• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Venizelos viziton Kosovën në një kohë që Greqia nuk njeh pavarësinë

February 19, 2014 by dgreca

Vizita e Ministrit të Jashtëm grek ka filluar një tur në Ballkan/

Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, ka filluar një tur në Ballkan, me cilësinë e kryesuesit të radhës të bashkimit Europian.Venizelos do të jete në Prishtinë, ku, sipas programit, do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj. Greqia vazhdon të mos e njohë Kosovën, por Athina konsideron se ky fakt nuk e pengon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Prishtinën, siç ka deklaruar në një intervistë me gazetarin e ABC News, Robert Goro.

Ministri i Jashtëm grek Evangelos Venizelos viziton Kosovën në një moment që Greqia ende nuk ka njohur pavarësinë e vendit. Në një intervistë për ABC News Venizelos ka shpjeguar arsyen pse nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë dhe planet për bashkëpunim mes dy vendeve.

“Mesazhi im për qytetarët e Kosovës, që kisha rastin t’ia përcjell edhe kryeministrit, edhe ministrit të jashtëm, të cilin e takova edhe para disa ditësh, për të tretën herë, dhe me të cilët kemi një marrëdhënie shumë të mirë, është ky: Ne besojmë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Kemi krijuar faktikisht premisat për prezencën e një zyre të fuqishme përfaqësimi, kryesisht ekonomik, të Kosovës në Athinë. Dhe synimi ynë është që procesi që ka filluar për negociatat dhe anëtarësimin e Serbisë në BE, të shërbejë si një levë e ndryshimit të klimës edhe për Kosovën. Çdo gjë që ka lidhje me Serbinë dhe mbështetjen e diaologut Beograd-Prishtinë ka një impakt shumë pozitiv në gjithë rajonin, njëkohësisht edhe në perspektivën europiane të Kosovës, të cilën do ta mbështesim pse besojmë edhe në marrëdhëniet tona të mira dypalëshe, por besojmë edhe në atë se duhet të kapërcehen problemet historike të së kaluarës”, vuri në dukje zëvendëskryeministri.

 

Evangelos Venizelos ka shpjaguar edhe arsyet pse Greqia nuk e ka njohur Kosovën, në përgjigje të pyetjes së ABC News nëse diplomacia greke e ka në axhendën e vet njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

“Shikoni, të gjitha do të bëhen në mënyrën që duhet. Rëndësi ka pjesa esenciale e marrëdhënieve tona. Ne do të jemi tepër krijues dhe shumë bashkëpunues në raportet tona me Kosovën. Dhe do të diskutojmë në esencë dhe në thellësi të gjitha çështjet; thjesht, duhet të kemi parasysh edhe vende të tjera komunitare të cilat kanë një qëndrim të ngjashëm me tonin. Nuk duhet të injorojmë disa rregulla që përshkojnë funksionimin tonë në brendësi të BE. Mirëpo, besojmë se ekziston një kuadër dhe një trend, ekziston edhe një objektiv i cili është i qartë. Dhe besojmë vërtet se Kosova mundet të gjejë një nivel prosperiteti me të vërtetë europian dhe një nivel stabiliteti i cili do të jetë shembullor për rajonin. Ka rëndësi shumë të madhe të mbështesim dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, u shpreh Venozelos.

Pas Prishtinës, Venizelos do të shkojë në Shkup, ku të enjten do të ketë një seri takimesh, duke filluar nga takimi me presidentin Ivanov e kryeministrin Gruevski. Venizelos do të takohet edhe me kryetarin e BDI Ali Ahmeti, si dhe me zëvendëskryeministrin Fatmir Besimi dhe ministrin e jashtëm Nikola Poposki. Shefi i diplomacisë greke do të takohet edhe me shefin e opozitës, Zoran Zaev.

Kjo do të jetë vizita e parë pas shumë vjetësh, e një zyrtari të lartë grek në Shkup, në kohën që mosmarrëveshja midis të dy vendeve për çështjen e emrit, që vazhdon prej më shumë se dy dekadash, duket se do ta lejë përsëri Maqedoninë në pritje të trenit për në Bruksel. Mesazhi që Venizelos do t’i përcjellë udhëheqjes maqedonase, ose më saktë do t’i përsërisë, është se çështja e emrit nuk është thjesht një mosmarrëveshje dypalëshe, por një detyrim i Maqedonisë për të dhënë prova në drejtim të fqinjësisë së mirë.

“Ne kemi realizuar një ndryshim jashtëzakonisht të madh nga qëndrimi ynë: Greqia nuk pranonte përdorimin e emrit “Maqedoni”. Tani e pranon përdorimin e këtij emri, por me një përcaktim gjeografik, për të qenë e qartë se ky vend ndryshon nga rajonet greke që quhen “Maqedoni”. Do të më lejoni të them, edhe rajone nga Bullgaria, edhe nga Shqipëria, sepse edhe Shqipëria ka një pjesë të Maqedonisë. Atëherë, ekziston një detyrim për një përcaktim gjeografik. Përcaktim në raport me emrin Maqedoni, jo me termin “republikë”, që ka të bëjë me gjithë vendet e botës.

Atëherë ne themi diçka shumë të thjeshtë, që ndërkaq është çështja e emrit: Për anëtarësim në NATO dhe në BE, përtej dhe pavarësisht çështjes së emrit, duhet të përmbushen gjithë kriteret që kanë të bëjnë me shtetet kandidate për anëtarësim. Gjithë çka duhet të përmbushë Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Turqia, duhet ta përmbushë edhe FYROM, pavarësisht çështjes së emrit. Çfarë thonë konkluzionet e këshillit të 19 dhjetorit 2013? Duhet të bëhen hapa konkretë në drejtim të zbatimit të marëveshjes së 1 marsit 2013, hapa konkretë në drejtim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sepse gjithmonë problemi është fqinjësia e mirë dhe e drejta ndërkombëtare”, nënvizoi ai.

Stacioni i parë i turit të ministrit të jashtëm grek, ka qenë Beogradi. Pas takimit me kryeministrin vendas, Ivica Dacic, Venizelos, ka përshëndetur faktin që, siç tha, në periudhën zgjedhore që po ndodhet Serbia, forcat politike duan të ruajnë të pacënuara negociatat për anëtarësim në BE. Venizelos ka theksuar vullnetin e Athinës që, edhe pas presidencës greke, që bëjë lëvizjet e veta për të ruajtur trendin e procesit integrues të Serbisë.

Venizelos ka vizituar edhe Sarajevën e Podgoricën, ndërkohë që turi i tij do të përfundojë në Tiranë, ku kryesuesi i radhës i BE do të mbërrijë të enjten dhe fillimisht do të takohet me Kryeministrin Edi Rama.

Të premten, Venizelos do të pritet nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe pastaj zhvillojë takime të tjera, me kryetarin e parlamentit, Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe shefin e opozitës, Lulzim Basha.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: venizelos, viziton Kosoven

Tirana ose kryeqyteti me histori të falsifikuar

February 19, 2014 by dgreca

Emri Tirane nuk mund te vije nga Teheran sepse ajo ka nje origjine shume me te lashte. Emrin Tiranë e përmend Marin Barleti mbi 14 herë te “Historia e Skenderbeut” qysh në shekullin e XV, duke evidentuar faktin se kishte dy Tirana; e Madhja dhe e Vogëla/

Nga  Ndoc Selimi & Xhevat Ukshini/

Emri i kryeqytetit të Shqiperisë Tiranë vazhdon të interpretohet me shtrembërime e gabime të më dha të realitet historik.Për fat të keq edhe në literaturën europiane e më gjerë deri në ditët tona ende qytetin e Tiranës e njeh si një qytet që qenka themeluar nga një shqiptar i turqizuar i quajtur Sulejman Pashë Bargjini prej Mulleti. Si depërtoi në literaturën europiane ky version historik për themelimin e Tiranës? Edith Durham, pasi njihet me historinë e këtij qyteti, që ia serviren vendasit, thotë:“Tirana është themeluar me 1600 nga një bej i pasur, i cili i vuri këtë emër për kujtim të një fitoreje të turqëve në Teheran të Persisë.” ( E.Durham “Brenga e Ballkanit” fq. 92). Sipas kësaj servirje emri Tiranë na del i ardhur prej Irani si derivat i këtij qyteti, gjë që është absurde dhe plotësisht e pa vertetë. I njejti shpjegim i emërtimit është shkruar edhe te “Enciklopedia Europiane”, botimi italisht, ku thuhet: ” Tirane da Teheran, nome che le diede, quando la fondo al principio del secolo XVII, il generale turco Suleyman Pascià…” (“Albania” botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, 1965 fq 390.).

Gjithashtu deri në ditët e sotme i mëshohet një legjende tjetër sikur në bregun e Lanës po “tirej ranë” si me thanë po hedh ranë, gjë  që edhe kjo nuk ka asnjë bazë shkencore. Pa themel me duket edhe interpretimi tjetër sikur ky vend u popullua prej të ardhurve nga malet e spjegohet me “të ranët” të  zbriturit në fushë.

Së fundi është hedhur edhe një ide tjetër, që toponimi Tiranë vjen prej një kalaje me emrin Trikan të permendur nga Prokop (shek VI), që shkruesit e tanishëm e lidhin me Tyros që në greqisht do të thotë bylmet (Theranda).

Le ti japim disa ide ma të kjarta këtij toponimi duke u nis nga literatura jonë dhe ajo botërore.

E quajmë të pamundur që emri Tiranë të jetë pagëzuar nga S. Pashë Bargjini, pra të  jetë   huazuar prej emrit Teheran, sepse Tirana ka një histori shumë më të lashtë. Në qoftë se është  e vërtetë  se jeniceri S. Bargjini u kthye në shekullin e XVII në vendlindjen e tij si pasha turk dhe bëri disa ndërtime, ky fakt nuk dëshmon asgjë  për themelimin e qytetit. Emrin Tiranë e përmend Marin Barleti mbi 14 herë te “Historia e Skenderbeut” qysh në shekullin e XV, duke evidentuar faktin se kishte dy Tirana; e Madhja dhe e Vogëla.(shiko faqet 28,32, 47, 214, 217, 220, 231, 234, 250, …e deri te 480, M. Barleti”Historia e Skenderbeut”, INFOBOTUES, Tiranë, 2005).

Po kështu edhe  F.S.Noli ne veprën e tij “Historia e Skenderbeut” thotë : “Fortesat e Gjon Kastriotit qenë  Kruja, e cila ishte kryeqytet i principatës, Petrella afër Tiranës, Petralba…” (Noli vep. 4, Akademia e Shkencave , Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, Tiranë 1989, fq. 69). Në faqën 109 të  po kësaj vepre thuhet: “Skenderbeu […] sapo mori lajmin që Ali pasha po afrohej, mblodhi ushtrinë  e doli në fushë pranë Kasharit një  fshati afër Tiranës Vogël…”. Noli vazhdon më  tej duke shpjeguar se “ Tirana e vogël ishte afër Krujës. Në  këtë  vend lindi Justiniani , perandori roman i Bizantit, i cili ndërtoi afro 20 kisha , në Shqipëri të Mesme” (po aty fq. 107). Noli citon Biemmin, i cili  thotë:“Ushtria turke e tërhoqi rrethimin ne Fushën e Tiranës, tetë milje larg Krujes…” Para Barletit, Biemmit dhe Nolit, permendet edhe në kadastrat e Venedikut më 1418 vendbanimi i emërtuar Tiranë.

Në rranzë të Dajtit, në anën e majtë të lumit dhe Grykës së Tujanit ngrihet një kala me të njëjtin emër, Kalaja e Tujanit, që sipas studiusëve i takon shekullit të IV para Krishtit dhe ishte si një portë  hyrëse për koridorin Durrës – Tiranë – Dibër. Shtjellimi i toponimit Tujan na çon deri në  kohën e etruskëve. Në  “Dizionario Illustrato della Civiltà Etrusca”(fq.304) të Mauro Cristofanit thuhet: “Eshtë një hyeni etruske e barabarte me Afroditën greke e Venerën romake. Mund të ketë edhe një rrënjë paraelene e quajtur ‘tyrannos’, ‘Tiranno’ (që vërtetë sisht ka prejardhje ilire, shën. im) dhe sinjifikohet si thjesht me “signora” “zonjë “. Kjo hyeni eshte nderuar qysh 480 vjet para Krishtit dhe ka pasur një përhapje të jashtëzakontë në Iliri e gjetk, madje është krijuar edhe kult për të . Këtë e vërtetojnë edhe shumica e kishave me këtë emër. Jo rastësisht një e teta e kishave të vendit tonë kanë marrë emrin e Venerandës, që në popull është e Shëna Premtes (Prendes) e deri te emri i përgjithshëm europian e më andej Ana (Anna).

Po kështu këtë emër e gëzon edhe dita e pestë e javës (venerdì, dita e venerandes te latinë t) dhe e premte (e prende, gegnisht) te ne shqiptarët. Tujan ose Turan është hyeni e dashurisë dhe e pjellorisë dhe ishte e martuar me Laran, çuditërisht me një afrimitet me Lana (lumi që përshkon Tiranë n).

Duke u njohur edhe me toponimet dhe objektet mbrojtë se dhe të kultit që mbë shtjellin Tiranë n dhe rrethinat dalim ne konkluzon se ky qytet e meriton plotë sisht emrin “Zonjë ” (sinjora) dhe mosha e kë saj zonje  është   mbi dymijë vejcare.

Perveç vendit të begatë fushor të lënë nga një gji deti prehistorik, Tiranën e rrethojnë shumë kalà mbrojtëse si Kalaja e Ndroqit, ajo e Petrelës, e Tujanit, e Prezës, e Lalmit, e Dorësit, e Dajtit, e Persqopit etj. (që i takojnë shek. VI të kohë s Justinianit I ) e deri te Kalaja e Krujës ( “që ndodhet përballë Tiranes Vogël” – sic thotë Barleti).

Tirana dhe rrethina e saj është e mbushur me emra shenjtorësh të krishterë dhe bëhet dëshmitare e përqafimit të fesë së Krishtit menjëherë pas shpalljes zyrtare të kësaj feje. Kështu kemi fshatrat Shën Pal, Shën Mëri, Shën Gjergj, Shën Gjin, Përroj i Shën Më hillit, Qafë -Kishë , Shën Ndoi i madh dhe Shën Ndoi i vogë l (dy maja shkembinjësh), Qafë Shmark, Fushë Kishë. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur as mozaikun e Tiranës me vlera të më dha historiko-arkeologjike në Shqiperi e më gjerë .

Si më përmendura kishë është ajo e Shën Mërisë në Brar që datohet e vitit 1201. Në këtë kishë gjatë gërmimeve është gjetur një varr me pesë harqe që i takon pjestarëve të një familje me një epitaf dhe mbiemrin Sguro. Të pesë harqet kanë nga një kryq dhe përfaqesojnë pesë të vdekurit e familjes, gjë që e scaron edhe epitafi në greqisht që thotë: “Kujto o Zot shërbëtorin tënd sevastin Mihal Sguron me bashkëshorten e fëmijët”. Këtu ndodhen edhe 8 varre të tjerë të besimit katolik. Sipas specialisteve Tirana ka vazhduar me këtë rit fetar deri në shekullin e XV, kur fillon konvertimi i banorëve të saj në një fe tjetër. Mësuam se ky objekt, i një rëndësie të vecantë, u shkatërrua këtë vit nga punimet ndërtuese të eskavatorëve.

Pukevil na bën të ditur se “Justiniani rindë rtoi Tyranen, Aulonen, Musionin” dhe më tej ai jep  spjegimin se “Tyrana – Turkana, fortesë në Epirin e Ri” (Pukevil, “Udhetime”vell. 1, fq 373).

Në  testamentin që Gjon Muzaka u lë të bijëve në vitin 1510 thotë: ”Karl Topia ishte zot i dy Shkurive, i Fizines dhe Plevishtit në Taransen e Vogël, Kanabi, Forka..”(pra Tirana e Vogël, Krraba dhe Farka-shën.im). (Emanuelo Polito, “I Musachi di Berat” Muzakajt e Beratit, Paris – Lecce – Pergola Mansavium, 1996, fq. 126).

Në  vitin 1431 – 32 bëhen disa regjistrime prone nga venecianet dhe rezulton se Tirana kishte 60 qendra të banuara, 1000 shtëpi dhe 7300 banorë. Po ashtu në regjistrin e kadastrës turke të vitit 1583 , treva e Tiranës rezulton me 110 qendra banimi, 2900 shtëpi dhe 20 000 banorë .

Të gjitha këto statistika dhe të tjera që ekzistojnë, por mungojnë në këtë shkrim, u takojnë viteve para 1614, që na serviret si vit i themelimit të qytetit të Tiranës.

Duke u kthyer te Sulejman Pashë Bargjini konstatojmë  se ai në shek. e XVI kishte shkuar jeniçer në ushtrine turke, ku ai arriti gradë madhore deri te pashà dhe më vonë kthehet në vendlindjen e tij Mullet. Në këtë vit, më  1614, u jep para një grupi tregtarësh tiranas për të ndërtuar në Tiranë një xhami, një furrë dhe një hamam. Sami Frashëri në Enciklopedinë osmane (jo shqiptare) të shkencës së përgjithshme thuhet se objektet e ndërtuara prej tij (S.P.Bargjinit, shën i aut) “si nje trashëgimi përkujtimore e historise se Tiranës” (Saimir Lolja artikull “Tirana e lashtë dhe përvjetorët e tij si kryeqytet”, 02/ 2014).

Këto statistika flasin për një popullim të mjaftueshëm edhe për një qytet para se te vinte Pasha Bargjini dhe ndërtimi i ketyre objekteve nga ana e tij u bë për shkak se kishte popullsi Tirana. Ky nuk dëshmon asgjë  për themelimin e Tiranës si qytet. Përkundrazi. Fakti se ai dha paratë për ndërtime ua dha tregëtarëve flet më së miri për ekzistencën e mirëfilltë të qytetit, të cilit tani iu shtuan tre objekte që ai deri atë herë nuk i kishte pasur, pra tani e tutje mund të  flitet për një qytet me dizajn osman me xhami e hamam. Në anën tjetër nuk ka asnjë të dhënë dokumentare që do të  tregonte se u bë ndonjë meting, se u pë rurua fillimi i punimeve, pra asnjë dokument për ndonjë fjalim apo për shpalljen e këtij vendbanimi qyteti i Tiranës.

Sulejman Pashë Bargjini, pra sic shihet ky pasha turk mbante ende një  mbiemër kristian, tregon që  i pë rkiste dikur ashtu si gjithe rajoni besimit të krishterë, por që e kishte braktisur përballë  raprezaljeve turke kundër shqiptarë ve si vrasjeve, konvertimeve dhe kryesisht deportimeve me forcë. Populli ishte i pafuqishëm të kundërshtonte pushtuesin dhe në fund u detyrua t’i nënshtrohet fatit. Viti 1595, sipas dokumentave, flet për një shifër shumë të lartë , e cila shkon deri në 200 000 fëmijë që u morën për t’u rekrutuar në trupat jeniçere në luftën e Persisë. Kësaj masakre, sic shihet, nuk ka mundur t’i shpëtojë as djali i ri me emër të panjohur, por që kthehet pas konvertimit me emrin e ri Sulejman.

Pashai Sulejman është një tjetër shembull i mijëra arberorëve-shqiptarëve, që mbas vdekjes së  heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, bënë grada në oborrin e Sulltanit o nëpër gardat ushtarake turke duke i shërbyer shtetit osman si trupa dhe si fe. Një pjesë e tyre duke harruar prejardhjen shqiptare e duke mohuar fe e atdhe u rreshtuan në krahun e pushtuesit të vendit tyre e bënë shumë ekspedita në krye të forcave osmane për të nënshtruar popullin e tyre shqiptar, masakruar e poshtuar atë .

Ndryshe nga figurat e tjera me prejardhje ilire të Perandorisë Romake si imperatorë të  shtetit romak, te cilët bënë ndërtime, përkrahen dhe ndihmuan njëri–tjetrin në karrierat imperatoriale, duke i dhënë fytyrën europiane viseve ilir, këtë gjë nuk mund ta themi edhe për karreristët anadollakë me origjinë shqiptare, të cilët kombit të tyre i sollen vetëm të zeza.

Jeniçeri Sulejman me gradën e pashës nuk u kujtua të hapte ndonjë shkollë, të ndërtonte një rrugë, por solli xhaminë, kultin dhe edukatën fetare turke në zemër të Shqiperisë për ta tjetërsuar identitetin e saj. Dhe 400 vjet më vonë shteti ynë sot për këto shërbime i bën përmendore, i thurrë lëvdata, ia atribuon themelimin e Tiranës dhe për më  tepër nëpërkëmbin faktet historike leht të  identifikueshme kur ia këmbejnë  etimologjikisht emrin Tiranes Ilire me Teheranin aziatik.

Në vazhdim të shkrimit do të sjellë në stil telegrafik disa të dhëna, të cilat tregojnë ritmet e ngadalta  të ecjes së qytetit tashmë gjysmanadollak në kohën e më pastajme.

Dy shekuj me vonë , Tiranën e sundojnë Toptanët, të ardhur nga Kruja.

Më 1780 ndërtohet kisha e Shën Prokopit dhe 9 vjet me vonë nis punimet xhamia që  edhe sot ndodhet në qendrën e qytetit, e cila qe financuar nga Et’hem Beu. Ndërtimi i saj përfundoi më  1821.

Kulla e sahatit, e lartë 35 metra, ndërtohet më 1830.

Ndër lagjet më të vjetra të Tiranës janë lagja e Pazarit dhe ajo e Bamit. Kjo e fundit pas vdekjes së  Ibrahim Kokonozit filloi të quhet “Vorri i Bamit”, sepse në këtë lagje ishte varri i Ibrahim Kokonozit, por në të folmen tiranëse emri i tij Ibrahim fillimisht u ndryshua në Bim e pastaj në Bam.

Sipas statistikave Tirana më 1703 kishte 4000, më 1909 15.000, 30 vjet më vonë , d.m.th. më  1938, kishte 38.000, kurse më 1945  60.000 frymë .

Theksojmë se popullimi i Tiranes është bërë sipas periudhave të sundimtareve jotiranas të këtij qyteti e krejt vendit. Toptani solli në Tiranë krutanë e zonës përreth, Mbreti Zog solli dibranët, E. Hoxha e komunizmi sollën gjithë jugun dhe së fundi ndërrimi i sistemeve solli malësorët e të gjitha krahinave. Dihet që sistemi i mëparshëm nuk lejonte lëvizjen e lirë të popullsisë. Sot Tirana gëzon 830.000 banorë .

Tirana shpallet kryeqytet i Shqipërisë më 8 shkurt 1920, sipas vendimeve të Kongresit Lushnjes dhe merr statusin përfundimtar më 31 dhjetor 1925.

Deri në kohën e pushtimit italian dhe koncesioneve të dhëna këtij shteti, Tirana kishte zhvillim shumë  të  ngadaltë . Ndertimet moderne italiane që shihen sot e kësaj dite u takojnë marrëveshtjeve me Italinë, e cila më tepër se për modernizimin e qytetit interesohej për realizimin e idesë së një  bashkimi , përkatë sisht aneksimit të saj të mundshëm më vonë.

Me 17 nëntor te vitit 1944 forcat partizane hynë në Tiranë, duke zhvilluar dy ditë beteja me gjermanët në ikje e sipër, ku morën pjesë Brigada e Parë , e Katërta dhe e Gjashta.

Tirana është i vetmi kryeqytet i Europës lindore dhe juglindore që nuk u ndihmua nga Ushtria e Kuqe për t’u cliruar, por që më pas për fatin e zi të kombit tonë u inkuadrua në kampin komunist.

Në fund të shtojmë edhe se historianëve tanë dhe shkencës sonë shqiptare i bie detyrë urgjente të  iniciojnë përmes ndërhyrjeve në institucionet përkatëse që të bëhen korrigjimet e nevojshme për sa i përket shpjegimit të drejtë të prejardhjes së emrit të Tiranës, pra heqja përfundimtare nga “Enciklopedia Europiane” e cfardo lidhjeje me Teheranin dhe rivënjen e identitetit iliro-shqiptar të  qytetit mijëravjeçar të Tiranës, sepse kështu ajo sillet në vendin që i takon sipas të vërtetës historike.

18 shkurt, 2014.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: me emer te falsifikuar, Ndoc Selimi, tirana, Xhevat Ukshini

MINISTRI MAKOLLI, ME MERGATËN NË POLONI

February 19, 2014 by dgreca

Në Varshavë të Polonisë, me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u mbajt një akademi solemne, e cila u organizua nga Shoqata Poloni -Kosovë. Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Diasporës, z. Ibrahim Makolli, anëtarë të shoqatës Poloni – Kosovë, si dhe mërgimtarë që jetojnë dhe punojnë në Poloni.

Kryetari i shoqatës, z. Haxhi Dulla, e falënderoi ministrin Makolli për pjesëmarrje në shënimin e 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kryetari i shoqatës tha se bashkërisht të punojnë për ndërtimin e urave të miqësisë mes Polonisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij, ministri Makolli i përmendi të arriturat e Kosovës, bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me mërgatën, si dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen me mërgatën në Poloni.

Ministrit Makolli e vizitoj mërgatën shqiptare në Poloni me qëllim të përgatitjeve për hapjen e shkollës shqipe për nxënësit shqiptarë.

Shoqata Poloni-Kosovë tubon rreth vetes studentë shqiptarë, familje shqiptare me prejardhje nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Makolli, ne Poloni, takim me Mergaten

Nuk vendoset qerrja para kalit

February 19, 2014 by dgreca

Në përgjigje të replikë së zotit Alban Daci/

Nga Eshref Ymeri/

Pas botimit në internet më 16 shkurt 2014 të shkrimit tim me titull:”Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë,”

në të cilën bëhej fjalë për intervistën e zotit Alban Daci për formimin e Forumit Demokristian Shqiptar, të botuar në internet më 15 shkurt 2014, vjen reagimi i tij me titull:“Replikë në lidhje me shkrimin e Eshref Ymeri me titull “Ribashkimi i trojeve shqiptare! 17-02-2014- (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)”  Në replikën me mua, zoti Alban Daci deklaron për veten e vet:

“…unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm. Kjo është një ndër filozofitë e Lëvizjes Federliste Europiane dhe nuk e kam shpikur unë”.

Me këtë deklaratë, zoti Alban Daci e ka sqaruar bukur mirë se cili qenka qëllimi i krijimit të Frontit Demokristian Shqiptar. Ndërkohë unë mendoj se Fronti Demokristian Shqiptar, në programin e vet, duhej të kishte si detyrë parësore organizimin e mbarë Diasporës Shqiptare që ajo të bëhet pjesë e pandarë e problemeve të brendshme që ka kombi shqiptar brenda trojeve etnike. Dhe si detyrë parësore, për mendimin tim, duhej të ishte pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Diasporës në proceset zgjedhore që zhvillohen në mbarë trojet tona etnike. Në këtë mënyrë, Diaspora e organizuar do të ndiqte shembullin e Zvicrës, në zgjedhjet parlamentare të së cilës marrin pjesë edhe rreth 700 mijë votues të Diaporës Zvicerane pëmes votimit elektronik. Kësisoj, Diaspora Shqiptare do të ushtronte ndikimin e vet të drejtpërdrejtë edhe në jetën politike në mbarë trojet tona etnike.

Së dyti, unë përsëri këmbëngul se pa bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët, çdo pjesëmarrje në lëvizjen federaliste evropiane është në dëm të interesave tona mbarëkombëtare. Sepse, me trojet shqiptare të ndarë pikë e pesë, Evropa Federaliste do të sillet si agai me shërbëtorin.

Nga faqet e shtypit është bërë i njohur ky informacion:

“Hungaria është kundërpërgjigjur ndaj penalizimeve të bëra nga Bashkimi Europian. Kryeministri i këtij vendi Viktor Orban akuzoi BE-në se po përpiqet të kolonizojë vendin. Gjatë një takimi me mbështetës të tij Orban deklaroi në Budapest se vendi nuk kishte ndër mend të jetonte në bazë të urdhrave dhe dëshirave që ka Brukseli” (Citohet sipas: “Orbani i përgjigjet BE: Hungaria nuk është koloni”. Gazeta “Start”. 16 mars 2012).

Kur Brukseli e trajton si koloni një shtet me autoritet, si Hungaria, merret me mend se si do të sillet ai me Shqipërinë Londineze dhe me Kosovën në Evropën Federaliste.

Prandaj, të merresh me lëvizje federaliste evropiane pa zgjidhur çështjen kombëtare – shkrirjen e trojeve tona etnike në një shtet të bashkuar – do të thotë të veprosh si puna e atij që gjë në shtëpi nuk ka dhe kërkon të japë sadaka, ose të vendosësh qerren para kalit.

Në artikullin tim unë nuk përdorja asnjë fjalë fyese në adresë të zotit Alban Daci, për të cilin shprehja respekt për formimin e tij si intelektual. Kurse ai, në replikën e vet, ka përdorur një sërë fjalësh dhe shprehjesh fyese në adresën time. Unë po rezervohem këtë herë të përdor fjalë fyese në adresë të tij. Ai është i ri dhe në turrin e vërtikshëm që ka marrë drejt federalizmit evropian dhe krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës, të kujton dhëndrin e ri, të cilit nuk i dilet përpara.

Ftoj lexuesit e nderuar të shprehen se kush ka të drejtë.

Santa Barbara, Kaliforni

18 shkurt 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Alban Daci, EshrefmYmeri, Replike

Lulzim Basha “qetëson” ambasadorët

February 18, 2014 by dgreca

Ja arsyet e protestës, do jetë paqësore/

2 dite para protestës së thirrur nga  Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha ka shtruar një drekë pune për  Ambasadorët e akredituar në Tiranë, për ti njohur gjerësisht me shqetësimet që bënë të thirrej kjo protestë, por dhe për ti garantuar ata për mbarëvajtjen e saj.Basha ka njohur Ambasadorët lidhur me shqetësimet e fundit politike dhe sociale në vend, duke filluar nga vendimet e qeverisë, të cilat në syrin e opozitës janë arbitrare dhe jashtë themeleve kushtetuese.

Këtu ai ka përmendur moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Aktin Normativ për Nëpunësin civil, por dhe mbi tentativën e qeverisë për ta ndryshuar në themele atë ligj, ndryshime që sipas Bashës synojnë që në administratë të mos ketë më nëpunës që mbrohet me status.Gjithashtu Ambasadorët janë njohur dhe me vendimin e opozitës për të mos u bërë pjesë e reformës administrative-territoriale, pa u garantuar më parë votimi me konsensus i kësaj reforme.Në drekën e punës me Ambasadorët, jashtë vëmendjes nuk është lënë edhe situata ekonomike në vend, por dhe situata e rendit.Partia Demokratike ka thirrur më 20 shkurt në orën 14:00 një marshim proteste, ku ka ftuar qytetarët të bëhen barrikadë kundër mashtrimeve, varfërisë dhe arbitraritetit.

Basha nga Shkodra: Marshimi ynë për t’i vënë kufij gënjeshtrës, paaftësisë, arbitraritetit

Nga qyteti i Shkodrës, kreu i opozitës, Lulzim Bashka bëri thirrje për pjesëmarrje të rinisë shkodrane dhe shqiptarëve në protestën e 20 shkurtit, kundër çiftit Rama-Meta. Kreu i demokratëve tha se shkodranët duhet të dalin në protestë kundër premtimeve të pambajtura të qeverisë Rama.Lulzim Basha premtoi një protestë paqësore, ashtu siç edhe demokratëve iu ka hije tha ai, ndërsa shtoi se protesta do të jetë një leksion për pushtetarët.Kryetari i opozitës u shpreh gjithashtu se nuk ka qeveri që i bën rezistencë bashkimit të popullit, e cila sipas tij vetëm sa kërkon zbatimin e ligjit.

Fjala e plotë

Dhe ja po takohemi sërish, me një entuziazëm  të madh, tipik për Partinë Demokratike këtu në Shkodër por të jashtëzakonshëm, takohemi në atmosferën e një  ringjalljeje dhe shpërthimi të fuqishëm të shpresës, si të mos kenë kaluar vetëm  katër  javë, por shumë me tepër që kur u takuam për herë të fundit. Ju mund ta dini dhe sigurisht e dini më mirë se unë  në tërësi  të vërtetën e këtij   ndryshimi kaq të shpejtë,  kaq prekës dhe kaq frymëzues. Më lejoni të them përshtypjen time, mendimin tim, pse jo bindjen time për këtë. Është rinia. Po vjen  rinia. Ka ardhur rinia. Ja, kjo rini e bukur, e çiltër, e  mësuar, e kultivuar, e vendosur, bashkëkohore, moderne, atdhetare, shqiptare, europiane që shohim në këtë sallë  dhe përtej mureve  të kësaj salle anembanë Shkodrës, anembanë Shqipërisë.

Brezi i ri po vërshon në dyert e hapura të shtëpisë së madhe të lirisë të Partinë Demokratike. Ky  është  lajmi më  i mirë jo vetëm për demokracinë  anembanë vendit, por për demokracinë dhe për shpresën  shqiptare në këtë kohë  të zymtë kur  vendi bombardohet çdo ditë me lajme që flasin  vetëm për përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe shoqërore, vetëm për rënie të treguesve të  punësimit, zhvillimit, konsumit, investimeve, vetëm për rritje  në krahun tjetër të treguesve të varfërisë,  krimit, trafiqeve, drogës, korrupsionit; vetëm për  rritje të rreziqeve që kërcënojnë gjithmonë e më shumë aspiratën mbarëpopullore të  integrimit të vendit në Europë dhe vetë demokracinë  në kolonat  e saj të  ligjit, të drejtave dhe lirive.

Prapa këtij realiteti  gjithnjë e më dramatik është  qeveria Rama-Meta e cila tallet sa bukur ua hodhi shqiptarëve me premtime kallpe. Është qeveria  që përzien çdo ditë  ngjyrat e bojërave të dala boje  për qeverisjen propagandistike. Qeveria që provokon dhe tenton me të gjithë format e paligjshmërisë dhe pandershmërisë të  pushtojë administratën publike, të kapë institucionet, të kapë shtetin, të  zhbëjë gjithçka  kemi arritur këto vite me Kushtetutë, ligj, demokraci dhe konsensus. Qeveria që kërkon të  kthejë prapa demokracinë, të vendosë  oligarkinë me para të pista dhe vota të blera mes tyre,  me  deputetë të peshkuar në format më të neveritshme të poshtërimit të votës së lirë dhe dinjitetit të qytetarëve.

Rinia e ka kuptuar, shqiptarët i madh e i vogël e kanë kuptuar dhe po e kuptojmë: Rilindja  doli  rrenë! Puna e Rilindjes ishte loja, dhe kjo lojë s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet e shqiptarëve, me dëshirat dhe projektet e shqiptarëve, me të ardhmen e shqiptarëve, me të ardhmen tuaj,  por vetëm me interesat e ngushta të  atyre që e nxorën në tregun e politikës  si Kalin e Trojës.

Prandaj po vërshon  rinia në partinë më të madhe të opozitës; prandaj po ngrihet e do ngrihet kudo fryma e protestës së fuqishme  qytetare; po ngrihen njerëzit e lirë, po ngrihen populli  shqiptar, që në të mirë  e në të keqe,  e ka bërë shkollën e demokracisë gjatë këtyre dy dekadave. Kanë njohur e shijuar frytet e demokracisë  gjatë këtyre viteve  dhe nuk pajtohen  në asnjë mënyrë  as me  shartime neoenveriste, as me kthim prapa të demokracisë shqiptarë për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë.

Shkodra, jo vetëm nuk do të mungojë  në  vërshimin e madh të rinisë shqiptare drejt Partisë Demokratike, në zgjimin  e madh të shpirtit të lirë  protestues të shqiptarëve, por, më lejoni ta them me bindje dhe zë të lartë:

Shkodra nuk mund të mos jetë e para! E ka detyrë ndaj të parëve, brezave dhe së ardhmes që të jetë e para.

E para për ringritjen, e para për shpresën, e para për të ardhmen,  e para, pse jo, edhe në marshin e protestës popullore të   përkujtimit  dhe protestës që kemi thirrur në Tiranë  këtë të enjte, në 23 vjetorin e rrëzimit të  monumentit të Enver Hoxhës si  personifikim dhe simbol  i diktaturës gjysmëshekullore.

20 shkurti i vitit 1991  është një  ngjarje e  shënuar në historinë e demokracisë dhe qytetarisë shqiptare. Në këtë ditë rinia, studentët  dhe njerëzit e lirë vërshuan në sheshin  “Skënderbej”  dhe duke sfiduar me trimëri të rrallë dhunën policore,  rrëzuan përmendoren hijerëndë  të atij që e kishte rrëzuar në mundime,  në mjerim dhe  izolim të papërshkrueshëm  popullin  e vetë gjatë sundimit të tij gjakatar.  Ishte përmbysja e madhe, ndarja  e madhe dhe drejtësia e madhe me diktatorin që vetëm populli i lirë mund ta bëjë dhe e bëri.

Nga Shkodra, përkulemi me  nderim dhe respekt  të thellë para atyre qytetarëve, para rinisë së Tiranës, para  të gjithë atyre burrave dhe grave që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” atë ditë, para  qytetarëve trima e kurajozë që kanë shënuar emrat  e tyre në panteonin e historisë kombëtare si njerëzit që  rrëzuan monumentin e Stalinit të Shqipërisë.

“Lirinë e meritojnë vetëm ata që përballen çdo ditë për të”, thotë një sentencë  e njohur.

Koha që po jetojmë, me  qeverinë Rama-Meta në pushtet që ka tendencën e qartë  për t’u instaluar jo si një  qeveri normale e përgjegjshme, por si një oligarki antidemokratike,  na thërret të  ngrihemi, të  dalim në shesh, të tregojmë forcën e opozitës dhe të  Shqipërisë  së lirë për t’u dalë zot lirive të rrezikuara e ligjit të dhunuar,  për të mbajtur hapur me çdo kusht rrugën e Europës, për të  demaskuar me  fuqinë e bashkimit  mashtrimet dhe dështimet e qeverisë,  për të ndaluar me sa kemi në dorë rrokullisjen dhe  krizën e gjithanshme, para se kriza e gjithanshme para se ta këtë zënë  vendin dhe qytetarët nën gërmadhat e saj.

Kryeministri nuk është padroni i këtij vendi por një i punësuar i tij. Për ketë do të marshojmë të enjten. Ti tregojmë kufijtë arbitrares, gënjeshtrës dhe paaftësisë. Për ne është i qarte roli i pushtetarit, për vllazninë antishtet jo. Të gjithë në shesh, si europiane te vendosur, ti japim një leksion demokracie oligarkëve të rinj. Protesta do jete paqësore, do të jetë dinjitoze, ashtu siç i ka hije Shqipërisë, siç i ka hije demokratëve, siç i ka hije mijëvjeçarit te ri, Shqipërisë moderne europiane që ne përfaqësojmë e që do të përfaqësojmë gjithmonë.

Si gjithmonë, dua të jem shumë i hapur me ju, zonja dhe zotërinj shkodranë, vëllezër dhe motra demokratë dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë. Me premtimet e tij kolosale për vota, të cilat  i braktisi   sapo hodhi lumin, Edi Rama ka vendosur një rekord që nuk e kemi parë në asnjë  demokraci në botë. Ai e bëri këtë duke shkuar me mendimin se ajo që demokracia e quan kontratë vote është një rreckë, se populli ka qejf të gënjehet, se populli harron, por edhe nëse nuk harron, nuk ka çfarë bën se nuk më kap dot në zyrat e mia!

Me marshimin tonë të protestës, ne u krijojmë  mundësinë  çdo qytetari, gjithë kategorive  të qytetarëve shqiptarë që e  gjejnë  vetën e tyre  në serinë e mashtrimeve të njohura elektorale të Edi Ramës të dalin dhe ti thonë  atij me zërin e  fuqishëm  të  bashkimit se nuk kemi harruar ne, por ke harruar ti mashtrues, nuk jemi  gënjyer ne por ke gënjyer ti gënjeshtar, na ke borxh, duhet të  mbash fjalët ose të kthesh votat që ke marrë, që nuk ti kemi dhënë për revansh, por për të  na bërë legalizimet  falas, shëndetësinë falas,  çmime  të ulura, vende  te reja pune,  e tjerë e tjerë premtime me të cilat mori votat.

Marshimi kundër mashtrimeve është  një mësim, një leksion që  politikanët duhet ta mësojë sot e përgjithmonë,  është  vendosja  e  një vije të re, e një raporti të ri midis popullit  dhe politikës  me qëllim që të marrë fund praktika e shëmtuar e  mashtrimeve elektorale për vota. Duke bërë këtë, populli, qytetarët po   hapin rrugën e tyre drejt së ardhmes. Ata që nuk e bëjnë  i japin qytetari gënjeshtrës , i japin shtetësi mashtrimit, dhe s’kanë pse të presin ditë të mira. Dua të  vazhdoj të jem i hapur me ju si kryetari i ri i opozitës,  si një politikan i brezit të ri që ka një ëndërr për ta parë Shqipërinë në Europë dhe për  të vendosur  në vend demokracinë e re, demokracinë pjesëmarrëse si një element i munguar i demokracisë së derisotme.

Opozita është një forcë e madhe,  por jo gjithnjë forca  në demokraci. Ne kundërshtuam me forcën e argumenteve Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, përshembull. Nuk e fituam këtë  betejë në Kuvend, ku për fat të keq argumenti vazhdon të jetë bira e fundit e kavallit. E vazhduam betejën në Gjykatën Kushtetuese dhe e fituam.  Por  Rama-Meta, siç dihet botërisht, siç e dini edhe ju, atë që  nuk e  morën dot me një akt antikushtetues duan ta marrin me një ligj antikushtetues dhe antikonsensus duke rrezikuar seriozisht marrjen e statusit edhe në qershor. Opozita ka detyrimin tu  argumentoje shqiptarëve pasojat e gjithë kësaj arrogance dhe këtij  arbitrariteti  për jetën  dhe ëndrrën e tyre. Opozita ka detyrimin të zhvillojë brenda hapësirave parlamentare gjithë betejat politike në  mbrojtje të demokracisë.

Po më tej?  Si t’ja bëjmë?  Si t’i ndalojmë, kur këta as për parlament nuk pyesin, as për kushtetutë nuk pyesin, as për  konsensus nuk pyesin, as për standarde nuk pyesin, as për vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk pyesin. Përgjigja është një dhe vetëm një:  sheshi, marshimi, protesta. Kur opozita dhe populli bashkohen në  një qëllim për ligjin dhe kushtetutën, për liritë dhe të drejtat nuk ka qeveri arbitrare që t’u rezistojë. Të marshojmë të enjten!

Me rininë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me njerëzit e lirë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me  Partinë Demokratike  dhe opozitën që do t’i prij  këtij zemërimi popullor, që nuk mund të kthehet prapa, sepse demokracia shqiptare  nuk mund ta ulë kokë, por do të lëshohet përpara shumë më e fortë, shumë më e sigurt. Demokracia është fati i popullit në duart e popullit. Këtë na kanë mësuar etërit e saj,  këtë na ka mësuar  historia, kështu  ka qenë  e kështu  do të jetë.

Të  gjithë në sheshin e  krenarisë  dhe dinjitetit për të shkruar një faqe të re në historinë e qytetërimit tonë, faqen e papajtueshmërisë me mashtrimet, faqen e papajtueshmërisë me dështimet, faqen e papajtueshmërisë më vllazninë antidemokratike, antishtet, faqen e marrjes  në mbrojtje si asnjëherë tjetër  të demokracisë, që  është pasuria e më e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadoret, Basha, Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4849
  • 4850
  • 4851
  • 4852
  • 4853
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT