• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe Valon Behramit, si Gatusos, Beckham dhe John Terryt ia vjedhin veturën

February 12, 2014 by dgreca

Edhe më parë, në territorin shqiptar ishin gjetur edhe mjetet e vjedhura të futbollistëve Gattuso e Beckham dhe më e fundit ishte ajo që i ishte vjedhur John Terryt, kapiten i ekipit të Chelsea, klubit të Premier League/

 Nga BEQIR SINA, New York/

NAPOLI –  ITALI : Portali i shqiptarëve të zvicrës Albiinfo shkruan sot se :” Mesfushorit zviceran, Valon Behrami, i është vjedhur makina. Futbollisti i Napolit, e ka bërë vet publik lajmin në rrjetin social Twitter. Aty ai ka  shprehur pakënaqësinë e tij, por mediat italiane kanë njoftuar se vetura e tipit Smart ishte marrë me qira nga Behrami.”Sipas saj  “Smarti” i Behramit, u “avullua” nga parkingu, derisa ai me gruan e tij ishin në shopping. Behrami ishte dukshëm i shqetësuar për shkak se dy vjet më parë në Napoli i ishte vjedhur dhe një orë, duke e parë si pjesë e një serie grabitjesh të lidhura me futbollistin e Napolit,

E djaloshi nga Mitrovica ka shkruar në Twitter: se “një herë orën, tash edhe veturën. Me të vërtetë jam nervoz” transmeton Albinfo.

Në rrjetet sociale po shkruhet se “Makina e vjedhur futbollisitit shqiptarë me pashaportë zvicerane është vjedhur nga Shqiptarët, por për arsye të hetimeve policia italiane, nuk po jep detajet e vejdhjes deri sa të kap hajdutët” .

Ky lloj tipi autoveture është i vogël dhe dy-vendësh është nga llojet e automjeteve që harxhojnë pak gaz dhe shumë të manovrueshem për në punë dhe janë të lehtë për të parkur. Qasja në kabinën është shumë e lehtë, dhe vendet janë të rehatshme. Ajo kushton nga 20 mijë deri në 30 mijë Euro

Edhe më parë, në territorin shqiptar ishin gjetur edhe mjetet e vjedhura të futbollistëve Gattuso e Beckham dhe më e fundit ishte ajo që i ishte vjedhur John Terryt, kapiten i ekipit të Chelsea, klubit të Premier League
Vitin e kaluar ishte policia e shetit shqiptarë që njoftoi se kishin konfiskuar në Tiranë makinën e tipit “Range Rover”, që i ishte vjedhur John Terry, kapiten i ekipit të Chelsea, klubit të Premier League. Mjeti luksoz i Terryt, që ishte vjedhur në vitin 2008, ishte gjetur i parkuar në një nga rrugicat e zonës së ish-Bllokut, pasi disa banorë të zonës, të shqetësuar se mjeti nuk kishte lëvizur prej disa ditësh, kishin lajmëruar policinë. E pas verifikimeve kishte rezultuar se ajo me të vërtet ishte makina e mbrojtësit anglez.

Policia, e shtetit shqiptar pati deklaruar  se” nuk e dinte ekzaktësisht se kur mund të kishte hyrë në Shqipëri, mjeti i pajisur me GPS. Gjithashtu, policia pati thënë se targa ka qenë  po ajo e lojtarit të Chelsea, LT 55 EUO.

Policia deklaroi se “Ajo që dihej ishte me siguri se makina kishte mundur të mbërrijë në Shqipëri, përmes një emigranti shqiptar, që banon në Angli dhe që është me origjinë nga Burreli, por poliicia s’mundi të thoj atëhere  nëse ai ka qenë vjedhësi i “Range Roverit”. Megjithëse, policia kishte nisur hetimet për të gjetur autorin e vjedhjes, ndërkohë që pas verifikimeve Policia e shetit shqiptarë thuhet se automjetin ia dorëzojë  policisë britanike.

Po kjo nuk është hear e parë që mjeti i një futbollisti evropian gjendet brenda kufijve Shqipërisë. Të njëjtin fat të grabitjes nga shqiptarët pësuan edhe dy fotbollist të tjerë. Në shkurt të 2009, po ashtu u gjet në Shqipëri “Range Rover” që në 2006-n i ishte vjedhur lojtarit të Milanit, Gennaro Gattuso. Makinës, që iu kap një të riu shqiptar, i ishte ndryshuar numri i shasisë dhe targa.

Kurse në vitin 2005, autoritetet maqedonase pikasën në kufirin me Shqipërinë, në Qafë Thanë një makinë të vjedhur në Madrid, që i përkiste futbollistit anglez David Beckham

 

Filed Under: Kronike Tagged With: B Sina, Berhamit, i vjedhin Veturen

Në rendin e ditës gjyqësori në veriun e Kosovës

February 12, 2014 by dgreca

Pas 220 orë bisedimesh kryeministrat e Kosovës e Serbisë takohen sot (12.02) për të 22-tën herë në Bruksel. Suksesi i dialogut Beograd-Prishtinë është evident, siç janë evidente edhe çështjet e pazgjidhura.Raundi i sotëm i 22-të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës është vazhdim i bisedimeve të 27 janarit, kur të dy delegacionet nuk arritën të bien dakord për dy çështje kyçe të marrëveshjes së Brukselit: përfshirjen e sistemit gjyqësor të veriut, institucionet, gjykatësit dhe prokurorët serbë në një sistem unik kosovar të drejtësisë, si dhe formimin dhe funksionimin e asociacionit të komunave serbe. Bashkimi Evropian pret që edhe këtë vit të vazhdojnë negociatat për zbatimin e të gjitha çështjeve të pambyllura nga marrëveshja e prillit dhe sipas fjalëve të kryeministrit serb, Ivica Daçic, çështja e organizimit të gjykatave në veri të Kosovës është e para në rendin e ditës.”Nuk kemi arritur të biem dakord dhe ekzistojnë dallime të mëdha në qëndrime”, pati thënë Dacic pas raundit të janarit të bisedimeve në Bruksel. Ai shpjegoi se Prishtina ende këmbëngul që në juridiksionin e gjykatës komunale në Mitrovicë, përveç katër komunave serbe, të përfshihen edhe tri komunat me shumicë shqiptare në jug të lumit Ibër, gjë që në mënyrë të konsiderueshme ndryshon përbërjen etnike të rajonit në fjalë.” Qëndrimi i Beogradit është se kjo cënon direkt parimin, për të cilin është rënë dakord, përfaqësimn e policisë dhe gjyqësorit në bazë të strukturës etnike në terren.

Një çështje tjetër është krijimi i asociacionit të komunave serbe. Në Mitrovicën e Veriut me 23 shkurt pritet përsëritja e votimit për kryetar bashkie. Duhet të pasojë edhe hartimi i statutit dhe konstituimi i komunave të asociacionit serb, të cilat, sipas fjalëve të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, duhet të ketë formën dhe kompetencat, që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. “Krerët lokalë thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe unë mezi pres të fillojmë të zgjidhim çështjet praktike”, tha kryeministri i Kosovës, me rastin e zgjedhjes së kryetarit të bashkisë në komunat serbe.

A do të ndryshojnë zgjedhjet dialogun mes Prishtinës e Beogradit?

Përveç përsëritjes së zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, në Bruksel do të mund të diskutohet edhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 16 mars, mënyrën se si ata mund të ndikojnë në rrjedhën e mëtejshme dhe dinamikën e dialogut në Bruksel, por edhe për zgjedhjet parlamentare, që mund të mbahen në shtator të këtij viti në Kosovë. Kryeministri i Serbisë me këtë rast u bëri thirrje serbëve të Kosovës: “Serbët duhet të dalin në zgjedhjet parlamentare. Pyetja kryesore është se si të binden serbët në veri të Kosovës që të bëhen konstruktivë dhe se bashkëpunimi është në interesin e tyre”, tha Daçiç.

Temë e bisedimeve të sotme në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të mund të jetë edhe arrestimi i njërit prej udhëheqësve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, që ka ndodhur pikërisht në këtë moment delikat për asociacionin e komunave serbe.
Në bisedimet në Bruksel, përveç dy kryeministrave dhe përfaqësueses së lartë i Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, duhet të marrë pjesë zëvendëskryeministrin i parë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dacic, takimi ne bruksel, Thaci

Dëshmitë e para kundër grupit të dyshuar për terrorizëm

February 12, 2014 by dgreca

Nga Zijadin GASHI/

Gjashtë të arrestuarit nga grupi prej shtatë personave të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë, kanë dalë të martën vonë para Gjykatës në Prishtinë, ku përmes një video lidhje janë dëgjuar dëshmitë e dy shtetaseve amerikane.
Ato pretendojnë se ishin rrahur në mënyrë brutale nga të arrestuarit. Dy shtetaset amerikane shërbenin si misionare të Kishës së Jezusit të Shenjtë të Ditës së Fundit dhe ishin pjesë e një misioni me seli në Tiranë në kuadër të Misionit të Adriatikut Jugor, i cili përfshin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Prokurori i EULEX-it, Robert Kucharski është në krye të këtij hetimi.
Të dyshuarit, sipas hetimeve të para dyshohet se ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të rënda të lidhura me terrorizëm e që ishin të nxitura nga motivet e urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar.
Avokati Bajram Tmava, i cili mbron në këtë rast të dyshuarin, Nuredin Sylejmani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij, mes tjerash, po ngarkohet edhe për përgatitje për terrorizëm.
“Klienti im ngarkohet për përgatitje për terrorizëm, ngarkohet për sulm fizik dhe për përçarje, nacionale, fetare e tjera…janë gjetur disa armë, një sasi e armëve te klienti im, mirëpo ne e kemi tezën e mbrojtjes se për çka ato armë janë gjetur dhe për çka kanë qenë të dedikuara”, ka thënë Tmava.
Gjatë arrestimit dhe bastisjeve te këta persona, të cilët dyshohet si i takojnë një grupi të organizuar janë gjetur armë, municione e mjete tjera që janë klasifikuar si dyshime për terrorizëm.
Provat që janë siguruar, sipas pretendimeve të Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të ndryshme penale me motiv doktrinën radikale fetare, tipike me xhihadin.
Avokati, Nikë Shala i cili mbron klientin e tij, Valon Shala ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai dyshohet për përgatitjen e akteve terroriste kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Sa i përket kësaj veprës penale për të cilën dyshohet ai e ka mohuar në mënyrë kategorike se nuk ka të bëj fare me të. E vërteta është që në shtëpinë e tij me rastin e bastisjes është gjetur një armë ajrore dhe sasi municioni. Për këtë vepër penale, armëmbajtje pa leje, do të thotë klienti im e ka pranuar, por sa i përket veprës tjetër që dyshohet për përgatitje të veprës terroriste ai e mohon në mënyrë kategorike”, ka thënë avokati Shala.
Të arrestuarit nën dyshime për terrorizëm janë; Genc Selimi, Nuredin Sylejmani, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Musli Hyseni, Bekim Mulolli dhe Fidan Demolli. Ky i fundit është ende në arrati.
Ata janë arrestuar më datën 5 nëntor 2013. Këta 6 persona janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë.
Ky grup në mesin e të cilëve njëri është i kthyer nga Siria, janë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani.
Deri më tani, ndaj tyre ende nuk është ngritur aktakuzë dhe se ata janë nën veprime hetimore.
Një zëdhënës i EULEX-it në Prishtinë, Blerim Krasniqi ka prezantuar një pasqyrë të rasteve të dyshuara dhe hetuara për terrorizëm në Kosovë.
“Prokurorët e EULEX-it momentalisht janë duke u marrë me tetë raste të terrorizmit prej të cilave tri janë në fazën preliminare, ndërkaq deri më tash prokurorët e EULEX-it kanë ngritur dy aktakuza për rastet e terrorizmit”, ka thënë Krasniqi.
Krahas formave tjera të terrorizmit, në Kosovë po bëhen përpjekje të parandalohen dhe luftohen aktet që kanë të bëjnë me formën e karakterit fetar.
Një nga indikatorët që autoritetet kanë vlerësuar se mund të ndikoj tani në shtimin e akteve dhe veprimeve terroriste është fenomeni i pjesëmarrjes së shtetasve të Kosovës në luftën e Sirisë.
Së fundit, qeveria e Kosovës ka proceduar për miratim në Kuvend edhe
Projektligjin me të cilin u ndalohet qytetarëve të Kosovës që të përfshihen në konfliktet e armatosura jashtë territorit të shtetit.
Projektligji e përcakton si veprën të dënueshme penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Deshmite, kunder grupit, te dyshuar, terrorizem

STRATEG I LUFTËS, ARKITEKT I PAQES

February 12, 2014 by dgreca

 Nga Azgan HAKLAJ/

Para disa kohësh, nën titullin “Një hero i kohës sonë”, shkrimtari dhe publicisti i njohur Besnik Mustafaj, botoi një shkrim në formën e një portreti vertikal kushtuar Ali Ahmetit, njërit nga figurat më karizmatike të politikës së botës shqiptare. Në këtë shkrim thuhen vetëm disa të vërteta të pjesshme rreth figurës së këtij shqiptari të madh, që me kontributet e tij për çështjen shqiptare ka hyrë në analet e historisë më të re të shqiptarëve.

Fill pas këtij shkrimi, si gjoja replikë, botohet në gazetën “Lajmi” dhe në disa të përditshme të Tiranës shkrimi me titull “Heroi i Anscluss të kohës sonë” , i autorit Fejzi Hajdari, ku me një stil të denjë për pleniumet e dikurshme të Byrosë Politike autori rrekej të hidhte baltë mbi figurën shumëplanëshe të Ali Ahmetit. Artikullshkruesi është botues i të përditshmes “Lajmi” që botohet në Maqedoni dhe dihet nga të gjithë shqiptarët e Maqedonisë por dhe më gjërë shkalla e agresivitetit me të cilin ky organ sulmon në mënyrë permanente Ali Ahmetin dhe partinë e tij. Nuk është hera e parë që ky botues mpreh lapsin dhe ia bën fora, duke zbuluar, as më shumë e as më pak, varfërinë e tij intelektuale dhe mjerimin e gazetës që drejton. Nuk ia vlen të merremi as me analistin në fjalë, as me shtysat e tij të motivuara apo emotive, në tentimin për “zbehjen” e njërit nga politikanët më popullor e më të rëndësishëm të kombit shqiptar.

Ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë histori është fakti se ne nuk i kemi aq të shumta figurat si Ali Ahmeti, përkundrazi kemi shumë nevojë për njerëz vizionarë e idealistë si ai, njerëz që kanë lënë gjurmë në kohën e tyre e ndër bashkëkohësit dhe vazhdojnë të ecin me të njejtin ritëm atdhetar, me këmbët të mbështetura fort në trojet tona etnike dhe në kauzën tonë historike.

Në këtë shkrim nuk do të tjerrim gjatë fjalë, por do të flasim për disa nga pikat kulmore të veprimtarisë politiko-atdhetare të Ali Ahmetit dhe rolin e tij të rëndësishëm ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjërë, për të zgjuar vetëdijën e hapësirave të lirisë së munguar ndër shqiptarë dhe për të penguar depërtimin e strukturave shovene në Shkup.

Duhet thënë se Ali Ahmeti është njëri nga drejtuesit më të rëndësishëm të Lëvizjes Studentore në vitin 1981, në Kosovë, veprimtari për të cilën dhe për të tjera në dobi të kauzës shqiptare, ka qenë i dënuar me vdekje për njëzet vjet rresht nga gjykata serbe.

Në vitet 1984-1986 ka ndihmuar në ripërtërirjen e lëvizjes studentore dhe popullore në Kosovë.

Në vitin 1986, Ahmeti fiton azil politik në Zvicër, ku jeton deri në vitin 2001 dhe vepron si koordinator i grupeve të ndryshme.

Në vitet 1988-1989 ai është njëri nga udhëheqësit e protestave të minatorëve dhe studentëve, të cilat për herë të parë e sfiduan seriozisht regjimin e Sllobodan Miloseviçit.

Në vitet 1989-1990, ai ka qenë njëri nga organizatorët e protestave masive të diasporës shqiptare nëpër Europë.

Mbështetjen e tij politike gjatë këtyre viteve Ahmeti e ka pasur në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në vitin 1986 ai është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, me detyrë ndërlidhjen ndërmjet Kosovës dhe Europës. Në vitin 1988 ai është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, funksion në të cilin është rizgjedhur në vitin 1993, me detyrë speciale sektorin ushtarak.

Në vitin 1996, në vlugun e rritjes së presionit dhe dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës, Ahmeti ka qenë njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998, në fillim të luftës, ai është zgjedhur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2001 Ahmeti zgjidhet Komandant Suprem dhe Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Pas Marrëveshjes kornizë të Ohrit të nënshkruar në gusht dhe shpërbërjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në shtator të këtij viti, Ahmeti angazhohet aktivisht në procesin e implementimit të Marrëveshjes Kornizë. Për këtë qëllim, në fillim të vitit 2002 ai e inicoi dhe u emërua Kryesues i Këshillit Koordinues që bashkonte partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe strukturat e mëparshme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në një platformë të dizenjuar për ta shtyrë përpara implementimin e marrëveshjes paqësore.

Në qershor të vitit 2003, Ahmeti themelon Bashkimin Demokratik për Integrim dhe zgjidhet Kryetar i kësaj partie. Në shtator të vitit 2002, Bashkimi Demokratik për Integrim e fitoi besimin e shumicës dërrmuese të elektoratit shqiptar në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë. Ali Ahmeti u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim hyri në koalicionin qeveritar. BDI mbanë pozicionet e një Zëvendës-Kryeministri, 5 ministrave dhe pesë zëvendës-ministrave.

Pra, Ahmeti është njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë, aktor kryesor i Marrëveshje së Ohrit, njëri nga politikanët më të vendosur në aksionin politik për ridimensionimin e çështjes sonë kombëtare në Gadishullin e vjetër dhe në Europën moderne.

Ai është njeriu që çoi Skënderbeun, arkitektin e Nëntorit të parë të shqiptarëve në Shkup, për të dëshmuar vijimësinë e qëndresës shqiptare, përballë çdo humbje në kohë dhe harrim. Gjithashtu solli në Shkup shtatoren e Nënës Terezës, ikonës së lirisë dhe drejtësisë sociale të botës sonë, modelit të njeriut që u ngrit mbi unin e e saj dhe mbi çdo ego njerëzore, në emër të më të varfërve dhe më të rrënuarave të botës sonë.

Ali Ahmeti kremtoi me madhështi 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pasi pati festuar me po kaq madhështi e solemnitet 100 vjetorin e Kuvendit të Shkupit, tokës së Justianianit e Nënë Terezës, i cili dhe falë këtij heroi të kohës sonë e ka ruajtur të pacënuar identitetin shqiptar, rrënjët e botës së vjetër të kombit tonë.

Nuk ka trevë të trojeve tona etnike, ku të mos ketë shkelur këmba e Ahmetit, duke mbjellë në çdo zemër shqiptare besimin tek kauza jonë, e cila është bërë një realitet në veprim, më dinjitoze dhe më largpamëse se kurrë, edhe falë këtij burri të shquar të kombit shqiptar.

Për të gjitha këto e për të tjera që nuk është vendi të radhiten në këtë shkrim modest, shqiptarët e votuan atë dhe partinë e tij tani në zgjedhje, duke e nxjerrë rishtas fitues në garën politike, çfarë tregon se kredoja e figurës së tij ka ardhur në rritje, krahas me besimin e shqiptarëve tek ai e PDI-ja, si faktorë për pengimin e strukturave asimiluese shovene ndër shqiptarët e Maqedonisë.

Unë kam pasur rastin fatlum që si President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar të bashkëpunoj me këtë politikan energjik dhe atdhetar vizionar dhe ai ka qenë mbështetës i veprimtarive të këtij Unioni në Strugë, Shkup, Dibër të Madhe dhe Gostivar. Për të gjitha këto, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar i ka propozuar komunës Margegaj, vendlindjes së Haxhi Zekës, udhëheqësit të Lidhjes së Pejës “Besa-besë” , vazhdues i platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ta shpalli zotin Ali Ahmeti “Qytetar Nderi” , titull të cilin ai e gëzon.

Ali Ahmeti është një strateg i luftës dhe arkitekt i paqes, jo vetëm në Maqedoni e Kosovë, por në gjithë hapësirën etnike shqiptare, pasi kauza e tij ka qenë njësh me kauzën kombëtare, vizioni i tij kanë qenë njësh me vizionin euro-atlantik të një kombi historik të ridimensionuar në Ballkan, në bazë të kësaj të drejte, e cila mund të vonojë, por nuk mund t’i shpëtojë verdiktit të kohës sonë.

Në hapësirën e trojeve shqiptare në kohën e pas luftërave çlirimtare kanë ndodhur shumë paradokse, por më dukshëm doli e po del gjithnjë e më shumë në pah për të gjithë popullin dhe opinionin publik mbarëshqiptar kthesa rrënjësore të disa veprimtarëve të dikurshëm të çështjes kombëtare shqiptare, kthimi i tyre në mercenarë të paguar, në përbaltës profesionist, në mbrojtës besnik të pushtuesve dhe kolonizatorëve sllavo-grekë, të cilët duket se janë porositësit e kaosit mbarëshqiptar, porsositësit dhe sponsorët e shkrimeve të këtij soj, shkrime që duket se mbajnë erë.Të gjitha këto të vijnë ndërmend për këtë burrë peshërëndë të Shqiptarisë, teksa lexon shkrimin e Fejzi Hajdarit, shkrim që nuk çon ujë askund, përveçse në mullirin shoven, në atë mulli, të cilit ujin ia kanë ndërprerë tash dhjetë e më shumë vjet Ali Ahmeti me bashkëluftëtarët e tij.Zoti Hajdari, që nuk lë rast pa sulmuar në fletushkën e tij gjithëkënd që nuk mendon si editorialet e tij të sajuara me ngut, për shkak të ankthit të ustallarëve porositës , bën mirë të dijë dhe të bëjë me dije dhe lexuesit e tij të paktë (pasi shumica e shqiptarëve tashmë e dinë), se Maqedonia po shqiptarizohet ndoshta me hapa disi të ngadalshme, por të sigurtë dhe meritë për këtë ka dhe politikani mendjehollë dhe vizionar, Ali Ahmeti.

___________________________

*Autori është president i Unionit Artistik tw Kombit Shqiptar, antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 2001-2005

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arkitekt i paqes, Azgan haklaj

Njeriu i aksioneve të guximshme që nuk e priti çlirimin e Kosovës

February 12, 2014 by dgreca

Shkruan: Sabit Abdyli/

“Kabashi i takonte grupit të luftëtarëve që haptas njiheshin si luftëtarë të luftës së ftohtë. Katër herë u lëshua me parashutë në malet e Shqipërisë, mes viteve 1949-1953, në misione sekrete për ta rrëzuar qeverinë komuniste” – shkruan gazeta “Buffalo News”, në artikullin “Luftëtari i luftës së ftohtë”, me rastin e vdekjes së Shaqir Kabashit, në faqen e parë të saj më 27 dhjetor 1997

Shaqir Kabashi ishte një ndër pjesëtarët më aktivë të operacioneve anglo-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet 1949-1953. Shaqiri u lind në vitin 1925 në Kabash, fshat ky i njohur në Anamoravë  për sakrifica e flijime për çështjen kombëtare. Po përmend këtu disa prej flijimeve të familjes së Shaqirit: Gjyshi i tij, Ibrahim Ahmet Kabashi u vra nga forcat e Turgut Pashës më 1910 bashkë me kushërinjtë e tij të parë, Adem e Mustafë Kabashin. Agushi, vëllai i gjyshit të Shaqirit, vritet më 1913 bashkë me 50 e më tepër kushërinj të tjerë nga forcat serbe, Tafa /kushëri/ vritet më 1943, Hamdi e Bajram Kabashi /kushërinj të parë të Shaqirit/ vriten më 18 prill 1945 në malet e Kopilaçës në luftë me Brigadën XVII sllavo-maqedonase.  Hasani, komandant batalioni /axha i Shaqirit/, plagoset për vdekje duke çarë pritën  në kufirin maqedonas-grek, me 28 nëntor 1945 /varri nuk i dihet/, Rexhepi, zëvendëskomandant batalioni  /kushëri i parë/ në dhjetor të vitit 1945 vdes në Follorinë /Greqi/, Ibrahimi /vëllai/ në vitin 1951 vritet nga forcat e sigurimit shqiptar dhe Ahmeti  /kushëri i parë/  në vitin 1953 gjatë desantimit në Shqipëri bie në grackën e Sigurimit shqiptar dhe dënohet me vdekje. I rrëmbyer nga ndjenja patriotike, Shaqiri në moshën 19-vjeçare u bë krah i fortë i çetave balliste që ishin vënë në mbrojtje të trojeve denbabaden shqiptare në Anamoravë të Kosovës e më gjerë. Fundja, ai po ndiqte rrugën e paraardhësve të tij, që kurrë nuk pushuan së luftuari kundër pushtuesit të huaj. Në çetat që vepronin në malet e Kopilaçës /1944-1945/ u çelikos për t’u përballuar katrahurave që sjell lufta. Shaqiri që kishte trashëguar cilësitë më të mira të të parëve të tij, dallohej si një ushtarak model, i zoti, trim dhe me mendje të shkathët. Në gjykime i drejtë, por herë-herë i rrëmbyer. Kundërshtar i devotshëm i komunizmit. Si pjesëtar i forcave anglo-amerikane disa herë mori pjesë në desantët e organizuar me parashutë nga territori grek, italian e gjerman kundër regjimit komunist në Shqipëri.  “ Z. Esat Bajraktari, shkruan Beqir Sinaj në gazetën “Bota sot”, 17 nëntor 2003, faqe 25, i cili e ka njohur nga afër Shaqirin, rrëfen: “Katër herë ka hy në Shqipni Shaqiri. Dy herë bashkë me Hamit Matjanin në Jug të Shqipnisë dhe dy herë tjera në Veri me Gjon Gjinin dhe Han Kotaren.”  Edhe pse kishte desantuar shumë herë, asnjëherë Sigurimi nuk arriti ta kapte, gjithmonë kthehej në bazën e nisjes i pamposhtur. Në desantin e muajit gusht të vitit 1951 i vritet i vëllai Ibrahimi. Ilegalisht vjen në vendlindje, nëntor 1950 dhe në vitin 1952 pas desantit në Shqipëri. Herën e dytë ishte i plagosur në këmbë. Shërohet  ilegalisht në shtëpinë e Xhemajl Azizit në Kabash dhe pas dy-tri javësh e kalon kufirin maqedonas për në Greqi. Kjo ishte hera e tretë /1945, 1950 dhe 1952/ që po e kalonte në këmbë, shkelte të njëjtën rrugë. Në aksionin maj-qershor të vitit 1950 në rajonin Mat-Mirditë, zonë e Kthellës, grupi diversant në mesin e të cilëve ishte Shaqiri me kushëririn e tij, Ahmetin, Beqir Bajgorën nga Peja, Hajredin Vuçetërnën, Destan Berishën etj. me komandant Riza Alijan nga Prizreni, ranë në pritë të forcave të Sigurimit shqiptar. Ja si e përshkruan betejën me forcat e ushtrisë dhe Sigurimit shqiptar antikomunisti Bardhok Ndreu: “S’kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç’anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija…”  (Marr nga artikulli i Dalip Grecës “Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin”, publikuar në gazetën “Standard,” 27. 12. 2008, Tiranë). Shërbimi sekret Amerikan e Anglez kur kuptoi se Kim Filbi po informonte sovjetikët për planet e tyre, ata i ndërprenë aksionet. Deri në vitin 1955  Shaqiri jetoi në Greqi, në kampin “Lavrios”. Në këtë kamp kishin qëndruar edhe Muharrem Bajraktari, Myftar Spahija, Luan Gashi, Halim Hodo etj. Pas një qëndrimi të shkurtër në Francë, në vitin 1956 vendoset përfundimisht në Amerikë. Në vitin 1966 i përmalluar për shokët, familjarët… Shaqiri vjen për vizitë në Turqi. Në Stamboll, çmallet me të vëllanë Destanin, motrën Faten dhe familjarët e tjerë të ardhur nga Kosova kastile për ta takuar Shaqirin. Në të kthyer për në Buffalo të Amerikës ndalet te kushërinjtë, shokët e luftës: Nezir e Mejdi Kabashi në Gjermani.  “Xha Shaqiri,– ishte i matur, i vëmendshëm, fjalëpakë, modest, mirë i informuar për situatën në të gjitha tokat shqiptare e më gjerë. Sa mori vesh se jam me profesion mësues, iu bë qejfi shumë. Kosovës, – tha disa herë, i duhen njerëz të ditur e të shkolluar. Djalin e vëllait, Salihun, që ishte vendosur në Stamboll për të jetuar, e urdhëroi: Kthehu nga ke ardhur. Atje, duhesh të qëndrosh! Guri i rëndë është veç në vend të vet.  Kisha dëshirë të fliste për rezistencën, për aksionet e rrezikshme të vitit 1944 -1945, desantët aq te guximshëm me parashutë në vitet 1949-1953, kalimin ilegal të kufijve Shqipëri-Kosovë,  Maqedoni-Greqi, por nuk e tha asnjë fjalë për atë periudhë.” /Ferat Abdyli, arsimtar, i lindur në vitin 1940 në Kabash, i cili u takua me Shaqir Kabashin në Stamboll, gusht 1966.  Gazeta “Buffalo News”, në artikullin, – Luftëtari i luftës së ftohtë – me rastin e vdekjes së Shaqir Kabashit, në faqen e parë të saj,  27 dhjetor 1997, shkruan: “Z. Kabashi i takonte grupit të luftëtarëve që haptas njiheshin si luftëtarë të luftës së ftohtë… katër herë u lëshua me parashutë në malet e Shqipërisë, mes viteve 1949-1953, në misione sekrete për ta rrëzuar qeverinë komuniste. Shaqir Kabashi bëri një jetë të qetë në Williamsville … Ai ishte shumë privat, thjesht kishte dëshirë të shkonte në punë dhe të kthehej në shtëpi. …  ka punuar në Tonawanda General Motors. …ishte njëri ndër luftëtarët e fundit të luftës së ftohtë…  nuk u martua kurrë.” Të qenunit e tij “shumë privat” dhe i heshtur mund të ketë ndodhur nga se, “Qeveria e Washingtonit i ka urdhëruar, me kërcënim ndëshkimesh ligjore, tëgjithë pjesëmarrjen e tyre në operacion dhe poashtu të mohojnë faktin se një operacion i tillë ka ndodhur.” (Sipas “Odiseja e një detektivi”, Ngjarje të jetuara,  kreu XXVI, Agim Hamiti)

Kam parë edhe të tjerë gjithandej Shqipërisë …

Në  vitet 1990 dhe 1993 vjen në Shqipëri në kërkim të eshtrave të vëllait të tij, Ibrahimit /1929-1952/. Pas shumë hulumtimeve këmbëngulëse, peripecive, harxhimeve të shumta arrin t’i gjejë eshtrat e Ibrahimit dhe i rivarros me të gjitha ceremonitë fetare në varrezat myslimane në Hilmar, afër Fierit. Në Kabash, në shtëpinë e tij, më 12 maj 2004, Habib Ahmet Agushi,  kushëri i afërt me Shaqirin,  derisa fliste për të atin, Ahmetin, i pushkatuar në vitin 1954, hulumtimet e tij për ta gjetur varrin, të cilin nuk e gjeti, takimin me Shaqirin në Shqipëri,  nën tymin e cigareve që i ndizte njërën pas tjetrës, më tha: “Pasi e rivarrosëm Ibrahimin, Shaqiri  për ta ngushëlluar veten  dhe mua,  i mërzitur ndërhyri me fjalët: U hoq qafe njëherë e përgjithmonë sistemi komunist, që na ka shkaktuar kaq shumë vuajtje, kaq shumë vdekje… nuk jemi vetëm ne që po kërkojmë varrezat e njerëzve tanë. Kam parë edhe të tjerë gjithandej Shqipërisë duke kërkuar eshtrat e burrave të zhdukur,  të cilët e kundërshtuan, nuk e deshën, e luftuan murtajën komuniste e cila ka lënë në zi përjetë familje të tëra. Fundi, bacoo, nuk i dihet burrit! Në vitet ‘50, ne kem desantuar këtu për ta përmbys regjimin komunist të vetëdijshëm se edhe mund të vritemi. Pas gjetjes së eshtrave të Ibrahimit,  Shaqiri  u lirua nga ankthi që e kishte munduar  dyzet vjet me radhë.  I gëzuar edhe për faktin e ardhjes së demokracisë në Shqipëri, ai e ndiente, besonte fort se edhe Kosova ka për ta gëzuar lirinë.  E përcolla me veturën time deri në kufi të Greqisë. U ndamë,  me shpresë se do të shihemi prapë,  por  Shaqiri nuk e priti 12 qershorin e vitit 1999, ditën kur nisi të valëvitet flamuri me shqipen dykrenore lirisht qiellit të Kosovës, vdiq më 18 dhjetor të vitit 1997 në Buffalo të Amerikës. Ceremonia mortore u mbajt në New Jersey, kurse u varros në Long Island  (New York).”   I ndjeri me testament i la Qendrës Islame Shqiptare të New York-ut dhe New Jersey-it mbi 400 mijë dollarë. Në shenjë nderimi, salla e xhamisë në Garfield të New Jersey-it  sot quhet, Salla “Shaqir Kabashi”.(Ne Foto:Shaqir Xhemë Kabashi 1927-1997)

Filed Under: Featured Tagged With: njeriu i aksioneve te guximshme, per clirimin e kosoves, Sabit Abdyli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4873
  • 4874
  • 4875
  • 4876
  • 4877
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT