• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pas Detroitit, kush është në radhë?

July 22, 2013 by dgreca

Shkruan: Wall Street Journal/

Menaxheri emergjent i Detroitit, Kevyn Orr, i ka tmerruar sindikatat dhe investuesit, duke synuar hedhjen e borxheve të qytetit te banorët e pasur nëpërmjet falimentimit. Por ajo që kreditorët me gjasë i shqetëson edhe më tepër, është se plani mund të paraqes precedent për komunat e tjera që do të dështojnë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Wall Street Journal, duke e trajtuar çështjen e kërkesës për falimentim të Detroitit.
Për disa vite, Detroiti i ka shkatërruar shërbimet dhe i ka thithur taksapaguesit shterpë, për t’i financuar obligimet pensionale dhe për t’i paguar borxhet.
Afro 70% e vend-parkimeve janë mbyllur prej vitit 2008, dhe në 40% të rrugëve nuk funksionojnë dritat.
Qyteti e ka zvogëluar forcën e tij policore për 40%, për një dekadë.
Koha e përgjigjes së policisë është pesë herë më e gjatë se mesatarja kombëtare, dhe e ka njërën prej shkallëve më të larta të krimit të dhunshëm në vend, shkruan Wall Street Journal.
Njëherësh, banorët e Detroitit paguajnë taksa më të larta për pasuri dhe të ardhura në shtet. Vitin e kaluar, taksat për biznes janë dyfishuar.
Afro 40% e të ardhurave shkojnë për përfitimet pensionale dhe borxhet, pjesa më e madhe e të cilave janë krijuar gjatë 10 viteve të fundit, për t’i financuar kontributet pensionale.
Gazeta Wall Street Journal përkujton se ka të atillë që kanë mundur të presin ndonjë ndihmë shtetërore dhe thekson se kjo nuk do të ndodhë dhe kjo është e drejtë.
Guvernatori Rick Snyder, e ka nominuar zotin Kevyn Orr, për ta ripërtërirë qytetin në agoni, dhe ai ka refuzuar ta marrë ndonjë copë tjetër nga taksapaguesit e Detroitit.
Në vend të kësaj, ai ka planifikuar për ta shfrytëzuar falimentimin, për t’i ulur përfitimet pensionale, për ta goditur tregun e kapitalit të borxhit dhe për të riinvestuar 1.25 miliardë dollarë në shërbime publike.
Sindikatat, që e kanë përhapur pohimin se pensionet janë të paprekshme, heshtas duket se kanë zbuluar se ata mund ta kenë pasur gabim. Njëherësh, investitorët duken të habitur se atje nuk ekziston diçka e tillë si kthim pa rrezik, gjë të cilën ata kanë mundur ta mësojnë nga Greqia dhe Argjentina, shkruan Wall Street Journal.
Tash shtrohet pyetja se nëse Detroiti nuk është aq i madh për të dështuar, a ekziston ndonjë qytet i tillë?
Në vazhdim gazeta shkruan se derisa disa komuna janë në situatë të pashpresë ekonomike ose të falimentuara si Detroiti, shumë mund të huazojnë rëndë, t’i rrisin tatimet dhe ta dobësojnë pagesën e pensioneve dhe të obligimeve ndaj borxheve.
Disa, sikur Detroiti, së shpejti mund të vendosin se ngarkimi i atyre që kanë fletobligacione dhe i pensionistëve, është opsion më i mirë se sa mbajtja e goditjes ndaj taksapaguesve. Në këtë kuadër, gazeta i përmend qytetet Oklland, Filadelfia dhe Çikago, që poashtu ballafaqohen me probleme.
Në Oklland, që sipas gazetës, e ka shkallën më të lartë të krimit në Kaliforni, aktualisht janë pushuar nga puna më se 100 policë, me qëllim që të mbështeten përfitimet pensionale dhe fletobligacionet pensionale.
Vrasjet dhe vjedhjet janë shtuar për afro 25%, vitin e kaluar.
Për t’i ikur shkurtimeve më të thella, qyteti ka marrë hua shtesë prej 210 milionë dollarëve për financimin e pensioneve.
Filadelfia dhe Çikago kanë qenë më pak skrupuloze në financimin e pensioneve dhe tash duhet të bëjnë pagesa të fryra për ta parandaluar shkatërrimin e fondeve të tyre pensionale.
Njëri nga përfitimet e mundshme të falimentimit është se u lejon borxhlinjve zhveshjen nga detyrime, që në anën tjetër e ngadalësojnë rritjen dhe investimet.
Ky përfitim duhet të krahasohet me çmimin e ngrirjes së tregut të fletobligacioneve, që mund të jetë gjë e mirë, nëse parandalon më tepër huazime për t’i financuar çmimet, që nuk mund të mbahen në një nivel të pandryshueshëm, shkruan, pos tjerash, e përditshmja Wall Street Journal.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: kush eshte, në radhë?, Pas Detroitit

Votimi për kreun e ri të PD,Olldashi hedh hije dyshimi

July 22, 2013 by dgreca

Kandidati per kryetar i Partise Demokratike, Sokol Olldashi hodhi hije dyshimi për listat dhe numrin serial në fletët e votimit./

Në Shqipëri partia demokratike mbylli mbrëmë procesin e votimit për zgjedhjen e kreytarit të ri të saj. Për të zënë vendin e lënë bosh nga zoti Sali Berisha i cili u dorëhoq pas humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit, konkurruan kryetari aktual i Bashkisë Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi. Procesi i votimit u shoqërua me disa probleme, kryesisht me mungesa në lista të anëtarëve të partisë që mbetën pa votuar. Ndërsa kryetari i dorëhequr Berisha por edhe kandidati Lulzim Basha folën për një proces historik e të pashoq, në mbrëmje, kandidati tjetër në garë Sokol Olldashi hodhi hije dyshimi, ndërsa ngriti shqetësimin e listave, fletëve të votimit me numër serie si dhe la të kuptohej se në garë ai nuk kishte patur vetëm zotin Basha
Që në orët e para të votimit në partinë demokratike në shumë qytete u shfaq problemi I listave të anëtarëve, ku ishin të shumtë ata që u ankuan për faktin se nuk gjenin emrin. Një pjesë ishin anëtarë të vjetër që deklaruan se ishin në radhët e kësaj partie që në momentet e themelimit, të tjerë ishin të rinjë që ishin përfshirë edhe një vit më parë.
Megjithatë për këtë problem nuk pati asnjë sqarim zyrtar nga partia demokratike. për përmasat e përhapjes së tij. Nga selia qëndrore kryetari I dorëhequr Sali Berisha foli paradite me tone entuziaste për procesin. “Kjo është një ditë historike për Partinë Demokratike, pasi për herë të parë në historinë e saj por edhe në historinë e vendit, zgjedh bazuar në parimin më demokratik një anëtar një votë, kryetarin e saj të ri”, deklaroi zoti Berisha.
Pas tij edhe zonja Topalli në daljen e parë publike që pas mbledhjes së kryesisë ku u njoftua hapja e garës për ryetarin e ri, foli për një tjetër standart të lartë që sic theksoi ajo, mbante sërish autorësinë e zotit Berisha. Edhe kandidati Lulzim Basha foli për “një proces të pashoq në historinë e pluralizmit, procesi i parë i vërtetë, jo fals i zgjedhjes së kryetarit të një partie politike”, deklaroi ai.
Por në mbrëmje, pak para se të përfundonte orari i votimit, kandidati tjetër Sokol Olldashi bëri një deklaratë të hidhur duke lënë hije dyshimi mbi procesin. Ai shprehu shqetësim për cështjen e listave të votuesve për të cilat tha se nuk kish patur dijeni: “Dua t’i kërkoj ndjesë mijëra demokratëve që nuk morën dot pjesë në votim për shkak se nuk kanë emrat në listë. Eshtë një problem për të cilin nuk kam qenë në dijeni për përmasën. Duke qenë se Tirana kishte një shtesë prej 2500 emrash mendova se ishte pikërisht ky kontingjent, në fakt, me sa duket ishte një kontingjent tjetër që duhet parë se c’është”.
Një tjetër problem, për të cilin nuk u fol shumë, ishte se fletët e votimit kishin të stampuara me përmasa jo të vogla një numër serial. Një fakt për të cilin do të shprehej jo pa ironi zoti Olldashi: “Unë sapo votova. Votova me fletën 41302. Po e them që të jetë e qartë dhe për komisionin”, tha ai.
Zoti Olldashi u kujdes të pohonte se sipas tij këto probleme nuk lidheshin me rezultatin, pavarësisht se duhet të konsideroheshin të tilla edhe sikur të dilte ai fituesi. Ndërkohë nga ana tjetër ai la të kuptohej se nuk kishte qenë në një garë të barabartë kur tha se “Dua të përgëzoj gjithë demokratët për procesin, dua të përgëzoj gjithashtu dhe të gjithë kandidatët rivalë”. Duke folur në shumës ai bëri të qartë se nuk kishte konkurruar vetëm me zotin Basha, i parë gjerësisht si një figurë e cila pati një ngjitje të shpejtë falë mbështetjes së pakursyer të zotit Berisha.
Zyrtarisht votimi duhej të mbyllej në orën 19, por në disa qytete ai u shty për shkak të pranisë së demokratëve që donin të votonin. Nga partia demokratike nuk u dha asnjëherë pjesmarrja në votime. Kutitë me fletët e votimit u nisën drejt Tiranës në mbyllje të procesit, ku dhe do të numërohen, menjëherë pasi të jenë grumbulluar të gjitha. Dhjetë grupe numërimi do të shqyrtojnë fletët e votimit, ndërkohë që nuk është e qartë se kur do të mund të dalë rezultati përfundimtar.(Kortezi Armand Mero, VOA)

Filed Under: Kronike, Politike Tagged With: hedh hije dyshimi, olldashi, Votimi per kreun e pD

Shqiptarët në Mal të Zi dhe skenarët e vjetër të Kral Nikollës

July 22, 2013 by dgreca

(Reagim i SHSHA-së në Çikago)/

Shkruan: Skënder Karaçica/

Në tëejtër gjitha vendet e Ballkanit ku shqiptarët jetojnë të ndarë padrejtësisht po përjetojnë skenarët e vjetër të kohës antishqiptare të regjimeve pansllaviste,thuhet në fillim të reagimit të SHSHA-së në Çikago.Në të gjitha qarqet politike dhe diplomatike të BE-së në bashkërenditje më SHBA-në i kanë dhënë transformimit dhe të kohezionit të vlerave universale të demokracisë dhe të lirisë së popujve të këtij rajoni të trazuar me luftërat shekullore për liri dhe të ndarjes së vijave të mëvetësisë kombëtare.Në këtë rrugëtim të shpalimit të vlerave europiane,në Mal të Zi shqiptarët ende po përballën me politikën ditore të regjimit me skenarët e vjetër të Kral Nikollës,që dihet historikisht përmasat e përbuzjes dhe të shtypjes kombëtare të vrasjeve kolektive deri te debimi me dhunë nga toka etnike.
Pushteti aktual në Mal të Zi ndaj shqiptarëve po lejon para syve të Europës ,,standardet,,e dyfishta dhe pse jo me auforinë me sytë e urrejtjes që dalngadalë po e zbraz truallin shqiptar përmes udhës së mërgimit si dhe të mekanizmave tjerë të ligjor,që kanë shkuar aq larg sa në tokën shqiptare tashmë ia kanë vënë syrin për të ndërtuar kishat artodokse si shënja të kultit dhe përthekimi i tërë çështjes shqiptare nën hijen malaziase,kështu thekson ky asociacion kombëtar nga Amerika për opinionin e gjerë dhe të institucioneve relevante ndërkombëtare të BE-së,të SHBA-së dhe të OKB-së.
Kujt i duhen tashti dhe para syve të Europës,shpalimi i skenarëve të vejtër të kohës së Kral Nikollës dhe shpërblimi i Shoqatës Vullnetare të vrasjeve të shqiptarëve (1912-1918)që është organizuar para subjekteve politike dhe të shetit malazias,qkëta në mes dledhjet e përbashë hapi plagët e vjetra dhe lëkundi eshrat ndër varre të qindra shqiptarëve të vrarë në Mal të Zi,pyet me indijatë ky asociacion politiko-kombëtar në Çikago.Krejt diçka tjetër trumbetohet gjatë ditës për spektrin e gjerë të proceseve të demokracisë dhe të barazisë së qytetarëve në këtë vend të vogël dhe problematik gjatë shekullit të kaluar,e krejt diçka tjetër po veprohet në praktikë me ,,standardet,,e dyfishta kur kihet parasysh çështja e popullit shqiptar në truallin e vet.Nuk është e rastësisheme vizita pas dhjetë vjetësh në Beograd e kryeministrit Gjukanoviq dhe aktivizimi i programeve të përbashkëta politike në Ballkan.Kësaj rruge kohë më parë u nis edhe qeveria e Nikolla Gruevskit që mbajti mbledhje të përbashkëta në mes të dyja qeverive serbo-maqedonase për të krijuar frymën  politike të Jugosllavisë së Tretë(!).Tërë këto lëvizje të përbashkimit rretqiph boshtit pansllavsit kanë për qëllim të dalin përball realitetit të ri politik dhe demokratik të krijimit të shtetit të ri të Kosovës dhe për ballansimin me çdo kusht të çështjes shqiptare.
SHSHA-ja në Çikago,përmes këtij reagimi,u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve të shpërngulur nëpër botë dhe SHBA që të kthejnë në tokën e tyre etnike në Mal të Zi dhe të kërkojnë që përmes ,,shtetit ligjor,,dhe të përkrahjes me zërin tuaj të faktorit ndërkombëtar të krijihen kushtet e parandalimit të skenarëve të vjetër hegjemonist të Kral Nikollës dhe të regjimit komunist të ish-Jugosllavisë,që çështje shqiptare në këtë vend të brishtë të marrë kahet e reciprocitetit aq sa kërkon pushteti në Mal të Zi për pakicën malazeze në Kosovë,po aq të kenë të drejtat legjitime dhe kombëtare për shqiptarët në Mal të Zi.Në gjithë transformimet e jetës politike dhe të pushtetit lokal,propozojmë që komuna e Ulqinit të marrë statusin e veçantë si qendër e afrimit të pushtetit për shqiptarët në të gjitha fushat e jetës.Ndërkaq,përmes privatizimit të objekteve kapitale ekonomike(hoteliere)përgjtë bregdetit rreth Ulqinit nga biznesmenet nga Rusia,ky kapital të participohet edhe për shqiptarët dhe të krijohen kushtet për të jetuar me dinjitet dhe i barabartë me popullin malazias dhe pakicat tjera.Kërkojmë nga institucionet e BE-së dhe Uashingtoni që të jenë më afër me shqiptarët që kanë mbetur në geto dhe pa përkrahjen e duhur të ligjeve kushtetuese të Malit të Zi dhe nën hijen e kohës politike të shtetit i diskriminuar para derës së shtëpisë!E gjitha loja e strucit ka filluar në bregdetin malaziasë kur për çdo ditë vijnë nga 100 aeroplanë i pushtuar me turistët rusë që tregon qartë se privatizimi i objekteve ekonomike(hoteliere)edhe në Ulqin ka për qëllim (ri)pushtimin e tokës shqiptare dhe në heshtje të krijojë politikën e spastrimit etnik dhe para syve të botës së lirë demokratike europiane,thekson zëshëm SHSHA-ja në Çikago për aktualitetin shqiptar të pambrojtur në trojet e veta etnike në Mal të Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shqiptaret ne Mal te Zi, skenaret e vjeter, te Kral nikolles

NDAHET NGA JETA EVANTHI CIKO

July 22, 2013 by dgreca

JETË E PËRKUSHTUAR PËR ARSIMIN TONË KOMBËTAR/

(Nëpër faqet e librit jetëshkrimor, “E bekuara mësuesi!…)/

Nga: Prof. Murat Gecaj/

Me anë të një mesazhi plot dhimbje,  përmes Internetit, z.Ilir Çumani, drejtor i Institutit të Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë, njoftoi se sot u nda përgjithnjë nga jeta mësuesja e njohur, veterane e arsimit tonë kombëtar, Evanthi Ciklo dhe nëna e artistit të shquar, Zhani Ciko. Nesër, më datën 23 korrik 2013, nga ora 11.00-12.00, në Shtëpinë e Kulturës së Ushtarakëve të kryeqytetit, do të bëhen nderimet e fundit për të. U shprehim ngushëllimet tona: pjesëtarëve të familjes, të afërmve, miqëve e dashamirëve dhe nxënësve të saj! Në kujtim të saj, po ribotojmë këtë shkrim, i cili flet për një libër jetëshkrimor, përuruar në Tiranë, në dhjetor 2010.

1.  “Ndjehem e lumtur tek shikoj ende, në qendër të Tiranës, shtëpinë, ku kam lindur para 90 vjetësh. Në krah të “Tirana Internacional”, prapa ish-librarisë “Flora”, është një shtëpi dykatëshe me qerpiç, pronë e familjes Kazazi. Këtu, ka nisur jeta ime, më 13 korrik 1920. Imë atë, Grigor Zoraqi, i ardhur nga Voskopoja, u martua me Eftalinë, bijë e Jakov Skakës, nga Bulica e Strugës. Prej kohësh, gjyshi, ishte vendosur në kryeqytet, duke qenë një ndër tregtarët më të njohur të kohës…”.

Ja, kështu e fillon librin e saj jetëshkrimor, me titullin e zgjedhur “E bekuara mësuesi…”(Kujtime të një jete), veteranja e arsimit tonë kombëtar, Evanthi Ciko (Zoraqi). Ai u përgatit për botim nga publicisti Agron Sejamini dhe është shoqëruar me falënderimin e autores: për vëllain, Kastriot Zoraqin e botuesin, Ilir Lleshi.

Ndërsa në kopertinën e fundit janë fjalët e saj të zgjdhura, të cilat  i kanë dalë thellë ngazemra: “Nuk kam dashur të shkruhet për mua. Por, do të më ngelej peng, nëse nuk do të shkruaja diçka për dashurinë dhe përpasionin, që kam ndjerë për mësuesinë. Dhjetë vjet, mësuese e klasës së parë…Dhjetë vjet, sytë dhe mendja e atyre engjëjve, në pritje se çfarë do të nxirrja unë nga goja.U kam dhënë ëmbëlsi dhe dituri. Më kanë falur lumturi dhe freski. Në vazhdim, me fëmijë më të rritur. Më pas, me fëmijë jetimë. Kurdoherë e rrethuar me pastërti dhe dashuri fëminore. Edhe kur u rritën! Respekti dhe mirënjohja e tyre kanë bërë qëmoshën ta ndiej vetëm në pasqyrë…Faleminderit, nxënësit e mi! E bekuar qofsh, ti mësuesi!”

2.

Në rreth 200 faqe të këtij libri, Evanthi Ciko dëshmon, me fjalë dhe me fotografi, jetën e saj mbi 90-vjeçare. Ajo ishtee mbushur me mësimet e saj dhe më pas me përkushtim të madh për edukimin, mësimin dhe mirërritjen e brezit tone të ri. Filloren e ndoqi po nëTiranë, ku më vonë ishte shkolla “Kongresi iPërmetit”, me mësues atdhetarin e njohur Mati Logoreci, i cili kishte çelur shkollën e pare shqipe të Kosovës, në Prizren. Aty, Krisanth ipati mësuese të klasës së pare hallën e saj, Marie Zoraqin. Për rezultate të mira në mësime, fitoi bursën dhe ndoqi Institutin Femëror të Tiranës, “Nëna Mbretëreshë”. Siç shkruan në librin e saj, ajo kohë ishte ndër më të bukurat e jetës.Kjo jo vetëm për veprimtaritë e ndryshme këtu, por dhe vizitat e studimet, që bëri më vonë në Itali.

Një periudhë e paharruar e jetës së Evanthi Cikos ishte ajo, kur iu përkushtua me aq zell e dashuri mësuesisë, së pari, në shkollën “Naim Frashëri”. Në vitet e paraçlirimit shkoi edhe folëse në Radio-Tirana, ku ishte drejtor Gjergj Bubani. Aty u njoh me Agen, motrën e Nënë Terezës, që jepte lajme në gjuhë të huaj. Në atë kohë, e lidhi pësrgjithnjë jetën me bashkëshortin, Mihal Cikon, I cili u kthye ngaBukureshti, për të punuar në  Radio-Tirana. Me të lindi fëmijët, Zhanin (8 dhjetor 1945) dhe Ketin.

Për here të parë, Evanthia e nisi detyrën mësuese, më 1942, në shkollën “Naim Frashëri” të Tiranës, me drejtor Kutbi Dostin. Në vitin 1947, shkuan me dëshirën e tyre për të jetuar nëKorçë. Aty shërbeu në shkollat “Mihal Grameno” e “KociBako” dhe Mihali ishte mësues muzike në një shkollë 7-vjeçare.

Siç e përshkruan autorja E.Ciko, në vitin 1951 u rikthyen familjarisht në Tiranë. Detyrën mësuese e vazhdoi në shkollën “Hasan Vogli”, me drejtor veteranin e arsimit, Zyber Preza.  Pas dyvjetësh e dërguan drejtoreshë të shkollës ushtrimore “I.Qemali”. Në kohë të ndryshme, shërbeu mësuese e drejtorëshë në shkollat “11 Janari”, “Vasil Shanto” e “Luigj Gurakuqi“. Sigurisht, për arritjet e mira në punë, e caktuan dhe inspektore në seksionin e arsimit dhe cultures të Tiranës.

Një periudhë e rëndësishme e jetës së Evanthi Cikos, përshkruar bukur në këtë libër, është ajo, që tregohet në nëntitullin domethënës, “Nënë e 268 fëmijëve jetimë, që duheshin rritur, edukuar dhe shkolluar”.

Pra, ishte marsi i vitit 1965, kur atë e caktuan drejtoreshë të Shtëpisë së Fëmijëve, në Tiranë. Duhen faqe të tëra për ta dëshmuar këtë kohë të bukur e të paharruar të jetës së saj, të cilën ajo e përshkruan bukur në liber, me kënaqësi e nostalgji të veçantë. Prandaj, nuk ishte pa vend mendimi i një folësi, në përurimin e librit në fjalë, që e krahasoi Evanthi Cikon me Nënë Terzën dhe me “Mësuesn e Popullit” Persa Gravbova, e cila e drejtoi vite me radhë Shtëpinë e Fëmijëve, në Shkodër. Pasi dolinë pension, më 13 korrik 1970, kohën deri më sot, E.Ciko e quajti “Një jetë tjetër, për t’u jetuar”…

3.

Me këtë shpirt të gjerë e zemërbutësi dhe optimizëm për jetën, në moshën mbi 90-vjeçare, Evanthi Ciko paraqiti para familjarëve,  kolegëve e ish-nxënësve të saj, miqëve e dashamirëve të shumtë, veteranëve të arsimit e kulturës etj., librin jetëshkrimor “E bekuara, mësuesi!…”. Ishin tëpranishme dhe artistet e shquara TinkaKurti e Margarita Xhepa dhe mike të tjera tësaj.Tubimi u bë, simbolikisht, nëish-Institutin Femëror të Tiranës.

Në këtë përurim floën këshilltari në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Jovan Kristiqi, shkrimtari I njohur Zija Çela, Shpend Topallaj, Vangjel Shundi, Seit Tafaj, Tatjana Kurtiqi e Lulzim Braja. Me mirënjohje të veçantë, për shërbimet e kryera në Shtëpinë e Fëmijëve të Tiranës, nga ish-drejtoresha E.Ciko, u shpreh drejtori i Institutit të Intergrimit të Jetimëve të Shqipërisë, Ilir Çumani.Me kthjelltësi mendimi e kënaqësi, Evanthi Ciko iu drejtua të pranishmëve me fjalë falënderimi, mirënjohjeje e dashamirësie.

(Shkruar e publikuar, më 18 dhjetor 2010)

Tiranë, 22 korrik 2013

Filed Under: Kronike Tagged With: Evanthi Ciko, Murat Gecaj, Ndahet nga jeta

Nga Atlantiku në Pacifik, me një Ford të vjetër

July 22, 2013 by dgreca

Nga Pëllumb Kulla/

Të udhëtosh me një veturë ligavece, pe bregut të Atllantikut në atë të Pacifikut matanë, pa ditur as edhe njëzë frazë anglishte të pakëputur, vetëm Zikja mund ta bëjë! Vetëm një shqipo si ai, që është, o shumë i mbarë, o shumë i marrë!
Mezi ia pata mësuarë të ngiste veturën. Mezi ia patnë dhënë lejën të merrte në dorë timonin, në provim të shtatë, ngaqë në provimin e parë për patentë, i pat thyerë fenerët makinës të policisë rrugore që kish sjellë nja dy oficera, që do të vëzhgonin provimin!
Ama, me të marrë patentën, kish blerë për tetëqind dollarë një Ford të tetëdhjetedyshit, që nuku shihej me sy! Ish kaqë e varfër dhe e rrjepur vetura, sa i zoti i ri, sikurse dhe ay i vjetri, nuku e kyçte kurrë. Hajdutëve të veturave u therrnin sytë, sa herë u dilte përpara Fordi i Zikes dhe ndërronin drejtim, siç ndërrohet udhë, kur të del macja e zezë!
Zikja kish zgjedhur një targë nga ato që paguhen kripur, nga që shkruan në to ç’të do zemra. Do të shkruash “pirdhu”? Ashtu ta stampojnë e ta japin targën! Do që të shkruash “Na, prapanicën” që shoferët e tjerë të ta lexojnë kur t’i parakalosh? Po ama do të ta kuptojnë vetëm shqiptarët! Shkruaje, se amerikanët nuku zemërohen, se s’ta dinë gjuhën.
Kurse Zikja e kish bërë targën shprehje dashurie: e kish mbushur atë me një thes me gërma: MILKA BR 1991, pe të cilave, pesë të parat bënin emrin e së shoqes, dy të tjerat, kujtonin Beratin dhe numrat në bisht, shënonin vitin e martesës.
Brenda, makinës i punonin të tërë matësat, veç atij të shpejtësisë, që pat fiksuarë vetëm miljet që pat shkelur. Shifra kish mbetur aty tek 250 mijët. Veç nuku dihej, se kur kish pushuarë së numëruari, në cilin vit dhe nën cilin president.
Në Amerikë gjendet një kompani e madhe që shënohet me tri “A” të mëdha. Kjo “AAA”-ja të bën anëtar të sajin me pesëdhjetë dollarë dhe ka për borxh të të gjëndet pranë, sa herë mbetesh në rrugë. Vjen e ta ngre makinën me vinç e ta dorëzon në rregull, sa herë t’i telefonosh. Zikja u bë menjëherë anëtar dhe numërin e telefonit të asaj kompanie e thotë në gjumë e sipër mbi tri herë në natë, meqë ka raste që e thërret për ndihmë tri herë në ditë! Kompania “AAA” ka fitime të mëdha, sepse mbulon tërë Shtetet e Bashkuara dhe ka ajo ca anëtarë, që vdesin pa e thirrur asnjëherë. Llogaritë asaj filluan t’i prishen, që kur iu abonua Zikja.
Zikja e thërret kompaninë “AAA” edhe kur i bie goma. E ata të gjorët janë të detyruarë të vijnë. I thërret t’ia sjellin Fordin nga supermarketi, nga kinemaja, nga klinika e t’ia plasin në trotuar, para billdingut, ku e le të kalojë natën, ngaqë s’i gjen dot një strehim. Ka njerëz që kanë pare vinçat e “AAA”-së të vinë t’ia lëvizin makinën Zikes dhe nga trotuari që ka patur orar pastrimi, për t’ia shpënë në trotuarin karshi.
Ja, me këtë palo Ford, pa vajtur akoma asnjëherë në aeroport, rruga e parë e largët që mori përsipër të bëjë Zikja, ishte të çante Amerikën tejpërtej, nga Atllantiku në Pacifik. Që kur qe ndarë nga i kushuriri Nikollaqi, kish mbetur pa punë e pa mbështetje. I qe larguar kushos dhe desh t’i rrinte larg sa më tej.
– Më pret një shok në San Diego, – përsëriste. Ka në San Diego të Kalifornisë punë edhe për qorra, më thanë.
More de! Jo, do vete! More na, se do të bëhesh loloja i gazetave! Jo, do vete! E
po, prapa diellit! Në të sat’ëme vafsh! Akoma këtu ti,o?!
Një të vënë, i biri i botës, valixhet palë në bagazh, një të marrë e ngjeshur në sedilen pas, fustanët e së shoqes, nja pesë jastëkë me pupla dhe nja dy velenxe me thekë Tepelene; një të marrë Milkën, që pat veshur një rrobë kuq e zi, sikur do ngjiste Everestin në emër të Shqipërisë; një t’i plasur asaj mbi gjunjë një derro Atllas të Amerikës; një të ndezur radion, nga e cila nuku kuptonte një fjalë, as ai e as e shoqja; një të futur në folezë një kasetë, që kish vetëm këngën “Psherëtita, dolli flakë” e u nis.
U nis oreeee! Kur mos i kem tërë! “AAA”- ja qe ngritur në tërë Amerikën në gadishmëri numër një!
Zikja kish mbushur xhepet me monedha njëzetepesë centëshe, që të më merrte mua në telefon e ta ndihmoja, po të duhej të flisja si ndërmjetës me ndonjë amerikan gjatë rrugës. Dhe u bë erë.
Sapo Zikja kaloi tunelin e Linkolnit, ai ndaloi në një benzinatë e më bëri telefonatën e parë. Mua më dolli mbi ekran të telefonit prefiksi 201 dhe unë njoha shtetin e Nju Xhersit, pa ma thënë ai.
– Gjer këtu, mirë! – tha. Gjysmëora e parë, premton.
Prit, prit, thashë me vete, do të ta shoh bythkën më vonë. Janë tetë ditë rrugë për të bërë!
– Ecim si breshka, bre! Kështu, unë i bie ta zë Kaliforninë vitin që vjen! Sa kilometra i bie po ta ngasësh me dyqindenëntëdhjetepesë milje në orë? Le që ky Fordi im nuk i nxjerr dot aqë!…
– Do të të zerë policia, hajvan! Ç’punë ke me dyqindenënëtëdhjetepesën ti?
– Aqë thonë tabellat për shpejtësinë këtej!
– Nuk tregojnë shpejtësinë ato tabella, ore! Tregojnë numrin e autostradës.
– Ç’thua, mo! Mirë që nuku e provova. Do isha përmbysur.
Kish kaluar Nju Xhersin e të nesërmen nuku më harroi, po ma bëri thirrjen që pe një vendi diku andej nga Virxhinia.
– Alo?! Sapo u zgjuamë me Milkën, në një motel shumë të mirë. Tashi do vazhdojmë rrugën.
– Mbarë e paçi, – ia këtheva.
– Mos harroni të na bëni një vizitë në Kaliforni, Peçkë!
– Pse jo?! – thashë. Po arritët dot të vini ndonjëherë gjer atje, nuku ju lemë pa vizituarë!
Një ditë më pas, më telefonoi gjene prapë.
– Asnjë problem gjer tashi, – më tha.
– Po ç’problem do më shumë ti, mor gomar i *****! – i ulërita. Ti je kthyerë gjene në Nju Xhersi! Prefiksi i Nju Xhersit, më dolli tashi në ekran të cellularit!
Zikes sikur i ra pika.
– Vërtet, thua?!!! Po këtu autostradat dhe anët që i kufizojnë, bëhen tëra njëlloj, o u bëfsha tëmat! – ia bëri ay. Do jem ngatërruarë kur dola nga ajo benzinata e në vend që të merrja perëndim, mora gjene lindje! Ama po thoshja unë: çne, djelli, që mua gjer tashi më binte prapa qafës, nisi të më bjerë në sy! Ikë mo, se nuk do ta le pa blerë një busullë. Si i thonë busullës, o?
Dhe me një topkë busulle e me hartat e Shteteve të Bashkuara në prehër të Milkës, Zikja nisi të lundronte në hapësirën e gjërë, në fund të së cilës San Diegoja s’e kish hiç në defter këtë shqiptar kokëshkëmb.
Kaloi ai, pyje e shkretëtira, kapërceu ura, lumenj e thatësira, sa nuku pat parë në tërë jetën e tij!
Më merrte ndonjëherë në telefon, ky Kristofor Kollombi i San Diegos e më tregonte që kënga “Psherëtita, dolli flakë”, pas shtatë ditësh u qe mërzitur e pas kësaj radion e kishin mbyllur fare. Pa le që edhe hapur ta mbanin, as që do i kishin kuptuarë lajmet, që udhëzonin se për dy ditë, nuku duhej të dilte makinë në rrugë, se pritej një uragan, nga ata që kur shfryjnë, palosin katrash fshatrat e qytetet amerikanë, që gjejnë përpara. Ama, nuku shihte makinë atë mëngjes Zikja, as me sy e as nga pasqyrkat. I dukej sikur ajo autostradë qe, e tëra, e minuarë dhe ja-ja, do hidhej në erë! Zikja shtërngonte timonin, Milka bënte buzkat me të kuq e Fordi i vjetër hungërronte mbi xhade, nën një qiell të nxirë pus. Xhan-xhin, njeri përreth! Atyre u dukej sikur Amerika qe boshatisur e tëra, amerikanët ia kishin mbathur me soj e sorrollop dhe ua kishin lënë dorëzim kontinentin, Zikes e të shoqes! Patën bërë mënjanë në një benzinatë dhe u pat ardhur zemra në vend, kur kishin parë shitësin të zgjohej nga gjumi e t’u shërbente dyke u thënë ca fjalë, që as burri as gruaja nuku i kuptuanë. Në fund kur kishin ikur, ai shitësi paskësh zgjuarë dhe dy shokë të tjerë, që kishin shfaqur sytë e çakarritur prapa xhamave. Ata kishin ndjekur me lebeti Fordin, gjer sa xbriti udhishten e u fut gjene në autostradë, me hundë drejt Kalifornisë.
Pika që s’u bie, sikur nuku kanë parë femër këtyre viseve! – ia kish bërë Milka dyke nxjerrë pasqyrkën e saj për të shpjeguarë se çfarë ishin ato vështrimet me sy të shqyer të amerikanëve, që nuku guxonin të dilnin përjashta.
Pas kësaj pat filluarë dasma, uragani që pritej. Një erë e marrë ua kish ngritur një herë maqinën nga një krah, pastaj ua kish mbërthyerë mu në mes të autostradës, kur u kish plasur kryq mu te parakolpi trupat e dy palmave të mëdha. Milka pat ulëritur si e lojtur, kurse Zikja pat mallkuarë ditën që patën marrë vizat amerikane.
Beratasi i gjorë rrëfente, se si u kish rënë përsipër një qilim i lagur që era e tërbuarë e pat rrëmbyer me frymën e saj nga ndonjë shtëpi e rrafshuarë. Qilimi u kish zënë të tëra xhamat dhe që nga ay çast, i ziu burrë, shikonte vetëm sytë e çapluarë të gruas.
Se sa kish zgjatur kjo katrahurë, asnjëri pe tyre nuk e mbante mend. Njeriu u mësuake me llahtarën. Kjo kishte qenë për ta nata më e gjatë amerikane, se rrëshqitjet e dheut kishin sjellë një baltë të hollë rreth e qark Fordit të Zikes dhe niveli i saj qe ngritur mbi çati të makinës.
Ditën e tretë i pat nxjerrë nga balta një vinç i policisë rrugore. Ata kishin hapur dyertë dhe kishin gjetur çiftin tonë në një gjëndje, që nuku e imagjinonin dot: gruaja bënte buzët me të kuq, kurse burri pat ulur volumin e një kënge të panjohur beratase dhe u kish thënë atyre të ndihmës së shpejtë:
– No inglish!
Ishin habitur Zikja me Milkën, se si qenë mbledhur aty menjëherë një ushtëri e tërë gazetarësh, kamera të televizionit, me vinçierë të “AAA”-së dhe përfaqësuesa të prodhimit të Fordit. Gazetarët rriheshin me grushte, kush e kush t’i afrohej atij Fordit të vogël, me ngjyrë të zezë.
Mua më ra telefoni, sapo Zikja u kish zgjatur policëve numërin tim të cellularit.
I përktheva të tëra, ç’u thosh Zikja: që kish ardhur me rrugë legale, që nuku gjente dot punë në Nju Jork dhe i kishin premtuarë në San Diego, që Fordin e kish të blerë nga një që do ta hidhte dhe nga gjërat e makinës, të prodhuar pas tetëdhjetedyshit, kish vetëm patentën.
Zhurma që dëgjoja në cellular, po bëhej gjithnjë edhe më e madhe. Zikja, ja ai teleshmeni, që mezi kish marrë patentën dhe kish nisur tërë atë rrugë, si i lojtur që ish, si pa dashur, qe bërë i famshmë. Tërë gazetat e muarë dhe e vunë në faqe të parë aventurën e beratasit, që psherëtiu sa psherëtiu, po vërtet nxorri flakë, ama! Titujt e gazetave të vrisnin sytë nga gërmat e mëdha: COAST TO COAST!, që do të thotë “pe bregut në breg!” Ky titull u vinte i pari në mend tërë gazetarëve, për të përshkruarë odhisenë e atij shqiptarit, i cili për të gjetur punë, çau Amerikën mes për mes.
“AAA”-ja e bëri Ziken anëtar nderi të përjetshmë, pa pagesë. Në makinën e vjetër, që tregonte veç ato 250 mijë miljet e para, megjithë baltën që e kish mbuluarë, nuku pat hyrë as një currilkë uji dhe motori u ndez me të shkrepurën e parë. Nuku kish rekllamë më të mirë për Fordin dhe firma e shfrytëzoi! Qendra e prodhimit i dhuroi Zikes një veturë të re, akull dhe – ajo më e madhja – bordi drejtues i kompanisë vendosi të financonte një film mbi këtë ngjarje, për një emigrant që çan Amerikën me një Ford të vjetër. Zikja u kish kërkuarë të luanin në film, tok me Milkën rolet e tyre, por ata u kishin thënë që nuku bënin për këtë punë. Demek, ju e bëtë këtë punë, po ajo aventurë tashi u ka lezet artistëve të Kalifornisë, Tom Hanksit me shokë! Zikja i kish sharë nga nëna ç’mbanin pragjet e Hollivudit, po sa para bënte! Ia mbyllën sqepin me Fordin e ri!
Edhe Milka nuku mbeti duarbosh. Një firmë e madhe kozmetike i dërgoi njëmijë kalema buzësh dhe i premtoi, që cilido të qe prodhim i parë i firmës, do kalonte menjëherë falas mbi tryezat e nuses pe Berati.
Po hë bre, nuku të vjen të pëlcaç?! Një i mënçur nuku e bën kurrë punën që bën budallai! E prandaj të mënçurit mbeten trokë. Me një të lëvizur të bishtit, fati i fali Zikes shtëpi, punë e makinë. E po çfarë do më shumë një shqiptar normal, që merr rrugën e mërgimit?!
Nuku bien në tokë Zikja me Milkën! Unë e mora nja dy herë në telefon Ziken, po ai nuku ma zgjati shumë, se e prisnin kamerat, për intervista! E po të kesh dy barqe: një ta çash e një ta mbash, se të duhet! Tani unë nuku i bie më numërit të tij, se Zikja vajti lart shumë! E kur shokët e mij venë lart… Vuaj ca unë, kur më bëhen shokët të famshmë!
Të fundit herë që i bëra një zile, më kërkoi ndjesë, se kish një punë, që nuku priste.
– E po, Zike, gurë zënç me dorë, florinj t’u bëfshin! – i thashë dhe po mbyllja telefonin me një të sharë nëpër dhëmbë.
– Çfarë the ashtu, çfarë? – nxitoi të më pyeste, me një nuhatje pe qeni. Më shave, a?
– Po, – ia ktheva. Një çiçkë!
– Pa thuaje gjene!
– Në të sat’ëme, të veç!
Dhe ia përplasa telefonin me një inat që, kur mos i kem tërë, akoma nuku më ka dalë!
(Marre nga libri I Pellumb Kulles “Rrëfenja nga Amerika”

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne Pac ifik, Nga Atlantiku, pellumb Kulla, Rrefnja nga Amerika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5318
  • 5319
  • 5320
  • 5321
  • 5322
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT