• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO ATYNE, KUSH DO T’U VEJE KUNORE?

February 11, 2013 by dgreca

Nga Daniel Gàzulli*/

 Po atyne, kush do t’u vejë kunorë?/

In memoria /

Një komb i ban nder vetes tue vu kunorë në vorret e Martirëve, të çdo kohe qofshin ata.Mirëpo, kujt i bie në mend se ka edhe disa vorre, për të cilat institucionet as kujtohen se janë të bijëve e bijave ma të mirë të kombit?! Për ta nuk ka një 5 Maji. Për ta nuk ka kunora me lule. Nuk ka, sepse ende nuk arrijmë të çlirohemi nga mendësi të trashigueme nga e kaluemja e hidhun.

Krimet që bani komunizmi, ma së pari mbi të krishtenë në përgjithësi, e mbi klerikë në veçanti, nuk janë fantazi artistike, po fakte tragjike që i provoi ky popull. Në një qytet si Shkodra (pra Shkodra me 40.000 banorë, jo Londra shtatëmiljonshe), në vitin 1946 kishte 26 burgje:

Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendëshme.

Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çurçisë).

Burgu i Prefekturës (kati përdhé).

Konvikti “Malet tona”.

Burgu i Madh pranë Prefekturës.

Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.

Burgu i vjetër i Gestapos pranë shtëpisë së Zef Shirokës.

Shtëpia e Ulqinakut.

Kuvendi i Motrave Servite.

Kisha e Motrave Servite.

Shkolla e Çelës.

Podrumi i shtëpisë së Faslli Ademit (nën farmaci).

Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).

Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).

Burgu i Postës, tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.

Shtëpia e Rrojëve (pranë Maternitetit të vjetër).

Shtëpia e Guljelm Lukës, në krye të rrugës të Jezuitëve (prej nga internonin).

Shtëpia e Dr. Karamitrit.

Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.

Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).

Shtëpia e Guljelm Sumës.

Shtëpia e Sandër Saraçit.

Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.

Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.

Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.

Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.

 

Në këto shtëpi-burgje, ose jo fort larg tyne, kanë gjetë vdekjen me vjerrje në litar, pushkatim ose vdekje në tortura lulja e atdhetarëve, ata që deshten një Shqipni vërtetë të lirë e demokratrike. Këtu ma poshtë po rendis vetëm disa prej tyne, sa për kujtim, e njëherësh tue u kërkue ndjesë familjarëve të të tjerëve që, tue mbas i pasë nëpër duer në skedimet e mia, nuk ua përmend emnin. Janë vetëm çka përfshinte aso kohe Prefektura e Shkodrës, pra Shqipnia Veriperëndimore.

 

Paraprakisht po sjell edhe disa citime shumë domethanëse pse u mbytën ata Atdhetarë.

Mjaftojnë tre të tillë. Kujtoj se përsekutorët ia kanë ba akuzën vetes. Komentet janë të tepërta.

Pandi Kristo pohon në gjyq se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!…”

Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për këtë!”(Dosja 1623)

Dom Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.

                                               Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.

 

Histori barbare që formojnë një enciklopedi tragjike krimesh shqiptare mbi shqiptarë.  Prandaj po sjell vetëm emnat.

Populli që ka kujtesë i di, nuk ka si ta harrojë veprën e tyne.

 

Kel Abati,                      Shaban Abdullahi                  Riza Alia

Dr. Alfred Ashiku,        Kolë Ashiku,                           At Anton Harapi,        

Dul Bajrami                  Injac Baqli,                            At Bernardin Llupi,     

At Bernardin Palaj,      Skënder Sadik Çaushaj,        At Çiprian Nika,          

At Daniel Dajani SJ,    At Florian Berisha SJ, At Gaspër Suma,         

At Giovani Fausti SJ,At Gjon Shllaku,             Pashuk Biba,      

Mark Cacaj,                 Prekë Cali,                              Mark Çuni,        

Tomë Lekë Daka,         Bardhosh Dani                       At Mati Prennushi,

Simon Darragjati,        Zef Darragjati,                       Kolec Deda,        

Nikollë Prenk Deda,     Pjetër Shan Deda,                  Maliq Bajrami

Prof. Simon Deda,        Brahim Derguti                      Qemal Draçani   

Caf Dragusha               Dom Aleksander Sirdani,  Mark Sadiku,

Dom Alfons Tracki,      Dom Andrea Kalamashi,       Dom Anton Muzaj,

Dom Anton Zogaj,       Dom Dedë Malaj,                   Dom Ejëll Deda,

Dom Ejëll Kovaçi,        Dom Kolec Prennushi, Dom Lazër Jubani,

Dom Lazër Shantoja, Dom Lec Sahatçija,                  Dom Luigj Pici,  

Dom Luigj Prendushi, Dom Marin Shkurti,               Dom Mark Dushi,

Dom Mark Hasi,            Dom Mark Xhani,                Dom Ndre Zadêja,

Dom Nikollë Gàzulli,    Dom Nikoll Gjini,                   Dom Nikoll Shelqeti,

Dom Nikollë Kaçorri,   Dom Nikoll Laskaj,                Dom Pal Gjini,   

Dom Pjetër Çuni,          Dom Pjetër Gruda,                 Dom Pjetër Tusha,

Dom Shtjefën Kurti,     Dom Zef Bici,                         Dom Zef Maksen,

Fra Gjon Pantalia,        Gaspër Simon Gaspri, Pjetër Gegë Gurakuqi,

Pjetër Dedë Gjedashi, Lulash Gjeloshi – Bajraktari i Shoshit,      

Ndokë Gjeloshi,   Pjetër Gjoka,                          Mark Luc Gjoni,           

Mark (Markagjoni), Llesh Gjon Marku (Markagjoni), Pashko Zef Hoti,

Imz. Ernesto Çoba,       Imz. Frano Gjini,                   Imz. Gjergj Volaj,

Imz. Jul Bonatti,           Imz. Nikoll Deda                    Imz.Vinçenc Prennushi,

Ndoc Jakova,                Zef Jakoviq,                           Xhelal Hardolli  

Prof. Prenkë Kaçinari, Luigj Gjeto Kastrati,              Dulo Kali            

Simon Kraja,                Jup Kazazi                    Sadik Kazazi      

Ndrekë Loka,                Gjelosh Lulash Bajraktari,    Prof. Gjelosh Lulashi,

Llesh Marashi,              Kolë Margjini,                        Angjelina Marku,        

Bal Marku,                   Gjush Marku,                        Gjergj Martini,   

Caf Meti                        Frano Pjetër Mirakaj             Pashuk Bib, Mirakaj,

Pal Bib Mirakaj,                    Marash Miri,                          Mark Miri,

Zef Miri,                        Qerim Sadik Myftari             Ingj. Ludovik Zojzi,    

Gjon Mark Ndoj,         Mëhill Ndoja,                        Gjokë Nikaj,       

Dodë Nikolla,                Dr. Av. Paulin Pali,                Mark Pali,          

Mark Zef Pali,              Ndue Pali,                               Pjetër Prendush Pali,

Prof. Kolë Parubi,        Av. Myzafer Pipa                  Martin Sheldija

Prof. Kolë Prela, Zef Kolë Prela,                       Ndrec Prenga,    

Ndrekë Puka,                Dr. Luigj Radoja                             Kir Dul Doshi,    

Gjelosh Luli,                 Ludovik Saraçi,                     Cin Serreqi,        

Dedë Lulash Smajli,     Kolë Sokoli,                           Guljelm Suma,   

Kolë Nuri Sheldija,       Çezar Shllaku,                        Marie Shllaku,   

Mark Temali,                Kol Mark Toma,                    Maria Tuci,                  

Pal Thani,                     Gjergj Vata (Cukali),             Gjokë Nikoll Voci,

Dedë Mirash Zefi,         Prof. Alush Lushanaku,        Maria Zojzi (Deda).

 

E di, lista nuk asht e plotë. As ishte ky qellimi im.

Deshta vetëm t’ju kujtoja se nuk duhet harrue!

          Ata u flijuen si Martirë për Atdhe.

Shenim: Të dhanat historike u nxoren nga libri i Fritz Radovanit

“Një monument nën dhé” e me leje të Autorit.

 Shtator 2012.

* Me dt. 12 Shkurt, i Ndjeri Daniel Gazulli ban tre muej qe u nda prej nesh.Ne kujtim te Tij po Ju dergoj nje artikull te cilin Ai ma dergoi para se te shkonte per mjekim ne Itali. Kush ka mundsi asht mire me e botue.

Me respekt, Fritz Radovani.

Filed Under: Histori Tagged With: Daniel Gazulli, do t'u veje, Fritz radovani, Kunore?, kush, po atyne

Kombi është akt besimi

February 11, 2013 by dgreca

Nga Ndue Ukaj/

Çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi? E në këtë aspekt, çfarë do të thotë të jesh shqiptar? Një shpjegim domethënës, për pyetjet e më sipërme, gjithmonë sfiduese për personin, por edhe për bashkësinë njerëzore, e jep shkrimtari erudit, Jorge Luis Borgesi, te tregimi Ulrika në formën e një dialogu konciz.

Ajo më pyeti e menduar: Ç’do të thotë të jesh kolumbian?

-Nuk e di, -iu përgjigj. –Është një akt besimi.

Kombi është një akt besimi. Asgjë ma shumë e as më pak. Pjesëtarët e një kombi, bashkohen rreth idealeve të kombit, duke krijuar kulturën e përbashkët dhe kështu duke e shndërruar kombin në një akt besimi, rreth së cilit rrinë të bashkuar të gjithë pjesëtarët e tij. Vetëm duke besuar te e kaluare e tij, (që është traditë e përbashkët), pastaj te ambiciet e tij, e sidomos te gjuha dhe kultura, pjesëtarët e një shoqërie e ndjejnë kombin si një akt besimi dhe krijojnë kohezion e harmoni të brendshme. Pikërisht për këto arsye, shumë njohës të çështjeve shoqërore, mbrojnë idenë se kombet janë ma shumë unitet gjuhësore dhe kulturore, sesa unitet racore.

Nga kjo që thamë, del se kombin e ushqejnë marrëdhëniet e brendshme strukturore, që janë të fuqizuara sidomos nga kultura dhe gjuha, si shtyllat fundamentale mbi të cilat ngrihet dhe mbahet kombi. Këto elemente fundamentale, krijojnë heronjtë e një kombi, figurat eminente dhe etërit e tij, tek të cilat besojnë pjesëtarët e kombit, sidomos në çaste të vështira. Në këtë mënyrë, krijohet ndjenja e besimit dhe kështu kombi bëhet një akt besimi që vetvetiu i shuan dallimet e mundshme brenda vetes.

Për shqiptarët, kombi a është akt besimi? Çfarë do të thotë të jesh shqiptar, sot, në këto realitet të reja gjeopolitike që janë krijuar sidomos në dy dekadat e fundit? A kanë shqiptarët përgjigje unike për këto pyetje esenciale?

Po ta kërkonim një përgjigje në këtë pyetje, ajo do të varionte dhe do të varej nga kategorizimet që ekzistojnë brenda kombit. Kohezioni i brendshëm, te ne është prekur pikërisht në kohën kur shqiptarët jetojnë më të lirë se kurrë më parë. Në këtë kontekst, përgjigjen sigurisht s’e jep të njëjtë ai që e ndjen veten brenda identitetit europian të shqiptarëve, në raport me atë që s’e ndjen. Për më tepër, kjo përgjigje vjen e komplikohet, nëse merren për bazë figurat kryesore kombëtare, etërit e kombit, rreth të cilëve kohëve të fundit janë shfaqur jo pak dallime. Këto dallesa, shpeshherë ngrehin pikëpyetje sfiduese para shqiptarëve. E një nga ato sigurisht është edhe pyetja, nëse është kombi ynë, një akt besimi, rreth të cilit ne ushqejmë ndjenjat e përbashkëta të përkatësisë apo kombi është një arenë ku ne vringëllojmë shpatat e ndarjeve?

Këto pyetje të shumta, natyrisht kërkojnë analiza dhe interpretime të shumta e nga dije të ndryshme. Një gjë është më se e sigurt. Në këto pyetje, shqiptarët s’kanë qëndrime unike dhe kjo duhet ta shqetësoj çdo kënd që merret me çështje të kombit. Kjo sidomos duhet t’i shqetësoj elitat (nëse kanë mbet të tilla) dhe edukatorët e këtij kombi. Këto dilema, vazhdojnë ta rëndojnë jetën tonë kombëtare, sidomos viteve të fundit, prej kur brenda nesh kanë filluar të rihapen debate për identitetin kombëtar shqiptar dhe dilemat nëse ai është unik apo i fragmentuar. Ndërkaq, këto debate, kanë marrë kahe më dëshpëruese, sidomos pas shfaqjes së një fryme çoroditëse neootomane në jetën tonë kombëtar. Kjo frymë, e cila së pari është stimuluar nga qarqe turke, me kohë zuri vend te disa pseudo intelektualë shqiptarë, të përkrahur po ashtu nga disa pseudo historianë dhe në këtë mënyrë është ngritur mjerisht deri në nivelet e larta qeveritare.

Debatet për identitetin kombëtar dhe përkatësinë civilizuese të shqiptarëve, kanë rishfaqur prirje dhe orientime të ndryshme brenda jetës sonë kombëtare. Pikërisht këto debate, kanë stimuluar një klub të strehesave, siç i quan Ismail Kadare, ta çmitizojnë figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotin e Nënë Terezës. E sulmet s’mbarojnë këtu, por vazhdojnë me teoritë për kombin kosovar e gjepura tjera, se gjoja perandoria osmane s’na paska qenë pushtuese, por administruese.

Rihapja e këtyre temave, edhe njëherë e ka parashtruar nevojën e qartësimit të raporteve tona me vetveten. Pikërisht për këtë, shkrimtari ynë më i afirmuar dhe një nga mendjet më të mbrehta, Ismail Kadare ka shkruar një libër testamentar,“Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku me një analizë të shkëlqyeshme e ve shqiptarin para përgjegjësisë kombëtare, që të qartësojë veten dhe ndërgjegjen e tij në raport me të shkuarën dhe kështu të hap shtigje për të ardhmen.

Derisa të krijojmë një kohezion të brendshëm dhe një harmoni kombëtare, që pyetjeve dhe dilemave idetintare t’iu japim zgjedhje përfundimtare, ne s’do të qetësojmë ndërgjegjen e trazuar kombëtare. Këtë sigurisht s’mund ta bëjmë pa e respektuar traditën e përbashkët, kulturën e përbashkët me shenjat e tiparet dalluese identitare. Kjo është mënyra e domosdoshme për t’i kultivuar ndjenjat e përkatësisë unike kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, krijojmë ndjenjën e përkatësisë së përbashkët për kombin tonë dhe flakim dallimet që janë rrit dukshëm viteve të fundit, por që janë artificiale.

Historia s’duhet lejuar të bëhet barrierë për të ndërtuar të sotmen tonë kombëtare. Atë duhet ta marrim si një pikënisje për rrugëtimet e ardhshme.

Andaj, është në ndërgjegjen e klasës intelektuale, t’ju jap përgjigje të qartë këtyre dilemave që për nga rëndësia, tejkalojnë gjitha debatet e pakuptimta që bëhen ndër ne për politikën dhe degradimet që ka pësuar ajo, për paaftësinë e klasës sonë politike me çua vendin përpara, ngase këto degradime e çoroditje, vijnë nga fakti se kombi ende s’është bërë akt besimi për gjithë shqiptarët.

Realitet e reja që janë krijuar nder shqiptar, çuditërisht s’na kanë unifikuar në pyetjet e lartështruara. Përkundrazi, sot më shumë se kurrë sulmohet heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, humanistja dhe nderi i shqiptarëve në botë, Nënë Tereza, e kështu me radhë. Pikërisht këtu ka filluar çarja e rrezikshme brenda nesh.

Do te ishte skajshmërisht e trishtueshme dhe fatalisht katastrofale, psh. të mendohet, se kombi kosovar është zgjidhja ma e mire për të tashmen e shqiptareve qe jetojnë në këtë pjesë të gjeografisë politike shqiptare. Kjo nëse s’është punë miopie politike e kulturore, është veprim qëllimkeq që shqiptarëve ju vë edhe një digë të rënd në rrugën e konsolidimit dhe avancimit.

Nga këto përsiatje, e shohim sa e domosdoshme është nevoja për një ripërtëritje shpirtërore, duke ju kthyer etërve të kombit, atyre që na formësuan dhe jetësuan idenë kombëtare. Krizat e shpërfaqura identitare, janë një sinjifikativ i qartë se ndër ne duhet një rilindje, që t’ju japim përgjigje përfundimtare këtyre dilemave të makthshme. Vetëm kësisoj mund t’i tejkalojmë barrierat e rënda të së sotmes, që shpeshherë ju detyrohen të kaluarës sonë dhe pastaj të hapim shtigje të reja, për t’u integruar brenda familjes perëndimore, me dinjitet dhe respekt.

Ma shumë se për këndellje politike, kemi nevojë për këndellje shpirtërore, që përgjumja jonë përballë këtyre dilemave të na zgjojë dhe ta shohim realitetin në sy.

Empiria na ka dëshmuar faktin se popujt që s’marrin mësim nga e kaluara e tyre, janë të destinuara të ripërsërisin gabimet e njëjta.

Faik Konica, eruditi i pashembullt dhe kritiku më i madh shqiptar, që fishkëllente pa kompromis plagët dhe cenet e karakterit shqiptar, thoshte se “…është nevoja t’i japin shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi me i madh i Shqipërisë”. Pas kaq dekadash, qyshkur Konica pikasi me pedanteri prej eruditi këtë nevojë, që shkonte në drejtim të bërjes së shqiptarëve, pas bamjes se Shqipërisë, ne e shohim sesa aktuale është kërkesa e tij sot. Shqiptarëve ju duhet një ide e qartë për të ardhmen, një ideal i shëndoshë, për te triumfuar kundruall kësaj gjendje dhe mendësie jondërtuese. Për ta zhdukur te keqen, duhet krijojmë idealin e te mirës e këtë ideal duhet ta ndjejnë gjitha shtresat e kombit. E, që të ndodh kjo, duhet një shkollë e re kombëtare, që do të motivohej nga qëllime sublime dhe ideale të larta kombëtare. Kjo shkollë në viteve të indipedencës ka ekzistuar dhe dha fryte të dobishme. Tash duhet ta rifunksionalizojmë. Etërit e kombit, duhet t’i bëjmë pararojë për të sotmen dhe udhërrëfim për të ardhmen, ndërkaq filozofinë e pastër oksidentale, që e promovuan pa ekuivokë gjithë mendimtarët shqiptarë, në kohën kur u bë Shqipëria, duhet ta rikthejmë dhe ta vejmë në punë, në funksion të interesit të përgjithshëm kombëtar. Asnjë rruge tjetër, s’është e sigurt, veçse e shton agoninë tone te gjatë.

Përcaktimi kulturor dhe civilizues i shqiptareve vjen natyrshëm nga shtrati kulturor dhe gjuhësor perëndimor, ku bën pjesë edhe kultura jonë që nga fillesat e saj e gjer me sot. Devijimet neper kohë kanë qenë të shtrënguara here nga pushtuesit e here nga ideologjitë shtrembëruese, por shqiptaret asnjëherë s’janë shkëput kulturalisht nga perëndimi, prandaj gjitha ato ide që vijnë si barriera për të sotmen dhe përpiqen ta fragmentojnë të kaluarën, shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë t’i braktisin dhe t’i hedhin në koshin e mbeturinave kundërmuese. Në këtë mënyrë, kombi bëhet një akt besimi rreth së cilës rrimë gjithë të bashkuar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: akt besimi, Kombi eshte, Ndue Ukaj

TE MARTEN, Z. MARK GJONAJ PARAQET REZOLUTEN PER PAVARESINE E KOSOVES NE ASAMBLENE E SENATIT TE NY

February 11, 2013 by dgreca

Ju njoftojmë se ne datën 12 Shkurt 2013, duke filluar ne oren 11:00 paradite ne sallën e Asamblesë dhe Senatit në Albany, të New Yorkut do te mbahet një ceremoni ku do të lexohet, si dhe do te aprovohet rezoluta e përgatitur nga Assemblyman i District 80th ne Bronx te New Yorkut, z. Mark Gjonaj me rastin e 5 vjetorit te pavarësisë së Kosovës.
Ne kete ceremoni do te marrin pjese titullarë, aktiviste, si dhe musafirë te komunitetit shqiptar ne SHBA.

Ceremonia do te zhvillohet ne ora 11:00 ne adresen:

The Capitol Building

State Street,

Albany, NY 12230

 

Filed Under: Kronike Tagged With: nga Mark Gjonaj, Njoftim

NJË YLL I RI I PARTISË REPUBLIKANE NË SHBA?

February 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë të martë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, si çdo vit, mban fjalimin e tij mbi gjëndjen e kombit.   Gjatë këtij fjalimi, Presidenti Obama sigurisht që do të mburret me arritjet e administratës së tij gjatë vitit të kaluar dhe do të përpiqet të jap hollësi dhe të njoftojë popullin amerikan mbi programet dhe iniciativat që ai ka në plan t’ua paraqes ligjvënsve amerikanë për aprovim gjatë këtij viti.   Është gjithashtu traditë që partia në opozitë të paraqesë edhe ajo planet dhe programet e saj, të kritikojë politikën e administratës dhe t’i përgjigjet fjalimit të Presidentit. Partia në opozitë, zakonisht cakton një politikan popullor në nivel kombëtar, për  të mbajtur fjalimin dhe për t’ju përgjigjur pretendimeve të presidentit.

Këtë vit, Partia Republikane në opozitë ka zgjedhur Senatorin e ri republikan nga shteti Florida, Zotin Marc Rubio, popullariteti i të cilit duket se është në rritje, jo vetëm në shtetin Florida që ai përfaqëson, por edhe anë e mbanë Amerikës, sidomos pasi ky përqafoi kauzën për zgjidhjen e çështjes së imigracionit ilegal në këtë vend. Gazeta Washington Post citon udhëheqsin e republikanëve në Kongres, John Boehner, se Senatori Rubio u caktua t’i  përgjigjet fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit,  sepse senatori republikan nga Florida, si rrallë ndonjë tjetër,  “është  bartës i parimeve të Partisë Republikane dhe  i vlerave të lirisë, mundësive dhe begatisë  që ajo promovon”.

Është një fenomen ky i politikës amerikane në përgjithësi që lejon dhe mundëson angazhimin e politikanëve të rinjë në jetën politike të vendit dhe në veprimtarinë e politikës brenda partisë të cilës i përkasin.   Kështu ndodhi edhe me Presidentin Barak Obama, i cili pothuajse nuk njihej aspak nga votuesit amerikanë, kur për herë të pare ai  iu paraqit amerikanëve me fjalimin që  mbajti me 2004 në Kuvendin e Partisë Demokrate, duke i hapur atij rrugën për zgjedhjen e tij president të Amerikës, katër vjetë më vonë.    Edhe Partia Republikane po vendos përballë Presidentit Obama dhe para popullit amerikan Senatorin Marc Rubio, një  ligjvenës të ri me prejardhje kubane duke i dhënë  atij rastin dhe mundësinë për të shpjeguar idetë e tija — dhe të partisë që ai përfaqëson — për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Amerika.   Ai do të flasë në anglisht dhe spanjisht,  që është gjuha e prindërve të tij dhe të cilën ai e flet rrjedhëshëm.

Por kush është Senatori Marc Rubio, të cilin revista amerikane Tajms e quan si, ”Shpëtimtarin e Partisë Republikane”, ylli i të cilit duke se po rritet brenda kësaj Partie, dhe të cilin strategu republikan Karl Rove e ka quajtur atë si, ”komunikuesin më të mirë ç’prej Ronald Reaganit.”  Udhëheqsi i republikanëve në Senatin amerikan, Senatori  Mitch McConnell, tha se, “Marc Rubio mishëron optimizmin  që është në zemër të vizionit të Partisë republikane për të ardhmen e Amerikës.  Përvoja e tij si bir imigrantësh e ka bindur atë  mbi përfitimet që vijnë nga kufizimi i kompetencave të qeverisë si edhe në lirinë ekonomike.”

Z. Marc Rubio, i cili është 41 vjeç,  ka shërbyer në Dhomën e Përfaqsuesve të shtetit Florida nga viti 2000 deri në 2008, dhe është zgjedhur Senator i  Shteteve të Bashkuara nga ky shtet,  në vitin 2010.

Në biografinë e tij, Senatori Rubio thotë se besimi i tij në Amerikën u formua heret nga prindërit e tij të cilët emigruan nga Kuba më 1956 dhe pasi diktatori komunist Fidel Kastro soldifikoi regjimin e tij, ata nuk u lejuan të këtheheshin më në atdheun e tyre.   Ishte përvoja dhe kujdesi brenda familjes, thotë ai,  që e ndihmuan të formonte  jetën e tij si person dhe si politikan.  Ai falenderon prindërit e tij për punën e rëndë të tyre për të siguruar që ai dhe vëllëzërit e motrat e tij të kishin mundësitë për të shkuar përpara, mundësi të cilat ata nuk i patën kurrë në jetën e tyre.   Duke shprehur fillozofinë e tij konservatore të qeverisjes, ai shprehet se,  ”ishte angazhimi i Amerikës për një qeveri me kompetenca të kufizuara, si edhe liria ekonomike, që hapën dyertë e suksesit për mua” , thotë ai.   Ai shton  se si anëtar i Senatit Amerikan, ai ka përkrahur me krenari ata që kanë hapur vende të reja pune, dhe ka mbështetur prindërit amerikanë, misjoni i të cilëve në jetë është që — për fëmijtë e tyre — të ndërtojnë një Amerikë të fortë e të begatë.   Përsa i përket politikës së  brendshme, ai ndër të tjera është në favor të  balancimit të buxhetit federal dhe për shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë federale.

 

Senatori Marc  Rubio, si bir imigrantësh nga Kuba, dhe si pjesëtar i një grupi senatorësh të cilët janë duke përpiluar legjislacionin për zgjidhjen e problemit të imigracionit ilegal në këtë vend ka thënë se, ”Shumica e Amerikanëve besojnë se kemi nevojë për një sistem imigracioni legal që funksionon, pasi ky që kemi tani nuk i përshtatet kushteve të shekullit 21.”   Ai, në të njëjtën kohë, ka marrë pjesë në debatet mbi politikën e jashtme amerikane, duke përmbledhur qëndrimet e tija  duke thënë  se, ”me krenari ka artikuluar qendrimin e tij në lidhje me interesat e Amerikës për të kundërshtuar tiranët e rrezikshëm,  dhe në mbështetje të luftëtarëve të lirisë”, dhe se ka ngritur zërin e tij në ”përkrahje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, anë e mbanë botës. I vetdijshëm  për popullaritetin e tij në rritje, Senatori Rubio ka mbajtur një numër fjalimesh në të cilat ai ka prononcuar qendrimet e tija, duke dhënë hollësi, nga pikëpamja e tij, mbi një numër çeshtjesh aktuale për Amerikën dhe për  botën.  Ai ka theksuar qendrimet e tija konservatore mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, përfshirë politikën ekonomike dhe financiare, që sipas tij, duhet të krijojë taksapagues të ri dhe jo të imponojë taksa të reja; dhe të merren masa mbarëkombëtare për të siguruar që shekulli 21, të jetë një  “Shekull tjetër Amerikan”.   Senatori Rubio  ka folur mbi rolin që duhet të luaj qeveria në Amerikë dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë.   Ai ka thënë se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në politikën e jashtme, pasi shumë njerëz, anë e mbanë botës, “gjithnjë brutalizohen dhe skllavërohen nga qeveritë e tyre”.

E ardhëmja politike e Senatorit Marc Rubio është bërë tanimë një burim spekullimesh në qarqet politike dhe në median amerikane – dhe caktimi i tij për t’iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama mbi gjëndjen e kombit, vetem do t’i nxisë edhe më tepër këto spekullime, duke e ngritur edhe më shumë profilin e tij si një kandidat i mundshëm iPartisë Republikane për president në vitin 2016.
Caption: Senatori Marc Rubio i shtetit Florida

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, i Partise Republikane, Nje yll i ri

NE 5 VJETORIN E PAVARESISE- $ 27 MIJE DOLLARE PER KATEDRALEN”NENE TEREZA” NE PRISHTINE

February 11, 2013 by dgreca

Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York, kremtoi 5 – Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. U mblodhën 27 mijë dollarë kontribut për ndërtimin e Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë. Synohet qe shifra e pergjithshme te shkoje1 milon e 500 mije Dollare/

Nga Beqir SINA New York/

BRONX – NEW YORK   Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York, mblodhi mbrëmë në lokalin e njohur Eastwood – Manor disa dhjetra besimtarë në një mbrëmje solemne, për të festuar 5 – Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe për të kontribuar në përfundimin e ndërtimit të Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë.

“Motra dhe vëllezer nga të gjitha trojet e shqiptarise, iu drejtua në fillim të fjalës së saj drejtuesia e kësaj darke, Etrita Ibroci, me ndjenjën e mallit për atdhe, me ndjenjën krenarisë – Gëzuar ! pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!”

Më tej ajo tha se kan kaluar vetëm disa muaj më parë, kur ne të gjithë shqiptarët kremtuan 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe tani së bashku si në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe në diasporë po festojmë 5 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Për këtë vijojë Ibroci, vërtetë duhet të jemi të lumtur me progesin dhe zhvillimin që shënuan vendet tona të prejardhjes, edhe pse ende ka shumë për të bërë duke shtuar  se këtu ne New York dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komuniteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë përbërës i këtij vendi.

“Biznesët dhe ndërmarrjet shqiptare, u shpreh ajo janë ndër më të sukseshmit ku profesionistët dhe studentët tanë janë bër shembujë në mesin e kolegëve të tyre dhe po dallohen në mjekësi, në drejtësi, në financë dhe, së fundmi, edhe në qeveri. Mark Gjonaj është shembulli më i mirë i sukseit tonë në Amerikë, ai tashmë është zgjedhë në Asamblenë e Neë York-ut si udheheqësi i parë i zghedhur i komunitetit tonë në SHBA. Kjo, mendojë tha Ibroci,  duhet të na motivojë të gjithëve që të besojmë se vërtetë të gjitha mundësitë i kemi të hapura.” Mirëpo, sugjerojë ajo gjithsesi, është mirë dhe me rëndësi që ne njëkohesisht ti ruajmë lidhjet me trojet tona dhe me njeri tjetrin, duke shtuaar se dhe pikërisht për këtë arsye gjithmonë ajo ka pas dëshirë të marr pjesë në një organizim si ky, sot.

Ibroci drejtuesia e kësa darke u shpreh se :”Sot po takohemi edhe për t’i mbledhur fondet e për ta përfunduar Kishën e Nenës Terezë në Prishtinë, mbasi kjo kishë lartëson jetën dhe vepren e Nenës Terezë dhe ua kujton gjithë botës se ajo ishte pika më e lart e sakrificës dhe humanizmit shqiptar. Uroj që kontributi i të gjithëve këtu dhe kontribute tjera të ndihmojnë përfundimin e këtij vendi të shënjtë sa më shpejt.

Edhe njëherë, urime për pavarësinë e Kosovës! Kemi fatin që diçka që ishte aq vështirë për të arritur tashmë po kthehet në një festë e pervjetor i zakonshëm dhe i rregullt.” përfundojë fjalën e saj hyrse Etrita Ibroci

Mbas fjalës hyrëse të drejtueses së kësaj darke zonjushes Etrita Ibroci, intonimi i dy himneve të Shqipërisë dhe SHBA, u krye dhe bekimi i darkës  nga – Domm Pjeter Popaj famulitari i Kishes Katolike “Zoja e Shkodres”

Në bekimin e tij famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, dom Pjetër Popaj, u lut për 5- Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: “Vëllezër e motra, tha dom Pjetri, sonte të bashkuar të përgëzohemi me njëri tjetrin për pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe për këtë tha ai ; të falemnderojmë Zotin për datën historike të 17 Shkuriti 2008, ditën e shumë pritur, realizmin e ëndërrës tonë, i luftëtarëve trima, që kanë derdhur gjakun për liri e pavarësi, për truellin shqiptar, për Kosovën tonë kreshnike.” Në këtë bekim ai një nderim të veçantë i dha kujtimit të dëshmorëve që sakrifikuan veten për atdhe , dhe u lut që atyre lavdi u qoftë emri i tyre mos u harroftë!

“Të falenderojmë Zotin, vazhdojë Dom Pjetër Popaj,  që na ka ruajtur ndër shekuj sidomos kur ishim në kriza të mëdha kombëtare deri te pika e shkatërrimit. Kur armiqtë na sulmonin për t’na zhdukur, Zoti i lum la dërguar dashamir për t’na ndihmuar të qëndrojmë të fortë në këmbët tona. Kjo gjë është verteuar me ndërhyrjen e Amerikës për çlirimin e Kosovës. Gjatë historisë ne kemi pasur pak miq, por miqt i kemi pasur të fortë.”

Kosova trime, siç u shpreh ai ka kaluar rrugën e Kalvarit, të mundimit e të vuajtjes, të dhunës e gjakderdhjes, por urojmë që ta gëzojë lirinë e pavarësinë e merituar, të dëshiruar prej stërgjyshve tanë, tha Dom Pjetër Popaj.

Më pas ai lut për Kosovën dhe udheqjen e Kosovës; “Lutemi edhe për udheheqësit e Kosovës, që me urti t’a drejtojnë këtë popull në përparim duke ruajtur vlerat morale, në familje e në shoqëri. Të ruajnë të drejtat e njeriut, të përdorojnë paqen e mirëkuptimin dhe të kultivojnë gjërat që na bashkojnë.”

Duke i falenderuar etërit tanë, u shpreh Doma Pjetër Poaj ne kemi një histori të përgjakur por të lavdishme. Trojet tona janë larë me gjakun e dëshmorëve tanë. Besa në Zotin, burrnija, fisnikëria kanë qenë ndershmërija e krenaria e të parëve tanë. Dhashtë Zoti që edhe ne t’u përngjajmë baballarëve tanë duke përcjellur këto cilësi gjeneratave të ardhëshme, duke ndihmuar njeri tjetrin në nevojë, duke jetuar si vëllezër e motra, të një gjaku, të një tradite, të një historie, në paqe me Zotin e në paqe me njëri tjetrin.Gëzuar 5 vjetori i pavarësisë, lavdi herojve tanë e rroftë populli shqiptar, th në fund të fjalës së tij Dom Pjetër Popaj.   Raportin e dertanishëm të fushatës së mbledhjeve të ndihmave financiare për ndërtimine Katedrales në Prishtinë nga Kisha Katolike Zoja e Shkodrës e mbajti drejtori i Qendrës Nëna Tereze, zoti Mark Shkreli

“Komuniteti shqiptar i New Yorkut me rrethe, tha zoti Mark Shkreli, drejtori i qendrës kulturore Nëna Tereze, pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Neë York, është krenar për kontributin e madh dhe të rëndësishëm që ka dhënë për të nderuar emrin e Nëna Terezes me këtë tempull madhështor në mes të Kosovës, duke dhuruar deri tani 1 milion e 350 mijë dollarë”

Në vijim me një fjalim rasti u prezentuar edhe Ambasadori Bekim Sejdiu – Konsul i Përgjithshëm i Kosovës në New York

” Kombin tonë në shekuj e kan shquar vlerat e harmonisë, dhe të bashkëjetesës fetare, mirëkuptimit dhe përkushtimit dhe vizioni progresivë , tha Ambasadori Sejdiu, të cilat në raport me kombet e tjera dallohen nga një shpirti i madh , simbol i kombit tonë e cila është personaliteti i Nënë Terezes me të cilën ne të gjithë shqiptarët mburremi sot.” Ambasadori Sejdiu u shpreh se po shfrytëzojë rastin në emër të qeverisë së Kosovës, të falemnderojë të gjitha ata që kan kontribuar dhe po kontribojnë për Katedralen Nëna Tereze në Prishtinë, dhe per të gjithë atë që ka bërë e bënë diaspora shqiptare në SHBA për Kosovën dhe vendin tonë.

Mbasi, sipas tij ju fëmijët tuaj dhe nipat e mbesat tuaj duhet të jenë krenar me përkatësinë dhe indetitetin tuaj kombëtar. Gjithashtu duhet të mbeteni qytetar të ndërshëm dhe patirotik të SHBA, këtij kombi të madh i cili ashtu si me presidentin Uillson që shpëtojë Shqipërinë, dekadën e fundit përpkrahjen dhe mbështetjen që i dha Kosovës për liri e e pavarësi. Andaj do të them se çdo sukses i juaji është një sukses edhe për ne dhe jemi krenar që sot në mesin tonë kemi një sukses – i cili është anëtari i Kuvendit të Nju Jorkut Mark Gjonaj.

“Kjo darkë, tha më tej Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, Ambasadori Bekim Sejdiu koincidon me një datë historike të kombit tonë – 5 – Vjetorin e Pvarësisë së Kosovës, ndërkohë që ne ende mbetemi nën atë entusiasimin e madhe të festimve madhështore të 100 – Vjetorit të Shqipërisë, mendojë se këto janë momente që ne shqiptarëve duhet të na shërbejnë si një inspirim që të punojmë ditë e nate për vendin tonë me një përkushtim duke ruajtur edhe vlerat tona euro-atlantike. Në atë mënyrë që atë vizionin tonë t’a bëjmë një realitet në jetën tonë qoftë në një kuptim më të thjeshtë atë simbolik apo praktik.”

Me një mesazh pershëndetës në këtë darkë erdhi dhe Assemblymani shqiptarë në Asamblenë e New Yorkut, zoti Mark Gjonaj:”Është një kënaqësi e veçantë që kjo darkë ashtu si bashkon dy qëllimet e saj ; celebrimin e 5 – Vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe darkën humanitare tashmë tradicionale për bashkim fondesh na bashkon më shumë edhe ne si shqiptarë., por do të theksoja se kemi shumë për të bërë përsëri së bashku dhe të bashkuar.

Megjithëse, se sot është një kohë shumë e keqe asnjërin prej juve nuk e ka ndalur, të mblidhemi së bashku të celebrojmë 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mbasi kjo është dita që erdhi edhe me punën dhe kontributin tuaj, skarficën tuaj, për të ndihmuar edhe ju në këtë ditë të madhe, që së bashku me SHBA-ës, të beheni simbol i të gjithë shqiptarëve në botë..

Dhe të gjithë së bashku ashtu si kemi punuar deri tani lë të punojmë edhe në të ardhmen për të mirën e vendit tonë, Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Zoti e bekoftë pavarësinë e Kosovës.”Një mesazh falënderimi për të gjithë kontribuesit dhe iniciatorët e kësaj darke  përcolli Kryetarit i Komisionit të Fushatës: Marjan Cubi. Duke vëlersuar dedikimin e pjesëmarrësve për këtë mbrëmje zoti Cubi përcolli një falemnderimtë veçantë si tha ai për këngëtarin Agim Gërbeshi, i cili me inisiativën e tij – dhe kolegëve Shqipe Kastrati, Alfred Popaj dhe Grupi 4 Yjet, falas organizoi këtë darkë për disponimin tuaj – me qëllim që mjetet financiare që do të mblidhen ti dërgohen Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë.  Më tej në fjalën e tij zoti Cubi u shpreh se ky 5 – Vjetor i Pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimi i Katedralesë në Prishtinë , dhe ky bashkim i ynë nuk do të ishin po të mos kishte qenë edhe artitekti i tyre – Presidenti i parë historikë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Cubi ka nderuar me këtë rastë edhe punën e rolin e Ipveshkit të parë të Kosovës Imzot Mark Sopin dhe Imzot dom Gjergjin për përpjkejet tija.

“Një falenderim të posaçëm ai drejtohet komisionit organizativë, dhe të gjithë donatorëve prej ditës kur u çelë kjo fushatë, dhe pjesmarrjësve të kësaj darke, Dom Pjetër Poajt, si dhe argëtuesve të kësaj mbrëmje që kishin ardhur falas, duke i dhanë solemnitetin e duhur të kësaj mbrëmje. Profti i darkës, tha ai si dhe fonde tjera që grumbullohen sonte në këtë darkë do të shkojnë për katedralen e Prishtinës. Jam i sigurt se edhe kjo darkë me bujarinë tuaj do të dalin me sukses. Zoti jua shpërbleftë të gjithëve u shpreh Kryetari i Komisionit të Fushatës zoti Marjan Cubi duke deklaruar në emër të komisionit se u mblodhën 26.700 dollarë. Darka u shoqërua me një programi të pasur muzikor  me këngëtarët e njohur të komunitetit Agim Gerbeshi , Shqipe Kastrati, Alfred Popaj dhe Grupi 4 Yjet

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, mbildhen 27 miej dollare, ne 5 vjetorine pavaresise, ne Prishtine, Nene Tereza, per katedralen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5571
  • 5572
  • 5573
  • 5574
  • 5575
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT