• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANARKIA INTELEKTUALE NË KOSOVË

February 6, 2014 by dgreca

NGA FAHRI XHARRA/

Anarkia intelektuale do të thotë kufizim për mendim i njerëzve të kufizuar. Anarkisti intelektual prodhon me të madhenjerëz e pakënaqur, të pavetëdijshëm dhe shumë kundërshtues dhe forca e tyre rritet me një energji të madhe negative,dhe në anën tjetër iu humbë fuqinë atyre që kishin për të qenë të lumtur, të vetëdijshëm dhe bashkë-aktiv për të marrë përgjegjësi për autoritetin e tyre moral, intelektual dhe emocional.

” Intelektuali nuk është gjithmonë sinonim i inteligjentit. (Intellectuel n’est pas toujours synonyme d’intelligent) Alexandra David-Néel.

Të gjithë anarkistët intelektualë i dërgojnë kumte anarkisë së shoqërisë duke besuar që trajtimi i tyre anarkist i çështjes është mënyra më e mirë dhe zgjidhja më e mirë.

“Një zinxhir është aq i fortë sa hallka e tij më e dobët” thotë një fjalë. E cila është hallka e jonë më dobët? Ideja e personalitetit është shumë e ndërthurur, është e përcjellë nga idetë e shekullit që ajo po kalon ku ende sot është vështirë të gjendet një koncept i përafërt i shkollave dhe qëndrimeve të ndryshme. Njësia e personalitetit vjen nga mundësia e organizimit të vetëdijes si baraspeshë e tij. Sot ideja e përgjithshme që rrjedh nga vizionet e ndryshme të personalitetit është që ai është bashkësia e sjelljeve që e ndërtojnë një person dhe duke pasur parasysh përhershmërinë dhe vazhdimësinë e mënyrave të veprimit dhe reagimit, origjinalitetit dhe specificitetit dhe mënyra e saj për të qenë. Si po e ndërtojmë personalitetin tonë? Plotë anarki. Kush është shkaktarë i personalitetit tonë të ndrydhur?: Çka është: dëshira për t’u futur në vetvete, ikja nga takimi me të tjerët, humbja e shpresave për një shkollë të mirë, për një martesë të lumtur ose për një jetë si i ka hije (Lombardo Foschi: The European origins of Personality, 2002).

Anarkisti intelektual shkruan:“Historia shqiptare s’ka se si të rishkruhet, sepse akoma nuk është shkruar. Të ashtuquajturit historianë shqiptarë na kanë treguar përralla. Historianët e pakët që i kemi ose janë lënë në anonimitet ose janë shpallur të krisur. Me lehtësi po sulmojnë Turqinë për këshillën e saj miqësore.”

Në rastet e pasigurisë njeriu kërkon mbështetje, në raste të kërcënimit njeriu lyp shpëtim. Sa është e aftë e çka po bën shoqëria jonë në mirëmbajtjen e personalitetit tonë? Si ta pengojmë personalitetintonë që të mos na stërkeqet. Kush është i plotfuqishëm në këtë rast? Arsyetimet se jetojmë në kohën e ekonomisë së tregut, nuk do të thotë të kemi shkollën pa disiplinë, qytetarin e papërgjegjshëm dhe pushtetarin e korruptuar. Studimi i personalitetit është një degë që zhvillohet vazhdimisht dhe shumë me përparësi në ditët e sotme; “Historia e shqiptarëve duhet të korrigjohet e jo të ndryshohet. Fatkeqësisht edhe në periudhat më të hershme edhe tash në këtë periudhë ka ende keqpërdorime dhe shtrembërime të fakteve historike” (Akademiku, Feti Mediu). Ai konsideron se krahasimi i perandorisë osmane me pushtimin serb nuk është i drejtë. “Sulltanati Osman, ardhja e osmaneve në Ballkan, respektivisht tek shqiptaret është e ngjashme me NATO-n dhe forcat e paktit veri-atlantik. Se sulltanati osman ka qene i egër dhe i ashpër ndaj shqiptarëve është njëjtë sikur të thuash që NATO ka qenë i agresor ndaj popullit të Kosovës”, thotë Mediu. Kjo është anarki intelektuale:..” i dërgojnë kumte anarkisë së shoqërisë duke besuar që trajtimi i tyre anarkist i çështjes është mënyra më e mirë dhe zgjidhja më e mirë.”

Koha prodhon ndryshime në mënyrë të vazhdueshme. Sajimin e Personalitetit e bëjmë për të njohur të ardhmen tonë, që ndryshon në funksion të pasurive që i kemi në vetvete. Formimi i personalitetit tonë do të thotë ta njohim dhe dominojmë të ardhshmen tonë. (Hansen Michel, Psikologjia e personalitetit).

Sipas Prof. dr. Ferit Dukës. historia duhet zhveshur nga gjuha e urrejtjes që ka politika, sepse gjuha politike është jashtë shkencës së historisë. “Historia duhet të zhvishet nga çdo etiketim fyes për popujt e grupet e ndryshme sociale, kulturore, etnike”, – ka deklaruar Duka, duke u bërë kështu i pari zë shqiptar që u del pro rishikimit të teksteve, pas kërkesës së bërë nga qeveria turke asaj të Kosovës dhe Shqipërisë edhe më herët.

Ai sqaron se, kur është fjala për historinë e periudhës osmane të Shqipërisë, duhet të jemi korrektë në trajtimin e saj, e për këtë arsye duhet të nxjerrim në pah jo vetëm momentet negative, luftërat dhe përplasjet mes shqiptarëve dhe osmanëve, por edhe zhvillimet pozitive që janë manifestuar në rrafshin ekonomik, social dhe kulturor. Anakisti e thërret anarkinë!

E more Profesor : “Historia e Shqipërisë nuk është një histori renegatësh dhe as histori shërbëtorësh, por histori qëndrese me në krye Gjergj Kastriotin. Është histori kryengritjesh e luftërash për liri,histori përpjekjesh për ruajtjen e gjuhës, të kuturës e të identitetit. Është histori e përpjekjeve titanike për Rilindje Kombëtare, për shkrimin shqip, histori e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta për liri, pavarësi dhe sovranitet kombëtar. Është histori e përpjekjes së pandalur të shqiptarëve për të jetuar të lirë me shtetin, kulturën dhe identitetin e tyre si të gjithë popujt e tjerë të qytetëruar të Evropës.” dhe gjithë kësaj i mëshon shkelm ti?

Koha prodhon ndryshime në mënyrë të vazhdueshme. Sajimin e Personalitetit e bëjmë për të njohur të ardhmen tonë, që ndryshon në funksion të pasurive që i kemi në vetvete. Formimi i personalitetit tonë do të thotë ta njohim dhe dominojmë të ardhshmen tonë. (Hansen Michel, Psikologjia e personalitetit). Dhe pastaj anarkisti intelektual vazhdon:”” Ironia është se kombi shqiptar lindi pikërisht atëherë kur Perandoria Osmane u tërhoq nga Ballkani. Për të qenë ironia kulmore, ishte Perandoria Osmane ajo që kushtëzoi Fuqitë e Mëdha dhe vendet ballkanike që të mundësojnë lindjen e kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar.(.)” anarkisti intelektual na kanoset: ”Mos i detyroni historianët turq të flasin me dokumente –

Anarkisti intelektual prodhon me të madhenjerëz të pakënaqur, të pavetdijshëm dhe shumë kundërshtues dhe forca e tyre rritet me një energji të madhe negative.

Në anën tjetër iu humbë fuqinë atyre që kishin për të qenë të lumtur ,të vetëdijshëm dhe bashkë-aktiv për të marrë përgjegjësi për autoritetin e tyre moral, intelektual dhe emocional.Dhe lexoni :”Të thuash se pushtimi osman ka shkaktuar gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar është një budallallëk me brirë.”

Dhe pastaj anarkisti intelektual vazhdon:”” Ironia është se kombi shqiptar lindi pikërisht atëherë kur Perandoria Osmane u tërhoq nga Ballkani. Për të qenë ironia kulmore, ishte Perandoria Osmane ajo që kushtëzoi Fuqitë e Mëdha dhe vendet ballkanike që të mundësojnë lindjen e kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar “”

Anarkistëtintelektual të Kosovëspo presin::”Sikur era fatbardhë ,e cila gjer më tani na ka vajtur kundër ,të na kthehej menjëherë në favorin tonë e të na i frynte pëlhurat e planeve tona dhe të hynim me siguri e pa rrezik në limanin tonë,ne do të fitojmë. Se do të jetë e pamundur të bëhesh kalorës nëse nukdëshiron dhe nëse s`ke kurajë e as vullnet për të marrë hakun e të parëve dhe për të mbrojtur të kaluarën tënde të “ndritur” duhet ta dini sesikur mos të përmbaheni prej frikës, mund të nisim lëvizjen e punëve se frymat e vendësve nuk janë kurrë të qetësuara, e na mundemi t`i kthejmë gjërat si ishin dikur”(nga Don Kishoti i Cervantesit f.96). “Kosova është vend i paradokseve. Secili paradoks paraqet një realitet të hidhur, por të gjithë së bashku tregojnë fytyrën e vërtetë të Kosovës.”

Si duket tani për tani duhet të kënaqemi vetëm me atë që ekzistojmë. A hiç më tepër a?|

Fahri Xharra, 05.02.14,Gjakovë

 

Filed Under: Analiza Tagged With: anarkia, Fahri Xharra, intelektuale, ne Kosove

Profesor Pllana dëshmon sërish në Kongresin Amerikan

February 6, 2014 by dgreca

Nga Halim Hoti/

Me rastin e vizitës së tij zyrtare, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Sallën e bukur të Kongresit Amerikan(numër 2255) për marrëdhënje me jashtë, mori pjesë edhe publicisti nga Kosova, Prof.dr.Nusret Pllana – i cili në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë popullit të shumëvuajtur e liridashës shqiptar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në fitoren e plotë të luftës së sajë të drejtë, ua dhuroi nga një libër të tijë (Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999) ribotimin e pestë të plotësuar, të sajuar në shtatë gjuhë të huaja: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht- këtyre personaliteteve: Kongresmenit amerikan,z. Eliot Engel,  Kongresmenit amerikan, z. Robert Aderholt, z.Grant Harris – Drejtor i Divizionit Europian të Bibliotekës Botërore të Kongresit Amerikan, Presidentit shqiptar, z.Bujar Nishani, Dr.Elez Biberit – Drejtor i  Drejtorisë së përgjithshme të  “Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe”(VOA) dhe z.Avni Mustafa – Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Libri i Dr.Pllanës “Terrori I Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” i cili në shtatorin e vitit 2012 ka marrë mirënjohje nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan, nga viti 2001 e deri më tani ka arritë të promovohet në qendrat kryesore europiane dhe botërore, si: Prishtinë, Tiranë, Shkup, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Paris, Lion, Vjenë, Oslo, Stoklholm, Budapest, Jovik, Katovicë, Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, Romë, Shtutgart, Dortmund, Singen, Hechingen, Nyrnberg, Hamm, Heidelberg, Mynhen, Ludvigsburg, Heslingen, Phorzheim, Helsinki, Toronto, Berri, New York, Washington, Detroid, Melbourne, etj.

Më 21 mars 2014, do të promovohet në Bruksel – në shenjë respekti, të 15 vjetorit të Intervenimit humanitar dhe  ushtarak të NATO-s në Kosovë.

Washington D.C, 4 Shkurt 2014

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: ne Kongresin amerikan, Profesor Pllana

Haradinaj : “Marrëdhënjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, janë nga më të mirat në historinë e tyre!”

February 6, 2014 by dgreca

Intervistë me ish Kreyminsitrin e Kosovës dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj

WASHINGTON D.C: Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet këto ditë në Washington në një vizitë zyrtare, i ftuar nga një grup kongresitësh dhe senatorëve amerikan, tha në një intervistë për gazetën, Bota sot, me gazetarin tonë në SHBA, Beqir SINA, se ai po shfrytëzon këtë vizitë për të takuar kongresistë, senatorë dhe anëtarë të qeverisë amerikane, për të folur me ta për Kosovën .Ai theksojë se zgjedhjet për pushtetin lokal vitin e kaluar ishin nga më të mirat e mbajtura ndonjëherë, në Kosovë, dhe u shpreh mjaft optimist se edhe zgjedhjet e përgjithëshme në qershor, do të jenë edhe më të mirat. Haradinaj në këtë intervistë të posaçme nga Washingtoni, vlerësoi lartë me këtë rast lidhjet e mira mes Kosovës dhe SHBA, të cilat sipas tij, dekadat e fundit kan mbrritur në kulmin e tyre, duke shënuar vetëm rritje.

Më tej kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  foli edhe për protestat e studentëve të Prishtinës, integrimin Europian të Kosovës, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, debatet në Kosovë rreth figurave politike dhe përse Kosovës i duhet një Kryeministër si Ramush Hardinaj!

Kryetari Haradinaj, sot ka pasur takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikanë. Vizita e kryetarit Haradinaj në SHBA po përcillet me vëmendje dhe interesim nga mediat amerikane dhe shqiptare si dhe opinioni këtu në Washington.

 

Beqir Sina: Zoti Haradinaj, së pari me lëjo tju faleminderoi për kohën që po ju marrë me këtë intervistë : Çfarë tregon pjesmarrja e politikanëve shqiptarë të ftuar në Uashington nga kongresmen e senator në Mëngjesin e Lutjeve ?

Haradinaj : Ju faleminderit edhe ju !Kjo, është një dëshmi e madhe, e atyre lidhjeve të shkëlqyera, që janë krijuar mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ne Shqipëtarve, kudo si në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare. Një lidhje kjo, që i ka rrënjët e saj, shumë më heret prej nga Presidenti Uillson dhe ka vazhduar deri tek , liria jonë dhe pavarësia e Kosovës, me Presidentin Klinton, presidentin Gorge W. Bush dhe administratën e Presidentit Obama. Kjo, është një lidhje, që ka ardhur gjithmon duke u rritur, e cila mund të them se ka arritur në “zenitin” e saj dekadat e fundit . Pjesmarrja ime në “Mëngjesin e Lutjeve”, do të thoja se është një pervilegj dhe kënaqsi – mbasi jam i ftuar nga miqt tanë në Kongresin dhe Senatin Amerikan dhe kam rastin të takojë ata dhe shumë nga miqt tanë në kongres dhe senat, si edhe njerëz nga administrata amerikane departamentin e shtetit.

Beqir Sina: Ju sapo vini nga Kosova si e vlerësoni Ju – situatën e tanishme në Kosovë ?, të jem më i saktë në pyetjen time kemi disa ditë që po zhvillohet një protestë e studentëve të Universitetit të Prishtinës, apo jo!

Haradinaj : Po! Shumë e vërtet, është dhe e drejtë pyetja e juaj. Në Kosovë, ka shumë zhvillime të ndryshme dhe këto sipas situatave që krijohen ashtu si dhe rasti më i fundit që përmendet edhe ju : “Protesta e Studentëve të Universitet të Prishtinës”. Në Kosovë ka disa lëvizje qytetare kundra keqë-qeverisjes së vendit, të cilat kan qenë si rezultat i nji reagimi popullor ndaj asaj që populli e quan se “Qeveria, nuk u sherben atyre si duhet”. Pra sipas meje nga një qasje jo e mirë e deritashme e kësaj Qeverie, sikurse, është kjo e situatës në Universitetin e Prishtinës, e cila kërkon një zgjidhje urgjente që këtij Universiteti të i kthehet sa më parë normaliteti.

Beqir Sina: Vitin e kaluar Kosova e përmbylli  një proces zgjedhor,(zgjedhjet lokale) i cili është vlerësuar shumë herë si më i miri . A mendoni se me këto zgjedhje Kosova e kaloi një sprovë ? sidmos, tani kur ju keni edhe zgjedhjet e përgjithëshme ? në qershor

Haradinaj : Këto kan qenë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëher në Kosovës. Dhe ajo që do të quhej se ishte risi në këto zgjedhje, ishte ajo që pati një pjesëmarrje të madhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës , përfshirë edhe ato të pakicave, sidomos ato të komunitetit serb në vend. Zgjedhjet, sipas meje ishin të lira dhe të ndershme, çka tregon se Kosova do të avancoi edhe më shumë me këto standarte, që po tregon me zgjedhjete mbajtura Kosova. Dhe, për këtë unë jam shumë optimist se edhe zgjedhjet e ardhëshme do të jenë edhe më të mira se këto që janë mabjtur deri më tani.

Beqir Sina:  A mendon se po e dëmton procesin në të cilin ka hyrë Kosova, kur partitë opozitare, përdorin një “gjuhë” të ashpër ndaj njera tjetrës ? sidomos kundra maxhorancës, PDK-së dhe kualicionit të saj dhe Kryeministrit Thaqi ! 

Haradinaj : Unë jam kundër “gjuhës së ashpër”, në Kuvend. Por, duhet kuptuar se në fushata dhe kohë zgjedhore, gjithmon fillon e ashpërsohet “gjuha”, gjë që duhet të mos ndodh që çdo gjë të jetë brenda noramave demokratike. Pra, të tregojmë se ne dimë të bëjmë shtet dhe të qeverisim vendin. Pavarësisht, dinamikave, që përcjellinim me këto debate ndonjëher edhe brenda Parlamentit të Kosovës, ose si mund t’a quaj unë “acarim të situatës” gjithmon duhet pasur kujdes! Sidomos, tani kur mbarum një palë zgjedhje dhe jemi përpara një palë zgjedhjeve të tjera – Ne duhet të tregojmë se “si politikanët e Kosovës, kemi një ofert me votuesit tanë – për të treguar kulturë demokratike, në çdo prezantim tonin “. Për, çka ne si parti flasë me ketë rast AAK-në, duhet t’i japim Kosovës me çdo kusht atë imazhin që i meriton ajo, edhe, në opinion ndërkombëtar. Ne duhet të kemi një qeverisje që u siguron qytetarëve të saj, një liri ekonomike dhe një qeveri që i hap një prespektivë më të mirë qytetarëve të saj – sidomos për rrugën tonë në  integrimet Euro – Atlantike , në vend të “acarimit të situatës” ose si u shprehet ju “gjuhës së ashpër” të përdorur në Parlament.  Pra, gjithëçka, mendoj se duhet t’a bëjmë me shumë kujdes se jemi përpara një sprove të vështirë për Kosovën – për t’a çuar atë drejt Europës dhe integrimeve Euro Atlantike.

Beqir Sina: A mendoni ju se arrestimet e fundit janë si thonë në ndonjë rast analistët amerikanë, raste të tilla në vende të ndryshme të botës: “Janë  si një “Show – up !”

Haradinaj :  Në këtë pyetje për mua është shumë vështirë të flasë për këtë, sepse është heret me folë. Unë mendojë se duhet lënë në dorë të drejtësisë, që ajo të bëjë punën e saj. Mbasi, kuptohet se në Kosovë njëra prej sfidave të saj, janë rendi dhe sundimi ligjit, dhe kësaj duhet që të gjithë ne t’i ndihmojmë me vendosjen në çdo cep të Kosovës rendin dhe ligjin ku të gjithë të jemi të barabart, për çdo njerin që jeton dhe punon në Kosovë.

Beqir Sina: Ka pasur shumë interpretime kohët e fundit lidhur me dëshmitë për bashkëpuntorët me ish shërbimin sekret Jugosllav UDB-në, Si i komentoni ju këto dhe a jeni ju për hapjen e dosjeve pra Lustrimin e politikanëve në Kosovë ?

Haradinaj :  Këtu kam një përgjigje të veçantë, duke sugjeruar pikë së pari  se çdo gjë duhet të bëhet në bazë të mekanizamave profesionale dhe kompetente, për t’a bërë këtë gjë edhe më kredibile – pra më të besueshme, rreth  këtyre debateve që jan hapur në Kosovë, lidhur me bashkëpuntorët e UDB-ës, në kohën e ish Jugosllavisë, e cila nuk egzistonë më, por i ruan strukturat e saj në Beograd. Unë, nuk jam për debate të tilla, mbasi të dhënat janë të komprementuara, sipas mendimit tim – pra nuk janë të qëndrueshme, dhe nuk i takon shoqërsië kosovare, të kyçet në një debat duke mos pasur të dhëna të sakta.

A jeni ju për hapjen e dosjeve pra Lustrimin e politikanëve në Kosovë, e kisha fjalën?

Haradinaj : Do të ishte në interes të vetë shoqërisë së Kosovës, që të shihet e verteta posaqërisht për çdo politikan. Por, kjo e vërtet duhet vijë nga mekanizma të pa-anshëm dhe mekanizama që janë të besueshëm në popullin e Kosovës. Mbasi lidhur me këtë çështje jo vetëm në Kosovë, por edhe rreth saj – dihet se ka pasur shumë manipulime me dosjet dhe gjëra të tjera të kësaj natyre dhe kështu që e vërteta ka “rrezik të mos mësohet asnjëherë”.

Beqir Sina: Përse ju mendoni se zoti Haradinaj si Kryeministër mund të ndryshojë shumë Kosovën?   Ku është ndryshimi i juaj për qeverisje nga kjo e qeverisë Thaqi ? I cili, ka udhëhequr me qeverinë e tij më shumë se kushdo kryeministër në Kosovë deri tani, pra në dy mandate të plota !

Haradinaj : Unë mendojë se Kosova nuk mundet të vazhdojë më kështu – pra diçka duhet ndryshuar, sipas meje. Si e ceka edhe më lart ne jemi përpara sfidave të shumta, që e presin Kosovën në të ardhmen. Kosova, sot ka nevojë më së shumti për një qveri dhe kryetar qeverie që të marrë seriozisht qeverisjen e saj. Për këtë unë jam duke bërë përgatitje të vazhdueshme për të krijuar nesër një “Qeveri Haradinaj” – një qeveri, kjo, që do të jet në një qasje me të gjitha temat me të cilat ballafaqofet sot Kosova. Dhe, veçanërisht me ato që i përkasin, rendit dhe ligjit në të gjithë vendin, rritjes ekonomike dhe uljes së ndjeshme të papunisisë, e cila është në shkallën më të lart deri tani.

Beqir Sina: Zoti Haradinaj, kur jemi tek sfidat, që e presin Kosovën në të ardhmen dhe ato që po e ndjekin atë tash e sa vjet, të cilat pak a shumë ju dhe i perceptuat disa herë gjatë kësaj interviste, a mund të na thoni se: Cilat janë ato a mund pra të flisni pak më konkretisht ?

Haradinaj : Ato janë sfida të shumta, që ka Kosova sot, për të hyrë në familjen Europiane, pra integrimin e saj Europian dhe Eauro Atlantik, të cilat janë edhe synimet e Kosovës. Pra, ne jemi për zgjedhje të lira e të ndershme, përtëritjen e institucioneve kosovare, reformat e reja , ndryshimet ligjore, zgjidhja e çështjes së paunësisë dhe ajo më kryesorja, sot Kosovës i duhet një rritje e ekonomisë, dhe qeverisje e saj në të gjithë territorin e Kosovës. Dhe besojë meqenëse Kosova ka ardhur kaq afër suksesit duhet edhe t’ja arrijë qëllimit të saj. Pra do të gjejë edhe mënyrën për të arritur ato, së bashku me miqt tanë të përjetëshëm ata që na kan qëndruar gjithmonë pranë kur na ne kemi pasë nevojën e tyre si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo miqt tanë Europian dhe të tjerët.

Beqir Sina: Kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi, ai Serbisë Ivica Daçiç dhe Baronesha Catherine Ashton, fillimisht  janë propozuar për Çmimin Nobel për Paqe, nga katër Kongresmen Amerikan, madje këta mund të them se janë edhe miq të dëshmuar të shqiptareve, por se fundi edhe nga Grupi i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, e cila i ka dërguar Komitetit të Nobelit një nominim të tillë. Si e komentoni ju këto emrime ?.

Haradinaj : Kosova ka shumë interes për momentin për njohje të mëtutjeshme ndërkombëtare, ka interes për promovimin e saj në botë, çka do t’i vyente në Asocimin dhe Stabilizimin Europian. Dhe, mendojë, që edhe kjo mënyrë e emrimit të tyre për çmimin Nobel për Paqe, ka për t’i shërbyer të ardhmes Europiane të Kosovës. Një nomimin i tillë mendojë se i ndihmonë Kosovës për një imazh më të mirë në arenën ndërkombëtare, pra të ardhmes së saj Europiane.

Beqir Sina:  Zoti Haradinaj, ju keni zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në gjashtë mujorin e dytë të këtij viti(qershor). A jeni të përgatitur seriozisht dhe si do të dilini në këto zgjedhje ? me çfarë koalicionesh

Haradinaj :  Për, koalicione është heret të flitet. Por mund të them se ne po punojmë seriozisht dhe jemi të përgatitur për një fitore, e cila sipas meje nuk do të jetë një fitore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, apo kualicionit që ne do të bëjmë në ato zgjedhje, por ne po punojmë, që ajo të jetë një fitore e gjithë popullit të Kosovës, një fitore e Kosovës për të çuar atë në Europë, aty ku ne e ëndërrojmë së bashku me qytetarët tanë. Dhe jemi të bindur që Kosova, ka për t’ja arritur kësaj. Ne do të fitojmë vota por edhe besimin qytetarë, për të qenë një qeverisje e sukseshme.

Beqir Sina:  Cili është komenti i juaj për sa i përket integrimit të pakicave brenda territorit të Kosovës, posaçërisht ai i komunitetit serb dhe në veçanti si një problem kryesor ai i integrimit të pjesës veriore të Kosovës, ose si mund t’a quaja unë “çlirimit” të pjesës veriore të Mitrovicës ? Ndërkohë, që ju keni thënë në një intervistë të kaluar se do ta bënit këtë për tre muaj. Pra, si do ta bënit këtë?

Haradinaj : Këtu unë nuk mundet të mohojë, atë që është bërë deri tani për fillimin e një procesi të integrimit të pakicave serbe. Çka e treguan edhe zgjedhjet e fundit me pjesëmarrjen pothujase të të gjitha komuniteteve pakicë, përfshirë, edhe ato serbe, sidomos edhe në veri të Mitrovicës. Pra, ka disa të arritura, që kan ardhur nëpërmes dialogut të Prishtinës dhe Beogradit. Por, ne mendojmë  për t’i zhvilluar ato edhe më tutje, nëpërmjet bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, pra për rritur ato deri në kyçjen e plotë të qytetarëve të veriut të Kosovës, në integrimin e tyre të plotë me Kosovën. Unë mendojë se duhet edhe një qasje më serioze në mënyrë që ky integrim i nisur mund të vazhdojë….!

Beqir Sina:  Zoti Haradinaj, Kosova po mbushë gjashtë vjet që kur ka shpallur pavarësinë e saj dhe deri tash – është njohur nga 104 vende të botës. A është e mjaftueshme kjo njohje dhe cfarë mund të bëjë Prishtina më shumë për të shtuar numrin e këtyre njohjeve?

Haradinaj : Ne duhet të vazhdojmë dhe të punojmë më shumë, që të marrim sa më shumë njohje të tjera deri sa Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Dhe, për këtë unë jam duke shfrytëzuar në çdo rast shumë nga takimet e mija që po zhvillojë, edhe këto ditë në Uashington . Takimet në Capitol Hill – Kongresin dhe Senatin, Qeverinë amerikane, Departamentin e Shtetit, por, edhe takimet me personalitete e huaja, të cilat po marrin pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”, në Uashington, këto ditë. Unë po punojë dhe po kërkojë që t’ua bëjë të njohur të gjithëve se rritja e numërit të njohjeve të Kosovës, është edhe konsolidimi i brendëshëm i shtetit të Kosovës, që i shërben më së shumti stabilitetit, paqes dhe sigurisë, jo vetëm për Kosovën, por, edhe për Ballkanin dhe rajonin në përgjethësi.

Beqir Sina: Zoti Haradinaj së fundi çfarë mund të presë Kosova, nga Shqiptarët e Amerikës  dhe cila është porosia juaj për ta?

Haradinaj : Unë së pari mundet, që me anë të kësaj interviste t’i faleminderojë në mënyrë të veçantë për kontributin e madh që kan dhënë deri tani të gjithë shqiptarët e diasporës. Dhe, mund të them se gjithëçka, që është arritur deri tani ka edhe ndihmesën e kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë. Por, do të thoja se Kosova ka edhe më shumë për tu bërë dhe andaj ashtu si kan punuar dhe kontribuar deri tani për Kosovën dhe çështjen shqiptare, kontributi i tyre të vazhdojë edhe në të ardhmen – Kosova prêt shumë nga ju. Në këtë mynyrë shqiptarët e Amerikës, duhet të forcojnë sa më shumë lidhjet në mes ShBA dhe Kosovës, Shqipërisë, dhe të gjitha trevave shqiptare në Ballkan. Shqiptarët e Amerikës, kan kryer një mission shumë të vështirë, fisnik dhe të shenjtë për çështjen shqiptare, andaj ju lutem vazhdojeni sa më shumë këtë mison që keni nisur.(intervistoi:Beqir Sina)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Interviste me Haradinaj

Për ty VAÇE B U K U R I A

February 6, 2014 by dgreca

Elegji për VAÇE  KËNGËN !

Nga  Përparim   Hysi/

E kush thotë se paske vdekur?!!!/

S’e besoj. Është veç përrallë!/

Përgjithmonë mes nesh je gjendur/

Përgjithmonë ti do jesh gjallë./

Se ti nuk je më Vaçe Zela/

Tash ti je e madhja VAÇE KËNGA!/

Se me këngë u mund vdekja/

Vdekjen nga ti  e zë gjëma.

 

Vaçe Zela, moj këngëtare
Më ke qenë sa bukuroshe
Se në këngë qe “magjistare”

Brez pas brezi: e  p a s h o q e !

 

Zëri yt si zë bilbili

Zinte vënd në tonin shpirt
Dhe në dimër vinte prilli

Llamburiste skena-dritë.

Ti këndoje veç me zëmër
Fjalët shndrroje në melhem
Eh,seç zë! Sa i ëmbël

Nga këngëtaret qe madem.

Një madem… po sa e thjeshtë

Qe e thjeshtë si thjeshtësia
Sa e mangët imja vjershë

Për ty VAÇE   B U K U R I A.

Bukurinë kishe në shpirt

Dhe buzëqeshjen: sa të çiltër!
Ne të  donim si një  dritë

Që na ngrohte shpirtin  dimër.

 

Vjen një lajm që s’e  besoj
Vaçe Zela paska vdekur!!!
Brez pas brezi do jehojë

Kënga e saj që ngjall të vdekur.

 

Pikëlluese dita sot
Dita sot mbuluar në zi
Në Parajsë e more Zot
Për ne gjallë do jetë gjithnnji.

Se për ne është Vaçe K Ë N G A
Që me këngë të vdekurit gjallë
Ato këngë na i do zëmra

Nuk ka vdekur… është p ë r r a l l ë.

 

6 shkurt 2014

MBRETËRESHA E KËNGËS SHQIPTARE

Nga Luan CIPI

Kushtuar Vaçe Zelës

Kush dëgjoi s’u mrekullua

Nga “Bilbili i Myzeqesë”?

Dhe një herë ta shoh, e dua,

Pastaj… më lini të vdes!

Te kënga “Fëmija i parë”

Nis buçet zëri brilant,

Ish bekim nga Zoti marrë,

Shqiptarët patën fat.

Këngën “Djaloshi dhe shiu”,

Koha na i dha peshqesh,

Ngjitet në podium gjeniu,

Vaçe Zela, një hyjneshë!

“Gonxhe, në pemën e lirisë”

Dhe “Lemza”, “çmendën” miletin,

Dridhet “Valsi i Lumturisë”,

“Nënë moj, do pres gërshetin”.

Për çdo vit një festival

Shpalos këngë e melodi,

Kurorat të ndrisin ballë,

Ti, shkëlqen ndër yllësi.

Vijnë çmime e ndere radhë

Shqipëri, Kosovë, më lart…

“Nderi i Kombit”, “Mjeshtre e Madhe”

Edhe “Mikrofon i artë”.

”Disku i artë” në Amerikë,

“Legjendë kënge” në Shqipëri

Në Botë “Personalitet”, mike,

“Grua e vitit” në Angli.

.

Nuk kanë të prerë gërshetat,

Madhështore do të mbesë

Në filmat, disqet, kasetat:

Këngëtare mbretëreshë.

Vlorë, më 10.09.2013

 

 

Filed Under: Featured

VACE ZELA “NDER I KOMBIT”, QE BEN NDER KOMBIT

February 6, 2014 by dgreca

SHUHET LEGJENDA E KËNGËS SHQIPTARE, E MADHJA VACE ZELA/

Nuk mund të ndjehet më keq njeriu kur sapo zgjohet merr lajmin e hidhur të vdekjes të një njeriu të madh, të ikonës së këngës shqiptare , e madhja, e papërsëritshmja Vace Zela. Ajo ishte një mit, që shfaqen rrallë.

Mbretëresha e këngës shqiptare sot është kudo mes shqiptarëve, edhe këtu në Amerikën e largët. Bashkë me lajmin e hidhur është sot me ne edhë zëri i Vaces. Ekranet e televizioneve shqiptare na përcollën nga vendlindja sot zërin e ëmbël e mjeshtres.

Kam pasë fatin që ta takoj Vacen jo vetëm në koncerte, por  edhe jashtë skenës, në mjedise miqësore e familjare dhe kam parë nga afër shpirtin e saj të madh, kam parë njeriun. E kam takuar në shtëpinë e Mustafa Kërcukut ne Gramsh, në dasmën e djalit , Skenderit, dhe kam ndjerë shpirtin e artistes.

Jam ndjerë mirë kur kam mundur të shkruaj për të , jo vetëm për këngën dhe artisten, por edhe qytetaren e tranzicionit, kur donin t’i merrnin shtëpinë. Vacja mbetet artistja më e madhe e këngës shqiptare.

Edhe pse është vlerësuar nga shteti shqiptar, Vace Zela mbetet artistja e pakontestuar dhe e pakonkurueshme. Ajo i takon popullit. Edhe kur ndonjë muzikant shpirtvogël është përpjekur që të krijojë ndonjë insinuatë për të, ka qenë opinioni ai që e ka mbrojtë duke evidentuar vlerat e artistes së madhe dhe zërin e saj plot muzikalitet.”Zeri ishte i saj, fjalet i shkruan te tjeret”-pat shkruar Republika.

Artistja e madhe do t’i mungojë skenës shqiptare, por zëri i saj nuk do të shuhet kurrë. Ajo u shua sot fizkisht, e enjte 6 shkurt 2014 në Basel të Zvicrës në moshën 74 vjecare. Vace Zela u lind në Lushnjë me 7 prill 1939. Ajo mban titullin “Nderi i Kombit”-dhe i bene Nder Kombit.

I përjetshëm kujtimi  mjeshtres së madhe. Ngushëllime familjes! (Dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, ikona, legjenda e kenges shqiptare, miti, Vace Zela

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4889
  • 4890
  • 4891
  • 4892
  • 4893
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT