• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEDA: E dua Ameriken, por ma shumë e dua Nju Jorkun !

January 10, 2014 by dgreca

Intervistë me këngëtarin e mirënjohur MEDA/

Këtu në Nju Jork, metropolin e botës këtë fillimviti, kemi patur rastin për të bër një intervistë me këngtarin e mirënjohur MEDA. I cili, ndodhej, këtu mes bashkëatdhetarëve tanë në një mbrëmje muzikore, e mbajtur kjo në Nju Jork, në qytetin Mahattan me rastin e Vtit të Ri 2014. Ku sipas atyre që e ndoqën koncertin festiv të Vitit të Ri 2014, thuhet se me këngët e tij MEDA, ka bërë një atmosfere madheshtore. 1500 veta kan marrë pjesë në koncertin që kishte organizuar promotori i tij, ishte Naser Nika. Madje, kjo nuk është hera e parë, që Meda, po vjen në Amerikë, ai duket sikur është “dashuruar” me Amerikën.

Me këngëtarin e muzikës popullore shqiptare dhe të përzier MEDEN  në këtë intervistë ekskluzive për gazetën tonë, kemi në plan t’ju sjellim gjithçka, që sillet rreth këtij këngëtari që  aktualisht ka me dhjetra mijëra fansa si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Presheves dhe Diasporë.

Në këtë intervistë, do të mundohemi të flasim duke filluar nga projektet në muzikë, tek jeta private dhe marrëdhëniet me koleget. Çfarë thotë Meda për Amerikën, a është ky vendi që e inspiron dhe prej nga pritet të sjellë shumë nga këngët më të reja për tregun muzikor.

Por, për të zbuluar më shumë nga bota në të cilën jeton MEDA, ju ftojmë të ndiqni këtë intervistë të veçantë të tij – këtu në metropolin e botës Nju Jork, me gazetarin tonë në Amerikë, Beqir Sina:

A mund të na tregoni diçka reth Medës? jetës tuaj deri tek muzika dhe fama..!

Jam i Drenicës i lundur në Prishtinë, dhe kam njëzet vite, që jetojë në Gjermani. Me muzikën jam marrë çka do të thotë prej se kur isha fëmijë, kurse deri tek fama arrita me talentin dhe punën time, për ‘tu bërë këngëtar. Kam kënduar për here të parë në publik, në moshën shtatë vjeçare. Mirëpo, ka diku aty një dekadë, që kam suksesin më të madh me këngët e mija të stilit të plotë në anën time. Dhe, për këtë natyrisht që faleminderojë Zotin për gjithçka unë sot gëzojë. Sepse, pa ndihmën e Tij, nuk do të isha sot këtu ku jam. Njëhereshit, përfitojë nga rasti të faleminderojë të gjithë ata bashkëpunuesit e mi, gjatë kësaj jete të bukur, dhe gjatë kësaj karjere që kam bërë, por edhe fansat e mi të mrekullueshem. Njëkohësisht, kur jemi tek jeta ime nuk mund të le pa përmendur se Meda ka edhe një familje, që jetojë bashkë me ta, kam bashkëshorten time Luljetën dhe dy djemt Albionin dhe Lorisin dhe tash 2014, do të shtohemi me një fëmijë tjetër, pra një vajzë ! Faleminderit Zotit, që për momentin jamë shumë i lumtur.

Po për albumet e tua më të fundit, çfar jkeni për të thënë

Si zakonisht, periudha më e “përshtatshmë” për mua, ka qenë gjatë verës të dalë gjithmon me albume të reja. Dhe në treg gjatë kësaj vere për ata që e duan dhe e respektojnë Medën, kam nxjerr shumë albume , të cilat janë pëlqyer në masë dhe për këtë i përshëndes të gjithë ata adhurues që frekuentojnë albumet e mija, dhe që janë pjesë e jetës time. Zakonisht, alubume të reja me këngë të veçanata, krijomë edhe për Vitin e Ri, këto janë më së shumti të perzjera me këngët më të mira të kënduara gjatë vitit. Por, aty fusim edhe këngë të reja – si për shembull këtë vit dola me 4 këngë të reja, potpuri që jan së bashku me kolegët e mi – miq që i dua dhe i çmojë shumë. Si i madhi Sabri Fejzullahu, që kam respekt të veçant për të, bashkë me të edhe Vjollca Haxhiu, Rozana Radi , Ermal Fejzullahu, Sinan Hoxha, si edhe katër këngët e mija solo. Pra, këto kan qenë albumet me të reja, të cilat, mendojë unë kan qenë këngë të pëlqyera për publikun. Mbasi e kam vrejtur dhe kam ndier atë kënaqsin që të përshkron kur e sheh se si edhe adhuruesit e muzikës, këndojnë këngët e tua dhe posaqërisht këngët e reja që sapo dalin.

Natyrisht, që këngët e çdo këngëtari janë “si gishtat e dorës” cilado prej tyre është e dashur dhe i dhimbëshëme. Por, cilën këngë apo album e preferon më së shumti  Meda?

Me thën të drejtën në këtë pyetje të vështirë, mund të them se albumi “Hajde me mua” ka qenë një nga albumet, që ka ardhur gjithmon duke u ngritur në preferimin timë, dhe tek adhuruesve të mi. Karjera ime si i thonë në anët tona ka marr “Bjeshkët përpjetë” . Janë aq shumë këngë sa nuk mund do të veçoja, ndonjërën prej tyre, sepse i çmojë të gjitha këngët e mija – ngaqë po të mos ishte kështu, natyrisht, që nuk do të kisha edhe gjithë këtë sukses. Do të kisha “nëçmuar” edhe autorin e këngëve të mija, me të cilin kam arritur vërtet më të mirin , njeriun që punon pa pushuar zotërin Fatmir Muja . I cili, është njeri nga ata që unë kam pasë përkrahjen më të madhe. Por, nuk mund të le pa permendur gjatë karjerës time, edhe  producentin tim Emrush Thaqin, i cili është një pjesë e karjerës time, dhe, të gjithë ata që kan bashkëpunuar me mua . Dua të shtojë diçka, se ka një kërkesë të madhe për këngën “Melhem i shpritit tim”, po e duan shumë. Ndërkaq, për mua kënga “Ah dashni e vjetër” dhe baladat e fundit, “Kur jam martue! kur jam martue!”, i dua shumë sepse edhe publikut i pëlqejn shumë.

Pse kaq shumë Tallava ?

Meda, asnjëherë në jetën e vet nuk ka kënduar Tallava! Meda i ka këngët e veta dhe të mirëfillta. Meda është njëri prej atyre (se po flasë për veten posaqërisht) që ka këngë të mirfillta . Mirëpo, gjithkush mendoj që ka kritika, edhe kam pas gjatë karjerës time, dhe kështu mendojë, se kur të kritikojnë dhe je  njeri me famë, atëherë shtohen edhe përgjegjësit për të punuar edhe më mirë. Dhe ky ndoshta, ka qenë edhe suksesi më i madh – ngaqë, kam pas edhe këto kritika gjatë gjithë kohës – Mirëpo, unë prapsëprap nuk jam “ndalur” dhe kam ecur përpra drejt suksesit. Mendojë, se në këtë pikë nuk kam mbetur unë që të vlersojë vetveten, por edhe nga muzikologët dhe ku ta di unë . Meda ndjek rrugën e tij të suksesit, për ata që e duan Medën – dhe ata që nuk e duan – dikush do Medën dikush do dikë tjetër, kjo është muzika çdo njeri ka adhuruesit e tij ashtu si është ai. Këngët e Medës, për mendimin tim janë me tekste të veçanta, janë shumë të mira që i ka bër Fatmir Muja, e kan referenin “nuk e di si ka aty Tallava !” por një fjalë e urtë popullore thotë se :” Vetëm fjalët e hallkut dhe birat e Gardhit – nuk mbyllen asnjëherë!”

 Kohët e fundit ke filluar të vish shpesh në SHBA, dhe me sukse sidomos ky i fundit ku thuhet se 1500 spektator ju ndoqën për koncertin e Vitit të Ri 2014 në Nju Jork, pra çfarë po ndodh me ty dhe Amerikën – “paraja”, fansat e tu, apo Amerika të pëlqen kaq shumë…..?

Amerika, është një vend që të shtyn me u dashurue, me të, pa marrë parasysh se çfarë të lidh me Amerikën, biznesi, fitimi, paraja apo pushimet. Amerika, për mua është një vend i veçantë asht si është për të gjithë ne shqiptarët . Mbasi, ne shqiptarët kudo që jemi, në Shqipëri, Kosovë, dhe viset shqiptare, diasporë e tjerë, kemi shumë arsye t’a duam Amerikën. Sepse, duam të dimë që Amerika ka bërë aq shumë për ne shqiptarët, prej presidentit Uillson, Bush i vjetër, Klintonit , dhe Bushi tjetër, apo kjo administratë. Amerika, qe ajo që ka ndihmuar Shqipërinë në demokratizmin e saj, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ka mbrojtur të drejtat e shqiptarve, dhe e them me plotkuptimin e fjalës, Zoti e bekoftë Amerikën. Sepse pa ndihmën e Amerikës ndoshta edhe Kosova nuk do të kishte mundur të ishte, aty ku është sot, shqiptarët, kudo nuk mund të ishin ku janë sot. Por, edhe falë djemëve dhe vajzave tanë, që kan luftuar dhe kan dhënë edhe jetën për , lirin dhe çlirimin e Kosovës. As pa ata nuk do të ishim aty ku jemi sot, pra, të mos i harrojmë edhe ata – por gjithmon t’i kujtojmë dhe nderojmë sa herë që të kujtojmë lirinë , çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, Amerikën e duan të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe unë nuk kisha si më ba perjashtim me këtë rast- që t’a dua Amerikën vetëm për biznes, para, fitime, apo pushime. Por, unë e dua popullin amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti dua shumë Nju Jorkun, si qytetin më të adhuruar prej meje.

A keni pasur probleme me këngët e tua në “Youtube”, apo në atë që quhet “copyright” dhe si mendon do të zgjidhen këto probleme ?

E di se përse e bëni këtë pyetje, mbasi gjithmon ka probleme të kësaj natyre në teknologjinë e re , në Youtube, apo mënyra të tjera të kopjimit ilegal të këngëve dhe muzikës. Dhe unë nuk mund të bëja perjashtim e këtyre dukurive, si shumë këngëtar të tjerë apo muzikan. Por dua të them se fatëmirësisht nuk kam probleme të mëdha – për të debatuar me dikë. Por mosmarrveshjet e Youtubes, ndoshta janë më shumë çështje e producentëve dhe distrubutorve – shpërndarsve, pra atyre që kan eskluzivitetin e këtyre këngëve të mija. Deri tani nuk e di të kem pas ndonjë problem më ta.

 Kush e bënë me shumë nervoz Medën – thasheshemet apo gazetarët  ?

Absolutisht deri tani askush nuk më ka bërë, për me u largue prej “orbitit” tim. Unë nuk bëhem nervozë kollaj, por ndoshta në fillim të karjerës sime ka qenë ndonjë rast kur gazetarët kan bërë kritika ose pyetje provokative, e ku di unë se çfarë tjetër. Pra, me “kan ngucë pak” i thonë ma shqip. Dhe jam bërë ndoshta nervozë, por tash nuk është e lehtë me më ba nervozë, pasi është shumë vështir të bëshë të till – një njeri, që ka bërë emër dhe ka famë me këngën e tij. Normale që flitet dhe ka gjëra të verteta dhe të paverteta, sepse gazetarët këtë e kan për detyrë, të “gërrmojnë” dhe të mos merren gjithmon vetëm me të pavërtetën. Edhe pse ne ndoshta ndonjëher ne fytyrave publike nuk na pëlqejnë, por gazetari, është për atë punë me zbulue.. Por në përgjigje të pytjes suaj – mund të them se nuk kam pasur asnjë telash me ndonjë gazetar, dhe e them se “Kushdo që të flas për Medën – unë jam ky që jam – nuk kam me ndruar asnjëherë kështu që unë vetëm qeshi – kur dëgjojë, kur flitet për mua në anën negative dhe atë pozitive , duke i pranuar kritikat, ashtu si edhe fjalët e mira”.

Çfarë të pëlqen më shumë tek muzika popullore shqiptare ?

Më pëlqen ajo kur e dimë se ku e kemi thellbin tonë, pra muzikën tonë popullore. Dhe, është shumë normale se duhet t’a duam shumë muzikën popullore shqiptare dhe t’a vlersëojmë atë dhe e çmojmë, ashtu si veprojnë të gjitha vendet e ndryshme të botës. Çdo muzikan, këngëtar apo adhurrues i muzikës popullore, në çdo vend të botës, e do dhe është i dhën pas muzikës së vëndit të vetë – edhe ne duhet dhe jemi të till. Dhe më vjen keq – që e gjithë bota vrapon dhe e ndjek pas figurat publike, që janë të dhëna pas muzikës dhe këngës së vendit të tij,  kurse tek ne shqiptarët, është e kundërta, sepse duhet që vetë këngëtarët apo muizkanët duhet të bëjnë diçka .

Meqense jemi në ditët e para të Vitit të Ri 2014, a keni zgjedhur ndonjë mesazh për të kolegët apo adhuruesit e tu ?

Përfitojë nga ky rast që me anë të gazetës suaj, t’au urojë nga zemra të gjithë shqiptarëve kudo që janë, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri apo diasporë , pra të gjithë atyre shqiptarëve që do ta lexojnë apo dëgjojnë këtë intervistë me ju  me urimet më të mira – Gëzuar Vitin e Ri 2014. Dhe me më shumë gëzime dhe lumturi për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. ” Dhe jam shumë i bindur se ky vit do të jetë për të gjithë shqiptarët edhe më i suksesshëm  Ju faleminderit të gjithëve ju përshëndes !

 

Intervistoi Beqir Sina

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, dhene, Interviste, Meda

PUNËT E MËDHA KOMBETARE TË FEDERATËS “ VATRA”

January 9, 2014 by dgreca

Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”./

Nga Dalip GRECA/

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” erdhi në skenën e historisë sonë kombëtare në një moment  kritik, kur Kombit i ishte vënë në pikëpyetje egzistenca. Turqia po merrte tatpjetën dhe ashtu si i mbyturi, kërkonte të tërhiqte pas vetes edhe viktimën. Fqinjët kishin mprehur hanxharët dhe ishin bërë gati që ta copëtonin trupin e viseve shqiptare në copa, siç kishin bërë në kohën e prag Lidhjes së Prizrenit. Atdhetarët e kishin kuptuar rrezikun dhe i kishin paraprirë dhjetëvjeçarit të pare të shekullit njëzet me kryengritje të njëpasnjëshme, që nga Kosova, Malësia e deri në skajet jugore, kur një gjysëm Shqipërie në veri dhe një çerek Shqipërie në jug, lëngonin nën pushtime fqinjësh me vendime e kompromise  të fshehta që mbanin firmën e Europës. Kryengritjet e Kosovës, Shkupit dhe Malësisë ia dhanë shenjat Europës se nuk do ta kishin të lehtë me pasardhësit e ilirëve, që rronin moteve e shekujve  në vendin e tyre të shqiponjave.

       Pikërisht në atë trubullirë e mjegullnajë që endej në Ballkan, këtu në SHBA, lindi Vatra, që jo vetëm mblodhi djemtë e shqiptarisë, që kishin kapërcyer Atlantikun në kërkim të një jete më të mirë dhe për t’i shërbyer kombit, u hodh sinjali i kushtrimit të bashkimit të shoqatave për të krijuar Vatrën Kombëtare.

        28 prilli 1912, dita e deklarimit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” mbetet një ditë e shenjtë, jo vetëm pse ajo u bekua nga një prift idealist siç ishte Fan S Noli, që kishte në krah një mendje të artë si ajo e Faik Konicës,  por edhe pse ajo dukej si dhuratë Perëndie në ato kohë kur Kombi shqiptar kishte ishte në zgrip të egzistencës.

       Shqiptarët dukeshin si të pafat në agun e lirisë pas 500 vjetëve sundimi nën Turqi, pasi nuk arritën që ta gëzonin shtetin e mosvarur shqiptar të 28 Nëntorit 1912, e cila më 1913 do të futej edhe një here në sallën e operacionit për t’i hequr pjesë të trungut, dhe mbeti ajo që sot e kësaj dite vazhdon të quhet “Shqipëria Lonineze”- dhuratë e Europës hileqare. E keqja nuk kishte të mbaruar; pasi lufta Ballkanike dhe Lufta e I Botërore e bënë vendin e shqiponjave shesh betejash. Princi që dërgoi Europa me kredencialet e Mbretit, dukej si jetim, pa përkrahje të vetë Europës dhe të shqiptarëve të dalldisur nga feja e të mashtruar nga prijsit e rrejshëm,dhe suleshin si somnanbul me hanxharë të mprehur nën thirrjen”Duam Babën!”…

    Vatra, që nga Amerika dha kushtrimin: Jo më kthim prapa!Harrojeni babën e rrejshem, shpëtoni Shqipërinë dhe drejtohuni kah Perëndimi! Pikërish që aty filluan punët e mëdha të Vatrës.Faik Konica, Fan S Noli, që së bashku me patriotët e tjerë lanë Amerikën dhe shkuan të punojnë për Shqipërinë nëpër Europë, ndërsa Vatra këtu kultivonte me Diellin dashurinë dhe përkushtimin ndaj çështjes Kombëtare. Vatra në SHBA, po llogariste fundin e Luftës së Parë Botërore dhe asaj  në Ballkan dhe fatin e Shqipërisë së mjerë, që vazhdonte të ishte e kërcënuar dhe me Pavarësi të humbur. Duheshin miq në Evropë dhe këtu në SHBA, që të shpëtonte Shqipëria.Në këto kushte Vatra mori në dorë fatet e shtetit të vdekur dhe i doli për zot Kombit. Vatranët ishin në një mendje që të financonte delegatët e saj-diplomatë në Londër, Gjenevë, Romë, Washington, me qëllim, që çështja shqiptare të kishte avokatët e saj. Natyrisht që ky shërbim diplomatik i ngritur nga Vatra e kishte koston e lartë. Gjithëçka e financonte vetë ajo, Vatra. Ata, vatranët që jetonin në kushte të vështira, 8-10 vetë në një konak, hoqën mënjanë kursimet dhe i caktuan rrogë mujore kryedelegatit të Vatrës në Londër, Mehmet Bej Konica, që mbetet një figurë e shquar diplomatike dhe që bëri aq shumë për të siguruar miq të çështjes tonë kombëtare në Londër. Nga 1300 franga në muaj, që iu caktuan më 1916, më pas shifra shkoi në 1600 franga. Edhe diplomatët e tjerë nëpër Europë, dr. Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, Nik Kasneci e të tjerë, ishin delegatë të Vatrës në Europë dhe punuan fort për çështjen shqiptare. Po ashtu ishte një kartë e fortë diplomatike edhe miku i shtrenjtë i shqiptarëve, delegati tjetër i Vatrës, Erikson, që mbetet një shenjt i çështjes shqiptare. Të gjithë së bashku ata i dhanë zë çështjes shqiptare dhe e shpëtuan atë copëz Shqipërie të mbetur pas copëtimeve të mëparshme të fund shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Mbetet një faqe nderi kontributi i Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Pikërisht para se të fillonte punimet ajo konferencë shqiptarët e Amerikës të grumbulluar rreth Vatrës, treguan se Shqipëria ishte mbi gjithçka për ta.Të frymëzuar nga poezia e Nolit” Jepni për nënën”, vatranët iu përgjigjën zemërhapur thirrjes për shpëtimine Shqipërisë. Noli, prijësi i tyrë shpirtëror, i kishte prekur atje ku nuk mund të duronin, në poshtërimin e Nënës, e cila diku, kishte qenë zonjë e rëndë, por që tani kërkonte ndihmën e bijëve, që e kishin harruar detyrën ndaj Nënës. Dhe vargjet e Nolit shkonin drejt e në zemër: Qan e lutet Nën’ e mjerë,/Kërkon vatrën edhe nderë,/Do lirinë dhe atdhenë,/ Si ç’e pat me Skënderbenë,/ Bijt’ e besës thërret pranë./ Kur i thirri dhe s’i vanë?/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë,/ Se ke djemtë n’Amerikë…Por që të shpëtohej Nëna duhej që shqiptarët e Amerikës të boshatisnin xhepat dhe të jepnin gjithçka për shpëtim. Noli, di ku t’i prekë bijtë e shqipes: ai e bën fakt të kryer se ata nuk do të kursejnë asgjë për shpëtimin e Nënës:Sa kërkon e sa të duhen?/ Burrat nga detyra s’ndruhen!/ Trim i mirë do të japë,/ S’kursen jetën as paratë;/ Hithni, hithni tok dollarë,/ Të mos mbetemi të share/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë./ Se ke djemtë n’Amerikë.

Dhe djemtë nuk e turpëruan Nënën. Nëse u mendua në fillim të paktën të grumbulloheshin rreth 40 mijë dollarë, vatranët dhuruan më shumë se 150 mijë dollarë, shumë që u përdor për mbrojtjen e çështjes shqiptare, mbulimin e sherbimit diplomatik, dergemin e kabllogrameve, mbajtjen e delegateve ne Konferencen e Paqes etj. Gazeta e Vatrës”Dielli” e mbajti të ndezur garën e madhe të dhurimeve duke nxjerrë në faqe të parë ata që dhuronin më shumë. Çdo dollar i dhuruar konsiderohej “plumb për armiqtë e çështjes shqiptare”. Dielli shkruante me shkronja te mëdha: “Plumbi goditi në shenjë. Ali Kuçi udhëheq garën me 750 dollarë…”

Krahas punës diplomatike në Evropë, Vatra punoi fort edhe në Washington, me qëllim që të kishte me vete edhe votën amerikane. Ishte fat, që Fan S Noli, takoi me 4 korrik 1918, presidentin Wilson,i cili i dha fjalën bashkëthemeluesit të Vatrës, se një votë që kishte do ta përdorte në favor të shqiptarëve.

Në Konferencën e Paqës, Vatra pagoi jo vetëm harxhet e delegatëve të vet, por edhe delegatëve të tjerë, përfshirë dhe atyre të kolonisë të Rumanisë.Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u paguan agjensi që punuan për çështjen shqiptare, u kablluan mijëra telegrame, u percollen protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë – dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”.

Misioni i vatrës nuk mbaroi me “shpëtimin e Shqipërisë” në Konferencën e Paqës, jo, vatra dërgoi djemtë e saj vullnetarë në Shqipëri në vitet 1920, dërgoi bandën muzikore Kombëtare”Vatra”, dërgoi delegatë të saj në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, siç kishte dërguar djemtë në Luftën e Vlorës dhe mbrojtjen e kufijëve jugorë të Shqipërisë, dhe shkëlqeu sërish me bujarinë e saj, kur Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnëjs, i kërkoi ndihmë për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe për të shpëtuar nga falimentimi financiar. Qeveria dërgoi në SHBA Mithat Frashërin që u shëtit nëpër koloni të shqiptarëe, dhe ai pa me sytë e tij, dëgjoi me veshët e tij, shqiptarët e Amerikës, që ishin gati të jepnin gjithçka për shpëtimin dhe forcimin e Shqipërisë.”Huaja Kombëtare”, e organizuar me shqiptarët e Amerikës, e shpëtoi shtetin shqiptar. Plot 197 mijë dollarë u mblodhën nga ajo hua Kombëtare.

Ndër punët e Vatrës duhet llogaritur edhe kontributi kulturor e arsimor që dha ajo. Shumë prej vatranëve shkuan në Shqipëri dhe dhanë kontribut në adminsitratën shtetërore,një pjesë edhe pse ishin antizogistë nuk e kursyen veten për t’i shërbyer shtetit. Vatra dërgoi në Shqipëri për nevojat e shkollave shqipe më shumë se 200 mijë tekste që i shtypi me harxhet e veta në shtypshkronjën e gazettes Diellit.

  Fatkeqësisht, vatranët që kishin shpëtuar Shqipërinë, u trajtuan si armiq nga sistemi komunist dhe një pjesë e tyre u shkuan në plumb, si ish editori i Diellit për tetë vjet, Bahri Omari, Aqif Përmeti, komandanti që përgatiti, stërviti dhe udhëhoqi vullnetarët që shkuan në Shqipëri në vitet ’20 të shekullit të shkuar, burgosi e torturoi pa mëshirë vatranët mëmëdhetarë.Dy nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës VATRA; Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar fajësia, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegate i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtsi i tij, poeti Arshi Pipa,ish kryetar i Vatres, do të klithte dhimbshëm: Vdiq flamurtari i moçëm!
Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i “Vatrës” më 1916,  kryetari i Vatrës më  1918, kryeministri i Shqipërisë, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri , editor i Diellit, Aqif  Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: “Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës. Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Kombetare, punet e medha, te Federates Vatra

Rexhep Qosja po me vjen të qaj për ty!

January 9, 2014 by dgreca

Opinion nga Rrezart Kalaja/

Rexhep Qosja në baraspeshim me ekstremizmin xhihadist kundër kombit shqiptar! Shefqet Krasniqit, militant i “Vëllazërisë myslimane” Shefqet Krasniqi asgjë  nuk ka të bëjë me kulturën  shqiptare as me fenë   islame! Për kulturën shqiptare  dëshmon antikulurë ,ndërsa  sa i përket fesë  ky ka veprime shume negative,  në vend të fesë i sjell popullit shqiptar,  përçarje  propagandë dhe  antivlera  duke nxitur rininë  shqiptare të vdesin si mercenar në vendet e huaja siç është Siria. Shtypi aktual  i Kosovës  dje dha lajmin se Rexhep Qosja dhe Shefqet Krasniqi u takuan  dje në selinë e Institutit Albanologjik, gjë, qe asnjëherë Instituti Albanologjik nuk është marrë me të tilla gjëra deri me tash as nën regjimin  e Serbisë! Në informatë thuhet se   hoxhë Shefqet Krasniqi me bashkëpunëtorë e paskan vizituar Akademikun Rexhep Qosjen. Ky  paska shpreh shumë admirim dhe gëzim për këtë vizitë, ka kohë qe dera e tij nuk çelet nga njerëzit e mëdhenj, as nga gazetarët, as nga  fqinjët as nga shokët ???.   Në kohët e fundit  nga qëndrimet e tij  politike dhe kulturore   e ka zbeh  figurën nga e cila spektri intelektual klanë filluar edhe ta injorojnë,kështu qe  e vetmja  rrugë  e komunikimit  dhe takimeve i ka mbetur  sharllotanët   hoxhallarë dhe  njerëz   te dëshmuar në nxitje ndërfetare  dhe urrejtje  ndaj njerëzve qe nuk  janë të një mendim i tu nënshtrohen   qëllimeve te tyre të “Vëllazërisë myslimane”  Qëllimi i tyre  është  që ta plasojnë këtë doktrinë të mbrapsht edhe në Universitet.

-Akademik Dr. Rexhep Qosja priti sot në selinë e Institutit Albanologjik hoxhën Dr. Shefqet Krasniqi me bashkëpunëtorë. Ma tutje   citoj  deklaratën e  Rexhep Qoses   ku  ju dëshiroi mirëseardhje, dhe e vlerësoi lartë punën e palodhshme të  Shefqet Krasniqit  dhe kontributin e tij të çmueshëm për ngritjen e vlerave kombëtare e fetare të popullit tonë” thuhet në njoftim. A thua ku i gjeti profesor Rexhep Qosja ato vlera të mëdha  të Shefqet Krasniqit, militant i “Vëllazërisë myslimane” , që në asnjë   agrumet nuk ka që të mbesin si qëndrime  serioze. Shefqet Krasniqi asgjë  nuk ka të bëjë me kulturën  shqiptare as me fenë   islame! Për kulturën shqiptare  Shefqet Krasniqi   me paraqitjen e   vet  dëshmon antikulurë shqiptare ,ndërsa  sa i përket fesë  ky ka veprime shumë negative,  në vend të fesë i sjell popullit shqiptar,  përçarje  propagandë dhe  antivlera  duke nxitur rininë  shqiptare të vdesin si mercenar në vendet e huaja siç është Siria .Përzierja   e tyre në politikën shtetërore,  sipas përvojave të shteteve islame asnjë vend nuk mbeti pa (gjakderdhje dhe lufta civile), andaj i dashur Rexhep Qosja, ti  ke rënë   tepër poshtë me aq naivitet kalamaj ,  në sjelljet tua të pa matura . Rexhep Qosja mos u bërë  përçarës i (popullit shqiptar)!Tërhiqu nga të tillët mos e merr  kumonën e armiqëve tanë të përbetuar qe s’u ngopën  me gjakun e shqiptarëve. Ti je një intelektual që shumë kohë  të kemi pas ideal për çështje madhore  kombëtare!

Edhe Krasniqi ka vlerësime për punën e Qosjes sipas mendimet e tij për “çështjet e identitetit”. A thua cilin identitet  e kërkojnë këta hoxhallarë për shqiptarët? Athua të identifikohemi si turq ,arab e sllav që të gjithë kanë marrë dije e kulturë nga shqiptarët. Këta  hoxhallarë në krye me Shefqet Krasniqin  janë mashë e  huaj e fatekqesishtë edhe Rexhep Qosja. Rexhep Qosja   po me vjen të qaj për ty edhe të vajtoj apo ta vjellë atë që përtypa nga ti! Kësaj  sipas proverbave popullore i thuhet   ra nga kali ne gomar! Një akademik  të mbetet   në rangun e bashibozukeve  mashtruesve dhe   injoranteve që po e katandisin vendin  drejt humnerës dhe kundër vlerave kombëtare  koha do ta dëshmoj dhe do te mbeteni të humbur. Me qëndrime arrogante , të dhunës dhe terrorit kanë rënë burra të mëdhenj të kësaj rruge dhe dyshoj ne   agjendën që keni ndaj kombit tonë  qe do të  merrni tërthor diku

 

Filed Under: Opinion Tagged With: rexhep qosja, Rezarta kalaja, Shfqet Krasniqi

Mjerimi i politikanit serb!- Marre për Serbinë ,marre për ty Aleksandër Vulin !

January 9, 2014 by dgreca

“Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë” ( Vulini)/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Zoti Vulin!  Kemi menduar se sado pak  lufta e fundit iu ka mbushur mend : iu ka mbushur mend në kuptimin e marrëzisë serbe  në lakminë e juaj të pa shterruar për të pasur edhe atë që nuk iu takon . Por ju  harroni shpejtë ; me qëllim e harroni çdo gjë dhe bëhëni sikur nuk e keni ditur.

“Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë” kishit thënë para publikut tuaj . Sa mjerim për ju!

Menduat që s´ka më shqiptarë në Gjakovë ? Si nuk e keni ditur që përkundër krimeve që i keni bër,ka qenë e pamundur të na zhbëni ? Sa shpejt që harroni !

Sa vështirë kur bisha e shikon njeriun me syrin e saj të pangopur dhe mendon që  edhe viktima është bishë si ai . E pa mundur me ju.

Po iu rikujtoj disa gjëra të ”imta ” për ju ,por që nuk harrohen kurrë : ”Një nga qytetet që ka pësuar më së shumti nga ushtria serbo-malazeze ,përmendet Gjakova. Nju Jork Tajmsi shkruante se në të dy anët e rrugeve vareshin te varurit,dhe rruga për në Gjakove quhej ” aleja e varjeve”(http://query.nytimes.com/mem/archive-free/pdf)  Nëpër territirin e Gjakovës vepronin formacionet ushtarake-policore me emrin Zhandarmeria Mbreterore,e njohur si “krilashi” që kryenin terrorin e porositur. Në Gjakovë behej ndërrimi  i fesë me forcë nga ajo katolike ne atë ortodokse. Neue Preese i Vjenes( 20.o3.1913 ) shkruante se me 7 Mars popi ortodoks me ndihmën e ushtrisë me dhunë i krishtëroi në ortodoks 300 gajkovar katolik, kurse franceskani Pater Pulus ,i cili kishte refuzuar që të hjekë dorë nga feja e tij,ishte mbytyr me bajonetë. ”

“Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë”  keni thënë Zoti Vulin . Rënd për këto fjalë. Aty ishte një solidaritet mbarëkombëtarë pa dallim feje e as regjioni që të iu tregojmë juve si vrasës  e  botës si besimtarë që nuk iu lejojmë të shkelni mbi gjakun tonë në emër të fesë. Ne i dimë  mirë që ende jetoni në frymën e juaj gjëja se fetare  :“Po e dëgjova vetëm edhe një fjalë shqip aty,do të vriten të gjithë….”  : Ne e dimë shumë mirë se çka predikojnë priftërinjt e juaj dhe se sa  afër me zotin janë ata.

”Ka një doktrinë në Ballkan, një draft të vitit 1938, që kërkon haptas dëbimin e njërit prej këtyre tre popujve prej gadishullit. Ky draft është shkruar prej një akademiku të njohur me emrin Vasa Çubrilloviç dhe titullohet: “Dëbimi i shqiptarëve”.

Në këtë program, bashkë me idenë se jeta e kombit serb nuk do të ishte e sigurt asnjëherë përbri shqiptarëve në Ballkan, e vetmja zgjidhje jepej dëbimi i këtyre të fundit. Ky dëbim duhej të niste me shqiptarët e Kosovës….Nuk di ndonjë rast që të jetë dënuar në Jugosllavi e më pas në ish-Jugosllavi. Një projekt kriminal i padënuar është më i rrezikshëm se një organizatë e fshehtë terroriste. Më 1999, pra 60 vite më pas, gjithë bota pa vënien në jetë të këtij projekti: “dëbimin e famshëm” të shqiptarëve.(Ismail Kadare)

Ju Zoti Vulin ,ende nuk e  keni dënuar të keqën dhe për ate ti nuk sheh as shqiptar e as njerëz në Gjakovë .Ata ta turbulluan mendjen  .Dënimi i rrënjëve të së keqes është i detyrueshëm për të gjithë.

Ju e mashtroni botën ,dhe në emër të fesë doni pa tjetër të futeni në tokën e huaj.

”Aleksandar Vulin, lexojeni pak librin e Human Right Watch ”Nën pushtetin e urdhrave”, kapitulli i Gjakovës, aty një dëshmitar që kishte dalë nga shtëpia dhe po shikonte çfarë po ndodh, përshkruan se pikërisht me fillimin e bombardimeve në ditët kur po mblidheshin meshkujt nëpër qytet, ushtria po i sillte me kamionë në një fushë në dalje të Gjakovës në fshatin Lugbunar dhe po i ekzekutonte meshkujt në grupe… Këtë storie mund ta hulumtosh shumë lehtë, sepse dëshmia lidhet me ditët kur kishte një numër të madh të meshkujve shqiptarë të Gjakovës që po merreshin peng nëpër shtëpi dhe rrugë, sipas dëshmive, trupat e tyre përfunduan në varreza masive në Serbi nëse e ndjekim vijën e gjakut dhe rivarrimet e viktimave në Gjakovë, por ju mos e bëni këtë hulumtim fare sepse ju e keni simbolikën tuaj që e keni zbuluar në të gjitha luftërat në ish Jugosllavi se të ” të gjithë kanë vrarë’! (Xhesika Vula)  : Mos shkoni aty ku drama nuk ka përfunduar ende. Marre për Serbinë ,marre për ty Aleksandër Vulin !

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, mjerimi i politikanit serb, narre per per Serbine

Angazhimi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës

January 9, 2014 by dgreca

Opinion Nga Albin KURTI/

Kudo që serbët janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës, po ndodh dyzimi përmes një nënndarje të veçantë për përfaqësimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ndryshimet e ligjeve po bëhen gjithandej sepse gjithandej duan t’i sigurojnë pjesëmarrje këtij Asociacioni. Anekënd institucioneve të shtetit të Kosovës duan t’i sigurojnë prani Serbisë. I këtillë ishte rasti edhe te tendenca për ndryshimin cilësor të Këshillit Konsultativ për Komunitete. Për më tepër, aty Asociacioni nuk quhej ‘Asociacion’, as ‘Asociacion/Bashkësi’, por vetëm ‘Bashkësi’, ashtu qysh është emërtimi i kërkuar dhe i preferuar nga Serbia. Projektligji që synonte këtë gjë nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ky nuk është fundi i përpjekjeve përderisa e kemi këtë Qeveri. Të gjithë e mbajmë mend se si para vetëm gjashtë muajsh Kuvendi e refuzoi projektligjin për amnistinë që i falte kriminelët serbë nga veriu për dhunën dhe shkeljet sistematike të tyre. Por, kjo vetëm sa rezultoi me trysni shtesë vendore e ndërkombëtare që, së pari, e riktheu projektiligjin në Kuvend, dhe, së dyti, e kaloi atë edhe me votat e shumë ‘opozitarëve’. Nëse një projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës atëherë ai njëmend ka kaluar, por nëse nuk kalon kjo nuk do të thotë ende që nuk ka kaluar për shkak se deputetëve do t’iu ofrohet liria e zgjedhjes deri atëherë kur ta bëjnë zgjedhjen e duhur!

Të gjithë ata që thonë se nuk ka gjasë të sajohet një republikë serbe brenda Kosovës mbase nisen prej hartës politike ku shihet se serbët në Bosnje kanë gjysmën e territorit nën kontrollin e tyre. Por, këtu nuk duhet harruar që serbët në Bosnje kanë qenë 1/3 e popullsisë së Bosnjes, ndërkaq serbët në Kosovë as 1/10 e popullsisë së Kosovës. Në Kosovë, ata nuk do të kenë gjysmën, por çerekun e territorit, përkatësisht së paku nëntë komuna që bëhen bashkë sipas marrëveshjes së 19 prillit 2013 të ratifikuar me 26 qershor 2013 në Kuvend. Mbi të gjitha, Republika Serbe në Bosnje nuk konsiston vetëm në përgjysmimin e territorit të shtetit por edhe te gjymtimi që i shkaktohet institucioneve të shtetit e të cilat asisoj bëhen jofunksionale. Të tillë çfarë është Republikën Serbe në Bosnje e bën pasoja që e lëngon e gjithë Bosnja prej saj. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ngelet fare prapa në këtë aspekt, aq më tepër kur dihet që Kosova ka pozitë edhe më të dobët ndërkombëtare sesa Bosnja e cila njihet si shtet nga e gjithë bota dhe ka ulëse në OKB. Banja Lluka dhe Pale e kanë ndryshuar Sarajevën politikisht e zyrtarisht dhe të njëjtën gjë po ia bëjnë edhe veriu i Mitrovicës e Graçanica kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Paralelisht me këtë, negociatat në Bruksel nuk kanë përfunduar për dallim nga ato në Dayton të ShBA-ve. Marrëveshjet Thaçi-Daçiq nuk po i mbyllin por po i shtojnë negociatat e të cilat, më tutje, po i shtojnë koncesionet ndaj Serbinë.

Kryeministri Thaçi është arsyeja kryesore pse Serbia jo vetëm që po e lë mbrapa e përfundi Kosovën por po e tejkalon me shpejtësi edhe Shqipërinë. Thaçi e bëri Serbinë sërish lidere në Ballkanin perëndimor. Shqipërisë iu shty statusi i vendit kandidat për qershorin e vitit 2014, Kosova u ngujua në premtime të vjetra për liberalizim vizash dhe MSA-në, kurse Serbia fillon negociatat për anëtarësim të plotë në BE. Duket që modelin franko-gjerman BE-ja nuk arriti ta përdorë në relacionin Kroaci-Serbi (me Bosnjën në mes). Tash po orvaten ta bëjnë këtë te marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ku Kosova është Bosnja e re midis Shqipërisë e Serbisë. Me këso paqe e stabiliteti pa drejtësi, doemos inkurajohet barazimi i krimeve dhe relativizimi i fajësisë.

Kontributi personal i Thaçit për largimin dhe dobësimin e Serbisë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar tashmë është më i vogël sesa kontributi i tij për kthimin dhe forcimin e Serbisë në dekadën e dytë të këtij shekulli. Pra, kontributi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës e ka tejkaluar kontributin e tij për Kosovën jashtë Serbisë. Sikur kryeministri Thaçi t’i dëgjonte kërkesat e qytetarëve të Kosovës sikurse ato të Serbisë, Kosova do të përparonte shumë. Nuk është që Thaçi s’brengoset fare për Kosovën, por ai brengoset shumë më tepër për veten e tij sesa për Kosovën. Gjithfarë kompromisesh marramendëse i bën në kurriz të shtetësisë së Kosovës vetëm dhe vetëm ta postojë burgun për korrupsion që i kanoset si shpata Damokleut. Në këtë kontekst, Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën për vitin 2013 nuk është raport i regresit sa i heshtjes së regresit. Problemi konsiston që nuk gjejmë progres në realitetin që e jetojmë dhe jo që nuk e gjejmë atë në raportin që lexojmë. Për dialogun me Serbinë dhe lëshimet pe ndaj saj, Thaçi rregullisht u shpërblye personalisht me minimizim të krimit e korrupsionit në konstatimet për të.

Teksa i afrohemi kohës kur do të shënojmë një dekadë e gjysmë të largimit të Serbisë nga Kosova, Thaçi po i shton koncesionet që e ndryshojnë rregullimin dhe përbërjen institucionale të Kosovës në mënyrë që t’i bëhet vendi Serbisë brenda Kosovës.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, opinion, per Thacin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4956
  • 4957
  • 4958
  • 4959
  • 4960
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT