• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKANDALI MË I FUNDIT NË POLICINË E SHTETIT

March 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këta muaj kanë qenë shumë tragjikë për Policinë e Shtetit shqiptar, sepse në një periudhë gjashtë mujore janë vrarë tre kryekomisarë të kësaj Policie. Dhe kur janë në rrezik komisarët e Policisë të Shtetit, e cila ka detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve të Republikës të Shqipërisë, merreni me mend sa sa në rrezik janë jetët e qytetarëve të thjeshtë!

Vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj ishte e treta në rradhën e vrasjeve. Dhe do të kishte kaluar, ashtu si kaluan dy të parat, nëse në shtypin shqiptar nuk do të ishin botuar fotografi të të akuzuarit për këtë vrasje Arben Frrokut me katër zyrtarët më të lartë, thënë ndryshe kupolën e policisë të Shtetit, përjashto Nr.1 Hysen Burgajn. Në këtë foto biznesmeni Arben Frroku ka pozuar gjatë një dreke a darke në një restorant në zonën e Dajtit me Agron Kuliçajn, zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Tonin Vocajn, drejtor i Krimeve të Rënda në Polici, Muhamet Rrumbullakun, zv.drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Nikolin Bala, drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale.

Pas botimit të fotos, të lartpërmendurit që ishin përfshirë në hetimin e vrasjes të kryekomisarit, u deklaruan se tërhiqeshin. Lind pyetja nëse ata të pestë, që bëheshin gjashtë me të zotin e restorantit, nuk do të kishin bërë foto asaj dreke apo darke, të cilat nuk do të ishin botuar pastaj në shtypin e Tiranë dhe këta njerëz do të kishin vazhduar hetimet ?! Sepse sa takime dreka e darka bëhen privatisht pa dritën e blicave dhe kamerave!

Disa kohë më parë, në Tiranë u diskutua edhe për një darkë ku mori pjesë pronari i ABCNEWS me eksponentë të opozitës, e cila u pa me shqetësim si lëvizje kahu e këtij Mediumi nga qendra e djathtë tek e majta! Sepse politikës i intereson fitorja dhe pushteti, dhe për pushtet e hedh shtetin e së drejtës në kosh të plehrave.

Duke iu kthyer kronikës të vrasjes të kryekomisarit, i akuzuari për vrasjen e Dritan Lamajt u arrestua në Greqi në mënyrë të menjëherëshme, që të linte të kuptonte se ata që e arrestuan, shkuan menjëherë tek Arben Frroku, pa kryer asnjë hetim.

Dhe kjo kapje po konsiderohej „një sukses“ i Policisë të Shtetit, nëse pas dy ditësh nuk do të botoheshin fotot ku i akuzuari për vrasje do të shfaqej në një tryezë me kupolën e Policisë. Çka vetëm si fakt përbën skandal. Hysen Burgaj, drejtori i kësaj Policie në daljen e tij për mediat, tha se asaj kohe Arben Frroku nuk kishte precedent kriminal.

Por ky deklarim i Hysen Burgajt nuk mjafton për të fshehur skandalin. Për raportin morboz që ka biznesi me politikën apo për raportin morboz që ka biznesi i mediave me politikën, që janë raporte shtetshkatërruese, raporte që po shkatërrojnë sistemin demokratik në Shqipëri, sepse edhe biznesi, edhe mediat kanë lidhje interesash përfituese me politikën dhe viceversa. I japin politikës, me qëllim që t’i marrin privilegje. Kur qëllimi i tyre do të duhej të ishte mirëinformimi. Orientimi nuk ndalet, edhe bashkëpunimi, por kur nuk cënon as integritetin e mediumit dhe as të politikës. Shohim zgjedhjet e fundit në SHBA. New York Times deklaroi se do të mbështeste Presidentin Obama, por kjo s’do të thotë se emrat e shquar që shkruajnë në atë gazetë si Paul Krugman, Maureen Dowd, Roger Cohen, Thomas L. Friedmando të dalin nga roli që kanë për të mbrojtur interesat e vendit të tyre.

Kështu, pas këtij skandali, u prit më kot që gazetaria investigative të thoshte fjalën e saj, sepse në Shqipëri gazetaria investigative nuk ekziston, kështu që ngjarja u fokusua sipas interesave të palëve.

Sokol Balla në emisionin e tij Top Story nxori në dritë disa të vërteta të rëndësishme, sepse për çdo gazetar të ndershëm perëndia e tij nuk është partia apo bosi i TV ku merr rrogën, por e vërteta dhe interesat e vendit ku ti ke lindur e do të lindësh e rritësh fëmijët e tu.

Sokol Balla kishte ftuar Shemsi Prençin, oficer kariere i përjashtuar nga Policia e Shtetit në fillim të 2012, pas akuzash reciproke midis palëve, Saimir Tahirin, Henri Çilin dhe Andi Bushatin.

Saimir Tahiri u bë personazh në Parlament kur midis tij dhe Ministrit të Brëndshëm u shkëmbyen replika. Ministri Noka e humbi kontrollin me akuza shumë të neveritëshme, ku në vend që të jepte shpjegime për ato që gjithë opinioni publik i pa me sytë e ballit, akuzonte opozitën se kishte lidhje me të akuzuarin. Skena shumë vulgare që i shohim rëndom në Parlamentin e Shqipërisë.

Në Top Story u sollën edhe deklarimet telefonike të Arben Frrokut nga Greqia, ku gjithë opinioni publik dëgjoi me veshët e tij se Frroku tha shprehimisht se i kishte të njohurit e tij personazhët e fotografisë dhe bile ka plot miq deputetë!

Po ashtu Shemsi Prençi vuri re se i ndjeri Dritan Lamaj është emëruar dhe shkarkuar tri herë nga detyra e kryekomisariatit nr.6 që bie në zonën e Kombinatit. Është emëruar në këtë detyrë sa herë që postin e Ministrit të Brëndshëm e ka marrë Bujar Nishani. Pra sipas një supozimi del se është emëruar nga Bujar Nishani dhe shkarkuar nga kupola e Policisë të Shtetit, e cila përbëhet nga ata që ishin të përfshirë në foto plus Hysen Burgajn. Kësisoj u la kuptohet se Dritan Lamaj kishte mbështetje nga Bujar Nishani.

Ndërkohë, shkarkimet e tij janë të habitëshme, kur kemi parasysh se si u përcoll i ndjeri Dritan Lamaj në banesën e fundit, me nderimet më të larta nga Policia e Shtetit, nga Ministria e Brëndshme dhe kryeministri, si oficer me merita ! Atëherë e përse është shkarkuar tri herë nga detyra lind një pyetje tjetër!

Duke u nisur nga deklarimet telefonike të Arben Frrokut dhe nga fotografia e publikuar në shtypin e Tiranës, del qartë se i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit dhe vëllai i tij që ka një restorant në Kombinat kanë patur lidhje me Kupolën e Policisë të Shtetit, në foto mungonin vetëm Burgaj dhe Ministri Ndoka.Lidhje ose ndërlidhje interesi përmes partisë.

Kjo sipas një logjike të thjeshtë, sepse vetëm një njeri me influencë mund t’i bashkonte katër kryepolicë të Policisë të Shtetit si bëri ai tek restauranti afër Dajtit.

Shemsi Prençi tha tek TopStory se politika ndikon dhe nuk e lejon Policinë e Shtetit të kryejë detyrën. Kjo përkon edhe me deklarimin që e dëgjuam të gjithë përmes telefonit, kur Arben Frroku pohoi se kishte drekuar apo darkuar me të lartpërmendurit me të cilët njihej dhe se po ashtu ai njihte edhe deputetë!

Midis debatit, ishte interesante një pyetje që i erdhi përmes Twitter-it ish oficerit të lartë të Policisë të Shtetit Shemsi Prençi nga një cicërues„neutral“, ku „neutrali“ e pyeste Prençin, se pas daljes të tij tek Top Story a do të fitonte ndonjë post deputeti nga lideri i PS. Përgjigja e Prençit tregoi se ai ishte simpatizant i PD-së! Fati i Prençit është si i shumë simpatizanëve të PD-së, të cilët i ka ndjekur gjuetia e shtrigave brënda klaneve të PD-së.  Gjithnjë ky tranzicion barbar ka bërë që të ballafaqohemi me segmentin biznes-politikë, ku në Shqipëri ky segment është shumë i kompromentuar. Partitë politike janë të interesuar që të marrin mbështetjen e biznesit dhe kur janë në pushtet ua shpërblejnë. Kulmi arrin kur biznesmenë që mbështesin partinë kërkojnë mbështetjen e institucioneve të saj për të hequr qafe dhe shkarkuar dikënd në Policinë e Shtetit që ia prish qejfin. Sepse këto janë forma të qarta të kapjes të shtetit të së drejtës.

Sa i përket skandalit më të fundit, opinioni publik ka në dorë fotot, të cilat i pa me sytë e ballit; ka në dorë deklarimin telefonik të Arben Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit,– si dhe deklarimet e zyrtarëve më të lartë të Policisë të Shtetit, ku sipas Burgajt „kur u fotografuan, Frroku nuk ishte nën hetim“ apo sipas katërshes të fotos njëri syresh tha se „nuk e njoh Frrokun“, tjetri tha se „e njoh Frrokun po me ne ndejti vetëm 10 minuta“ – e kështu me rradhë, ndërkohë që Ministri i Brëndshëm akuzoi kreun e opozitës se„është takuar me Arben Frrokun, para dy javësh“, pa asnjë provë, ndërsa ka në dorë provat materiale që janë fotoja dhe telefonata, të cilat i zhurmon me sharje dhe fyerje vulgare.!  Nga faktet që kanë dalë publikisht, deshifrojmë qartë lidhjen e politikës me biznesin. Dhe nëse një biznesmen arrin deri atje sa vret, kjo tregon se ky biznes është kriminal. Nga këto të dhëna shohim edhe dramën e Policisë të Shtetit dhe oficerëve të lartë të saj sepse fati i tyre varet nga politika dhe nga plotfuqishmëria e klaneve, i më të fortëve. Policia e Shtetit do të duhet të përfaqësohet me figura të përkushtuara dhe me integritet dhe jo shërbëtorë të partisë në pushtet, sepse Policia e Shtetit duhet të jetë shërbëtore e Shtetit dhe qytetarit dhe jo politikës dhe orekseve të saj. Fati i oficerit të Policisë të Shtetit nuk duhet të jetë në mëshirën e pamëshirshmërisë të politikës në funksion të pushtetit që bie ndesh me shtetin ligjor, sepse shteti ligjor mbahet e mbrohet nga vlerat e meritokracia. Ky problem bëhet edhe më dramatik, kur kemi parasysh se sëmundjen e Policisë të Shtetit e ka edhe Drejtësia, edhe Mediat, pasi edhe ato janë nën varësinë e politikës dhe biznesit, sepse nëse do të ushtronin me përgjegjshmëri detyrën e tyre ndaj opinionit publik për t’i treguar të vërtetën si është, atëherë vendi nuk do të rrezikonte sistemin. Sepse edhe demagogu më i madh i rruzullit nuk do të pranonte kurrë të deklaronte se qytetarët e Shqipërisë jetojnë të sigurt në shtëpitë dhe qytetet e tyre kur brënda një periudhe kohe prej pesë gjashtë muajsh vriten tre kryekomisarë. Pastaj kur Policia e Shtetit shpall se e ka kapur vrasësin dhe dy ditë më vonë opinioni publik zbulon se si i akuzuari për vrasje pozon me çifteli me kupolën e Policisë të Shtetit, kryepolitika në vend që të shkundet, na ofron të dëgjojmë çiftelinë e Flamur Nokës. Quo vadis kështu Shqipëri!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e shtetit, Elida Buçpapaj, me policine, skandal

“NANA KATRINË…”, NANA E PROF. KOLË PRELËS…

March 1, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Baba na la të vegjel jetima…Mbas një viti që “hyne këta…” nuk përfituem as pension mbasi u konsiderue gjithë fisi “reaksionar”…Na shtetizuen dhe një shtëpi që kishim me qera… Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin që në 1945…ndërsa, daja Don Kolec vdiq në vitin 1950…Na ndihmonte mos me shkue në “preventorium” halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil të Shkodres…I vetmi burim jetese ishte “shitja e plaçkave” të shtëpisë për me hangër bukë. Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave…Nana filloi me shitë pajen e vet të përgatitun me duert e saja qyshë vajzë sigurisht me çmime që po ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sëpse ishin të qendisuna me gjylpanë nga duert e Saja t’ arta… Nga Nana pata fatin me trashigue artin e pikturës për të cilin Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja kur ishte 9 vjeç pra në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në Romë.

Bana këte hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që vinim kokën sipër kur binim me fjetë… Nana hapte baulen e nusisë dhe caktonte njenin çarçaf ose sofrabez…që i duhej me shitë. Ato pak pare porsa i sillte “tallallesha” shkonin drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditëve ma përpara e shpesh, me ble bukën e freskët si “tullë”…

Kjo ishte gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të “prekuna” politikisht në Shkoder… Po nuk duhet harrue se kur në 1946 filloi “dera” e burgut, që nuk u mbyll përsa vjetë, atëherë edhe paret e “tallalleshës” hidheshin në pusin e pangopun të burgjeve që të merrnin shpirtin…

Oh, sa me gëzim pritej thirrja e zanit të “tallalleshës” kur i trokiste derës së shtëpisë!!

Edhe na si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me pritë mbas dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo shumë rrallë pranonte ftesën tonë se, si na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe “mbasi edhe Ti o Vidë, i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë”, kështu i thonte Ajo Nanës seme kur iu vente me hy mbrendë…

Ajo ishte një grue e shkurtë e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe gjithmonë e kujtoj me shami të zezë…kishte zanin pak të trashë, grue shumë e qeshun po me tipare të theksueme malësorje kur fliste…Edhe na mësueme nga Nana jonë emnin e Saj dhe gjithmonë e kemi thirrë shkurt “Nana Katë..!” pra, Nana Katrinë…Kjo ishte “tallallesha”…që vinte tek ne…Kur dilte me shkue gjithnjë përsëriste të njajtën thanje: “Në dorë të Zotit…u baftë vullnesa e Tij..!”.

Ma vonë kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se Kjo “tallalleshë”, që shiste rroba të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte përfundue universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit në Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte arrestue kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM. krejt i pafajshëm. Në atë gjyq Prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot pafajsisë së At Gjonit, dhe për atë arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili nuk ka dalë ma nga burgu, madje as në gjyq. Një ditë Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë: “Mos siell më ushqime… se djalin t’a kemi pushkatuar se ai ishte ‘armik i Popullit’..!” dhe, Nana Katë, u ishte përgjegjë: “Po, prandej Populli e pat ba deputet të vetin pse ishte ‘anmik’ i Tij..?” dhe ashtu e pikllueme kishte marrë strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë ku jetonte kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga torturat…kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të vjetër ku Ajo, i ruente si rrelike…Mësuem se Nana Katë jetonte vetëm mbasi edhe djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite…

Një ditë në pragun e festës së Pashkëve, aty nga viti 1949 Nana më mori me vete dhe u nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane kaluem në krahun e majtë nga një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, pothuej në fillimin e saj Nana trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë…Ajo doli menjëherë dhe na për mos me na pa kush pse kishim shkue u afruem tek jerevia ku jetonte Nana Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku Nana eme kishte përgatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për ditën e Pashkëve edhe Asaj.

Kështu mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe në një vorfni të papërshkrueshme…që askush nuk di me e mendue. Përveç mureve të hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka poshtë pa asnjë drrasë si dysheme …ku në një skutë mbasdere një batani mbi dy drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente…

Kishte një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres…pranë kishte një stol.

Aq më bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: “Si mund të jetojë njeriu në kushte aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që Shkodres nuk i kanë mungue kurrë..?”

E, megjithate…Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku do të lirohet, “se këta” nuk kanë me kenë gjithmonë…”një ditë… do ti hajë dreqi edhe ‘këta..!”, thonte Ajo…

Shumë vite kaluen. Nana Katë vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba…

Kushdo që kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një plakë të vjetër “tallalleshën” e njohtun në Shkoder, mbasi secili mendonte edhe me e ndihmue Até…me dishka të vogël sëpse të gjithë e dinin hallin e Saj…e mbi të gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule…

U gëzuen edhe gurt e sokakut kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga burgu!

I madh e i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e djalit…

Edhe kush s’ e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me “tallalleshën” për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi…e kush nuk e shihte do ta ndalonte Ajo, tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte sjellë ardhja e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin edhe hatllat… “Hajde, mirse u ka prue Zoti…!” ndihej deri tek rruga e madhe zani i Burrneshës së Dukagjinit…Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut…

Por, njeriu që nuk ka fat në jetë sado i mirë kjoftë kurrë nuk mund të parashikojë se Nana Katë …nuk mundi ti shpëtojë “mjerimit” edhe pse njihej se nuk ka krye asnjë vepër të keqe. U hap lajmi si rrëfeja se Katërinë Preles papritmas i ka vdekë edhe djali tjetër i vetëm Marku…

“Asht kenë vullneti i Zotit kështu…!” thonte Nana e mjerë…Po lot jo, kurrë, nuk kishte përfaqe…vazhdonte traditën e Malëve…Burrneshat nuk kjajnë! Asht vështirë me kuptue forcën e një Nane që kishte mbetë në këte botë pa asnjenin djalë…me një “forcë” të pakuptueshme..!

Një ditë kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin bashkë me Nanën Katë, ku Ajo gjetë atje “djelmët e Malit” tek të Parët e Trojeve të veta, ku mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin, dashtninë dhe bujarinë e Tyne…

Jam i sigurt se edhe shkrepat e Malit do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë…

E bashkë me Ta këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë, që Shoqet e veta me “shamija të zeza” i ka me mija edhe sot, në të katër anët e Shqipnisë…

Asaj Nanë…Burrneshë të Alpeve tona.., që na mësoi fjalën “qendresë”..!

Shenim: Ju, lutem mos ngatrroni fjalën “qendresë” me fjalët “harrës”,”moskujtesë” etj.

që përdorën sot në institucionet e “Drejtësisë” moderne…të “demokracisë” shqiptare..!

 

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Nana Katrine

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET…

February 28, 2013 by dgreca

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET… 

 

– duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane -/

 Nga Visar ZHITI*/

 …ndërsa po të nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa)ngritur gjatë festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, Presidentit  Wilson,  që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e  mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti, aq sa ç’është sot, prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.

Vështrimi m’u fiksua tek cilindri amerikan mbi kryet e shtatores, s’e di pse. Diktatori ynë, krahas borsalinës, kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit. Absurditet dhe marrëzi vrastare, thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Wilsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita.                                                               

Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mëndësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na copërlonin të huajt, po ia bënim vetes.

Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhëmbjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “The Freedom House”, me president z. Muç Xhepa, (bashkarisht falenderoj dhe ata që mundësuan ardhjen dhe ndejtjen time, z. Zef Balaj, bashkëvuajtësin tim z. Esat Coku, znj Engjelushe e Jatiar Luzaj dhe familjen Seferi), ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta nga që kam qënë dënuar për metaforat. Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar. Vërtet ka patur bëma dhe ndodhi të atillë paradoksale në një kohë aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një Muri Berlini tashmë të shëmbur, kur nisi sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore. Erdhën si çlirimtarë duke sjellë robëri më të rëndë. Duke përshtatur përdhunshëm një doktrinë gjysmake, utopi mizore, që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri, në fakt që të ruanin sundimin e tyre, socializmin real të njeriut të ri, pa virtytet vetanake dhe të përhershme. Nuk po lejohej asgjë, as fantazia, ishin rrëmbyer pronat dhe mundësitë, madje as jetën e as vdekjen nuk i kishe të tuat, por të shtetëzuara nga ai revolucion i paqartë, çapraz. Dhe më përpara se të hapnin universitete, hapën burgje. Dhe u shndërrruam në burgun më të madh, duke qenë vendi më i vogël në të gjithë perandorinë komuniste.

Si nëpër nënkatet qerthullore të ferrit, hidheshin rregullisht kundështarë e disidentë e viktima e dënoheshin dhe ide e besime, por dhe libra e lexues të tyre, biblioteka, po, po ngrehina bibliotekash dhe ato të teatrove bashkë me dramat, festivale këngësh, peizazhe dhe piktorë të tyre, le më pastaj që janë dënuar dhe varret. Të vdekurit e mëdhenj donin t’i vdisnin ende më shumë. Ja, poetit Gjergj Fishta, “Homeri i fundit” në Ballkan, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Një kundërshtar si ai s’duhej të kishte kohën e pas vdekjes, duhej të zhbëhej për komunistët. Dhe kështu bënë dhe me të tjerë, të gjithë të pushkatuarit, të shuarit burgjeve s’duhej të kishin varre.

Ndërkohë diktatura kultivonte inteligjencien e saj, ku bënin pjesë dhe shkrimtarë dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat e armëve apo fermat, teksa komplotonte ta zëvëndësonte Zotin me veten e vet, për rrjedhojë dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive dhe klerikët i burgoste ose dhe më keq. Dhuna permanente në fund të fundit ushtrohej po me inteligjencë, jo vetëm me policë, me kundërkulturë kundër kulturës, me shërbimet perfekte të mediokritetit ideokracisë dhe sistemit totalitar.

Në tempullin e kujtesës/

…duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.

Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka patur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin.                                     Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.

Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd, u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.

“Shqipëria që shtypej”

…megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma.

Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Coku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafë-Bar, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej.

Në një farë mënyre ne të gjithë jemi si pas vdekjes. (*  Fjala e shkrimtarit Visar Zhiti ne Gjyqin e New Yorkut, mbajtur me 18 shkurt ne Royal Recency. Te plote do ta lexoni ne Diellin e radhshem ne print)

Filed Under: Featured Tagged With: duke dale nga burgologjia, Kujtesa dhe Liria, mes dy statujave amerikane, Visar Zhiti

PËR DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS, WATERBURY- KRYETAR NDERI PËR BASHKINË, NJË SHQIPTAR I KOSOVËS

February 28, 2013 by dgreca

Ngritja e Flamurit të Kosovës në shtizën e lart para Bashkisë së qytetit Waterbury, u krye nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu/

Beqir Sina, New York/
WATERBURY CT – Më 25 shkurt 2013, komuniteti shqiptaro-amerikan festoi me të gjitha solemnitet zyrtare, pavarësinë e Kosovës. Për të nderuar pavarësinë e Kosovës, zyra e Kryetarit të Bashkisë së qytetit Waterbury, në Connecticut – Konektikët, i dorzojë titullin e nderit “Kryetar Bashkie për këtë ditë” – një gjeneral brigade në pension, Eddi Zyko, i cili është shqiptarë nga Korça – dhe familja e tij emigroi në SHBA, njëqind vjet më parë.
Komuniteti shqiptar i Waterbury, është dominuar nga shqiptarët që kan emigruar nga Shqipëria, Mali i Zi, Luginën e Preshevës dhe nga Maqedonia dhe të Kosovës. Ata përbëjnë me 17 .000 shqiptarë rreth 15 për qind të popullsisë, së këtij qyteti të vogël të shtetit federal Connecticut , i cili ka 112.000 banorë. (Pra, shqiptarët, tash përfaqësojnë më shumë se 15 për qind të popullsisë, së këtij qyteti të vogël të shtetit federal Connecticut . Sipas Census 2010 vlerësohet se Waterbury ka 25.476 italianë, 23.354 hispanikët,19.400 afrikano-amerikanët, ka rreth 17.000 shqiptarë dhe 12.514 irlandezë në Waterbury. )

Ky komunitet i kushton një rëndësi të veçantë të gjitha festave dhe ngjarjeve tona kombëtare

Ashtu si e kan traditë për të festuar pavarësinë e Shqipërisë, për 100 vjet, tash pesë vjetë e fundit ky komunitet po nderon edhe feston me të njëjtin solemnitet pavarësinë e Kosovës dhe kësaj rradhe ata u mblodhën për të festuar ditëlindjen e saj të pestë të shtetit më të ri.
Ajo që është bërë tashmë një traditë për qytetin e Waterbury, është se ky komunitet me zyrën e Bashkisë së qytetit, ka bërë këto pesë vjet edhe Kosovën me dorzimin e titullit të nderit “Kryetari i Ditës” një individi nga bashkësia e tij, ndër shumëllojshmërinë etnike të këtij qyteti, i dalluar nga tradita dhe tolerancën ebashkëjetesn fetare, racore e gjinore në këtë qytet.
Shqiptarët, në Waterbury pavarësisht nëse ata vijnë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi apo Luginën e Preshevës, Çamëria, ata e konsiderojnë njëri-tjetrin si vëllezër, flasin të njëjtën gjuhë, kanë të njëtat traditat dhe janë të gjakut të njëjtë.
Një veprimtare e këtij komuniteti Mimoza Rizvani, thotë ” në qytetin Waterbury të Connecticut – SHBA, ditën e hënë 25 shkurt u zhvillua një ceremoni vërtet e bukur dhe që do të mbetet gjatë në mëndjen e komunitetit shqiptarë me rastin e 5 – Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.”
Ajo thotë se Shqiptaro – Amerikani, Gjeneral Brigade në pension Edi Zykaj, një ushtarak kariere në Forcat e Armatosuara të ushtrisë amerikane, i cili ku ka patur një karierë të shkëlqyer duke shërbyer në ushtrinë Amerikane, dhe duke merituar gradën gjeneral brigade, ndërkohë që tash është jurist dhe general në reservë për ushtrinë Amerikane, u paraqitë në ceremoninë e rastit në Bashkinë e qytetit të Waterbury me uniformen e gjeneralit .…

“Kjo ishte shumë kuptimplote, shtoi znj. Rizavani, për të nderuar shqiptarët e Amerikës, për kontributin që ata dhanë me dekada për Shqipërinë, Kosovën edhe për të respektuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ushtrinë e saj dhe presidentët e saj në rolin vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës .
Kurse, shprehja e tij në fjalën e përshëndetjes, gjatë marrjes së titullit të nderit “Mayor of the Day” se ; “Kam lindur në Amerikë, jam nga Korça por ndjehem si shqiptarë nga Prishtina, Shkupi, Ulqini, Tirana e Çamëria ” ishte dhe mbetet simbol i asaj se ne shqiptarët kudo ndjehemi si vëllezër të të njëtit gjak, pavaresisht se nga jemi apo nga kan ardhur dhe ku jetojmë”.
Solemnitetin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës e bënë edhe më të bukur dhe për t’u mbajtur mend gjatë edhe pjesmarrja e dy përfaqësuesve të kongresit të Connecticut, Viktor Cuevas dhe Llarry Butler, sikurse morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit vendor në Waterbury me në krye Majorin e qytetit zotin Neil O’Leary.
Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës me në krye Ambasadorin Bekim Sejdiu Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, konsullin e Kosovës z. Fatmir Zajmi dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqipëtare nga komuniteti i New Yorkut, New Jersey dhe Connecticut .

Ambasadori Bekim Sejdiu, mbajti fjalën kryesore duke u shprehur se “unë ndjehem dhe jam sot ambassador në mes të ambasadoreve ”
Më tej ai i bëri gjatë fjalës së tij një vlerësim të posaçëm komunitetit shqiptarë, në Amerikë, për gjithë atë kontributin e madh që shqiptarët kan bërë dhe japin në komunitet duke ruajtuar dhe zhvilluar vlerat më të mira të popullit shqiptarë, dhe ndihmuar vendlindjen tonë.
Në sallën qendrore të bashkisë së qytetit të Waterbury, artistët e komunitetit shqiptarë në Amerikë, të ftuar në këtë solemnitet sollën një atmosferë me të vërtet atdhedashurie dhe respekti për historin dhe luftën për liri e pavarësi në shekuj të shqiptarëve.
Ndërkaq, për të treguar integrimin e plotë të shqiptarve në jetën amerikane para zyrtarve të lart të qytetit dhe dhjetra pjesmarrsëve, Shefi e Departamentit të Matematikës në shkollën e mesme Crosby Highschool zoti. M. Beshi, solli në vëmendje të, të pranishmeve një shëmbull shumë të veçantë. Ai tha se “Nga rreth 1500 studentë ne Crosby Highschool, studentët shqiptar janë rreth 130 dhe nga 10 studentët më të mirë të shkollës 6 prej tyre jan shqiptar.” pohoi zoti Beshi.

Ceremoninë solmne me rastin e 5 – Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e përshëndeti me këtë rast dhe vet Kryetari i Bashkisë së qytetit Waterbury zoti O’Leary, i cili në fjalën e tij përshëndeti ngrohtesisht dhe vleresoi me nota maksimale integrimin dhe kontributin që jep komuniteti shqipëtar në Waterbury, duke shtuar se “Nuk është aspak sekret fakti – tha ai – se ndër 18,325 studentë që ka Waterbury në dhjetë më të mirëve gjashtë prej tyre sot janë shqiptar – Kjo tregon theksoi kreu i Bashkisë zoti O’Leary, se shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e këtij qyteti dhe ne jemi krenare me ju shqiptarët”.
Programin e ceremonisë së kremtimit të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës në sallën e Bashkisë së qytetit e shoqëroi edhe një program i pasur artistik. Recitimi i Yulias së vogël pesë vjeçare nga Kruja me thirmmën se ….” E dua Kosovën e dua Shqiperine e dua flamurin e dua fort Çamërinë ” ngjalli shumë mallë dhe atdhedashuri për vendin tonë, tha znj. Mimoza Rizvani.
Znj. Rizvani, na tha se ceremonin e përshëndetën edhe veprimtarët veteran të këtij komuniteti J. Kulla e M Gjini , si edhe pati presantimet e e bukura të Alvitrit , Dines dhe Faikut, duke patur si simbolikë të saj këshillat e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut :”për të qenë të fortë duhet të jemi të bashkuar”
Loja e artistëve aktorit dhe producentiti Xhevat Limani, aktorit Shaban Lajçi e rapsodit Tom Gjergji nga Grupi muzikor ‘Bashkimi Kombëtar”, krijuan më të vërtet atmosfere atdhetare dhe artistike tha Mimoza Rizvani.

Kurse me këtë rast vizita e delagacionit të Kosnullatës së Përgjithshëme të Kosovës vazhdoi në objektin e Shoqatës Atdhetare Hasan Prishtina për shkollën shqipe atje dhurar nga Ministria e Diasporës u bë dhe shpërndarja e librave për nxënësit e shkollës shqipe nga përfaqësuesit e Kosovës Ambasadori Bekim Sejdiu Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, dhe konsulli i Kosovës z. Fatmir Zajmi
Në fund thotë ajo se edhe organizatorët e ceremonisë së kremtimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Bashkinë e qytetit të Waterbury, zotërinjët, F. Rizvani, F Kuka Y.Hasani dhe P. Qeta , përfaqësues edhe të “Unionit shqiptaro amerikan për zhvillimet në Ballkan ” shprehën falenederimet për bashkëpunimin dhe kënaqësinë e të qenit bashke si vëllezër në këtë festë të bukur mbarë shqiptarë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bekim Sejdiu, Beqir Sina, pavaresia e Kosoves, Waterbury

DENONCIMI I RASTEVE TË SHTETËSIVE NË MAQEDONI

February 28, 2013 by dgreca

Programi Unik Shqiptar-PUSH, paraqet para opinionit rastin e radhës të mohimit të shtetësisë së Maqedonisë znj.Naxhie Osmani e cila ka lindur në vitin 1967 në Çair të Shkupit dhe jeton në fshatin Bukoviç që i përket Komunës së Shkupit. Edhe pse ka lindur në Shkup dhe është banore e kryeqytetit zonja Naxhie nuk ka shtetësi të Maqedonisë, ndërsa bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët janë shtetas të Maqedonisë. Ajo pasi ka parashtruar kërkesë për shtetësi i është mohuar në vitin 1997.

Për fat të keq për kategorinë e këtyre shqiptarëve që u mohohet shtetësia e Maqedonisë pa të drejtë nuk janë interesuar asnjëherë partitë, deputet dhe ministrat shqiptar të cilët çirren për patriotizmin e madh folklorit. PUSH sqaron opinionin se ne si organizatë do të bëjmë ç’është e mundur që zërin e këtyre njerëzve të thjeshtë të dëgjohet deri në instancat më të larta të Organizatave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku Republika e Maqedonisë ka firmosur Konventat.

Ne shprehim shqetësimin edhe njëherë se në heshtje po bëhet ç’regjistrimi i shqiptarëve të lindur, të shkolluar dhe që jetojnë në Maqedoni, në vendin e etërve të tyre. Kjo po bëhet për të ulur sa më shumë numrin e vërtetë të shqiptarëve në këtë republikë multietnike. Për fat të keq asnjë parti politike nuk po interesohet dhe të reagojë për këtë fenomen me përmasa tragjike për qytetarët të etnisë shqiptare.

Në zyrën tonë vijnë përditë 2-3 njerëz që pyesin, marrin këshilla rreth problemeve me shtetësitë, për fat të keq janë njerëz që i përkasin kategorisë së thjeshtë, punëtorë të cilët s’kanë asnjë lidhje me politikën, numri i kësaj kategoria është shumë i madh.

Edhe njëherë PUSH tërheq vëmendje në lidhje për përfitimin e shtetësisë së Maqedonisë, të gjithë atyre njerëzve që u është mohuar e drejta e shtetësisë pa të drejtë, të sjellin fotokopjet e vendimeve për refuzimin nga ana MPB në zyrën e Programit Unik Shqiptar që ndodhen në qytetin e Tetovës.

Kryetari

Teuta Kamberi–Llalla

Programi Unik Shqiptar

Maqedoni, 28.02.2013

Filed Under: Kronike Tagged With: Levizja Push, Teuta Llalla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5544
  • 5545
  • 5546
  • 5547
  • 5548
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT