GAZETARËT E PËSOJNË KEQ NË UKRAINË
NGA FRANK SHKRELI/
Kryengritja civile në Ukrainë vazhdon, ndërsa të dy palët kundërshtare kanë mbetur pezull duke kërkuar mbështetje jashtë vendit. Ndërkohë që thuhet se Rusia ka pezulluar, tani për tani, ofertën për ndihmë prej 15-miliard dollarësh kredi për Ukrainën, njoftohet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë duke përpiluar një program ndihmash për Ukrainën. Gjëndja e ndërlikuar në Ukrainë vazhdon, ndërsa protestuesit gjithnjë mblidhen për të protestuar në sheshin Maidan. Ata janë të zemëruar nga politika pro-ruse dhe vendimet e gabuara të presidentit ukrainas, Yanukovych si edhe nga ndërhyrjet e ashpëra të policisë dhe forcave të Ministrisë së Mbrendshme kundër protestuesve, ku bien në sy sidomos sulmet kundër gazetarve që mbulojnë protestat, sulme këto që kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat ndërkombëtare.
Gjithmonë në raste të tilla protestash e demonstratash kundër politikave të imponuara dhe kundër shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut kudo në botë, janë gazetarët dhe liria e gazetarisë në përgjithësi, që janë viktimat e para, duke qenë të parët që pësojnë ndëshkimin nga dora e rëndë e shtetit dhe e policisë. Kështu po ndodhë edhe në Ukrainë. Jo se gazetarët ukrainas kanë gjë të bëjnë me protestat dhe kryengritjet civile, por si zëdhënse të së vërtetës që duhet të jenë për publikun, shteti dhe policia nuk janë të interesuar që e vërteta t’i njoftohet botës mbi ato se ç’po ndodhë në sheshet dhe rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase. Andaj qëllimi është kërcënimi dhe frikësimi i medias, ashtuqë gazetarët të qëndrojë larg dhe të mos njoftojnë të vërtetën mbi protestat dhe mbi dhunën e shtetit kundër qytetarëve të vet.
Njoftohet se gjatë protestave të vazhdueshme në Ukrainë, policia me sulmet e saj ka plagosur dyzina gazetarësh. Instituti Ukrainas për Media thotë se ka pëpiluar një listë me 60 emëra gazetarësh të rrahur e të plagosur. 48 prej tyre, sipas Institutit, janë plagosur në kryeqytetin Kiev, ndërsa të tjerët në qytete të tjera ukrainase siç janë Cherkasy, Dnepropetrovsk dhe në Zaporozhye. Ndërkaq, organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch me qëndër të New York, thotë në një raport mbi sulmet kundër gazterave në Ukrainë se, në të vërtetë numri i gazetarve të sulmuar dhe të rrahur gjatë protestave në Ukrainë mund të jetë më i madh se ç’raportoi Instituti Ukrainas për Median, pasi vet kjo organizatë ka dokumentuar abuzime dhe sulme ndaj disa gazetarve që nuk përfshihen në listen e Institutit Ukrainas për Median.
Human Rights Watch u bën thirrje partnerve ndërkombëtarë të Ukrainës që të bëjnë hetime mbi shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit e këtyre abuzimeve të dalin para drejtësisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Organizata Human Rights Watch citon përfaqsuesen e saj Anna Neistat, e cila gjëndet në Kiev se, “Është e mundur që një gazetar ose një infermier të qëllohet aksidentalisht gjatë konfrontimeve me dhunë, por jo të sulmohen me dyzina përfaqsues të medias”, sidomos kur ata e identifikonin veten qartë, si përfaqsues të medias. Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch thotë se “Sulmet kundër gazetarëve të cilët mbulojnë protestat publike, janë kundër obligimeve ndërkombëatre që ka marrë përsipërUkraina për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të obligimit për të respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes, përfshirë lirinë e medias.”
“Gazetarët dhe infermierët ishin duke kryer punën e tyre profesionale, ishin të pa-armatosur dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë gjatë protestave në Kiev”, tha Ana Neistat e Human Rights Watch. Si rrjedhim, Human Rights Watch i bën thirrje OSBE-së dhe Këshillit të Europës, anëtare e të cilave është edhe Ukraina, që në lidhje me këto akte kriminale,të fillojnë menjëherë hetimet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Ukrainës, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut. Më heret, edhe OSBE-ja kishte shprehur shqetësimet e sajë mbi përdorimin e dhunës nga policia ukrainase kundër gazetarve në protestat e Kievit gjatë dy muajve të fundit.
Edhe organizata për mbrojtjen e gazetarave, “Reporterët pa Kufijë” me qëndër në Paris, i ka dënuar sulmet e dhunëshme kundër gazetarve ukrainas gjatë përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të sigurimit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës. “Sulmet e qëllimshme kundër përfaqsuesve të medias janë të papranueshme, rreth të cilave duhet të zhvillohen hetime të plota dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qetësohen dhe të respektojnë punën e përfaqsuesve të medias. Dhe gazetarët e burgosur gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale duhet të lirohen menjëherë”, thuhet në deklaratën e “Reporterve pa Kufij’’
Sulmeve kundër përfaqsuesve të medias gjatë protestave civile në Kiev nuk u kanë shpëtuar as gazetarët ukrainas që punojnë për media ndërkombëtare siç janë Radio Europa e Lirë dhe Zëri i Amerikës. Në një noftim për median para disa ditësh, Bordi i Governatorve që mbikqyrë transmetimet ndërkombëtare të Shteteteve të Bashkuara njoftoi se Presidenti i Radio Europës së Lirë, Kevin Klose dhe anëtari i Bordit, Mathew Armstrong arritën në Kiev për tu takuar me gazetarët që punojnë për entet amerikane të transmetimeve të lajmeve në Ukrainë, dhe njëkohsisht për të denoncuar dhunën e përdorur kundër gazetarve dhe për tu bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës që të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare për respektimin e lirisë së shtypit dhe që të të garantojnë zbatimin e të drejtave bazë të gazetarve, përfshirë mbrojtjen e tyre nga dhuna. Përfaqsuesit e transmetimeve ndërkombëtare amerikane, u takuan me gazetarët e Radio Europës së Lirë në Kiev. Ata lavdëruan kurajon dhe angazhimin e tyre për të mbuluar potestat publike gjatë dy muajve të kaluar, megjith vështirsitë me të cilat janë përballuar. ”Një shoqëri e lirë nuk rrah gazetarët profesionistë ndërsa janë në krye të detyrës së tyre,” tha Kevin Klose.
Mathew Armstrong, anëtar i Bordit që mbikqyrë transmetimet e Radio Europës së Lirë dhe të Zërit të Amerikës, tha se Bordi që ai përfaqëson, “Dënon ashpër sulmet e policisë kundër gazetarve në Ukrainë. Përkrahja jonë për kolegët tanë të Radios Europa e Lirë dhe të Zërit të Amerikës që punojnë këtu, është e palëkundshme”. Ai shtoi se, “Ne bejmë thirrje që ata që kanë bërë sulme dhe abuzime të tilla kundër gazetarve, si dhe ata që dhanë urdhër për këto sulme, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.” Sipas njoftimit të Bordit të transmetimeve amerikane ndërkombëtare, zotërinjtë Kevin Klose dhe Mathew Armstrong u takuan edhe me ambasadorin amerikan në Kiev, Z. Geoffrey Pyatt, i cili gjithashtu bëri thirrje për bërjen e hetimeve ndaj sulmeve kundër gazetarve dhe i kërkoi policisë dhe forcave të sigurimit ukrainas që të kryejnë detyrëne tyre në mënyrë profesioanle duke respektuar dhe duke mbrojtur të drejtën e gazetarve që të punojnë pa frikë në një mjedis të sigurt.”
Historikisht, sa më i fortë dhe më i vendosur që të jetë autoritarizmi shtetëror dhe policor i një vendi, aq më e madhe është dhuna dhe abuzimet kundër gazetarve, përfaqsuesve të medias dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. Duket sikur diktatura dhe lufta kundër gazetarisë së lirë dhe të pavarur gjithmonë kanë shkuar dorë për dorë. Gjithmonë, gazetarët janë të parët që e pësojnë nga zemërimi dhe hidhërimi i diktatorëve dhe pseudo-diktatorëve. Kjo ishte e vërtetë gjatë diktaturës komuniste, kjo është e vërtetë edhe sot, siç tregon rasti i përdorimit të dhunës kundër gazetarve në Ukrainë, si dhe ushtrimi i dhunës dhe burgosja e gazetarve gjatë protestave anti-qeveritare në Turqi, kohë më parë. Fatkeqsisht, Ukraina dhe Turqia janë vetëm dy shembuj të fundit të abuzimit të të drejtës së fjalës së lirë dhe të keqtrajtimit të gazetarve. Sepse, siç ve në dukje organizata Freedom House në indeksin e saj të fundit mbi Lirinë e Stypit në botë, vetëm 14.5 e qytetarëve të botës jetojnë në vendet që gëzojnë lirinë e medias. Në pjesën tjetër të botës, sipas saj, qeveritë dhe aktorë jo-qeveritarë kontrollojnë median, pikpamjet dhe lajmet që ato i paraqesin qytetarve dhe njëkohsisht shtypin brutalisht zërat e pavarur, të cilët përpiqen të promovojnë përgjegjësinë e enteve shtetërore në kryerjen e detyrës që u ka besuar populli, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Bazuar në përvojën e saj në përkrahje të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lire anë e mabnë botës, Freedom House thotë se, kufizimet ndaj medias së lirë dhe të pavarur, shpeshëherë janë një tregues se pasi t’i kenë shpallur luftë medias, qeveritë zakonisht fillojnë të sulmojnë edhe institucionet e tjera demokratike.
Prandaj, për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe në të drejtat bazë, universale të njeriut, për veten dhe për të tjerët, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë dhe të pavarur duhet të jetë një obligim i të gjithëve. Sepse, siç ka thënë edhe Tomas Xhefersoni, arkitekti i Kushtetutës amerikane dhe i lirive bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit — “shtypi i lirë është thelbësor për funksionimin e një demorkacie”. Ashtuqë, do të ishte mirë që autoritetet qeveritare kudo qofshin ato në Kiev, në Ankara, në Uashington, Moskë, Pekin ose Tiranë, të mbrojnë dhe të lejojnë funksionimin normal dhe pa presione politike ose ekonomike të shtypit të lirë dhe të pavarur, duke mos ndërhyrë në punën e tij.
VAÇJA JONE
NGA ROZI THEOHARI/ Boston/
Kur familja ime u shpërngul nga qyteti i Korçës për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë, gjatë paketimit të plaçkave, palosa me kujdes dhe kostumin e korit, bluzën e bardhë dhe fundin blu. Kostumi do të më duhej në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, ku u regjistrova në të njëjtën klasë me Vaçe Zelën dhe këndova në të njëjtin kor bashkë me të.
Ishin ditët e “etheve” për përgatitjen e festës më të rëndësishme artistike të çdo viti në kryeqytet, ”Mbrëmja e miqësisë shqiptaro- sovietike.
“Dirigjenti i korit të gjimnazit (nuk ia mbaj mend emrin) ishte një anetari korit të Teatrit të Operes.
Ai punonte me zell, preokupim e këmbëngulje, për të përgatitur një kor me dinjitet artisitik, për t’i shërbyer si sfond e njëkohësisht për t’u shkrirë e bërë njësh me zërin melodioz të solistes sonë, Vaçe Zelës.
I pakënaqur nga kori ekzistues, shkoi me durim klasë më klasë, per te dëgjuar e provuar zërat e nxënësve. Midis të tjerëve u veçova dhe unë, mbasi kisha kohë që këndoja në korin e “Shtëpise së Pionierit”, në qytetin e lindjes.
Nuk do ta harroj ditën e parë të provave të korit. Aty e njoha Vaçen, para se ta njihja në klasë. Ajo hyri në sallë me të ecurin e saj të lehtë, e thjeshtë dhe gazmore. Ndërkaq ne ishim lodhur e ngjirur se përsërituri këngën, ndërsa dirigjentit i rridhnin djersët faqeve. Ai e ftonte Vaçen para korit vetëm kur ishte i bindur se kënga ishte përvetësuar mirë dhe ne këndonim të gjithë në një kohë e të përqendruar. Këngët zakonisht ishin zgjedhur të gjitha nga repertoret e republikave sovietike dhe ne, po ashtu, duhet t’i këndonim dhe interpretonim duke imituar koret e famshme ruse.
Kishin mbetur vetëm dy javë nga dita e koncertit të madh.
Si për dreq, atë javë ra një grip i rëndë në Tiranë, që përfshiu të madh e të vogël. Vaçja u sëmur si gjithë të tjerët, saqë nuk mund të nxirrte një tingull nga gryka. Preokupim i madh i dirigjentit, i nxënësve e mësuesve të gjimnazit, deri tek prindërit tanë.
Gjyshja ime, që thurte me shtiza një palë çorape të leshta, më tha: “Bija e nënës, shpjerja Vaçes t’i mbathë t’i rrinë këmbët ngrohtë. Ajo fle në konvikt, s’e ka familjen të kujdeset për të”.
Por për Vaçen kujdeseshin të gjithë. Mësuesit e këshilluan të rrinte brenda e të mos vinte në shkollë. Mësimet e mbetura, ia shpjegonin shoqet, të cilat nuk harronin ta mbështillnin me shallë e mbulesë, sa ia merrnin frymën. Çdo mëngjes, kur vinin konviktorët në shkollë, i pyesnim me shqetësim, “A i erdhi zeri Vaçes?” Së fundi, ato na sollën lajmin e gëzuar: “Vaçja është në formë!”
Ora tetë e një mbrëmjeje të ngrohtë prilli. Salla e madhe e Teatrit gumëzhinte nga zërat e të qeshurat e të ftuarve dhe tingujt e provave të orkestrantëve. Ne rrinim të ngrirë prapa perdes së kuqe, të kadifenjte. Në shkallëzat e skenës qëndronim gatitu, njëri pas tjetrit katër rreshta koristësh, dy të parat me vajza, dy të fundit me djem. Të veshur bardhë e blu e të ndarë në tri zëra. Unë isha në zërin e parë, në rreshtin e parë, nga ku e dëgjoja më pranë zëëmblen Vaçe. Ishte vendosur që kori i gjimnazit tonë të hapte mbrëmjen artistike. Sigurisht, merita ishte e zërit të Vaçes. Ne të tjerët ishim përfituesit, por edhe përgjegjësit, për të mos e turpëruar këngëtaren dhe shoqen tonë.
Në sallë ra përnjëherë qetësia. Sapo kishin ardhur përsonalitetet e larta të vendit, delegacionet e ftuara sovjetike dhe perfaqësitë e ambasadave të Tiranës. Zemra sa s’po na dilte nga kraharori, mbushur me emocione të forta. Përpara nesh, në qendër të gjysmërrethit të skenës qëndronte Vaçia, veshur me një bluzë ta bardhë e fund të zi, me trupin e hollë si llastar, me një buzëqeshje të lehtë nderur mbi fytyrë. Ishte e qetë dhe here pas here kthente kokën nga ne të na jepte zemër.
Kur u hap perdja, një kor duartrokitjesh sikur na solli në vehte e morëm frymë lirisht. Vaçia, bëri dy hapa para, bashkoi duart prapa dhe ia përkuli pak kokën publikut. Përsëri duartrokitje dhe më pas mbizotëroi një heshtje e thellë. Orkestra filloi melodinë e refrenit të këngës ukrainase “ Lumi i Dnieprit.”
Dirigjenti na i rrotulloi sytë përnjimend, pastaj me levizjen e dorës së tij të majtë i dha shenjë Vaçes të fillonte.
Një zë i butë, fluid, me intonacione të gjata, duke u ngritur lart note pas note, një gjerësi frymëmarrjeje. Mua më ka mbetur e fiksuar si një mrekulli, një marramenth, një hon dallgësh, që ta rrëmbente shpirtin e ta përplaste lehtë në brigjet e lumit. Ky ishte zëri i Vaçes atë mbrëmje dhe fjalët e këngës së saj:
Ja si buçet ky Dnjepr’ i gjerë/ Dafinen era e përkund/ Dhe dallgët i çon si mal i lartë/ I hedh përpjetë e prapë i ul.
Dy vargjet e fundit, refrenin, e përsërisnim ne, kori, duke lëkundur lehtë trupat tanë, të katër rrjeshtat e bluzave të bardha, në drejtime të kundërta, për të dhënë imazhin e dallgëve. Megjithëse këtë lumë nuk e kishim parë kurrë, oshëtimën, bukurinë dhe madhështinë e tij e ndienim dhe e përjetonim në vokalin e papërseritshëm të shoqes sonë të klasës.
Kur Vaçja filloi të këndonte strofën e dytë: Tej në katund të gjithë flenë/ Kudo qetësia mbretëron…/ Në sallë mbretëronte qetësia. Njerëzit rrinin të magjepsur dhe të hipnotizuar nga zëri i një vajze të talentuar 15-vjeçare. Në fytyrën e rusëve dallohej habia e adhurimi, ndërsa në atë të udhëheqësve, krenaria. Në sytë e prindërve tanë shkëlqenin lotët… lexohej gëzimi i papërmbajtur.
Së fundi, duartrokitjet e gjata e të merituara për Vaçen, na sollën përsëri në vete, në atë realitet të bukur, ku ndiheshim krenarë që ne ishim e do të mbeteshim shoqet e shokët e saj.
Dhe kjo është sa prekëse aq dhe e vërtetë. Ne ishim e mbetëm ndër shoqet e shokët më të mirë të saj. Me kalimin e viteve, ne u shkolluam, fituam nga një profesion dhe u bëmë dikush mjek, dikush fizikan, jurist, gazetar, shkrimtar, pedagog, inxhinier, studiues etj. Ishim një buqetë e këndshme shokësh e shoqesh, por Vaçja dallonte si një trëndafil i kuq i bukur në krye të kësaj buqete. Vaçja këndoi ne të gjitha skenat e Shqipërisë dhe jashtë saj, dashuroi shokun e jetës, u martua me të e lindi një vajzë të bukur (së cilës i këndoi këngën e femijës së parë), mori kudo qindra mijë duartrokitje dhe përgëzime, fitoi tituj e çmime. Ajo kthehej çdo vit, e thjeshtë dhe e dashur, në vatrën e ngrohtë të shoqërisë së gjimnazit. U krijua një rit, që vazhdoi gjatë, takimi vit për vit me ishgjimnazistët në mjediset familiare, në shtëpitë e njëri-tjetrit.
Merret vesh se sa lumturoheshim kur shihnim Vaçen të shfaqej në derë. Përqafime, shtrëngime duarsh, këngë e humor pa mbarim nga jeta e shkollës dhe jeta e mëvonshme e çdo njerit.
Vaçen e vinim në krye të tryezes, të degjonim zërin e saj në këngë e biseda të ngrohta miqësore. Ajo rrallë këndonte. “Më lini,- thoshte,- të çlodhem, këtu kam ardhur të çmallem e të argëtohem, jo të këndoj.” Ndërsa s’përtonte të imitonte, si dikur, zërin e disa mësueseve, gjatë spjegimit të mësimit dhe replikat, ndonjëherë jo te këndshme që këmbenin me nxënësit.
Kalonim kështu së bashku orë të gjata gazmore.
Më kujtohet, festonim dhjetëvjetorin e mbarimit te gjimnazit në familjen e doktoreshës Adelina Mazreku, një nga nxënëset e shkëlqyera të klasës sonë. Babai i saj, komentatori i njohur i futbollit Andon Mazreku, bashkë me të shoqen, gatuan një darkë të bollshme e të shijshme. Por ajo që nuk harrohet, ishte pritja e kujdesi i tyre prindëror që treguan për secilin, megjithëse shumë nga ne ishim bërë tashmë prindër.
Aty nga ora dy e natës gjithë grupi, me Vaçen përpara, dolëm në bulevard dhe u drejtuam nga ndërtesa e ish-gjimnazit “Qemal Stafa”, të kthyer në hotel. U rreshtuam para derës, sipas klasave paralele të dikurshme e filluam të këndonim këngët ruse të korit.
Në atë kohë, pushtetarët drejtues të shtetit i kishin prishur marrëdheniet me sovjetikët dhe këngët ruse ishin të ndaluara. Dritat u hapën në të gjitha dhomat e hotelit dhe bujtësit dolën në dritare duke bërtitur e sharë. Sikur ta dinin ata të varfër se aty poshtë tyre ndodhej e këndonte Vaçe Zela, do të kishin brohoritur e duartrokitur.
Kur ia tregoja gjyshes këto peripeci, ajo më lutej t’ia çoja Vaçen për vizitë në shtëpi, si dikur, kur vinim me shoqet e gjimnazit.
“Vaçen e kërkojnë gjithë shqiptarët për vizitë, -i thosha- s’do t’i mjaftonin një mijë vjet” “Po të kam rixha, – më lutej ajo,- kur të llafosesh me Vaçen, i thuaj se ato këngët e saj po ma shtojnë ymrin. I thuaj se atë zërin e ëmbël si bilbil ia ka dërguar perëndia në shpirt, jo sikur e ka të sajin!”
Muajt e vitet kalonin dhe Vaçen e shihnim më rrallë në takimet tona të shumëpritura. Shpesh, na dërgonte përshëndetje me telefon ose me shoqet që e vizitonin, duke na kërkuar të falur, se ndodhej nëpër turne brenda e jashtë vendit.
Nga fundi i viteve 80-të i shkova për vizitë në shtëpi. Me gjithë gëzimin që iu shfaq në fytyrë për takimin e papritur, mbas një kohe të gjatë, m’u duk se një hije trishtimi fshihej pas syve të saj kafe të çelur.
“Do të dal në pension”,- tha, pasi u ulëm në kolltukun e kuzhinës.
“Ti je në kulmin e lulëzimit!”- thirra unë.
“Ndoshta do të jetë më mirë për mua tani, që jam e sëmurë”,- foli ajo qetësisht duke vendosur në kasetofon një kasetë me këngë kosovare. “Ata i pëlqejnë këngët e mia dhe unë i pëlqej të tyret!”- buzëqeshi me ngrohtësinë që e karakterizon gjithmonë.
Kjo ishte hera e fundit, që u takova me Vaçen para se të nisesha për në Amerikë. Vite më vonë, mora vesh se dhe shumë shoqe e shokë të gjimnazit ndoqën rrugën pa kthim, larg vendlindjes. Vaçia, shoqja jonë shpirtëmbël, po ashtu ndodhet jashtë vendlindjes. Ajo buqeta e bukur e shoqërisë sonë, për t’u pasur zili, tashmë është shkartisur. Na kanë mbetur vetëm kujtimet.
Kujtime që shoqja jonë e gjimnazit Violeta Librazhdi i ka hedhur në librin e saj botuar kohët e fundit “E papërsëritshmja Vaçe Zela.”
“Të njohësh nga afër artistët e shquar të kombit tënd është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve, ndaj unë e ndiej si detyrim për t’u dëshmuar të tjerëve ato që di për rininë e artistes së shquar,”- thotë autorja.
Na kanë mbetur vetëm kujtimet dhe…urimet.
E dashur Vaçe! Nga Bostoni i largët i Nolit, i Konicës dhe i mijëra shqiptaro-amerikanëve, të dërgojmë përshëndetjet tona!
BOSTON, 2005
Një ekspozitë e bukur e dinjitoze në Maryland
E veçanta e saj është se veç dy piktorëve të njohur amerikanë, Richard Levine dhe Mark Joseph Williams, mori pjesë edhe piktori shqiptaro amerikan Agron Pire./
Nga Petro Luarasi,Washington, DC/
Një ngjarje e bukur artistike në rrethinat e Washington, DC mblodhi shumë shqiptarë e amerikanë. Është fjala për një ekspozitë në qytetin e bukur e madheshtor Bethesda, Maryland. E veçanta e saj është se veç dy piktorëve të njohur amerikanë, Richard Levine dhe Mark Joseph Williams, mori pjesë edhe piktori shqiptaro amerikan Agron Pire.
Vizitoret në sallë ishin të shumtë dhe kjo i dedikohet si famës që ata kanë fituar në këtë zonë ,ashtu dhe punës së mirë prezantuese dhe reklamuese të drejtuesve të expozitës, si me linkun special në internet, ashtu edhe me njoftime e shpërndarje të Fletë- palosjeve. Të bie menjëhere në sy fakti që në faqen e parë te fletë-palosjes është vendosur pikërisht peisazhi i piktorit shqiptaro-amerikan i cili përfaqësohet këtu me nëntë piktura.
Po kush është Agron Pire? I ardhur nga Tirana, ai jeton prej 14 vjetësh në Virginia, USA, së bashku me familjen. Talenti i tij për pikturën është çfaqur që në moshë të vogël kur ishte nxënës i shkollës “23 Nentori” në Tiranë. Mesuesja e tij në ciklin e ulët, Tefta Tirana kujton me shumë konsiderate punët e Agronit të vogel për zbukurimin e stendave të klasave e të shkollës. Por formimin e vërtetë te tij si piktor i ardhshëm ai e mori ne Liceun Artistik Tirane ku nuk harron kurrë ndihmën e përkujdesjen e mësueses së talentuar Marjana Eski, për të cilën edhe sot foli me shumë respekt e nostalgji.
Vitet ’90 si shumë të rinj shqiptarë e gjetën edhe Agronin rrugëve të Greaisë ku bashkë me të vëllanë punonin për të fituar e për të ndërtuar një të ardhme tjetër. Por edhe pse punuan shumeëdhe në kushte të vështira kurbeti, Agroni, fale talentit të tij, nuk e harroi edhe pikturën. Veç fitimeve, ai solli nga Greqia edhe disa piktura me tematikë aq interesante nga kultura e historia e lashtë greke.
Dhe ja viti ’98 e gjen Agronin me familjen e tij të vendosur në Virginia, USA. Duke parë nevojat e kërkesat e komunitetit të këtushëm, Agroni u mor shumë me projektime e rimodelime të mjediseve shtëpiake e publike, veçanërisht për kopshte e çerdhe fëmijësh, salla lodrash e ekspozitash, salla biznesi e kuzhinash etj. Falë prirjeve artistike, emri i tij është bërë i njohur e i kërkuar në tërë zonën e Washington, DC, Maryland e North Virginia.
Rexhina, e shoqja e Agronit duket sa e gëzuar, aq edhe me emocione kur shikon aq shumë vizitorë, shqiptarë e amerikanë. Kjo është e vetmja kohë që Agroni gjen për tu çlodhur, thotë Rexhina, specialiste në Bankë. Dy vajzat e tij bukuroshe me aparat ne dorë bëjne poza e japin shpjegime për pikturat e babit të tyre që e respektojne aq shume. Luiza, studente për drejtësi dhe Patricia në shkollën e mesme janë studente te shkëlqyera. Në sallën e ekspozitës edhe ato po japin kontributin e tyre për punën krijuese të të atit.
Nuk është hera e parë që njihem me pikturat e Agronit thote Afërdita Boçka, punonjëse në Institutin e Departamentit të Shtetit, dhe gjithnjë e më shumë ai po e rrit cilësinë e po e zgjeron tematikën.
Ema Tirana, mësuese e anglishtes në New York thotë: -“Gjithmonë më ka pëlqyer tematika që zgjedh Agroni. Në shtëpi kam dy piktura të tij dhe më duket sikur më ka sjellë dy copa nga atdheu për t’u çmallur”.
John S. Gater , banues në Bethesda na tha: ” Kam dëgjuar shumë për Shqipërinë, por kjo e sotmja është një konkretizim i bukur I atyre që kam dëgjuar. Peizazhet jane vërtet të bukura
Në punën e tij krijuese, Agroni falenderon shumë gruan dhe vajzat e tij që i sjellin qetësinë dhe kënaqësinë për të pikturuar, por pa harruar kurrë ndihmesën dhe këshillat cilësore të piktorit të njohur Astrit Toto, në New York. Gjithashtu ai kujton me nostalgji vizitën në shtëpinë tij si dhe vlerësimet e sygjerimet e dy piktorve të famshëm durrsakë, Shpresa Beqiri e Nikolet Vasia dhe ndjen dhimbje për Nikoletin që ndërroi jetë aq i ri e që la në mes punën e tij me aq shumë vlera për brezat.
Kjo ekpozitë është pa dyshim suksesi më i madh, por njëkohësisht edhe nxitje e re për Agronin, për ta çuar më përpara punën krijuese. Ai ka një plan vërtet ambicioz për vitin që sapo filloi. Do marrë pjesë në tre ekspozita të tjera që do hapë ne Virginia, Pensilvania dhe New Jersey.
Brengat e Pjerin Ashikut
Nga Kabil Bushati/ Ne mbrëmjet e vallëzimit që organizonim kur ishim në gjimnaz, në aureolën e tangove që interpretonte orkestra ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të embël që kur e dëgjon mund të themi pa hezitim se ajo shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike u bë hymn i mbrëmjeve të vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe. Kënga kishte marre skenat dhe kishte marre zemrat e shkodranëve. Po ku kishte linde kjo këngë lapidare. Kishte lindë në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar Pjerin Ashiku i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë kanë lindur mijra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Si perherë në krah të tij qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran Tano Banushi dhe Bik Pepa. Bile Tanon e këcënonin shpesh se do ta përjashtonin nga partia se rrinte pasdrekeve me Pjerin Ashikun i cili nxirrte barcoleta kunder partisë, si e vetmja mënyre kundervënie ndaj padrejtësisë që i bënte dikatura. Po kush ishte ky njeri që nxorri ketë këngë perlë e cila i ka rezistuar kohës për gjysëm shekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë të tjera apo është mjaftuar me një? Nga vinte dhe çfarë konservatori kish kryer,të Romes apo të Vjenës, të Parisit të Berlinit?
Pjerin Ashiku lindi në qytetin e Shkodrës me 10 tetor 1926 në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e Pashko Ashikut (baba I Pjerinit) ban pjesë në ato familje që e kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Për katër breza kjo familje ka mbajtur farmaci moderne në mes të Shkodrës duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe qysh ne shekullin e XVIII-të. Falë kësaj dinastie efemere Shkodra përdorte ilaçe të prodhuara në Itali,Gjermani,Austri e Francë kur Tirana ziente akoma gjethe mullage e hithërash për semundjet e stomakut e te melçsë. Babai i Pjerinit ishte doktor farmacist i diplomuar në Romë që në vitin 1903. Ndersa nëna, Teresa ishte me prejardhje ruse e lindur ne kryeqytetin e Rusië; Perburg. Nëna Teresa ishte e motra e konsullit rus të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojme po të themi se kjo dinasti ishte e një rangu për nga kultura me familjet europiane. Ndaj prinderit ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë europiane.
Që në moshë të njomë,akoma pa i mbushë 7 vjetë, bie në sy të prindervet se shijet e Pjerinit anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit i cili kishte në Pjacë dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një fizarmonikë, te parën që kishte ardhë në Shkodër. E ku mbahej Pjerini tashti duke bere muzike me shokë më të rritur se vehtja. Që në moshën adoleshentë aktivizohet më Ndrek Kaçulinin në orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent në muzikë, prinderit e fusin me marrë mësime muziket në violin tek Pader Martin Gjoni. Shkollën e mesme e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si talent i lindur shumë premtues në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit. Pjerini ishte një instrumentist i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumeta të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore. Çlirimi I Shqiperisë nga pushtimi italo-gjerman e gjeti Pjerinin maturant të sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat Juda Makabe, Basifondi. Ishte mik I kompozitorit të madh Prekë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë I basit Lukë Kaçaj dhe kompozitorit Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshem ushtarak por edhe aty I buzeqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë. Aty duan ta mbajnë përherë,por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe e largojnë. Kthehet ne Shkodër.
Për nevoja ekonomike nderpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E cakojnë punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh drejton grupin e estradës të kësaj nderrmarje dhe fiton çmimin e parë. Në këtë grup amator këndohen edhe këngë që kishte fillu të kompozonte Pjerini, të cilat biejnë në sy të opinionit të at’herëshëm për embëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës caktohet me orkestren e saj. Aty shquhet për shoqerimin muzikor të parodivet dhe intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në estradë bie në sy një hop cilësor dhe promovimi I talenteve të reja si Zyliha Miloti,Tonin Tërshana e Besnik Çinari etj ,të cilët vite më pas u bënë këngëtar dhe aktorë estrade të njohur në gjithë Shqipërinë.
Por nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej estradës dhe e caktojnë axhustator ne Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një goditje e rëndë për Pjerinin. Nga Estrada profesioniste dergohej në një ndermarrje si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarres do te merrte në duar tornon. Por edhe aty ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade që konkurroi denjësisht në shumë takime kombetare dhe mori çmime te para. Shtojme ketu se i terë libreti dhe muzika ishin krijimtari e Pjerin Ashikut. Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit në drejtim të krijimtarisë tij muzikore. Ketu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të pa harrueshme që këndohen edhe sot, mbeshtetur kryesisht në motive popullore shkodrane.
Pjerinin, falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si dizenjator, dhe njëheri ishte libretist, kompozitor dhe fizarmoniçist i përkryer që ishte zemra e estrdës së ndërmarjes së asaj kohe. Në këtë periudhë lindën këngët prestigjioze “Trotuari I qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogel”, “Kukulla”, “Valbona” etj etj. Ndërkohë gjatë këtyre viteve spikatë talenti i tij edhe si piktor.
Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut përfshinë 140 këngë, e shume parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si psh këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira” por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin ishte fakti se asnjeherë nuk dilte emri i tij si kompozitor. Kjo fshehje e emrit të tij nga ana e pushtetit e mërziste dhe e therte në zemër. Në këtë periudhë,pranohet në Festivalin e Këngës në RTV, por është për t’u shënuar transformimi që pëson kënga e “Kukullës” të cilës i shndrrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i ndryshohet titulli por i bëhën transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në naten e parë të festivalit. Më vonë kënga e “Kukullës” këndohet nga këngetarja e mirë njohur Justina Alija në “ 100 vjet muzikë”, këngë të cilën e kishte kënduar në Festivalin e Fëmijëvet qysh në vitin 1964. Një transformim të skajshëm pësoi edhe kënga “Ermira” të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu përmend fare autori. Kënga “Miri I vogël” pëson një skandal edhe më të madh duke ju nderruar titulli dhe duke u kthyer “Besmiri I vogel” duke ia kushtuar nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë pa u pyetuar dhe përmendur autori, sepse diktatorët kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku pyesnin ata për autorët..
Në kohën e demokracisë kënga “Një zog i vogel”, me tekst të shkrimtarit të mirë njohur shkodran Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit Pjerin Ashiku përvehtësohet me paturpësinë më të madhe nga një këngëtar korçar bile arrin të quajë vehten edhe kantautor në radio-televizionin shqiptar në vitin 1999. Si e thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules se Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare.
Të befason fakti që edhe kësaj këngë i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera vise si Korça, Ulqini e Kosova. Sepse tekefundit kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një lule maji dhe për çdo njeri do kishte një këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitor si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin kund tjetër veçse në Shkodër. Në vitet e demokracise këtë këngë e këndon Ermira Babaliu dhe e paraqet si pa gjë te keqe si këngë korçare (serenatë), duke i ndryshuar edhe linjen muzikore dhe duke i nderruar pa përgjegjësi teksitin. Për këtë Pjerini i drejtohet me një letër drejtorit të RTSH-së por nuk mori asnjëherë përgjigje. Shteti po i kundervihej me heshtje duke i lënë të tjerët të bënin çfarë të donin me këngët e tija. Historia e përvehtësimit të kesaj kënge vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesesh korçarët të thojnë:”gjene mirë “Lulka e majit” eshtë një serenatë pe Korçe”, po t’i pyesesh kosovarët të thojnë;” heu,hala se ke marre vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’ndueme prej Isës(Ismet Pejës)” e keshtu me radhë. Sejcili tenton t’i vëjë myhyrin e vet., gjithë sejcili kërkon ta “hipotekojë” dhe ta shpallë pronë të veten. Kjo “luftë” dixhitale vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje. Mos harroni se kjo këngë e Pjerin Ashikut mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi kënga ka udhetuar në kohë dhe hapsirën mbarëshqiptare duke u bërë një “Vals i Danubit” shqiptar, nëse hungarezët kanë një valcer famoz siç eshtë ‘Valsi I Danubit” edhe shkodranët kanë një tango monumentale siç eshtë “Lulja e Majit” ose Tangoja e Bunes. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe te shoqerojne gjate gjithë Pjacës Pedonale te qytetit të Shkodrës si hije të ëmbela.
Por ti je vyshke e më s’ke erë
Lulet e tua për mua s;kanë më vlerë,
Nuk je ti lulja e bukur e ditës së majit
Por je lulja e këngës sime të vajit…
Kur e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e më të akulltës zemër që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule e erëandëshme pothuajse në të gjitha trojet shqiptare prej më se gjashtë dekadash dhe përsëri ka mbetë këngë monumentale. Por erdhi një ditë që Pjerini u lodh nga kjo shtypje e heshtur që dalngadalë po e cfiliste dhe po i merrte shpirtin. Ishin vitet e diktaturës dhe në dhjetra mbledhje të komitetit ekzekutiv për artin i shkaktonin fyerje gjer në dhimbje shpirtërore duke e etiketuar si sentimentalist e pesimist në muzikën e tij. Në një rast proverbial kompozitori iu është përgjigjur me fjalët lapidare duke cituar vargjet e këngës “Miri i vogël” që ja kishin transformuar e cila thoshte se; “një pushkë e një kazëm i shtohen atdheut” këtu kompozitori u ngrit në këmbë duke u rebeluar e u tha me ironi:”apo doni këngë vetëm me pushkë e mitraloz…I u duk sikur shfreu tërë brengen që i ishte grumbulluar në shpirt.
Kompozitori Pjerin Ashiku kurr nuk pati asnje sadisfaksion moral apo trajtim ekonomik. Gjithë jetën u la në harresë e me rrogë të vogël sa për të mbajtur frymën gjallë. Megjithëse ishte kompozitor, instrumentist, kantautor, e humorist që i këndoi tërë jetën me shumë dashuri Shkodres dhe njerëzve të saj, ishte njeri i dashur dhe me shpirt polidimensional ai u la në internim virtual në mes që qytetit. Me 21 shtator 1995 Pjerin Ashiku mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja me djalin e vajzen kanë emigruar në SHBA. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto vargje në një gazetë lokale:
Syt me lot mbushen prej vajit
Vajtojn’ Zanat e Veleçikut
Kur kujton “Lulen e Majit”’,
Kangen perl’ t’Pjerin Ashikut.
Muzikant e humorist
Që e deshti Shkodra mbarë,
Si piktor e si artist
Shpirt e zemer qytetar.
Pjerin Ashiku ka vite që ka vdekur, duke marre me vehte brengat dhe hidherimet që i shkaktoi jeta nen diktaturë. Zanat e Velçikut ka vite që vajtojnë mbi murrana. Mbi varrin e tij atje në Rmaj harliset selvia dhe çelin drandofillet. Era u përkëdhelë gjethet ,dhe se bashku me erën akoma dhe sot vijnë ato tinguj e famoz të “Lules së Majit” ose nëse mund ta quajme “Tangos se Bunës”…U prehsh në paqe o Pjerin…