PRISHTINË, 7 Qershor /
Nga Behlul Jashari/.- Kosova filloi mbrëmë në mesnatë heshtjen para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës së 8 qershorit. Zyrtarisht, heshtja zgjedhore fillon në 7 qershor dhe mbaron me mbylljen e vendvotimeve në mbrëmje.
Fushata zgjedhore 10 ditëshe ka nisur zyrtarisht në 28 maj, e si “parafushatë” më herët, madje edhe pa u shpallur dita e votimeve.
Në votimet e së dielës për deputetë të Kuvendit të Kosovës garojnë gjithsej 30 subjekte politike me 1.235 kandidatë, nga të gjitha komunitetet. Subjektet në garë janë 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.
Lista përfundimtare e votuesve, e bazuar në Ekstraktin e Regjistrit Civil dhe miratuar nga KQZ, përmban 1.782.454 emra, të ndarë në 38 komuna përfshirë edhe veriun me shumicë serbe, mes tyre 33.735 votues të rinj, që do të votojnë për herë të parë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, mes shumë punësh në sfidën e kohës së shkurtër vetëm një muaj për përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, në një intervistë ekskluzive të enjten për ATSH-në theksonte se “KQZ është e gatshme për të dielën e 8 qershorit, për të cilën fton të gjithë që të jetë ditë e votimit dhe e festës, e mesazhit më të mirë për demokracinë e pjekurinë e shtetit të perspektivës evropiane”.
“Rrjedhimisht, të gjitha aktivitetet e parashikuara tashmë janë përmbyllur dhe me besim them, se sa i përket anës së KQZ-së, jemi të gatshëm për Ditën e Zgjedhjeve”, u shpreh Daka.
Ndër aktivitetet e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është hapja e Qendrës Mediale në ambientet e Pallatit Rilindja, tani ndërtesë qeveritare, ku do mbahen edhe konferencat për shtyp për mediat e akredituara, mes të cilave është ATSH me korrespondentin në Kosovë.
KQZ ka akredituar rreth 30 mijë vëzhgues nga subjektet politike, organizatat joqeveritare, organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike, etj, ndërsa do të jenë rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian.
“Presim që standardet evropiane për zgjedhje demokratike të respektohen plotësisht”, theksohet në deklaratën e përbashkët të Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Shefave të Misionit të shteteve anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë, ku jepet edhe mesazhi se, “është shumë e rëndësishme që zgjedhjet në tërë Kosovën të mbahen në mënyrë të drejtë dhe transparente”.
Ambasadori Jean-Claude Schluberger në takim dje me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, theksoi se “misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë përgatitjet e nevojshme për të luajtur rolin mbështetës në zgjedhjet parlamentare të së dielës”.
Presidentja ka pasur takime të tjera, ku theksoi se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të ndershme, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Ajo ka thënë se është me rëndësi që i gjithë procesi të jetë i sigurt, që vota e qytetarëve, në çdo pjesë të territorit të vendit, të jetë e garantuar dhe e paprekshme.
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit ka njoftuar se masat e sigurisë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë planifikuar dhe bashkërenduar me kujdes ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së për ta garantuar të drejtën e qytetarëve për të votuar, si dhe zhvillimin e qetë dhe të rregullt të procesit të votimit. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së vazhdon të jetë i shkëlqyer.
Kosova, 15 vjet e lirë nga qershori 1999 dhe e pavarur 6 vjet nga 17 shkurti 2008, në 8 qershor 2014 mban zgjedhjet parlamentare, të pestat në liri, të dytat në pavarësi.
Në Kosovën e lirë të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001. Legjislatura e Tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë. Në 8 qershor votohet për zgjedhjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të Legjislaturës së Pestë.
Çdo qytetar legal i Kosovës, pa dallim feje, race, apo nacionaliteti, e që i ka mbushur 18 vjet ka të drejtën dhe mund të votojë në zgjedhjet e Kosovës.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëruan 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna të tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, përcaktohet në nenin 1 të Kushtetutës së miratuar në 9 prill nga Parlamenti i shtetit më të ri evropian, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë, e që ka hyrë në fuqi në 15 qershor 2008.
Sipërfaqja e përgjithshme e Republikës së Kosovës është 10,908 km². Republika e Kosovës deri tani është njohur nga 106 shtete anëtare të OKB-së.
Ditë më parë, në 27 maj të këtij viti, Presidentja Atifete Jahjaga në seancën e Këshillit të Sigurimit kërkoi njohjen edhe nga pesë vendet e BE-së dhe të gjitha vendet anëtare të OKB-së, që ende nuk e kanë njohur shtetin e ri, duke theksuar progresin, suksesin e përbashkët, bashkëpunimin dhe perspektivën evropiane edhe të gjithë rajonit
Prezantohet libri “L’Albania Veneto-Shqipëria Venedikase”
Nga Gaspër Marku/- Mes një auditor të përzgjedhur, intelektualë, historianë e studiues, drejtues vendorë, diplomatë, etj, Konsullata e Nderit e Italisë në Shkodër dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë me mbështetjen e Rajonit Ve-neto, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, organizuan në sallën e Këshillit Bashkia të Shkodrës, aktivitetin promovues të librit, “L’Albania Veneta- Shqipëria Venedikase”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, përcolli një falenderim të veçantë për kontributin e gjithë atyre që janë marrë me realizimin e kësaj vepre mjaft të rëndësishme për Shkodrën dhe për marrëdhëniet e vjetra dhe të reja, mes Shkodrës dhe Venetos.
“Unë, aty shoh një realitet shumë interesant, i cili tregon se në atë kohë bashkëpunimi dy palësh ka pasur një qëllim shumë të vlefshëm për zonën tonë, dhe vendin tonë në përgjithësi, sepse aty evidentohet se Shkodra dhe Shqipëria në atë kohë tentonin të ishin të barabartë mes të barabartëve, dhe kjo tregon se ne në atë kohë kishim një standart shumë të mirë në prezantimin tonë nëëprmjet vlerave që dispononim”, tha Luka
“Dhe, besoj se, pikërisht edhe sot, ky bashkëpunim që kemi vendosur, ka pikërisht këtë qëllim, rritjen e kapaciteteve, një përformancë më të mirë, e cila konsiston pikërisht në qëllimin primar, atë të qënurit të barabartë mes vendeve të Bashkimit Europian”, tha kryebashkiaku shkodran Lorenc Luka në këtë takim promovues.
Shumë i kënaqur në realizimin e promovimit të librit, por edhe të ekspozites “L’Albania Veneto”, shfaqur në mjediset e rrugës pedonale në qëndër të qytetit të Shkodrës, u shperë edhe diplomati italian, Antonio Stigliani, Konsull Nderi në Konsullatën e Shkodrës.
Ai e konsideroi këtë aktivitet, si një përvojë nga e kaluara dhe si domosdoshmëri për t’ia treguar më të rinjëve. “Jo sepse ne jemi të lidhur shumë me të kaluarën, por sepse me të gjithë këtë që ne tregojmë, ajo është pjesë e AND-së tonë, e asaj AND-je që Shqipëria dhe populli shqiptar bëjnë pjesë fuqishëm.”, tha Konsulli i Italisë në Shkodër, Stigliani.
Ndërsa, për gazetarin dhe historianin, Pirro Misha, libri në fjalë, “L’Albania Veneto”, është një konfirmim i rëndësishëm për të njohur një pjesë mjaft të rëndësishme të historisë sonë, një pjesë e historisë, që për fat të keq, siç e dimë të gjithë, deri dje ka qënë pothuaj e injoruar, minimizuar, por, megjithatë, siç e dimë, për më shumë se dy shekuj, Republika e Venedikut, ishte zot i plotfuqishëm në detin Adriatik dhe për më tepër pati një rol tepër të rëndësishëm në jeten shqiptare, dhe sidomos në bregdetin shqiptar.
“Sigurisht, vijoj Misha, kjo prezence krijoi kundërshtime, sepse u përplas me interesat e zotërve shqiptarë, feudalëve por gradualisht me shfaqjen e kërcënimit otoman dhe në kohën kur venediku bëhët kundërshtari kryesor i ekspancionit ottoman, intereat e popullsisë shqiptare, interesat e zotërve shqiptarë, duke filluar nga Skenderbeu i pari, me Venedikun, gjithmonë vijë gjithmoënë e më tepër duke u pëputhur”, tha më tej, Misha.
Duke iu referuar traditës së kahershme të qytetit verior të Shkodrës, ai shtoi se ky libër përcjellë një interes shumë të madhë për vetë shkodranët, pasi qyteti i tyre, i cili vite më parë ka funksionuar si një nga portet më të fuqishme veneciane, duke qënë një urë e shumë e fortë lidhëse mes dy vendeve./
Kënga, simbioza e Kleopatra Skarcos
Nga Flora NIKOLLA/Tirane,7 Qershor/Kleopatra Skarco e nisi aktivitetin muzikor me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe koreografit Jani Gjergji. Në ato vite, lëvizja artistike amatore kishte marrë ë hov dhe nuk mungonin edhe organizimet kombëtare ku spikasnin talentet e rinj. Në një event të tillë u përcaktua dhe e ardhmja e saj. Sukseset dhe konfirmimi brenda dhe jashtë Shqipërisë, bënë që në vitet ‘70 të emërohej këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës. Në intervistë, Kleopatra Skarco tregon se dashuria për këngën i është rrënjosur e kultivuar nga prindërit, të cilët këndonin shumë bukur, një trashëgimni që sot mbahet gjallë edhe nga motrat e vëllezërit e saj. E quan këngën pjesë të pandarë, me të cilën do të jetë “Një” deri në fund të jetës. Kthehet herë pas here në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në spektakle të ndryshme televizive si “Maratona e Këngës Popullore”, “Festivali i Këngës Popullore”, etj. Thotë se do të ishte kënaqësi të rikthehej në atdhe me një koncert recital, pse jo në Vlorën e saj të dashur, mjafton të gjenden rrugët e përshtatshme. Në Sofie, ku jeton së bashku me familjen, është ftuar si artiste e mirënjohur në raste festash apo evenimente të ndryshme, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Ballkanik në Bullgari dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë, si pjesë e grupit “Skënderbeu” të Korçës.
Ju jeni e njohur në Vlorë dhe në Shqipëri si një emër që ka sinonim këngën dhe muzikën. Cili është sekreti i dashurisë për muzikën?
Aktivitetin muzikor e kam filluar me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe koreografit Jani Gjergji. Në ato vite lëvizja artistike amatore kishte marrë një hov të madh. Në Festivalin Kombëtar të Ansambleve Amatore të atij viti, ansambli ynë fitoi flamurin e festivalit. Ky sukses më dha mundësinë që të përfaqësohesha në një turne në Republikën Popullore të Kinës, me Ansamblin Shtetëror të Valleve dhe Këngëve Popullore. Qëndruam dy muaj e gjysmë në Kinë dhe ovacionet e një publiku gjigand në numër, siç duket, rikonfirmuan karrierën time si këngëtare. Pas Kinës, isha pjesë e një turneu në Rumani, krahas artistëve të shquar si Vaçe Zela, Bik Ndoja, Luçije Miloti e Hysen Koçia. Në të njëjtën kohë, kam qënë konkurrente në Festivalet Kombëtare të Radio-Televizionit Shqiptar me këngët e njohura për kohën si “Festë në Malësi”, “Nënë dhe shoqe”, “Interesant”, etj, ku gjithmonë jam vlerësuar me çmime të dyta dhe të treta. Sukseset dhe konfirmimi im si këngëtare vazhduan me turneun në Kosovë, në vitin 1969, si pjesë e Ansamblit të Vlorës, i cili u nderua në atë event me çmimin e parë. Kjo bëri që atë vit të emërohesha si këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës. Dashuria për këngën më është kultivuar nga prindërit e mi, të cilët këndonin shumë bukur. Dashuria për këngën është trashëguar dhe mbajtur gjallë jo vetëm nga unë, por edhe nga motrat e vellezërit e mi.
Çfarë është kënga për ju?
Kënga është pjesë e pandarë e imja, me të cilën do të jem “Një”deri në fund të jetës.
Jetoni prej vitesh në Sofje… Cilat ishin arsyet e emigrimit dhe pse zgjodhët pikërisht Bullgarinë?
U largova nga Shqipëria në Bullgari jo si emigrante, por nga një rastësi e jetës. Dy vajzat e mia studionin në Sofje. Vajza e madhe, Olta, studionte për drejtësi dhe Borjana në Liceun e Muzikës, për violinë. Një verë, vendosëm të vizitonim vajzat, së bashku me djalin e vogël. Ndodhi që ai theu këmbën në një vend shumë delikat dhe kirurgët që realizuan ndërhyrjen ortopedike na këshilluan për një regjim rigoroz. Minimumi 9 muaj im bir nuk duhej të lëvizte. Kësisoj u vendosëm në Sofje familjarisht, fillimisht përkohësisht, derisa të kalonte çdo gjë sipas këshillave të mjekëve, dhe më pas përfundimisht.
skarco2Sa e vështirë ishte përshtatja juaj me këtë vend. A mund t’i riktheheni për pak momente kujtimeve të vitit të parë të jetës në Sofje?
Përshtatja në Sofje ishte e lehtë, sepse populli bullgar është mikpritës dhe i çliruar nga komplekset nacionaliste. Mungesën e jetës artistike ma plotësonte vajza e dytë, Borjana, e cila si violiniste dha disa koncerte recitale në Sofje. Në atë periudhë Borjana mori edhe një ftesë nga Presidenti i Bullgarisë ku interpretoi një pjesë nga Paganini me Kuartetin e Harqeve të Filarmonisë së Sofjes, në Rezidencën Presidenciale. Më pas, ajo nisi të angazhohej me këngën dhe formoi grupin Dokle & Greesh, me të cilin ka realizuar videoklipe, është prezantuar në koncerte të ndryshme televizive si dhe është nderuar me çmimin special në festivalin e 42-të të Këngës në Bullgari. Mungesën e jetës artistike ma plotësoi në vijim edhe im bir, i cili përfundoi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve të Bullgarisë, me rezultate të shkëlqyera. Tashmë aktivizohet në shfaqje të ndryshme teatrale dhe filma televiziv.
Kthehemi tek vitet shqiptare të këngës. Sa pranë janë ato vite tek Kleopatra Skarco dhe a keni menduar ndonjëherë të jepni koncert recital në atdhe?
Më mungojnë shumë ato vite dhe herëpashere kthehem në Shqipëri, duke marrë pjesë ne spektakle të ndryshme televizive si “Maratona e Këngës Popullore”, “Festivali i Këngës Popullore”, etj. Natyrisht, do të ishte një kënaqësi të rikthehem me një koncert recital në Shqipëri, pse jo në Vlorën time të dashur, mjafton të gjenden rrugët e përshtatshme.
Po në Sofje cila është marrëdhënia juaj me këngën dhe muzikën?
Në Sofje jam marrë pak me këngën, kur më kanë ftuar me raste festash apo evenimente të ndryshme. Por, ndërkohe kam marrë pjesë ne Festivalin Ballkanik të zhvilluar në Bullgari, ku përfaqësova Shqipërinë, si dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë, në përbërje të Ansamblit “Skëndërbeu” të Korçës. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë edhe në disa koncerte të tjera që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të botës, si në Rimini, Selanik, etj.
Repertori i muzikës suaj ka një gjeografi mbarëkombëtare. A ju ka ndihmuar kjo për të arritur perfeksionin, apo ju ka dëmtuar? Ku qëndron më bukur zëri juaj?
Në repertorin tim, krahas muzikës së lehtë në festivalet kombëtare apo në Estradën e Vlorës, kam interpretuar këngë qytetare të Vlorës sime, por edhe Gjirokastrës, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe për 10 vite edhe këngët e bukura lirike kuksiane. E gjithë kjo gamë e gjerë, në asnjë mënyrë, nuk më ka penguar, por përkundrazi e ka perfeksionuar procesin tim krijues. Falë bashkëpunimit me shumë muzikantë, nga Themistokli Mone, Reshat Osmani, Mishel Lako, Haxhi Dalipi, Aleksandër Lalo, Alfred Kaçinari, Ardian Hila, Shpëtim Saraçi, i ndjeri Luan Borova e shumë të tjerë, kam pasur mundësinë të përfitojë më të mirën nga eksperiencat e tyre dhe t’ia transmetojë ato publikut.
Si e konsideroni këngën qytetare vlonjate?
Natyrisht bashin e vendit e zë kënga vlonjate dhe gjithmonë jam ndier e përkëdhelur nga vlerësime të ndryshme në shtyp si “Mbretëresha e Këngës Vlonjate”.
skarco3Prej vitesh keni ndërtuar jetën në kryeqytetin bullgar. Mendoni se shqiptaret kanë arritur te integrohen dhe të njehsohen me vendasit?
Në Bullgari nuk ka emigrantë shqiptarë. Jemi gjithsej rreth 10 familje shqiptare, të integruara me dinjitet, të stabilizuara shumë mirë ekonomikisht dhe me fëmijë të shkolluar në universitetet më prestigjoze të Bullgarisë.
Mendoni se ka ardhur koha që çdo vlonjat, kudo ku ndodhet, të bëjë diçka për vendlindjen? Keni menduar ndonjëherë për një angazhim tuajin konkret?
Gjithmonë ka qënë i domosdoshëm dhe i mirëpritur kontributi i çdo vlonjati, kudo ku ndodhet në botë, për Vlorën tonë. Kontributi im ka qënë dhe do të jetë gjithnjë në sferën e këngës vlonjate, për ta përcjellë kudo atë.
Si e shihni sot Vlorën, ndryshimet që ky qytet ka pësuar në dy dekadat e fundit?
Padyshim, Vlora ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive, por ato duhet të na frymëzojnë më tej për një hop cilësor për ta kthyer gjirin e Vlorës në perlën e Adriatikut dhe të Jonit.
Vendlindja juaj është Narta e Vlorës. Çfarë nismash mendoni se mund t’i shërbejnë këtij komuniteti dhe vetë bashkëqytetarëve tuaj?
Si e lindur në Nartë dhe e rritur në Vlorë, e ndiej si angazhim të vazhdueshëm t’i përfaqësojë denjësisht kudo si artiste, por edhe të jem gjithnjë e pranishme në evenimente të rëndësishme, siç ishte edhe koncerti i madh i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sidomos për faktin se Vlora ime e dashur më ka vlerësuar me titullin e lartë “Qytetare Nderi”.
Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence për prezantimin e historive të suksesit të vlonjatëve që jetojnë jashtë atdheut?
E konsideroj si një mbështetje për potencialet intelektuale, artistike, kulturore të qytetit tonë, zemra dhe mendja e të cilëve duhet të rrahë gjithnjë për vendlindjen dhe të kontribuojnë për të pa asnjë çmim!
Kongresmeni Eliot Engel:Zgjedhjet e 8 qershorit, sprovë për Kosovën
Engel ka bërë thirrje që populli i Kosovës të dalë masivisht në zgjedhjet parlamentare të dielën në Kosovë, dhe që zgjedhjet të jenë të qeta dhe demokratike duke shtuar se” më datën 8 qershor besojë që zgjedhjet do të jenë të lira, transparente dhe të drejta”.
“Një palë zgjedhje të tilla, do të avancojnë demokracinë e Kosovës, dhe do ta shtojnë suksesin e shënuar, përballë sfidave që e presin Kosovën” thotë zoti Engel një mik i dëshmuar i shqiptarëve.
Për Kongresmenin demokrat të Nju Jorkut Eliot Engel : “Marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë nga më të mirat, dhe në Kosovë shqiptarët janë të bindur se Prishtina ka një mik dhe aleat që janë Shtetet e Bashkuara. Unë jam i bindur, thotë ai se SHBA do të vazhdojë të qëndrojnë me Kosovën në demokratizimin e mëtejshëm të saj zhvillimin dhe lulëzimin, e saj- gjithnjë, e më e integruar me strukturat Euro-Atlantike.”
Si gjithmonë kur ne flasim për zgjedhjet në Kosovë, edhe në këtë intervistë, unë jam duke marrë parasysh se si ata kanë zhvilluar në të kaluarën zgjedhjet lokale e parlamentare. Unë do të doja të t’i quaja ato ” një model në të gjithë rajonin “- bile edhe më mirë se në Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Çfarë prisni ju zoti kongresmen nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahet të dielën më 8 qershor 2014?
Engel: Edhe unë duke pasur parasysh zgjedhjet e kaluara por edhe më të fundit, në nëntorin e kaluar(3/nëntor/2013) kur Kosova mbajti zgjedhjet – pra një palë zgjedhje lokale paqësore dhe të rregullta, unë jam shumë optimist se procesi i votimit edhe( më 8 qershor) në këto zgjedhje, do të jetë transparent dhe të mirë-menaxhuar. Unë gjithashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë relativisht e lartë. Mbasi, këto zgjedhje paraqesin një hap të rëndësishëm, për të bër përpara për demokracinë e re të Kosovës, normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, ecjen e saj në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik.
A mendoni se institucionet e Kosovës, kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme?
Engel: Është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të bëjnë gjithçka, që kanë në “dorën” e tyre, për të siguruar që qytetarët janë në gjendje të ushtrojnë të drejtën themelore, për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tyre. Unë gjithashtu, me këtë rast u bëj thirrje autoriteteve në Beograd të bashkëpunojnë plotësisht me Prishtinën në inkurajimin e serbëve të Kosovës, që të votojnë në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun. Unë besoj se do të jet një proces i suksesshëm zgjedhor, që do të jetë një tjetër hap i rëndësishëm përpara për demokracinë e re multietnike dhe do të avancojë perspektivat për stabilitet në Kosovë dhe në rajon më gjerë, mendojë unë.
Si një mik i të gjithë popullit shqiptar, çfarë mendoni se për momentin janë sfidat më të mëdha për të ardhmen e institucioneve të Kosovës?
Engel: Duke pasur parasysh atë se ku Kosova ishte vetëm një dekadë më parë, unë besoj se progresi i saj është i dalluar. Por edhe me gjithë arritjet e saj – prapë për Kosovën mbeten sfida të tilla si : papunësia e cila është ende e lartë, korrupsioni mbetet një shqetësim, tjetër, dhe rritja e besimit ndëretnik dhe bashkëpunimi ka nevojë të përmirësohet. Duke vazhduar për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas meje është kyç për zhvillimin e të dy vendeve, si dhe për stabilitetin më të gjerë rajonal. Kosova duhet të forcojë përpjekjet e saj për të integruar serbët dhe minoritetet e tjera. Së fundi, Kosova duhet të vazhdojë punën e saj për të konsoliduar demokracinë e saj dhe sigurinë për të integruar plotësisht në institucionet Euro-Atlantike.
Cili është angazhimi i SHBA-ve në këto zgjedhje? Pse SHBA nuk dërgojë në Kosovë, një grup vëzhguesish për të monitoruar zgjedhjet këtë herë?
Engel: Shtetet e Bashkuara mbeten edhe më tej – tejet të angazhuar në mënyrë aktive dhe po i ndjekin zhvillimet nga afër. Ambasada e SHBA, në Prishtinë, ka organizuar disa ekipe të vëzhgimit për të ndihmuar në monitorimin e zgjedhjeve.
Qëndrimi politik amerikan ndaj zhvillimeve në Kosovë, ka rëndësi të madhe. Ju lutem komentoni diçka mbi marrëdhëniet SHBA-Kosovë?
Engel: Marrëdhëniet SHBA-Kosovë – jan nga më të mirat, dhe në Kosovë shqiptarët janë të bindur se Prishtina ka një mik dhe aleat që jan Shtetet e Bashkuara. Unë jam i bindur se SHBA do të vazhdojë të qëndrojnë me Kosovën në demokrazimin e mëtejshëm të saj, zhvillimin dhe lulëzimin, e saj- gjithnjë, e më e integruar me strukturat Euro-Atlantike.
Kohëve të fundit ka pasur zhvillime në Kosovës – disa “probleme” u zgjodhën, disa kanë mbetur për t’u zgjidhur – siç ishte çështja e këmbëngulësisë e disa subjekteve politike në respektimin e kushtetutës rreth ulëseve të rezervuara për pakica. Në anën tjetër, patëm qëndrimin e disa grupeve të pakicave që nuk deshën ta mbështesin Ligjin për Forcën e Armatosur të Kosovës. Cili ësht komenti juaj për këto ?
Engel: Me duhet të them me këtë rast se çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet, është një çështje që i përket popullit të Kosovës dhe qeveria dhe parlamenti, është për të punuar për zgjidhjen e këtij problemi. Sa për forcat e armatosura, Kosova, është një vend sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtën e saj për të krijuar një forcë të saj ushtarake si çdo vend tjetër Europian. Kjo është edhe shpresa ime se pas zgjedhjeve Kuvendi i ri që do të dalë nga ato zgjedhje do të miratojë krijimin e një force ushtarake.
Është thënë vazhdimisht nga ndërkombëtarët, se Serbia dhe Kosova duhet të shkojnë së bashku në Evropë; megjithatë, siç shihet Serbia është më afër anëtarësimit në BE dhe Kosova ende nuk është duke parë e “dritën e gjelbërt” nga BE-ja ? qysh me liberalizmin e vizave….!
Engel: Unë mendojë se anëtarësimi në BE dhe NATO, pra ajo që ne e quajmë shpesh her integrimi Euro – Atlantik, nuk janë të lirë – “are not free”. Kosova dhe Serbia do të duhet të bëjnë një punë edhe më të madhe për të përmbushur kërkesat e të dy institucioneve kyçe. Nuk duhet që të jetë një situatë ku Serbia mund të hyjë në BE dhe më pas të bllokojë anëtarësimin e Kosovës. Unë besoj se ajo duhet të jetë kusht i pranimit të Serbisë, që të njohë një Kosovë të pavarur. Dhe ndërsa ajo është thellësisht e padrejtë, rruga e Kosovës do të vazhdoje te jete e “tatëpjetë”, për shkak të kundërshtimit nga shtetet anëtare të cilat nuk janë diskonstruktive dhe ende refuzojnë të njohin Prishtinën . Por unë kam besim se Kosova, me punën e saj të vazhdueshme madhe dhe mbështetjen e saj në rritje, me sukses ka për të përmbushur kërkesat për të dy institucionet Euro- Atlantike, në BE dhe NATO.
Kongresmen Engel ju faleminderit për kohën që morët për të na dhënë këtë intervistë, dhe tash në fund a do të dëshironit të jepni një mesazh për lexuesit tanë?
Engel: Unë do të doja të them se jam me të vërtet i suprizuar nga përparimi i pabesueshëm që Kosova, ka bërë prej se kur ajo shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008. Megjithatë, unë e di se ka sfida të shumta përpara dhe probleme për të kapërcyer, por Shtetet e Bashkuara kane qëndruar pranë Kosovës, dhe do qëndrojnë, sepse populli kosovar ka triumfuar gjithnjë mbi vështirësi të pabesueshme. Unë pres që të shohim në të ardhmen që partneriteti ynë të vazhdojë të lulëzojë që Kosova të ndërtojë një demokraci të begatë dhe të sigurt brenda një Evropë të Bashkuar, e lirë dhe në paqe. (Intervistoi:Beqir SINA)
ISH TË PËRNDJEKURIT POLITK NË GREVËN E URISË, DEKLARATË NË DITËN E 11
Reabilitimi i figurës së diktatorit Enver Hoxha me protokoll qeveritarë,përgatitjet mediokre për festimin e 70 vjetorit të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri,përbëjnë një kërcënim real për të ardhmen tonë të përbashkët./
Deklarata e plote:/
Tiranë,07,Qeshorë,2014/
DEKLARATË PËR SHTYP/
E ISH TË BURGOSURVE DHE TË PËRNDJEKURVE POLITIK NGA DIKTATURA KOMUNISTE,TË NGUJUAR NË GREVËN E URISË PA AFAT, PARA PARLAMENTIT TË SHQIPËRISË/
Për dijen:
Presidentit të Republikës, z.Bujar Nishani.
Kryetarit të Parlamentit, z.Ilir Meta.
Kryeministrit,z.Edi Rama.
Kryetarit të opozitës z.Lulzim Basha.
Të gjith trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.Ambasadave të Amerikës, Anglisë,Gjermanisë, Francës,Italisë,Hollandës etj.OSBE dhe ODIHR.-Tiranë.
Të gjith mediave të shkruara dhe të folura brenda dhe jasht vëndit.
Neve,një grup ish të burgosur dhe të përndjekur politik nga diktatura komuniste,që përfaqsojmë shtresën më fisnike të kombit tonë, po bëhën 11 ditë që jemi ngujuar në një grevë urie pa afat para Parlamentit të Shqipërisë.Protesta jonë më ekstreme deri në vetflijim,vjen si rezultat i papërgjegjëshmërisë së qeverisë dhe injorimit në mënyrë sistematike të të drejtave tona të sanksionuara me ligj për integrimin e shtresës tonë në shoqërinë demokratike,të përpjekjeve të qeverisë dhe strukturave të shtetit për vendosjën e një neokomunizmi të kamufluar dhe të rrezikshëm për demokracinë.Reabilitimi i figurës së diktatorit Enver Hoxha me protokoll qeveritarë,përgatitjet mediokre për festimin e 70 vjetorit të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri,përbëjnë një kërcënim real për të arthmen tonë të përbashkët.Ndërkohë kurë vendet e tjera të Europës ish komuniste si Polonia etj,festojnë përmbysjën e diktaturës komuniste në vëndet e tyre,qeveria neokomuniste në Shqipëri po përgatitet të festojë 70 Vjetorin e vendosjës së diktaturës komuniste.Është një qeveri mafioze-bolshevike që nuk dëshëron Shqipërinë në familjën Europiane. Neve kërkojmë hapjën e dosjeve të ish sigurimit komunist,ngritjën e një komisioni qeveritarë për gjetjen e varreve të lart më shumë se 4000 të pushkatuarve me dhe pa gjygj për motive politike nga regjimi komunist,që akoma nuk u janë gjëndur varret.Premtimet mafioze të Edi Ramës në fushatën elektorale se gjoja në 2 vite do të përfundonte të gjith dëmshpërblimin për ish të përndjekurit politik,gënjyen edhe një pjesë të shtresës tonë që votuan Edi Ramën në zgjedhjet e 23 Qeshorit.Shumë shpejt do të rezultonte se këto ishin gënjeshtra dhe mashtrime të një kryeministri të papërgjegjëshëm.Menjëher pas marrjës së pushtetit,urrejtja e tijë klasore bolshevike shpërtheu me një urrejtje patologjike kundër ish të përndjekurve politik.U larguan nga puna padrejtësish dhe paturpësisht pa asnjë motiv,të gjith bijtë dhe bijat e ish të përndjekurve politik.11 ditë vuajtje nga uria,ne jemi të lodhur dhe të sëmurë deri në kërcënimin e jetës.Asnje përfaqsues i qeverisë,nuk ka denjuar të bisedojë me neve.Me urdhërin personal të Edi Ramës,u hoq Ambulanca e emergjencës mjekësore.Pëkundrazi po injorohemi vazhdimisht nga propaganda enveriste e qeverisë.Këto veprime krimnale kundër dinjitetit dhe jetës tonë,vetëm sa po shton vendosmërinë dhe përshkallzimin e kërkesave tona.Me kauzën tonë janë bashkuar të gjth ish të përndjekurit politik.Neve që jemi sakrifikuar në emër të lirisë dhe kundër komunizmit,për Shqipërinë në familjën Europiane,ne jemi antikorpet që mbrojmë demokracinë,sot ngrejmë zërin tonë deri në kupën e qiellit se në Shqipëri po instalohet neokomunizmi dhe neve nuk mundet të pranojmë këtë realitet të hidhur.Nuk do të dalim nga greva e urisë deri në vdekje pa u plotsuar kërkesat tona të ligjëshme.
1.Të imlementohen Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të KE “për dënimin e krimeve të komunizmit” këtu në Shqipëri,si në të gjitha vëndet e tjera të Europës ish komuniste.
2.Të dënohet figura e diktatorit Enver Hoxha si një kriminel i barazvlefshëm si Hitleri dhe t’i hiqen të gjithë titujt e akorduar nga Kuvendi Popullor ne regjimin komunist.
3.Të happen dosjet e ish sigurimit komunist dhe të largohen nga administrate shtetërore të gjithë ish bashkpuntorët e sigurimit dhe gjithë struktura kriminale e tarfikantëve të kohës post komuniste.
4.Të bëhët dëmshpërblimi i ish të bugosurve politik dhe të internuarve politik nga regjimi komunist sipas ligjit dhe të përfundojë në harkun kohor në 2 vite sipas premtimit të Kryeministri Edi Rama në fushatën elektorale.
5.Të kthehen menjëher në punë të gjith të larguarit padrejtësisht nga administrata shtetërore,të gjithë bijt e ish të përndjekurve politik nga regjimi komunist.
Nënshkruar grevistët e urisë:
-Kryetari i grevës së urisë,Fatmir Hoxha,lindur në kamp internimi,120 vite burg politik si familje.
-Fazli Deliu,27 vite burg politik.
-Gjergj Hani,10 vjet burg politik.
-Luzim Emini,8 vjet burg politik,35 vjet burg politik si familje.
-Ilmi Osmani,13 vjet burg politik.
-Syrja Fero,Babaj 25 vjet burg politik,konfiskim pasurie dhe vet i internuar në kohën e diktaturës.
-Fadil Dema,5 vjet burg politik,më pas i internuar.
-Vilsson Dida,Babaj 25 vjet burg dhe sekuestrim i pasurisë.Vet i internuar.
-Fiqiri Hyzellari,Babaj i vdekur në burgun e Burrelit.
-Agron Cico,Babaj 15 vjet burg politik,vet i internuar.
Ju bëjmë thirrje të dëgjoni zërin tonë,zërin e mbrojtjes së demokracisë nga neokomunizmi.Jemi të vendosur deri në vetflijim. Rroftë Shqipëria,rroftë demokracia.