• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEDIOKER?!

November 26, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Të bësh një jetë të thjeshtë, të shijosh ëmbëlsinë që jeta të servir në qoshen tënde të paqshme të kësaj bote të ngatërruar, duke u ndjerë vërtetë i lumtur………, nuk besoj se ky është mediokritet. Njeriu nuk ka ardhur në botë domsdoshmërisht për të bërë gjëra të mëdha. E madhërishmja shpesh gjendet edhe në vepra fare të vogla, të cilat na kalojnë pa u vënë re, por që bartin mjaft njerëzi në vetvete dhe dëshmojnë për thesaret që ne ruajmë në thellësi të shpirtit. Mjaft njerëz “të mëdhenj” ia dedikojnë famës veprat e tyre dhe për mua ky është një megamediokritet. Ashtu siç edhe mjaft njerëz kanë ndarë me të afërmin e tyre edhe copën e fundit të bukës, dhe kjo për mua është largpamësi e pa krahasueshme. Sepse nëse mediokriteti ose dritëshkurtësia ka të bëjë me një dritë të brendshme, dritën intelektuale, atëherë ky veprim fisnik, i këtij njeriu është edhe më i ndriçuar, sepse ai ndriçohet nga një dritë që buron nga një pjesë edhe më e thellë e vetes, nga shpirti. Me sytë e shpirtit ai sheh mjaft larg.

Dhe nuk do të isha dakord për sa përket popullit tonë. Të mos kesh mundësi, prej rrethanave nga më të ndryshme historike, gjeografike, politike…., për të zhvilluar shkencat, artet, etj., kjo nuk vjen nga mediokriteti. Unë mund të them se populli ynë ka ruajtur thesare, në folklor, në tradita, në kulturën popullore, dhe kjo duke u ruajtur me fanatizëm, pa ndihmën e shkollave, akademive, madje pa pasur edhe një gjuhë të shkruar, aq më tepër i nën një presion të egër, shekullor asimilues nga fqinjët e tij. Një identitet dhe kulturë e trashëguar prej shekujsh, e mbijetuar dhe e ruajtur hermetikisht në ashpërsinë dhe strehën e maleve shqiptare. Kjo dëshmon për një vitalitet të jashtëzakonshëm. besoj se ka mjaft gjëra për t’u studiuar tek ky popull i cili pak njihet, së pari nga vetë ne. dhe nëse i shfrytëzojmë këto thesare duke i zhvilluar nën mundësitë reja qytetëruese besoj se do të bëjmë mjaft përpara.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, medioket

DEKLARATA E PASHICIT PER SHQIPERINE E 1912-es

November 26, 2013 by dgreca

Pse Kryeministri serb Pasiç do te deklaronte ne 1912:”Shqiperine, shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh?/

 Nga Gëzim Llojdia*/

Pa mbritur mesdita e 28 nëntorit 1912 ose me saktë rreth dy javë më parë asaj kohe,shumë shqiptarë psherëtinin se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokanis si shumë kombet të tjerë që u rrokanisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në detë,serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës,kurse grekërit donin të kapnin Shkumbinin. Pasiç-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 12 është shprehur kështu”Shqiperina shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët  trajtimi q kishin  në kohën  e mesme kur bëjshin pjesë te shteteve bizantinë e serbe  e serbe pa pas privilegje te veçantë,por tue i respektua individualiteti  dhe gjuha e tyre.Diku aty nga 14 dhjetori 1912,kryegjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ti ndajmë  Shqipërinë mes grekërve dhe Serbëvet,mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”.Kjo quhej atmosferë e vitit 12,kur Ismail Qemali nga deti,Mithati me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se ‘Shqipëria nuk kishte mbaruar”Në 1912 ndriçimi shqiptar solli shpresën shqiptare duke i thënë botës se ka një komb me histori,gjuhë dhe vullnet.Por ujqëria ballkanase e solli në udhëkryq  çështjen me prerjen kirurgjikale të Kososvës.Një gazetar i huaj shkruan periodikja Flamuri është shprehur”Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore,politike e morale sa raca shqiptare.Në qoftë se duhet të çuditemi  për ndonjë gjë kjo është s e ekziston gjithnjë në Shqipëri një ndenje edhe pse e zbehtë dhe shpërndamë që priret kah pohimit,kah rilindja e kombit.Ka një shqyrtim të hollësishëm të rrjedhojave mbi të cilat  ka ecur  historia jonë. Sa herë përhapeshin fuqimisht e kryengritjet aq herë nxirrej në pah rreziku i pavarësisë dhe lirisë.Ka edhe një fakt tjetër që citon e periodiku Flamuri. Kryengritjet e vonta të ballkanasve  ndihmoheshin e zmadhoheshin  dhe në kuvende ndërkombëtare shpërbleheshin ,përpjekjet shqiptare fillonin me guxim  e përfundonin me frikë sepse nuk kishte një fuqi e madhe si Rusia për sllavëve,bullgarët dhe grekërit,që të përkraheshin  të drejtat e tona aq sa përkraheshin  padrejtësitë e fqinjëve.Lidhja e Prizrenit qe një kuvendim i madh dhe një kryengritje qndërsa më vonë koha  solli kirurgjinë më të madhe të kombit tonë nga jugu dhe veriu. Në 1912 Kosova humbi atdheun,Shqipëria humbi gjysmën  e vetvetes shprehet periodiku Flamuri.Gjatë luftës së parë të përbotshme nuk kanë munguar sërish kasapët që janë paraqitur më harta për të bërë një tjetër kirurgji,për tu dhënë copa fqinjëve ardhacakë dhe në hartë të mbetej një Shqipëri e vockël dhe mesme. Parimet Wilsonit dhe përpjekjet shqiptare kanë triumfuar. Ndërkaq në luftën  e dytë të përbotshme aeroplanë të huaj deshën të ndihmonin kryengritjen jugosllave duke hedhur  trakte dhe harta gjeografike  ku Shkodra deri në Drinë në rrethin e Karagjorgjoviçit.Mirëpo shekulli i XX ishte shekulli që regjistroi humbjen  e madhe shqiptare por edhe shekulli që solli dritëzën  e parë me bombat e NATO në Kosovë. Ndërkaq shekulli XXI duhet të jetë shekulli shqiptar. Defteri ku regjistrohet bashkëjetesa me fqinjët.500 vjet nga koha e tyre llogaritet ta ketë mbështjellur guaska  e rëndë e perandorisë osmane.Kohërrëzimi,pra shurdhimi definitiv i saj,pritej të ndodhte riparimi.Ndërkohë vërshuan, si në skenarët e hershëm ballkanas,fqinjësia.Harta pushtuese lexohet:veri shkjau serb,jug grekëria e pabesë.Zënia e luftës së përbotshme ishte më tepër se llaftari.Flamuj shtetesh pollën motet.Pasqyra e pushtimeve:përveçse sulme e pushtime varre të hapura, morte të rënduar,arkëmorte të rëndë.Fytyra e tyre, pasqyronte :ushtri që infektonin vdekjen.Në këtë Babiloni pushtuesish,pushtimet do të klasifikoheshin,përveçse të egra,të përbindshme pushtime.Ata,që janë të pushtuar e dinë se ç’farë ngjyre ka në të vërtetë,pushtimi.Shqiptarët e Kosovës e vijuan rezistencën pas luftës së dytë të përbotshme.Përpara këtyre katastrofave,riparimi bëhej gjithmonë e më i vështirë.E shtuan qëndresën  duke shtuar edhe shumëzimin.Por momenti fundfillesh shekulli 19-20,korracoj një zgjidhje të përkohshme: shkumëzoheni, për të përballuar pushtimet e rënda,për të siguruar si hap të parë ,mbijetesën tonë. Në këtë mënyrë,ndyshoi grafiku i ekzistencës së shqiptarëve.Kështu nga  përndritja e madhe,që ishte  rilindja kombëtare,pas kataklizmës ballkanike,shqiptarët  kanë ndjerë se  Zoti  ka  ndikim një lloj dore,e përkthyer mirësie në çështjet tona kombëtare.Këto fjalë përbënin diagrama e rrahjeve të zemrës shqiptare,por në kohë të përndritjes sonë kombëtare.Kështu është vrojtuar se kombi ynë,ka edhe një grumbullim cilësish të mira. Kështu ,që nuk mundet të merret si rastësi e historisë që na flet se ne kemi qenë ndër kombet  e parë që kemi prejardhje nga pellazget dhe iliret janë paraardhësit tanë te njohur me ADN. Rilindësit ngrohën ngrohën venat e ngrira të kombit.

*Msc.Anetar i Akademisë Evropiane te Arteve

 

Filed Under: Featured

KONTRIBUTI I OSMAN HAXHIUT NË ORGANIZIMIN DHE NË DREJTIMIN E LUFTËS SË VLORËS

November 25, 2013 by dgreca

 nga Albert HABAZAJ / studiues/

Jo vetëm në Vlorë e Labëri, apo në Shqipëri, por edhe në rajon, pothuaj ndër të gjithë popujt e botës, kënga bën histori. Historia jo gjithmonë bëhet këngë. Me Osman Haxhiun, për të cilin kam nderin dhe përgjegjësinë të shpreh dy fjalë nderimi sot, përpara këtij auditori të respektuar, ka ndodhur, fatmirësisht, një rezonim i harmonishëm i koherencës historike me emocionalitetin e këngës burimore, të gurrës popullore, kushtuar atij, e cila është një nga perlat e gjerdanit të praruar, që zbukuron fondin e pasur të Epikës Historike të Luftës së Vlorës. Kjo dukuri ndodh, sepse, është pikërisht kontributi i Osman Haxhiut, përveç të tjerash, sidomos në organizimin dhe në drejtimin e Luftës së Vlorës, që i përmbush parametrat, kriteret shkencore të historiografisë dhe “ligjet” e pashkruara apo parimet specifike të folkorit, sepse ndërkohë Osman Nuri, jo vetëm në Vlorë, me rreëthinat e krahinat e saj, vlerësohej, edhe si një njeri me nam të lartë, ndërkohë që njihet nga historia dhe folkloristika si emblema e Luftës së Vlorës. Ai qe figura qendrore e Luftës së Vlorës, ai qe udhëheqësi i urtë e vizionar i Zjarrit Kombëtar, që shpërtheu  e buisi nga Ashti i Nderit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Atij i thonë edhe Leonidha e Epopesë Termopiliane të Njëzetës, sepse Ai, 12 anëtarët e Komitetit të Mbrojtes Kombëtare të Luftës së Vlorës, me 4 mijë trima të armatosur dhe me 800 mijë shqiptarë të tjerë, që edhe pse s’ishin fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht ishin të pranishëm në Vlorë, duke i zbardhur faqen Atdheut para botës, mbas 500 vjetësh robëri e pa liri. Osman Haxhiu me të tijtë (kupto, gjithë shqiptarët: pjesëmarës fizikë, materialë dhe shpirtërorë) u ngrit trimërisht në këtë Termopile Shqiptare të Kohës së Re, për t’u vënë kufirin te thana (në kontekstualitet, aq sa qe e mundur) kërcënimeve të tërësisë tokësore dhe ekzistencës tonë kombëtare.

Për jetën dhe veprën e Osman Haxhiut ka histori të shkruar dhe këngë të kënduara, që  qarkullojnë, të cilat janë nga të paktat që kanë ende jetë folklorike jo vetëm në Armen apo në Dukat. Monumentin e përjetshëm në lëvizje, Osman Haxhiut, ia ka gdhendur, si ai, me monografinë voluminoze, të nivelit akademik në 310 faqe, qysh në vitin 2001, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh. Dëshiroj të ravijëzoj telegrafisht çmueshmërinë kombëtare të Osman Haxhiut për Luftën e Vlorës, 1920.

Për të parë një raport më të drejtë, më të vërtetë të vlerësimit popullor dhe historisë së shkruar, nga i cili krahasimi kontributiv për këtë epope bëhet natyrshëm shkuam në Armen, në vendlindjen e Osman Haxhiut. Duke vlerësuar rëndësinë e lëndës, burimet ku mbështetemi për realizimin e qëllimit historiko – folkloristik që kemi, dokumentacionin, literaturën referuese, dëndësinë dhe besueshmërinë e informacionit, me objektiv të qartë e kryem një ekspeditë vetiake në fshatin ku u lind emblema e luftës së Vlorës. Një figurë e pastër atdhetare, interesante, me kapital, me shpirt, e respektuar, nga të paktët e Parisë së Vlorës që u fut në gjirin e këngës, në fondin e artë të folklorit. Ali Asllani e quante Mojsiu i Vlorës, Patriarku i Lirisë. Njerëzit e cilësonin Div i Vlorës. Ndërsa krijuesi popullor ia gdhendi portretin me tre vargje monumentale “Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”. Osman Haxhiu, të vetmin ideal kishte Atdheun dhe për Atdheun punoi e luftoi me një fanatizëm fetar. Kur, buzëmbrëmjen e 12 marsit 1937, vigani i shqiptarizmës 52 – vjeçar,  u shua, se iku nga jeta, u mbyllën dyqanet dhe u ulën flamurët në gjysmështizë.  Revista “Përpjekja Shqiptare” do të shkruante: “Pas atij të Ismail Qemalit, Vlora s’ mban mend një varrim kaq madhështor”. Ali Asllani, i cili qe kryetar Katundarisë së Vlorës (sot Bashkia) ka përmendur gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut dhe burrave të tjerë të gjykimit dhe përfaqësimit të duhur popullor. Kemi dëgjuar nëpër festa, festivale dhe patjetër atje, te burimi, në Armen të këndohet për  Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht  kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Do të evidentoj një miniretrospektivë tepër e ngushtë kohore, jo më tutje se një vit nga Ngjarja e Madhe.

Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912 – ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pamundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese, sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë, saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës, me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar. Dihet e vlerësohet, jo vetëm në Vlorë e krahinat e saj, thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit të pushtimit: “Ky flamur na thërret në këtë ditë të shenjtë për bashkimin e trojeve shqiptare, siç e ka lënë amanet Ismail Beu. Vlora është shqiptare. Jashtë pushtuesit!”

 

Duke vijuar kronologjikisht, konturohen për historinë vendimet historike të Kongresit të Lushnjes, që hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Për të drejtuar lëvizjen kombëtare, në prill 1920, u krijua përsëri, brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit.

Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, KMK thirri me urgjencë parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes.

Emrat e tyre janë “emblema e LV” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh, nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë, me armë e pa armë, u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuara në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetash, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë.

Më 3 Qershor dërguan ultimatumin e famshëm historik italianëve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: “Ne e dimë se një popull i vogël, siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…”. Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe, të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë:

 

“O Qemal për këtë ditë,

Të ishe ndodhur i gjallë,

Ç’do të kishin parë sytë,

Osmani 20 vjeç djalë,

Bridhte malit pa opinga

Bashkë me Sali Muranë…”

 

Edhe në këngë të tjera bëhet portreti i Osman Haxhiut në mënyrë të mrekullueshme, me vargjet e  luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtarit të madh të Labërishtes, Mato Hasani i Bratit:

 

” Ç’të them për Osman Picarë,

agai që mbahet rëndë,

kur shkon kaluar në kalë

flet pak e flet me mënd.

Ështe ilaç për fukaranë

për krahinë, mall e gjënë

miqtë e tij i ka të rrallë

një flori, tjatri argjëndë…

Lufta e Vlorës qe, si hapësirë vërtetë lokale, si kohë zgjati 2 – 3 muaj, e lartësisht fisnikërisht  fitoi profilin e një luftë mbarëkombëtare, statusin e së cilës ia jep historia vetë. Lufta e Njëzetës mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku shqiptarët treguan vitalitetin e tyre të rrallë, se i thanë botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjëndje të bëjë një popull i vogël, fukara, por patriot edhe kur lufton me të drejtë kundër një fuqie të madhe jo vetëm hiperbolikisht 40 miljonëshe. Ajo luftë mbarë shqiptare, ku vetëm treva labe dha rreth 100 dëshmorë e u plagosën mbi 130 vetë.

Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.

Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:

 

Ulu, o mali me borë

që të shoh përtej në Vlorë

Osman Haxhiun me forrë

që ngrihet Baba Tomorrë…

 

Fytyra e këtij “vigani” është gdhendur në këto vargje monumentale:

 

…Osmani ç’i hipi kalit

bëri poshtë buzës së malit

seç i foli gjeneralit

dil sterës e jo limanit

breshkamadh i breshkamadhit

të shoç të zotë e vatanit….

 

Këtu figura e tij del epike, madhështore, si një gjeneral popullor, i paharruar. Për këtë figurë të shquar mund mund të shkruajmë faqe të tëra pa fund. Por duhet të theksojmë se, emri i tij është përmendur shkarazi në monizëm, po ashtu edhe sot.

Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çiflikun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.

Në 50 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekoruan me më të thjeshtën medalje “Për veprimtari patriotike” që është shumë pak. Atë medalje e meriton çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.

Në kohën e demokracisë s’është kujtuar Lufta heroike e Vlorës ashtu siç duhej, edhe në raste përvjetorësh.

Bashkia e qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin”Qytetar Nderi”, i ka vëne një lagjeje e një rruge emrin e tij, kurse presidenti Alfred Moisiui akordoi medaljen.

Atdhetari i madh, Osman Haxhiu, veprimtaria e të cilit meriton t’u bëhet e njohur lexuesve shqiptarë të kohës sonë dhe të ardhmes.

Atdhetarë të tillësi Osman Haxhiu meritojnë të nderohene të përkujtohen jo vetëm nga populli, që i ka përjetësuar nëpërmjet këngëve të tij të bukura, por edhe nga qeveritarët tanë në shkallë krahinore e kombëtare. Ata bënë aq shumë për ne e për pasardhësit tanë. Ne duhet të përpiqemi të shkundim pluhurin e harresës që ka rrezik ti mbulojë emrat e tyre.

Për të ndriçuar figurën e Heroit kryesor të Luftës së Vlorës të vitit 1920 anëtarit të guximshëm e të mënçur të parlamentit të parë shqiptar, përkrahësisht të qeverisë së parë demokratike Fan Nolit e të gjithë përparimtarëve të kohës për të cilën Vlora (dhe jo vetem Vlora) duhet të bëjë edhe diçka më shumë për të përkujtuar kujtimin e tij.

 

 

 

Me këto rrezëllime mendimesh mbërrijmë atje ku i bëri koka “dënk” këtij patrioti të kulluar. Aty takuam, ndër të tjerë moshatarë edhe një më të ri se “lisat e moçëm të fshatit” mësuesin veteran Shpresim Kasaj, i cili, për fat të mirë, ua kishte vjelur kujtimet e vyera më pleqve që e kishin parë me sy LV, dhe kishin luftuar për ta shporrur “Talanin” më Njëzetën. Shpresimi është 70 vjeç, me arsim të lartë, lindur dhe banues për gati një jetë të tërë në Armen, i cili për një kohë të gjatë ka qenë dhe drejtor i shkollës së mesme. Informacioni i tij na plotëson panoramën për kontributin e patriotëve të Armenit në pavarësinë konkrete të atdheut dhe ne po e japim të plotë:

Fshati Armen është një fshat me peshë e me një zë të veçantë në historinë e luftërave për liri të krahinës së Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Gjatë gjithë etapave të historisë, ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i tij djem e burra të shquar, si për penë e mendje, ashtu edhe për dyfekë e trimëri, që janë radhitur me burra të shquar të Vlorës dhe i kanë dalë zot vatanit në stuhitë dhe rrebeshet e kohërave. Në ndonjë periudhë të historisë, ata kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim, si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu e Sali Bedini ishin: njëri kryetar e tjetri anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi këtë luftë.

1. Osman Haxhiu – ish njohur me Ismail Qemalin në Stamboll kur vazhdonte “Robert Kolexhe”. I ati i tij, Haxhi Muhameti, ish mik i familjes Vlora, i Syrja e Xhemil bej Vlorës. Ai kish marrë pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës në vitin 1909 bashkë me Mehmet Seit Mavrovën, Hasan Sharrën, Abaz Nurin e Ali Asllanin. Haxhi Muhameti bekoi flamurin më 20 nëntor 1912 bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin dhe at Marko Moçkën. I biri i tij, Osmani ish anëtar i Klubit “Bashkimi” të Janinës dhe më pas i Klubit “Labëria” të Vlorës. Ai mori pjesë në shumë takime me patriotë të ndryshëm ku flitej për autonominë dhe pavarësinë endnit. Ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës së Korrikut më 1911 dhe mbështeti Memorandumin e Gërçes dhe hodhi idenë e luftës së armatosur kundër pushtuesit osman. Ai bëri fushatë për kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk. Qe sekretar i prefekturës së parë të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas prefekt i Vlorës. Është i njohur aktiviteti i tij si organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës.[1] Dua të bëj me dije këtë auditor të nderuar, se QSA, IH, këtë verë që shkoi, botoi një libër të munguar dhe të duhur për historiografinë shqiptare me titullin “Kujtime – nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës” dhe vetë Instituti i Historisë ka promovuar së fundmi botimin me kujtimet e Syrja bej Vlorës. Përgatitur nën kujdesin e historianit Marenglen Verli këto kujtime shfaqen interesante për lexuesin. Babai i Eqerem Bej Vlorës, kushëri i parë dhe rival politik i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit, ambasador në Vjenë apo drejtor i doganave osmane, Syrja Vlora është padiskutim një personazh i rëndësishëm i epokës. Historiani Verli, që është kujdesur për botimin pohon se kujtimet janë shkruar nga Syrja bej Vlora rreth viteve ’20. Çuditërisht ato ndodheshin që pas Luftës së Dytë Botërore në Arkiv, por nuk u publikuan deri më sot. Këto kujtime kanë rëndësi, sepse sipas historianëve Syrja bej Vlora e nis rrëfimin e tij me pushtimin osman të Shqipërisë e deri tek Lufta e Vlorës. Përse e përmenda këtë fakt? Jo vetëm fakte, por edhe përshkrime mjaft të veçanta nga jeta politike tek ajo personale mbi emra si Esat Toptani, Preng Doda, Ahmet Zogu e mbi të gjitha Ismail Qemali, për të cilin ai shkruan ndër të tjera se “fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte një të metë, aftësinë e të mashtruarit me fjalë”. Syrja bej Vlora konfirmon atë që ka ndodhur dhe atë që mban mend kujtesa sociale, duke e transmentuar brezash,  se ushtria italiane pushtimit, e thyer dhe e trembur nga zemrat trimëroshe shqiptare, “për hakmarrje dhe për të frikësuar popullin, u vunë zjarrin konakut të Osman Efendi Haxhiut në Vlorë, shtëpisë së Qazim Efendi Kokoshit me vëllezërit dhe shtëpisë së Koleka Efendiut në Ujë të ftohtë…[2]” .  Kanë kaluar më shumë se 93 vjet nga Lufta e Madhe e Vlorës  e, jo thjeshtë për të bërë një nderim të meritura nda asaj ngjarje dhe heronjve viganë të saj, por sidomos për vështrim krahasimtar, për perspektivën shqiptare në familjen qytetare europiane,natyrshëm më vjen në kujtesën vetake kënga tradicionale, e tabanit, e burimit, apo quajeni si ta ndjeni, por me vargjet e gdhendura me shpirtin fisnik të  dinjitetit shqiptar:

“Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”.

 

Vlorë, e diel,  24. 11. 2013, ora 10. 00

 



[1] ) Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i  Studimeve të Artit,  Habazaj, Albert, Lufta e Vlorës – historia në epikën historike, Tiranë, 2013, f. 85 – 86.

[2] )Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Syrja Vlora, Kujtime , nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, “ICEBERG” Publishing House, 2013, f. 195.

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Habazaj, Lufta e Vlores, Osman Hax

As gegë e as toskë por vetëm shqiptarë Z.Mustafa Nano !

November 25, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Deshta të bëj një analizë pak si ndryshe te një libri të botuar rishtas: “ Unë jam gegë”të Mustafa Nanos. Po them ndryshe sepse do të nisëm vetëm nga qëllimi i mesazhit (kumtit) të cilin libri mundohet të na jep. Librit  ia potencon qëllimin e keq të tij  edhe parathënja e Primo Shllakut. Jo rastësisht u gjetën këta të dy. Por të shkojmë rradhazi , dhe të shofim se si  libri na e thotë atë që e thoshin të tjerët ; apo e thot Mustafa Nano atë që ne nuk deshem ta thonim:

“ Tani për tani është e pamundur studimi i të kaluarës së shqiptarëve me metoda arkeologjike ngase  nuk ka gjurmë për to.Kjo s`është e jashtëzakonshme, sepse shqiptarët e sotëm janë një përzierje e komponenteve të ndryshëm etnike gjegjësisht kulturave të ndryshme. Janë blegtorë të ardhur dhe kështu në mënyrë arkeologjike janë të pa diktueshëm ( që nuk vërehen). Gjurmët e tyre duhet kërkuar nëpër varrezat e tyre nëpër bjeshkë e vështirë që gjindet diçka e mirëfilltë” (Vesna Peshiq : Shqiptarët Ilir të rrejshëm)”… thonë serbët , dhe pyesin :

“ A e kanë shqiptarët së paku gjuhën e tyre ëmëtare? Jo , nuk e kanë. Prova më e mirë për këte është n’ faktin që kur shoqata angleze biblike e cila e boton Librin e shenjt për çdo popull në gjuhën e tij, ishte e obliguar që për Arnautët të boton Biblën në 5 përkthime të ndryshme “….. “ në mesin e këtyre pesë”dialekteve” , dy nga ata janë më të përhapurit , atë të cilin e flasin gegët  dhe gjuha e shqiptarëve të Jugut , i cile quhet toskërisht. Këto gjuhë janë aq të ndryshme sa që Gega nuk e merr vesh Toskën dhe anasjelltas . Bile kur delegacioni i Ali pahë Tepelenës e vizitonte  Mustafa Pashën e Shkodrës , edhe pse të gjithë arnaut i dashke të sillnin me veti përkthyesin e posaçëm , sepse ata  nuk e kuptonin gjuhën Gegë “  ( V.Nelezhejov , Të drejtat e shqiptarëve për shtet B. Нележојев, Албанска права на државу, »Самоуправа« за год. 1912, бр. 319.” ) . Nano , ore  Nano!

E keqja vje nga jasht e edhe nga mbrenda : ”Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar (. Me Ankaranë apo me Brukselin? – Enver Robelli)”

“Kurse shtypi i Beogradit ,kabinetet e Beogradit dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. “(shtypi serb, Jovan Deretiç)

Para se të dilet me një libër të tillë  si  Unë jam gegë ,  duhet të pyesim ( nëse jemi shqiptar ) se çka thonin  e çka thonë të tjerët për ne  ?: ” Pra , Arnautët jo që nuk e kanë gjuhën e tyre të përbashkët popullore por nuk e kanë as alfabetin e tyre  (. Ueber das Albanesische, Berlin, 1855.) dhe parathënësi i librit Primo Shllaku  shkruan  diku tjetër  ”Standardi dështoi (balkanweb.com) ”     (Primo Shllaku ,Poet, Drejtues i Institutit të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe) ????Më vjen për të mënduar seriozisht  por me një habi të madhe se çka anlizon Mustafa Nano në ” Unë jam gegë ” , pse ate e brengos që aq rrallë po u përmendkan ” toskët” dhe ”gegët” nga historianët tanë. Apo e ka qëllimin e deretiqëve , peshiqëve dhe cvijiqëve të cituar më lartë që karshi botës të  paraqitemi  si popull :” këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme,” .

Ju lutem pak vëmendje nga libri :”Aleks Buda , që e ndjek gur me gur historinë e Shqipërisë… nuk ia ka nxënë goja qoftë edhe një herë të vetme termat ”gegë” e ”tosk” (Unë jam gegë fq.13) …Kristo Frashëri e bënë të njejtën gjë në librat e tij ,fjala vjen në librin e tij ”Historia e qytetërimit shqiptar” gjendet fjala”Toskëri ” që përdoret 3-4 herë….Po ky autor (Kristo Frashëri fxh) e ka përdorur një herë fjalën ” Toskëri” e një herë fjalën ” ”gegëri” në librin Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. ( po aty ,faqe 13.)” …. ankohet M.Nano ankohet.

Pastaj ,pa menduar fare qëllimin e të tjerëve  M.N. shkruan: ”Si zor të gjendet pra ndonjë historigraf, konsull,  etnolog …. që të mos ketë shkruar për shqiptarët e të mos ketë folur për gegët e toskët.” Po ja qëllimi i tyre zoti M.Nano:”  :“Qysh para disa vitesh, udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, “me bisht të kalit ose të dhisë” dhe këta Bastarde të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe thërret ndër vetë në anarki skëterrëse “ (shtypi serb , Cvijiç) . Të shkruajmë edhe ne si këta?    Po Mustafa Nano shkruan ”Nga ilirët te gegët, nga epirotët tek toskët ” e kërkon ndarjen gjenetike ”antropologu” ynë  në librin e tij ” Unë jam gegë”.

“Në mbledhjen e Manastirit në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha:

– Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezrit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s’mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh.

Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi i cili është: përparimi i kombit shqiptar!”( gazetakritika.net)

”Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali: – Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut? Dhe Ismail Qemali ia priti: – Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t’i sillnin të huajt këto besime! -”

Po e citoj edhe këte të intervistë të Gazetes Express :  ”Mustafa Nano në librin e tij të fundit “Unë jam Gegë” thotë se çështja e shqipes standarde e ka tejkaluar Shkumbinin, si kufi ndarës mes dialektit Gegë dhe Toskë, dhe tashmë është zhvendosur në Morinë.

Mehmet Kraja përgjigjet: Nuk do të duhej të përgjigjesha në këtë pyetje, vetëm për faktin se më citoni këtu një gazetar jokompetent, madje aksidental, dhe nuk iu referoheni profesionistëve, atyre që janë kompetentë dhe që çështjen e gjuhës e trajtojnë me informacion të mjaftueshëm, me dije kulturore dhe me akribi shkencore. Me injorantë të këtillë nuk do të doja kurrë t’i diskutoja çështjet e gjuhës, madje as të motit. ”

Ndërsa autorët serbë na këshillojnë: “ Për  shqiptarët kishte me qenë në interes më të madh nacional sikur të përcaktohej qartë identiteti i tyre etnik dhe në atë mënyrë e kishin fituar epitetin e një populli të rëndësishëm të Kaukazit me një civilizim dhe traditë mijëravjeqare; se sa me kokëfortësi të paraqiten si pasardhës të ilireve dhe me vetëdije të sajojnë një rrenë me përkatësinë më të ultë morale – vetëzhgënjimin:”( Vesna Peshiq- Albanci lazni Iliri). Çfarë këshille e mençur! dhe ne si i themi kësaj? Fol Mustafa Nano!

 

Fahri Xharra

 

Gjakovë 22.11.13

Filed Under: Analiza Tagged With: as gege as toske, Fahri Xharra, Mustafa Nano, vetem shqiptar

ESAT PASH TOPTANI ME USHTARAKËT E LARTË SERB, 1917

November 25, 2013 by dgreca

Shkruan: Arben LLALLA*/

Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipërinë dhe shqiptarët i gjeti të hutuar nga luftrat e brendëshme politike, por edhe humbja e disa territoreve shqiptare gjatë luftrave ballkanik. Ai që shpresonte të përfitonte nga këto luftra ishte Esat Pash Toptani cili më fillimin e Luftës së Parë Botërore i rreshtoj trupat e tij ushtarave përkrah ushtrisë franceze në frontin e Selanikut. Është shkruar dhe folur shumë kohët e fundit për rehabilitimin e figurës së Esat Pash Totanit, por faktet historike nuk i ofrojnë askujt dëshmi për ti dhënë lavdi figurës së këtij tradhëtari të kombit shqiptar. Këtë herë po botojmë këto foto të rralla, fotot me oficerët e lartë serb janë të panjohura për publikun shqiptar të cilat janë bërë në Selanik, por edhe në frontin e luftës përkrah oficerëve të lartë serb. Foto origjinale gjenden në arkivën e ministrisë së kulturës së Francës.

Nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani qëndroj në Selanik të Greqisë. Në rezidencën Vila Mehmet Kapandzi nga dhe komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Esat Pash Toptani mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 dhe u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.

*Ne Foto: Esat Pash Toptani në Selanik pranë oficerëve të lart serb, 18.8.191

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, esat Pashe Toptani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5051
  • 5052
  • 5053
  • 5054
  • 5055
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT