• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENO PEÇI: MENJËHERË DO TË FLUTUROJA NË TIRANË …

January 4, 2014 by dgreca

…SEPSE TKOB SI THOTË BALETMAESTRI ILIR KERNI ËSHTË SHTËPIA E TË GJITHË ARTISTËVE SHQIPTARË/

Intervistë e Elida Bucpapaj me yllin e baletit ENO PEÇI, solist në Wiener Staatsopera/

Në Koncertin e Filarmonisë të Vjenës, që mbahet në çdo 1 janar, si një kulm i elitarizmit europian, njëri nga solistët kryesorë të Operas Vjeneze është shqiptari Eno Peçi.
Në shfaqjen e përvitëshme më glorioze në çdo fillimviti të orkestrës të filarmonisë vjeneze, e inkorporuar në Teatrin e Operas Shtetërore të kryeqytetit austriak, dirigjuar gjithnjë nga mjeshtra të nivelit më të lartë botëror, prej Herbert von Karajan e deri tek Daniel Barenboim, një nga balerinët kryesorë të Danubit Blu dhe të valceve aq të mrekullueshme të familjes Shtraus është shqiptari Eno Peçi.
Por kulmi është se emri i Eno Peçit, ndërsa është tejet i famshëm në Vjenë, në Shqipëri e në trojet shqiptare pothuaj nuk njihet fare. Njihet natyrisht në rrethet artistike, por mediat shqiptare kanë treguar shurdhmemecëri të plotë ndaj fenomenit Eno Peçi dhe shkëlqimit të tij.
Kjo arritje brilante e 31 vjeçarit shqiptar, është njëkohësisht arritje brilante edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi dëshmon për gjenialitetin e identitetit shqiptar. Por për absurd, me Eno Peçin krenohet Vjena, ndërsa shqiptarët nuk dinë gati asgjë për të. E keni parasysh vanitetin dhe kotësinë e gazetave dhe televizioneve shqiptare të cilat thonë atë që s’duhet ta thonë, ndërsa deri tani nuk kanë thënë pothuaj asgjë për balerinin virtuoz shqiptar Eno Peçi!
E kam thënë në një shkrim se, nëse Vjena nuk do të ruante me fanatizëm shpatën dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, është e sigurt se do të dilnin ca vandalë firaunë për t’i trafikuar diku apo për t’i shkatërruar e bërë skrap.
Vetëshkatërrimi, kjo është një sëmundje nga e cila po vuajnë shqiptarët. Nuk e di se kur do të marrë fund, për t’I lënë vendin ringjalljes dhe rilindjes kombëtare. E cila nëse do të ketë një start duhet të ketë nivelin e lartësisë që ka arritur Eno Peçi, vetë, me forcat e tij, me talentin e tij dhe punën  gjigande.
Eno Peçi ka prej vitit 2000 që është balerin i institucionit më prestigjioz në nivel botëror të dancës klasike siç mund të jetë Opera Shtetërore e Vjenës, me një histori të shkëlqyer që daton prej mesit të shekullit 19, i cili më 2009 kremtoi si një evenimet botëror 140 vjetorin e lindjes.
Opera Shtetërore e Vjenës përzgjedh talentet më të spikatura nga e gjithë bota, dhe midis më të mirëve ka zgjedhur djaloshin shqiptar Eno Peçi, të jetë solist në Operan Shtetërore të Vjenës dhe në Volksopera-n. Në një kohë kur shqipëtarët konsumohen ditë e natë shpirtërisht nga arti trash dhe ende nuk poi thërrasin mendjes për të mbledhur rreth vetes ajkën e artistëve shqiptarë, që shkëlqen mrekullisht në skenat më të famshme botërore.
Është xhelozi, cmirë, amatorizëm, por më së shumti është një sjellje antikombëtare të mbash larg vendit artistë të nivelit të Eno Peçit, arritjet e të cilëve janë të nivelit ndërkombëtar. Arti shqiptar ka nevojë për elitën. Rinia shqiptare ka nevojë për elitën. Kombi shqiptar ka nevojë për elitën. Sepse identiteti kombëtar ushqehet vetëm me vlera dhe me elitën.
Ndaj elitës shqiptare e cila ka arritur famë në Europë e botë deri tani është mbajtur qëndrim jomiqësor nga shteti shqiptar, duke i mbuluar me indiferencë të plotë. Një qëndrim i tillë armiqësot ndaj vlerave duhet të ndryshojë sa më shpejt, sepse koha nuk pret më. Yjet shqiptare nëpër botë meritojnë të kenë vendin e tyre në Shqipëri. Mjaft u lodh rinia duke dëgjuar emra mizerabël politikanësh, që shpërdorojnë votën dhe taksat e popullit të vuajtur shqiptar. Populli shqiptar, skena shqiptar ka nevojë për yjet e tij.
Dhe njëri prej tyre padyshim është Eno Peçi, të cilin po e falënderoj që në krye sepse, me modestinë e një artisti të madh, e pranoi me mirësi kërkesën për intervistën e mëposhtëme që poi a përcjellim menjëherë lexuesit të nderuar shqiptar  kudo që të jetë ai.

PYETJE: Kam lexuar në një artikull shkruar disa vjet më parë nga austriakja Die Presse për ju, se fillimisht keni dashur që të bëheni një kërcimtar i Breakdance. Me sa duket ju ka pëlqyer rocku dhe rap-i apo jo? Po ideja e kërcimit nga ju ka lindur? Vini nga një familje artistësh?
ENO PEÇI: E vertetë. Kisha dëshire shumë të kërceja. Dëgjoja shumë muzikë në televizor ( MTV) dhe shihja se si kërcenin dhe kjo gjë me nxiste.
Une vij nga një familje që tradicionalisht ka nxjerrë ushtarakë. Gjyshërit e mi kanë qenë komandantë, oficer madhorë, babai im ka qenë ushtarak, oficer në ministri, daja im ka qene drejtues i lartë ushtarak, kurse mamaja ka qenë dhe është stomatologe-dentiste me klinikë private. Pra,nuk vij nga familje artistësh.
PYETJE: Ju edukimin si balerin e keni marrë në një shkollë shqiptare, siç është Liceu. Duke e krahasuar më vonë me Shkollën e Baletit të Operas Vjeneze, çfarë mund të thoni për shkollën shqiptare. Emrat e mësuesve tuaj në Lice, të cilët i kujtoni me nderim?
ENO PEÇI: Shkolla e baletit shqiptar ka një metodë shumë të vjetër ruse.Kurse shkolla e baletit të Vjenës është shkollë europiane e perzier me metodën e shkollës ruse të Vaganovës dhe metodës franceze. Pra shkolla shqiptare e baletit ka shumë nevojë të eci përpara. Unë vetë kam pasur fatin të punoj në Shqipëri me profesorë si Luan Shtino që më ka ndihmuar shumë dhe profesor Agron Aliaj etj.
PYETJE: Në Vjenë, në kryeqytetin botëror të kultures, ju mbërritët kur ishit një adoleshent 16 vjeçar. Si arritët këtu, përse, dhe si e ndjetë veten?
ENO PEÇI: Unë shkova në Vjenë për shkak të trazirave të  viteve 1997-1998. U detyrova të ikja dhe vajta tek motra që jetonte prej 3 vitesh në Vjenë, e cila punon në një spital privat. Motra më ka ndihmuar shumë se unë ndodhesha në një vend të huaj që nuk dija as gjuhën. Nuk ndjehesha mirë se për mua ishte një kapitull i ri i jetës time që duhet të filloja për shkak të trazirave në Shqipëri, ku lashë prindërit dhe shoqërine dhe fëmijerinë që kalova në Shqipëri.
PYETJE: Suksesi juaj duket i menjëherëshëm, po të shohësh datën e mbërritjes në Vjenë 1998 dhe kur u pranuat si balerin në Teatrin e Operas Shtetërore vjeneze më 2000? Çfarë ishin për ju këto dy vite?
ENO PEÇI:  Këto dy vite kanë qenë shumë të vështira për mua sepse më mungonte vendi im dhe më mungonin shumë prindërit. Por këto dy vite ishin tejet të rëndësishme për mua dhe për moshën që kisha. Fillova të mësoja se çfarë ishte përgjegjësia. Përgjegjësia për jetën, sepse isha vetëm në një qytet të madh, por dhe përgjegjësia nga ana profesionale, sepse ishin dy vitet ku unë mund të merrja një bazë të fortë në shkollën e baletit të Vjenës për të ardhmen time si profesionist.
PYETJE: Prej vitit 2000 deri në 2009, kur ju emëroheni si solist në Teatrin Shtetëror të Vjenës, çfarë keni regjistruar në kujtesën tuaj, diçka thelbësore, që mendoni se ju dha suksesin. Ishte i rëndësishëm për karrierën tuaj Renato Zanella? Ia dedikoni dikujt këtë sukses të hatashëm që keni arritur?
ENO PEÇI:  Renato Zanella është një person që është i dashuruar mbas artit. Renato më ka ndihmuar tejmase shumë dhe ka punuar shumë me mua. Eksperiencën që unë kam përvetësuar nga ky njeri është një nga armët e mia bazë që dhe sot me ndihmon të ec përpara.
Viti 2009 ishte shumë i rëndësishëm për mua, edhe sepse unë jam bërë Baba. Lindi vajza ime Lea, që më bën të ndihem shume krenar, sepse fundja fundit më të rëndësishme se familja për mua nuk ka.
Por suksesin tim, ia dedikoj prindërve të mi që kanë sakrifikuar shumë për mua në një kohë shumë të vështirë në Shqipëri.
PYETJE: Po të shohësh repertorin tuaj, ai është një repertor i jashtëzakonshëm, si nga veprat, baletmaestrot dhe rolet tuaj. Kam parasysh “Gizel”, “Karmen”, “Spartakus”, “Arëthyesi”, “Don Kishoti”, “Liqeni i Mjellmave”, etj.etj. të vëna në skenë nga mjeshtra gjigandë që nga Rudolf Nurejews, John Cranko e deri tek Renato Zanella, të cilin Italia e ka nderuar me çmimin si “Koreografi më i mirë italian në botë”, ku ju keni role kryesorë. Si u ngjitët deri këtu, me magji?
ENO PEÇI: Çdo gjë është e mundur. Me punë,durim dhe dashuri ndaj artit çdo rrugë të hapet…
PYETJE: Gazetat austriake kur ju përshkruajnë, thonë se ju “si balerin arrini gjithçka, se për ju nuk ka asgjë të pamundur”, ndërsa ju citojnë të keni thënë diku se “nuk jeni një makinë kërcimi”. Çfarë duan të thonë gazetat austriake, po ju vetë?
ENO PEÇI:  Për atë të parën mund ta ketë tepruar pak. Por që çdo gjë është e mundur. Ky është (english-anglisht -attitude) ose (deutch-gjermanisht – einstellung) qëndrimi im personal.
Kurse për të dytën kam dashur të them që një artist që luan, interpreton në skenë  teknikisht por pa asnjë lloj ndjenje, pa asnje lloj personaliteti, pa asnjë lloj magjie që mund t’i transmetojë publikut, ateherë është makinë kërcimi.
PYETJE: Përpara 4 vitesh për Die Presse keni thënë se nuk do të kishit dëshirë që Lea të bëhej balerinë, po Lea është një fëmijë arti, deri tani a ka treguar talent për dancën?
ENO PEÇI:  E vërtetë. Baleti është profesion shumë i bukur por edhe shumë i veshtirë.
Duhet të kesh një karakter shumë të forte që t‘i përballesh shumë mundimeve të saj. Dhe si prind nuk ia uroj vajzës time të gjitha ato stërmundime që kam hequr vete. Gjithsesi vendimin ajo do ta marri vetë. Por talent ka…
PYETJE: A ka në trupën e Baletit të Teatrit Shtetëror të Vjenës apo në Filarmoninë vjeneze artistë të tjerë shqiptarë ?
ENO PEÇI: Në trupën e baletit të Wiener Staatsoper, përveç meje, nuk ka balerinë të tjerë, por në Orkestrën e Filarmonisë janë violinisti Shkëlzen Doli, violinçelisti Edison Pashka, violinistja Oreada Steude dhe në kor Dritan Lucaj, që punojnë të gjithë në Wiener Staatsoper.
PYETJE: Çfarë mendimi keni për Teatrin e Operas dhe Baletit dhe për artistët shqiptarë, brenda vendit e jashtë tij?
ENO PEÇI:  Teatri i Operas dhe i Baletit ka shumë nevojë të rinovohet përbrenda, sepse është në një gjendje jo të mirë. Shqipëria është e vogël por ka shumë artistë të shkëlqyer jashtë dhe brenda vendit.
PYETJE: Tani që Teatri i Operas dhe Baletit të Tiranës drejtohet nga një balerin dhe baletmaestri i njohur si Ilir Kerni, a prisni të merrni ftesë dhe a do të fluturoni menjëherë në Tiranë?
ENO PEÇI: Menjëherë do fluturoja… TKOB, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, si thotë dhe Baletmaestri Ilir Kerni, është shtëpia e te gjithë artisteve shqiptarë kudo që ndodhen…
ENO PEÇI U INTERVISTUA NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Eno Peci, Interviste

Kurrë më s’do të ketë një Bob Shuman tjetër!

January 3, 2014 by dgreca

Studiues i Shquar dhe Mik i Madh i Shqiptarëve…/

Sa për njëzet veta!/

Shkruan: Pirro DOLLANI/

Ne Foto: Prof. Dr. R. Baird Shuman(i dyti nga e djathta) me poetin Avni Mulaj, te shoqen gazetaren Teuta Mulaj e Pirro Dollani/

Prof. Dr. R. Baird Shuman, i cili ndërroi jetë para pak kohësh, ishte një studiues jashtëzakonisht pjellor. Shkrimtari i shquar amerikan, Richard Powers, autori i romanit “Jehona e Kujtesës” që ka qenë njëkohësisht edhe student i tij, shkruan kështu: “R. Baird Shuman botonte sa për dhjetë a njëzet veta të marrë së bashku.” Ai ka botuar mbi 60 vepra: libra studimorë, enciklopedi të letërsisë, pa përmendur mijëra artikuj studimorë. Shumë nga librat e tij janë ribotuar shpesh herë. P. sh. libri i tij studimor “William Inge” kushtuar dramaturgut W. Inge, fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 23 herë. Po kështu libri me të njëjtin titull mbi dramaturgun tjetër Robert E. Sherwood, katër herë fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 10 herë. E lista do të zgjatej e zgjatej me librin mbi një tjetër dramaturg “Cliford Odets”, 14 ribotime, me vëllimin “Nëntë Poetë Zezakë” 3 ribotime, me “Georgia O’Keeffe” e deri te botimet e viteve të fundit, si enciklopedia në 13 volume “Shkrimtarët e mëdhenj Amerikanë” botuar në 2002 e ribotuar 14 herë; R. Baird Shuman ishte jo vetëm kryeredaktor i enciklopedisë, por shkroi vetë me dhjetëra zëra të kësaj vepre. Po kështu, “Enciklopedia e Viseve Letrare”, në tre vëllime, botuar në 2003 është ribotuar 3 herë. Këtu nuk po përmendim se ndërkohë që shkruante e botonte kaq shumë, ai punonte me normë të plotë si profesor në universitetet e famshme Duke University dhe Chicago University dhe ishte njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës “Clearing House”.

Ishte gati e pabesueshme shpejtësia me të cilën ai lexonte. Më kujtohet një episod kur sapo isha njohur me Bobin, siç i “detyronte” të gjithë ta thërrisnin. Bie telefoni dhe dëgjoj zërin e tij. “Pirro, dua t’më bësh një nder. Nesër në mëngjes do të çoj makinën për ta riparuar. A ka mundësi që të vish t’më marrësh te ofiçina, të shkojmë te zyra jote, pastaj ta mbaj unë makinën dhe të vij të marr mbas pune?” Të nesërmen, u drejtova për te ofiçina. Ishin një numër makinash që prisnin radhën. Parkova dhe u drejtova te makina e Bobit. I ulur pranë timonit po lexonte një libër të trashë. Në dorë mbante lapsin. U ula në ndenjësen dhe e pyeta: Interesant? Ai ktheu kokën e u përgjigj: “Më duhet që brenda orës pesë ta kem nisur me faks artikullin për librin.” Zgurdullova sytë drejt librit afro 500 faqesh dhe shikimi më mbeti te faqja që Bobi po lexonte. Ishte pothuajse në fillim të librit. E dija që njeriu mesatarisht lexon 30-40 faqe në orë dhe, si rezultat, atij do t’i duheshin të paktën 12-14 orë që ta lexonte. Shto këtu edhe 2-3 orë për të shkruar artikullin. Jo vetëm i mendova, por edhe e shpreha mendimin tim, madje me atë tonin shqiptar, sikur i thosha: mos kujton se jam injorant?  Bobi me qetësi më tha: duhet patjetër t’ia nis redaksisë para orës 5PM. Erdhi radha të dorëzonte makinën e u nisëm në drejtim të universitetit. Ndërkohë që po zbrisja, më tha se do të vinte në orën pesë për të më marrë. Kur erdhi ora, mbylla zyrën, hyra në ashensor e kur dola jashtë ndërtesës, ai po priste aty. Hapa derën e pasagjerit dhe, para se të ulem, më zyri syri disa faqe të daktilografuara në ndenjësen. I mora në dorë që të mos ulesha mbi to, dhe kur po i vendosja në ndenjësen mbrapa, dëgjova që tha: “Mos i largo, janë për ty.” Ishte artikulli që kishte shkruar për librin. Sapo ia kishte faksuar botuesit.

Kur doli në pension, Bob Shumani çdo vit botonte mesatarisht rreth 200 artikuj në revista e botime shkencore e bibliografike.

Rrëfimtar si pak kush

“Një nga mjeshtërit e rrallë të rrëfimit që kam ndeshur ndonjëherë në jetë. Kujtimet dhe rrëfimet e tij shpesh më bënin të qaja duke qeshur për marrëzitë e njerëzimit që Bobi ishte kaq i dhënë pas tyre. Rrëfimet e tij gjenden në të gjitha romanet e mia dhe mendoj se ai ishte i gëzuar që vodha kaq shumë prej tij,” – shkruan për të Richard Powers.

Unë e familja ime kemi pasur fatin që Bob Shumani të ishte jo thjesht një miku ynë, por pothuajse anëtar i familjes për afro dy dekada. E jo vetëm yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, si në familjen e ish-gazetarit të radios Vladimir e Shanka Cicanit, në atë të poetit Avni e Teuta Mulaj, veterinerin Aleksandër Gogo, etj. E thënë shkurt, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve. Gjatë drekave dhe darkave çasti më i bukur ishte kur Bobi fillonte nga historitë e tij. Ishte një interpretues i shkëlqyer dhe fundet e rrëfimeve ishin befasuese. Mbas një viti që ishim njohur së bashku, ai shkon në Londër për të dhënë një leksion. Hyn në një dyqan që shiste kaseta e CD dhe pyet nëse kanë ndonjë kasetë me këngë shqiptare. Kur shitësi i zgjati një CD me muzikën e kërkuar, (Ishte një CD me këngë të vjetra të quajtura majëkrahu, të mbledhura nga muzikologë për arsye studimore) pagoi dhe u drejtua nxitimthi për në hotel. “Hyra në dhomë dhe as pallton nuk e hoqa, por drejt e te magnetofoni. Vura pllakën e pas një pauze, u dëgjua një klithmë çjerrëse Oh hej dhe pas saj një klithmë tjetër. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte. Dëgjova për disa çaste dhe pastaj e mbylla. Ishte e pamundur ta dëgjoja. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte,” – më shkruante në një email që më dërgoi nga Londra. Kur u kthye në Las Vegas, na ftoi për darkë së bashku me dy familje të tjera shqiptare dhe gjatë mbrëmjes e ritregoi historinë e CD-së me atë muzikë të çuditshme dhe e mbylli bisedën me një ton të prerë e seriozitet që e bëri shakanë më të kripur: “Hëëë, thashë me vete, ndërsa dëgjoja ato klithma; ky duhet të jetë shkaku që Pirro është larguar nga Shqipëria!”

Kishte pothuajse neveri për titujt e gradat.

Muajin e fundit përpara se të shuhej përfundimisht, shkoja çdo ditë në spital  për t’i qëndruar pranë. Ishte mjaft i heshtur. Nuk nxirrte asnjë ofshamë ankimi ose dhëmbjeje. Kishte vetëm një dëshirë, të largohej sa më shpejt nga kjo botë. Gjëja e vetme që e bënte të humbte durimin ishte shprehja “Do të bëhesh më mirë.” Kur në nja dy raste pashë që infermieret ngaqë e shihnin ashtu të sfilitur, me atë uniformë depersonalizuese të spitalit, i folën sikur të ishte askushi, i revoltuar u thashë. “Do të ishte më mirë që t’i drejtoheni me më respekt, pasi nuk keni të bëni me ndonjë njeri dosido. Ai s’është thjesht Bob, por është Profesor Nderi (Professor Emeritus) i Universitetit të Çikagos. Dr. Shumani ka botuar aq libra sa s’kini vite ju të dyja së bashku.” Ndërsa të dyja infermieret zgurdulluan sytë të habitura, ai ktheu kokën nga unë dhe me një zë të mekur tha: “Jo, emri im është Bob. . . Do të kishte qenë më mirë që disa nga librat të mos ishin botuar fare.”

Kur vazhdoja studimet për letërsi angleze në universitetin e Las Vegasit, shpesh diskutoja me mikeshën tonë të përbashkët (të Bobit dhe timen) Dr. Casey Diana, një tjetër ish-studente e tij, rreth leksioneve, pedagogëve dhe autorëve të ndryshme që studionim në universitet. Dhe kur lëvdoja ndonjë profesor, ajo menjëherë ndërhynte: “Ti nuk e di se si është në të vërtetë një profesor anglishte, derisa nuk ke pasur fatin të ketë dhënë mësim Bob Shumani.” Në korpusin e veprave të tij, një vend të konsiderueshme zënë edhe botimet që kanë të bëjnë me pedagogjinë e dhënies së leksioneve. Dr. Joseph Trahern tregon se “arritja kryesore në ato vite që isha Shef i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Illinoit, ishte fakti që munda të bindja Bobin që të vinte në universitetin tonë si Drejtor i Programit të Anglishtes.” Ai ishte jo vetëm një studiues i shkëlqyer i letërsisë, por edhe një pedagog si pak kush. Dhe, paçka se ç’lartësi arriti në jetë, ai ishte i thjeshtë si edhe një sfidues i çdo lloj hierarkie njerëzore. Ja pse nuk pranonte njeri t’i drejtohej Dr. apo Prof. Shuman.

Atje ku mëngjesi dhe mbrëmja nuk do t’më shqetësojnë më

Shtëpia e tij ishte e mbushur me vepra arti, veçanërisht piktura. Por mua më tërhiqte vëmendjen një kornizë e vockël që kishte një poezi pesë vargjesh, e pabotuar ndonjëherë, me titull “Kërkesë” të Langston Hughes. Në krye të titullit, me një kaligrafi të shkëlqyer, autori kishte shkruar “Për Robert E. Shuman, me sinqeritet”. (Paçka se Langston Hughes ishte afro 30 vjeç më i madh, miqësia e tyre kishte filluar qysh kur Bob Shumani ishte gjimnazist. Në letërkëmbimin e tyre, Langston Hughes disa herë i ka kushtuar atij poezi e Bob Shumani i ka ruajtur me fanatizëm dhe, deri më sot, ato janë të “panjohura”.) Çdo herë që hyja në shtëpinë tij, ndalesha para poezisë dhe përpiqesha të përfytyroja raportet miqësore e krijuese ndërmjet tyre. Ja poezia në një përkthim të lirë:

Kërkesë

Më dërgo 20 dollarë

E disa qindarka.

Do të shkoj atje ku

Mëngjesi dhe mbrëmja

Nuk do t’më shqetësojnë.

Ditët, javët, muajt që R. Baird Shumani ishte i sëmurë, këto vargje nuk më shqiteshin nga mendja. Në mënyrë të pavetëdijshme, dëshira e tij për t’u larguar nga kjo botë, ndoshta lidhej me semantikën e këtyre vargjeve. Më 12 gusht 2013, ai u nis përfundimisht atje ku mëngjeset dhe mbrëmjet nuk do ta shqetësonin më. Iku! U shua! Kurrë s’do të kishte më një Bob Shuman tjetër! Ishte kaq njerëzor e i përkryer saqë të dukej sikur kishte dalë jo nga barku i nënës, por nga fletët e librave. . . dhe atje u kthye përsëri. Pikërisht nga librat e tij, ai do të vazhdojë të shërbejë si model për gjeneratat e reja. Prof. Dr. Donald E. Hall, ish-student i tij dhe tani Dekani i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencës në Universitetin e Lehigh-it, shkruan: “Ai më mësoi të mos lodhem së punuari, të shkruaj çdo ditë e të botoj si të jem një gjenerator.” Dhe nuk është për t’u habitur që Dr. Donald E. Hall është vetë një autor shumë pjellor. Dhe jo vetëm ai. Këtë fat kanë pasur shumë e shumë studentë të Prof. Shumanit. Mesiguri, pa Bob Shumanin vështirë se do të ishin ngjitur kaq lart.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bob Suman tjeter, Kurre me, Pirro Dollani, s'do te kete

Per poetin Agim Shehu në prag të 80 vjetorit të lindjes

January 3, 2014 by dgreca

Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri. Nga libri “Mëngjez Kosove”  A.Shehu/

Nga Keze Kozeta Zylo/

          Në portën e një poeti kombëtar mund të shkohet dhe pa trokitur siç ndodh rëndom, ta vizitosh, të bësh foto me poetin, t’i publikosh, të marrësh vetëm energji pozitive prej tij, se kjo racë poeti veç këtë lloj energjie njeh, por të shkosh realisht në portën e Labërisë, apo në Zvicër ku jeton azilanti politik poeti tepelenas Agim Shehu ka ca kode të shenjta, që jo kushdo mund t’i zbërthejë. 

          Perëndia i dha bekimin e parë në Progonat të Tepelenës, në zemër të Labërisë, ai erdhi si një kalorës magjik, si Pegasi i Poezisë me flatra mbi malet kryelartë që bisdojnë vetëm me Zotat.  U rrit me ninullat e nënës labe, me këngën e burrave trima, nën Hënën që i varej si llambë e florinjtë, ku shkrepëtinin vetëtimthi poezitë e përkryera të djaloshit që merrte natyrshëm udhën e dritës.  E në këtë udhë shterëzonin metaforat që kishin fole të argjendtë vetëm në shpirtin e një poeti si Agim Shehu dhe lindnin Zotat e rinj.  Rritej poeti, ecte labirintheve të kohës, herë vraponte si kalë i hazdisur, herë heshtëte si një Sokrat i urtë, herë takohej me Bajronin në ëndrra, e herë ngjitej në kala me Ali Pashanë.  Nga kalaja kundronte pamjen madhështore të Tepelenës me ujërat e mëndafshta të Vjoses, dhe si vegim i vinte përshkrimi mahnitës i Bajronit, poetit botëror i cili u magjeps nga pamja tepelenase kur e vizitoi.   

          Lirika e hollë dhe fine e poetit ka rrëmbyer zemrat e mijëra lexuesve të vërtetë, por jo të pushtetarëve çmimdhënës, dhe kjo është meritë e krijimtarisë së tij që s’ka tërhequr vëmendjen e pushtetarëve, pasi çmimet e tyre janë kthyer në tinguj funebre për atë lloj art që ata publikojnë me së shumti.  Por çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia dhe ja si shkruan:

“Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një gëzim që s’e arrita.  Nga poema: (Bisedë me rubairat). 

          Librat e tij janë bashkimi i trevave shqiptare paçka se Europa plakë dhe fuqitë e mëdha famëkeqe e ndanë dhe e copëtuan si zemrën e poetit që e hodhën në moshën e bardhë të pleqërisë tutje dhe larg Atdheut.  Arti i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar.  Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi:  Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi.  Kushdo që e lexon Baladën për Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që hanë sy fëmijësh.  Metaforat e poetit janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.

Poeti është një patriot i madh, e do demokracinë nuk e kupton atë pa Kombin dhe ja si thotë në librin me 1000 proverba që ka krijuar në mërgim:  “Demokracia pa kombin është si lule në kostumin e të vdekurit; nëse kombi është treni, demokracia janë shinat mbi të cilat ecën treni; i pari është mjet i udhës; i dyti, ‘kombi’ është qëllimi”. 

          Hapat e poetit prekja e tokës së Kosovës i bëhet drithërimë, ka hyrë në gjirin e saj dhe aty mbeti përgjithmonë.  është poeti që i ra pashë më pashë Atdheut me penë për më shumë se gjysmë shekulli dhe për këtë ndihemi me fat që të jetojmë brenda kësaj kohe së bashku me Poetin.  Shkëlqimi i penës së poetit bën që  edhe gurit t’i jap jete, edhe guri të rrahe si zemër fëmije.  E ndjejmë këtë në librin “Argjendi i Gurit”, nje libër që i kushtohet Gjirokastrës, ngase poeti erdhi aty për studime qysh në moshën 13 vjeçar.  Sot poeti i ngre përmendore të artë qytetit të bukur të Gjirokastrës ashtu sic di vetëm një kryepoet.      Poeti Shehu ka vuajtur rëndë në kohën e diktaturës, jo vetëm si dhëndër në derën e njohur të Kokoshajve të Vlorës nga ka origjinën Zana e tij fisnike si bijë në këtë derë të madhe të persekutuar, por njëkohësisht dhe për qëndrimet e tij aq të vendosura dhe të prera karshi diktaturës, ndaj ai dhimbshem kujton dhe proteston në mërgimin e tij duke ikur larg, larg, por është aq brenda në bërthamë të Atdheut:  Mirupafshim Shqipëri/ Ika se të dua shumë/ se desha të jem gjallë/ dhe ca kohe për ty/… Natën e mirë tokë shqipërie/ Sot jam një meteor i djegur/ që këputet e s’di ku bie/… Aty lashë lopatën time të punëtorit/ në vitet me dënim të zi/ Lashë pa bërë vizitën e fundit/ në varret e prindërve të mi/…Poeti Shehu është një intelektual erudit, që duhet të vihet atje ku e kanë vendin Elita dhe Burrat e Kombit. 

          Ai është një publicist i jashtëzakonshëm që nëpërmjet opinioneve dhe qëndrimeve të tij karshi bishës serbe dhe fashistëve grekë, lexuesit kanë njohur më nga afër problemet, kalvarin e vuajtjeve, dredhitë e politikanëve të huaj dhe dallkaukeve ballkanas që duan si e si ta rënojnë kulturën e Kombit shqiptar dhe ta shkatërrojnë Shqipërinë.  Pena e tij në këto raste kthehet shpatë e Skënderbeut dhe bëhet mburojë, kala e patundur për Shqipërinë, bëhet nagant i Isa Buletinit dhe shark legjende i Selam Musait, sy shqiponjë e akademikut ushtarak Asim Zenelit që vëzhgon nga mali lirik i Trebeshinës së Mezhgoranit dhe flamur kuq e zi i Ismail Vlorës:

Bënë udhë të gjatë/ te ingilizi vinin/ Ismail Qemali Isa Buletini/ Hynin dy shqiptarë/ brenda në pallat/ njeri luftëtar/ tjetri diplomat.  “Marre nga Naganti i Isa Boletinit”.

Qëndrimet e shkrimtarit karshi realitetit të hidhur janë të një kryepoeti patriot që zgjon dhe civilizon lexuesin, ndërkohë të sjellë aq pranë mendimin e shkrimtarit disident botëror Salman Rushdie i cili thotë: “Puna e nje poeti është të përmendë të papërmendurit, të verë gishtin mbi mashtrimet, të qendrojë në anë të përparimit, të fillojë argumente, të ndryshojë botën dhe ta ndalojë atë nga gjumi letargjik”.

Ndonëse është e pamundur të permblidhen në një esse të vetme krijitmaria, librat poetik, publicistika, reflektimet tona karshi veprës së autorit përsëri mbi flokët e argjendta të një 80 vjeçari reflekton mahnitshëm dritëza e hënës së Progonatit, edhe pse ajo është larg, larg Zvicrës ku jeton Poeti vitet e Tij.  Poezitë e tij sjellin të gjallë heroizmin e popullit, luftën e Tij që s’iu nda kurrë.  Selam Musai ngeli Lugjesh në ato vite si Veri, furtune ndaj dhe e fryemëzon poetin në çdo qelizë poetike të shpirtit të tij aq të pasur: 

Buzët ti te kënga/ ballin te liria/ Lule Selam Labi, Selam Salaria/ Çdo tufan zbërthyer/ gjoksin ty ta gjeti/ sharku si legjendë/ telave të mbeti.  I lexoj dhe i them përmendsh dhe prapë emocionohem, se jane vargje që të japin Atdheun, historinë në pëllëmbë të dorës, janë vargje që i bëjnë sfidë historisë së deformuar të zhvirgjëruar nga pseudot e ndryshëm, çka më kujton Platonin i cili thotë se poezia është më afër të vërtetës vitale se historia. 

          Në nderimin që organizoi Bashkia e qytetit të Tepelenës dhe populli i saj duke i dhënë titullin “Qyetar Nderi i Tepelenës”, shkrimtari Shehu nëpërmjet një letre falënderimi ndërmjet të tjerash iu kujton bashkatdhetarëve historinë e famshme të këtij qyteti nga e ka dhe origjinën:   “Nuk është e rastit që Tepelena “e vogël” me densitet aq të madh trimërish e atdhedashurie nxori një vigan të tillë si Ali Pashë Tepelena.

Burri që si askush tjetër nga fqinjët guxoi e brenda Perandorisë së madhe e të frikshme osmane krijoi shtetin e vet me qendër kryeqytetin shqiptar të kohës, Janinën. Me veprën e tij të madhe Rilindësve u dha në duar idenë e fjetur se: “ne jemi Shqipëri më vete” e u vlerësua aq lart në botë sa Hygoi e quajti “Bonaparti Muhamedan”.

          Agim Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e nje shpirti poetik.  Qysh në rininë e hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën.  Le ta ndjekim në poezinë: “Të dashurohesh nga nje matematikan” poezi që ndihet dhe duket sikur skuq honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra:  “Ty po të drejtohem, vajze moj syzesë/ më do a po s’më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon…

Poeti tretet dhe shkrihet si nje copë akulli përballë dashurisë hyjnore:  Më trete formulë më shkrive të gjallë/ si një copez akull në plus njëqind gradë/ Folëm shpirti im, shpirt me maksimum/ se pa ty s’kam gjum as në minimum… 

Kontrastet dhe antitezat e përdorura e bëjnë dhe më të bukur dhe dashuria fshihet si yjet nën gjirin e poetit. 

          Krijimtaria e tij eshte nje Diell që ndriçon botën e errët, shkrin akullnajat cinike që varren si degë të plakura gati në pëgërje, dhe me majën e penës së artë ngjyer në qerpik të syrit shkruan historinë.  Librat e Shehut jane si malet hijerendë të Shqipërise që s’tronditen kurrë nga tërmetet, por ato vetëm dëshmojnë dhe mbrojnë çka të kujton shkrimtarin e famshëm amerikan Walt Whitman i cili thotë: Unë veproj si gjuha që është e lidhur në gojën tuaj, nje minierë që fillon të jetë e lirë…

          Ja pse Agim Shehu është një kryepoet dhe duhet t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.     

Në intervistën që kemi pasur në New York me poetin dhe bashkëshorten e tij fisnike Zana, ende në memorje më rri zëri i tij, si zëri i një Perëndie, apo i nje mësuesi të urtë dhe të mençur që fjala i rrjedh ende si ujëvarë mahnitëse edhe në këtë 80 vjetor të bukur Kryepoeti.

 Janar, 2014

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: agim shehu, ne prag te 80 vjetorit

Për Rishikimin e Statusit të Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik

January 3, 2014 by dgreca

Opinion nga Zeno JAHAJ/

Qeveria e vendit tonë i ka të gjitha arësyet të rishikojë statusin e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI). Antarësia e Shqipërisë në OBI nuk përputhet me synimet dhe objektivat e kësaj Organizate, as me statusin fetar të popullit shqiptar. Gjithashtu, antarësimi në OBI nuk është në pajtim me vullnetin politik, publik dhe me kuadrin kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Shqipëria aderon në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) me statusin e antarit prej vitit 1992. Në ato vite, vendi ynë përmbysi regjimin politik komunist, i cili i pati shtypur me dhunë ndjenjat dhe disponimet fetare, si dhe i pati shkatërruar të gjitha institucionet dhe organizimet fetare. Përkundër, regjimi i ri demokratik paskomunist krijoi kushtet për shprehjen e lirë të vullnetit dhe organizimit fetar. Pëikërisht në këto kushte do të zhvilloheshin inisiativat për riorganizimet fetare dhe ringritjen e institucioneve sipas disponimeve përkatëse.

Por i gjithë ky proces u krye më së shumti me volontarizëm dhe, sidomos, nën presioninin e organizuar të influencave të qendrave fetare të jashtme, jo rrallë të servirura si veshje për influenca politike. Për më tepër, rikthimi i organizimeve dhe institucioneve fetare u bë në kushtet e mungesës së Kushtetutës së vendit, si dokument themeltar që përcakton raportet e fesë me shtetin. Sikurse është e njohur, jeta dhe veprimtaria e vendit në vitet e para paskomuniste, zhvilloheshin në bazë paketash kushtetuese dhe jo në një Kushtetutë përfundimtare.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua vetëm në vitin 1998. Në këtë Kushtetutë, përcaktohet se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare; shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes; shteti njeh barazinë e bashkësive fetare; marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësive të tyre dhe Këshillit të Ministrave dhe këto marrëveshje ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, etj.

Si qytetar i këtij vendi, dyshoj nëse bashkëqytetarët e Shqipërisë janë të informuar se si janë zbatuar këto e të tjera kërkesa kushtetuese lidhur me statusin e bashkësive të sotme fetare në Shqipëri. Kjo është një temë jo pak nevralgjike që prek deri edhe sigurinë e sovranitetin e vendit. Por në kuadër të opinionit që po shpreh, mjafton të them se antarësimi i Republikës së Shqipërisë në në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) u bë pikërisht në kushtet e zbrazëtisë kushtetuese të paravitit 1998. Aktualisht statusi i sotëm i vendit tonë në këtë Organizatë është në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, statusi i OBI, kërkon, midis të tjerash, që vendet antare të udhëhiqen nga vlerat Islamike; të përpiqen për të rigjallërimin e rolit parësor të Islamit në botë; të krijojnë kushtet e përshtatëshme për edukimin e shëndoshë të fëmijëve dhe të rinjve Muslimanë dhe për ngulitjen në ta të vlerave Islamike; të përhapin, promovojnë dhe ruajnë mësimet dhe vlerat Islamike; të arrijnë integrimin ekonomik që do të çonte në krijimin e një Tregu të Përbashkët Islamik, etj.

Nuk mendoj se antarësimi i Shqipërisë në OBI ka qenë një angazhim substancial. Më së shumti besoj se do të ketë qenë një lëvizje me prapavijë interesash pragmatiste. Por në çastin kur ky angazhim është kanalizuar organizativisht e politikisht, atëherë krijohet hapësirë për çfardo lloj leximi apo interpretimi: për anësi të shtetit ndaj një feje të caktuar; për disponime fetare në sjelljen shtetërore; për tjetërsim të përkatësisë gjeografike, historike, qytetërimore e kulturore të kombit shqiptar, etj.

Statusi fetar i shqiptarëve nuk është çështje tapie, sikurse mund të jenë tapitë e tokave. Se çfarë përbën feja e besimet fetare për shqiptarët, çfarë përkatësie fetare kanë shqiptarët, e të tjera – këtë e vërtetojnë të gjitha studimet e kërkimet, si dhe jeta sociale e shqiptarëve e çdo kohe e epoke. Mjafton të përmendim faktin ndoshta unik se shqiptarët emigrantë në këto dy dekadat e fundit (të cilët përbëjnë afro një të tretën e popullsisë së vendit), në rastin më të zakonshëm identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, dhe, në rastin më të pazakonshëm, aplikojnë vetëm besimet fetare të vendeve perëndimore ku kanë emigruar e integru kështu, krejt natyrshëm në besimin e hershëm të të parëve të tyre.

Shumëkush në Ballkan e, fatkeqësisht, edhe më gjerë, do të donte që kombi apo shteti shqiptar të identifikohej si një komb apo shtet Mysliman, mbase për ta përdorur këtë kartë si mbulesë të disponimeve të tjera ekstremiste, ultra të djathta, etj. Nga çka verejmë, shumëkush, për mungesë informacioni, për paragjykim apo për shkaqe akoma më të thella, duket se dëshiron ta rendisë edhe Shqipërinë si vend mysliman, duke e sjellë Europën e shekullit të ’17-të në shekullin e ’21-të.

Asnjë vend tjetër Ballkanik nuk është deklaruar antar i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Turqia ka arsyet e veta gjeopolitike, gjeografike e historike të përzgjedhë të jetë antare e kësaj Organizate. Bosnjë-Herzegovina prej dy dekadash aplikon vetëm statusin vendit vëzhgues në këtë Organizatë. Për arësyet e tyre edhe vende si Republika e Afrikës Qëndrore, Mbretëria e Tailandës, Federata Ruse dhe Rpublika e panjohur zyrtarisht e Qipros së Veriut aplikojnë status vëzhguesi në këtë Organizatë. Republika e Maqedonisë e ka një komunitet turk e një të tretën e popullsisë së vendit me popullsi shqiptare të shpallur në besimin mysliman, por nuk ka zhvilluar ndërmarrje të tilla të çorientuara. Do të ishte kundër procesit që hapa të tilla të ndërmerrte Republika e Kosovës.

Atëherë, në respekt të statusit të vërtetë kushtetues, politik, kulturor, qytetërimor e fetar të Shqipërisë, në respekt të vetë fesë Islame, ashtu sikurse në respekt të çdo besimi tjetër fetar, Qeveria e Republikës së Shqipërisë i ka të gjitha arësyet dhe detyrimin të tërhiqet nga statusi i anëtarit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, duke ruajtur, për etikë dhe interes, statusin e vëzhguesit në këtë Organizatë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e statusit, ne Konferencen Islamike, Per rishikimin, te Shqiperise

BOTIMI I PARË, ME VLERA TEORIKE E PRAKTIKE

January 3, 2014 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.-Dr. Sadete, gjejmë rastin që përsëri të bisedojmë bashkë, pas një periudhe kohore. Siç e dini edhe ju, ishte kënaqësi që, me bashkëshortin Gani Pllana, morët pjesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, që u organizua në Tiranë, në shtator të vitit 2011. Me atë rast, të dy lexuat kumtesat tuaja interesante, të cilat janë botuar në librin voluminoz, me punimet e asaj Konference: “Një Komb, një shkollë, një kulturë” (Tiranë, 2012). Cilat janë përjetimet tuaja, nga ajo veprimtari e bukur dhe e paharruar?

Përgjigje: Së pari, ju falënderoj për kohën që keni ndarë për të biseduar me mua. Siç e dini edhe ju, Konferenca e Parë Mbarëkombëtare të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (Tiranë, shtator 2011), ishte organizuar mjaftë mirë, me pjesëmarrës e kumtesa nga e tërë hapësira shqipfolëse. Diskutimet, që u bënë  pas leximit të kumtesave, ishin në nivel shkencor dhe mjaft të dobishme. Më tej, botimi i kumtesave, në një libër të veçantë, e ka rrumbullakuar punën e organizatorëve dhe të pjesëmarrësve. Shpresoj që do të vazhdojë puna e IIKSH dhe do të kemi tekste e vepra tjera të përbashkëta, me nivel shkencor europian e botëror, për tërë hapësirën shqiptare, me autorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina Preshevës e Çamëria, çfarë ishte edhe ideja e pjesëmarrësve dhe ideologut kryesor të IIKSH, të ndjerit dr. Ibrahim Gashi.

Tani, kujtoj këtu se më parë, pra më 19 qershor 2009, me bashkashortin, Ganiun, kemi marrë pjesë në punimet e Konferencës Shkencore, me temë “Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe, probleme e detyra”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ku dhe  lexova një punim timin, me këtë tematikë.

2.-Dhe ja, tani ju delni para lexuesve me librin: “Terminologjia bazë e mekanikës, në gjuhët shqipe dhe angleze”,  i cili është recensuar nga prof.dr.Agron Duro e prof.dr.Ilo Stefanllari. Me sa di unë, jeni e para studiuese e Republikës së Kosovës, që publikoni libër, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike të Shqipërisë. Përmbledhurazi, çfarë risishë përmban ky punim i veçantë, në llojin e vet?

Përgjigje: Me këtë rast, dua të theksoj dashamirësinë e punonjësve të QSA-së, e posaçërisht të prof. dr. Valter Memishës, aktualisht drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në Tiranë, i cili që nga kërkesa ime për botimin e monografisë më ka këshilluar e përkrahur, ka organizuar mbledhjet dhe takimet e nevojshme me Këshillin e Profesorëve, për miratimin e veprës së parashtruar për vlerësim dhe botim. U caktuan dhe dy recensues, prof. dr. Agron Duro e prof. dr. Ilo Stefanllari, të cilët i shkruan recensionet e tyre  pozitive. Pra, vepra ka kaluar nëpër të gjitha nivelet e duhura, derisa sa është miratuar për botim. Kuptohet, jam shumë e nderuar dhe krenare, si autore e parë nga Republika e Kosovës, siç e përmendët dhe ju më lart, që pata fatin të më miratohet dhe botohet punimi im, nga QSA, në Tiranë.

Monografia  në fjalë, ka si objekt  termat  bazë  të një fushe  të gjerë  dije, siç është  mekanika. Por, gjithësesi, duke u fokusuar  në dy  nënfusha  themelore, të cilat  nga ana e tyre qëndrojnë  në themel të fushës së mekanikës, siç janë:  Mekanika  teorike dhe Mekanika e zbatuar, në  shqip dhe Theory of Mechanics  e Applied Mechanics,  në anglisht. E rëndësishme  është të nënvizohet,  se terminologjia bazë e mekanikës, në shqip, vështrohet  në rrafshin  e një terminologjie tjetër, e cila ka një  histori dy-treshekullore, paraformimit të  po  të kësaj  terminologjie, në shqipe  dhe po shërben,  nga ana tjetër, si model  standardizimi  ndërkombëtar, siç  është terminologjia  angleze.

3.-Dëshirojmë t’i njohim lexuesit, në përgjithësi, edhe me përvojën tuaj profesionale e shkencore. Pra, cilat janë përfundimet e nxjerra në monografi?

Përgjigje: Përvoja ime prej njëzet vitesh, si mësimdhënëse e gjuhës angleze dhe asaj gjermane, si edhe veprimtaria praktike në përpunimin e teksteve teknike, sidomos në fushën e mekanikës, më kanë mundësuar të njihem jo vetëm me terminologjinë e kësaj fushe, me termat, por edhe me anën përmbajtësore, me konceptet. Kjo më ka shtyrë që, mbi bazën e njohurive përkatëse dhe të përvojës së fituar,  fillimisht, të ndërmerrja botimin e artikujve modestë, në revistën “Teknika” të Universitetit të Prishtinës,  në Republikën e Kosovës, për probleme të veçanta rreth terminologjisë, me të cilën unë merresha, si për sinoniminë, shqipërimin e përkthimin e termave etj. Më vonë, puna më çoi në thellimin e njohurive të mëtejshme në fushë të teorisë së terminologjisë, metodave të studimit dhe, përgjithësisht, praktikës terminologjike. Mbështetur në studimet e terminologëve të huaj  (Vyster, Sager, Felber) e shqiptarë ,  (F. Leka, H. Pasho, A. Duro, H. Çipuri, N. Caka, L. Susuri e G. Pllana), munda të përgatisja tezën për gradën shkencore “Master” (Tiranë, 2007) dhe për gradën shkencore “Doktor” i shkencave filologjike (Tiranë, 2010).

Nga përfundimet e nxjerra, në monografi janë dhënë rekomandime lidhur me domosdoshmërinë e hartimit të fjalorëve të nënfushave të veçanta të mekanikës, në bashkëpunim me specialistë e gjuhëtarë, si p.sh., fusha e automobilit, e termoteknikës etj. Po kështu, me interes të veçantë do të ishte hartimi i një fjalori sistemor themelor, me përkufizime të mekanikës, i ndërtuar mbi bazën e metodave kompjuterike.

Shpresoj që punimi në fjalë, si studim i plotë i termave bazë të një fushe të gjerë, siç është mekanika, do të ndihmojë për të hapur rrugën e studimit të terminologjive nga fusha të tjera të dijes, sidomos të fushave të reja, si informatikës e gjenetikës, duke i vështruar ato në rrafshin përqasës me terminologjitë e gjuhës angleze, si edhe me ato të gjuhëve të tjera, si të gjermanishtes, frëngjishtes, rusishtes etj., të cilat bëjnë pjesë në sistemin e terminologjive standarde botërore.

4.-Po vlerat praktike e zbatuese të punimit tuaj, cilat janë dhe cilët lexues janë të interesuar për atë?

Përgjigje: Studimi ka si qëllim ta vështrojë  këtë terminologji nga dy anë, nga ajo e formës dhe e përmbajtjes, si edhe  sesi  është  zhvilluar  ky leksik, qysh  nga format e thjeshta e deri  në ato  më komplekse, si një sistem i organizuar, homogjen dhe i qëndrueshëm.

Mbështetja  në rrugën  induktive  (nga shembujt,  tek argumentet e përfundimet) dhe  në atë  deduktive (nga  parakushtet e marra,  në argumentet dhe shembujt  konkretë) mbizotëron  në të gjithë  punimin.

Mendoj se kjo vepër  ka  edhe vlera  të mirëfillta  praktike. Disa  përgjithësime dhe zgjidhje  të  dhëna  në punim  mund të shtrihen edhe për terminologji të tjera, sidomos çështjet e standardizimit, sinonimisë, shqipërimit, huazimet etj. Po kështu, ka vlera  edhe  për veprimtarinë praktike terminologjike në procesin e përpunimit dhe hartimit  të  fjalorëve të terminologjisë, si nënfushave përkatëse, të fushës së terminologjisë.

Si i tillë, punimi në fjalë iu drejtohet një rrethi të gjerë të interesuarish për çështje të terminologjisë, në përgjithësi dhe të fushës së mekanikës, në veçanti. Ajo mund të  shfrytëzohet nga studiuesit, studentët, hartuesit e teksteve të specialitetit etj.

5.- Në vazhdim të bisedës sonë, dëshirojmë t’i njohim lexuesit, më shumë edhe me jetën tuaj. Pra, çfarë mund të na tregoni, për këtë gjë?

Përgjigje: U linda në Stamboll, më 27 shtator 1960. Babai im, Rushit Quqalla ishte detyruar që, për shkaqe politike,  ta braktiste vendlindjen, në vitin 1948. Në vitin 1957, është bashkuar në Stamboll me nënën dhe vëllanë, i lindur në Vushtrri. Pra, jam nga një familje e përndjekur, atdhedashëse dhe arsimdashëse e me mall larg Atdheut. Babai im, me familjen, e la Stambollin në vitin 1962 dhe u vendos në Gjermani. Shkollën nëntëvjeçare e kam mbaruar në Prot. Volksschule Sulzbachtal- Kreis Kaiserslautern dhe Volksschule Olsbrücken- Kreis Kaiserslautern, në atë shtet. Deshira e malli për vendlindjen nuk e lennin të qetë babain tim. Kur u krijuan disa rrethana lehtësuese në Kosovë, u kthyem në vendlindje, në vitin 1977. Gjimnazin e kam mbaruar në Vushtrri, në vitin 1980. Pas gjimnazit, vazhdova studimet në degën gjuhë  e letërsi angleze, në Universitetin e Prishtinës, të cilat i përfundova me sukses. Gjithashtu, po aty kreva  studimet në degën gjuhë e letërsi gjermane.

Pas përfundimit të studimeve të larta, vazhdova kualifikimin pasuniversitar, pranë Universitetit të Tiranës, Departamenti i Gjuhës Angleze. Aty mbrojta temën për gradën “Master”, në vitin 2007. Kurse, po në të njëjtin departament, mbrojta disertacionin, më 23 korrik 2010, duke fituar gradën shkencore “Doktore e shkencave filologjike”.  Ndërsa në Universitetin e Vjenës jam e regjistruar në studimet për doktoraturë, në Departamentin e Gjermanishtes, si gjuhë e huaj (Institut für Germanistik- Deutsch als Fremdsprache). Aty kam përfunduar provimet e nevojshme dhe jam duke e mbaruar disertacionin përkatës.

Jam bashkautore e librit të parë, në gjuhën shqipe në Kosovë, nga gjuha gjermane, “Doracak për mësimin e gjuhës gjermane për punëtorët shëndetësorë”, (Vushtrri, 1991). Ai u ka shërbyer shumë mjekëve, motrave mjekësore e më vonë edhe mjaft azilkërkuesve, në vendet gjermanofolëse. Kam punuar përthyese për gjuhë angleze dhe gjermane, që nga viti 1984, për firma të ndryshme dhe për nevoja të qytetarëve në Kosovë. Nga viti 2001, jam çertifikuar përthyese gjyqësore, pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për gjuhët angleze dhe gjermane. Kam përthyer në gjuhën gjermane librin  ”Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët, 1844 – 1999“ (në katër gjuhë), përgatitur nga Prof. ass. Nusret Pllana (Prishtinë, 2001).

Kam të publikuara, autore dhe bashkautore, 56 punime profesionale dhe shkencore, në Kosovë, Maqedoni, Bullgari, Shqipëri, Austri e Poloni.

6.- Në vazhdim të përgjigjeve tuaja, deshëm të dimë edhe për planet kërkimore, studimore e botuese, për të ardhmen. Pra, a mund ta zbuloni “sekretin”, në këtë drejtim?

-Përgjigje: Më së miri: të studiojmë, të veprojmë, të botojmë e pastaj të dalim me vepra të kompletuara. Vepra e ardhshme, nuk dua të them se është “sekrete”, besoj që do të jetë nga fushat e ngushta të ekonomisë, pasi jam pedagoge e rregullt, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, për gjuhët angleze e gjermane.

7.-A keni ndonjë falënderim për njerëz, që ju kanë ndihmuar në karrierën tuaj profesionale dhe realizimin e studimeve e të monografisë?

Përgjigje: Ka shumë nga ata, që më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë ndihmë, guxim e besim, si për studime themelore, pasdiplomike e doktoraturë, si dhe për botimin e monografisë, për të cilën folëm në biesedën tonë. Me këtë rast, i falenderoj nga zemra prindërit e mi, bashkëshortin tim, katër vajzat e mia, të cilat i kryenin punët e shtëpisë, kur skruaja monografin; profesorët e UP-së, prof. dr. Jashar Kabashin, prof. dr. Abdullah Karjagdiun, prof. dr. Shpresa Hoxhen  e prof. dr. Shukrane Pindukun. Po keshtu, u jam mirënjohëse, në Tiranë: Prof. dr. Gëzim Hadaj, prof. dr. Drita Hadaj, prof. dr. Viktor Ristani, prof. dr. Valter Memisha e dr. Elida Tabaku.

I falënderoj, në mënyrë të veçantë, për vërejtjet dhe këshillat e tyre, si edhe për ndihmën profesionale,  prof. dr. Agron Duron e prof. dr. Ilo Stefanllarin. Ata më kanë nxitur dhe më kanë mbështetur moralisht, për ta realizuar me sukses këtë punim monografik.

8.-Tani, kur morëm njohuri për jetën tuaj dhe për këtë botim të parë, me vlera shkencore, teorike e praktike, përzemërsisht ju urojmë që, në Vitin e Ri 2014, të keni: Shëndet të plotë, arritje në veprimtaritë tuaj të përditëshme, begati e mbarësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

-Shumë faleminderit, si për bisedën e përbashkët dhe urimet, që m’i bëni, i nderuari prof. Murat Gecaj!

Tiranë-Prishtinë, më 3 janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Bisede, Murat Gecaj, Sadete Pllana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4970
  • 4971
  • 4972
  • 4973
  • 4974
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT