miçigen e cila duke konkuruar për Miss USA vuri në dukje bukurinë e saj të femrës shqiptare dhe krenarinë e prejardhjes së saj, ose qofshin vajzat e Logut të Bjeshkëve në Kelmend të cilat edhe ato në atë mënyrën e vet për çdo vit – në të dy rastet – femërat shqiptare nga Malësia e Madhe i paraqesin kombit dhe botës atë bukuri njerëzore të femrës shqiptare, bukuri kjo që njëherazi harmonizohet edhe me bukurinë natyrore të Malësisë së Madhe.

Elizabeth Ivezaj, Miss Michigan
Nga Logu i Bjeshkëve ku konkurojnë më të bukurat e Malësisë së Madhe, një traditë kjo e vjetër e maleve tona

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, NJË MALËSORE KONKUROI PËR MISS USA 2014

Të qenit vetëm si shans për të njohur veten

June 9, 2014 by dgreca

Nga Aida Dismondy /
Përgjatë viteve kam biseduar e hasur shumë gra të cilat ,sapo kanë përfunduar një lidhje qoftë kjo dashurore a martesore, fillojnë të përsërisin me vete dhe me shoqërinë se ato ndjehen vetëm, se jane vetëm, se “s’ia var kush” në shprehjen më popullore. Këto pohime, këto mendime marrin shumë hapesire në mendjen e tyre saqë qëllon të bëhen paralizuese për të ecur përpara dhe bëhen shpesh aq verbuese sa ndodh edhe të errësojnë edhe të qenit koshient për të mirat që kanë në jetën e tyre. Me një fjalë ato pohime ndodh të shumëzojnë me zero ekzistencën dhe tërësinë e vlerave të këtyre grave apo femrave. Po i mëshojmë gjinisë femërore, pasi ndodh që femrat shprehen me pesimizem për mungesën e një partneri. Kam hasur femra që edhe pse në mes të divorcit të thonë “duhet me gjet një burrë më të mirë se ky”. Apo femra që kanë jetuar në një marrëdhënie të keqe apo kanë qenë në proces të largimit nga një marrëdhenie ku dhe kanë përjetuar horrore, e kanë pohuar se një nga zgjidhjet e mundshme për veten ka qenë gjetja e “një mashkulli që të më trajtojë më mirë se ai.” Janë femra që mbase dhe mund të kenë fëmijë në jetën e tyre e janë përgjegjëse për ta si nëna, por që e gjejnë veten të konsumuara me mendimin “s’më do askush”, kur dashuria më e madhe ndodhet përballe tyre. Në keto rastet e fundit paradoksi është i qartë. Ndonjë lexues mund të mendoje por femija nuk do më jape dashurinë që partneri do më japë. E drejtë, por është vlerësim sidosi është dashuri që ekziston në jetën e dikujt, për rrjedhojë zhvlerëson thënien “s’më do askush, dhe jam vetëm.” Një arsye tjetër dhe më e rëndësishme është se femrat janë ato që shpesh kalojnë nga një marrëdhenie e keqe në një tjetër akoma më të keqe, ose siç thotë populli “nga shiu në breshër”. Eshtë një përpjekje pa kohë për ndalim, për pushim për veten. Për hir të qartësisë nuk po dënojmë kërkimin për një partner apo dëshirën për të pasur dikë në jetë. Këtu po i mëshojmë atyre rasteve, kur dëshira për të qenë me dikë luan rol primar në disavantazh më pas të personit.
Ndonëse po flasim për gjininë femërore principi është universal pavarësisht gjinisë pasi nevoja për t’u ndierë të dashuruar apo të dëshiruar dhe i vlerësuar është e lindur me njeriun. Eshtë kjo arsyeja që ne shtyhemi të kërkojmë për njerëz dhe dëshirojmë të kemi njerëz në jetën tonë që na bëjnë të ndjehemi të dashuruar, të dëshiruar, dhe të vlerësuar. Nëse kur e gjejmë personin do të jemi të lumtur apo jo kjo është çështje tjetër, pasi të përfunduarit në lumturi apo në mizerje është produkt më pas i lidhjes. Dëshira e brendshme e lindur na bën gjithashtu që në momentet, kur nuk kemi partner të ankohemi ose të përsërisim refrenin “askush s’më do, e jam vetëm”.
Të qenit vetëm është parë si një semundje dhe një virus prej të cilit duhet të shpëtojmë shëndetin, në vend që të shihet si një mundësi, një shans që na jepet për të qenë me veten dhe të marrim kohën për ta njohur veten. Kjo qenësi vetëm si sëmundje është më dominuese, kur femrat kanë qenë dhe janë shkëputur nga lidhje jo të shëndetshme, jo funksionale, dhe shpesh abuzive, ose ose nga të jetuarit në një mjedis familjar ku sundon më tepër indiferenca dhe abuzimi sesa dashuria për pjesëtarët e familjes. Dëshira për ta hequr qafe vetminë është e lidhur me nevojen që përmenda më sipër për të qenë e për t’u ndjerë të vlerësuar, të mbështjellë në ngrohtësinë e dashurisë. Kështu, nevoja për të pasur dikë barazohet me vlerësimin personal, thënë ndryshe, nëse dikush është prezent në jetën e një femre, në mendjen e saj ka gjasa kjo përkthehet si të pasurit vlerë si njeri. Kjo nevojë për t’u ndjerë i vlerësuar është e lidhur shpesh me të pasurit një vleresim të ulët e të pakët për veten apo mungesë konfidence dhe besimi në vetvete. Si rezultat kërkojmë afirmim nga jashtë për të mbushur atë çfarë mungon brenda. Dhe ajo që mungon është njohja e vetvetes.
Monologu i lartpërmendur duhet ndaluar çfarë kërkon vendim-marrje nga personi për ta ndërprerë shiritin e magnetofonit që luhet në mendjen e tij/saj dhe të fillojë luajtjen dhe incizimin e një rekordi të ri. Sepse të luajturit e muzikës së vjetër në mendje nuk do të sjellë rezultat të kundërt, ose më saktë nuk mund të presësh rezultate të ndryshme duke ndjekur të njejtat procese a hapa. Kur nuk merret koha për të ndaluar muzikën e vjetër ndodh shpesh që të gjeturit e një personi të ri rezulton të jetë një person jo i gatshëm emocionalisht apo dikush që mund të ketë pasiguri të tjera e kështu shpesh femrat gjenden në pozitën e të ecurit apo rendurit në të njejtin rreth vicioz. Në rrethet e avokatëve dhe psikologëve që merren me persona të abuzuar ky rreth vicioz njihet si rrethi i dhunës për të ilustruar mes të tjerash të shkuarit nga shiu ne breshër. Këto veprime janë rezultat i të qenit në marrëdhenie jo funksional. Të qenit ne marrëdhenie jo funksionale është përkufizuar si një kontratë emocionale me dikë për të plotësuar një nevojë që rezulton në shkaterrim vetjak. Pra nuk do te thote qe personi ka te meta apo mangesi te karakterit qe e bejne ate manget thjesht se ne jeten e tij/saj ndodhen zona te fshehura ne subkoshience te cilat veprojne e manifestohen ne zgjedhjet e vendimet qe bejme. Këto marrëdhenie përsëriten. Lëvizja nga një marrëdhenie jofunksionale në tjetrën çon rrjedhimisht në drejtimin e gishtit kah personit tjetër për gjendjen jo të lumtur në të cilën këta individë e gjejne vetën dhe përpiqen të gjejnë si të vetmin solucion largimin nga personi. Largimi nga persona të caktuar është shpesh hapi më i drejtë dhe zgjidhja më e mirë pasi shpesh situata të tilla ku konfliktet janë të shumta kanë çuar në humbjen e jetës së shumë personave që kanë zgjedhur të qendrojnë në ato lidhje jo të shëndetshme.
Por në këtë proces të largimit të ikjes prej dikujt dhe të kerkimit te dikujt tjeter ndodh dukuria e te bërit të njejta gjëra që manifestohen në versione të ndryshme të së njejtës gjë në thelb. Prandaj kur femrat a individët gjenden në pozitën e të qenit pa partner është e rekomandueshme ta shikojnë këtë situatë si një shans që u afrohet për të njohur veten. Eshtë një shans që u jepet për të bërë një inventar të vetvetes. Ndonjë skeptik mund të thotë “si i rritur që jam e njoh veten”. Kjo është e vërtetë deri diku, por jo tërësisht përndryshe nuk do të rrotulloheshin në të njejtat rrethe e situata por do të shkonin drejt trajektores, pra duke iu larguar rrethit. Rrethit mund t’i largohesh kur merr vendimin të njohësh më parë veten. Të njohësh veten kërkon një hulumtim të sinqertë të emocioneve që qëndrojnë e jetojnë brenda saj, të eksperiencave të akumuluara gjatë jetës që manifestohen me pas si emocione apo reagime në botën e jashtme apo në mënyrën se si ne e përjetojmë jeten, apo dhe në marrëdheniet që kemi apo kërkojmë të kemi, qofshin këto intime apo jo. Të shkuarit brenda vetes nuk do të sjellë menjëhere fundin magjik të perrallava, por ndihmon të bëjë individin koshient të thelbit të tij: të frikës, të pasigurisë, të tolerancës apo mungesës së saj, të inatit, të dhimbjes, të fajit, por dhe të anëve të shëndosha e të forta që ekzistojnë në çdo individ: të dëshirave, të ëndrrave, të aftësive, dhe mundësive. Të njohurit e vetvetes merr kohë e është një proces që shpesh nuk merret vetë por bëhet me ndihmën e profesionistëve në fushat perkatese, por hapi i parë eshte ndërrmarrja e këtij procesi, të pranuarit se është një proces që duhet ta marrim. Por nëse shkojmë në këtë proces pa ndihmën e kujt si fillim mund të bëjmë dhe meditim apo të lexojmë materiale që do të na bëjnë të reflektojmë për çfarë qëndron brenda nesh, e që përjetohet në mendjen e emocionet tona. Meditimi në princip është të qenit në heshtje me veten dhe të vëzhguarit e mendimeve që shkojnë në të. Eshtë një proces që na bën koshient të trafikut që lëvron trurin. Duke vepruar kështu duke u bëre koshient të vetvetes bëhemi koshientë të kufizimeve që kemi dhe kufijve që duam për jetën tonë. Kufijtë presupozojne çfarë ne jemi gati të tolerojmë apo të biem në kompromis me të tjerët pa kompromentuar vlerat tona personale. Të qenit koshient për çfarë ekziston është hapi i parë në marrjen e vendimeve, qoftë ky vazhdimi i statusit quo qoftë ky lançimi në një drejtim ku ne vendosim ta drejtojmë jetën. Për këto arsye, femrat e kushdo duhet ta konsiderojnë momentin e të qenit vetëm si një shans flori për të hulumtuar vetveten dhe të shkeputen nga vetja e djeshme.
Rëndësia e shkëputjes jo vetem nga rrethi por dhe nga vetja e djeshme nuk mund të nënvlerësohet, është një princip të cilit psikologët i mëshojnë gjithmonë, sepse përvoja dhe shkenca ka treguar se e shkuara të mban të lidhur e ndikon shumë në perceptimin e jetës dhe si e jetojmë atë. Dr. Wayne Dryer, një udhëheqës shpirtëror në SHBA dhe autor i mjaftshitur i librave self-help, e shpjegon mirë këtë kur thotë se nuk mund të presësh lëng molle kur shtrydh një portokall. Pra, kur brenda vetes mbajmë bagazhet e të shkuares dhe i terheqim ato nga një lidhje në tjetrën sigurisht që keto bagazhe do të shfaqen dhe në marredheniet që krijojmë ngaqë nuk leme hapësirë për asgjë të re të hyjë sepse hapësira është e zënë prej tyre e bagazhet e vjetra shpesh prej jetëgjatësisë së tyre shnderrohen në plehra e fillojnë vijnë erë jo të mirë. Në jetën e njeriut kjo erë manifestohet në mënyrën se si jeta na paraqitet ne. Shembulli më i mirë i kësaj është kur femrat shprehen “të gjithë meshkujt janë njësoj.” E vërteta është se meshkujt iu shfaqen këtyre femrave njësoj pasi mendimet “bagazhet” që ato mbartin jane te mbushura me po ato perceptime dhe çfarë ato mendojnë atë terheqin. Populli më kot s’thotë “kujdes çfarë kërkon se do ta marrësh.” Pra, nëse mendojmë se të gjithë meshkujt a njerezit janë njësoj rrjedhimisht dhe partneri tjetër do t’i ngjajë atij që iku. Ndaj këto bagazhe duhen vënë mënjanë duhen pranuar për çka janë e hedhur për të krijuar hapësirë të re për diçka të bukur e të mirë. Mandej do të shtonim se pikërisht versioni i vetes me bagazhe shërben si larguesi i dëshirave dhe ëndrrave që duam të manifestojmë në jetën e jashtme. Pasi bagazhet kanë marrë tërë hapësirën, nuk mund të shikojmë dritë kur gjithçka rreth nesh është errësirë; duhet ose të ndezësh një shkrepse a të krijosh hapësirë për dritën të hyjë. E të tëra këto burojnë e kërkojnë anagazhim me vetveten, njohjen e vetvetes.
Të njohësh veten, pra është themeli i çdo gjëje pasi është themeli ai që e mban strukturën të fortë. Të njohësh vetveten çon në pranimin e vetvetes me tërë anet e forta dhe të dobëta të saj dhe rrjedhimisht me të qenit i/e lumtur me vetveten. Kur të kemi njohur vetveten do të jemi të zotë me pas të kemi mundësinë për të gjetur lumturinë dhe në botën perreth nesh. E nëse një partner qëllon të dëshirojë të hyjë në jetën e individit do të mirepritet si një shoqerues i këndshëm që i shton lumturisë që posedojmë brenda nesh dhe jo si sjellës i saj apo shkaktues i saj. Për të tëra arsyet që permenda më sipër është e rendësishme madje jetike që femrat sidomos ta shohin kohën që iu është dhënë për të qenë vetëm si shans për të festuar këtë dhuratë që iu jepet të njohin veten, pasi kështu do të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre të kalojnë në trajektoren e një jete të re që i përputhet dëshirave të tyre dhe që është e mbushur me njerëz që ofrojnë respket, mirenjohje, e dashuri ndaj tyre.

© Aida Dismondy 8 Qershor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ida Dismondy, për të njohur, si shans, Të qenit vetëm, veten

Pse Thaçi e jo Isa?

June 9, 2014 by dgreca

Opinion Nga XHAVIT ÇITAKU/
“ Kur thehet qerrja, rrugë gjenden sa të duash”, thotë një fjalë popullore. Edhe me rastin e përfundimit të zgjedhjeve nacionale në Republikën e Kosovës dhe të fitores së PDK-së mund të gjenden lloj-lloj arsyetimesh se përse ndodhi kjo e jo ndryshe. Sado që kishte një optimizëm të madh në taborin e opozitës dhe jo vetëm të saj se kësaj radhe do të ndodhin ndryshime, sovrani votoi ndryshe dhe si parti e parë doli ajo e Thaçit. Po përse fitorja e PDK-së erdhi në shprehje edhe kësaj radhe? Mendoj se, në rend të parë, LDK gaboi rëndë duke e nominuar për Kryeminister Isa Mustafën i cili humbi në zgjedhjet lokale dhe atë Kryeqendrën e Kosovës, në të cilën që nga paslufta fitorja e kësaj partie ishte e padiskutueshme. Dhe të garon për kreun e qeverisë një personalitet që i humbi zgjedhjet lokale, kjo është një gjë paradoksale. Barrën e përgjegjësisë për këtë rezultat të pafavorshëm sigurisht se e mbajnë të gjithë ata që e sollën në krye të LDK Isa Mustafën dhe që e përkrahen që në një fitore eventuale ai të zgjedhet Kryeministër. S’do mend se edhe lakmia e liderit të LDK-së për të qenë në krye të qeverisë së ardhshme e bëri të vetën.
Fushat e vakët e LDK-së
Sipas analistëve lideri i PDK-së Hashim Thaçi nga shkurti i këtij viti nisi një fushatë të suksesshme dhe lirisht mund të thuhet të kulturuar dhe përfundimisht bindëse me faktin, që siç duket, në taborin e tij kishte edhe këshilltarë ndërkombëtar. Në mënyrë të qetë vizitoi biznese, fshatra e qytete, u takua me qytetarë në rrugë e rrugica në mbarë Kosovën, ofroi programin e tij “ bombastik” të misionit të ri dhe nuk i linin përshtypje kritikat, ofendimet, sharjet që vinin nga kundërshtarët politik dhe vartësve të tyre. Në këtë luftë për të bërë ndryshime, ishin futur edhe shumë gazeta e portale, që dorën në zemër, kanë ndikuar që fitorja e PDK-së të mbetët në këtë nivel çfarë është n ë këtë moment. Pra, po të mos ishte kjo propagandë aq shumë e sinkronizuar nga këto media dhe portale, por edhe të disa dështimeve që ishin të pranishme gjatë qeverisjes, PDK do kishte shënuar suksese më të mëdha në shkallë vendi. Isa Mustafa gjatë fushatës nuk ofroi alternativa bindëse , por vetëm sa i përcillte premtimet që i bënte kundërshtari kryesor politik i tij Hashim Thaçi. Në të vërtetë, derisa, për shembull, Thaçi premtonte 200 mijë vende të reja pune, duke u mbështetur në “ Fondin e Punësimit”, Mustafa premtonte 120 mijë por pa e arsyetuar konkretisht se si do të realizohet ai premtim që është vital për popullin e Kosovës. LDK dhe lideri i saj, po ashtu, shumë kohë shpenzuan edhe në kritika për një qeverisje të dobët të udhëhequr nga PDK, që siç dukët, tashmë votuesit janë bërë imun ndaj këtij fenomeni që është bërë rutinë e çdo partie politike. LDK-në nuk e ndihmuan as prurjet, jo edhe cilësore, por as ndihma që erdhi nga Gjermania e Donika Gërvalles. Sille kah të sillesh, fajtor për humbjen e LDK-së është vetë lideri i saj Isa Mustafa dhe nëse i përmbahet fjalës se në rast humbjeje do të jap dorëheqje atëherë mbetët që LDK të gjej një lider që do të mund të vërtetë ta freskoj këtë parti me kuadro kredibile që do të dinë ta udhëheqin dhe të korrin suksese në të ardhmen. Kjo garnitur politike rreth kësaj partie nuk premton më asgjë, ndaj edhe duhet të shkoj së bashku me liderin e saj, duke përjashtuar disa personalitete me perspektivë që i ka në mesin e saj.
Pse vetëvendosja duhet gjithsesi të mbetët në opozitë?
Një sukses të konsiderueshëm në këto zgjedhje pa dyshim se e arriti “ Vetëvendosja”, e cila duke u kalitur në procesin politik jo edhe aq të gjatë, arriti që të dyfishoj numrin e votave dhe të numrit të delegatëve në Kuvendin e Kosovës. Kjo parti dhe lideri i saj Albin Kurti në masë të madhe ndryshuan mënyrën e të vepruarit, përkatësisht nga protestat e nëpër rrugë zgjodhën kundërshtimin e tyre nëpërmjet institucioneve shtetërore, por edhe në bisedë të drejtpërdrejtë me qytetarin. Fushata ishte mjaft e koordinuar dhe me programin e saj mjaft të pasur i binden votuesit se edhe kjo parti është alternativë që mund të bëj ndryshime edhe në aspektin nacional, edhe ekonomik, kulturor, sportiv etj. Mendoj se në të gjitha kalkulimet për formimit të qeverisë, Vetëvendosja duhet të mbetët në opozitë për shkak se asnjë parti as ajo fituese, por edhe LDK nuk mund të i shmangën bisedimeve me Beogradin, ndërkaq në anën tjetër kjo parti që nga fillimi ishte kundër këtyre bisedimeve, por edhe marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sukses mund të quhet edhe hyrja e Nismës në parlament por kjo nuk i përmbushi synimet për më shumë ulëse në Kuvendin e ardhshëm. Kjo mund të hyj në çfarëdo koalicioni të mundshëm se edhe ashtu nuk do të këtë ndonjë perspektiv në të ardhshmen. Për “ gjynah mbeti AKR përkundër një programi mjaft ambicioz ekonomik që pati.

Filed Under: Opinion Tagged With: Pse Thaçi e jo Isa?, Xhavit Citaku

“Ky djalë ka talent!”…

June 9, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/
“Ky djalë ka talent!”- tha Ali Podrimja dhe ngriti gotën e tij të verës për ta cakërruar me gotat tona. Valët zanore të tringëllimës së qelqeve u davaritën në muzikën e tingujve natyror të kopshtit të pijetores gjermane në qytezën e Gerlingenit. Komplimenti për Beqë Cufajn, autor i një libri me vjersha (“Balada budallaqe”, Rilindja, Prishtinë, 1994),shkaktoi në fytyrën e shkrimtarit të ri një skuqje të përzier me modesti dhe druajtje. Ishte mesi i 1990-tave. Podrimja kishte mbërritur nga Prishtina për një seri leximesh dhe unë së bashku me Cufajn, i ardhur rishtas si emigrant në Gjermani, dhe një mik tjetër, e kishim ftuar bardin e shquar për një drekë.
Që nga atëherë kanë kaluar gati njëzet vjet dhe në ndërkohë Cufaj ka botuar një përmbledhje mikse me proza të shkurtra dhe poezi (“205”, Dukagjini, Pejë, 1996), një libër me shkrime gazetareske dhe ese (vetëm) në gjermanisht (“Kosova- Rückkehr in ein verwüstestes Land”, Paul Zsolnay, Wien, 2000), romanin e parë (“Shkëlqimi i huaj”, në shqip Dukagjini me 2003 dhe në gjermanisht Paul Zsolnay me 2005), një libër me kolumne dhe opinione (“Laboratori i lirisë”, PA, Prishtinë, 2011) dhe para pak kohësh romanin e dytë (“project@party” në shqip Zëri, Prishtinë, 2011, dhe në gjermanisht Seccesion, Zürich & Berlin, 2012). Për to Cufaj ka marrë disa vlerësime nderuese dhe monetare, si fjala vije shpërblimin Bruno Kreisky Förderpreis nga Republika e Austrisë me 2001, çmimin Hivzi Sulejmani nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës me 2004 dhe çmimin Preisdes Wirtschaftsklubs im Literaturhaus in Stuttgart në Gjermani me 2013. Librat dhe punimet e Cufajt, përpos gjermanishtes, kanë parë dritën e botimit në disa gjuhë dhe për krijimtarinë e tij kanë shkruar me dhjeta autoritete kompetente të skenës letrare europiane.
Djaloshi i ri që nga koha e takimit me Podrimjen është dalluar edhe në gazetari. Ende e mbaj mend shumë kthjellët kursi korrespondent nga vendet gjermanofone- në fund të 1990-tave dhe deri kah fundi i dekadës së parë të këtij shekulli- ai ishte njëra nga shtyllat e rritjes dhe pjekjes së gazetës Koha Ditore dhe së fundmi- deri para një viti- një ndër motorët e ripërtëritjes së të përditshmes Zëri. Por, kontribute po aq të mëdha për kulturën dhe popullin tonë, Beqë Cufaj ka dhënë posaçërisht me shkrimet, reportazhet dhe trajtesat gazetareske për mediet dhe revistat europiane më më prestigj, si p.sh. Frankfurter Allgemeine, Neue Zürcher, Süddeutscher, Die Zeit, Courrier International etj. Seria e reportazheve të tij nga salla e gjykimit të kasapit serb të Ballkanit, Slobodan Milošević, në Tribunalin e Hagës, është një fejtonistikë dokumentaro-letrare e niveleve të nalta, e denjë të jetë pjesë e lektyrës shkollore në çdo vend ballkanik dhe europian. Përveç këtyre, polemikat dhe përgjigjet intelektuale që Cufaj i ka shkëmbyer me disa personalitete lidhur me qëndrimet e tyre kontraversiale, ndër të cilët e vlen të përmenden shkrimtari proserb Peter Handke dhe Franziska Augstein, vajza e Rudolf Augstein, themeluesit të revistës gjermane mbase më me influencë Der Spiegel, janë testamente brilante të fuqisë dhe mprehtësisë intelektuale.
Beqë Cufaj nuk është i vetmuar në Europë. Ai bën pjesë në orkestrën e disa duzinave me shqiptarë të suksesshëm në fushën e letrave dhe shkrimtarisë në kontinentin e vjetër- prej Italisë, Zvicrës,Gjermanisë, Holandës, e deri në Francë. Këta zëra kreativ kanë bërë goxha shumë për vlerat, imazhin dhe prezantimin e letërsisë dhe artit shqiptar në botë, porse, çuditërisht, roli dhe kontributi i tyre është dhe vazhdon të mbahet jashtë radarit të interesit, njohjes dhe trajtimit (kritik) të elitave apo, mbase, më mirë thënë, kastave të letrave dhe kulturës shqiptare në Ballkan.
Ç’ është e vërteta me e thellë, shkrimtari dhe publicisti Cufaj, që prej se këmba e tij ka shkelur në tokat gjermane, pandërprerë, ka bërë punën e një de facto ambasadori duke u angazhuar edhe politikisht dhe diplomatikisht me qeveritë dhe rrethet me ndikim në vendet gjermane. Herë atje, herë në trojet shqiptare, Cufajn e ke hasur si një kronist dhe murg të dedikuar për të shënuar dhe avokuar të drejtat dhe interesat e shqiptarëve dhe shteteve tona prej Rambujeë e deri në Vjenë ku u përmbyll korniza formale e pavarësisë së Republikës së Kosovës, prej panairit më të madh të librit në botë në Frankfurt am Main e deri në panairin e Lepzigut ku disa herë ka qenë instrumental në paraqitjen e talenteve të reja para syve të botuesve dhe patronëve të fuqishëm të literaturës botërore. Kudo e kurdo ka qenë dhe është nevoja.
Beqë Cufaj dhe një pjesë e madhe e kolegëve të tij shqiptarë të shpërndarë nëpër Europë janë ende në moshën e artë të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tyre multidimensionale. Ndër këta ambasadorë jozyrtarë ka burra dhe gra të cilët nuk janë pikasur nga verbëria jonë vullnetare sepse viteve të fundit në mediet dhe institucionet shqiptare ka një zhvendosje të habitshme të balancës në favor të triviales dhe bulevardeskes dhe në disfavor të sensibiles dhe rëndësishmes. Shoqëritë shqiptare dhe diaspora jonë duhet ta kuptojmë që vlerat dhe personalitetet janë si bimët e rralla dhe delikate që kërkojnë përkujdesje dhe vëmendje kur mbillen dhe derisa japin edhe frytin e fundit.
Nuk e pranoj që ne shqiptarët, përgjithësisht, e kemi zakon të falënderojmë njerëzit tonë ose kur na i nderojnë të tjerët ose kur na lënë për amshim sikur poeti Ali Podrimja. Dhe kështu, me këtë kolumne sot, unë dua të shpreh mirënjohjen time më të veçantë për Beqë Cufajn, shkrimtarin dhe ambasadorin tonë pa dekret në Europë, ngase e njoh atë dhe punën e tij më së miri. Përmes emrit të tij besoj që çmoj edhe veprën dhe përpjekjet e secilit personalitet tjetër tonit në Europë, i njohur apo panjohur për publikun. Shpresoj dhe ftoj që ky shqiptim i imi i falënderimeve të sinqerta të shtyjë njerëzit e medieve dhe institucioneve shqiptare kudo në botë t’u thonë ju faleminderit të gjithë bashkëkombësve tonë që e meritojnë vlerësimin siç po i them unë Beqë Cufajt ndërsa i dëshiroj suksese të reja dhe arritje të majave edhe më të larta. Pra, edhe një herë: FALEMINDERIT BEQË CUFAJ!

Filed Under: ESSE Tagged With: "Ky djalë ka talent!", Beq cufaj, Uk Lushi

Mos heshtni, zotërinj!

June 9, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë i njerëzve me ngjyrë, Doktor Martin Luter King, ka thënë:Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë./
M’u kujtua kjo aforizmë, pasi vë re se edhe në ditët tona, kur demokracia mendohet se ka arritur shkallët më të larta, vihen re raste të heshtjes së pajustifikuar të personaliteteve të ndryshme shtetërore apo partiake karshi protestave të bëra, sidomos nga përfaqësues të shtresave të veçanta shoqërore siç është për shembull ajo e të përndjekurve politik nga regjimi totalitar. Këtu e kam fjalën për grevën e urisë të shpallur qysh prej 13 ditësh nga një grup përfaqësuesish të kësaj shtrese.
Dëgjuam një deklaratë për shtyp të njerit nga përfaqësuesit e kësaj greve, Gjergj Hani, drejtuar Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Ilir meta, Kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama, Kryetarit të opozitës, zotit Lulzim Basha, Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, OSBE-së, Këshillit të Europës, Bashkimit Europian, të gjithë mediave të shkruara dhe audio-vizive. Deklarata ishte nënshkruar nga:

1. Fatmir Hoxha, – Lindur në kamp internimi. Familjarisht 120 vite burg dhe internim
2. Gjergj Hani, – 10 vite burg politik
3. Fazli Deliu, – 27 vite burg politik
4. Lulzim Emini, – 8 vite burg politik, 35 vite burg dhe internim familjarisht
5. Ilmi Osmani, – 13 vite burg politik
6. Syrja Fero Babaj, – 25 vite burg dhe internim për motive politike.
7. Fadil Dema, – 5 vite burg politik dhe pas tij internim
8. Vilson Dida, – i internuar, babaj 25 vite burg politik.
9. Fiqiri Hyzellari, – babai i vdekur në burgun e Burelit
10. Agron Cico, – i internuar, babai 15 vite burg politik.

Çfarë kërkojnë kata martirë që po sakrifikojnë jetën e tyre për një kauzë të shenjtë?

1. Dënimi i diktatorit Enver Hoxha si ideator dhe zbatues i ideologjisë totalitare që sundoi vendin për 46 vite. Heqja e të gjitha titujve të fituara gjatë periudhës komuniste.
2. Hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i detyruan të bëhen të tillë për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruar.
3. Kthimin në punë të të gjithë të pushuarve padrejtësisht nga administrata shtetërore dhe që kanë fitur gjyqet përkatëse.
4. Përfundimin e dëmshpërblimit financiar brenda afateve të caktuara në ligj dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale.

Këto janë kërkesat e tyre. Ka 13 ditë që këto kërkesa përsëriten por çdo gjë, bie në veshin
e shurdhër të politikës, me përjashtim të ndonjë konference shtypi të opozitës. Gjëndja e grevistëve sa vete dhe po rëndohet më tepër. Mos vallë doni sakrificën sublime të tyre? Ata janë të gatshëm ta bëjnë edhe atë, por ky do të jetë turpi juaj. Ndaj unë ju drejtohem juve dhe ju them: – Mos heshtni, zotërinj!

Mos heshtni, zoti President i Republikës! Ju jeni Kryetari i Shtetit. Përdoreni
autoritetin tuaj për sensibilizimin e çështjes së tyre. Jeni ju që duhet të ndërhyni pranë organeve qeveritare, për zgjidhjen e problemit. Jeni ju që duhet të ndërhyni pranë autoriteteve ndërkombëtare për arbitrimin e çështjes në fjalë.
– Mos heshtni, zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë! Ishit ju që deklaruat se kushdo
ka të drejtë të bëjë të drejtë urie. Për çfarë të drejte flisni? Për atë të humbjes së jetës së tyre, apo të heshtjes tuaj?
– Mos heshtni zoti Kryeministër i Shqipërisë! Jeni ju i pari, që duhej t’iu kthenit një përgjigje grevistëve. Është e drejta juaj t’ua ktheni atë, pozitive apo negative, por një përgjigje ata e duan.
– Mos heshtni zoti Kryetar i opozitës! Është e drejta juaj që ta ngrini deri në qiell zërin për të drejtat e të përndjekurve politikë dhe jo vetëm me konferenca shtypi por edhe me sensibilizimin e autoriteteve ndërkombëtare.
– Mos heshtni, zotërinj të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë! Një nga shkaqet përse ata që ndodhen në grevë kanë qenë dënuar nga regjimi komunist, ishte edhe arsyeja sepse donin një Shqipëri si gjithë bota perëndimore demokratike. Ndërhyni pranë qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
– Mos heshtni, përfaqësues të mediave të shkruara dhe atyre audio-vizive! Ju keni një armë të fortë për të ngritur zërin në kupë të qiellit në mbrojtje të këtyre martirëve.

Mos heshtni zotërinj! Heshtja e juaj është vrasje për ta. Dërgoni përfaqësuesit tuaj pranë tyre! Dëgjojini dhe vendosni! Ata duan një përgjigje nga secili prej jush.
Mos harroni sentencën e përmendur në krye të këtij shkrimi nga i paharruari Doktor Martin Luter King.

Filed Under: Editorial Tagged With: Greva e te perndjekureve, Mos heshtni, reshat kripa, zoterinj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4562
  • 4563
  • 4564
  • 4565
  • 4566
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT