• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJËS”- NJË LIBËR QË THYEN TABUTË E HISTORIOGRAFISË SË IDEOLOGJIZUAR

January 19, 2014 by dgreca

Nga Prof. Dr. Alfred Frashëri*/

Libri “Kongresi Kombëtar i Lushnjës” i autorit Engjëll Sh. Zerdelia i kushtohet një ngjarjeje madhore në historinë e Shqipërisë, në fillimin e vitit të tetë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 21-31 janar 1920. Ky Kongres ka këtë rëndësi, sepse mbrojti pavarësinë e vendit dhe hodhi themelet e shtetit të kohës. Shqiptarët me këtë akt të madh historik i ritreguan botës se janë një komb i lashtë i Ballkanit, që do lirinë dhe pavarësinë e vet, i cili është në gjendje të ndërtojë një shtet, ta zhvillojë atë dhe të përparojë. Për Kongresin e Lushnjës janë kryer studime, është shkruajtur dhe janë mbajtur fjalime ndër vite. Por, për fat të keq, asnjëherë nuk është treguar për brezat e sotëm; si u organizua dhe zhvilloi punimet ky Kongres, cilët ishin atdhetarët nismëtarë, kush punoi për të, cilët ishin delegatët dhe kë përqafësonin? Mbi baza klasore, dje dhe sot, historiografia shqiptare e politizuar në nivele të paimagjinueshme, ka dhënë gjithnjë shkrime të cunguara dhe emra të përzgjedhur edhe për Kongresin e Lushnjës. Kjo lloj “historiografie” u ka dhënë ngjarjeve historike një pamje rastësore, të organizuara nga dy-tre njerëz, të mbështetur nga “populli”. Ajo, me këtë veprim, realisht ka mohuar se ngjarjet historike, aq më tepër ato madhore organizohen nga njerëzit më të devotshëm, patriotë nga të gjitha trevat që bashkohen me rrjedhën e historisë, jo rastësisht dhe që gjejnë mbështetjen në atdhetarët e ndërgjegjësuar të kombit.

Këto mangësi, jo pa pasoja për historiografinë e vendit tonë, i ka kapërcyer me shumë sukses z. Engjëll Sh. Zerdelia në librin e tij që i paraqet sot lexuesit të gjerë. Ai përshkruan me hollësi si lindi nisma për thirrjen e Kongresit në një periudhë shumë të vështirë për Shqipërinë, kur të huajt deshën ta coptonin, si e thirrën dhe organizuan kongresin me përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, cilët ishin ata burra që nuk iu drodh dora, syri dhe zemra për të mbrotjur atdheun. Me një punë shumë të madhe, autori i librit ka mbledhur materialet për secilin atdhetar që punoi për kongresin, për secilin lushnjar që dha ndihmesë për organizimin e zhvillimin e tij, për secilin shqiptar që me pushkë e penë në dorë e mbrojti këtë Kongres.

Në libër gjenden edhe dokumenta të korrespondencës së organizatorëve të Kongresit, përfshirë edhe me kundështarë të mbajtjes së tij, duke u treguar atyre se ky Kongres do të mbahej dhe Shqipëria do të shpëtohej. Jepen vendimet e marra dhe organet qeveritare të formuara. Libri shoqërohet edhe me fotografi të shumta (shumë prej tyre publikohen për herë të parë) të personave pjesëmarrës në të, të Lushnjës dhe mjediseve të shtëpisë ku u mbajt Kongresi, etj, të cilat i rrisin vlerën.

Duke lexuar librin, bëhet fare e qartë se ashtu siç në 28 nëntorin e vitit 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë pas një lufte dhe pune të gjatë të rilindasve dhe atdhetarëve të atyre viteve, të shqiptarëve që me pushkë dhe penë në dorë u ngritën për liri, Kongresi Kombëtar i Lushnjës mbrojti pavarësinë, hodhi themelet e shtetit të pavarur shqiptar dhe i tregoi botës se në tokën tonë, zot i vendit është shqiptari.

Libri “Kongresi Kombëtar i Lushnjës” duhet të qëndrojë në duart e lexuesëve, studentëve, historianëve, analistëve, sepse është një kontribut i rëndësishëm, që autori i tij, zoti Engjell Sh. Zerdelia jep në fushën e historiografisë shqiptare.

  • Kjo është parathënia e librit të sapo botuar të studiuesit Engjëll Zerdelia. Gazeta “Dielli” do të shfletojë herë pas here këtë libër me vlera Kombëtare. Sic thoshte Fan S Noli, ndër veprat e mëdha të Vatrës ishte edhe Kongresi i Lushnjës. Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, Federata Vatra e ndihmoi me një Hua Kombëtare prej 197 mijë dollar. Kongresi i Lushnjës është ngjarje kulmore Kombëtare, që ndryshoi rrjedhat e Historisë Kombëtare. Përgëzime autorit!

Filed Under: Featured Tagged With: Allfred Frasheri, Engjell zerdelia, Kongresi i Lushnjes

Mesila Doda dhe Eduard Selami në komandën e NATO-s

January 19, 2014 by dgreca

Deputetja Mesila Doda dhe Eduard Selami kanë vizituar komandën e NATO-s duke zhvilluar biseda kofidenciale të rangut të lartë. Me inisiativen e ambasadës amerikane në Tiranë, një delegacion shqiptar me parlamentarë të opozitës vizituan misionin USA në NATO, Shtabin e përgjithshem të komandes së NATO-s si dhe përfaqesinë USA në EU. Takimet e mistershme të dy deputetve demokrat kanë pasur mbështetjen e ambasadës amerikane dhe misionit të NATO në BE.

Një eksperiencë e mrekullueshme e dy deputetve demokrat si një sinjal se e ardhmja e tyre politike gëzon besimin e aleatve kryesor europian nga e cila ata në Partinë Demokratike do përcjellin frymën për të kuptuar marrdhëniet politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike midis dy kontinenteve dhe frymën e partneritetit të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria konsiderohej një partner i denjë dhe merrte pjesë në vendimet e rëndesishme të kësaj Aleance.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eduard Selami, Mesila doda, ne Komnden e NATO-s, vizite

Homazh për simbolin e paqes e të lirisë, krenarinë e Kombit, Ibrahim Rugova

January 19, 2014 by dgreca

Me rastin e 8 vjetorit të ndarjes nga jeta te Presidentit historik të Kosovës, arkitektin e Kosovës së  Pavarur, dr. Ibrahim RUGOVA/

SHKRUAN: Dr. Enver Bytyçi /

Nesër bëhen 8 vite që kur lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova u nda nga jeta. Në fakt ishte një ndarje në të gjallë të tij, sepse Ibrahim Rugova, si askush tjetër në rajonin tonë të mbushur me mite e misticizma, nuk e mbajti për vete sëmundjen vdkjeprurëse, kancerin që i mori frymën. Ai pati guximin t´u thotë bashkëqytetarëve, bashkkombasve, miqve dhe armiqve të tij, se i kishte ditët e javët e numëruara për shkak të sëmundjes së pashërueshme që vuante. Dhe me 21 janar 2006 ndërroi jetë.

Por edhe pse i sëmurë, Rugova vijoi të ishte president i Republikës së Kosovës deri në ditën kur vdiq. Ishte një kohë historike e papërsëritshme për Kosovën. Tashmë ishte marrë vendimi historik për të biseduar për të ardhmen e saj – afer dy muaj pas vdekjes së tij filluan bisedimet ndërkombëtare për statusin e vendit. Rugova kishte emruar grupin negociator të bisedimeve për statusin, kishte bërë gati platformën e këtyre bisedimeve dhe kishte paralajmëruar se “shqiptarët nuk do të pranonin asgjë më pak se pavarësinë dhe nëse atyre do t´u mohohej kjo, atëherë ata do të kërkonin bashkimin me Shqipërinë”.

Ibrahim Rugova u nderua në ceremoninë e varrimit si askush tjetër në Kosovë e në rajon. Qindramijë njerëz në ato ditë të acarta qëndruan në radhë për t´i dhënë lamtumirën e fundit presidentit, udhëheqësit e liderit fisnik, të urtë e të pakompromis. Dhe gjithë këta e bënë nderimin e tyre me idenë fikse të mirënjohjes: “Ia kemi borxh nderimin këtij njeriu, që na ktheu lirinë”! – thoshte secili prej atyre që qëndruan ato ditë me orë të tëra në të ftoht e në ngrica për t´u ndarë nga miti Rugova. E nderuan gjithashtu dhjetra delegacione që erdhën nga vendet kryesore të botës e të Europës, e nderuan bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, njerëzit e familjes e të afërmit e tij.  Qenë shumë pak ata që nuk u përlotën për ikjen fizike të Ibrahim Rugovës. Ishin të pashpirtët, revolucionarët bolshevikë që po t´i shihje në thelbin e tyre kishin të njëjtin shpirt si edhe diktatorët. Ata ishin e dikush është dhe sot kundër Rugovës, se lideri historik kishte vizion tërësisht perendimor e demokratik dhe u shfaq i pari në Kosovë jo vetëm si filozof i kombit shqiptar, por edhe si demokrati i parë i trevave shqiptare. E zemra e demokratit të vërtetë si Rugova nuk rrihte me të njëjtin ritëm si zemra e dogmatikëve enveristë e stalinistë. Pë një lidhje të tillë midis filozofisë nacionale dhe shpirtit democrat, Dr. Rugova nuk do të ishte bërë kaq i madh, i paaaritshëm dhe i paoërsëritshëm. Shumë prej këtyre kritikëve pas vdekjes janë penduar për qëndrimin e tyre. Por ka prej atyne që edhe sot nxjerrin helm prej goje dhe u duket se edhe bustet e Rugovës ua prishin interesat, u duket se edhe ne Bronx Rugova mund të flasë e t´u bëjë hije këtyre njerëzve. që përveç mohimit të së mirës e të simboleve të kombit, nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër.

Ibrahim Rugova erdhi në jetë pa e njohur gjyshin e të atin, pasiqë të dy ata i asgjësoi sigurimi i Serbisë, para lindjes së tij. Ai u rrit, siç rritet çdo fëmijë me gjysh e baba të pushkatuar nga një regjim pushtues e diktatorial njëherësh, pra, me ndjenjën e urrejtjes e njëkohësisht të frikës, me afshin e hakmarrjes e njëkohësisht të durimit. I ndodhur përballë një bote të egër e të paparashikueshme, ai ishte përkushtuar që të hakmerrej jo vetëm për vrasjen e babait e gjyshit të tij. Ai u përgatit dhe u armatos me armën më të sofistikuar të kohëve moderne, me armën e dijes, të kulturës e të urtësisë hyjnore, me qëllim realizimin e qëllimit të tij madhor, që përkonte me ëndërrat e të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës të shekullit të fundit. Kishin provuar burra të tjerë të mëdhenj të Kosovës që ta çonin në vend amanetin e dëshmorëve të atdheut. E të gjithë këta, prej Bajram Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Hasan Prishtinës e deri te Shaban Palluzha, e më vonë trimat e Kodrës së Trimave të Prishtinës, provuan e tentuan lirinë e Kosovës, kryesisht përmes luftës. Por pavarësisht heroizmit të tyre të paparë në historinë e kombeve të tjera, ata dështuan në aksionin e tyre politik e ushtarak për shkak se Serbia gjithnjë kishte dëshmuar një militarizim të jashtëzakonshëm dhe se shqiptarëve u mungonin aleatët.

Ibrahim Rugova vendosi të ndiqte një rrugë të re në ndërmarrjen e aksionin e tij patriotik. T´i qëndrojë larg luftës së armatosur e njëkohësisht të përgatitej për këtë opsion, nëse lufta imponohej. Ai ndoqi njëkohësisht  filozofinë e afrimit të botës demokratike në krah të çeshtjes së shqiptarëve. Ky vendim i tij ishte një gjetje impresionuese për botën dhe Europën e civilizuar. Në një kohë kur të mëdhenjtë e botës prisnin që shqiptarët të laheshin në gjakun lumë për shkak të konfliktit të vjetër e të ri me Serbinë, Ibrahim Rugova ofroi një filozofi të re, atë të rezistencës paqësore të shqiptarëve. Bota ishte skeptike deri në ekstrem. Si mundet që këta shqiptarë gjaknxehtë e të padurueshëm të mbajnë një qëndrim të tillë?! Dhe, ata që merrnin vendimet për botën e ardhshme duhet thënë se kishin të drejtë. As në Kosovë, as ndër shqiptarët, as në Ballkan nuk kishte patur deri në këtë moment një burrë që të ishte përcaktuar për zgjidhjen e konflikteve me paqe e dialog. Ibrahim Rugova ishte i pari. Por ai duhej provuar.

Bota skeptike kërkonte të vëzhgonte realitetin dhe jo vetëm idenë e vizionin e Ibrahim Rugovës. Prandaj ndali frymën dhe u vu në ballkonin e Europës e Amerikës, pse jo edhe të Kremlinit e qendrave të tjera për të soditur atë që ndodhte në Kosovën e Ibrahim Rugovës. Nga ballkonet diplomatike e të shërbimeve të ndryshme të informacionit kancelaritë filluan të shohin befasinë, një realitet të paimagjinueshëm. Lideri i shqiptarëve po shfaqej si profet në atdheun e tij. Ai në atë shtëpinë e vogël të Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë filloi të planifikonte dhe frymëzonte njerëzit me idetë dhe vizionin e tij fisnik. Anton Çeta dhe Zekeria Cane, dy njërëzit e afërt të Rugovës, duke u frymëzuar prej filozofisë së liderit dhe mikut të tyre, bashkuan Kosovën. Kur ekranet televizive jepnin dhjetra e qindramijë shqiptarë të Kosovës të grumbulluar në ceremonitë e faljes së gjaqeve, këtu jepej demonstrimi i parë i pashoq i një populli të lidhur aq ngushtë me liderin e tij, për të shkuar me vendosmëri e pa kthim drejt lirisë.

Jugosllavia vringëllinte armët e kërcënonte asokohe të gjithë popujt “antiserbë” , parasëgjithash shqiptarët. Por shqiptarët nuk pranuan të ishin preja e parë e lukunisë së ujqërve serbë. Ata u bënë njësh me liderin e tyre historik edhe kur u provokuan me vrasjet e ushtarëve shqiptarë, edhe kur u helmuan, edhe kur u vranë masivisht  gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, edhe kur ua ndërruan me dhunë kushtetutën dhe ua morën atë pak liri, edhe kur…  Ata kishin marrë një vendim të pakontestueshëm: Do të ishin bashkë në çdo moment, do të vepronin bashkë çdo kohë në harmoni të plotë me liderin e tyre, Ibrahim Rugova.

Dhe lideri historik, me qëllim që të bënte realitet premtimin e tij për lirinë e pavarësinë e Kosovës, veproi si democrat dhe idhtar i madh i lirisë me mjetet më demokratike të mundëshme, mjete të cilat askush nuk besonte se nuk do të mund të tejkaloheshin në kushtet e dhunës e të genocidit serb në Kosovë. Për t´iu kundërvënë represionit të Serbisë, Rugova ndërtoi një shtet të ri, institucione të reja. Ai fillimisht, më 1991 krijoi Këshillin e Partive Politike Shqiptare në Ish-Jugosllavi. Përmes atij këshilli deshi të formulonte një politikë të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm me Shqipërinë dhe e inicoi një program të tillë, por nuk gjeti mirëkuptimin e partnerëve të tij. Më tej, me anë të këtij këshilli emroi një qeveri të përkohshme të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet parlamentare e presidenciale. Për të ardhur në këtë vendim ai kishte nxitur e projektuar shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 si dhe në shtator të atij viti kishte miratuar Kushtetutën e re, e cila ka hyrë në histori si Kushtetuta e Kaçanikut. Për çdo studiues dhe vëzhgues do të ishte e mjaftueshme të studiohej kjo kushtetutë e pandërmjetësuar nga asnjë institucion ndërkombëtar dhe të shihte qartë se çfarë përfaqësonte filozofia e Ibrahim Rugovës për të tashmen e të ardhmen e Kosovës së pushtuar e të dhunuar prej Beogradit. Pa dyshim është kushtetuta më e mirë, më demokratike, në të cilat parashikohen të gjitha të drejtat e qytetarëve në Kosovë, përfshirë dhe pakicat, e sidomos pakicën serbe. Ishte shtatori i vitit 1990. Ajo kushtetutë ishte e para e këtij lloji në Europën Lindore në procesin e ndarjes nga komunizmi. Ishte kushtetuta e parë e një vendi ish-komunist me tipare të qenësishme të kushtetutave perendimore. Në historinë moderne burrat e shtetit janë dalluar pikërisht nga mënyra sesi ata i ndërtojnë kushtetutat e vendeve të tyre. Ibrahim Rugova në këtë pikë mbetet I ngjajshëm me  Jefferson, Linklon dhe Adenauer.

Ndoshta fryma e kshtetutës së Rugovës ishte guri i provës për liderin shqiptar të Kosovës. Ai, sapo u zgjodh president i vendit më 24 maj të vitit 1992, u pranua ndërkombëtarisht si lider i pakontestueshëm i shqiptarëve dhe u prit me protokolle shtetërore në Shtëpinë e Bardhë dhe në kancelaritë e Berlinit, Londrës, Parisit, Romës, Madridit… po asnjëhërë nuk u prit në Moskë, në Athinë a në ndonjë kryeqytet tjetër me disponim antishqiptar. Kur u hapën dyert për Rugovën, ai, me mençurinë dhe guximin e tij të rrallë, formuloi dhe paraqiti kudo alternativën e tij. Kur presidenti amerikan apo ai francez, si dhe kancelari gjerman ose kryeministrat ne Londër, Romë e Madrid e pyesnin për zhvillimet në Kosovë, Rugova ua përshkruante me detaje gjendjen e rëndë të shqiptarëve shkaktuar nga genocidi serb. Kur ata e pyesnin për atë sesi duhej zgjidh kjo situatë, pasi ishin pajtuar me të vërtetat e Rugovës, lideri shqiptar kishte vetëm një përgjigje: “Pavarësia është ilaçi i vetëm i zgjidhjes”! Në këtë mënyrë, ditë për ditë, kohë pas kohe, orë pas ore ai përsëriti kërkesën e tij të pandryshueshme deri në fund të jetës: –  Pavarësi për Kosovën e për të arritur te pavarësia, protektorat ndërkombëtar më parë.

Hap pas hapi Rugova ndërtoi shtetin e Kosovës, jo vetëm nga pikëpamja juridike, por edhe nga pikëpamja e funksionimit të arsimit, shëndetësisë, ndihmës sociale e kështu me radhë. Eshtë rasti i parë, të cilin historia e shënon, kur një personalitet si Rugova, i drejton dy milionë qytetarë të vendit të tij vetëm me forcën e moralit, pa ushtri, pa polici, pa dhunën e shtetit. Dhe është rasti i parë në historinë e kombeve, kur një popull bashkohet së paku për tetë vite radhazi 1989-1997, me një disiplinë politike të pashëmbullt rreth liderit të vet. Dhe kjo ndodhi aso kohe thjesht se të dy palët besuan te njëri-tjetri. Kosova besoi te Rugova dhe Rugova besoi te Kosova. Të dy palët nuk e tradhëtuan asnjë çast njëri-tjetrin, qëndruan besnikë e në unitet të pazakontë e të pashembullt në histori. Kjo forcë e arësyes rugoviane ndoshta është burimi kryesor i revoltës të nja tra a katër kundërshtarëve të tij të pandreqshëm.

Kur bota e lirë nuk i përfilli shqiptarët në rastin e Dayton-it, atëherë në Kosovë lindi një lëvizje më e radikalizuar. Në studimet e mia, bazuar në materialet e arkivave dhe literatutrës perendimore, kam shkruar sesi Rugova kishte organizuar dhe ishte përgatitur në fushën ushtarake e të sigurisë, në rastin e një lufte në Kosovë. Por dalja e UÇK-së, çoi në daljen e situatës prej kontrollit të tij. Nëse kthehemi në ato kohë, kur krerët e UÇK-së sulmonin në radiot e huaja më shumë Rugovën e Bukoshin, sesa politikën serbe, duhet të besojmë se në Kosovë mund të shkohej drejt një lufte civile. Ishte Rugova, jo Bukoshi, ai që e parandaloi një përshkallëzim të tillë të konfliktit. Edhe në këtë rast ai shërbeu përmes formulës së tij magjike, qëndresës paqësore. Luftën e morën përsipër si me inat e për inat të Rugovës, ata që tashmë kanë emër e mbiemër. Ndërkaq shumica e luftëtarëve të lirisë kishin vetëm një qëllim, çlirimin e Kosovës dhe së paku gjysma prej tyre vazhdonte ta kishte Rugovën idhullin e vet.

Zhvillimet e kohës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë bënë që Rugova të merrej peng në Beograd. Ai u shfaq në ekranin televiziv të kohës me një deklaratë. Shumë kush ka gjykuar se ajo deklaratë ishte e montuar, siç dinte Milosheviçi ta bënte. Këtë moment të gjykimit e paragjykimit për liderin historik të shqiptarëve e kam trajtuar gjerësisht, gjithashtu bazuar në literaturën gjemane, në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”. Ndërkaq paraqitja e Rugovës përballë Milosheviçit si dëshmitar në Gjyqin e Hagës i zhgënjeu ata që shprehnin entusiazmin e tyre cinik për ta “dëshmuar tradhëtinë e Rugovës”.

Në fakt njerëzit në Kosovë e amnistuan presidentin historik të tyre që në tetorin e vitit 2000, kur e votuan thuajse në të gjitha komunat e Kosovës dhe ia dhanë atij të drejtën që t´i qeveriste qytetarët e Kosovës. Më pas qytetarët e Kosovës i dhanë shumicën absolute në zgjedhjet e vitit 2001 dhe e ripranuan Rugovën si President të vendit. Edhe më vonë, më 2003 e 2004, zgjedhjet i fitoi Ibrahim Rugova në shumicë, sepse shqiptarët e shihnin atë si njeriun më të besueshëm të vendit. Kjo do të thotë se kreun e vendit para e pas lufte Rugovës ia dhanë qytetarët, ia dha aftësia e tij e jashtëzakonshme për të komunikuar me popullin e tij, ia dha vizioni dhe këmbngulja e tij për lirinë e Kosovës, ia dha autoriteti dhe integriteti i tij moral e qytetar, dinjitet dhe integritet i nëpërkëmbur dhe i përdhosur nga shumica e politikanëve shqiptarë në Kosovë e jashtë Kosove. Prandaj populli I Kosovës e konsideroi çdo kohë Ibrahim Rugovën si “Babain e kombit”, ndërsa mediat ndërkombëtare në kor i dhanë atij emrin e merituar “Ghandi i Ballkanit, ose Ghandi i Prishtinës”! Unë do të thosha se Dr. Ibrahim Rugova, pra themeluesi i shtetit të Kosovës, udhëheqësi i pakontestueshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidenti historik i saj, nuk ishte vetëm një shëmbëlltyrë e Ghandit të Indisë, por edhe e shumë personaliteteve të tjera, si Nënë Tereza, Papa Vojtila II, Nelson Mandela, Martin Luter King, Vaclav Havel e të tjerë burra që kanë bërë historinë e lavdishme të fitores me paqe e mirësi. Ndaj çdo shqiptar është e do të mbetet krenar që jetoi në kohën e lavdishme të Ibrahim Rugovës, është dhe do të jetë krenar që si simbol të krenarisë kombëtare do të ketë krahas Skënderbeut dhe Nënë Terezës edhe Ibrahim Rugovën.

Homazh për simbolin e paqes e të lirisë së Kosovës, për njeriun që i ktheu dinjitetin shqiptarëve, Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova!

 

Filed Under: Editorial Tagged With: arkitek i Pavaresise, e Paqes, Enver Bytyci, Homazh per simbolin, Ibrahim Rugova, Lirise

KONITZA në Nju Jork Tajmes: NUK MBULOHESHIN TË GJITHA GRATË NË SHQIPËRI

January 18, 2014 by dgreca

Faik Konica në “The New York Times”: Gratë në fshatrat e Shqipërisë nuk kanë dalë kurrë të mbuluara. Vetëm në qytete, ku në kohën e sundimit turk kish forca ushtarësh të vendosur, mbuloheshin gratë me qëllim për të shpëtuar nga syt’ e ushtarëve që mund t’u bijin në qafë…. Në Shkodër e Elbasan edhe gra katolike e ortodokse e mbajnë mbulesën e faqes…/

Ka ndodhë shpesh që të debatohet për mbulimin e femrave në Shqipëri, duke pretetenduar se kjo ka qenë traditë gjithëshqiptare, vecanërisht për fenë muslimane. Nuk pretendoj që do t’i shtoj gjë atij debati, madje e kam shmangur në gazetën Dielli dhe nuk i kam botuar shkrimet e derguara, vecanarisht ato të fanatikëve, që duan me cdo kusht, në emër të lirisë fetare, kthimin masiv të mblesës për gratë muslimane, – thjeshtë desha të sjell në origjinal reagimin e Faik Konicës ndaj gazetës prestigjioze The New York Times Times.Ishte koha kur shtypi amerikan i furnizuar nga ai ballkanik, por edhe nga korrespondentët e atjeshëm, po shkruanin për Shqipërinë si për një vend musliman fanatik. Kjo pas kryengritjes që pat ndodhë në qarkun e Gjirokastrës. Në fakt ai që u cilësua rebelim iu atribua jugorëve, por bashkë me Ethem Toton, kishte dhe ushtarakë veriorë, dy prej të cilëve u zunë të gjallë, kapitenin Ismail Gjylbegu dhe Gegë Marka Gega. Gjithësesi nuk është kryengritja objekt i këtyre radhëve, por mbulesa e grave.Shkaku i shtimit te shkrimeve kunder Shqiperise, ishte pikerisht plasja e rebelimit dhe shtypi iu lëshua Shqipërisë me të gjitha bateritë…

Në gazetën Dielli të 7 qershorit 1937, në faqen e parë, në kolonën  e mesit, botohej reagimi i Konicisë nën titullin e shkruar me shkronja kapitale: ” NUK MBULOHEN TË GJITHA GRATË”!

Editori i atëhershëm i Diellit, Nelo Drizari, shkruan në hyrje të shkrimit:”Me titullin e sipërm, Ministri i Mbretërisë Shqiptare në Washington, Faik Konitza, i shkroi një letër gazetës The New York Times në lidhje me lajmet e shtrembëruara në një pjesë të madhe të shtypit amerikan.Nga letra, botuar me 24 të muajit maj, Dielli boton pjesën e mëposhtme, shkruante Drizari:

“Munt t’ju përhiroj për kryeartikullin mi Shqipërinë? Ay që e shkruan e kupton mirë ndodhjen e vendit. Vetëm dua të bëj një përjashtim mi një pike, shkruante Faiku.

“Gratë në fshatrat e Shqipërisë nuk kanë dalë kurrë të mbuluara. Vetëm në qytete, ku në kohën e sundimit turk kish forca ushtarësh të vendosura, mbuloheshin gratë me qëllim për të shpëtuar nga syt’ e ushtarëve që mund t’u bijin në qafë….Në disa vende, si Shkodra, Elbasani, edhe gratë katolike edhe ortodokse e mbajnë mbulesën e faqes, dhe meqë e kishin bërë zakon, kjo modë arriu gjer aty’ shpejti. Munt të themi se vetëm nja 10 për qint nga gratë e Shqipërisë e kanë mbajtur mbulesën e faqes.

Me që bie fjala, i vjen njeriut për të qeshur me disa gazeta, kur këndon në faqet e tyre se gjoja shqiptarët janë “Muhamedanë fanatikë”, kurse mbajmë ment që në syt’ e Turqisë, shqiptarët ishin atheistë, të cilët kurdoherë edhe talleshin me fenë!

“Vëndi ku plasi Lëvizja kryengritëse”, vazhdon Ministri Konitza, “janë nga viset më të përparuara të Shqipërisë. Njeriu në krye të kësaj lëvizjeje qe Et’hem Totua, i cili, mjaft i mencur, nuk tregoi as gjykim as dashuri-vendi në këtë rast.”, përfundon Konitza.

Komenti është i tepërt…(d Greca)

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: dalip greca, Faik Konica, Grate nuk mbuloheshin, te gjitha

Kur flasim për diasporën

January 18, 2014 by dgreca

Nga Dhimitër Dishnica/

Kohet e fundit në shtypin e shkruar dhe atë onelain të   New Jorkut,, në gazetat “Dielli” dhe “Illyria” po bëhet gjithmonë  dhe më i pranishëm një emër nga qyteti i Worcesterit, Artur Vrekaj, djalë i ri, me ambicje dhe karierist i thekur, i cili bën kujdes dhe me temat që rreket të trajtojë, kërkon të marrë pozat e mendimtarit, njeriut te ditur, që rezaton kulturë dhe mirësi. Kjo është platforma që kërkon të promovojë. Nga një anë, duke e parë në planin personal, mirë bën që shkruan. Mban veten gjallë. Kërkon të jetë në vëmëndjen e të tjerëve, të bëhet person publik dhe pse jo reflekton një dëshirë, sikundër e thotë edhe vetë “do bëhem një Noli i ri në diasporë(kështu thonë bashëpatriotët e tij  përmetarë). Nejse. Kjo është ana më e parëndësishme.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është denigrimi i figurës së tij, as ti bëjmë hije e as ti shohim me xhelozi arritjet e tij. Shkruesi i këtyre rrjeshtave është ndër ata që e ka shtyrë për tu bërë person i lidhur me shtypin, që të guxonte të botonte vjershat e tij dhe nuk kam as më të voglën arsye për të cënuar figurën e tij. Nga pozitat e ish mikut  më lind e drejta për ti thënë miqësisht. Kur mbaron së shkruari natën, në mëngjes apo ditën tjetër lexo ato çka ke shkruar. Përqëndrohu, fillo redaktimin dhe rregullo strukturën e fjalive sepse  tekstet e botuara nuk të paraqitin dinjitos ne sytë e lexuësve. Mos e harro këshillën time. Sintaksa ka ligjet e veta

Ajo që unë kontestoj janë idetë, kërkesat e përsëritura nga njëri  shkrim tek tjetri për   organizimin e nje kuvëndi  për hartimin e platformës kombëtare dhe këmbënguljen për krijimin e Ministrisë së Diasporës Nuk e di sa i vërtetë është ky mendimtar. Kush ka thënë që diaspora nuk është solide. Pse kerkohen “qiqrat në hell” si thotë populli Mos kërkohen gjë thela dhe përfitime vetiake?,

Që në krye të herës gjykoj se ky nocion i artikuluar prej tij është mashtrimi më i madh, tepër spekulativ dhe i pa argumentuar. Brënda kësaj ideje nuk ka si të mos shquash egon e tij personale, dëshirën për të qënë në vëmëndjen e diasporës, pjesmarës në forume të mëdha si edhe në foto bashkë me “baballarët” e diasporës dhe mbi të gjitha për tu krenuar para fisit të të tij se djali i tyre po bëhet njeri i dëgjuar në Amerikë.

Të kostatosh është gjëja me e lehtë, por të materializosh apo të vesh në jetë një ide të mirfilltë kombëtare duhet vision, njohuri historike apo të traditës, duhen njerzit e munguar të inteligjencës për të interpretuar rolet kryesore në këtë ndërrmarje të madhe.. Siç duket autori i shkrimeve të njëpasnjëshme vuan nga komleksi i inferioritetit pranda shpërndan ide “shashka”të artikuluara qysh herët në rrethet e emigracionit shqiptar.. Kjo ide nuk është e re dhe as e panjohur. Shumë përpjekje janë bërë brënda shekullit mërgimtar të diasporës për bashkim, unifikim, hartimin e një platforme  kombëtare e fjalë të tjera të mëdha. Faktet na servirin një pamje tjetër, të hidhur, të mbushur me dështime, denigruëse e me zënka pa fund aq sa faqet e gazetave shqiptare në Amerikë ishin kthyer në arena ku elita intelektuale është rrahur gazetarisht mes vedit.

Të njëjtat histori shfaqen edhe tani në fillimin e shekullit të ri. Edhe pse rrethanat, sfondi historik ka ndryshuar përsëri bëjmë thirje, derdhim lumë fjalësh për të ngacmuar, prekur nervin patriotik të bashkëatdhetarëve tanë të diasporës. Janë shumë të ëmbla, nanuritëse këto për veshin e të gjithëve, por kjo retorike, ky patetizëm i stimuluar zvenitet kur ndeshet me shterpësinë që le pas mungesa e viziomit, tematikës dhe detyrave që shtrohen për rolin e diasporës.Pretendohet sot për thirjen e “Kuvëndit të shqiptarëve të Amerikës, për të përcaktuar prioritetet e këtij shekulli. Dëshira, në thonjëza, është e mirë, por askush deri më sot nuk i ka dhënë frymë kësaj ideje. Nuk ka të regjistruar asnjë prioritet, asnjë platform  kombëtare,nuk ka as nismëtarë dhe nuk ka të evidentuar asnjë elitë njerzish të ditur që do ta drejtojnë këtë diasporë. Praktika e deritanishme nuk ka qënë e suksesëshme, mbresëlënëse prandaj është humbje kohe të meresh me organizime të tilla shterpë dhe pa bukë. Të pretendosh për organizime të tilla është tepër e vështirë, aspak praktike dhe që ka një kosto të lartë financiare. Ajo që i duhet diasporës, për momenin, është krijimi i një shërbimi onelain me tre apo katër vetash që të mbajnë kontaktë me të gjitha shoqatat  apo grupimet e ndryshme në krejt diasporën. Kjo qëndër informative do të japë udhëzime, do marrë dhe seleksionojë tematikën dhe shqetsimet e tyre, do ti nxitë ato për tu bërë objekt dhe subjekt njëkohësisht në realizimin e programit kombëtar për  diasporën. Kjo zyrë kordinuëse, me mundesitë që të afrojnë mjetet e komunikimit intensive do te jetë baza për krijimin e inventarit potencial të shqiptarëve që kanë arritur nivele të larta përfaqsimi në institucionet e larta shkencore, akademike, universitare, ushtarake por edhe më gjërë. Kjo gjeneratë në pararojë është jo vetëm pasuri kombëtare, por që shërben edhe si krenari për çdo shqiptar në vetvete dhe shëmbull pozitiv për tu ndjekur. Sa më mirë dhe sa më shumë ta pasurojmë këtë inventar intelektual aq më dobi i sjellim komunitetit, sepse asnjë nga dejtuësit e mbarë shoqatave nuk kanë informacione të sakta, sa është numëri i tyre, në c’fusha veprojnë etj

Është fakt i pamohushëm që komuniteti shqiptar në diasporë, brënda një kohe të shkurtër ka manifestuar reflekset më të mira emancipuëse, progresiste, tolerancën, ndershmërinë e tij të thellë për tu ingranuar në shoqërinë multietnike amerikane, por njëkohësisht është bërë interpreti i identitetit tonë kombëtar, i traditave më të mira shqiptare dhe cilësisë progresiste të shoqërisë dhe vendit të origjinës sonë. Diaspora jonë, krahas përpjekjeve, punës së ndershme e me përkushtim për tu ballafaquar si i barabartë me komunitetet e tjera, ka hedhur hapa të qënësishme në rrugën e progresit, në arsimimin e lartë univeritar të të gjitha niveleve.Sot kemi qindra e qindra të tillë të cilët janë të liçensuar në degë dhe profesione të nderuara dhe respektuara. Kjo kategori tashmë nuk është anonime, por që duhet vënë në efiçensë dhe afruar si një detashment i specializuar për të marë mbi vete përgjegjësira në dobi të komunitetit  dhe për të qënë hallka lidhëse me tematikën dhe programet e zhvillimit ekonomik të vëndit të origjinës sonë.

Kryetari i shoqatës së qytetit të Usterit, në cilësinë e gazetarit,mos merret me idera të mëdha,butaforike, me organizime që si hynë në punë kërkujt. Nuk vlejnë fotot, as presidiumet me njerës të ngrefosur,tepër të velur, as drekat dhe darkat, me gotat nëpër duar, por të meret me detyrat më të thjeshta, më konkrete , më dobiprurëse.

Diaspora jonë është tepër vitale. Është detyra e shoqatave për të seleksionuar, promovuar më të mirët, për ti rekumanduar dhe përgatitur për sfida të mëdha e të rëndësishme. Usteri ka një potencial intelektual që duhet të meret në kosideratë. Emra të tillë si Petrit Skënde,Kujtim Asllani, Leka Bezhani, Robert Laperi, Rezarta Reso, Dhimitri Skënde mund të jenë kandidatë potencialë në zgjedhjet e ardhëshme në të gjitha nivelet e përfaqsimit, në administratën e lartë të qytetit. Emra të tillë potente gjen me shumicë në Boston, New Jork, Detroit, Çikago dhe qytete të tjera ku ka grumbullime shqiptarësh. Me një organizim më të mirë, me një program të detajuar dhe punë të frutëshme kokë më kokë me njerzit mund të fitohen postet e krytarëve të Bashkive dhe pozicioneve te tjera të larta në administratën lokale. Votat e bashkuara të komuniteteve shqiptare janë të mjaftushme, për të haritur objektivat. Kërkohet vetëm vullnet dhe përkushtim.

Është e pa falëshme, në kushtet e sotme, që diaspora të mos e ndërmarë këtë hap në të gjithë hapësirën ku ajo vepron. Ne nuk duhet të mbetemi vetëm tek restaurantet, piceritë, serviset e riparimit të automjeteve, por vështrimin duhet ta hedhim më thellë. Është pak, shumë pak konkurimi i një apo dy personave për të hyrë si kongresmenë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk e di pse hesht Komuniteti shqiptar I New Jorkut. Pëllumb Kulla është një emër potent, me cilësi dhe virtute të admirushme, i formuar si politikan Po ç’presin. Pse nuk punojnë për ta lançuar , për të bërë gjithçka duhet për ta përgatitur si kongresmenin e persektivës. Shoqata veterane “Vatra” duhet të hedhë një hap emancipuës. Lufta ka 70 vjet që ka ulur siparin e saj.Gjakrat janë ftohur, dhimbjet kanë mbetur pas. Eshtë tepër primitive të shkohet akoma me mllefe, mërira, akuza artificiale .Vatra nuk është pronë e asnjë grupimi. Krekosja se jam pinjoll i iks apo ypsilon patrioti  si dhe mbajtja e flamurit të antikomunizmit është një kauzë bajate që  s’ta pranon kërkush. Shqiptarizmi duhet të jetë emërusi I përbashkët i diasporës sonë

Në kushtet e tanishme të gjitha shoqatat, për të mos dalë jashtë funksionit,kanë nevojë për një reformism total, për një revolucionarizim të mënyrës së konceptimit, zgjedhjes së rrugëve të reja dhe kapjes së tematikës për të cilën ka nevojë komuniteti.Mbi të gjitha ato kanë nevojë për një frymë të re bashkëvepruëse me inteligjencën aktive, sepse punët e mira behen me njerës të spikatur dhe jo me njerës perferikë dhe pa nivel. Dikush edhe mund të pyesë. Ç’duhet bërë? Përgjigjia mendoj se nuk është aspak e vështirë. Boll që të ngrenë shkollat shqipe dhe të kujdesen për mbarëvajtjen e tyre. Shoqatat në përputhje me legjislacionin e Shtetit Amerikan të luajnë rolin e unioneve dhe të mbrojnë interest e antarëve të komunitetit. Të këmbëngulin për të regulluar disa kontradikta që ekzistojnë në aplikimin e ndihmës sociale etj. Kjo, për mendimin tim, është hallka kryesore e cila do ti reabilitojë dhe nxitë ato për një përfaqësim dinjitos dhe larg rutinës së zakonëshme.Dhe së fundi duhet ti rikujtoj autorit të shkrimeve të botuara në gazetat e New Jorkut se a ndihet i turpëruar si një ndër shkaktarët që iu kundërvu shkollës shqipe që çelëm në këtë qytet duke i bërë karshillëk aritjeve të saj, duke ngritur një shkollë paralele. Lluks i pa nevojshm  i ushqyer nga kapriçiot dhe egoja e tij personale. Është për të arrdhur keq, po arritja më mbresëlënëse, krenaria e komunitetit shqiptar të Usterit u shkërmoq pas tre vjet ekzistence. Thuhet se po behen perpjekje për një organizim të ri të saj, me te tjerë njerës dhe jo nga shoqata.Le të presim dhe të shpresojmë për ditë edhe më të mira

dishnicapsd@hotmail.com

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: artur vrekaj, Dhimiter Dishnica, Kur flasim per diasporen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4934
  • 4935
  • 4936
  • 4937
  • 4938
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT