• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY FJALË PËR ZONJËN FOTINI THANO

February 24, 2014 by dgreca

Nga KOZETA NUSHI –ALIKAJ/

“ M’u desh në jetë të kaloja shumë stuhi, shumë dimra të acartë…Po kuptova se pas çdo stuhie lind dielli dhe pas çdo dimri vjen pranvera. Kjo që unë po jetoj tani është pranvera ime…” – shkruan Zonja Fotini Thano, që gjithë kohën ka sfiduar shumë dallgë, shumë rrebeshe dhe si shqiponjë e vetme ka rritur 9 fëmijët e saj duke i ushqyer me dashuri për atdheun, për kulturën, për librat, për arsimin, duke pasur fatin e mirë t’i shohë të gjithë të shkolluar dhe me aktivitetet e tyre private.

Është 78 vjeçe dhe përdor internetin, facebook-un. Ecën në një hap me kohën dhe s’ka bir nëne që ta ndal dhe ta kthej mbrapsht, pasi energjia e saj është aq e madhe saqë shemb edhe malet.

Më ka bërë shumë përshtypje libri i saj i parë, i shkruar në moshën 75 vjeçe dhe që titullohet: “KOPSHTI I PRANVERËS  … KUJTIME NGA JETA”.

E lexova këtë libër të mrekullueshëm, plot me ndjenjë, plot me forcë, shumë dinamik, shumë bindës në vërtetësinë e jetës, e lexova brenda natës, pasi ditën që e mora në dorë isha e rrethuar me shumë miq dashamirës, që ngritën shumë dolli për nder të Zonjës Fotini dhe librit të saj, duke blerë trëndafila të kuq, në shenjë nderimi, pa i kursyer komplimentet e tyre për shembullin që zonja Fotini jep për gjith bashkëmoshatarët e saj. Shumë zotohen ta mbushin jetën e tyre me kujtime nga jeta, duke u lënë pas fëmijëve dhe nipërve të tyre një dhuratë shumë të çmuar.

Disa prej tyre arrijnë vërtet të shkruajnë kujtime të mrekullueshme që të lënë pa fjalë.

Mua si person libri i titulluar: “KOPSHTI I PRANVERËS” , më bëri aq shumë përshtypje, saqë mora zotimin se në një të ardhme të afërt, do t’ia besoj një mikut tim regjizor për ta bërë film. Mirëpo më parë duhet ta përkthej në italisht, pasi në Shqipëri s’njoh asnjë që mund të më ndihmojë për t’ia arritur këtij qëllimi.

Mbi të gjitha, plus librit më bën përshtypje parathënia e tij, e shkruar nga Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, një personalitet shumë i njohur për qytetin e Vlorës. Kjo parathënie më pëlqen deri në atë farë shkalle saqë më bën pak xheloze. Edhe pse xhelozia nënë e bijë lind natyrshëm, ndjehem krenare për suksesin e arritur nga mamaja ime, edhe pse për momentin më duket se më sfidon. Duke i lënë mënjanë vogëlsirat e momentit, bashkë me bashkëshortin tim dhe fëmijët e mi i dhurojmë  si shpërblim mamasë sime, vjehrrës së burrit tim dhe gjyshes shembullore të fëmijëve të mi pushime të mrekullueshme në DISNAY LAND PARIS, duke e respektuar edhe më shumë si shkrimtare.

Pa u ndalur shumë tek pushimet tona, ku djali im i vogël ÇEZARE(CESARE), merr duartrokitjet e para të përzemërta nga shumë turistë, me këngën e kompozuar, krijuar dhe kënduar nga ai :”Mami im” po ju bëj të njohur parathënien e shkruar nga Prof.Dr. Bardhosh Gaçe, për librin e Zonjës Fotini: – “KOPSHTI I PRANVERËS”

DY FJALË

Duke shfletuar rrëfimin dramatik të Fotini Thanos, jeta e saj, si Vjosa e harbuar nëpër brigje, shkumëzon për t’i rrëfyer kohës sonë dhe brezave të rinj fatin e saj në shoqërinë shqiptare të shekullit xx. Ligjërimi i saj shpirtëror nuk është gjë tjetër veçse Bibla e heshtur shqiptare, e cila përcjell natyrshëm dhimbjet, brengat e gëzimet e jetës së një gruaje stoike, për të mbajtur përherë ndezur zjarrin e saj të dashurisë në familje.

Jeta dhe fati i Fotini Thanos është pjesë e pandarë e jetës shqiptare, duke filluar që nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjer në kohët tona moderne, kur ajo, nga Vlora dhe Fitorja, udhëton nëpër hapësirat e emigracionit evropian pas fëmijëve, nipërve e mbesave. Mbi të gjitha, ajo, tashmë si gjyshe e urtë dhe e mençur, me fjalën e saj dritësore, di të rrëfejë me një mjeshtëri kalvarin e jetës së saj dhe përherë përcjell optimizmin e vet për të ngadhënyer mbi dramat e jetës e për të krijuar lumturinë e familjarëve.

Faqet e këtyre kujtimeve i ka shkruar shpirti i saj i bardhë e fisnikëria e saj, të cilat zbërthejnë natyrshëm ndonjë ngjarje, bëma e aspekte, që herë –herë të drithërojnë për botën e tyre emocionale, duke përcjellë një ligjërim të ngrohtë narrativ.

Mbi të gjitha, kujtimet e Fotini Thanos janë edhe një dëshmi e jetës shqiptare të kohës, nëpërmjet tyre mësojmë edhe vitalitetin e gruas shqiptare nëpër dallgët e ashpra të jetës./Prof.Dr. Bardhosh Gaçe/

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fotini Thano, Kozeta Nushi

PAVARËSIA E KOSOVËS U FESTUA EDHE NË NEW JERSEY

February 24, 2014 by dgreca

 NEW JERSEY : Festa e 6-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkuritit 2008,  është një festë që i mblodhi të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë. Kështu ndodhi edhe me Shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria dhe Maqedonia ndanë të njëjtin  gëzim, dhe te gjithe festuan së bashku Shpalljen e pavarësisë së shtetit më të ri Kosovës, e njohur deri tash nga 105 shtete nga mbarë bota. Albanian Culture Center(ACC), Qendra kulturore e shqipëtarëve në New Jersey, me rastin e kësaj feste organizoi një program festiv në sallën e shkollës Bergen Arts and Science Charter School. 

Kështu të paktën shkruhet në rrejetin social facebook të kësaj Qendre Kulturore Shqiptare ne New Jersey, e cila  njoftoi se fund javën që shkojë, ACC e organizoi mbrëmjen me rastin e pavarësisë së Kosoves. Të ftuar ishin intelektuale, biznesmenë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit Shqiptar nga zona e ashtuquajtur e Tri-Shtetshit –  New York , Connecticut dhe New Jersey. Në këtë festë mori pjesë edhe Professor Isuf Buxhovi si dhe Konsulli i Kosovës në New York Korab Mushkolaj.

Ka qenë himni kombëtar Shqipëtar si dhe ai  Amerikan dhe me melodia e shtetit të Kosovës, që çelën festën e Pavarësisë së shetit të Kosovës në këtë manifestim të bukur.

Më pas drejtori dhe një nga themelluesit e qendrës, z. Shaban Gjoka, mbajti fjalën e hapjes. Ai falenderoi fëmijët e qendrës si dhe stafin per punen e tyre te palodhur ne organizimin e programit. Gjithashtu ai falenderoi prinderit si dhe gjithe te pranishmit ne salle per pjesemarjen.

Manifestimi i pavarësisë së Kosovës u shoqërua me fjalime dhe një Performancë e shkëlqyer e fëmijëve të qëndres ACC në këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat, të cilat “korrën” një lumë duartrokitjesh të shumta nga të pranishmit, thotë njoftimi i kësaj qendre në facebook. Mbrëmja u finalizua me këngët e mrekullueshme live të këngëtares së mirënjohur të muzikës shqiptare Merita Halili dhe mjeshtrit të njohur të muzikës mjeshtrit Raif  Hyseni./ Beqir SINA/

 

Filed Under: Komunitet, Kronike Tagged With: Beqir Sina, ne Nju Xhersi, pavaresia e Kosoves

Tërmetet politike mes Kievit dhe Moskës me prapavijë shumëshekullore

February 24, 2014 by dgreca

Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Ukraina dhe Rusia kanë një histori të përbashkët të kahershme. Prandaj jo më kot Kievi shpesh herë quhet si “nëna e qyteteve ruse” dhe vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës) konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet 1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë nga njëri-tjetri. Sundimi tataromongol vazhdoi dy shekuj me radhë. Në Rusinë verilindore ky sundim vazhdoi deri në vitin 1480, ndërkohë që në tokat e tjera kjo zgjedhë u hoq qafe në shek. XIV, pas fitores së trupave ruse të udhëhequra nga Dmitri Donskoj në betejën e Fushës Kulikovo të vitit 1389.

Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit në Kiev, të shoqëruara me shumë viktima dhe të plagosur, e kanë zanafillën te mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian prej Presidentit Janukoviç në nëntorin e vitit të kaluar dhe te kthimi i timonit drejt Moskës në çështjet e tregtisë. Por, në të vërtetë, mosnënshkrimi i marrëveshjes në fjalë shërbeu thjesht si pretekst për shpërthimin e krizë politike.

Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive.

Prandaj e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët:

“Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një urrejtjeje “të pakuptueshme” nga ana e “vëllezërve” ukrainas. Se, demek, ngado që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet dhe ofendimet e këtyre “vëllezërve”. Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:

“Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?”

I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhash karar që t’ua shkoqitja mirë e mirë “vëllezërve” tanë se cila është arsyeja që ukrainasit ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të nisë që nga fillimi.

Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:

Tani, që t’i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se rusët e thjeshtë s’kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që drejtohet kundër Ukrainës.

Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të brendshme.

Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç’ju hyn në hesap juve se ç’gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të japësh shembullin personal dhe mandej t’u rrokanisësh kokën të tjerëve për të drejtat e veta.

Po ç’thotë historia? Ç’ju hyn në qese juve se cilët janë heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku, kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe ç’keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne u kemi akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin (kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII – E.Y.) dhe shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të drejtën e bujkrobërisë?

Po ç’i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim shtazëror! Po ç’janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një qëndrim të tillë?

Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit rusomadh.

Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar “gjirin”, pardon, emrin e vet “rrënjës”, domethënë “rus” dhe lloj-lloj përçartjesh të tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, “pa ndonjë arsye”, ju shan në themel e në çati?

Ju pyesni se çfarë duhet bërë “për ta kthyer gjithçka ashtu siç ka qenë”? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se “siç ka qenë” asnjëherë nuk ka qenë.

Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.

Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.

Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.

Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.

Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët fiilluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.

Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.

Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!

Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Marrë nga faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në shtepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

 

Brune, bëni qejfin tuaj,

Por jo me moskalë*,

Se moskalët janë të huaj,

Kanë për t’ju tallë.

 

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 8 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë “në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet…Në periudhën fillestare të okupimit, komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe… Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve – kundër Bashkimit Sovjetik dhe kunër Gjermanisë” (Citohet sipas: Valer Jaremenko. “Shpërthimet e  separatizmit ukrainas”. Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).

Pikërisht këto janë arsyet e acarimeve mes këtyre dy vendeve sllave që  vazhdojnë edhe tani. Ndërkohë, Kremlini, për destabilizimin e situatës në Ukrainë, ka kërkuar me kohë të krijojë vatra tensioni, si ato që krijoi në Gjeorgji, duke nxitur Abhazinë dhe Osetinë e Jugut për shkëputje nga Gjeorgjia. Me kalimin e kohës, në mjetet e informimit masiv rus, ka pas qenë krijuar psikoza se edhe Ukraina ka një “Abhazi” dhe një “Oseti të Jugut” brenda vetes. Me “Abhazi” nënkuptohet zona e Transkarpateve dhe me “Oseti të Jugut” nënkuptohet Krimeja (republikë autonome), të cilat, sipas parashikimeve që bëhen, Rusia ka filluar t’i nxisë për shkëputje nga Ukraina.

Kështu, ish-drejtuesi i sekretariatit të presidentit Jushenko, Viktor Baloga, në efirin e programit “E bardha dhe e zeza” të kanalit televiziv TVI, pati deklaruar dikur:“Krimeja mund të ketë fatin e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut” (Citohet sipas faqes së internetit në gjuhën ruse. 26 prill 2010).

Më 19 prill 2010, partia politike “Ukraina Jonë”, me  rastin e vizitës së presidentit Viktor Janukoviç në Lvov, pranë administratës shtetërore të qarkut organizoi një protestë masive me thirrjen: “Të ndalet sulmi i Moskës”. Në atë protestë morën pjesë edhe parti të tjera atdhetare dhe organizata shoqërore, në bashkëveprim me organizatat studentore të qytetit.

Në faqen e internetit po të datës 19 prill 2010, thuhej gjithashtu: “Në Transkarpate Ukraina ka shkelur mbi sfurkun e Bashkimit Sovjetik”. Madje arrihej deri në një deklaratë më kategorike: “E ardhmja e Ukrainës në Transkarpate është e dështuar”.

Asokohe u botua në shtyp edhe një pikëpamje ekstremiste e udheheqësit çeçen Ramzan Kadirov,  i cili, si vegël e bindur e Kremlinit, në gazetën angleze “The Telegraph” i bënte thirrje Moskës për të marrë masa të skajshme, deri edhe agresion të hapur. Sipas këndvështrimit të tij, Gjeorgjia dhe Ukraina janë ato që i shkaktojnë Rusisë dhembje koke dhe prandaj është e domosdoshme që Rusia ato t’i heqë qafe. Ai deklaronte:

“Kjo është tragjedia personale e Rusisë. Pse u dashka që ne të vuajmë gjithmonë, përderisa mund ta asgjësojmë thjesht fare atë që na pengon? Ne jemi të fuqishëm, ne kemi gjithçka: ushtri, teknologji. Ne duhet të sulmojmë” (Citohet sipas: “Kadirovi i bëri thirrje Rusisë t’i heqë qafe Gjeorgjinë dhe Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “newsland”. 24 dhjetor 2009).

Kurse me rastin e ngjarjeve të fundit, guvernatori i Harkovit Mihail Dobkin, doli me një propozim që lë të dyshosh se ai është për ndarjen e Ukrainës. Ai “propozon zhvendosjen e institucioneve shtetërore nga Kievi në Harkov” (Citohet sipas: Guvernatori i Harkovit del me propozimin për zhvendosjen e kryeqytetit të Ukrainës në Harkov”. Marrë ma faqja e internetit “avmalgin”. 21 shkurt 2014).

Në një njoftim tjetër thuhet:

“Shtet qendror në Ukrainë pothuajse nuk ka, banorët e pjesës perëndimore korrën fitore, kurse juglindja rri me zemrën pezull, duke u përgatitur gati për rezistencë të armatosur ndaj pushtetit të ri, ndërkohë që parlamenti i Krimesë po diskuton me seriozitet largimin nga juridiksioni i Ukrainës dhe bashkimin e paskëtajshëm me Rusinë” (Citohet sipas: Mihail Belajev. Çështja e Krimesë”. Marrë nga faqja e internetit “belyaev”. 22 shkurt 2014).

Në linjën e arsyetimit për shpërbërjen e Ukrainës, vjen edhe deklarata e kryetarit të partisë komuniste të Federatës Ruse Genadi Zjuganov:

“Genadi Zjuganov deklaroi se Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë, duke pasur parasysh shpërbërjen e vendit dhe ndërrimin e dhunshëm të pushtetit” (Citohet sipas: “Zjuganovi në Peterburg: Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë”. Marrë nga faqja e internetit  “ИА REGNUM”. 23 shkurt 2013).

Ngjarjet e fundit dëshmuan se presidenti Janukoviç (i zgjedhur në mars të vitit 2010) nuk diti ose nuk deshi të ndërtonte një shtet me orientim kombëtar. Ai, që në fillim, politikën e vet e orientoi drejt Moskës, çka bëri që shumica e popullit ukrainas të vinte duke akumuluar pakënaqësinë e vet ndaj ekipit qeverisës që ai krijoi. Vasaliteti i shpëlarë i presidentit Janukoviç ndaj Kremlinit, çoi jo në rritjen e mirëqenies së popullit, por në varfërimin e tij të pandalshëm. Presidenti u interesua për pasurimin e familjes së vet dhe të të gjithë oligarkëve që silleshin rreth tij. I biri i tij, Aleksandër Janukoviç, arriti të pasurohej në një mënyrë marramendëse gjatë këtyre katër vjetëve. Sipas të dhënave të internetit, pasuria e tij, në prill të vitit 2013, kapte shifrën prej 187 milionë dollarësh, ndërkohë që vetëm brenda gjashtë muajve kapitali  tij u trefishua dhe në nëntor po të vitit 2013, arriti në shifrën prej 510 milionë dollarësh (Citohet sipas: “Kapitali i Janukoviçit, i riu, për gjashtë muaj u trefishua”. Marrë nga faqja e internetit “ZN, UA”. 01 nëntor 2013).

Kuptohet vetvetiu se kur oligarkia ukrainase pasurohej në një mënyrë kaq marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një mënyrë po kaq marramendëse. Dhe ata që varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë.

Presidenti Janukoviç, i dhënë pas pasurimit personal, e kishte zhveshur veten tërësisht nga vetëdija kombëtare deri në atë shkallë, saqë në Ukrainë të viheshin re edhe dukuri të përmasave skandaloze. Një informacion që vjen nga faqet e internetit, dëshmon për një dukuri sa të turpshme, aq edhe poshtëruese për dinjitetin kombëtar të popullit ukrainas:

“Në rajonin e Goshanit të krahinës së Rovenskut, vetëm brendas një dite, sipërmarrësit patën nxjerrë 50 kamionë, të ngarkuar me humus. Për një aktivitet të tillë janë në dijeni të gjithë banorët vendas, por nuk janë në dijeni ruajtësit e rendit dhe pushteti lokal. Qeveria e Janukoviçit e transporton humusin jashtë vendit me vullnetin e vet, çka të kujton Hitlerin, i cili humusin e Ukrainës e transportonte me vagona për në Gjermani” (Citohet sipas: “Nga Ukraina transportohet humus për jashtë vendit”. Marrë nga faqja e intenetit “m_kalashnikov”. 28 nëntor 2013).

Por humusi ukrainas transportohet për jashtë vendit edhe nga rajone të tjera. Sipas një specialisti ukrainas të bujqësisë, për rigjenerimin e një shtrese humusi me trashësi 3 cm, duhen 100 vjet. Kurse humusin nga toka e Ukrainës e zhvatin në një thellësi deri në 30 cm.

Një mendësi e tillë antikombëtare e presidentit Janukoviç, domosdo që atë do ta çonte, siç edhe e çoi, drejt një fundi të turpshëm të karrierës së tij politike dhe të formacionit politik që ai përfaqësonte.

          Santa Barbara, Kaliforni

24 shkurt 2014

————————-

*Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

 

Filed Under: Featured Tagged With: mes Kievit dhe Moskes, Prof. dr. eshref Ymeri, termetet politike

Arvizu: SHBA-të, mbështetje politikës së dyerve të hapura të NATO-s

February 24, 2014 by dgreca

 Ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu deklaroi të hënën se SHBA-të janë të palëkundura për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Në konferencën ”Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”, ambasadori Arvizu, tha se Karta e Adriatikut kontribuon për një Europë të lirë dhe në paqe.

“Si anëtarë të këtij komunitet ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët politik për të forcuar institucionet demokratike, shoqërinë civile, shtetin ligjor, ekonominë e tregut, për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë civile për të gjithë individët në rajo”, deklaroi ambasadori amerikan.
Karta e Adriatikut, sipas Arvizu, mbetet kaq e përshtatshme sot sa ç’ka qënë atëhere, ndërsa rajoni vazhdon në rrugën drejt integrimit më të thellë euroatlantik. “SHBA-të besojnë fortësisht se Karta kontribuon për vizionin tonë të përbashkët, për një Europë që është e plotë dhe në paqe”, tha ai.
Arvizu nënvizoi se anëtarët e kësaj Karte janë të përkushtuar për të forcuar përpjekjet e tyre individuale dhe bashkëpunuese për të intensifikuar reformat e brendshme që përmirësojnë sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit.
Takimi i kartës të së Adriatikut ofron mundësitë për të theksuar atë që anëtarët kanë bërë drejt integrimit auroatlantik. SHBA-të, vijoi Arvizu, fuqimisht synojnë të ndihmojnë vendet në zbatimin e reformave të nevojshme.
Konferenca ”Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”, e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nisi të hënën punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e rajonit: Bosnja, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Shoqëria Civile(Sipas ATSH)

Filed Under: Featured Tagged With: Arvizu, Karta e Adriatikut, NATO

Ambasada e SHBA-ve në Shkup, përpunimi i vizave për kosovarët brenda ditës

February 24, 2014 by dgreca

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë bëri të ditur sot për një ndryshim procedural në procesimin e vizave në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup që do t’iu mundësojë tani shumicës së banorëve të Kosovës që të marrin vizat e tyre për SHBA në të njëjtën ditë kur mbahet edhe intervista e tyre për vizë.Më parë nga banorët e Kosovës kërkohej që të kenë intervistën e tyre në ambasadën e SHBA-ve në Shkup në një ditë dhe – nëse kërkesa aprovohej – të kthehen ditën e nesërme të punës për të marrë vizën.

Procesi i ri do t’iu mundësojë shumicës së banorëve që kualifikohen për vizë që të njëjtën ta marrin në të njëjtën ditë kur edhe janë intervistuar, edhe pse në ditët kur ka tëpër shumë kërkesa nga disa aplikues ende mund të kërkohet që to vijnë prapë në ditën pasuese të punës.

Aplikuesit të cilëve u është aprovuar viza mund ta maksimizojnë gjasën për procesim po të njëjtën ditë nëse sigurohen që informatat në aplikacionin e tyre elektronik për vizë janë të plota dhe të sakta. Aplikuesit që bëjnë gabime në emrat e tryre, datat e lindjes, apo numrat e pasaportës, nuk do të kualifikohen për procesim po të njëjtën ditë. Ndryshimet procedurale do të prekin vetëm banorët e Republikës së Kosovës dhe nuk do të ndikojnë në shërbimet që Ambasada e SHBA-ve në Shkup ofron tani për të gjithë aplikuesit tjerë për viza

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasada amerikane, kosovaret, Shkup, viza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4832
  • 4833
  • 4834
  • 4835
  • 4836
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT