• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË TUZIN E FLAMURIT TË DEDË GJO’ LULIT “ASHTI I KOMBIT” I AZGAN HAKLAJT

April 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Sot m’u duk sikur palët e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit m’u banë shqiponjë mbi Drin për me ardhë në Tuzin e historisë kombëtare shqiptare. Në pikëkalimin kufitar Hani i Hotit m’u duk sikur po kaloja nën Harkun e Triumfit Euro-Atlantik të Europës së Bashkuar. Erdhëm me e takue Gentin e Teutën, dinastët tanë ilir.

Erdhëm me e takue Dedë Gjo’ Lulin tek kulla e vet piedestal. Erdhëm me ju takue ju vllazën e motra të fiseve epokale  Hoti e Grudë, Triepshi e Koja në Tuzin e Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, pasi dikur, në trevën e këtushme të Shipshanikut, lagje e Tuzit, n’afri të detit, i kam pasë paraardhësit e mi të Shipshanit alpin të Malësisë së Gjakovës.Jo veç nga nostalgjia për këto troje etnike shqiptare qyshse para Krishtit e Muhamedit, po edhe nga krenaria për këto majemale të historisë tonë, them se vepra e Azgan Haklajt “Ashti i Kombit” është brumue bash edhe tek ky vend ashtnor i Kombit, nga kjo tokë e bekuar e Zotit, prej Flamurit të 6 prillit 1911 në Deçiç, nga kulla istikam e Dedë Gjo’ Lulit.

1.Para së gjithash, Tuzi i Flamurit është një stacion historik në udhëtimin genetik të brezave. Prej se kur nga kjo tokë e Zotit lindën hyjnisht Pellazgët. Prej se kur Toka e Pellazgët u jetëlidhën me Diellin. Prej se kur Pellazgët, Toka e Dielli i krijuan trevat e veta etno-historike nga detet tek Alpet, ku në brigje të liqenit të Shkodrës e lumenjve të Moraçës e Zetës, në trevën e Tuzit ishin Hoti, Gruda, Triepshi e Koja e Kuçit, ndër “flamurtarët e Historisë”, male të larta të Malësisë së Madhe e të Kombit Shqiptar.

Mitologjia pellazge fjalaflet se dinasti Kadmi, ky vllai i Europës, nga martesa me Hyjneshën Harmoni, të ikun prej prej Ohrit, pasi e këshilluan “zotat” (për shkak të veprimit të vajzës së tij), në këto vise të bekueme, ndoshta diku skej brigjeve të liqenit të Shkodrës apo në Ultinën e Podgoricës, e lindën djalin e tyre Ilirin, Illyrin (I Lirë Jam), emërdhanësi i fisit lavdiplotë të Ilirëve.

E, si për ta ba ma të besueshme kit’ mitologji pellazge-ilire, helene, mesdhetare, na përcjell’ dëshmi topografia e vendosjes të disa prej fëmijëve të Ilirit në hapësira etno-gjeografike-politike duke krijue fiset e veta:

Enkeli, ma i madhi ndër djemtë, është i pari i fisit të Enkelejve, i cili shkoi kah Boka e Kotorrit,  po rrema genetik të tyre ikën edhe tek dajët në Ohër sëbashku me vllain tjetër Taulantin. E ban me e ditë se bash nga Enkelejtë e historisë, nga pasardhës të mbretit Bardhyl, vjen fisi i Gashit të Azgan Haklaj, një fis biblik që vet emni i tij ka domethanien sakrificë në udhën e vet bohemike.

Autariati, djali i dytë i Ilirit, u vendos përtej Limit të Plavës, përgjatë luginës të lumit Tara, të cilët krijuan një shtet të madh ilir me fuqi mesdhetare. Gurra dokumentare thonë se pasaardhës i fisit të Autariatëve ishte edhe Dedë Gjo Luli i Flamurit, Dedë Gjo’ Luli i fisit të Hotit. Djali i Autariatit, Paioni (paionët) shkoi në brigje të Vardarit, kah Shkupi i sotëm, deri në grykderdhjen e Egjeut.

Çika e Ilirit, Daorta, u vendos në lumin Neretva në jug të Bosnje-Hercegovinës të sotme, dikur viset e saj ishin vetëm me fise ilire të Autariatëve, Ardianëve, Labeatëve, etj., bile vet emri i Bosnjes rrjedh nga ilirishtja, domethanë “lumë”.

Dardani shkoi në Rrafshin e Dukagjinit e Fushë-Dardani, në Sanxhakun e sotëm shqiptar (Tregu i Ri), në Nish e luginën e Preshevës, etj. Dardania (dardha – ilirisht) e ka kuptim të njëjtë sikurse emri i fisit të pirustëve.

Perebi, djali tjetër i Ilirit, u degëzue në Plerejetët e Rizonit e në Perribej në grykderdhjen e Vardarit.

Ma i vogli ndër djemtë e Ilirit ishte Medini, i cili ndejti në Medunin e Kuçit, të trungut fisnor të Kuçit i ndarë tevona në degë genetike: të kontit Ndrekali, përndryshe Berisha (emër ilir) që patën fisnikët e vet edhe përkrah Skënderbeut si Nikolla e Dhimitri, që në historinë moderne nxorën edhe Hasan Prishtinën, Azem Galicën, Adem Jasharin e Sali Berishën, e këta dy të fundit lidhen ndërveti në brezni tek Preka (Preka i Zi – Prekazi).

Pra, kjo treva e Tuzit, krejt hapësira etno-historike e Malësisë, Shqiptaria nën Malin e Zi nga bregdeti i Ulqinit e Tivarit deri në alpet e Plavë-Gucisë e Rozhajës, etj. janë fise rrënjase, të prejardhun nga ilirët e lashtë, nga ardianët, autariatët, labeatët, etj. Edhe Qielli mbi këto fusha e male është Shqiptar, e kjo Tokë është Shqiptari, është vetëm Shqiptari, e ju o lisa të hershëm e të rinj të këtyre fushave e maleve legjendare shqiptare jeni “Ashti i Kombit”.

 

3.

Sot, kena ardhë në këtë aks të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, në Tuzi, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit, me e përurue veprën “Ashti i Kombit” të studiuesit, publicistit, kulturologut, ish deputetit të Parlamentit të Shqipërisë e, tashti, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj.

Prolog e epilog kanë një fjalë të vetme: Kjo vepër i ban nder kohës dhe autorit të saj.

Në shtizën dhe palët e Flamurit të Deçiçit po rrinë “Meshari” i Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën e shenjtë Shqipe, vepër të cilën e shkroi në këto troje diku ndërmjet Ulqinit, Shasit, Shestanit apo Tivarit,

Në shtizën dhe palët e Flamurit të Deçiçit ende rrinë dora e alltia e Dedë Gjo’ Lulit.

Me Flamurin e 6 prillit 1911 të Deçiçit u mbështoll arkivoli i Gjergj Fishtës në përcjelljen e tij të fundme, se ky “Homer Shqiptar” ka shërbye në këto anë të Hotit e Grudës, të fiseve të Malësisë së Madhe, dhe i ka lartnue në vargjet e tij veprat historike të kësaj treve etnike shqiptare në shekuj.

4

Skënderbeu e ngriti më 28 nëntor 1443 Flamurin Kuqezi në Krujë, në kryeqëndren e shtetit 800 vjeçar të Arbrit. Në udhën e historisë me besë e shpatë, ende pa kalue katër muaj, në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës, më 2 mars 1444, Flamuri i dinastisë së Kastriotëve do të mbetej në shekuj si Flamurit i Shtetit të Skënderbeut; si Flamuri i Shtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me prijëtar Ymer Haxhi Prizrenin që e ka varrin në Ulqinin portual e të Abdyl Bej Frashërit të Toskërisë e Shqiptarisë si Flamuri i  Lidhjes Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës me  Haxhi Zekë Byberajt e Shoshanit të Malësisë së Gjakovës.Njësoj edhe Flamuri i Dedë Gjo’ Lulit, që u ngrit madhërishëm e magjishëm në Deçiç në pranverën e 6 prillit 1911, i cili çoi tek Kuvendi e Memorandumi i Gërçës dhe deri tek 28 Nëntori i Dytë i Shqiptarëve, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit.

Ky Flamur Kombëtar Shqiptar është edhe në ballinën e veprës të katërt “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt. Shtizën e tij ashtnore e mbajnë disa nga apostujt e Kombit e të Flamurit Shqiptar: Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Nanë Tereza.

Ky Flamur po valvitet edhe sot në kullën e Dedë Gjo Lulit, do valvitet edhe në një manifestim të shqiptaro-amerikanëve në Uashington… Do të valëvitet dhe në vepra e veprimtari të tjera të Azgan Haklajt.

5.

Në mitologji pellazgo-ilire, Zeusit shqiptar, kryeperëndi pagane, Shqiponja i  simbolizonte lajmëtaren e tij, ishte shërbestare e tij, e cila nga drita e diellit ia sillte kokrrën e rrufesë për t’i goditë me zjarr e flakë kundërshtarët…

Këtë simbolikë Shqiponje edhe flamuri i një shteti fqinjë po don prej kohësh  ta bajnë “pronë historike” të vetën, sepse nuk ka histori të lashtë si Shqiptarët, nuk ka Shqiponjë si Flamuri Shqiptar që fluturon me flatra të hapura, sikurse Shqiponja e Flamurit të Serbisë me kthetra të mbyllura, të gatshme me grabitë toka shqiptare, jetë shqiptare, historinë shqiptare.

Në fakt edhe Azgan Haklaj i veprës “Ashti i Kombit” në veprimtarinë e tij kombëtare si President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si kulturolog, si analist e publicist panshqiptar, më ngjan me një Zeus modern, që Shqiponja i vjen si lajmëtare e me kokrren e rrufesë.

Si Shqiponja lajmëtare ngjajnë dukshëm librat e tij me frymë e imazh kombatër që në tituj: “Nga Dodona tek Dardanët” (Dodona ishte e Zeusit), “Për Kombin, Për Demokracinë”, “Edhe Zoti po Flet Shqip” dhe, i pesti, në pritje “Në emër të Atdheut”. Si “Shqiponjë me kokrrën e rrufesë” janë veprimtaritë e tij mbarëkombëtare me qindra artistë interpetues e ekzekutues, me mijëra shikues si në Tuzi e Mitrovicë, në Dibër të Madhe e Sarandë, në Tropojë e Strugë dhe Shkup, në Plavë-Guci e Preshevë, në Bylis e Deçan. Kudo në trevat shqiptare në Ballkan “shqiponja” e tij me “kokrrën e rrufesë” i ndez me atdhetari e kulturë skenat e malet, lumenjtë e horizontet. Nganjëherë i xhindos edhe sllavët apo helenët aqsa të lëshojnë deklarata kundër Azgan Haklajt edhe Rusia e Putinit, që don ta futin nën kthetrat e tij jo vetëm Krimenë në Ukrainë, po edhe treva shqiptare në Ballkan.

Në skenën e politikës e të artit, në foltore të Parlamentit e në mitingje popullore, në librat e tij, në lartësi të tij, e kanë gjuajt Azgan Haklajn edhe me “rrufe” sikurse Prometeun, tue i lanë plagë plumbash në trup, tue ia shkatrrue pallatin me ekzploziv e marrë jetën e kushërirës së tij gazetare, tue e prangos e torturue me urrejtje bio-politike në burg, tue u mundue me ia ngushtue hapësirat shumëdimensionale.

Po Azgani nuk është as Zeusi klasik e as Prometeu modern, pavarësisht se i simbolizon këto dy figura hyjnore, pasi Azgan Haklaj tashma është kthye në një Simbol Kombëtar, në një “dekan” të kulturës shqiptare.Mbi të gjitha e jo për të gjithë: Azgan Haklaj është vet Azgan Haklaj.

6.Shpesh kam fjalashkrue shumanshmërisht për Azgan Haklajn panshqiptar, për veprat e veprimtarinë e tij kombëtare, ndaj po due me e përmbyll kit’ diskutim timin publik tue iu faleminderue që na pruni me veprën e tij të katërt, ma të fundit, me veprën “Ashti i Kombit” në kit’  sofër të historisë pellazgo-ilire ardiane, tek Deçiçi i Flamurit, tek kjo kullë e Dedë Gjo Lulit.

Ky vend i lashtë sa Toka, ku vllai i Europës e begatoi me Ilirin, dëshmon se qyshse në mitologjinë pellazgo-ilire, ishim në Europën kontinentale e ishujt e saj, para se të vinte kjo “Europë e Bashkuar” në gjirin federal të së cilës po i pranon me vështirësi e ngadalësi Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi në Ballkanin Perëndimor.

Kësaj fjale po ia lidhnoj një episod nga kremtimi i 100 vjetorit të Kryengritjes të Shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës, të prirë nga ideologu e strategu Hasan Prishtina të cilët në mesgushtin 1912 hynë triumfalisht në kryeqendrën e Shkupit. Ndër këta kryengritës që udhëtonin edhe me tren drejt Shkupit ishin edhe paraardhësit genetik të vllaznisë të Azgan Haklaj, po me një ndryshim: Ata vinin me pushkë e Azgani me libra, me librin “Për Kombin, Për Demokracinë”.

Kur lideri historik i Shqiptarëve në Maqedoni, strategu i luftës e i paqes në brigjet e Ohrit, Drinit e Vardarit, Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare BDI, nga një tribunë në afri të kalasë së Shkupit, tue iu drejtue Azgan Haklajt, lëshoi istikamin kombëtar e politik që ta dëgjonte edhe kryeministri maqedonas Gruevski e krejt shovinizmi sllavo-maqedonas: “…Të mos na zemërojnë shumë se edhe rrufetë i zbresim nga Qielli…”.

E vërtetë lideri faktorial Ali Ahmeti i dialogut, unitetit, progresit e integrimit, e kishte “kokrrën e rrufesë” të cilën e lëshoi në nëntor 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë në stadiumin e Shkupit ku merrte pjesë edhe lideri historik i Shqiptarëve, kryeministri Sali Berisha; e lëshoi edhe kësaj here me bojkotin presidencial e me çuarjen e Maqedonisë në zgjedhje parlamentare të parakohshme, sepse maqedonasit nuk pranuan të jetë shqiptar Presidenti i Republikës së Maqedonisë, etj.

E dijeni Toka e Qielli, Hana e Dielli, varret e malet, se kemi liderë kombëtar shqiptar e fuqi kombëtare për me e lëshue “kokrrën e rrufesë” bash aty e atje ku shovinizmi i fqinjëve kufitarë ka me na i cënue identitetin nacional, ka me na i ndalue Flamurin Shqiptar, Gjuhën Shqipe, kulturën shqiptare, don me na e tjetërsue “ADN-në” kombëtare shqiptare.

Faleminderit Tuzi që na dhe Dedë Gjo’ Lulin kombëtar flamurtar!

Mirënjohje Tuzi, që e ngrite lart Flamurin Kombëtar!

Tuzi, 6 prill 2014

*-Fjalë në promovimin e librit “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt

në Tuzi të Malësisë, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit –

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ashti i Kombit, Azgan haklaj, Ramiz Lushaj

Qëndresa e atdhetarëve të Plavës e Gucisë

April 9, 2014 by dgreca

Qëndresa e atdhetarëve të Plavës e Gucisë për mbrojtjen

E  territoreve shqiptare në vitet 1879-1880/

Shkruan:Eugen SHEHU/

Vendimet e padrejta të traktatit të Shën Stefanit,për coptimin e trojeve shqiptare,ngjallën shpirtin e protestës në katër vilajetet shqiptare.Veçanërisht në muajt prill-maj të vitit 1878 u organizua nga atdhetarët shqiptarë një varg beslidhjesh krahinore,me ç’rast parashihej edhe një lloj organizimi ushtarak.Por në mënyrën më masive,lëvizja për rezistencë të armatosur në këto treva,të cilat këcënoheshin drejtëpërsëdrejti nga rreziku i aneksimit prej serbëve,grekëve apo malazezëve.Këto lëvizje të organizuara nuk munguan të hartonin edhe plane të veçanta se si do të shkohej në luftë nga do të merreshin furnizimet me armë dhe ushqime madje si duhet të vepronin me popullsinë e pambrojtur shqiptare në trevat më të kërcënuara prej monarkive ballkanike.Ky lloj organizimi i cili disa muaj më pas shërbeu për formimin dhe vendosjen e pushtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndje sidomos në trevat e Shqipërisë Veriore.Ndonëse të dalë prej një varfërie të skajshme, shqiptarët e këtyre anëve,shitën miellin që rritnin fëmijët për të blerë armë e municione të bindur se ora e madhe e ekzistencës apo asimilimit të tyre po afrohej.Armatosja e tyre u shoqërua me dhënien e besës si edhe organizimin ushtarak.Lidhur me këto përgaditje mendoj të sjell këtu,njoftimin që konsulli britanik në Shkodër i bënte Londrës më 4 maj 1878,ku pos të tjerave shkruante tekstualisht;

“Banorët e krahinave të Beranës,Plavës,Gucisë,Graniqit dhe të shpatave lindore të maleve të Shqipërisë Veriore,kanë formuar një lidhje për t’u rezistuar deri në vdekje kundër të gjitha orvatjeve që do të bëheshin për të ndryshuar gjendjen e tanishme të territoreve të tyre,pa marrë parasysh nëse këto orvatje vinin nga fuqitë e jashtme apo nga Porta e Lartë”.(S.Riza “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumenta angleze” –Prizren 1978 , fq.191 ).

Lëvizja për bashkimin kombëtar me idenë e kundërshtimin deri në vdekje,të coptimit të trojeve shqiptare,u shtri edhe në radhët e shqiptarëve që ndodheshin jashtë atdheut,si në Stamboll,Egjipt, Bullgari,Itali etj.Janë me dhjetra telegramet,protestat apo memorandumet që shqiptarët jashtë atdheut përmes tubimeve të tyre,u dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë,duke kundërshtuar çdo manovër politike që ishte në dëm të tërësisë territoriale shqiptare.Për t’i bërë sa ma legjitim aksionet luftarake të tyre,fqinjët tanë nuk munguan t’u fryjnë flakëve të luftës fetare,kinse shqiptarët e krishterë apo katolikët nuk kishin asgjë të përbashkët me shqiptarët mysliman të cilët sipas tyre ishin të përkdhelurit e Portës së Lartë.Po të merret me mend prapambetja e viseve shqiptare në fundin  eshekullit të 19-të,kuptohet që kjo propagandë mundi të lozë një rol të caktuar në rrjedhën e ngjarjeve por ky rol ishte tejet i vogël.Shqiptarët të cilët nëpër shekuj i pati lidhur më shumë kombësia dhe besa përpara kësaj gjendjeje ditën të orientohen në kahjen e vëllazërimit kombëtar.Kështu,në një telegram në viset e Shkodrës,Ulqinit,Tivarit dhe Podgoricës i dërgonin në vitin 1878,ambasadorit francez në Stamboll,pos të therave do të shpreheshin ; “Ne katolikë e myslimaë,vëllezër prej shekujt dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh… pëlqejmë më mirë të asgjësohemi sot,se sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar”. (S.Riza “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare “-Prishtinë 1978 , faqe 12 ).

Po kështu,edhe në vise të Maqedonisë shqiptare,ushtrohet presion nga serbët,me idenë se duhet të largoheshin myslimanët pasi historikisht kjo tokë ka qenë e banuar prej ortodoksëve.Për më tej propaganda serbe po bënte thirrje të hapta që elementi ortodoks shqiptar të ngrihet e të kërkojë të drejtat e veta,duke nënkuptuar me këtë rast luftë vëllavrasëse ndërmjet shqiptare për hirë të bisedimeve të ndryshme fetare.Por asesi shqiptarët e këtyre trevave nuk mund të binin pre e deklarimeve të tilla ogurzeza.Kështu në protestën e tyre të vitit 1878 paria e Tetovës në një protestë që u dërgonte Fuqive të Mëdha,pos të tjerave do të kumtonte ; “Ne banorët e Tetovës jemi më shumë se 30 mijë burra myslimanë,ndërsa të krishterë nuk janë më shumë se një e katërta.Pra myslimanët përbajnë shumicën si numër,por e lëmë menjanë këtë sepse si shqiptarë ne jemi të gjithë degë të dalë nga i njëjti trung,nuk kemi mosmarrveshje për asnjë çështje dhe jetojmë të gjithë të bashkuar”.( S.Riza , ”Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” – Prishtinë 1979, faqe 15 )

Pikërisht,në qershorin e vitit 1878,në Prizren u formua Lidhja Shqiptare, e cila,për nga përmasat, vizionet,organizimin e qendresës së armatosur,përbën një ngjarje epokale për fatet e shqiptarëve.Pa dashur të ndalemi mbi këtë kuvend madhorë të burrave nga katër vilejetet shqiptare,mjafton të themi se vetëm veprimi energjik politik,diplomatik dhe luftarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,bënë Fuqitë e mëdha dhe Evropën në përgjithësi të kthejnë sytë nga viset shqiptare që po nëpërkëmbeshin.Ndërkaq Princ Nikola,në bashkëpunim të ngushtë me Carin e Rusisë dhe Portën e Lartë në vjeshtën e vitit 1878,organizuan seksionin e Mehmet Ali Pashës,i cili kish të bënte vetëm e vetëm me zbatimin e traktatit të Berlinit,për dorëzimin e viseve shqiptare nën administrimin e Cetinjës.Ndonëse u paralajmërua tri herë,Mehmet Ali Pasha,i “fryrë” prej lavdisë së korrur në Azi,donte të çonte deri në fund misionin e vet për coptimin e Shqipërisë veriore.Kaq mjaftoi që ai të ekzekutohej prej forcave të organizuara të Lidhjes Kombëtare të Prizrenit.Pamvarsisht se si u komentua vrasja e bujshme e tij në Stamboll,në të vërtetë ajo s’ishte gjë tjetër veçse vënie në jetë e rrezolutës së 2 korrikut 1878,sipas së cilës,cilido që do të dhunonte tërësinë territoriale të Shqipërisë, do të quhej tradhëtar.Merret me mend se pas kësaj vrasjeje,qeveria ruse parashihte pengesa serioze për dorëzimin e trojeve shqiptare në duar të Cetinës,në këtë mënyrë në shtatorin e vitit 1878 disa ditë pas vrasjes së myshirit të Stambollit,ambasadori rus pranë Portës së Lartë,i deklaronte Vezirit të madh se,nëse Mali i Zi do të luftonte me armë në dorë për zbatimin e kërkesave të Kongresit të Berlinit,Rusia nuk mund të rrinte duarkryq.E thënë më troç kjo parashihte dërgimin e ushtarëve rus në ata kufij,pra të tjera kokçarje për Stambollin.Është e kuptueshme që pas këtij momenti Rusia të mendonte shumë më seriozisht për faktorin shqiptar.Princi Lobannor në Stamboll me anë bisedash e telegramesh të shumtë,u përpoq të bindëte Fuqitë e Mëdha,të ndërhynte pranë Stambollit,i cili duhet të dërgonte sa më parë trupat ushtarake në Shqipëri,për të shuar rebelimin.Në vjeshtën e vitit 1878,duke parë vendosmërinë e shqiptarëve për të mos e dorëzuar Plavën dhe Gucinë i propozoi Cetinës që të hiqte dorë nga trevat e Gucisë dhe të merrte në vend të saj krahinën e Vasojeviqit.Për më tej Porta e Lartë i premtoi princit Malazez dhe një shumë të konsiderueshme të hollash.Por Nikolla e refuzoi në mënyrë të prerë këtë propozim,madje u shpreh se do të refuzonte çdo propozim të mëtejshëm,edhe nëse ky do të ishte në favor të Malit të Zi. Përballë kësaj situate që sa vinte e ndërlikohej,Porta e Lartë u përpoq të luante në të dy krahët. Kështu megjithëse ajo heshti në ditët e para të Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes,në tetorin e vitit 1879,më pas kur mësoi se aty ishte në rend të ditës mbrojtja e Plavës dhe Gucisë,ndëroi qëndrimin menjëherë.Konsulli britanik Sen Xhon i shkruan lidhur me këtë kuvend Londrës se ;”E alarmuar nga vendosmëria e delegatëve qeveria dha urdhër që Kuvendi të shpërndahej dhe anëtarët e tij të ktheheshin nga kishin ardhur”.(Dokumente britanike,raport i Xhonit,nga Prizreni,doku. 33 ).

Në ditët e fundit të tetorit të vitit 1879,qeveria e Malit të Zi kishte ndërmarrë disa manovra ushtarake,në afërsi të territoreve shqiptare duke keqtrajtuar madje disa shqiptarë etnikë.Lajmi u përhap në Shkodër si rrufe dhe mjaft prej atdhetarëve shkodranë të armatosur u bën gati të shkonin në Plavë e Guci.Në datat 26-27 tetor 1879 në drejtim të kufijve të kërcënuar shqiptarë u nisën rreth 250-300 burrat e parë ndërsa të tjerët organizoheshin në çetat e vullnetarëve.Krejt kjo gatishmëri la mbresa të thella tek qytetarët shkodranë por edhe tek burrat e Malësisë së Madhe të cilët u armatosën dhe u nisën drejt kufijve etnike shqiptare.Sodoqoftë,më 1 nëntor 1879,ishin forcat e princ Nikollës ato që sulmuan të parat,në befasi,të fshatit Arzhanicë.Ata mundën të djegin disa shtëpi të fshatit dhe të vrasin 30 gra e pleq të pambrojtur.Por kundërpërgjigjja e vullnetarëve shqiptarë ka qenë tejet e rrufeshme.Pas dy-tri orësh luftimesh të rrepta,malaziasit u tërhoqën në kufijtë e tyre sigurisht duke lënë disa të vrarë e plagosur.Duke parë se në kufijtë e Plavës dhe Gucisë po afroheshin forca të mëdha vullnetarësh shqiptarë të vendosur për të mbrojtur deri në fund tërësinë e tyre territoriale,Mali i Zi u tërhoq për disa ditë duke shtuar presionin e vet diplomatik tek Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha të cilat duhet t’i dorëzonin territoret shqiptare.Presionet ndaj Portës së Lartë nuk rreshtën gjatë këtyre ditëve,sidomos nga Rusia.Përballë këtyre ngjarjeve,Stambolli urdhëroi autoritetet osmane të Vilajetit të Kosovës dhe Shkodrës që të pengonin me çdo kusht dërgimin e vullnetarëve shqiptarë në kazanë e Gucisë.Gjithashtu u ngarkua Savash Pasha ( ministër i jashtëm i Turqisë) dhe Xhevdet Pasha të cilët duhet të merrnin kontakte të menjëhershme me prijësit e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,për t’i bindur këta të dorzonin Plavën dhe Gucinë,por edhe këto lëvizje administrative dhe diplomatike të Portës së Lartë nuk patën jetë të gjatë.Ymer Prizreni kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,më 21 nëndor 1879,kundërshtoi në mënyrë të prerë urdhërin e Valiut,për rekrutimin e djemve të Kosovës në ushtritë perandorake.Përgjigjja e tij,përmblidhej në fjalët se “burrat e aftë për armë i duheshin Shqipërisë pasi do të luftonin për mbrojtjen e tërësisë së atdheut”.Në bazë të burimeve të shumta arkivore,në 27 nëndorin e vitit 1879,në frontin e luftës në kufijtë “turko-malazez” (nënkupto shqiptaro-malazez) u vendos shtabi ushtarak i Malit të Zi me në krye kryeministrin e Cetinjës ,Njegoshin.I vendosur 10 kilometra në veriperendim të Plavës,ky shtab u bëri thirrje të gjithë vojvodëve të Malit të Zi të lidhnin besën për të marrë me çdo çmim Plavën dhe Gucinë.Në krye të shtabit ushtarak të malazezëve,Princ Nikolla emëroi Mark Milanin,i cili për nga e ëma kishte origjinë shqiptare,sidoqoftë veprimet e mëpastjashme vërtetuan se Princ Nikolla ishte gënjyer.Ndërsa me vendim të Komandës së Lartë Ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,shtabi i vullnetarëve shqiptarë u vendos në Guci,në afërsi të kufirit malazez.Me vendim unanim të Prizrenit,komandant i këtij shtabi u vendos Ali Pashë Gucia,ndërsa trupat e tjera vullnetare shqiptare,komandoheshin nga burrat e shquar të asaj kohe,si ; Jakup Ferri,Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi,Jusuf Sokoli,Kurt Asllani etj.Është për t’u theksuar fakti se ndërmjet vullnetarëve shqiptarë të Gjakovës,Pejës,Gucisë,Plavës,Shkodrës dhe Malësisë së Madhe,u reshtuan edhe disa oficerë të ushtrisë osmane me origjinë shqiptare.Këta lanë karierën dhe gradat duke paraparë se pati ardhur çasti i lumë për t’i shërbyer atdheut të tyre.Ende nuk dihet me saktësi numri i vullnetarëve shqiptarë,të cilët u rreshtuan për të mbrojtur territoret etnike të tyre.Nga një varg të dhënash burimore del se nuk kanë qenë më shumë se 5 mijë vullnetarë shqiptarë,përballë 7-8 mijë malazezëve.Këto shifra janë kontradiktore pasi Mali i Zi,duke dashur të tërheq vëmendjen e Fuqive të Mädha ka deklaruar asaj kohe për 10-12 mijë shqiptarë të armatosur.Një gjë është e vërtetë se ndërsa forcat malazeze ishin të rreshtuara përgjatë vijës ;Murinë;Pepaj,Arzhanicë dhe Velikë, vullnetarët shqiptarë ndërtuan pozicionet e tyre mbrojtëse në vijën ;Guci,Kolenicë,Martinaj,Plavë dhe Nokshiq.Lumi Lim,i cili shërbente si një lloj kufiri midis frontit në fjalë do të jetonte në ditët më pas tmerret e një lufte trup më trup,ku shqiptarët mbronin lirinë e tyre,ndërsa malazezët kërkonin në mënyrë të padrejtë të pushtonin territore të rinj.

Në mëngjezin e 4 dhjetorit 1879,forcat malazeze filluan sulmet frontale në drejtim të fshatit Nokshiq.Sulmi i tyre qe i beftë deri brenda dy-tri orësh,malazezët mundën të përparojnë tepër. Vullnetarët shqiptarë duke mos ditur që Nokshiqi pati rënë në duart e malazezëve u drejtuan për atje të shkujdesur duke u ngjitur nëpër malet e velikës.Këto momente shfrytëzuan mjaft mirë forcat e Theodor Milanit të cilat u lëshuan të tërbuara mbi vullnetarët shqiptarë.Kaq është dashur që drejt Nokshiqit të ngarendin qindra shqiptarë të tjerë,nën komandën e Jakup Ferrit, Osamn Hotit, Halil Radonajës,Mushi Ramës,Balil Demës,Ismail Omeragajt etj.Gjenerali Njegoshiq,ndërkaq duke parë se drejt Nokshiqit po ngarendin mbi dy mijë shqiptarë,vuri në veprim edhe dy batalione me ushtarë malazez,të armatosur deri në dhëmbë,madje edhe me artileri të cilat ishin vendosur në Moraçë. Brenda disa orësh në Nokshiq e rrethina u vendosën mbi 4 mijë ushtarë malazez.Përballë kësaj lëvizjeje taktike të gjeneralit malazez,reaguan menjëherë prijësit e vullnetarëve shqiptarë.Këta vendosën të sulmonin malazezët trup më trup,duke hequr mundësitë atyre për përdorimin e armëve të artilerisë,si dhe armëve të tjera.Në këtë mënyrë në mesditën e 4 dhjetorit 1879,sulmi shqiptar pat hutuar krejt veprimet e malazezëve të cilët nën thirrjen e shqiptarëve dhe përleshjeve trup me trup,gati po demoralizoheshin.Pas disa orësht luftim në muzgun e ftohtë që po afrohej,forcat e Mark Milanit duke çarë rrethimin,iu afruan urës së vetme të lumit Lim.Pos edhe këtu u ndeshën me vullnetarët trima të Gjakovës.Në këtë mënyrë veç qindra të vrarëve “gjatë kalimit të Lumit Lim, të fryrë nga ujërat e dëborës u mbytën me dhjetra malazezë të tjerë”.(J.Vukiç “Plavsko-Gusinjska afera i oslobodenia Ulcinja” – Sarajevo 1929 , faqe 15 ).

Mali i Zi dhe në mënyrë të veçantë princ Nikolla,të gjetur të befasuar përballë kësaj humbjeje,ai nuk vonoi të planifikojë këtë humbje duke bërë me faj Portën e Lartë.Kështu me gazetën “Gllas Cërnogoraca” të 13 dhjetorit 1879,shkruhet se fajin e kishin jo vetëm vullnetarët shqiptarë por edhe qeveritarët turk.Mandej sipas kësaj gazete thuhet se gjatë sulmeve të shqiptarëve,kinse ishin dëgjuar edhe komanda në gjuhën turke çka “përligj” pjesmarjen e trupave turke në Nokshiq.Nikolla gjithashtu paralajmëroi Fuqitë e Mëdha,se nëse nuk do të ndërhynin që shqiptarët tu dorzonin vullnetarisht tokat e tyre,atëherë luftimet do të vazhdonin akoma më të përgjakshme,duke sjellë trazira në krejt Ballkanin.Nga ana tjetër në 15 dhjetor 1879,në Guci u mblodh Kuvendi i jashtëzakonshëm i përfaqsuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kosovës,i cili pas diskutimesh të zjarrta vendosi të mbrojë deri në pikën e fundit të gjakut çdo pëllëmbë toke amtare.Burrat shqiptarë të tubuar aty dhanë besën se do të ruanin nderin e vatanit me çfardo çmimi që do t’u kërkohej.Në lidhje pikërisht me këtë kuvend,do të shkruante duke cituar pjesë nga memorandumi : “Ne banorët e Plavës dhe Gucisë nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë”.Ne do të kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona “.

( Gazeta “ San Peterburskie Vjedemosti “ më 23 dhjetor 1879 ).

Në 26 dhjetor të vitit 1879 shtabi ushtarak i princ Nikollës,u duk sërish në Andrejevicë,në krye të ushtrisë prej 25 batalionesh ishte caktuar sërisht Mark Milani,i cili ndonëse humbi në mënyrë të turpshme në Nokshiq,përbetohej se do të kthente në vend nderin e humbur.Këtyre organizimeve ushtarake iu përgjigjën flakë për flakë shqiptarët,të cilët,dërguan në territoret etnike të tyre rreth 9 mijë vullnetarë,veçanërisht nga Peja,Prizreni,Gjakova e Shkodra.Në këto formacione nuk munguan të rreshtoheshin edhe qindra oficerë shqiptarë,të cilët dezertonin nga ushtria perandorake dhe niseshin direkt për në Guci.Mbase nuk duhet harruar fakti që në ditët e para të janarit 1880 pati organizime ushtarake dhe nga Shqipëria e Jugut për të luftuar në Guci,por Shtabi Ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,urdhëroi që ata të rrinin në pritje dhe të mos niseshin pa një komandë të tyre.     Më 6 janar 1880 formacionet ushtarake malaziase ishin përqëndruara plotësisht përgjatë kufijve etnike shqiptare.Në vijën Velikë-Pepaj,ata përqëndruan rreth 5 batalione të mbështetur edhe nga artileria duke dashur të çanin me çdo kusht mbrojtjen shqiptare e mandej për të dominuar situatën.Por në këtë rast strategjia malazeze u zhvlersua përballë artit ushtarak shqiptar.Prijësat e Plavës e Gucisë duke futur në luftim rreth 300-400 vullnetarë në të dy krahët e Andrejevicës dhanë të kuptohej se donin të godisnin malazezët,pikërisht në shtabin e tyre.Gjatë gjithë natës, Mark Milanin e vojvodët e tjerë tërhoqën trupat nga Velika,Pepaj e Plava,duke mbrojtur nga të katër anët Andrejevicën.Pikërisht në mëngjezin e 8 janarit 1880, në momentin dhe vendin që armiku kursesi nuk e priste,vullnetarët shqiptarë të udhëhequr nga trimat Kurt Asllani dhe Nure Kurti,në tri kolona sulmuan befasisht malazezët në vijën ;Velikë,Pepaj –Arzhanicë.Beteja e 8 janarit mbetet padyshim jo vetëm si simbol i heroizmit masiv të shqiptarëve,por edhe shembull i mjeshtërisë së Artit Ushtarak Popullorë.Këto batalione shqiptarësh ndonëse sulmuan malazezët sa dyfishin numerik të tyre,mundën t’i shëndrrojnë lëndinat e Velikës,Pepajt dhe Arzhanicës në teatër të dhimbshëm të epopesë legjendare.Gjatë kësaj kohe “disa forca të Lidhjes e sidomos plavasit dhe guciasit duke i ditur vendet mirë,nxituen për t’i prer rrugën ushtrisë së Mark Milanit e të tjerëve,prej kodrës së Nokshiqit nga ana e Ivanopoljes.Ata e vunë përpara ushtrinë e thyeme të Malit të Zi,duke hyr edhe në tokat malazeze.Humbjet e malazezëve qenë të mëdhaja.Të vramunit mbetën gjithë dimrin mbi tokë,pa u futë në dhe,pse malazezët nuk guxojshin me u afrue për me i varrosë”.(E.Plava “Plava dhe Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”-Tiranë 1995 , faqe 87 ).

Jehona e betjës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë ishte tejet e madhe.Pamvarsisht prej rezulltateve të arritura në ditët e janarit 1880,në të vërtetë me mbrojtjen që shqiptarët po u bënin trojeve etnike të tyre u jepnin të kuptonin Fuqive të Mëdha,që të mos luanin me fatet e tyre sikur të ishin jetimë.Një tjetër mesazh i këtyre betejave ishte edhe ndaj Portës së Lartë.Bashkimi i shqiptarëve nga krejt vilajetet e tyre,për një gjymtyrë të trupit,donte të thoshte se zotër të trojeve shqiptare ishin veç shqiptarët dhe askush tjetër.Në këtë rrafsh,goditej drejtëpërsëdrejti megalomania e Fuqive të Mëdha dhe paternalizmi i Portës së Lartë,sipas së cilëve,me kufijtë shqiptarë dhe në përgjithsi me çështjen shqiptare,mund të luhej si të dojë.Kjo dëshmoi të kundërtën,pra shqiptarët dëshmuan se ska pazarllëqe në kuriz të kombit dhe atdheut shqiptar.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Qëndresa e atdhetarëve, të Plavës e Gucisë

“Rrjetizimin e bizneseve të diasporës” në SHBA, mundësi e madhe për investime në Kosovë

April 9, 2014 by dgreca

Nga BEQIR SINA, New York/

BRONX NEW YORK : Dje në lokalin “Two Stars” në Bronx – New York, u mbajt takimi i parë për këtë vit i bordit të afaristëve shqiptaro-amerikanë – “Rrjetizimi i bizneseve të diasporës” në SHBA, të cilët janë si bërthamë e rrjetëzimit të bizneseve shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.Takimin punues e udhëhoqi drejtori i këtij bordi biznesmeni i suksesshëm në Amerikë, zoti Elmi Berisha dhe zvendesi i tij, Besim Malota, një veprimtar dhe biznesmen i suksesshëm. Ndërsa, morën pjesë disa veprimtar dhe biznesmen të tjerë shqiptaro amerikan – anëtar të këtij bordi dhe veprimtar të komunitetit si , zoti Kujtim Qafa, Anton Raja, Zef Bala, Simon Qafa, Marian Cubi dhe editori i Diellit , z Dalip Greca.Zoti Berisha i informoi gjerësisht në fillim të fjalës së tij, të pranishmit, për mënyrën se si funksion ky rrjet i krijuar një vitë më parë në SHBA, nga Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj, dhe Naim Dedushaj, drejtor i departamentit të përkrahjes së investimeve në Ministrinë e Diasporës.

Me këtë rast ai mori si shembull diasporën shqiptare në Europë – rrjetëzimin e bizneseve shqiptare në Austri, Zvicer dhe Gjermani. nga ku siç dihet atje ka edhe bazën e nisjes së tij, ky lloj rrjetizimi biznesesh shqiptare në diasporë.

“Mbasi edhe kushtet e invesitimeve, nga diaspora, tha zoti Berisha, natyrisht për për zhvillimin e biznesit nga Europa, në Shqipëri, Kosovë, dhe vendbanimet të tjera shqiptare në Ballkan(Mal të Zi, Maqedoni e Luginën e Preshevës) nga shqiptarët, dihet se janë edhe më të favorshme për shkak të afërsisë që kanë, atëhere edhe ne në Amerikë duhet të mësojmë dhe përfitojmë nga kjo përvojë”.

Në këtë kontekst kreu i këtij bordi biznesmenësh shqiptarë, zoti Berisha, u shpreh : “Meqënëse, në Europë, ka një ecuri të madhe në këtë rrjetizim biznesesh shqiptare, ne mendojmë të intensifikojmë sa më shumë lidhjet tona me afaristët dhe biznesmenët shqiptar në Europë. Duke krjiuar ura të fuqishme biznesi nëpërmjet lidhjeve tona në mes dy kontineteve” tha ai.

Biznesmeni i suksesshëm dhe një ndër veprimtarët e dalluar të komunitetit, zoti Elmi Berisha, kërkojë që të bëhen edhe ndryshime pozitive edhe nga brenda punës së nisur të rrjetëzimit të bizneseve shqiptare në SHBA-së.

Ai sugjeroi tek më pas të pranishmit se:” Duke qenë një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të tyre, të biznesit të shqiptarëve në Amerikë, i kan nga industria kulinare – Gastronomia, pra duhet punuar për krijimin së pari të një lidhje të këtyre bizneseve me bisnesmen shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada – me Rrjetizimin e bizneseve të diasporës në SHBA, me mundësi që ky mekanizëm të plotësohet edhe me bizneset e tjerë, si ndërtimtaria, shit-blerja e pasurive të patundshme dhe të tjera”.

Nën/Drejtori i bordit të “Rrjetizimit të bizneseve të diasporës” në SHBA, zoti Besim Malota, vuri theksin në fjalën e tij mbi krijmin e një fondi që siç tha ai duhet krijuar për të sponsorizuar lidhjen e bizneseve shqiptare këtu në SHBA, dhe mundësinë e mbështjes së tyre më pasë në Shqipëri, Kosovë, dhe vendbanimet të tjera shqiptare në Ballkan, si në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.

Kurse, Anton Raja ishte i mendimit se ka ardhur koha që të hiqet dorë nga mënyrat e vjetërura të bërjes së biznesit nga shqiptarët, e diasporës, duke shfrytëzuar më së miri përvojën e re të krijuar nëpërmjet “Rrjetizimit të bizneseve të diasporës” e sidomos asaj në Europë dhe tani së fundi në SHBA-së.

Duke u përfshirë në diskutimet, u pajtuan dhe dhanë edhe atë mendimet e tyre rreth këtij rrjetizimi biznesesh edhe zoti Zef Bala (anëtar i bordit të “Rrjetizimin e bizneseve të diasporës” në SHBA), Kujtim e Simon Qafa dhe Marian Cubi.

Të pranishmit folën, gjatë diskutimeve edhe për fokusimin veprimtarisë së tyre në Diasporë dhe për projektet në të ardhmen. Biznesmenët shqiptar qenë të interesuar edhe për gjendjen e reale në Kosovë, për kushtete e investimeve,për mbrojtjen e investimeve, për ligjshmërinë etj. Ndërkohë që ata shprehën gadishmërinë për t’u bërë nëpërmjet “Rrjetizimit të bizneseve të diasporës” në SHBA, pjesë aktive e investimeve të ardhshme të biznesmenëve shqiptaro-amerikane në Kosovë, Shqipëri Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.  Në fund të këtij takimi punues u folë edhe për shtrirjen e takimeve të tilla edhe në vendbanimet shqiptare në SHBA, ku edhe ka më shumë biznese shqiptare,si në Çikago, Detroit, Florida, Dallas, Arizona e tjer, për t’i inkuadruar ato më me efikasitet dhe rritur besim e tyre në “Rrjetizimin e bizneseve të diasporës” në SHBA. Duke marrë si shembull modelin dhe punë në Europë me rrjetizimin e bizneseve shqiptare atje.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Rrjeti i binesmeneve, te diaspores

ALO VAÇE!

April 9, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.

Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.

Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Lamtumire, Vace Zela

LAOKOONTI E SHQIPTARËT…

April 9, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në vitin 1962, në sallen e pikturës pranë Shtëpisë së Kulturës në Shkoder, kam vizatue koken e Laokoontit, veper e skulptorit madh Mikelangjelo…Ishte 50 vjetori i Pavarsisë së Shqipnisë.

Edhe pse gjarpni e kishte kafshue Shqipninë që në vitin 1468…Na dukej se në vitin 1912, kishim fitue dishka… Sikur, dervishët na e kishin largue friken.

Kjo statujë, sikur, na e kthjelloi shikimin dhe mendimin e turbulltë… Ishim të rijë…Që në vitin 1944, Shqipnia vazhdonte me kenë e lidhun nga një gjarpen i mnershem dhe i pakrahasueshem në Shekullin e XX, me asnjë tjeter që kishte lidhë dhe kafshonte perditë Popullin e vet, ku dhimbja dhe helmi depertonin në krejt trupin e çveshun të Shqiptarit…

Gati askush nuk e dallonte koken e tij të maskueme me “Yllin e kuq” që ushqehej me gjak Atdhetarësh, e vazhdonte me kafshue dhe me helmatisë Rininë Shqiptare.Ata baballarë që ishin të lidhun prej tij do të shihnin me sytë e tyne edhe trashigimtarët e vet, pa asnjë shpresë shpëtimi nga kafshimi i këtij perbindshi me pamje gjarpni…

Gjarpni nuk falë as nuk dihet se ndonjëherë asht tregue i mëshirshëm…Podrume, biruca, qeli, lagështinë, uri, errësinë, etje, ndytsinë, pisllek, torturë, rrahje, thyemje kockash, djegëje syshë me cigare, vezë të zieme nenstjetulla, mace të egersueme nder thasë, tredhje organesh gjenitale, perdhunime vajzash nder sytë e baballarëve të vet,gra të lidhuna nder sy të burrave, burra të vuem në hell, e vllau tue dishmue per vllaun… Të gjithë të lidhun prej një gjarpni që quhej Enver Hoxha në mënyren ma mizore e që, me helmin e tij “lufta e kllasave”, shkatrroi Atdheun, Shqiptarin, Virtytet dhe Fenë e Tij.

Besa, Burrnia dhe Bujaria e trashigueme nder shekuj… u shue me helmin anadollak…

Çapini shovenist sllavokomunist ushqente me helmin vllavrasës gjarpnin e kobren…

Populli Shqiptar nder shekuj i robnuem dhe i coptuem copa copa, duhej perça e robnue ashtusi persa shekuj vepruen pushtuesit turq me veglat e tyne tradhëtare anadollake.

E gjarpni ngopej e knaqej tue pa një Popull në dhimbje, vorfni e pashpresë shpetimi…

Mbi 50.000 Shqiptarë, i mbyti me helmin e tij… E virrmat e Tyne humben nder labirintet e podrumet e golleve të hapuna nga gjarpni per 47 vjet, pa asnjë minut dritë në Shqipni.

Mbi 500.000 Shqiptarë, nder kampe pune, ferma e minjera…leckoheshin perditë në trup dhe në Shpirtë, per me knaqë epshet e gjarpnit dhe kobres që lëshonin vezë e jarg helmi.

E zemra e gjarpnit me “Urdhën nga Naltë”, njëditë… do të plaste… me 11 prill 1985…

“Amaneti” i sulltanit per Shqipninë e Gjergj Kastriotit ishte: “Të bie shehadet per veprat që ka bërë në jetë kundër Allahut! Këte e ka dhe Kur’ani, që është shumë më i përparuar dhe më njerëzor se Bibla, dhe si përfundim: Shqiptarët duhet t’i pershtatën atij.” (E.Hoxha, “Shënime për Lindjen e Mesme” 1958 – 1983. Botue Tiranë, 1985.)

Melbourne, 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, LAOKOONTI E SHQIPTARËT...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4700
  • 4701
  • 4702
  • 4703
  • 4704
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT