• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HARKU I TRIUMFIT I POETIT GJON NEÇAJ

February 24, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1. E njoh një shenjt të gjallë. Gjon Neçaj i thonë. Njeri i letrave shqipe: poet, prozator, publicist, studiues. Autor i mbi dhjetë librave e qindra shkrimeve. Fitues i disa çmimeve lokale e kombëtare. Nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës. Dy vëllimet e fundit poetike të tij janë botime në disa gjuhë të huaja: “Haiku i bjeshkëve” në shqip-anglisht (Elbasan, 2009), “Sinus” në shqip-anglisht-italisht-greqisht  (Tiranë, 2011). Disa poezi i kanë zanë vend në antologji poetike në Shqipëri, Kosovë, etj.

Gjon Neçaj në mbi katër dekada krijimtari ka emrin e tij, profilin e tij, veprat e tij, udhën e lartësitë e tij letrare.

Në hapa e vargje ndihet “i qasur kah mjeshtrat e mëdhenj të lirikës poetike”, pas lisave poetik bregdrinas e kombëtar: Martin Camaj që e ka njoft nga larg dhe Ndoc (Anton) Papleka, që e pati gjithmonë afër, kryehere, përkrah, i të njëjtit fis, në të njëjten  udhë.

Në koft se fjalaflet me poetin Gjon Neçaj ka me i hap dritaret e shpirtit e i pëllumb përmallshëm e lartnueshëm dy miqtë e tij të sofrës së bukës e të poezisë, Ali Podrimja e Din Mehmeti, dy bregdrinas të Gjakovës, dy lisa poetik kombëtar.

Gjon Neçaj ndan mirënjohje me zemër e letër për miqtë e tij, si për poetin elbasanas, Milianov Kallupi: “mjeshtër i haikut shqiptar” i cili e nxiti në “lëvrimin e kësaj gjinie magjike” (vëllimi poetik “Ju që më shihni çdo ditë”, Tiranë, 2007, fq. 59). Diku, para një viti, poeti e studiuesi Haki Zllami tue hulumtue e hulmue vlera të haikut tropojan Gjon Neçaj e ka cilësue si “Haiku i Alpeve”.

2.

Poetin Gjon Neçaj duhet me e thirr me emën e mbiemër plotor, pasi vllaznia e tij ka edhe poetin Pal Neçaj, prej vitesh shtetas shqiptaro-amerikan, autor i disa vëllimeve poetike dinjitare. Djali i tij, Sokol P. Neçaj, ishte një prej diplomatëve të parë shqiptar postkomunist në Uashington. Qytetarin e pushtetarin Pal Neçaj e ka njoft për mirë Malësia e Gjakovës, Dukagjini me rrethina, Puka e Përtejdrinit. Duket se pushtetari Pal Neçaj e ka ruejt shpirtin e bardhë për me ujvarue  në moshën e tretë poezi me dritë.

Gjon Neçaj shkon në tre breza me Pal Kokrrin, “axhën” e tij, që kishte humor plot filozofi e urti deri në “institucion” e shpesh i lëshonte si “kokrra rrufeje” në kohë e mjedise të jehonshme, aqsa e ka shtyrë edhe shkrimtarin Pjetër Meta me i tufalakue ato në monografinë 390 faqëshe “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!…” (Tiranë, 2011). Kjo monografi më ka lanë pa fjalë, se shfletimi i faqeve të saj më përngjan sikur hedh hapa në auditor dijeje, sikur  marr leksione universitare.

Në  vitet ’70 e kam pasë mësues kujdestar në tetëvjeçare Pjetër Neçajn, mësuesin e matematikës që na mësonte aritmetikën e jetës, na e bante me u rrit me shkollën, na e brumoi nderimin për mbiemrin Neçaj.

Perajt e kanë një tjetër poet si të ardhun prej Perëndie: Jak Perpalin, të cilit vargjet e vëllimet poetike ia kanë thur emrin mbi heshtjen e thjeshtësinë e tij, mbi moshën e epokën e tij, me jehonë magjike e magnetike drejt të nesërmes. Ai nuk ka vargje çimçakiz, po hoje mjaltimi poetik me realitete përjetuese, ndëshkuese, triumfuese. Jak Përpali e Gjon Neçaj janë miq ndërveti, të cilët i lidh edhe vendlindja e poezia, sikurse edhe me poetin tjetër, Gjin Gjonpali i Perajve, autor i disa librave të jehonshëm e dhjetra poezive të mirëpritura në shtypin elektronik e me letër.

Një triptik për vendlindjen ka Pjetër Meta i vllaznisë Përpali të Perajve: romanin historik “Fundi i Kalvarit” (2010) i nisur në rininë e moshës e i botuem në rininë e tij letrare; monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!…” (2011) e monografinë “Gruaja që sfidoi fatin”, një trajtesë teme që do ta nderonte edhe penën e Kadaresë dhe ekranin botëror të Hollivudit në Amerikë.  Në maje të penës i ka disa vepra, që me sa duket po krijon një korpus letrar, si emblemë, si gjerdan të tij me dekorata të përjetshme.

Nga Perajt alpin me 730 metra lartësi mbidetare, pak ma i ulët se qyteti i Korçës, vjen në skenën e kohës politikani Lush Perpali, studenti me medalje të artë, profesor doktor me disa libra për ekonominë e financat, i cili ia ka mbrri të ngjitet në pushtetin legjislativ deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë e në pushtetin ekzekutiv deri në ministër i Pushtetit Lokal.

Nga Perajt perlë natyrore, nuk janë botue vetëm libra të bukur, po ka dalë edhe “Mis Shqipëria – 2000”, Elisabeta Gjonpali, e cila mori pjesë edhe tek “Mis Europa”.

Jeta ka shenjat e veta. Pal Kokërr Neçaj ishte mësues letërsie në shkollën 7 vjeçare në Gjonpepaj të fisit Nikaj kur nipi i tij, Gjon Neçaj, publikoi me bukurshkrim tek “Letrari i ri” ma të paren poezi e, asokohe, i patë thanë fjalën e së mbares: “Ti do të bëhesh poet, shkrimtar”. Ajo poezi mbante titullin e thjesht “Fshati im” e kishte një madhështi të papërseritshme, një fuqi magjike, titanike, një lartësi alpine, pasi i kushtoj Perajve, tokës ku Gjon Neçaj pa diellin qiellor e i lëshoi rrezatimet e tij poetike, letrare, veprimtare.

Gjon Neçaj në poezinë “Erdha” flet për ëndrren e kahershme për me trokit, për me u ulë këmbëkryq në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi kishte pengesa e vështirësi të kahershme në udhën e fjalës poetike e letrare, ndaj i ka parasysh porositë profetike të babës të tij: Kujdes biro, rruga është e gjatë / lakadredha, e shtrembër / në këtë botë…/ Monopateve kur ngjitesh / rrugëve rrenacake / ulu pusho pak…/

3.

Poeti, prozatori e publicisti Gjon Neçaj i përket fisit Nikaj (degëzim i Krasniqes), një fis me emra të mëdhenj në letërsinë e gazetarinë kombëtare shqipe si Dom Ndoc Nikaj (1864-1945), Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988), Ndoc (Anton) Papleka,  e të tjerë.

Shpesh më kanë fjalathanë për Dom Ndoc Nikaj: “mos i jep hapët”, “mos e fut në Enciklopedinë e Tropojës se nuk është nga Nikajt”, “jo gjithmonë mbiemni përcakton origjinën”, etj. Sot, n’mujsha, po e mbylli disi kit’ debat të hapur. Historiani, koleksionisti, veprimtari i njohur, miku im, Shpëtim Sala, e përktheu nga gjermanishtja një libërth të albanologut të shquar, akademikut austriak, Maksimilian Lamberc me titull: “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916”, që u shtyp në Shkodër më 2011 nga “Botime Françeskane”, ent prestigjioz i veprave të Fishtës e “Hyllit të Dritës”, të cilët më nderuan me besimin që të jem redaktor i këtij botimi me interes shkencor. Në faqen 29 të tij Lamberci i madh shprehet tekstualisht: “Dom Ndoc Nikaj më thotë se të parët e tij kanë dalë nga fisi i Nikajve të Malësisë”. Albanologu austriak, Lamberc, që mbështeti idetë e projektet e “Komisies Letrare” për dialektin e Elbasanit për “me u bam gjuhë zyrtare dhe gjuhë arsimore”, i njihte mirë fiset Nikaj e Krasniqe, Mërtur, etj., pasi  kah vera 1916 ishte  edhe në Malësinë e Gjakovës, aty ku bigohet dy herë Valbona, me Drinin, me Bushtricën.

Një emën tjetër i madh i Nikajve është edhe Pjetër Mëshkalla që i kreu studimet e larta për teologji-filozofi në Vjenë e shërbeu fillimisht në Poloni, Itali, etj. e mbasandejna edhe në Shkodër e Tiranë, i cili u dënue me 25 vjet në burgun famëkeq të Burrelit nga E.Hoxha e M.Shehu. Padër Mëshkalla ka botue e dorëshkrimue dhjetra poezi e artikuj, iu dha nga Presidenti i Republikës titulli “Martir i Demokracisë”, monumenti i tij hijeshon e lavdimon para Katedrales së Shkodrës, etj.

Nga fisi i Nikajt, përveç personaliteteve të fshatit Peraj, ka me dhjetra emra të tjerë të njohur në letërsinë, gazetarinë e shkencën shqiptare si prof. asoc. dr. Murat Gecaj–historian-shkrimtar, gazetar; dr. Afrim Krasniqi–pedagog, analist, poet, publicist;  prof. asoc. dr. Lush Susaj–pedagog, poet, publicist, studiues; poetët Nikoll Ulndreaj, Ndue Vatnikaj, Ndoc Qokaj; prof. asoc. dr. Gjin J. Ndrepepaj–mjek kardiolog e dr. Filip Mëshi–mjek zooveterinar; studiuesit Mark Palnikaj, Frrok Vukaj, Ylli Prebibaj; publicistët Agron Prebibaj, Mejdan Zhivani, Blerta Mrishaj, Besnik Palnikaj e të tjerë.

Një nga emrat e njohur të fisit Nikaj, poeti i letrave shqipe Gjon Neçaj, në vëllimet e tij poetike ujëvaron dimensionet e tij njerëzore me poezi kushtimore për  njerëzit e letrave shqipe: Ibrahim Rugovën e Kosovës, Din Mehmetin e Ali Podrimjen e Gjakovës, Bilal Xhaferin e Çamërisë, Dhimitër Shuteriqin e Milianov Kallupin e Elbasanit, Sotir Andonin në Amerikë, për Martin Camaj e Anton Paplekën, e të tjerë.  Në poezinë “Përkthyesi” për ikjen e Robert Shvarc elegjon: Prilli lule çeli / Zogjtë ndërprenë këngën / Ah, iku Roberti / E mira e marrtë! / Luhatet Harku i Triumfit / i shkrimtarit Remark/.

4.

Koha, poetin, prozatorin e publicistin Gjon Neçaj në 63 vite jetë në udhë e gjurmë të hapave të tij, në dritën e zemrës, në të qeshuren e syve, në shpirtin e fjalës poetike, e njohu qëndrestar të themeltë. Si shtiza e flamurit të bajrakut të tij të Nikajve të pushkës e të penës. Si palca e gurit të kullës trekatëshe në trollin e tij.

Gjon Neçaj, në ma të parin vëllim poetik të tij “Mrizi i Zanave”(1994) një poezi me pak vargje e shumë domethanie, ia kulmon vendlindjes së tij, amfiteatrit natyror, historik e kulturor Nikaj-Mërturit:

Në lartësinë e bjeshkëve të tua,

Kam matë dashurinë për Ty…

Tek unë nuk ke fund as skaj,

Zemra ime këngë,

Shpirti im mall.

Në këtë “Hark Triumfi” midis dy qafave të Kolçit e të Morinës, midis tre lumenjve të historisë e bukurisë  Drinit, Valbonës e Nikajt, qëndron forca e madhështia e Gjon Neçajt, jeton shenjtëria e tij poetike, njerëzore, burrërore.Poeti Gjon Neçaj nga ky Hark Triumfi i vendlindjes dritëron me vargjet e tij në horizonte të kohës, lartësi të qiellit, vargni të brezave: “Njerëz të mirë të dheut tim”, “Shumë ëndrra do të kryej nesër”, “Pres Diellin të lind në agim…”

 

Filed Under: ESSE Tagged With: HARKU I TRIUMFIT, I POETIT GJON NEÇAJ, Ramiz Lushaj

Familjet e viktimave të trafikut ne Nju Jork protestuan për t’i dhënë fund akisdenteve të Trafikut

February 24, 2014 by dgreca

Në New York u formua shoqata : “Familjet për Shpëtim në Rrugë – Families for Safe Streets “, një shoqatë, kjo, e cila thotë se ka për luftuar zbatimin e çdo ligji të trafikut dhe do të mbrojë jetën e qytetarëve nga aksidentet e trafikut në rrugët e qytetit

Nga BEQIR SINA, New York City/
 CITY HALL NEW YORK CITY : Familjet, të dashurit e të cilëve humbën jetën, apo u plagosën nga ngasësit e pakujdesshëm të automjeteve të tyre, u mblodhën përpara shkallve të bashkisë së qytetit të New Yorkut, të dielën pasdite, si thanë ata për të protestuar dhe njoftuar njëhereshit formimin e një grupi të ri – shoqatën, e ashtuquajtur” Familjet për Shpëtim në Rrugë – Families for Safe Streets “, një shoqatë, kjo, e cila thotë se ka për luftuar zbatimin e Vizionit Zero. Megjithëse, natyrisht, nuk priteshin shumë njerëz, mbasi edhe aksidentet e trafikut në New York, sipas statistikave jan nga më të ulëtat në SHBA, thekson shtypi vendas për nga numëri i popullsisë dhe makinave (çdo dy banor ka një makinë në qytetin e  New York-ut, jehona e saj – tek autoritet dhe shtypi i qytetit ishte i madhë.

Në protestë folën edhe disa nga autoritetet e qytetit, avokat dhe veprimtar të dalluar të cilët kërkuan nga kryetari i bashkisë të marrë masa – në disa nga rrugët kryesore të qytetit dhe rrugët e brendshme që të ulet sa më shumë numëri i aksidenteve, në qytetin e New Yorkut.Më pasë folën edhe miqtë dhe anëtarë të familjeve të këmbësorëve të vrarë ose të plagosur në aksidentet e trafikut. Në protestën, e cila u mbajt në shkallët e Bashkisë, të dielën pasdite ata duke njoftuar dhe formimin e një grupi të ri avokimit, thanë se do të jenë një zë i fuqishëm për jetën e njerëzve në qytet .   “Familjet për Safe Streets”, thanë se kan si qëllim të shtyjnë Bashkinë e qytetit të New Yorkut, për zbatimin e shpejtë të planit të Kryebashkiakut de Blasio  ” Vizioni Zero ” të premtuar nga ai në fushatën elektorale vitin e kaluar, plan i cili synon për të ulur dhe eventualisht eliminuar numërin e aksidenteve dhe vdekjeve të trafikut në qytetin e Nju Jorkut .    ” Njerëzit kanë filluar të kuptojnë se kjo është një çështje serioze , ” tha avokati i njohur njujorkez David Shepherd , e dashura e të cilit , Sonya Powell , vdiq 5 vjet më parë në rrugën Baychester Avenue në Bronx në 2009 . Ai u bashkua me Familjet për Safe Streets mbas disa viteve që ai ishte duke kërkuar me grupin e avokatëve të tij  përfshirë edhe atë të shoqatës “Transporti Alternativë” , një organizatë avokuese që promovon sigurinë e këmbësorëve , si dhe përdorimin e Biçikletave dhe tranzitit publik, në qytet .Në mitingun e së dielës , familjet mbanin në duar pankartat me fotot e të dashurve të tyre, që ata kishin humbur jetën si viktima të trafikut , dhe mbanin disa shenja trafiku – ku kërkohej që në qytet automjetet në rrugët e vogla dhe të brendshme – të mos qarkullojnë më shumë se 20 milje -per – orë – shpejtësi për qytetin e New Yorkut.Sipas shtypit lokal nxitje për këtë protestë, u bë aksidenti më i fundit në qytet kur një burrë 25 – vjeçar u vra nga një kamion i pastrimit të rrugëve të qytetit të New Yorkut, ndërsa ai po kalonte në kryqëzimin e rrugës në Crown Heights të dielën në mëngjes

Muajin e kaluar , një lagje tjetër në qytet u përfshi në një seri të vdekjeve si shkak trafikun në Upper West Side dhe çoi banorët e saj që t’i bënin thirrje Bashkisë, për ndryshime të menjëhershme të ligjeve shpejtësisë në qytet .
Në përgjigje të protestës kryetari i ri i bashkisë De Blasio, në një dekelratë në faqen e tij të internetit  njoftoi se ka në plan që 63 – rrugë në qytet të përfshihen në planin e tij “Vizioni Zero”. Ky plan do të nisë zbatimin qysh nesër. Plani përfshin propozimet e tij për rritjen patrullave të NYPD në të gjitha rrugët e qytetit . Zbatimin më përpikëmëri të ligjit për tejkalim të shpejtësie , dhe përdoruesit e alkolit. Do të rritet kontrolli ndaj taksive në qytet, duke zbatuar një teknologji të re, për tu instaluar çdo taksie një aparat që tregon tejkalimin e shpejtësisë, dhe një kamer .       Pas tubimit të dielën , anëtari i Këshillit bashkiak Ydanis Rodriguez shprehu mbështetjen e tij për Familjet për Safe Streets . ” Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë dhunë të trafikut – po qe se nuk kemi për ta trajtuar seriozisht këtë problem, që po merr jetë njerëzish – gati për çdo ditë në rrugët e qytetit , ” shkroi ai në një deklaratë . ” Qysh, nesër ne do të kërkojmë vënjen në zbatim të planit Vizioni Zero në Këshillin Bashkiak , në përputhje me kërkesat e paraqitura nga shqetësimet e publikut në mënyrë që ne mund  të punojnë së bashku për të bërë NYC qytetin më të sigurt në botë . ”
Plani “Vizioni Zero” thekson shtypi gjithashtu bën thirrje për një reduktim  të shpejtësisë brenda rrugëve të brendeshme në qytet në kufirin e shpejtësisë nga 30 mile për orë deri në 25 mile në orë, megjithëse  Familjet për Safe Streets , kërkuan dje se kufiri duhet të jetë 20 mile për orë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Familjet e viktimave, NY, proteste, trafikut

Universitetet dhe objektivat europiane

February 24, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Artikuj të shumtë edhe në shtypin e huaj po i mëshojnë alarmit për pasojat e pariparueshme që solli dhe po sjell kriza ekonomike. Nga njëra anë shumë kushtetuta e garantojnë me ligj të drjetën për të studiuar, nga tjetra duket se programet e qeverisjeve po e kufizojnë këtë të drejtë. Natyrisht kriza lidhet drejtpërdrejt me mungesën e fondeve në planifikimet e buxheteve, për të mos folur për plane afatgjatë. Nuk po flasim për universitetet shqiptare në veçanti, por edhe për ato europiane, për ato që janë pranë nesh dhe deri dje ishin edhe qëndra të pritjes së shumë studentëve shqiptarë. Në një fjalim të presidentit amerikan Barak Obama, ai është shprehur se Amerika është e madhe, pasi ka universitete të shkëlqyera, që e thënë me fjalë të tjera do të thotë së nuk kanë konkurentë që ta ndjekin nga afër. Pra duhet kuptuar qartë se e ardhmja e një vendi lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me universitetet dhe nivelin e tyre. Ky disnivel ka kohë që ndihet në shumë vende europiane, prandaj po përpiqen që të ecin me hapa të sigurtë drejt kësaj konkurence që gjithmonë mbetet e hapur.

Në Itali të dhënat flasin për një rënie nga viti në vit të numërit të studentëve që regjistrohen në universitete : nga 338 mijë në vitin akademik 2003-2004, në 260 mijë, duke u bërë sfidë objektivave europiane në lidhje me arsimin universitar. Sipas zyrës së regjistrimeve në Ministrinë e Arsimit, shifër jo e plotë, numëri i studentëve që universitete po humbin është gjithnjë në rritje. Të dhënat flasin për një emorragji të pamohueshme, të ngjashme me një buletin lufte.

A do të arrijmë në privatizimin e Universiteteve shtetërore?

Sot bota e qytetëruar e ka të përcaktuar drejtimin e shkollave, ku shtetëroret janë primare dhe më të stabilizuarat. Tek ne si pasojë e dhënies së shumë liçencave për shkolla private, kemi arritur në absurditetin që nuk e ka asnjë vend, me 44 universitete private. Në konkurencën e hapur për cilësi universitetesh në botë, ne jemi të detyruar të qëndrojmë larg tyre, një betejë që kemi kohë që e kemi humbur. Gabimet politike në qëndrimet ndaj universitetit po i japin pasojat që askush nuk do t’i dëshironte. Në Itali ka kohë që po denoncohet “privatizimi i universiteteve” pasi privatët që sponsorizojnë po marrin edhe drejtimin e tyre. Vetë reformat qeveritare nga viti në vit po çojnë në reduktimin e të kurseve të diplomave dhe 57% e kurseve të diplomave është i programuar, një shifër në rritje dhe që po e largon Italianë nga mundësia që të arrijë objektivin me 40% të diplomuar deri në vitin 2020 në nivel europian. Ndërsa ne e kemi tejkaluar këtë objektiv me përqindje, ndoshta do të ishte një shifër e frikshme për nga përqindja, por që cilësia e diplomave është treguesi që nuk na fut dot në rangun e vendeve me universitete cilësorë.

A ka prirje studenti shqiptar sot drejt orientimit të tregut?

Në këtë pikë na duhet një planifikim i domosdoshëm i numërit të diplomuarve dhe mundëisë reale të punësimit, ndryshe kjo panoramë e pështirë do të vazhdojë edhe për shumë vjet. Të diplomuarit po dalin me shumicë dhe nuk ka asnjë tendencë nga ana e studentëve në lidhje me profesionin, pasi edhe regjistrimi i tyre në universitete bëhet i detyruar.

Sipas lajmeve në mediat e shkruara në Itali studentët i ndjekin tendencat e tregut së punës. Ka rrënie në kurset e diplomave të mjekësisë, me më shumë se 1%; në ato shkencore ka një rritje me 7.5%; në shoqëroret kanë një rrënie me 4.8%, të gjitha këto të krahasuara me vitin 2003-2004. Studentët e shkencave humane janë të vetmit që ruajnë një përqindje gati të pandryshuar. A është kjo një tendencë, shumë e rëndë, fryt i politikave të ndjekura dhe të së drejtës për të studiuar? – thotë presidenti i Unionit të universiteteve. Shihet qartë se aspiratave të studentëve u jep goditje kriza e gjatë ekonomike e dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Kjo ka sjellë si pasojë që në tre vitet e fundit fondi kombëtar për financimin e bursave të studimit të pakësohet në mënyrë drastike – nga 84% në vitin 2011 ka zbritur në 75%. Janë përjashtuar nga subvencionimet edhe këtë vit akademik mbi 60 mijë studentë. Shumë të rinj të aftë dhe që meritojnë të studiojnë, si dhe që duhet ta përfitojnë bursën nuk mund të përfitojnë nga këto mundësi. Ndërsa tek ne fondi ynë kombëtar duket se i harxhon financimet kot, kur këto mund të shkojnë shumë mirë në drejtime të tjera. A do të ishte e nevojshme që ky fond të përdorej për të rinj që nuk kanë aftësitë e duhura për shkollim në universitete? Viti 2014 është një vit vendimtar për të ndërmarrë reforma të fuqishme në lidhje me arsimin dhe në veçanti për universitetet. Në Itali të parët që nuk janë dakord me këtë situatë janë vetë rektorët e universiteteve që kryeministrit të ri Renci i janë drejtuar me një letër ku theksojnë se e drejta për të studiuar është e pamjaftueshme, 1 në 4 mund të studiojë në universitet. Duhet rikthyer e drejta për studime e parashikuar kjo shumë qartë nga Kushtetuta italiane.  Sipas konferencës së rektorëve ka katër emergjenca me të cilat duhet të përballen universitete italiane: -një plan i jashtëzakonshëm për të rinjtë më të mirë që të mos ikin jashtë, siç ndodhi me 10 mijë studiuesit që e braktisën përfundimisht Italinë. Duhet forcuar alenaca mes formimit dhe botës së punës në të gjitha zonat. Duhet thjeshtuar dhe dhënë më liri universiteteve të konkurojnë, duke kapërcyer çdo delir normativ pa logjikë që penfon çdo lëvizje dhe projektueshmëritë e reja. I njëjti guxim kërkohet edhe prej rektorëve shqiptarë që ta ngrenë zërin e tyre për këto probleme të mprehta, ta thonë hapur mendimin e tyre për nivelin e vërtetë të universiteteve dhe të hiqet dorë përfundimisht nga qëndrime deri vjet tepër të njohura ndaj ekzekutivit kur hartonte reformat për arsimin. Unë besoj se qeveria Rama e ka kuptuar ngërçin e universiteteve shqiptare dhe duhet të përballen me realitetin në të cilin notojnë ato. Një zgjidhje sa më e shpejtë e këtij problemi, na krijon mundësi të bëjmë hapa të duhura drejt cilësisë. Pa një universitet me mentalitet të ri, nuk mund të flitet për një rilindje të re kombëtare.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjana th Kallco, objektivat europiane, Universitett

Forumi BERZH, Fyle: Moment kyç që Ballkani të kërkojë investime

February 24, 2014 by dgreca

Gjergji Mima/ – Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane, Stefan Fyle, i pranishëm në forumin rajonal të nivelit të lartë për Investimet në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga BERZH në Londër, prezantoi qasjen e re të investimeve në këtë rajon.“Ndërsa Evropa tregon shenjat e para të daljes nga kriza, ky është një moment kyç për Ballkanin Perëndimor për të kërkuar për të tërhequr më shumë investime. Fakti që ekziston një grup i tillë i shquar i njerëzve të mbledhur këtu sot, duke sjellë së bashku krerët e rajonit, investitorët dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare aktuale dhe potenciale private dhe publike, tregon se rëndësia e investimeve është rritur për rajonin”, tha Fyle.

Duke paraqitur zyrtarisht për herë të parë qasjen e re të qeverisjes ekonomike, konkurrencën dhe rritjen e Komisionit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri Fyle, u shpreh  se “në Dokumentin  e Strategjisë së Zgjerimit tetorin e kaluar, ne njoftuam synimin tonë për të zhvilluar një qasje të re në ekonomitë e rajonit të zgjerimit. Sot, unë zyrtarisht nis këtë qasje të re, e cila ka të bëjë me ndërtimin e një mirëkuptimi të përbashkët mes liderëve të këtyre vendeve dhe investitorëve të mundshëm mbi prioritetet për reformën ekonomike”.

“Cili është qëllimi i kësaj qasjeje të re ? Ne duam që të vazhdojmë t’u mbështesim në përmbushjen e sfidave të krijimit të vendeve të punës, rritjen e aftësisë konkurruese dhe nxitjen e rritjes . Gjatë pesë viteve të fundit, ne jemi ballafaquar me sfida të njëjta në Bashkimin Evropian. Përpjekjet tona për të trajtuar krizën po sjellin rezultate. Ne kemi përvojë – ne duam që ju të përfitoni prej saj tashmë”, tha Fyle.

“Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është një ekonomi tregu funksionale. Papunësia në të gjithë rajonin është e lartë. Të rinjtë janë të prekur veçanërisht. Nivelet e defiçitit publik dhe borxhit janë rritur. Konkurrueshmëria pengohet shpesh përmes politizimit të vendimeve që duhet të jenë drejtuar nga tregu. Këto probleme duhet të adresohen nëpërmjet një axhende të reformave të besueshme, shoqëruar me fonde të bollshme nga sektori privat dhe publik”, tha Fyle.

“Reformat e financave publike dhe të institucioneve të tregut të punës dhe reduktimi i pengesave administrative për bizneset duhet të jenë prioritete. Investimet në arsim, aftësitë dhe hulumtim gjithashtu duhet të jetë e lartë. Sundimi i ligjit është veçanërisht i rëndësishëm në aspektin e sigurisë ligjore dhe të besimit të investitorëve dhe kështu, është kyç për reformën ekonomike”, theksoi Fyle.

Sipas Komisionerit Fyle, “investimet do të ndodhin vetëm nëse vendet përmirësojnë klimën ndaj investimeve, duke krijuar kushtet për një rritje të qëndrueshme, të nevojshme për të krijuar vende të reja pune; kushtet për të ndihmuar dhe për të tërhequr investime të huaja direkte; kushtet në të cilat bizneset mund të jenë konkurruese dhe të lulëzojnë, dhe kushtet që do të rindezin frymën e sipërmarrësve tuaja dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME)”.

Komisioneri Fyle inkurajoi të gjithë investitorët e pranishëm për të marrë këtë mundësi për të përcaktuar zonat në të cilat do të duan qeveritë të përqëndrohen për ta bërë klimën e investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor më tërheqëse.

“Unë gjithashtu dua të theksoj rëndësinë e qeverisjes ekonomike në ruajtjen e mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, tha Fyle duke u shprehur se “ne do të punojmë me ju për të arritur këto qëllime”.

“Së pari , ne kemi nevojë për stabilitet makroekonomik, fiskal dhe financiar. Ne tashmë kemi një dialog në programet makro – ekonomike dhe fiskale vjetore me të gjitha vendet me përjashtim të Kosovës. Ne duam të forcojmë këtë proces dhe të përqëndrohemi mbi reformat kryesore strukturore”, tha Fyle.

Ne, vijoi Komsioneri për Zgjerim, “do të mbështesim dialogun tonë mbi Programet Kombëtare të Reformës Ekonomike. Rezultati duhet të jetë për të rënë dakord së bashku në një grup të Vendeve të rekomandimeve specifike për të drejtuar reformat. Ne, së bashku me FMN-në, do të japim asistencë teknike për të mbështetur zbatimin e këtyre rekomandimeve. Vendet gjithashtu do të kërkohet të hartojnë planet e veprimit për menaxhimin e financave publike. Progresi këtu do të hapë mundësinë e mbështetjes buxhetore në sektorë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para – Aderimit (IPA) – IPA II”.

Së dyti, theksoi Fyle, “ne kemi nevojë për reforma sektoriale dhe investime në sektorë të caktuar, duke çuar në rritjen e eksporteve dhe më shumë vende pune. Komisioni do të ftojë vendet për t’i dhënë Pasqyrat (çdo vit të dytë, duke filluar nga viti 2015 ) e planeve të tyre për reforma strukturore në të gjithë sektorët më shqetësues, për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe rritjen, të tilla si transporti, energjia dhe arsimi.

Së treti, tha Fyle, “fonde të rëndësishme përmes IPA II do të mbështesin këtë proces dhe reformat pasuese me një fokus në veçantë në mbështetje të sektorëve. Dhe ne do të punojmë me të gjithë ju dhe me Institucionet Financiare Ndërkombëtare për të ofruar dhe financuar këto reforma. Vendet tuaja, të dashur Kryeministra, do të varet nga lidershipi juaj për të siguruar koordinim të të gjithë departamenteve të qeverisë tuaj për të siguruar që ju po punoni në reformat e dakorduara”.

“Nevojat për investime në rajon janë të konsiderueshme. Për këtë arsye unë kam qenë i kënaqur me marrëveshjen nëntorin e kaluar mes Evropës dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare që të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në investime kyçe në infrastrukturë, duke përfshirë transportin si prioritet dhe energjisë . Kjo do të bëhet përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Fyle.

Komisioneri për Zgjerim theksoi gjithashtu se, “vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të integruar ekonomikisht nëpërmjet Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Prandaj ka kuptim për të përgatitur së bashku disa reforma dhe të vlerësojmë zbatimin e tyre. Strategjia Evropa Juglindore e 2020 për Punë dhe Prosperitet në një Perspektivë Evropiane mund të jetë një pikë kyçe referimi për Komisionin dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare”

Filed Under: Rajon Tagged With: Ballkani, Berzh, Fyle, investime

TRE ARTISTË SHQIPTARË NGA MAQEDONIA EKSPOZUAN NË STUDION E FADIL BERISHËS

February 24, 2014 by dgreca

Studioja e Fadil Berishës  me 13 shkurt 2014 ishte nikoqire e prezantimit të punës krijuese të tre artistëve shqiptarë nga Maqedonia: Nehat Beqirit, Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit.

E kuruar si ekspozitë nga Nora Halimi, përzgjedhja e veprave shpërfaq varietet edhe mediumesh, edhe qëndrimesh artistike. Pavarësisht gjinisë dhe teknikës së përdorur, veprat e ekspozuara reflektojnë sa fragmente realitetesh personale, po aq edhe rrethanat sociale, marrëdhëniet e caktuara me shoqërinë, me botën fizike.

Le t’i prezantojmë të tre artistët: Neha Beqiri ka lindur në vitin 1967 në Tetovë. Ai u formua si piktor në Prishtinë, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore dhe më pas studime postdiplomike për fotografinë, i kreu po në Universitetin e Prishtinës. Punon si lektor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Tetovës.

Me punimet e tij ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita personale kombëtare edhe ndërkombëtare.

Edin Kurteshi ka lindur në vitin 1977 në Sarajevë. Formimi i tij arsimor u realizua fillimisht në Universitetin e Tetovës, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore për pikturë.

Është është përfaqësues  i një brezi të ri të artistëve figurativë në Maqedoni, ku vepra e tij i ka shfaqur në disa ekspozita personale dhe grupore.

Ngadhnjim Mehmeti ka lindur në vitin 1977 në Tetovë. Formimi i tij u realizua në Stamboll, Turqi, ku kreu studimet në Fakultetin e Arteve Pamore. Edhe studimet postdiplomike për udhëheqës dizajnit grafik i kreu po atje, në Stamboll, pranë Universitetit Marmara.

Ngadhnjim Mehmeti  është themelues i marketingut dhe agjenci reklamash EGGRA në Shkup dhe Tiranë, si dhe ka kryer një numër të fushatave në trojet shqiptare.

Nehat Beqiri u përfaqësua në këtë ekspozitë me një cikël pikturash vizualisht shumë të gjalla, pamje metaforike të ndërtuara me një gjuhë figurative që vë në lojë forcën e mendimit, lirinë imagjinative dhe përvojën e vet artistit.

Monotipite e Edin Kurtishit synojnë të transmetojnë atmosferën dhe përcjellin emocionin e një pejsazhi vazhdimisht të ndryshueshëm përmes optikës personale, duke përdorur zogjtë si entitet metaforik dhe qiellin si mjedis grafik.

Ngadhnjim Mehmeti me serinë e shtypit të portretit të Nënë Terezës ishte më social dhe më i drejtpërdrejtë në trajtimin e fenomeneve dhe situatave që ngjyrosin kohën në të cilën jetojmë, sic është ajo e identitetit dhe globalizmit dhe realiteteve të tjera të cilat janë sa lokale, po aq dhe globale.

Ne Foto: Dr. Skënder Murtezani me dy artistët, Nehat Beqiri dhe Nganjdhim Mehmeti

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit, Nehat Beqirit, NY, shqiptare nga maqedonia, Studio fadil berisha, Tre artistet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4831
  • 4832
  • 4833
  • 4834
  • 4835
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT