• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Simfoni për nji nënë: Hane Sinën, po jo vetëm për atë!

December 24, 2012 by dgreca

Nga Jozef Radi/

Dy ditë më parë, mbylli përgjithmonë sytë, nji prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, nji nga ma të thjeshtat, ma të përvuajturat, ma të pambështeturat, nji ikonë e njerzores: Hane Sina!

Kish kohë që kish nisurë ai kalvar pafund për vajzat, gratë e nënat shqiptare, ku Hanja do të ishte nji prej tyre, që e kapërceu me dinjitet të papërshkrueshëm at tmerr pafund të pësuar padrejtësisht… dhe mbrriti deri te dita e ikjes së saj e plotë, e patjetërsuar në gjithë vlerat e veta!

Hane Sina ishte nji prej tri nuseve të Sinëve, që së bashku me vjehrrën e tyre fisnike, Kafile Kaloshi-Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet. Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, ajo humb sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për të e shumë të tjera si ajo nis tmerri i pafund e kampeve të diktaturës! Me tre fëmijë njëri mbas tjetrit, e para sa kish nisur të ecte, i dyti në krahë dhe i treti në bark, ajo i dorëzohet fatit përbindësh, ku më shumë se rrugë, do të ishte skëterrë që zgjati nji jetë, e ku ajo me at thjeshtësinë e saj prej malsoreje e përballoi jo veç me dinjitet, po edhe me at humorin e hollë e shpërfillës, që ishte në natyrën e saj, ndaj atyre që po i shkaktonin të keqen kësaj gruaje, kësaj nëne, kësaj gjysheje të dhimbsur, që përtypte në heshtje privimet nga çdo gëzime sado i vogël i jetës! Qysh herët ajo pëson humbjen djalit, Dikës trembëdhjet vjeçar, që shpresonte t’i bëhesh krah e që nga thellsia e shpirtit e quajti gjithnji “lofka e nanës!”

Ajo përjetoi përbuzjen, varfërinë, urinë, dhimbjen, mungesat, humbjet, po qëndroi në këmbë si pakkush… Shpesh kujtoj se çdo fetë buke në mungesë të gjithçkaje, ajo i shtronte ca pika loti dhe i jepte shije bukës thatë me dashurinë prej nëne! Sepse shpirti i saj s’kishte asgjë veç dhimbjes po i shtonte asaj mirësinë dhe dinjitetin… Dhe ajo shija e bukës sw duarve të saj s’ka për t’i ikur kurrë shpirtit tim, po edhe gjithë atyre që patën rast ta njohin kët grua të thjeshtë, e stoike…

Sot, në ikjen e saj në qiell, ajo çka vlen të kujtohet është buzqeshja, humori, ironia e saj ashtu e qetë, e pafajme, spontane… kur punonte në brigadën e nji kryetari të famshëm këshilli, të cilit me nji deformim simpatik të emrit të tij, kinse s’arrinte ta shqiptonte drejt i drejtohesh: “Or Mi-hale, po pse më po çon aq larg me punue…” Ose u bë batutë e kohës shprehja e saj, kur u prishën mardhëniet me Kinën. Si gjithnji Kryetari i këshillit e ngre Hanen dhe e pyet se si e mendonte ajo kët prishje! “Po mirë ban që u prishën, or Mi-hale-shka na dojshin ata ne… po ne s’i duhemi kërkujt!” Ajo rrëshqitja e gjuhës or Mi-halesh… mbeti nofka qe Hanja i vuri atij njeriu! Kështu u mbyll diskutimi dhe Hanja la nji nga batutat më pikante, nënteksti i së cilës s’kishte nevojë për koment!

Hane Sina i iku kësaj bote dhimbjesh në paqe… e rrethuar nga shumë njerëz dhe e respektuar prej të gjithëve, jo thjesht për vuajtjen e saj, por për at mirësi që shpirti i saj kishte të pashterrur, e që kurrë ajo s’e shfaqi të përgjysmët, po gjithnji të plotë… Ikja e saj prej Ferrit tokësor ngjan me ikjen e nji Hane të Plotë, që e dhuron gjithë dritën e vet, që terri kurrë të mos ndjehet i gjithpushtetshëm i kësaj bote!!!

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Jozef rada, per nene hanen, simfoni

LE TA DUAM MË SHUMË NJERI-TJETRIN

December 24, 2012 by dgreca

Mesazh i Editorit të gazetës Diellit/

Të nderuar bashkëtardhetarë/

Të nderuar vatranë/

Të nderuar bashkëpunëtorë dhe ju lexues të gazetës më të vjetër të botës shqiptare, DIELLI;/

Më lejoni që t’ju uroj : Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Le të sjellë ky vit i ri që po troket gëzime e lumturi në familjet tuaja! Le të na bashkojë më shumë ky viti që po zëvendëson vitin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit Shqiptar.

Kemi lënë pas një vit të suksesshëm, që mbetet i pashlyer në kalendarin historik të Kombit Shqiptar. Ky qe viti i 100 vjetorit të festimeve mbarëkombëtare të një shekulli shtet i pavarur. Shqiptarët ishin më të bashkuar si asnjëherë tjetër. Politika me gjithë trillet e kurthet e saj nuk arriti që t’i përçante shqiptarët, edhe pse për faj të saj qëndrojmë prapa gardhit të Evropës së Bashkuar: Shqiptarët ishin bashkë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Times Square, në Washington, Florida, në Michigan, në Chikago, Toronto etj! Na bashkoi Flamuri ynë kuq e zi, Flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Këtë vit gjakrat tanë u zbutën me gjithë presionin militant partiak. Deshëm s’deshëm, e pranuam edhe Mbretin, edhe princin; deshëm s’deshëm i afruam pranë edhe Mbretin, edhe Mithat Frashërin, edhe Hasan Prishtinën, edhe Bajram Currin, edhe Elez Isufin, Abaz Kupin, deshëm s’deshëm i nderuam bashkë të gjithë dëshmorët e Kombit; gjithësecilin që bëri detyrën sipas mënyrës së vet për Kombin. Nesër, do të pranojmë edhe kontributet e Mehdi Frashërit, Ernest Koliqit, Xhevat Korces, Xhaferr Devës, Ago Agaj, Mustafa Krujës, Kol Bib Mirakës e të tjereve shërbestarë. Dhe kur të bëhet kjo do të jemi më të çliruar, më të afërt me njëri-tjetrin.

Të dashur bashkatdhetarë të diasporës shqiptare,

Le t’i shërbejmë më shumë Kombit se sa partive këtu në mërgimin e largët. Ky vit qe i veçantë për komunitetin shqiptar të Amerikës. Festimi i 100 vjetorit të Vatrës na bashkoi bashkë dhe pavarësisht hedhjes së gurëve nga individë të pakët, festa qe gjithëshqiptare, gjithëfetare. Rreth 500 vetë në Konferencën shkencore ”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit”  me 28 prill 2012 dhe mbi 1100 vetë në darkën madhështore të 100 vjetorit të Vatrës me 29 prill 2012, tregoi edhe një herë se Vatra është e gjithë shqiptarëve dhe misioni i saj historik mbetet i vlerësuar dhe i patjetërsueshëm.

Gazeta Dielli, u bë tre vjet që del rregullisht e përmujshme e printuar dhe e përditshme në botimin në on line. Brenda këtij viti u bënë dy botimi me mbi 100 faqe të gazetës Dielli, plus një publikim-revistë përkujtimore speciale kushtuar 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, po ashtu për të parën herë dolën në dritë figurat themeluse dhe shërbesat e Vatranëve në një ekspozitë të përhershme fotografike. Bashkëpunëtorët e Diellit tani i përkasin të gjithë botës shqiptare dhe asaj mërgimtare, jo vetëm nga Amerika dhe Kanadaja, por edhe Belgjika, Zvicra, Greqia, Italia, Australia, Zelanda e Re etj. E mira s’ka fund’ le të shpresojmë dhe të luftojmë që ky vit do të sjellë risi të reja.

Në vlerat e këtij viti është dhe fitimi i një vendi në Asamblenë e Shtetit të New York-ut nga bashkëkombasi ynë, Mark Gjonaj. Natyrisht që me një lule nuk vjen behari, por pas dallëndyshes së parë, të tjera dallëndyshe fluturojnë bashkë me Pranverën.

Të nderuar kolegë

Duke vlerësuar rolin e medias në bashkimin kombëtar, do t’u bëja thirrje që të heqim dorë nga amatorizmi dhe vetëlëvdatat në ekranet e TV-se apo faqet e gazetave, të heqim dorë nga përçarjet dhe sharjet, nga xhelozitë dhe mërirat, dhe le t’i shërbejmë profesionit, duke respektuar me realizëm formulën e informimit,” ku, kur dhe çfarë ndodhi”! Ekzagjerimet sipas miqësive apo grupimeve politike,sipas oreksit të organizatorëve, nuk i shërbejnë informimit real të komunitetit. Brrylat, zhvendosjet, dhe ajo ç’ka është më e padëshirueshme, keqinformimet, sharjet, krijimi i grupeve të sulmeve ndaj individëve, çojnë në përçarje. Le ta mësojmë lexuesin tonë se kur të jenë 20 vetë në një aktivitet, nuk do t’i bëjmë 200 se ashtu dëshirojnë organizatorët, nuk do të themi as dhjetëra, por do të raportojmë aq sa janë 20, 30, 50…100 etj.

Ju të nderuar bashkatdhetarë që mbani me përkushtim e shpenzime, qoftë edhe të kohës, website, lista, gazeta në on line, bëjuni bllok ndaj përçarësve, që shajnë, sajonë e shpifin dhe i kanë kthyer websitet tuaj në rrjeta merimangash të  helmta që nga njëra anë rrahin gjoksin për shërbim ndaj komunitetit, fusin veten në mënyrë fallso në histori, duke pretenduar se janë të parët në hapjen e shkollave, të parët në hapjen e mediave, të parët përgjërues të Kombit…dhe nga ana tjetër kanë lënë pas me dhjetëra bashkatdhetarë të “shpuar” me shigjetat e helmatisura të shpifjeve dhe urrejtjeve. Testoni të vërtetën para se të aprovoni kalimin e një sulmi të helmatisur apo të një shpifje që nuk bëjnë gjë tjetër veçse përçajnë, mashtrojnë dhe keqinformojnë. Kompromisi me shpifësin i jep krah atij(ose asaj)  të shpifë gjithë jetën.

Të nderuar veprimtarë të komunitetit shqiptar

Shërbejini dhe ju bashkimit të komunitetit dhe jo përçarjes. Nëse formacionet tuaja kanë nevojë për militantë mos i kërkoni ata duke sharë organizatat e tjera apo individët e pafajshëm. Sharja sjell përçarjen. Po ashtu i edukoni militantët tuaj që të mos shpifin, të mos sajojnë, të mos kërkojnë bashkëpunëtorë të Sigurimit me imagjinatë, por të kërkojnë nga klasa politike shqiptare që të hapen dosjet dhe sipas fajit, ata, fatzinjët bashkëpunëtorë, të gjejnë vendin.

Ka shumë çështje që na bashkojnë këtu në diapsorë, ndërsa ndarja dhe përçarja janë në dëm të çështjes Kombëtare.

Ju liderë, që keni vendosur të hyni në politikën shqiptare që nga Amerika, mos e bëni politikën me diktatin dhe mostolerancën e politikës së vjetër, por jepni shenja se jeni për politikë ndryshe. Politika inatçore nuk të çon asgjëkundi.

Le të ndjehemi të bashkuar këtu në diasporë që të ndikojmë pozitivisht tek klasa politike në vendlindje!Si mund të bashkohet Kombi kur luftojmë njëri-tjetrin, apo kur e trajtojmë njëri-tjetrin si armiq?

Sa më shumë dashuri me njëri tjetrin, sa më shumë harmoni mes vetes, aq më pak përçarje!

Editori i DIELLIT

Dalip Greca

New York,  Dhjetor 2012

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, mesazh, njeri-tjetrin, ta duam me shume

NJË LIBËR, ME MENDIM E THIRRJE, PËR BASHKIM…

December 24, 2012 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

Këto ditë, u zhvillua në kryrqytetin Tiranë, Festivali i 51-të i Këngës në Radiotelevizion. Por ai, fare mirë, mund të organizohej dhe të pritjej me shumë kënaqësi edhe në Prishtinë, Shkup, Ulqin e Preshevë. Këtë gjë e theksuan, me të drejtë, edhe dy paraqitesit e programit. Kjo, sepse, edhe pjesëmarrja në të ishte nga të gjitha trojet shqiptare. E rëndësishme është se aty u kënduan këngë  të bukura, të cilat vijuan të jepnin mesazhe paqeje, mirëkuptimi e dashamirësie dhe bashkimi, në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Pra, ai ishte pjesë përbërëse e misionit  dhe detyrës sonë për bashkimin e fortë dhe të panadër shpirtëror të të gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodhen.

E nisa me këto radhë, kur kam në dorë një botim fare të ri, nga prof.dr. Hulusi Hakon. Ai e ka titullin, ”Kosova, ëndrra ime“ (Komb-shteti i shqiptarëve, vepër e atdhetarëve të përkushtuar e vizionarë). Nga faqja e parë e hyrjes, që e ka shkruar vetë autori dhe deri në të fundit, me numër 290, atë e përshkon një ide dhe një mesazh i palëkundur: Medimi e thirrja për bashkimin tonë kombëtar. Tashmë, në vitin e 100-të të krijimit të shtetit tonë të parë, shqiptarët lipeset të ndërgjegjësohen, se ka ardhur koha, kur ata të jenë me shumë se kurrë të bashkuar.  Për këtë qëllim e për këtë ideal të shenjtë e të lartë, luftuan e u përpoqën, me të gjitha udhët e mjetet, rilindësit tanë zemërzjarrë, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rilindësit tanë tanë të shumtë. Për këtë detyrë madhore historike marshuan për në Vlorë, në atë fund-nëntori 1912, delegatët e popullit tonë, nga të gjitha trevat mbarëshqiptare, që nga Kosova, Shkupi, Mali i Zi e deri në  Çamëri. Rreth plakut të urtë e të mençur Ismail Qemali, u mblodhën sa e sa trima e luftëtarë, të pushkës e  të mendjes, ndër ta edhe Isë Boletini, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Sali Gjukë Dukagjini e të tjerët. Ata e shpallën, para gjithë botës, Shqipërinë e Kombin tonë të lirë dhe të pavarur, pas pesëqindë vjet robërie, nën Perandorinë Osmane. Por, fatet e tij u nëpërkembën nga shtetet grabitqare europiane, të cilat iu turrën furishëm, me armë e diplomaci dhe trupin e shëndoshë ia ndanë, përdhunisht, në disa pjesë.

I tronditur shpirtërisht, para kësaj të vërtete historike, por mjaft të hidhur për gjendjen e Kombit tonë, por dhe me deshirën, mendimin dhe shpresën për një zgjidhje të shpejtë, autori prof.H.Hako, që në faqet e para të librit të tij shkruan: “Siç ka ndodhur edhe me krijimin e shtet-kombeve të tjerë, kudo në botë, ashtu po e sjell koha edhe për ne shqiptarët rrjedhën e gjërave, në atë pikë, që ta realizojmë këtë ligjësi dhe aspiratë“. Ky mendim është zbërthyer, me fakte e argumente të pakundërshtueshëm, në të gjithë kapitujt e këtij botimi me mjaft interes. Ata janë shumë domethënës, si: ”Bashkimi bën fuqinë’’,”Vëllazërimi, integrimi, bashkimi, ja ç’na duhet, sa dielli, uji dhe ajri”, “Institucionalizimi i çështjes sonë kombëtare, ja ç’kërkohet në mënyrë imperative”,”Fitorja e re juridike e Kosovës, sanksionim i të drejtës së shqiptarëve, hap vendimtar i zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan”, ”Çamëri, më takon dhe mua të jetoj e mendoj për ty”, “Mirë integrimi europian, po ai  shqiptar?”, “Pse ky sindrom antishqiptarizmi në Masqedoni?” etj. Pra, autori përmendë dhe trajton me dashuri e atdhetarizëm disa “pika të nxehta” të çështjes kombëtare shqiptare. Veçse, ai nuk paraqitet vetëm në rolin e shikuesit të thjeshtë ose renditësit të fakteve e dukurive, por jepedhe mendime për zgjidhje të shpejta e afatgjata të çështjes shqiptare në Ballkan, që është pjesë përbërëse e atyre europiane e më gjerë.

Pra, faqe pas faqeje, të ngjan se përmes tyre ai ka përmbledhur mendimet e shqetësimet e tërë bashkëkombësve tanë, kudo që ata jetojnë, në këtë fillimshekulli të ri. Natyrshëm, lindë pyetja: “Vallë, a kanë të drejtë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, për të qenë të bashkuar dhe në një shtet, siç janë edhe popujt e kombeve të tjerë?” Ndërsa fallsifikatorët e  historisë ballkanike dhe asaj europiane, përpiqen t’ia mbushin mendjen vetes, se shqiptarët duan e kërkojnë “Shqipërinë e madhe”, se kështu ata “do ta rrezikojnë paqen e stabilitetin në Ballkan e më gjerë”!? etj. Po faktet “lakuriqe” ose “në dritë të diellit” janë krejt ndryshe. Pra, shqiptarët vetëm dëshirojnë, kërkojnë dhe u takon të jetojnë në paqe dhe miqësi me të gjithë fqinjët e tyre, në “Shqipërinë e vertetë” ose “Shqiparinë natyrale”. Ndërsa ata harrojnë ose nuk duan ta pranojnë, se shqiptarët, kurrë në historinë e tyre mijëravjeçare, nuk kanë qenë as nuk do të jenë agresivë, sulmues as pushtues. Përkundrazi, kurdoherë janë  venë në mbrojtje të të tjerëve, kanë zhvilluar luftëra mbrojtese dhe gjithnjë janë përpjekur e kanë sakrifikuar për mbijetesë.

Jo me kot, autori prof.Hako, e ka venë në titull dhe e ka trajtuar gjerësisht edhe çështjen e Kosovës, të martirizimit të saj, nën regimin shumëvjeçar serb, luftën e përpjekjet e saj për liri, pavarësi e demokraci. Ka marrë shembull njërin nga bijtë e saj, atdhetarin e luftëtarin gjakovar, Myrteza Nagafci. Ashtu si mjaft kosovarë të tjerë, ai përjetoi vuajtjet dhe tmerrin e rregjimit të kaluar edhe pse erdhi në “shtetin-amë”, i cili vetë vuajti nga diktatura e egër afër 50-vjeçare. Megjithatë, ndodhi mrekullia, nga pak kush e parashikuar, me përpjekjet titamike të popullit të saj, që u mbështet fuqishëm nga NATO-ja dhe  Bashkësia Ndërkombëtare. Pra, Kosova u çlirua njëherë e përgjithmonë nga rregjimi barbar shumëvjeçar i Serbisë, fitoi lirinë e pavarësinë dhe hyri në udhën e pandalshme të demokracisë e përparimit. Siç shkruan edhe autori,  “Libri  “Kosova, ëndrra ime”, vjen, kështu, edhe si një përgjigje e merakut dhe amanetit të madh, me të cilin u nda nga jeta, ky bir i Kosovës”.

Por edhe kur prof.Hulusi Hako trajton tema, në dukje, ta palidhura me zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, përsëri “çekanin” e rrahë në atë pikë. Kështu, lexojmë recensione për disa libra të kolegëve ose për veprimtari të zhvilluara, sidomos në kryeqytetin Tiranë dhe bindemi më së miri këtë gjë. Ja, shkrime të tillë janë edhe këta: “Krijohet lidhja mbarëkombëtare e shoqatave shqiptare”, “Një libër, që tregon shumë dhe apelon fuqishëm” (është fjala për botimin e  të ndjerit, Dr. Ibrahim Gashi, “Shqiptarët, Slloenia dhe Ballkani i trazuar, sipas një diplomati”), “Rusia dhe Kosova”, “Kjo botë interesash, kur do të bëhet pikërisht një botë të drejtash dhe vlerash njerëzore?”. “Po Republika e Kosovës, pse nuk u përfshi në kampionatin ballkanik të Judo-s?” etj.

Një vlerë të veçantë përmban në këtë libër pjesa e fundit e tij, të cilit autori i ka venë titullin interesant e domethënës,  “Nëpër shekullin tonë tëpërgjakur”. Janë plot 50 faqe, meditime të prof.dr. Hulusi Hakos, për  udhën,  nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët, gjatë 100 vjetëve të fundit. Sigurisht, kjo analizë e një intelektuali atdhetar është edhe një mësim ose  “leksion” për brezin e ri. Synimi është që të gjithë bashkëkombësit tanë, në trojet e tyre amtare etnike, të bëhen të ndërgjegjshëm, se historia është treguar e pamëshirshme, pra si një “njerkë e keqe”, me popullin tonë. Këtë gjë autori e ka shprehur dhe analizuar me kujdes, në disa nëntituj të kësaj pjese. Duke shfrytëzuar aktualitetin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, ai ka shkruar me nderim e respekt për “jubileun e madh të krenarisë dhe reflektimeve të thella”. Përmbledhurazi, na kujton të gjithëve, se janë bërë sakrifica mbinjerëzore nga shqiptarët, në këtë shekull: “Gjak për liri e identitet, për gjuhën e diturinë, për një shkollë e universitet, për germën dhe llojin e alfabetit; edhe  për institucionalizimin e kësaj demokracie moderne; gjak në Kosovën Lindore, Mitrovicë e Tetovë, Shkup e Kumanovë,; gjak shqiptari në Mal të Zi, edhe në Çamërinë shqiptare, nën Greqi!” Pastaj përmendë me dhimbje “flamën” e gjakmarrjes dhe të vrasjeve ordinere, prej krimit të organizuar e të paorganizuar.  Ndërsa, jep alarmin dëshprues, që: “As një garanci  nuk ka, se përgjakja nuk do të vazhdojë edhe më tej!”

Një vemendje i kushton autori çështjes së objektiviteteit, korrektësisë dhe respektit ndaj historisë sonë kombëtare, një detyrë kaq atdhetare kjo për brezin tonë. Afirmimin e të vërtetave lipset ta bëjë historiografia jonë, e pandikuar nga politika, se: “Pa vijimësi, s’ka histori; pa shkallë, s’ka ngjitje”. Duke u ndalur në rezultanten kryesore të udhëtimit shumëshekullor të shqiptarëve, prof. Hako e vë theksin te vitaliteti dhe mbijetesa e jashtëzakonshme e racës, e genit shqiptar, si sfidë ndaj shumë furtunave dhe rrebeshave të egra shfarosëse e asimiluese. Janë kaq domethënëse edhe fjalët e francezit  Pouquecville, i cili ka shkruar, për shqiptarët: “Ky popull heronjsh, të cilit gjatë shekujve, shpesh herë, iu desh të mbrohej në malet e tij të paarritshme, i shikonte nga lart perandoritë, se si lindnin e vdisnin dhe ri-zbriste për të fituar tokat e veta”. Lindë pyetja e natyrshme: “Po sot, ne pasardhësit e tyre, çfarë duhet të bëjmë?” Përgjigja është edhe në fjalët e gjeneralit në pension, Rrahman Perllaku: “Sot po bije  kambana e lirisë dhe e bashkimit kombëtar. Mjaft na kanë mbajtur të ndarë, më se një shekull!”

Në vazhdimësi, ky autor ndalet në disa faktorë me rëndësi, që e përcaktojnë jetën dhe   forcën e Kombit tonë, siç janë: niveli ekonomik; zhvillimet  arsimore e kulturore, me  gjuhë letrare  të përbashkët dhe me programe e tekste mësimore të njësuara, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë etj. Vëmendje u kushon, në këtë pjesë, edhe  çështjeve të shumta të tranzicionit të stërzgjatur në Shqipëri, lirive e të drejtave demokratike, etjes  për pasurim dhe pushtet të një pjese të shoqërisë. Në një faqe të meditimit të tij, prof. Hako shtron pyetjen: ” Këtë tranzicion tonin, si ta quajmë, një revolucion demokratik paqësor, apo ai është thjesht një restaurim i kapitalizmit?” Në këtë logjikë të mendimit e fakteve, ai flet edhe për “doktrinën komuniste”, që  sipas tij, mbeten flozofia dhe projekti i ndryshimit më të thellë  të jetës shoqërore; po ashtu edhe për “përpjekjet e ethshme të antikomunizmit” etj. Në këtë kuadër, ai analizon dhe mbron vlerat e  Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe, së fundi, ndalet  në thesarin kombëtar të tolerancës fetare në Shqipëri, si një pasuri shumë e çmuar, për të gjithë ne.

Parë në tërësi, ku botim i ri i autorit të 12 librave të mëparshëm, prof.dr. Hulusi Hako,  na sjell në vëmëndje  problemin më themelor të çështjes shqiptarë, në ditët e sotme, që është ai i bashkimit tonë kombëtar. Festimet e jashtëzakonshme, në Shqipëri dhe në trojet tjera amtare e në disporë,  të 100-vjetorit të krijimit të shtetit të parë shqiptar dhe  shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, na e bënë shumë herë më të pranishëm këtë ideal dhe aspiratë të rilindësve tanë, gjë që  është dhe do të mbetet përherë altual për të gjithë ne, deri në zgjidhjen e tij përfundimtare, pavarësisht udhëve e mënyrave.

Në mbyllje të këtij shkrimi, meqenëse më duket me interes për lexuesin dhe lidhet me tematikën e këtij libri,  po shënoj këtu një pjesë nga mesazhi, që më dërgoi  këto ditë kolegu e miku, Hysë Hasa, emigrant në Filadelfia të Amerikës. Pasi informonte se, më 28 Nëntor 2012, u ngrit për herë të parë në histori, në qendrën e atij qyteti, Flamuri ynë Kombëtar, vijonte:

“Kam  kënaqësinë t’u përshëndes, në këtë fund viti, si viti i 100-vjetorit të Pavarësisë, i krijimit të Shtetit të parë Shqiptar dhe i ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Ishte koha, kur plaku i Vlorës Ismail Qemali, i mbështetur mbi gjokset e Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Dom Nikollë Kaçorrit, Vehbi Dibrës, Thanas Floqit, Abedin Dinos e te tjerëve, ngriti Flamurin e kuq shqiptar, me shqiponjën dykrenare në mes; Flamur, i cilië shtë shpirti dhe zemra, ku marrin frymë lirisht të bashkuar shqiptarët, që  nga Preveza e deri në Nish. Ky Flamur, pas 100-vitesh, më 23 Nëntor 2012, i mblodhi shqiptarët të festonin së bashku në Shkup. Aty, fjala e mençur e diplomatike, aspak nacionaliste dhe me guximin burrëror e trimëror, e Kryeministrit, Prof. Dr. Sali Berishës, i entusiazmoi dhe i bashkoi, si asnjëherë shqiptaret, duke u treguar të gjithëve, se historia: vlerëson-duron-toleron-vonon, por nuk harron! Ky flamur kulmoi në Vlorën heroike, më 28 Nëntor 2012, ku të gjithë shqiptarët festuan së bashku”.

Tiranë, 24 dhjetor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, nje liber per Kosoven

FORUMI IMAZH DHE MEDIA NDAU ÇMIMET E EDICIONIN TË X

December 24, 2012 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Forumi Imazh dhe Media ndau çmimet e edicionit të X më 23 dhjetor 2012, në sallën e Operave dhe Baletit në Tiranë. Në mbrëmjen Gala merrnin pjesë shumë personalitete të shquara nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Për kontributin e dhënë në fushat e kulturës, medias dhe të çështjes kombëtare. Familja e heroit legjendar Adem Jasharit u vlerësua për sakrificën për çlirim e Kosovës, akad.Esat Stavileci mori çmimin për kontribut të kauzës për bashkimin kombëtar, gazetari dhe shkrimtari Nustret Pllana u nderua me çmim për librin e tij të botuar pak kohë më parë “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët”, kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa u nderua me çmimin për mbrojtjen e identitetit kombëtar në Luginën e Preshevës, me çmim u nderuar edhe Teatri i Operas dhe Baletit të Tiranë për operen “Skenderbeu”, çmimin e tërhoqi drejtori i saj Maestro Zhani Ciko, regjisor Petrit Ruka mori çmim për filmin dokumentar Film për Himnin Kombëtar, çmimi i Imazhit të femrës shqiptare intelektuale në Luftë dhe në Paqe ju ndan ish-luftëtares në luftën e 2001, prof.Teuta Kamberi – Llalla, biznesmeni Ibrahim Kolari mori çmimin për imazhin për arritjen sukseseve në Diasporë të SHBA, çmimi për kontributin në arsim ju dha doc.dr.Vullnet Ahmetit, rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Kampioni i botës në tai e kik – boks, Ismail Keta u dha çmimi për imazhin e sportistit të mire për vitin 2012. I cili më datë 1 Dhjetor, u shpall kampion i botës, duke mundur hungarezin Jozef Diklaund. Mbrëmja vazhdojë në atmosferë të këngëve dhe valleve shqiptare.

 

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Forumi Imazh, ndau Cmimet, Teuta Llalla

PROMOVOHET SHTATORJA E MBRETIT ZOG I

December 24, 2012 by dgreca

Kryeministri Berisha së bashku me Princin Leka i II-të zbuluan te henen, në Tiranë, shtatoren e Mbretit Ahmet Zogu i I-rë, e realizuar nga skulptori Kreshnik Xhiku.Në ceremoninë e zhvilluar në bulevardin “Zogu I”, në Tiranë, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve z. Aldo Bumçi, ministra dhe të ftuar të tjerë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet për rolin dhe kontributin e madh të Ahmet Zogut në historinë e vendit. “Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, një nga personalitetet më të rralla, më të shquara të të gjithë historisë sonë kombëtare të të gjitha kohërave”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri tha se Ahmet Zogun e nderojnë sot shqiptarët kudo që ndodhen dhe “më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin në përpjekjen e tyre të madhe evropiane për të vendosur Shqipërinë dhe trojet shqiptare në gjirin e familjes së qytetëruar evropiane, aty ku e projektoi Sami Frashëri dhe rilindasit e mëdhenj shqiptarë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha:

“Zonja kryetare e Parlamentit,

Zoti kryetar i Bashkisë,

Lartësia Juaj, Princi Leka i II-të, Princ i shqiptarëve,

Zotërinj ministra,

Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, diasporë dhe kudo që ndodhen sot, që ndiqni këtë ceremoni të vendosjes në bulevardin “Ahmet Zogu” të shtatores së Mbretit Zog i I-rë.

Sot mbarë kombi nderon Mbretin Zog, Mbretin e parë pas shekujsh të shqiptarëve, nderon me këtë shtatore djaloshin zemër zjarr, i cili në moshën 17 vjeçare do të vërsulej si luan nga malet e Matit drejt Vlorës së flamurit, për të mbrojtur pavarësinë e sapo shpallur, për të mbështetur themeluesin e shtetit dhe pavarësisë së vendit, Ismail Qemal Vlorën. Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara të të gjithë historisë sonë kombëtare të të gjitha kohërave. Ahmet Zogu, në vitet më të hershme të rinisë së tij e deri sa mbylli sytë, qëndroi i palëkundur në anën e kombit shqiptar, vendit të tij të dashur, miqve të tij të mëdhenj. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit, do të qëndronte i palëkundur në konsolidimin e pavarësisë, në mbështetje të Ismail Qemalit, në mbështetje të Princ Vidit, në mbështetje të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve. Në një kohë kur në Versajë dhe tryeza të tjera diplomatike po përgatitej copëtimi dhe shuarja përfundimtare e shqiptarëve nga harta politike e Evropës, Ahmet Zogu së bashku me një grup burrash të shquar të kombit do të organizonin Kongresin e Lushnjës, do të themelonin qeverinë, e cila u tha jo të gjitha traktateve copëtuese mbi Shqipërinë. Në detyrën e ministrit të Brendshëm, në një vend pothuajse tërësisht të pushtuar, do të vendoste me dorë të hekurt, me guxim luani integritetin territorial, sovranitetin e vendit. Qeveria e Lushnjës ishte pa diskutim dhe është një nga mrekullitë e mëdha të shqiptarëve në tërë historinë e tyre.

Sot ne vendosim këtu në këtë bulevard shtatoren e këtij burri që bëri më shumë se kushdo tjetër për t’i dhënë kombit Tiranën si kryeqytet. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme zgjedhjet e para pluralistë në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri. Kryeministri Ahmet Zogu u gjend para një akti terrorist të vërtetë në sallën e Parlamentit, por ai me atdhetarinë e tij, me mençurinë e tij bëri gjithçka që e keqja e këtij akti të mos reflektohej mbi shtetin e ri, në konsolidim e sipër, mbi vendin që kishte vuajtje të mëdha. Një grusht aventurierësh organizuan kundër tij grushtin e shtetit. Ai u rikthye, u zgjodh President i këtij vendi dhe më vonë Mbret i shqiptarëve. Në histori nuk gjenden dhe nuk ka kurrë figura që të kenë dalë jashtë teorisë së gabimeve, por ata që i thonë Shqipërisë – Shqipëri i detyrojnë këtij burri të madh shtetin që iu mungonte që nga koha e Skënderbeut, shtetin që bëri gjithçka për të zhvilluar vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, shtetin që bëri gjithçka për të zhvilluar një prej vendeve, asokohe, më të prapambetura të planetit.

Zonja dhe zotërinj,

Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura respektimi i madh i lirisë së besimeve fetare, janë të lidhura respektimi i madh i pronës, i lëvizjes së lirë, vazhdimit të lirë. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Me emrin e tij janë të lidhura ndërtimi i mijëra e mijëra kilometrave rrugë e ura, qindra e qindra shkollave, qendrave shëndetësore, spitaleve në mbarë vendin. Mbretëria shqiptare do të ishte viktima e parë në Evropë e agresionit nazifashist. Shqiptarët u pushtuan pa u regjistruar askund nga kancelaritë e mëdha të asaj kohe, fuqitë evropiane dhe botërore për faktin e vetëm se ato vetë në tërësinë e tyre, me ndonjë përjashtim, ishin fuqi koloniale. Pasi nuk pranoi të kapitullonte dhe vendosi të vazhdojë luftën në mërgim, ai do të ishte një nga të parët në Evropë që do t’u shpallte luftë pushtuesve të Shqipërisë. Ahmet Zogu jetoi dhe vdiq si një prej antifashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe të Evropës.

Zonja dhe zotërinj,

Në vitet e Mbretërisë së tij vendoi njohu një zhvillim të paprecedent. Dhe unë këtu ftoj shqiptarët të ndalen në një moment, momentin e pushtimit të Shqipërisë në ’39, momentin e shembjes së perdes së hekurt në ’90. Rikujtoni eksodin e vitit ’90, largimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre më shumë se nga çdo luftë, çdo mynxyrë, çdo epidemi. Dhe kjo për faktin e vetëm se diktatori gjakësor i kishte shndërruar shqiptarët në qenie shtetërore dhe jo shoqërore. Ndërsa Mbretëria respektonte në mënyrë të palëkundur liritë dhe të drejtat themelore, pronën, besimin, lëvizjen, fjalën, me një kushtetutë tipike të mbretërive konstitucionaliste evropiane.

Zonja dhe zotërinj,

Ne nderojmë sot këtë burrë të madh në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë Shqipërisë. Atë e nderojnë sot shqiptarët nga të gjitha trojet e tyre etnike, shqiptarët nga diaspora dhe kudo që ndodhen, por e nderojnë sot shqiptarët më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre në idealin fisnik të bashkimit kombëtar, e nderojnë sot më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin në përpjekjen e tyre të madhe evropiane për të vendosur Shqipërinë dhe trojet shqiptare në gjirin e familjes së qytetëruar evropiane, aty ku e projektoi Sami Frashëri dhe rilindasit e mëdhenj shqiptarë.

Nder për jetë kujtimit të Ahmet Zogut, Mbretit të parë, burrit të madh të kombit shqiptar dhe atyre që ndërtuan shtetin e lirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Faleminderit!”
24/12/2012

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryeministri Berisha, Mbreti Zog I, Princi Leka II

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5647
  • 5648
  • 5649
  • 5650
  • 5651
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT