• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË DHE MIRËNJOHJA E NJË SHQIPTARO-AMERIKANI NDAJ KËTIJ VENDI

November 27, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Dita e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festohet çdo vit, të Ënjtën e katërt të muajit Nëntor.  Këjo festë e ka origjinën në vitin 1621 dhe simbolizon ardhjen e pelegrinëve të parë nga Europa në Masaçusets, me qëllim për  të praktikuar fenë e tyre pa ndërhyrje nga askush.  Pas një dimëri të fortë, gjatë të cilit thuhet se gjysma e tyre gjetën vdekjen nga dimëri i ftohtë dhe nga mungesa e ushqimeve, ata   kërkuan ndihmën e indianëve vendas, të cilët i mësuan ata se si të mbjellnin dhe të grumbullonin të korrat.  Një vit  më vonë, pothuaj 400-vjetë më parë, kur ata korrën të lashtat e tyre të bollëkshme, pelegrinët vendosën të festojnë grumbullimin e të korrave duke falënderuar Perendinë për dhuratat.  Këjo traditë ka vazhduar në Shtetet e Bashkuara me shekuj dhe tani, ajo që quhet Dita e Falënderimeve, gjatë së cilës amerikanët e herëshëm dhe të ardhur më vonë, festojnë jo vetëm mirëqenjen materiale dhe begatinë që ky vend mundëson për ata që punojnë rëndë, por për më tepër është këjo një ditë e cila simbolizon gjithashtu sakrificat e mëdha që pësuan pelegrinët si dhe përpjekjet e tyre, që me çdo kusht, të jetonin në liri.

Është bërë traditë që çdo vit, që në këtë ditë, presidenti i Shteteve të Bashkuara lëshon një deklaratë.  Edhe sivjet, Presidenti i tanishëm, Barak Obama, tha në deklaratën e tij me këtë rast se, “Dita e Falenderimeve na jep rastin që të tregohemi mirënjohës për bekimet që kemi marrë si dhe për lirinë që gëzojmë”, duke shtuar se ”këjo traditë na kujton secilit prej nesh, pa marrë parasyshë prejardhjen tonë, fenë ose kush jemi, ose nga vimë — në thelb — ne jemi pikëspari dhe mbi të gjitha, Amerikanë.”

Edhe unë si njëri nga këta amerikanë i ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshë të re, 43 vjetë më parë me frymëzimin e vetëm për të jetuar në liri dhe në dinjitet, si shumë shqiptaro-amerikanë dhe miliona të tjerë nga e mbarë bota, në këtë ditë të Falënderimeve, ofroj mirënjohjen këtij vendi dhe falënderimet e mia ndaj Perëndisë për strehimin dhe për lirinë që unë dhe secili prej nesh gëzojmë në këtë vend.

Ashtu si edhe pelegrinët e pare, pothuaj 400-vjetë më parë në Masaçustes, edhe unë me të arritur në Shtetet e Bashkuara para më shumë se katër dekadash dhe me shijimin e parë të jetuarit në liri, gjithmonë kam qenë dhe vazhdojë të jemë mirënjohës për ato që më ka ofruar ky vend, mbi të gjitha lirinë dhe trajtimin e barabartë para ligjit, si dhe mundësitë për të zhvilluar talentin, pa marrë parasyshë prejardhjen ose fenë. Jo se rrugët e këtij vendi janë të shtruara me flori, përkundrazi, kërkohet mund e djersë për të përparuar, por ajo që e dallon këtë vend, është fakti se mundësitë dhe liria janë të barabarta për të gjithë, pa marrë parasyshë se nga cili kënd i botës vjen.  Me atë arritur në këtë vend më 1970, unë e ndjeja veten si pelegrinët e parë, i frymëzuar për të falenderuar Perendinë dhe për të festuar mundësitë që më dha ky vend, si shumë bashkatdhetarve tonë shqiptaro-amerikanë.  Fatbardhësisht, si shënjë e pare e kësaj lirie, unë kisha mundësinë që këto ndjenja t’i shprehja me shkrim duke mbrojtur liritë dhe vlerat si dhe mundësitë që ofronte ky vend për imigrantët e ri, siç isha unë në atë kohë.   Ndjenjat e mia të falenderimit dhe mirënjohjes ndaj këtij vendi janë njësoj sot si në fillim të viteve 1970-ave.  Në një prej artikujve të parë modest që kisha shkruar për gazetën e kolegjit si student i viteve të para, në një kryeartikull në anglisht (bashkangjitë këtij shkrimi), se “unë erdha në këtë vend me qëllimin për të bërë një jetë më të mirë në botën e re, në një vend ku mbizotëron liria dhe e drejta e barabartë për të gjithë.”  Vetëm më pak se tre vjet në këtë vend, kisha shkruar se  “Unë nuk jam i zhgënjyer” me Amerikën, duke shtuar se, “nuk po nguli këmbë se ky vend është një shoqëri e përsosur, për arsyen se nuk besoj në një shoqëri të përsosur”, andaj edhe Amerika ka të meta.   Ashtu si edhe pelegrinët e parë, në shkrimin e vitit 1973, për gazetën e kolegjit Lehman, isha shprehur se me ardhjen në Amerikë, “e ndjeja veten dhe kisha besimin e patundur se në këtë botë të re, bekimet e lirisë do të viheshin në pah, do të konkretizoheshin dhe do të provoheshin.  Me të zbritur në këtë kontinent, zemëra ime u mbush me ndjenja pavarësie personale….”

Megjithëse kur i kisha shkruar këto rreshta  isha në një moshë tepër të re, e vërteta është se edhe sot pas 43 vitesh në këtë vend, ndjenjat e mia të mirënjohjes dhe të falenderimit për lirinë që gëzojmë dhe për mundësitë që Amerika më ka dhënë mua dhe familjes time — nuk kanë ndryshuar aspak.  Në të vërtetë do e shkruaja edhe sot të njëjtin artikull, ndoshta vetëm me ndonjë ndryshim të vogël drejtëshkrimor, aty këtu, duke përfunduar tani – në Ditën e Falendërimeve 2013 — si dhe atëherë se, “Jam krenar dhe  e ndjejë veten të privilegjuar që jetoj në këtë vend.  Sa fat dhe kënaqësi është që të jetosh në liri”.   Për këtë falënderoj, mbi të gjitha, Perëndinë.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Diat e falenderimeve ne Amerike, Frank shkreli, Mirenjohja shqiptare

PERKUJTOHET FESTA E PAVARESISE SE SHQIPERISE NE MANHATTAN DHE BRONX, NY

November 27, 2013 by dgreca

*Manhattani dhe Bronxi nderojnë figura të kombit dhe të komunitetit shqiptar/

*Një ceremoni në New York me Presidenti i Manhattan-it, Scott Stringer dhe Presidentit të Bronx-it Ruben Diaz Jr me rastin e 28 Nëntorit/

Nga Beqir SINA/

25 nëntor 2013 , New York , NY – Presidenti i Bashkisë (Borough) Manhattan në New York, Scott M. Stringer, Presidenti i Bronxit Ruben Diaz , Jr dhe anëtari i Assemblesë së shtetit të New Yorkut Mark Gjonaj dhe ish Assembleisti Stephen Kaufman së bashku me Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane dhe të Bijve dhe Bijave të Shqipëria në Amerikë, “Sons and Daughters of Albania in America” dje mbasdreke u bashkuan në zyrën e zotit Stringer, për të nderuar katër personalite të shquara në kujtim për kontributin e tyre në rrugën e Pavarësisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, thuhet në një dekleratë për shtyp nxjerr nga zyra e presidentit të bashkisë së Manhattanit .

Me rastin e 101 Vjetorit të Ditës së Flamurit – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkia e Manhattanit dhe Bronxit në New York, nderuan figurat: Bajram Curri, aktivist dhe hero ushtarak i cili dha jetën e tij për të mbrojtur shtetin shqiptar, Hasan Prishtina, ish- kryeministër i Shqipërisë, Zahir Pajaziti , bashkë- themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës.

Presidenti Stringer duke nderuar secilin prej këtyre udhëheqësve ka lëshuar një dekret të veçantë në emër të tyre dhe ka shpallur 28 Nëntorin 2013 si : “Ditë të Kremtimit në Bashkinë e Manhattanit të 101 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

“Guximi dhe kurajo i këtyre katë figurave tregoi se si luftohet përballë shtypjes dhe fatkeqësisë, vepra e tyre nuk ishte vetëm frymëzuese , por me rëndësi jetike, duke bërë të mundur që Shqipëria sot mbas 101 vjetëve të bëhet partner i besuar dhe i vërtetë i komunitetit ndërkombëtar, si është ajo sot , anëtare e NATO-s”, tha Presidenti i Bashkisë (Borough) Manhattan në New York, Scott M. Stringer duke shtuar se “Unë jam krenar që metropoli i ynë qyteti i New Yorkut mund të mburret me komunitetin shqiptarë në Shtetet e Bashkuara . Lagjet tona janë pasuruar me këtë diversitet të madh , dhe pasurin e komuniteteve të kontributeve ekonomike , kulturore dhe qytetare”.

Presidenti i Bashkisë së Bronx-it, Ruben Diaz Jr, nderoi me këtë rast me çertifikatë nderi, disa figura të komunitetit, si :  Ambasadorin Bekim Sjediu, professor Paulo Palombo, Avokatin Stiv Kaufman dhe Presidentin e Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane, zotin Easd Rizai.

Anëtari i Assemblesë së Shtetit të New Yorkut, zoti Mark Gjonaj, tha se: “Është një privilegj, për mua si një shqiptaro-amerikan të jem në këtë vend për të festuar historinë dhe kulturën tonë, duke dashur edhe shtëpinë tonë të re në Amerikë. I inkurajoj shqiptarët që të vazhdojnë të jenë anëtarë produktivë të shoqërisë duke vazhduar për ta bërë botën një vend më të mirë më tolerante “.

“Me këtë rast e rëndësishëme, është se në përvjetori i 101 të, i Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, është për ne se edhe një herë ne jemi duke nderuar komunitetin tone, në zyrën e Presidentit të Bashkisë së Manhattanit – New York, zoti Scott Stringer”, tha Esad Rizai, President dhe themelues i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane. “Scott M. Stringer, tha ai ka treguar vazhdimisht përkushtimin e tij për shqiptarët në Amerikë, Shqipëri dhe në botë. Ne e dimë që ai me krenari qëndron pranë nesh të kremtojë këtë ditë të madhe së bashku me komunitetin shqiptar. Në ndërkohë që ne shqiptarët në frymën e Besës dhe asaj që bënë për këtë ditë etërit tanë , ne shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë dhe të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ceremoninë e përshëndeti dhe moderatori i kësaj veprimtarie dhe ish-Asambleisti Stephen Kaufman dhe Profesor Paulo Palumbo, miq të njohur këta të komunitetit shqiptar në Bronx dhe njohës të mirë të historisë së shqiptarëve dhe viryteve të tyre.

“Shqiptarët në qytetin e Bronxit, janë krenaria e këtij qyteti dhe se pa shqiptarët Bronxi, nuk do të ishte kaq i lulëzuar sa është sot”, tha Prof. Palombo.

Duke përshëndetur në emër të qeverisë së Kosovës, Konsulli i Përgjithëshëm i saj në New York, Ambasdori Bekim Sejdiu, i cili u nderua edhe me një Proklamatë me rastin e 101 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, tha: “…Falenderoj Bashkinë e Manhattanit dhe Presidentin e saj zotin Scott Stringer.Duke nderuar figura të ndritura të kombit tonë, nga ky metropol gjigand Manhattanit i cili po nderon Shqiperinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë….Në menyrë të veçantë, ky është një nderim që u bëhet shqiptaro-amerikanëve, të cilët janë krenarë me identitetin dhe kulturën e tyre entike shqipëtare, por janë po ashtu shumë krenarë që i takojnë kombit te madh amerikan, i cili e ka dëshmuar madhështinë e tij në mbështetjen e madhe që i ka dhënë përpjekjeve të Kosovës për liri dhe pavarësi….”

Në fjalën e tij Ambasadori Ferit Hoxha , Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara solli një përshëndetje në emër të qeverisë shqiptare dhe të Misionit shqiptarë në New York: “Më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë ju presidenti Stringer për organizimin e kësaj ngjarje të mrekullueshme. Faleminderit që keni qenë gjithmonë i pranishëm për ne , për vendosjen e ngjyrave tona në këtë qytet të madh dhe për të na nderuar në atë që është më e dashur për ne: Pavarësinë tonë, historinë tonë dhe kulturën tone”.

“Shqipëria, ka shumë miq në këtë qytet”, tha ambasadori Hoxha, “por ju jeni një shumë i veçantë e shumë i dashur. Ju përgëzojmë për suksesin tuaj të fundit në zgjedhje dhe ju urojmë gjithë të mirat në detyrën tuaj të re si Revizor i Qytetit të New York-ut. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj ngrohtësisht Esad Rizain dhe shoqatën e tij që kurrë nuk e ka ndalur duke përdorur çdo rast që të ketë Shqipërinë, Kosovën dhe çdo gjë lidhur me shqiptarët këtu në New York”.( BEQIR SINA, Manhattan NYC)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Diat e pavaresise se Shqiperise, ne New York

Rrëfimi për shqiptarët shpëtimtarë të hebrenjve i tregohet botës

November 27, 2013 by dgreca

“Shqipëria ishte një prej shteteve të vetme në Evropë që kishte më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim të saj”, ka thënë Michael Berenbaum, ish-drejtor i projektit të Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një pasqyrë e plotë e shpëtimit doli në pah vetëm në fillim të viteve nëntëdhjetë pas rënies së qeverisë represive dhe shtypëse komuniste.

Nga Joseph Berger/

New York, 19 nëntor (NYT) – Kishte një numër goxha të madh shtetesh evropiane, ku  makineria vrasëse naziste, bëri kërdi, por pak prej tyre duken më të shquara dhe më pak të zbardhura sesa Shqipëria. Me shqiptarët e thjeshtë që bartnin hebrenj prej një vendi sekret në një tjetër që t’i shmangnin prej rrëmbimit, Shqipëria shpëtoi të 200 hebrenjtë e vet dhe 400 refugjatë hebrenj prej Gjermanisë dhe Austrisë. Vendi gjithashtu kishte ndihmuar edhe qindra të tjerë të iknin prej tokave ballkanike të pushtuara prej nazistëve.

Shpirtmadhësia shqiptare

“Shqipëria ishte një prej shteteve të vetme në Evropë që kishte më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim të saj”, ka thënë Michael Berenbaum, ish-drejtor i projektit të Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një pasqyrë e plotë e shpëtimit doli në pah vetëm në fillim të viteve nëntëdhjetë pas rënies së qeverisë represive dhe shtypëse komuniste, dhe ishte konfirmuar prej “Yad Vashemit”, institutit për kërkime të Holokaustit në vitin 2007. Do të rrëfehet edhe njëherë kjo më tetë dhjetor në Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në New York, ku folësit do të jenë pasardhës të shpëtimtarëve shqiptarë dhe të hebrenjve të shpëtuar.

Shqipëria ka arsye praktike që ky rrëfim të rrëfehet. Shteti po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por mundësitë e saj janë zbehur për shkak të korrupsionit të rrënjosur. Në kohën kur Shqipëria është zotuar ta pastrojë qeverinë e saj, rrëfimi i shpëtimit të hebrenjve jo vetëm që vë në pah një episod të shpirtmadhësisë shqiptare, por gjithashtu tregon se shqiptarët mbajnë fjalën e dhënë.

Rrëfimi i shpëtimit, ka thënë Ferit Hoxha, ambasador i Shqipërisë në Kombe të Bashkuara, tregon se “megjithëse ishim të mbyllur nën një prej regjimeve më të ashpra komuniste, këta njerëz të këtij populli janë fisnikë dhe të zotë të tregojnë kurajë sikur gjithë të tjerët në Evropë”.

E veçanta e Shqipërisë

Në shumicën e Evropës zgjidhja finale ishte jashtëzakonisht efikase: ishin vrarë 90 për qind e 3,3 milionë hebrenjve të Polonisë, 88 për qind e 240 mijë hebrenjve të Gjermanisë, 77 për qind e 70 mijë hebrenjve të Greqisë, me shifra të ngjashme edhe në vendet e tjera.

Ndryshimi përjashtues në Shqipëri, kanë thënë ekspertët që e njohin çështjen, ishte i rrënjosur në bindjen kombëtare të quajtur “besa”, që e obligon shqiptarin t’i bëjë konak dhe përcjellje të sigurt kujtdo që kërkon mbrojtje, në mënyrë të veçantë nëse ishte dhënë besa për një gjë të tillë. Shkelja e besës do të ishte humbje e fytyrës së shqiptarit.

“Besa kërkon mbrojtjen e pakusht të mysafirit, madje edhe nëse vjen puna te dhënia e jetës së vetë të të besatuarit”, shkruante Shirley Cloyes DioGuardi, organizatore e ngjarjes së New Yorkut, burri i së cilës, ish-anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Joseph J. DioGuardi, vizitoi Shqipërinë në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe ndihmoi në hedhjen e dritës së shpëtimit të hebrenjve prej shqiptarëve të besatuar.

Një tjetër shpjegim, thekson zonja Cloyes DioGuardi, është se në Shqipëri, një shtet me ortodoksi lindore dhe katolicizëm roman deri me ardhjen e sunduesve osmanë, gjatë sundimit të të cilëve nisën konvertimet në islam në shekullin pesëmbëdhjetë, etniciteti gjithnjë ka qenë në epërsi karshi feve, dhe nderi është virtyt mbisundues.

“Ne e dinim se armiqtë tanë turreshin të shfrytëzonin fenë për të ndarë dhe pushtuar, por ne e dinim se na rridhte i njëjti gjak nëpër vena”, ka theksuar Akim Aliçkaj, një shqiptar etnik i rritur në Kosovë, i cili është pronar i një agjencie udhëtimi në New York dhe babai i të cilit ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve. “Feja ndërrohet, por kombi dhe gjaku nuk mund të ndërrohen”.

Dy shtetet tjera që shpëtuan hebrenjtë

Dy shtete të tjera shpëtuan shumicën e hebrenjve gjithashtu. Kur pushtuesit gjermanë urdhëruan depërtimin e 7.800 hebrenjve të Danimarkës në vitin 1943, fqinjët, kolegët dhe aktivistët, në një përpjekje të jashtëzakonshme rezistence, transportuan më shumë se shtatë mijë hebrenj, kryesisht me barka peshkimi, nëpërmjet një kanali drejt Suedisë neutrale, bën të ditur Bo Lidegaard, kryeredaktor i gazetës “Politiken”.

Bullgaria ishte e lidhur në aleancë me nazistët dhe ktheu 11 mijë hebrenj prej Maqedonisë dhe Trakës së pushtuar për depërtim në kampe të vdekjes. Por kur kishte ardhur urdhri për deportim të shtetasve të vet hebrenj, deputetët dhe liderët e kishës i bënë presion qeverisë të rezistonte, dhe ishin shpëtuar më shumë se 48 mijë hebrenj.

Kur nazistët kishin marshuar nëpër Shqipëri në shtator të vitit 1943, duke marrë kontrollin e vendit prej fashistëve italianë, dy banorë hebraikë të Vlorës – Rafael Jakoel dhe thjeshtri i tij – ishin takuar me kryetarin e qytetit shqiptar. Ai u kishte thënë atyre se – sipas asaj që rrëfen mbesa e Jakoelit, Felicita – “derisa ju do të rrini këtu, nuk keni pse të shqetësoheni, por gjermanët janë gjermanë dhe është më mirë të shkoni në kryeqytet”.

Ata kishin shkuar në Tiranë, ku ishin takuar me ministrin e Brendshëm, Xhafer Deva, që ishte pjesë e asaj që njihet si qeveri fashiste që bashkëpunonte me nazistët. Madje ministri Deva u kishte treguar atyre një listë të hebrenjve që i kishin kërkuar gjermanët.

Por, besa ishte më e fuqishme sesa kërkesa për t’ua kthyer atyre listën, thotë zonja Jakoel. “Derisa të jeni këtu, nuk keni pse shqetësoheni”, u kishte thënë atyre, thekson Jakoel, që tani, sikur shumë hebrenj shqiptarë, jeton në Izrael. “Por nëse na ndodh diçka, duhet të kujdeseni për veten”.

Blerja e lirisë

Babai i zonjës Jakoel, Josefi, që atëbotë ishte në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, dhe motra e vëllai i tij më të rinj ishin fshehur në shtëpinë nënkryetarit të Vlorës, duke qëndruar me fëmijët e tij. Më vonë, Jakoelët ishin fshehur në një familje në qytetin e Kavajës, duke u fshehur në kopsht sa herë që vinin gjermanët. Kur ishin rrëmbyer tre kushërinjtë e parë, Jakoel dhe thjeshtri i tij ishin kthyer në Tiranë, duke krijuar lidhje me ata që i njihnit gjermanët dhe ia kishin dalë të blinin lirimin e tyre për treqind lira, kujton zonja Jakoel.

Shumë prej aksioneve të shpëtimit kishin ndodhur në Kosovën e pushtuar prej nazistëve, që është kryesisht e banuar me shqiptarë etnikë dhe dikur ishte pjesë e Jugosllavisë. Aliçkaj, 59 vjeç, agjenti i udhëtimeve në New Yorku, kujton se babai i tij, Arif Aliçkaj, ishte sekretar ekzekutiv në komunën e Deçanit dhe duke përdorur emra popullorë myslimanë, kishte lëshuar letërnjoftime të rrejshme për t’i lejuar hebrenjtë – shumica prej
të cilëve refugjatë nga Maqedonia dhe Serbia – të udhëtonin drejt Shqipërisë. Edhe atij i ishte kërkuar hartimi i një liste të hebrenjve, por edhe ai kishte ngulmuar se nuk ishte asnjë, kujton Aliçkaj.

Miku i Aliçkajt, Arsllan Rezniqi, dyqanxhi, kishte një kamion për transportimin e pemëve dhe perimeve prej Maqedonisë, dhe kohë pas kohe transportoi 400 hebrenj në Deçan. Kishte dalë fjala prej shqiptarëve etnikë në Maqedoni se fqinjët e tyre hebrenj ishin në rrezik.

Stërnipi i Rezniqit, Lekë Rezniqi, 28 vjeç, një prezantues në një televizion informativ në Prishtinë, kryeqytet i Kosovës, ka thënë nëpërmjet një interviste telefonike se zoti Rezniqi madje kishte ndërtuar një shtëpi në kopsht si strehimore për refugjatët. Fqinjët e dinin se aty fshiheshin hebrenjtë dhe kurrë nuk i zbuluan ata.

“Ata e dinin se Arsllani ua kishte dhënë besën, kështu që ai nuk mund t’i tradhtonte”, ka thënë Lekë Rezniqi.
Gjyshi i tij kishte aranzhuar strehimoret e sigurta në mesin e familjeve që jetonin nëpër fshatrat e vogla malore jashtë Deçanit, ku ai me të drejtë kishte supozuar se rrallë do t’i vizitonin gjermanët. “Gjermanët kishin postblloqe”, kujton Aliçkaj. “Por njerëzit tanë dinin si t’i shmangnin. Ata gjithnjë kishin rrugë anësore”.

Filed Under: Featured Tagged With: i hebrenjeve, rrefimi shqiptar, shpetimtare

Aksidenti i rëndë trafiku, merr jetën e 32 vjeçarit shqiptar Omar Jani ne Connecticut

November 27, 2013 by dgreca

Nga Beqir SINA/

Policia tha se automjeti  tipit BMW 528, prodhim i vitit 1999, pasi ka goditur fuqishëm karrocerinë e autobotit, është rrotulluar në ajër dhe ka dalë jashtë mbrojtjesve të hekurit. Automjeti duket se ka zënë poshtë saj – të dy personat që mbetën të vdekur në vend Automjeti i tipit BMW 528, prodhim i vitit 1999, në momentin e aksidentit fatal Ansonia – Stamford (Connecticut) Dy banorët e qytetit të vogël – Ansonia në veri të Satmfordit – Connecticut, vdiqën të hënën herët në mëgjes, në një aksident që ndodhi në autostradën Route 2 në zonën e quajtur Marlborough.    Sipas policisë së shtetit, njëri prej të vdekurve është banor i lagjes Beaver Street (Asonia), 32-vjeçari Omar Jani( nga Dibra e Madhe), i cili, sipas tyre, ka qenë në sediljen e shoferit dhe po e ngiste makinën e tij e tipit BMW 528, prodhim i vitit 1999, në momentin e aksidentit fatal.

Raporti i policisë së shtetit konfirmon se ngjarja, ka ndodhur në orën 04:22 të hënën, kur ai ka humbur kontrollin e automjetit dheu përplas me karrocerin e një autoboti, e cila ishte parkuar në mes të një vend pushimi, të ramps në Exit 13të.

Në sediljen e pasgjerit, thuhet në raportin e poliicsë së shtetit mbeti i vdekur në vend – gjithashtu, edhe pasagjeri Janit, shoku i tij Jack Sambrook, 22 vjeç nga lagjia Catalina Drive(Ansonia).

Route 2 në zonën e quajtur Marlborough, me të mbrritur, polica, zjarrëfiksat, dhe autoambulancat u mbyll për disa orë dhe është rihapur pas aksidentit të rëndë në orën 8:00 , sipas policisë .     Policia e shtetit, thotë se iu përgjigj një telefonate, nga një automjet që kishte parë aksidentin pak para 05:00 të mëngjesit dhe shtoi se aksidenti ka ndodhur rreth 04:30 sipas telefonatës.     Policia tha se automjeti  tipit BMW 528, prodhim i vitit 1999, mbasi ka goditur fuqishëm karrocerinë e autobotit, është rrotulluar në ajër dhe ka dalë jashtë mbrojtjesve të hekurit. Automjeti duket se ka zënë poshtë saj – të dy personat që mbetën të vdekur në vend.

Viktimat janë identifikuar të dy banorë të qytetit Astonia : 32 – vjeçari Omar Jani dhe 22 – vjeçari Jack Sambrook .    Polica tha se shoferi i autobotit – që kishte qendruar në vend – pushim (xhepat e autostradës) nuk u lëndua , sipas policisë .   ” Ne nuk mund të themi sepse ka ndodhur kjo pa rezultura hetimet , ” tha komnadanti i stacionit të zjarrëfiksave në Marlborough, Cap. Mark Merritt . “kishte dëme të mëdha të automjetit , ” u tha ai hetuesve .   Rruga u mbyll për orë të dielën dhe trafiku u rerouted ndërsa responders parë ka punuar për të pastruar vendin e ngjarjes .    Kjo nuk është përplasja e parë vdekjeprurëse në këtë shtrirje të rrugës . Banorët thonë se zona është e pasigurt .     ” Kjo është një rrugë me të vërtetë e rrezikëshme sepse ka shumë kthesa të forta , ” tha Artie Alo nga kjo zonë Marlborough . ” Shumë njerëz ngasin automjetet e tyre me shpejtësinë maksimale në atë rrugë , kështu që e bën atë edhe më të rrezikshme . ” tha ajo.  Policia e shtetit thotë se aksidenti është nën hetim dhe se policia po heton për të përcaktuar shkakun e përplasjes fatale ./ Beqir SINA/

 

Filed Under: Featured Tagged With: humb jeten ne Connecticut, Oamr Jani

Në Michigan mbahet një Simpozium Shkencor për Hotin

November 27, 2013 by dgreca

Nga Pjetër Jaku/

Me datat 23 dhe 24 Nentor 2013, në Sallën “ Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu” të Qendrës së Shën  Palit në Detroit, u mbajt Simpoziumi Shkencor : “ Hoti ndër rrjedhat e shekujve”, organizuar nga Hoti në Diasporë, nën patronazhin e Universitetit “ Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, me përkrahjen e Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe Prizrenit, si dhe në bashkëpunim me Qendrën Shpirtërore e Kulturore të Shën Palit në Rochester Hills- Michigan të Amerikës. Nën një kujdes të veçantë të organizatorve dhe me një organizim model, që do të ishte në nderin e një shteti e jo më të një komuniteti, sic është ai i hotjanve në Michigan, në dy ditë u realizua një takim shkencor për t’u pasur  lakmi në çdo rreth  akademikësh.

Në këtë simpozium moren pjesë  nga Shqipëria, Kosova dhe Malësia  19 shkencëtarë dhe bashkëpunëtorë e studiues të historisë, gjeografisë dhe gjuhësisë dhe pesë të tjerë dërguan  punimet e tyre, të cilat u lexuan para të pranishmëve. Pra, komunitetit shqiptar të  Michiganit, i cili ishte shumë i interesuar, iu  dhanë  24 punime shkencore, të një niveli shumë të lartë në këto dy ditë, i pari dhe i vetmi simpozium i këti niveli në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Të pranishmit: Akademik Kolec Topalli, Dr. Mahir Hoti, Dr. Marenglen Verli, Dr. Romeo Gurakuqi, Dr. Tomi Treska, Dr. Jusuf Bajraktari, Dr Ksenofon Krisafi, Dr. Rokin Daberdaku, Dr. Frashër Demaj, Dr. Simon Lufi, Dr. Edmond Malaj, Dr. Izber Hoti, Dr. Angjell Gojçaj, Dr. Sonila Boçi,  Mr. Pandeli Koçi, Mr. Marjan Lulgjuraj, publicisti i njohur Nikolla  Spathari, studiuesi Mark Junçaj, publicisti Ndue Bacaj dhe studiuesi Nikollë Camaj. Punimet e Dr. Dom Nikë Ukgjinit, Dr. Gjovalin Shkurtaj, Dr. Anton Kola Berishaj, Dr. Palokë Berishaj dhe Mr. Anton Rr. Lulgjuraj u lexuan.

Një  punë shumë të mirë, e cila u mori afro një vit dhe që u kushtoi afro njëqind mijë dollar, bëri komisioni organizativ i këtij aktiviteti, i përbërë nga: Don Fran Kola, Lek Leci Gjonaj, Nikollë Rroku Camaj, Zef Toma Gjonaj, Rrok Gjergji Dedvukaj, Shtjefen Paloka Gojçaj, Dr. Gjekë K. Gjelaj, Prof. Luk Ujka Junçaj, Kol Toma Dedvukaj, Nikolin Ndue Gjelaj, Vasel Pjetri Nicaj, Tom Nika Camaj, Kanto Marashi Dushaj dhe Prek Zefi Dekaj ( Lajçaj ).

Në mbrëmjën e datës 22 Nëntor 2013 u shtrua një darkë në resorantin “Aleksis” të Lek Lecit Gjonaj dhe po këtë ditë u sistemuan secili në një nga hotelet afër  aktivitetit. Komisioni organizativ i kishte marrë të gjitha masat, që nga pritja në aeroport e deri në përcjelljen, që secili prej  të ftuarve të ndjehej sa më mirë. Në një bisedë me Dr. Sonila Boçi mësuam se kishin kaluar vërtetë një kohë të mrekullueshme, edhe pse kishin merakun e aktivitetit. “Një interesim dhe një bujari të tillë, – thotë Sonila, – s’më ka rastisur ta gjëj askund. Ne  patëm fatin  të festojmë sëbashku edhe 101 Vjetorin e Pavarësisë në Qendrën e mrekullueshme të Shën Palit, një organizim përfekt dhe një mrekulli kostumesh, që nuk e shohim as  në Atdhe. Nuk dimë kë të falenderojmë më parë, ata janë aq shumë, janë të gjithë shqiptarët e komunitetit tuaj, që Qeveria Shqiptare duhet ta vlerësojë në mënyrë të veçantë.”

Simpoziumi “ Hoti ndër rrjedhat e shekujve” filloi punimet ditën e shtunë me 23 Nëntor 2013 në orën  10:00 Am dhe u mbyll afër orës 6:00 Pm për të vazhduar të nesërmen nga ora 2:00 Pm deri në orën 6:00 Pm. Në emër të Këshillit Organizativ, simpoziumin e  përshëndeti Dr. Gjekë K. Gjelaj.  Në emër të Qendrës ku organizohej ky aktivitet dhe të mikpritësit përshëndeti Dom Fran Kola, Famullitar i Qendrës së Shën Palit. Deklarimin e hapjes së simpoziumit e bëri Smail Maliq  Çunmulaj, Bajraktar i Hotit. Moderatorë të simpoziumit ishin: Prof. Luk Junçaj, Rita Gjelaj dhe Edvin Hoti.

Në ditën e parë u mbajten dhe diskutuan 16 kumtesa, të cilat kryesisht kishin të bënin me disa të dhanë mbi krahinën e Hotit në mesjetë, mbi kontributin e hotjanve gjatë Rilindjes dhe Pavarësisë, kontributin e Hotit në Lidhjen e Prizrenit, vendin që zinte  Hoti në diplomacinë evropiane, mbi Hotin para okupimit turk, dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj hotianve, 1875-1924, roli i Hotit në kryengritjen e Malësisë, roli i hotjanve në Luftën e Koplikut, të dhëna fiziko-gjeografike për Hotin, mbi të folmen e Hotit, zhvendosjet e hotjanve nëpër shekuj, kontributi i hotjanve në Beslidhjen e Malësisë etj, të cilat  pas disa muajsh do të gjenden të botuara në një ose dy vellime.

Në ditën e dytë u mbajten katër kumtesa si dhe u lexuan pesë të tjera si: Kontributi i Hotit në roje të kufijve të Shqipërisë, Krimet komuniste në Hot, Roli i Hotit në Historinë  e Malësisë, Hoti në objektivin e udhërrëfyesve të huaj, Kisha e Hotit dhe roli i saj, dialektologjia e Hotit nga Lamberci e këtej, organizimet fisnore të Hotit, shkolla dhe arsimi në Hot si dhe  disa shënja të qytetrimit të lashtë në Hot.

Vlen për t’u theksuar se në të gjitha këto tema, asnjëherë nuk u fol për Hotin të shkëputur nga Malësia. Pra, kjo akademi për Hotin, në njëfarë mënyre ishte një kontribut shumë i vyer për gjithë Malësinë e Madhe,  për  Shqipërinë e Kosovën, Çamërinë e Presheven, lidhjet e patriotve dhe kapedanve i kishin kaluar kufijtë e Hotit. Në këto punime u fol edhe për Ismail Qemalin, edhe për Risto Siliqin, edhe për Faik Konicen, edhe për Dom Ndoc Nikajn, siç u fol edhe për gjithë heronjtë dhe prijësit  e Malësisë.

Konkluzionet e këtij simpoziumi, në emër të trupës akademike ( të gjithë referuesve dhe punimeve të lexuara )  i bëri Akademiku Kolec Topalli, i cili  pranoi disa shtesa që do t’i bëhëshin para publikimit. Simpoziumin e deklaroi të mbyllur Smail Maliq Çunmulaj, që kishte deklaruar edhe hapjen e tij.

Punimet e këtij  Simpoziumi do të botohen në një ose dy vëllime pa asnjë shkurtim dhe në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.

Simpoziumi, nga fillimi deri në mbyllje u ndoq nga mediat e komunitetit shqiptar të Detroitit, të cilat sipas mundësisë do t’i përcjellin edhe në Atdhe.

Filed Under: Histori Tagged With: ne Michigan, Pjeter Jaku, simpozium per Hotin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5048
  • 5049
  • 5050
  • 5051
  • 5052
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT