• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIAN

September 25, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Në shkrimin e tij”Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”, kolegu diplomat Shaban Murati, një think tank në mendimin aktual shqiptar, sensibilizon opinionin për një shqetësim tejet të drejtë.
Serbia, nëpërmjet Podgoricës, ka hedhur në tregun diplomatik rajonal projektin e një commonwealthi serb të quajtur “Unioni Ballkanikoperëndimor”, në përbërje të të cilit do të ishin, përveç Serbisë, edhe Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Pra, do të ishte një Jugosllavi minus Kroacinë dhe Slloveninë, plus Shqipërinë, që do të zëvendësonte ekuacionin hegjemonist të Beogradit të perënduar në fund të viteve 1990 me luftërat e Millosheviçit në rajon dhe do të rilindte projektin e Serbisë së Madhe.
Commonwealth (komënuelth), nga anglishtja e vjetër, do të thotë e mirë e përbashkët. Në praktikën ndërkombëtare ka komënuelthet ndërtohen mes qendrave të ish perandorive me ish kolonitë e tyre. Më klasiku i tyre në epokën moderne është komënuelthi britanik. I quajtur Komënuelth i Kombeve, ai përfshin shtete që kanë qenë më parë pjesë e Perandorisë Britanike, disa prej tyre shtete të pavarura. Një komënuelth tjetër i deklaruar është ai midis Rusisë dhe ish republikave sovjetike, të cilat dolën të pavarura pas shpërbërjes së BRSS. Një formë më të moderuar ka zgjedhur Franca nëpërmjet Aelancës Frankofone, ku përfshihen përveç kolonive të dikurshme dhe vendet më të ndikuara nga kultura franceze.
Iu jam trembur lëvizjeve të viteve të fundit në kryeqyteteve e vendeve të mësipërme ballkanike dhe kam pasur arsye për të dyshuar se ato bëheshin, në mënyra të ndryshme, për të mikluar Serbinë. 
Nisur nga praktikat e tipeve të komënueltheve moderne të përmendura më lart, ku interesat dhe përfitimet shkojnë në përpjesëtueshmëri të pajtueshme me dëshirat dhe synimet për përparim të përbashkët dhe për ndikime pozitive e konstruktive të ndërsjellëta, ky i nxitur nga Beogradi dhe i popozuar nga Podgorica më duket kundër interesave të shqiptarëve, kundër interesave të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe kundër projekteve bashkëkohore dhe perspektive të Evropës në pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit.
Dihet historikisht roli tejet i rëndësishëm i Komënuelthit Britanik si në hapësirën e tij, ashtu edhe në proceset botërore, qoftë si precedent pozitiv, qoftë për peshën që kanë mbajtur, mbajnë e do të mbajnë në kuadrin e aleancave dhe organizmave të mëdha botërore. Interesat e përbashkëta, përparësitë e ndërsjellëta në marrëdhëniet e tyre në kuadrin botëror, qëllimet dhe parimet e përbashkëta i kanë mbajtur së bashku këto shtete dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë shumë kohë në të ardhmen.
Edhe komënuelthi rus është deri diku i shpjegueshëm dhe i natyrshëm, për shkak të infrastrukturave të përbashkëta të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, për shkak të popullsive ruse që mbetën atje gjatë pushtimit rus, për shkak të peshës së gjuhës ruse dhe kulturës ruse në identitetin e atyre vendeve, si dhe për shkak se elitat e këtyre vendeve ishin ish më të privielegjuarit e Moskës, ishin pikërisht klasat udhëheqëse të republikave para shpërbërjes së BRSS. 
Në këtë kontekst, është e kuptueshme edhe që Mali i Zi kërkon të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. Ky vend i vogël trashëgon një nga infrastrukturat fizike më të kushtueshme të Jugosllavisë së atëhershme (siç është, për shembull hekurudha Beograd-Podgoricë) dhe një ndër më të kushtueshmet në rajon e Evropë, të cilën mund ta mirëmbajë, ta shfrytëzojë dhe ta shndërrojë në të mirë të përbashkët të të dy vendeve. Është e kuptueshme që Bosnjë-Hercegovina, me peshën që ka atje Republika Serbe, ta dëshirojë veten po ashtu nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. ‘Maqedonia’ do ta kishte si strehim Serbinë në interesin e tyre të përbashkët antishqiptar.
Ndërsa, çfarëdo pranie e Kosovës dhe e Shqipërisë në këtë komënuelth serb, në këtë federatë serbe, Jugosllavi të re, siç e quan me të drejtë Shaban Murati, do të ishte drejtpërdrejt në favor të frymëzimeve serbomëdha, në favor të hegjemonizmit të Beogradit në rajon. Një nga të mirat e tragjedisë së viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor, shkaktuar nga shovinizmi serbomadh millosheviçian, ishte pikërisht dhënia fund e hegjemonizmit serb në Ballkan, dhënia fund e serbocentrizmit në politikën evropiane në rajonin e gadishullit tonë. Një “Union Ballkanikoperëndimor” do të ishte thjesht për të ngjallur dhe për të ushqyer orekset e Serbisë së Madhe.
Ky projekt nuk ka si të mos shihej me frikë dhe shqetësim nga dy vendet ish jugosllave, tashmë anëtare të NATOs dhe BEsë, të cilat janë prej më herët në qendër të iniciativave të Ballkanit Perëndimor. Një “Union” si ai që kërkon Podgorica dhe propozon Beogradi do të shmangte dhe përjashtonte rolin e Zagrebit e të Lubjanës. Serbia i sheh me sy të keq sidomos marrëdhëniet e mira mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, marrëdhëniet e mira kroato-shqiptare në tërësi, të cilat paskëtaj do të kontrolloheshin përherë e më tepër nga Beogradi. 
Shaban Murati sjell në shkrimin e tij argumente dhe fakte bindëse sa iu druhen dhe sa i refuzojnë Zagrebi dhe Lubjana të gjitha projektet për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër, në çfarëdo mënyrash, të drejtpërdrejta apo të kamufluara. Në këtë mënyrë, “Unioni” është një sabotim i hapur i integrimeve të rajonit në hapësirën evroatlantike, është një mjet diversioni ndërfqinjësor rajonal në duart e Beogradit. 
Nëpërmjet këtij mjeti diversioni, Beogradi do t’i sabotonte edhe integrimet shqiptare në dy shtetet e tyre si dhe në Maqedoni, ku janë komb shtetformues, në Mal të Zi e në Republikën e Serbisë (Lugina e Preshevës). Vitet e fundit, ne jemi dëshmitarë se si Serbia ka arritur të nxitë mes Tiranës dhe Prishtinës garën se kush do të jetë më e parapëlqyera e Beogradit. Edhe Marrëveshja e 19 prillit nga Beogradi synohet për sabotimin e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare dhe faktorëve të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët unë sapo i përmenda.
Shaban Murati për shkrimin e tij merr pikënisje nga njoftimi që gazeta malazeze “Dan” se në fund të shtatorit në Nju Jork, në kuadrin e takimeve vjetore në Kombet e Bashkuara, do të zhvillohet një takim i nivelit më të lartë i këtyre gjashtë vendeve “ballkanikoperëndimore” dhe një udhëzues paraprak me parimet dhe detajet e kësaj nisme iu është dërguar ministrave të Jashtëm të gjashtë këtyre vendeve. 
Murati thotë se qeveria e mëparshme e ka dhënë pëlqimin e saj për projektin dhe kjo e vë para një fakti të kryer qeverinë aktuale, e cila vetëm se mund të kërkojë kohë për t’u njohur më mirë me nismën. Unë, nga ana ime, nuk mund të parashikoj sa do të jetë ndikimi i Prishtinës ndaj Tiranës për ta përfshirë Shqipërinë në “Union”. Republika e Kosovës, në të vërtetë, nuk ka trashëguar nga Jugosllavia ndonjë infrastrukturë kurrkund të ngjashme me atë të Malit të Zi, nuk ka pse ta shohë veten pjesë të infrastrukturave të ardhshme të përbashkëta fizike me Serbinë, nuk mund të presë ndonjë investim serioz apo me qëllime të mira nga ana e Serbisë në përparimin e vendit apo në kuadrin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga ana ime mendoj se vizioni që shpalosi në Prishtinë kryeministri i ri i Republikës së Shqipërisë, ku ai e ftoi Kosovën që bashkë me Shqipërinë të jenë pjesë e pesëkëndësisht me Turqinë, Greqinë dhe Italinë, është vizion i të sotmes dhe të ardhmes përparuese dhe integruese perëndimore për të dyja shtetet shqiptare. Pra, qeveria Rama nuk ka pse të braktisë një projekt vizionar integrues shqiptar dhe perëndimore për hir të një projekti të errët antishqiptar dhe antievropian që e ka gatuar Beogradi dhe satelitët e tij. Nuk ka pse të braktisë një projekt vizonar madhor sa dhe transparent, për hir të një projekti që vetëm sa do ta legalizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë të mafies ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: antishqiptar, Commonweal thi serb, Skender Bucpapaj

Vatra” e shqiptarëve të Amerikës priti Kreun e Shtetit, BUJAR NISHANI

September 25, 2013 by dgreca

*Presidenti Nishani: “Vatra” farkëtoi aleancën me SHBA dhe ruajti atdhedashurinë/

*Mbrëmje madhështore e Vatrës dhe bashkësisë shqiptare në New York/

Në mbrëmje e së Martës të 24 shtatorit, në restorantin Maestro’s, Vatra me bashkësinë shqiptare shtroi një darkë për nder të presidentit Bujar Nishani. Darkën e ka hapur nënkryetari Asllan Bushati,i cili i uroi mirëseradhjen Presidentit Nishani dhe zonjës, dhe prezantoi drejtusen e darkës, sekretaren e Vatrës, Nazo Veliu.

Fillimisht janë ekzekutuar dy Hymnet Kombëtare, ai i Amerikës dhe i Shqipërisë. Në këtë mbrëmje i ishin bashkuar Vatrës edhe Lëvizja e Legalitetit, Shoqata Rugova, LDK-ja, Rrënjët Shqiptare, Bashkësitë fetare, kishte ardhë nga larg një përfaqësi e degës së Vatrës nga Jacksonville, Florida, etj.Presidenti shoqërohej nga ambasadori shqiptar në Washington z. Gilbert Galanxhi,Konsulli Dritan Mishto me zonjën dhe stafi i tij.Nderoi me pjesmarrjen e tij edhe ansambleisti i shtetit të New Yorkut, z. Mark Gjonaj.E pranishme media.

Zv/ Kryetari I Vatrës, Asllan Bushati, ka hapur darkën dhe i ka uruar mirëseardhjen presidentit me zonjën dhe stafin e tij. Më pas Bushati ka prezantuar drejtusen e darkës, sekretaren Nazo Veliu. Egzekutimi i Hymnit Kombëtar amerikan dhe shqiptar, është pasuar me një minut heshtje për të rënët e Kombit.

Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj,i ka uruar mirëseardhjen presidentit dhe mbajtur një fjalim të shkurtër.

Anëtari i Asanmblesë së New Yorkut, Mark Gjonaj ka përshëndetur pjesmarërsit dhe ka shpallur aksionin për ndërtimin e Qendrës Kulturore të Shqiptarëve në New York. Menjëherë i jaën përgjigjur nisëmës, Rrustem gecaj dhe Harry Bajraktari që dhuruan nga 10 mijë dollarë.

Kryetari i degës së Vatrës, Adriatik Spahiu dhe zv/kryetari i Vatrës Agim Rexhaj, kanë dorëzuar titullin”Qytetar Nderi i Gjirokastrës” për z. Agim Karagjozi, president nderi i Vatrës. Duke marrë titullin, i biri i zotit Agim Karagjozi, Zyhdi Karagjozi,ka falenderuar dhe ka shpalosur përkushitimin e atit të tij për gjysëm shekulli në shërbim të cështjes Kombëtare dhe 18 vjet si kryetar i Vatrës.

Kryetari i degës së Jacksonville Adriatik Spahiu,i dhuroi presidentit Nishani një dhuratë simbolike nag kjo degë.

     Kemi dy besime- të krishterë e muslimanë, por një Zot; kemi dy shtete, por një Komb

 

Darkën, sipas traditës 101 vjecare të Vatrës e bekuan tre klerikë fetarë, Dom Pjetër, Popaj,famullitari i Kishës Katolike Shqiptare”Nënë Tereza”, Imami Edin Gjoni Nga Qendra Islame dhe prifti i Kishës Orthodokse Shqiptare”Shën Kolli” Pastor Fr. Nathan Preston. Në fjalën e tij, dom Pjetër Popaj ka përshëndetur i pari presidentin Nishani me zonjën në emër të bashkësisë katolike të famullisë të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, duke e vlerësuar si një darkë historike për komunitetin shqiptar në Neë York. Duke folur për Historinë tonë Kombëtare, dom Pjetër Popaj tha se: Zoti na ka ruajtur ndër shekuj, kur kemi kaluar në kriza të mëdha gjatë historisë tonë të përgjakur, por të lavdishme. Ka qenë dhe është, bashkimi dhe qëllimi i njëjtë , palëkundshmëria e besimit në një zot të vetëm, besëlidhja me njëri-tjetrin,  që u kemi mbijetuar pushtimeve të armiqëve dhe regjimit ateist. Armiqtë janë munduar të na përcajnë, jo vetëm prej njëri-tjetrit, por edhe prej Zotit. Besa e shqiptarit është baza e përparimit tonë. Ne kemi mësuar prej të kaluarës; se po nuk qëndruam në këmbët tona, nuk mundemi të jemi të fortë dhe të zotërojmë veten tonë. Si shqiptar, tha më tej dom Pjetër Popaj, jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm. Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët, kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.Kemi dy shtete, por një Komb.Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të Lumturën Nëna Terezën.

Kastrioti ruajti dhe mbajti identitetin tonë kombëtar, lirinë e pavarësinë e mvetësinë e tij, Nënë Tereza ruajti cilësitë e shqiptarit, sikur besa, fisnikëria, dhe bujaria e dashur si kurrë në një popull tjetër. Ajo me punë të thjeshta ndër të varfër nxori në dukje vlerat e mëdha të popullit tonë.

Ne , sonte, tha  më tej, dom Pjetër Popaj,duhet të falenderojmë Zotin për njëri-tjetrin.Të falenderojmë atë për presidentin tonë, Bujar Nishani.Të lutemi që të jetë me shëndet të mirë, me hir dhe bekim të Zotit, që ai dhe Qeveria shqiptare t’i ruaj e t’i kultivojë tiparet dhe porositë e etërve tanë.Ata luftuan për një Shqipëri të pavarur që sot ne e gëzojmë. Gjaku i tyre nuk është derdhur kot. Bashkimi dhe përparimi ynë është besimi në një Zot dhe harmonia ndërfetare. Liderët e vendit kanë një përgjegjësi të madhe për të ruajtur ekuilibrin ndërfetar dhe të drejtat humane, morale, ekonomike dhe politike.

Ne në diasporë, gjithmonë kemi terguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri me tjetrin. Si fetarë të besimeve të ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin.Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë.

Sonte, lutemi Zotit që ta bekojë presidentin tonë dhe qeverinë e Shqipërisë, që ta udhëheqin popullin tonë me ato dhurata të dashura që të përparojë në Paqe, drejtësi, e harmoni të plotë.

Nuk ka përparim pa bashkim!

Dom Pjetër Popaj e mbylli lutjen e darkës me fjalët bekuse: Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, gjithë popllin shqiptar, këtë tubim të nderuar si dhe ushqimin që po marrim prej Bujarisë së Tij.Amin!

Më pas Imam Edin Gjoni nga Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens i uroi mirëseardhjen presidentit Nishani.Ne të tre klerikët, tha Imam Edin Gjoni, edhe pse në shikim të parë, ju drejtohemi me tri përshëndetje, ngase përfaqësojmë tre komunitete fetare, në të vërtetë,një fjalë themi,një mesazh përcjellim dhe një bekim bëjmë.Dhe kjo është mëse e natyrshme sepse një Zoti të vetëm i lutemi, qoftë nga Itari i kishës apo mihrabi i xhamisë, por, në të njëjtën kohë, edhe famullitë, edhe xhemati, të cilëve neve i shërbejmë, është i një gjaku,i një gjuhe, i një buke. Prandaj, pjesë esenciale e misionit tonë, krahs shërbimit Zotit, është dhe shërbimi i Kombit, gjuhës sonë të lashtë, traditave tona fisnike, e vecanërisht një tradite imanente për ne shqiptarët e që është harmonia fetare. Këtë traditë të bukur që i tejkalon kufijtë e cdo trendi kulturor apo filozofik, e që është një nga trashëgimitë më të shtrenjta dhe më të cmueshme të kombit tonë, duhet t’i shërbejmë me ëndje dhe përkushtim, dhe duhet ta ruajmë me xhelozi.

Imam Edin Gjoni i uroi shëndet e mirësi dhe sukses në detyrën e lartë  presidentit Nishani dhe shprehu kënaqësinë që ishte mes shqiptarëve në këtë mbërmje të mrekullueshme.Ai falenderoi Vatrën, e cila sic u shpreh ai:”Përherë na ka ngrohur dhe na ka ndritur”!

Më pas e ka marrë fjalën prifti i Kishës Orthodokse Shqiptare”Shën Kolli” në Queens, Pastor Fr. Nathan Preston,i cili falenderoi presidentin dhe i uroi atij mirëseardhjen. Fr. Preston luti Zotin për shëndetin e tij dhe i uroi mbarësi në punën e tij fisnike në detyrën e lartë të kreut të shtetit, dhe begati popullit shqiptar.

PJESE NGA FJALA E PRESIDENTIT

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që e mori fjalën, kujtoi se takohej me vatranët pas një viti dhe ndjehej i gëzuar. Gjatë një viti tha ai, janë shënuar ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Festuam Ditën e Flamurit më të lirë, më të begatë, më të gëzuar e më të bashkuar se çdo vit tjetër. Më 23 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më të mira të historisë së saj pluraliste, të lira e të ndershme dhe sipas standardeve perëndimore. Këto vlerësime nuk i japim ne, por kështu i vlerësuan vëzhguesit dhe organizatat e specializuara ndërkombëtare. Në Shqipëri sapo ka filluar punën një qeveri e re, së cilës i duhet të punojë natë e ditë për ta çuar vendin tonë gjithnjë e më përpara duke vazhduar reformat e nevojshme për zhvillimin dhe begatinë e çdo qytetari shqiptar. Ne presim besimplotë të marrim statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë, falë përmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Evropian”-u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit evidentoi gjithashtu faktin se gjatë këtij viti Kosova dhe Serbia zhvilluan bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe arritën një marrëveshje historike, ndërkohë udhëheqësit e të dy vendeve janë takuar e kanë biseduar duke dëshmuar se rajoni ynë i ka lënë prapa njëherë e përgjithmonë mendësitë e së kaluarës së hidhur duke e hedhur vështrimin tërësisht drejt integrimit të merituar në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Në këtë kuadër, Presidenti Nishani nënvizoi se Kosova, e cila ka kaluar numrin 100 të njohjeve, është bërë pjesë e nismave të rëndësishme rajonale dhe më gjerë dhe po konsolidon bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, nëpërmjet përgatitjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe zbatimit të kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.

Kreu i shtetit u shpreh se ky realitet është bërë i mundur edhe në saje të Federatës Mbarëshqiptare “VATRA” , e cila prej më shumë një shekulli ka luajtur dhe vazhdon të luajë edhe sot e kësaj dite një rol tejet të rëndësishëm për çështjen shqiptare.

“Për më tepër kontributi juaj i veçantë ka qenë ai i forcimit të lidhjeve të miqësisë dhe farkëtimit të aleancës sonë jetike e historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me kombin amerikan, duke na shndërruar sot në aleatë të pandarë në luftën dhe përpjekjet për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut anembanë botës. Dhe të gjitha këto i keni bërë duke ruajtur gjuhën e bukur shqipe, traditat e kulturën tonë të rrallë dhe atdhedashurinë e qashtër e painteres për kombin shqiptar” – deklaroi Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani ju bashkangjit nismёs sё Kongresmenit shqiptaro-amerikan nё Asamblenё e Neë Yorkut Mark Gjonaj pёr krijimin e Qendrёs Kulturore Shqiptare nё Neë York, duke premtuar gjithashtu se, do tё jetё mbёshtetёs dhe pjesёmarrёs aktiv nё realizimin e kёtij projekti madhor pёr shqiptarёt e Amerikёs.(D Greca)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: darka en Vater, Maestro's, presidenti Nishani

PRESIDENTI BUJAR NISHANI VIZITOI SHTËPINË E VATRËS

September 25, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani vizitoi të Martën e 24 Shtatorit Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës. Ai u prit nga Kryetari i vatranëve dr. Gjon Bucaj me bashkëpunëtorët e tij. Presidenti i Republikës tha se ishte tepër i gëzuar që po takohej me Vatrën historike,që u krijua 7 muaj para shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar dhe u bë avokatja e shqiptarëve në kohët e vështirë të egzistencës së saj. Vatra e dy kolosëve, Fan S Nolit dhe Faik Konicës dhe e të gjithë brezave që kanë bërë historinë e saj në këta 101 vite jetëgjatësi meriton përhirimet e kombit.

Presidentit Nishani ia uroi mirëseardhjen Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj, i cili tha se Vatra ndjehet e nderuar nga kjo vizitë dhe se i uroi presidentit që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin e Europian, duke realizuar aspiratën e brezave.

Presidentin e përshëndetën edhe dy nënkryetarët e Vatrës, Agim Rexhaj e Asllan Bushati dhe sekretarja Nazo Veliu. Më pas, presidenti vizitoi ekspozitën” Vatra-100 vite në shërbim të Kombit”, Librarinë dhe Arkivin e Vatrës, ku editori i Diellit, Dalip Greca, përmes fotografive dhe eksponateve të arkivit, tregoi rrugën 101 vjecare të Vatrës. Pjesmarrësit bënë një fotografi të përbashkët me presidentin dhe zonjën e parë para Shtëpisë së Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: presidenti Nishani, vizite ne Vater

SPROVË PËR TË SHPJEGUAR ORIGJINËN E EMRIT “TIRANA”

September 25, 2013 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. GJIKA/

Shpjegimet që janë dhënë deri sot për origjinën e emrit Tirana, duke e lidhur me emrin e qytetit Teheran, ose me fjalën Tiran-i, janë të papranueshme nga studjuesit shqiptarë dhe të huaj. Për mendimin tonë edhe mendimi se kjo fjalë mund të jetë me origjinë latine, nuk është i qëndrueshëm.

Duke vlerësuar rëndësinë e problemit, edhe pse nuk jam specialist i kësaj fushe studimore, guxova të hartoj këtë sprovë. Nuk mendoj se me këtë sprovë mund të arrihet shpjegimi përfundimtar, por po guxoj ta hap diskutimin rreth këtij problemi, duke meduar se mund të ndihmoj në procesin e ecjes drejt zgjidhjes. Guximin e mora i nisur nga shtysa që na jepte gjatë leksioneve vetë profesori ynë i paharrueshëm Eqrem Cabej, autori i Fjalorit Etimologjik më të mirë të gjuhës shqipe.

Për shpjegimin e origjinës së emrit Tirana mendoj se duhet të kemi parasysh disa të rrethana gjeografike, historike, toponomastike dhe fonetike.

1. Me merin Tirana është quajtur prej kohësh dhe vijon të quhet jo vetëm qyteti, por edhe fusha, që përshkohen prej lumit Lana, pra emri i këtij lumi duhet të ketë qenë në zanafillën e fjalës përkatse.

2. Kronologjikisht, së pari me këtë emër duhet të jetë emëruar fusha, dhe më pas qendra e banimit, e cila u krijua në atë fushë, pikërisht anës lumit Lana, aty ku ndodhet edhe sot qyteti.

3. Lumi Lana para viteve 50-të të shekullit të XX-të, kur u sistemua në shtratin e drejtë prej betoni, kalonte nëpër fushë dhe nëpër qytet si një lumë me shumë dredha.

4. Nga ana fonetike prania në fjalën Tirana e bashkëtingëllores “r” e butë në mes dy zanoresh, tregon se në kohën kur vepronte fenomeni i rotacizmit (kthimi i “r”-së në “n”) bashkëtingëllorja “r” duhet të ketë qenë një “rr” (“r” e fortë), ose një “r” e butë e shoqëruar me një bashkëtingëllore tjetër. Po të kishte qenë një “r” e butë midis dy zanoresh në fillim të erës sonë, sot do të kishim dy forma për këtë fjalë. Në gegërisht do të kishim formën Tinana dhe në toskërisht formën Tirana, ashtu si kemi dy forma për emrin Vlona / Vlora.

Duke mbajtur parasysh këto tëdhëna gjeografike, historike, toponomastike dhe fonetike, po fillojmë sugjerimet tona.

Fusha ku dridhej e përdridhej lumi Lana në fillim të erës mendoj se është quajtur “fusha ku tirret Lana”. Me kalimin e kohës, mbas përdorimesh të shpeshta kjo shprehje mund të jetë rrudhur e të ketë formuar kompozitën “Tirrlana”, si emër vendi për të emëruar fushën ku kalonte lumi Lana. Më vonë kjo fjalë është thjeshtuar edhe më në formën “Tirrana” duke asimiluar bashkëtingelloren “l”. Më pas është zhvilluar zbutje e “rr”-së së fortë në “r” të butë.

Skema e ndryshimeve të fjalës mund të paraqitet kështu: Fusha ku tirret Lana > Fusha e Tirrlanës > Fusha Tirrana (e Tirranës) > Fusha (fshati) Tirana.

Formën e sotme Tirana e hasim që në shekullin e XVI, të përmendur prej Marin Barletit në veprën Historia e jetës dhe e bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Filed Under: Featured Tagged With: emri Tirana, Thanas Gjika

KRYENGRITJA E VJESHTËS 1913 NË DIBËR E MAQEDONINË SHQIPTARE

September 25, 2013 by dgreca

 Ne Foto; Kryengritësit e Dibrës me artilerinë e zaptuar kundër ushtrisë serbe

 Shkruan:Eugen SHEHU/

    22 Marsi i vitit 1913,do të shënonte për shqiptarët fillimin e një tragedie të gjatë dhe të dhimbshme. Caktimi i kufijve të rinj,ku jashtë shtetit amë mbetetshin treva të tëra etnike shqiptare,zonat më urbane të saj,mbeten ende sot dëshmi e papërgjegjshmërisë historike të Fuqive të Mëdha, përfaqsuesit e të clave në Londër,një Jug të Evropës e coptonin,ata  dremitnin të përgjumuar në kariget e tyre të fëlliqura me turpin e historisë.Indiferenca e tyre do të dërmonte flakët  e një populli të “vogël”,po aq sa do të shndronte në pafundësi Ballkanin,ne një “fuqi baroti”.

Merret lehtë me mend se një gjë të tillë,nuk mund të ishte e rastësishme në Londër.Për trevat lindore dhe verilindore shqiptare,pat qenë e interesuar së tepërmi Sërbija,madje që në dhjetorin e vitit 1912,atëherë kur nuk kishin kaluar veç disa ditë nga shpallja e indipendencës shqiptare.E kaptuar prej sindromit të “Stara Sërbijës” duke lakmuar  përnjëmend ujërat e ngrohta të Adriatikut,politikanët,shkenctarët,studiuesit,ushtarakët,kjo aradhë çmendurake e Beogradit,nuk nguronte aspak të deklaroheshin për coptimin e Shqipërisë e për më tej,për zhdukjen edhe fizike të shqiptarëve.Beogradi pos terrorit e dhunës fizike,parashihte edhe masa të tjera,me ç’rast donte të dilte “i larë” me Evropën.Kështu,në një telegram që Pashiqi i dërgonte më 19 dhjetor 1912,kryekomandantit të trupave serbe në Shkup,pos të tjerave e porosiste ; “Bëni çfarë të jetë e mundur që,nesër prej arnautëve të parisë së Pejës,Gjakovës,Prizërenit dhe Dibrës,të dërgojnë telegrame në Londër,në emër të krahinave të tyre dhe t’u luten ambasadorëve të Francës, Gjermanisë,Italisë,Rusisë,Austrohungarisë dhe sër Eduard Greit,që krahinat e tyre të mbeten nën qeverimin serb,pa u bashkuar me Shqipërinë bregdetare.Ata duhet patjetër të pohojnë se shumica e banorëve flasin serbisht,ndërsa më të paktët në numër,që nuk flasin këtë gjuhë,rrojnë në harmoni me serbët dhe kështu duan edhe në të ardhmen”.(Arkivi Qendror i shtetit,Tiranë. Fondi I.Erebara viti 1912-1914,dosja 14,fleta 18 ).

Ndërsa në drejtim të Londrës u nis ndonjë zë korbi që binte në sinkromë coptimin e trojeve arbërore,ishin me qindra e mijëra burra të shqipërisë të cilët firmosën me laps e me besë,kërkesën për ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare,me idenë se ky komb,ndër më të vjetrit në ballkan është i aftë të vetëqeveriset,të rrojë e lulëzojë falë guximit,mençurisë dhe trimërisë së tij.Me rëndësi është të theksohet se këto telegrame drejt Londrës,u nisën nga të gjitha trojet shqiptare prej Presheve deri në Ulqin,prej Vlore deri në Kumanovë.Menjëherë pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, përcaktoi në mënyrë definitive dhe arbitrale,kufijtë e rinj të Shqipërisë,në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare u ndje dhuna e pashembullt e “Cërna Rukës”.Të mësuar me aromë gjaku,pjestarët e kësaj bande çetnike u shpërndanë nëpër viset shqiptare duke shtypur me zjarr çdo lloj qëndrese që mund të vinte prej trevave të shkëputura padrejtësisht prej shettit amë.Famëkeqi Dragutin Dimitrieviq,në krye të kësaj organizzate,ishte i gatshëm të kryente çdo lloj krimi,vetëm e vetëm për t’u hapur udhë formacioneve të ushtrisë së rregullt serbe.Ndër të parat masa me karakter thellësisht policorë,që Sërbia ndërmori në Maqedoninë Shqiptare,ishte çarmatimi i dhunshëm i banorëve të kësaj treve.Ditën apo natën,me apo pa paralajmërim,ata hynin në kullat e banesat e shqiptarëve të kësaj treve,duke bërë kontrolle të rrepta për gjithshka.Kur gjendej ndonjë armë,më e keqja ishte arrestimi i meshkujve të shtëpisë,dhe kur nuk gjendej,atëherë ulurimat e çetnikëve serbosllav arrinin qiellin.Ata konfiskonin gjithshka që gjenin në shtëpi ,kinse pushkët mbaheshin të fshehura dhe në disa raste (në Strugë,Kërçovë,Gostivar,Tetovë e Kumanovë) u dogjën mjaftë shtëpi shqiptare. Por nuk mund të mbaronin me kaq vuajtjet e banorëve të Maqedonisë Shqiptare.Me urdhër ushtarak të administratës vendore,këta të fundit,iu nënshtruan me dhunë një varg punëve nga më të rëndat fizike siç ishin hapja e trasheve për luftime të ardhshme,apo hapja e rrugëve të cilat hynin në planet luftarake strategjike të Beogradit.Mosha e banorëve të Maqedonisë Shqiptare,të cilët bënin punë të detyruar pa asnjë lloj pagese,nuk njihnin asnjë kufi.Që prej 15 vjeç e deri më 70,djemtë dhe burrat e këtyre viseve etnike shqiptare,ishin të detyruar të punonin angari,nën goditjet e kërbaçëve të serbosllavëve.Në një raport të “Naçellnikut” të Dibrës S.Popoviç,dërguar komandës supreme lidhur me emrin e ndërtimit të rrugëve,më 10 maj 1913,pos të tjerave thuhej se gjysma e rrugës Dibër – Gostivar që e lidhte këtë qark me Shkupin,kishte përfunduar kryesisht me punën e detyruar të banorëve të Rekës.Ndërsa po me punë të detyruar do të përfundonte së shpejti rruga Dibër-Strugë.S.Popoviç,në këtë njoftim është i detyruar pos të tjerave të pohojë varfërinë dhe mjerimin e banorëve të maqedonisë shqiptare ndërsa shkruan ; “Banorët e mjerë të Rekës,duhet të punojnë vetëm me duar për të thyer shkëmbijtë gigante të luginës së Radikës”(Sërpski izvori za istoriata në makedonskiot narod 1912 – 1914 . Skopje 1979, faqe 105).

Ndërka “naçallniku” i qarkut të Tetovës,në një njoftim për komandën supreme në po këto ditë,bën fjalë për punën e detyruar të banorëve të Maqedonisë shqiptare për riparimin dhe zgjerimin e rrugës ; Shkup-Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Prilep etj,si edhe hapjen e rrugës në drejtim Gostivar – Dibër, e konsideruar tejet e rëndësishme në pikëpamje strategjike.Gjithashtu ky far naçellniku kishte mundur forcërisht të grumbullonte edhe disa forca shqiptarësh të cilët do të vireshin në dispozicion për hapjen e rrugës Kërçovë – Ohër.Madje ishin me qindra shqiptarët,të cilët me kafshët e tyre apo karroca,transportuan për muaj të tërë në qarkun  e Kumanovës,lëndë drusore e materiale të tjera për Armatën e Tretë të Shkupit.Është e natyrshme që këto punë angari,taksat apo detyrimet e tjera,kishin një qëllim final,nxitjen e mërive shekullore ndaj shqipatrëve.Tek e mbramja,përpara shqiptarëve të Kosovës ose në këto troje tona etnike në Maqedoninë Shqiptare,shtroheshin dy zgjidhje ; ose largimi i shqiptarëve përgjithmonë nga vatrat stërgjyshore,ose nënshtrimi i plotë ndaj zgjedhes sllavomaqedonase.Krahas masave të tilla me karakter shtypës dhe gati asgjësues,Beogradi nisi të godasi edhe kulturën,gjuhën dhe fenë myslimane të shqiptarëve.Në Gostivar,Kërçovë, Manastir,Shkup e Tetovë u mbyllën shkollat në gjuhën shqipe dhe u zavendësuan ato me shkolla në gjuhën serbokroate,shqiptarët ose duhej të braktisnin shkollat ose përfundimishtë duhej t’i mirrnin dituritë e tyre,përmes gjuhëve sllave.

Në këtë garë të shfrenuar të shkombëtarizimit të shqiptarëve nuk mungoi të japë “kontributet” e saj,as kisha ortodokse sllave.Politika fetare e Beogradit synonte të kthente me dhunë popullsinë e Maqedonisë Shqiptare në fenë ortodokse për të patur më të lehtë pastaj,asimilimin shpirtëror të tyre.Ndonëse kjo masakër shpirtërore nuk u relizua plotësisht,ajo më pastaj u shëndrua në një masakër fizike të llahtarshme.Kështu,në një letër të dërguar nga trevat e Dibrës dhe e botuar në revistën “Makedonskiji Gllas” thuhet tekstualisht kur flitet për masakrën në Raven të Gostivarit  ku mjaft prej popullit aty nuk iu përgjigj thirrjes së kishës ortodokse sllave për të ndëruar fenë : ”Popullsia në Raven iu nënshtrua një thirjeje të përgjithshme,ndërsa shtëpitë u dogjën të tëra.Në përgjigje të lutjes për mëshirë,serbet u propozuan shqiptarëve që kishin mbetur gjallë të pranonin fenë serbe,ose përndryshe do të thereshin deri tek fshatari i fundit… Banorët myslimanë që kishin mbetur të gjallë e pranaun këtë propozim” ( “ Makedonskij Gllas “ më 2 mars 1914 ).

Dëshmitarët e kësaj fushate të egër terrori,ka qenë në Maqedoninë Shqiptare,në vitin 1913 edhe studijuesja e famshme angleze Edit Durham.Në kujtimet e veta për këto masakra,ajo pos të tjerave ka shkruar se shqiptarët e kësaj treve të cilët nuk pranonin të pagëzoheshin i hidhnin në akullin e lumit ose i digjnin në turrën e druve të ndezura.Deri në këtë pikë arrinte marëzia serbe.Por gjithsesi,të gjitha këto masakra shtypëse dhe terrori represiv,u kulmuan në shtatorin e vitit 1913,atëherë kur Beogradi spalli haptas aneksimin e Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare.Ky akt,do të përbënte ndërkaq fillimin e një kryengritjeje të madhe ku shqiptarët e trevave lindore dhe verilindore e patën kuptuar përfundimishtë se fatet e tyre mund t’i zgjidhte vetëm gryka e pushkës.

Lëvizja e kaçakëve shqiptarë, e cila dukej se ishte tulatur pas 28 nëndorit të vitit 1912,tanimë u rizgjua duke njohur edhe një organizim konkret në zonat e okupuara nga sllavomaqedonasit.Elez Isufi,Hasan Pristina,Isa Bolentini etj,në krye të çetave të tyre me luftëtarë shqiptarë,mundën të organizojnë disa luftime të befasishme,me ç’rast lëvizja çlirimtare mirrte krahë.Veçanërisht në Dibër në mesin  e shtatorit,u shënua një organizim konkret i forcave vullnetare shqiptare i cili çoi në arritjen e një startegjie të përbashkët luftarake.Mendoi të përmend në këtë rast se mjaft prej bejlerëve të Dibrës dhe Maqedonisë Shqiptare,dhanë ndihma konkrete nga ana e tyre,në para të cilat shërbyen për blerjen e armëve si edhe ushqimeve për kryengritjen.Pas aktit të aneksimit të Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare,mbreti i serbisë Pjetri i Parë,nxitoi të firmosë planin e luftës kundër Shqipërisë të propozuar nga ministri serb i luftës Vili Bozhanoviq,me ç’rast Divizionit të këmbësorisë “Morava” i bashkangjiteshin edhe disa reparte speciale të artilerisë.Ora e madhe kishte rënë.

Më 21 shtatorë 1913,trimat e Dibrës të ndarë në formazione luftëtarësh deri më 200-250 burra,nisën luftimet kundër formacioneve të rregullta të ushtrisë serbe.Brenda dy ditëve në krejt Dibrën dhe Maqedoninë Shqiptare,u përcuall kushtrimi në luftë kundër Serbit.Ky kushtrim,përmblodhi në gjirin e vet,më shumë se tre mijë luftëtarë të sprovuar në sa e sa beteja. Formacionet luftarake serbe,nuk mundën të përballen dot me furinë e sulmeve të para të kryengritësve.Duke lënë qytetin e Dibrës,ata mundën të sigurojnë pozicionet e favorshme për të ruajtur urën e lumit Radikë,me çrast do të siguronin kalimin e tyre për në treva të Maqedonisë shqiptare.Në ndihmë të tyre u nis edhe një repart nga Ohri por pa sukses.Trimat e Dibrës dhe Maqedonisë shqiptare,duke kaluar valët e Radikës të veshur dhe të armatosur,mundën tu dalin prapa krahëve forcave serbe të cilat lanë pranë brigjeve të lumit,qindra të vrarë dhe të plagosur.

“Në 20-26  shtator 1913,kryengritja u zhvillua në një vijë ngjitëse.Brenda kësaj kohe ajo përfshiu të gjithë krahinën e Dibrës,dhe u shtri në një hapësirë që arrinte deri në afërsi të Resnjës (Në malin e Prishtinës),të Manastirit (në malin e James),të Velesit dhe të haneve të Zdunjës pranë Gostivarit. Ushtritë okupatore dhe pushtetarët lokalë serbe u dënuan prej këtyre viseve”.( “Dibra dhe etnokultura e saj “ Tetovë 1995 , faqe 305 ).

Në të vërtetë,pas sulmeve të kryengritësve shqiptarë në Gostivar,Kërçovë,Strugë e Tetovë,formacionet luftarake serbe u tërhoqën.Ata nuk mund të përballonin shpirtin kryengritës të shqiptarëve të Dibrës dhe Maqedonisë Shqiptare të cilët nuk vonuan t’i dërgojnë edhe një telegram Fuqive të Mëdha ku deklaronin  se trojet e tyre i bashkangjiten përfundimishtë shtetit amë Shqipërisë.Ndërkaq nuk duhet lënë në harresë faktin që me nënpunësit serbosllavomaqedonas të administratës vendore,kryengritësit shqiptarë u suallën me korrektësi duke mos kryer asnjë vepër terrori apo hakmarrjeje.Kjo flet edhe një herë për pjekurinë dhe idetë largpamëse të kryengritjes së shtatorit në Maqedoninë Shqiptare.Është fakt i pamuhueshëm se në këtë kryengritje,u ngritën së bashku,shqiptarët mysliman dhe ata të krishterë duke dëshmuar kësisoj se për këtë komb të vejtër dhe autokton të Ballkanit,liria është më e shtrenjtë nga gjithshka.Ndonëse zotëruan plotësisht pushtetin kryengritësit e Maqedonisë Shqiptare,nuk ndërmuarën asnjë akt dhune edhe ndaj pakicave etnike të tjera siç ishin maqedonasit apo bullgarët,përkundrazi,shumë prej tyre,të armatosur u vunë nën komandën e kapedanëve tetovarë,gostivaras apo kërçovarë.Dhe e paimagjinueshmja është ky qëndrim i kryengritësve shqiptarë,mbahej në një kohë kur serbët patën deklaruar me zë të lartë ; “Se i kanë vënë vehtes qëllim të çfarosin me gra e fëmijë,të gjithë shqiptarët që jetojnë brenda kufirit të ri  serb”.(Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë.Sipas dukumentave të Vjenës.Dosja 64/17 , raport i Starckut nga Beogradi dërguar Bertholdit ).

Të dhënat e burimeve arkivore,flasin për një përqëndrim të madh të forcave serbe në trevat e maqedonisë shqiptare.Kështu,vetëm në Manastir me rrethina ishin dislokuar 1400 ushtarë të regjimentit 16 serb,si edhe katër bateri artilerie me afro 400 ushtarë dhe oficerë të përgaditur. Gjithashtu në Prilep,Krushevë dhe Kërçovë,ishin vendosur për çdo vend nga 1 regjiment të cilët mbështeteshin nga artileria e Divizionit “Morava”.Forca ushtarake serbe kërkuan të futeshin edhe në rrethina të Tetovës e Gostivarit por ata u pritën me pushkë nga kryengritësit shqiptarë të atyre trevave.Luftimet u zhvilluan në datat 25-27 shtator në Maqedoninë Shqiptare,jo vetëm e rritën lartë  moralin e kryengritësve,por tërhoqën edhe vëmendjen e Beogradit,i cili nuk vonoi të hartonte planet e reja ndaj “rebelëve”.Në ditët e zhvillimit të këtyre luftimeve,kryengritësit e Maqedonisë Shqiptare treguan heroizëm të pashoq.Veçmas betejat e zhvilluara përgjatë grykës së Radikës,si edhe në Kërçovë e rrethina të Gostivarit,dëshmuan shpirtin e lartë të vetëmohimit dhe dëshirën e madhe të këtyre burrave për të qenë kurdoherë të lidhur me shtetin amë.Në këto luftime,trimat e Maqedonisë shqiptare rrëfyen jo vetëm pjekurinë në vendosjen e administratës shtetërore por sidomos edhe përgjegjsi të lartë në pikëpamje strategjike,ata u ndeshën me formacionet serbe në ato momente dhe në ato vende ku ishin të sigurtë për fitore.Kjo solli që pas mjaft të vrarëve nga ana serbe,t’u mireshin atyre një sasi e konsiderueshme armësh ku nuk munguan edhe topat e artilerisë,me ç’rast u paisën formacionet kryengritëse shqiptare.Përkundër shtypit të Beogradit,i cili e paraqiste kryengritjen e shtatorit 1913 në Dibër e në mbarë Maqedoninë shqiptare,si vepër e disa myslimanëve “mosmirënjohës”,Evropa po e kuptonte se ndarja e kufijve dhe coptimi i shqipërisë ishte shkaku kryesorë i tërë këtyre trazimeve.Janë një sërë dokumentash autentike të Austrohungarisë,Italisë,Rusisë e deri të Anglisë të cilat provojnë karakterin e vendosur të kryengritësve shqiptarë për të mos iu nënshtruar coptimit tragjik të trojeve të tyre shumshekullore. Mendoj të sjell në këtë rast,disa fragmente të arkivave të Ministrisë  së jashtme të Anglisë,përkitazi me ngjarjet e shtatorit të vitit 1913,të marra sipas informacioneve të z.C.A.Greik,nënkonsull anglez në Manastir.Pos të tjerave,në këto informacione thuhet tekstualisht ; “Meqë rezistenca serbe ishte e vogël,banorët e Dibrës myslimane dhe të lkrishterë u ngritën kundër nënpunësve administrativ të cilët ikën për në Strugë.Atyre së shpejti iu bashkangjitën trupat serbe që kishin mbetur gjallë,të cilët kishin zënë pomicione në kahjen midis Dibrës dhe Strugës.Dibra është marrë nga malësorët me 22 të këtij muaji,numëri i saktë i humbjeve serbe nuk dihet.Oficeri që komandonte këtu ishte i mendimit se humbjet e tyre silleshin rreth numrit 200 dhe 300 ushtarë… Bejlerët e Dibrës qenë jashtëzakonisht të pakënaqur me caktimin  ekufijve,i cili i ndan ata nga tokat e tyre në Shqipëri,vetëm e vetëm për hirë të përfshirjes në shetin serb të një minorateti të parëndësishëm sllav me më pak se 10 përqind popullsi,pa asnjë arsye strategjike,etnografie apo justifikim ekonomik.Ky kufi do të ndajë popullatën e Matit,Lurës,Kalisit dhe Dardhës, e mandej edhe një pjesë të Lumës nga qyteti i Dibrës,i vetmi treg i vendit i hapur për në shtetin e tanishëm.Kjo do t’i ndante këta po ashtu,edhe prej teqeve dibrane të Këllec-Babasë dhe Shaban Dedes,të adhuruara nga myslimanët deri në Krujë,ku ishte zakon që nga “Kryesitë e shehlerëve”,të gjithë llojet e mosmarveshjeve të zgjidhen pa kurrfarë marre në pyetje,të cilët kishin vlera të mëdha praktike,krahasuar me manastiret e zbrazëta apo kishat e pa shfrytëzuara përmes të clave,shtetet e krishtera ballkanike shtrijnë pretendimet territoriale të tyre… Kryengritja e shtatorit… në esencë është drejtuar kundër vendimeve të padrejta të konferencës së Amabasdorëve në Londër”

( Dibra dhe etnokultura e saj “ vëll I , Tetovë 1995 , faqe 301 – 302 ).

Në datat 26-28 shtator 1913 veçanërisht të ashpra u zhvilluan luftimet në shpatet e Jamen mbi Kërçovë si edhe në hanet e Mavrovës.Forcat kryengritëse të Maqedonisë shqiptare,ndonëse të pakta në numër (krahasuar me forcat serbe) dhe të armatosura keq e mos ma keq,mundën të zhvillonin disa beteja heroike ku ranë në sy,jo vetëm patriotizmi por edhe shpirti i lartë i sakrificës.Këta kryengritës,vlen të thuhet se patën në këto momente,ndihmë të madh edhe të pakursyer të fshatarëve të Gostivarit,Kërçovës e Strugës,të cilët nxuarën nga sepetet e vjetra fishekët e fundit dhe ua dhanë kryengritësve.Për rjedhojë më 28 shtatorë 1913,Mavrova,Kërçova e deri Gostivari me rrethina “dominohen plotësisht prej forcave kryengritëse të cilat kërkojnë bashkimin me Shqipërinë “(Arkivi Qendrorë i shtetit –Tiranë.Fondi 71 , dosja 4 , fleta 2 ).Këtë lajm e jepte në Vlorë,edhe vet Haxhi Vehbi Agolli,i cili ishte vënë në krye të administratës shtetërore në Dibër.Po në këto ditë,forcat kryengritëse mundën të vendosin pushtetin shqiptar edhe në Ohër,Strugë e Resnjë ku ndonëse se rezistenca serbe ishte më e madhe,gatishmëria e popullit të kësaj treve për t’u rreshtuar me kryengritësit ishte tejet e madhe.Megjithëse në këtë drejtim,Divisioni “Morava” pat dërguar rreth 2000 forca të armatosura deri në dhëmbë,brenda katër pesë ditëve humbjet e serbëve ishin tejet të mëdha.Në mjaft raste,ushtarët serb u fshehën në shtëpitë e  sllavomaqedonasve të këtyre trevave duke dëshmuar pos të tjerave se ishin të dyzuar në kauzën për të cilën luftonin.Prijësat e kryengritësve të Maqedonisë shqiptare,nga ana e tyre,kishin dhënë urdhëra të prerë që ushtarët apo oficerët serb që zotëronin nga ushtria e tyre,të trajtoheshin si robër pa u hakmarrur. Po pikërisht në fund të shtatorit,atëhrë kur u duk se kryengritja do të përfshinte edhe vise të tjera shqiptare,Beogradi vendosi të sundojë me dorë të hekurt.Tërheqja e tij,nga ana taktike kish të bënte vetëm me një riorganizim të forcave,duke vënë tanimë në dispozicion të shtypjes së kryengritjes,në Maqedoninë shqiptare,me mijëra ushtarë dhe oficerë të Divizionit “Morava” të armatosur deri në dhëmbë dhe të vendosur për të vënë në jetë planin e “tokës së djegur”.Në natën e 30 shtatorit 1913 mijërat e ushtrisë serbe,patën rrethuar Ohrin,Strugën,Prilepin,Mavrovën dhe Kërçovën.ata formalisht u kërkuan forcave kryengritëse që t’i lëshonin pozicionet pa luftë, e më tej të shkonin në shtëpitë e tyre.Prijësat popullorë të Maqedonisë Shqiptare nuk mund të gënjeheshin përballë këtyre propozimeve.E vërteta është se Qeveria shqiptare e asaj kohe,ndiqte me vëmendje situatën në tervat e saj të aneksuara nga Sërbija por kushtet për të ndihmuar kryengritjen mendoj se kanë qenë tejet të pafavorshme.Një inkursion i ministrit të luftës së qeverisë shqiptare,Mehmet Pashë Derallës,si edhe dërgimi i disa armëve në Maqedoninë Shqiptare,kanë një rol,por në kontekstin e ngjarjeve ky akt nuk mund të kishte ndonjë peshë të madhe.Qeveria shqiptare,në vjeshtën e vitit 1913,ishte e kërcënuar prej fqinjëve të vet deri në mosegzistencën e saj,pa pyetur më tej,për problemet e brendshme aq shumë të koklavitura.Protestat e politikanëve shqiptarë nëpër kancelaritë  evropiane,sigurisht që binin në vesh të shurdhur. Gjithsesi kryengritësit e Maqedonisë shqiptare,nuk mund të pranonin të lëshonin armët,për t’u pajtuar përgjithmonë me idenë e coptimit të tyre si edhe ate të robërisë nën terrorin serbosllav.Ata luftuan trimërisht në pozicionet e tyre,përballë një lukunije ujqish të etur për gjak.Në Kërçovë e rrethina,beteja vazhdoi plot 36 orë dhe vetëm në mbrëmjen e 1 tetorit 1913,forcat e divizionit “Morava” mundën të pushtojnë qytetin.Ndërkaq,më 2 tetor,forcat serbe,pas luftimesh të aspra me kryengritësit pushtuan Strugën dhe Ohrin duke vendosur edhe aty pushtimin e egër serb dhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre formacioneve,muarën edhe qytetin e Pogradecit,brenda kufijve të shetit amë shqiptar. Tashmë dhuna dhe terrori serb,shkonin drejt një strategie të përcaktuar qartë,prej elaborateve famëkeqe të inicuar në Beograd.Të dhënat burimore dhe ato arkivore,flasin për ate,se vetëm në vijën Ohër – Gostivar u dogjën rreth 180 fshatra të cilët ishin të banuar ndër shekuj me shqiptarë etnik. Kinse për ndihmën që i dhanë “rebelëve” shqiptarë,të gjithë këta fshatra i mbuloi tymi i zjarrit dhe ndërsa banorët e pafajshëm u ngjiteshin pyjeve,ata i prisnin mitralozët dhe pushkët e formacioneve serbe të divizionit “Morava”.Në Kërçovë,aty ku gjithmonë ka qenë i ndezur prushi i rezistencës,serbët dërguan rreth 4000 ushtarë dhe oficerë të cilët në dy javët e para të muajit tetorë 1913,vetëm në 11 fshatra të kësaj treve,dogjën më shumë se 1500  shtëpi të gjitha të banuara prej shqiptarëve etnikë.Ndërsa me qindra familje nga Gostivari e rrethinat,duke patur shtëpitë e djegura dhe asnjë mjet jetese,iu drejtuan shtetit amë,duke u vendosur më së shumti në Elbasan dhe Tiranë.

Ndonëse po shtypej me masa të tilla repressive,revolta popullore në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare,asesi nuk mund të shuhej prushi i shqiptarizmës .Shqiptarët po dëshmonin qëndresën,madhore për bashkimin e kufijve të copëtuar padrejtësisht në Londër.Shtypi i kohës shkruante ; “Po buçasin në të katër anët e dheut trimëritë shqiptare.Këto janë ata që na tregojnë se “stara serbija” s’është veçse vendi i thjeshtë : Shqipëri.Këto lajme i japin Evropës një mësim të plotë që kurrë shqiptari s’do të durojë nën zgjedhe”. ( Gazeta . “Liri e Shqipërisë “, datë 12 tetorë 1913 ).

Ajo papërgjegjësi e madhe e byrokracisë dallkauke evropiane,përsëri e nxjer kombin shqiptar para sfidave të përgjakura në mijëvjeçarin e ri.Shqiptarët kanë forcë dhe moral për ti përballuar.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Kryengritja e Dibres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5169
  • 5170
  • 5171
  • 5172
  • 5173
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT