• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dilema migjeniane: Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Skender BLAKAJ/

Duket si në përrallë-po ëndrra ishte e gjatë dhe e përgjakshme. Ama, Kosova nuk u bë Shqipëri, por u bë shtet. Edhe kjo po i lë pa gjumë ish-çifçinjtë e saj serbë, të cilët, kur e robëruan, u kthyen në padronë dhe e dhunuan barbarisht 100 vjet. Në kryeveprën e vet, “Darka e gabuar”, Ismail Kadare vetëtin e godet si rrufeja, me çështje të mëdha që janë preokupime dhe përjetime të rënda të jetës së kombit. Epiqendër gjeografike e ngjarje­ve të veprës është vendlindja e tij, Gjirokastra. Në mënyrën e tij, me plot retrospektiva, kalon nga ita­lia­nët e gjermanët aty, e nga këta te komunistët e te universi komunist, me aferat e komplotet, në të cilat Gjirokastrën duan ta bëjnë qendër. Me një penel të shpejtë, po të përndeztë, e vringëllon trazimin e qytetit me të cilin jetojnë edhe sot shqiptarët – “ai bënte që banorët e qytetit, për shkak të bujqve grekë që punonin në pronat e shqiptarëve si çifçinj, të kishin një përfytyrim të shtrajtuar jo vetëm për grekët, por edhe për gjithë greqizmin, bashkë me shtetin grek, me politikën, madje me gjuhën e tyre.” Kurse, degëzimit tjetër tronditës të kësaj teme i kthehet dy-tri herë, si një bërthame atomi, që të bën shkrumb. Sipas qëndrimeve e bisedave politike “Shqipëria s’kishte pse të futej në grindje verbazi, pa parë volinë e saj. Gjermania vërtetë ishte pushtuese, por Rusia e kuqe s’ishte më e mirë. Veç kësaj, Gjermania sillte Kosovën e Çamërinë, kurse Rusia, veç kolkozeve, nuk sillte asgjë. Madje, kishte gjasë që fjalët “Shqipëri etnike”, në fletushkat gjermane, në vend që t’i gëzonin, i kishin acaruar komunistët. Kishte gjasë që edhe padurimi për luftë andej vinte. Dhe kjo ishte e natyrshme, përderisa në krye të tyre kishte dy a tre shefa serbë, për të cilët fjalët “Shqipëri etnike” ishin mortje e shkuar mortjes… Kalo zoti gjerman ashtu siç premtove, transit. Mos më nga, s’të ngas.  Achtung! U theve brinjët Greqisë e Serbisë? Puna jote! Jepmë mua Kosovën e Çamërinë, jawohl!”

Nga këto pjesë te veprës brilante të Kadaresë, që ua përkujton shqiptarëve e të huajve se Shqipëria as nuk mbaronte aty diku te Kukësi, as te pikat tjera, le të bëjmë pak shfletime të “Letrave të konsujve serbë nga Prishtina, 1890-1912”, në kohën kur kryeqyteti i tashëm i Kosovës ishte brenda Perandorisë Osmane. Mbas Kongresit të Berlinit, 1878, me diplomaci, me pushkë e me topa, ishte vendosur njëfarë paqeje në këtë pjesë të Evropës. Perandoria Osmane i lejon Serbisë hapjen e konsullatës në Prishtinë. Shumë shpejt shqiptarët e vrasin konsullin e parë para zyrave të tij, më 1890, “sepse kjo është kapia nëpër të cilën Serbia do të arrijë në Kosovë”. Normalisht, Serbia nuk hoqi dorë, dhe nga viti 1890-1913, kur e kishte pushtuar Kosovën barbarisht, në Prishtinë si konsuj shërbyen personalitete të njohura, madje kryeintelektualë serbë. Krahasojeni me diplomacinë e sotme të Kosovës së shkretë! Këto raporte të konsujve serbë u botuan vitet e fundit në dy vëllime të mëdha dhe, natyrisht,  pa përjash­tuar tendencën tepër antishqiptare të raportuesve, janë një dimension tejet interesant për historinë tonë, po edhe për qëndrimet e habitshme të prijësve shqiptarë. Edhe pse të programuar e me mision të ngulitur që të punojnë që Kosova patjetër të bëhet Serbi, aq shpesh në raporte për Kosovën u përvidhet emërtimi Shqipëri, kurse për serbët, duke përshkruar mjerimin e tyre, theksojnë që janë bujq të patokë e çifçinj në pronat e shqiptarëve dhe që zullumin ndaj serbëve, si diçka gati e logjikshme, e bëjnë kryesisht muhaxhirët shqiptarë që i dëboi Serbia nga pronat e veta nga Sanxhaku i Nishit.

Edhe socialdemokrati serb D. Tucoviq, në librin “Serbia dhe Shqipëria”, 1914, kur përmend kërkesat dhe pjekurinë politike të shqiptarëve për pavarësi, thekson: ”E tërë Shqipëria Veriore, me kryeqendrat e saj: Shkodrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën e Prishtinën, brenda një apo dy muajve u pastrua prej pushtetit dhe prej garnizoneve ushtarake turke. Në Shqipëri u bë një kryengritje revolucionare e përgjithshme”. Autori tjetër, M. Obradoviq, në librin serbisht “Reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës 1918-1941”, përgatitur e botuar në Prishtinë më 1981, nën mbikëqyrjen e akademik Ali Hadrit, e përkufizon nocionin e çifçinjve, çfarë ishin serbët në Kosovë: “Çifçija është bujk që ka pak tokë dhe punon në çifluk. Shumica e çifçinjve, megjithatë, nuk kishin tokë të veten”. Ai citon vendimin shtetëror: “Duhet përpjekur që në afat sa më të shkurtër masat e forta e kompakte të shqiptarëve të shpërbëhen duke sjellë midis tyre së paku 50% sllavë”.  Pa trojet tjera shqiptare në Jugosllavi, shifrat vetëm për Kosovën janë tme­rruese. Nga 475.000 banorë, sa ishin më 1910,  edhe përkundër vrasjeve e dëbimeve masive që bëjnë serbët, përmes kolonizimit, në vitin 1940 numri rritet në 666.900 banorë, ose për 39.54%. Pa përmendur këtu gjithë dhunën e zhvendosjet në kohën e komunizmit.

Qeveria e Kosovës ka caktuar fonde disa milionëshe që ta dëshmojë para botës se shqiptarët nuk po e marrin tokën e Serbisë. Po, sigurisht, po i ruan derisa Beogradi t’i kryejë punët e veta.

Kosova ka pavarësinë, kushtetutën, njohjet, Shqipëria në NATO, ndërtimet, udha e kombit, asfaltet, dhe prapë jeta e shqiptarëve është aq jocilësore. Kurse krerët, në vend se me detyrat e posteve që i kanë, janë të zënë me punët e veta, të klanit, të farefisit. Privilegjet e veta, në kësi mjerimi, nguten t’i beto­nojnë me ligje. Kur e hetojnë “shkëlqimin” e zbehur, vrap në Tiranë a në Prishtinë, me qilima të kuq, me parada, fjalime e dekorata “Skënderbeu”, qytetar nde­ri, trimi i Kosovës etj., të shpërndara me lehtësi si bizhuteri të lira të buzërrugës, si parodizime me vetveten e, edhe si kapardisje shpërfillëse për miqtë e jashtëm që po na e hapin udhën e i kanë ngarkuar në shpinën e vet shpresat tona. Ndërsa lidhjet politike, ekonomike e kulturore, aq të domosdoshme për integrimet kombëtare, janë në shkallë dëshpëruese. Si protagonistë të absurdit, si do të dukej që krerët e qendrave shqiptare ta shpallnin njëri-tjetrin qytetar nderi në ndonjë nga katundet krejtësisht të boshatisura për mungesë të kushteve më elementare për jetë. E dëgjova me tmerr një analist serioz nga Tirana kur tha se në Kuvendin e tashëm të Shqipërisë 13 ish-kryepolicë të kohës së diktaturës janë deputetë, kurse në Kosovë është në qeverisje një simbiozë e rrezikshme e titistëve dhe e enveristëve, si një bashkim-vëllazërim i hershëm Beograd-Tiranë, që mund të prodhojë murtajën. Kjo duhet të evitohet, por pa stupca, siç bëjnë kombet e civilizuara, anise e zorshme. Kush mund ta harrojë 23 marsin e vitit 1989, kur shpejt bëhen 25 vjet nga dita kur Millosheviqi ia hoqi Kosovës elementet e njësisë federalformuese, dmth. atë formë shtetësie. Reagimi protestues i shqiptarëve u shua me gjak e me shumë viktima. Në skenë e në prapaskenë, këtë akt e ndihmuan edhe  shumë shqi­ptarë, madje edhe titullarë të tashëm të institucioneve të Kosovës. Ferri ynë i pastajmë dihet. M. Ahtisari e tha asokohe se ky veprim i Beogradit ishte argument i fortë për ndërtimin e Pakos së tij për Kosovën. Si pjesë e absurdeve tona, për këtë akt të tërthortë atdhetarie, ndihmësit e atëhershëm të Sllobës, rrezik që vie dita e ndoshta edhe mund të dekorohen nga Kuvendi i Kosovës.

Tash, përballë dilemës migjeniane – Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun – zgjidhni! Megjithatë, pavarësisht zhgënjimeve, a nuk kemi hyrë atje ku ishim moti, në orbitën përendimore, dhe së bashku me të, doemos që do të sillemi e do të lëvizim edhe na.

Dhe, jemi në prag të festave. Gëzuar!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo derr i kenaqun, dilema migjeniane, Skender Blakaj, Sokrat i vujtun

Ëngjëjt mbrojtës të Gjuhës Shqipe në Diasporë

December 15, 2013 by dgreca

…Mezi presim shkollën shqipe/

Që të flasim dhe të mësojmë,/

Me shkronjat e alfabetit,/

Si Ëngjëjt Kombin e mbrojmë… /

Himni i Shkollës Shqipe kënduar nga Kristina Melo në disa aktivitete të rëndësishme shqiptare./

Nga Keze Kozeta Zylo/

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, dhanë një program të pasur artistik në mjediset e shkollës publike amerikane 205 në Brooklyn, të përgatitur nga mësuesit e kësaj shkolle nën drejtimin e dy artistëve të mirënjohur Lindita Mezini Lole dhe Petrika Melo.

Edhe pse gjithë rrugët e Nju Jorkut ishin shtruar me tapetin e bardhë dhe pemët anash tyre dukeshin si nuse me kurorë, prindër, mësues, nxënës, miq dhe dashamirës të Shkollës Shqipe erdhën për të festuar së bashku mbylljen me sukses të semestrit të vjeshtës dhe festat e fundvitit.  Nxënësit me flokët e bardhë të dëborës mbi supe dhe mbi kokë dukeshin sikur vinin nga ndonjë planet tjetër.  Ata i harruan lojërat me topa bore ngase donin të ishin egzaktësisht në kohën e duhur të fillimit të programit.

Zërat e tyre fëminorë, SHQIP, ngrohnin ajrin e Brooklynit dhe shkrinin dëboren e bardhë që kishte shtruar kudo, për të mos penguar aktivitetin e tyre aq të rëndësishëm në këtë sezion të bukur festash.

Programin e hapën dy prezantuesit Kristina Melo dhe Fitim Sahipi dy nxënës të shkollës Shqipe.  Fitim Sahipi ka ftuar të gjithë të pranishmit të çohen në këmbë për të kënduar dy hymnet kombëtare: amerikane dhe shqiptare intepretuar nga artistja e vogël dhe e talentuar Kristina Melo.

Pas Hymneve ka përshëndetur Dr. Valbona Zylo Watkins e cila iu ka uruar të gjithë nxënësve punë të mbarë dhe mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve që ndodheshin në sallë.  Nxënësi Brian Kacupaj ka interpretuar vjershën “Abetare”, Elisa Lumshi “Mbi degën e mollës”, Drilona Mehmeti “Rosat po lahen”.  Rafael Gjona dhe kori i shkollës kënduan “Ja na erdhi Viti i Ri”.  Aaron Kovaci recitoi “Gjuha jonë”, Adison Cinari “Sa të dua o Shqipëri”, Ina Cinari “Një zog të vogël”, Gabriela Përmeti dhe Edije Greva “Manushaqe”, Liza Jashari “Kosova” dhe Sarah Bandilli “Kukulla ime”.

Pas recitimeve salla është mbushur me tingujt e violinës të interpretuara nga binjaket e bukura Ina dhe Dea Stefanllari si dhe nga tingujt e pianos interpretuar nga Brian Kacupaj.  Një tjetër atmosferë plot me emocion ka sjellë “Kënga e nënës” interpretuar mjeshtërisht nga sopranoja e shquar Lindita Mezini Lole shoqëruar nga e talentuara Kristina Melo.  Kënga e nënës ka sjellë lot në syte blu të Linditës duke kujtuar ndërkohë që këndonte nënën e saj.  Kenga eshte shoqeruar me duartrokitje nga te gjithe te pranishmit.

Hymni i shkollës “Gjuha Shqipe” kënduar nga Kristina Melo dhe kori sjellë gjithmonë gëzim, dashuri, mendim të thellë për të mësuar gjuhën Shqipe, emocion tek dëgjuesit e shumtë, ngase ata vetë e thonë me gojën e tyre si: Mezi presim shkollën shqipe/ që të flasim dhe të mësojmë/ Me shkronjat e alfabetit/ si Ëngjëjt Kombin e mbrojmë/…  Pas hymnit janë recituar vjershat: Rafael Gjona “Ku kemi lerë”, Oresti Salillari

“Përse qan arushi”, Kevin Cobo “I dashur Atdhe” dhe Elda Nesimi

“Sa të dua o Shqipëri”.

Marvi Kostrista ka interpretuar bukur në piano “Jingle Bells”, ndërsa Fitim Sahini ka interpretuar Mora mandolinën dhe Shota, të cilët u mirëpritën me duartrokitje të fuqishme.

Kënga “Nata e shenjtë” ka sjellë një tjetër mjedis magjik interpretuar nga Lindita Mezini Lole.  Vëllezërit Arion, Arbi, Arti dhe Arlin Ulaj të cilët vijnë që nga Nju Xhersi të befasojnë me mësimin e gjuhës shqipe dhe interpretimin në violinë.  Ata recituan poezitë: Duart tona, “A B C”, Liqeni dhe interpretuan të katërt mjeshtërisht në violinë.

Brian Kacupaj luajti këndshëm në violinë “Perpetual Motion” dhe u shoqërua me kërcim nga Amber Nepravishta.  Programi vazhdoi me recitimet nga Marvi Kostrista “Liria”, “Një gëzim kam nga brenda”, Dea Zenelaj “Si zog dua të jem”, Fitim Saipi “Atdheu”.          Programi u mbyll me këngën e mirënjohur tradicionale për Krishtlindjet

“Bell rings”, përkthyer në shqip nga Lole “Zilet tringëllojnë” intepretuar nga Lindita Mezini Lole dhe kori i shkollës ishte tejet mbresëlënëse, veçanërisht kur nxënësit me byzylykët e tyre tringëllinin zilkat e vogla rreth dorës. Programi është mbyllur me plot sukses.

Pas programit themeluesi dhe drejtori i shkollës Shqipe z.Qemal Zylo ka falënderuar të gjithë nxënësit për realizimin e programit me kaq sukses dhe njëkohësisht iu ka dhuruar buqeta me lule të freskëta mësueseve që punojnë me kaq përkushtim si: Altiona Stefanllarit, Afërdita Kaçupaj, Ornela Melos dhe Valbona Kostristës si dhe artistëve të mirënjohur dhe plot profesionalizëm Lindita Mezini Lole dhe prof.Petrika Melos.  Z.Zylo ka falënderuar të gjithë të pranishmit, prindërit që sjellin fëmijët dhe i janë bashkangjitur programit për mësimin e Gjuhës Shqipe duke i thënë stop asimilimit të fëmijëve në Diasporë.  Njëkohësisht ka falënderuar konsullin e Kosovës z.Korab Mushkolaj, z.Ismet Kurti kryetar i shoqatës së mirënjohur “Ana e Malit”, z.Marko Kepi president i organizatës “Rrënjët”, aktivistët z.Ardian Tahiri, z.Uke Gjonbalaj, Artion Myrtaj, Theodhora Rexhepi si dhe Zef dhe Maria Dusi të cilët kishin ardhur nga larg dhe na nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë ditë krejtësisht të veçantë për nga rëndësia që i jepet mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë.

Z.Qemal Zylo ka ftuar në skenë Konsullin e Kosovës z.Korab Mushkolaj i cili kishte ardhur së bashku me bashkëshorten e tij.

Z.Korab Mushkolaj ka përshëndetur themeluesit, mësuesit, prindërit, artistët dhe nxënësit të cilët dhanë një program të shkëlqyer artistik në shqip.  Në emër të Republikës së Kosovës dhe të Konsullatës në New York z. Mushkolaj ka falënderuar themeluesit për hapjen e dy shkollave shqipe në Staten Island dhe Brooklyn, si dhe për misionin kaq fisnik që ata kryejnë së bashku me mësuesit që ushtrojnë këtë detyrë nga më të bukurat.  Fjala e tij tejet mbresëlënëse u mirëprit me duartrokitje nga salla dhe nxënësit.

Qeveria dhe Konsullata e Kosovës gjithmonë na ka mbështetur në programin e Gjuhës Shqipe dhe për këtë shprehim mirënjohjen tonë pakufishme.  Pas përfundimit të aktivitetit nxënësit, të pranishmit dhe të ftuarit shkrepnin me aparatet e tyre për të pasur foto kujtimi.  Një foto e përbashkët u fiksua nga TV “Alba Life” për të mbetur në fondin e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe atdhetare si dhe të Shkollës.  Ishte një e shtunë e bukur ku një pjesë e Nju Jorkut foli shqip, ngase pranë tyre jane Ëngjëjt mbrojtës të Gjuhës Shqipe.

14 dhjetor, 2013

Brooklyn, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kozeta Qemal Zylo, Shkolla shqipe

DSHM-ja kërkon fronin e “car Nikollës” në Shkup

December 15, 2013 by dgreca

Njëri nga themeluesit e Diasporës Shqiptare për Maqedoni (DSHM), Musa Lamallari, i njohur me emrin e artit në internet Tim Shkupi, vlerëson se qeveria e Nikolla Gruevskit nuk mund të mbijetojë më shumë se tri ditë pa shqiptarët./

“Tensionet ndëretnike janë rezultat i lojrave politike, i akterëve unitarist që mendojnë se sa më shumë që rrihen fëmijët e pambrojtur shqiptarë, aq më shumë do të rrijnë apo vijnë në pushtet. Në Maqedoni ka një proces politik, ekziston një Marrëveshje e Ohrit që e përfundoi luftën në vitin 2001, por nuk e ndërtoi paqen stabile. Krahas pengesave të mëdha në nivel të institucioneve shtetërore për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, partia opozitare e asaj kohe VMRO e Nikolla Gruevskit, organizoi Referendumin e 7 nëntorit të vitit 2004, përmes të cilit u kërkua shpallja e pavlefshme dhe asgjësimi i Marrëveshjes së Ohrit. Tani kjo parti, përkundër që nuk pati sukses me referendumin e saj në vitin 2004, suksesi i saj për një greminë për të gjithë është porta triumfale e ‘Skopjes 2014’,qe figuron si simbolikë pansllaviste tanimë për pushtetin absolut të ‘car Nikollës’”, ka thënë Lamallari në një intervist për Bota Sot.

Sipas tij, ata që janë përkrahës të DSHM-së janë për një koncept të qartë politik, refuzimin e sistemit unitarist të qeverisë së “Skopjes 2014” në FYROM.

“DSHM-ja ka synim që të shndrrohet si Lëvizje për refuzimin e sistemit unitar të qeverisë së Shkupit, të bëhet një avangardë e Vërtetë e interesit kombëtar në Maqedoni, brenda të unifikojë shqiptarët rreth programit dhe platformës së saj politike dhe jashtë të influencojë në qendrat e vendosjes, siç janë Washingtoni, Londra dhe Brukseli. DSHM-ja kësaj radhe mbi supet e veta ka dy prioritete: e para, organizimin e jashtëm, ku çdo shoqatë, organizatë, klub mund të na bashkangjitet me përfaqësuesit e tyre për të folur për interesat e shqiptarëve me një zë në Washington, Bruksel dhe gjithandej nëpër botë dhe, e dyta, organizimi dhe shtrirja jonë në çdo cep dhe skaj të Maqedonisë, duke ngritur vetëdijen shqiptare, duke sjellur rreth vetes forcën e gjallë kreative të rinisë shqiptare, studentëve, veprimtarët e dallueshëm të të gjitha fushave të ndryshme të jetës shoqërore“, tha ai.

I pyetur nëse DSHM-ja po përgatitet edhe për variantin më të keq, pasi tensionet ndëretnike janë aktuale në Maqedoni, të cilat mund të çojnë në përshkallëzimin e ndonjë konflikti të armatosur si në vitin 2001, Lamallari ka thënë se ajo që anashkalohet dhe nuk thuhet, mbulohet nga qeveria aktuale dhe legjitimohet ngapartitë politike, përfshirë këtu edhe partitë shqiptare, qoftë pozitë ose opozitë, është loja e partneritetit iluzor të elitave të korruptuara, të cilat, pa dallim njëra prej tjetrës, kanë definuar shtetin si shtet unitar dhe ekskluziv të sllavo-maqedonëve, duke e përqendruar pushtetin në duart e përfaqësuesve politikë të kësaj etnie që vazhdon me të njëjtin intensitet, si gjatë periudhës komuniste, postkomuniste të tranzicionit, të pas konfliktit 2001, aplikimin e politikës së etnocidit ndaj shqiptarëve, që lidhet me mungesën e statusit kushtetues të tyre në FYROM, duke e lënë në status të përqindjeve numerike dhe të një nocion të panjohur si kategori kushtetuese “bashkësi etnike”.

`Lufta e pashpallur kundër qenies bioligjike shqiptare ekziston në çdo institucion shtetëror dhe po vazhdon të rritet në formë të sofistikuar, pasi diskriminimi është në përmasa marramendëse në çdo segment të shoqërisë shqiptare kur ballafaqohen qytetarët me institucionet shtetërore në Maqedoni, por ajo që nuk mund të shpjegohet nga DSHM-ja është roli i partive shqiptare në Parlament dhe jashtë saj, lufta e tyre e pakuptimtë brenda llojit, sikurse nuk mund DSHM-ja të caktojë ditën dhe momentin kur qytetari shqiptar do të divorcohet nga partitë ekzistuese dhe do të kërkojë një aletrantivë tjetër për një mobilizim të ri politik, duke filluar prej Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Ohrit, Manastirit, Prilepit dhe Velesit`, ka thënë ai.

DSHM-ja, sipas Lamallarit, nuk është organizatë dhe Lëvizje që kërkon të legjitimohet te shqiptarët e Maqedonisë me një reagim apo thirrje për një rast të caktuar, siç është ky rast me putat e vënduar në Shkup, të kujdoqoftë. Ne besojmë se putat vendosen në mungesë të alternativave të reja politike, mirëqenies sociale, përparimit ekonomik, kështu që pushteti aktual i “car Nikollës” përmes putave shpërqendron vëmendjen e opinionit publik nga problemet aktuale, të cilat i përmenda më lart.

DSHM-ja ka koncept të qartë se çfarë u ofronë qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve si alternativë dhe aktivistët e saj besojnë bindshëm se ky koncept është i realizueshëm në Maqedoni. DSHM-ja kërkon fronin e `car Nikollës`, refuzimin e sistemit unitarist të qeverisë së tij, bashkë me të gjithë argatët e tij që kontribuan, që në dekadën e dytë të shekullit 21 para syve tonë dhe të botës të na kurdisen puta pansllaviste në kuadër të projektit “Skopje 2014”.

“Thjesht, DSHM-ja kërkon fronin e Kryeministrit në FYROM, që të shpërthen procesi i demokratizimit dhe qytetarët të lirohen një herë e përgjithmonë nga diktaturat e qeverive unitariste`, ka thënë ai.

Shërbimi për informim i DSHM-së-www.dshm.org

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fron i car Nikolles, Shkup, Tim Shkupi

SILVA- POETJA E CILA JETON NË NJË ÇATI ME VARGJET

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban CAKOLLI/

 Kohët e fundit  poezia  jonë  kombëtare sikur është bërë vullkan.Ajo po shpërthen nga shpirtërat e poetëve.Po shpërthen,nga se populli ynë kaloi nëpër një situatë dramatike,nëpër të cilën u kalitën poetët.Pikërisht për këtë lindën këta vrunduj poetik,sepse poezia nuk lindë kur të duash dhe si të duash në mendjen  dhe shpirtin e poetit.Poezia fundja lindë nga dhembja,buron nga ndjenja e vetmisë së madhe,lindë për të i rezistuar,për të e sfiduar dhe mposhtur vuajtëjen dhe trishtimin.Arti i fuqishëm lindë në kohët e vështira,në kohët dramatike,kohë të cilat i përjetuam ne,kohë këto kur pushtuesi sllav po ushtronte dhunë të hapur,për të na zhdukur përmes dhunës fizike dhe kulturore.Të gjithë ata që angazhoheshin kombëtarisht,pushtuesi po i vriste,dënonte, po i përndiqte në çdo skaj të botës. Njëra nga ato të përndjekuraishte poetja dhe veprimtarja jonë Silva  Tërrnava.

                                                    SILVA  TËRRNAVA

E detyruar të braktis atdheun,Silva u strehua në Auckland të Zelandës së Re.Ajo  e quajtur botë shkëlqimtare e Zelandës së largët,për  Silvën  ishte e huaja dhe trishtuese.Ajo nga lart atdheut nuhati  fort dashurinë dhe mallin për atdheun,hulumtoj,rrugëtoj,kërkoj formulime të ndryshme,ku përmes vargjeve shprehu gjendjen e vet shpirtërore, nga se në vendin e huaj ku ishte strehuar,vargjet e nxitnin të nxjerr në pah ndjenjat e saj poetike,ku përmes tyre gjë e përkryar ishin  atdheu,gjuha dhe njerëzit e saj.Silva me dhembjen e mallit preku në vargjet e shpiertit,ku përmes vargjesh ushtroi dashurinë për vendlindjen,gjuhën,kombin e atdheun.Poezia e Silva Tërrnavës u bë këmbanë e zgjimit,armë e fortë në duart e lexuesëve,ajo shquhet me një dhunti për kapjen e mendimeve të shpejta,për të shprehur dhe thënë të tjerëve,ate që e ndjenë ndryshe nga ata.Kështu  Silva larg  vendlindjes  lexoj dhe shkrou shumë,leximi dhe shkrimi u bënë pasion i saj,dashuri e shpirtit të saj,mënyrë e të jetuarit të saj,ku përmes vargjeve të çiltërta pastron shpirtin,mes poezive nxjerr mesazhe të fuqishme,zgjon ëndrrat e artdashësve,ndritë mendimet dhe gëdhend  bukur vargjet.Vargjet e Silvës janë vargje të cilat i rezistojnë kohës,vargje ku ka një mjeshtri të magjisë së fjalës,e cila tek lexuesit lëkund shpirtin,ua zgjon ndjenjat,mendimet,qoftë kur shkruan për gëzimet,qoftë për dhembjet.Poezia edhe kur është një dhimbje,bëhet dhimbje e mendjes së ndritur,e cila rrugëton dhe orvatet të i shëroj ato.A mund të thuhet se mund të bëjmë një poezi të mirë pa nxitëje të shpirtit dhe mendjes?Jo,nga se pa këtë nxitje nuk do të mundeshim të e shkruanim poezinë e dhimbjes kolektive,poezinë e motivit patriotik,atij të kurbetit,i cili në të shumtën e rasteve është plagë e cila trajtohet nga të gjithë poetët në mërgim.Silva  Tërrnava ka mjeshtri të  shprehë bukur në art të gjitha këto motive.Laryshia e vargjeve të saja flakëron dhe përcjell porosi,ku mjetet e saj shprehëse janë të pasura,ku figuracionet e saja poetike janë përdorur me shije dhe kulturë gjuhësore.Në poezitë e saja kemi trope të përdorura me mjeshtri,si simboli,metafora,krahasimi,të cilat vargjeve të saja u sigurojnë vlera të njëmendta artistike dhe estetike.

me thonj të gjakosur

u zvarrite deri ne piedestale,

me gjoks të plagosur

të Bijave,

Nenave

Silva Ternava u lind në Fushë Kosovë dhe kreu studimet në Universitetin Pedagogjik të Prishtinës. Është rritur në një familje me taban të fortë patriotik, ku qysh në djep është mëkuar me dashurinë e zjarrtë për Kosovën e pushtuar. Qysh e vogël ishte e dhënë shumë pas tregimeve e këngëve të trimërisë, që duke i dëgjuar të risin sigurinë, krenarinë në vetvete dhe të bëjnë të ndjehesh e fortë dhe e denjë për vendin ku ke lindur. Ashtu e urtë nga natyra, Silva merr lapsin qysh fëmijë dhe nis të shkruajë poezitë e para. Shkruante dhe dërgonte për botim në gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar te “Kosovarja”, “Zëri i Rinisë ” dhe revista të tjera. Letrat dhe shkrimet e saj janë mirëpritur dhe vlerësuar në atë kohë, e shumë prej tyre janë lexuar dhe në emisionet e ndryshme të Radio Prishtinës. Ësht fituese e disa çmimeve dhe pllakave muzikore që jepeshin si stimulim. Në moshën 17 vjeçare shkruan romanin e pabotuar kurrë, sepse dorëshkrimi i këtij libri, së bashku me shumë fletore tjera të mbushura me poezi e tregime, i rrëmbeu flaka e luftës. Tani vjen në rradhët e poetëve, me një debutim dinjitoz. Poezitë e saj pëlqehen nga lexuesi dhe ka vlerësime shumë inkurajuese, sidomos te Zemra Shqiptare. Jeton me familjen e saj si refugjate në New Zeland, me një zjarr dhe mall e dashuri të pashuar për Kosovën ku e ka shpirtin e saj. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe ëndërron kohën kur të kthehet e të punojë e jetojë në Atdhe. Zonja Ternava defolon në faqet e Vargut në përjetësi me poezitë Dëbora e lagjes sime, Fëmijët e lagjes, Anita, Nëna ime, Amaneti i fundit, Vapë në Prishtinë, Udhëtimi në përjetësi (Kushtuar viktimave të Himarës) etj. Kjo biografi e Silveseshte botuar ne Antologjite poetike: ” Keshtjella e Endrr ave” dhe”Vargu ne Perjetesi”  nga poeti ynë i mirënjohur(Eduard M. Dilo)

Silva Tërrnava,është poete e cila u  bë zë i kohës,e cila vargëron me mjeshtri të  rrallë,vargjet e së cilës sigurojnë vlera të njëmendta artistike,përmes të cilave diçka ndizet,flakëron,fisnikron,dhe si e tillë është shumë e mirëpritur  tek lexuesit.Silva Tërrnavën e kam njohur në Koblenz të Gjermanisë,ditë më parë  në themelimin  e Kuvendit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë(LKSHM);ku mendoj se arti ishte privilegji më i madh që na njeh me krijues,si është krijuesja jonë e mirëfilltë Silva Tërrnava.

Për lexuesit shkëputëm një cikël të zgjedhur poetik nga Silva Tërrnava.

 

Mos harro Kosovë!

 

Mos harro Kosovë!

Identitetin ta mohuan,

përtokë te shkelen

për Pazar,

të shkarraviten neper truall

të shqyen copë e grimë,

kartën, emrin, mbiemrin,

po dhe fotografitë,

të zhveshën

në të reshur të hodhën…

Lumi i mori,

i derdhi përtej oqeaneve

e ty të pajisën në karton të verdhë,

holokaust

në shekullin njëzet e një,

pa shkronjë,

pa ditëlindje,

pa orë,

vetëm me

TRE NUMRA …

 

Djemve,

për vetveten,

Idealin,

Kombin…

 

TE LUTEM MOS HARRO KOSOVE!

 

SI TË, TË QUAJ

 

Të kërkova …

ndoqa rrugën

te thurur ashtu siç mendova

nëpër gjemba

pikova gjak

por rrugën nuk lëshova dot

plaga ime

krenaria ime

të mbajta me vite në kraharor

s’u dorëzova

tu përula

në ditën e lindjes

ne ditën e vdekjes

po pres

të, të takoj

apo vallë

do të… —

 

NENA IME

 

Dua te fluturoj

Dua të shkoi

Atë shikim hyjnor prapë ta takoj

E di se diku është duke me pritur

Ashtu e dashur dhe e brishur

Atë shikim qe pash për herë te pare n’ketë jetë

Ti them se sa shumë e dua me fjale ketë here

Dhe shume te tjera qe si ka dëgjuar…

Dua ti them ati shikimi te mëshiruar

 

Ti je hyjneshë e mirësisë, qe solle paqen dhe dëlirësin

Ti mbushe zemrat me ngrohtësi,

Ti je frymëzime për rini

Edhe atëherë kur unë  lozja e lazdruar

Buzëqeshja kurrë nuk te ka munguar

Ti je mjeshtër I rehatisë

Ti je buzëqeshje ne buzën me vaje

Ti je ilaçi I zemrës se vrarë

Ti je dielli ne dite me shi

Je dhe yll për udhëtarin ne vetmi

Ti je brumi I besueshmërisë

Ti je thesar mrekullisë

___________________

EMRI I LASHTË

 

Kur t’prek n’ mendime

t’ kthej në vargje

kur të dua në ëndërr

mbyll sytë

bëhesh sekret i bardhë

nën retë e kthjellëta

 

Për një çast luaj

me kaçurrelen tuaj

duke qëndisur goblenin e të kaluarës

më vijnë prajshëm pasion valësh

derisa ledhatueshëm dorëzohesh…

si ortak epshi rrëshqet

shtati i skulpturës tuaj…

 

Emri im është

nga fiset e lashta…

që për dashuri

jep jetën

per puthje vdes.

 

Më kot

 

Më kot të gjitha

këngët dhe letrat,

taket të lumtura

në rimë…

Çdo petal

lule pranvere

drithërim në zemra,

qirinj djegur

më kot.

 

Të gjitha

pakot me ëndrra,

balona

me mijëra ngjyra

të bukura mbyll

në çantë versace

Mesazhet që sjellin avionët

në miliona

më kot…!

 

Për vetëm një emocion

të gjitha at pikëpyetëshmëri…?!

Ashtu si të gjithë ato ngjyra

vetëm një …kujdes instinkti !

 

Dëgjoni

sytë,

ritmi i zërit

në netët më të errëta

janë port strehimi,

dorë për të fjetur,

një krah për të qarë

 

zgjoni të gjitha

nëse nuk frikësoheni ..!

 

Nganjëherë

kur bien në gjumë

dhe të ligët

vërtiten s’trehen gjallë

 

në vend

puthje në qafë,

nxjerr sytë,

ndërsa tjerët vjedhin….?!

 

Jo nuk mund të di

nëpër dhomë të errët

vështrim i tij apo butësisht (përjetësisht ) larë …!

 

Ty te desha

 

Ty te desha,

shikimin tendë

nën qerpikët tuaj,

lëkurën e zhveshur.

 

Ty te desha…!

Erën tënde në flatrat e mia,

buzën e nxehtë e të butë

prekjen tuaj,

gishtat në flokë

dhe kudo …

 

Ty te desha,

jo lirinë tënde,

se edhe liria ime është

e dashur dhe e vlefshme …!

 

nuk di pse u frikësove ?

ndoshta nga vetvetja

dhe ndjenja mes nesh

si vetëtimë u trondite…!

 

Ty të desha

me shpirt,

në kohën qe kalon

qe tani pak do të thotë …!

 

 

ESHKE KOHE

 

Përcëllimë shkëndije

në eshkën e kohës

aq e shkurtër…

jetonte në buzët tua

momentin hyjnor

në realen e jorealen

çasti

kur horizonti hapur

në penxheren e rrëgjuar

zemërthyer …!

Unë shita shikim ëndërror,

tingujt e pafund,

agimit të thyer,

një kumon në

fund të fshatit

në drojën

e vellos së natës

si një LUNE

që fryn mbi oqean

ditar me faqe

ende të pahapura

në mister të pikëpyetshëm,

sikur ne të dy

të mundur

në këtë luftë të vogël

të dashurisë

midis dy dhembjeve…!

 

 

Brilantit

 

Sonte mora ngjyrat e ylberit

Ne tavolinë I bashkova

Një ëmbëlsire me rreze Dielli

Për ditëlindje gatova

Mora gjuhen e botes

Dhe thura vargje lumturie

I gatova me dashurin

E zemrës

Për ketë dite shenjtërie

Mi Gëzofsh te njëzetat djali Nënës

 

SHPRESA…

 

Shpresa është gjelbërim në plafin e verdhë

është ylber me njëmijë ngjyra pas shiut…

 

Shpresa është zë  bilbili qe lajmëron pranveren,

është krah’ dallëndyshje qe shtegton per re t’bardha

 

Shpresa është drit ne shpellen e errtë

është koral ne kthjellesin e oqeanit t’pafundë

 

Shpresa është shikimi i te verbuarit

është yll qe ndriçon qiellin e murrmë

 

Shpresa është e drejta e gabimit t’korrigjuar,

është e përgjithshmja e së thjeshtës

 

Shpresa është buzëqeshja e vajit

është fitorja e humbjes se papritur

 

Shpresa është ushqim i t’uriturit

është mirësi ndaj pamshirësisë

 

Shpresa është fund i ditës së pashprese ..

është parajsa e ferrit qe ngushëllon

 

Shpresa është trimëri e frikacakut

është ngrohtësi e polit të ngrirë

 

Shpresa është  jeta e t’vdekurit

është vullneti i ndrydhur për t’re

 

Shpresa është ëndërr lakuriqe,

është frymëmarrja vetë

Shpresa është ëndrra e njerëzimit…

 

Gjuha

 

 

… do të bisedojmë vetëm me poezi

 

Pse jo pra ti m’ thuaj

Kur këtë gjuhë t’ëmbël e kam trashëguar

Di të flas, shkruaj e këndoj

Bisedën stilizoj

Me dëshirë e pasion flas me Fishtën

Është e ëmbël sa shumë e dua

Sa gjuhë tjera i mësova

n’asnjë tjetër prehje nuk ndjeja

 

E tillë do ngel përjetë

Të gëzoj çastin e ndjerë

Të thurë vargje e këngë në sirtarë

Në çdo shfletim jam shqiptarë

 

VAPE NE PRISHTINE

 

Me djeg

Me than

Me qan

Me dhemb

Me burrëron

Nuk largohem

Pjese e juaj jam

Përcëllim

Nen lëkure

Nen fik

Nen ure

Vapullim

dhe ne breg.

Jam këtu

Damarë ne deje

Djerse ne ballë

Hije nen sy

Buzëqeshje

Tash te kam TY

…Prishtine !

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne nej cati me vargjet, poetja, Shaban Cakolli, Silva Ternava

CAR DUSHANI VJEN NË SHKUP SI PAJË KALITROJE E PANSLLAVIZMIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan:Ramiz LUSHAJ/

Kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanovski, gjatë putranimit politik në Tiranë doli në të ftohtin e dhjetorit nga selia e Kuvendit të Shqipërisë dhe deklaroi ballë mediave (ndër)kombëtare: “Kemi për detyrë që shteti maqedonas të japë kontribut sa më të madh për marrëdhëniet ndëretnike të cilat nuk duhet të vlerësohen nga një hap apo nga vendosja e një përmendoreje”.

Kësisoj, ky i derguar jo rastësisht, e pranoi “de fakto” në sy botës se djallpolitika maqedonase e kishte pru shpejtas, zyrtarisht e hjeksisht në Shkup në mesnatën e fill dhjetorit të sivjetëm monumentin e Car Dushanit të Serbisë të shek. XIV.

Pas kësaj, politika zyrtare maqedonase nuk duhet të vazhdoj të luaj në guzhina e ballkone të institucioneve shtetërore me kartën Car Dushani si tek ajo loja fëminore: mbylli sytë, prit të gjuej shplakë, ndal ta fshehi dorën, tashti gjeje se kush të goditi ty nga njerëzit përreth teje(!)

Djallzore duket ministre e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, teksa hiqet si shenjtore, si krejt e pastër, si e pa përbaltun. Pse e themi këtë? Kjo  zyrtare e lartë ishte dhe përshendeti në emër të partisë në pushtet VMRO-DPMNE në Kongresin e V të Partisë Serbe në Maqedoni (9 nëntor 2013), kur kryetari i kësaj partie serbe, Ivan Stoilkoviç, paralajmëroi ngritjen së shpejti në Shkup të Monumentit të Car Dushanit, stërgjyshi i tij etno-politik. Pra, kjo ministre ishte në dijeni paraprake të stuhisë politike shovene të ngritjes së monumentit. Për ma tepër: Kryeshefja e policisë maqedonase luan kukamsheftas rolin e të paditunes keqanike, ndërkohë që e ka rrethatue Car Dushanin me roje me e pa armë tue e ruejt ditëenatë këtë monument “klandestin”. Në kësi rasti dredhanik m’u kujtua një vjershë humoristike për fëmijë: një gic i përbaltun donte të fitojnë konkursin “Mis Pastërtia”.

Disi sherrajkë e jo pak prapshtajkë del në (prapa)skenë ministre e Kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kamçevska Milevska, e cila nxjerr gjuhën e fjalëve të bardha dhe fsheh dhëmbët e zi të kërcenimit prosllav me monumentin e Car Dushanit. Pra, na hiqet si “ëngjëllore”, ndërsa strucon sikur institucioni i saj që merret drejtpërdrejt me të këtilla punë:  “nuk është as porositës, as vendosës, dhe as nuk ka ingerenca për ndërtimin e përmendoreve” (4.12.2013). Si mund të shfajësohet kjo ministre kur monumenti i Car Dushanit është lartangrit në një vend të përzgjedhur si për figura mesjetare, bash aty tek Muzeu Arkeologjik i Shkupit.

Një rebus politik, një farë mbrapshtie tipike sllave-maqedonase, më duket sikur po shkrryen, kalkulon e kapton kryetari i ri i komunës Qendër (Shkup), Andrej Zhernovski, i cili “nuk e ditka” se kush e ngriti monumentin e Car Dushanit në territorin administrativ komunar të tij, e cilëson atë si “ndërtim pa leje” dhe po e degdis këtë çështje të nxehtë për ta ftohë e zvarrit në kalandat greke duke sipërmarrë formimin e aktivizimin e një komisioni hetimor për të zbardhë të vërteten (të vërtetat), që i vetëdijnë qyshse në nisje zanafillore. Kryekomunari Zhernovski i opozitës maqedonase, e pati ngrit edhe sivjet në gusht 2013 një komision hetimor të dështuar, të nënshtruar e të mohuar për statujat e vendosura në vargimin “Ura e Civilizimeve”, sipas “Projektit Shkupi 2014”. A thue të njëjtin fat do të ketë edhe ky komisioni hetimor i dhjetorit 2013 për monumentin e Car Dushanit, etj.?!

Këta tre zyrtarë të pozitës e opozitës maqedonase nuk ditkan kurrgja për monumentin e Car Dushanit: as ministre e Punëve të Brendshme, as ministre e Kulturës, as kryekomunari i Qëndres në Shkup (!) Atëherë, patjetër, duhet të dijnë ma shumë, ma fort, tërësisht, “tre të mëdhenjtë” e FYROM-it: kryeministri Nikola Gruevski, presidenti Gj. I. dhe kryeparlamentari T. V.  Të tre këta janë në kryevende të larta shtetërore si kandidatura përfaqësuese të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, kryetari i të cilës është “cari i vogël”, Gruevski kundërshqiptar.

E keni parë kryeministrin maqedonas Gruevski teksa i haparav krahët drejt shqiptarëve në pozitë e opozitë për t’i lakafyt me shovizmin e vet të egër, të fshehtë, të sprovuar dhe, njëherash, iu fut stërkambsha për me i keqalanë shqiptarët autoktonë deri në cofani politike e etnike, pa kokë e pa tokë, siç po vepron edhe tashti me ngritjen e monumentit të Car Dushanit në qendër të Shkupit dardan, kryeqyteti i sotëm i Maqedonisë ballkanike.

Një diçka a e mirëdijnë këto tri kryekoka të nxehta të shovinizmit sllavo-maqedonas (Gruevski me dy të tjerët) se monumenti i Car Dushanit në Shkup është si tërmeti gjeo-politik i  pesëdhjetë viteve ma parë, tërmeti shkatërrimtar i 26 korrikut 1963, kur u shpërngulën forcërisht e pabesisht shumica shqiptare nga ky kryeqytet i Jugosllavisë së Dytë(RSFJ).  Dridhjet e tërmetit të ri politik shoven po ndihen përgjatë këtij dimri, valët goditëse të të cilit do të bien tmerrësisht mbi shqiptarët jo vetëm në Shkup.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar,

Krejt msheftas Vardarit e Atlantikut, në mes të ftohtit ballkanik, nga terrovina mesjetare e Nemanjiqëve të Serbisë, somnabulon e mafiozon monumenti i Car Dushanit, në Shkupin dardan, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë, bash tek dritarja e hapur e kryeministrit shoven Gruevski.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Car Dushani ne Shkup, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5010
  • 5011
  • 5012
  • 5013
  • 5014
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT