• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEKSIONI SHQIPTAR I TIVARIT TË SOTËM

May 11, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Në disa elektoriada lokale shqiptarët etnik të Tivarit ishin të bashkuar, të pa përndamë nëpër partina politike shqiptare. Krejt ndryshe nga vllaznit e vet shqiptarë në Ulqin, Tuz, Plavë-Guci, Podgoricë e Rozhajë, këta, hqiptarët tivaras, votonin vetëm për një parti politike, për Lidhjen Demokratike (LD) të Mehmet Bardhit, ma e vjetra parti shqiptare në Mal të Zi. Parti një çerek shekullore.
Shqiptarët e atyshëm në zgjedhjet lokale të fundit (2010) fituan vetëm një këshilltar në kuvendin komunal me 36 antarë. LD mori 749 vota, kryesisht nga shqiptarët e krahinës etno-historike të Krajës. Këto vota të LD, për krahasim, mund të përkthehen edhe si një e pesta e një mandati deputeti në Parlamentin e Malit të Zi.
Lidhja Demokratike (LD) doli e vetme në zgjedhjet lokale të vitit 2010 në Tivar dhe mori pothuaj sa dy grupimet politike shqiptare në kit’ komunë në zgjedhjet e fundit parlamentare Tetor – 2012, si “Koalicioni Shqiptar” (Lidhja Demokratike, Partia Demokratike e Alternativa Shqiptare) 511 vota dhe ai “Për Bashkim” (Forca e Re Demokratike–FORCA, Partia Inisiativa Qytetare, Lëvizja “Perspektiva”) 255 vota.
Edhe sivjet, më 25 maj 2014, Lidhja Demokratike, kryetari i këshillit komunal të saj në Krajë, Ismail Doda, ende pa fillue votimi e ka të sigurt një vend ulës në “parlamentin” lokal 37 antarësh të Tivarit.
2.Sivjet, drejt Tivarit iliro-arbnor, në zgjedhjet komunare të 25 majit 2014, kanë hyrë rishtar edhe dy parti politike shqiptare: Partia Demokratike (PD në MZ) dhe Fryma e Re Demokratike (FORCA), të cilat po duan me e zgjerue gjeografinë e fuqinë e tyre elektorale. E dyta parti politike shqiptare në Mal të Zi, Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH), nuk ka qasje. Të tjerat parti politike shqiptare po lëvizin kryesisht në “korridorin politik shqiptar” nga Tuzi (Podgoricë) – Ulqin. Ndonjana parti mrizon nën hijen e vet. Ndokush sish (UDSH) marrëzon me Gjukanoviçin deri edhe për zgjedhjet lokale në treva me shumicë shqiptare (!)
Çka i shtyni drejt Tivarit shqiptar dy forcat politike shqiptare PD e FORCA? E para, numri i votave të siguruara në koalicionet elektorale të Tetorit 2012. E dyta, zgjedhjet lokale në komunën e Ulqinit në fundjanar 2014, ku FORCA e Nazif Cungut mbeti humbëse e Partia Demokratike (PD) e Fatmir Gjekës doli fituese. Këto dy parti kishin dalë në skenën politike pas shkëputjes të liderëve të tyre nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) tue i marrë edhe një pjesë të antarësisë së saj, etj. E treta, e fshehta, disa parti politike shqiptare të sprovës apo orbitale të tyre po duan me i marrë terren politik, elektoral, Lidhjes Demokratike (LD), që ndër dekada ka figura politike të hershme e të reja që e kanë mbajt veten e qëndrue fortas në kambë politikës sllave.
Për herë të parë shqiptarët e Tivarit u vnuen përballë alternativës me zgiedh njanën prej tri partive politike shqiptare për me ua dhanë votën e tyre më 25 maj 2014 për pushtetin lokal. Kjo shumësi partish politike, shihet në dukje si arritje e demokracisë, po në palcën e kockën e vet është kryqëzatë antishqiptare.
Tri parti në Tivar janë shumë për ma pak se 2.000 shqiptarë votues të 25 majit 2014. Kjo rrezikonte që shqiptarët e Tivarit të mos e fitonin as një mandat këshilltari si më 2010 (!) Mos përfaqësimi i tyre ishte humbje politike për shqiptarët, (vet)përjashtim nga qeverisja lokale, asimilim i tyre.

3.
Ndaj, tri partitë politike shqiptare LD, PD e FORCA, degët e tyre lokale në Krajë të Tivarit, siç duket i parandjenë këto rreziqe politike-etnike-elektorale prandaj lidhën sëbashku në prill 2014 një aleancë paraelektorale me firmat e liderve lokal partiak: për LD nga kryetari Ismail Doda, për FORCA nga kryetari Ilirijan Koliqi dhe për PD nga kryetari Fitim Draga. Ishin të pranishëm edhe tre liderët kryesorë të partive politike shqiptare: Mehmet Bardhi, Fatmir Gjeka e Nazif Cungu.
Ishte koalicioni i parë panshqiptar në komunën e Tivarit nga “partitë e Krajës”.
Njëherash është edhe i vetmi koalicion partiak gjithëshqiptar komunar e rajonal që kryhet në trevat etnike shqiptare me të gjitha partitë politike shqiptare pjesmarrëse në zgjedhjet lokale të 25 majit 2014. Kjo risi politike shqiptare nuk ndodhi sivjet në asnjë nga komunat me popullsi shqiptare si ato të Ulqinit, Tuzit, Gucisë, Podgoricës, Plavës e Rozhajës.
Pas këtij akti politik me vullnet të lirë e të mirë ky Koalicion Shqiptar Trepartish lidhi një aleancë ma të hapët me Partinë Boshnjake (PB) me kryetar lokal Munib Licina, për të cilin kam me shkrue veçmas, pasi kam disa kritika e sugjerime.
Ky koalicion ishte koalicioni i parë ndëretnik në Tivar, në mes të shqiptarëve të bashkuar e myslimanëve boshnjakë të bashkuar.
Tivari me mbi 43 mijë banorë të etnive të ndryshme: malazezë, serbë, “muslimanë”, shqiptarë, boshnjakë, kroatë, etj. sivjet numëron 36.400 votues të regjistruar . Kjo rritje e elektoriatit do të thotë ndryshe edhe një këshilltar komunal ma shumë se në zgjedhjet e kaluara të 2010-tës. Pra, gjithsej, 37 “deputetë lokal”, nga të cilët mendohet se mund të jenë dy apo tre “deputetë” shqiptarë, ndoshta tre përfaqësusit e tri forcave politike shqiptare.
Shqiptarët në Tivar vit pas viti po rriten si forcë aktive në politikbërjet komunare, po faktorizohen përballë kohës e etnive apo komuniteteve etno-kulturore-historike të ardhura në këtë komunë bregdetare portuale, tokë etnike iliro-arbnore.
Shqiptarët e Tivarit, veçmas në krahinën etno-historike të Krajës, kanë gjithato problematika për zgjidhje emergjente nga shteti i Malit të Zi: përdorimi i gjuhës dhqipe në komunën e tyre; ruajtjen e trashëgimisë kulturore, historike e shpirtërore; kthimi në gjëndjen e maparshme të kishave nëpër ujdhesat e liqenit të Shkodrës, mosuzurpimi nga sllavët i kishës së Shën Mërisë, heqja e objektit në formë kishe nga maja e Rumisë; hapja e pikës kufitare me Shqipërinë në Zogaj (Hutaj)-Skje; realizimi i shpejtë i projektit të furnizimit me ujë të pijshëm të Krajës; riparimi i rrugëve regjionale si ajo Katërkoll-Ostros-Virpazar që i lidhën tri bashkësi vendore Cërmicë-Shestan-Ostros; vendosja e linjës periodike të autobuzit Gjuraç-Ostros-Tivar, etj.
Kraja e banuar nga shqiptarët e saj etnik shtrihet në breg të bazenit ma të madh të ujit në Ballkan, ndërsa në truallin e shtëpiat e saj nuk ka ujë të pijshëm. Kjo mungesë e pajustifikueshme lejohet pasi kësisoj synohet shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e veta etnike. Ky rast ëshë kulmi i burokracisë gjukanoviçiane, i papërgjegjshmërisë të qeverisë së tij, pasi projekti nga agjensia turke “TIKA” është vetkrye prej kohësh dhe ndodhet në sirtarët e komunës së Tivarit bregdetar dhe tek një agjensi tjetër në Alpe, në Bijellopoljn veriore, e cila e ka ekskluzivietin e përkthimit të projektit nga gjuha turke në atë malazeze e mbasandejna përcillet për liçensim. A thue edhe kësaj vere shqiptarët e Krajës do të mbeten buzëtharë pranë ujit, me shpresë përballë pabesisë shtetërore malazeze e serbe në Tivar, Podgoricë e Çetinë?!

4.
Kjo aleancë e tri partive politike shqiptare në Tivar duhet përshendet, po jo për ta admirue në tepri, pasi shqiptarët nën Malin e Zi nuk duhet të kenë ma shumë se dy apo tri parti në krejt rajonin nga bregdeti në Alpe.
Tashti shqiptarët nën Malin e Zi kanë 11 parti: Lidhjen Demokratike (LD) të Mehmet Bardhit, Unionin Demokratik Shqiptar (UDSH) të Mehmet Zenkës, Forca e Re Demokratike (FORCA) e Nazif Cungut, Partia Demokratike (PD) e Fatmir Gjekës, Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD) e Ali Rexhës, Alternativa Shqiptare (ASH) e Gjergj Camajt, Inisiativa Qytetare (IQ) e Vasel Sinishtajt, Lëvizja Perspektiva (LP) e Amir Hollit, Aleanca Rinore Shqiptare (ARSH) e Anton Lulgjurajt, si dhe dy parti të reja në Plavë-Guci, të porsa daluna nga dimni i vitit 2014.
Partia Demokratike (PD në MZ) ka dalë e vetme në Tuz e Podgoricë, në Guci dhe në Plavë. Ende nuk kam të dhana për elektoriadën e shqiptarëve tanë të Rozhajës.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) pasi i doli krah antishqiptar partisë (DPS) të Gjukanoviçit në zgjedhjet lokale të parakoshme në Ulqin (26 janar 2014), tashti ka ri/hy thithtas në “Koalicionin për Tuzin Evropian” të Gjukanoviçit e nën sqetullën e partisë së tij (DPS) elektoron edhe në Podgoricë e komunën tjetër urbane të Golubovcit. Tashti UDSH po del e vetme në komunën e Gucisë dhe në aleancë me FORCA në Plavë (!) Kjo parti, UDSH, me dal haptaz edhe në Alpe, si në Ulqin e Podgoricë, me u fut në aleancë me partinë e Gjukanoviçit, që në Plavë ka nxjerrë devizën elektorale “Për Plavën Europiane–Milo Gjukanoviç” dhe në komunën e Gucisë t’i bashkangjitej Koalicionit antishqiptar të Gjukanoviçit “Njëzëri për Gucinë” (sëbashku me partitë DPS-BS-SDP).
Në komunën urbane të Tuzit dhe në komunën e kryeqytetit, të Podgoricës, dy parti shqiptare: Alternativa Shqiptare e Inisiativa Qytetare kanë krijue një koalicion të përbashkët. Asnjera prej tyre nuk konkuron në komuna të tjera me popullsi shqiptare, as në Tivar, as në Plavë, as në Guci, as në Rozhajë.
Dy partitë e reja shqiptare konkurojnë vetëm në komunat e tyre, pasi ndoshta aty apo prej aty duan të bajnë “bio-politikën” e vet. Inisiativa Qytetare konkuron e vetme në Plavë, sikurse edhe Aleanca Shqiptare doli e vetme në komunën e re të Gucisë.
Nisur nga kjo panoramë gjeo-politike elektorale kjo aleancë e tri partive politike shqiptare në Tivar duhet përshendet vllaznisht, po nuk duhet admirue në tepri, pasi shqiptarët nën Malin e Zi nuk duhet të kenë ma shumë se dy apo tri parti në krejt rajonin e vet nga bregdeti Ulqin-Tivar deri në Alpe, në Plavë-Guci e Rozhajë.(Ne Foto:Mehmet Bardhi, Kryetar i LD ne Mal te Zi)

Filed Under: Analiza Tagged With: I TIVARIT, LEKSIONI SHQIPTAR, Ramiz Lushaj, te sotem

Zgjedhjet parlamentare evropiane dhe ekstremizmi i djathtë

May 11, 2014 by dgreca

Nisur nga një hulumtim i bërë nga gazeta suedeze “Svenskadagbladet” dhe Fondacioni Exspo, në zgjedhjet për parlamentin evropian që do të mbahen me 25 maj, pra edhe dy javë të plota, partitë ekstremiste do të marrin mandate më shumë se asnjëherë më parë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë janë duke u zhvilluar si një forcë që në të ardhmen duhet të llogaritet në to. Sipas një hulumtimi të bërë nga gazeta autoritative suedeze “ Svenskadagbladet” dhe Fondacioni Exspo në zgjedhjet parlamentare të BE-së që do të mbahen kah fundi i këtij muaji, shihet se këta dy krah do të fitojnë mandate më shumë se asnjëherë më parë. Zaten, një sukses i tyre në rrugën e depërtimit të vendosjes së parlamentarizmit evropian shtrojnë edhe pyetjet: Kush janë ata? Çfarë kërkojnë ata? Cili është suksesi i tyre.
Pikërisht këto pyetje dhe shumë çështje të tjera që lidhen më këtë problematikë kishin shtyrë këtë medium dhe këtë Fondacion që t’i rrekën kësaj çështjeje apo më mirë me thënë këtij realiteti të hidhur, në mënyrë që të kuptohet më shumë ky fenomen politik shumë i diskutueshëm në kohën e sotme. Në faqen e hapur posaçërisht për këtë fenomen të përgatitur nga Exspo, përfshihet një përmbledhje e plotë dhe unike të të gjithë krahut të majtë dhe të krahut të djathtë populist si kandidatë për Parlamentin Europian. Në këtë faqe paraqitën të dhënat e rezultateve të zgjedhjeve në njëzet vjetët e fundit në mënyrë që të tregohet imazhi i populizmit të djathtë në BE dhe ekstremizmit të krahut të djathtë si një fenomen unifikues me gjithë kompleksitetin e saj të natyrshëm.
Partitë populiste të djathta janë ato që kombinojnë; ruajtjen e hegjemonitetit kulturor dhe etnik; Auktoritarizmi”- besimi në një shoqëri të organizuar në mënyrë rigoroze duke kërkuar ligjin dhe rendin për realizimin e synimeve të tyre; partitë që pohojnë se përfaqësojnë një popull të shtypur kundër një elite multikulturale. Këso partish sot veprojnë në disa shtete si për shembull “ Demokratët suedez”, Partia Popullore Daneze, Partia e Vërtetë Finlandeze, “ Definicioni politik shkencor CAS MUDDES i Holandës etj.
Përtej këtyre partive gjendet partia e krahut të djathtë ekstrem NPD- ja gjermane. Ata që përbëjnë këtë formacion politik janë palë të lidhura në shkallë të ndryshme me traditat fashiste të mendimit dhe të simbolizimit.
Fjala ekstremizëm është fjalë e hapur. E djathta në të këtë kontekst nuk thotë asgjë lidhur me politikat ekonomike të partive, të cilat në të shumtën e rasteve janë të orientuara në të majtë, por në vend të kësaj vizioni i tyre i vazhdueshëm synon ultra- konservatizmin e demokracisë, lirisë, respektimin e minoriteteve dhe idenë e barazisë njerëzore. Programi i këtyre partive ndryshon në shumë pika. Mirëpo, gjatë veprimtarisë së tyre ato përkujtojnë njëra- tjetrën. Ata të gjithë së bashku përfaqësojnë një forcë politike, që në shumicën e rasteve janë kundër projekteve të BE-së, i cili dëshiron për të kufizuar emigracionin në Europë nga shtetet tjera jashtë këtij unioni dhe shumë herë duke folur për të njëjtin problem me të njëjtin lloj të retorikës. Ata shkojnë në zgjedhje me një ëndërr të një Europe krejtësisht të ndryshme nga ajo siç BE është munduar të krijohet kësisoj çfarë është sot.
Mos do të jetë kjo një ëndërr e një fundi të Europës?

Filed Under: Politike Tagged With: ekstremizmi i djathtë, t parlamentare evropiane dhe, Xhavit Citaku, zgjedhje

NJË SHKËNDIZË JETE

May 11, 2014 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI/Boston/
Ende ishte errët kur morëm përpjetë shpatit dhe lamë mbrapa spitalin dhe anekset e tij, të cilët ishin bërë njësh me mjedisin e bardhë përqark. Dëbora, që këto ditë s’ishte kursyer së treguari pasurinë e saj të bardhë, duhej t’i kishte kaluar dy metrat.
Arifi ishte infermieri i spitalit dhe, sa herë dilja fshatrave, e merrja me vete. Ai ishte vendës dhe i dinte symbyllur të gjitha monopatet, shurigat, rrëpirat e shkurnajat. Kishte shtat të lartë, dy këmbë të drejta si lëndë pylli, dy sy të kaltër, një hundë shqiponje dhe një buzëqeshje dashamirëse: “si ke nje doktor!”…
Që tej, filloi të dukej qafa e ortekëve me tërë madhështinë e bukurinë e saj. Ajo fillonte poshtë, me të kapërcyer lumin dhe mbaronte lart në majën e një shkëmbi thepa-thepa, në zgavrat e të cilit malësorët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre prej guri.
Mbërritëm aty nga drekëhera të këputur nga lodhja, uria e të ftohtit. Pyetjeve tona të shpeshta njerëzit e fshatit u përgjigjeshin qetë e kuptueshëm. Asnjë lloj gripi nuk kishte shkelur në portat e tyre dhe qeshjet plot jetë të vocërrakëve na çlodhën e na bënë t’i binim edhe një herë rrotull qafës së ortekëve. Gjithë mbasditen shpërndamë nëpër shtëpi vitamina e vaj peshku dhe vonë, shumë vonë, u plasëm të këputur në shiltet e leshta pranë vatrës që bubullonte nga flakët e nga prushi.
Dikush po tundte supin tim të majtë. U hodha në këmbë dhe pashë se i zoti i shtëpisë po jepte e merrte me duar për të më thënë diçka që unë s’po e kuptoja. Sidoqoftë, u vesha shpejt e dola në korridor. Aty po me priste një vajzë shtatimët, e mbështjellë me një pallto të trashë dhe me një shall të bardhë të leshtë. Ishte mamia e fshatit, e cila, nga nxitimi dhe emocioni, mezi më shpjegoi se ndodhej para një lindjeje të parakohshme dhe se kërkonte ndihmën time. Zgjova Arifin dhe u nisëm që të tre nëpër një rrugicë të ngushtë e të bardhë dëborë që ndriçohej nga drita e zbehtë e hënës.
Dhoma ku u futëm, ndodhej në katin e parë të një shtëpie ndërtuar mbi një copë shkëmbi. Nga lindja kishte dy dritare të vogla dhe përballe tyre, në një vatër me gur të gdhendur, digjeshin dy trungje të trasha lisi. Afër vatrës, mbi një krevat prej dru arre të skalisur prehej një grua e re. Ajo kishte sy
bojëqielli, ashtu sikundër i ka Arifi dhe gjithë njerëzit që banojnë në këto vise. Duket, meqë janë larg detit, dëshirojnë t’i vështrojnë nuancat e ngjyrave të tij në sytë e njëri-tjetrit.
Duke vizituar gruan, psherëtiva sepse duhej patjetër gjak e
oksigjen. “Njetash!” – u dëgjua zëri i Arifit. Unë e pashë i
habitur. “Po nisem, pra, doktor i dashtun”, – tha ai dhe, pasi
mbërtheu pallton, me firoi nga sytë, thua se i kërkonin një
gotë me ujë e jo një udhëtim plot me rreziqe dhjetëra kilometra
mes tufanit, ortekëve dhe errësirës.
Ai u zhduk duke u kthyer në një pikë të zezë në sfondin e
bardhë të dëborës, herë duke u hedhur, herë duke rrëshqitur,
herë duke më humbur nga sytë e herë duke më dalë përsëri.
Tek e vështroja këtë njeri nga sofati i shtëpisë, më shkoi mendja
te detyra ime e vështirë për të shpëtuar shtatzënën dhe
ferishten e saj. Nusja e re kishte humbur shumë gjak, fëmijës
nuk i dëgjoheshin mirë rrahjet e zemrës. Një avull i nxehtë ma
solli mendjen qark dhe u ula tek një gur i madh i rrumbullakët
që ndodhej para portës së shtëpisë. Mbështeta pëllëmbët në
tëmtha dhe ia mbërtheva vështrimin peizazhit bardhë e zi. Tani
mamia po përgatiste shtatzënën, ndërsa Arif shtetgtari, Arif
hapamadhi, kishte marrë tatëpjetën e qafës. E merrja me mend
se si do të paraqitej në spital, do të informonte e do të kërkonte
gjakun e grupit “B”, pastaj do të ngarkohej me ilaçe, me shishen
e gjakut, kacekun e oksigjenit… Gjakun, me siguri, do ta
vendoste nën sqetull që të mos ngrinte. Edhe të ngrinte, ne do
ta fusnim në sqetullat tona deri sa të merrte temperaturën e
trupit… Papritur, në prehrin tim u gjend një kuti alumini, mbi
kapakun e së cilës ishte gdhendur një çibuk. Ktheva sytë e
pashë një plak qeleshebardhë, i cili dukej se kishte qëndruar
gjatë pranë meje.

Isha ulur në një fron të vogël te koka e krevatit të gruas së
re. Ajo dukej krejt e hutuar, e trembur, gati e ngrirë në vend.
Sapo më kishte treguar për aksidentin (kishte shkarë në akull)
dhe sytë i ishin mbuluar nga një cipë llahtari tek parandiente
se fëmija nuk do t’i rronte. E pyeta se kur e kishte ndier fëmijën
gjallë e ajo m’u përgjigj “rreth ditëve kur kishte rënë bora e
parë”. Sipas llogarisë, duhej të ishte aty nga fillimi i të shtatave
dhe jetës së fëmijës i vihej një pikëpyetje e madhe. Këtë dyshim
ajo e pikasi menjëherë në sytë e mi dhe bebëzat e syrit iu
zmadhuan çuditërisht. Me një lëvizje të dorës së majtë afroi
jorganin deri të hunda, pastaj mbuloi krejt kokën… “Mos, – i
thashë, – ke nevojë për ajër!” – dhe ia zbulova fytyrën. E dija.
Po qante. Ia shtrëngova, pa folur, pëllëmbën e dorës së djathtë,
mbi damarin e se cilës pikonte ngadalë-ngadalë lëngu sintetik
e pa ngjyrë, i cili do të luftonte të nxirrte jashtë frutin e saj të
dhembshuruar. “Shpëtomëni!”, – luteshin sytë e saj. “Do të të
shpëtoj!”- përgjigjeshin sytë e mi… “Jo mua, të voglin!” …”Edhe
të voglin!”…Do të jetojë?”… “Do të jetojë!”… “Të faleminderit…,
të keqen motra!” … “Rri qetë tani!”
Kur s’kisha më ç’të bisedoja me sytë e saj, ngrita kokën
lart dhe e rrotullova në të katër muret. Kudo vareshin qëndisma
dhe fotografi prerë nga revistat. Në njërën, një nënë i qeshej
një fëmije, në një tjetër një mace lëpinte dy mace të vogla, në të
tretën një rosë notonte me të vegjlit e saj. Përfytyrime të denja
dhe të ligjshme të nënës së ardhme, të nënës!… Kur mbaroi
injeksioni, ia hoqa gjilpërën nga damari dhe u largova me
hapa të lehtë. Gruaja e re kishte rënë në një dremitje të qetë.
Dola jashtë ne oborr, u ula te guri i rrumbullakët, nga ku me
erdhi përsëri në prehër kutia e alumintë me çibukun e
gdhendur mbi të. Megjithëse nuk e pija duhanin, ia pranova,
për herë të dytë. Sytë e mi u mbështetën mbi vështrimin e
qullët të plakut, i cili foli me një zë që s’kishte ngjyrën e zërit të
malësorit: “Shpëtomani nusen, doktor, sa për kërthinin e dimë
që nuk rron, por nusen shpëtomani, e kena të mirë fort!”. Ky
plak kishte qenë i vjehrri i saj. “Kërthini s’rron e ty s’të vëmë
faj!”, – përsëriti plaku duke thithur çibukun. “Do të përpiqemi
të rrojë!”, – i dhashë zemër atij… “Nuk bëhet ihsan ai, doktor”…
Ndërkaq plaka e tij m’u afrua me hapa të druajtur. Në duar
mbante një tas me maz. Mazen këtej e gatuajnë me ajkë
qumështi, miell misri e djathë taze. Për ta jam bërë njeriu i
shtëpisë.

– Doktor, ajo po lind! – thirri mamia me një fytyrë më të
bardhë se çarçafi.
Vesha shpejt dorezat prej llastiku dhe vura maskën në
hundë. “Arifin! – bërtita, – shkoni e prisni Arifin!” Një turmë
grash, që deri atëherë s’i kisha parë, u sulën në drejtim të qafës
së ortekëve… Rënkimet e shtatzënës po bëheshin të dendura e
rrëqethëse. Iu afrova dritares. Barku i rrudhosur i qiellit pillte
pa pushim flokë të mëdha dëbore, të cilat herë-herë vinin e
përplaseshin te xhami i dritares sikur diç donin të vështronin
aty brenda. Duke ndjekur i përhumbur vallen e tyre, një rënkim
fatal më bëri të dridhesha ashtu siç dridhet peshkatari kur i
kap grepin peshku…
Në dy pëllëmbët e mia prehej një qenie e vogël njerëzore.
Frika nëse do të jetonte kjo qenie, ishte ideja e parë që më
pushtoi trupin në formën e një avulli të kuq e të nxehtë dhe
gati ma mori frymën. Vërtitesha nëpër dhomë si i çmendur
me këtë qenie të brishtë, pa guxuar ta lëshoja gjëkund, mbasi
më dukej sikur jetën e merrte prej pëllëmbëve të mia. Nuk
ishte më e madhe se një grusht dhe nuk peshonte më shumë
se 1500 gramë. Një kilogram e gjysmë mish njeriu! “Doktor, –
më përmendi mamia, – po ajo nuk po qan! Mos vallë…” Ajo
kishte të drejtë dhe me mëdyshje e lëshova çikën e vogël mbi
një grumbull leshi që e kishim përgatitur më parë. Më duhej
një tub llastiku dhe m’u kujtua se pak më parë me një të tillë
kisha bërë injeksionin intravenoz. E gjeta në grumbullin e
shiringave, e zhyta disa herë në ujin e valuar të kusisë dhe ia
futa njërën anë fëmijës në gojë. Anën tjetër e futa midis buzëve
të mia. Fillova të thithja sekrecionet që kishin zënë vend në
organet e frymëmarrjes së fëmijës. Të gjitha këto veprime u
kryen në disa sekonda dhe duke thithur vazhdimisht, së fundi
vura re se ngjyra blu e fëmijës po tërhiqej në panik e ndjekur
nga ngjyra roze trëndafili, e cila po mbulonte me shpejtësi
trupin e flashkët. Mbas frymëmarrjes gojë me gojë dhe lëvizjeve
të lehta të kraharorit u duk sheshit se ajo filloi të merrte frymë.
Jetonte! Ngrita ballin e djersitur dhe lart mbi kokën time pashë
sytë e butë e të dashur të Arifit, i cili shtrëngonte në dorë
kacekun e oksigjenit… “Ke ardhur në kohë,” – i pëshpërita, –
filloni menjëherë transfuzionin e gjakut!”, – thashë dhe i lirova
vendin. Ndjehesha i këputur, ndaj dola jashtë dhe u ula mbi
gur duke numëruar me mend lindjet që kisha asistuar në dy
vitet e para të profesionit tim si mjek i përgjithshëm dhe e
lashë veten të rrëmbehesha nga harresa.

“- Doktor, kërthini po vdes! “ Ky ishte zëri i pazakontë i
Arifit. U gjenda në dekik tek qoshja ku e kishim vendosur
fëmijën. Kjo vogëlushe malësore, pa dalë mirë në jetë, u ndodh
papritur në përleshje fytafyt me vdekjen, ajo, e brishta, sfidon
mizoren… Tani, edhe profesori po të ishte në vendin tim, do të
shqetësohej. Duke mbajtur fëmijën nën maskën e oksigjenit,
lëkura po i merrte ngjyrë trëndafili, por, me keqardhje, pashë
se jastëku i oksigjenit po boshatisej; edhe disa minuta e ai do
të mbaronte plotësisht. Tani e tutje vogëlushja duhej të luftonte
pa ndihmën e shkencës. Vallë, do të gjente forca të tilla? Arifi
dhe mamia u panë në sy të alarmuar. Akoma më keq u
shqetësua lehona kur ndjeu heshtjen tonë. Asnjë kraharor nuk
merrte fryme lirisht… Jastëku ishte boshatisur, me duar të
dridhura hoqa maskën e oksigjenit nga fytyra e fëmijës.
Atëherë ndodhi e papritura… mrekullia vetë: vogëlushja në
fillim mori frymë thellë dhe me gulçe, pastaj frymëmarrja iu
bë më e qetë. Ne të tre përgjonim të përqendruar këtë
frymëmarrje, thua se për herë të parë përgjonim një qenie të
gjallë që merr ajër… Ajo thërmizë jete, që e trembur, pak më
parë kishte lënë trupin e brishtë, tani po rikthehej e druajtur
dhe po hynte ngadalë në folenë e saj, tamam si bletët e roitura
që mblidhen në zgjoin e ri. E përgjoja tek merrte frymë vetë
edhe për disa çaste. Kur u binda për një frymëmarrje ritmike,
kërkova të më sillnin një kanistër tjetër të mbushur me lesh të
pastër, brenda së cilës vendosa me kujdes vajzën dhe e
mbështolla duke i lënë vetëm kokën jashtë. Lehona i vështronte
të gjitha këto lëvizje me shqetësimin e shqiponjës kur ia trazojnë
folenë dhe, kur e vendosa kanistrën afër vatrës, ajo ngriti me
mundim kokën duke rrezikuar të nxirrte nga krahu gjilpërën
nëpër të cilën rridhte gjaku. U mbështeta mbi një shilte pranë
vatrës dhe njërën dorë ia qarkova kanistrës. Me dorën tjetër
kontrolloja pulsin, ndërsa sytë ia kisha mbërthyer krijesës duke
i përgjuar frymëmarrjen. Tek e shihja vajzën aty afër vatrës,
m’u kujtua pjesa në prozë e Migjenit “Bukuria që vret” dhe
m’u rrëqeth trupi nga krahasimi… Aty… një lopë që shtyp në
gjumë një fëmijë pranë vatrës dhe, këtu… një mjek që përgjon
pranë vatrës frymëmarrjen e një vajzë kërthi.
Në atë pozë të palëvizshme, gati si statuje, duhet të kisha
qëndruar shumë orë dhe aty nga mesnata, me sy gati të
përgjumur, pashë një hije të zezë që po afrohej në drejtimin
tonë. Arifi, që ishte mbështetur pranë meje, më tundi krahun,
ndërsa mamia ngriti kokën nga pozicioni gjysmë shtrirë në
krevatin e lehonës. Hapat qëndruan diku, pranë vatrës dhe, si
zogu që mbron folenë, zgjata instinktivisht krahun mbi
kanistër. Kur i hapa sytë mirë, vura re nën dritën e zbehtë të
vatrës një plak të përkulur përgjysmë mbi fëmijën. Plaku u
çua dhe gjithë sa ishim atje, pamë një lot të madh të rrëkëllehej
në faqen e tij e të ndalej në majë të mjekrës si një gur kristali.

Filed Under: ESSE Tagged With: NJË SHKËNDIZË JETE, Rozi Theohari

Familje e shëndoshë- Atdhe i shëndoshë

May 11, 2014 by dgreca

Nga Bardhyl SELIMI/
Të nderuar bashkëqytetarë fisnikë të Shqipërisë,
Ju që jeni gjyshër, prindër, motra e vëllezër;
Ju që jeni miq, shokë e kolegë të ndershëm;
Ju që jeni edukatorë të mendjes e të shpirtit;
Ju që ushqeni me djersën, gjakun, drejtësinë dhe moralin tuaj të lartë, më të shenjtën – familjen, shoqërinë dhe atdheun;
Ju që me këmbënguljen dhe përvojën tuaj ngrini në këmbë fëmijët, i mësoni të hedhin hapat e parë, i përgatitni për jetën e ndershme me zemër të madhe, me dhimbsurinë, dashurinë, besimin e sakrificën për idealet e familjes, shoqërisë dhe atdheut;
Ju që luftoni sa keni frymë për harmoninë e vatrës sonë, për mirësinë dhe respektin, për vlerat njerëzore e qytetare që trashëguam nga brezi në brez dhe i bëheni kështu barrierë tendencave të çarjes, shkatërrimit, shfytyrimit dhe perversionit, që mëton të çajë udhë në gjirin tonë;
Për të gjitha këto dhe të tjera forma, që nën maskën absurde të “të drejtave legjitime” kërkojnë revanshin të na imponojnë një moral të importuar, dhe për më tepër, të marrin bekimin tonë për modelet e shthurjes dhe devijimit të shëndetit të familjes dhe shoqërisë, të ngremë zërin tonë të bashkuar e të fuqishëm, për të dhënë një përgjigje të prerë:
– Jo shkatërrimit të familjes shqiptare!
– Jo gjesteve që inkurajojnë cenimin e unitetit të familjes dhe shoqërisë!
– Jo përkrahje publike modeleve që e shndërrojnë shoqërinë tonë në Sodomë dhe Gomorrë!

Sepse familja është embrioni i çdo shoqërie dhe i çdo qytetërimi. Familja është shoqëria në miniaturë. Familja fillon me fëmijët. Familja është mjedisi i parë, ku njeriu duhet të mësohet të krijojë mirësi. Paprekshmëria e familjes garanton sigurinë e shoqërisë së madhe njerëzore. Çdo doktrinë sociale, që përpiqet të rrënojë familjen është e papranueshme dhe përveç kësaj, e pazbatueshme. Të rritesh në një familje vërtet të shëndetshme – ky është suksesi i sukseseve. Varësia e jetës familjare e bën më të moralshëm njeriun. Një popull që nuk duron padrejtësitë në jetën familjare, nuk mund t’i kryejë ato në jetën shoqërore. Sepse familja është kristali i një shoqërie.
Populli shqiptar ka përjetuar mjaft mjerime, luftera, fatkeqësi e pushtime të huaja. Por të gjitha plagët ne i kemi shëruar dhe të gjitha fatkeqësitë i kemi kaluar, duke u mbështetur gjithnjë në moralin e lartë të një familje të bashkuar. Vlerat tona të familjes kanë qenë gjithnjë ato që na kanë mbajtur të qëndrojmë në këmbë me krenari e dinjitet. Ky ka qenë sekreti i qëndresës sonë në përballimin e vështirësive që s’na i kurseu fati dhe kështu ka për të qenë në jetë të jetëve. Familja shqiptare është vlerë e shenjtë, e paprekshme!
Mbrojtja e këtyre vlerave është mbrojtja e nderit dhe dinjitetit tonë shoqëror e kombëtar. Ata që kanosen t’i shkallmojnë këto vlera, ta denatyrojnë familjen dhe shoqërinë tonë përkundër trashëgimisë dhe identitetit të saj, përkundër vullnetit të Zotit dhe ligjeve të natyrës, le të ndeshen me kundërshtimin tonë kategorik: familja shqiptare është e paprekshme! Ajo është projektimi ynë i bashkuar në të ardhmen e kësaj shoqërie dhe do të vazhdojë ta riprodhojë vetveten në akord me vullnetin e Zotit dhe ligjet e natyrës. Ata që që kanë marrë revanshin të na diktojnë modelet e tyre jashtë këtij vullneti e jashtë këtyre ligjeve, janë pjesë e keqardhjes së identitetit tonë familjar e shoqëror, por kurrsesi vlerë e tij. Sepse kush proklamon, se modeli i “mjerimit të natyrës” është vlerë universale, ata jetojnë në keqkuptim dramatik me vlerat e qytetërimit të sotëm. Ata kanë një përfytyrim karikaturesk mbi vlerat etike e shpirtërore të bazës së qytetërimit europian.
Prandaj le të bashkojmë zërin tonë në një JO të përbashkët:
– Jo shkatërrimit të familjes!
– Jo shthurjes së shoqërisë!
– Jo shfytyrimit të atdheut!

Filed Under: ESSE Tagged With: Bardhyl Selimi, Familje e shëndoshë- Atdhe i shëndoshë

NANA ZADRIMORE

May 11, 2014 by dgreca

Ahmet Kolgjini (1939-1999)/
I/
Plot dy javë te porta e hekurt priti/
Nana-zeza, e kërrusun, e bame lak/
Shkallët, me mbesë perdorë, ngjiti/
Shoqnue prej nji zullapi torollak/

Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti/
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë/
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti/
Tek ai u mbështet, e kish të vetmën shpresë./

“-Djalin ta denoi ligji. Ka bërë faj /
Po Partia tonë është zëmër-madhe/
Djali t’i heqë Iakrat, trutë t’i shpëlaj/

Ashtu si te tjerët të futet në aradhë
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…

II
Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Una jam nanë…
-Atë që kam timën, s’Iutëm me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr,

“Andërronte tepër, u dënue me ligj.
“Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojne këta mjeranë?

Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.

Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!

III
Kalon nji muej. E kerkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai qe djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhe, limon bahet n’fytyrë

I dridhën buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e Ii me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dorë…

I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecen kuturu, nuk sheh ma nga sytë

Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vertik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket … duket… deri sa u zhduk!…
Gusht 1984
Nxjerre nga Kolgjini, Ahmet (1999). Poezi. Tirane: Shtepia Botuese “Koha”, faqe 60-63.

Ne rubriken shënime, në faqen 67, autori shkruen: “Cikli i fundit ‘Prapë dhimbje’ përbahet nga tri njësi: Marku, Nana Zadrimore, dhe Lili. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim I fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fictive me tërheqe lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.
‘I vdekuni nuk ka miq,” thotë nji fjalë e urtë. E vëerteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk I njohim dhe nuk I dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue I njoftë e tue I pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjitashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.
Ne faqen 68, po nen rubriken shenime, autori shkruen:
Nana Zadrimore e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi I vritet I shoqi prej komunistëve ne vitin 1945, lidh shaminë a zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjecar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatrë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si kryetar I grupit dënohet per tradhëti të lartë ndaj atdheut me vdekje Nanë shkreta ban cmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’I dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet ne Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shënim: Ahmet Kolgjini bani 20 vjet burg në disa burgje të Shqipnisë komuniste dhe për shum vjet ishte i internuem në Kampet e internimit të Lushnjes.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, Nana zadrimore, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4631
  • 4632
  • 4633
  • 4634
  • 4635
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT