nga MSC Albert HABAZAJ*/ studiues/
Luftës së Njëzetës, i janë kushtuar studime serioze nga folkloristë e historianë, si A. Buda, K. Frashëri, M. Çami, M. Verli, Z. Sako, Q. Haxhihasani, A. Xhagolli, M. Dibra etj. Epika historike përbën një nga ciklet më të plotë, “më të bukurit, shumë i larmishëm, me një intensitet të madh ngjarjesh, tablosh, figurash, që sjellin informacione aq të gjera saqë në një farë mënyre të duket sikur të vjen para syve” [1] kronika reale e kësaj ngjarje të rëndësishme.
1. Faktorë historikë dhe kulturorë pro europianë
Epoka e Skënderbeut u bë barrikadë e pushtimeve osmane drejt Europës. “Më 1614, u mblodh kuvendi i Kuçit, me përfaqësues të shumtë nga Shqipëria dhe nga vendet fqinje” [2], ku u përpunua një projekt, me qëllim që të bashkërendonin luftën e popujve të Ballkanit me koalicionin e shteteve europiane për zhvillimin e luftës kundër Osmanëve.
Mërgimet drejt Italisë. S. Frashëri thotë, se në Itali jetojnë më tepër se 200. 000 shqiptarë – arbëreshë. 21). Në kohët e sotme, në Itali kanë emigruar mbi 500. 000 shqiptarë.
Kleriku italian i Urdhërit të Jezuitëve At Zef Valentini (Joseph) (1900-1975) ka thënë:”Shqipëria është perëndimore”.[3]
Ja seç thotë kënga epike:“Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o/ Skel’ e parë në Evropë!”, apo: “Obobo, seç qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!”, ose: “Evropa shkruajn’ e thonë…”. E shpreh qartë dëshirën populli. Ai kërkon të radhitet në Europë, të intergrohet në familjen europiane.
2. Raporti histori – folklor në rrafshin e marrëdhënieve Itali – Shqipëri
Lufta e Parë Botërore (1914 – 1918), e shndërroi Shqipërinë në shesh lufte. “Greqia pushtoi Korçën dhe Gjirokastrën; Italia zuri Vlorën; Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi Shqipërinë e Veriut” [4].
Epika historike na i sjell këto kohë në këtë trajtë: “Ra një yll në mes të detit, / Isharet për Shqipërinë:/ Të tërë kralet u ngrinë,/ Veç Frëngu me Italinë./ Na u ngul’ e s’na u shkinë!/ Italija shi’ ç’na thotë:/ “Do ta mbajte Shqipërinë”[5]dhe, për pasojë, “Ki Adriatiku ndjerë,/ Pse s’bën valë këtë herë,/ Valë, dallgë dhe fortunë?”
Pas mbarimit të Luftës I Botërore, imperialistët italianë, synonin ta mbanin përgjithmonë Shqipërinë, por populli ynë ua përmbysi planet me luftën e tij heroike të 1920 – ës.
Lufta e Vlorës nisi pas fitoreve të mëdha politike të arritura brenda vendit me Kongresin e Lushnjës dhe pasi kishin dështuar të gjitha përpjekjet e palës shqiptare për ta zgjidhur çëshjen e Vlorës me marrëveshje politike. Vendimi për fillimin e luftës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës, të Tepelenës e Himarës, të mbledhur në kuvendin e Barçallasë më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës komitetin ”Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun. Organizimi në rrafsh kombëtar u bë nga komitetet e ”Mbrojtjes Kombëtare” të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe nga qeveria e Sulejman Delvinës. Lufta e armatosur e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe mbaroi më 2 gusht me nënshkrimin e Protokollit, që i dha fund pushtimit. Përballë ushtrisë italiane, prej afër 20 mijë veta”[6], (ndërsa garnizoni italian i Vlorës përbëhej nga 7000 – 7500 forca këmbësorie, të pajisura me mjete të blinduara, të mbështetura nga aeroplanë e anije të marinës luftarake), u vunë forcat shqiptare vullnetare, që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 3 shtator forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës. Në këtë fitore ndikuan edhe faktorët e jashtëm. Lëvizja revolucionare në Itali ishte kundër luftës në Vlorë. U ndezën sheshet e Romës nga thirrjet: “Jashtë duart nga Shqipëria!…Jashtë Vlorës”[7] Edhe ushtarët italianë kërkonin ”të kthehemi në shtëpinë tonë, t’ua lemë Shqipërinë shqiptarëve” [8]. Shtypi italian i kohës shkruante: “As Italia, as ndonjë vend tjetër i huaj nuk mund të pretendojë të drejtën e ngulitjes në atë tokë me të vërtetë martire”.[9] Në Vlorë, edhe sot e kësaj dite, kujtohet me respekt një nënoficer italian, Giovanni Valenza, që u hodh në anën e kryengritësve shqiptarë.
Epika historike pohon se të dyja palët janë të pabarabarta në dy aspekte: për nga armatimet, italianët janë shumë superiorë. Kënga e Thanas Benit e sintetizon këtë fakt me vargjet: “Evropa shkruan e thonë,/ Ç’janë këto që dëgjojmë?/ Shqipëtarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet mijonë…” [10]Dhe më tej: “Po me se lëftojnë vallë?/ Me sëpata, me hanxharë,/ Dufekët lidhur me gjalmë,/ Fyshekët në xhep i mbajnë,”.
Ndërsa, për nga morali, përparësia është e shqiptarëve. Epika historike përdor satirën për gjendjen pa rrugëdalje, në të cilën ndodhen trupat pushtues: “Italianët: – Mama mia!”/ E mbajtën vrapin në det” dhe “Shqipëria male, gropa,/ Italin’ e bëri copa”.
Në botimin e vitit 1956, “Këngë popullore historike”, janë 43 këngë mbi Luftën e Vlorës. Më vitin 1970, Instituti i Folklorit botoi 108 këngë popullore për Luftën çlirimtare të Vlorës, “me të cilat pasqyrohet fryma atdhetare e shqiptarëve, vendosmëria e tyre për të çliruar Atdheun. Këngët historike u këndojnë luftëtarëve popullorë: Selam Musai, Kanan Maze, Sali Murati, Zigur Lelo, Sado Koshena, Toto Hosi dhe dhjetëra trima të tjerë të shquar në këtë luftë”.[11]
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,
Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.
[1] XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar, Vlorë: Triptik, 2007, f. 251
[2] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.2: f.1436
[3] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.3: f.2845
[4] AKADEMIA e Shkencave e RSH: vep. e cit. f.1551
[5] UNIVERSITETI Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit: Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 198-1920. Tiranë, 1970, f.227
[6] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Halim Xhelo militant e ideolog i shquar. Tiranë, 1975, f.120-123
[7] ÇAMI, Muin: Shqipëria në rrjedhat e historisë 1912-1924. Tiranë:
Onufri, 2011, f.267
[8] Po aty, f.264
[9] Po aty, f.259: L’Albania e il capitalismo, “Avanti”, Roma, 7 mars 1920.
[10] KOKALARI, Mexhit: Trima të kryengritjeve popullore: Tiranë, 8 Nëntori,1983, f.163
[11] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Historia e popullit shqiptar, Tiranë: Botimet Toena, 2007, V. III, f.157