• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR DITËLINDJEN, DESIGNERIT TË DIELLIT, DANNY BLLOSHMI!

May 27, 2013 by dgreca

Në Foto: Danny Blloshmi me të fejuarën, Kledia Myrtolli , që studion për mjeke/

Sotë është ditëlindja e Art-Dizajnerit të Gazetës DIELLI, Danny Blloshmi: GËZUAR DANNY, i  pac të gjitha ditët, javët, muajët, vitet, të gjithë Jetën tënde, të gëzuar si Dita e lumtur e Lindjes!

Danny është bashkuar me ekipin e Vatrës që në 100 vjetorin e Gazetës Dielli, qershor 2009, teksa përcolli mesazhet e brezit të vet, brezit të ri, për të cilin ka aq shumë nevojë VATRA. Më pas ai mori përsipër dizajnimin e Gazetës Dielli, edhe pse nuk e kishte ushtruar më parë, por me këmbëngulje e prefeksionoi dhe tani arrin që ta faqosë gazetën mirë dhe në një kohë të shkurtër. Dhe së bashku ne arritëm që ta faqosinim Diellin jo më me 16 Faqe sipas traditës së trashëguar, por me 24, 32, 36, 40 dhe numrat special përmbi 100 faqe! Faleminderit Danny!

Danny dha një kontribut të jashtzakonshëm edhe në 100 vjetorin e Vatrës. Përmes tij, nëpermjet acauntit në on line u mblodhën mijëra dollarë. Po ashtu, ai u lidh me zyrën e Senatorit të New Yorkut,  Schumar, përcolli tek  ai historinë e federatës Vatra në 100 vjetorin e themelimit; po ashtu përcolli edhe atmosferën festive të 100 vjetorit në gazetën Njujorkeze Daily Nwes, e cila i kushtoi shkrim të vecantë 100 vjetorit të Vatrës.

Danny ka qenë përherë aktiv në Vatër, ai ka kryer vullnetarisht detyrën e arkëtarit(deri në Kuvend), atë të menaxhimit të ndërtesës së Vatrës etj. Me krijimin e  Degës së re të Westchester Sotuh, Danny është zgjedhur arkëtar i dëgës.

Per aftesite profesionale et Danny-t ne fushen e financave flet pozicioni I tij ne kompanine me te famshme si Merryll Lynch, si Financial Advisor at Merrill Lynch.

Danny Blloshmin e lidhin me Vatrën dhe nacionalizmi shqiptar fije të shumta , babai i tij, Hysen Blloshmi ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës deri në Kuvnendin e 27 prillit 2013, ai ështe një nga dhuruesit bujarë të Vatrës nga të ardhurit pas 1990-ës, Gjyshi i Dannyt, Xhevdet Blloshmi është shumë i njohur në diasporën shqiptare të Amerikës, luftoi me armë në dorë kundër sistemit komunist, ishte ndër ata që vullnetarisht shkoi në Shqipëri për të luftuar, ai ndërroi jetë në Amerikë pasi e solli familjen në vendin e lirisë.Një figurë tjetër e njohur nga Blloshmit ishte edhe sekretari i Faik Konicës, Haki Blloshmi, i cili iu bashkua Vatrës porsa erdhi me studime në Amerikë me 1923, ai mbaroi studimet në Harvard më 1927, por në vend që të ndiqte karrierën në SHBA, ne vitet e Luftes se II Boterore  ai shkoi për të luftuar në Shqipëri kundër pushtuesëve dhe u vra pabesisht nga Forcat e Brigadës së I të Mehmet Shehut në Dunicë me 7 Mars 1944.

Edhe njëherë Gëzuar Ditëlindjen, i dashur Danny! E kalofsh sa me bukur diten e bekuar!

DALIP GRECA

Editor i Diellit

Filed Under: Komente Tagged With: Danny Blloshmi, ditelindja, editori i Diellit, Gezuar/dalip Greca, sot

Në Florida Federata Vatra, kujtojë ditëlindjen e Naim Frashërit

May 27, 2013 by dgreca

Naim Frashëri rilindasi ynë i shquar, vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres./

Nga Jacksonville- Florida – Beqir SINA/

JACKSONVILLE – FLORIDA – 167 vjetori i lindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, rilindasit tonë të madh u kujtua të shtunën në mbrëmje në qytetin Jacksonville të Floridës, me një veprimtari artistiko – kulturore, organizuar nga Dega e Fedeatës Vatra në Florida.

Në veprimtarinë e Degës së Federatës VATRA në Jacksonville- Florida, morën pjesë dhjetëra vetë, familjet vatrane dhe simpatizantë të shoqatës Vatra. Në veprimtarinë “Shqipëri o nëna ime”- Show artistiko-muzikor më rastin e Ditës Kombëtare te shkrimtarit të shquar të Rilindjes Shqiptare Naim Frashërit, mori pjesë edhe Dervish Pashaj nga Teqeja e Detroitit, kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Gjon Buçaj dhe  zoti Sejdi Husenaj.

Dy hymnet kombëtare ; Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë çelën këtë veprimtari të bukur, dhe të veçantë të komunitetit shqiptarë në SHBA

“Qëllimi i kësaj veprimtarie të veçantë është kujtimi i ditëlindjes të poetit tonë të madh kombëtar, të rilindjes, sonë kombëtare Naim Frashërit,” u shpreh kryetari i degës së Vatrës në Florida, zoti Adriatik Spahiu .”Vepra e Naimit, tha ai është e pavdekshme, ajo është krenaria e jonë kombëtare, andaj dhe për Naimin do të ketë gjithmonë vetëm ditëlindje,” theksoi më tej Spahiu, duke drejtuar edhe një falemnderim të veçantë për mysafirët nga Nju Jorku, Baban e Teqes së Detrotit, dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Fjalën kryesore të kësaj veprimtarie e mbajti zoti Ali Lushnjari një anëtarë i degës së shoqatës Vatra në Florida. “Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Naimi ishte një ndër figurat kryesore që ndikoi në zgjimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Vepra e tij poetike u bë frymëzuesja dhe shpirti i lëvizjes kombëtare.” tha ai.

Më tej ai tha se Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.

Duke folur për veprimtarinë e Nami Frashërit, Lushnjari, tha se gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.

Së fundi u shpreh zoti Lushnjari, mosha dhe një sëmundje ia ligështuan shëndetetin derisa zemëra e tij pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54 vjeçare. Ai vdiq i zhobitur nga malli për Atdheun dhe dashurinë për Shqipërinë e lirë. Naimi vdiq theksoi ai por vepra e tij mbeti gjallë duke ngritur peshë zemërat e shqiptarëve dhe duke patur një ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona, kudo që janë edhe sot mbas afro dy shekujsh; me një respekt dhe dashuri e mirënjohje për këtë relindas të madh shqiptarë.

Folësi kryesorë i kësaj veprimtarie, përfundoi duke permendur edhe SHBA miqësinë tonë dhe rolin e kontributin duke shprehur edhe një falemdnerim:” Me këtë rast dëshirojë të faleminderojë nga zemëra Amerikën, tha zoti Ali Lushnjari, që ndër shekuj ka qenë dhe është mbështetësia e fuqishme e shqiptarëve . Kujtojë gjithashtu, tha ai të gjitha ata kolosë të kombit tonë që kontribuan nga ky vend me në krye Shoqërinë Vatra, e cila ka qënë frymëzuese dhe zjarri që mbajti gjallë fryëmën tonë komëbtare për liri e pavarësi.”

Më pasë foli Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili në mes emocioneve të shumta e përshëndeti këtë ngjarje dhe aktivitet të degës së Vatrës në Jacksonville të Floridës. Qysh në fillim të fjalës së tij – ai iu drejtua të pranishëmve duke thënë se është me të vërtet kënaqësi që në emër të VATRËS, të ju përshëndes për këtë aktivitet kaq të bukur, që ju keni organizuar në nderim të kësaj figure kaq të madhe të kombit tonë, rilindasit dhe iluministit Naim Frashëri.

“Naim Frashëri, është njjë figurë e madhe kombëtare, tha Dr. Buçaj, e cila ashtu si dhe rilindasit e tjerë, që luftuan dhe u sakrifikuan me pushkë dhe me pendë për Mëmedheun, tonë të dashur për Shqipërinë, na bëjnë që ne shqiptarët të ndihemi krenarë, kudo që jemi për të gjitha ato sfida që historia e vjetër dhe e re na detyroi të përballojmë në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptarë, duke garantuar identitetin tonë kombëtar në familjen evropiane. Padrejtësitë historike ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, tha ai u përballuan me sukses sepse gjithnjë u bazuam në parimet e shenjta të lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, ose si shprehej në vargjet e tija poeti ynë i madh se : “Dielli lind andej nga perëndon”. Pra, prej edhe nga e shikonte dritën e lirisë Naim Frashëri për ne shqiptarët, andej nga i ka sot sy e gjithë bota nga Perendimi nga ai vend ku jemi të gjithë ne sot” tha Dr. Buçaj.

Naim Frashërin, kryetari i Vatrës, e cilësoi si një njeri “mistik”, i ri gjithmonë dhe i mbushur përplot nga ndenja dhe frymëzimi i tij, me një dashuri të pakufishme dhe të zjarrtë për lirinë, kombin dhe mirësinë e Perendisë. Naimi, i njësojë i këndojë edhe dashuirisë njerëzore, bukurisë natyrore të Shqipërisë dhe shqiptarëve, tha kreu i Vatranëve gjatë fjalës sëtij përshëndestëse.

Dr Gjon Buçaj, më tej vlerësoi lart largëpamësin e këtij rilindasi të madh, i cili qysh atëhere sipas tij e shihte kombin tonë kah Perendimi dhe civilizimi botëror, pa harruar asnjëherë dashurinë për vendin dhe origjinën tonë. Prandaj shqiptarët, tha Buçaj, edhe sot kudo ku jetojnë, janë të angazhuar për të përmbushur pikërisht këtë aspirate europianizuese dhe historike për përshpejtim të progresit demokratik dhe integrimit në familjen tonë të natyrshme evropiane.Një rrugë e vështirë kjo dhe me plot sfida e cila na motivon për një angazhim të ri në realizimin e aspiratave historike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar në rrugën e progresit dhe integrimit evropian, që na e lanë amanet rilindasit tanë.”

Veprimtaria përkujtimore në nderim të poetit tonë kombëtar vazhdoi me recitime të poezive të tij, nga të pranishmit ndërkohë që Sandër Ruçi, artisti i njohur shkodran interpretoi me një nostalgji të pa përshkruar, dhe me një humor fantastik, karakteristik shkodran këtë veprimtari kushtuar ditëlindjes së Naim Frashërit.

Kurse, këngëtari i mirënjohur në të gjithë hapsirën shqiptare – Bylbyli i Tropojës Gëzim Nika krijojë një atmosfer impozante me këngët e tij të famëshme me vargjet e poetit tonë të madh Naim Frashërit. Gëzim Nika me këngët e njohura dhe mjaft popullore “Shqipëri o Nëna ime” dhe kënga “O sa mirë që jamë Shqiptarë”, e “ndezi” atmosferën duke e kthyer këtë veprimtari në një festë të madhe që frymëzon dhe lidh brezatedhe këtu në mërgim.

Ndërsa në stendat e sallës ishin vendosur portretet e veprimtarisë kushtuar gjeniut të letërsisë së rilindjes kombëtare.

Naim Frashëri ka lindur në 25 Maj 1846 dhe vdiq në 20 tetor 1900. Veprat e tij më të njohura janë “Bagëti e Bujqësi”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Lulet e verës” etj. Naimi ka shkruar edhe në revistat e kohës “Drita”e “Dituria” si dhe ka përkthyer vepra të mëdha të letërsisë botrore, si “Iliada” e Homerit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adriatik Spahiu, Fedederata Vatra, Gezim Nika, Gjon Bucaj, Jacksonville, Naim Frasheri

Fuad Ramiqi, e dini që serbët po na e vjedhin historinë?

May 27, 2013 by dgreca

Tetë mijë vjet ” histori” serbe në Ballkan!/

Nga Fahri Xharra/

Deri sa ne , mirremi me qështje të huaja të cilat aspak nuk na japin as nderë e as lavdi ; serbët e shkruajnë ”historinë” e tyre  e cila nuk është gjë tjetër  vetëm se një përvetsim ”shkencor” e një të kaluare të një vendi dhe të një  populli ; popullit që e harron vetvetën , popullit shqiptar.

(Historia e Islamit daton qysh herët. Madje 200 vjet pas vdekjes së Pejgamberit Muhamed (a.s.) mendohet se shqiptarët e parë e kanë pranuar Islamin, në periudhën e viteve 800-të të erës sonë.Gjurmët e lashtësisë së Islamit vite para ardhjes së Perandorisë Osmane vërehen nga mbishkrimet e xhamisë së gjetur në fshatin Milkë (Gorë) të Dragashit, që është e vjetër që nga viti 1289 konkretisht 200 vjet para ardhjes së Perandorisë Osmane. Dëshmitë historike të kësaj xhamie janë konfirmuar dhe bërë të njohura vite me parë. Sipas dijetarit të shquar shqiptar Mr. Jakup Asipi, populli ynë filloi të pranojë Islamin, nga tregtarët që kanë ardhur me “shit” Islam (me bë thirrje dhe shpjegim të Islamit) në Zar, në Dubrovnik, në Tivar, në Vlorë, në Durrës, nga këto skela, nga këto limane detare.( Islami në Kosovë, Gentian Jetishi )

Nermin Vlora Falaski, në librin e saj “Linguistikë dhe gjenetikë” (shkruar në italisht),  i ka deshifruar shkrimet etruske dhe Pelasge, me gjuhën e sotme shqipe.. Kjo dëshmon se shqiptarët (pasardhës të ilirëve) janë pasardhës modernë të Pelasgëve, një nga qytetërimet më të vjetra që kanë jetuar në Evropë.

Por ç`thonë serbët:”” Zakonisht historia serbe përshkruhet nga shekulli i 6-të ,koha e dyndjeve sllave , thuase që ne ( serbët) para kësaj kohe nuk egzistonim. Po ku na rrnonin stërgjyshërit? Me atë zbritje në Balkan serbët e kishim një gjuhë të përsosur ,një rregullim perfekt shoqëror , me aftësi të shtetformimit me zakonet tona dhe themelet kulturore. Ku ishte djepi i ynë? ” Me këto shihet që ata kurrsesi nuk duan të mbesin ardhës të shekullit të 6-të psK.  Fajin ua lënë shkollës së Berlinit -Vjenës që gjëja se me qëllim ata  e kanë shtrembëruar historinë e tyre ,dhe me këtë është falsifikuar autoktonia serbe në Ballkan që nga  kohërat e lashta.

Si qëndron puna me ne ? Sa jemi të aftë të këmbëngulim në historinë tonë , në të vërtetën tonë. A është  për ne  si njësi matëse  se kur erdhi islamizmi në këto toka? Derisa në këto anë në shekullin 12 -të zhvillohej një luftë e ashpër e ortodoksizmit ndaj katolicizmit , si mundën shqiptarët e kohës të përqafojnë islamin? Por edhe një herë ,sa është relevante për ne se kur u muslimanizuam ?

”Fillimtari e paraqitjës  se autoktonisë së herëshme serbe është kronisti i shek. XII-të , Nestor Çasni i Kijevit dhe mbrojtësit e kësaj teorie janë të mëdhenjt e historisë serbe : Olga Lukoviç-Pjanoviç, Jovan Deretiç, Ranka Kuiç, Milosh Milojeviç, Sima Lukin-Laziç, Laza Kostiç, Pavel Shafarik, Ilija Zhivanqeviç, Svetislav Bilbija, Milan Budimir, Dragoslav Srejoviç  dhe të gjithë me fakte të pathyeshme të Burimit të Lepencit dhe Vinçës.”  Po kronistët e kujt ishin ata që na i lanë trashëgim  datat për të kaluarën tonë?

 

Në periudhën e  fundit të akullit (40.000 vjet më herët) ,është paraqitur njeriu i parë në Ballkan. Sipas gjetjeve në  shpellat e fshatit Gradac dhe në Risovaçë ( në Grykën e Gjerdapit,Serbi) vihet në përfundim  për jetën e njeriut në atë kohë. Gjetjet arkeologjike në Gjerdap e kanën vërtetuar se  në tokat e Sebisë së sotme është zhvilluar kultura më bindëse e parahistorisë (7.000- 5 500 vjet prK) . Egziston edhe fakti që djepi i Europës ishte në Shpellën e Rajkut ,në Rudna Glava të Majdanpekut ; dhe që njerëzit e kësaj kulture shumë të vjetër jetonin në bashkësi prej dy deri në katër familje.   Ata paskan pasë qenë serb?

Sipas këtyre shenimeve athua kur e morrën muslimanizmin këta banorë ? Serbët nuk flasin aspak për këtë ”ardhje”. Ata flasin ndryshe për historinë që aspak nuk është e tyre , kurse ne ngarkohemi me histori që aspak s`është e jona.

” Heroizmi serb gjatë shekujve  na ka cilësuar në rendin e parë në historinë botërore dhe na e ka dhënë të drejtën e qytetarisë në mesin e kombeve të famshme”  serbët thonë me krenari .Por si u sollën ata kur erdhi turku :” Serbët u tërhoqën nëpër male dhe kryesisht mirreshin me blegtori e bujqësi dhe sipas kësaj turqit na quajtën Vllahë deri sa historianët e vjetër Serbëve iu dhanë emrin Ras , për njeriun e Rashkës.”

Marria historike e serbëve ,paranoja e tyre për të qenë të parët në këto anë ( e kundërt me  intencat tona) shkon aq largë që thonë se “ sipas Herodotit ,populli serb qenka qenë populli më i madh në botë.thrakët ,Venetët ,tribalët dhe Ilirët paskan qenë serb.” Dhe sipas  spjegimit serb në mungesë të një bashkëtinglloreje të greqishtës trakët ishin rashan( pra të Rashkës)

Serbët janë fetarë më të mëdhenj se sa ne shqiptarët ; por kur është  në pyetje rrena kombëtare,shtrembërimi i prejardhjës së tyre atëherë e harrojnë fenë.

Si nuk e ndjeva askend nga prijësit tonë fetar nga rradha  e muslimanëve që të thotë të bile një fjalë për “ Historisë së Kosovës “të Jusuf Buxhovit. Pse prej tyre nuk kërkohet asnjëherë një përgënjeshtrim të kësaj vjedhjeje të historisë sonë ,nga ana e serbëve?

Spjegimet serbe: “ që nga kohët që mbahen në mend në mes të serbëve paska pas jetuar fisi i madh Rashqanët apo Rasët , që e simbolizoka ngjyrën e kuqe , ngjyrë të cilën serbët e paskan pas dashur gjithmonë. Edhe nga kjo del se Rashqanët qenkan quajtur Serbët e Kuq. Në kohën e Herodotit këta paskan jetura në Azinë e Vogël , në Ballkan dhe Thraki”

A po i  vjen era përvetësim kësaj teorije.?

Ilija Zhivanoviç shkon edhe më largë  kur thot se sllavët (serbët) ishin nga Vladivostoku e deri në Adriatik dhe si të tillë ishin ”boshti kurrizor i njerëzimit”

”Të gjitha shkrimet dhe mbishkrimet asire dhe misire  si dhe përmendoret prej gurit që i njef njerëzimi janë rreth 8.000 vjet të vjetra. Sipas tyre ,po aq e vjetër na qenka edhe historia serbe. ”E çka më shumë se aty përmendet emri Sërbib ( serb) dhe jo sllav.

Edhe historiani Emil Burnoff  nuk është i vetëm kur thot se gjuhët greke dhe latine kishin lindur nga Pellazgishtja . Pellazgët ,identifikohen me serbët e stërlashtë.?!?

”Populli i vjetër,i nxjerrë njerëzit e mëdhenj,të cilët i dalin krah vendit të tij,krijimit të tij dhe historisë së tij. Ky është vetëm se fillimi .Kemi njrëz ne ! Kemi të dijtur ne! Historija e jonë gjatë shekujve na është vjedhur, na është përbaltur dhe na është përdhosur. Pa dëshirën tonë! ashtu na e diktonin dhe ne ashtu si të tillë ne e pranonim. E tani kur ne po e shkruajmë ashtu si ishte : Beogradi filloi të çmendet ! Tani kur ata menduan se fazën e përgjumjes sonë e kaluan me sukses,llogaritën në fazën e tretjës. Por Jo!   I kemi  të mëdhenjt tonë që as nuk flejnë e as nuk përgjumën,por shkëlqejnë nga lartësitë  e kreshtave dhe  i godasin me fakte përgjumësit tonë.(FXh.”Jusuf Buxhovi e shkroi Historinë”)

Pse juve Zoti Fuad Ramiqi ,nuk iu brengosë vjedhja e historisë sonë?

Një farë Shafarik në librin e tij:” Starozhitnosti” po shkruante:” Serbët jetojnë në Europë që nga kohërat shumë të lashta ,dhe si popull i tillë e ka origjinën shumë të lashtë. Serbët e paskan banuar krejt Europën dhe shumë pjesë të Azisë dhe nga kjo rrjedhë thënja serbe :” fol serbisht që të kupton bota e tërë” Gjuha e vjetër serbe sipas tij . qenka plotësisht e ngjashme ate të të sotmen serbe, e që qenka një fenomen i rrallë.

” Milosh Milojeviç po shkruajka se serbët kanë jetuar që nga parahistoria në tokat e sotme; prej Italisë ,Detit Mesdhe e deri në Greqi , prej Adriatikut e deri në Detin e Zi ”

Edhe bualli kishte për të pëlcitur  sikur të dëgjonte edhe këte:  ”Serbët  e kanë filluar numrimin e vitëve  që nga viti 5508 para Krishtit. dhe se Stefan Brankoviqi paska pas vdekur në vitin 6935. Car Lllazari paska vdekur në vitin 6893 . Nëse  Mesopotamët e paskan filluar numrimin e vjetëve 3200 vjet paraKrishtit , Egjiptasit 3000 vjet prK. serbët ishin të parët në historinë e njerëzimit (Draško Šćekić -“Srbi – istina o srpstvu od iskone”)

Kurse unë gjer sa po e shkruaj këtë shkrim  ,sipas kalendarit serb qenkam në vitin 7521.

Po ju me cilin kalendar jeni?

Mos të harroj se edhe Athinën dhe Akropolisin e paskan pasë ndertura serbët?

Fahri Xharra

Gjakovë 24.05.13

 

 

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Fahri Xharra, Serbet po na vjedhin historine

FLAMURI, “SHKËNDIJA” DHE “NERONËT” E MANASTIRIT

May 27, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues. Këtë vështrim po e filloj me një mendim të një gjermani që kishte jetuar në shekullin që lamë pas, i cili, pos të tjerash, kishte shtruar filozofinë si vijon: “HISTORIA  PËRSËRIT  VETVETEN, SË PARI DUKE U PARAQITUR SI TRAGJEDI, SË DYTI SI FARSË”! Nëse mua nuk më mashtron mbamendja, do t’i kthehem vakisë së 28 Nëntorit të motit 2012, kur njëqind vjet më parë, mendjendrituri  dhe atdhetari vlonjat, Ismail bej Qemali, diku në një lagje të kasabasë së Vlorës shpalli mëvetësinë e shtetit shqiptar. Se ajo ditë u karakterizua me eufori të pakontrolluar e diku-diku e ngjyrosur me “tallava”, të gjithë ne sot jemi të vetëdijshëm. Se, ishte një ditë e veçantë edhe këtë e dimë…, se ato hapësira u kuqërrisën me flamurin shqiptar, edhe këtë e kemi në dijeni, por ama, se atë ditë e “shndërruam në një tallagan të qëndisur”, sot e kësaj dite, së paku unë, nuk jam i ndërgjegjshëm. Në atë ditë gjithandej u valëvit flamuri kombëtar. Ishte kopjuar në qindra mijëra ekzemplarë. Atë e tundën edhe foshnjarakët dhe s’dimë kush tjetër. Vetëm dy miqtë e mi (bashkëmoshatarë) nuk donin ta valëvitnin flamurin!? Njëri është kumarxhi (njihet si tregtar flamujsh i provuar në vite si dhe me synimet e tij zhvatëse), ndërkaq tjetri njihet si ikona e ndërgjegjes kombëtare-tetovare. Që të dyve ua parashtrova të njëjtën pyetje se pse nuk po e valëvitin flamurin!

I pari, më dha këtë përgjigje: “Or qerrata, ç’më duhet mua ta valëvis kur me atë unë luaj kumar, e kopjoj dhe e shes si sapunin për djathë”!???

I dyti, sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhepin e djathtë të xhupit, atë xhup që shumë kohë më parë ia kishte dhuruar një atdhetar nga një qytet shqiptar rreth shtetit amë…, më tha: “Eh, ti miku im, sa (nuk) më pëlqen kjo pyetja jote…, jo se nuk ma do xhani ta valëvis flamurin, por më ka “tradhtuar takati”, s’i bëj dot ballë përgjegjësisë morale…, nuk mund ta mbaj, ka peshë të madhe, aq sa rëndon pesha e dheut të vatanit”!

Në përgjigjen e ikonës nga Tetova nuk kishte indiferencë, nuk kishte profka, pendime, paragjykime, parafrazime politike a pseudopatriotike, përveç një dozë dyshimi sa u përket personazheve të tragjikomedisë shqiptare, të cilët frymojnë dhe veprojnë këtejpari hapësirave të fushëpollogut, e të tjera konceptime të qarta dhe të qëndrueshme. Përgjigjja e kumarxhiut ishte boshe, ai kishte mendjen te evenimentet e radhës që do të organizoheshin për këtë qëllim, ai ka mendjen te “tyxharllëku”!

Unë deri para ca kohësh nuk “doja t’i besoja” asaj parashtresës filozofike të gjermanit se “historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë” (ai vëllaçkoja im më tha: kush je ti që të mos besosh). A mos vallë disa ditë më parë nuk u përsërit ajo historia e klubit të futbollit “Shkëndija” nga Tetova…, a mos harruam kur para shumë vitesh ne, tifozët e saj, e ndëshkuam atë me largim nga Liga e parë…, a mos vallë këta të rinj, tifozë të “Shkëndijës”, nuk kanë dëgjuar shpjegimet e prindërve dhe të gjyshërve të tyre sa i përket “historisë tragjike” të klubit në fjalë! A mos vallë nuk e mësuan atë parathënien e parullës: “Të jesh tetovar, e të mos jesh me Shkëndijën, është njësoj sikur ta kundërshtosh a mënjanosh arsyen e shëndoshë…, të mos jesh me të, është njësoj sikur të tallesh me ngjyrat e saj (janë ngjyra që karakterizojnë simbolin tonë kombëtar)…, të mos dashurosh Shkëndijën, është njësoj sikur t’i bësh tifozllëk kundërshtarit të saj. Ne do t’i kuptojmë tifozët e Shkëndijës, aq sa ata nuk do ta ndotin fjalorin e gjuhës sonë të bukur (hiq mënjanë fjalorin denigrues të palës tjetër). Për këtë dhe arsye të tjera, ne nuk duhet të lejojmë që kjo histori e Shkëndijës, të na paraqitet si tragjedi…, si farsë mashtruese. Kjo e fundit dhëntë Zoti,  t’u takojë historive të të tjerëve. Neve, nuk na duhet, po qoftë të na e japin pa pare.

Dhe shih ti, lexuesi im i nderuari, disa ditë më parë, si “për inatin” tonë, historia përsëriti vetveten!??…, kur ca milingona apo thuaj edhe vandalistë maqedonas, demoluan Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Nëse Neroni dogji Romën, atëherë ç’u duhej “neronëve” maqedonas, që në vigjilje të festës së tyre të arsimit, ta nëpërkëmbin kështjellën e mbamendjes sonë morale, kulturore a edhe arsimore!? Ç’u duhej atyre kjo mendësi e mbrapshtë provinciale a katundareske…,  ç’u duhej të shfrynin hundët në themelet e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, ç’u duhej të shfryjnë urrejtjen a dufin e tyre të akumuluar!??…, ç’u duhej ky gomarllëk dhe  kjo lehje zagarësh, a mos vallë menduan se janë zagarë të beut!?? Tekefundit, “neronizmi” është një karakteristikë thelbësore e popujve barbarë, të cilët jetojnë me të keqen dhe për hir të së keqes, me shovinizmin “shtetmadh” si dhe me politikën revanshiste. Nëse vandalët, huliganët dhe barbarët mendojnë se me shembjen e historisë së Kongresit të Manastirit të motit 1908 do ta ushqejnë historinë e tyre të sajuar, atëherë  fund e krye e kanë gabim…, mbase nuk bëhet histori me lecka, mbase  nuk mund të lexosh një histori të paqenë si me qenë ajo e gjallë. Në mungesë të argumenteve ndonjëherë edhe gënjeshtra a fjala e rreme bëhet fakt a provë. Dikur një njeri me mend kishte nxjerrë këtë proverb popullore: “NË MUNGESË TË ZOGJVE, EDHE B…., ËSHTË BILBIL”!

Të nderuar lexues, para se t’i jap fund këtij vështrimi, ku për referencë mora atë mendimin e gjermanit, do t’ju sjell këtu një tregim të shkurtër. Një ditë më parë një oftalmolog  i kishte sugjeruar mikeshës sime të mbante syze dielli. Meqenëse unë nuk mbaj syze, ajo mikesha ime m’u duk  karizmatike, e pashme dhe më serioze. Imazhi i saj lëre që më “gënjeu”, por edhe më tundoi që t’i dedikoj një kompliment të hollë. E ngazëlluar nga kjo “gjysmëlëvdatë” ma ktheu me një “faleminderit”. Iu drejtova duke i thënë: Pa më thuaj, si më sheh mua… Më tha se të shoh bardhë e zi! Eh, thashë me vete, sa budallaqe që është kjo mikeshë kur mëton të kapet pas degëve e jo pas trungut me syzet e errëta të metalurgut. Në fund të bisedës iu drejtova: Ti, mikeshë e nderuar, në do të ma shohësh “surratin”, në do të ma lexosh historinë time kombëtare ashtu ashiqare, do të duhet t’i heqësh syzet, sepse atëherë me tamam dhe pa hile do më perceptosh. Dhe ajo nuk i hoqi “gjyzlykët”. Sikur t’i hiqte syzet, atëherë do duhej që edhe kryepeshkopi i saj të hiqte litarin e kambanës së kishës së qytetit të Manastirit. Ortodoksët thonë se kambanat bien në kohë të caktuar dhe në raste të jashtëzakonshme. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Manastirit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, Flamuri, Neronet e Manastirit, Shkendija

Korrigjimet në tekstet e historisë

May 27, 2013 by dgreca

Në shkrimet për kohën e shkuar gjithmonë janë fshehur paralajmërimet për të ardhmen/

Shkruan: Akademik Mehmet Kraja/

Pse duhej të ndodhte?

Historia krijon vetëdije dhe botëkuptim, prandaj sulmet ndaj historisë së një populli që prej kohësh konsiderohen si sulme ndaj identitetit dhe qenies kombëtare. Politika, regjimet dhe ideologjitë vazhdimisht kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të kujdesshme ndaj historisë, sepse në shkrimet për kohën e shkuar gjithmonë janë fshehur paralajmërimet për të ardhmen.

Asnjë histori deri më sot nuk është shkruar pa përzierjen e pikëpamjeve politike në diskursin historik, madje, në disa raste, shkrimi historik ka mundur të shërbejë si pararendës i zhvillimeve të mëvonshme politike.

Prandaj, nuk ishte e rastit që më 2002-3, në situatën e një krize të përgjithshme të ideve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, atëherë kur në bashkësinë ndërkombëtare u rifuqizua ideja e kthimit te Kosovës nën administrimin e Serbisë, u shfaq edhe kërkesa e Këshillit të Europës, në formë të rekomandimit, që në tekstet e historisë për shkolla tetëvjeçare dhe të mesme të Kosovës të bëhen disa korrigjime, të vogla, të parëndësishme në dukje të parë, por esenciale në substancë.

Në pamje të jashtme korrigjimet kishin këtë synim: që nga tekstet tona të historisë të mënjanohej diskursi i ashpër nacionalist, në mënyrë që te fëmijët shqiptarë të Kosovës të mos krijohej urrejtja ndaj popullit serb, sepse, sipas një parimi të përgjithshëm, për atë që kishte ndodhur në Kosovë nuk mund të ishte fajtor populli serb, por regjimi, pushteti, pra Millosheviqi.

Prandaj, kudo që veprimet negative të Serbisë në Kosovë ishin identifikuar si “serbe”, u zëvendësuan me “shtetërore”, ndërsa në shumë vende “pushtuesi serb” ose u hoq në tërësi, ose u zëvendësua me “pushtetin”.

Këto korrigjime, në substancë, kishin implikime të mëdha për historinë mbi njëqindvjeçare të Kosovës në raport me Serbinë, por, mbi të gjitha, në luftën e vitit 1999.

Tani dilte se Serbia nuk kishte qenë asnjëherë pushtuese në Kosovë dhe se luftërat e shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë, përfshirë edhe luftën e UÇK-së, nuk kishin qenë luftëra çlirimtare, por më shumë një konflikt i “shqiptarëve etnikë” me pushtetin, i cili ua shkelte liritë dhe të drejtat.

Këshilli i Europës desh ta sillte situatën në këtë pikë dhe për këtë qëllim tregoi gatishmëri të financonte korrigjimet e teksteve dhe ribotimin e tyre. Shumë më e rëndë se historia e shkruar, ishte historia që përgatitej të jetohej: nëse shqiptarët e Kosovës kishin luftuar kundër pushtetit dhe jo kundër pushtuesit, atëherë ndryshimi i pushtetit në Serbi (me një garanci eventuale ndërkombëtare) vetvetiu nënkuptonte kthimin e Kosovës atje ku kishte qenë para vitit 1999.

Do vërejtur se grupi i historianëve që i propozoi ndryshimet në tekstet shkollore më 2003, njësoj si edhe strukturat e Ministrisë së Arsimit, vinin nga provenienca politike e LDK-së, së cilës, në kontekstin e zhvillimeve politike të atyre viteve, i shkonte përshtat minimizimi ose një paraqitje sa më inverzive e luftës së UÇK-së, sepse trashëgimia e kësaj lufte e bënte kundërshtarin e saj politik tepër të fuqishëm.

 

Dhjetë vjet më vonë…

Dhjetë vjet më vonë situata në Kosovë paraqitet krejtësisht ndryshe: Kosova është shtet sovran me shumë njohje ndërkombëtare, loja me statusin e saj ka marrë fund dhe nuk ka rrezik që ajo të rikthehet nën Serbi në asnjë rrethanë, në pushtet tani nuk është LDK-ja, por PDK-ja etj.

Përdorimi politik i historisë nuk vazhdoi aty ku mund të pritej dhe të supozohej, në valorizimin folklorik të UÇK-së, sepse ky valorizim tashmë mund të quhet i përfunduar, pa gjetur ndonjë kundërshtar aq të denjë dhe të fisëm. Por, papritmas u shfaq në horizont një kërkesë tjetër:

Qeveria e Turqisë filloi një trysni të paparë mbi institucionet e Kosovës, për të spastruar tekstet e historisë të ciklit parauniversitar nga përmbajtjet që denigrojnë Perandorinë Osmane, në këtë fushatë u angazhua kupola më e lartë e shtetit turk, duke filluar nga kryeministri, ministri i Jashtëm, ministri i Arsimit dhe, natyrisht, ambasadorja në Prishtinë, e cila tashmë ka marrë në dorë kryerjen e punëve operative.

Ngjashëm me rastin e dhjetë viteve të shkuara me rekomandimet e Këshillit të Europës, Ministria e Arsimit e Kosovës përsëri bëri një komision, për të identifikuar pikat nevralgjike ku duhej ndërhyrë, tani komisioni nuk përbëhet vetëm nga historianët, por përfshin edhe gjeografë, albanologë, osmanologë etj, pra, një spektër të gjerë të “dinjitarëve” kosovarë, të angazhuar pa hile që nga kjo lojë të dalë e fituar Turqia dhe shteti i Kosovës të nëpërkëmbët sa më fort.

Themi kështu, për shkak se planet dhe programet mësimore janë çështje të shtetit dhe ndërhyrjet nga jashtë në përmbajtjet mësimore mund të konsiderohen si shkelje e sovranitetit.

Më anë tjetër, përfshirja e pashembullt i kupolës më të lartë politike të shtetit turk në këtë çështje, bën të ditur se trashëgimtarja e sotme e dinastisë së dikurshme të selxhukëve, Turqia bashkëkohore, krahas fuqizimit ekonomik, në programin e vet kombëtar e ka ndryshimin e imazhit të pushtuesit të dikurshëm të Ballkanit.

Që në vitin 2009, në një konferencë për çështjet e Ballkanit mbajtur në Sarajevë, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, pasi u shpreh me fjalë mallëngjyese “për sundimin e lavdishëm osman”, i cili “i solli dritë dhe emancipim Gadishullit Ballkanik”, “u bëri thirrje popujve ballkanas, e në radhë të parë Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës që t’i kthehen prapë asaj kohe të artë” (citimi sipas Kadaresë, “Mosmarrëveshja”, faqe 35).

Për të realizuar këtë program kombëtar, Turqia e sotme ka gjetur terren të përshtatshëm në tre shtetet e përmendura të Ballkanit, njësoj si në dy ose tre shtete të Azisë së largët: paqëndrueshmërinë ekonomike, trashëgiminë historike dhe mentalitetin anadollak. Kriza ekonomike në Europë i shkon përshtat kësaj rrethane, sepse në shtetet e Ballkanit mungojnë ndjeshëm investimet perëndimore, ndërsa Turqia paraqitet prijëse në eksportimin e kapitalit në këtë rajon, duke krijuar një atmosferë biznesi krejtësisht orientale në këto vende të përfshira nga transicioni i mundimshëm.

Pra, thënë ndryshe, Turqia e sotme e ka vendosur të mos bëjë investime vetëm për leverdi ekonomike, por duke imponuar edhe synimin e saj për një rol të ri në këto hapësira, i cili shkon deri te projeksioni fantastik i rikthimit në skenë të Perandorisë Otomane, natyrisht me një pamje të re dhe me veshje të re botëkuptimore dhe doktrinare.

 

Bashkëpunimi në gjenocid

Tani mbetet çështje e diskutueshme se cilat janë interesat e shqiptarëve në këto aspirata të Turqisë dhe se me çfarë çmimi duhet ta paguajnë mbështetjen politike dhe ekonomike që ky shtet ua bën klasave politike shqiptare.

Çmimi më i rëndë dhe më i papërballueshëm do të ishte krijimi i një amalgame identitare joeuropiane, një mallkim ky që u ka qëndruar mbi kokë shqiptarëve, së paku njëqind vjet para se ta bënin shtetin dhe njëqind vjet pasi e bënë shtetin shqiptar.

Përgjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare, përfshirë edhe Lidhjen e Prizrenit, Lidhjen e Pejës, kryengritjet që i patën paraprirë formimit të shtetit shqiptar, pra përgjatë gjithë këtyre zhvillimeve me parashenjë të qartë kombëtare, në lëvizjen shqiptare ka vepruar e pandarë një rrymë proturke, e cila në disa çaste vendimtare arriti ta devijonte çështjen shqiptare, qoftë duke u bërë zë i fuqishëm vetëm për një autonomi shqiptare në kuadër të Turqisë, qoftë edhe më vonë, duke synuar ta bënte shtetin shqiptar “një Turqi të vogël në Ballkan”.

Ishte meritë e një klase politike dhe një klase intelektualësh properëndimorë, të cilët, gjatë viteve njëzet dhe tridhjetë të shekullit të kaluar, përfundimisht e shkëputën Shqipërinë nga trashëgimia anadollake. Mirëpo, në Kosovë, për shkak të zëvendësimit të një pushtuesi me një pushtues tjetër edhe më të egër, nuk u zhvillua procesi i shkëputjes emancipuese nga orientalizmi dhe turqizmi, madje, sikundër dihet, ruajtja e trashëgimisë otomane në të gjithë përbërësit e jetës shoqërore u stimulua nga programi nacional serb.

Çuditërisht, jo Turqia e sulltanëve, por Turqia e Ataturkut u bë aleate e fuqishme e njërës dhe tjetrës Jugosllavi për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Asgjë nuk ndihmoi që kjo të mos ndodhte, as lidhjet tradicionale shqiptaro-turke, as minoriteti i madh shqiptar në Turqi, as prania e madhe e shqiptarëve në nivelet më të larta të administratës civile dhe ushtarake të shtetit turk.

Kosova u lëndua rëndë nga marrëveshjet e fshehta dhe traktatet e mbetura në tentativë ndërmjet Mbretërisë Jugosllave dhe Turqisë, apo të Titos me Kypriliun në vitin 1953 në Split. Që të mund të ndërronte imazhin e saj negativ, tashmë jo otoman, por modern, Turqia do të duhej të kishte kurajë t’i kërkonte falje popullit të Kosovës për këtë gjëmë të madhe që i shkaktoi, duke u bërë aleate e programit nacional serb në gjenocidin e hapur ndaj popullit të Kosovës.

Po kaq lëndues për shqiptarët është edhe një fakt tjetër: në njërën anë, arroganca me të cilën ajo kërkon t’i avancojë të drejtat e minoritetit turk në Kosovë, ndërsa, më anë tjetër, minoritetit shqiptar në Turqi nuk ia njeh asnjë të drejtë. Nxjerrja si pengesë e zgjidhjeve kushtetuese që aplikon Turqia ndaj minoriteteve kombëtare është justifikim i paqëndrueshëm, sepse, kur Erdogani ka interes të fuqizojë pushtetin civil mbi atë ushtarak, ndryshimet kushtetuese i bën pa hezitim.

 

Diskursi apo përmbajtja?

Ndryshimet, për të cilat këmbëngul administrata e lartë e shtetit turk, në dukje të parë nuk janë të papërballueshme, sepse ngjajnë disi kozmetike, sikur prekin dizajnimin e historisë, pra shkrimin dhe jo substancën, jo përmbajtjen, jo faktet historike.

Pavarësisht nga mjegulla që mund të krijohet rreth kësaj çështjeje, qëllimi mbetet po ai: të bëhet “ç’mitizimi” (siç do ta quajë këtë proces njëri nga mbështetësit e këtyre ndryshimeve) i rolit negativ të Perandorisë Osmane në historinë shqiptare, jo sa për sy e faqe, por duke i krijuar favore Turqisë bashkëkohore.

Pra, sipas mbështetësve të këtij procesi, historiografia shqiptare e ka mitizuar rolin negativ të Perandorisë Osmane dhe, duke e quajtur atë “pushtuese të egër”, përçon mesazhe negative edhe për Turqinë bashkëkohore.

Prapavija është politike, nuk është aspak shkencore. Si në rastin e Këshillit të Europës, kur synohej që, duke zëvendësuar “pushtuesin serb” me “pushtetin serb” të krijohej një klimë e favorshme për kthimin e Kosovës nën Serbi, po sipas këtij modeli, historiografia shqiptare që e quan Perandorinë Osmane “pushtuese të egër”, bëhet pengesë që doktrina e Davutogllusë të gjejë hapësirë me të gjerë veprimi ndër shqiptarët.

Më anë tjetër, pavarësisht kamuflazhit, korrigjimet dhe ndryshimet nuk janë aspak periferike, jashtësore, por prekin esencën e trashëgimisë kulturore shqiptare, prekin vetë konceptin e historisë sonë, kuptimin e saj, vlerën e saj.

Për shkollarët shqiptarë, të Kosovës apo të Shqipërisë, ç’kuptim mund të ketë Skënderbeu me krejt historinë dhe krejt literaturën që i shoqëron bëmat e tij, nëse përball nuk ka sulltanët pushtues, por ca përhapës të emancipimit? Ç’kuptim mund të kenë letërsia dhe dijet humane të Rilindjes Kombëtare, nëse përball tyre nuk qëndronte një pushtues që ua kishte mohuar lirinë shqiptarëve, por dikush që rrezaton kulturë dhe civilizim?

Idetë se shqiptarët kanë marrë pjesë aktive në ndërtimin e Perandorisë Osmane dhe se i kanë shfrytëzuar favoret që ua ka krijuar ajo, janë kryekëput ide të historiografisë serbe. Fundja, historia e popujve të botës asnjëherë nuk është shkruar duke madhëruar vasalët dhe kolaboracionistët e pushtuesve, sado të shumtë që mund të kenë qenë ata, sikundër që as e drejta e popujve për liri nuk përcaktohet nga ky ves i shëmtuar njerëzor.

Për më tepër, çdo shtet normal dhe çdo komb i emancipuar, prekjen nga dikush i jashtëm në gjëra kaq esenciale, siç është vetë kuptimi i mësimit të historisë, do ta konsideronte shkelje të dinjitetit, përçmim dhe fyerje.

 

Kush janë mbështetësit?

Idetë për një rol tjetër të Perandorisë Osmane në zhvillimet historike në botën shqiptare, në historinë e Kosovës në veçanti, kishin një mbështetje edhe para se të shfaqeshin në formën e tanishme.

Që në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në Prishtinë, në periudhën e liberalizimit të dijes historike, në mesin e historianëve tanë (me gjasë, nën ndikimin e historianëve të Turqisë) ishte shfaqur teza se islamizimin e shpejtë dhe masiv të shqiptarëve të Kosovës nën Perandorinë Osmane duhej parë në një këndvështrim pozitiv, sepse, sipas kësaj teze, ka qenë pikërisht ky islamizim që i ka ndihmuar ata të ruajnë identitetin dhe kombësinë, kundrejt sllavizimit, i cili i asimiloi në masë të madhe shqiptarët e krishterë në Kosovë dhe në viset përreth saj.

Sesa është e paqëndrueshme kjo tezë, mjafton të sjellim në vëmendje faktin se ishte pikërisht myslimanizmi sllav ai që hoqi përgjithmonë nga posedimi shqiptar Tivarin, Plavën, Tutinin dhe Pazarin e Ri.

Më vonë, po këta zëra, ose të ngjashëm, hodhën idenë se Skënderbeu e ka dëmtuar substancën shqiptare me luftërat e tij kryeneçe kundër një perandorie të madhe, siç ishte Perandoria Osmane. Këto shqyrtime, ndonjëherë pseudoshkencore dhe ndonjëherë krejtësisht të përhanta, nga qarqet e disa historianëve u zhvendosen pak nga pak në rrethe fetare ose gjysmë fetare dhe gjysmë shkencore apo intelektuale.

Duke ndjekur mënyrën e ndërtimit të doktrinave ideologjike, ligjësia historike shartohet me dogmën, në këtë rast me dogmën fetare, duke deformuar kështu jo vetëm perceptimin e historisë, por edhe krejt kuptimin e luftërave për liri, te shqiptarët dhe te mbarë popujt e botës.

Ky është instrumentalizimi më i keq i historisë për efekte joshkencore. Por historia nuk mund të quhet e vlershme, nëse në interpretimin e saj nuk projektohet e ardhmja. Për mbështetësit kosovarë të doktrinës së Davutogllusë, rikthimi në skenën ballkanike të një perandorie turke në kufijtë e Perandorisë Osmane, nëse jo me kufij politikë, atëherë gjithsesi me kufij ekonomikë, fetar dhe kulturor, së pari, do të fuqizonte faktorin shqiptar në Ballkan, madje duke arritur ta bashkojë atë, siç ishte i bashkuar në kohën e asaj perandorie (si alternativë e bashkimit të paarritshëm europain); dhe, së dyti, bërja e Kosovës republikë islamike, sipas tyre, do të shkonte më lehtë përmes një islami të moderuar, të tillë çfarë e kultivon Turqia moderne.

Shqyrtimet e këtilla mendjelehta, të cilat fshehin brenda ca dredhi primitive, nuk besoj të krijojnë hapësirë më të madhe në botën shqiptare të ideve, sikundër që edhe kjo trysni politike e radhës mbi historiografinë, kulturën dhe mendimin shqiptar do të dëshmohet si një recidivizëm tragjik, i frikshëm për nga egërsia, por me parashenjën e qartë të dështimit pa alternativë.

Filed Under: Komente Tagged With: korrigjimet, Mehmet Kraja, ne tekstet e historise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5427
  • 5428
  • 5429
  • 5430
  • 5431
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT