• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rexhep Goçi- Çfarë ndodhi më 16 nëntor 1982 në Spaç

March 26, 2014 by dgreca

– Pushofsh në paqe, o miku im i halleve e vuajtjeve!

Nga Bedri BLLOSHMI/Rexhep Uk Goçi ka lindur në vitin 1937 në fshatin Ҫerem të rrethit Tropojë. Rexhepi ka qenë i martuar me Bora Goçaj dhe kanë lindur 7 fëmijë: Perlatin (më i madhi), Esatin, Luanin dhe motrat Sadete, Valdete, Valbona dhe Servete. Rexhepi kishte arsim fillor dhe ka punuar në ndërmarrjen e gjeologjisë në Tropojë. Më 14.2.1975 arrestohet nga Sigurimi për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, parashikuar nga Neni 73/1 KP. Më 30.5.1975 Gjykata e Tropojës e dënon me 10 vjet heqje lirie. Më pas e dërgojnë për të vuajtur dënimin në kampin e Spaçit të Mirditës. Në vitin 1982 në muajin nëntor qeveria komuniste bën një amnisti për të burgosurit politikë. Në burgun e Spaçit përfitonin 373 apo 375 të dënuar, të cilët u liruan më 15 nëntor 1982. Të nesërmen, më 16 nëntor Rexhep Goçi do të jepte shpirt tek galeria 15/1 nga breshëritë e kallashnikovit. Ishte “rregull” i komandës që mbasi të vrisnin dhe të groposnin për rastin në fjalë, vendgroposja ishte në Shpal të Mirditës. Pas vitit 1990 familjarët e Rexhepit interesohen dhe e zbulojnë vendgroposjen, e marrin dhe e varrosin në vendin e lindjes ku pushon përjetësisht pranë të parëve të tij.

Kujtesë- Çfarë ndodhi më 16 nëntor 1982 në Spaç

 

Rreth viteve 70-të, në kupolën e krimit në Tiranë, diktatori po vazhdonte krimet e radhës. Në burgun e Spaçit vinin lloj-lloj informacionesh, ndoshta për t’i pasur ne si ushqim të shpresës. Në vitin 1982, natën e shtatëmbëdhjetë duke u gdhirë 18 dhjetori, në televizion u dha një lajm i gëzueshëm për ne: “Nga një krizë nervore, kryeministri i Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu, vrau veten”. Të gjithë të burgosurit përfshi dhe unë, u gëzuam shumë. Bisedonim nga dy e nga tre të gjithë të dënuarit, se komunizmi po e çonte drejt fundit ngrënien e pjellës së vet. Qeveria komuniste shpalli një amnisti për të burgosurit politikë dhe më 15 dhjetor 1982, në burgun e Spaçit, u liruan mbi treqindeshtatëdhjetë të dënuar. Në bazë të përllogaritjeve një i dënuar nga rrethi i Tropojës, Rexhep Uk Goçi, nuk përfitonte nga kjo amnisti, sepse kishte njëmbëdhjetë ditë më shumë sipas përllogaritjes së kartelistit të komandës.

Këta që u liruan ishin në brigada të ndryshme nga të pesë zonat e minierës, ku nën peshën e kamzhikut dhe torturave të tjera, si lidhje me hekura pranë shtyllës së betonit dhe shumë herë me duart e lidhura mbrapa, të lidhnin dhe një rrotë vagoni që peshonte vetëm në duart e lidhura. Kjo rrotë vagoni nuk takonte në tokë. Problem i padiskutueshëm ishte zona e dytë, ku nxirrej minerali i piritit nën temperaturën 40° – 45° nxehtësi. E plotësuan brigadën aq sa duheshin për vagonat e piritit.

Unë në atë kohë punoja në zonën e pestë dhe më kaluan në zonën e dytë bashkë me disa armatorë (punëtorët e mirëmbajtjes së galerisë quheshin armatorë). Kështu që midis disa të tjerëve ishte dhe Rexhep Goçi. Në kohën që do futeshim brenda në galeri dhe saktësisht në galerinë 15/1, e vjetër thërriteshe. Rexhepi do të punonte në këtë galeri siç thashë më sipër, armator dhe merr një mjet që quhej “karrotrupe” për të marrë disa trupa betoni jo shumë larg grykës së galerisë 15/1. Në të djathtë të kësaj galerie, gati 200-300 metra larg, ishte rrethimi dhe një karakoll nga jashtë tre rrethimeve me tela me gjëmba, që vigjëlonte natë-ditë ushtari me automatik në dorë. Duhet të sqaroj një gjë për lexuesin që nuk ka dëgjuar për këto që po rrëfej. Në qoftë se ushtari vriste një “armik” (të burgosur politik), shpërblimi i parë ishte pesëmbëdhjetë ditë leje dhe patjetër dhe një dekoratë dhe kur do mbaronte ushtrinë, komanda i vishte policë po në kamp. Në brendësi të hapësirës nga rrethimet e 20-25 metra larg galerisë, ishin vendosur disa tabela në formë trekëndëshash (prej hekuri), që i dënuari nuk duhet të kalonte dhe as të afroheshe. Rexhepi, disa metra larg këtyre tabelave, po ngarkonte trupat e betonit për t’u futur në galeri. Në këtë kohë u dëgjua ulërima e automatikut, ne shtangëm të gjithë sa ishim nga frika. Sapo u dëgjua zhurma vdekjeprurëse, polici doli e i thërret ushtarit: “Ç’bëre more, ndaloje zjarrin”. Ndërkohë Rexhepi ra në një brinjë me trupin e betonit në prehër dhe me një zë gati në fikje foli: “Ç’më bëre more ushtar, më vrave, m’i le fëmijët rrugëve, kam një qerre me fëmijë. Oh Zot, pse, pse kështu me mua, mirë që s’më liruat, po pse më vratë? Ah, fëmijët mbetën jetimë”. Gjaku dalngadalë po skuqte rrobat e pista nga piriti, vari kokën mënjanë dhe nuk u ndje më. Polici qëndronte në këmbë, pranë kufomës duke na ulëritur neve: “Futuni brenda, futuni brenda”. Për tetë orë rresht, ulur në cepin e galerisë e pa folur asnjë fjalë me njëri – tjetrin, të ndriçuar nga llamba karbitit e cila lëshonte një flakë të verdhë, duke lëvizur sa majtas djathtas. Mbas disa orësh mbërriti prokuroria e Rrëshenit për të bërë formalitetet e për ta lejuar komandën të bënte groposjen e radhës në një buzë përroi që thërriteshe Shpal… .

Aty ku e prisnin shokët, të vrarë e groposur më parë. Ndërsa fëmijët u rritën jetimë nën praninë e dhimbjes e urisë. U rritën e u martuan e mbas vitit 1990, Perlati dhe gjashtë fëmijët e tjerë bashkë me fëmijët e tyre (nipërit e mbesat e të ndjerit Rexhep), nisën ashtu me kokë mënjanë, të heshtur drejt luginës së shkretë e majave të rrjepura nga erozioni, të Spaçit. Drejt kësaj skëterre që mbante të fshehur në barkun e tokës së djegur babanë e tyre. Gjithsesi ata e prisnin të kthehej i gjallë, më i plakur e i thinjur, i dërmuarr nga jeta dhe fati që e ndëshkoi aq rëndë. Megjithatë dhe ato pak eshtra që kanë mbetur pa u tretur po udhëtojnë të pushojnë në vendlindje. Edhe pse po të shohësh mbrapa sheh vetëm trishtim, jeta vazhdon… .

  Pushofsh në paqe, o miku im i halleve e vuajtjeve!E megjithatë unë u ktheva i gjallë. Qetësi, qetësi e mjerim.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshme, Rexhep Goci, Rexhep Goçi- Çfarë ndodhi më 16 nëntor 1982 në Spaç

E VEÇANTA E BUKUR E KUPTIMPLOTE NË NJË LIBËR ME VLERË

March 26, 2014 by dgreca

 Nga MSc. Albert HABAZAJ*)/ kritik letrar/

Kam vite që e njoh Halil Bregasin dhe e respektoj si qytetar korrekt e serioz. Pak herë jemi takuar e përshëndetur në veprimtari atdhetare e kulturore apo edhe në ndonjë festë a ditëlindje. Para ca kohësh Halili, më ftoi për 76 vjetorin e lindjes, në një ceremoni me miq të afërt, por unë nuk munda të shkoja për arsye pune. Në mungesë e falënderova për respektin dhe e urova me shpirt.

Interesant! Që në takimin e parë me të, krijova përshtypjen se Halil Bregasi është njeri me kulturë, qytetar i mirë, i urtë dhe porsi ajo pema e pjekur ngarkuar me fruta, ai është i mbudhur me humanizëm dhe dashuri njerëzore.

Për mua, dr. Asqeri Llanaj dhe Halil Bregasi janë Cakrani në Vlorë, janë simbol i asaj treve të zjarrtë atdhetarie e kulture, janë bërthama e asaj energjie diellore që shpërthen mirësi dhe nderim për historinë, për jetën , patjetër dhe për të nesërmen.

Kush nuk e njeh doktor Asqeriun në Vlorë? Dentist i zoti, veprimtar i spikatur, shkrimtar i përkushtuar, Ndërsa Halili është njeriu me shpirt artisti deri më sot, se nesër…Nesër do ta kuptoni vetë, lexues të nderuar, ç’vlera të tjera ka, pasi ta lexoni këtë libër jetësor mjaft mresëlënës.Mendimi im klasifikon thellësinë e brendisë psikologjike e krijuese të këtij njeriu të veçantë në dukje e të bukur në thelb. Nuk  mund t’i kuptoja të ndarë doktorin dhe Halilin; ata i shoh e i konceptoj vetëm së bashku, s’kanë kuptim veç e veç, plotësojnë njeri-tjetrin në veprimtaritë shoqërore-atdhetare. Ata më duken si vëllezër siamezë, në kuptimin më të mirë të fjalës dhe sa herë i shikoj të dy, më kujtojnë ato vargjet e famshme të Majakovskit…!

Në një shkrim të botuar në revistën serioze “Cakrani”, doktorin e kam quajtur trurin e shoqatës “Cakrani”, ndërsa shpirtin si motor i ndezur- Halil Bregasin.

Dhe tani, mendimi im për këtë njeri kërkon gjetje për klasifikim në brendinë krijuese të tij:

Halili më dorëzoi një material për ta parë.

-Vlen për t’u bërë libër, apo kam harxhuar fletët kot-, më tha

E lexova me respekt dhe me vëmendje materialin. Nis me një fllad lirik, me një udhëtim në tren.Thjeshtë, rrjedhshëm, natyrshëm, bukur. Nuk u bezdisa gjatë leximit, përkundrazi u ndjeva këndshëm. Ndoshta ngaqë udhëtimi në vetvete është shpalosje kënaqësishë romantike për njeriun, apo pse jo edhe Halili ka qenë shumë i kujdesshëm për ta vendosur fjalën, fjalinë e shprehjen atje ku duhet. Ndoshta siç thotë dhe vetë: “ Të tregosh, duhet të keshë parë dhe dëgjuar. Të shkruash atë që di, është shumë e vështirë. Të përshkruash atë që tregon, është edhe më e vështirë. Të gjtha këto përjetohen në punë e atij që shkruan”.

Ndoshta në Pogradec ai u fut në tempullin e Pegasit e takoi frymën e bekuar të Kutelit e Lasgushit. Që në fillim të leximit krijova ndjesinë se do të shpalosja faqe interesante, do të shijoja të gjitha ngjyrat e jetës të brezit bashkëkohës të autorit dhe rrethanave e se nuk do të shikoja vetëm bardhë e zi këtë ngastër toke, ku mbillet jetë.

Dhe nuk u zhgënjeva. Pashë një jetë të veçantë, të bukur në dukje, tërheqëse në skalitjen e botës së brendshme të personazheve që plotësojnë galerinë e librit dhe origjinale në trajtimin artistik e ndjesor të lëndës. Egziston e bukura. Është një thënie e lashtë , e urtë greke: “Nuk është e nevojshme të pishë një fuçi me verë, mjafton një gllënjkëz të kuptosh çfarë shije ka vera”.Është mëse e vërtetë kjo përvojë jetësore, prandaj edhe unë mund t’i them lexuesit të respektuar: Për të bërë vlerësimin kritik të librit të Halilit mjafton të hedhësh syrin e mendjes në  një fragment kudo që ndalon dora dhe kupton se ke të bësh me një njeri që krijimin e ka në gen, se ke të bësh me një krijues me kulturë. Unë kapa këtë copëz nga shkrimi i tij : … “kodra e qytezës K është si një trëndafil në mesin e një lëndine të gjelbëruar nga bari…”. Një krahasim i thjeshtë, i bukur, si një fllad që buron natyrshëm ndër figurat stilistike që prodhon mendimi krijues i autorit H. Bregasi, të përcjell rryma të elektrizuara me art e shije estetike të këndshme, romantike, për të zbukuruar jetën, për të zbutur konfliktet, në funksion të mirësisë njerëzore.

Personazhe si Aleksi, Vasili, Maria, Abdullai, Engjëllushja, xha Isufi etj. më duket sikur i njoh, sikur diku i kam parë. Në fakt unë nuk i njoh, por pena sqimatare e Halilit i ka skalitur aq vërtetësorë, saqë më duken realë, sikur jemi takuar, grindur e pajtuar, sikur kemi pirë së bashku e jemi gëzuar. Por përveç se te libri i Halilit nuk jemi parë ndonjëherë.E kjo është një vlerë e brendshme që autori H. Bregasi ka ditur ta menaxhojë si nikoqir i mirë i fjalës, i situatave e ngjarjeve ku shpalos karakteret dhe botën e pasur që mbartin psikologjikisht dhe shpirtërisht personazhet simpatikë që ai krijuar. E kjo është vlerë për autorin. Dhe ai meriton përgëzime. Ky libër, përveç vlerave artistike e njohëse, ka ndërkohë një kod moral që duhet respektuar për të ndërtuar çerdhen e ngrohtë familjare, ku lulëzon respekti për veten, për familjen, për dinjitetin moral e dituror, për mirënjohjen ndaj mësuesëve, për përuljen para bibliotekës si para Zotit. Mesazhe të larta humane po përçon me librin e tij ‘‘Tri dasma në një’’autori Halil Bregasi. Këto mesazhe janë ajo frymë e pastër që kthjellohet nga tre degë të gjelbëra e të shëndetshme: besimi, shpresa e dashuria e trungut të fuqishëm familjar: Aleksandër – Ëngjëllushe, me rrënjë të thella e të pashkulshme nga asnjë tramundanë, sepse Abdullai me Margaritën janë magjia shëruese dhe magma e shëndetit të bukur  që mban çdo çift shkëlqimplotë si margaritar. Ata nuk kanë as më të voglin kompleksitet fetar, e ky fakt ka shumë vlera qytetare, se harmonia është një pasuri e madhe, e pazvendësueshme për njeriun, që të zbukuron dhe të zgjat jetën.

Autori nuk përdor asnjë mjet artificial në dramën e rrëfimit. Përmbajtja zhvillohet lirisht, në mënyrë të natyrshme  nga vetë thelbi i jetës që vizaton, sipas ligjeve të pandryshueshme të domosdoshmërisë. Pasi përfundova “Tri dasma në një ”, mu kujtua një thënie e V.G.Belinskit: “Ai nuk ka ideale në kuptimin e zakonshëm të fjalës: njerëzit e tij janë njerëz të vërtetë, ashtu siç janë, siç mund të jenë”.

Me përulje të sinqertë ndaj penës së Halilit, se me zbardhëllim të ndritshëm, na paraqet tre linja, tre pamje, tre konflikte, një çift që do të mbjellë pranverën e jetës së çiltër, i them lexuesit: do të ndjesh kënaqësi gjatë leximit. Sinqerisht edhe një herë e përgëzoj Halilin për këtë libër me vlera njohëse, edukative, morale, shoqërisht i domosdoshëm, sidomos sot. Figurat letrare i përdor me kursim dhe në vendin e duhur, atëherë kur kërkohet, që lexuesi ta shijojë librin e tij si një bukë e ngrohtë gruri .Nuk kemi figura qiellore, por është pikërisht aq sheqer stilistik, i ngjyer në shpirtin e tij, që  ëmbëlson lexuesin serioz dhe sot. Personazhi i Aleksit është krijuar me ngjyra arti e lëng jete dhe arrin të marrë admirimin tonë. Më shkon ndërmend të heq paralele midis Aleksandrit dhe … po, më mirë të mos ndikoj te lexuesi; të gjykojë vetë ai se me kë ngjan simpatiku Aleks. Libri “Tri dasma në një” i autorit Halil Bregasi, plotësohet  me vëllimin e dytë me titullin e pjesës: “Guri –  i rëndë në vend të vetë”. Në këtë libër, të sapodalë nga botimi, ravijëzohen dhe kthjellohen mesazhet letrare, njerëzore dhe filozofike, sepse është bërë universale thënia e bukur e poetit të madh hungarez, 26 vjeçarit Sándor PETÖFI (01. 10. 1823 – 31. 07. 1849): “Për dashurinë jap jetën, për Adheun jap dashurinë” dhe funksionon me fisnikëri qytetare.

Vlorë, 26. 03. 2014

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, dr. Asqeri Llanaj, Halil Bregasi

”Zgjohu”: Pa votat e shqiptarëve asnjë president i Maqedonisë nuk mund të jetë legjitim

March 26, 2014 by dgreca

SHKUP, 26 mars / Lëvizja qytetare “Zgjohu” deklaroi se pa votat e shqiptarëve asnjë president i Maqedonisë nuk mund të jetë legjitim. “Më 9 shkurt të këtij viti, ne ftuam të gjithë votuesit shqiptarë që të mos marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale. Edhe BDI-ja, PDSH-ja dhe RDK-ja ishin gjithashtu në një mendje për t’i bojkotuar zgjedhjet presidenciale. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk i ndryshojmë qëndrimet tona dhe konsiderojmë që interesi i shqiptarëve është që të mos merret pjesë në zgjedhjet presidenciale”, thuhet në deklaratën e lëvizjes qytetare “Zgjohu”. ”Ky shtet mund të funksionojë vetëm në bazë të vullnetit të mirë dhe të pajtueshmërisë së shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo pajtueshmëri duhet të vlejë edhe për presidentin, edhe për qeverinë edhe për Parlamentin si dhe për çdo segment tjetër të shoqërisë tonë. Pa votat e shqiptarëve, asnjë president i Maqedonisë nuk mund të jetë përfaqësues legjitim i shtetit”, theksohet në deklaratë

Filed Under: Rajon Tagged With: Zgjohu

Bylykbashi: Farsi i radhës i qeverisë për konsensus në komisione

March 26, 2014 by dgreca

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në një prononcim sot për mediat pas largimit nga komisioni i ligjeve, akuzoi qeverinë Rama, se po bëjnë ndryshime ligjore pa konsensues për të mbushur administratën me militantë partiak, ashtu siç edhe ka bërë deri më sot.

Ai pohoi se “në aspektin e substancës, me sa duket, maxharonca e ka mbledhur mendjen dhe nuk iu intereson asnjë lloj debati në komision dhe nuk është gjë tjetër vetëm një fars i radhës”. Unë besoj se sot është prova e fundit e me siguri do të vazhdojnë në shkeljen e rregullores dhe ne do të vazhdojmë t’i denoncojmë”.

Gjithashtu, Bylykbashi përmendi dhe ligjin për nënpunësin civil, duke thënë se “edhe kjo është një thyerje e procedurës, nuk mund të diskutohet në seancë plenare që është caktuar të enjten, pa diskutuar në komisionin e ligjeve.Kjo është një shkelje tjetër që Edi Rama, kërkon ta fsheh në mirëbesim në pritje të konsensuesit”.

Reagimi i deputetit të PD-së, Bylykbashi erdhi pas mungesë të gjetjes së një kompromisi në komisionin e ligjeve

 

Filed Under: Featured Tagged With: Bylykbashi, farsa, konsensusi, Pozita

Majtistët filandeze tërhiqen nga Qeveria

March 26, 2014 by dgreca

Shkas se sipas grupit parlamentar propozim buxheti është shumë i ashpër për familjet me fëmijë të vegjël dhe atyre me të ardhura mesatare/

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Geteborg, 26 mars – Partia Majtiste e Finlandës është tërhequr nga Qeveria. Këtë vendim e konfirmuan lideri i kësaj partie Paalo Arkinneki , që ishte edhe minister i kulturës, dhe ministrja komunikacionit, nga kjo parti, Merja Kyllynen. Shkas për këtë largim nga ekzekutivi ishte se grupi parlamentar i kësaj partie nuk e dha dritën jeshile përkatësisht votën për propozimbuxhetin ngaqë ai, sipas tij, është shumë i ashpër për familjet me fëmijë të vegjël dhe atyre me të ardhura mesatare. Po ashtu, kjo familje nuk ishte në dakord me planifikimin e ngrirjes së mbështetjes materiale për studime dhe të pensioneve.

Tash qeveria e kryeministrit Jarki Katainens  është e përbërë nga pesë parti politike. Se sa do të ndikojë tërheqja e partisë majtiste nga qeveria e këtij vendi nordik mbëtet të shihet.

Filed Under: Rajon Tagged With: Majtistët tërhiqen nga Qeveria, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4739
  • 4740
  • 4741
  • 4742
  • 4743
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT