• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Armët kimike nga Siria e largët…

November 9, 2013 by dgreca

Nga Zaim Kuçi /      

 Shumë vite më parë Gjenerali MacArthur do të shkruante për Amerikën shumë miljonëshe «Unë jam i shqetësuar për sigurinë e kombit të madh, jo aq shumë për shkak të ndonjë çështje nga jashtë por për shkak të forcave tinëzare që punojnë nga brenda ».

Në se vlerësohen konfliktet e sotme të kudondodhura në botë, ato kanë për bazë dhe vijnë nga shkaktarët e kësaj dhënie të shumë viteve më parë.

Le t’i kthehemi problemit të armëve kimike siriane që ka përfshirë tashmë politikën globale për shkatërrimin e tyre.

Tashmë është hedhur në tavolinë shkatërrimi i tyre jashtë territorit sirian, kjo vetëm për masa sigurie dhe është projektuar një nga shtetet “bamirëse” për këtë operacion dhe RSH me motivacionin se RSH mbështet gjitthmonë aleatin e saj strategjik SHBA dhe duke i shtuar dhe opinionit se ka experience për të bërë këtë operacion. Personalisht, mbetëm vërtet në të parën opsion, të ruajmë aleatin tonë strategjik, por….

Në këtë situatë diskutimesh shtrohet pyetja, a ka skenarë të tjerë për të kryer këtë operacion luftarak?

Për një hapësirë diskutimi, sjell si fakt se, e përgjithshmja e shteteve është se armët kimike janë pjesë të kompletit luftarak të forcave të armatosura, madje me sasi dhe fuqi më të mëdha se këto të Sirisë. Shtrohet pyetja, cili organizëm sigurie botërore do të sigurojë që nesër nuk do të ketë lëvizje popullore në ndonjë shtet tjetër siç po ndodh në Siri? Dhe se, këto armë kimike të këtyre shteteve prapë do kërkojnë terren jashtë kufijve të tyre? A do të ketë zgjidhje të paramenduar nga organizmat botërorë të sigurisë për këtë problem global?

Nesër mund t’i vijë radha dhe Koresë së Veriut, e cila udhëhiqet nga një diktator që kërcënon hapur superfuqinë, SHBA me deklarata absurde për përdorimin e këtyre armeve madje më të rrezikshme se ato siriane (nuklerare). Ky vend është tejvarfëruar dhe nuk është çudi që të ketë edhe lëvizje të tilla të brendshme. Po nuklearet iraniane… po Egjypti i trazuar… e të tjera shtete që janë të tejngopur me armë kimike dhe janë në konflikte të brendshme? Në botë ka zhvillime, paqëndrueshmëri, pasiguri që padyshim kërkojnë angazhimin e organizmave botërore të sigurisë të veprojnë duke parashikuar shmangien për përdorim të lëndeve kimike me ligje imponuese për shtetet bartëse të këtyre armëve që mund të përfshihen nesër në konflikt.

Le të vlerësojmë situatën në konfliktin sirian. Për më shumë se dy vjet në këtë vend ka një luftë të tmerrshme, kaotike dhe e dhunshme. Kuptohet se depot e këtyre armëve janë po në këtë vatër lufte që prej dy vjet. Aq sa jam në dijeni, as dhe një armë kimike nuk është tentuar të përdoret nga forcat të opozitës apo rebele. Atmosfera e helmuar është vepruese, vdekjeprurëse, si për forcat e regjimit dhe për ata që kërkojnë ta rrëzojnë atë, por dhe për terroristët. Është ky argument i mosprekjes të tyre. Është konstatuar se këto armë janë përdorur vetëm nga regjimi dhe jo nga forcat e tjera. Në situatën “sot” largimi i këtyre armëve nga toka siriane do të organizohet nga përdoruesi i këtyre armëve, presidenti i sirianëve, me argumentin mungesë “sigurie” në vendin e tij, që kupton ka kohë për veprim më të arsyeshëm.

 

Në analizë të situatës shtrohet pyetja a ka alternativë për një shkatërrim të armëve kimike në territorin sirian? Sipas meje është e mundshme, madje do të thoja më e pranueshme, më pak e rrezikshme dhe më pak e kushtueshme.

Në mbështetje të opsionit të shkatërrimit të armëve kimike në territorin sirian, le të analizojmë situatën ashtu siç është. Fakti që këto armë nuk kanë qënë target për “luftëtarët” e dy palëve por janë përdorur me urdhër dhe se ato janë ruajtur me forca të shtetit sirian, sigurisht në situatë edhe më të vështirë dhe për më keq këto forca ruajtëse nuk kanë ose nuk janë të kompletuara me mjete mbrojtëse të nivelit të lartë. Kjo eksperiencë e deritanishme të afron opsionin se këto armë mund të vazhdojnë të ruhen në këtë territor, të demontohen, të groposen aty duke rritur dhe rivlerësuar masat e sigurisë në zonën e veprimit, të përforcuara me armatim dhe logjistikë të sofistikuar. E rëndësishme është marrja e vendimit për shkatërrim të tyre.

Faktori kohë për stabilizimin e situatës. Organizmat ndërkombëtare po bëjmë përpjekje që kjo situatë të marrë fund, për më tepër të dy palët janë të konsumuara dhe të tejlodhura, duket se po kërkohen rrugë negociata, aq më tepër që kemi të bejmë me një konflikt të brendshëm dhe se nuk do të jetë vonë zgjidhja siriane.  Koha për të shkatërruar këtë arsenal llogaritet dhe dy vjet. Në rastin e shkatërrimit në Siri, atëherë le të pritet ndoshta deri në një përmirësim apo stabilizim të situatës dhe më pas të fillojë demontimi.

Faktori terren. A ka mundësi që Siria të bëjë këtë operacion? Sigurisht që po. Hapësira siriane është shumë herë më e madhe se sa e shteteve që mendohen të futen në këtë rrezik të shtuar. Në Siri gjenden territore periferike që nuk janë përfshirë në luftën civile.

Faktori transport strategjik. A është parashikuar që, gjatë transportit të tyre mund të ketë aksidente të vet karakterit të natyrës dhe teknike si gjatë fluturimit dhe navigimit dhe kush do të mbajë përgjegjësi për viktimat e pafajshëm të këtij aksidenti qoftë dhe të pavullnetshëm.

I ashtu vlerësuari Faktori ekonomi. Me një Siri të shkatërruar nuk do të ishte më mirë që vet sirianët të angazhoheshin në këtë operacion për përfitime ekonomike (siç gjoja për vendin tonë jepet opsion se fitojmë ekonomi).

 

Si mund të realizohet Skenari i shkatërrimit të armëve në Siri.

 

Do ta dëshiroja dakordësine e shteteve elitë apo dhe të organizmave të sigurisë për një transportim, magazinim, demontim dhe ruajtje të armëve kimike në vende të sigurisë brenda territorit sirian me forca dhe mjete të këtyre shteteve dhe ato siriane.

Në se në Irak, Afganistan dhe në vende të tjera u përdorën mjete të shumta dhe më shumë se 100 mijë trupa, në Siri për të kryer këtë operacion nuk duhen më shumë se forcat e një brigade të përforcuar. Forcat e ruajtjes të vendeve kontribuese të këtij objekti do të konsiderohen si forca në luftim, pra do të marrin risk por ato do të jenë më pak të riskuar se forcat luftarake në Mali, Afganistan, Irak etj. Shpallja e zonës, e përcaktuar për këtë objekt si “zonë e ndaluar mbrohet nga OKB” apo ndonjë organizëm tjetër, do të minimizojë veprimet terroriste ndaj kësaj zone. Ruajtja strategjike e këtij objekti të rëndësisë së veçantë e skalionuar, blinduar nuk do të jetë objekt sulmi i terroristëve, me argumentin bindës se tashmë kjo alternativë është e vërtetuar që prej më shumë se dy vjetësh, objekti i të cilit mbrohet  dhe sigurohet vetëm nga forcat siriane.

Për më tepër, për këtë operacion janë parashikuar forca sigurie nga vendet e angazhuara, të cilat do të përdoren për transportimin e armëve kimike jashte territorit sirian si dhe do të organizojnë ruajtjen e objektit në vendin pritës deri në shkatërrimin e tyre. Jam i mendimit se grupet terroriste më lehtë do të veprojnë në ato vende ku do të bëhet depozitimi i tyre se sa në Siri, me arësyetimin se grupi terrorist do të veprojë në gjirin e popullatës, kështu ai bëhet më diskret për të vepruar.

 

 

 

Skenari i shkatërrimit të armëve kimike jashtë territorit sirian

 

A duhet që RSH të bëhet pjesë e këtij skenari? Personalisht mbetëm në atë që përveç se  RSH mbështet gjitthmonë aleatin e saj strategjik SHBA, që jam pro, asgjë nuk e detyron RSH të angazhohet, qoftë ky humanitar (RSH duhet të humbase dhe të sakrifikojë për humanizmin sirian) dhe aq më keq se vlerësohemi se kemi experience për të bërë këtë operacion.

RSH nuk është aspak në pozicionin e favorshëm gjeostrategjik për këtë kontribut të servirur sipas meje aspak nga Nato_ja ku aderojnë 28 vende me ekonomi më tepër të zhvilluar, gjeografikisht më afër se RSH me Sirinë dhe me eksperiencë demontimi më të avancuar se vendi ynë, apo nga një organizëm tjetër sigurie. OKB ligjërisht drejton operacionin. 

Nato-ja ndjek e shqetësuar zhvillimet në Siri por deri tani nuk ka as dhe një angazhim për të ndarë me vendet e saj. Janë organizmat e tjerë në proces vendimarrje. Çështja siriane duket se po kalon më shumë në dakordësinë e superfuqive SHBA-Rusi- Kinë, se sa një çështje organizme sigurie botërore, në këtë dakordësi shtetesh politika shqiptare duhet të mirëpozicionohet, është një mundësi për t’ju shmangur ndoshta një katastrofe të pritshme.

Edhe në se do të vlerësohet një operacion i Nato-s, RSH nuk ndodhet në zonën e mundshme për mbështetje logjistike, është larg vendit të objektit. Janë disa shtete të tjera më pranë objektit si : Itali, Turqi, Greqi, Bullgari, pranë konsiderohet dhe shtete të tjera evropiane si me rrugë detare dhe ato ajrore etj.

Nuk mund të përkrahet inisiativa ruse e cila edhe pse ndodhet gjeografikisht më pranë Sirisë dhe ka hapësira të pafundme, madje dhe të lira dhe eksperiencë të madhe demontimi pasi këto armë janë të prodhimit rus, ia faturon këtë operacion një vendi të vogël si psh vendi ynë.

Për një parapritje edhe të supozuar, RSH i duhet një studim për një vlerësim të propozimit të pritshëm duke përfshirë elementë nga vlerësime strategjike deri në ato rutinë për pritjen, shkatërrimin dhe groposjen e lëndëve kimike.

Në rastin e supozuar sipas meje, procesi i demontimit të këtyre armëve kimike, vlerësuar në sasi dhe në përbërje kimike janë krejt ndryshe nga lëndët helmuese luftarake shqiptare, ato kërkojnë hapësira të mëdha dhe të papopulluar. Në se shikojmë hartën e popullimit të RSH, ajo është e tejngopur e kudopopulluar.

RSH nuk ka më territor të lirë, hapësirë demontimi (për parrezikshmëri duhet 20-30 km hapësirë bosh), civilizim të shoqërisë (rasti Gërdec), varfëri dhe pamjafueshmëri njohurish për këto armë të reja. RSH vlerësohet si një vend ujor, që kupton, rrjeti i burimeve nënujore  është premisë kontaminimi.

Të shprehesh se RSH ka eksperiencë për demontim, kjo është pavertetësi. Po Turqia dhe Italia e të tjera vende, afër këtyre armëve, që kanë ngritur me kohë sisteme demontimi, nuk e kanë fituar eksperiencën e duhur? Armët kimike siriane janë të pas viteve edhe 2000 tepër të rezikshme, shumëllojshme, ndërsa ato shqiptare datojnë pas viteve 60-të me efekte më të dobëta vepruese pasi kishin humbur vetitë kimike, për më tepër specialistët tanë edhe për këto arme u stërvitën nga të huajt.

Shtetet me potenciale radioktive-kimike më të fuqishme, herë herë demontojnë sasi të mëdha të armëve bërthamore, kimike (më të fuqishme se ato siriane) të cilat kanë mbushur vitet në shërbim, pa llogaritur, termocentralet, uzinat të prodhimit kimik, bërthamor/nuclear etj. të cilat dalin nga shërbimi.

Vendet prodhuese dhe poseduese të armëve të dëmtimit në masë, kanë marrë masa të forta sigurie të përhershme në zonat ku kanë prodhuar dhe kanë bërë demontimin e tyre, ato janë apo konsiderohen zona të vdekura për këto shtete.

Do të ishte rast më i pranueshëm që t’u shtohet dhe kjo sasi lëndë kimike siriane, demontimi dhe groposja në këto vende të sigurisë së lartë, ku infrastruktura është e ngritur, moderne dhe e sigurisë së lartë.

Do të shtoja për vendimmarrësit edhe efektin emotiv, psikologjik, opinionin e pasigurisë që tashmë egziston tek ne shqiptarët, pasi pak kohë më parë ne prodhuam një luftë me këtë demontim. Përzgjedhja e largët (RSH), duke kaluar shume shtete aleate, tejmediatizimi nga shtypi më prestigjioz botëror, hezitimi i shteteve që kanë hapësira të mëdha dhe eksperiencë disa herë më shumë se vendi ynë, ka një domethënie që realisht merr përmasa vlerësimi negativ me të drejtë prej shqiptarëve.

Në se aleatëve tanë strategjik u thuhet e verteta se RSH ka vullnetin e mirë por nuk plotëson standardin e kërkuar për pritjen, demontimin dhe ruajtjen e tyre, nuk ka zona të lira për hapësirën e kërkuar, për më tepër kemi tejngopje të ambientit me atë çfarë kemi bërë deri tani. Në këtë rast sinqeriteti ynë do të fitojë respektin e tyre.

“Gjithësesi”, ajo që i duhet kësaj kontrate është studimi racional nga një ekip i përbashkët specialistësh, shqiptarë dhe të Nato_s, për të vlerësuar mjetet tona të demontimit të përdorura në vitin 2007, të dhënat teknike dhe taktike të LHL -ve, me qëllim përcaktimi të venddemontimit dhe parashikimin e pasojave në rast aksidenti të pavullnetshëm apo në ndonjë rast sulmi terrorist ndaj kësaj depoje grumbullimi në vendin tonë (tashmë ne jemi një vend target sulmi i botës islamike për shkak të angazhimeve tona).

RSH konsiderohet si vend islamik dhe si e tillë duhen mirëpeshuar efekshmëria e ketyre armëve, masat e parrezikshmërisë në territorin tonë, groposja e tyre dhe efektet prapavepruese të masës apo lëndës kimike në vitet e ardhshme etj.

Vendimarrësit e RSH (në se u kërkohet) para se të vendosin për të këtë operacion, sipas meje luftarak, duhet të kenë të qartë se praktikisht, teknikisht është një operacion tepër i rrezikshëm deri në kufijtë i pamundur. Ky operacion nuk duhet ngatërruar me atë eksperiencë që ne krijuam gjatë viteve 2007-08,

Ai kërkon një punë dhe ekspertizë ndryshe, hapësirë dhe masa të tjera sigurie, duhen të tjerë specialiste me njohuri të lartë inxhinieriko- kimike- teknike. Vendimarrësit shqiptarë duhet të mirëllogarisin edhe procesin postdemontimit, pasi vëllimi i kërkuar për depozitim i mbetjeve duhet të jetë 2-3 herë më i madh se ai fillestar.

Ky arsenal kërkon të tjera procese pune, hapësirë demontimi ( deri 20 km e më shumë nga zona e populluar), groposje dhe ruajtje të sigurisë së lartë, makineri dhe pajisje të kohës që t’i përgjigjen llojshmërisë dhe rrezikshmërisë së lartë të tyre, ajo që mbetet problem shqetësues është aparatura filtruese dhe përgjegjësia për filtrimin e duhur të ajrit, kjo në aspektin mjete filtrimi modern dhe ndërgjegjësi qytetare. LHL “lozin” në atmosferë.

Më shumë se kaq, RSH duhet të vlerësojë dhe të përcaktojë një kohë zgjatje të konsiderueshme për procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik (transport), e cila kthehet dhe kjo një rrezikshmëri e madhe për vendin.

Shqipëria duhet të punojë për një plan veprimi për të marrë një pozicion të ri dominues, të favorshëm gjeostrategjik në rajon, me çmimin “Nobel” që tashmë e kemi marrë pikërisht për natyrën e bukur, kushtet klimaterike, me diversitetin e terrenit, me detet, liqenet, lumenjtë, kështjellat e bukura, duke i shtuar mikpritjes shqiptare që do të thithin turrizmin si lëndën e parë strategjike për zhvillimin ekonomik të RSH, të cilat kanë marrë kohët e fundit rrugën e shpresuar. Shtypi elitar botëror ka bërë komente dhe vlerësime të shumta për këto armë, gjë që memoria e njerëzve nuk do të humbasë lehtë opinionin se ky vend është i kontaminuar; edhe ky është një rrezik që duhet vlerësuar.

RSH i duhet e ardhmja e pastër, territori i së cilës ka filluar të pastrohet dhe të ecë.

Tirane, Nentor 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: armet kimike, shqiperia, Siria, Zaim Kuci

Reportazh : Një konferencë në Sofje (I)

November 8, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Kur ke kaluar disa herë në unazën e një qyteti të madh si Sofja, ndoshta mendoje se autobuzi do të hynte në qytet dhe kështu do të krijoje një ide më të qartë për të. Por ndodh që disa rregulla të komunitetit duhen respektuar dhe mjeti i udhëtimit nuk mund të kalonte përmes, pavarësisht dëshirave të zjarrta të udhëtarëve. Ndryshe do të shkelej një normë që do të kishte kosto të shumëfishtë. Por në mendje kisha udhëtimin e dytë, pasi nga dritarja vështroja qytetin e pafund që s’kishte të mbaruar. Të gjitha kryqëzimet të ngjanin me sheshe ku secila bënte jetën e vet, pavarësisht nga sheshi kryesor qëndror. Nuk ka dyshim që ka dallim, por edhe qendrat më të vogla kërkojnë të kenë jetë në ditët apo netët festive, duke e ditur mirë se vëmendja gjithmonë spostohet tek kryesorja. Njëlloj si në dallimet qendër-bazë, ku aksi i filluar nga baza të çon detyrimisht drejt qëndrës. Si kryeqytetet që janë qendra e madhe e gjallimit dhe lëvizjes së një kombi. E kanë këtë përparësi kryeqytetet, prandaj përqëndrimi i mendjes drejtohet për nga qyteti më i rëndësishëm. Nuk ka vend në botë që të mos i bindet kësaj aksome, ndonjëherë edhe pa dëshirë, edhe pse shumë ngjarje në historinë e kombeve mbajnë vulën e qyteteve që kurrë nuk e kanë patur këtë rol. Sofja nuk mund të bëjë përjashtim, prandaj ftesës për një konferencë iu përgjigja pozitivisht, me shpresën se do të realizohej ëndrra e mbetur pezull për një vizitë në të. Përgjigjia vonoi, por më në fund trokiti një mëngjes në adresën time të internetit. Disa gjëra kryesore që lidhen me qytetin ke mundësi t’i zbulosh më parë, duke ua hequr mundësinë surprizave të pakëndshme, veçanërisht kur je në vend të huaj. Ftesa thoshte shprehimisht se në datat 2-3 nëntor do të zhvillohej konferenca me tëmë Rishkrimi dhe variantet, me rastin e 90 vjetorit të krijimit të Katedrës së Romanistikës. Kur ditët e kryen misionin e tyre të afrimit, udhëtimi mori jetë në një itinerar tashmë të njohur për të gjithë shqiptarët: Tushemisht-Ohër e më pas nga Shkupi në Sofje. Tek stacioni i autobuzave të Ohrit mëson se ka linjë direkte deri në Sofje dhe kështu ditën e merr me nge. Disa ditë nëntori me diell dhe temperatura janë të pazakonta për ata që banojnë në zonat malore, prandaj mendova që të merrja linjën direkte, duke shijuar për orë të tëra buzë liqenit kënaqësitë që t’i jep vetëm një qytet bregdetar. Ohri ngjante me një qytet veror ku njerëzit përpiqeshin ta shfrytëzonin në maksimum këtë ditë të dhuruar gjysëmvere. Barkat dhe anijet e vogla nuk rreshtnin së vozituri mbi liqenin e qetë dhe plot shkëlqim. Aty nga ora 17.00 dielli kapërceu malin dhe muzgu po binte ngadalë mbi qytet. Nuk ka trishtim më të madh sesa kur një ditë e mrekullueshme që i drejtohet fundit.

Ora 19.00, autobuzi mori rrugën drejt Shkupit mes natës nën një qiell plot me yje. Qytetet kalonin në radhë njëri pas tjetrit dhe ndalesa e parë në Bigëll, për një pauzë të domsodoshme rigjenerimi. Dikush mori ndonjë kafe, ndonjë tjetër për të ngrënë dhe të tjerë në ritet e tyre të përditëshme, por që nuk ngjajnë kurrë deri në përputhje. Rreth orës 22.00 iu afruam Shkupit dhe të mahnit qëndra e tij historike e ndriçuar si për festë. Në një udhëtim një muaj më parë pashë nga afër të gjithë punën që bëhej për ta shndërruar qytetin në një qendër atraktive për turistët. Them me plot gojë se ia kanë arritur, pasi ngjan me një metropoli të vërtetë. Në qendër gërshetohet bukur në një stil antik historia e njerëzimit. Më kujtohet se në një bisedë me një shqiptar të Shkupit shkëmbyem këto dy fjalë : Ai-kush nuk e ka historinë përpiqet ta ndërtojë! Unë- kush e ka po e shkatërron! Dy fjali që nëse e mendon mirë përmbajnë në vetvete mesazhe të kthjellta për të gjithë.

Pas një qëndrimi të shkurtër edhe aty, më në fund rruga mori drejtimin e pakundërshtueshëm drejt Sofjes. Linja Galeb sillte risinë më të fundit, linjën e internetit në ëf, kështu që nuk ishe vetëm në një udhëtim disi të gjatë. Në doganën maqedonase u krye kontrolli rutinë i dokumentave dhe i bagazheve dhe më pas tek ajo bullgare. Kohëpritja e vendosur kur kalon nga vende të tjera drejt eurozonës u respektua me përpikmëri. Kjo ishte pengesa e fundit dhe më pas rruga kishte vetëm një ritëm. Sado që përpiqesha të flija, ishte e pamundur, sepse kërshëria ishte bashkëudhëtare e pandarë. Atu nga ora 5 e mëngjesit autobuzi u ndal tek stacioni dhe udhëtarët zbritën një e nga një. Në googleearth kisha parë se pranë ndodhej edhe stacioni i trenit dhe qëndra historike shtrihej pas tij. U nisa drejt tij për të pyetur sesi funksiononte trasporti për në qytet, por edhe të kalonin disa orë deri në agim. Në hyrje të tij mbeta i shtangur nga madhështia dhe bukuria e tij, edhe pse bënte pak ftohtë. Në orën 5.30 treni solli njerëz që edhe pse ishte e shtunë, nxitonin drejt punëve të tyre. Më pas nevojiten të holla në monedhën vendase dhe u drejtova për tek stacioni i autobuzave që ishte një tjetër befasi e këndshme: ngrohtë, njerëz, lokale dhe agjensi të shumta për destinacione të ndryshme në Europë.

Mëngjesi trokiti nën një mjegull të bardhë që të dukej se pritja nuk ishte komode. Tek informacioni një mesoburrë, tregoi të gjithë klasin e vet të mirësjelljes që të më ndihmonte. Më vuri përpara një hartë të qytetit dhe më tregoi të gjitha opsionet për të mbërritur tek Universiteti i Sofjes, Shën Klementi i Ohrit. Zgjodha rrugën më këmbë meqë nuk ishte larg: rruga e parë mbante emrin e mbretëreshësh, më pas vazhdonte e ndarë në dy pjesë me një përrua në mes dhe ura disa ura, për të dalë tek rruga e tretë që mbante emrin e një patrioti të madh bullgar. Qyteti dalëngadalë po merrte jetën normale të një dite plot qarkullim. U ndala para godinës së universitetit që të mahniste nga bukuria dhe në takimin e parë me një kolege të italishtes, mësova se kishte qënë rezidenca e carit, por për një çast i thashë se nuk e merritonte askush përveç dijes një ndërtesë të tillë.

Por surprizat nuk kanë fund në këtë fillimmuaji, studentët kishin bllokuar universitetin prej disa ditësh në shenjë proteste, por kishin garantuar një mabrëvajtje të konferencës. Tek dera e hyrjes nxorrën para një listë me disa faqe dhe pasi u thashë emrin, më lejuan që të hyja në territorin e saj. Dukej si një protestë tepër serioze, me një rregull të madh edhe brenda mjediseve të universitetit. Tek dera e dytë e hyrjes përsëri konfirmimi dhe hap pas hapi po zbuloja atë ndërtesë që dikur i përkiste një aristokrati që ishte në krye të vendit. I shoqëruar nga kolegia u ngitëm në sallën e amfiteatrit ku po bëheshin përgatitjet e konferencës. Më prezantoi me organizatoren e konferencës dhe drejtuesen e katedrës së romanistikës, së cilës i dhurova një suvenir me flamurin tonë, meqë jemi në muajin e festave të 28-29 nëntorit. Më pas dolëm për një kafe jashtë territorit të universitetit dhe takuam kolegë të tjerë të ardhur nga Greqia, Spanja, Italia për konferencën. Me të gjithë njihesha, pasi ishim takuar në konferenca të tjera në vende të ndryshme. Është një kënaqësi e madhe tek takohesh e ritakohesh në qytete të ndryshme të Europës dhe të kesh mundësinë të parashtrosh kumtesat dhe të diskutosh për temat në fjalë. Por kisha edhe një kënaqësi tjetër, pasi kisha lexuar se me Bullgarinë që nga koha e Ismalil Qemalit e deri vonë miqësia mes dy kombeve kishte një histori të pasur. Në Bullgari është botuar për herë të parë edhe Himni ynë kombëtar, por kemi qënë edhe miq në fatet tona gjatë viteve të Luftës së parë botërore. Tek Bullgaria shumë shqiptarë kishin gjetur atdheun e dytë si emigrantë politikë.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, Bullgari, reportazh

OPOZITA, ASNJE FJALE PER TRAGEDINE NE POGRADEC

November 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Duke u gdhirë 7 nëntor, mediat në Tiranë lajmëruan tragjedinë e rradhës në minierat e Shqipërisë. Kësaj here pranë Pogradecit dhe Librazhdit humbën jetën 7 vetë. Pesë djem të rinj nga 23-28 vjeç nga Familja Hamolli duke kërkuar skrap për të mbijetuar, ndërsa dy bij, prindër e bashkëshortë ikën prej kësaj bote nga kushtet mizerabël të punës.
Brenda ditës në Shqipëri u shuan njëherësh jetët e tre vëllezërve, të pesë kushërinjve – të shtatë shqiptarëve, kot së koti, pa patur shkak ndonjë sëmundje apo katastrofë, por sepse shteti nuk u siguroi asnjë kusht minimal për ta fituar bukën e gojës përmes punës me dinjitet. 
Merreni me mend, djem të rinj të mbushur me plot ëndërra, të cilëve shteti nuk u jep asnjë alternativë dhe u mbetet ose të emigrojnë, ose të kërkojnë skrap në miniera vrastare ose të bëhen trafikantë droge.
Në një vend normal, humbja e jetës e shtatë djemve e burrave do të mjaftonte që të uleshin flamujt në gjysmë shtize, sepse këta njerëz humbën jetën për faj të mungesës së shtetit. Ata nuk u vranë në Siri, as nëpër sheshet e Kajros, as në Irak apo Afganistan. Ata u vranë në Shqipëri, në një vend që rrezikon të degradojë plotësisht nëse nuk ulërijnë sirenat e alarmit për të ndërtuar shtetin ligjor, i cili ka si prioritet ndihmën për shtresën më në nevojë dhe vulnerabile, të atyre 400 mijë shqiptarë, të cilët sipas statistikave të INSTAT-it për 2013 mbijetuan me 59 $ në muaj! 
Ndërtoni një paralele midis kësaj shtrese që vdes për bukën e gojës apo që mban frymën gjallë me 59 $ dhe ktheni kokën për të parë klasën politike. Përpara 23 vitesh, ata e filluan me hiç, shihni sot pasuritë që kanë, ndërsa shtatë njerëz, djem të rinj, vdesin sepse nuk kanë bukë të ngopin barkun e uritur. Në një vend normal, kaq do të duhej që të ngriheshin më këmbë elitat, mediat, shoqëria civile për t’i shkundur politikanët, sepse fajtorë të kësaj gjendjeje të mjerë janë pikërisht ata. Ata që e patën pushtetin për këta 8 vitet e fundit, ata që e kanë patur pushtetin këta 23 vjet tranzicion.
Por asgjë. Askush nuk u shqetësua prej kësaj gjëme të rradhës. Nuk u ndryshuan axhendat, dita e tyre vijoi sikur në Shqipëri të mos kishte ndodhur asgjë. Opinionistët dhe anchormenët vazhduan sipas planifikimit, në orën e caktuar me politikanët e rradhës, të cilët i pyetën për gjithçka por jo rreth tragjedisë ku humbën jetën 7 njerëz, faji i të cilëve është vetëm sepse votojnë për një klasë politike të tillë mizerabël që nuk meriton assesi të drejtojë. 
Sot deri në mesditë bëra një hulumtim në rrjetin social të Facebook-ut për të parë se si është reflektuar tragjedia e 7 shqiptarëve. U fokusova në Facebook për të parë përgjegjshmërinë e opozitës shqiptare, sepse këtu është vendi ideal ku ata shprehin hipokrizinë e rradhës. Aq më tepër, edhe për faktin se e kanë drejtuar vendin prej shtatorit 2005 deri në shtator 2013. 
Së pari, shkova tek ish-kryeministri i Shqipërisë. Aty gjeta asnjë rradhë për shtatë viktimat që humbën jetën në minierat në rrethinat e Pogradecit dhe Librazhdit. Gjeta vetëm heshtje. Më datën 7 Nëntor kur ndodhi tragjedia, në faqen e tij, Sali Berisha ka vetëm një përshëndetje për vendimin e Gjykatës Administrative për pallatin e Vlorës, të ashtuquajtur „pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës“ . Ky ishte mesazhi që u dha më 7 nëntor mbi 700 mijë friendsave të tij ish-lideri i PD-së.
Në profilin e ish-kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina Çoba Topalli – asnjë rresht për shtatë viktimat, të shuar prej kushteve të mjerueshme të jetës, pa mundësi punësimi dhe pa mundësi për ta përballuar jetën në mënyrë të denjë, pa asnjë mbështetje sociale për të bërë një jetë që do t’i mbante larg tmerrit ku gjenden sot minierat shqiptare, që i përpijnë jetët e shqiptarëve si kuçedrat e legjendave. Asnjë ngushëllim nuk ka shkruar Jozefina Topalli për viktimat e minierës, që humbën jetën sepse shteti nuk u krijoi asnjë kusht jete. Në faqen e saj të Facebook-ut ka vendosur„fjalimin“ që mbajti dje në Kuvend, ku i bën jehonë „kryeministrit të 20 mijë lekëshit“ – ashtu si ka vepruar edhe më 5 dhe 6 nëntor, kur do të duhej t’i bënte jehonë vdekjes tragjike të atyre djemve që u shuan si qirinj sepse s’ka shtet, ndërsa ka shtetarë që jetojnë në një lluks të shfrenuar.
Shkova tek faqja zyrtare e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Edi Palokës me background gazetar. Edhe tek ai asnjë fjalë, asnjë dhimbje, asnjë ndjesë, asnjë pikë e presje për shtatë viktimat – djem të rinj që e humbën jetën pa e nisur – sepse qeveritë i vjedhin votat e popullit për t’u vetëpasuruar. Më 7 nëntor në faqen e tij zyrtare, Edi Paloka kopjon statusin që ka vendosur Sali Berisha në lidhje me vendimin e gjykatës administrative për pallatin buzë detit në Vlorë, duke shprehur kënaqësinë. Por për shprehur dhimbje nuk ka vend.
Edhe shqetësimi i deputetit të PD Sokol Olldashit lidhet me 20 mijë lekëshin, por nuk analizon faktin se përse shiten shqiptarët për një shumë kaq të mjerë, ndërsa për shtatë viktimat e minierave reagimi është vetëm indiferencë. I njëjti reagim edhe nga Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit te Integrimit, e cila në faqen e saj zyrtare në Facebook vazhdon e shpreh shqetësimin për kryeministrin e 20 mijë lekëshit. Ashtu si veprojnë Eduard Halimi, Gent Strazimiri etj. Ose u dhemb shpirti për 20 mijë lekëshin, ose shprehin lumturinë për vendimin e gjykatës administrative për pallatin në Vlorë, por për shtatë viktimat nuk e shprehin as mëshirën më të vogël.
Vetëm kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe deputeja Albana Vokshi, e cila është ndërkohë Kryetare e Komisionit te Shendetesise, Punës dhe Çeshtjeve Sociale në Parlamentin e Shqipërisë, kanë gjetur hapësirë në faqet e tyre zyrtare në Facebook për të përfshirë tragjedinë dhe ndjenjën e mëshirës. Tragjedia e ditës të djeshme do të duhej ta kishte bërë zonjën Vokshi të ndryshonte axhendën e punës në Komisionin që ajo drejton, për ta kthyer në një prioritet emergjent mbështetjen që duhet t’u jepen familjeve shqiptare që të mos vdesin për bukën e gojës. Por jo, Albana Vokshi i devijoi edhe axhendës të ditës, por ndërkohë është nga të vetmet deputete të PD-së që ka shprehur ngushëllim për viktimat: „Sot, dy ngjarje tragjike dhe tronditese, njera ne minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe tjetra ne minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Bilanci: 7 viktima. Dua te shpreh ngushellimet e mija per familjaret e te afermit. Zoti i prehte ne paqe!“, shprehet në Facebook Albana Vokshi.
Të njëjtën gjë bën në faqen e tij zyrtare në Facebook edhe kryetari i PD-së. Ja ngushëllimi integral i Lulzim Bashës: „Dua të ndaj sot dhimbjen me familjarët, të afërmit dhe miqtë e 7 personave që humbën jetën në minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Ende pa u nxjerrë trupat e 5 të rinjve nga miniera e Beragozhdit, u tronditëm nga lajmi i humbjes së jetës së dy personave në minierën e fshatit Gurrë. Dhimbja është e madhe dhe fjalët të pamjaftueshme, për të ngushëlluar familjet e Edisonit, Ledjonit, Nertilit, Sazanit dhe Arjan Hamollit si dhe të inxhinier Drini Bogdanit dhe minatorit Haki Danga. Bilanci tragjik i shënuar sot në komunën Dardhas të Pogradecit dhe Komunën Qukës të Librazhdit është një tronditje e madhe për mua dhe jam i bindur për çdo shqiptarë. Ngushëllime familjeve dhe Zoti ua lehtësoftë dhimbjen.“ 
Por lideri i opozitës nuk analizon shkaqet e humbjes të shtatë jetëve. Nuk guxon. Nuk guxon të thotë se „faji është joni“! Në një vend ku jeta e njeriut – nga dhuratë e Zotit – kthehet në gjënë më të pavlerë të kësaj bote. Në Shqipëri jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk ka asnjë vlerë. Ashtu si konstaton me të drejtë Frank Shkreli publicisti i shquar shqiptaro-amerikan, ish shefi i Zërit të Amerikës dhe drejtor i Divizionit të Euro-Azisë përmes pyetjes retorike „ A ka vlerë jeta e njeriut në Shqipëri!“ Jo nuk ka asnjë vlerë. Shihini këta shtatë viktima, që e humbën jetën për bukën e gojës ose sepse kushtet e punës sjellin vdekjen. Vetëm në Shqipëri, në një vend në zemër të Europës, që Zoti i ka dhënë të gjitha mrekullitë natyrore për të qënë vendi më i begatë për të punuar e jetuar,  jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk kushton asnjë cent.
E pra, nuk mund të vazhdohet kështu, ka ardhur koha të zgjohemi, të kuptojmë realitetin dhe ta ndryshojmë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ne si qytetarë europianë meritojmë një jetë të denjë, që ta fitojmë me dinjitet. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s jo për t’i siguruar kushte lluksi klasë politike, por për t’i siguruar kushte normale jetese qytetarëve të këtij vendi, duke nisur prej atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë dhe mbëshetje. Por shikoni se çfarë politikanësh kemi, me çfarë zemër të pamëshirëshme, kur nuk gjejnë forcë as të derdhin lot krokodili dhe as të shkruajnë dy rradhë ngushëllim për ato familje që sot janë në tragjedi. Sepse shteti që kanë krijuar ata vetë ka dështuar. Parlamenti i Shqipërisë duhet ta kthejë në prioritet të prioriteteve mbijetesën e shqiptarëve, të krijimit të kushteve për të ekzistuar si qytetarë të denjë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë në mbrojtje jetën e shqiptarëve, të cilët po fiken, kur në Shqipëri faleminderit Zotit nuk ka luftë, nuk ka kriza, nuk ka katastrofa natyrore! Por mjerisht nuk ka as shtet!

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, ne Pogradec, Opozita, per tragjedine

Promovohen talentet e reja shqiptare në Londër

November 8, 2013 by dgreca

Më 2 Nëntor 2013, Ambasada e Republikës së Shqipërisë organizoi një takim me fëmijët më të talentuar të shqiptarëve me banim në Londër. Takimi kishte për synim të evidentojë talentet e reja të kësaj bashkësie të re të vendosur në ishullin britanik dhe të nxisë të tjerët për të përparuar në fusha të ndryshme ku fëmijët ndihen se janë të talentuar. Në fjalën e hapjes Ambasadori Mal Berisha vuri theksin në domosdoshmërinë e promovimit të këtyre talenteve të reja në fusha të ndryshme të jetës, që po konkurojnë denjësisht në mjediset britanike, duke ruajtur vlerat e mrekullueshme shqiptare.

Ai u ndal veçanërisht në vlerën e madhe që bashkësi të tilla kanë për vendin e origjinës, si pjesë e kombit e cila i zhvillon aftësitë e veta në troje tjera duke promovuar vlerat që kam, por edhe për vendin që i pret duke u bërë pjesë e larmisë së zhvillimit të kulturave shumë-kombëshe e shumë-dimensionale.

Z. Berisha theksoi rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur diaspora shqiptare historikisht duke marrë si shembull arbëreshët e Italisë, të cilët nga njëra anë i dhanë Italisë burrështetas të mëdhenj si Francesko Crispi, por nga ana tjetër u bënë themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Letërsi me De Radën, Gavril Darën, Zef Seremben, etj. Ai premtoi se Ambasada do të vazhdojë të jetë shtëpia e shqiptarëve të Britanisë, sidomos për promovimin e talenteve të reja.

Këtë radhë veprimtaria kishte në qendër shkrimtarin e ri 13 vjeçar, Arlind Malat i cili ka shkruar tre libra deri tani në gjuhën angleze, dy prej të cilave janë botuar. Ato titullohen The time Machine dhe The Old Bagger’ s Two Presents. Bir i dy emigrantëve nga Shqipëria të vendosur në Londër në vitin 1999, ai u lind dhe u rrit si një fëmijë që në shtëpi dëgjon vetëm gjuhën shqipe e përreth atë angleze.

Në kopertinën e njërit prej librave të tij ai shkruan: “Unë besoj se një ditë do të jem një Shekspir tjetër në letërsi”.

Shkrimtari Arlind Malat iu tregoi të pranishmëve për eksperiencën e tij si shkrimtar në mesin e bashkëmoshatarëve të tjerë britanikë, si dhe emocionet që ka patur ndërsa ka publikuar librat e parë si dhe planet e tij të ardhshme për krijimtarinë letrare.

Në emër të Ambasadës atij iu dha një Çertifikatë Merite me motivacionin:

“Për veprimtarinë e tij të shquar si një shkrimtar i vogël në moshë, por që premton që nesër të bëhet i madh. Arlindi është një djalë i talentuar, i cili ka filluar të botojë libra në gjuhën angleze që në moshë fare të re, duke u kthyer në një model për tërë brezin e vet të shqiptaro – britanikëve.

Ambasada i uron atij dhe tërë nxënësve, bij e bija shqiptarësh, suksese në jetën e tyre shkollore dhe krijuese”.

Një çmim tjetër iu dha edhe nga kryetari i shoqatës Nënë Tereza z. Esat Braçe, anëtar i së cilës është edhe Arlindi, ndërsa veprimtaria u moderua nga gazetari dhe botuesi Petrit Kucana.

Në këtë veprimtari fëmijët e talentuar shqiptare si Amanta Berberi, violinistja Malvina Karajani 13 vjeçare, pjanistet Anisa Karajani 5 vjeçare, Gloria Koliqi 9 vjeç, Gloria Pitomina, Rina Kryeziu, interpretuan pjesë në violine dhe pjano, si dhe recituan poezi në gjuhën angleze dhe shqipe. Veprimtaritë kulturore në Londër vazhdojnë për të kulmuar me koncertin e madh të datës 16 dhjetor 2013, me artistet e mëdha shqiptarë të skenës botërore

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ambasada shqiptare, Londer, Mal Berisha, promovohen, shqiptare, talentet e reja

ARRESTOHEN TATIMORET, 2 TE ARRESTUAR, 7 NE KERKIM

November 8, 2013 by dgreca

Zbulohen shkeljet ligjore me 11 kompani kineze u blenë me falsifikim. Dy zyrtarë në pranga, ish-kreu i Tatimeve të Tiranës dhe 6 vartës shpallen në kërkim./

Gjykata urdhëron arrestimet e para në lidhje me vjedhjen e 5.2 milionë dollarëve me anë të skemës abuzive të rimbursimit të TVSH-së nga Drejtoria e Tatimeve në Tiranë.

Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në këtë institucion, Afërdita Hysa dhe Tahir Kuka, inspektor i Procedurave të Rimbursimeve, kanë rënë në pranga. Në kërkim janë shpallur Ismail Muça, ish-drejtor i Tatimeve të Tiranës, Lauren Vata, ish-përgjegjës sektori dhe tre inspektorë të Drejtorisë së Tatimeve. Masa e arrestit në mungesë është marrë edhe ndaj dy biznesmenëve, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe, të cilët kanë përfituar paratë e rimbursuara dhe më pas i kanë rishpërndarë ato, siç dyshohet, te të gjithë të akuzuarit dhe persona të tjerë.
Pesë abuzimet
Prokuroria deklaroi dje se nuk mund të japë të dhëna për hetimin për sa kohë nuk janë ekzekutuar masat e arrestit të vendosura nga gjykata më 6 nëntor 2013. Megjithatë, gazeta “Panorama” ka mësuar dje pesë shkeljet për të cilat janë ngritur akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale” ndaj shtatë zyrtarëve të Tatimeve dhe dy biznesmenëve. Sipas hetimeve, shuma prej 5.2 milionë dollarësh është nxjerrë nga buxheti i shtetit dhe është paguar në llogaritë e 11 kompanive me anë të pagesave në 11 kësteve në gusht-shtator 2013. Kompanitë të cilave u është bërë pagesa deri në qershor-korrik 2013 kanë pasur pronarë kinezë. Në verën e këtij viti, për 11 subjektet në QKR janë paraqitur dokumentet e blerjes së tyre dhe si pronarë janë regjistruar shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe. Menjëherë ata kanë aplikuar për rimbursimin e TVSH-së së këtyre kompanive (tepricë kreditore e krijuar në vitet 2004-2005). Këtu ka ndodhur shkelja e parë, pasi dokumentet e blerjes së 11 kompanive rezultojnë se janë tërësisht false. Megjithatë, “pronarët e rinj” të 11 kompanive kanë aplikuar për faliment në QKR dhe kanë kërkuar që shteti t’u shlyejë rimbursimin e TVSH-së (në total 5.2 milionë dollarë). Procedura ka vazhduar pa pengesa edhe pse pas aplikimit, ligji detyronte Tatimet të verifikonin me imtësi. “Shkelja e dytë është kontrolli financiar i munguar. Ligji kërkon që Tatimet të bëjnë kontroll të thelluar për pesë vitet e fundit dhe vitet për të cilat kërkohet rimbursimi. Zyrtarët e akuzuar të Tatimeve kanë bërë verifikim formal, pasi kompanitë nuk kanë pasur aktivitet në pesë vitet e fundit. Sipas hetimit, verifikimi është bërë vetëm për vitet 2008-2013 dhe është thënë se “kompanitë nuk kanë aktivitet” duke mos u kryer asnjë verifikim për vitet kur ishte krijuar “teprica kreditore”. Shkelja e tretë ka ndodhur në faktin se e gjithë procedura ka zgjatur më pak se një javë, nga aplikimi deri në derdhjen e parave gjithçka ka ndodhur në pak ditë. Abuzimi i katërt është se të gjitha vlerat e kërkuara nga kompanitë në aplikimin/kërkesën për rimbursim vetëm sa janë lënë në fuqi nga Tatimet. Në shumat që pretendonin kompanitë nuk janë verifikuar faturat e blerjes dhe shitjes, nga të cilat buron shifra e rimbursimit, e cila zakonisht “korrigjohet” nga Tatimet, nëse bizneset tentojnë të fryjnë shifrat apo të përfitojnë. Abuzimi i pestë është se hedhja e parave në llogaritë e 11 kompanive është bërë fiktivisht. Hetimi ka zbuluar se paratë janë tërhequr pak ditë pas pagesës. Ato mësohet se nuk janë në llogaritë bankare të bizneseve që duhej t’i përfitonin, ndërsa dyshohet se shumat janë ndarë mes të akuzuarve dhe disa personave të tjerë që po hetohen.                           t.s/e.d

Operacioni
Të arrestuar
1. Afërdita Hysa
45 vjeçe, ish-drejtoreshë e Kontrollit Tatimor, Tiranë
2. Tahir Kuka
57 vjeç, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve.

Në kërkim
1. Ismail Muça
44 vjeç, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
2. Lauren Vata
32 vjeç, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit Tatimor
3. Edmond Osmani
34 vjeç, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor
4. Gramos Milushi
29 vjeç, Inspektor
i Kontrollit Tatimor
5. Kujtim Metaliaj
53 vjeç, ish-Inspektor
i Kontrollit Tatimor
6. Mirjan Beneja
33 vjeç, biznesmen
7. Gjergji Tupe
54 vjeç, biznesmen

(Kortezi:Panorama)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: tatimoret ne arrest

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5086
  • 5087
  • 5088
  • 5089
  • 5090
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT