• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shaban Cakolli ne Sofren e DIELLIT

February 28, 2014 by dgreca

A E DI EUROPA…?/

GRINDJE/

Qindra  vite u grindëm/

Me   korbin që shtirej pëllumb/

Për një  tokë,për një lum/

Ja ai,ja unë/

por kështu deshti/

fati,kombi  e zoti/

tani këtu  jam unë,jo më korbi./

NDARËJE  NË  MURE/

Prej kur këtu shqip/

kanë folur  nënat/

Hartën  na e grisën marimangat/

Bënë kurthe,rrjeta e furje/

Na ndanë në mure/

Murë andej,murë këndej

ndizej  gjaku  nëpër denj

A e mbanë mend Evropa mike

Se  Shqipëri ishte,krejt hapësira gjeografike?

Ku flitnin  shqip,Shqipëria etnike

Ua zgjate dorën forcave  barbare

me akuzën,se kinse ne kërkonim

Shqipëri të madhe!

Mbi  ne pastaj,ra futa e zisë

Ditë muaj e vite,na i keni përmbysë.

Mbi troje të shqipeve,u la me gjak

Padrejtësisht na coptuan

Osmanët  ardhacak

i futën me grek,i futën  me shkja

Shqipet  me  i nda.

E pa mëshirshëm  korbat e zi

Na ndanë  në kisha,na ndanë  në  xhami

Shqiptarët  me i përca, mes veti  me i shti

të mendojnë për fe,jo për komb  e liri

Na shtypen pashallarët,pastaj shumë ciklop

Na lanë nën thundra,pa atdhe e komb

në doket  e huaja,na ngatërronin  në tjetër zot

Por kurrë shqiptarët,si gjunjëzuan  hordhitë

Ndër shekuj  u shkrimë,për atdhe dhe dritë

Ky  vend i shqipes me gjak u ujitë

Në  vendin tonë,edhe Zoti  flet shqip.

NËNTORËT  E LIRISË

Shqipëri  është toka

uji,jeta e ajri

U munduan të na e marrin

barbarë pas barbari.

Për te qëndruam,në male  e shkrepa

Nëpër laboratorët e Evropës

gjaku ynë nëpër epruveta

hulumto,bashdyzo,çfarë materje është kjo?!

Është  gjak shqiptarie

në  këtë tokë Perëndie

sduron turk,grek,as shkja

shqipet  me  i nda.

Këtë vend,vet zoti na e dhuroj

sdonte të na e linte  barbari

Por shqipja gjithnjë qëndroi

nga  Skënderbe shqiptari

e djalë  pas djali

Pushtuesit luftën  s´ja ndali.

Vjen  Ismail Qemali

ngjeshur me atdhedashuri  zjarri

me Flamur në dorë

me 28 nëntor

Pavarësisë  i dha kurorë

Tash njëqind  vjet

Shqipëria  flet  vet

jeton,frymon shqip

pa pushtuesin e lig

Sot  shqipja e lirë

gëzon  Pavarësinë

edukon  rininë

vetëm për Shqipërinë.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne sofren e Diellit, Shaban Cakolli

Europa nuk po na do nëse nuk i kthehemi rrënjeve tona historike

February 28, 2014 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Është e vështirë të ndërrohet historia,por ajo duhet të ndërrohet. Ne ? Jo ,por të tjerët se neve na ka kapur gjumi dhe letargjia e arushave ende po vazhdon.Vazhdon ajo vazhdon,ne po i ndihmojmë se çke me te! Një popull pa pike mëshira ndaj vetvetës dhe të shkuarës së vet.Kemi ne çakalla , ato të mullirit me ujë, të mullinjëve tanë ,në të cilin i bluanim drethërat gjatë historisë .Çakallat janë simbolikë e atyre që bëjnë zhurmë vazhdimisht,por ato e luejnë rolin e tyre në mekanikën historike të bluarjes. “Çakallat” e sotme janë ato që në kohën sotit na tregojnë gjëra dhe përralla në hapsirë, përralla që më nuk i bluan koka e një të civilizuari të Europës apo Amerikës. Ata po shkojnë në Mars , e neve vetëmse na kanë treguar që si pjestarë të një komuniteti të prapambetur as që guxojmë të mendojmë në ndonjë udhëtim të tillë. Por  t i këthehemi historisë që i takojmë se nëse ate nuk e dokumentojmë vet ,bota  e civilizuar nuk na pranon në mesin e saj.Po na japin shenja,po na sinjalizojnë sa e sa here që duhet të përgatitemi për diçka që nuk na ka ëndja e as që na kishte shkuar mendja.

“Mendohej që Grekët në ishujt e Kroacisë së sotme (Ilirisë së dikurshme fxh) vendosnin për të gjitha ndodhitë politike dhe ato ekonomika. Por artefaktet e gjetura rishtas na informojnë për një bashkësi të forte ilirike e cila e kishte rolin dhe ndikimin vendimtar në ato anë.(shkruan gazeta “Slobodna Dalmacija” e datës23.02.14 Na Korčuli pronađeni iznenađujući artefakti: Iliri su Grcima bili superiorni) Të premtën ,arkeologët dr.sc.Dinko Radiç dhe  dr.Igor Borziç në afërsi të një qendreje protohistorike në vendin Kopila në afërsi të Blatës në ishullin Korqulla në Kroaci kanë zbuluar gjëra me vlerë në një varrezë,të cilat  mund të ndërrojnë historinë. Aty janë gjetur disa dhjetëra enë greke , të cilat kryesisht lidhen me një kult specifik  ilir  në të cilin  nënkuptohet pirja e verës. Në të njejtin vend janë gjetur edhe një sasi e madhe e eshtrave të njerëzve, si dhe  një zbukukurim prej bronze nga shekujt 1 ose para K.
Ky zbulim e ka rëndësinë e tij të veçantë , se edhe pse  janë gjetur enë greke fjala është për diçka që nuk ka kurrëfarë lidhje me grekët. Ne jemi mësuar të lexojmë se pas çdo zbulimi flitej për tashëgiminë greke. Kroatët po e dëshmojnë të kundërten. Po ne ? Ne nuk kemi kohë të mirremi me vetvetën , duhet të spjegojmë  se sa të rinj jemi në këto anë. Duhet me sjelljet tona ,veshjen tonë të argumentojmë se po sa kemi ardhur . Ashtu po e lyp shefi.

Çka  është e rëndësishme për ne historia, e kaluara dhe e shkuara e jonë? Ende jemi në mëdyshje se a më mire të jemi të vjetër në këto anë apo të posa ardhur ? Përgjegjen mund ta gjejmë shumë lehtë , vetëm me një klik në mendjen tonë: Pse i tërë ky ngulm i historiografëve serbë ,grek dhe rus për paraqitjen tone karshi botës se nuk jemi të vjetër në këto  anë. Kur nuk je popull i vjetër  nuk ke traditë, nuk di me udhëheqë vetveten, nuk je i denj për një shoqëri më të civilizuar. E kuptuam? Më vjen shumë keq  për atë që lexova se çka tha Shtefan Fyle.Nuk e dini , apo nuk po  besoni se diçka po përgaditet. Keq , shumë keq .Fyle Shqipërisë: Nuk e arritët BE-në, futuni nën Serbi?! (26.02.2014)  “Stefan Fyle provokon Shqipërinë, kërkon futjen e saj nën Jugosllavinë e Re të udhëhequr nga ana e Serbisë! “.  Fantazma e ish-Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit, vijon të serviret në forma dhe trajta të kamufluara si rrugëzgjidhje për bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon. Ende pa u mbyllur plagët e shpërbërjes së Jugosllavisë famëkeqe, disa zyrtarë të Brukselit vijojnë t’i fryjnë rikthimit të Jugosllavisë së re me qendër në Serbi. Pasi humbi luftën me shqiptarët dhe SHBA për Kosovën, Serbia ka hequr dorë nga masakrat dhe genocidet, ndërsa po kërkon forma të tjera diplomatike dhe dhelpërake për të rikthyer perandorinë serbe në Ballkan. Edhe pse Kroacia, Kosova dhe Shqipëria i kanë thënë “jo” krijimit të Jugosllavisë së re me në qendër në Serbi, çuditërisht disa zyrtarë të Brukselit, ndoshta me naivitet, ndoshta me djallëzi, vijojnë t’i bëjnë fresk këtij projekti provokues dhe poshtërues. Bëhet fjalë për Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili mbështet idenë e krijimit të Jugosllavisë së re, i cili parashikon që Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bonje Hercegovina dhe Kroacia të jenë satelitë të Serbisë, për të zgjeruar influencën e Rusisë në Ballkan. Pasi Brukseli i refuzoi Shqipërisë statusin për të katërtën herë radhazi, duke shënuar një rast të paprecedentë në historinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Fyle ofron si mundësi anëtarësimin në Serbinë e Madhe me në qendër në Beograd. Në vend të aspiratave për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, Fyle i mëshon idesë së Jugosllavisë së re.

Nuk është pra e re! Ku jemi  ne ?

Fahri Xharra,26.02.14,Prishtinë

Filed Under: Analiza Tagged With: Europa, Fahri Xharra, Historike, rrenjet tona

NGUCAMA E GUCISË

February 28, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
            Gjukanoviçi, pa mëdyshje, është vëlla politik siamez i Millosheviçit, i cili  kurrë nuk deshti e as nuk po don t’ia dijë se dikur, diku, në një çast ka “Mjaft, Mjaft, Mjaft” në shovinizmin e tij kundërshqiptar në Malin e Zi. Kësaj here, në harkun dy mujor janar-shkurt 2014, dëshmoi se është një “vagabond politik”, të cilin e ka kap “tërbimi shoven”, po tregohet një diktator tipik katërngjyrësh, shumëfytyrësh.  Europa Euro-Atlantike nuk mund të ndjehet e rrëfehet si demokratike kur ka në gjirin e saj një Gjukanoviç të tillë me një mandat presidencial e të shtatin si kryeministër malazez, si asnjë lider tjetër në të gjithë Europën e pas “Luftës së Ftohtë”.
            Nëse në “Lutjet e Mëngjezit” në Amerikë i ra oreksi për Ulqinin, të vetmen komunë me shumicë shqiptare, në të cilën pas zgjedhjeve të 26 janarit 2014 donte të merrte kreun e komunës e të këshillit të saj. Mirëpo, kryeministri i pesë firmave të biznesit ndër vite, i kishte ngritë edhe dy hjekësi të tjera politike shovene: Tuzi si “komunë e kryeqytetit” (e riaktivizuar në fillim shkurt 2014) dhe Gucia “komunë më vete”(!) Të tri rastet gurgulluen e kulmuen në tre nga pesë komunat me popullsi shqiptare. Kjo nuk i krijoi mundësi politike e shoqërore faktorizimit e unifikimit kundërshtues qëndrestar fakorit shqiptar.  Gjukanoviçi me ë vetët, nga të tria rastet e njëkohshme, e kurthi (kluci) njanën prej tyne: Gucinë, më 26 shkurt 2014. Fiks, datë më datë, brenda muajit, nga kohë e krahmarrja me mafiozitet përtej politik të shumicës të këshilltarëve në komunën e Ulqinit. Në dhanien e statusit komunë për Gucinë ka shkelje të kushtetueshmërisë malazeze, të ligjeve të saj, të praktikave e frymës demokratike bashkëkohore, nënvleftësim të zërit e vullnetit shqiptar, shkelje të procedurave, etj.
Kjo më përnget me atë rrëfimin popullor: Plaka në mulli poqi tre “kuleçë” në hi: një iu poq (Ulqini) një iu dogj (Tuzi) një e hangri me gjithë zogjët (Gucia).
            2.
            Kundërshqiptari klasik e modern, një nga diktatorët e fundit të Europës, Gjukanoviçi, stafi e zarët e tij politik e diplomatik, rreken me shpjegimue në kanale e forma të ndryshme jo veç diplomatike se komuna e Gucisë është një e drejtë të cilën banorët e saj (shqiptarët etnikë e të tjerët ardhacakë të atyshëm) po e “rifitojnë” pas mbi një gjysëm shekulli. Përndryshe: po iu “jepet” një e drejtë vetëqeverisje demokratike e mohuar nga “diktatura e kuqe” komuniste qyshse në vitin 1957 kur u Gucia u bashkue me Plavën(!). Po në Plavë-Guci në mbi 100 vite nën pushtimin e aneksimin e Malit të Zi kaluan gjithë ata dimna që nuk e lanë asnjë pranverë me dalë në këto troje etnike shqiptare.
            Arsyetimi “gjukanoviçian” për “Gucinë-komunë” është një ngucamë ma shumë se politike. Një ngucamë gjithfarësh. Gurgace. Sherrnajë. Në koft se dvetet prej dikujt apo e ndie ndokush fjalën time, atëherë ajo është e pathyeshme: kundër “Gucisë komunë”, edhe në shkretërë të Saharasë me shkue kam me e lëshue jehonshëm zanin tim protestues kundër kësaj padrejtësie historike, politike, etnike, etj. ndaj shqiptarëve trojenik.
            Sipas kësaj logjike gjukanoviçiane  pse nuk i jepet statusi i komunës edhe Tuzit – komunë urbane nën Podgoricë, e cila ka qënë “komunë më vete” qyshse nga viti 1945 i ripushtimit jugosllav të Malësisë nga deti tek Alpet.
As në vitin 1955, në kohën tjetër të riorganizimit territorial të Malësisë, nuk u luejt statusi i komunës së Tuzit. Kësokohe, nga pesë komuna: Tuzi, Dinosha, Vuksanlekaj, Ubla, Stjepoh, mbetëm vetëm dy të tilla: Tuzi e Stjepohi. Prapë Tuzi mbeti komunë e pavarur.
Vetëm në vitin 1957, komuna e Tuzit u fut nën ombrellën e komunës së Podgoricës, sikurse edhe ajo e Gucisë me Plavën.
Ç’ka e shtyn shovenin sllav e ballkanik Gjukanoviç që të përdorin “dy standarde demokratike”, ndryshe me Gucinë e ndryshe me Tuzin?! Ç’ka është kjo ngucamë e ligë kur kemi një historik e realitet të përbashkët, njëjtësisht, për dy rastet komunare, si me Gucinë në Alpe dhe me Tuzin në Rrafshin e Podgoricës?!
3.
Gjukanoviçi, rradakja shovene kundërshqiptare e tij, nuk duhet të ecin me logjikë rrenacake e dredhanike dhe as nuk mund t’i deklarohet botës euro-atlantike (edhe shqiptarëve) si në takimet e bisedat e muajit të fundit në Gjermani, Amerikë e Mbretërinë e Bashkuar, etj. tue deklarue sikur po “e ndreq” një padrejtësi të vitit 1957, një padrejtësi të kohës së Titos, një padrejtësi të epokës së komunizmit?!!
Atëherë, sipas kësaj logjike gjukanoviçiane, duhet që të marrin statusin e komunës, njësoj sikurse Ulqini, edhe Ana e Malit dhe Kraja, pasi edhe këto të dyja ishin komuna më vete në vitin 1957.
4.
Gjukanoviçi është ma i keq se krajlët e Serbisë, është ma i keq se Hitleri e Musolini të “diktaturës së zezë”, është ma i keq se Tito i “diktaturës së kuqe”. Ai është gjithësesi më tepër: lider tipik i “diktaturës së bardhë” me fjalët, sjelljet, qëndrimet e veprimet e tij: “Shteti jam unë”(!) Ai është i strucuar e i kamufluar edhe si një “diktator i kaltër”, që hiqet si “demokrat” para botës euro-atlanike e Ballkanit të (ç)integruar, pasi prej kohësh, në të njëjtën kohë, vepron si shoven i egër dhe i verbër ndaj shqiptarëve trojenik në Plavë-Guci e në Rrozhajë, në Ulqin e Tivar, në Tuzi e Podgoricë.
Krajlët e Serbisë, si ata të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918-1929) dhe ata të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941) Malësisë nga deti Adriatik tek Alpet ia kanë pasë lanë pesë komuna: komuna e Hotit ( Skorraq), komuna e Grudës (Priftën), komuna e Kuçit të Poshtëm (Ubla), komuna e Trieshit (Stjepohi) dhe komuna e Tuzit (Tuzi).
Në “Koha e Shqipnisë” (1941-1945) kur trevat shqiptare ishin çlirue nga sllavët e Jugut (serbët e malazezët) dhe u pushtue nga fashistët italianë e gjermanë, Ulqini e Tuzi me rrethina kishin statusin: nënprefektura të Shkodrës, ndërsa Plava (sëbashku me komunën e Gucisë me 9 fshatra) dhe Rrozhaja ishin nënprefektura të Pejës, në “Tokat e Lirueme”.
Në vitin 1945, rregjimi i Titos, njëlloj sikur krajlët e vjetër e të rinj të Serbisë, ndoqi politikat e shpërnguljes apo asimilimit të shqiptarëve etnik, të shpronësimit, të aneksimit e të shtetëzimit edhe të trevave shqiptare nën Malin e Zi. Për t’i përshpejtue këto akte shovene ndaj shqiptarëve në trojet e veta e ofroi në Podgoricë (Titograd) selinë e Qeverisë të Malit të Zi (sa ma afër me Shqipërinë Londineze). Gjithashtu, në riorganizimin territorial të Malësisë së Rrafshit nuk mori parasysh identitetin fisnor,  organizimin  tradicional të Malësisë në bajraqe. Përkundrazi: komunave ua ndrroi edhe emrat, sipërfaqet, qendrat e tyre, etj. si komuna e Grudës u kthye në Dinosha dhe qëndra e saj kaloi nga Priftën në Dinoshë; komunës së Hotit iu ngjit emri tjetër Vuksan-Lekaj dhe qëndra e saj tashmë nuk ishte Skorraqi po Vuksan-Lekaj, etj.
Gjukanoviçi, kryeministri me më shumë mandate në Europë, me jetëgjatësi politike në pushtet ekzekutiv e presidencial si disa lider diktatorial aziatik e afrikanë, edhe në kushtet e Rendit të Ri Botëror, edhe pas rënies së Perdes së Hekurt e Luftës së Ftohtë mes Lindjes e Perëndimit, edhe kur po ecën drejt integrimit plotor në BE e NATO, edhe kur (vet)deklarohet nga politikanë, diplomatë e media afër tij si “kampion ballkanik i Demokracisë në Ballkan”(!) i aktkryen qindra të këqija që i banë kundër shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.
Një prej tyre është edhe veprim(taria) kundërshqiptare e kundërdemokratike e  mosdhanies të statutit të komunës urbane të Tuzit si komunë e plotë, e pavarur, duke e shkel vullnetin politik e popullor të shqiptarëve etnik të Tuzit me rrethinat e tij, duke shkel të drejtën e praktika ndërkombëtare të vetëqeverisjes lokale, etj.  Sikurse paraardhësit e tij e ka mohuar deri më sot krijimin e komunës së Tuzit pasi edhe në “erën demokratike” ka zbatuar frymë e praktika shovene të platformës së tyre për ndryshimin e strukturës etnike në Tuz e Podgoricë në dam të shqiptarëve trojenik. “Tuzi – komunë urbane” ashtu sikurse edhe “Tuzi – komunë e kryeqytetit janë shpikje alla gjukanoviçiane, janë (pa)fytyrësi e tij kundërshqiptare.
Fati i keq europian i Ballkanit, e në rradhë të parë i shqiptarëve në tre anët e kufinit (Mali i Zi-Shqipëri-Kosovë), ky Gjukanoviçi, kamaleon në politikë e i akuzuar për korrupsion në tregtinë e cigareve me Italinë e naftën me Shqipërinë, etj., një nga liderët më të pasur të Europës, kryeministri me pesë firma biznesi në mes të cilave edhe ortakëria në bankën ma të madhe malazeze, sëbashku më stafin e zarët e tij, i merimangon, shkalafen, shkapërderdh së tepërmi në vorbulla, ullukë e llubrime shovene çështjet e interesat shqiptare në “mbretërinë e tij”(!)
“Gucia komunë” ëshë një ngucamë shovene gjukanoviçiane që ka me iu ndie krisja e krisma politike, etnike, diplomatike. Ngucama të tilla si kjo e Gucisë kanë një apel (ndër)kombëtar: Gjukanoviçi të japë dorëheqjen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ngucama e Gucise, Ramoz Lushaj

Pse jetojmë?

February 28, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/

Lumturohemi me faktin që jetojmë në këtë jetë, që na pushton fort nën krahët e saj dhe na dhuron emocione të paimagjinuara, ëmbëlsohemi me freskinë dhe aromën e puthjeve që na dhuron dashuria e jetës sonë, meditojmë dhe ëndërrojmë për diçka më shumë, gjithmonë më shumë, sa herë i afrohemi një pragu më të lartë, përsëri nuk ngopemi me dëshirën për të shkuar më tej, kjo është të jetojmë si njerëz, të logjikojmë si njerëz, të edukohemi si njerëz dhe të ëndërrojmë dhe veprojmë si të tillë.

Jetojmë, përse jetojmë?

Qëllimi i gjithsecilit është të lëmë ‘’gjurmë’’ në këtë tokë. Të ndihet emri ynë në ketë jetë, të mundohemi që nëpërmjet inteligjencës, zgjuarsisë, kureshtjes, hamendësimeve, ironisë, kënaqësisë, dashurisë, praktikës dhe veprave tona, të luftojmë për një jetë më të mirë. Jetojmë që brezat që vijnë ta shohin me nostalgji punën dhe veprat e të parëve të tyre, dhe të luftojnë dhe ata që jeta e pasqyruar në shpirtin e stërmunduar të një brezi te mëparshëm, të gjejë përkrahje, mbështetje dhe të mos sugjestionohet nga frika e ekzistencës së një pesimizmi që kërkon të shuajë një planet të tërë.

Pse kemi lindur në këtë botë?

Shpesh gjykojmë se lindja jonë ka qenë e kërkuar nga të tjerë dhe jo nga ne, shpesh hidhërohemi me faktin që ne jemi pjellë e një ngjarje të emetuar nga shkarkime të fuqishme emocionale dhe erotike, që pushtuan një natë vere, dimri, vjeshte apo pranvere mendjet apo zemrat e prindërve tanë. Shumë herë e shohim jetën të mbështjellë nga ajo guaska e ledhatuar e duarve të prindërve, e sjelljes së influencuar të ambientit përreth, dhe shpesh nxitojmë në arritjen e konkluzioneve të personalizuara nga një logjikë e pastër e pa sterilizuar dhe pasterilizuar më parë nga shoqëria që na ëmbëlson apo hidhëron me fjalët dhe veprimet e saj.Kemi lindur në këtë botë, për t’i shërbyer të mirës së njerëzimit, edhe pse egoja njerëzore, kërkon që në radhë të parë të arrijë të mirat individuale, përsëri kjo gjë e parë në një këndvështrim më të gjerë, dhe më të fokusuar, gjithë përpjekja e tij, gjithë ai vullnet, sakrificë, forcë të vendosura dhe të ofruara në shoqëri, kanë një rol shumë të rëndësishëm, atë të çuarjes së shoqërisë drejt principeve më të larta të jetesës. Njeriu për njeriun është bishë, por është pikërisht kjo bishë e stërvitur inteligjente, që në saje të zgjuarsisë së saj arrin të emetojë me forcë, zjarr, dashuri, dhembshuri dhe zemërgjerësi, e në të njëjtën kohë bëhet burim i një ndenjeje të një smire të jashtëzakonshme në sytë e personave të tjerë, duke i bërë ata të gjykojnë mbi jetën e tyre, dhe të kërkojnë më shumë, duke nxitur tek ata shpirtin ambicioz, dëshirën për të arritur diçka më të mirë, për të arritur edhe ata majat.Ambicie e kushtëzuar nga një fakt pozitiv për mbarë njerëzimin, duam të korrim suksese, duam të jemi të parët, duam që askush të mos jetë mbi ne, dhe të jemi ne ata që komandojnë, e pra nëse çdo kush synon majat atëherë edhe e ardhmja do të jetë më e mirë, se në saje të këtyre përpjekjeve të gjithsecilit për të bërë diçka më të mirë për jetën e tij, në mënyrë të pandërgjegjshme ai krijon mundësi të reja, dhe shpresa të reja për brezat e ardhshme.

Jetojmë, luftojmë, krijojmë, ndërtojmë, një të ardhme që të jetë shembull për të gjithë, edhe pse shpesh e lyer me gjakun e kuq të sakrificave njerëzore, kjo e ardhme duhet të jetë e denjë për brezat që do të vijnë.Jetojmë për të ndihmuar atë që ka më shumë nevojë. Shpesh hidhërohemi duke parë mijëra persona të lënduar, persona të dëshpëruar, persona pa familje, pa strehë, pa të ardhme, pa para, pa praninë e një njeriu të dashur, që t’i shtrëngojë fort në gjirin e tij dhe t’i japi ngrohtësi. Jetojmë në një jetë që është shumë kapriçoze dhe që nuk të afron pranë vetes, por të qëndron e ftohtë, e egër, e ashpër, e dhunshme, shpesh e pafajshme në sjelljen e saj, dhe e kushtëzuar nga veprimi i disa personave që deklarojnë se janë ata që do t’i vijnë në ndihmë paqes, mirëkuptimit, tolerancës, dashurisë dhe një të ardhmeje më të mirë. Duam të jemi të lumtur, duam të jemi të parët, duam të arrijmë çdo gjë që ëndërrojmë dhe dëshirojmë, duam të duhemi, duam të na jepet ngrohtësi, duam që të gjejmë mirëkuptim, po vallë ku po i kërkojmë këto? Nëse nuk alternojmë vizionin e fantazisë së logjikës sonë me dashurinë e emetuar me forcë, zjarr dhe pasion nga zemra jonë, atëherë jeta do të jetë vetëm një vazhdueshmëri e njëtrajtshme e një vije fundi i së cilës është toleranca zero. Jeta është e bukur, jeta është e dashur, jeta është e mbushur plot gëzim e hare, por që të arrish të futesh në zemrën e saj, në të privilegjuarit e saj, duhet që më parë të shikosh në brendësi të vetes, dhe të kuptosh se çfarë kërkon vërtet të arrish, cili je dhe si mund ta vësh zgjuarsinë tënde në të mirë të çdo kujt që të rrethon, duke i bërë mirë vetes, por në të njëjtën kohë duke i dhuruar dashuri, paqe dhe mirësi dhe personave që të rrethojnë. Mos e shikoni jetën si një plaçkë që mund ta bleni dhe ta hidhni kur të doni, ajo është e vyer, e shenjtë dhe e dlirë. Portat e saj janë të hapura, por më parë duhet t’i gjeni ato, për të arritur atë që të gjithë dëshirojmë, një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur, paqe, harmoni, dhe gëzim.

 

Filed Under: Featured

ZOT I MADH SHPËTOI SHQIPTARËT NGA VETVETJA! ALI AHMETI I BISHTNON PRESIDENTIT KONSENSUAL

February 28, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Dua të kthehem paksa prapa në kohë, kur në Maqedoni nuk kishte shpërthyer ende konflikti që do ta vinte në qendër të vemendjes Ali Ahmetin si hero dhe do të sillte për pasojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është e implementuar.
Kur hymë në Maqedoni atë botë si gazetë, ishte viti 1999-2000, ne filluam të denonconim segregacionin sllavomaqedon kundër shqiptarëve, por nuk kaloi shumë dhe u shkua deri aty sa do të na akuzonin si shkaktarë që rrezikonim stabilitetin e Maqedonisë. Për të qeshur dhe qarë.
Nuk janë përralla, po realitet. Një realitet që ka ndodhur jo më larg se një dekadë e ca më parë. Mjerisht ata që i ngritën këto akuza kundër nesh duke i shtyrë militantët të pengonin shitjen e gazetës, e cila përpihej nga shqiptarët e Maqedonisë, ishin shqiptarë – atë kohë në pushtet. Si reaksion i këtyre akuzave monstruoze, gazeta Bota Sot digjej në Shkup e Tetovë dhe bëhej gjithçka që të pengohej shpërndarja deri sa iu ndalua botimi në Maqedoni.
Paralelisht në Zvicër u përcoll „akuza“ kundër gazetës dhe ne gazetarëve të saj për racizëm antisllav, e cila na solli andralla të tjera, por që në fund fitoi drejtësia dhe ne dolëm të pafajshëm, ndërkohë që ambasadori shqiptar i asaj kohe i Maqedonisë nuk do të vononte e do të shpallej non grata nga autoritetet zvicerane, sepse flitej se kishin kapur të ngiste makinën në gjendje të dehur!
Dolëm të pafajshëm, sepse drejtësia në Zvicër nuk është si në Ballkan! Dhe ne si gazetarë asnjëherë nuk përdorim gjuhën e urrejtjes dhe dasive, as kundër shqiptarëve dhe as kundër kombeve të tjera. Kështu, kush do t’i analizojë shkrimet tona me një lupë të madhe, nuk do të gjejë kurrë diçka që bie ndesh me principet demokratike, të cilat ne i kemi udhërrëfyese si profesionistë.
Ne kërkojmë që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve, të jenë europianë midis europianëve. Dhe është shumë e lehtë të kërkosh të drejta nga këto pozita që i kërkojmë ne, sepse vizioni jonë është thellësisht Perëndimor, por problemi është kur përballemi me mendësinë arriviste dhe tribale të klasës politike shqiptare, e cila është kthyer në një hendikep të madh për integrimet e shqiptarëve në Europë.
Siç po flasin edhe lajmet e fundit që vijnë nga Maqedonia, ku Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e Ali Ahmetit, heroit të luftës dhe antiheroit të paqes, që bashkëqeveris vendin që pas konfliktit të Maqedonisë bashkë me VMRO-DPMNE ka deklaruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale.
Ky prononcim nga BDI vjen si kundërthënie në kohën, kur Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka paraqitur si kandidat të saj për president Iljaz Halimin, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
Pra prapë shqiptarët janë të ndarë e përçarë. Në vend të bashkimit të të gjithë faktorit politik shqiptar, Ali Ahmeti i bishtnon bashkërendimit dhe mbetet nën varësinë e VMRO-DPMNE.
Rreth një presidenti të përbashkët konsensual të faktorit politik shqiptar në Maqedoni është shprehur edhe Rufi Osmani, kryetari i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare. Rufi Osmani iu bëri thirrje dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, që pavarësisht ndarjeve, për këtë çështje duhet të bëhen bashkë dhe të dalin me një emër të përbashkët. Këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët.
Tani qëndrimet e dy partive kryesore i kemi të qarta, ashtu si edhe qëndrimin e Ali Ahmetit që i bojkoton zgjedhjet presidenciale.
Edhe një herë u shfaq në dritën e diellit qëndrimi destruktiv dhe obstruksionist i faktorit politik shqiptar, në këtë rast i Ali Ahmetit i cili bllokon rrjedhat normale që duhet të ketë faktori shqiptar në Maqedoni.
Zgjedhja e një emri të përbashkët, e një shqiptari me integritet që e meriton të jetë kandidati i përbashkët për president i faktorit shqiptar, mendoj se është gjëja më e mundshme, por faktori politik sheh vetëm intersin e vet dhe pak interesohet për të përmirësuar dhe faktorizuar komunitetin e shqiptarëve si palë shtetformuese e vendit.
Klasa politike shqiptare në përgjithësi është mjeshtre për ta bërë të mundshmen të pamundshme në dëm të integrimeve të natyrshme të shqiptarëve në një shoqëri demokratike me perspektivë integrimin europian.
Por nëse shqiptarët nuk integrohen dot me veten, nuk gjejnë dot gjuhë të përbashkët, paçka se flasin të gjithë shqip, atëherë mbetet t’i lutemi Zotit që t‘i pështojë shqiptarët nga vetvetja!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Zot shpeto Shqiperine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4820
  • 4821
  • 4822
  • 4823
  • 4824
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT