• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FATET SHQIPËRI – ITALI DHE LUFTA E VLORËS

February 26, 2014 by dgreca

nga MSC Albert HABAZAJ*/ studiues/

 

Luftës së Njëzetës, i janë kushtuar studime serioze nga folkloristë e historianë, si A. Buda, K. Frashëri, M. Çami, M. Verli, Z. Sako, Q. Haxhihasani, A. Xhagolli, M. Dibra etj. Epika historike përbën një nga ciklet më të plotë, “më të bukurit, shumë i larmishëm, me një intensitet të madh ngjarjesh, tablosh, figurash, që sjellin informacione aq të gjera saqë në një farë mënyre të duket sikur të vjen para syve” [1] kronika reale e kësaj ngjarje të rëndësishme.

1. Faktorë historikë dhe kulturorë pro europianë

Epoka e Skënderbeut u bë barrikadë e pushtimeve osmane drejt Europës.  “Më 1614, u mblodh kuvendi i Kuçit, me përfaqësues të shumtë nga Shqipëria dhe nga vendet fqinje” [2], ku u përpunua një projekt, me qëllim që të bashkërendonin luftën e popujve të Ballkanit me koalicionin e shteteve europiane për zhvillimin e luftës kundër Osmanëve.

Mërgimet drejt Italisë. S. Frashëri thotë, se në Itali  jetojnë më tepër se 200. 000 shqiptarë – arbëreshë. 21). Në kohët e sotme, në Itali kanë emigruar mbi 500. 000 shqiptarë.

Kleriku italian i Urdhërit të Jezuitëve At Zef  Valentini  (Joseph) (1900-1975) ka thënë:”Shqipëria është perëndimore”.[3]

Ja seç thotë kënga epike:“Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o/ Skel’ e parë në Evropë!”, apo: “Obobo, seç qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!”, ose: “Evropa shkruajn’ e thonë…”. E shpreh qartë dëshirën populli. Ai kërkon të radhitet në Europë, të intergrohet në familjen europiane.

2. Raporti histori – folklor në rrafshin e marrëdhënieve Itali – Shqipëri

Lufta e Parë Botërore (1914 – 1918), e shndërroi Shqipërinë në shesh lufte. “Greqia pushtoi Korçën dhe Gjirokastrën; Italia zuri Vlorën; Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi Shqipërinë e Veriut” [4].

Epika historike na i sjell këto kohë në këtë trajtë: “Ra një yll në mes të detit, / Isharet për Shqipërinë:/ Të tërë kralet u ngrinë,/ Veç Frëngu me Italinë./ Na u ngul’ e s’na u shkinë!/ Italija shi’ ç’na thotë:/ “Do ta mbajte Shqipërinë”[5]dhe, për pasojë, “Ki Adriatiku ndjerë,/ Pse s’bën valë këtë herë,/ Valë,  dallgë dhe fortunë?”

Pas mbarimit të Luftës I Botërore, imperialistët italianë, synonin ta mbanin përgjithmonë Shqipërinë, por populli ynë ua përmbysi planet me luftën e tij heroike të 1920 – ës.

Lufta e Vlorës nisi pas fitoreve të mëdha politike të arritura brenda vendit me Kongresin e Lushnjës dhe pasi kishin dështuar të gjitha përpjekjet e palës shqiptare për ta zgjidhur çëshjen e Vlorës me marrëveshje politike. Vendimi për fillimin e luftës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës, të Tepelenës e Himarës, të mbledhur në kuvendin e Barçallasë më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës komitetin ”Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun. Organizimi në rrafsh kombëtar u bë nga komitetet e ”Mbrojtjes Kombëtare” të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe nga qeveria e Sulejman Delvinës. Lufta e armatosur e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe mbaroi më 2 gusht me nënshkrimin e Protokollit, që i dha fund pushtimit.  Përballë ushtrisë italiane, prej afër 20 mijë veta”[6], (ndërsa garnizoni italian i Vlorës përbëhej nga 7000 – 7500 forca këmbësorie, të pajisura me mjete të blinduara, të mbështetura nga aeroplanë e anije të marinës luftarake), u vunë forcat shqiptare vullnetare, që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 3 shtator forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës. Në këtë fitore ndikuan edhe faktorët e jashtëm. Lëvizja revolucionare në Itali ishte kundër luftës në Vlorë. U ndezën sheshet e Romës nga thirrjet: “Jashtë duart nga Shqipëria!…Jashtë Vlorës”[7] Edhe ushtarët italianë kërkonin ”të kthehemi në shtëpinë tonë, t’ua lemë Shqipërinë shqiptarëve” [8]. Shtypi italian i kohës shkruante: “As Italia, as ndonjë vend tjetër i huaj nuk mund të pretendojë të drejtën e ngulitjes në atë tokë me të vërtetë martire”.[9] Në Vlorë, edhe sot e kësaj dite, kujtohet me respekt një nënoficer italian, Giovanni Valenza, që u hodh në anën e kryengritësve shqiptarë.

Epika historike pohon se të dyja palët janë të pabarabarta në dy aspekte: për nga armatimet, italianët janë shumë superiorë. Kënga e Thanas Benit e sintetizon këtë fakt me vargjet: “Evropa shkruan e thonë,/ Ç’janë këto që dëgjojmë?/ Shqipëtarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet mijonë…” [10]Dhe më tej: “Po me se lëftojnë vallë?/ Me sëpata, me hanxharë,/ Dufekët lidhur me gjalmë,/ Fyshekët në xhep i mbajnë,”.

Ndërsa, për nga morali, përparësia është e shqiptarëve. Epika historike përdor satirën për gjendjen pa rrugëdalje, në të cilën ndodhen trupat pushtues: “Italianët: – Mama mia!”/ E mbajtën vrapin në det” dhe “Shqipëria male, gropa,/ Italin’ e bëri copa”.

Në botimin e vitit 1956, “Këngë popullore historike”, janë 43 këngë mbi Luftën e Vlorës. Më vitin 1970, Instituti i Folklorit botoi 108 këngë popullore për Luftën çlirimtare të Vlorës, “me të cilat pasqyrohet fryma atdhetare e shqiptarëve, vendosmëria e tyre për të çliruar Atdheun. Këngët historike u këndojnë luftëtarëve popullorë: Selam Musai, Kanan Maze, Sali Murati, Zigur Lelo, Sado Koshena, Toto Hosi dhe dhjetëra trima të tjerë të shquar në këtë luftë”.[11]

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,

Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

[1]  XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar, Vlorë: Triptik, 2007, f. 251

[2] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.2: f.1436

[3] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.3: f.2845

[4] AKADEMIA e Shkencave e RSH: vep. e cit. f.1551

 [5] UNIVERSITETI Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit: Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 198-1920. Tiranë, 1970, f.227

[6] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Halim Xhelo militant e ideolog i shquar. Tiranë, 1975, f.120-123

 [7] ÇAMI, Muin: Shqipëria në rrjedhat e historisë 1912-1924. Tiranë:

Onufri, 2011, f.267

[8] Po aty, f.264

[9] Po aty, f.259: L’Albania e il capitalismo, “Avanti”, Roma, 7 mars  1920.

[10] KOKALARI, Mexhit:  Trima të kryengritjeve popullore: Tiranë, 8         Nëntori,1983, f.163

[11] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Historia e popullit shqiptar, Tiranë: Botimet Toena, 2007, V. III, f.157

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fatet Shqiperi-Itali, Lufta e Vlores 1920

KUSH E VARI ALI BARDHIN NË FSHATIN KOKREVË TË LIBRAZHDIT?

February 26, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

 Në fundin e vitit 1977 mbasi na dënuan, më plasën në burgun e Tiranës, i cili thirrej  “Kaush”. Brenda javës na lidhën dhe një herë me hekura e zinxhirë e mbas disa orë udhëtimi, duke u përplasur sa majtas – djathtas me të dënuarit që ishin lidhur, po ashtu përplaseshim dhe mbas spontit të autoburgut herë pas here. Kjo tregonte se rruga ishte plot gropa dhe me shumë kthesa, më në fund u dëgjua kërcitja e disa hekurave që fërshëllenin kur hapeshin e mbylleshin.

Autoburgu u ndal,  menjëherë u hap edhe dera e autoburgut, na zgjidhën dhe dikush hungëriti : “Hajde, hidhuni poshtë, zbrisni, pse hapni sytë, ja këtu do të kalbeni”. U përziem me të burgosurit e tjerë, duke na pyetur nga jeni, sa jeni dënuar, duke përfunduar me fjalët shpresëdhënëse se shpejt do të liroheni, se këta tani kanë filluar të hanë njëri- tjetrin, ky është fundi i këtyre. Në dhomën ku na caktuan, i pari që ma dha dorën ishte një djalë i ri, me trup muskuloz, jo aq i gjatë, i mbushur në fytyrë dhe i qeshur, menjëherë të jepte përshtypjen se ishte i sinqertë. Mbasi më pyeti aq sa deshi dhe unë ju përgjigja me shumë përtesë se isha shumë i lodhur nga izolimi i gjatë dhe e dija dhe përfundimin e Gencit dhe Vilsonit, e dija që i kishin vrarë dhe data shënonte 17 korrik 1977. Kisha mësuar se ditën e internimit kishin arrestuar përsëri xhaxha Hasanin, i cili i kishte bërë 15 vjet burg. Pas dy- tre ditësh na nxorrën në punë në zonën e dytë. Po në këtë zonë punonte dhe djaloshi që përshkrova më sipër. Rastisi që edhe frontet e punës i kishim shumë afër dhe pashë që ky djalosh punonte shumë. i qeshur, i respektueshëm dhe gjëja që më ra në sy ishte se ky djalë i fuqishëm kur binte vagoni nga shinat, i vinte shpinën i vetëm dhe e vendoste në shina. Gjeta rastin që po pushonim dhe e pyes:

– Sa jeni dënuar?

-5 vjet, – ma ktheu duke qeshur.

-Po pse ?- e pyeta unë përsëri.

-Ja ashtu kot, bëra një shaka kur isha ushtar dhe më kushtoi 5 vjet burg.

-Ku ishe ushtar, – i them, -në kufi, bëre shaka dhe të denoncuan se deshe të arratiseshe?

-Po jo mor burrë. Kam qënë në gardë dhe me shaka i vura kapelen me yllin e kuq një qeni në kokë, i varëm një teneqe qenit prapa, ai nga zhurma vraponte, e panë të tjerët, më arrestuan dhe pas disa muajsh më dënuan.

-Hajt mos u mërzit, – i them, – se 5 vjet kalojnë shpejt, ke pesë herë më pak se unë. Po s’të pyeta, nga je?

-Nga fshati Kazias i Peqinit, – ma ktheu.

-Si quheni, vazhdova ta pyes.

-Ali Bardhi, –  vazhdoi.

Ali Bardhi duke qënë shumë shakaxhi,  na mbante gjallë në dhomë kur vinim nga puna sfilitëse. 5 vjet burg kaluan shpejt dhe Aliun e liruan. Mbas ca kohësh vjen në burg një nga anët tona dhe në bisedë e sipër më thotë : “ Bedri, ju po e kujtoni shpesh këtë emër, unë nuk e di me siguri, po një Ali Bardhi nga Peqini që ka qënë i dënuar është gjetur i varur në përruan e Bushtricës. Kështu kemi dëgjuar, ishim tre shokë, ishim nisur të arratiseshim, kështu flitej, por nuk e di a është ky që thoni ju, apo tjetër, ca thoshin se e ka varur sigurimi”.

Kur na lëshuan nga burgu më 29 mars 1991 përveç halleve dhe problemeve të mija, u interesova dhe për Ali Bardhin. Ishin të vërteta çfarë kisha dëgjuar për “ Cupilin”, kështu e thërrisnin në burg. Duke vazhduar kërkimet për të mësuar të vërtetën mbi Aliun, një ditë u nisa në fshatin Kazias, por familja e tij ishte larguar dhe banonte në Elbasan. Prindërit i kishin vdekur, vetëm vëllai i tij ishte gjallë.  E takova, e pyes dhe ai fillon të më tregojë:

-Jetonim bashkë, filloi punë në Metalurgji, u martua, shtëpi nuk i jepnin. Unë edhe pse shumë ngushtë i pata lëshuar një dhomë. Ishte i mërzitur, rrinte vetëm, fliste pak, filloi dhe cigaren. Një ditë do shkonim në dasëm në Dibër, nxorrëm leje në D.P.B .Bashkë me Aliun u nisëm për në dasëm. Aliu më tha : Ikni përpara , se unë kam pak punë, do vij më  vonë. Në dasëm nuk erdhi, ne u mërzitëm. Të nesërmen më thirrën në Librazhd në Degën e Punëve të Brendshme, më pyetën: e njeh këtë kufomë armiku? Po i them është vëllai im Aliu. Të nesërmen e sollën në morgun e Elbasanit, më pas e morën e varrosën. Bashkëshortja ka ikur në Itali bashkë me vajzën.

-A mund të shkojmë tek varri ta shohim, apo nuk e dini? Po po e di se kater- pesë vetë ishim në varrim,të tjerët nuk i linte sigurimi se kishin frikë.

Varrezat e Elbasanit janë pranë lumit Shkumbin, ku qindra e mijëra shpirtra flenë,  në një cep te harruar duket si shenjë varri. Afrohemi me ngadalë e të përlotur i vëllai i Aliut më tregon me dorë, ja këtu.  U përkula duke shkulur barishtet, dora më hasi në një gjë të fortë, e pastrova me kujdes pluhurin dhe lexova me zërin që s’më dilte e duke u dridhur Ali Bardhi 1983. U larguam të mallëngjyer me shikim nga mbrapa duke e lënë Aliun të vazhdojë të pushojë nën hijen e qiparisave e këngën e kumrisë të përzier me gurgullimën e ujit të Shkumbinit, që vazhdon përjetësisht të rrjedhë me nxitim për të shkuar larg shumë larg. E megjithatë dhimbja apo keqardhja kurrë nuk e ndryshon fatin…VIJON

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ali Bardhin, Bedri Blloshmi, kush e vrau

Pëllumb Xhufi po n’a shet librat e Hoxhës…

February 26, 2014 by dgreca

Opinion nga Ajet Nuro/

Historiani Pëllumb Xhufi, mori përsipër të bëj një vlerësim të figurës së Enver Hoxhës dhe kuptohet që nisja e shkrimit është vërtet simpatike nga ana e tij. Ai thotë pak a shumë, nuk mund të flasim sot për Enverit, është herët dhe e di që do më kritikoni por unë as që dua t’ia di…Kjo edhe për të thënë se ndonjë nga skllevërit e Hoxhës edhe mund të flasi por, ai e ka nga inati, nga emocionet etj etj. Madje për të mos u kritikuar ai n’a flet për të drejtat e njeriut të nëpërkëmbura nga Hoxha por kjo nuk ka rëndësi …

Po guxoj të jap një mendim ndonëse edhe unë do bie viktim e faktit që të kundërshtosh një historian është e paimagjinueshme, madje sipas mendimit popullor ne mund të hamë ç’do lloj produkti të servirur nga historianët shqiptarë. Pikë.

Por, po marr guximin e të them se z. Xhufi gabon dhe gabon rëndë. E para, kur shkruan një historian nuk shkruan llafe pazari si « filani e ka vlerësuar dhe ai tjetri e ka hedhur poshtë » por publikon dokumenta ku vërtetohet njëra dhe tjetra. Dhe të them të drejtën nuk më bënë përshtypje që historiani ka qenë dëshmitar kur është pyetur Sali Berisha se çfarë mendon për diktatorin Hoxha. Nuk më bënë përshtypje as fakti që pasardhësi i radhës së partisë së Hoxhës, Edi Rama është antienverist. Ajo që më bënë përshtypje është përkufizimi i nacionalizmit dhe sidomos fakti që në Shqipëri fjalën nacionalist (siç e njohim ne në kuptimin më të mirë të saj) nuk ka të drejtë t’a përdorin ata që u quajtën balli i kombit, as legalistës por pikërisht Hoxha. Dhe kjo me një përgjithësim absolut duke cituar edhe emra nacionalistësh që nuk ishin gjë tjetër veç ca provincial që shikonin veç interesat e ngushta të krahinës që i përkisnin. A nuk duket pak simplist (i thjeshtëzuar…) ky gjykim? A nuk n’a mëson të njëjtën gjë Enver Hoxha me librat e tij që i nxorri çuditërisht para se të vdiste? Hoxha nuk thoshte asgjë tjetër veç asaj që të gjithë nacionalistët që nga kunati i tij, ishin kundër interesave të Shqipërisë dhe që të gjithë ata që nuk iu bindën atij merituan plumbin. Pra, Xhufi, po n’a shet librat e Enverit?

Mund të ketë të drejtë z. Xhufi se shoqëria shqiptare nuk është e gjitha shoqëri historianësh dhe ata i gëlltisin të gjitha por, lutje, shkruani çfarë të doni veç mos shkruani se këtë e bëni në emër të së vërtetës historike. Sepse, do të duhej të shkruanit diçka për Mukjen, për ata bij nënash që u vranë pikërisht pse ishin nacionalist dhe e donin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën, se do të duhej të shkruanit se Enveri tërhoqi 2 divizione partizane nga Kosova fill pas çlirimit të saj për t’i hapur rrugë raprezaljeve të Tito-Rankoviçit, ndërsa, nacionalisti që vetquhej « internacionalist » që gjoja i qenka ankuar Stalinit e dinte mirë se pas ’45 kufijët nuk mund të ndryshoheshin me dhunë.

Sa ishte gjallë Hoxha, nuk linte rast pa thënë : « Ne jemi diktaturë e proletariatit ». Do të desha që historiani Xhufi, të më nxjerr një proletar që i doli para Enverit për t’i thënë « unë shuku Enver jam proletar dhe në pushtet, më lejon mos të shkoj në votime? Më lejon të ha bukë gruri dhe jo bukë misri, më lejon të shkoj të jetoj në Tiranë, aty ku ka edhe historianë? …» Nëse e gjeni këtë proletarin që ishte në pushtet, quajeni Enverin hero, se dekoratat i ka ai, veç përditësojani. Por, të gjitha këto diskutime për diktaturën dhe diktatorin bëhen sepse ai kurr nuk u gjykua dhe siç po duken punët po përgatitet edhe kthimi i tij triumfal. Mjerë proletarët që do vijnë në pushtet me të ….

Montreal, 26 shkurt 2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: e Enver Hoxhees, pellumb xhufi, po na shet librat

Trajtimi i hapësirave publike në Kosovë

February 26, 2014 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi Ylli/ Prishtinë/  

 Hapësirat publike urbane dhe rurale janë hapësira të qyteteve dhe fshatrave tona, janë të ndërlidhura me hapësirat fizike dhe  jetën e përditshme. Ato janë të shumë qëllimshme,hapësira të arritshme të cilat janë të dallueshme, këto hapësira kontribuojnë në formulimin tonë të identitetit urban rural. Ato janë hapësirat e përvojës së përditshme të jetuarit, ku njerëzit punojnë, udhëtojnë, pushojnë, dhe ndërveprojnë, si për shembull, rrugët e këmbësoreve dhe biciklistëve, sheshet e vendbanimeve, parqet, bibliotekat, aeroportet etj. Në princip uzurpimet e hapësirave publike urbane dhe rurale janë në kundërshtim me normat dhe standardet Hapësinore dhe Urbanistike ndërkombëtare.

Në procesin e rindërtimit në Kosovë pos shkatërrimeve të mëdha gjatë luftës së vitit 1999,ka pasur shumë anomali teknike dhe urbanistike,të cilat disi janë toleruar për një kohë të shkurtër në emër të një qëllimi madhor. Po si janë trajtuar hapësirat publike këto pesëmbëdhjetë vite ?Një fenomen,i cili për momentin nuk është aktual në Kosovë,është dehumanizimi i hapësirave publike,dhe tendencat e shoqërive të zhvilluara për të kthye ato ne relacione normale. Kemi studime të shumta që po trajtojnë anën humane,urbanistike,arkitektonike,sociale,psikologjike,filozofike,për me e avancuar ketë problematikë. Kemi raste të shumta ku janë krijuar vendtubime të jashtme (kafe-bare) edhe në hapësirat ekzistuese të gjelbëruara (parqe),natyrisht me shërbime të domosdoshme përcjellëse për këto raste.

Ndoshta pa vetëdije,duke i kopjuar modelet perëndimore në qytetet tona e posaçërisht në Prishtinë po vërehen tendenca që hapësirat publike të rregulluara si janë terrasat e lokaleve hoteliere të “shkrihen” në një me lëvizjet e caktuara për këmbësor,që në aspektin e humanizimit të hapësirave publike është pozitive dhe duhet përkrahur si “trend” i ri.

Aspekti tjetër është edhe ofrimi i shërbimeve të ndryshme në këto hapësira,assesi nuk duhet larguar këto shërbime të cilat i bëjnë ma atraktive dhe ma humane këto hapësira. Me zgjidhje urbanistike profesionale duhet caktuar numrin,vendet,llojet e tyre kurse me konkurse lokale duhej të zgjedhën format adekuate arkitektonike (dizajni urban) për vendbanimet e ndryshme në Kosovë,kjo është praktikë normale në tërë botën e civilizuar.

Rast për tu përshëndetur është rruga këmbësore “Nëna Tereza” në Prishtinë,Çarshia e Madhe e Gjakovës,ku është arritur në mënyrën ma të mirë të bëhet sinkronizimi i funksioneve hoteliere,zejtare dhe të lëvizjes së këmbësorëve në një pjesë të saj pa komunikacion,që duhet vlerësuar. Raste të ngjashme kemi edhe në disa qytete në Shqipëri,rruga e këmbësorëve në Shkodër,“pedenalja”në qendër të qytetit të vjetër funksionon me vite,ku kjo dukuri e humanizimit të hapësirës publike është normale,dhe është treguar e suksesshme.

Ishim dëshmitarë të veprimit të përgjegjësve komunal në Prishtinë,me largimin herë pas hershme e shitësve ambulant nga bulevardi qendror i kryeqytetit,kjo u tregua e pa suksesshme. Duhet pranuar realitetin e ri ,duhet respektuar ata shitës që me ofrimin e shërbimeve të tyre vetëm begatojnë hapësirën publike aty. Nga aspekti urban duhet lejuar funksionimin e tyre me disa kushte paraprake dhe reale si është dizajni arkitektonik dhe urban i celulave-pulteve shitëse,caktimi i saktë i lokacioneve në përputhje me kërkesat dhe kriteret urbane për të mos penguar lëvizjen e banorëve, caktimi i llojeve të shërbimeve që do të dalin nga një studim apo projekt detal urban. Kjo metodë e punës preferohet edhe për vendbanimet e tjera në Kosovë.

Si duket edhe vendimmarrësit në kryeqytet për ketë kohë sado të shkurtë që janë në pushtet,kanë filluar të binden se në trajtimin e hapësirave publike duhet ndryshuar diçka pozitivisht. Nuk duhet pasur mendësi të para pesëdhjetë viteve,këto hapësira duhet trajtuar ndryshe me kërkesat e gjeneratave të reja të shekullit XXI. Dukurit “shqetësuese” për banorët që jetojnë në ato hapësira janë  çështje teknike që kanë zgjidhje,përderisa menaxhohen si duhet nga Komuna.

Ideja për mbylljen e rrugëve për qasjen e automjeteve jo rezidente në qendrën e vjetër të qytetit do të duhej përkrahur,si është rasti me rrugën “Rexhep Luci” e cila me kthyerjen e sajë në rrugë këmbësore (pedonale),vetëm kishte mundësuar kthimin e qetësisë që banorët e asaj rruge po e kërkojnë që shumë vite. Me një studim profesional urbanistik dhe intervenime të vogla urbane,do të mundësohej qasja në parkingje dhe garazhet ekzistuese të vetë banorëve rezident në ketë zonë. Furnizimi me orar të caktuar i lokaleve,e çka është ma e rëndësishme kontroll rigoroz dhe permanent i funksionimit të atyre lokaleve hoteliere si pika potenciale të zhurmës,duhej të ishin qenësore për Komunën.

Në ketë mënyrën do të zhdukej komunikacioni në ketë rrugë “qorre” si shkaktari ma i madh i zhurmës dhe ndotjes së mjedisit dhe “konflikteve” të përditshme në ketë rrugë,për fat të mirë pa pasoja fatale. Do të fitohej një funksion i ri urban me ndërlidhje me pjesën lindore të qytetit me rrugën këmbësore “Nëna Tereza”,kështu do të ishte mirë të mendohet edhe për rrugët tjera që gravitojnë qendrën e qytetit.

E dimë,jemi të vetëdijshëm se trajtimit të këtyre hapësirave aspak nuk iu është përkushtuar ndonjë vëmendje e duhur,ashtu si e kërkojnë kërkesat e kohës dhe të gjeneratave të reja. Pushtetarët ma shumë kanë qenë të angazhuar se si me i keqpërdor këto hapësira se sa me i humanizuar ato dhe me i bërë sa ma të afërta banorëve. Ka pasur disa tentime sporadike individuale por ato janë të pa mjaftueshme. Nuk jemi ne ata të gjykojmë fajtorët e të kaluarës,koha do të tregon atë.

Ka mundësi të shumta që me pak mjete materiale,me intervenime të vogla urbane,me angazhimin e të gjithë atyre që e kanë detyrë dhe përgjegjës,jeta urbane në kryeqytet dhe në vendbanimet tjera në Kosovë të begatohet të  fitoi kualitete të reja ,të avancuara drejt një jete normale të banorëve të saj.

Prishtinë,Me 26.02.2014                                                                 

arch. Ylber Vokshi Ylli,  arkitekt i pavarur ylberv@yahoo.com

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, ne Kosove, Trajtimi i hapsirave publike

VIKTIMAT E DHUNES NE FAMILJE MUND TE FITOJNE STATUS TE LIGJSHEM

February 26, 2014 by dgreca

NGA DEA SHKUPI/ Avokate/

Shume shpesh me bie rasti te takoj emigrante, sidomos gra dhe nena shqiptare qe kane ardhur ne Shtetet e Bashkuara me bashkim familjar pas nje martese te shpejte ne Shqiperi dhe pa e njohur mire bashkeshortin. Per fat te keq shume nga keto martesa nuk funksionojne dhe shkaktojne nje vartesi te personit te sponsorizuar nga bashkeshorti me status qytetaresie apo me karte jeshile.

Shume njerez qendrojne ne keto martesa dhe durojne situata nga me te rendat, per shkak te frikes se do t’i kthejne nga kane ardhur. Ato durojne shume dhune e shume fyerje e poshterime me shpresen se nje dite do te fitojne statusin legal. Shpesh sponsorizuesi e perdor kete per t’i mbajtur shtypur e per te vazhduar abuzimin.

Pasi kam marre shume e-maile dhe telefonata per kete ceshtje, kam vendosur t’i drejtohem publikut Shqiptar me disa shpjegime persa i perket statusit te viktimes se dhunes ne familje.

Ne qofte se ju jeni martuar me nje qytetar Amerikan ose Permanent Resident, dhe jeni duke vuajtur per shkak te abuzimit te ketij personi ndaj jush ose femijeve tuaj, ju nuk keni pse te qendroni ne ate situate por mund te aplikoni per te marre status si viktime e dhunes ne familje. Kjo dhune nuk ka nevoje te jete vetem fizike. Abuzimi psikologjik konsiderohet gjithashtu i mjaftueshem per te kerkuar statusin si viktime e dhunes ne familje. Ne qofte se bashkeshorti ose bashkeshortja juaj, ju ofendon me fjale te ndyra, ju flet ne nje menyre te tille qe ju ben gjithmone te ndiheni i/e poshteruar, ka shume mundesi qe juve mund te fitoni status si viktime e dhunes ne familje. Shembuj te tjere jane: ne qofte se bashkeshorti/bashkeshortja juaj kontrollon gjithe financat e shtepise dhe nuk ju lejon juve te dini ose te merreni me gjendjen financiare te familjes tuaj; bashkeshorti/bashkeshortja juaj lejon abuzim ndaj jush prej anetareve te tjere te familjes; etj.

Pas aprovimit te aplikimit te statusit te viktimes se dhunes ne familje, juve mund te aplikoni per green karte nje vit pas aprovimit te statusit. Qeveria Amerikane i ka dhene mundesine me kete peticion, mijerave emigrante qe te bejne hapa drejt legalizimit pa qene nevoja te qendrojne nen zgjedhen e nje bashkeshorti/bashkeshorteje abuzuese.

Megjithese ligji mbi te cilin bazohet ky peticion quhet Akti Kundra Dhunes ndaj Grave (VAWA), ky ligj i aplikohet gjithashtu edhe burrave te martuar me qytetare amerikane ose permanent resident qe vuajne nga nje situate e tille ne familje. Dhuna ndaj familjareve eshte shume me shpesh psikologjike sesa fizike, dhe shume njerez mund te ndodhen ne nje situate te tille dhe nuk e kuptojne as vete.

Martesa dhe familja jane institucione te shenjta dhe eshte krim te abuzosh situaten dhe te ushtrosh dhune ndaj personit me te afert ne familje, sidomos kur ata varen nga ju. Shteti Amerikan e lufton dhunen ne familje me ane te ligjeve te ndryshme qe i hapin rrugen viktimave te kerkojne ndihme dhe strehim nga dhuna e familjareve te tyre. Keto ligje perfshijne edhe emigrantet te cilet nuk duhet te kene frike te kerkojne ndihme ne situtuata te padurueshme dhe cnjerezore.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: avokate, Dea Shkupi, mund et fitojne, ne familje, status te ligjshem, Viktimat e dhunes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4824
  • 4825
  • 4826
  • 4827
  • 4828
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT