• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Beogradi me lojë të dyfishtë në veri

July 5, 2013 by dgreca

Beogradi zyrtar ka kritikuar të ashtuquajturin Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin përfaqësuesit e serbëve të veriut e kanë themeluar ditën e enjte në Zveçan.
Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë shprehur dyshimet dhe vlerësimet se Beogradi po bën lojë të dyfishtë dhe se themelimi i këtij kuvendi nuk ka mundur të ndodhë pa dijen dhe pëlqimin e Beogradit.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia dhe serbët duhet të nxjerrin mësime nga historia e tyre dhe nuk duhet të punojnë në dëm të vetvetes.
Ai ka theksuar se themelimi i të ashtuquajturit “kuvend” në veri të Kosovës nuk do ta ndihmojë popullin serb atje.
Sipas tij, mjetet dhe mënyrat me të cilat populli serb sot lufton për interesat e veta janë të tjera nga ato që janë përdorur deri më tash.
“Neve nuk na ka informuar askush lidhur për këtë që ka ndodhur dhe kjo nuk është bërë në përputhje me ligjet aktuale, kushtetutën etj. Krejt çka mund të them në këtë moment është se kjo nuk shkon në favor as të Serbisë e as popullit serb në Kosovë”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se nuk do të ketë reagim në raport me diçka që nuk ekziston, duke aluduar në kuvendin e themeluar në veri.
Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se është e sigurt që negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë shkuar në formën e duhur, për faktin se ata që do të duhej të jenë zbatues të marrëveshjes, kanë dalë kundër saj.
“Unë besoj se situata do të komplikohet, në vend se të shtjellohet, në vend se të zgjidhen problemet, të cilat janë hapur, posaçërisht, në mënyrë dinake, pasi që Serbia e ka marrë datën e negociatave“.
“Në këtë kuptim, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe kjo të jetë pjesë e lojës së dyfishtë që është nisur nga Beogradi, e kinse se nuk është bërë në lidhje me njohuritë që i ka pasur për veprimet në veri edhe pse atje, dihet mirëfilli se ata i kanë bazat e veta të informacionit dhe njerëzit që punojnë me vite të tëra”, ka thënë Beqaj.
Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj ka theksuar se ajo që ka ndodhur ne veri ka ngritur shumë pikëpyetje.
Sipas tij, veprimi i përfaqësuesve serb të veriut të Kosovës mund të jetë në kundërshtim me interesat e Beogradit dhe, siç thotë ai, është normale të ketë fërkime ndërmjet Beogradit dhe liderëve politik të serbëve të veriut të Kosovë.
Por, sipas tij, ekziston edhe bazë e fortë për dyshime se kjo është një lojë e dyfishtë e Beogradit zyrtarë.
“Në anën tjetër, po e shohim se kryetari i kësaj organizate më të re që e shpallën serbët në veri të Kosovës, në fakt, është nga partitë të cilat sot janë në pushtet në Serbi. Pra, është i afërt me pushtetin politik që është në Serbi”.
“Po ashtu, pra, janë me të drejta edhe dyshimet se prapa kësaj ekziston edhe një lojë tjetër e Beogradit, për të vazhduar për ta cenuar shtetin e Kosovës, por edhe për më tepër, për të vazhduar ta ruaj prezencën e vet në pjesën veriore të Kosovës, e pse jo edhe në tërë Kosovën”, u shpreh Arifaj.
Arifaj shpreh mendimin se Serbia po përpiqet të gjejë arsye për ta zvarritur zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
E gjithë kjo situatë, sipas tij, siç kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në vend, tregon se me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, Serbia nuk ka dëshiruar që t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën dhe nuk shihen shenja që Serbia dëshiron ta ndryshojë në thelb qasjen e saj ndaj Kosovës.
Politologu Beqaj, ka theksuar se, marrëveshja e Brukselit, nuk do të jetë përfundimtare, dhe se koha do të dëshmoj se ajo është vetëm një zgjidhje e përkohshme.(Kortezi: Bekim Bislimi)

Filed Under: Komente Tagged With: Bekim Bislimi, loja e dyfishte e Beogradit

REEKER ASHPERSON GJUHEN: VETEVENDOSJA –SJELLJE PALACOSH!

July 5, 2013 by dgreca

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit,Philip Reeker ka adresuar kritika ta ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për pengimin e proceseve, pengim të punës së institucioneve dhe punës së diplomatëve, duke përmendur incidentin me ambasadoren Tracy Ann Jackobson.
Këto komente, Reeker i ka bërë gjatë një konference për gazetarë, i shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës që po i bën Kosovës, ku ka zhvilluar takime me udhëheqësit vendas, përpos atyre të Vetëvendosjes.
Reeker ka porositur Vetëvendosjen dhe të gjithë ata që si ka thënë ai “kanë sjellje të palaçove” të kenë parasysh se ai, ambasadorja Jackobson apo cilido diplomat tjetër amerikan nuk përfaqësojnë vetëvetën, por shtetin dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Palaçot që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre dhe për të ardhmen e vendit të tyre”, ka thënë Reeker, duke i porositur tutje që sjellje të tilla nihiliste nuk i takojnë shekullit XXI.
Kritikat e diplomatit amerikan pasuan protestat e fundit të Lëvizjes Vetëvendosjes për pengimin e ratifikimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjatë të cilave u pengua edhe ambasadorja amerikane të hynte në ndërtesën e parlamentit, ndërkaq në një rast ajo edhe pësoi një lëndim të lehtë.
Reeker ka thënë tutje se Shtete e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimet në Kosovë dhe për atë arsye edhe ai ndodhej në Prishtinë që të tregonte këtë përkushtim të madh të cilin ai kërkoi që duhet respektuar.
Veprimet e fundit të Vetëvendosjes ai i ka cilësuar si jonormale. “Ata që kundërshtojnë këtë proces, kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Reeker.
Po ashtu, ai ka adresuar një porosi edhe për deputetët e Kuvendit të cilët i ka ftuar ta lexojnë mirë ligjin për amnisti, si pjesë të rëndësishme të zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë dhe ka kërkuar që ai të miratohet.
Njëherësh, Reeker e ka konsideruar si shumë të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve të lira në komunat veriore duke e inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të luaj rolin e vet në informimin e qytetarëve të atjeshëm për Marrëveshjen dhe rëndësinë e saj.

Filed Under: Featured Tagged With: kritiak te ashpra, Reeker, vetevendosjes

Nën hijen e Rozafës/Narrativë e jetueme

July 5, 2013 by dgreca

NGA Prof. SAMI REPISHTI/

Rreshti i gjatë i nxanësve të shkollës fillore “Oso Kuka” të lagjes Dudas, ecte me rregull, dy nga dy, të mbajtun për dore njëri me tjetrin, ashtu siç kishte porositë mësuesi. Ishte dita e caktueme për udhtim mësimor në kështjellin Rozafat. Kush nuk e njeh Rozafatin, kështjellin tremijëvjeçar në hymje të Shkodres, qytetin tim të lindjes?! Të gjithë e njohin Rozafatin! Të gjithë kanë ndigjue nga prindët e mesuesit për Rozafën, legjendën e saj të dhimbëshme, e magjepsëse: nji murojë madhështore, e pathyeshme, e ndërtueme mbi trupin e njomë të nji nusje të sakrifikueme me paqësue perënditë e zemrueme, të nji nane që lente djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formen e saj ma të ashpër, ushqeu fantazinë e mbarë nji populli, nji sakrificë e zbutun vetëm nga dashunia e nanës për fëmijën, që mund edhe vdekjen. Sa ma shumë që i afroheshim kështjellit, aq ma e madhe rritej hija e tij e randë, e mbizotënuese. Me hapa të shkurtë e sy të hapun nga kureshtja e pakufi, filluem ngjitjen gjatë kalldrëmit të pashtruem. Në mendjen time përfytyroheshin skenat e tregimeve të ndigjueme nga mësuesi në klasën e historisë, ku legjenda zente vendin e parë. Vetë mësuesi na thonte se historia e Rozafës ishte aq e vjetër në kohë, saqë bashkohej me legjendën, simbas të cilës, kështjelli u ndërtue nga vigaj e katallaj të humbun në mjegullën e kohës…! Ma vonë, historia merrte ma shumë formë, me emna, vende e data të caktueme. Mësuesi na numronte me rradhë, nji nga nji, mbretën që kishin sundue mbi vendin tonë nga naltësitë e kështjellit të Rozafës, e theksonte sidomos, ata që kishin dalë fitimtarë: Bardhylin, Pleuratin, Teutën e Agronin. Nga mësuesi kuptuem se nji mbretni ilire, që shtrihej prej Dalmacie deri në Vlonë, banohej nga populli ilir, punëtor e guximtar. Këtu, zani i tij ngrihej, e me gojën plot na siguronte se na, fëmijt e prindëve shqiptarë që banojshim në këtë vend, ishim mbasardhësit e ilirëve, pa mungue me shtue se, këtë “fakt” nuk duhej t’a harrojshim asnjiherë. Në këtë gjendje, na përsëritshim me krenari se “ilir” dhe “i lirë”, ishin nji e pandame. Por kur fliste për mbretin Genc, për mbretin e fundit ilirian, të zanun rob nga romakët, që me legjione të mëdha invaduen vendin tonë ma të vogël, ai disi e ulte zanin… Thonte se u zu rob dhe e dërguen në Rome të lidhun me pranga florini. Nji trajtim i këtillë, që na dukej se nji mbret ilir i robenuem duhet ta ketë përçmue, nxiste kureshtjen tonë edhe ma shumë, e fantazia jonë fëmijnore na përcillte në kohë të lashta e vende të largëta, si Roma. Rreshti jonë u ndal në nji shesh të vogël, pak para hymjes në kështjell. Mësuesi na ftoi ta rrethojmë. Në qendër të grupit, ai filloi të na thotë se, pikërisht këtu ishte zanë rob mbreti Genc i Ilirisë. Unë u trondita nga ky zbulim i papritun dhe kaq i randësishëm. M’u duk sikur historia e lashtësisë u ba diçka e afërme, që prekej me dorë. U përpoqa me përfytyrue kohën e atëhershme dhe ngjarjet e luftës me romakët, dorëzimin e mbretit Genc, i përcjellun në Romë, i lidhun me pranga florini, ashtu si na kishte thanë mësuesi. Ushtri të mëdha, përleshje të përgjakshme, luftëtare trima që vdisshin për lirinë e vendit të tyne në kambët e Rozafës. Në fantazinë time kalojshin zhurmshëm burra kalorës me shyta, heshta e shpata, që mbajshin krenarisht mbi kokë helmeta me shqipe dykrenare si ajo e flamurit, dhe gra trimnesha ilire që ndjekshin burrat në fushën e betejës. Luftë, gjak, shkatërrim, fitore; dhe ma në fund, festime që zgjateshin disa ditë me rradhë…! Mësuesi na tregonte se ilirët e kanë pëlqye shumë venën. Na qeshim. Mandej përmbahemi kur mësuesi na thoshte se këtu, ilirët janë thye dhe se, nji konsull romak kishte vra njiqind e pesëdhetë mijë burra, gra, e fëmijë ilirë, që refuzuen nënshtrimin. Urrejtja jonë për romakët nuk kishte kufij. Të tronditun nga tregimi, filloi të zbehej kureshtja jonë për qëndresën e mbretit ilir, e shikojshim sheshin ogurzi me nji farë shqetësimi. Na dukej sikur ky akt dorëzimi nuk i përshtatej ma kuadrit të bukur idilik që mësuesi zakonisht ravijzonte gjatë mësimit të historisë së të parëve tonë. Por nuk kishte randësi! Tek na, nga nji ditë në tjetrën formohej ideja e luftë për liri. Po hidhej fara e nji tradite për sakrificë në altarin e atdheut, e nji tradite të ngulun thellë në të kaluemen që na e shihshim përherë të lavdishme. E përpunojshim atë traditë me mësim në klasë, e me fantazi fëmijnore dhe ishim gati ta vadisim si lulen e njomë, e të përkujdesemi për te. Nji ndjenjë kryenaltësie mbushte zemrat tona, sikur përgjegjsia me vazhdue atë traditë të lavdishme binte, pa asnji dyshim, mbi supet tona, të vocrrakëve të shkollës fillore, mbasardhës të ilirëve të lashtë. Hymë në kështjell! Qëndrimi i parë ishte pranë nji zgavrre guri të latuem ku pikonte pa ndërpremje uji i mbledhun në sheshin e sipërm të kështjellit. Mësuesi na tregoi se legjenda e vendoste këtu aktin e sakrificës së Rozafës, nuses së re, kur tre vëllaznit e mbuluen për së gjalli në themelet e kështjellit. Rozafa pranoi pa kundërshtue sakrificën që i kërkohej nga burri. Si nanë, ajo u lut që gjysma e trupit të mbetej jashtë ledhit të fortesës, që të shihte djalin kur të vinte, ta ushqente me qumshtin e gjiut të hapun, e ta ledhatonte atë me dorën e zbulueme. Legjenda tregonte se pikat e ujit ishin pika qumështi të dalun nga gjini i nanës së murosun për së gjalli. Të gjithë e besuem! Rreth e rrotull kështjellit pamë ledhet gjysëm të shkatërrueme, dhe muret e ndërtesave të rame nga mosha e mospërfillja. Kështjelli kishte pamjen e nji vendi të lanun mbas dore. E kaluemja e tij nuk ndriçonte ma. U kthyem në shtëpia të lodhun, plot përshtypje të thella, por me nji entuziazëm të përmbajtun që shkaktoi zhgënjimi nga gjendja e vërtetë e kështjellit! Të nesërmen, në orën e historisë, mësuesi na tregoi se, përveç mbretnive ilire, ishin edhe shumë ditë tjera lavdie të qytetit tonë që, në atë moshë, për ne ishte i gjithë vendi jonë. Ai na foli për mbretninë e Balshajve, si dhe për princat shqiptarë që luftuen pa pushim për ruejtjen e pavarësisë së krahinave të tyne. Nganjiherë, mësuesi sikur e ngadalësonte tregimin, drejtonte syte kah dritorja, e merrte nji pamje pak të trishtueme. Na e njihshim mirë atë. Kurdoherë që fliste për nji ditë të vështirë në historinë e vendit tonë, ai luente me nji laps në gishtat e dorës, shikonte kah dritorja, e dukej sikur përpiqej me gjetë fjalët e përshtatshme për ne. Na e kuptojshim se mësuesi kishte diçka të vështirë me thanë. Ai shpjegonte sulmet e barbarëve në Shqipni e Kosovë, ardhjen e sllavëve në trevat iliriane, pushtimin e tokave tona nga Venediku, e ma vonë, pushtimin turk. Sidomos për këtë të fundit, ai fliste me shumë zemërim. Por ishte pjesa që mësuesi shpjegonte ma mirë se asgja tjetër. Atëherë, ai merrte zemër, skuqej pak në fëtyrë, sytë i ndritshin e fjalët i rrjedhshin ambël, si uji që gurgullon te kroni. Ai fliste për Skënderbeun, për luftat e tij, për aftësitë e trimninë e tij të pashoqe, si dhe për dashamirësinë e tij me ushtarë e popull mbarë. Sa herë na thonte se Skënderbeu doli ngadhënjyes kundër turqve, na fluturojshim prej gëzimit. Nji nxanës mbas meje, i tha mësuesit: “Sa keq që ka vdekë Skënderbeu!”. Mësuesi buzëqeshi e vuni dorën lehtas mbi kokën e voglushit, por na të gjithë pëlqyem fjalët e shokut. Nji tjetër ditë, mësuesi na tha se në kështjellin Rozafat, shqiptarët kishin rrethue sundimtarin turk që i kishte marrë nëpër kambë dhe përsëriti dy herë se, populli ynë ishte ngritë ma shumë se pesëdhjetë herë kundër turkut, me gjithë masakrat që ushtria turke bante mbi popullsinë vendase. E na mendojshim sa i egër paska qenë ky, “turku!” Rreth pesëdhjetë vjet ma parë, na tregonte ai nji ditë, ishte mbledhë paria shqiptare në qytetin e Prizrenit, me qëllim që të hjedhte turkun jashtë tokave arbnore. – A e dini ku gjindet Prizreni?, pyeti ai. Na heshtëm. Bota jonë në atë moshë ishte mjaft e kufizueme. Vetëm nji shok përgjegji: “Po!” Mandej, ai shpjegoi se vinte nga nji familje “muhaxhirësh”, të ikun për arsye të ndjekjeve serbe në qytetin e tyne. Mësuesi u prek. “Të lumtë!”, i tha. Atë dite ndigjova për herë të parë fjalën “muhaxhir”. “Sot,” vazhdoi mësuesi, “Prizreni nuk asht ma Shqipni. Ai gjindet nën kambën e të huejit serb, e shqiptarët e ndjekun, largohen nga votrat e tyne. Ata quhen “muhaxhirë”. Ai shpjegoi se atje, në Prizren, ishte mbledhë paria me kërkue të drejtat e shqiptarëve. Me gjithë përpjekjet e tyne e luftat e përgjakshme, shqiptarët nuk kishin fitue asnji të drejtë. Mësuesi tregoi njenën mbas tjetrës ngjarjet që ndoqën Lidhjen e Prizrenit, derisa erdhi dita e pavarësisë, kur në qytetin e Vlonës kreshnike, theksoi ai, Ismail Qemali ngriti përsëri flamurin kuq-e-zi. Nuk kishte shumë kohë që shkollat në gjuhën amtare kishin fillue punën në vendin tim. Na ishim nga breznitë e para. Megjithatë, shkolla ishte ba nji faltore për të gjithë, dhe mësuesi, nji idhull dritëdhanës. Në ambientin ku isha rritë, kishte mjaft mbeturina të jetës rrugaçe të të rinjve, që shihen zakonisht në vend ku mungon shkolla e mësuesi. Unë i kujtoj mirë ato, sidomos zaniet me grupe. Shkolla u tregue nji zëvendësim shumë i suksesshëm i boshllëkut të asaj jete rrugaçe. Ndoshta, për këtë arsye, ajo u përqafue me shumë dashuni nga të gjithë. Libra në gjuhën shqipe filluen me u shtypë çdo ditë, e unë kujtoj me andje, gëzimin që ndiejsha kur në faqen e parë të librit, gjejsha të shtypun, me ngjyra të forta, flamurin kuq-e-zi. Ishte faqja e shenjtë për të gjithë. Krahas me këtë nxitje të ndjesive atdhetare që na zgjonte mësimi shqip në shkolla shqipe, e sidomos historia e shqiptarëve, na filluem me njoftë edhe gjeografinë e vendit tonë e të vendeve rreth nesh. Por kjo landë, në kundërshtim me historinë, ka qenë gjithherë e dhimbshme për ne e për mësuesin. Ai na shpjegonte se krahina të tana të “tokës nanë”, ishin shkëputë nga atdheu me forcë e pa të drejtë nga fqinjt, dhe se qindra mijëra vllazën e motra shqiptarë, nuk gëzojshin akoma lirinë që siguronte nji atdhe i lirë. Mësuesi na fliste shpeshherë për vuejtjet e tyne dhe na dhimbte zemra kur ndigjojshim tregimet e tij.

*

Më kujtohet Asllani, kujdestari plak i shkollës e zilja që tingëllonte në mbarim të çdo ore mësimi. Kur vinte ora e fundit, zilja e tij ishte shej gëzimi për të gjithë. Nuk kishte gja me na përmbajtë. Ngriheshim në kambë me përshëndetë mësuesin, por ai ende nuk kishte sjellë mirë shpinden, e në dhomë pëlciste biseda me za të naltë e gazi e kanga pa kontroll. Atëherë, tue palue librat me shpejtësi në çantat prej pëlhure, e tue luejtë e tue shtye njeni me tjetrin, drejtoheshin të gëzueshëm kah shtëpia. Oh, ajo pjesë e rrugës deri në shtëpi! Sa shumë fjalë gjejshim me thanë, sa shumë gazi delte nga gojët tona dhe, sa shumë kanga e re që mësojshim në klasë, përsëritej plot galdim prej nesh, voglushëve të shkollës fillore që mbushnin të gjithë lagjen me hare. Edhe Manushi, shoku i bankës sime, bashkohej me ne. Por ai lodhej shpejt. Ai kishte gjithëherë fëtyrën e zbehtë. E ama e vishte me rrobe të trasha. Flitej që kujdesohej kaq shumë, sepse ishte djalë i vetëm me katër motra. Edhe na e dojshim shumë. Ishte aq i mirë, i qetë, i sjellshëm. Nganjiherë ai mungonte, e nana e tij vraponte në shkollë me i tregue mësuesit se, “ka marrë të ftohët”, e do ta mbante djalin në shtëpi. E me të vërtetë, kur kthehej në klasë, Manushi kollitej shumë. Mbas orës tre, çdo mbasdreke ishte e jona. Vetëm dimni na ndrynte në shtëpi. Shumica nga ne nuk kishin pallto dimni, e mjaft e kalojshin stinën e shiut e të borës me këpucë të vjetra. Dhoma e mësimit nuk kishte ngrohje, e gjejshim strehim vetëm pranë zjarrit në votrat tona. Por ishim fëmij e kalojshim gjithçka pa mendue shumë. Kur kalonte dimni, puhia pranverore që lëmonte përsëri faqet tona, të kuqe si pemët që lulëzojshin bashkë me ne, na jepte jetë. Ishte koha ma e bukur për fëmijt. Ishte koha e balonave. Sa letra me ngjyra, sa ngjyra të kandshme! E, sa andje me i pa, kur nalt, në hapësinë fluturojshin tue u lëkundë, sa majtas, aq djathtas, ose drejt si qirir, si anije ajrore të drejtueme nga të vegjlit. Këtu poshtë, pa muejtë me zanë vend, qëndrojshim na, me kryenaltësinë e kapidanit të anijes që drejtonte, tue shtërngue mirë në dorë, lamshin e penit, mbështjellë rreth nji cope druni të ngjyrosun. Por çasti ma i bukur ishte, kur vinte avioni i postës. Ai fluturonte ngadalë e ulët mbi shtëpitë tona. Na kërcejshim, thirreshim si të çmendun, i lëshojshim të gjithë penin balonës që, për mendjen tonë, shkonte përmbi avionin. Oh, sa gëzim për ne, sa gëzim! Kur ngrysej dita dhe muzgu na thonte se duhej të ktheheshim në shtëpi, edhe unë u kthejsha me balonën time. E vendossha mbi raftin e librave që të mos ma shkyjnë vllaznit e vegjël. Atëherë pritsha kthimin e babës që, gjithnji, në kohë të caktueme, vinte nga faltorja e lagjes, mbasi kryente lutjet e mbramjes. Më kujtohet kur ai hynte në dhomë. Nana e të gjithë fëmijt ngriheshim në kambë. Ishte i madh nga trupi dhe, për natyrë, fliste pak. Nana na kishte mësue kështu dhe kërkonte nga ne, të rrijshim të qetë kur ai ishte në shtëpi. Më kujtohet mirë baba, dhoma e tryeza ku studionte, karrika e raftet e librave të tij. Lexonte pothuejse gjithë ditën. Si imam i lagjes, ngrihej herët cdo mëngjes, udhëhiqte lutjen e “sabahut” në xhami dhe kthehej në shtëpi. Babai im ka qenë besimtar me bindje. Kjo bindje fetare e detyronte atë me ndjekë pa mëdyshje ritet e sakrificës, gjatë festave të Bajramit. Por unë nuk u pajtojsha me këtë rit, që më dukej i egër dhe i pakuptim. Mbas ceremonisë fetare, zhvillohej riti i sakrificës. Vetë shpjegimi biblik, për mue, ishte i papranueshëm e brenda vetes, kisha formue bindjen se ishte nji traditë e gabueme. Përshtypja që kisha kur merrej dashi me forcë, mbajtja e tij nga dy burra të fortë, nji minutë heshtje për lutjen e rastit që zgjaste sa nji shekull, kasapi me thikën e mprehët që hynte thellë në fyt, gjaku që shkonte rrëke, kafsha që përpëlitej tashma e pafuqishme e lëvizjet e fundit të kambëve që ngadalësoheshin, ndërsa sytë mbylleshin njiherë e përgjithmonë, të gjitha këto në nji heshtje të plotë, më lejshin përshtypjen ma të frikshme. A qetësohen me të vërtetë perënditë, me anë të sakrificës? Nuk e besojsha! Gjatë muejve të dimnit, nji rreth i ngushtë i banorëve të lagjes mblidheshin nganjiherë në shtëpinë tonë, në mbramje, mbas darkës. Ishin të gjithë të nji moshe, rinia e vjetëve 1912-13, të gjithë vullnetare në mbrojtjen e qytetit nga agresioni malazes. Baba kishte qenë komandanti i tyne. Në mesin e nji entuziasmi të ringjallun, ata harrojshin “hallet” e ditës, e rijetojshin ditët e rezistencës së tyne heroike. Tregimet ndiqshin njeni-tjetrin, episodet përsëriteshin, zanet ngriheshin, e me fëtyrat e skuquna nga emocionet, grupi i ish-vullnetarëve kalonte orët e takimit, në nji gjendje ekstazi të vërtetë, e të justifikuem. Ishte forma ma e naltë e kohezionit shoqnor të qytetarisë shkodrane. Në kohën e darkës, baba dëshironte të na shihte të gjithëve të rreshtuem në tryezë, simbas moshës. Mbas darke, shkonte në dhomë të vet e na viheshim me u përgatitë për mësimet e së nesërmes. Në ato ditë nuk kishim radio për lajme e muzikë. Kur sytë fillojshin me u mbyllë prej gjumit, nana, që rrinte gjithëherë me fëmijt, na merrte për dore e na përcillte deri në krevat. Mandej na jepte nji të puthun, ngrohtësin e së cilës e ndiej edhe sot, e na uronte “natën e mirë!”. Na bajshim nji gjumë të ambël deri në mëngjes. Ishim të lumtun! Pak ditë para mbarimit të vjetit shkolluer, ngjau dicka që helmoi të gjithë. Manushi, shoku i bankës kishte vdekë! Në fillim nuk e kuptova mirë lajmin mortor. Ishte hera e parë që vdiste nji i afërm. Kur ma vonë, mësuesi tha se do të ndërpritshim mësimin për varrimin e Manushit, unë ndjeva nji trishtim të thellë. Mendimi i “varrimit” më tronditi randë. Në oborr të shkollës u rreshtuem dy nga dy. Shkolla kishte përgatitë nji kunorë ku lexohej: “Nxanësit e shkollës – Për Manushin”. Mësuesi më tha ta mbajsha këtë kunorë, si shoku i bankës. M’u dridhën kambët. Kur u afruem pranë shtëpisë së Manushit, m’u kujtuen ditët kur shkojshim së bashku e nana e tij, e mjera, na mbushte gjithëherë grushtet me pemë të stinës. Atë ditë, nuk doli kush me na përshëndetë. Manushi kishte vdekë, e në dhomën ku kishin vendosë trupin e tij të njomç e të shkrimë nga smundja, nana e të zezuemet motra, po shkulshin flokët e kokës, plot dhimbje e vajtim. Unë nuk e pashë shokun e vdekun. Por kur grumbulli i të pranishmëve mori arkën mortore, mësuesi më tha me ecë në krye të kolonës së funeralit. Ecja solemne, vaji i familjarëve që venitej me largimin nga shtëpia e sidomos, vendosja e Manushit në gropën e hapun për te, e hedhja e dheut mbi arkën mortore të këtij voglushi të vdekun, më lanë mbresa të pashlyeshme, e nji trishtim që nuk m’u nda asnjiherë. Gjatë asaj mbramjeje, nuk thashë asnji fjalë! Kisha nevojë me ndejë pranë nanës, me u strukë sa ma shumë pranë saj. Ajo më përkëdhelte me dashuni e më pyeti diçka për varrimin. Kur kuptoi se nuk flitsha me dëshirë e disi me frikë për atë që kisha pa e ndigjue atë ditë, ajo nuk nguli kambë, veçse më shtrëngoi ma shumë, më shikoi ngultas në fytyrë e më dha pa pushim të puthuna ngushëllimi. E ndigjova që tha: “E shkreta nanë!” Ndoshta, sepse nana më përqafoi edhe ma shumë se ma parë, unë e ndjeva veten ma afër saj. Ishte shumë e dashtun, fliste gjithëherë me buzëqeshje, bante çmos me na nxjerrë ndër shokë sa ma të veshun, megjithëse me rrobe të vjetra. Ajo i arnonte me kujdes e mjeshtri, e gjithëherë kishim rrobe të pastra. Gjatë kohës që ishim në shtëpi, dishronte me na pasë pranë, fliste me ne, qeshej me ne, e kur na i viheshim për së terpmi, ajo lente punët e shtëpisë e ulej me na tregue ndonji prrallë, ose kujtime të saj… Nana nuk pushonte kurr! Kur punët e shtëpisë i lejshin kohë të lirë, ajo merrte grepin e lamshin e leshit, e bante doreza e fanela për fëmijt. Në mbramje, kur rrijshim së bashku në dhomën e zjarrit, herë mbas here, ajo ngrente syte e na shikonte me ambëlsi, sikur kërkonte me u sigurue se ishim aty të gjithë. E mandej, ulte kokën përsëri e punonte pa pushim. Nganjiherë, ajo fshante. Nuk e kuptojsha përse! Ishte rritë jetime, që në moshën gjashtëvjeçare, me vllaun tetëvjeçar që e donte me gjithë shpirt. Më kujtohet daja! Ai përfaqësonte nji traditë aristokratike, që po shuhej dalëngadalë nga presioni i jetës që, çdo ditë e ma shumë i jepte formë e frymë të re shoqnisë së qytetit. Pamja e tij, fisnikëria e fjalës dhe e gjestit e sidomos, vetëpërmbajtja, ishin ligjet themelore të jetës së tij. Të lindun në nji kohë që tashma kishte perëndue, e banorë të nji vendi që njihshin çdo ditë e ma pak, vëlla e motër nuk ndaheshin asnjiherë.

 

        II

Në mesin e muejit shtator u hapën shkollat. Klaset ishin të mbushuna plot. Takohemi njeni me tjetrin, mbas nji mdamjeje tremujore. Jemi gjimnazistë! Por jo të gjithë vazhdojmë studimet e mesme. Nji nga fqinjt e mi, shok klase, e ndërpreu shkollimin, sepse baba i tij, punëtor në nji duhantore, kishte nevojë për ndihmën e djalit dymbëdhjetë vjeçar. Fillimi i çdo vjeti shkolluer në nji klase të re, krijonte nji lloj pasigurie para vështirësive që më pritshin. Ma vonë u ambientojsha, e çdo ditë sillte besimin në aftësinë time. Fillonte jeta e rregullt, me shpjegimet e profesorit, detyrat e shtëpisë, leximet jashtëshkollore e përgatitja për provimet tremujore. Jetë studenti… Për klasën tonë, landa ma tërheqëse ishte letërsia shqipe. E lindun shekuj ma parë, por e zhvillueme vonë e në nji ambient të papërgatitun për te, ajo prodhoi shumë, sidomos në epikë, aty ku i bahej thirrje ndjesive luftarake të nji populli që i nevojitej qëndresa për mbijetesë. Lexojshim revista, artikuj gazetash, libra të përkthyem, botime të së kaluemes që ishin shumë të pakët, e shuejshim etjen që kishim me lexime fillestare në gjuhët e hueja. Pritshim krahëhapët çdo vepër origjinale, lexojshim me kureshtje çdo prodhim të ri, sidomos poezinë, dhe shenjtnojshim poetë e shkrimtarë. Ata ishin krenaria jonë!

*

1937. – Njizet e pesë vjet ma parë, ishte fitue pavarësia! Në nji qytet të vogël të atdheut tonë u ngrit flamuri kombëtar. Atdheu ynë u quejt i lirë. Oratoria e zjarrtë mbulonte cdo mbledhje publike, cdo shfaqje të përgatitun me qëllim festimi. Edhe në klasën tonë. Në oborrin e shkollës, profesori na vuni rresht. Përgatitemi për festë. Rrugët ishin të zbukurueme me lule e flamuj kuq-e-zi. Balkonet e disa shtëpive kishin lule e flamuj. Tabela e parrulla kishte kudo, si dhe zhurmë zanesh të naltë, tinguj muzikorë, thirrje entuziazmi. Pleqtë tregojshin kujtime. Të gjithë ishin veshë si për festë, sidomos malsorët me kostumet e tyne tradicionale. Policë në uniformë mbajshin rendin. Këndohej pa pushim dhe kur ndonjëni thërriste “Rroftë Shqipnia!”, mijra gojë përgjigjeshin njizani “Rroftë”. Nji atmosferë që nuk lente me mendue e bante për vete, na rrëmbeu, tue na lëkund si vala e detit. Nji flamur ishte i stolisun me ngjyra ari; ishte ai i shkollës së mesme femnore. Nji grue lutej me dalë në rresht të parë. Fëmijt shikojshin me habi. Herë mbas here, ata i ngrejshin mbi supe. Grumbullimi rritej e të gjithë përpiqeshin me pa diçka. Thërritshin me za të naltë, bajshin shenja me dorë e me shami. Mezi ndigjohej krisma e topave për festë. Tingujt e bandës muzikore të bashkisë, vijshin si të mbytun. Ishte nji kaos i vërtetë, por i mbështjellun në pëlhurën e madhe të nji gëzimi të plotë. Filloi ceremonia! Kangë patriotike, muzikë, thirrje e fjalime. Duartrokitje, thirrje e përsëri fjalime. Dukej sikur gjithkush dëshironte me tregue atë që ndiente. Ishte nji popull i tanë i prekun nga mallëngjimi, i dalldisun nga madhështia e përkujtimit, i etshëm me kremtue lirinë e fitueme shumë shtrenjt. Mbramjet përkujtimore në klube e salla kulture, darka për zyrtarët, kangë e valle vazhduen deri në orët e vona të natës. Ishte festa e madhe e nji populli të vogël, por të lirë! Gëzim përjashta, gëzim në shtëpi, gëzim në zemrat tona.

*

“Kryengritje! Kryengritje!” Gazetat e vendit shkruejnë se, katundarë të mashtruem nga disa persona që nuk e duen atdheun kishin sulmue forcat e rendit publik në përpjekjet e tyne me përmbysë rendin shtetnor e ligjor. Por qeveria, që kishte për zemër interesat e popullit, do të vepronte me energji, rendi do të sigurohej, e atdheu do të shpëtonte. Populli do të vazhdonte jetën e tij i lirë. Fajtorët do të kapeshin e do të ndëshkoheshin simbas ligjit në fuqi. Gazeta shpjegonte se ka pasë disa përleshje me kryengritësit, se ishte derdhë gjak, se kishte pasë viktima, e ata që kishin shpëtue të gjallë, gjindeshin në burg… “Çizmja e lustrueme e mundi edhe kësaj rradhë opingën fshatare”, ndigjova nga nxanësit e klasave të nalta. Ligji urdhnonte ngritjen e trekambëshit, e muret e trasha të burgjeve mesjetare do të strehojshin për vjet të gjate me radhë, fshatarët kokëfortë. Ata do të hidheshin në qeli të lagta e pa dritë, e nuk do të ishin ma në gjendje me trazue jetën e qetë të popullit…! Mbas shuemjes së kryengritjes, nuk pushuen diskutimet. Disa e aprovojshin; të tjere e përbuznin. Në çdo cast të lirë në mes të orëve të mësimit, kryengritja ishte thelbi i bisedimeve tona, dhe jepte mundësi me kalue në subjekte të tjera për diskutim. Na, klasët e ulta, ndigjojshim me vëmendje çdo fjalë e në veshët tonë tingëllojshin, për herë të parë, fjalë e shprehje që nuk i thonte mësuesi, as i gjejshim në libër. Ata të klasëve të nalta flitshin edhe me za të naltë, e paraqitshin pikëpamjet e tyne plot zjarr: skena mjerimi të nxjerruna nga jeta e vështirë e bujkut shqiptar. Tregojshin se si qëndronte gjendja në fshatet tona, pikturojshin me hollësi vorfninë e madhe të punëtorit, flitshin për lodhjen dërrmuese të bujkut të thyem nga e keqja, për gruen e tij të smurë, për fëmijt e tij pa shëndet, e për kasollen e tij të zhveshun. Mandej përshkruhej korrja e dobët, që bahej edhe ma e dobët prej taksave që paguheshin me detyrim e pjesa që i takonte pronarit, sepse toka nuk ishte e atij që e punonte. Disa e quejshin kryengritjen, akti guximtar i një katundarie që nuk duronte ma gjatë e që e revoltonte mjerimi, e lodhte vaji i fëmijve të uritun, e këpuste puna e randë dhe e pafryt, nji katundarie që mallkonte gjithkënd e gjithçka, pronarin, gjindarmin, shtetin… Të tjerë, nuk kënaqeshin me mallkim. Ata nuk u ndalshin në mes të rrugës ku i kishte prue mallkimi. Atyne u kishte ardhë shpirti te hunda, ata mallkojshin Zotin e të gjithë shenjtët, përbuzshin ligje e zakone, e të tërbuem nga mjerimi që i dërrmonte merrshin kurajon me sulmue cilindo që u dilte përpara, ku të munden e si të munden. Vuejtja i kishte ndrue në egërsina! Por “shoqnia e qytetnueme“, i kundërshtonte! Ajo i luftonte, i kapte, i dënonte, i burgoste. Në familjet e mbetuna bosh, e ku vetëm vorfnia ishte e plotë, gra pa burra e fëmijë pa prind, luftojshin çdo ditë me urinë që i kërcnonte, ndërsa në burgjet e errëta, baba e burri rebel mbushte zemrën me urrejtje e ndjesi armiqsore, që nuk premtojshin gja të mirë për të ardhmen. Kështu tregojshin studentët e klasave të nalta. Ka qenë pikërisht gjatë këtyne ditëve, të nji gjendjeje të ndeme, që unë pashë për të parën herë, nji faqe materiali propagandistik antiqeveritar. Në fillim, nuk kuptova. Por kur shoku më porositi ta mbajsha sekret e ta lexojsha vetëm në shtëpi, kuptova se ishte fjala për diçka krejt të re për mue. Për të parën herë kisha në duert e mia material që ndryshonte krejtesisht nga ai që mësojsha në klasë, lexojsha në shtyp, ose ndigjojsha në bisedime të haptë. Vetë përmbajtja këshillonte vëmendje e paralajmonte rrezik. Më dukej e pambarim ora e fundit e mësimit të asaj dite. Nga shpjegimi i profesorit kuptova shumë pak. Vëmendja ime ishte përqendrue në atë fletushkë që mbajsha të mshehun në çantën e librave. Ç’asht? Ç’thotë? Kujt i drejtohet? Pse nuk guxojmë ta mbajmë haptas e ta lexojmë lirisht në mesin tonë? Kumbona e shkollës tingëlloi. Mblodha shpejt librat e isha nga të parët që lashë klasën. U drejtova kah shtëpia. Në dhomën time të vogël, nxora me nxitim materialin që nuk më pritej me lexue. Ajo që lexova nuk ndryshonte nga ajo që ndigjojsha cdo ditë nga disa shokë: përshkrime të mjerimit e thirrje për revoltë. E vetmja gja që më tërhoqi vrejtjen, ishte nënshkrimi « Grupi i të rinjve komunistë » Atëherë kuptova çka përfaqësojshin ata që flitshin aq shpesh dhe me aq kambëngulje, dhe pse i gjithë ky grup kishte nji unitet pikëpamjesh. Kuptova se ishte fjala për diçka të orkestrueme mirë nga elementët jashtëshkollorë, e u zhgënjeva.

*

Pak ditë ma vonë, nji ngjarje e jashtëzakonshme tronditi gjithë shkollën. Nji grup nxanësish i klasave të nalta, ishin arrestue. Ishte hera e parë që shkolla jonë ballafaqohej me nji ngjarje të këtillë. Kur në mëngjes u grumulluem në oborrin e shkollës, ndigjova nga të tjerët emnat e mjaft të arrestuemve. Shumica ishin nga ata të rij, që pak ditë ma parë, flitshin me entuziazëm për kryengritjen. Nuk kuptojsha mirë ngjarjen dhe rrjedhimet e saj ma vonë. Megjithatë, nji frikë e madhe më kapi kur në grumbullin e studentëve, u përzien edhe policë me uniformë. Era e autoritetit qeveritar ndihej tashti e fortë, e krahu i atyne që kapin qytetarët për zverku, nuk ishte larg. Për të parën herë, shihshim kërcënimin drejtpërdrejt nga njerëz, që deri dje nuk na frikësojshin. Arrestimi i shokëve, prania e policëve e atmosfera e frikës që u krijue, shkaktuen nji gjendje të vështirë në shkollë. Askush nuk fliste ma si përpara, askush nuk diskutonte, e për bisedimet me karakter thjesht shkolluer, flitej me za të ulët… Kur efekti i arrestimeve ishte pakësue, fillova të ndigjoj për të arrestuemit. Çdonjeni tregonte atë që kishte ndigjue nga të tjerët. Vetëm kur hetimet morën fund, kuptuem se do të delshin para gjyqit. Ma vonë, u tha se ishin dënue e se do të vuejshin dënimin, në nji burg larg qytetit tonë. Nuk dijsha gja për dënimin e tyne, as mora vesht cila ishte akuza e ngritun. Por ajo që flitej mbas dënimit, ishte me të vërtetë mjaft tronditëse. Të indoktrinuem nga elementë të degjeneruem, nji grup të rijsh, entuziastë nga lexime e fjalime që nxitshin urrejtje për rendin ekzistues, ishin lëshue pa mendue në krahët e nji jete të shthurun. Ngjarje të pabesueshme tregoheshin si të vërteta dhe se degjenerimi moral, ishte ba rregull i sjelljes së tyne në shoqni. Nji indoktrinim i smurë kishte zhvillue prirje kriminele, tek disa prej tyne. I paaftë me gjetë të vërtetën, u lëndova randë si viktimë e zhgënjimit të parë, me përmasa të mëdha e të pakontrollueshme. Fillova me marrë qëndrime cinike. Padyshim që humba pafajninë e moshës sime të re dhe nuk e gjeta përsëri. Po hyjsha, para kohe, në moshën e pjekundisë.(Marre nga libri”Nen hijen e Rozafes… i Prof. Sami Repishti)

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nen hijen e Rozafes, Sami repishti

Vlorë, specialistët kërkojnë rishikim të listës së monumenteve të natyrës

July 5, 2013 by dgreca

Vlora është një nga qytet që gjatë sezonit veror është jo pak në vëmendjen e pushuesve por dhe të turistëve të huaj, për të cilët në këtë qytet ofrohet jo vetëm deti por dhe monumentet e natyrës. Në rrethin e Vlorës numërohen 51 monumente të natyrës, të cilat e kanë marrë këtë status për shkak të karakteristikave, që i bëjnë ato unikale në llojin e tyre. Sipas specialistit Gëzim Llojdia mes tyre përfshihen 16 rrepe shekullorë, 11 shpella, një ujëvarë, një deltë detare, një burim i kripur, dy tarraca detare, dy mbihipje toke aktive, një kanion, një lagunë, një gji, një falezë, një dunë rëre, etj. Këto objekte natyrore përbëjnë atraksione në funksion të vlerave turistike dhe janë produkt i veprimit të forcave natyrore për një kohë shumë të gjatë. Mes tyre, një pjesë të rëndësishme e zënë rrapët shekullorë, ku veçohen ato të Pilurit, Kudhësit, Palasës, Rrapi i Xhamisë, Çezmës, Kuçit, dhe Buronjave, Izvorit, Tragjasit, Drashovicës, Velçës, Smokthinës etj. Ndërkohë, në listën e monumenteve natyrore përfshihen edhe Pisha Flamur në Parkun Kombëtar të Llogorasë, drurët me kurora mjaft interesante në këtë park, të krijuara nga veprimi i korrenteve të erërave etj. Por edhe pse janë kaq të rëndësishëm monumentet e natyrës po shkojnë drejt zhdukjesh. Mjaft prej masiveve të ilqes në zonën e Zarelit, janë bërë pre e veprimeve të individëve të papërgjegjshëm dhe tashmë ato ekzistojnë vetëm në letër. Por dhe lugina e lumit të Vlorës, ruan në brendi të vet thesare të pashpallura. Ndërkohë, ka edhe shembuj të tillë sikundër shpellat prehistorike të fshatit Velçë, ende të pastudiuara dhe njëkohësisht të pavizitueshme, ashtu si edhe të pambrojtura. Sipas specialistëve, në vitet 50 të shek. XX, në këto shpella u bënë kërkime nga specialistë të njohur dhe nga të dhënat paraprake është arritur në përfundimin se kultura këtu është e periudhës së neolitit të vonë dhe përkon për nga karakteristikat dhe lashtësia me atë të Maliqit. Por nga ajo kohë nuk është zhvilluar asnjë punë studimore për këto objekte të natyrës dhe njëkohësisht edhe të historisë, të cilat mund të shndërrohen në resurse të rëndësishme të turizmit kulturor dhe natyror. Nisur nga këto, specialistët shtrojnë domosdoshmërinë e rishikimit të listës së monumenteve të natyrës, që është hartuar në vitin 2003, për shkak se mjaft prej “objekteve” të përfshira në të nuk ekzistojnë në realitet.

Atsh

 

Lista e monumenteve te natyrës rrethi i Vlorës e cila është ndërtuar në vitin 2003, por që kërkon të ketë ndryshime për dy arsye një pjesë e tyre mund ,mos u gjendet as nishani dhe e dyta për të vendosur në të objekte të tjera të natyrës tonë .
1.Qiparisi i Kambanores se Kishës se Vunoit
2.Lisat e Pilurit
3.Rrapi i Kosmarit Kudhes
4.Rrapi i Palases
5.Rrapi i Shkollës nr.1
6.Rrapi i Xhamisë
7.Rrapi i Çesmes (Mifol)
8.Ilqet i Zarelit me (0,5 ha)
9.Rrapi i Kroit te Madh
10.Rrapi Laze
11.Mbihipja e Çikes
12.Mbihipja aktive e Dukatit
13.Shkeputje e re aktive e Llogorasë
14.Tarraca detare e Kusbabait
15.Tarraca detare e ish-shtëpisë se pushimit te punëtoreve
16.Gjiri dhe shpellat e Grames
17.Bariera Koralore e grykes se Diallit
18.Falezat e Sazanit
19.Shpella e Shëngjergjit ose e Bletës
20.Shpella e Ramices
21.Shpella e Velçes
22.Shpellat e Boderit (Smokthine)
23.Shpella e Haxhi Alise (Iliriane)
24.Shpella e shkruar
25.Shpella e Bilbilenjeve
26.Shpella e Porto Palermos
27.Shpellae Pirateve (Dhërmi)
28.Shpella e Odisese (Surianit)
29.Shpella e Duk Gjonit
30.Kanioni i Gjipese
31.Bokerimat e Vunoit
32.Rrethi i Plakes (Brataj)
33.Ujevara e Ramices
34.Dunat e Nartes
35.Delta e Perroit te Palases
36.Burim i kripur i Bashajt
37.Vali i Vranishtit (burim i madh)
38.Laguna Limopuo
39.Rrepet e Buronjave Kuç
40.Pisha Flamur- Llogara
41.Rrapi Mesaplikut
42.Karthi i Terbaçit
43.Rrapi i Dukatit
44.Rrepet e Izvorit
45.Rrapi i Tragjasit te Vjeter
46.Rrapi i Shenvarvares (Velçe)
47.Rrapi i Gurrave Smokthine
48.Rrapi i Madh ne Bashaj
49.Rrepet e Drashovices
50.Ullinjte e Trubullit ne Karbunare
51.Pylli i Zvernecit –

Kortezi ATSH

Filed Under: Kulture Tagged With: ATSH, kerkojne, rishikimin e listes, se monumenteve, specialistet, te Kultures

Dasem rugovase ne Amerike

July 5, 2013 by dgreca

Nga Ramiz Muja*/
“Shoqata Rugova ” bashkë me ansamblin Rugova” me rastin e piknikut organizoi Improvizimin e  “Dasmes Rugovase” në Taconic State Park – Rudd Pond në New York, të dielën e 23 qershorit,në parkun “Franklin D. Roosevelt State Park”, ç’ka të sjell ndërmend dhe vetë bjeshkët e Rugovës në Kosovë.

Fillimisht,Vjosa Mujaj – Nikqi, ka hapur piknikun dhe më pas ia ka dhënë  fjalën regjisorit dhe poetit, Idriz Çelaj, për të lexuar materialin letrar “Dasma Rugovase”, të përgatitur nga zëdhënsi i Shoqatës dhe Ansamblit Rugova. Pjesmarrësit e shumtë panë me sytë e tyre se si organizohej dikur, një dasëm rugovase, por jo në Kosovë, por këtu,  në malet e New Yorkut. Këtë dasëm e improvizojmë për fëmijët tanë. T’u  tregojmë atyre se si  prindërit dhe gjyshërit e tyre i bënin  dasmat në vendëlindjen e tyre dhe në të njëjtën kohë të shpalosim një pjesë të kulturës sonë në këtë vend pishtar të kulturave . Të lashta janë këngët dhe  vallet Rugovase, të lashta janë kostumet tona tradicionale . Plot ornamente zbukuruese janë veshjet kombëtare të burrave; janë të punuara me dorë nga vet vendasit. Po ashtu, shumë të bukura janë veshjet e femrave me  plot ngjyra që janë njësoj  të lashta dhe tradicionale autoktone  të punuar nga gratë vendase .

Në këtë dasëm jemi  përpjekur sa do pak që ta vëmë  në skenë improvizimin e dasmës tradicionale Rugovase. Në Rugovë, dasmat bëheshin me shumë lojra, shumë hare, dhe ceremoni festive. Shpesh dasmat zgjatnin edhe nga 3 ditë që nga e shtuna e deri të hënën në mbrëmje. Familja vendoste ditën e dasmës.  Caktohej se kush duhej  thirrur në dasëm dhe ditën e shtunë mblidhshin të afërmit, miq,mbesa,nipër dhe bija, ku bëheshin biseda dhe përhajrime familjare. Zakonisht flamuri i jepet njeriut të derës së bajraktarit të të njëjtit fshat. Vendoset sa dhe kush nga gratë e farefisit duhej të shkonin për të marrë nusen.

Ca ditë përpara dasmës disa antar të familjes shkonin në familjet e fshatit dhe mblidhnin sendet që i duheshin dasmës si psh:  lugë, sofra, tepsia, e shumë e shumë sende të tjera. Gjithashtu, edhe pritsat shpesh kanë sjellë dikush dash, dikush  qengj e dikush dele të zotit të dasmës. Dhëndrri duhej të rrinte në shtëpi ndërsa krushqit nisen dhe marrin dajret dhe këngëtarët me vehte. Kur nisen krushqit, duhet të numrohen nga udhëheqësi  nëse janë psh. 50 krushq që domethënë  bajraktari duhet t’i nxjerrë 5 vetë para vehtes apo nëse ka 100 atëherë duhet që të nxjerrë 10 vetë  përpara  vetes, për të pasur mundësi miku ta dijë nga largësia se sa krushq po i shkojnë.
Një pjesë e krushqëve kanë kuajt e shalës dhe janë të përgaditur mirë për lojra të ndryshme me kuaj, si kërcime dhe vrapime. Krushqit shpesh ndalen në vende (fusha) të përshtatshme për lojra. Gjuajnë shenjë në rrasa dhe  përpiqen ta përcaktojnë shejtarin  më të mirë,  sepse nëse nuk  del dikush ta vret shejin  prej krushqëve të miku, nuk e  marrin nusen.  Shpesh më të sigurtit shenjëtar ishin djemtë e rinj. Te miku duhet të shkohet para orës 12-të të ditës dhe nuk është mirë që të shkohet pas 12-tës.
Bajraktari  duhet  të jetë  i sprovuar  fizikisht po ashtu  për çdo rast rreziku, flamurin nuk duhet  ta leshojë. Kur shkohet te miku flamuri i dorëzohet atij që preferon  miku. Flamuri  duhet të qëndrojë i mbajtur në duar deri sa duan  të nisen  krushqit. Tek miku krushqit ulen dhe fillon muhabeti. Caktohet dhe çaushi që zakonisht shpërndan kafet dhe duhanin .

Gjeveri kur të mbërrijnë krushqit tek miku i duhet dorëzuar kalin nuses mikut  dhe djali i kerrit është me gjeverin,po ashtu edhe kur duan me u kthye krushqit dikush nga miku e lajmëron gjeverin dhe shkon e ndihmon me hyp nusen në kalë. Gjeveri ecën anash kalit duke e mbajtur deri sa të kalojnë fshatin edhe pastaj gjatë gjithë rrugës kujdeset dhe rrin afër kalit ,.Djali i i kerrit tërë kohën e terhjek kalin për freri.

Edhe tek gratë po ashtu bëhen lojra dhe kërcehen valle. Tek krushqit, këngëtarët këndojnë disa këngë dhe hanë drekë. Para se të nisen për kthime, bëhet qitje shenje në  rrasa të gurit  sipas traditës .

Dikush nga dasmorët  duhet  ta  vrasë shejin për ndryshe nuk  merret  nusja. Nusja duhet hipur në kal të bardhë dhe dikush nga familja e nuses, vëllau, axha, ose baba i bjen kalit në vithe 3 herë për t’i ngja nipat kah dajat.

Krushqit nisen me këngë e valle dhe lojra kuajsh po ashtu dikush nga  pritsat  i thoth  Bajraktarit  “ooooo udhaaa e mbar’ ooo  bajraktar”  me zë të lartë. Po  ashtu, dhe bajraktari duhet t’ia kthejë “ooooo  mbar’ paq mor”. Thirrja zakonisht përciellej me rafale të revoleve dhe ashtu vazhdonte thirrja nga të dy palët deri sa dalin prej fshatit.
Kur mbërrin krushqit te dhëndrri  para  shtëpisë, dalin njerëzia një antar i familjes, zakonisht  nëna e dhëndrrit, që hedh në turmë:  bombone ,ëmbëlsira, dhe kokrra gruri për një jetë të ëmbël dhe me  bereqet  që mendohet se sjellë  nusja.
Zbritet nusja nga kali dhe menjëherë hipën dhëndri. Ai duhet t’ia lëshojë frerët kalit, dhe shkon me një shpejtësi të madhe dhe përsëri kthehet. Nusja  vendoset në dhomën e grave, që fillojnë këngët dhe vallet deri para  mesnate sipas traditës; gjithashtu edhe tek krushqit. Para mesnate  hynë  dhëndrri, afrohen të gjithë familjarët dhe të gjithë ia marrin hallallin djalit apo dhëndrrit sidomos baba e nëna. Dhëndri përciellet për herë të fundit në Gjerdek.
Pastaj kush mundet shkon nëpër shtëpitë e veta, dhe të tjerët qëndrojnë aty. Nusja duhet të rrijë tërë ditën duke nusëruar dhe të gjitha gratë e farefisit shkojnë aty për ta parë dhe vlerësuar nusen. Të hënën në mbrëmje shumica e të thirrurëve largohen. Të nesërmen nusja zgjohet para të gjithëve dhe fillon të gjitha punët e shtëpisë, përpos magjes.  Fillon t’i respektojë të gjith antarët e familjes dhe vazhdon jeta e re.
I gjithë ky ritual u shfaq në dasmën rugovase gjatë piknikut të organizuar në malet e New Yorkut, te dielen me 23 qershor 2013.

Pjesmarresit i argetun Dile Geci, Besim Muriqi, Entela Iliriani, Bekim Jahjaga, në shoqërimin e muzikantit Nexhmedin Bakraqi. U zhvilluan gara sportive si ndeshje Volejbolli, tërheqja e litarit, hedhja e gurit,shah etj. Në tërheqje litarit, vendin e parë  e fitoi ekipi që ksihte në përbërje : Flamur Husaj, Ukë Qorraj, Isuf Rexhaj, Jashar Lajqi, Besim Lajqi dhe Arif Rexhaj.Hedhja e gurit pati këta fitues: Vendi i parë Fadil Dembogaj, në të dytin Leotrim Dembogaj dhe i treti Agim Mujaj.Volejbolli që u drejtua nga Idriz Celaj dhe Florim Lajqi, pati këta fitues; në vend të parë skuadra e Rexhë Avdia – Shkrel në vend të dytë Mujajt – Dugaive dhe të tretë Çelë Shabani – Stankaj.Kampion në shah u shpall Isuf Rexhajt, dhe nënkampion Esat Rexhaj.

Në krye të aktivitetit ishte  kryetari i shoqatës, z. Adem Muriqi me kryesinë dhe shumë aktivistë.Ishte një ditë e mrekullueshme, ku të gjithë u argëtuan.

* Zedhenes i Shoqates dhe Ansamblit Rugova ne New York

Filed Under: Featured Tagged With: ne Amerike, nje dasem rugovase, Ramiz Muja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5363
  • 5364
  • 5365
  • 5366
  • 5367
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT