• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA: Lirohen nga burgu i emigracionit më shumë se 2.000 emigrantë pa dokumentet

March 2, 2013 by dgreca

Shtëpia e Bardhë thotë se lirimi i të burgosurve të emigracionit ka filluar qysh dy javët e fundit, të muajit shkrut, për shkak të shkurtimeve të planifikuara buxhetore dhe kostos së lart, Ndërkohë, axhensitë kombëtare të lajmeve në SHBA, njoftuan sot se më shumë se 3.000 të burgosur të tjerë të çështjeve të emigrimit, pritet të lirohen gjatë muajit mars – prill./

Nga BEQIR SINA, New York/

UASHINGTON D.C.: – Departamenti i Homeland Security thotë se ka për të liruar nga burgjet e saj më shumë se 2000 të burgosur, emigrantë pa dokumenta – të cilët ballafaqohet me një procedurë të gjatë të deportimit për në vendet e tyre. Këtë lajmë e ka konfirmuar dje edhe Shtëpia e Bardhë ku thuhet se lirimi i të burgosurve të emigracionit ka filluar qysh javët e fundit, për shkak të shkurtimeve të planifikuara buxhetore dhe kostos së lart, Ndërkohë, axhensitë kombëtare të lajmeve në SHBA, njoftuan sot se më shumë se 3.000 të burgosur të tjerë të çështjeve të emigrimit do të lirohen gjatë muajit mars – prill.
Shifrat e publikuara rishtazi, cituar në dokumentet buxhetore të brendshme shqyrtuara nga ana e The Associated Press , janë dukshëm më të larta se “disa qindra” emigrantë pa dokumenta që administrata Obama pranoi këtë javë se i kishte nën procesin e buxhetit të kursimeve.
Dokumentet e qeverisë amerikane tregojnë se Zyra e Imigrimeve dhe Doganave ka lën të lirë afërsisht 1.000 emigrantë pa dokumenta nga burgjet e saj rreth në SHBA – për çdo javë prej të paktën mbas 15 Shkurtit. Zyrat e agjencisë rajonale kanë raportuar më shumë se 2.000 emigrantë të burgosur janë lëshuar mbas kritikave intensive, dhe këtë javë çoi në një mbyllje të përkohshme të planit të lirimit të tyre, sipas dokumenteve të përgatitura nga qeveria amerikane.
Shtetet ku emigrantë u liruan përfshijë burgjet e emigracionit në territorin e shteteve federale ; Arizonën, California, Gjeorgjinë dhe Teksas.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk ishte konsultuar rreth lirimeve dhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano gjithashtu ka pranuar se ato kanë ndodhur në një mënyrë që të gjendet një zgjidhje. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha të mërkurën se qeveria kishte liruar “disa qindra” emigrantë nga afërsisht 30,000 emigrantë që janë pa dokumente, dhe që mbahen në paraburgim në pritje të procedurave federale dëbimit nga SHBA. Carney, tha se emigrantët që ishin liruar ishin nga ata që rezultonin “me rrezikshmëri të ulët, që nuk kan pasur probleme me policinë, dhe shtetin dhe nuk kan kryer akte kriminale”, dhe vendimi për dëbimin e tyre është marrë nga zyrtarët e ICE e jo nga gjyatat e krimeve.
Që nga java e kaluar, Zyra e Kufirit dhe Doganave “U.S. Immigration and Customs Enforcement” ICE, thotë se ka një popullsi mesatare ditore, në qendra e burgimit dhe të paraburgimit prej 30.733 emigrantë pa dokumenta. Administrata e Obamës në dokumentet buxheti shtetror për vitin 2013 tregonë se kjo administratë ka për qëllim të zvogëlojë popullimin e këtyre burgjeve me shkurtimin e buxhetiti afërsisht me 25.748 të burgosur të mbajtur për dëbim deri më 31 mars.
Zëdhënësi ICE Brian Hale tha të premten se numri i ndaluarve të imigracionit luhaten çdo ditë, por ai përsëriti se vetëm këto javët e fundit disa qindra emigrantë pa dokumenta ishin liruar. “Përtej kësaj lëvizje normale, dhe pasiguria fiskale mbetet mbi zgjidhjen e vazhdueshme dhe sekuestrimit të mundshme, ICE është duke shqyrtuar popullsinë ndaluar për të siguruar nivelet e paraburgimit të qëndrojnë brenda buxhetit aktual dhe për të vendosur disa qindra individëve në metodat e mbikëqyrjes pak më të kushtueshme se sa në paraburgim,” tha Hale në një deklaratë.

Ai shtoi se Emigrantët që janë lëshuar ende do të përballen me dëbimin – deportimin dhe janë të nevojshme të paraqiten për në seancat gjyqësore të ardhshme. Por, ata nuk janë më të izoluar në burgjet e emigracionit, ku ekspertët e avokimit thonë se qeverisë amerikane per çdo person 24 orë i kushtojnë rreth 164 dollar në ditë.

Emigrantëve pa dokumenta që u është dhënë e drejta e qëndrimit me lirimin e mbikqyrur – janë liruar me kushtet që mund të përfshijnë thirrjet e detyrueshme në zyrat e emigracionit, vizita në shtëpi nga zyrtarët e emigracionit dhe pajisje GPS – që do të i kushtojnë qeverisë amerikane tash jo më shumë se nga 30 cent deri në 14 dollar në ditë, në bazë të përllogaritjeve që ka bërë Forumi i Imigracionit Kombëtar, një grup që mbron në emër të emigrantëve të paligjëshëm.
Lirimi i mijëra të burgosurve nga burgjet e emigracionit është bërë në përputhje me paralajmërimet e hershme, tha Napolitano të hënën – para se dikush të dinte publikisht se çdo emigrantë pa dokumenta ishte liruar – në pritje, me shkurtimet automatike buxhetore që do të kufizojnë aftësinë e qeverisë për të mbajtur një numër të mjaftueshm të paraburgimit shtretër për të paktën 34.000 emigrantë.
Njoftimi se disa qindra emigrantë pa dokumenta janë duke u liruan ishte ndër ndërlikimet më të rëndësishme dhe të drejtpërdrejtë të përshkruara nga shkurtimet buxhetore automatike. Republikanët në Kongres shpejt e kan kritikuar vendimin e Administratës Obama dhe të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, duke kërkuar sipas tyre më shumë detaje, duke përfshirë edhe numrin e emigrantëve pa dokumente të lëshuara dhe natyrën e çdo akuza penale që u ndesh si pjesë e procesit të dëbimit.
Republikanët në Kongres thanë se kjo nuk duhet parë, “thjesht duke fajësuar reduktimet buxhetore si një mjet për të “bërë një sy qorr” ndaj sigurisë kombëtare të popullit amerikan, mbasi sipas tyre ky është një plan i rrezikshëm, dhe që vë në pikëpyetje përgatitjet e departamentit për dëbimet e të paligjshmeve,” shkruan në një letër dy ligjvënësve republikanë, senatori Charles Grassley i Iowas dhe kongresisti Bob Gudlejt e Virxhinias, kryetar i Komitetit Gjyqësor në Dhomën e Përfaqësueseve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, burgjet, emigracion

ATDHETARIZMI I ZJARRTË I RASHIT GASHIT

March 2, 2013 by dgreca

Kosova vjen në gjuhën rumune me kristale të çmuara që sjellin më shumë dritë në shpirtin dhe jetën e njerëzve./

 Nga Patricia Lidia/

 Poezia e Rashit Gashit konstituon një shembull atdhetarizmi të zjarrtë e të pakufishëm. Kjo ndjenjë sublime shpërthen sidomos në momente pengesash, kur atdheu dhe populli i një vendi përjetojnë padrejtësitë dhe skllavërinë e huaj. Sentimenti don të thotë dashuri ndaj atdheut, ndaj vendlindjes, ndaj prindërve, heronjve, gjuhës, kulturës, historisë dhe traditave të një kombi. Vargjet e poetit janë një kushtrim vetëdijësimi dhe klithje revolte kundër pushtuesit. Ato përbëjnë polemika të ashpra kundër okupatorit, por edhe shprehje të ëmbla lirike ku shpërthen entuziazmi dhe solidariteti shqiptar e ndërkombëtar ndaj intervenimit të NATO-s kundër terrorizmit serb në kohën e ish Jugosllavisë.

Poezi tjera u dedikohen fëmijërisë, brigjeve të vendlindjes, dashurive të shkuara, prindërve. Stili i poetit është direkt dhe i thjeshtë, nga zemra në zemër, herë-herë i ashpër. Sintagmat e krijuara duken të skulptuara në bazalt. Figurat stilistike janë të rralla dhe u paraprijnë mesazhit të poezive patriotike dhe humaniste. Diskursi rrëfimtar sjell dëshmi për kalvarin nëpër të cilin ka kaluar vendi i tij. Poezia e Rashit Gashit konstituon një shembull dashurie të pakufsihme për Kosovën natale. Jo për natalitet e kemi fjalën, por për vendlindjen si burim frymëzimi.

Poetika patriotike është art i kompromisit dhe mirëkuptimit. Rashit Gashi nuk është poet i parë shqiptar për të cilin kam shkruar me admirim. Pa marrë parasysh prezencën apo mungesën e metaforave, e çmoj tejmase lirikën e tij sepse shkruan me zërin e zemrës për subjekte përvëlimtare, siç janë lufta, dëshmorët e kombit, mashtrimi, tradhëtia, vëllau i vrarë etj. Në shumicën e poezive dhe vargjeve defilon bota shqiptare. Poeti shfaq shpirtin e ndjenjës së bukur dhe të brishtë të jetës njerëzore. Kështu shprehet Halil Haxhosaj nga Kosova për Ali Berishën, dhe një konsideratë  e këtillë kritike, vlen edhe për autorin e dashurisë së pakufishme ndaj vendlindjes, familjes dhe atdheut. Përmes vargjeve të tij, poeti demaskon krimet e luftës dhe shpreh respekt ndaj patriotizmit të popullit shqiptar. Është një poezi okazionale (e rastit), dedikuar disa momenteve kruciale dhe konkrete të kësaj lufte.

Një shembull përfytyrimesh të qarta na e jep edhe në poezinë Kanë mugulluar rezet e Lirisë, dedikuar Deklaratës Konstitucionale të 2 korrikut për çlirimin e Kosovës dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990. Në vargjet e saj defilon Kosova me shpirtin e saj, durimi e mençuria, aspiratat për paqë e demokraci, guri themeltar i historisë, rezet e diellit që dëbojnë retë, besën e lidhur të burrave, grave dhe fëmijëve të cilët përfaqësojnë stërnipat e Skënderbeut që militojnë për çlirimin e Atdheut. Rashit Gashin ndoshta nuk e njohin sa duhet sivëllezërit e tij, sepse nuk ka patur kohë për të botuar dhjetra vëllime vlerash reale, por neve na duket si një zë i veçantë i lirikës patriotike në Kosovë. Kosova e tij vjen në gjuhën rumune me kristale të çmuara që sjellin më shumë dritë në shpirtin dhe jetën e njerëzve.

Rashit Gashi u lind më 11 korrik 1933 në Arllat të Drenicës (Republika e Kosovës). Pas liceut kreu Fakultetin e Shkencave Natyrore (Katedra e Gjeografisë). Veproi si professor në disa lokalitete, ndërkohë duke ushtruar edhe funksionin e zëvendës/drejtorit, kurse më vonë edhe të drejtorit në Han të Elezit dhe Drenas. Vëllimet e vargjeve Rrugët e shtegtimit dhe Mall i pashuar e kanë parë dritën e botimit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (2012), ndërsa vëllimi i tij Shtigjet e mërgimit, e pa dritën e botimit edhe në gjuhën rumune (Drumurile exilului, Amanda Edit, Bukuresht, 2013). I vetëdijshëm për faktin se shqiptarët dhe rumunët kanë stërgjyshër të përbashkët, poeti e zgjodhi për rikëndim Baki Ymerin, që tashmë, në sajë të kontributeve të panumërta në këtë fushë, e kosniderojmë si ambassador i kulturës kosovare në veri të Danubit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: atdhetarizmi, Baki Ymeri, Patricia Lidia, poezi, Rashit Gashi

PENGU I DASHURIVE

March 2, 2013 by dgreca

Tregim nga Arjan Th. Kallço/

Rafti i librave atë ditë po më tundonte marrëzisht, me një nostalgji që nuk e kisha provuar kurrë më parë. Shkëndijën e saj ma dha një sekuencë filmike që më zgjoi atë dëshirë të ndrydhur nga koha dhe që kërkonte vetëm një ngacmim. Ishte natë vonë dhe shpirti po dyluftonte në një përleshje krenarish të kuptueshme midis qëndrimit në shtrat, të ftohtit përjashta sikur ta zbehte lëvizjen dhe mankthit të shfernuar se ndoshta ajo që kërkoje nuk ekzistonte më diku mes librave të shumtë. E ndava mendjen se njëra prej tyre duhej ndrydhur, sepse të dyja nuk mund të vazhdonin të përlesheshin gjatë atë natë. Fitoi qëndrimi në shtrat mes mbulesave që nxirrnin nga brenda një afsh të ngrohtë dhe përkdhelës, një lloj avulli kur temperaturat janë në zero që tek e mbështillte trupin, nuk të bëhej ta shqitje. Mbetesh zbuluar apo siç i themi lakuriq dhe përveç ndjenjës se je i pambrojtur, të shpaloset dhe fanepset edhe një tjetër, lakuriqësia si imazh i vetëm real i asaj që gjatë ditës apo natës, me ndonjë përjashtim kur epshet të futin në kurth, e mbulon me veshje të ndryshme, ndonjëherë edhe hipotetike. Mendimi i parë që të kalon nëpër mend është shprehja lakuriq si të ka bërë nëna.

Nuk ka njeri në botë – mendova- që do ta pëlqente gjithmonë atë moment tepër intim, kur nuk je i rrethuar nga të tjerë, por i dukshëm, i prekshëm edhe pse perceptimi i kalon caqet, në një mjedis tjetër. E nuk bëhet fjalë për lakuriqësinë trupore, pasi nëse nuk përjetësohet nga ndonjë klik i papritur, është gjysma e së keqes. Për një tjetër lakuriqësi e kam fjalën, atë kur del krejt i zbuluar, pa më të voglin sekret të jetës tënde, të cilin do të deshe ta ruaje që të mos ia shikonte fytyrën askush. Nëse nuk e nxjerr vetë, nuk e di askush, herët a vonë do ta nxjerrin të tjerët, nëse kanë ndarë me ty copëza jete, edhe pse të shkurtra. Kur koha kalon e fshehur edhe vetë ajo pas sekretit, lehtësimi të shoqëron gjithmonë edhe në ato momente të pakuptimta, i zhytur në qetësi dhe larg zhurmave të botës. Jeta merr kuptim vetëm kur jeton edhe ti bashkë me të njerëzit e qytetit tënd, i mposhtur nga egoizmi cmirëzi i qënies që s’lë gur pa lëvizur, me qëllim që për disa kohë t’u fshihet syve djallëzorë të qytetërimit.

Nata kaloi e qetë dhe pa shumë përpëlitje dhe ëndrra të llahtarshme, shpesh të çuditëshme, me ndonjë bisedë ku të kërkonin arsyen e mospërfshirjes së opsionit tjetër në prioritete. Aty ndaj mëngjezit, gjumi që sapo ishte larguar me një ëmbëlsi të pashpjegueshme, drita e natyrës sikur m’i risolli në mendje të gjitha përsihatjet e një nate më parë. Ndeza televizorin për të parë nëse kishte lajme të orëve të fundit që mund ta kishin tronditur botën dhe kur ke jetuar disa dhjetëvjeçarë, e kupton se tronditja depërton edhe në ndërgjegjen tënde. Pezmatohesh aq shumë, saqë ndonjëherë disa currila të vogla loti ta lagin dukshëm fytyrën. Tek i sheh në imazhet e përshpejtuara të lajmit, të ngjajnë me tipare të njohura të njerëzve që deri dje i përshëndetje kur kaloje rrugës. U uroje ditë të mbarë në atë përthyerje të vullnetëshme të kujtimeve. Pasi i rilexova edhe një herë, një lloj gëzimi ma pushtoi shpirtin dhe u duk sikur dita do të fillonte me lajme të mira. Kur mëngjesi nis me humor të paprishur të botës, atëherë ky humor sikur të imponohet edhe brenda teje dhe një atmosferë tjetër ta rrethon jetën. Ngazëllimi udhëton nëpër shpirt, ia shkel syrin zemrës si për t’i thënë që sot mos bëj naze, nuk ia hedh fare sytë urrejtjes dhe vëmendja përqëndrohet tek disa tela të ndjeshëm që sapo dëgjojnë një rezonancë jehone, ia marrin këngës. Është kënga e parë e një shpirti të çlirë. Kënga e dytë sjell të tretën e ky zgjim të ndjek pas, të shoqëron kudo edhe në rrugë.  Edhe punët duket se i bën me dëshirë, edhe qëndrimi ndaj jetës aty afër është më human. Përshëndetjeve nuk mund t’ua fshehësh sytë e qelibartë të paqes së dhuruar nga heshtësia e detyrueshme e disa konvencioneve planetare.

Hapa kanatin e faqes së murit dhe futa dorën thellë midis librave të vendosur në këmbë. Pa e parë fare se cili libër ishte, mendja e drejtoi dorën pikërisht tek ai vend. Fotografia kishte kohë që priste të dilte në dritë, të thithte pak ajër të pastër, të ndryshëm nga ai i një ere të një mjedisi të mbyllur.

E gjeta më në fund – thashë – dhe ftohtësia e letrës dhe e dorës u bashkuan në një takim të papritur, por shpjet raportet filluan të ndryshonin, sepse një ngrohtësi trupore po drejtohej dhe kondesohej tek fotografia. Disa bulëza uji të papërfillta u kristalizuan poshtë mollëzave të gishtrinjve. Pakti ishte firmosur.

Ishte po ajo fotografi me ngjyra që me shumë kujdes dhe fshehtësi që ruante imazhet e një çasti të papërsëritshmë idili në disa përqafime romantike. Djali ishte fiksuar në përpjekjen e tij finale të puthjes, por që buzët ndaleshin vetëm disa centimetra nga ato të vajzës. Vajza me sytë gjysëm të mbyllur dhe me trup të dhënë plotësisht në krahët e djalit, ishte në pritje të prekjes së tyre për të treguar se ia kishte falur të gjithë dashurinë dhe pasioni mund të ndizej që në atë shkrepje. A kishte ndodhur ai takim buzësh? A ishte transmetuar ai shkëmbim pasionesh? Këtë djali nuk e tregoi kurrë. I dukej se do të zbulonte një sekret për të cilin ishte betuar që ta ruanin të mbërthyer fort në dy zemra.

Unë ti dhe gjithësia e pagojë sipër nesh – e kishte shqiptuar pa ndojtje këtë fjali me  nëj frymë.

Unë ti dhe dashuria jonë e madhe – ishte përgjigjur me të njëjtin ritëm vajza.

Tani ajo fotografi nuk e kishte më kuptimin e dikurshëm, shumë gjëra kishin marrë një rrjedhë tjetër, të ndryshme nga betimi solemn dysh dhe pa dëshmimtarë, përndryshe do të gjendeshin bashkë si dikur.

Më mirë që nuk pati dëshmimtarë – belbëzova – sepse kjo fotografi nuk do të më kishte rënë në dorë. Nuk e mbaja si një peng të një dashurie që nuk jetoi gjatë apo të një betimi të mbetur jetim. Ndodhej aty si një shenjë e një lumturie që po ngrihej në fluturim, por vetëm kaq. Iu prenë krahët pak metra mbi ajrin që thithim ditëve, mbeti pezull si ai imazh i ndërprerë në mes i fotografisë dhe që u tret ngadalë në kujtimet e viteve. Sa deshën që t’i fshinin përgjithmonë kujtimet, ta zhduknin çdo gjurmë të mbetur mbi dhe’! Fluksi i parë i ideve që ta mësym mendjen mban urdhërin: harroje dashurinë, harroje gjysmën e zemrës që huajte tek e jotja! Harrimi të duket hakmarrja më e drejtë ndaj asaj lumturie që u pre’ me një goditje.

Kjo fotografi nuk ka më ngjyrime çastesh të dy qënieve të shndërruara në një shpirt të vetëm dhe me identitete të qarta. Me pak kujdes dhe ndonjë retushim linjash dhe ngjyrash, do të ishte reklama më e mirë e ndonjë filmi me zemra të thyera të një dashurie që u këput ashtu papritur, në një ditë shkurti. A thua se gjithçka ishte e shkruar me kaq saktësi në ndonjë faqe skenari dhe që duhej të përfundonte sipas këndvështrimit të regjizorit? Sot ata janë larg në të tjera dashuri duke fluturuar.

Shkurt 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Tregim

TRETJA E SHTETESISE

March 2, 2013 by dgreca

Tretja e shtetësisë përmes ‘njohjeve’ të Serbisë/

Nga Albin KURTI/

Të thuash që dialogu politik Kosovë-Serbi është i pashmangshëm dhe Thaçi si kryeministër i Kosovës është i pashmangshëm, paraqet të njëjtën gjë. Në çastin që Thaçi s’është më kryeministër, dialogu me Serbinë s’është më i pashmangshëm. Dhe, gjersa Thaçi është kryeministër, dialogu me Serbinë është njëmend i pashmangshëm. Thaçi s’mbahet dot si kryeministër pa këtë dialog me Serbinë. Ky dialog s’bëhet dot pa kryeministër Thaçin. Dy padrejtësi janë bërë komplementare dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra. Padrejtësia e avansimit të Serbisë drejt BE-së përkundër faktit se në Beograd bashkëqeverisin kriminelët e luftës. Dhe, padrejtësia e sundimit të Thaçit në Kosovë përkundër korrupsionit skandaloz të qeverisë së tij.

Për pasojë, përparimi i Kosovës drejt integrimeve evropiane edhe nuk po ndodh edhe është lidhur ngusht me dialogun me Serbinë. Kosova duket keq, angazhohet pak dhe trajtohet mbrapshtë, që të mund të ecë drejt Brukselit. Paralelisht me këtë, jo demokracia, zhvillimi e drejtësia në Kosovë, por dialogu me Serbinë, na janë shndërruar në mënyrën për integrim evropian. Ky dialog i cili, në fakt, është obligim për Serbinë nëse ajo do rrugëtim drejt Brukselit, brenda disa muajsh u transformua në obligim për Kosovën – tani është Kosova ajo që ia paska borxh Brukselit këtë dialog. Kjo ka kuptim vetëm në variantin pervers: Kosova po integrohet bashkë me Serbinë!

Dihet që pa marrëveshjen me Serbinë për përfaqësimin rajonal të Kosovës (me ç’rast na u shtua fusnota në emërtim duke na e kontestuar shtetësinë dhe na u hoq fjala ‘Republikë’ nga emërtimi i shtetit), Serbia e Tadiqit kurrsesi s’do ta fitonte vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për BE. Njësoj, dihet që pa marrëveshjen me Serbinë për veriun dhe strukturat kriminale shtetërore të saj në Kosovë, Serbia e Daçiqit s’do të mund ta fitojë këtë vit datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Ndërkohë, neve na thuhet që me këtë dialogun me Serbinë Kosova po lëviz në integrimet evropiane megjithëse sërish as vetëm liberalizimin e vizave s’do ta fitojmë në këtë vit!

Të gjithë ata që janë në pritje të rezultateve të dialogut me Serbinë në Bruksel duhet ta mendojnë për një çast se rezultat i çkafit ishte vetë ky dialog që u imponua në vjeshtën e vitit 2010. Në njërën anë, kishim shtetin e Kosovës, qeveria e të cilit edhe s’arriti as pas dy vjetëve e gjysmë të pavarësisë së Kosovës ta bashkojë Mitrovicën, edhe u korruptua deri në vetulla. Në anën tjetër, kishim kompromisin BE-Serbi, përkatësisht Ashton-Tadiq, që u shpreh me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit 2010, përmes së cilës u rikuptimësua mendimi këshillues i GjND-së së korrikut 2010. Rezultati i dialogut, porsi vetë dialogu, gjithsesi varet nga shkaku i dialogut, nga ajo që e bëri vetë dialogun rezultat.

Te korniza e këtij dialogu që u etablua në vjeshtën e vitit 2010, gjendet arsyeja pse marrëveshjet e deritanishme Kosovë-Serbi jo vetëm që nuk vijnë asnjëherë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës por zakonisht as që publikohen. Mungesa e theksuar e transparencës përgjatë procesit të dialogut (si atij teknik po ashtu edhe këtij politik) tregon që ose nuk duan të dihet përmbajtja e atyre marrëveshjeve ose forma e tyre. Pra, ose ka diçka shumë të dëmshme në elementet përbërëse të marrëveshjeve ose forma e tyre nuk është ajo e marrëveshjeve ndërkombëtare midis dy shteteve andaj nuk duan t’i shfaqin fare ato (përveçse preferohet nga negociatorët kosovarë që ato të quhen konkluzione të dakorduara). Ose, si zakonisht, të dyja këto – marrëveshjet janë edhe të dëmshme në substancën e tyre dhe segmentet e saj, edhe të padrejta në formën që vulos asimetrinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që thuhet se po normalizohen (sic.).

Është absurde të besosh që nëse e bën një koncesion shumë të madh (si puna e Planit të Ahtisaarit) kjo do t’i përfundojë koncesionet si të tilla. Askush nuk është kundër dialogut në parim, mirëpo, dialogu pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës, patjetër që paraqet dialog pa parime. E, në një këso dialogu, koncesionet përherë do të interpretohen si dobësi e palës që bëri koncesione dhe inkurajim për të kërkuar koncesione të tjera shtesë. Në këtë dialogun politik në Bruksel, Serbia shfaqet si dëshirë e pashuar për më shumë, ndërkaq Kosova si kënaqësi që e ndërpren përkohësisht atë dëshirë.

Nuk është e thënë që statusi special, autonomia, Ahtisaari +, kantonizimi, federalizimi etj. të jenë tema në dialogun politik në Bruksel në mënyrë që ato të realizohen. Thjesht, ato do të mund të jenë pasoja pa qenë tema, duke iu falenderuar motivit, karakterit dhe kornizës së dialogut politik me Serbinë. Pa kushte për Serbinë dhe për çështjen e brendshme të Kosovës paraqet qasjen më se të mjaftueshme për t’i përjetuar Kosova dëmet dhe humbjet gjymtuese pa folur për to në mënyrë eksplicite. Kantonizimi i Kosovës që nis me autonominë e veriut e përfundon me federalizimin e brendshëm të Kosovës po zbatohet prej së poshtmi. Autonomi financiare, kufitare etj. ashtu që emërtimi në fund të jetë çështje formale dhe disi tashmë e përfunduar. Autonomia e veriut po ndërtohet pak e nga pak për t’u shndërruar më pastaj në një fakt të kryer. Ndërkohë, secilin koncesion ndaj Serbisë, Thaçi dhe Tahiri do të na e interpretojnë si edhe një njohje që Serbia ia bëri Kosovës! Kësisoj, Serbia tanimë na ka njohur në aspektin e vulave doganore, diplomave universitare, dokumentacionit kadastral, regjistrave civilë, përfaqësimit rajonal, pikave kaluese në kufi etj. dhe kanë mbetur edhe vetëm dhjetëra (ndoshta qindra!) aspekte të tjera për të na njohur Serbia. Numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet e ndryshme të botës po i lëshon vend numrit të aspekteve të njohjes që po na i bën Serbia! Nuk është vetëm bota e zbërthyeshme në shtete që (s’)na njohin por edhe njohja qenka e zbërthyeshme në aspekte që (s’)na i njeh Serbia. Mirëpo, sa më shumë aspekte të njohjes së Serbisë për shtetin e Kosovës aq më pak aspekte të vetë shtetit të Kosovës. Edhe pak më shumë njohje të Serbisë do të thotë edhe ca më pak shtetësi për Kosovën. Me këtë logjikë, në fund, Serbia do të na e njohë plotësisht shtetin e pavarur mu atëherë kur do ta kemi humbur atë tërësisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, tretja e shtetsise

KU PO SHKON MAQEDONIA?

March 2, 2013 by dgreca

Maqedonia nuk mund të ekzistojë me masa represive kundër popullit të pafajshëm shqiptar/

 Nga Isuf B. Bajrami/

Në shërbim të veprimeve destruktive të politikës antishqiptare u vu ushtria dhe policia maqedonase, e cila, nëpërmjet dhunës e terrorit, bastisjeve, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve, kërkon të shuan aspiratën e shqiptarëve për të drejtat e tyre legjitime kombëtare.

Kohëve të fundit përveç aksioneve represive ushtarako-policore, u thirrën nëpër polici në të ashtuquajturat “Biseda informative” një numër i madh shqiptarësh me profesione nga më të ndryshmet, nga të gjitha trevat etnike të shqiptarëve në Maqedoni. Nëpër stacionet policore këta intelektual të shquar u stresuan, u vunë nën një terror psikik të pashembullt, u keqtrajtuan fizikisht, u kërcënuan dhe u mbajtën me orë të tëra. Qëllimi kryesor i policisë-politike maqedonase është t’i mposhtë këta luftëtarë të dijes, t’i frikësoj, dhe në fund t’i detyroj të heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike ku ka shqiptar në territoret etnike shqiptare në Maqedoni.

Këto veprime banditeske të autoriteteve dhe policisë-politike maqedonase janë një shprehje e urrejtjes së thellë që ata ushqejnë ndaj popullsisë shqiptare, me veprimet e të tyre antihumane, antikulturë, gjë që është e pashembullt për çdo vend evropian. Këto veprime kryhen në një kohë kur udhëheqës të ndryshëm politikë, personalitete të larta maqedonase flasin me të madhe për “barazinë”e popujve, për”respektimin”e të drejtave dhe të lirive të njeriut. E kjo është hipokrizia më e madhe e mashtrimi më i ulët që shfaqet aktualisht në Ballkan, sidomos në trojet ku banojnë kryesisht shqiptarët.

E drejta e shkollimit është e garantuar për çdo popull kudo në botë, është një e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por edhe në Kushtetutat e vendeve demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një vend evropian të ushtrohet dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet gjaku ndaj një populli që lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën amtare. Kjo ndodh vetëm në vendet me orientim sllavo-ortodoks; Serbi,Mal i Zi, Maqedoni, Greqi, në këto vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë e tyre.

Ky atentat i qeverisë maqedonase ndaj shqiptarëve është në të njëjtën kohë edhe një atentat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të parat e njohën Republikën e Maqedonisë pas “shkëputjes” së saj nga ish Jugosllavia titiste. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese maqedonase është një politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në dëm edhe të vetë interesave të popujve maqedonas. Por duhet ditur se ekzistenca e vetë Maqedonisë si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një popull autokton,që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij. Është e pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Maqedoni, siç është populli shqiptar. Historia shumëshekullore e popullit shqiptar dëshmon për luftërat që ka bërë ai për të ruajtur identitetin e tij, për të mbrojtur trojet e tij nga pushtuesit e ndryshëm qysh në kohët më të hershme e gjer më sot.

Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial ekonomik e shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirisë së qytetarëve të saj. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar. Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t’i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej.

E megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë “demokratike” dhe e civilizuar qëndron indiferente ndaj fateve të popujve të tjerë, ku shkelen këto të drejta, ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia e individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme. Shihet gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të ardhmes së popujve të tjerë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga Toplica e Sanxhaku, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes, Bujanovcit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, kur vriten, ndiqen dhe torturohen me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet gjaku i shqiptarëve si Lum në shtëpitë e tyre.

Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë shfarosur me dhjetëra e mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për të mos thënë se e kanë nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët vetëm në qoftë se me luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm të rezistojnë, por edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e “qytetëruar”, e gjendur përpara një fakti të kryer, do të mbante një qëndrim tjetër dhe hipokrizia e saj do të dilte sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë tjetër, se “ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së popujve”.

Ç’bëri Evropa kur ndaj shqiptarëve të pambrojtur u qëllua me armë. Me qëndrimin e tyre mospërfillës ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të vazhdojnë edhe më tej dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr të shqiptarëve për të drejtën e tyre legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën amtare.

Është koha që shqiptarët t’i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e tyre, çiltërsinë dhe hipokrizinë, fjalët nga veprat.

Qeveritarët maqedonë me të gjitha mënyrat përpiqen t’i ndalojnë shqiptarët të organizohen, të shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta. Kjo është arsyeja përse ata u hodhën me tërbim për të ndaluar themelimin e Universitetit të Tetovës, për të ndalur rininë shqiptare të marrë arsimin e lartë.

Gjakderdhja, terrori i egër ushtruar ndaj nismëtarëve për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe ndaj studentëve të parë në këtë tempull të dijes dhe kulturës, na kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin të gjallë, ngaqë shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na kujtojnë Xhordano Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të zbulimeve të tij të mëdha shkencore për planetin e Tokës.

Sikurse politika e pushtetmbajtësve serbo-maqedonë t’i përmbahej porosive dhe mësimeve të Goce Delçevit; “Kombet të bëjnë gara kulturore dhe jo gara të dhunës dhe të intrigave”, sikurse pushtetarët maqedonas t’i ktheheshin politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, dhe në mënyrë demokratike të pranonte t’u njohë shtetasve shqiptar barazinë sociale, politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore, kjo do të ishte ajo politikë që do të nxirrte nga pellgu i pafund këtë vend ballkanik. Kjo do të shërbente si një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë. Me barazi të plotë në çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve që bashkëjetojnë sot në Maqedoni.

Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, nuk kërkojnë gjë më tepër, ata duan të trajtohen si qytetarë të barabartë me maqedonasit. Në qoftë se kjo politikë diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë shqiptarët do të kërkojnë t’i jepnin fund kësaj gjendjeje jo normale dhe do të kërkonin të ndaheshin nga Maqedonia. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të sillte shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të kombit maqedon.

Do të ishte mirë që qeveritarët maqedonas të nxirrnin përfundime pozitive nga qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i maqedonasve që e njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit maqedon. Në barazinë e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të jenë më të mëdha me përmasa katastrofike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, ku po shkon, Maqedonia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5542
  • 5543
  • 5544
  • 5545
  • 5546
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT