• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

New York : Ka nisë udhë festivali i II-të i Filmit Shqiptar

November 9, 2013 by dgreca

Java e filmit, me 30 filma shqiptarë, “Agon” i Budinës hap Javën e Filmit Shqiptar në Nju Jork/

Shkruan: Nga BEQIR SINA, New York/

CHELSA NEW YORK CITY : Të premten në mbrëmje në qytetin e New Yorkut, nisë udhën e tij Festivali i II-të i Filmit Shqiptar në SHBA, një aktivitet që realizohet nga artistët shqiptarë në Amerikë, dhe që synon të sjell në bashku për një javë disa nga regjizorët dhe aktorët më në zë të kinematografisë mbarë shqiptare, me qëllim të promovimit të kinematografisë shqiptare dhe autorve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare dhe atyre në diasporë.

Ky festival sjell në kryeqendrën e filamagrofisë botërore New York, kulturën dhe artin shqiptar, gjatë javës së festivalit AFW “Albanian Film Week” (Java e Filmit Shqiptar), me 30 filma të cilat do të shfaqen edhe në kinemat e tjera të New Yorkut, : The Producers Club, e të tjerë. Festivali do zhvillohet në datat 8 – 14 nëntor 2013.

Ky është edicioni i dytë i Javës së Filmit Shqiptar me përzgjedhje artistike nga filmat e realizuar nga autor nga SHBA, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Anglia, Kanadaja, etj me synim që të bëhet tradicional dhe mbahet në muajin nëntor, në kuadrin e aktiviteteve për nder të 28 Nëntorit , Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ceremonia e hapjes së Javës së Filmit Shqiptar u zhvillua mbrëmë te premten, 8 nëntor 2013, në orën 7:00, në teatrin prestigjioz të New Yorkut “SVA Theatres” dhe morën pjesë dhjetra veprimtarë të njohur të komunitetit, kritikë, artistë shqiptarë e amerikan, gazetar, afaristë, dhe stundentë shqiptarë e amerikan. Ndërsa e përshëndeti duke i uruar sukses të plotë, Konsulli i Përgjithshëm e Kosovës në New York, ambasadori Bekim Sejdiu.

“Në Red Carpet Gala, tha Ariot Myrtaj do jenë pranishëm yje të kulturës kinematografike shqiptare nga e gjithë bota, falë partnerit dhe sponsorit general Liberty Blue Group, e cila i ka mbeshtetur në çdo hap, së bashku me sponzoret e tejrë :  Qeveria e Kosovës Ministria e Diasporës, Famiglia Famous Pizza, EM Windsor, T&K Elite Construction, AMT, energy drink Black Eagel, e shumë miq të tjerë” tha Myrtaj njëri prej organizatorëve të këtij festivali për gazetën tonë.

“Ngaqë ne artistët nuk dëshorijmë të mbajmë fjalime, por ne jemi artistë, dhe artistët flasin nëpërmjet veprave, nata e parë e festivalit do të hapet me filmin e suksesshëm “Agon” me regji nga Robert Budina, një përzgjedhje zyrtare e Oscar-it 2013, kjo sipas producentes nga Kosova Mrika Krasniqi, e cila shtoi se në këtë edicion do të shfaqen 30 filma të kinematografisë shqiptare: 24 filma janë prodhime të reja të vitit 2012-13 në tre kategori: filmi i gjatë, filmi i shkurtër si dhe ai dokumentar, “White & Black”, me një retrospektivë në kinematografinë shqiptare”.

Krasniqi, theksoi se risi e këtij festivali do të jetë se kësaj rradhe do të ndahen tre çmime të auidiencës për filmin më të gjatë, filmin më të mirë të shkurtër dhe filmimin më të mirë dokumentar.

“Me Javën e Filmit Shqiptar ne dëshirojmë që të paraqesim një dimenzion të ri mbi artin shqiptar dhe mënyrën se si të reflektojë sa më pozitivisht në botë. Perzgjedhja e 30 filmave për AFW është bërë përmes aplikimeve online, dhe formave të tjera. Në përgjithësi të gjithë filmat kanë qenë korrekt, edhe ata që nuk kemi pasur mundesi t’ i përzgjedhim, sepse iu kemi përmbajtur disa kritereve që t’i pranojmë vetëm projektet që janë realizuar këto dy viteve të fundit. Unë besoj fuqishëm që AFW do të arrijë që të krijojë ura bashkëpunimi në mes të artistëve shqiptar kudo në botë dhe të ndikoj në mirëqenjen e komunitetit shqiptar në Amerikë dhe të komuniteteve të tjera që për synim kanë paqen dhe tolerancën,” tha Mrika Krasniqi, organizatore e AFW-së.

Kurse, Ariot Myrtaj, organizatori i AFW-së thotë se :“Me paraqitjen e projekteve filmike në New York, kemi për qëllim që të sjellim një imazh krejt ndryshe nga vitet e tjera, ku nëpërmes gjuhës universale të kinematografisë publiku ndërkombëtarë të njoh realitetin kulturor, historik e politik, në Shqipëri, Kosovë, e në çdo vend ku jetojnë shqiptarët. Kjo njohje do të hapë një dialog për kulturën aktuale të filmit shqiptar dhe t’ia ofrojë kinemanë shqiptare audiencës së SHBA-së, duke hapur një përspektivë të mirë për ruajtjen dhe vazhdimesinë e kulturës tonë,

Kultura dhe arti shqiptar prezantohen në Nju Jork gjatë Festivalit AFW “Albanian Film Week” (Java e Filmit Shqiptar) :

Albanian Film Week u themelua në muajin gusht të vitit 2012. Ideatorët dhe themeluesit janë: Mrika Krasniqi, producente, regjisore & skenariste e filmit, dhe Ariot Myrtaj, producent, aktor & skenarist i filmit, nën udhëheqjen e Nil Production dhe të Albanian Artists Associations.

Nga Shqipëria në këtë javë filmi  janë filmat “Agon” dhe “Pharmakon”. Skenaristi dhe regjisori i “Agon”, Robert Budina, e cilësoi shumë të rëndësishëm këtë pjesëmarrje të filmit shqiptar në New York. duke shtuar se java e filmit shqiptar ka për qëllim të mbledhë filmin shqiptar, më shumë se sa një garë dhe do të jetë fytyra e kinemasë shqiptare, në Amerikë.

Për medien shqiptare, regjisori i filmit “Agon” zoti Budina ka thënë se :” më shumë se sa çmimi, shumë e rëndësishme është prezantimi i filmit shqiptar në Amerikë, i cili sipas tij i shërben distribuimit të filmit, por dhe kritika sipas tij është shumë e rëndësishme”, pohon regjisori Robert Budina. Portali “Kosova News Network, thekson se me të njëjtin mendim me Budinën, është dhe producenti i filmit “Pharmakon”, Mevlan Shanaj, për këtë festival.  “Këto aktivitete duhen përshëndetur, thotë Shanaj,  sepse sjellin filmin shqiptar tek publiku. Kjo javë konsiderohet shumë  e rëndësishme, ku do të jetë kinemaja shqiptare që do të prezantohet para publikut në New York, kjo gëzon aktorët dhe regjisorët. Një mundësi më shumë dhe për distribuimin e filmit shqiptar”, pohon Mevlan Shanaj, producent i “Pharmakon”.

Java e filmit, me 30 filma shqiptarë

Në këtë edicion do të shfaqen 30 filma të kinematografisë shqiptare: 24 filma janë prodhime të reja të vitit 2012-13 në tre kategori: filmi i gjatë, filmi i shkurtër si dhe ai dokumentar. Sa i takon filmit artistik me metrazh të gjatë në garë janë “Agon” regjia Robert Budina, Shqipëri, “Agnus Dei” regjia Agim Sopi, Kosovë, “Pharmakon” regjia Joni Shanaj, Shqipëri dhe “Right to Love” regjia Paul Kurti, SHBA. Si pjesë e programit “White & Black” do të shfaqen edhe 6 filma të tjerë, të cilët janë retrospektivë në kinematografinë shqiptare. Në këtë festival do të ketë konkurrim edhe për filmat më të mirë shqiptarë prodhuar nëpër botë me metrazh të shkurtër, të gjatë dhe dokumentare. Fituesi do të shpallet natën e fundit të festivalit më 14 nëntor 2013, jo nga një Juri por nga audienca.

Simbas www.albanianfilmweek.com edicioni i II-të I AFW-se është përgaditë nga të njejtët organizatorë Mrika Krasniqi, producente, regjisore & skenariste e filmit, dhe Ariot Myrtaj(themelues), producent, aktor & skenarist i filmit, që të dy nga Kosova me banim në SHBA. me drejtoreshë martketingu Theodora Rexhepi, Këshilltar Programi, Bajram Shala dhe Promovuese Kulturore Ermira Babamusta. AFW është mbështetur nga disa institutione duke përfshirë Konsullata e Kosovës në New York, ambasadori Bekim Sejdiu, Ministria e Kulturës në Kosovë, me sponsorizim nga LibertyBlue Group, Pizza Famiglia, AMT, Black Eagel etj.
Bashkëpunëtorët për projektin e AFW-së janë Praq Rado, Blerim Arifi, Eriola Kasemi, Faton Krasniqi, Festim Rexhepi, Arben Meta, Valmire Thaqi, Arnisa Myrtaj, Blerta Alikaj, Astrit Bytyqi, etj. 
Përzgjedhjet zyrtare të Javës së Filmit Shqiptar 2013

Filmat me metrazh të gjatë

“Agon” regjia Robert Budina, Shqipëri

“Agnus Dei” regjia Agim Sopi, Kosovë
“Pharmakon” regjia Joni Shanaj, Shqipëri
“Right to Love” regjia Paul Kurti, Sh.B.A.

Filmat me metrazh të shkurtër

“Rrefimi i fundit” regjia Ibrahim Deari, Maqedoni

“Rrobaqepësja” regjia Arlinda Morina, Kosovë
“Heshtje” regjia Bekim Guri – Kosova
“The Superintendent” regjia Roland Oruqi, Sh.B.A.
“Made in Amerika” regjia Orges Bakalli, Sh.B.A.
“Në Mes të Parajsës dhe Ferrit” regjia Ibrahim Deari, Maqedoni
“Para të Përgjakura” regjia Erman Memedi, Maqedoni
“Burri” regjia Ben Apolloni, Kosovë
“Jona” regjia Eneida Koreshi, Shqipëri
“Kravata” regjia Ekrem Xani, Kosovë
“Tuneli i Parë” regjia Fatos Hoti, Angli
“Toka e Zotit” regjia Mentor Spahiu, Kosovë
“Rrota” regjia Fisnik Muji, Kosovë

Dokumentarë

“S’është Lavazh” regjia Gentian Koçi, Shqipëri

“Çmimi i të Qenit Grua” regjia Ilir Kabashi, Kosovë
“Kartolinë nga Londra” regjia Naser Shillova, Angli
“Out of Sight” regjia Paul Kurti, Shqipëri
“Lindja Nuk Pret” regjia Parta Kelmendi, Kosovë
“E vërteta Mbi Tragjedinë e Urës së Lluzhanit” regjia BDEF, Kosovë
“Toka e Kelmendit” regjia M. Krasniqi, Kosovë

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, java e filmit shqiptar, New York

VDEKJA E PELLUMBIT

November 9, 2013 by dgreca

Tregim nga FESTIM LITI/
Ne autostraden malore te veriut,gjarperonte nje taksi e nisur nga pika doganore qe ndante dy shtetet fqinje.
Shoderi ishte vendas,nje prag-pensionisti qe i rrinte e varur ne buze perhere nje buzeqeshje babaxhani,kurse tjetri,burre rreth te ridhjetave,me mjeker dhe mustaqe teper te zeza e te dendura,i cili kundronte me kersheri pejsazhin alpin me male dhe hone te zhveshura e te shkreta,ku ndonje koke-mali,ende ne kete fillim vere mbante qeleshe te bardhe si kujtim te borealte te dimrit qe shkoi.
Kur relievi u be me i bute e i shtruar,e gjelberimi u dendesua perreth,udhetari po veshtronte me vemendeje me te perqendruar anes asfaltit qe rreshqiste i nxituar poshte rrotave.Dikush do te mendonte se ai donte te fiksonte sa me shume ne kujtesen e tij ato pamje piktoreske qe shtriheshin ne te dy anet,por me siguri do gabonte.Per ate nuk kishin rendesi ato kodrina te gjelbera qe shfaqeshin here pas here e befasishem,as ishujt e pishave,aty-ketu,neper faqe malesh.Ai priste te rishfaqej,jo me shume se tridhjete metra larg xhadese,ne mes te nje pylli me bredha,nje manastir i rrenuar rrethuar me qiparisa hollake…
-Ja,ja ketu ma vrane pellumbin-pothuajse klithi-te lutem mbaje pak!iu drejtua ai shoferit.
Babaxhani e mori vesh se behej fjale per nje vrasje,por nuk u cudit.Per te tilla tragjedi njerzore qe ishin shpeshtuar keto vitet e fundit kish degjuar me dhjetra here.Histori rrenqethese per njerez te zhdukur pa nam e nishan,per vrasje makabre e per trupa pa jete te gjetur ne pranvere pas shkrirjes se borerave.Kur makina ndaloi,jo pa keqardhje,ai pyeti:
– Ndonje te afermin tend apo mik te kane vrare ketyre aneve?
-As njerin e as tjetrin,thjesht nje pellumb te bardhe fluturak,iu pergjigj djaloshi,kur kish hapur deren e u drejtua per nga rrenojat,te fshehura pas bredhave dhe selvive elegante qe flladi i lehte i perkedhelte e lodronte me to ne kete mengjes pranveror e ato nga kenaqesia,perkulnin majat e blerta sa majtas djathtas me ndrojtje si vajza te turpshme.Shoferi kur kuptoi se ai ishte ne kerkim te nje shpendi te vrare,ngriti supet me habi e ndezi nje cigare ne pritje te ketij pasagjeri te cuditshem.Nuk vonoi te vinte.Ne dore mbante nje qese te vogel plasmasi ku brenda kishte futur skeletin e shperber te pellumbit.Nuk ishin gje tjeter,vecse nje grusht kockash,te holla e te brishta,te cilat gjasonin me shume me ca shkarpa te thata.
– Ja se cfare ka mbetur nga krijesa ime e dashur,-belbezoi ai duke u ulur ne ndenjese-dekompozimi paska qene i pameshirshem.Pastaj iu drejtua drejtuesit te automjetit:
– Ketu e tete vjet me pare sikur ushtaret tuaj te kufirit,mos na kishin kapur,as ky pellumb nuk do ishte vrare e as une e ti nuk do komunikonim ne anglisht sot,por mbase ne gjuhen e vendit tend.Nuk qe e thene,fati na ndeshkoi…..
Vendasi po e degjonte me shume vemendje.
….te them se i desha shume pellumbat,eshte teper pak.Une i adhuroja qe femije ata shpende fisnike.Rrija me ore te tera ne shoqerine e tyre ne kopshtin e vogel pas shtepise.U rrita mes gugatjeve te tyre.Kur hapeshin dyert e kafazeve,ata vershonin per te gjetur kokrrat e grurit midis fijeve te barit,pastaj ngriheshin ne fluturim drejt lartesive te kaltra,e une kenaqesha duke pare rrathet,elipset, e lloj-lloj figura plot hir e elegance qe sajonin lart ne qiell.
Ndonjeri do ulej ne supin tim,ndonjeri siper kokes,nje tjeter do cukiste kokrrat e grurit qe mbaja ne pellemben e hapur.Lumturohesha nga lumturia e tyre.Ngazellehesha nga liria e tyre.Ata ishin jeta ime,e varfer dhe e mjere pa argetime te tjera,ishin bota ime….pastaj,ah pastaj,erdhen dite te veshtira,aq te veshtira sa u pa e nevojeshme te beja dhe une nje fluturim te detyruar,te shkulesha nga toka ku u linda dhe u rrita,ku endrrat ishin te bukura dhe vuajtjet torturuese….
Ishim tre shoke qe u nisem ne ate fillim dimri drejt nje jete te re,duke kerkuar nje oas shpetimi.Zgjodhe vendin tuaj qe e kishim aq afer,gjithsesi edhe shume larg.Me tufen gazmore te pellumbave u ndava me lot ne sy.I ushqeva per here te fundit ne ate mengjes te vrenjtur e te trishtuar.Edhe ata,sikur e kishin kuptuar brengen time dhe nuk u ngriten per te bere xhiron e zakonshme por qendruan me mua deri ne castin e ndarjes.Pellumbi i bardhe qe ishte me i vjetri dhe me i vecanti ne fluturim,nuk po shkulej nga supi im,me cukiste miqesisht veshin e qafen e bente ca levizje te cuditeshme siku donte te me thoshte dicka.Papritmas me goditi trurin nje mendim i befasishem:
– Mos mu lut shume,e kuptova se c’do te me thuash,vendosa te te marr me vete!-i peshperita embelsisht duke e marre ne duar e duke e perkedhelur lehte-lehte ne pendet e ndriteshme e te lemuara.Desha te beja dicka qe nuk e kish bere askush nga te ikurit,dicka origjinale,do t’i dergoja motres dhe te fejuares mesazhin e mbrritjes me kete pellumb qe po me pergjerohej per te me shoqeruar drejt se panjohures.Kisha besim tek ai,ishte fluturak i lartesive dhe kishte krahe te forte.E rehatova ne nje kafaz qe zakonisht mbahen kanarinat e gardalinat,u takova mes ngasherimeve me njerzit me te shtrenjte qe kisha ne kete bote,motren dhe te fejuaren dhe u nisa….Pas nje jave udhetimi neper monopate malesh e pyjesh,bokerima,,rrafshnalta dhe rafshulta,ku nuk na u nda dhe nje shi i imet,arritem ne ate manastir te braktisur mesjetar,te cilit i kishi mbetur ne kembe vetem muret,dhe ato gjysem te rrenuara.Ishte nje fillimdite e turbullt.Here pas here,rete,ne vrapimin e tyre,lejonin te arrinin deri ne toke rrezet e vageta te diellit.Ishte nje feshtje e shurdher,e trishtuar.Te dukej sikur pertej mureve te gurta rrethuese pergjonte nje rrezik i papercaktuar,ndjesi qe te jep vetem dyshimi dhe pasiguria qe shtohej me shume nga kerrkellima e cjerre e ndonje korbi fshehur diku mes blerimit te bredhave.
– Tani jemi te sigurte.- prishi heshtjen zeri njerit prej shokeve qe e kish bere dhe here te tjera kete rruge e qe e njihte mire edhe gjuhen e vendasve.- pasi te hame ato qe na kane mbetur,te shlodhemi e te freskohemi,do marrim autobusin e linjes qe eshte fare afer qe ketej.
U ula mbi nje pllake guri.Gjeja e pare qe mendova ishte te ushqeja pellumbin e bardhe per ta pergatitur per rrugen e gjate te kthimit….Shkruajta ne nje cope leter frazen:”Arrita shendoshe e mire,iu puth nga larg me mall!” dhe e lidha ne kemben e ketij shpendi te bukur qe si c’duket e kuptoi qe erdhi casti per t’u ndare.E leshova duke i uruar rruge te mbare,por mjerisht,vetem pak metra fluturoi ai mbi koken time….sepse nje urdher,nje ulerime e eger,shungulloi e drodhi ajrin:
– Duart lart,mos levizni!- dhe per te na frikesuar,kater djelmosha me uniforme ushtarake qe behen befas prane nesh,leshuan lart bresheri plumbash,pothuajse ne nje kohe.Si c’duket,njeri nga plumbat gjeti edhe trupin e vogel te pellumbit te bardhe e i preu fluturimin ne mes.Pas pak sekontash,ai u gjet perseri para kembeve te mia,por tashme,por tashme duke u perpelitur ne agonine e vdekjes se sigurte.Duke rene shpendi i gjore kishte mbledhur kaltersine qe i mungonte asaj dite.Syte e tij ende shkelqenin e vezullonin si dy qiej te vegjel e kerkonin ndihme prej meje.Pika loti filluan te me rridhnin instiktivisht nga syte.Vura re se midi sqepave kockore kishin mbetur pa u pertypur ende disa kokra gruri.
– O Zot!- i peshperita me ze te ulet shokut ne krah-edhe hasmi nuk vritet me buke ne goje e jo me nje shpend fisnik e paqesor…….
Veshtrimet tona u kryqezuan si thika te mprehta.Ata ishin ne kembe,ne ne gjunje.Ata me arme ,ne me duar te lvendosura pas qafes.Midis nesh,nje pellumb qe perpelitej ne prag-vdekje…..
Me lejuan t’a mbeshtjel ate kurm ende te ngrohte me nje cope nga kemisha ime dhe t’a vendos ne zgavren e nje lisi te mocem ne hyrje te ngrehines po aq te mocme.Njeri u afrua te me vinte prangat.Shikimet tona ishin shume prane per t’u zhvilluar nje dialog qe askush nuk e degjoi.Flisnin vetem syte,nje pale te egersuar dhe tjetra mbushur me dhimbje shgenjim:
-“Ti je per t’u vene ne pranga,sepse vrave nje pellumb te bardhe!”
-“Une bera detyren.”
-“Askush nuk te urdheron te vrasesh pellumba.”
-“Mund te te vrisja edhe ty.”
-“E di,e ke bere here tjeter dhe askush nuk te ka prangosur.”
-“Te thashe,bera vetem detyren.”
-“Dije pra!Eshte e pamoraleshme dhe cnjerezore te vrasesh pellumba,shpresa dhe endrra,aq me pak njerez te pafajshem…..”
Poshte ne xhade na priste autoburgu.i gatshem te na kthente andej nga kishim ardhur…….
Me pas jeta per ne dy jetimet mjerane qe prinderit na lane te vegjel,e u rritem dyerve te botes,erdhi me normale.Motra ra ne dashuri me nje kineast te njohur tuajin,i cili kishte ardhur per te xhiruar nje film dokumentar ne qytetin tone.Dy her kam qare ne jeten time,kur me vrane pellumbin dhe kur u martua motra.Nuk e desha ate martese,por edhe nuk bera asgje per ta penguar.U ndjeva tmerresisht i vetmuar,megjithse kisha per krah nje vajze te mrekullueshme qe ma lehtesonte dhimbjen.Vetem pak muaj pas ikjes se motres,u martova dhe une dhe si nje dhurate nga qielli,ne ato caste te pashpresa e te trishtueshme,ishte fitimi i nje llotarie rezidenciale amerikane qe e ndryshoi krejtesisht jeten time qe me pat ndeshkuar aq mizorisht.Dihet qe kontinenti i larget eshte vendi i mundesive te medha….
– Jam kureshtar te di se cfare do besh me ate grusht eshtrash te pellumbit?-pyeti shoferi plak,duke e nderprere per here te pare monologun e gjate te djaloshit.
-Gjithe keto vjet u mundova t’a harroj ate vdekje.Ngushelloja veten se ishte dicka qe nuk kishte ndodhur kurre,nje enderr e keqe,delir i nje drite-erresire qe me fanitej nga kohe te shkuara si nje vegim qe donte patjeter te me prishte qetesine e neteve.Ishte ndricimi i syve te tij si dy dete te vegjel qe perenduan ne menyre tragjike e qe me thoshnin se ke nje amanet per te cuar ne vend.Ato kocka do t’i varros ne kopshtin me bar,pas shtepise se vjeter.Aty ende gugasin pellumba…..
Taksia hyri ne qytetin e zhurmshem mes vezullimesh dritash,reklamash,semaforesh marramendes…
-Besoj se je i gezuar qe do takohesh me motren pas kaq vjetesh-foli plaku
-Padyshim qe eshte lumturi e vecante,do cmallem edhe me dhendrrin dhe me dy mbesat binjake qe nuk ikam pare kurre.Do t’i njohesh edhe ti,do ta pime nje kafe sebashku pas ketij udhetimi te gjate qe na lodhi te dyve,pa do njohesh edhe djalin tim qe e kam te mrekullushem,gruan,te cilen e nisa me avion para dy ditesh.
– Si ja ke vene emrin vogelushit?- pyeti papritmas shoferi babaxha-Pellumb.- u pergjigj aty per aty djaloshi qe vinte nga larg.
– O Zot!- i peshperita shokut ne krah-edhe hasmi nuk vritet me buke ne goje.

Larisa 2001

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Festim Liti, Vdekja e Pellumbit

Shoqata e grave AAWO “Motrat Qiriazi” në veprim

November 9, 2013 by dgreca

Nga Ariana Elezaj/

Shoqata e grave shqiptare- amerikane “Motrat Qirizi” ka një mision kuptimplot e njerëzor, e ka vënë veten në shërbim të familjeve të komunitetit shqiptar në diasporë, në ndihmë të njerëzve në nevojë ,e sidomos grave e fëmijve.

Duke përmbushur këtë mission e duke ecur në gjurmët e traditës së saj shumë vjeçare kjo shoqatë ditën e Diel në datën 3 Nëntor 2013 në bashkëpunim me Italian-American Cancer Society dhe me mbështjen e palodhur të zyrës të asembleistit të distriktit Nr. 80 në Bronx Zotit Mark Gjonaj zhvilloi në Bronx House mamografi për gra shqiptare dhe amerikane me sigurime ose pa sigurime shëndetsore.

Canceri i gjirit është një sëmundje e përhapur.Statistikat tregojnë se çdo vit mbi 220 mijë gra në Shtetet e Bashkuara diagnostikohen me këtë lloj kanceri dhe më shumë se 40 mijë prej tyre vdesin prej tij. Në fakt është kanceri më i diagnostikuar tek gratë si edhe është shkaktari i dytë i numrit të vdekjeve në mesin e tyre.Në bazë të studimeve botërore në çdo 8 gra njëra është e rrezikuar të preket nga ky lloj kanceri gjatë jetës tyre.

Për këtë arsye i kushtohet një vëmendje e madhe masave parandaluese të tij. Bazuar në punën e madhe të mjaft shoqatave të kancerit në botë dhe me përmirësimet dramatike të studimeve mbi kancerin për parandalimin dhe kurimin e tij, miliona grave u është dhënë mundësia ta luftojnë këtë sëmundje vdekjeprurëse.Edhe gratë shqiptare nuk janë të imunizuara nga kjo sëmundje prandaj është shumë e nevojshme që të bëjnë një jetë sa më të shëndetshme si edhe ti kushtojnë shumë vëmendje masave parandaluese.Sepse kapja herët e sëmundjes shpëton jetën.Meqënëse shkaqet e vërteta të kancerit të gjirit nuk janë plotësisht të njohura parandalimi i tij është shumë i domosdoshëm.Për këtë arsye shoqata e grave Shqiptare Amerikane AAWO ‘Motrat Qiriazi” e drejtuar nga Dr.Anna Kohen e ka pjesë të punës së saj sensibilizimin e opinionit në këtë drejtim. E pyetur për ecurin e aktivitetit e përkushtuara dhe e palodhuara Anna Kohen u shpreh se :”Ne si organizatë i kemi vënë vetës një qëllim,të jemi porta e hapur e grave dhe vajzave në diasporë në rrugën e tyre të suksesit. Dhe suksesi nuk mund të bëhet pa njerëz të shëndetshëm e të painformuar për jetën e tyre.Për mendimin tim ky aktivitet shkoi shumë mirë.Ne kishim 17 gra shqiptare dhe amerikane që kryen mamografitë. Asembleisti Mark Gjonaj dhe televizioni Kultura Shqiptare ishte me ne për të ofruar mbështetjen dhe me këtë rast dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen në emër të organizatës.” Ky aktivitet nuk mund të bëhej i mundur pa punën të vullnetarëve.Vlen të përmendet puna e palodhur e të gjithë bordit të AAWO për të sensibilizuar opinionin dhe për të siguruar pjesëmarrjen. Këtu mund të veçohen Tessa Fejzulla dhe Bojkena Selimaj.Tessa,një vajzë shumë e edukuar,ekonomiste me profesion,fjalëpak dhe punë shumë me prejardhje nga Maqedonia por e lindur edhe e rritur në Amerikë gjen kohën edhe mundësit të jap ndihmesën e saj në shërbim të komunitetit.

Bojkena Selimaj e cila vazhdon studimet për infermieri e ka passion të saj shërbimin dhe ndihmesën ndaj të tjerëve.E pyetur për mbresat e saj nga aktiviteti ajo u shpreh: “Mu desh të

udhëtoja 3 orë për të shkuar në Bronx House,për të dhënë ndihmesën time në këtë aktivitet,por çdo minute ishte krejtësisht e vlefshme. Ndihem krenare dhe më gëzon fakti që ia kushtoj kohën time dhe punoj për aktivitete të tilla, si një mamografi falas . Ishte një ditë e bukur vjeshte dhe pak e ftohtë, por përkundër motit të ftohtë , shumë gra nuk munguan të marrin pjesë. Kishte disa gra që nuk ishin shqiptare , por ishin shumë mirënjohëse që u lejuan të marrin pjesë në aktivitet. Gjatë kohës që isha në Bronx House , mora një telefonatë nga një grua amerikane e cila pyeti se cila Organizatë e kryen atë, sepse kishte dëgjuar lajmin në televizion se disa organizata janë duke zhvilluar mamografi falas . I thashë se ne zakonisht marrim reservime para ditës së mamografisë , por meqënëse jeton afër je e mirëpritur të marrësh pjesë. Ajo erdhi dhe na falënderoi aq shumë për të. Si një studente infermjerie , unë e di vlerën dhe se sa e rëndësishme është mamografia për gratë mbi 40 vjeç.Eshtë nder dhe përgjegjësi për mua të jem pjesë e një organizatë shqiptare që kujdeset për shëndetin e grave në komunitetin tonë dhe që jam në gjendje të ndryshojë jetën e dikujt me zbulimin e hershëm të sëmundjes aq të tmerrshme si kanceri i gjirit përmes mamografisë . Kjo ishte një ngjarje e suksesshme dhe unë jam e sigurt se vitin e ardhshëm do të jetë edhe më e sukseshme e me një numër më të madh të grave”.

Sigurisht,shumë aktivitete të tjera janë në planet e Shoqatës së Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi” për të ardhmen në shërbim të shëndetit të grave edhe fëmijëve.Si psh.aktivitete për parandalimin e cervikal kancer, si edhe biseda e workshops për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: AAWO, Ariana Elezi, Motrat Qiriazi, ne veprim, Shoqata e Grave

FILADELFIA: VEPRIMTARI, KUSHTUAR PETRO MARKOS, IDEALISTIT DHE SHKRIMTARIT TË MADH

November 9, 2013 by dgreca

Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata  Atdhetare-Kulturore  “Bijtë e Shqipes” e rastin e 100-vjetorit të lindjes/

Nga Laver Niku*/

1.

Në Shoqatën Atdhetare-Kulturore Shqiptare “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës,  është bërë traditë që çdo fundviti të përkujtohen figurat e mëdha të letrsisë dhe  artit tone tonë kombëtar. Kështu edhe këtë vit, vëmendja u përqendrua te 100-vjetori i lindjes së luftëtarit idealist dhe shkrimtarit të shquar, Petro Marko. Përgatitjet kishin filluar me kohë. Ishte porositur riprodhimi i smadhuar i portretit, punë e bashkëshortes së tij piktore, Safo Marko. Ishte përgatitur edhe një dokumentar, nga jeta dhe vepra e këtij shkrimtari të madh,  nga nënkryetari i Shoqatës, Bujar Gjoka etj. Koleksionit të Shoqatës, ndërkaq, iu shtuan edhe dy portrete të  tjera të njerëzve të shquar të penës, ai i Migjenit dhe I Dritëro Agollit, dhuratë e Androkli Kokthit, nga Tirana. Pak para fillimit të veprimtarisë, nga Virxhinia mbërriti miku ynë i palodhur, shkrimtari dhe veprimtari i njohur atdhetar, Petraq Janko Pali.

Takimin e hapi kryetari i Shoqatës, z.Sadik Elshani. Ndër të tjera, ai tha se këtë herë takohemi për të nderuar njërin nga shkrimtarët dhe intelektualët më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Nderojmë njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar, Petro Marko. Ai është një rast i rrallë, ndoshta dhe i vetmi yni, ku njeriu dhe shkrimtari janë shkrirë, janë bërë një. Jeta u bë vepra e tij dhe vepra u bë jeta e tij. Emrit të tij, shkrimtar dhe intelektual, i shkojnë shumë epitete: i madh, i talentuar, modern etj. Por epiteti më domethënës, që mishëron veprën e tij dhe atë si njeri, është: I dashur. Lexuesi, që shijon veprën e tij, e adhuron atë dhe shkrimtarin, sepse në çdo faqe, në çdo rresht dhe në çdo fjalë është shpirti i tij i pastër, i gjërë dhe i çiltër, është dashuria për jetën, për njeriun.
Midis të tjerash, z.Elshani nderoi edhe kujtimin e dy figurave të shquara të kulturës sonë, që kanë 100-vjetorin e lindjes, atë të prozatorit, kritikut, leksikografit, Vedat Kokona dhe shkrimtarit, filozofit dhe profesorit të nderuar të bashkësisë shqiptare-amerikane, Isuf Luzaj.

Duke mbyllur fjalën e tij, z.Sadik Elshani përshëndeti edhe dy antarët e Shoqatës, që këtë vit dolën me botimet e tyre, z.Hatem Dervishaj, me vëllimin me tregime, “Eremiti” dhe z.Hysë Hasa, me librin “Mes shokëve, në shërbim të Atdheut”, i cili dhe u përurua në kryeqytetin Tiranë, disa kohë më parë.
Pas fjalës përshëndetëse, e mori fjalën z.Llazar Vero, që foli më gjerësisht për jetën dhe veprën e Petro Markos. “Është e vështirë të përmbledhësh në disa pak faqe jetën dhe veprën e tij. Ai jetoi, krijoi e luftoi sa për 100 njerëz dhe vuajti ende më shumë. Të gjitha për një qëllim të vetëm, për mbrothësinë e Shqipërisë, për ta parë atë një vend të lirë, të zhvilluar dhe të mbushur me dashuri njerëzore. Për të gjitha këto, ai i afrohet përmasave të një figure madhore kombëtare, që duhet nderuar dhe respektuar brez pas brezi. ” – tha ai, në hyrje të fjalës së vet.  Por më bukur e ka përcaktuar vetë Petro Marko jetën e tij : “Ditën që linda unë, / planeti ishte në furtunë! / Ditën që rrojta unë, /planeti ishte në furtunë! / Ditën që vdiqa unë, / planetin e lashë në furtunë!”.

2.

Petro Marko lindi në nëntor të vitit 1913, në  Dhërmi të Himarës, në “fshatin më të bukur në botë”. Vitet e para të shkollimit i kreu  po atje. Pastaj e shohim në Shkollën Tregtare të Vlorës, që ishtë për kohën dhe vendin tone, si një universitet. Aty u edukuan  me frymën atdhetare, të  atyre viteve: ekonomistë, gazetarë, luftëtarë dhe udheheqës te shtetit të ardhshëm. Gjatë viteve në Shkollën Tregtare, Petro shkroi poezitë dhe artikujt e parë në shtypin e kohës. Në to spikatin atdhedashuria e  revolta ndaj padrejtësive. Ky ishte pagëzimi i parë i tij në këto fusha, të cilave u qëndroi besnik përherë, me një vetëmohim idealisti, luftëtari, krijuesi dhe intelektuali të përkushtuar. Gjithë jetën, ai do ta kujtonte me respekt të veçantë gazetarin e shquar të atyre viteve, Branko Merxhanin, me të cilin bashkëpunoi në revistën e tij, “Përpjekja Shqiptare”, një nga më përparimtaret e kohës. Më vonë, do të shkruante edhe për organe të tjera të shtypit të kohës, si “Ora” dhe “ABC”. Për shkrimet e tij kritike, ndaj regjimit të kohës së Zogut, ai u burgos disa herë. Kështu, nisi për Petro Markon kalvari i vuajtjeve, burgimeve dhe internimeve, që kanë një shtrirje të gjerë  në kohë, në vende dhe në sisteme të ndryshme politike.
Ishte ndër të paktët shqiptarë, që e konkretizoi kundërshtimin e hapur  kundër fashizmit dhe padrejtësisë, qysh me Luftën e Spanjës, në vitin 1936, pjesëmarrës në brigatat ndërkombëtare të luftëtarëve të lirisë. Në Spanjë, ai ishte gazetar, luftëtar dhe komisar kompanie. Këtë luftë e vazhdoi për disa vite me radhë, në Francë dhe në Itali, kundër nazizmit gjerman,  luftëtar, organizator dhe udhëheqës, në ndihmë të shokëve të tij të betejave e idealit dhe të çdo bashkatdhetari ose bashkëluftëtari të lirisë. Janë tetë vite lufte dhe vuajtjeje, si rrallëkush luftëtar i lirisë, në Luftën e Dytë Botërore. Petro ishte një luftëtar europian i lirisë, demokracisë dhe përparimit. Pra, edhe në ditën, kur Shqipëria do të futet zyrtarisht me Europën e Bashkuar, ai do të jetë aty, në radhë të parë.

3.

Petro Marko kthehet në Shqipëri disa muaj para çlirimit të vendit nga nazizmi gjerman. Eshtë i mbushur plotë ëndërra. E caktuan kryeredaktor të gazetës së vetme të përditshme të vendit, “Bashkimi”, e cila i kishte rrënjët që më 1908 dhe që u rishfaq përsëri, në mars të vitit 1943, organ i Frontit Nacionalclirimtar të Shqipërisë. E filloi punën me zellin dhe pasionin e gazetarit, artistit dhe idealistit të papërkulur. Pasqyronte hapat e para të një shoqërie të re, që po ngrihej me mundime. Petro  drejtonte, redaktonte dhe shkruante vetë përditë për hallet e popullit. Gazeta “Bashkimi” e atyre viteve është një thesar i gazetarisë dhe historisë shqiptare të asaj kohe. Aty gjenë  jetën e vendit, të pasqyruar me vërtetësi, profesionalizëm dhe kulturë, mëson për hallet dhe gëzimet, proceset e plota nga gjyqet ndaj kolaboracionistëve të pushtuesve dhe fjalimet e udhëheqësve të Shqipërisë së re.  Kur ambasadori jugosllav në Tiranë i sugjeron Petro Markos, që ta bëjnë gazetën “Bashkimi”, si gazetën  ‘Borba” të Beogradit, shpirti atdhetar i bregasit shpërthen dhe i thotë: “Përse mos ta bëjmë “Borbën” si “Bashkimi”,  pasi ky organ është më i vjetër se “Borba””? Ambasadori u thartua nga kjo përgjigje dhe u ankua tek udhëheqësit e vendit, për këtë gjë. Ishte koha, kur rruga për në Moskë  kalonte nga Beogradi. Pastaj, ai shoqëroi disa gazetarë perëndimorë e të tjerë përfaqësues të UNRA-s dhe u akuzua si bashkëpunëtor i tyre, kundër interesave të Shqipërisë. Por kjo gjë nuk u vërtetua edhe pas tre viteve burg, hetimeve  dhe torturave. Ndërsa,  të mendosh, se sa oferta kishte patur ai njeri nga shokët e luftës, në Itali, që u bënë edhe udheheqës të saj ose nga kushërijnjtë, në Greqi. Me asgjë nuk mund ta këmbente Shqipërinë Petro, me gjithë vuajtjet dhe mundimet e mëdha, që padrejtësisht  i dha ajo. Ai qëndroi deri në fund e i shërbeu dhe i shërben Atdheut e popullit të vet. përtej jetës së tij, të djalit që ia burgosën, të gruas dhe vajzës, të dyja piktore. Megjithatë, ai nuk u thye.

Pak vite  pas daljes nga burgu i Tiranës, ulet dhe shkruan romanin “Hasta la vista”, kushtuar bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqëve të tij bashkatdhetarë, vullnetarë të lirisë, në Luftën e Spanjës. Jo pa vështirësi, por botimi i tij ishte një ngjarje në letërsinë shqipe, për pritjen e ngrohtë që iu bë nga lexuesit e sidomos nga të rinjtë dhe për vetë faktin, që ishte romani i parë i mirëfilltë i kësaj letërsie të re, pas dështimit të romanit “Çlirimtarët” të Dhimitër Shuteriqit.  Pas atij, boton librin “Qyteti i fundit”, që padyshim është romani i tij më i mirë. Ky ishte një sukses edhe për gjithë letërsinë shqipe. Është i pari roman modern i kësaj letërsie. Aty shquhet për një stil të ri së shkruari, për një temë origjinale, për një gjuhë të përpunuar artistike dhe kompozicion origjinal. Ky roman doli disa vite para romanit  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, por nuk pati atë jehonë dhe mbështetje, që pati ky i fundit.
Pa dashur të përmendi, një për një, të gjitha romanet e shkruara nga Petro Marko, të tërë me një ” biografi” të vetën krijuese dhe botuese, po ndalem vetëm te romani “Një emër, në katër rrugë”, që nuk e pa dritën e botimit, kur u shkrua, më 1972, pasi u kthye në karton pas shtypjes. Ai qarkulloi vetëm në vitin 2001, pra pas 29 vitesh. Shumë vepra të tjera të këtij autori presin në dorëshkrime.

Petro Marko botoi edhe disa romane të tjerë, si “Stina e armëve”, “Ara në mal” e “Nata e Ustikës”, por kryeromani i tij ose romani “sa për 100 romane” mbetet  “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetëveten), një jetëshkrim i letrarizuar i tij.  Ka jetë, ka vërtetësi, ka dhimbje dhe dashuri, në faqet e tij. Aty është Shqipëria e shekullit të kaluar. Ashtu, siç ishte në realitet. Eshtë një rrëfim i veçantë dhe i sinqertë, para historisë. Ky libër pasuron bibliotekën shqiptare dhe bibliotekën e çdo shtëpie, pasuron çdo njeri që e lexon, e bën më të mirë dhe më të mënçur.
Petro Markon e deshën, në të gjitha trojet shqiptare, njerëz të thjeshtë dhe krijues e studies. Por vetëm në Kosovë u botua vepra e plotë e tij, prej nëntë vëllimesh. Kjo u bë e mundur nën kujdesin e kritikut dhe studiuesit Ali Aliu dhe u shoqërua me një parathënie – studim të akademikut Rexhep Qosja. Krijuesit kosovarë e deshën dhe e respektonin shumë Petron, për atë ç’ka ai kishte bërë, njeri dhe krijues; e deshën sinqerisht, se ishte gazetar I  talentuar, poet e romancier, luftëtar dhe idealist i paepur.

Në vitet ’70-të, të shekullit të kaluar, në shtëpinë e tij, në Tiranë, vinin shumë krijues nga Kosova, si Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Ali Aliu, Rexhep Qosja dhe të tjerë. Lidhjet e tij me burrat e Kosovës zinin fill që në vitet ’30-të, kur u njoh me Asim Vokshin, në Gjirokastër. Nëpërmjet tij, u njoh edhe me Bedri Pejanin e Ali Kelmendin. Pastaj ishte Lufta e Spanjës, që e lidhi me shumë bijë të Kosovës, si me  Emrush Myftarin, Xhemal Kadën, Justina Shkupin, Shaban Bashën e të tjerë. Kjo lidhje, kjo dashuri dhe respekt vazhdon edhe sot.
Në Tiranë e kudo në Shqipëri, ai kishte shokë e miq, po unë do të veçoja dy poetët e shquar, Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun, që  e donin dhe respektonin atë, në mënyrë të veçantë. Kishin të tre diçka të përbashkët: talentin, por edhe guximin, sinqeritetin dhe dashurinë për popullin. Kishin të tre diçka të përbashkët: kishin Vlorën, Detin Jon.

4.
Në fund të fjalës së tij, z.Llazar Vero, përsëri, pyeti auditorin: “Kush ishte, pra, Petro Marko?” Dhe përgjigjen e gjeti tek fjalët e tij: “Kam shkruar dhe përsëri, sa të kem frymë, do të shkruaj, po me atë entusiazëm të Petros, idealist të viteve të rinisë e të luftës dhe qëndrimi im do të jetë gjithmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial, që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndërrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufinj telash me gjëmba horizonteve të lira” -Ky është Petro Marko.

Më tej, në këtë takim, sekretari i Shoqatës, z. Vlashi Fili, lexoi  motivacionin e Çmimit “Carlo Levi”, që iu dha para pak kohësh, Dritëro Agollit dhe letrën, që shkrimtari ynë i madh  i dërgon jurisë së edicionit XVI, të Çmimit Kombëtar për Letërsinë në Itali.  Ndërsa z.Sadik Elshani  lexoi një përshendetje, që kishte ardhur nga Tirana, nga miku i kësaj Shoqate, profesor Murat Gecaj, publicist e studiues. Duke e përgëzuar këtë Shoqatë edhe për këtë veprimtari kuptimplote, ai shprehte respektin dhe falenderimin për nderin, që i bëhet në këtë tubim emrit, jetës e veprës të shkrimtarit dhe intelektualit të paharruar, Petro Marko.
Veprimtaria vazhdoi, pastaj, me dokumentarin kushtuar  kujtimit të Petro Markos, përgatitur nga Bujar Gjoka, me materiale të regjistruara nga burime të ndryshme.
Dhe, si perherë,  erdhi koktejli tradicional i Shoqatës, që këtë herë pati  më shumë peshën e djemëve të Librazhdit, të mirë dhe punëtorë të palodhur, që i shikon në çdo veprimtari  bashkë, si shokë e miq të pandarë. (E dergoi ne DIELLI: Bardhyl Selimi)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bijte e shqipes, filadelfia, Llazar Vero, Petro Marko

Fillimi i zgjimit- A eshte ky zgjimi?

November 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Gani Qarri/

Zgjedhjet e fundit komunale sikur sollën një shenjë ogurmirë edhe për shqiptarët. Sado që edhe kjo ndodhi më tepër fal presionit të përditshëm publik-vendor e ndërkombëtar, për më tepër se një muaj rresht i cili përsëritej orë e çast në të gjitha mediat,megjithatë këto votime na bëjnë të shpresojmë se edhe zgjimi politik i qytetarëve të Kosovës më në fund ka filluar.

Kësaj radhe,ndërkombëtarët vërtetë patën një porosi të çartë,gati si një kërcënim ultimativ, se nëse dështojnë edhe këto zgjedhje me Kosovën nuk do të fillojnë bisedimet për liberalizim dhe ajo do mbetet edhe në të ardhmen e izoluar.

Ndaj brengosë fakti se si edhe sot e kësaj dite, në mënyrë të vazhdueshme dikush nga jashtë duhet të bëjë kujdestari për shqiptarët dhe përherë  t`ua përkujtojë atyre rregullat dhe standardet e votimit,pasi që këta vet ende nuk e kanë kuptuar plotësisht mesazhin e votës së lirë dhe ndershmërinë në zgjedhje.

Edhe pas më tepër se 15 vitesh në liri,shqiptarët sikur e parapëlqejnë frikësimin dhe përmbahen nga sjelljet e dënueshme vetëm atëherë kur ka paralajmërime për gjykim dhe ndjekje penale në mënyrë që të mos veprojnë kundër ligjit dhe tjetërsimit të votës së lirë.

Por,përkundër të gjithave, secili votues në vend, më në fund duhet ta kuptojë se kjo ishte në të mirën e tyre dhe banorëve të Kosovës. Me këtë akt dhe përmbajtjen ndaj ligjit, populli shqiptar, qoftë edhe pa vetëdijen e një pjese të njerëzve që vazhdimisht janë marrë me kurdisje të të gjitha llojeve, vjedhje votash dhe dallavere zgjedhore për nxjerrjen e “fituesit” me porosi, le të besojmë se në këto votime, ka nisë një proces i zgjimit.

Ky sinjal i shumëpritur,mund të konsiderohet si fillim i rrëzimit dhe përmbytjes përfundimtare të nepotizmit si dhe zëvendësimi i “jaranisë” pushtetare me  vendosjen e cilësisë në politikën e Kosovës.

Pra,si në fshatra edhe qytete të vendit,ka ardhur koha që asnjë banorë të mos pranoj as lejoj të diktohet dëshira e tij, se si dhe për kënd duhet të votoj.

Vota,është pasuri personale e secilit, pjesë e karakterit të tij njerëzor dhe arma më e fuqishme demokratike për ndryshime në cilindo vend.

Në shtetet e zhvilluara, ajo (vota) cilësohet edhe si krenari e votuesit, të cilën ai nuk e fal as shet për asnjë çmim. Ndaj, sot edhe në Kosovë pa pajtimin paraprak të votuesit për tjetërsim vote, nuk guxon askush ta keqpërdor vullnetin e tij zgjedhor, apo ndërroj vendin dhe ndryshoj kahen e votës, sipas diktimit të matrapazëve.

Shqiptari nuk duhet lejuar veten në asnjë mënyrë që edhe më tej të shërbej vetëm si makinë votimi dhe fabrikë për mbushjen e kutive rezervë të partive politike me vota të blera, të shitura apo të manipuluara, nëse mendon për një të ardhme më të mirë për vete, familjen dhe pasardhësit.

Në Zvicër e cila ka rreth 8 milion banorë,me 26 kantone,katër gjuhë zyrtare dhe rreth 22-23 % të huaj, për çdo vit mbahen nga 5-6 apo më shumë votime edhe për gjërat më elementare në Komuna dhe Kantone, por nuk mbahet mend as para njëqind vitesh, të ketë ndodhë vjedhje apo keqpërdorim vote ngjashëm me këto që sot ndodhin në vendet tona.

Ndaj paramendojeni të gjithë,se po të ktheheshin edhe këtu zgjedhjet në pazar për shitblerje  votash dhe arenë dallaveresh zgjedhore siç ndodhë hapur tek ne,çka do të kishte ndodhë qysh moti me këtë shtet të “vogël” ekzotik.

Ndoshta ajo do ishte zhdukur që moti nga harta e Evropës dhe do ekzistonte e trajtuar vetëm si shkrim në analet e Historisë, se dikur dhe një kohë na ishte një herë një vend dhe një shtet me këtë emër.

Përkundrazi, në këtë vend çdo herë votohet pa ndërhyrje grupesh dhe partish, votohet në mënyrë të lirë dhe të pavarur,pa  ndikime banale të kujtdo qoftë – anash,skajesh apo qoshesh të rezervuara për ndikim dhe bindje njerëzish se kujt duhet t`ia falin apo shesin votën e tyre.

Këtu votohet pa premtime parash nga prijësit partiak, vendëpunimesh e postesh nga kandidatët, pa ndërmjetësim të njohurish, familjesh e fisesh,ndaj kjo Oazë Evropiane, për qindra vite, ka udhëheqje të ndershme e transparente si rrallë ndonjë shtet tjetër në Botë

Edhe në vendet tjera të zhvilluara perëndimore, gjithsesi votohet vetëm sipas bindjeve personale nga secili,ndaj me të drejt zgjedhjet konsiderohen KRENARI, për të gjithë këta popuj,tek të cilët është e pamundur të vijnë në pushtet njerëz të haraçit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç vijnë në udhëheqjen e vendit tonë,kryetar komunash, ministra dhe qeveri të dyshimta,apo të katapultohen grupe të rrezikshme,të cilat mbetjen e tyre në qeverisje e sigurojnë me zhvillimin e hajnisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra,le të marrim këta shembuj të mirë nga këto shtete e popuj,dhe ta kuptojmë se ka ardhur koha që më në fund edhe shqiptarët ta ndiejnë veten të fyer, nëse me votat e tyre të blera ,të shitura, të vjedhura apo të manipuluara, (quani si të doni), në krye të vendit dhe poste ministrash, vendosen kriminel, diletant të korruptuar apo edhe hajna me precedencë penale,disa prej të cilëve vazhdon ti ndjek drejtësia e disa edhe pse bënë sikur i ka dënuar, vet ua hap dyert e aeroportit dhe pikave kufitare,që ata të veshur mirë, me kravata e kostume  të shtrenjta,të dalin si zotërinj  të “nderuar” sa më të lirë dhe komod jashtë vendit.

Ndaj,ka ardhur koha që të kuptohemi si njerëz,mirë dhe drejtë në mes vete, se në demokraci nuk përdoret lufta për ndërrim pushtetesh. Janë zgjedhjet e lira ato,dhe vetëm votuesi është ai që bënë ndryshime. Ndaj, nëse ju vërtet dëshironi ecjen përpara, mos lejoni që falë votës tuaj edhe më tej të zgjasë kjo gjendje e pa shpresë.

Populli ynë dhe elektorati shqiptar në përgjithësi, nuk guxojnë të pranojnë që halli i tyre gjithmonë të nëpërkëmbet nga secili vagabond, nuk janë aq të dobët sa të heshtin për gjithçka dhe as nuk duhet të ndjehen kaq të pafuqishëm për të mos vepruar kundër asnjë prapësie. Përkundrazi, ata i`a kanë borxh vetes familjes dhe fëmijëve të tyre që të ngrihen dhe reagojnë me vendosmëri para të gjitha padrejtësive që u bëhen.

Është vërtetë e çuditshme se si ende, vetëm diplomatët perëndimor me kërcënimet e tyre, arrijnë të parandalojnë manipulimet zgjedhore dhe vjedhjen e votave në vend, sikur të mos kishte as sot elektorat të vetëdijshëm në Kosovë.

Mjerisht, poçe-se edhe më tej vazhdojnë sjellje si këto, sado e dhimbshme që mund të tingëllojë, kjo dëshmon edhe një herë më tepër se shqiptarët vërtetë janë shumë mbrapa në kohë dhe kanë një problem të madh me civilizimin bashkëkohor.

E,nëse ata vazhdojnë ti lejojnë vetes një “komoditet” të tillë, që asnjëherë të mos reagojnë vet por këto t`ua lënë gjithmonë të tjerëve, atëherë është plotësisht e kuptueshme se pse për të satën herë, vetëm Kosova dështon në rajon, për të dal nga izolimi dhe nuk arrin liberalizimin e vizave me BE-në.

Në fakt kjo është edhe një fyerje e rëndë për elektoratin dhe të gjithë shqiptarët kudo, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk janë në gjendje vet ti zgjedhin problemet e veta, gjithmonë presin që punët e tyre t`ua rregullojnë të tjerët,dhe çdo herë kënaqen gjatë dhe pafund, poçe-se halli i tyre,vetëm bënë sikur qahet nga të huajt. A nuk u duket se u bë mjaft më ,a nuk mendoni se është koha të zgjohemi vet,edhe sa do të presim dhe deri kur kështu?!

Cyrih,   Nëntor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: a eshte ky zgjimi, Gani Qarri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5085
  • 5086
  • 5087
  • 5088
  • 5089
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT