• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RAMADAN ZASKOCI,MESAZH I ARDHUR PREJ KRISMAVE LUMJANE

August 19, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEH/

 Po të hypish në malin e bukur të Sharrit,po të hedhish vështrimin në vargun e bjeshkëve që zbresin poshtë në një bukuri mahnitëse,do të mrekullohesh sigurisht me krahinën e Lumës.Luginat pjellore midis Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi,ujrat e kulluar të bjeshkëve të ngelin të pashlyera në kujtesë, ashtu siç mbetet bukuria e shenjtë e peisazheve në celuloidin e filmit.Por bukuria e Lumës alpine do të ishte sidoqoftë e mangët pa bukurinë e shpirtërave njerzore që gjalluan aty në shekuj.Këta shpirtëra jo vetëm me jetën e tyre,por edhe me vdekjen e tyre,treguan se ishin të gjërë të thellë sa Luma,buçare dhe besnike deri në frymën e fundit ndaj lirisë së trojeve stërgjyshërore.

Ramadan Zaskoci qe padyshim një prej tyre. Një fat i mbrapshtë dhe i çuditshëm,paracaktoi lindjen e këtij trimi të ardhshëm.Një fat që gjithsesi,me trillimet e veta nuk mund të luante dot gjatë,me jetën e këtij djali.Ramadani i vogël,lindi në burgun e Prishtinës.Qelia e errët dhe e ftohtë,ishte jataku i parë i tij. Askush nuk shtiri pushkë sipas zakonit,askush nuk urroi sipas zakoneve të vjetra shqiptare,askush nuk këndoi në odën e madhe të burrave.Në errësirën dhe ftohtësinë e qelisë,në shtatorin e viti 1860,nënë Humneja mbështjellte me frymën e saj trupin e të birit duke e ushqyer me qumësht e dhimbje.Jeta i pat paracaktuar këtë fat vogëlushit ngase i jati i tij,Selmani,pat luftuar vite me radhë me armë në dorë kundër ushtrisë Osmane.Disa herë,koshadhet i bënë prita burrit të Lumës por ai u shpëtoi atyre.Disa herë krerët e parisë së Lumës e këshilluan mikun e tyre që t’i ulte armët që shkrehte ndaj Portës së Lartë,por Selman Zaskoci nuk dëgjoi.Prandaj ai u burgos familjarisht,në prtje të vendimeve të gjygjit ushtarak.Kur një prej xhandarëve të burgut,në fshehtësi i tha se gruaja të ka lindur djalë,Selmani iu përgjigj buzëgaz se tash e tutje për asgjë nuk do të kthehej më prapa.Kështu përmes qethullit të halleve,do të rridhte më pas krejt jeta e Ramadanit të vogël.Mbas vrasjes së babait,ai do të detyrohet të punojë si yzmeqar pa i mbushur ende të dhjetë vitet.Natyrisht i mungon dashuria atërore,lodrat e bukura të fëmijërisë, shoqëria gazmore.Fëmijëria i ishte vrarë përfundimisht.Të vetmet nete gëzimplota,ishin ato kur kthehej në shtëpi dhe nëna gjente kohë t’i këndonte këngë trimash e t’i fliste për zanat e shtojzavallet që dilnin natën anës Drinit.

Kur ishte 15 vjeç,Ramadani u detyrua të lërë fshatin dhe të shkojë për bukën e gojës në Prizëren.Aty djali Lumjan nuk përton të punojë edhe kamarier në një kafe ngase duhej të jetonte vetë por edhe të mbante familjen.Në kafe hynin e dilnin plot njerëz e midis tyre edhe patriotë.Në bisedat e tyre kishte filluar të ishte e pranishme ideja e një autonomie e krejt vilajeteve shqiptare të cilët nuk mund të duronin më zgjedhën shekullore të osmane. Veçmas me birin trim të Lumës,do të bisedonin Ymer Prizëreni dhe Shuaip Spahiu.Pasi u bindën në trimërinë dhe ndershmërinë e tij,ata nisën të flasin hapur me Ramadanin i cili anipse i rritur mes hallesh,kishte një trup të drejtë si lastar,muskuj të fuqishëm dhe sy zhbirues.Ndër organizatorët e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,Ramadan Zaskoci do të jepte mendimet e tij jo vetëm të guximshëm por edhe të pjekura,sa u përket vendimeve luftarake.

Pushka e parë që trimi i Lumës,do ta shkrepte në ndezje të idealeve autonomiste të Lidhjes së Prizërenit,ishte ajo e gushtit,të vitit 1878.Dihet tashmë se Kongresi i Berlinit,në mënyrë krejtësisht të padrejtë,i fali trevat e Plavës e Gucisë,Malit të Zi.Për të sendërtuar  këtë krim etnik,në Prizëren,në krye të mijëra vetëve,mbrrin Mehmet Pashë Maxhari.Organizmat ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,për t’i treguar të dërguarit të Sulltanit se ishin kundër këtij coptimi të trojeve,vendosën së pari ti bëjnë atentat,telegrafistit të tij,Sokrat Argjiriadhit.Kjo detyrë kaq e vështirë iu besua Ramadan Zaskocit dhe dy miqve të tij të ngushtë.Ka qenë pikërisht data e 27 gushtit të vitit 1878,kur përmes mizerisë së ushtarëve osman,Ramadani me dy trimat e tjerë,mundi të depërtojë mrekullisht dhe u gjend fare afër telegrafistit.E shtëna e armës dhe thirrja e kotë e telegrafistit,suallën konfuzion në pazar me ç’rast Ramadani dhe miqtë e vet,duke qenë të lumtur pse kryen misionin u larguan si era.Krisma e pushkës së birit të Lumës,do të dëgjohej jo vetëm në Prizëren por deri larg,nëpër shtypin e Evropës.Ajo pushkë do të parathoshte zgjim të vetëdijes nacionale të nëpërkëmbur prej natës osmane.Ato krisma,do t’u kumtonin jo vetëm Fuqive të Mëdha por sidomos fqinjëve tanë,se Shqipëria nuk mund të ishte një kafshatë që mund të kapërdihej lehtë prej kujdo.Pas atentatit aq të bujshëm,kur Ramadani u takua me të vëllanë e vet,Rexhën dhe ky e lavdëroi për trimëri,biri i Lumës iu përgjigj : “Kur kapaklia shkrep për me mbrojt votrën,krisma e saj ndigjohet 100 hapa larg votrës.Por kur ajo shkrep për me mbrojt trollin e Shqypnis,atëherë zani i shkon deri larg Berlinës”.

Pas këtij atentati trimëror,Ramadan Zaskoci do të lidhej plotësisht me burrat e tjerë të Shqipërisë që luftonin për autonominë e saj së bashku me Islam Spahinë dhe Ymer Prizërenin,ata do të ndërmerrnin disa arsione luftarake duke bërë të mundur krijimin e disa zonave të lira të trojeve tona. Nëse mendimtarët e mëdhenj të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit si Abdyl Frashërit,Iljaz Pashë Dibra, e dhjetra të tjerë,patën guximin dhe kurajon e madhe të ngrinin zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave kombëtare,padyshim ata u mbështetën në trima si Ramadan Zaskoci,Islam Spahia,Ded Gjo Luli,Hasan Ferri  e mijëra burra të tjerë pushka e të cilëve mbronte me gjak çdo pëllëmbë të Shqipërisë sonë Etnike. Më 1 nëntor 1878,Ramadan Zaskoci,në krye të dhjetra trimave lumjanë,merr pjesë në tubimin që Dega e Lidhjes për Dibrën,organizon së bashku me Abdyl Frashërin.Në këtë tubim,kur nuk mungoi as bujaria dhe as besa tradicionale dibrane,pos të tjerave u vendos :

“Së pari-bashkimi i Shqipërisë së lartëpërmendur në një vilajet dhe caktimi si qendër e vilajetit i një qyteti që ndodhet afër dhe që ka lidhje me gjithë krahinat e tij.

Së dyti-të gjithë nëpunësit që do të jenë në Shqipëri,duhet të dinë gjuhën  evendit.

Së treti-të përhapet arësimi dhe në shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe.

Së katërti-të zbatohen vendimet që do të merren për reformat e dobishme për shëndetin dhe kombin,nga ana e kuvendit të përgjithshëm,i cili do të mblidhet çdo vit,katër muaj në qendrën e vilajetit.

Së pesti-të ndahet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit për tu shpenzuar për përparimin e arsimit si edhe për ndërtime publike”. ( Arkivi i Institutit të Historisë,Fondi Lidhja e Prizërenit,dokumenti 17 ).

Mendoj se prej të gjithëve ne,tashmë është i pjekur dhe i pandryshuar mendimi se Lidhja Shqiptare e Prizërenit,është një ndër epopetë më të mëdha e të ndritura të popullit tonë në mijëvjeçarë. Mesazhet e kësaj epopeje jo vetëm që transmetohen nga brezi në brez,por rezonojnë ende nën drita të reja,deri në ditët e sotme.Parë në këtë rrafsh,padyshim që Ramadan Zaskoci është ndër protagonistët e kësaj faqeje të ndritur në historinë tonë.Mirëpo duhet thënë se egërsia me të cilën Porta e Lartë,nisi të shtypë lëvizjen tonë kombëtare (pas viteve 80 të shekullit të kaluar) nuk ishte parë ndonjëherë në krejt viset e pushtuara të Perandorisë të Osmane.Ishin mbi 20 batalione osmane të cilat  të armatosura deri në dhëmbë kaluan Selanikun,Shkupin dhe iu drejtuan visive të Dibrës dhe Kosovës,aty ku në fakt ishte foleja e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Marsi i vitit 1881,do të përgjakej prej disa betejave radhazi ku u dëshmua jo vetëm egërsia osmane por sidomos shpirti kryengritës i popullit tonë i cili përpara lirisë së trojeve të veta nuk vinte asnjë besë tjetër. Shtimja, Slivova dhe sidomos Caraleva gjëmuan në pranverën e vitit 1881 prej gjëmimeve të topave e pushkëve.Tashmë Ramadan Zaskocin e shohim jo vetëm si trim,atentator dhe luftëtar të sprovuar.Më tepër se kaq,figura e tij lartësohet prej pjekurisë dhe peshës së fjalës.Nën komnadën e birit të Lumës,viren qindra burra e djem sytë e të cilëve kërkonin veç beteja për trojet amtare.Së bashku me Islam Spahinë,Bajaram Currin e Bajram Gjanën,Ramadan Zaskoci ndërmerr veprime të përbashkëta luftarake duke u bërë simbol i qëndresës kulmore të krejt visive të Lumës ndaj ekspeditave të Portës së Lartë.Është më se kuptueshme,që përballë këtyre mijëra jeniçerëve osman,formacionet luftarake shqiptare të Lidhjes së Prizërenit,të goditeshin rëndë.Po tu shtosh këtyre betejave edhe mospërkuljen e disa krerëve shqiptarë të nacionalizmit tonë të sapolindur,bindesh se vështirë që organizmat ushtarake shqiptare të qendronin në këmbë.Kështu në dimërin e vitit 1881,Dervish Pasha,kishte kryer një sërë reprezaliesh në Kosovë e Dibër,duke djegur plaçkitur e shkretuar fshatra të tëra,si edhe duke vrarë mijëra,njerëz.Me këto veprime shtazarake.Porta e lartë kërkonte t’u jepte “mësim” shqiptarëve që këta,të ulnin kokën përgjithmonë.

Sidoqoftë edhe në këto kushte,atdhetarët e shquar shqiptarë,nuk u përkulën.Ata kanë qenë dhe mbetën si ata lisat e lartë që durojnë furtunat e mëdha për t’u ringritur akoma më të mëdhenj pas këtyre furtunave.Anipse për kokën e Ramadan Zaskocit,ishin paguar shuma të mëdha  floriri,ai nuk mund të rrinte i fshehur dhe i friguar.Sipas zakonit të lashtë lumjan,mbledh rreth vehtes dhjetra trima(të cilët ishin të martuar dhe kishin të paktën një djalë) dhe kryen disa aksione trimërore duke shfaqur dukshëm frymën e mosnënshtrimit të bashkëkombasve të vet ndaj dhunës të egër të Portës së Lartë. Diku sulmon një garnizon dhe merr armë e municione për çetën,diku u jep ultimatume serbëve që të mos shkelin hapësirat shqiptare,diku bën atentat ndaj shërbetorëve të verbër të Turqisë e më tej grish burrat e Lumës të lidhin besën që mos t’i lëshojnë skurrë armët.Në një dokument të atyre kohëve thuhet tekstualisht ;”Brenda krahinës së Lumës disa luftëtarë qëndrojnë maleve,kanë kundërshtuar urdhërat e Dervish Pashës,madje kanë guxuar të sulmojnë ushtarët e perandorisë”. (Arkivi i Institutit të Historisë,viti 1881,dokumenti Nr.1 dosja nr.3).

Pas këtyre ngjarjeve,Luma do të percillej jo pa shqetsim,me rrethet më të larta të Perandorisë. Shpirti kryengritës i popullit të saj do të shkëlqente në sa e sa beteja,ç’prej vitit 1881 e deri në vitet e fundit të shekullit.Porta e Lartë,duke paraparë në këtë shpirt kryengritës të lumjanëve,humbje të mëdha politike dhe ushtarake u rrekën të ndëronte strategjinë e saj.Kështu ajo nisi të falte me dekrete të veçantë disa prej trimave lumjanë duke dhënë idenë se Sultani ish mik me shqiptarët.Por çuditërisht,në asnjë prej këtyre dekreteve,nuk u shkrua për “Faljen” e Ramadan Zaskocit i cili me sa dukej do të ishte armik deri në fund i sundimit osman.Sidoqoftë,kjo nuk do ta ligështonte askurrë burrin i cili i pat dhënë besën atit të tij e krejt atdheut se veç liria do të bënte që ai të kthehej në vatrën e ngrohtë familiare.Detyrimet osmane për rekrutimin e djelmoshave lumjanë,Ramadan Zaskoci iu përgjigj me qëndrimin e prerë se “Na nuk kena djem për asqerë na kena djem për pushkë e veç për vatanin tonë”.Thirrjes së trimit iu përgjigjën qindra djem të Lumës të cilët rrëmbyen armët dhe mbushën rradhët e çetave shqiptare,në roje të kufijve tanë etnike.

“Duke vlersuar rezikun e jashtëm që këcënonte trojet amtare dhe nevojën e mbajtjes të forcave ushtarake në vend,popullsia e kazave të Prizërenit,Lumës dhe ajo e Sanxhakut të japin sasinë e rekrutëve të caktuar nga autoritetet qeveritare”.(Arkivi Qendror i shtetit,fondi 17,dos.nr 13).

Si një refleks i Lidhjes së Pejës,së vitit 1899,do të shfaqej në vitin 1901,kuvendi i besës dhe i kushtrimit të lumjanëve.Nën emrin simbolik “Dheu”,trimat e Lumës,bashkonin gjokset dhe armët,në institucionin e lashtë moral shqiptar,të besës.Përfaqsuesit legjitimë të krejt visive të Lumës,në këtë kuvend të “Dheut” shpallën pos të tjerve platformën e tyre: luftë e papajtueshme si ndaj Portës së Lartë ashtu edhe ndaj Serbëve,të cilët,mësynin jo rrallë kufijtë etnike shqiptare.Ky kuvend zgjodhi kryesinë prej 18 burrash trima e me influencë në krejt Lumën dhe kryetar Ramadan Zaskocin i cili me ç’rast u betua edhe një herë se jeta e tij do të ishte veç e lidhur me fatet e viseve arbërore.Besëlidhja “Dheu” funksionon ç’prej 1901 e deri në vitet 1909-1911.Në parametrat gati të një kushtetute,ky mekanizëm bese,u kthye në simbol të bashkimit të lumjanëve rreth idesë kulmore për autonominë shqiptare.Janë me qindra kuvendet,beslidhjet,partimi i gjaqeve,të kryera në këto vite,ku u ndie jo vetëm maturia por edhe ndershmëria dhe shpirti i madh i burrit Ramadan Zaskoci. Ndodhte që dy lumjanë të ishin betuar për të luftuar deri më vdekje sho-shoqin,por përpara fjalës së bekuar të kryetrimit të tyre,ata heshtnin e s’u mbetej mëri në damarë veç dashuri vëllezërore. Vite 1904-1905,do të kalonin plot rrebeshe në viset e Dibrës dhe Kosovës.Tashmë vetëdija kombëtare shqiptare kish nisur të zgjohej dhe prej këtij zgjimi trembeshin jo vetëm autoritetet turke në vilajetet shqiptare por edhe vet Porta e Lartë.Veçmas në Lumë,u dërguan disa  herë radhazi ekspedita ndëshkimore për marrjen me forcë të taksave dhe rekrutëve.Barbarisht u dogjën kulla,barbarisht u malltretuan dhe vranë shqiptarë,barbarisht u rrëmbyen djem 10 vjeçarë prej gjokseve të nënave. Por Lumjanët asesi nuk u nënshtruan. I paisur me dhuntitë e prijësit popullor, e strategut të maleve, Ramadan Zaskoci mundi të organizojë disa prita që edhe sot mund të merren si modele të mençurisë dhe trimërisë popullore.Arti ushtarak i mësuar në male e gryka,triumfonte kësisoj ndaj ekspeditave ndëshkimore të udhëhequra prej oficerëve me akademi të Stambollit. Epokale do të mbetet beteja në Grykën e Morinës,në vitin 1909.Por përpara kësaj beteje,kishin pasuar disa të tjera në Pejë,Prizëren e Gjakovë me ç’rast forcave osmane u ishin shkatuar dëme të mëdha.Duke parë se revolta shqiptare sa vinte e rritej,në verën e vitit 1909,Porta e Lartë,dërgoi drejt visive të Kosovës e Dibrës gati 15 batalione ushtarësh të komanduara prej Xhavit Pashës.Hierarku i lartë i ushtrisë osmane,kish marrë bekimin e Sulltanit,me ç’rast kish premtuar një nënshtrim total të shqiptarëve.Ndaj në mbështetje të tij nuk munguan repartet më moderne të asaj kohe. Ramadan Zaskoci,me të marrë lajmin,mbledh në mënyrë urgente pleqësinë e “Dheut” dhe merr mendimin e bashkëluftëtarëve të tij.Të gjithë njëzëri aprovojnë rezistencën e armatosur. Ndërkaq është dhënë kushtrimi dhe djem,burra, e pleq (prej 10-70 vjet) rrëmbyen armë,sopata e ç’të mundnin duke u organizuar në çeta vullnetarësh.Ramadan Zaskoci,bëri ç’ishte e mundur që,në vijën e parë të mbrojtjes,të vinte burrat më me përvojë e të armatosur mirë ngase e dinte që trupa e Xhavit Pashës do të ishte tepër e fuqishme.Ai vetë nuk mungoi të shkonte pozicion me pozicion,të këshillonte e t’u jepte zemër bashkëluftëtarëve të vet.

Beteja nisi e ashpër dhe Xhavit Pasha rrahu me artieri të rëndë pozicionet e lumjanëve në dy anët e Grykës së Morinës.Falë këtyre mburojeve natyrore,formacionet vullnetare shqiptare, e zbrapsën vrullin e sulmit të parë e mandej ndërmuarën edhe kundërgoditje sidomos në shpatet e Drinit të Bardhë.Xhavit Pasha ndërmerr valën e dytë të sulmit pas dy-tri ditëve duke kombinuar goditjet me artileri dhe manovrat krahmarëse.Ndërkaq,mençurisht Ramadan Zaskoci,duke u organizuar në thellësi e duke pritur përforcime prej Kosove e Dibre.Dhe ai nuk mund të gabonte.Prej tejdrinit, Kalisit,Dollovishtit e Malaziut erdhën qindra vullnetarë shqiptarë të armatosur ndërsa forcat e Elez Isufit kishin nisur marrëshimin në drejtim të Morinës për të vënë armikun midis dy zjarreve.Edhe Qafa e Kolsjanit,u zu prej forcate të Islam Spahisë dhe Bajram Gjanës duke kërcënuar realisht përparimin e forcave turke.Gati dy muaj rresht,në shtator-tetor të vitit 1909,u zhvilluan dhjetra luftime të përgjakshme.Tashmë,askush prej vullnetarëve shqiptarë nuk tërhiqej.Për ta ishte më se e qartë se kjo betejë do të ishte lavdia e tyre e nesërme ose pluhuri i harrimit që mund të binte. Nën thirjen majëkrahi,në vjeshtën e këtij viti,shpatet e maleve të Lumës gjëmuan prej batareve dhe në vend të mjergullës pat veç tym baroti.Drini i bardhë u la me gjak e ndër 10 jeniçerë turq,binte edhe nga një trim shqiptar Shtypi i asaj kohe,duke iu referuar vetë ushtarakëve turq në këtë betejë shkruante : “Për sa shuplak që na kanë dhanë njerëzit tuaj,pohoi një ushtarak turk për luftimet në Lumë,kaq ngushtë e pamë veten,saqë po të mos na vinin në ndihmë taborre të tjerë… Kjem t’u ra të gjithë në dorë të shqiptarëve.Edhe pak ditë me pas zgjat,asnji prej nesh nuk ishte kthyer…” (Gazeta “ Dielli”, Boston,numër 34, 19 nëntor 1909 ).

Si kurodherë edhe në këto beteja spikatën guximi dhe mençuria e Ramadan Zaskocit.Në krejt betejat e zhvilluara,në krye të një grupi trimash,biri i Lumës u gjend kurdoherë në vijën e parë të sulmit. Ai  su frigua aspak e askurrë edhe kur gjylet i ranë tek këmbët,edhe kur bataret e repta ja hoqën sharkun e murrme prej krahëve.Jeta riniste tek ai me forcë më të madhe prej krismave të armëve,ashtu siç rinis jeta e pemëve në mars. Në vitet 1909-1914 ,përpjekjet e tij me kahje nga shqiptarizma ishin të paprera.Tashmë emrin e Ramadan Zaskocit e mbajnë në buzë me respekte jo vetëm Luma e Dibra po krejt Kosova e Shqipëria.Takohet me Ismail Qemalin dhe i jep besën në emër të krejt Lumës,ka miq të ngushtë Hasan Prishtinën dhe Islam Spahiun,nga tmerr i turqve,është kthyer tashmë në tmerr për serbët. Natyrisht ai nuk do të pajtohej askurrë me coptimin e trojeve shqiptare.Në shtatorin e vitit 1914,niset për në Bicaj ku do të lidhej edhe një herë besa e do të jepej kushtrimi për të ruajtur kufijtë tanë etnike.Askush s’mund ta ndalte trimin e Lumës t’u flasë burrave me fjalë burri.Por sigurisht kanë dashur ta ndalojnë qindra serbë që i bëjnë pritë dhe e plagosin rëndë.Pas tri deceniesh lufte paprerë,Ramadan Zaskoci, ndjen ta lënë fuqitë.Shokët e marrin në krahë dhe e vendosin në një jatak të sigurtë.

Ka qenë vjeshta e parë e vitit 1914.Me një merak të madh për të nesërmen e atdheut të vet,Ramadan Zaskoci mbyll sytë.Vallë ç’mund të ketë qenë mesazhi i fundit i këtij vigani luftërash e bese ? Natyrisht,ai i lirisë i përcjellë në gjakun e lumjanëve përmes krismave të armëve.

Bern-Zvicër(Ne Foto:  Ramadan Zaskoci në Pikturë)

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, permes krismave, Ramadan Zackoci

Një thirrje për qeverinë e re…

August 19, 2013 by dgreca

Nga Zyba Hysen Hysa/

“Shqipërisë po i ndodh si kalasë së Rozafatit, që ndërtohej ditën dhe prishej natën, ndaj edhe sikur të kem fatin e gruas që u muros për të qëndruar kështjella, do ta pranoj, vetëm dua të ngre zërin tim që të mos i dëgjoj e të mos e shoh më ndërtimin pa leje dhe prishjen me leje, se në vendin tonë kanë ardhur e kanë ikur pushtues pas pushtuesi, por asnjë nga pushtuesit, nuk prishi ato që ndërtonte ai që ikte, ndërsa në kohën e sotme, që jemi pa pushtues, pa armik në vatra, po bëhem mynxyra të papara e të padëgjuara…”

Shpesh dëgjoj nëpër biseda që thuhet: “Edi Rama(nuk thonë as Kryeministri) do i prishë të gjitha ndërtimet pa leje në Vlorë… Edi Rama do heqë të gjithë drejtorët e shkollave… Edi Rama…” I dëgjoj dhe nuk hyj në biseda e aq më shumë të debatoj, nëse bën mirë, apo bën keq, por pse ta fsheh, më zë një dridhmë që as vetë nuk e ndaloj dot, një dridhmë që pak nga pak më shndërrohet në makth, se këto deklarime i kam dëgjuar sa herë ndërrohen qeveritë këtu në Shqipërinë tonë të dashur. “Ëh… rënkonte vendi,/ Sa herë vinin mizoritë,/ Ëëëëëh rënkon edhe qielli,/ Kur hipin, zbresin qeveritë…”

Shqipërisë po i ndodh si kalasë së Rozafatit, që ndërtohej ditën dhe prishej natën, ndaj edhe sikur të kem fatin e gruas që u muros për të qëndruar kështjella, do ta pranoj, vetëm dua të ngre zërin tim që të mos i dëgjoj e të mos e shoh më ndërtimin pa leje dhe prishjen me leje, se në vendin tonë kanë ardhur e kanë ikur pushtues pas pushtuesi, por asnjë nga pushtuesit, nuk prishi ato që ndërtonte ai që ikte, ndërsa në kohën e sotme, që jemi pa pushtues, pa armik në vatra, po bëhem mynxyra të papara e të padëgjuara…

Ka vite që nuk më shkitet nga mendja një skenë e parë në një pyll buzë rrugës, kur një burrë po priste një pemë të lartë dhe pema u rrëzua me një oshtimë, që ngjante si rënkim e një të riu të rrëzuar nga një plumb i pabesë. Shtanga dhe lotova, se ai vazhdonte të priste më radhë… Po kjo vazhdoi në gjithë vendin, vazhdon edhe sot, priten e digjen pyje pafund… kjo gjë u bë edhe në 97, ku u shkatërruan fabrika, uzina, kombinate… vreshta, ullishte, kanale ujitëse… se kështu po “dënonin” sistemin diktatorial, vramë dhe njëri – tjetri me një egërsi më të egër se diktatura e diktatorit, në emër të “demokracisë” dhe ku ishim… në diktaturë, ku shkuam… në një formë më të egër diktature dhe ne sa koha shkon ndalojmë frymën dhe dëgjojmë të na çilet një dritëz demokracie, një dritëz shprese për paqe, për vëllazëri mes shqiptarësh, po si do ta kemi këtë, ku pa zënë kolltukët, dëgjohen kërcënime?? Cilët janë demokratët? Po socialistët? Po …? A nuk janë të gjithë shqiptarë? A nuk flasim të gjithë shqip? Nuk jemi të një gjaku? Pse do të “përshëndetej” populli me masa ndëshkimore pa i përshëndetur me dëshirën e mirë për të gjetur një gjuhë të përbashkët që edhe ato që janë ndërtuar pa leje të mos prishen, por të shpallen pasuri shtetërore, se një që vjen e ndërton në pronën time pa më pyetur, ai ka dy rrugë: Ose brenda një afati ta prishë vetë, ose ajo të më kalojë mua, kështu edhe këto ndërtime, se është mund, djersë dhe investim, që është bërë, mbase pa dokumente, por patjetër me leje, se nuk u ngrit një kështjellë me rërë të njomë, ashtu siç bëjnë fëmijët buzë detit dhe ta fshijë dallga, por është dashur punë e kur paskan qenë pa leje, ku ishte pushteti vendor që i ka lejuar? A nuk ishte kjo socialiste, apo në ato rrethe ku ka qenë i partisë demokratike e kur erdhën në pushtet bënë të njëjtën gjë??

O zot i madh! Kur do mbarojë kjo Odise?! Nuk e ka fajin ujku që ha tufën, por bariu që nuk e ruan, ndaj unë doja të dëgjoja nga kjo qeveri që të thoshte: “Nuk do të lejohen më ndërtime pa leje, ato që janë bërë në prona publike, i kalojnë shtetit për t’i menaxhuar për të mirën e popullit…” e cila do kishte më shumë vlerë, sesa të shkojnë me ceremoni për t’i prishur, ajo gjë krijon makthe, jo ndërgjegjësim, se po të veprohej kështu, asnjë nuk do të guxonte të ndërtonte pa leje, se do t’i konfiskohej… apo me drejtuesit e shkollave. Ç’faj kanë drejtuesit që i vinin mësuesit në rresht, kur ata urdhëroheshin nga lart? Po, jam dakord, të shikohen të paaftët, që edhe mund të ketë, por të aftët të trajtohen nga shteti si drejtorë dhe jo si komisarë të partisë. Ata janë si të gjithë, mësues, por kanë qenë të detyruar, janë shqiptarë e kanë të drejtë të punojnë, nëse duam arsim (jam e bindur) ata bëjnë arsim, nëse duam politikë, ato nuk kanë rrugë tjetër, bëjnë politikë. E keqja nuk është tek drejtorët, por tek qeveria. Nëse qeveria e re, do dijë të drejtojë, edhe ata do i përgjigjen detyrës, ashtu siç kërkohet. Fshesë e këtyre do ishte një përsëritje e gabimeve, duhet të mësojmë të drejtojmë, jo të shkatërrojmë…

Që në fushatë dëgjoja biseda mes kolegësh: “Po fitoi PS, unë do bëhem drejtor se jam i LSI – së, – thoshte njëri, ndërsa unë, – thoshte një tjetër, do të bëhem nëndrejtor, se jam e PS- së…” dhe këto bëheshin në sy të drejtorëve aktualë e krijohej një gjendje, si të ishin armiq. Unë besoj, se më “fshesën” e qeverisë së re, do të bëhet i njëjti gabim i qeverisë që iku dhe kjo më çon të mendoj, se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë e nuk ndryshon asgjë nga kushdo që ta marrë pushtetin, se politikanët tanë nuk udhëhiqen nga ideja: “Ç’mund të bëjmë për popullin”, kjo mbaron me mbarimin e fushatës dhe populli nuk ekziston më si nocion e jo më si qëllim.

Unë i uroj qeverisë së re një rrugëtim paqësor dhe bashkëpunues me gjithë shqiptarët, sidomos, me intelektualët dhe mendjet e ndritura të vendit tonë. Le të merret ky shkrim si një shqetësim që vjen nga populli, se krijuesit kanë veti që pëshpërimat dhe psherëtimat e popullit t’i kthejnë në thirrje që shteti t’i dëgjojë dhe të reflektojë…

Filed Under: Opinion Tagged With: qeverise se re, thirrje, Zyba Hysa

Po kërkohet qe edhe serbet brenda Kosovës te mos e njohin shtetin e Kosovës

August 19, 2013 by dgreca

nga Bekim REXHEPI/

Janë zgjedhjet e ardhshme te 3 Nëntorit, ato te cilat ua qartësojnë serbeve të Kosovës që të mos e njohin definitivisht Kosovën si shtet të tyre. Në fakt ne kishim dilema se një dite Serbia mund ta njoh pavarësinë e Kosovës, madje ishim afër një shprese dhe gjase se ndofta janë bisedimet apo vetëm përmes tyre Serbia më në fund do të qartësohet politikisht ndaj realitetit të krijuar në Kosovë.

Janë zhvilluar një varg bisedimesh dhe janë bërë një varg marrëveshjesh me Serbinë, sa i përket Kosovës dhe gjendjes së saj. Por të gjitha këto bisedime dhe të gjitha këto marrëveshje akoma nuk kanë sjellë ndryshime të theksuara ne raportet shqiptaro serbe.

Politika zyrtare e Kosovës ka bërë disa hapa në drejtim të përmasimit të këtyre raporteve duke ua falur edhe krimet, edhe dëmet nacionale. Por, serbet këto raporte nderë etnike as edhe sot nuk orvaten ti relakësojnë në dobi të vetë raporteve por orvaten që ato ti shfrytëzojnë akoma ne dobi te ultranacionalizmit të tyre.

Duke iu kthyer dhe një herë çështjes së zgjedhjeve të tre nëntorit, zgjidhje qe po synohet të fusin edhe popullatën serbe të veriut. Është për tu analizuar nëse serbet e Kosovës ne këto zgjedhje do të dalin masovikisht apo vetëm sa për të përmbushur një lloj komoditeti politik për pushtetin në Prishtinë, i cili më shumë është i interesuar të fus serbet në zgjedhje për shkak të pushtetit se sa ti fus në shërbim të shtetit dhe vet serbëve. Është tashmë e çartë se propozimi për datën e tre nëntorit ka rrjedhë nga qeveria serbe ne Beograd, dhe më pas ka akorduar edhe qeveria në Prishtinë, që data për zgjedhjet në Kosovë të jetë tre nëntori. Por përpos këti propozimi të qeverisë serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë që përbën një absurditet politik (sepse çfarë do të ishte reagimi i Serbisë nëse qeveria e Prishtinës do të propozonte një datë për zgjidhjet në Serbi). Absurditeti nuk ka te ndalur, shih se çfarë presioni ka KQZ-ja e veçanërisht anëtaret e Komisionit Qendror Zgjedhor, rasti i z. F. Maloku, është rast qe tregon se si funksionon pushteti dhe jo shteti kushtetues.

Nuk duhet injoruar rasti i z. Maloku, sepse ai do të ngjeshi edhe me shumë faktin se Kosova nuk qeveriset nga shteti kushtetues por nga pushteti qe e ka kapur shtetin me gjithë kushtetutë.

Kryetarja e KQZ-së Daku, është jashtë mandatit të saj, sepse ka udhëtuar disa herë në Bruksel duke marrë pjesë në dialogun politik. Gjithashtu zonja Daku, ka urdhëruar kryeshefin ekzekutiv të KQZ-së që të bëjë zëvendësimin e zyrtarëve komunalë në komunat në veri të vendit me individë të propozuar nga qeveria serbe, me çfarë është jashtë mandatit dhe shkel pavarësinë e vet KQZ-së.

Valdete Daka, orvatet të spekuloj akoma më shumë duke ritheksuar se “deri tash akoma nuk është diskutuar se si do të duket logoja në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit”.

Çfarë logo-je tjetër duhet të kenë zgjidhjet në Kosovë, përpos asaj logo-je shtetërore. Këtu orvatet të mënjanohet simbolet shtetërore dhe për hir të pushtetit, duke i dhënë të drejtë qe edhe serbëve të Kosovës të mos e njohin Kosovën si shtet të tyre. Përse të mbahen zgjedhjet ne veri të Kosovës nëse ato nuk e legjitimojnë pushtetin e vendit atje?! Ato mund të mbahen atje vetëm nëse e legjitimojnë një pushtet i cili i përgjigjet shtetësisë së Kosovës, në të kundërtën është më mirë të mos mbahen fare siç po orvatet të mashtrohet vetëm opinioni i brendshëm shqiptar sepse opinioni serb është i qartësuar sa i përket zgjedhjeve në Kosovë.

Serbet do të hynë ne zgjedhjet e Kosovës nëse këto zgjedhje ua mundësojnë serbëve të Kosovës të mos i pranojnë domosdoshmërish institucionet e Kosovës. Simbolet shtetërore janë shumë të rëndësishme dhe nuk duhet lëshuar pe qe ato të zhbëhen, për shkak të një procesi që në esencë nuk do të legjitimoj asgjë. Më mirë të mos zhvillohen zgjedhjet e tre nëntorit fare se sa të hiqet dorë nga simbolet. Është gati e njëjta gjë sikur me fusnotën që morri Kosova nga koncesionet që më herët i bëri Serbisë, e në fund ajo edhe pse morri fusnotën për Kosovën, serish i bojkotoi të gjitha takimet ku morën pjesë përfaqësuesit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, brenda Kosoves, po kerkohet, qe dhe serbet, Shtetin e Kosoves, te mos e njohin

Përmbytje e madhe …

August 18, 2013 by dgreca

Shkruan: Rasim Bebo/ Chikago/

Në Tiranë pata përshrypjen se isha kthyer në kohën e Galileut, kur ai pohonte se, toka ishte e rumbullakët me gjithë kundërshtimet dhe kërcënimet e bëra ndaj tij. … Çuditërisht, z. M. Korkuti dhe Mancaku i quajnë pasardhësit e Ilirëve si parailirë, sepse nuk guxojnë të përdorin emërtimin  “Pellazg”.   Euripidi:  “Një skllav nuk e ka të drejtë të thotë të vërtetën nëse ajo nuk i vjen për shtat zotërinjve të tij”.  Ndërsa Tagora:   “Nëse i mbyllni potrtën të gjithë gabimeve, e vërteta mbetet jashtë”.  (M. Aref “Mikena=Pellazgët”,  f.24;  R. Bebo “Zeusi”,  f. 154).

Historiani Amerikan Edwin Jacques shkruan: “Folklori grek e kërkon origjinën e themelimit të Greqisë te Deukalioni mitollogjik dhe e shoqia e tij Pirra. Dy njerёzit e vetëm që i shpëtuan përmbytjes së madhe. Biri i tyre Heleni, ishte pasardhësi legjendar i racës greke që datohet rreth vitit 700 p. K. Prej tij njerëzit e këtij populli morën emrin helenë. Kurse atdheu i tyre Hellas. Nga kjo del qartë përse Homeri nuk i përmënd grekët apo helenët në rrethimin e Trojës, por flet për një numur fisesh pellazge.  Duke patur parasysh përmëndjet e shpeshta të këtyre pellazgëve parahelenë nga autorët e lashtë grekë, duket i çuditshëm fakti që shumë historianë të sotëm ose e injorojnë ekzistencën e tyre, ose i futin në një thes me grekët. Dijetarët e lashtë nuk binin në gabime të tilla”.  (1).

Mathieu Aref citon: “Legjenda e dekualionit u krijua për të fshirë plotësisht të kaluarën pellazge, një përmbytje që fshinë gjithçka, në mënyrë që të fillohet nga zero. Kështu, sI me magji, dolën në dritë Heleni i Deukalionit dhe i Pirrhas: Helen. Eponim i stregjyshit të grekëve.  De Zhubainvil e thotë me forcë:  “Ndëfutja e një përmbytjeje në fund të historisë pellazge është pasojë e natyrshme e pushtimit të Greqisë nga raca semito-egjyptiane (helene), historia e së ciles fillon me përmbytjen e Dekualionit”. (2).

…Reflektojmë në një pasqyrim të ri, me qëllim qëtë përcaktoj më mirë këtë anë të errët apo tinëzisht të errësuar të këtyre periudhave parahelene   dhe përpiqen të deskriptojë atë që ka qënë ndërfutur, manipuluar, fshehur, shpërfillur apo hequr me dashje ndër shkrimet më antike, madje edhe në ato më të vonshmet. Ja çfarë thotë Maxime Colignon (Manuali i arkollogjisë greke): “Grekët duket se kanë marrë përsipër të errësojnë të gjithë historinë e zanafillave të tyre artistike  orjentale, të cilën e kanë fshehur me shumë kujdes.  Per t’i besuar,  ata kanë shpikur gjithçka. Disa autorë antikë (ndër të cilët  Tukididi)  a nuk e kane fshehur zanafillën  semito-egjyptiane, per t’i dhënë Greqis stërgjyshër parahelenë (jo grekë)  prestigjiozë, të përshkruar në veçanti në poememat epike,në mënyrë absolute  asgjë nuk provon se ata kanë qënë grekë? … kjo ngatërresë dhe kjo turbullir e errët me paraqitjen e zanafillës greke,  është mbushur me kontradita, manipulime, ndërfutje, përfshire kurthe  në tekstesh antike. Tani ne veprat e Arefit u japin pellazgëve vendin e merituar dhe të rivendosen disa të vërteta që

ishin të paditura apo të fshehura.  (3).

Samnito-egjyptianët (grekë), përvehtësuan figurat dhe qytetërimin pellazg, përpara ardhjes  së  tyre.

Eugjen Pitard në itin 1916 pohonte: “…Shqipëria i përmbys dokumentat më të rëndësishme arkeollogjike dhe antropollogjike për sa i takon zanafillave të popullsive të lashta të Gadishullit Ballkanik;  popullsi, të cilat në agimin e historisë i shohim të figurojnë nën emrin pellazgo-ilirë.  Ne përjetojmë të kaluarën e lavdishme, duke u ngjitur nëpër qytetërimet që kanë paraprirë qytetërimin grek, ndër të cilët qytetërimin e mbi quajtur Mikenian.

Sa për pellazgët, ata kanë lënë rrënoja megalike ndërtime të mbiquajtura ciklopike apo pellazge, të dallueshme deri në ditët tona. Mure gjigande me blloqe guri të stërmëdha, këto gjënden në pellgun  mesdhetar  (Greqi, Azin e Vogël, Egje, Itali, Palestine…)  ku jetonin Pellazgët dhe Tursanët (Tirrenët apo Etruskët).  Këto etni pellazge  janë në zanafillën e të gjithë monumenteve para helene të Greqisë së Lashtë. Ndër më të famshme janë Akropoli me murin rrethues Pelargikoni i Athinës, është një shembull i qartë i Pellazgëve. (4).

Si mundet të fshihet një  popull mijra vjeçarë si pellazgët dhe me një qytetërim të përsosur? U referohemi historianëve të thonë fjalën e tyre.

Edwin Jacques thotë: “…Kjo është popullsia ballkanase, e quajtur pellazge nga Homeri, Hesiodi, Herododi, dhe 160 historianë, gjeografë dhe poetë grekë e latinë. Arkeollogët demostrojnë se shtresimet e Kohës së Bronxit në Maliq e vënde të tjera dhe ato të Kohës së Bakrit, duke vërtetuar vazhdimësinë e të njëjtës popullsi.

Sanskrishtja, e formuar mbi bazën e gjuhës pellazge, si zendishtja, greqishtja dhe latinishtja, i ka dhënë rregullat gramatikore  dhe morfollogjine më të përsosur dhe më klasike nga të tri gjuhët e tjera kanë qënë të tri gjuhët të shkruar dhe të ngritura në shkallën e gjuhëve liturgjike: Zendishtja për mazdaizmin, greqishtja për kishën e lindjes dhe latinishtja për kishën katolike. Për formimin e të tria gjuhëve, konstatojmë se i është dashur pellazgjishtes të paktën njëmijë vjet evolim për t’u bërë sanskrishte nga 3000 në 2000 vjet, greqishtja nga 1700 në 700 dhe latinishtja nga 1200 në 200 vjet p. K. (5).

Van Vindekens, prof. në universitetin e Luvenit, në Belgjikë, ka shkruar rreth një gjuhe të lashtë indoevropiane, të cilën e quan pellazge. … Verejti se toponimet pellazge gjënden të përhapura nga Azia e Vogël deri në Itali (E. J. f. 47).  Për të zbuluar rrënjët e qytetërimit shqiptar duhet të kthejmë vështrimin drejt Mikenës si kryeqendër pellazge. Straboni cilëson “qytet binjak” të Mikenës me portin e Argosit. Ndërsa tri prej tyre përmënden si “më të dashurat” e perëndeshës pellazge dhe mbretëreshës së qiellit. Heres (Junos)  “Argosi, Sparta dhe Mikena e madhërishme”. Kjo trevë Pellazge ishte qendra e qytetërimit. Më vonë midis Argosit e Mikenës adhuruesit e saj ndërtuan tempullin e famshëm të JUNOS.  (6).

Polibi, vë në dukje se Finiqi ishte qyteti më i pasur, më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Epirit. Ne shekullin e III p.e.s. ky qytet shërbente si kryeqendër e Lidhjes Epirote.

Herodoti i indetifikoi spartanët si pellazgë ishin zotër të Peloponezit dhe “ishin të parët në “Greqi”. Ata janë njerëzit më trima, Pellazgo-spartanët i dhane fitoren Greqise  më 479 p.e.s. në luftën kundra  persëve me mbretin e tyre Pausania. (7).                                                                         (Të nderuar lexues, gjiko sa të ulët dhe shpifesa e intrigante janë grekërit, kur kërkojnë një përmbytje të madhe që mos të ketë lënë asnje gjurmë pas  pellazgët).

Quhet qytetërimi minoik  ai që është zhvilluar në Kretë gjatë periudhës ndërmjet 3500 – 1200 p. k.,  u lidh edhe me qytetërimin mikenas  ndihmoi në lulëzimin e Ballkanit dhe të gjithë Europës në atë kohë. Gjatë periudhave te viteve 1600 – 1250 p. k. Shënohet me emrin:  qyteterimi kreto – miken. Në fakt në këtë kohë ishte një popull i pastër pellazg.  (8).

Gjuha pellazge, me mijeëjeçarë te kaluar, vijonte gjithënjë të ishte gjuha e vatrës, që shërbente si lidhëse ndërmjet lindorëve e perëndimorëve për t’iu kujtuar se përbënin po atë popull me emra të ndryshëm: pellazgë,argë, arbën, albanë etj. Dhe ka qënë kjo cilësi e nje populli unik që fliste kudo të njëjtën gjuhë, e cila i lejoi Kostandinit I të bënte, pa asnje shqetësim, shpërnguljen e kryeqytetit nga Roma në Kostandinopojë; kjo ndodhi sepse populli i Greqisë dhe i Azisë së Vogël ka qënë i njëjtë me atë të Italisë, sepse kishin të njëjtën origjinë të përbashkët, sepse adhuronin të njëjtat hyjni dhe mbitë gjitha, flisnin po atë gjuhe.  (9).

Maks Zotaj shkruan: “Mjaft është diskutuar rreth Herododit i mbiquajtur  edhe  “Babai i historisë”,   i cili  gjithhtu për saktësitë trashanike  që ka bërë e quajnë edhe  “babai i gënjeshtrës”. Historiani  E. Giboni gjatë kohës që pregatiste “Shkëlqimin dhe rënien e Perandorisë Romake” ankohej se: “Paragjykimi, injoranca dhe budallallëku i shumë historianëve të lashtë” të cilët ishin të detyruar t’i përdorte si burim informacioni”.

Në vitin 1774 në Leipzik Hans Erick Tuman, botoi librin e tij “Kërkime në historinë e Popujve të Europës Lindore”. Në parathënien e këtij libri, duke përmendur direkt shqiptarët,  ai theksonte:  “Asnjë popull tjetër i botës në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur  për europianët e perëndimit , përsa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa shqiptarët.  E megjithatë ata janë popuj kryesorë, të lashtë dhe të rëndësishëm,  që çdo historian do të dëshironte t’i njihte. Historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historin e vjetër dhe të re të Europës. (këtë zbrazëti po mbush Pof. Dr, Arefi).  (10).

Prof. Dr. Robert Ageli thotë: “Për të thënë të vërtetën, Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht  HELLAS për gjithë botën vetëm shume vite më vonë, kur u krijua si mbretëri e pavarur më 1830 të erës sonë. Më pare, dhe sidomos gjatë Perandorisë Bizantine, ajo asnjëherë nuk është quajtur as hellas as Graecia, as Perandoria Greke, ose Helenike, po gjithmone Perandoria Bizantine. Për çdo njeri që i sheh gjërat pa anësi, nuk ka asnjë hije dyshimi, se të gjithë popullsitë bizantine kanë qënë trashëgimtare të atyre, që kanë jetuar në këtë vend qysh prej lashtësisë më të madhe deri në epokën bizantine, domethënë pellazge  dhe armene, arabe,egjyptiane të krishterë dhe myslimanë jetuar në këtë  vend) (11).

Feja e pellazgeve ka qënë natyralizmi,  d.m.th. hyjnizimi i dukurive të natyrës, i agjentëve fizike, i forcave shkatërrimtare i fuqive të mbinatyrshme. Ata janë krijuesit e kësaj mitollogjie të habitshme dhe të mrekullueshme që e morën grekët, etrusket dhe romakët ose latinet. Besonin në qenie të ndryshme nga njerëzit dhe eprorë ndaj tyre, të quajtura hyjni e hyjnesha këto ushtronin mbi njerëzit si drejtpërdrejt në ndikim favorizues ose dëmtues dhe ogurmirë ose ogurkeq, që praktik rituale ose ceremoniale te kultit i kishin si rol lavdërimi ose pengimi. Kulti i pellazgeve, është trashëguar brez pas brezi të grekët, etruskët dhe romakët, të trija palët pasardhëse flisnin po atë gjuhë pellazgjishten ose shqipen.

Në shkallën e parë të hyjnive pellazge vinin ZEUSIN, të cilin latinet e quanin JUPITER.  Për termollogjin e termit ZEUS të lashtë e cilësonin hyjninë  bubulluese  perëndia e gjëmimit, nga pellazgjishtja ZEUS = zë-ës gjëmues.  Për termin latin:  JUPITER, po ashtu jepet nga gjuha e pellazgëve: tirenëve ose etruskeve: Jupiteri do të thotë ati ynë: ju(ni) piter, ashtu si Junon shënohet nga ju(na)nan: nana jone.(12).

Robert d’Angely shkruan: “Për të thënë të vërtetën. Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht HELLAS për gjithë botën vetëm shumë vonë, kur u krijua si mbretëri e pamvarur me 1830 të erës sonë. Më parë, dhe sidomos gjatë Perandorisë Bizantine, ajo asnjëherë nuk është quajrur hellas, as graecia, as Perandoria Greke ose Helenike, po gjithmonë Perandoria Bizantine dhe perandori bizantin kurrë nuk është cilësuar si greke ose Ellas. Pra vetëm në mënyrë abuzive grekët sot që në krye deri në fund të veprave të tyre e quajnë perandorine greke perandorin grek dhe popullsinë bizantine si helene. (Kështu që grekëve është hapur punë e madhe duke shkruar në të gjithë litaraturën deri në vitin 1830 emrat: Greqi, helene, hellas etj., duke shkërmoqur zanafillën e tyre. Shënimi im). ( (13).

Mbas 1700 vjetëve të quajtur “Përmbytje të madhe”, greku demostroi urrejtjen kundra pellazgo shqiptareve edhe në vitin 1997 për ta kthyer Shqipërinë në nivelin zero duke nxjerrë çekun e bardhë.

Prof Bytyçi thotë: “Bashkëpunimi antishqiptar serbo-grek ka marrë përmasa te jashtëzakonshme për  gjatë luftës në Kosovë. Para luftës në Kosovë, Greqia u angazhua me të gjitha forcat dhe arriti ta shkermoqe shtetin e ri demokratik të shqiptarëve. Ajo ia doli që me andartët e saj ta djegë dhe ta shkrumojë gjithë Shqipërin e Jugut, që të shkatërrojë e djegë jo vetëm bashkitë dhe komisarjatet e policisë, por edhe kadastrat, muzetë, shkollat shqipe, objektet historike, zyrat e gjëndjes civile, bibliotekat etj., me qëllim që ate ta restauronte Janullatosi dhe pas restaurimit të vihej nënshkrimi i “të ndriturit Kryepeshkop”. (14).

Kisha në Greqi ka imponuar principin e sanksionuar në kushtetutën e këtij vendi se “Çdo ortodokës është grek dhe cdo grek është ortodokës”. Feja mbizotëruese në Greqi është feja e kishës ortodokse greke. Greqia i ka dhënë legjitimitet ndërhyrjes së saj në inponimin e besimit fetar brenda dhe jashtë teritorit te saj. (Bytyçi f. 202) (15).

Është e turpëshme qe proseletizmi në Greqi njihet si krim vetëm nëse ortodoksi grek kthehet në një fe tjetër. Ndërsa, krejt ndryshe ndodh me emigrantet shqiptarë në Greqi, mbi të cilët përdoret dhuna fetare. Në shtetin grek sot sundon Ligji nr. 1363 i vitit 1938, i kohës së diktaturës së Metaksait, që ndëshkon krimin e kovertimit fetar. Nëse në greqi nderron fenë ortodokse, duke u kthyer në fe tjetër, menjherë burgosesh, sepse vepron ligji nr. 1363. Greqia është shteti i grekëve të krishterë. (16).

Të njohim grekët.  Aresi (Marsi) Perëndi greke. Aresi është perëndia e urryer e luftës dhe shkatërrimit. (Deçarmi f. 199)  është fjala per nje perëndi barbare e ardhur në Greqi nga fise barbare veriore.  Për grekërit lufta dhe shkatërrimi, çmenduria dhe kotësia e njerëzve, që i çon në zhukje reciproke pa patur ndonje shkak të vërtetë, përbën një realitet. Vetite e Aresit janë: kotësia dhe çmenduria. Në luftëra kurrë nuk tregon qartë me kë është: herë shkon me njërin herë shkon me tjetrin, duke mos njohur miq dhe armiq d.m.th. “duke qënë i pa besë”, siç thotë për të Homeri (Iliada E, 381- 887). Përfundimisht, mund të thuhet se ai përfaqeson atë që mentaliteti grek dëshiron të jet. (17)  Po sjellim dy ngjarje që kanë hangur shumë koka njerëzish dhe shkatërrim;

Viti 146 p. K. “…nën drejtimin e krerëve energjik të lidhjes Akease ose Etole. Por kundërvënia dhe lufta e armatosr të këtyre dy lidhjeve, për të cilat të dyja palët thirrën në dihmë të huajt, përfunduan duke i dhënë Greqisë goditjen vdekjeprurëse. Më 146 p. k. Ajo u be provincë romake me emrin Akaia. Si pasoje e shkatërrimit total nga forcat romake gjetën shpëtim dhe srehim në Aleksandri të Egjyptit dhe në Smirnë (Izmir,  të sotem të Turqisë). Prej këndej  vazhduan zhvillimin e kulturës grekët. (R. Angeli,  f. 187). Rasti i dytë u përsërit pas 2090, që vazhdoi katër vjet rrjesht 1945-1949,  një luftë civile e tmerrshme duke vrarë,therë, përdhunar dhe ata që mundën të shpëtonin u larguan për në shtetet fqinjë.

Anglia për të ruajtur pozitat e saja në Greqi pas Luftës së Dytë Botërore, umbështet te forcat e djathta për kundra forcave të majta komuniste. Në një rivalitet të ashpër midis tyre. Më 1 qershor 1944 Britanikët dhe Rusët kanë rënë dakord që në Rumani rusët lejohen të marrin nisjativën, ndërsa në greqi britanikët. Me 26-12-1944 në Athinë u mblodh konferenca politike anglo-greke nën kryesinë  e zv/mbretit, kryepeshkopit Dhemaskinos,  morrën pjesë Uiston Çurçill, Papandreu etj. Më 12 -2-1945 u nënshkrua në VA.R.K.I.Z.A.  për çarmatimin e ushtrise së E.A.M-it (komuniste)dhe asaj Kombëtare (zerviste), të grumbulluar në fshatin Kacika në jug të Janinës. Armët i dorëzoheshin ushtrisë angleze, e cila do të mbante rendin e qetësin.

Historiani grekë Apostolos Valalopullos shkruan: “Gjermanët, pasi studiuan rivalitetin midis grekëve dhe panë me kujdes situatën psikollogjike të tyre, pasionet dhe ambicjet e personaliteteve greke, zbatuan të pa vdekshmen  “Dividi et impera” (përça dhe sundo). Populli grek u përça. Grekët vranë njëri tjetrin në çastin kur fitorja dukej në horizont … kush e ka fajin, ku u vra një e shtata e popullsisë greke. Për këta një milion të vrarë e të vdekur grekë. (18).

(A nuk pasqyrohet këtu vetitë e Perëndise së Aresit  “kotësia dhe çmenduria)”.(Ky rivalitet ndërmjet dy partive që vazhdoi nga 2 shkurt 1945 deri në gusht të vitit 1949 është për të shpartalluar partinë komuniste greke të E.A.M-it. Shën. im). Është fatkeqësi që Akademija e Shkencave bazohet në atë që thonë “ajtullahët” dhe nuk guxojnë të përdorin emërtimin Pellazg.

 

Referenca

 

1. Edwin Jcques “Shqiptarët”, bot. 1995, f. 65.

2. Mathieu Aref “Shqipëria, bot. 2007, f. 22.

3. Mathieu Aref “Mikena = Pellazgë”, bot. 2008, f. 337.

4. Mathieu Aref  “Shqipëria, bot. 2007, f. 18.

5. Robert d’Angeli “Enigma” bot. 1998, f. 68.

6. Edwin Jacques “Shqiptare”, bot. 1995, f. 69;  (7)  f. 54.

8. Robert d’Angeli “Enigma”,  bot. 1998, f. 91;  (9)  f. 145; (11) f. 182; (12) f. 150-151.

10. Maks Zotaj gazeta “Illyria”, 6-2-2006, f. 26.

14. Enver Bytyçi “Shqiptarët,sërbet dhe grekët”, bot. 2005, f. 102;  (15) 202.

16. Sherif Delvina “Epirin”, bot. 1999, f. 236; (18 ) 52.

17. Aristidh Kola “Gjuha e Perëçndive” bot. 2002, f. 239.

Rasim Bebo Addison Çikago  gusht 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Permbytja e madhe, rasim bebo

LAJMERIM MORTOR

August 18, 2013 by dgreca

Njoftojmë komunitetin shqiptar se në Nju Jork ka ndërruar jetë Antoneta Shtjefën Bucaj. Shërbimet funerale kryhen të Dielën me 18 gusht 2013 nga ora 2 pm deri 9 pm në Adresën:

Fred H Mc Grath & Son Inc. Funeral Home

20 Cedar St  Bronxville, NY 10708

E ndjera do të varroset të Hënën me 19 Gusht 2013 në orën 10 am:St. Joseph’s Church Funeral Mass, 15 Cedar St, Bronxville, NY 10708.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5256
  • 5257
  • 5258
  • 5259
  • 5260
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT