• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VAJZA QË SFIDOI TALEBANËT, IKONË GUXIMI DHE SHPRESE

July 13, 2013 by dgreca

E FRYMËZUAR NGA NËNË TEREZA/

Ne Foto: Nga cereremonia në Nju Jork të premten/

Nga Frank Shkreli/

Malala Yousufzai,  vajza 16-vjeçare nga Pakistani e cila vitin e kaluar u qëllua me  plumb nga talebanët, vetëm e vetëm se mbështeste dhe progandonte në favor të edukimit për vajzat, ishte ftuar të fliste  të Premtën  në Organizatën e  Kombeve të Bashkuara, (OKB) në 16 vjetorin e lindjes dhe në ditën që  organizata botërore ka shpallur si,  “Dita e Malalës”, në nder dhe respekt për guximin e saj përballë sfidave tepër të rrezikshme për një vajzë të re.  Vitin që kaloi, Malala Yousafzai u plagos rëndë, në luginën Swat  në veri të Pakistanit, në jë sulm barbar nga talebanët, të cilët njëherazi  plagosën edhe dy shoqe të saja, kur   talebanë të armatosur u futën në autobusin e fëmijve të shkollës duke kërkuar me emër vajzën e re Malalën — e cila njihej si kundërshtare e politikës së tyre për të mos lejuar vajzat të shkonin në shkollë — dhe e qëlluan disa herë duke e plagosur rëndë.  Fatbardhësisht, ajo u shërua plotësisht  nga plagët e saja nën kujdesin e mjekëve pakistanezë dhe më vonë nga  mjekët anglezë në një spital britanik.  Ishte ky një incident i cili shokoi botën e qytetëruar dhe shkundi ndërgjegjen e botës rreth gjëndjes së vështirë të vajzave në shoqëritë islamike fondamentaliste.  Ky akt, u dënua rëndë nga e gjithë bota si një akt barbar, kriminal dhe i shëmtuar.

Ishte Ish-Kryeministri britanik, Gordon Brown, tani Përfaqsues i posaçëm global i OKB-së për arsimin,  ai që e paraqiti pakistanezen 16- vjeçare para nja një mijë studentëve të ardhur në OKB nga 100 vende  nga mbarë bota, duke thënë se me të vërtetë ishte një mrekulli, që Malala gjëndej në mesin e tyre.   “Më lejo”, tha ai, duke iu drejtuar Malalës, “të përshëndes me fjalët që Talebanët  nuk do të dëshironin t’i dëgjonin:  “Gëzuar 16-vjetorin e lindjes, Malala”.  Ai e quajti vajzën pakistaneze, të plagosur nga talebanët, si ”vajzën më guximtare në botë”.     Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon tha se, “Duke sulmuar Malalën, ekstremistët  treguan se frika më e madhe e tyre ësht[ një vajzë me një libër në dorë.”

“Ata menduan se plumbat do të na heshtnin, por talebanët dështuan”.

Ajo e filloi fjalimin e saj në OKB — një fjalim që sipas shumë komentuesve nuk do të harrohet shpejt —  duke falenderuar Zotin, “para të cilit”, tha ajo, ”të gjithë jemi të barabartë”, dhe shtoi se “kjo nuk ishte dita ime, por dita e çdo femre, e çdo djali dhe çdo vajze të cilët kanë ngritur zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave të  tyre.”    Malala u tha të pranishmëve se, “nuk po flasë për veten, por për të gjithë ato dhe ata të cilët nuk kanë mundësi të flasin, për  të gjithë ata dhe ato që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e veta, si dhe për të drejtën e tyre për të jetuar në paqë.”

“Terroristët”, tha ajo, “kanë vrarë me mijëra veta dhe kanë plagosur miliona të tjerë.  “Unë”, shtoi ajo, “jam vetëm një prej këtyre të plagosurve….një vajzë ndër shumë të tjera…Terroristët menduan se do ndryshonin objektivat  dhe të shuanin ambiciet e mia, por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time.”   Por, ajo që ka ndryshuar pas sulmit kundër saj nga talebanët, vitin që kaloi, tha Malala, është se, “vdiq dobësia, u zhduk frika dhe u rivendos shpresa”, duke shtuar se  sulmi taleban kundër saj, e kishte bërë atë më të fortë duke thënë se, si rrjedhim, për të  “lindi forca dhe guximi.”

Duke thënë se pena është më e fortë se shpata, dhe se kjo është arsyeja që talebanët ”kanë frikë nga libri dhe pena”, ajo theksoi se, “Një fëmi, një mësues, një libër dhe një penë, mund të ndryshojnë botën”.  Talebanët ekstremistë”, shtoi ajo, “kanë frikë nga femrat dhe nga zëri i fuqishëm i tyre….kanë frikë nga ndryshimet që barazia për të gjithë, do të sjellë për shoqërinë tonë.”

“Unë e ngre zërin tim jo për të tërhequr vëmendjen ndaj personit tim”, tha ajo, “por për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre që të trajtohen me dinjitet njerëzor,për të gjithë ata që ngulin këmbë dhe kërkojnë të  drejta të barabarta në çdo fushë dhe për të drejtën e të gjithëve për të shkuar në shkollë dhe për tu edukuar.”

Duke thënë se nuk po fliste në një frymë hakmarrjeje, ajo shtoi se dëshiron që edhe fëmijtë e ekstremistëve talebanë të shkojnë në shkollë dhe të edukohen.   16-vjeçarja Malala, tha në fjalën e saj në OKB, se ajo kishte ardhur në Kombet e Bashkuara  e bindur dhe duke u mbështetur në trashëgiminë e  pa dhunë të Martin Luter King-ut, Gandit dhe Nënë Terezës, si edhe në mëshirën dhe mësimet e Jezu Krishtit, Muhametit dhe Budës.    “Zemra më thotë, paqë dhe dashuri me të gjithë, dhe për të gjithë”, tha vajza e re pakistaneze në paraqitjen e saj në OKB, në Nju Jork.

Ajo u bëri thirrje udhëheqsve botërorë që të mbrojnë të drejtat  e femrave dhe të fëmijve anë e mbanë botës, dhe njëherazi u bëri thirrje të gjithë  komuniteteve që të tregojnë tolerancë ndaj atyre që janë ndryshe, duke insistuar në mbrojtjen e lirisë dhe barazisë për femrat, dhe duke theksuar se asnjë shoqëri, “nuk mund të jetë e sukseshme, kur (femrat) gjysma e popullsisë së saj, “nuk gëzon të njëjtat të drejta me gjysmën tjetër të popullsisë”.  Vajza pakistaneze u bëri thirrje, atyre që ajo cilësoi si, “motrave tona anë e mbanë botës që të jenë të guximshme — të besojnë  në vetvete dhe të përqafojnë fuqinë mbrenda vetes së tyre, ashtuqë të realizojnë potencialin e tyre të plotë.”   Askush nuk mund t’na ndalojë, tha ajo, në rrugën tonë për realizimin e paqës dhe të edukimit për të gjithë.

Presidentja e Fondacionit të Kombeve të Bashkuara, Kathy Calvin tha se, “Guximi dhe anagazhimi i Malalës na frymëzon të gjithëve”.  Znja Calvin shtoi se,   “Ajo mishëron vendosmërinë dhe guximin e të rinjve e të rejave anë e mbanë botës, të cilët ndeshin në pengesa të mëdha për të shkuar në shkollë.   Por, të edukuar, ky brez i ri do të jetë një forcë e fuqishme për përparim në botë…..Le të nderojmë sot Malalën”, tha Zonja Calvin, “duke bërë realitet edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve, anë e mbanë botës, pa përjashtim.”

Me fjalimin e saj në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Malala Yousafzai triumfoi mbi terroristët talebanë, megjithse prej tyre kishte marrë plumbin, vetëm e vetëm se nguli këmbë në mbrojtje të së drejtës së vet dhe shoqeve të saj të shkonin në shkollë për tu edukuar.    Dy prej tyre u plagosën gjithashtu me atë rast.  Ajo kundërshtoi guximshëm urdhërat e radikalve të çmendur talebanë dhe vazhdon të flasë në mbështetje të edukimit të vajzave në Pakistan dhe kudo në botë, megjithëse talebanët kanë kërcënuar se nqëoftse jeton, ata do të përpiqen gjithnjë që ta vrasin Malalën.   Por Malala, jo vetëm që ka shpëtuar nga sulmi i talebanëve dhe nuk i ka frikë ata aspak, por nga fjalimi i saj në OKB të premten e cila me guximin e saj habiti botën, shihet se ajo është më e guximshme dhe më sy patrembur se kurrë më parë.

Guximi i Malalës dhe të tjerëve si ajo, duke kundërshtuar ideologjinë çnjerëzore mesjetare të talebanëve, është e vetmja shpresë për një lëvizje mbarë popullore për të mundur ideologjinë e talebanëve dhe për të mposhtur fushatën e tyre të shtypjes në Pakistan, Afganistan dhe kudo tjetër në botë.

Në mirënjohje dhe falënderim për guximin e saj të pashëmbullt, sipas BBC-së, janë mbledhur me mijëra nënshkrime “online” nga e gjithë bota, për një peticion, me të cilin bëhet thirrje që vajza trimëreshë pakistaneze Malala, të emërohet për Çmimin Nobel për Paqë.   Ajo me të vërtetë është një kandidate e denjë për këtë çmim prestigjioz.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ikone guxim, talebanet, Vajza qe sfidoi

Obama për reformën e imigracionit

July 13, 2013 by dgreca

Presidenti amerikan Barack Obama bëri thirrje për miratimin e një projekt-ligji për imigracionin që gëzon mbështetjen e Senatit dhe do të forconte sigurinë e kufirit, si edhe do t’i hapte rrugën shtetësisë për ata që ndodhen aktualisht pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Obama tha sot se paketa e ligjeve e miratuar nga senati me shumicë demokrate do të forconte ekonominë amerikane. Ai tha se reforma e imigracionit do të bënte më të lehtë për imigrantët e kualifikuar dhe ata që studiojnë në universitetet amerikane që të hapnin biznese dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Ai u bëri thirrje amerikanëve që janë dakord me të që t’i nxisin ligjvënësit e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane që ta miratojnë legjislacionin në mënyrë që Presidenti ta nënshkruajë duke e kthyer kështu në ligj.

Filed Under: Komente Tagged With: Obama, reforma e emigracionit

NDERROI JETE NE FLORIDA SOTIR LASHOVA

July 13, 2013 by dgreca

Më 14 korrik 2013 u nda nga jeta në Jackonsvile, Florida të Amerikës shkrimtari i njohur, fabulisti shqiparo – amerikan, Sotir Lashova.
Sotir Lashova u lind në vitin 1931 në fshatin Lashovë të rrethit të Kolonjës në gjirin e një familjeje me taban të hershëm atdhetar.

Viteve të Luftës II Botërore i kontribuoi drejtëpërdrejt luftës kundër pushtuesve të huaj nazifashistë për çlirimin e Shqipërisë.
Mbas çlirimit të Atdheut shërbeu me devotshmëri të lartë atdhetar në radhët e Ushtrisë. Për disa vite ka qënë korrespondent i gazetës “Luftëtari”, organ shtypi i ish Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Që në vitet gjashtëdhjetë ka qënë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ka botuar shumë vëllime në prozë e në poezi, por më shumë është shquar si fabulist. Ai i ka dhënë lexuesit vëllime të tilla me fabula, si “Korbi i varrim – zhvarrimeve”, “Gomari që desh të bëhej mbret”, “Dhelpra në grevë urie”, “Dhelpra – mike e luanit”, “Stafi i bishave”, “Ariu ministër” etj., etj.
Sotir Lashova ka pas bashkëpunuar edhe me gazetën e nderuar “Dielli”, por jo shpesh për shkak të gjëndjes së tij jo të mirë shëdetësore.
Ndarja nga jeta e Sotir Lashovës qe dhimbje e thellë për familjarët, por ajo qe një hidhërim i madh edhe për shokët e miqtë e tij të shumtë në Shqipëri, në Amerikë e në trevat ku banojnë shqiptarë.
I përfshirë në antologjitë e shkrimtarëve të njohur shqiptarë, antologji këto të botuara në Tiranë e në Prishtinë. Sotir Lashova mbetet nje figurë e nderuar e letërsisë shqiptare.(DHIMITER SHTEMBARI)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Nderroi jete ne Florida, Sotir Lashova

Leksioni rumun per krimet e komunizmit

July 13, 2013 by dgreca

* Do dënohen 35 roje që gjatë komunizmit torturonin të burgosurit politikë

*Nga 617 mijë të burgosur politikë që kishte Rumania, 120 mijë vdiqën nëpër kampe, kurse tani kanë mbetur gjithsej vetëm 2800 njerëz, të cilët shikojnë një shkëndijë

* Marius Oprea: “Ai mendon se ish udhëheqësit e Rumanisë kan për të ndëshkuar prindërit e tyre?” tha ai për AP. “Partia Komuniste mund të mos ekzistojë më, por ne ende kemi komunistët. Securitate mund të jetë i vdekur, por ne ende kemi agjentë të ish Securitate”

Nga Beqir Sina, New York/

BUKURESHT – RUMANI : Atyre rojeve të burgut – gardianve, që ua kan këputur gishtat të burgosurve duke përplas dyert, i kan rrahur në shputën e këmbëve, dhe i dogjën me cigare, nën sqetull dhe vende delikate të trupit të njeriut, do të dalin para gjyqit se kan abuzuar, edhe me ligjet e atëhershme. Gjithashtu edhe ata që në burgjet politike shërbyen të burgosurit me mish të “qelbur” i cili mbetej nëpër thertoret, duke i detyruar të burgosurit  të hanë “mbeturinat”, si dënim, do të jenë përball drejtësisë. Të gjithë ata që torturuan të burgosurit në mënyrat ekstreme deri të ngrohjes dhe të ftohtët, ata që bënë viktimat e tyre të mbajnë mbi kurriz ngarkesa dërrmuese, derisa të burgosurit të “këputeshin” të gjithë do të dalin para ligjit në se janë gjallë, thotë Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Kujtesën, i cili është u themeluar nga Partia Liberale e ish kryeministrit Calin Popescu Tariceanu në vitin 2006 .
Ata thonë se pas dekadave të mohimit, po dalin detaje drithëruese në lidhje me rojet e burgjeve – gardianëve, ndaj fatkeqësive që ata u kan shkaktuar të burgosurve politikë në Rumani, siç ishin : pronarët – gulagët – kulakët, kundërshtarët politik të regjimit komunist të kohës. Ata janë sot si pjesë e një hapi të parë dhe i vogël drejt dhënjes së tyre llogari. Fillimisht Ministria e Drejtësisë, ka publikuar emrat e 35 rojeve – nga mosha  80 ose 90 e tyre – që do të dorëzohen tek autoritetet, Rumune, duke filluar që javën e ardhshme për ndjekje të mundshme ligjore nga një institucion qeveritar i ngarkuar me hetimin e krimeve të epokës komuniste, shkruan axhenisa amerikane e lajmeve Associated Press.
Kryesuesit e krimeve të epokës komuniste, kanë qenë prej kohësh të mbrojtur nga ligjëvënës të Rumanisë, poskomuniste, deputet dhe anëtarë qeverie, prej pushkatimit të kryetarit të tyre Nikola Chaushesku . Ata mbushën partitë politike, mbar rënjes së komunizmit, megjithëse, kan qenë anëtarë të ish policisë së fshehtë Sekuritate.

Por, lëvizja për të ekspozuar bëmat e tyre, fillimisht po merret me rojet e burgjeve, të cilët nuk kan asnjë llloj justifikimi, sot mbasi kan vepruar edhe kundra ligjive të atëhershme, thotë Partia Liberale, e cila tani është pjesë e koalicionit qeverisës. Anëtarët e Partisë Liberale dhe familjet e tyre, thuhet kan qenë në shënjestër nga komunistët në goditjen e tyre, mbi të gjithë mospajtimet e perceptuar në atë kohë, prej se kur erdhi në pushtet Partia Komuniste në vitin 1946. Lista zyrtare e të burgosurve politik në Rumani; është 617,000 të burgosur politikë dhe gulagë – kulak. Nga këta thuhet se 120,000 vdiqën në burgje dhe kampet e interrnimit. Të burgosurit politik rumun përfshijnë politikanë, priftërinj, pronar të tokave nëpër fshatara, shkrimtarë, diplomatë dhe fëmijët e kundërshtarëve politk.  Shumica e të mbijetuarve, atyre që kalun në burgjet politike dhe kampet e interrnimit në Rumani, vdiqën para se të shohim ndonjë shans të drejtësisë, dhe një ditë lirie, mbas 1989.   Ata që janë ende të gjallë – mendohet të jenë rreth 2800 në të gjithë Rumaninë – dhe tani po shohin një dritëz shprese duke pas si pik shprese edhe njerëzit e tyre, që punojnë në Institutin për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Kujtesën . Më në fund ata janë të kënaqur që qeveria rumune e fillon provën e akuzave kundër 35 rojeve, por në listë, ka edhe të tjerë të kohës së krimeve komuniste, nga ata që shërbyen në Sicuritate .  Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Kujtesën, i cili është u themeluar nga Partia Liberale e ish kryeministrit Calin Popescu Tariceanu në vitin 2006, është e vetëmia parti, që u kthye në qeveri si një partner i vogël i koalicionit vitin e kaluar . Ky institut thuhet se ka nisur të mbledh provat e krimeve të kryera në vitet 1950 dhe `60 – e cila është periudha e konsideruar si më errët e komunizmit rumun – Ky Institut i ndihmuar edhe nga një ministër liberal që ka udhëhequr në atë kohë Ministrinë e Brendshme, i cili i ka dhënë provat dhe emrat dhe adresat, e personave që kan kryer krime ndaj të burgosurve politk në atë kohë, po merret tani me 35 rojet e burgjeve.

Ashtu si vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës, Rumania, i shpëtoj regjimit komunistë, dhe udhëheqësve të të nivelit të lartë, që sunduan atë prej 44 vjetëve, gjatë revolucionit, që ndodhi në vitin 1989. Rumania, tani është i vetmi vend në Europën juglindore nëdër vendet  ish komuniste, që kryetari i qeverisë u ndëshkua po nga komunistët, ku ish diktatori Nikolae Çaushesku dhe bashkëshortia  tij, Elena, u ekzekutuan nga ushtria që deri para 1989 ishin në komandën e tij.

Media rumune thekson se Drejtori ekzekutiv i Institutit, thotë se demokracia në Rumani, ka për të ndryshuar. Mbasi sipas tij:”Ata të cilët kanë prodhuar aq shumë vuajtje dhe terror duhet ta paguajnë atë një ditë dhe madje edhe në qoftë se ata janë të moshës 80 dhe 90 vjeç,” tha Andrei Muraru. “Mbasi ende nuk kemi asnjë prej tyre të jenë të shfajësuar nga përgjegjësia”.
“Do të ishte mirë për ata të cilët janë gjallë për të shkuar në gjyq, kështu që historia do të tregojë ata si kriminelë,” tha Caius Mutiu, 79 vjeç, një ish i burgosur i cili dëshmoi për këtë Institutit.
Mutiu kaloi tetë vjet në pesë burgjet mbasi kishte marrë pjesë në një protestë, për të mbështetur në vitin 1956 kryengritjen anti-sovjetike në Hungari. Ai tha se një roje dikur e kishte kërcënuar për ta vrarë atë, pasi ai u rrëzua gjatë një pune të vështirë. Ai tha se kaloi dy javë në izolim, duke fjetur mbi një dysheme të lagur, çimentoje, ku për të ngrën kishte, lakër dhe patate supë elbi .
Ai kujton se ka parë në burg edhe njerëz që vdisinin nga uria……!

Ai tha se përgjegjësia për sistemin e burgjeve politike, trajtimin e tyre ka qenë e lidhur me udhëheqësit komunistë të Rumanisë. “Faji më i madh qëndron mbi ata që dhanë urdhëra,” tha ai. “Ata janë për të u fajësuar dhe dënuar.”  Marius Oprea, kreu i parë i  Institutit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Kujtesën, thotë se Rumania ka qenë e gatshme, për t’u marrë me të kaluarën e saj, sepse kaq shumë anëtarë të gardës së vjetër që kanë mbetur në pushtet që nga viti 1989. Por, tha ai fillimisht duhet bërë hapja e dosjeve dhe të vendoset Ligji i Lustracionit, thekson shtypi rumun sot.Kush thotë ai mendoni ju  ” se ish udhëheqësit e Rumanisë, kan për të ndëshkuar prindërit e tyre?” dhe shtonë “Partia Komuniste mund të mos ekzistojë më, por ne ende kemi komunistët. Securitate mund të jetë i vdekur, por ne ende kemi agjentë të ish Securitate”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Leksion rumun, per krimet e komunizmit

Raporti Zyrtar, Ja masakrat serbe të 1913 në Dibër

July 13, 2013 by dgreca

Nga Robert Elsie/

Lufta e Parë Ballkanike filloi në tetor të vitit 1912. Serbia përparoi duke e shfrytëzuar vakumin e lënë nga thërrmimi i përandorisë Osmane në drejtim të invadimit dhe pushtimit të Kosovës dhe rajonit të Dibrës, që tash gjendet në kufirin mes Shqipërisë e Maqedonisë. Kjo ndodhi në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit të atij viti. Derisa Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë si shtet sovran më 29 korrik 1913, Kosova, Dibra, Ohri dhe Manastiri mbetën nën sundimin ushtarak serb dhe më 7 shtator 1913, Mbreti Peter I i Serbisë deklaroi aneksimin e territoreve të pushtuara. Një kryengritje e gjerë kundër sundimit serb filloi në Lumë (në jugperëndim të Prizrenit) dhe në bjeshkët në perëndim të Gjakovës, që u shtyp nga një forcë serbe prej 20.000 trupave, që përparuan drejt Shqipërisë dhe për pak sa nuk arritën deri në Elbasan. Një amnisti u shpall në Beograd nga qeveria në tetor 1913, por masakrat kundër popullit shqiptar vazhduan. Një vit pas informacioneve të tmerrshme të përpiluara nga Leo Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i botuar në dhjetor 1913, shpalos më imtësisht kërdinë e bërë pas amnistisë në Dibër dhe Lumë.

Raport zyrtar paraqitur Fuqive të Mëdha Ne jemi të parët që po paraqesim listën e plotë të vrasjeve të bëra nga armata serbe në Krahinën e Dibrës, Dibrës së Ulët dhe Lumës, që shtrihen në Shqipërinë veriore, pas amnistisë së tetorit të kaluar të akorduar nga qeveria e Beogradit, masakra të bera pas revoltës së malësorëve shqiptarë. Ky është një dokument i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe tashmë është dërguar te qeveria e njërës nga Fuqitë e Mëdha nga përfaqësuesi i saj i plotfuqishëm, që e ka përpiluar përsonalisht me shënime dhe emra të vendeve të vrasjeve dhe terrorit. Ja versioni i plotë i raportit zyrtar.

Krahina e Dibrës Në Klos, bandat serbe kanë therur Ahmet Aliun dhe vëllain e tij, sikurse edhe Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. I tërë fshati është grabitur. Në Valikardhë, në pikë të ditës dhe në prani të krejt banorëve, Ymer Halili, Osman Qira, Qerim Zejneli, Ismail Alushi dhe Sul Hoxha (hoxhë mysliman) janë prerë me bajonetë dhe janë katandisur në kufoma të panjohshme. Shtëpitë u janë djegur pasi më parë u ishin plaçkitur. Në Peladhi, janë bërë kontrollime shtëpi më shtëpi, me pretekst të kërkimit të armëve. Shumë shtëpi janë plaçkitur. Shtëpia e Hasan Patajt është djegur dhe pronari është prerë në fyt në prani të nënës së vjetër, gruas dhe fëmijëve. Në Krajkë, shtëpia e Muharrem Dervishit është djegur pasi ishte grabitur. Në Zerqen, krejt shtëpitë janë grabitur dhe djegur. Në Sopot, i tërë fshati është rrënuar dhe plaçkitur. Shumë shtëpi janë djegur. Të gjitha kafshët janë vjedhur dhe këta persona janë therë në bajonetë: Ali Kamberi, shërbëtori i tij, Hamza Disha, si dhe Salih Selimi. Në Dibër (qytet), disa orë para sulmit të malësorëve, prefekti lokal dhe komandanti ushtarak arrestuan tetëmbëdhjetë udhëheqës të qytetit, që janë ekzekutuar pa u gjykuar: Ramiz Karanfili,Sheh Husejni, Numan Hasani dhe Safet Bej. Të tjerët mbijetuan falë hyrjes në atë kohë të malësorëve në qytet dhe ushtria serbe u detyrua të ikë me ngut. Kur u kthyen në qytet, serbët e plaçkitën krejt qytetin dhe morën me vete mbi një milion lira turke të vjedhura. Shumë shtëpi u dogjën, posaçërisht ato e Ali Beut, Rakip Qatibit dhe Kurtish Agait. Me vrazhdësi të paparë, serbët po ashtu i masakruan shumë njerëz të tjerë, mes të cilëve kishte edhe të tillë që bënin punët e tyre dhe s’merrin pjesë në kryengritje. Mes të masakruarve ishin: Kurtish Aga, Behgjet Efendi, Haxhi Syreja Efendi, Reshid Efendi Kusari dhe Sadullah Shtrazimiri. Në këtë çast, qyteti i Dibrës është thjesht i shkretë, sepse banorët kanë ikur në mal. Në qytet kanë mbetur vetëm dyqind apo treqind veta të të dyja gjinive. Në Gjoricë, një ditë pas vizitës së një oficeri të dërguar nga qeveria austriake, që ishte duke kaluar dhe verifikuar tërheqjen e ushtrisë serbe nga rajoni, serbët u rishfaqën në fshat dhe vranë një grua dhe një fëmijë pesëvjeçar. Ata, po ashtu, e plagosën një grua tjeter. Në Homesh, vetëm tri nga 150 shtëpitë e katundit qëndrojnë në këmbë. Të gjitha janë djegur pasi që ishin plaçkitur. Pasi janë dorëzuar, serbët i kanë vrarë: Musa Ismajlin, Shemsedin Bajramin dhe Halit Sulejmanin, që ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Herën e parë i morën 1000 krerë dele, 150 krerë gjedhe dhe 40 kuaj. Herën e dytë, ata morën 50 krerë dele, nëntë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj. Në Shupenzë, pas vjedhjes së shtëpive dhe marrjes së gjërave të vlefshme, serbët masakruan: Ali Myslimin dhe vëllain e tij Abdiun, Hasan Abazin dhe Dalip Elmazin. Në Okashtinë, vetëm një shtëpi qëndron në këmbë nga 74 sa ishin. Të gjitha janë plaçkitur dhe djegur. Dy burra të quajtur Ferhat dhe Nazif janë prerë me bajonetë. Krejt kafshët janë marrë. Në Topojan, fshat me 68 shtëpi, kishte plaçkitje dhe djegie të përgjithshme. Një burrë me emrin Abdullah Xhaferri u pre në qafë pasi nuk ishte në gjendje të paguante pesë lira turke (115 lira italiane) të kërkuara haraç nga oficeri komandues i detashmentit. Ushtarët serbë i morën me vete të gjitha kafshët. Në Kovashicë, Malik Bajrami, Aziz Haxhi, Ahmet Ramadani, Leka, Destan Jashari, Sejfedin Elezi dhe Sulejman Ramadani janë masakruar. 150 krerë delesh, 41 gjedhe dhe 13 kuaj janë vjedhur. Burri me emrin Rashid Rexhepi është kursyer nga vrasja vetem së i ka paguar haraç prej 150 lirave turke (rreth 3450 franga) komandantit të detashmentit serb. Në Gjuricë (katundi afër Topojanit) janë masakruar 14 burra. Dy gra po ashtu janë vrarë: Naile Seferi dhe Zemane Ibrahimi, si dhe djemtë e vegjël: 8-vjeçari me emrin Ismail Mehmedi, 10-vjeçari me emrin Bajram Elezi, 7-vjeçari me emrin Rrahman, dy dymbëdhjetëvjeçarë, njëri i quajtur Hasan Ali dhe tjetri Elias dhe e bija e Husein Cokës. Në Golevishtë, i tërë fshati është grabitur. 74 shtëpi janë djegur dhe dy burra, njëri me emrin Halil Numani e tjetri Nuredin Mustafa janë prerë në fyt. Sa u përket kafshëve, herën e parë serbët i kanë marrë 1000 krerë dele, 30 krerë gjedhe dhe 35 kuaj, kurse herën e dytë 23 kuaj, 40 gjedhe dhe 500 krerë dele. Në Kërçisht, dy shtëpi të vetme myslimane janë djegur. Pastaj janë vjedhur 60 krerë dele, dy dema dhe katër lopë. Në Bllatë, serbët kanë djegur 75 shtëpi dhe kanë masakruar Rexhep Lleshin së bashku me të vëllain Abdiun dhe djalin e vogël Bajramin, si dhe gruan e Islam Kuaranas. Fshati është plaçkitur tërësisht dhe kafshët e mbetura, 90 krerë dele dhe 50 krerë gjedhe, janë marrë. Në Zogjaj, fshati është plaçkitur të gjitha të mirat. Drutë e dimrit dhe kafshët janë marrë. Serbët i kanë shkatërruar 124 shtëpi dhe, derisa zjarri shndërronte çdo gjë në hi, ata i kanë hedhur këta njerëz për së gjalli në flakë: një grua me emrin Rihane, dy vajza me emrat Fazile e Myslime dhe një 7-vjeçar me emrin Bajram. Ata gjithashtu i prenë me bajoneta Haxhi Myslimin, Nezir Azizin, Halil Numanin dhe Zenel Hasanin. Duke u kthyer për të dytën herë në Zogjaj, serbët masakruan: Musafa Myslimin, Aziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Ata, po ashtu, i vodhën shtatë lopë dhe gjashtë dele, që i kishin shpëtuar plaçkitjes së parë. Në Maqellarë, 10 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Për me shumë, serbët i kanë prerë: Elmaz Selmanin dhe të birin e tij Selmanin, Malik Rexhepin dhe të birin e tij Muratin, Hasan Sulejmanin, Abdullah Qehajën, Hajredin Hasanin dhe të tre bijtë e tij Ymerin, Ramizin dhe Tevfikin, të vëllain Rakipin, babën Hasanin; Rrustem Mehmetin, Numan Shemsedinin, Ramadan Bajramin dhe Ejup Edhemin. Banorët e tjerë të fshatit u detyruan të sjellin 50 krerë gjedhe, dy lope dhe 113 dhi, në mënyrë që të mos masakrohen. Në Poçest, serbët e kanë vrarë Muharrem Muharremin dhe të birin e tij Behgjetin. I morën 100 krerë dele dhe nëntë copë bagëti, si dhe 150 lira turke (afër 3450 franga), që i zbuluan nëpër xhepat e katundarëve. Në Kërçisht të Poshtëm, serbët kanë vjedhur shtëpinë e Mehmet Ejupit pasi ia pre në fytin atij në prani të familjes. Në Çerenec, ata dogjën 23 shtëpi dhe e masakruan Hasan Abazin bashkë me gruan e tij, Ramadan Salihun dhe Rrustem Sulejmanin. Ata e kanë vjedhur krejt fshatin duke i marrë me vete të gjitha gjërat e vlefshme, furnizimet dhe kafshët. Në Bllacë, i gjithë fshati është djegur pasi ishte vjedhur. Banorët janë prerë me shpatë, krejt pa shkak, kështu që ka qenë e pamundshme përpilimi i listës së viktimave. Kur u kthyen në Bllacë, serbët e panë se i kanë lënë pa marrë 250 krerë dele, 37 lopë dhe 28 kuaj, kurse barinjtë i masakruan. Në Spas ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe i dogjën dhjetë prej tyre. I morën të gjitha kafshët që mundën t’i zinin, 150 krerë dele, katër kuaj dhe 13 krerë bagëti. Në Klobuçishtë, pas grabitjes së të gjitha shtëpive, ua vunë pastaj zjarrin. Tridhjetë shtëpi u bënë shkrumb e hi. Po ashtu, në prani të katundarëve i vranë: Adil Bilhalin, Ahmed Abazin, Mustafa Murtezin, Xhelaledin Destanin dhe të vëllain e tij Musën, Hajredin Maksutin, Lutfi Fejzullahun, Reshid Murtezin dhe të birin tij Fetahun, Gazanfer Zejnelin dhe të tjeret. Serbët poashtu i vodhën 150 dele dhe dhi, 11 bagëti të tjera, dhe një gomar. Në Pulçishte (Poçest?) serbët i morën 103 krerë dele, l5 krerë gjedhe, 14 kuaj, shtatë gomerë dhe 65 lira turke (afër 1500 franga). Kur u kthyen herën e dytë, ata zunë dhe morën edhepesë dele, 10 gjedhe dhe një kalë. Në Obok, i tërë fshati është plaçkitur dhe udhëheqësit e fshatit, Ramadan Bajramit, i është prerë fyti. Kur kaluan herën e parë, serbët morën një tufë prej 120 deleve dhe, herën e dytë, ata morën 25 dele, dy dema, një kalë dhe dy gomarë. Në Pesjakë, ata kanë djegur dhe shkatërruar të gjitha shtëpite. Prej banorëve kanë vrarë këta: Jahja Ismajlin, Malik, Mahmut, Sejfullah, Abaz dhe Vehbi Sulejmanin. Serbët, po ashtu kanë marrë me vete 14 bagëti, 50 dele dhe një gomar. Në Erebarë i gjithë fshati është plaçkitur dhe këta përsona janë masakruar: Ibrahim Osmani, Junus Kurtishi, Xhafer Demiri dhe Destan Ishaku. Po ashtu i kanë marrë me vete tre kuaj, një gomar dhe tetë krerë dele. Ata ia kanë marrë një tufë prej 150 deleve Shukri Beut nga kullota afër fshatit. Në Vojnik, serbët plaçkitën e dogjën të gjitha shtëpite, 51 sish dhe, derisa flakët e shkretonin fshatin, ushtarët serbë e therrnin me bajoneta kë e gjenin. Mes viktimave ishin Sinan Ibrahimi, Nazif Numani, Ali Selimi dhe Idriz Shabani. Për më tepër, një grua me emrin Shame është torturuar dhe i është prerë fyti në prani të fëmijëve të saj. Të gjitha kafshët, 100 krerë dele, tetë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj janë marrë. Në Allajbegi, serbët e plaçkitën tërë fshatin dhe dogjën 65 shtëpi. Ata masakruan këta persona: Ibrahim, Zejnel Dalipin, Salih Ahmetin, Ali Selimin, Hajdar Shabanin dhe vëllain e tij Hajredinin, Hajredin Muçajn, Ali Osmanin, Numan Elmazin, Sejfedin Selimin, Zejnel Saipin, Salih Sulejmanin, Fazli Abazin dhe gratë: Shame, Qamile, Alie, Nimetallah, Hibe, Zaide, Fatime dhe një vajzë pesëvjeçare. Të gjitha kafshët e kullotave përreth janë vjedhur e marrë. Në Avalan, fshati është plaçkitur dhe katër shtëpi janë djegur. Kryeplaku i katundit Ismajl Ismajli është prerë në fyt dhe kafshët, 90 krerë dele, 6 kuaj dhe 1 gomar janë marrë. Në Çankë, pasi fshati është vjedhur, nëntë shtëpi janë djegur. Prej banorëve të fshatit janë prerë këta: Beqir Rrustemi, Husejn Abazi, Shahin Numani dhe Zejnullahu. Ata po ashtu i morën me vete 13 kafshë. Në Kovaçicë, i tërë fshati është plaçkitur dhe 32 shtëpi janë djegur. Të masakruar ishin: Elias Dauti, Nuredin Nurçe, Salih Osmani dhe Zejnel Troza. Serbët morën dy dema, 30 krerë dele dhe nëntë lopë. Në Bllatë të Eperme, i tërë fshati është plaçkitur dhe 18 shtëpi janë djegur. Abdul Azizi dhe Abdurrahmani ishin të vetmet viktima të serbëve. Për më tepër, 42 krerë dele dhe dy kuaj janë marrë. Në Bllatë të Poshtme, 25 shtëpi, pasi janë plaçkitur, janë bërë shkrumb e hi. Një burrë me emrin Ali Bllata dhe të dy bijtë kanë vdekur në flakë. Serbët po ashtu i kanë marrë 30 krerë dele, katër lopë dhe tre kuaj. Në Lishan, pasi fshati është plaçkitur, është djegur i tëri dhe të gjitha kafshët e gjetura në stalla dhe jashtë tyre janë marrë. Krahina e Dibrës së Ulët Në Rabdisht, fshati është plaçkitur dhe është shkatërruar krejtesisht. 38 shtëpi dhe afër 30 stalla janë djegur. 65 burra janë masakruar, si zakonisht, me bajonetë. Për më tepër, në mesin e tyre ishte edhe një djalosh 6-vjeçar, i biri i udhëheqësit lokal, që ishte hedhur për së gjalli në flakë. Serbët, po ashtu, morën me vete 400 krerë dele, 150 dhi, 60 lopë dhe 22 kuaj. Hallakatja e xhepave të banorëve që ishin kursyer nga vdekja rezultoi me 20 lira turke (afër 450 franga), të cilat serbët i konfiskuan. Në Zimur, serbët plaçkitën dhe dogjën shtatë shtëpi. Ata i prenë me bajoneta: Ahmet Shabanin, Mulajm Elmazin, Sulejman Zeqirin, Veisel Rizajn dhe Salih Shabanin. Kafshët u morën dhe ishin 245 krerë dele dhe 12 dema. Në Staravec, i tërë fshati u plaçkit dhe 42 shtëpi u bënë shkrumb. Viktimat ishin: Husejn Muça, Reshid Rrahmani dhe një grua e quajtur Zobejda. Serbët zunë dhe morën 300 dele e dhi, 30 krerë bagëti të tjera dhe katër kuaj. Në Bahutaj, serbët e detyruan Ramadan Mehmetin dhe shoqeruesit e tij të rrinë në terezi dhe pastaj ua prenë fytet. Ata i morën 10 kuaj. Në Tomin, fshati është plaçkitur dhe dy shtëpi, teqeja dhe xhamia janë djegur. Mazllum Jusufi dhe një çunë dhjetëvjeçar janë prerë. Të gjitha kafshët e gjetura janë marrë. Në Dohoshisht, pas grabitjes së fshatit, 55 shtëpi janë djegur. Mes viktimave që janë masakruar tmerrshëm, njeriu mund të njihte trupat e Malik Bajramit, Ramadan Ahmetit, Ymer Sadikut, Zejnullah Hasanit, Halil Junuzit, Musa Bajramit dhe Shaban Halilit. Serbët morën me vete edhe 400 krerë dele dhe 200 kuaj. Në Zagrad, ushtarët shkatërruan tetë shtëpi dhe vodhën katër kuaj. Në Bellovë, serbët plaçkitën tërë fshatin dhe morën çdo gjë që mund të bartnin. Në Grazhdan, 22 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Aziz Shemsedini, Hasan Zekiria, Xhafer Jusufi, Emrullah Mahmuti, Mon Beqiri, Hasan Durmishi, Rrustem Hasani dhe i vëllai i tij Zekiria, Bexhet Nuri dhe e shoqja e tij, Ismail Xhelili dhe i biri i tij Elias, Elez Hasani, Emrullah Demiri, Sinan Xhaferi, Aziz Kurteshi, Maksut Numani dhe Ferhat ishin prerë me bajonetë në prani të familjeve të tyre. Serbët, po ashtu, i morën të gjitha kafshët. Në Muhurr, ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe 14 i dogjën. Kur kapërcyen herën e parë, i morën 200 krerë dele, 100 qengja, 30 lope dhe 15 kuaj, si dhe mbi 300 lira turke (afër 7000 franga) që i gjetën në xhepat e banorëve. Kur kaluan herën e dytë nëpër fshat, trupat serbe vodhën 10 dele dhe një kalë. Ata i shkuan në bajonetë edhe njëmbëdhjetë udhëheqës fshati. Në Luzni, të gjitha shtëpitë private janë plaçkitur. Serbët pastaj i shkatërruan pesë shtëpitë kryesore. Ata i morën të gjitha kafshët që i gjetën në stalla, mbi 1500 dele e dhi dhe 200 krerë bagëti të tjera. Dëmet njerëzore, të vrarë me bajoneta, janë 45 veta, emrat e të cilëve me kujdes janë verifikuar dhe regjistruar. Në Çetush, katër shtëpi janë djegur dhe përsonat: Asma Hasani, Zejnel Shabani dhe Osman Numani janë masakruar. Tre kuaj janë vjedhur. Në Brezhdan, serbët plaçkitën dhe dogjën 17 shtëpi. Ata masakruan këta përsona: Abedin Osmanin, Shahin Mehmetin dhe Salih Kadriun. I morën, po ashtu edhe 25 kuaj. Në Ushtelencë, i gjithë fshati është grabitur dhe trembëdhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi.Janë masakruar këta përsona: Numan Rrustemi, Muslim Zeki dhe Mehmet Gota. U morën edhe 17 kuaj e gjashtë dema. Në Deshat, serbët dogjën 15 shtëpi dhe e hodhën një djalosh dhjetëvjeçar e dy gra në flakë për së gjalli. I vodhën 50 krerë bagëti dhe 500 krerë dele. Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër burra: Abdullah Abedinin, Tusun Dalipin, Sulejman Bahtiarin dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum. Po ashtu, i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj. Në Borovjan, serbët i dogjën dy shtëpi dhe prenë në fyt Rrustem Muharremin, në prani të familjes së tij. Po ashtu i morën 27 krerë bagëti, 119 dele dhe pesë kuaj. Në Rashnopojë, ata plaçkitën në tërësi shtëpitë, por nuk mundën t’i digjnin asnjë prej tyre. Ata i prenë në fyt gjashtë fshatarë udhëheqës: Bajram Mehmetin, Malik Rakipin, Selman Rakipin, Behgjet Behlulin, Osman Azanin, Hajredin Malikun dhe vodhën 20 dema. Në Cerjan, serbët shkatërruan shtëpitë dhe vranë tre burra: Fazli Sulejmanin, Jashar Hejbatin dhe Bektesh Arsllanin dhe një grua; Zobejden. I morën 14 kuaj dhe 60 krerë dele. Në Pilaf, të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë prej tyre janë djegur. Serbët e prenë me bajonete Dalip Ramadanin në prani të së ëmës së tij të vjetër. Në Pilaf-Mahallë ata grabitën të gjitha shtëpitë dhe shkatërruan tetë nga to. E vranë Hasan Fetahun, Salih Jusufin dhe të bijen e tij gjashtëvjeçare Fatimen. Për më tepër soldateska serbe i vërviti djemtë e vegjël, 6-vjeçarin me emrin Shukri dhe 4-jeçarin me emrin Hasan në flakë. U morën 100 krerë bagëti, 200 krerë dele dhe tetë kuaj. Në Pollozhan, krejt katundi u grabit dhe tri shtëpi u dogjën. Këtu mbetën njëmbëdhjetë viktima: Hajredin Vehta dhe vëllai i tij Azizi, Jusuf Uka, Hajredin Shkurti, Husejn Zejneli, Hajredin Halili, Said Pasha, Emin Shahini, Elez Numani dhe vëllai i tij Osmani dhe i biri i këtij të fundit. Sa i përket kafshëve, ata morën 50 krerë dele 12 dema dhe katër kuaj. Në Gliçë (Blliçe?), të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë sish janë djegur. Serbët ua prenë fytin tre burrave (Xhafer Rrustemit, Destan Hasanit dhe Xhemal Salihut) dhe një gruaje (Ajshes). I morën 250 krerë dele dhe 30 kuaj. Në Limjan, i tërë fshati u grabit. Në mesin e banorëve që u prenë me bajoneta ishin Hasan Shahini, Sejfullah Ibrahimi, Abdurrahman Fetahu, Qerim Sadiku dhe Bajram Xhelili. Po ashtu, i morën 200 krerë dele, 20 1opë dhe 10 kuaj. Në Peshkopi, pasi u plaçkitën të gjitha shtëpite, 57 nga to, mes tyre edhe me të rëndësishmet, u dogjën. Të masakruar ishin: Xhelaledin Abazi, Ali Ymeri, Xhelman Selmani, Hasan Arsllani, Hajredin Shabani dhe Murat Demiri. 180 krerë bagëtish, 450 dele e dhi,15 mushka dhe 20 kuaj janë marrë me vete. Në Trepçë, katundi u plaçkit dhe Zejnullah Ahmeti u pre me egërsi në sy të familjes së vet. Dy kuaj dhe 57 krerë dele janë marrë. Në Çidhën, tridhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi. Tre burra ishin mes viktimave: Kitan Keloshi, Hasan Hani dhe Arsllan Sadiku. 500 dele e dhi, 200 krerë bagëti, 13 kuaj dhe tre gomarë janë marrë. Në Renz, serbët shkatërruan pesë shtëpi, ia prenë fytin Zëjnel Ahmetit në shkallare dhe morën 100 dele e dhi, 12 lopë, dhe 5 kafshë të tjera. Tregimi i masakrave mban me vete listën tmerruese të zbulimit të martirizimit të rinisë shqiptare. Detajet janë pajisur edhe me vrasjet e bëra në pjesë të tjera të Krahinës së Dibrës së Ulët të Shqipërisë veriore, siç janë: Në Dipjakë, grabitje e përgjithshme ku ndodhi vrasja e një burri me emrin Beqir Sulejmani dhe ku u paguan haraç 45 lira turke nga banorët për komandantin serb që të ndalte masakrën. Por, të gjitha kafshët i morën. Në Venisht, grabitje dhe rrënime. U prenë në fyt Beqir Asimi dhe Idriz Tahiri dhe u plaçkitën të gjitha kafshët. Në Sllatinë 30 shtëpi u shkatërruan. Bahtial Idrizi u dogj i gjallë dhe 1365 krerë të bagëtive u morën. Në Trojak dhe Velështë 41 shtëpi u bënë shkrumb e hi. U vranë këta përsona: Zaim Idrizi, Abas Huseini dhe Salih Kadri. 660 kafshë janë marrë. Në Kallë 30 shtëpi janë djegur. Një grua me emrin Daveshe është hedhur për së gjalli në flakë. Bajram Rrustemit iu pre fyti në shkallaret e shtëpisë së tij. 576 kafshë i morën. Në Sllovë, nuk kishte viktima, pasi popullata nuk i kishte besuar amnistisë serbe dhe kishte ikur në male. Fshati u plaçkit krejtësisht, 32 shtëpi u dogjen krejt dhe 319 kafshë i morën teksa kullosnin. Në Dardhë, plaçkitje të përgjithshme. Dy viktima: Nuredin Sulejmani dhe Ramadan Sinani. 380 kafshë janë marrë. Në Reç, plaçkitje e përgjithshme dhe marrje e 600 kafshëve. Në Shumbat Palaman, plaçkitje, rrënim i tetë shtëpive. Tri gra, Rihane, Selvije dhe Ajshe, dhe tre burra, Jusuf, Bajram dhe një Bajram tjeter, janë vrare. Mbi 1340 kafshë janë marrë. […]

Marrë nga gazeta e përditshme Corriere delle Puglie, Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913.

Përktheu : Gëzim Aliu

Filed Under: Histori Tagged With: Eobert Elsie, masakrat serbe, me 1013 ne Diber

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5343
  • 5344
  • 5345
  • 5346
  • 5347
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT