• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LOT MBI RRUDHA ARVANITE…

February 22, 2014 by dgreca

Nga cikli “Takim me arvanitët”/

Nga Abdurahim Ashiku/

Kisha ardhur në Saranti, edhe pse për pushime, dhe nuk mund të rrija pa e takuar Lam Qefalarin, shkëmbin arvanitas që ecën serbes drejt shekullit. Ecën më këmbë me kërrabën e çobanit  herë në njërën e herë në tjetrën dorë. Kështu të paktën e kisha fiksuar në kujtesë dhe në fotografi pranverën e vitit të shkuar kur u ndamë, ai me delet përpara dhe unë në kabinën e kamjoçinës së të birit. Maqi shkonte në Dobrenjë për të marrë misër për blegtorinë kurse unë e Shpëtimi për të kapur autobusin e linjës drejt Thivës e më tej drejt Athinës.Më thanë se fshati ku banonte Lami është lart në male, diku tek të tetëqind metrat mbi nivelin e detit. Ngrija kokën lart dhe mbaja kapelën me dorë që të mos më binte. Kaq e thepisur është ngjitja nga Saranti në ato male të larta.

Unë i dua malet. I dua se me ta dhe mbi ta jam rritur. Nuk e di në se ka majë të “Nëntë Maleve të Dibrës” që nuk jam ngjitur. Korabit, me thënë të drejtën i kam shkuar deri në prehër, në atë prehër që vendasit e quajnë “Bjeshka e Panairit” e që është perlë në guaskën e moluskut për nga bukuria dhe begatia, shumë pranë majës, por në majë nuk jam ngjitur, thjeshtë sepse ngjitja do shokë e unë nuk i kisha.

Kur po bënim planin e udhëtimit me Eqremin i thashë edhe djalit të vinte. Me thënë të drejtën me rezervë sepse i trembesha pak atij mali të panjohur, i trembesha, jo për vete por për djalin, rrugës në këmbë. Ai u tregua i gatshëm, madje shumë kërshëri për tu ngjitur.

Eqremi kishte një makinë të mirë. E kishte marrë me kilometrazh zero dhe e mbante si kukull. Është punëtor Eqremi, nuk e ka shokun. Herët, shumë herët në mëngjes ai niset për peshkim, për tu kthyer në mesditë. Më pas kap kosoren motorike dhe korr barë e ferra duke pastruar kopshtet. Mbrëmjeve, veçanërisht verës, e gjen duke punuar në ndonjë tavernë. Edhe e shoqja, Linda është punëtore që nuk ia gjen shoqen. Por edhe fëmijëve, ndonëse ende të vegjël e shoh se u punon dora dhe mendja. Dhe, në një familje të tillë të punës, një makinë e re është pjesë e jetës, “anëtarë i familjes”.

Kur u ngjitëm në pikën më të lartë ku Saranti dukej sikur ishte futur në një fole zogjsh të natyrës po kërkoja rrugën majtas, andej nga ma kishin bërë me gisht për katundin e Lamit. Morëm djathtas. Kaluam Hortjen dhe para se të binim në Dovrenjë morëm majtas. Rruga ishte e mirë, me dy kalime, e asfaltuar dhe e vizuar si të gjitha rrugët e tjera. Ngjiteshim e ngjiteshim mbi gjarprin e rrugës. Eqremi herë pas here luante rolin e ciceronit.

– Këtu, tha në një moment, disa vite më parë, dhjetë vjet më duket, ra një zjarr i madh që dogji tërë pyllin e pishave. I shihni ato tri pishat poshtë rrugës ? Kështu, me pisha shekullore ka qenë tërë mali. U dogjën të gjitha por dora e njeriut i ripërtëriu. E shihni si është rrethuar i tërë mali me tela me gjemba ? E shihni si po rriten filizat e rinj ? E shihni si i prenë skeletet e pishave të djegura dhe formuan brezare që filizat e mbjellë të rriten ?  Ndryshe ndodhi me malin përkarshi, atë malin e lartë të zhveshur lakuriq nga gjelbërimi. Atë thonë se u dogj fill mbas Luftës së Dytë Botërore. Njeriu nuk vuri dorë. Edhe natyra nuk qe në gjendja ta gjelbërojë përsëri…

Kështu ngjiteshim e ngjiteshim, herë duke parë malet me bashkën e gjelbër mbi shpinë e herë duke ndjekur gjarprin e kaltër të kanalit të Monrosë që duke përshkuar afro dyqind kilometra rrugë sjell ujë të bollshëm të pijshëm në çezmat e athinasve.

Kur gjarpri i rrugës e uli kokën një tjetër pamje na i mori jo vetëm sytë por edhe mendjen. Mbi kreshtat majëmaleve elika treshe si krahë ciklopikë, rrotulloheshin nga flladi i pragut të mbrëmjes. Tri ishin fare pranë, pesë të tjera larg e larg, tri (kaq më kap syri), shumë e shumë më larg. Grekët ia kanë marrë dorën vjeljes së frutave të natyrës. Erën majëmaleve e kthen në dritë. Edhe diellin, siç kam dëgjuar, në Kretë e shndërrojnë në dritë. Ne (nuk po i përmend sepse më lodhet shpirti) natyra na ka dhënë fruta si në asnjë vend tjetër. Na ka dhënë ujë me bollëk, erë të fortë në male por edhe në ultësira (Miloti, Tepelena…), diell treqind ditë në vit…Dhe kërkojmë…centrale atomike ( ?! )

Zbritja ishte e shkurtër. Kukurit, katundit që kërkonim, i kalonte rruga mes për mes, rrugë e cila më tej të çonte, majtas për në Livadhja, Arakova. Dhelfus (po të doni edhe në Janinë…) dhe djathtas për në Athinë…

…Nuk na u desh të pyesnim e të thërrisnim për të gjetur Lamin. Na priste në një kafene në qendër të fshatit. I veshur krrëk (Lami është qibar), me një buzëqeshje që i kishte rrënjët në shpirt, duke u mbajtur në kërlikun e çobanit, u ngrit dhe na përqafoi. Nuk ishte vetëm. Ishte me një bashkëmoshatar që edhe ai krrëk ishte veshur e buzëqeshja i këndonte në buzë.

– Jem soj me Lamin- na tha ai në një shqipe që më befasoi. – soj i largët, Jem rritur bashkë.

Me të do të zhvillonim më pas një bisedë të veçantë, bisedë për një tjetër radhë në udhëtimin maleve arvanitase.

…Lamit ia kisha një “borxh”, e kisha futur fjalën e tij arvanitase në librin “Rilindësit e kohës sonë” dhe doja t’ia dhuroja.

E nxora librin nga zarfi ku e kisha futur dhe ia dhashë në dorë duke e hapur tek faqja ku ishte fotografia dhe biseda me të. E mori duke iu dridhur duart nga emocioni, E pa me vëmendje (ai nuk mban syza për afër ndonëse është “njëqind pa tre vjet” siç thotë) dhe na tha.

– Po unë nuk di të lexoj…

…Dhe një pikë loti shpërtheu liqenin dhe bëri rrjedhë mbi brazdat e jetës…

Unë harrova se ai nuk di të lexojë. Harrova se arvanitasit gjuhën e të parëve të ardhur në këto male pesë-gjashtë shekuj më parë e kanë mësuar dhe trashëguar gojë më gojë, vesh më vesh e shpirt pas shpirti. Atyre nuk iu dha kurrë e drejta që të mësonin gjuhën e nënës me të shkruar e me të lexuar…

…E kaluam momentin duke pirë kafe e duke kërkuar fjalën arvanitase, që është një me një me fjalën shqipe, në objektet rreth e rrotull, nga kumbulla frutakuqe përballë e deri tek bredhi në mal.

Më pas u ngritëm. Lami donte të na tregonte shtëpitë e tij, të vetën, të pleqërisë atje lart në shkëmb por edhe të bijve të tij.

– Këtu, tha sapo morëm kthesën, kanë lindur, janë rritur e janë martuar e trashëguar të gjithë fëmijët. Këtu tani banon djali i madh Luka…

– Kjo, tha, pasi bëmë një copë rrugë në ngjitje, është shtëpia e Maqit. E ka bërë të re. Ka çarë shkëmbin për ta bërë. E shihni këtë shkëmbin këtu. Ia hëngri zemrën për të bërë gropën e ujërave të zeza…

Ngjitemi lart në ballkonin e shtëpisë së re të Maqit, shtëpi që siç na tha një ditë më parë do të ishte foleja e pleqërimit. Bëjmë fotografi me Lamin të gjithë me radhë: Eqremi, Indriti, unë…

Lami e kishte strehën e pleqërisë së tij “dhjetë shkallë” më lart. Nuk na la të ngjitemi. Na tha se do të merrte diçka dhe do të zbrisnim poshtë.

…Shkallëve iu ngjit si djalë i ri, pa u mbajtur në parmakë, filiz drejt përpjetë. Të gjithëve na bëri përshtypje shkathtësia dhe forca lëvizëse e tij. Unë dhe Eqremi nuk e shprehëm vetëm kënaqëm sytë dhe shpirtin. Indriti, me habinë e të riut, e shprehu: “Si djalë i ri ecën !” – tha duke e shikuar me dashuri.

…Mbrëmja po binte mbi katund. Lami na zuri rrugën dhe tha se nuk mund të iknim pa e pirë një gotë me verë.

E ndjemë thellë këmbënguljen e tij. Ishte këmbëngulje tipike shqiptare, tipike malësore. Nuk kishte asgjë të përbashkët me atë ftesën e thatë greke kur ndodhesh në shtëpinë e tyre.

Zumë një cep të një lokali në qendër të katundit, një lokal i bukur dhe i pastër por mbi të gjitha me një shërbim që të sillte ngrohtësi shpirtërore.

Nuk vonoi dhe shoqërisë sonë iu shtua edhe djali i madh i Lamit, Luka…

Bëmë muhabet siç bëhet në odën shqiptare, shqip. Nuk ngopeshim së biseduari me ata njerëz që kur e nxirrnin fjalën shqipe nga goja dukeshin sikur rilindnin, sikur nxirrnin shpirtin e tyre e ta venin në tavolinë…

…Ra muzgu e ne duhet të ngriheshim. Qemë të detyruar sepse kush vinte, sa e merrte vesh që jemi shqiptarë, pasi na thoshin “Ç’ë bënë?” nuk vononte që kamerieri të na vinte përpara kanën prej alumini të mbushur me verë të kuqe…

Duhej që të ngriheshim  e të ecnim mbi këmbët tona e jo të na ngrinin.

… Ajo mbrëmje, në një katund arvanitas, Kukuri, do të më mbetet në kujtesë për tërë jetën.

…Do ti mbetet edhe djalit, Indritit, i cili, kur po largoheshim, nuk ndej pa e shprehur përjetimin e asaj dite: “ Sa pleq të mirë ! “ –tha duke i përmbledhë të gjitha emocionit në tri fjalë. Bëra mirë që e mora djalin me vete, bëra shumë mirë!(Kukuri, korrik 2009)

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurahim Ashiku, cikli-Takim me arvanitet, Lot mbi rrudha arvanite

Elvana Shala emërohet ambasadore e Vullnetit të Mirë nga IRCH në New York

February 22, 2014 by dgreca

Në të drejtën e ushtrimit të detyrës së dhënë nga Kushtetuta e Komisionit Ndërkombëtar të Drejtave të njeriut, unë Ambasadori Dr Muammad Shahid Amin Khan, Kryetarë Botërorë, kam kënaqsin për të shpall “Znj. Elvana Shala” nga Republika e Kosovës, si “Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën”me të gjitha privilegjet nga dita e sotme : E Premte 21 shkurt 2014.”

Nga BEQIR SINA, OKB-New York/

OKB – NEW YORK : Elvana Shala, është caktuar këtë javë Ambasadore e Vullnetit të Mirë e Kombeve të Bashkuara për Kosovën – dhe do të shfrytëzojë veprimtarinë e saj humanitare, në Kosovë për të mbrojtur fëmijët . Veprimtaria e dalluar kosovare u zbulua në këtë post vullnetar të premtën, më 21 Shkurt 2014, në margjinat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, duke iu bashkuar disa prej yjeve të fushave të ndryshme dhe shumë emra të tjerë, të cilët do të kontribuojnë në çështjet humanitare dhe bamirësie anembanë rruzullit.

Znj. Shala mbasi ka punuar gjatë në këtë fushë, me të rinjët në Kosovë, duket se tash me zngazhimin i ri ka për të evedituar veten për qëllime humanitare si Ambasdore e Vullnetit të Mirë nëpërmjet OKB-së. Elvana tashmë është e dalluar me punën e fëmijëve, dhe të rinjëve kosovarë, dhe ky është një lajm i mirë që një femër shqiptare t’a shohim edhe në punën e saj që do të bëjë nën ombrellën e IHRC/WCH.

“Ne jemi të kënaqur shumë. që ajo na bashkohet neve si Ambasadorja më e re e Vullnetit të Mirë të IHRC/WCH. Zyra ime ka marrë vlerësimin e lartë për “Znj Elvana Shala” nga shumë organizatat për kontributin e saj për fëmijët me aftësi të kufizuara, sihumanitare dhe udhëheqëse tek të rinjtë e Kosovës për të i shërbyer popullit të Kosovës dhe gjithashtu udhëheqjen e brezit të ri për të ndjekur rrugën e mirë, dashurisë , fesë dhe kulturës së mbarë njerëzimit” ka deklaruar Ambasadori Dr Muammad Shahid AminKhan, Kryetari i IHRC/WCH.

Më tej në konfirmimin e tij zyrtar, thuhet se :”Në të drejtën e ushtrimit të detyrës së dhënë nga Kushtetuta e Komisionit Ndërkombëtar të Drejtave të Njeriut, unë Ambasadori Dr Muammad Shahid Amin Khan, Kryetarë Botërorë, kam kënaqsin për të shpall “Znj. Elvana Shala” nga Republika e Kosovës, si “Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën” me të gjitha privilegjet që i takon nga dita e sotme : E Premte 21 shkurt 2014.”        Në fund të dekleratës thuhet se “Unë e vlerësoj shërbimin e “Znj. Elvana Shala”, si udhëheqëse e oragizatave të – të rinjve në Kosovë, në shërbimin e saj për njerëzimin të Drejtat e Njeriut – Paqen, dhe përpjekjet e saj, për të mobilizuar të rinjtë e Kosovës, për të punuar për të mirën e njerëzve dhe paqen në vend sipas vizionit dhe misionit për të Drejtat e Njeriut Komisionit Ndërkombëtar të OKB-së.

Ndërkohë, në faqen e rrjetit të saj social facebook, znj. Elvana Shala, ka shkruar se ” Më lejoni të iu informoj se sapo mora lajmin se jam emëruar Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga International Human Rights Comission dhe World Worthy Chairman, dhe këtë ljam dua t’a ndaj edhe me ju. Përmes, këtij titulli thotë ajo marr të drejtën esklusive të përfaqësimit të Kosovës në të gjitha aktivitetet dhe konferencat e organizuara për të drejtat e njeriut nga selitë e këtij komisioni nëpër botë.”

Me këtë rast, shton znj. Elvana Shala, shpreh faleminderimin e saj  nga zemra për përkrahjen e madhe në gjithë rrugëtimin e saj, ndërsa angazhohet se “Për ju dhe të drejtat tuaja do mundohem të jem një zë i fuqishëm dhe përfaqësuese e denjë e shtetit tim.”

Në fund ajo tregon dokumentin zyrtar dhe shkruan se të dashur miq, ky është dokumenti zyrtar me rastin e emërimit tim si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosoven nga International Human Rights Commision Falemnderit për gjithë besimin dhe mbështetjen tuaj, për detaje të tjera do të njoftoheni së shpejti në konferencën zyrtare për media me rastin e pranimit të detyrës, shkruan ajo duke shfaqur respektin ethellë për të gjithë.

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadore, e vullnetit te mire, Elvana shala, New York, nga IRCH

Avokati i Popullit kërkon iniciativë legjislative për hapjen e dosjeve

February 22, 2014 by dgreca

Nga Gjergji Mima/ -Institucioni i Avokatit të Popullit kërkoi sot  ndërmarrjen e një iniciative legjislative me qëllim hartimin dhe miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve.Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e këtij institucioni, Elona Demollari, u shpreh se “Institucioni i Avokatit të Popullit, në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, nisur nga ankesa të paraqitura nga individë ish të persekutuar politikë, por edhe në një kuadër më të gjerë angazhimi institucional për krijimin e standardeve të mirëqeverisjes, ka vlerësuar dhe vlerëson se, shoqëria jonë meriton të kete një proces transparent të hapjes së dosjeve”.

“Ky proces gjykojmë se është një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë sonë, duke kërkuar ndarjen nga e kaluara totalitare dhe antivlerat e saj, si dhe nxjerrjen e drejtësisë historike nepermjet transparencës në jetën publike”, u shpreh Demollari.

Sipas saj, “përpjekjet e bëra deri tani në këtë drejtim kanë rezultuar të pasuksesshme në kuadër të respektimit të normave, parimeve dhe vlerave demokratike të shtetit të së drejtës”.

“Kjo gjë evidentohet që nga ligji nr.8043 datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, dhe hyrja në fuqi më pas, e ligjit nr.10034 datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, i cili me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.9 datë 23.03.2010, të bazuar edhe në opinionin e kërkuar të Komisionit të Venecias, u shfuqizua si i papajtueshëm me Kushtetutën. Ky proces i brendshëm, i bazuar edhe në një Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë, të datës 30.10.2006, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, është komplementuar paralelisht në koncept dhe ide me akte të organizmave ndërkombëtarë, anëtare e të cilave është edhe Shqipëria, sikundër Rezoluta 1096 (viti 1996), e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, apo përsëritja e saj në thelb në një formë më të zgjeruar, me Rezolutën 1481 (25 Janar 2006), por nuk ka mundur të nxjerrë një produkt të gjithëpranuar, përmes miratimit të një ligji gjithëpërfshirës e të mbështetur në parimet ekzistenciale të një shoqërie demokratike, për hapjen e dosjeve”, theksoi Demollari.

Sipas saj, “situata e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.9 datë 23.03.2010, ka krijuar një ngërç institucional dhe ligjor, i cili afekton të gjithë jetën politike, sociale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare, për shkak të mungesës së një filtri ligjor, që përputhet me një qëndrim parimor në këtë çështje, për të ditur se cilët janë në raport me të shkuarën, individët politikëbërës, drejtues dhe vendimmarrës, apo përfaqësues”.

Ne, vijoi Demollari, “gjykojmë se, një ligj për hapjen e dosjeve, për më tepër pas kaq vitesh tranzicion, nuk duhet të kthehet në një ligj “represiv” ndaj individëve të caktuar, por në një mundësi reflektimi për shoqërinë në tërësi”.

“Një raport i drejtë midis të drejtës së publikut për të marrë informacionin dhe interesit publik për të ruajtur të rezervuara disa të dhëna duhet të përbëjë edhe thelbin e konceptimit të këtij ligji”, theksoi zëdhëësja e AP.

“Sa më sipër, me qëllim kryerjen e një procesi real të hapjes së dosjeve në vend, si një element i rëndësishëm i respektimit të të drejtave të njeriut, në kuadër të shtetit të së drejtës, kemi sugjeruar nevojën e realizimit të iniciativës legjislative për miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.Rekomandimi per ndermarrjen e kesaj inisiative u eshte derguar Kryetarit te Parlamentit, kryeministrit, kryetareve te grupeve parlamentare dhe deputeteve te pavarur. Gjithashtu Avokati i Popullit ka negociuar dhe me grupet e interesit ne lidhje me kete rekomandim kaq te rendesishem per shoqerine tone”, përfundon deklarata e Institucionit të AP.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Avokat i Popullit, Igli Totozani, per hapjen e dosjeve, Proces transparent

VIZITA E VENIZELLOS & REAGIM PER CESHTJEN CAME

February 22, 2014 by dgreca

PDIU reagon pas takimeve të Venizellos në Tiranë: Mospërmendja e çështjes çame, e papranueshme/

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas takimeve të zëvendëskryeministrit grek Venizellos në Tiranë.

Me anë të një deklarate PDIU thekson faktin se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e kanë të vështirë të gjejnë konsensusin për të mirën e kombit, si reformat e nëpunësit civil dhe reformën administrative, por, e gjejnë konsensusin e heshtur në dëm të së mirës kombëtare për të mos diskutuar çështjen çame.

“Mospërmendja e çështjeve tona kombëtare, si çështja çame, është e papranueshme”, thuhet në deklaratën e PDIU.

“Ne duam të besojmë se në togfjalëshin « mirëpërdorim të Traktatit të fqinjësisë së mirë dhe aktivizim të komisioneve për çështjet që na shqetësojnë », dy palët kanë folur për çështjen çame. PS në qeverisje e ka detyrim të respektojë Rezolutën e riaktualizuar në parlament, zotimet e veta sipas projektrezolutës që inicioi, dhe programin e saj në lidhje me çështjen çame”, vazhdon deklarata.

PDIU reagon gjithashtu edhe për çështjen e toponimeve, ku po humbet shumë kohë.

“Praktika ndërkombëtare të cilës i janë referuar dy ministrat e jashtëm ka shumë modele, por ne duam atë që nuk i krijon probleme,kosto shtesë qytetarëve tanë”.

Deklarata e plotë

“Ndoqëm me vëmendje njoftimet dhe deklarimet e bëra nga politikanët kryesorë të vendit pas takimeve me zëvendëskryeministrin grek Venizelos. Është krejt e qartë se për shkak të krizës ekonomike dhe mbajtjes së presidencës së radhës së BE-së, Greqia është e interesuar të mbajë qëndrime konstruktive ndaj vendeve të rajonit, në veçanti Shqipërisë. Kështu ngjanë disa prej qëndrimeve që u shfaqën prej numrit dy të qeverisë greke. Por për ne si parti që ka në programin e vet mbrojtjen e interesit kombëtar, në veçanti zgjidhjen institucionale të çështjes çame mbeten disa pikëpyetje prej këtyre takimeve.

A është biseduar për çështjen çame, që nuk u përmend specifikisht në publik nga drejtuesit e institucioneve të përfshirë në bisedime ? Ne e dimë se përmendja publike e kësaj çështje krijon ndjeshmëri tek pala tjetër, por ama e dimë se përmendja tregon vendosmëri në mbajtjen gjithmonë në axhendë të kësaj çështjeje.

Shpresojmë që në takimet kokë-më-kokë të ketë pasur një dosje të dhënë në duart e zëvendëskryeminsitrit grek për të mos u dukur një “larje goje” detyrimi shtetëror i politikës shqiptare nga të dyja peshores politike, që e kanë të sanksionuar me një rezolutë të miratuar në Kuvend. Nëse ky është serioziteti i shtetarëve të sotshëm, të djeshëm e të ardhshëm, atëherë shoqëria do të kërkoj zgjidhje të reja, ndoshta edhe radikale.

Përmendja e togfjalëshit « mirëpërdorim i Traktatit të miqësisë, dhe riaktivizim i komisioneve dypalëshe », të krijon idenë e një kornize të mirë juridike për ballafaqimin me çështjen çame apo dhe çështje të tjera si ajo e pronave të shqiptarëve, të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi, etj. Por a janë diskutuar të gjithë këto çështje në takimet me zotin Venizellos ?

Na duket e çuditshme ndërkohë sesi kreu i partisë kryesore të opozitës, zoti Basha nuk ka përfshirë në njoftimin zyrtarpërmendjen e kësaj çështjeje, gjithmonë nëse ajo është përmendur ne takim. Opozita duhet te jete me ezeshme per keto ceshtje.

PS dhe PD e kanë të vështirë të gjejnë konsensusin për të mirën e kombit, si reformat e ligjit të nëpunësit civil dhe reformën administrative, por, e gjejnë konsensusin e heshtur në dëm të së mirës kombëtare për të mos diskutuar çështjen çame. Mospërmendja e çështjeve tona kombëtare, si çështja çame, është e papranueshme.

Çështja e toponimeve për të cilën PDIU gjithmonë ka qenë aktive, propozuese, e angazhuar, u përmend gjithashtu, por mbetet e paqartë se cila është praktika ndërkombëtare të cilës palët duhet t’i referohen. Pse kjo praktikë na ofroka zgjidhje kaq të vonuara dhe të shtyra në kohë, e që krijojnë kosto tek qytetarët tanë ?

Të mos harrojmë se kjo është një çështje të stisur nga pala greke, thjesht dhe vetëm për tu hakmarrë nga rizgjimi i shqiptarëve të Çamërisë dhe i çështjes çame. Ndaj, kjo është çështje po aq politike, sa janë politike dhe shpalljet non grata në kufi të gazetarëve, gjyqtarëve, nëpunësve shtetërore, përfaqësuesve politikë, e kategorive të tjera të respektueshme të shtetit shqiptar, për të cilat z. Venizelos deklaroi se “nuk dinte gjë”. Nëse ai dinte dhe gënjeu, është problem i madh në marrëdhëniet dypalëshe. Nëse ai nuk dinte realisht, atëherë pyetja retorike që lind është përse i paguajmë, ne taksapaguesit, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga ministri e deri te punonjësi më i thjeshtë? Si nuk e paskan informuar ministrin grek për këto padrejtësi, që helmojnë çdo ditë e më shumë marrëdhëniet shqiptaro-greke?”

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ceshtja came, PDIU, venizelos

Gazmend Toska, rimëkëmbësi i ndërmarrjeve të tekstilit në Francë

February 22, 2014 by dgreca

Ne Foto:Industrialisti Gazmend Toska me bashkëshorten/

Prej vitesh Gazmend Toska është industrialist dhe drejton katër fabrikat e tij në Francë dhe një në Berat. Ai thotë së jeta e tij ka kaluar në tre faza dhe se tani është në fazën e tretë. Pjesa e parë ka qënë në Shqipëri, deri në moshën 22 vjeç, pjesa e dytë në Francë, nga mosha 22- 50 vjeç, ku u formua me kulturën dhe mendimin francez dhe ku krijoi familjen me një shqiptare. Sot jeton familjarisht në jug të Francës, por udhëton shpesh për të drejtuar fabrikat e tij që ndodhen në qytete të ndryshme. Bashkëshortja, Ardjana, e diplomuar për gjuhën frënge në Universitetin e Tiranës, punon mësuese në gjimnaz ku jep frengjisht, histori dhe gjeografi. Vajza e madhe, Laura, studion në një nga shkollat më të mira të biznesit, që radhitet e 32-ta në botë ndër mijëra të tilla. Ka zgjedhur një specialitet që lidhet me industrinë e tekstilit, ndonëse në fushën e biznesit të luksit dhe modës. Gazmend Toska thotë se pjesa e tretë e jetës së tij, pas moshës 50 vjeç, lidhet me krijimin e “urave” midis Francës dhe Shqipërisë duke prurë në vendlindje eksperiencën e tij mbi 30 vjeçare dhe duke u bërë lobues i palodhur në Francë për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Z. Toska ju jeni tashmë një industrialist i njohur si në Francë, ku jetoni prej vitesh, ashtu edhe në Shqipëri. Me pak fjalë si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj për të arritur deri këtu?

Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj mund të them se jeta ime ka kaluar në tre faza. Tani jam në “pjesën e tretë” të saj. Pjesa e parë ishte në Shqipëri, deri në moshën 22 vjeç, ku u formova, ndjeva dhe kuptova gjakun dhe zemrën shqiptare. Puna, respekti dhe dashuria për të tjerët janë vlera që mendoj se i kam trashëguar nga familja ime. Pjesa e dytë në Francë nisi nga mosha 22- 50 vjeç, ku u formova me kulturën dhe mendimin francez dhe ku krijova familjen me një shqiptare. Sot jetoj familjarisht në jug të Francës, por udhëtoj shpesh për të drejtuar fabrikat e mia që janë në qytete të ndryshme. Bashkëshortja, Ardjana, e diplomuar për gjuhë frënge në Universitetin e Tiranës, punon mësuese në gjimnaz ku jep frengjisht, histori dhe gjeografi. Edhe ajo kaloi përballjen me jetën franceze dhe fitoi konkursin për mësuese frengjishte, diçka e rrallë për një të huaj. Vajza e madhe, Laura, studion në një nga shkollat më të mira të biznesit, që radhitet e 32-ta në botë ndër mijëra të tilla. Ka zgjedhur një specialitet që lidhet me industrinë e tekstilit, ndonëse në fushën e biznesit të luksit dhe modës. Djali, Martini 14 vjeç, ndjek ciklin shkollor këtu. Ndërsa pjesa e tretë, pas moshës 50 vjeç, lidhet me krijimin e “urave” midis Francës dhe Shqipërisë, duke prurë në vendlindje eksperiencën time 30 vjeçare dhe duke u bërë lobues i palodhur në Francë për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ju jeni larguar nga vendlindja në periudhën e regjimit komunist… Cilat ishin arsyet e largimit?

Fillimisht u largova në vitin 1983 kur isha në vitin e dytë në Universitetin e Tiranës, dega inxhinieri tekstile. Unë isha një ndër katër studentët e këtij universiteti që u përzgjodhëm për të përfunduar studimet në Francë, ku mora 3 diploma me rezultate të shkëlqyera edhe në informatikë e inxhinieri mekanike. Me rikthimin në Shqipëri në vitin 1989 u emërova pedagog në fakultetin e inxhinierisë së tekstilit në Universitetin e Tiranës ku punova vetëm 6 muaj sepse në vitin 1990, para përmbysjes së regjimit, u largova për arsye politike në Francë.

Nga media franceze ju konsideroheni si një industrialist franko-shqiptar i suksesshëm. Cili ka qënë çelësi i këtij suksesi?

Natyrisht që vështirësitë që një i huaj të bëhet sipërmarrës në Francë janë të mëdha, shumë më të mëdha sesa për autoktonët. Për të arritur këtu, duhen disa aftësi kryesore që, sipas përvojës sime, janë: kompetenca, kapaciteti i adaptimit me kulturën dhe mentalitetin francez, këmbëngulja dhe të qënit lider në mënyrë natyrale. Dëshira për të qënë i suksesshëm dhe motivimi janë kushte të domosdoshme, por jo të mjaftueshme. Kjo duhet shoqëruar me kompetencë në aktivitetet ku operon. Dhe për një të huaj në Francë shpesh këto janë dhe vështirësia më e madhe. Unë fillova punë si inxhinier në kërkime shkencore në fushën e kimisë në grupin “Rhône Poulenc”, grupi më i madh francez në atë kohë. Puna në atë grup më dha vit pas viti kualifikimin e nevojshëm. Më pas nga fusha e kërkimeve kalova në drejtimin e uzinave dhe projekteve, ku u specializova për menaxhimin e problemeve në uzinat në vështirësi apo në prag falimentimi. Udhëtoja shpesh në botë dhe mendoj se kjo eksperiencë është pozitive, pasi arrin të përmirësosh rezultatet në sektorët ku punon.

Në revistën më të madhe franceze ekonomike “LES ECHOS”, datë 19 tetor 2006, në rubrikën “Artikulli kryesor” botohej profili juaj si biznesmen me titullin “Gazmend TOSKA ka fibrën e tekstileve teknike”. Ju në këtë artikull cilësoheni si rimëkëmbës i ndërmarrjeve të tekstilit…

Falë eksperiencave që fitova vit pas viti, në vitin 1999 bleva një ndërmarrje në trajtimin e kollarisjes së fijeve sintetike në verilindje të Francës, e cila regjistronte defiçite të rënda prej shumë vitesh dhe ndodhej në prag të falimentimit. Arrita ta shpëtoj dhe pas 5 vitesh ajo u rimëkëmb tërësisht. Më pas bleva ndërmarrje të tjera, që ishin po ashtu në vështirësi, të cilave arrita t’u hap dhe t’u jap horizonte pozitive në vijim. Tashmë kam 4 sipërmarrjet e mia private në fushën e tekstileve teknike në Francë që qarkullojnë 15 milionë euro në vit, ndërsa kam punësuar direkt 150 punonjës dhe indirekt 600 të tjerë. Aktivitetin kryesor e kam me grupin “Noiret”, i specializuar në prodhimin e copave që i rezistojnë zjarrit dhe që përdoren nga ushtria, zjarrfikëset, forcat e ndërhyrjes speciale, industritë e mëdha mekanike, metalurgjia, pikat e karburanteve etj. Më duhet të them se aktiviteti që kryejmë kërkon një nivel të lartë specializimi, ndërsa është e pamundur ta transferosh aktivitetin në një vend tjetër. Por, në Francë shteti ofron mundësi dhe politika për industrialistët në përpjekje për ruajtjen e vendeve të punës.

Zoti Toska vitet e fundit ju vini shpesh në Shqipëri për t’i dhënë jetë ëndrrës tuaj për rigjallërimin e industrisë prodhuese në Berat, i njohur për ish-kombinatin e tekstileve, por jo vetëm. Si i shihni marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës dhe cili është modeli që ju zbatoni për zhvillimin e këtij biznesi?

 

Prej disa vitesh kam hapur në Berat shoqërinë “Marlotex” që sot punëson rreth 100 vetë dhe ka perspektivë për të ardhmen. Kjo shoqëri, që administrohet nga motra ime, e nisi aktivitetin me disa makina qepëse në një garazh dhe sot punon si filial i kompanisë La Bresse në Francë për prodhimin e konfeksioneve prej poliesteri dhe pambuku. Në Berat cilësia e punës e grave dhe vajzave është e nivelit evropian, por disponibiliteti i fuqisë punëtore varet nga pronari për ta balancuar përgjegjësinë sociale, për ta paguar e trajtuar si duhet punonjësin. Të 100 punëtorët e punësuar tek fabrika ekzistuese kanë të garantuar 4 javë pushime të paguara, pagesë 50% për ditët kur nuk punojnë. Përgjegjësia sociale është objektiv i punës sime pasi gjykoj se qëllimi final nuk është pasurimi i një pakice, por i gjithë komunitetit. Është e rëndësishme që modeli social dhe ligjet të respektohen rigorozisht, se nuk mund të kesh një ndërmarrje konkurruese me tregjet euriopiane pa motivim të fuqisë punëtore. Punëtorët duhet ta konsiderojnë “të tyren” ndërmarrjen nëse ndaj tyre zbatohen rregullat sociale. Është një lloj ekuilibri natyral mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe këto bëhen në mënyrë të ekuilibruar. Krahas shoqërisë “Marlotex” kam krijuar dhe agjencinë “Onufri Voyage” që promovon shkëmbimet turistike midis Francës dhe Shqipërisë si dhe fondacionin “G.Toska” që ndihmon në fusha si bamirësia, mbështetje në rast katastrofash natyrore, arsim, kulturë, ekologji, art, kulturë, në marrëdhëniet Francë-Shqipëri dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë. Principi im është një shprehje e Nënë Terezës: “Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ne mund të bëjmë vetëm gjëra të vogla, por me shumë dashuri”.

Në këndështrimin tuaj përse ka nevojë zhvillimi i Beratit duke qënë se prej vitesh ju kontribuoni në vendlindje?

Për mua, zhvillimi i ekonomisë në Berat mbetet kushti kryesor që qyteti të përparojë. Në Berat, aktiviteti im ka një dimension social të rëndësishëm, pasi një pjesë e fitimeve shkon në dhënien e bursave në ndihmë të fëmijëve të braktisur dhe të të moshuarve në kushte ekonomike të vështira. Mendoj se është e rëndësishme që në Berat të punësojë banorët dhe të krijojë fitime që të mos dalin nga Shqipëria. Një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rrjetat e mushkonjave sjell një tjetër shans për zhvillimin e industrisë së tekstileve në Berat.

Si një industrialist i suksesshëm në Francë si e konsideroni të ardhmen e industrisë së veshjeve dhe manifakturave në përgjithësi në Shqipëri? Çfarë këshille mund t’u jepnin biznesmenëve të fasonit?

Nisur nga kriza ekonomike që ka lëkundur tregjet europiane dhe botërore, industria shqiptare e fasonit duhet të ecë drejt ciklit të plotë të prodhimit duke e zgjeruar aktivitetin e saj edhe jashtë fasonit. Investimet e huaja në Shqipëri në industrinë e veshjes dhe tekstileve favorizohen nga tre elementë: kosto punëtore e ulët, taksat e ndërmarrjes të ulëta, tatim-fitimi dhe niveli profesional i punëtorëve shqiptarë. Por, nga ana tjetër fasonistët duhet të kenë njohuri të plota për tregun e lëndës së parë, deri tek produkti final. Qëllimi është që bashkë me këtë industri të reformuar të arrihet deri në 4-fishim të pagave. Për këtë duhet të krijohen ndërmarrje më të mëdha që të mbyllin ciklin e prodhimit. Roli i shtetit për sensibilizimin dhe ndihma e tij ndaj ndërmarrjeve në këtë fushë është i rëndësishëm.

Ju njiheni edhe si promotor i tërheqjes së investitorëve francezë në Shqipëri, sigurisht edhe në Berat…

Eksperienca pozitive në Berat më ka dhënë mundësinë që prej disa vitesh të bëhem “ambasador” i mesazhit drejtuar industrialistëve Perëndimorë se: “Në Shqipëri keni një Kinë të vogël” për prodhimet manifakturale ku punëtorët shqiptarë dinë të punojnë shumë mirë, nëse u krijohen kushtet.

Ç’mendoni për nismën e Albanian Excellence?

Është një iniciativë pozitive, natyrisht. Sepse mendoj se sa më shumë të flitet për eksperiencat pozitive të shqiptarëve kudo ku jetojnë, aq më shumë do t’u jepen shembuj pozitivë të rinjve, të cilëve këtu shpesh u mungojnë modelet.(Kortezi:ATSH)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Gazmend Toska

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4838
  • 4839
  • 4840
  • 4841
  • 4842
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT