• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qeverisja në koma

July 7, 2013 by dgreca

Nga Bekim REXHEPI

E kemi përsëritur me sa e sa herë se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, kanë pasur parregullsi alarmante, deri në kriminalizim e tyre. Madje, gati të gjithë komisionarët kishin njoftuar e saktësuar se në kohë dite, përdiell ishin mbushur kutitë e votimit me fletëvotime të paligjshme, me çfarë u privua vullneti i qytetarëve dhe thellësisht ai u kriminalizuar. Fakti që në shumë raste ishte rikthyer votimi, në disa komuna, tregoj se faktorët kriminalizuesë i zgjedhjeve e kishte parapërgatitur që më parë terrenin e manipulimit të madh të votës së lirë të qytetarëve. Natyrisht, edhe nga kjo nuk kishte si të ndodhte ndryshe, veçse me tendencën e vetme të kriminalizohej një shoqëri e tërë, me kriminel ordinar. Kosova nga ato zgjedhje ka dalë me një qeveri të kriminalizuar, me një qeveri qe vjedhë ashiqare, pa turp ku dominoj edhe mentaliteti egalitarist.

Pra, një zyrtar partie e shteti, deputet a ministri, me një rrogë minimale, që aktualisht do sillej në Evropë, ata ashtu siç kishin vjedhur votat, ata ashtu edhe po bëheshin milioner të ri, në shtetin e ri!. Madje më milioner se ata zyrtaret e partive, të shtetit, deputet a ministrat në Evropë. Ky fakt është ogurzi për një Kosovë qe s’kishin ëndërruar shqiptaret. Ajo Kosovë e ëndrrave shqiptare nuk është as ne fije të realizohet, sepse derisa të ketë qeveritar hajna, e kriminel,  duket se shteti e ka të vështirë të bëhet, ndonjëherë edhe të mëkëmbet.

Këta qeveritar,  madje shumë zyrtar e deputet që ta thonë hapur, troç madje se; më mirë, e më rëndësi është interesi i tyre për ta, se sa i shtetit, fundi fundit me ndonjë batutë, “shteti në bisht të sorrës”, sepse sipas tyre shtetin se kanë bërë të tjerët (prijës shqiptar) dhe s’është çudi se pse ata s’mund ta bëjmë ata?!.

Stafi i qeverisë më shumë janë në procese e procedura gjyqësore se sa janë në vende pune, e ne shërbime të qytetarit. Këta (qeveritarët) më shumë janë në vend pune për vete dhe përfundimisht në shërbim të vetvetes, se sa ne shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Asociacioni i komunave serbe dhe ndalesa në kompetenca

Në këtë stad ku ndodhemi me dialogun politik me Serbin për veriun e Kosovës, zgjidhja përmes marrëveshjeve, aktualizon problemin e asociacionit të komunave serbe dhe ndalesa në kompetenca të tyre dhe konkrete, qe duhet të japi qeveria e Kosovës minoritetit serb qe nuk përfillë fare shtetësin e Kosovës dhe asgjë qe ka të bëjë me të.

Nuk mund të diskutohet se problemi i veriut nuk ka përplasur opinione të shumta, por të gjitha përplasjet dukshëm kanë rënduar në një zgjidhje subtiliteti dhe mashtrimesh, por këto gjithsesi i rëndojnë të papërgatiturit në politikë.

Kosova nuk ka kërkuar asnjë pëllëmbë të tokës serbe dhe as nuk përzihet në rregullimin e brendshëm të Republikës së Serbisë. Është një argument në vetvete se Kosova ka bërë koncesione pa iu kërkuar fare, dihet qe në Serbi ka tri komuna autoktone me shqiptar dhe Kosova nuk ka kërkuar fare, ashtu siç po kërkon Serbia të ketë autonominë me kompetenca ekzekutive të asociacionit të komunave serbe. Një sërë vizitash në Prishtinë të diplomacisë ndërkombëtare, e veçmas ajo e baroneshës Eshton, duket se të vetmin qëllim ka pasur ta zbuesi edhe më fortë Hashim Thaçi, i cili viteve të fundit është shndërruar në një lider nescimus, madje duke u fshehur pas një “realpolitike”,  ai po synon tu japi dhe tu lejoj edhe një autonomi të zgjeruar me kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave serbe.

Qe nga marrëveshja e parë e deri të ratifikimi i saj në Kuvendin e Kosovës, qe u përcoll me tensione të brendshme politike, kemi fare pak lëvizje konkrete të marrëveshjes në teren, thuhet se janë hequr disa barrikada në thellësi të veriut, por ajo që është më e betonizura është akoma ne lumin Iber, nuk ka pësuar ndryshim! A po ecën me kujdes qeveria Serbe drejtë synimit të saj, këtë nuk duhet mohuar sepse paraprakisht duket kështu.

Propozimi i kryeministrit serb Daçiç, që komanda në veri të Kosovës të jetë serb dhe të jetë kush tjetër pos i suspenduari, dy herë radhazi Nenad Djuriç. Dhe më pas po ashtu propozimi tjetër, po nga ky kryeministr i Serbisë Ivica Daçiç, qe data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, duhet të jetë 3 nëntori i këti viti, ai tha shprehimisht se: “Jemi pajtuar rreth disa çështjeve që grupet punuese nuk kanë mundur t’i dakordojnë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, kemi biseduar edhe për datën orientimisht kjo do të duhej të ishte më 3 nëntor. Në anën tjetër për ne është e rëndësishme që serbët në Kosovë e Metohi të mund të votojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhje me dokumente të Serbisë”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës jo larg ditësh nga propozimi serb, njoftoi me vendimin e vet se i emëruari do të jetë vet Nenad Djuriç, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit rajonal të policisë Mitrovicë-Veri. Gjithashtu edhe Qeveria e Kosovës, më pas është pajtuar ( madje edhe disa zhurmues të opozitës në Kosovë e pranuan atë), qe propozimi i Daçiçit të jetë edhe data e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

E gjitha kjo, tregon se politika serbe ka zënë vend krucial në zhvillimet politike në Kosovë, ajo më nuk ka fuqi ti shmanget ndërhyrjes serbe, së paku gjerat kështu duken në realitet.

E sidoqoftë, këtu duhet shtuar se ka një mendim se koha e politikës në Kosovë po kotet në parmakun e mashtrimit! Në të kundërtën e sotmja, do të duhej të jetë kohë e të menduarit konkret të zgjidhjes se problemeve dhe jo të sajimeve të tjera, për kohë të tjera kërkimesh dhe krizash më të thella. Vërtetë kemi një qeveri në koma, se cilës pak fare, pak i kanë mbetur gjasa dhe shpresa të zgjohet, zgjimi i saj mbase do të jetë i rënd dhe ndofta i vonë për rikonpenzime politike, ekonomike dhe shoqërore për Kosovën në të ardhmen.

Liqeni i Ujimanit (Gazivodës)

 Pse Serbia synon qe ky liqe të futet nën juridiksionin apo nën kontrollin e asosacionit serb të komunave serbe në Kosovë, sepse përpos shkritores se xehes dhe metalit në Zveçan, dhe gjysmë kontrollit të minierës së Trepçës në Stan Terg, ajo qeveria Serbe përpiqet qe për serbet e Kosovës, qe akoma si percepton si të tillë, të krijoj një sistem të pavarur funksional jashtë varësisë nga qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës. Më këtë duket se synohet qe definitivisht kjo pjesë e veriut të Kosovës të mund të shkëputur nga administrimi qendror, me qëllim që më pastaj, dhe ndofta të mund të krijoj parakushte të një secesioni.

Sa për kujtesë në vitin 1981, një terrorist serb ishte nisur me një destinacioni, liqeni i Ujimanit. Mbushur një arkivol me përplot eksplozivi, për ta shpërthyer paranojën e liqenit, më qëllim që të shkarkonte sasinë e pakontrolluar të ujit dhe të shkaktonte dëme të mëdha, të paparashikueshme për qytetin e Mitrovicës me rrethinë. Por, ky qëllimi i kriminelit serb, ishte përmbysur pasi një shofer taksie, shqiptar qe po e voziste automjetin me arkivol, pas dyshimeve, kishte arritur që para aktit të krimit, të paralajmëroj policin, dhe ishte kapur  befas ky terrorist. Në memoria kjo ngjarje, ç’mund të bëhet nëse qeveria e papërgjegjshme do tregohet ne bisedime me Serbin, e cila po planifikon një kontroll serb, lokal për Liqenin, akoma pa u bërë marrëveshja për kërkesën e qeverisë serbe, qeveria e Kosovës e njohur për lëshime marramendëse mund të tregohet edhe më shumë e papërgjegjshme, edhe më këtë rast.

Serbet qe mund ta kenë nën kontroll liqenin një ditë, mbase do të mund të luajnë me pjesën jugore të Mitrovicës me rrethinë, pasi që dihet se sasia e ujit qe lëshohet nga liqeni i Ujmanit është jetike edhe për pjesën jugore.

E nëse ky aset ekonomik i Kosovës, shpërdorohet, apo u epet në duart atyre që janë, akoma me ato ngarkesa, elemente paranojë dhe raciste se nuk duan dhe nuk munden të jetojnë në një shtet ku shumica janë shqiptar, pra një minoriteti serb prej 4% qe gjithnjë e më shumë synon të pavarësohet nga administrimi juridik i Kosovës përbën një rrezik të paimagjinueshëm për qytetin e Mitrovicës dhe rrethinën e saj.

Serbia në Evropë po Kosova?

Qëllimi i Serbisë ngadalë po realizohet, nuk ka rëndësi se në çfarë fazash do të realizohet ai, por faktikisht gjasat janë të mëdha. Serbia ka shfrytëzuar veriun e Kosovës, për tu futur në BE, dhe njëkohësisht ka frenuar Kosovën qe ajo të inkuadrohet në institucionet ndërkombëtare pa e zgjedhur çështjen serbe në veri të Kosovës. Është e vërtetë qe Serbia po ia del edhe me BE-në, e edhe me Kosovën. Por, çfarë me Kosovën? Ishte kjo një pyetje qe na ngarkon, të kuptojmë se çfarë po arrin Kosova me politikën e saj. Kosova ka akumuluar një problem të madh në veriun e saj, për një kohë të gjatë, heshtja e saj dhe retorika zhurmuese mbase dhe i kanë vënë kushte të tjera një realiteti tashmë atje, dhe zgjidhja me mjete kushtetuese doli të jetë pa efekte. Por, angazhimi i diplomacisë nuk mund të zgjasë kohen e “gjendjes së ngrirë”, në veri të Kosovës qe kishte tensionet e saja. Hapat e ndërmarrë nga BE-ja, quan gjithsesi në ulje bisedimesh sa teknike e, sa politike. Palët do të duhej të kishin përgatitjet e tyre për këto bisedime, ishin të lira të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre në to, mbase ne to nuk mund të shkohej pa ndonjë përgatitje, deri me tani shihet qartë se kush ishte më i përgatitur!. Serbia, më afër BE-së, ndërsa Kosova më me pak garanci se do të mund të ofrohet më lartë se çka bërë.

Një Serbi shoviniste, mbi 300 mije njerëz të vdekur, ndërsa vetëm në Kosovë me mbi  20 mije shqiptare, përveç 150 mije objekteve të shkatërruara dhe mbi 1 milionë njerëzve te dëbuar, po bëhet anëtare e Bashkësisë Evropiane, falë zgjuarsisë se saj.

Ndërsa Kosova mbete akoma një vend i brishtë, me një politikë xhuxhe dhe pa identifikuar realisht prioritetet e saj. Duke humbur kohën në përqasje anësore dhe të padobishme për vendin, duke mos luftuar krimin, korrupsionin duke shtrirë autoritarizmin dhe duke lënduar tej mase demokracinë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, qeverisja ne koma

SEVDALLINJTË MANJAKË TË PARTIVE – DIVERSION EDHE KUNDËR MEDIAVE ONLINE

July 7, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Njëfarë lexuesi i botimit online të gazetës ‘Dielli’, i cili nënshkruan gjithnjë me ndajshtimin profesional ‘M. A. Economics’, mëtoka tashi t’ia imponojë kësaj gazete politikën botuese. Sipas tij në ‘Dielli’ u dashka të botojnë ekonomistë, mjekë, aparatçikë, por të mos botojnë gazetarë profesionistë të dëshmuar një jetë të tërë. Kjo do të ishte njëlloj sikur ne gazetarët t’i urdhëronim ekonomistët të na e lënë ne profesionin e tyre meqë edhe ne e dimë sa bëjnë 3+5. Me të njëjtën logjikë, t’i urdhëronim mjekët, juristët, inxhinierët, politikanët e të tjerët të na i lënë ne klinikat, studiot, laboratorët, karriket, pushtetet e tyre. Sidomos këtë ta bënin ata që janë më të shquarit në fushat përkatëse.

Unë mendoj se ‘Dielli’ bën mirë që i boton mendimet e ndonjë Çini. Edhe ne ia kemi botuar në gazetën tonë online sa herë që Çini na i ka dërguar. Natyrisht, nuk kemi menduar se ia shtonim kështu vlerat gazetës, por e kemi respektuar dëshirën e tij të padëmshme për të shprehur mendimet e tij publikisht për një çështje të caktuar. Prej kohës kur botues i ‘Diellit’ është kolegu i nderuar Dalip Greca ne kemi një partneritet të frytshëm me këtë gazetë. Kjo periudhë, për më tepër, përkon edhe me një nga kohët më të ndritshme të Federatës Panshqiptare Vatra, të drejtuar nga atdhetari i ndritur Dr. Gjon Buçaj, duke na i kthyer në kujtesë kohët e dritëshme të Vatrës së Konicës, Nolit dhe kolosëve të tjerë vizionarë të shqiptarisë.

Në shkrimin “Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske”, lexuesi Çini, krahas kënaqësisë prej të përvuajturi ndaj kësaj arritjeje të 23 qershorit 2013, shpreh pakënaqësinë prej arroganti ndaj shkrimit të zonjës Buçpapaj për letërkëmbimin publik midis Dr. Berishës dhe Gentjanit 16 vjeçar që i lutet idhullit të tij të mos largohet asnjëherë nga politika. Në shkrimin e saj zonja Buçpapaj, fare thjesht, pa lënduar njeri, vetëm duke ia kujtuar Berishës arsyet për se Gentjani të mos e lexojë përgjigjen e Berishës, shprehet kundër një forme të tillë bajate të propagandës. Shqetësimi i kryesor që ngre zonja Buçpapaj në shkrimin e saj është politizimi i parakohshëm i fëmijëve, moshë lehtësisht e lëndueshme, çka çon edhe në zhgënjime të cilat shndërrohen po aq lehtësisht në trauma për brezin e ri.

Misioni i gazetarit, siç është i ndryshëm ndaj misionit të ekonomistit, mjekut, juristit, inxhinierit e tjerë, është i ndryshëm ndaj misionit të politikanit. Është politikani ai që vendos për mënyrën dhe kohën e largimit nga politika, ashtu siç ka vendosur ai për mënyrën dhe kohën e ardhjes në politikë. Është punë e tij si e percepton ai verdiktin e Sovranit në kohë të caktuara. Ndërsa gazetari e ka për mision të pasqyrojë dhe ta shprehë të vërtetën cilado qoftë ajo. George Orwell, të cilin, për shembull, Berisha e parapëlqen në retorikat e tij, thotë se gazetaria është edhe ajo që iu pëlqen veshëve tanë, edhe ajo që nuk iu pëlqen.

Sikur të ishte duke marrë fjalën në ndonjë mbledhje të organizatës bazë të partisë, ky Çini, stigmatizon shembullin që nuk duhet lejuar dhe që duhet ndaluar, si dhe stimulon shembullin e përparuar, që duhet përhapur dhe inkurajuar. Shembull i përparuar për shkrimet me temën e 23 qershorit, sipas tij, janë shkrimet e Dr. Enver Bytyçit dhe të Dr. Elton Marës. Shkrimet e Bytyçit me këtë temë unë nuk i lexoj, sepse e marr me mend se çfarë mund të shkruajë një drejtor aktual i marrëdhënieve publike të Ministrisë së Kulturës në këtë rast. Ndërsa shkrimet e Marës i lexova. Më 21 qershor ai bën thirrje për votim sa më masiv, iu kundërvihet thirrjeve për bojkotim të votimeve, ashtu siç kemi bërë edhe ne me shkrimet tona. Ai beson se qeveria, me punën e madhe që ka marrë, do të fitojë një mandat të tretë. Më 3 korrik Mara ngre pyetjen a fitoi apo humbi sovrani me votën e tij të 23 qershorit. Ai i shtron me qetësi dhe mirësjellje mendimet e tij, pa rënë në sevdallosje ndaj ndonjë partie apo lideri, pa tone arrogante, brutale, fyese, si ato të lavdëruesit të tij.

Lexuesi i lartpërmendur i ‘Diellit’, z. Cini, e krahason rolin e zonjës Buçpapaj me rolin e Kasandrës së antikitetit. Ai bie në skemën e biografit zyrtar të Berishës dhe, padashur, kështu e lartëson rolin dhe figurën e së kritikuarës së tij. Kasandra e mitologjisë greke, nga Homeri e deri sot, në penën dhe gojën e poetëve, filozofëve, oratorëve, është simbol i profecisë së pagabueshme. E vetmja mbresë negative që e shoqëron emrin e saj është se profecitë e saj nuk janë dëgjuar në kohën kur ajo i ka shpallur. Ajo është parashikuese e tragjedive. Zonja Buçpapaj nuk ka parashikuar asnjëherë tragjedi, dhe 23 qershori nuk ishte e tillë, siç e kishin paralajmëruar shumë Kasandër dhe Kasandra, ‘të djathtë’ apo ‘të djathta’, e cila, sipas tyre, do të ndodhte po të fitonte e majta.

Sikurse e thotë vetë titulli i shkrimit “Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske”, autori e mban lugën e tij plot duke i mëshuar idesë së përkryeshmërisë së zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo, në fakt, është ide e vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërsa humbësit e zgjedhjeve në thelb nuk pajtohen me këtë përkufizim. Ata të gjithë shpallin se votat e LSIsë ishin të blera me para në dorë. E çfarë organizimi të mirë kanë votimet e blera. E çfarë organizimi të mirë kanë zgjedhjet ku 30% e votimit ishte votim familjar?

Organizimi i votimeve të 23 qershorit është një precedent që nuk bën të përsëritet me kurrë në Shqipëri për një fakt tjetër tejet kapital: mbajtjen e vendit për rreth tetë muaj rresht në fushatë të pandërprerë parazgjedhore dhe zgjedhore. Një ekonomist fare i thjeshtë, edhe z. Çini, mund t’i bjerë lapsit dhe të llogarisë humbjet e Shqipërisë nga këto zgjedhje. Në maj dhe qershor, për shembull, PD shpall se ka nxjerrë në sheshe 2 milionë njerëz. Partitë tjera kanë nxjerrë pjesën e mbetur. Të mbash në sheshe 3 milionët e vendit tënd me muaj të tërë është një papërgjegjshmëri e pafalshme. Përveç kostos shumë të lartë, për një vend kur një pensionist merr mesatarisht as 100 Euro në muaj, në një vend ku zgjedhjet kostojnë me miliona Euro por ku partitë i fshehin burimet dhe po ashtu edhe bëjnë edhe ekonomistët militantë.

Z. Çini është ngelës edhe në profesionin e tij. Ai dështon edhe kur e llogarit si humbje rezultatin zgjedhor të PS – kur në fakt është rreth 100 000 vota më shumë se katër vjet më parë. Edhe kur llogarit numrin e deputetëve përsëri gabon.

Tashi ‘demokratët’ mëtojnë se kocka në fytin e tyre të humbësve është pikërisht LSI e larguar nga koalicioni. Kur Meta u largua nga koalicioni, ndonjë allçak i PDsë shpallte se, me këtë largim, PD do të merrte 40% elektorat më shumë se në vitin 2011 kur kishin qenë aleatë PD-LSI. Zonja Buçpapaj e quante një fantazi të pabazuar dhe kundërproduktive një mendim të tillë. Allçaku përdorte faceboookun për të sharë zonjën Buçpapaj dhe mua. Për këtë ai gradohej menjëherë zëvendëministër i Jashtëm. Tash Metës ia përmendin bllokun në dorë të gjithë në PD, nga i pari tek i fundit, por ata ishin faktor kryesor i mosdhënies së drejtësisë ndaj njeriut me bllok në dorë, për çka zonja Buçpapaj i pati kritikuar në kohën kur ndodhte. Kur Berisha mori bashkinë e kryeqytetit, ne e përkrahëm, sepse ishte precedent krejt i papranueshëm që Edi Rama të kërkonte një mandat të katërt në bashkinë e kryeqytetit. Kur Berisha mori presidentin, kryeprokurorin, kreun e SHIKut, në përplasje madje me aleatët amerikanë dhe evropianë, ne e kritikuam si të dëmshme për të ardhmen e tij politike, të PD, demokracisë, integrimeve. Ne nuk u pajtuam as me mosndriçimin e skandaleve të shumta gjatë qeverisjes së PD, sidomos në mandatin e dytë.

Më tej autori i shkrimit “Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske”, ia lejon vetes ta kritikojë PDnë për çështjen e pronës, për çështjen e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, për çka ne e kemi kritikuar sistematikisht për politikë ekstremisht të majtë të PD në këtë tetë vite, sidomos në mandatin e dytë.

Z. Cini nuk harron as në këtë shkrim të merret me ish presidentin Bamir Topi. Këtë temë në fakt nuk e harroi as PD, e cila e vuri makinerinë e saj propagandistike kundër Topit dhe Spahiut më shumë se kundër Ramës. Ndërsa Metën, gjoja si padashje, e harruan fare, për çka u kuajtuan vetëm tashi. Në fakt kinezëria e kohës së Revolucionit Kulturor e PD se Meta do ta tradhtonte Ramën dhe do të kthehej tek fitimtari Berisha pësoi fiasko totale.

Partia e Bamir Topit fitoi 30 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit, por, falë ligjit aktual zgjedhor, nuk fitoi asnjë deputet. Nëse bashkohej me PS ose PD e kishte të sigurtë një grup parlamentar. Por Topi dëshmoi integritet dhe nuk u bashkua me Islamët, Kadelët, Dogjanët dhe Dukët e PD dhe aleatëve të saj.

Qëndroj tek kjo temë, sepse z. Çini e ka alergji të jashtëzakonshme Bamir Topin, për çka nuk kërkoj arsye personale, siç bën Cini me të tjerët. Siç e përmenda më lart, ne Cinit ia kemi botuar të gjitha opinionet e tij kundër Topit. Por ne nuk e kemi pranuar dhe nuk e pranojmë rolin diversionist në mediat, qoftë ato audiovizive, qoftë të shtypura, qoftë online, qoftë sociale.

Z. Çinit, i cili na ishte paraqitur si mik i një mikut tonë të ngushtë, i duket burrëri e madhe që të përdorë miqësinë në facebook për të kundërkomentuar çdo koment të zonjës Buçpapaj në facebook, për të bërë komente negative kudo që zonja Buçpapaj boton në mediat online, për të organizuar edhe miq të tij që t’i bashkohen në këtë mision.

Ne e kemi për detyrë t’ia kujtojmë atij dhe çdokujt se çdo media ka politikën e saj botuese. Përpjekja për t’ua imponuar atyre politikën botuese është një totalitarizëm stalinist i kulluar. Edhe në facebook secili e administron vetë faqen e tij dhe është ai pëgjegjës për të. Përpjekjet për stalking janë të dënueshme dhe të papranueshme. Prandaj facebooku ka vënë në dispozicion mjetin e bllokimit dhe ka paraqitur tek çdo përdorues kujtesën e etikës së facebookut.

Këto ne i respektojmë me skrupulozitet. Dhe askush nga miqtë e facebook nuk ka pse të ndihet i cënuar pse ne i parashtrojmë mendimet tona edhe kur janë të ndryshme apo të kundërta me të tjerët. Komunikimi funksionin kur ekziston mirëkuptimi i ndërsjellët për ndryshueshmërinë apo kundërshtinë e pikëpamjeve. Demokracia ua kthen të gjithëve funksionin e të menduarit, të cilin diktatura ua kishte marrë, pasi për ta mendonte Vëllai i Madh.

Faqet në facebook dallohen edhe për nga përkatësia profesionale: Gazetarët paraqesin rubrikat e tyre, arritjet e tyre, idetë e tyre; piktorët paraqesin punimet e tyre; kineastët paraqesin sekuencat e filmave të tyre; këngëtarët albumet e tyre; politikanët samitet e tyre. Nga ana tjetër, paraqesin edhe pjesë të jetës së tyre private që duan t’i ndajnë me miqtë. Kjo nuk ka pse të lëndojë askënd.

Edhe ne kemi të drejtën tonë t’i profilizojmë faqet në facebook, ku t’i përfshijmë edhe botimet e reja, shkrimet e reja, gazetën tonë online e tjerë. Ato janë pjesë e suksesit tonë të një karriere të gjatë, qoftë kur kemi qenë në Shqipëri, qoftë në Perëndim prej gati 20 vitesh ku e ushtrojmë profesionin e gazetarit me sukses të plotë. Një arritje rekord për ne përbën gazeta e përditshme “Bota sot”, e botuar në Evropë, Amerikë, Kosovë, Maqedoni, e cila arriti tirazhin rekord me 200 000 kopje, diçka e paarritshme në mediat shqiptare në tërësi, diçka e paarritshme nga mediat e këtij lloji të të huajve në Perëndim. Ky sukses është i lidhur shumë ngushtë me rolin tonë – unë si kryeredaktor dhe zonja Buçpapaj si redaktore kolumniste.

Duke qenë gazetarë profesionistë me një karrierë të gjatë dhe tejet të suksesshme, ne jemi edhe anëtarë aktivë të disa shoqatave ndërkombëtare, perëndimore, zvicerane apo shoqatave të krijuesve artistikë. Ky është një kapital profesional, etik, njerëzor i cili nuk mund të zbehet as të mohohet prej askujt. Zonja Buçpapaj kohët e fundit, përveç botimeve poetike, ka bërë edhe botime publicistike. Vlerësimet e autoriteteve të larta të mendimit, kulturës, dijes publicistikë, shkrimeve shqipe si ato të Jusuf Buxhovit dhe të Dr. Përparim Kabos për librin “Tirania e tranzicionit” apo të Frank Shkrelit për librin “Trauma e tranizicionit – Ditari i një gazetareje” janë dëshmi objektive e padiskutueshme.

Urojmë që z. Çini, në kuadrin e ndryshimit epokal që po pritet të ndodhë në Shqipëri, çka shpresojmë të ndikojë edhe në emancipimin e mendësive edhe tek shqiptarët nëpër botë, të mos merret më me zonjën Buçpapaj. Le të merret me temat e veta apo të nxitura nga shkrimet e autorëve të tjerë. Dhe të mos mëtojë për grada nga një regjim i cili tashmë ka pushuar përfundimisht së dhëni grada.

Ndërkohë, mendojmë se gazetari asnjëherë nuk duhet të konfondohet me lexuesin. Kjo lidhet me etikën profesionale dhe morale. Sepse nëse gazetarët guximtarë do t’i sulmonim rregullisht me taborret e militantëve, atëherë do t’ia marrim shpirtin së vërtetës. Zoti Çini është ekonomist, ai për arsyet e tij personale nuk i pëlqen shkrimet tona. Ok. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Për të shprehur mendimet e tij, ai ka spazion e komenteve si lexues, ku le të thotë çfarë mendon, pa fyer dhe pa cënuar integritetin e gazetarëve dhe të mediumit ku ata i botojnë shkrimet.

Me këtë rast, edhe një herë shprehim vlerësimin tonë ndaj botuesit të Diellit, z. Dalip Greca dhe kryetarit të Vatrës, z. Dr.Gjon Buçaj, që përmes Diellit, i kanë dhënë dritë fjalës së lirë, së cilës në Shqipëri i është zënë fryma në Shtratin e Prokrustit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: sevdallinjet e partive, Skender Bucpapaj

VIZITE HISTORIKE E KARDINALIT TE NEW YORKUT NE XHAMINE SHQIPTARE

July 6, 2013 by dgreca

*Kardinali Timothy M. Dolan – Kryepeshkopi Katolik i New York-ut, viziton për herë të parë – Xhaminë Shqiptare në New York

*Dolan:  “Falënderoj Perëndinë që kjo ditë ka ardhur – Ju falënderoj për mikpritjen tuaj, dhe ju falënderoj Ju për të bërë atë që unë të ndihem si një mik dhe një anëtar i familjes.”

Nga BEQIR SINA, Staten Isalnd New York/

STATEN ISLAND – NEW YORK : Jo pa qëllim, zgjodha qysh në fillim biografinë e Kardinalit Timothy Michael Dolan, për këtë shkrim. Eminenca e Tij – figura më eminente e Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara, sot, Kardinali Timothy Michael Dolan – Kryepeshkopi aktual i New York-ut(një ndër dhjetë arqipeshkvit e New York-ut), është një amerikan aktualishtKardinali i Kishës Katolike Romake. I emëruar nga Papa Benedikti XVI, Dolan aktualisht shërben edhe si President iShteteve të Bashkuara të Konferencës së Peshkopëve Katolikë dhe mbanë pozitën titullar si i Priftit, Kardinalit i NostraSignora di Guadalupe – Mario Monte ( Our Lady of Guadalupe on Mario Monte) në Romë.

Këto ditë shkruajn organet e shtypit katolik amerikan;”The Catholic Armory, Christian Post, Chatolic Review”, si dhe gazeta e ishullit njujorkez Staten Island,”Staten Island Advance” se :” Kardinali Timothy Dolan, Kryepeshkopi i Nju Jorkut, bëri vizitën e tij të parë në një xhami në qytetin e Nju Jorkut dhe kjo ishte Qendra Islamike Kulturore Shqiptare në Tompkinsville – Staten Island, ku ai u takua me krerët e fesë myslimane dhe lider të tjerë fetar”.

Rëndësi të madhe kësaj vizite i kushtuan organe të shtypit katolik, si edhe ai shtypit lokal, të cilat i bënë jehonë të madhe  kësaj vizite, e cila u krye dy javë para fillimit të muajit të Madhërishëm të Agjerimit – 30 Ditët e Ramazanit. Këto mjete shtypi theksojnë se Kardinali Dolan së bashku me ata që e shoqëronin atë, ka kaluar më shumë se dy orë vizitë në mjediset e Xhamisë shqiptare dhe Medresenë Miraj në Qendrën Islamike Kulturore Shqiptare në Tompkinsville – Staten Island dhe ka drekuar me rreth 40 klerikë të tjerë në një tryezë, sipas riteve muslimane.   Dolan, i cili është e njohur gjerësisht për vlerat e tij konservatore dhe si një personalitet karizmatik, në media, nga revista prestigjoze amerikane Time Magazine, është cilësuar një nga prej “100 njerëzve më me ndikim në botë” për vitin 2012.

Kardinali Timothy Michael Dolan, gjatë vizitës dy orëshe në xhamin shqiptare në qytetin e Nju Jorkut –  Qendra Islamike Kulturore Shqiptare në Tompkinsville, ishullin Staten Island , tha se :” “Falënderoj Perëndinë që kjo ditë ka ardhur – Ju falënderoj për mikpritjen tuaj, dhe ju falënderoj Ju për të bërë atë që unë të ndihem si një mik dhe një anëtar i familjes.”

Kardinali Dolan interesimit të gazetarëve rreth pyetjes ndaj besimit mysliman, theksoi se gjatë vizitës së tij ka shprehur disa herë se sa të përbashkëta kanë në mes tyre këto dy fet dhe pjesëtarët e tyre kanë gjëra të përbashkëta. “Ju keni dashuri për Zotin dhe ne kemi dashuri për Zotin dhe Ai është i njëjti Zot,” tha kardinali për besimin islam dhe atë katolik
Kardinali Dolan, theksoi se katolikët dhe myslimanët kanë një dashuri të ndërsjelltë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe të lirisë fetare që ky vend u mundėson, çdo besmitari, veçanërisht, aftësinë për t’u takuar me njerëz të besimeve të ndryshme, që nuk është e mundësuar në disa vende të tjera. “Dashuria juaj për martesën dhe familjen, dashuria juaj për fëmijët dhe të miturit, dashuria juaj për lirinë – lirinë fetare në vecanti – mbrojtja e jetës, dëshira juaj për harmoni dhe bashkim dhe përkujdesja juaj për të tjerët, përkujdesja juaj për krijesat e Zotit dhe përkujdesja për nevojtarët,”tha Kardinali Dolan, duke shtuar se ato janë vlera islame të njëjta me ato të katolikëve dhe fusha ku mund të ketë bashkpunim të përbashkët.”

Ai i krahasoi muslimanët me valët më të hershme të emigrantëve katolikë gati 150 vjet më parë të përballur me të njëjtat sfida për tu bërë “amerikanë patriotë, lojalë e të përgjegjshëm pa humbur besimin.” Për Kardinalin Dolan si ata emigrantët katolikë dhe ata myslimanët kanë mësuar shumë mbi vlerën e shkollave fetare: “Arsimi pa besim është kohë e humbur, diçka dramatike për njerëzimin,” tha ai.
Vizita e Kardinalit Timothy Michael Dolan – Kryepeshkopi aktual i New York-ut në në një xhami në qytetin e Nju Jorkut dhe kjo në Qendrën Islamike Kulturore Shqiptare në Tompkinsville – Staten Island, ku ai u takua me krerët e fesë myslimane dhe të tjerë,  ishte në përgjigje të një ftese nga ana e liderëve të kësaj qendrës të cilët vizituan Kryepeshkopatën në Manhattan në janar të këtij viti. Dr Tahir Kukaj, PhD, Imam dhe nënkryetar i Qendrës Islamike Kulturore Shqiptare  në Tompkinsville – Staten Island, tha se:  “Falenderojmë Zotin që vendi ynë i mirëpret të gjithë dhe, sic thatë dhe hirësia juaj, kjo ndodh vetëm në Amerikë dhe ne duam ta përhapim këtë shembull sepse mund të bëjmë shumë gjëra sëbashku kur ulem e hamë sëbashku si vëllezër se sa kur qëndrojmë kundra njëri-tjetrit,” tha imam Tahir Kukiqi i qendrës shqiptare. “

Imam Kukaj gjithashtu falenderoi dhe pjesmarësen Sarah Sayeed nga Qendra Ndërfetare e New York-ut “për punën këmbëngulëse me bashkësitë muslimane dhe katolike për ti sjellë pranë njëri-tjetrit.

Shtypi njujorkez dhe organet e e shtypit kaltolik theksuan se :”Kardinali Timothy Michael Dolan po pason në nivel lokal shembullin e Papës Francis i cili ka filluar përpjekjet për të thelluar dhe forcuar marrëdhëniet ndërmjet bashkësive muslimane dhe të krishtera në Itali dhe në pjesë të tjera të Evropës” tha pas kësaj vizite monsinjor James Dorney.

Ndërkohë që pas kësaj vizite kan qenë liderit e qendrës shqiptare dhe xhamisë Noor të cilët e ftuan Kardinalin Timothy Michael Dolan Kryepeshkop i New Yorkut, për vizituar xhamitë e tyre sërish gjatë Muajit të Madhërishëm të Ramazanit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kardinali i new Yorkut, Timothy M. Dolan, vizite ne xhamine shqiptare

NËNA JONË TEREZË

July 6, 2013 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI, Boston/

Mbasi gjeta adresën e dentistit, (ai banonte pranë nesh),u nisa menjëherë duke mbajtur një shami në faqe. Përveç ndjenjës së frikës dhe pasigurisë, më mundonte dhe diçka tjetër: a do të mundja t’ia shpjegoja me saktësi në anglisht simptomat doktorit…

Por çdo gjë kaloi për mrekulli, sepse infermierja ishte ruse. – Zgjidh, – më foli ajo në gjuhën e saj. – Njëri doktor është amerikan, tjetri, dr.Raxhi, është indian dhe shumë I kujdesshëm. Ky emër më kujtoi artistin Raxh Kapur dhe serine e filmave të tij të dëgjuar. Sigurisht, do të mjekohem tek indiani, vendosa, do t’i tregoj se si thyheshin dyert e kinemave në Shqipëri për të parë filmat indianë… Do t’i tregoj … Por unë s’i tregova asgjë, sepse njeri më nursëz se ky doktor s’kisha parë! Njeri më serioz e më të heshtur s’kishe ku e gjeje.

S’fola. Gjatë mjekimit, kur ai e hoqi maskën e po më shpjegonte diçka, dallova dhëmbët e tij të bardhë e të rregullt, që feksnin më shumë për shkak të lëkurës së zeshkët të fytyrës.

Provova të hapja bisedë, por zymtësia e fytyrës së tij ma preu hovin. Vetëm kur mbaroi seanca dhe ai po ftonte pacientin tjetër, unë i dola para e i thashë papritur:

– Ne kemi të përbashkët Nënë Terezën!

– Pse? – mblodhi vetullat ai.

– Sepse vendlindja e saj është Albania!

– S’e kam dëgjuar këtë, – tha ai ftohtë.

– Po, këmbëngula unë, – Nëna është jona.

– Nënë Tereza është indiane, është Nëna jonë! – përsëriti ai dhe me një gjest gati-gati mospërfillës më dha të kuptoja se biseda jonë kishte marrë fund.

 

Ika. S’do mend, pak a shumë isha zemëruar me atë njeri. Pas dy javësh, në seancën tjetër të mjekimit, shkova tek dentist me një vandak gazetash “Illyria”, ku kisha zgjedhur artikuj në anglisht për Nënë Terezën.

Mbasi lexoi disa syresh, dr.Raxhi hoqi maskën e tha:

– E po mirë, ja, paska lindur në Shqipëri… S’e paskam ditur këtë, se kam ikur i vogël nga India.

– Por duhet ta kishit mësuar… – thashë unë dhe, pa mbaruar mirë fjalën, ai ma  mbushi gojën me pambuk. Tek dentisti është vështirë të dialogosh.

– Nëna mund të kishte lindur diku gjetkë në botë, s’ka rëndësi, – vazhdoi ai me një ton bindës. – Ajo është indiane, ajo është jona… Kjo është thelbësorja!

Përgjigja e tij më indinjoi, por s’kisha mundësi të flisja. “O Zot, pse popujve të vegjël ua mbyllin gojën?” aludova atë çast.

Ika përsëri e zemëruar nga klinika. Më gëzoi vetëm fakti se seanca tjetër përsëritej në vjeshtën e vonë. Kështu, dalëngadalë, pothuajse e harrova indianin.

 

Por e kujtova atë disa ditë pas vdekjes së Nënë Terezës. Vendosa t’i telefonoja. Sa shumë e donte dhe me sa passion fliste ai për Nënën! Formova numrin në telefon dhe i thashë infermieres emrin tim.

– Doni ndonjë seancë të re mjekimi? – pyeti ajo.

– Jo …, dua të flas me doktor Raxhin…

Pas pak dëgjova në receptor zërin e tij.

– Ngushëllimet e mia për Nënën! – i thashë, duke u munduar që zërin ta kisha më të qetë.

– Oh, faleminderit, shumë faleminderit! – u përgjigj ai me një zë të pakët e të dridhshëm. Pastaj, pas një heshtjeje, sikur u përmend e tha:

– Edhe ju, sigurisht…, pranoni ngushëllimet e mia!

– Ju faleminderit! – i thashë.

Dhembja e vdekjes i bashkon dhe i pajton njerëzit.

 

Dy muaj më vonë, në ditën e takimit, isha ulur në dhomë e pritjes bashkë me pacientët e tjerë.

“Si do të shkojë biseda sot”, mendoja. Aty për aty, u kujtova që kisha botuar një vjershë në anglisht për Nënë Terezën. Ajo më duhej sot domosdo. E pushtuar nga krenaria brenda disa minutave vrapova në shtëpi, mora gazetën dhe, tek ecja mbi

dëborën e ngrirë, pëshpërisja: “Unë, të paktën, një vjershë e botova për Nënën, po ju doktor, ç’keni bërë? Por, kur hyra brenda, ngrohtësia e mjedisit, muzika e ëmbël dhe vështrimi indiferent i peshqve nga akuariumi sikur ma fshinë pak nga

pak ndjenjën e mërisë. M’u duk vetja shumë e vogël të filloja një debat të ri. Përtej vetratës infermierja po ndiqte luftën e ndjenjave në fytyrën time. Jo. Nuk do t’ia tregoja vjershën. E lashë gazetën mbi tavolinë dhe u futa në klinikë. Pa filluar ende mjekimi, hyri gruaja ruse.

– Ke harruar gazetën… Më prekën vargjet e tua! – tha ajo në rusisht.

Doktori, sapo e njohu gazetën shqiptaro-amerikane, ia mori nga dora. E lexoi vjershën. Ajo ishte e shkurtër, por ai e mbajti vështrimin aty për disa minuta:

“Mother Albania—yours and mine homeland

Gives me the right

To read

The hieroglyph of wrinkles

On your face,

Wetted by tears

Of thousands of Albanian mothers…”

 

Boston, dhjetor 1997

 

Filed Under: Kulture Tagged With: nena jone Tereze, Rozi Theohari

Dite e re Z/Kryeminister

July 6, 2013 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Sa here që kam ndjekur, lexuar apo dëgjuar Edi Ramën, kam pëshpëritur një pyetje, sa larg mund të shkonte ky njeri pa megallomaninë? Ndofta shumë, ndofta asgjëkundi. Por ndofta edhe këtu, ku është tani, është pikërisht prej saj. Kutadish?
Po a ka rëndësi të merresh me tiparin e mendjemadhësisë së Tij? Sigurisht, është Kryeministri I vendit tim. Domethënë, I pari I shtetit. I pari, është si ushtari dhe ashtu siç thotë Stënesku, ”poeti, ashtu si ushtari nuk ka jetë vetjake”. Pra, njeriu me mision, njeriu në detyrë. Kështu edhe shtetari.
Për më tepër që nuk jemi popull mendjemadh, por I (të) përvujtuar. Po kemi tipa mendjemëdhenj dhe, me shumicë biles.
Konkretisht, po lexoj intervistën e Kryemintrit Edi Rama, dhënë në Klan Kosova gazetarit Baton Haxhiu, në lidhje me breshkat. Nuk besoj se ka shumë njerëz që nuk e dine, se breshkat sipas mjeksisë popullore të vendeve afrikane, ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga astma. Një problem civil I mbarë njerëzimit, ashtu si sëmundjet e gjakut, tensioni, sheqeri apo kolesteroli. Autizmi, etj…, gjëra për të cilat komuniteti mbarë global, ka një përkushtim të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e masave. Edhe në kompaninë ku unë punoj, bëhet një punë e paimagjinueshme për të ndihmuar në mbledhje fondesh për nevojtarët në mbarë botën. Pra, jo vetëm në Amerikë. Gjithsesi, më vjen mire që Kryemistrit tim, prania e breshkave e ndihmon në problemet që Ai ka me astmën. Por nuk e kuptoj përse këto krijesa të javashta, tështitëse, plot koracë, etj., duhet t’i nominoj me emrat e para ardhësve të tij, Nano e Berisha.?. Apo kur thotë se ngjyra purpurt, është nga bashkimi I blusë me të kuqen.
Të gjithë e kanë kuptuar, megjithëse pak po analizojnë se, një politikë më e butë ndaj Nanos, sigurisht sot do I kish dhënë Ramës më shumë se numri 65, që është më I vogël se 66. Dhe po të shikosh dhe emrat e ndërfutur, shifra bie akoma. Dhe pa diskutim më pak se numrat që ka LSI. Mirëpo per Ramën e rëndësishme është të na tregojë se si lind ngjyra e purpurt, pavarsisht se ne shohim se si po zmadhohet e kuqja. E rendësishme per Ramen, është nominimi I breshkave me emrat e Nanos dhe Berishës.
Nga ana tjetër, këmbëngul me krenari se po I merr prej dore Nanon me Berishën, me
analogjinë tekstore të Ismail Qemalit, kur u tha Osmanëve se, ”me sjelljen tuaj po tregoni se jemi ata që keni qënë, këtu e pesëqind vjetë me radhë”. (Nga filmi, Nëntori I dytë).  Kaq e vështirë qënka, që një politikan shqiptar të bëj përjashtim? Ju e keni shancin, mos humbni.

 

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5359
  • 5360
  • 5361
  • 5362
  • 5363
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT