• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNITET- NDERROI JETE NE NEW YORK SADIK RUGOVA

April 15, 2013 by dgreca

Nga Beqir Sina/

YONKERS NY : Qindra vetë të pikëlluar e përcollën për në banesën e fundit në varrezat qytetare “Kensico Cementary” Vallhala – Yonkers, NY, Sadik Ramë Rugovën, i cili u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare. Ceremoni mortore u zhvillua në shtëpinë mortore F. Ruggiero & Sons, Inc. Funeral Home Yonkers. Ndërkohë, që në shenjë respekti për ti dhënë lamtumirën e fundit, erdhën dhe figura të shquara të komunitetit, veprimtarë të dalluar si dhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë në Nju Jork.

Imam Rifat Halili, nga Xhamia e shqiptarëve në Garfield, kreu të gjitha shërbimet fetare sipas zakoneve të fesë muslimane, dhe mbajti me këtë rast një liturgji të thukët fetare.

Arkivoli me trupin e tij, ishte i mbuluar nga një numër i madh i kurorave me lule të freskëta, dhe i rethuar në të dy anët nga anëtarët e familjes, që prisnin e përcillnin vargun e gjatë të njerëzve që kishin ardhur t’i jepnin lamtumirën e fundit dhe ndanin së bashku hidhërimin.

Kortezhi i madh i njërëzve për në banesën e fundit u shoqëruar edhe nga makinat e policisë së prefekturës së Yonkersit, dhe makinat e trupave të poliicisë shtetërore, deri në në varrezat qytetare “Kensico Cementary” Vallhala – Yonkers, NY, ku ju dha edhe lamtumira e fundit.

Për jetën dhe veprën e Sadik Ramë Rugovës, një fjalë rasti(nekrologji) mbajtën Vesel dhe Riza Rugova .

Sadik Ramë Rugova, u lind më 20 tetor 1940 në fshatin Hakaj treva e Plavë – Gucisë, ku mori edhe njohurit e para shkollore në vendlindjen e tij.

Ai lindi para 72 vjetëve në fshatin Hakaj të Malsisë së Plavës e Gucisë, një fshat ky i cili bënë pjesë në grup fshatrat e kësaj treve, e cila i ka dhënë aq shumë histrorisë sonë kombëtare në luftën shekullore për liri të shqiptarëve.

Sadiku është një nga pinjollët i një familje bujare, dhe me tradita të njohura kombëtare, ku patriotizmi dhe atdhedashuria e mbajti gjallë qënëjen e tyre shqiptare. Ai ishte trashgëmtari i Ramë Rugovës, i cili njihet në këto anë si njeri i burrërisë, bujaririsë dhe trimërisë, sa herë që e lypën nevojat e kohës, për të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kësaj ane, e cila është e dalluar për luftëtar trima, njerëz të mençur dhe të denjë në mbrojtjen e tokave shqiptare, në këtë trevë, që ka qenë gjithmonë djepi i trimërisë dhe patriotizmit.

Traditë, kjo, që u përcoll më pasë edhe nga trashgimtarët e tyre, e ndër ta edhe tek Sadik Ramë Rugova, i cili i kishte vënë detyrë vetes dhe familjes së tij: “për të ruajtur amanetin e të parëve dhe për të ecur gjurmëve të nderit e traditës, për të pasë peshë fjala dhe besa e dhënë”

Në vitin 1971 mbasi jeta e tij në trevat shqiptare nën ish jugosllavi ishte bërë e padurueshme për shqiptarët, për shkak të shtypjes dhe represionit që ndiqte atëhere, regjimi sllavo – komunistë, ndaj shqiptarëve në këto treva, me qëllim spastrimin e shqiptarëve, Sadik Ramë Rugova i detyruar lëshon vendlindjen e tij, së bashku me gruan dhe tre fëmijët Manja, Nimani dhe Isufi.

Përkohësisht qëndroi në kampet e refugjatëve në Itali, derisa në vitin 1974 emigroi në SHBA, ku i lindi edhe një fëmijë, vajza e tij Zoja.

Në SHBA, erdhi së bashku më vëllan Mustafën dhe gjeti mbështetjen e Adem Çelës, një mik i tij – nga këto anë, i cili ishte bërë atëhere garanci për emigrimin e tyre, ashtu si ishte bërë më parë edhe për dhjetra familje të tjera shqiptare, të cilat emigruan në Amerikë, nga këto anë dhe e gjetën një “derë të hapur dhe zemër madhe”.

Sadiku emigroi për në SHBA, në vitin 1971, me mendimin të qëndrimit të përkohëshëm dhe se një ditë do të kthehej përsëri në vendlindjen e tij që e donte aq shumë. Por ashtu si mijëra bashkëatdhetar të tjerë, edhe për të, “ndodhi ajo që ndodh” me të gjithë emigrantët, përkundrejt dëshirës dhe vullnetit, u vendos për të mos u “kthyer” më, nga vëndi i ëndërrave, lirisë, dhe shpresave ; në SHBA, me mëndje dhe zëmer gjithmon kah vendlindja e vet – në Hakaj të Malcisë së Plavë e Gucisë, në Kosovën martire.

Në Nju Jork, menjëher ra në kontakt me veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, patriot e nacionalistë të flakët të çështjes kombëtare, duke pas si ideal të tyre, vetëm një gjë: lirinë, çilrimin dhe pavarësisë e Kosovës, të drejtat e shqiptarëve nën okupimin sllavo – komunist të ish Jugosllavisë.

Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, gjatë asaj kohe, edhe Sadik Ramë Rugova, që panë Shqipërinë si vendin Nënë! ishte shumë i lidhur me Shqipërinë. Aktiviteti dhe veprimtaria e tij shtrihet menjëher në SHBA, në organizatën e njohur në emigracion në atë kohë, atë të vëllezërve Gërvalla, e cila i priu luftës dhe përpjekjeve që bënë shqiptarët në diasporë kundra sundimit të egër sllavo – komunistë të Sërbisë, dhe veglave të tyre në mërgim.

Në SHBA, ishte pranë gjithë Shqipëtarëve në festat kombëtare, tubmi, dhe demostrat, përpjekjet e shqiptarve të Amerikës, rrugve dhe shesheve në Washington dhe New York, aty ku bëhej lufta dhe shtoheshin përpjeket e shqiptarëve të Amerikës, në qëndresën e fortë, dhe mbajtën gjallë të frymës tonë kombëtare.

Ai punojë shumë dhe u bë i sukseshëm në biznes, si tillë u bë shëmbull për bashkëatdhetarët, e tjerë, ku ai shpesh herë ishte strehë e njerëzve në nevojë. Ai ka qenë gjithmon aktivist dhe veprimtar i dalluar në organizmin dhe financimin e shumë aktiviteteve, deri sa më në fund i lumtur e krenar ndjeju gëzimin më të madh të jetës së tij, kur e pa Kosovën të lirë e të pavarur.

Kosova e lirë dhe e pavarur ka qenë gëzimi më i madh i jetës së tij, sa që gjithmonë thoshte “Tash edhe me vdek me duket si me le”, mbasi Kosovën e kemi pa shkajun nbi krye

Sadik Ramë Rugova, i rezistoi dhe përballoi të gjitha vështërsit e jetës, ashtu siç është dhe vetë jeta e emigrantit dhe banorëve të këtyre anëve. Por, ai u shqua edhe për ndershmëri, punë , djersë dhe një përkushtim të pashoq për familjen dhe vendin e tij – atdheun e tij Shqipërinë e Kosovën.

Ai ndërtoi një jetë të mirë për vete dhe familjen e tij duke lënë trashgmninë e tij të lumtur dhe krenar për veprën e babait të tyre, i cili nuk kurrsej asgjë, për familjen, kombin dhe Kosovën që e donte aq shumë.

Sadiku, ishte familjar i devotëshëm duke lënë pas vetit një familje me traditat më të bukura shqiptare, me edukat të lartë dhe të shkolluar, veprimtar të çështjes shqiptare, biznesmen të susksesshëm. Duke e përmbyllyr kështu edhe kaptinën e jetës së tij të suksesshëme; si një shembull i mirë edhe për brezat që do të vijnë.

Dekada e fundit ishte më e vështira e jetës së tij – mbasi vuajti nga një sëmundje e gjatë dhe e pashërueshme. Në moshën 72 vjeç, Sadik Ramë Rugova, i rrethuar nga gruaja e tij, katër fëmijët, plot nipa e mbesa, dashamirë dhe miq të familjes, mbylli syt një erë e përgjithmonë.

Kurse, të shtunën në mesdrekë, anëtarët e familjes Rugova, mbarë farefisi i tij, miq, shok dhe dashamirë të familjes Rugova në SHBA, qindra vetë nga të gjitha trevat erdhën të pikëlluar dhe e përcollën sipas zakoneve tona për në banesën e fundit për në amshim në varrezat qytetare “Kensico Cementary” Vallhala – Yonkers, New York.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, nderroi jete, ne New York, Sadik Rugova, Yonkers

VIZION PËRBASHKUES PËR DIASPORËN SHQIPTARE SI VLERË KOMBËTARE

April 15, 2013 by dgreca

SHKRUAN ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)/

Shqipëria dhe Kosova; komuniteti shqiptar shtetformues në Maqedoni; komuniteti shqiptar vetqeverisës vendor në Luginën e Preshevës; pakica kombëtare shqiptare në Mal të Zi; shqiptarët e Greqisë pa status të plotë të emigrantit për dy dekada; diaspora e shqiptarëve në Europë dhe ajo në Amerikë po dëshmojnë se nuk janë në një zë kur bie fjala për ardhmërinë e Çështjes Kombëtare Shqiptare në tërësi.

Kur themi “një komb- një qëndrim”, të gjitha çfarë përmënda më lart duhen marrë në konsideratë për të patur një strategji të përbashkët për Çështjen Kombëtare që ende nuk e kemi. Dhe patjetër duhet të mendojnë për këtë të gjithë faktorët qeverisës dhe shoqërorë të shqiptarëve në Ballkan dhe në Diasporë.

Kurrë ndonjëherë në historinë tonë kombëtare s’kemi patur kaq përkrahje dhe vëmendje të plotë nga Amerika dhe Europa Perëndimore në Tiranë dhe Prishtinë apo dhe ndër komunitetet shqiptare në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Dhe ka një arsye të fortë përse ne e kemi këtë miqësi. Edhe interesat e tyre po e po, por edhe prej Diasporës Shqiptare që është kthyer në të vetmin ambasador të vërtetë, sepse sakrifikoi dhe ja doli mbanë që çdo familje shqiptare të gjente vetveten e të përfaqësojë me dinjitet vlerën kombëtare, dhe të realizojë aspiratën për liri e rend demokratik me ekonomi të zhvilluar në vendet pritëse ku liria dhe mundësitë e jetesës janë më të prekshme.

Ne shqiptarët ndër më të vjetrit e Europës si komb, jemi me shumicë mërgimtarësh jashtë kufijve natyralë, disa milionë, për arsye që tashmë dihen si: prej luftrave pushtuese të perandorisë Turke dhe prej ndarjes së padrejtë nga Fuqitë e Mëdha që me Traktatin e Shën Stefanit e mandej, njëqind vjet më parë, më 1913, me ndarjen politiko-gjeografike të truallit etnik në Ballkan në interes të fqinjëve satelitë të Rusëve më shumë dhe shteteve të Europës Perëndimore.

Arsye të tjera të largimit nga trualli etnik janë regjimi asimilues dhe spastrues ndaj shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës Lindore në Jugosllavinë e dikurshme apo dhe Serbinë e sotme, nga dëbimë më një gjenocid të paparë të popullsisë Çame që ende lëngon vendlindjen e saj si dhe nga instalimi i regjimit komunist në Shqipëri.

Dhe më e fundit ishte vala e Re e pas 1990-ës e Diasporës larguar nga Shqipëria fill pas rënies së regjimit komunist me shpresën e Lirisë dhe mundësive ekonomike për një jetë më të mirë në Greqi dhe në vendet perëndimore.

Historikisht Diaspora Shqiptare e ka udhëhequr ose e ka përkrahur me para, me diplomaci, dhe me luftëtarë kauzën kombëtare që me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me organizimin kombëtar, politik e diplomatik të Federatës Panshqiptare VATRA të shqiptarëve të SHBA-së (më e fuqishme në vitet 1912-1924). Spikati më vonë, përkushtimi që prej 1986 e deri më sot nga Lidhja Qytetare e DioGuardit ( ish-Kongresmen me origjinë Arbëreshe) në SHBA si dhe pjesëmarrja direkte e  shqiptarëve të Amerikës me formacionin luftarak të Batalionit Atlantiku në UÇK si dhe ndërveprimi midis Kosovës, Shqipërisë dhe  Organizimeve të Diasporës Shqiptare në Europën Perëndimore ( Fondi “Vendlindja na thërret” kryesisht në Zvicër, Gjermani, Suedi dhe Belgjikë) në shërbim të Lidhjes së Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Edhe sot pas 135 vjetësh të Lidhjes së Prizrenit me gjithë ndikimin e rendit demokratiko-integrues të familjes Europiane, shqiptarët si komb në Ballkan hasin barriera në ushtrimin e të drejtave për pakicat kombëtare, për komunitetet shtetformuese e vetqeverisëse apo edhe për përdorimin e Gjuhës Shqipe në institucione qëndrore, publike apo vendore si dhe përdorimin e simboleve kombëtare në truallin e tyre etnik.

Ka presione të hapura shtetërore serbe, greke, maqedonase dhe malazeze nga policia sidomos në Preshevë dhe Maqedoni së fundi, nga ushtria e përqëndruar në Preshevë dhe në Greqi nga segmente politike neonaziste si Agimi i Artë apo ish-struktura policore të Serbisë që veprojnë në rajonin përreth Mitrovicës.

Diaspora duhet parë e vlerësuar si frymë e shëndoshë e demokracisë shqiptare dhe e përbashkimit të kombit. Asaj duhet ti krijohet mundësia për një infrastrukturë sa më efikase që të marrë pjesë në vendimmarrje sepse shumica e saj edhe pse jeton në Europë i janë mbyllur shtigjet për të dhënë kontributin e saj që me themelin e demokracive shqiptare -Votën. Prandaj, reflektimi dhe ndërgjegjësimi i klasave politike në Tiranë dhe Prishtinë për ti hapur rrugë Diasporës është nevojë e ngutshme për ta finalizuar stadin e integrimit që duhet të kemi nesër me Europën por edhe një falenderim për kontributin e shqiptarëve të mërguar kur bie fjala për remitancat në miliarda dollarë që e kanë zbutur krizën financiare edhe pse qeveritë po e rritin borxhin në dëm të ardhmërisë.

Rikthimi i vetqeverisjes lokale pas 70 vjetësh nga shqiptarët në Kërçovë (Maqedoni) tregoi edhe njëherë se nuk ka dëshmi më të madhe të atdhedashurisë nga shqiptarët e mërguar. Prandaj, respektimi, inkurajimi dhe ftesa vëllazërore që Diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes ( me votë apo me kandidatë përfaqësues) në Shqipëri dhe Kosovë apo në komunitetet vetqeverisëse shqiptare në Preshevë, Maqedoni, apo dhe në Mal të Zi duhen parë si sjellje e një fryme të re të demokracisë perëndimore në zhvillimet demokratike ndër shqiptarët e Ballkanit.

Qindra zëra shqiptarë të intelektualëve të shkolluar në Perëndim pjesa më e ndjeshme e Diasporës Shqiptare po tregojnë maturi dhe aksion të përbashkët atdhetar jo të paktë për të hedhur poshtë një ndikim Turk së fundmi, për rishkrimin e historisë shqiptare për periudhën kur territoret shqiptare etnike ishin nën administrimin Turk.

Prapa këtyre përkujdesjeve Turke është me sy e vesh edhe Serbia, që mezi pret të njolloset me duar shqiptare figura e Skënderbeut dhe Identiteti i tij Kombëtar shqiptar që ajo të fitojë terren ( politik dhe mediatik në botë) për të ndikuar keqasi më shumë në Kosovë edhe pse kjo lojë e pistë e fqinjësisë po vjen erë me shekuj.

Zgjimi i intelektualëve shqiptarë për të firmosur një peticion kundër ndryshimit të historisë kombëtare shqiptare për periudhën e shqiptarëve nën sundimin Turk duhet përshëndetur me çdo media dhe forum.

Ja për çfarë kemi nevojë të përkushtohemi për ardhmërinë:

1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura madhore të kombit.

2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale dhe qëndrore të vendeve pritëse.

3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.

4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.

5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës shqiptare.

6- Perspektivë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve pritëse.

7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më i ri për të ruajtur traditën kombëtare.

9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse.

10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për Diasporën në Shqipëri dhe Kosovë qoftë me kronika të drejtpërdrejta po të kemi parasysh teknologjinë e sotme elektronike dhe me emisione të përjavshme.

Duke e marrë seriozisht punën me Diasporën patjetër që do të kemi një përmirësim gradual dhe shpresëdhënës për më shumë projekte atdhetare e diplomatike, studimore e kulturore, artistike e sportive për një evidentim e zhvillim të talenteve të reja në Diasporë.

Sepse po shohim në realitet që mosaktivizimi i brezit të ri të shkolluar të shkolluar në Perëndim, parcelizimi i organizimeve komunitare pa ndonjë përbashkim të të gjithë Diasporës Shqiptare dhe mungesa e një strategjie kombëtare për Çështjen Kombëtare në tërësi kanë krijuar terren për një vendnumëro të pakuptimtë.

Faktori kohë është në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare falë edhe përkrahjes për mbështjen nga SHBA dhe BE për Shqipërinë dhe Kosovën në aleancat euro-atlantike, por shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë kanë më shumë probleme social-ekonomike me tranzicionet demokratike se sa të merren seriozisht në unison për më shumë promovim dhe përfaqësim të Saj në organizmat ndërkombëtare.

Vetë Diaspora i ka mundësitë ta tejkalojë situatën e vendnumërosë, me anë të një përafrimi të të gjithë organizimeve shqiptare kudo ku janë në Europë, SHBA dhe Kanada. Ekipet drejtuese të shoqatave shqiptare me përgjegjësi të plotë po përgatiten për bashkëkuvendime ndërkomunitare për të patur një platformë të përbashkët, një zë të vetëm si e vetmja shpresë për të vazhduar misionin kombëtar të Diasporës me projekte bashkëkohore e gjithëpërfshirëse pa dallim.

Këto bashkëkuvendime janë mënyrë e drejtëpërdrejtë e rrahjes së mendimeve për mirëorganizimin e Diasporës si dhe ngritjen e punës sensibilizuese për nevojën e përbashkimit programor dhe projektimin e një strategjie sa më afër nevojave të integrimit të Diasporës apo edhe me shtetet dhe komunitetet shqiptare në Ballkan.

Puna e hapur me çdo organizatë apo agjenci shtetërore shqiptare ka më shumë vlerë se sa praktika e deritanishme kur takohemi në Diasporë apo në vendlindje (në Ballkan) vetëm për darka që nuk japin frymë për ardhmërinë e dyanshme. Të dy palët së bashku, shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora duhet të jenë më të qartë të përcaktojnë realisht nevojat dhe mundësitë që kemi të ecim përpara të sigurtë për të përballuar sfidën e asimilimit që është evidente në çdo komunitet shqiptar të Diasporës.

Diaspora është pasuri kombëtare sepse me të identifikohet kombi ynë dhe përpjekja e vazhdueshme e saj për ta parë kombin shqiptar të lirë, të bashkuar dhe të respektuar si në truallin etnik dhe në vendet pritëse, duke qënë urë bashkëpunimi e identifikimi e dyanshme midis shqiptarëve të Ballkanit dhe qeverive të vendeve euro-atlantike.

Mirëorganizimi i Diasporës është për më shumë edhe një mundësi lobuese kur bie fjala për integrimin e njëhershëm të Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe të Kosovës në OKB dhe në NATO. Ndaj kërkohet më shumë vullnet, sakrificë dhe kontribut të të gjithëve, në Diasporë dhe ndër shqiptarët e Ballkanit.

A kemi mundësi ta bëjmë përbashkimin e Diasporës? Mund të nënvizojmë se mundësitë janë po të kemi parasysh shqiptarët e sukseshëm në Amerikë dhe Europë, organizimet e përkushtimin e tyre, po të kemi parasysh komunikimin e përditshëm Diasporë – Vendlindje si dhe dorën e ngrohtë të shteteve shqiptare.

Sepse shqetësimi për ardhmërinë është i përbashkët dhe evident si për vetë Diasporën, për demokracitë shqiptare dhe për Çështjen Kombëtare. Ndaj dhe duhet të punojmë së bashku dhe vetëm së bashku për ta çuar më përpara integrimin kombëtar duke i shërbyer më shumë interesave jetike të sotme dhe të nesërme të kombit se kombi është i pari.

Vetëm me  vizion përbashkues Diaspora shqiptare do ti përkushtohet kombit, dhe do të ndihmojë edhe më shumë për ardhmërinë e tij si e vetmja shpresë që duhet ushqyer nga çdokush që i thotë vetes shqiptar, që ta bëjmë këtë realitet të prekshëm e frytdhënës. Ti dalim kështu përpara problemit asimilues të brezit të ri të Diasporës. Pra, vetëm me veprim të koordinuar e të planëzuar, me përbashkim do të përfitojmë në kohë.

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, per diasporen, si vlere kombetare, Vizion i perbashkuar

SHKOLLAT SHQIPE ME MËSIM PLOTSUES NË GJUHËN SHQIPE NË GJERMANI

April 15, 2013 by dgreca

NGA SHABAN CAKOLLI/

NE FOTO: NJË GRUP MËSUESISH SHQIPTARË NË GJERMANI/

Shkollat shqipe me mësim plotësues përfshijnë në gjirin e vet fëmijët e familjeve të mërgimtarëve shqiptarë,që nga mosha 6-16 vjeç dhe i arsimon dhe edukon ata në frymëne patriotizmit shqiptar,me njohje kulturore e shkencore dhe bukurive estetike. Shkollat shqipe në Gjermani kanë për qëllim që fëmijët shqiptarë të zotrojnë mirë gjuhën e shkruar amtare shqipe,të kultivojnë atë dhe letërsinë shqiptare,të njohin historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve të tyre,njohurinë rreth dokeve e zakoneve shqiptare,arteve popullore të trashëguara brez pas brezi si karakteristikë e lashtë dhe e begatshme,dalluese e kombit tonë.

Shkolla shqipe e mësimit plotësues i edukon nxënësit për respektin dhe mirënjohëjen ndaj vendit mikpritës që i strehoi në gjirin e vet,u hapi vend në integrimin e shoqërisë gjermane,duke i pajisur menjohuri shkencore e kulturore dhe i pregaditi të aftësohen të pavarur edhe në gjuhën e tyre.Shkollat shqipe në Gjermani kanë për qëllim t’i përfshijnë të gjithë fëmijët shqiptarë,në çdo land ku ndodhen duke përfshirë fëmijët e të gjitha trojeve etnike shqiptare.Struktura e arsimimit ndahet në tre cikle: Cikli i ulët,i mesëm dhe i lartë. Mësimi vendevende zhvillohet me klasë të kombinuara. Shkollat shqipe në Gjermani mësojnë sipas plan-programeve mësimore të Ministrisë së Arsimit të Kosovës,dhe teksteve mësimore të miratuara nga ajo.:Mësuesit që punojnë në këto shkolla kanë kualifikime përkatëse pedagogjike.

Në kuadër të saj funksionon biblioteka e shkollave e cila pajiset me literaturë shqipe dhe ate të vendit.Zanafilla e shkollave shqipe në Gjermani është tridhjetë vjeqare,ne shkurtimisht po flasim nga koha kur shkolla jonë shqipe në Gjermani shkëputet nga varësia e organeve Jugosllave. Meformimin e Qeverisë së Kosovës, në mërgim formohet edhe Ministria e Arsimit,Shkencës dhe Kulturës paralel me te edhe KASH”NaimFrashëri”.

Këto dy hallka kanë krijuar kushte për organizimin e rrjetit të shkollave shqipe të mësimit plotësues në Gjermani. Përndjekjet e viteve të 90-ta,si dhe Lufta e Kosovës që u shoqërua me dramën e madhetë ekzodit biblik të shqiptarëve, preku Gjermaninë me një numër të madh strehimkërkuesish shqiptarë,ku shënime gjysmëzyrtare flisnin për 400.000 shqiptarë të strehuar këtu,andaj nevoja e zgjërimit të shkollave shqipe ishte domosdoshmëri në çdo Land gjerman. Në të gjitha këto drejtime shkolla shqipe fitoi një përvojë të madhe. Shkollat shqipe në

synimin e tyre që nxënësit shqiptarë të ruajnë,mësojnë dhe përsosin gjuhën shqipe,të aftësohen për shfrytëzimin e gjitha formave të komunikimit me të folur e shkruar,të njihen me atdheun dhe shtrirjen gjeografike të tij ,me historinë,dhe aspiratat e përpjekjet e popullit shqiptarë për liri,pavarësi dhe përparim.,të kultivohen dhe zhvillohen aftësitë në fushat e artit,letërsisë,muzikës dhe formave tjera të krijimit artistik.Ata shfrytëzojnë kohen e lirë për aktivitetet krijuese dhe shënojnë festat kombëtare me manifestimet etyre krijuese e artistike,po ashtu kanë gatishmërinë për arritjen e sukseseve edhe në shkollën e rregulltë gjermane.Përvoja ka treguar se nxënësit që kanë ndjekur mësimin plotësues shqip,janë treguar më të zellshëm edhe në shkollën e rregullt gjermane, sot prej tyre kanë dalur edhe kuadro të forta. Nxënësit shqiptarë që shkollohen në shkollën e rregulltë gjermane dhe vijojnë mësimin shqip, janë një faktor shumë me rëndësi i integrimit të shqiptarëve në Evropën e Bashkuar. Këta nxënës nga gjitha Landet gjermane,nganjëherë në vit organizojnë kampionatin e diturisë,ku bëhet garë njohurishë cila nga shkollat shqipe në Landet gjermane zë vend të rëndësishëm në dituritë e gjitha lëmive mësimore,etj…

Të rrëfesh për shkollat shqipe në Gjermani,nuk do mund të e përmbyllësh me një shkrim gazetash: Për te mësuesit e vyeshëm kanë shkruar monografi,si: Sejdi Gashi, Rifat Hamiti, Sami Thaqi, Bejtullah Sadiku, Hamzë Halabaku,Nysret Dërguti,e shumë të tjerë. Shkolla shqipe në diasporë është faktor i pa zëvendësueshëm në arsimin dhe edukimin kombëtar të nxënësve mërgimtarë.

Mospërdorimi i gjuhës amtare nga kjo masë e madhe rinore në mërgim, mosnjohëja e historisë kombëtare, mosvijimi i shkollës shqipe patjetër i hap rrugën asimilimit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ne Gjermani, Shaban Cakolli, Shkolla shqipe

NDËRROI JETË NË FLORIDA I BIRI I KOMANDANTIT TË BATALIONIT “DRINI”

April 15, 2013 by dgreca

Nga Dine Dine/

Këto ditë, e gjithë familja e madhe e Dineve përjetoi një dhimbje të papërshkrueshme.Në një spital të Floridas pushoi përjetësisht zemra e një prej pasardhësve më të denjë të kësaj familje, Hiqmet Dine.

I ati, major Dilaver Dine, protagonisti i luftës së suksesshem të Recit, komandant i batalionit më të madh në Shqiperi, “Drini” të Dibrës, që dha një kontribut të cmuar në ushtrinë shqiptare  të asaj kohe, qe i fundit që shpërndau batalionin për arësye  objektive, atëhere kur të gjitha shpresat për një afrim me perëndimin u shuan papritur.

Në mërgim, së pari në Greqi major Dilaver Dine bashkë me të vëllanë Fiqiri Dine kaluan peripeci nga më të ndryshmet dhe për fat mbijetuan me dinjitet.

Vuajtjet e asaj perjudhe  i kam të ngulitura në mendje, të treguara nga vetë goja e xhaxhait, vuajtje e peripeci që të rrëqethin mishtë edhe kur i kujton!

Këtu, sigurisht, nuk është rasti që të shkruajmë për to.

Gëzimi më i madh për të ishte bashkimi me të shoqen Shpresën e djalin e vetëm, në atë kohë, Metin.

Hiqmeti i vogël po rritej në vëndin më demokratik të botës e xhaxhai bëri cmos që ta edukonte me ndjenja patriotike e mallin për vendlindjen.

Nuk është e rastit që në vitet e nëntëdhjeta, kur demokracia e brishtë  po hidhte hapat e para, Hiqmeti qe ndër të parët që dha ndihmesën e tij.

I inspiruar edhe nga i ati, pasi vëndi ishte në një varfëri të tejskajëshme, ai iu dha me mish e me shpirt e ndihmoi edhe materialisht ato që njiheshin si forca demokratike, me bindjen se kontibuti i tij do të ishte si një gur themeli në ndërtimin e konsolidimin e kësaj force të re që ishte Partia Demokratike. Jo vetëm kaq, ai, me kushuririn tjetër, të ndjerin Xhelal Dine, ndërmorën edhe një udhëtim për Shqiperi që t’iu gjendeshin sa më pranë forcave demokratike e bashkë me ta agjituan e propaganduan sidomos në Dibër vendlindjen e tyre Maqellarë, ku edhe pse kish kaluar një kohë e gjatë në diktaturë, nostalgjia  e popullariteti i baballarëve ishte akoma i pranishëm.(Te plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kronike Tagged With: Dine Dine, Hiqmet Dine, nderroi jete, ne Florida

SHAKAJA E PLAKUT SHKOI NË DREQ TË MALLKUAR

April 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Është një këngë e vjetër qytetare që këndohet në të gjitha trevat e Gadishullit Ilirik.., në Shqipëri, Greqi, Bullgari, Serbi, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Sikur t’i pyesësh këta popuj se kush e ka shkruar tekstin dhe “pronë” e kujt është kjo këngë, gjithsecili nga këta do thonë se është e tyre.

Historia e Paktit të Varshavës i njeh figurat politike si vijon: Erich Honeker (Gjermania Lindore), Todor Zhivkov (Bullgari), Ludvik Svoboda (Çekosllovaki), Janosh Kadar (Hungari), Vlladisllav Gomulka (Poloni), Nikollae Çaushesku (Rumani), Josif Visarionoviç Xhugashvilli, ndryshe Stalini. Ishin edhe ca të tjerë që nuk i takonin kësaj aleance, si për shembull: Josip Broz Tito (Jugosllavi) dhe Enver Hoxha (Shqipëri).

Të gjitha këto figura të lartpërmendura karakterizohen me diktaturën, “autoritetin vertikal komunist” si dhe me ca barsoleta të përbashkëta për ta. Para se t’i shpjegojmë barsoletat që ua “faturuan” atyre, ne na duhet të hetojmë edhe një provë që rrok një segment nga privatësia e tyre. Njohësit e kësaj historie thonë se asnjëri prej këtyre diktatorëve (hiqe mënjanë Enver Hoxhën), asnjëherë nuk u rimartuan me gratë e tyre të divorcuara!? Po e vazhdojmë me barsoletën e parë ku, pos të tjerash, mjeshtrit hokatarë japin edhe këtë shpjegim: Tito, në një vjeshtë të vonshme, me rekomandim të urologut dhe reumatologut personal, kishte degdisur në Igallo të Malit të Zi, e cila në atë kohë njihej si një ndër qendrat më të mira të Ballkanit për shërimin e reumës dhe prostatës!? Tito kishte kërkuar prej shefit të protokollit që t’i gjejë një plak hokatar për ta argëtuar me barsoleta. Kur ishte futur në rezidencën e presidentit të shtetit, plaku malazez që vinte nga një katund i varfër, aq shumë ishte shtangur a hutuar nga ajo  hapësirë skajshmërisht luksoze sa që kishte harruar udhëzimet e shefit të protokollit. Tito, duke e vërejtur habinë e plakut, filloi të ligjërojë për “Luftën nacional-çlirimtare” si dhe për të arriturat e popullit punonjës të Jugosllavisë!? Plaku duke u gjendur në pozitë “palakmueshme”, me një sintaksë të çoroditur malaziase, iu drejtua “Plakut” : “Shoku Tito, para se të dukem këtu pari, më thanë që unë të ju tregoj barsoleta e jo unë t’i dëgjoj tuat”.

Thonë se edhe Enver Hoxha pati thërritur njëherë një plak të vjetër që t´i tregonte përralla. Kështu, ai e mori plakun te kopshti i tij me lule për t´ia treguar aty përrallat.
– Shumë të bukur e paske bërë kopshtin me lule – i tha plaku.
– Unë kopsht të tillë me lule kam bërë tërë Shqipërinë – ia preu Enveri, duke gjetur rastin për të bërë pak propagandë.
– A kam ardhur unë të të tregoj përralla ty, apo ke ardhur ti të më rrëfesh përralla mua? –kishte thënë plaku.

Me këtë barsoletë ishin ballafaquar të gjithë diktatorët e lartpërmendur me përjashtim të Stalinit, i cili kur kishte vajtur për pushim në pushimoren ruse Soçi, kishte parapëlqyer që pranë vetes të kishte një hokatar nga një fshat i Siberisë. Shefi i protokollit të tij kishte angazhuar një plak që do t’i tregonte përralla Josifit me mustaqe, por paraprakisht i kishte thënë: “Do të shkosh në pushimoren e kryetarit të shtetit, ki parasysh dhe mbaje mend që barsoletat të mos shkojnë në llogari të tij”!? Plaku, si plak, me të folmen e tij të bukur dhe të rrjedhshme veproi njësoj si hokatari jugosllav, ai shqiptar dhe të tjerët si ata. Por Stalini nuk e duroi dot “shakanë” dhe plakun siberian e vari në litar. Kështu, “shakaja e plakut shkoi në dreq të mallkuar”!…, njashtu siç shkoi njëmendësia në bythë të historisë së saj!

Të nderuar lexues, nëse nuk ju “bezdisa” me këto përralla që i shkarravita në paragrafin e parë të këtij shkrimi gazetaresk, do të më lejoni që t’i referohem edhe një vakie nga koha e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogollit. Një pasaniku ia kishin vjedhur në vijimësi shtëpinë hajdutët. I ndodhur në siklet, pasaniku kishte angazhuar “rojtarë me pagesë të majme” për t’u kujdesur për pasurinë e tij. Megjithëkëtë, hajdutët prapëseprapë  ia kishin “bastisur” shtëpinë dhe çekmexhenë ku kishin gjetur lekët e vjedhur nga arka e shtetit. Pasaniku, i zhgënjyer nga “rojtarët”, kishte kërkuar ndihmë nga oborri mbretëror…, por as kjo nuk ia zgjidhi problemin. Një “kumarxhi” nga një mëhallë e hajdutëve e kishte dëgjuar këtë “haber”, i ishte drejtuar pasanikut me fjalët: “…, ti, miku im i nderuar që ke prapanicë të dhjamosur, për ta ruajtur shtëpinë tënde, duhet të angazhosh një hajdut…”. Vërtet ky sugjerim i kumarxhiut zuri vend!

Nëse ky shkrim imi ka ndonjë gjymtim, atëherë ai do konsistojë në faktin se autori nuk është në gjendje të japë prova se “pronë” e kujt është kjo barsoletë. Rusët mund të thonë se është e tyre, po të njëjtën mund ta thonë edhe sllavët e tjerë dhe në fund edhe shqiptarët e Shqipërisë londineze!? Se ku kishte ndodhur vakia e vjedhjes së shtëpisë së pasanikut…, edhe për këtë asnjeri nuk do të mund të thotë gjë. Unë nuk e kam ndërmend që në këtë shkrim të kërkoj a të gjej krimbin, moralin e dyfishtë dhe cinizmin e barsoletës…, nuk do të bëj as avokatinë e saj (larg qoftë), nëse do ta bëj këtë me qëllim a pa qëllim, atëherë do të bie në grackën e saj dhe, së fundi, ky shkrim toptan me autorin do të shndërrohet në tabelë qitjeje!? Unë do të parashtroj pyetjen se a mos vallë “monarkët” e partive politike në Tiranë, në vigjilje të 23 qershorit a në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, do të hezitojnë ta hapin “arkivin” e kësaj barsolete, a mos vallë do të kërkojnë ndihmën e “arkeologut politik”…, a mos vallë gjithsecili prej tyre nuk do të angazhojë atë plakun “shakaxhi” nga Skrapari,  i cili në fushatat zgjedhore të tyre do
obligohet që trupit votues t’u tregojë barsoleta në kërkim të votës së tyre deliberative…, a mos vallë hokatari plak nga Skrapari do të duhet të dëgjojë barsoletat e politikanëve të cilët aktualisht ushtrojnë pushtetin absolut dhe makiavelist…, dhe të atyre që janë opozitarë…, a mos vallë plakut “shakaxhi” nga Skrapari do t’i duhet ta besojë vakinë nga koha e mbretit Ahmet Zogolli…, a mos vallë pushtetarëve dhe atyre që mëtojnë ta “pushtojnë” qeverinë do t’u duhet të angazhojnë “rojtar burgu” që ta ruajë arkën boshe të shtetit a edhe të komunës…, a mos vallë opozitarët pas 23 qershorit do të arrijnë t’i vënë pikë “potikëbërjes putiniste”  (sipas presidentit rus, Putin) në Shqipëri dhe përreth saj…, dhe nëse këtyre do t’u mungojë takati mental për ta bërë këtë ndryshim, atëherë u mbetet që të shpresojnë në një të ardhme më të mirë…, ose, në instancë të fundit, do të detyrohen të pajtohen me “realitetin politik” si dhe me atë recidivizmin e barsoletës!? Ndryshe nuk bën…, po edhe nëse do bëhet nuk do të jetë e hijshme dhe e lezetshme.

Unë, si një shkarravitës i thjeshtë, nuk dua të besoj se kjo barsoletë që përflitej gjithandej hapësirave të ish-shteteve të bllokut komunist, si dhe ajo vakia e vjedhjes së pasurisë së pasanikut (nuk) do të përsëriten në fushatën zgjedhore në Tiranë, Vlorë a në ndonjë kasaba tjetër të Shqipërisë. Në do të ndodhë e kundërta, atëherë ky shkrim “toptan” me autorin le të shkojnë në theqafje. Fundi i fundit,  ngado që të rrotullohesh, bythët i ke gjithmonë mbrapa!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, ne dreq te mallkuar, shakaja e plakut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5489
  • 5490
  • 5491
  • 5492
  • 5493
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT