• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE, TË TRAJTUAR SI FËMIJË NGA DREJTUESIT TANË

May 27, 2020 by dgreca

Nga MAURO BONAZZI/

Përktheu nga Corriere della Sera, 25 Maj 2020, Eugjen Merlika/

Në luftë nuk ka kohë për të diskutuar, duhet vepruar. Duhen shtrënguar rradhët, lënë mënjanë ndryshimet e luftuar të bashkuar. Për të tjerat do të ketë kohë më vonë. Që jemi në luftë na është përsëritur shumë herë, në këta muaj kaq të zotuar. N’Itali, n’Evropë, në botë të gjithë drejtuesit më të rëndësishëm politikë i janë drejtuar kësaj gjuhe për të ligjësuar vendime e masa. Pastaj lufta mbaron e fillohet të ndërtohet. Po sot? A ka mbaruar lufta, apo vazhdon? Çfarë duhet të bëjmë atëherë, të dalim, të qëndrojmë në shtëpi, çfarë? Kërshërisht, vetëm një drejtues botëror nuk ka përdorur kurrë metaforat luftarake: Angela Merkel. Ndoshta sepse në Gjermani këto shëmbëllesa çojnë në një të shkuar, ende tepër problematike; ndoshta për shkak të karakterit të saj aq të përmbajtur e të mbyllur, pak të prirë për fjalitë bombastike. Në fakt Angela Merkel nuk ka thirrur kurrë në ndihmë skenarët e luftës: ka kërkuar të shmangë metaforat e shumta, e kur i ka përdorur ka folur për akull të hollë ose rendje në hapësirë të madhe. Ka dhënë një perspektivë kohore kur të tjerët fshiheshin mbas këtu e tashmë. I është drejtuar zgjuarsisë së njerëzve e jo emocioneve të tyre.

            A është e rastit që Gjermania po bën më mirë se shumë Vende të tjera? Sigurisht po vërteton se edhe fjalët peshojnë, veçanërisht në politikë. Sepse janë fjalë që na ndihmojnë të vemë rregull në të vërtetën që na rrethon: fjalët janë si një ilaç, thoshte sofisti Gorgia, mund të shërojnë ose të helmojnë, varet nga si i përdor. Shumë dyshojnë se përdorimi i metaforave luftarake, kjo ringjallje e përherëshme e klimës së gatishmërisë, synon në kufizimin e lirive demokratike. Tek ne është më e mundëshme që ajo gjuhë të jetë shfrytëzuar për të fshehur pavendosmëri e pasiguri, madje dhe papregatitje fatkeqësisht, në disa raste. Edhe në këtë rastin e dytë nuk i është bërë një shërbim i mirë demokracisë, që është një sistem i qytetarëve përgjegjës e jo i fëmijëve për t’u trembur apo ngushulluar simbas rrethanave.

            “Corriere della Sera”, 25 maj 2020  Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriera della Sera, Eugjen Merlika, Mauro Bonazzi

E VËRTETA HISTORIKE DHE STRATEGJIA E MASHTRIMIT: TOTALITARIZMI KOMUNIST

May 27, 2020 by dgreca

Nga RENATO CRISTIN/Përktheu:Eugjen Merlika/

“Ajo që më shumë i ka befasuar studjuesit që kanë shqyrtuar me vëmëndje regjimet komuniste, nuk është aq  thelbi apo përbindshmëria e krimeve të kryera se sa gjërësia e bashkëpunimit dhe heshtja miratuese që ata gjithmonë kanë arritur të gjejnë në Vendet perëndimore”. Në fakt, “komunizmi ka arritur të kushtëzojë, në sajë të gjatësisë së kohës dhe përhapjes së tij, jetën politike e shoqërore të mjaft popujve e të nënështrojë me mënyrat e gënjeshtrat e tij, kontinente të tërë”, por “ndikimi i tij ka qënë i pamasë edhe sepse ishte i mbështetur nga një organizim i shkëlqyer ndërkombëtar”, që qëndronte në një fuqi ideologjike të pakrahasueshme dhe në një përkrahje shumë të gjërë të mjediseve kulturore, akademike e gazetare perëndimorë. Kështu shkruante Sandro Fontana, dhjetë vite më parë në një libër të titulluar Gënjeshtrat e mëdha të historisë bashkëkohore (Botimet Ares, Milano 2009).

         Si madhësi shtetërore, me përjashtim të disa vendeve të parëndësishëm ngulmues (Kina, edhe se e drejtuar nga partia komuniste, është një dukuri më e ndërlikuar dhe e papërcaktueshme hë për hë), komunizmi është shëmbur, por ideja e tij, e shpërthyer sot në shumë shndërrime, ka mbijetuar, dhe mbështetja kësaj ideologjie gjaksore (më shumë se njëqind milionë të vdekur, simbas studimeve më të përpikta, si ai nën kujdesin e R. Conquest, Çmimi njerëzor i komunizmit, Botimet e Borghezes, Romë 1973), është ende e fuqishme në të gjithë mjediset që janë në gjëndje të formësojnë opinionin publik perëndimor.

         Format e kësaj mbështetjeje janë të ndërrueshme e me shumë ngjyrime, por kanë të të përbashkët pohimin e një epërsie të hamendësuar intelektuale dhe synimin për të fuqizuar pushtetin, institucional kur të jetë e mundur dhe kulturor në çdo rast. Simbas kësaj logjike, thënë shkurt, ideologjia komuniste dhe prodhimtaria kulturore janë bërë sinonime: atje ku është njëra zorile duhet të jetë edhe tjetra. Mbi këtë aksiomë janë bazuar për dhjetëvjeçarë të tërë, shumë nga renditjet politike t’Evropës perëndimore e përmbi atë kanë fituar partitë e së majtës evropiane. Ajo në vetvete është një gënjeshtër  që ka mundur të kalojë për një të vërtetë vetëm sepse ideologjia që e ka përhapur ka një karakter të brëndshëm të dhunshëm e totalitar, siç e kishte parë përsosmërisht bullgari Cvetan Todorov: “ndërsa Vëndet perëndimore ndërmorrën rrugën e demokracisë, të zgjedhur si pasojë e një vendimi të shumicës së popullsisë, intelektualët e tyre parapëlqyen regjimet e dhunëshme dhe tiranikë. Nëse n’ata Vende do të kishin patur të drejtën e votës vetëm intelektualët, sot do të jetonim nën regjimet totalitare”.

         Kësaj prirjeje ideologjike duhet t’i shtohet fakti që me retorikën kobzezë që themelohet, pothuajse gjithmonë, mbi mashtrmin, sepse, po citoj përsëri fjalët e Sandro Fontanës, “me gënjeshtra është e lehtë të shkatërrosh kundërshtarin politik e madje të fitosh pushtetin”. Megjithatë mashtrimi, sado i madh e i degëzuar qoftë, nuk lejon të qeverisen Shtete të një shumllojshmërie të spikatur e të një vetëdijesimi të madh si ata evropianë, pra caku i asaj ideologjie qëndron në vetë strategjinë e saj. Për të patur sukses  strategjia e gënjeshtrës duhet të shtyjë çdo kuvendim në dalldi, duhet të shpjerë çdo situatë në skajshmërinë e saj, duhet të përdredhë të folurit për qëllime sofistike. Nëse nuk zbulohet, kjo teknikë sjell përfundime pragmatike të gjata, por nëse asaj i hiqet maska, mbulesa e kokës bie, tymi shpërndahet dhe zbulohet e vërteta.

Përjashtimi dhe ligji

Një fije e kësaj dredhie varet sot në një rrahje mendimesh që të majtat, përgjithësisht të përcaktuara kështu, kanë hedhur kundër administratës rajonale të Friuli – Venezia Giulias, Presidenti i së cilës, Massimiliano Fedriga, ka vendosur të pranojë një propozim të miratuar nga Këshilli që ka si synim “të pezullojë çdo ndihmesë financiare ose të çfarëdo natyre tjetër në dobi të subjekteve publikë e privatë që, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, ndihmojnë me çfarëdo mjeti a në çfarëdo mënyre për të përhapur veprime të prirura për të mos pranuar qënësinë e ndodhive si Foibet apo shpërngulja, apo për t’u zvogëluar rëndësinë”.

Në çfarëdo pjese të botës një propozim i tillë do të renditej në veprimtarinë e zakonshme ligjvënëse: është normale që politika të japë ndihmesën e saj për të ruajtur kujtesën historike, duke e mbrojtur nga gënjeshtrat e mashtrimet. Është normale që krimi, ndoshta më i neveritëshmi që ka goditur italianët si bashkësi etniko – kombëtare në gjithë historinë e tyre, të përcaktohet i tillë, e si i tillë të kthehet në një farë unicum një veçanti që nuk mund t’i bashkëngjitet të tjerëve, edhe se të rëndë. Nëse ai spastrim etnik kundër italianëve, si të tillë, ka karakterin e një përjashtimi historik, i përveçëm duhet të jetë edhe gjykimi që i përket, pra edhe pushteti ligjvënës duhet t’a trajtojë në formë përjashtimi.. Me këtë kërkimi historik nuk kundërshtohet në lirinë e tij, por njësoj siç ndodh në ligjëshmërinë gjermane për çështjen e Shoah-ut, duke ruajtur të gjithë ndryshimet për përmasa e për pasoja ndërmjet këtyre dy tragjedive historike, kur skërfitet perimetri që mbron përjashtimin thyhet një cak. Që këtu rrjedh propozimi dhe vendimi i presidentit Fedriga.

Është e natyrshme që një përjashtim të trajtohet veçmas nga rastet e tjera. Por n’Itali, e veçanërisht në Trieste, duket se kjo natyrshmëri nuk pranohet nga ata që nuk mendojnë se ajo tragjedi e llahtarëshme përbën një përjashtim, dhe e rivlerësojnë duke e zvogëluar. Format e këtij rimohimi (term psikanalitik mjaft i përshtatëshëm) janë të larmishme: nuk pranohet e vërteta historike (por sot rastet e kësaj forme skajore nuk janë më shumë të shpeshtë), i mohohet dinjiteti, i mohohet dukshmëria, i mohohet kujtesa e plotë, i mohohet kahu i të qënit unik, por të gjithë këto pikëpamje shkëputen nga e vërteta që u bëkërka objekt i rrëzimit historik, jo të përvojës qënësore, sikur e vërteta duhet të përcaktohet nga historiografia e jo nga kujtesa e njerëzve, gjithmonë e gjallë, sepse e mishëruar në përvojën. A u takon historianëve të miratojnë përfundimisht të vërtetën e përvojës qënësore? Objektiviteti i historianit qënka përmbi përvojën e viktimës apo kujtesën e atyre që rijetojnë dëshminë? 

Njollosjes së drejtpërdrejtë i vihet pranë edhe shpotia: përtej mosnjohjes së një krimi të jashtzakonshëm në përmasën e tij etniko – politike, vërehet këtu një pozitivizëm dorështrënguar dhe totalitar, që mëton t’u imponojë individëve, popujve dhe shpirtit tabelat e njehsimit historiografik. Argumenti i epërsisë intelektuale të së majtës i zbatuar në truallin e përvojës së jetuar: ideologjia e së majtës na thotë se çfarë është politikisht e drejtë; historiografia e së majtës përcakton se si duhen ndërpretuar ngjarjet historike. Por meqë këto të fundit janë një gërshetim i pazgjidhshëm i fakteve të vërteta dhe i jetëve të jetuara, e vërteta e tyre – në kuptimin filozofik e pra në vështrimin prejardhësor – nuk është e përmbledhëshme në skemat historiografike. Në këtë vështrim rasti për të cilin po flas është shëmbullor.

Totalitarizmi i ideologjisë komuniste

Jemi përballë një fruti të helmuar të mendimit totalitar, sepse totalitarizmi prodhohet nëpërmjet mohimit të së vërtetës dhe detyrimit të skemave të paracaktuara. Me këtë qëllim thuhet se ai propozim dhe birësimi i tij i mëtejshëm do të ishin përçarës. Është një skemë aq e vjetër sa që duket e bezdisëshme, nëse nuk do t’ishte megjithatë gjithmonë e dëmëshme: vetëm ajo që propozon apo detyron e majta është përbashkuese, gjithshka tjetër është përçarëse. Nëse pranohen normat e së majtës ka paqe, përndryshe shpërthen lufta. Kjo përzjerje e sofizmës me frikësimin është vdekjeprurëse, por prej pak kohësh shihen disa krisje në mburojën politikisht pa gabime, fillojnë të shihen gënjeshtrat që e ndërtojnë; italianët po e kuptojnë dhe shpesh e kanë treguar me ushtrimin demokratik të votës, që ajo retorikë ka si qëllim përfundimtar mashtrimin. Në fakt, nën maskën e lirisë së kërkimit shkencor duan të imponojnë skema ideologjike, e shumë më poshtë, sisteme financimesh që mbrapaushqejnë ato skema, në një qark që shërben për të bërë të qëndrueshëm e madje për të fuqizuar pozita të fituara gjatë dhjetëvjeçarësh zotërimi kulturor. Në lojë janë pra, pushteti që në dhjetëvjeçarë e majta, retorika e saj e historiografia e saj kanë arritur t’i imponojnë opinionit publik.

Kufiri lindor vazhdon të jetë i sulmuar nga një ideologji që, me gjithë kalimin e kohës, me gjithë shpalljen e të vërtetave historike, me gjithë dështimet e tij planetare, duket e njëjta e shtatëdhjetë viteve më parë, me të njëjtën strukturë logjike e me të njëjtat formula. Është prova që, thënë shkurt, komunizmi si teori e si veprimtari praktike, është i gjallë, e nuk është i kufizuar vetëm në qoshen e Verilindjes, por është i përhapur në të gjithë Vendin, e në forma të ndryshme, kudo në botë. Mbas një shekulli sulmesh gojore (për të mos folur për dhunimet fizike e shfarosjet në masë) idhtarët e kësaj ideologjie, sot të maskuar në mirëdashës e të shtuar në galaktikën përparimtare, kanë paturpësinë  të duken si kreshnikët e fjalës së qetë e si fshikullues të papërkulshëm t’atyre që, ata dhelpërisht quajnë “bisedat e urrejtjes” e që, në fakt janë argumenta teoriko – politikë në kundërshtim me politikisht korrektin vërshues, ose herë herë shprehje të thjeshta të gjykimit të shëndoshë. Me fodullëkun që vetëm profesionistët e gënjeshtrës e të shtirjes arrijnë t’a kenë, lëvduesit e mirëdashjes kanë zaptuar një hapësirë të rëndësishme në rrahjen e mendimeve publike, në media e në social dhe e përforcojnë me sulmin sistematik kundrejt çfarëdo shprehjeje që sado pak mund të verë në krizë ideologjinë e tyre. Është lëvizja e zakonshme dhe e shumënjohur e sulmit paraprak: nga një pikpamje politike, gjithshka që kërcënon themelin e shtyllës së tyre etiko – gjuhësore, mbi të cilën ngrihen këta qortues ogurzinj duhet të sulmohet me padi të rënda edhe se të pathemelta: kombëtarizmi, populizmi, ksenofobia, fashizmi etj.; nga pikpamja psikologjike duhet prozhmuar cilido njeri e ose çfarëdo lloj ideje që mund t’i heqë maskën gënjeshtrës mbi të cilën qëndron politikisht e ndershmja. Që kjo ideologji mizore, në më shumë se një shekull jete, nuk ka ndryshuar kurrë këtë skemë, është një fakt shqetësues e në të njëjtën kohë qesharak. Teza absurde e epërsisë etike e politike të së majtës, edhe se është dukshëm e gabuar, është e përhapur kaq shumë sa është bërë diçka e zakonshme.

Megjithë rënien e miratimeve për partitë e së majtës, në sajë të përhapjes së ideve liberale, të liberal – konervatorizmit e të katoliçizmit të së majtës, megjithë punën për heqjen e maskimit ideologjik  që nga 1994 qëndra e djathtë italiane ka sendërtuar (së cilës duhet t’i japim vlerësimin e drejtë historik dhe teorik), letrat vazhdojnë t’i shpërndajnë përfaqësuesit e asaj ideologjie: politikanë, intelektualë, gazetarë, profesorë që japin patenta demokratizimi, të kundërfashizmit e të çfarëdo përkufizimi të dobishëm për qëllimet e tyre. Një pjesë e madhe e popullsisë, shpesh e pavetëdijshme ose për një ndrojtje nderuese, me një nënështrim të kuptueshëm por të paarsyetueshëm i pranon këto renditje, këto kategori që mëtojnë të rregullojnë proçeset kulturore, marrëdhëniet shoqërore, madje edhe zhvillimet psikologjike të njerëzve: një mëtim qartësisht totalitar.

Bëhet fjalë për një dramatizim ideologjik, aktorët e shumtë të të cilit kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë tmerrësisht me seriozitet: një kohë vepronin për llogari të ndërkombëtares komuniste, mbi fillin e hollë e përvëlues që lidhte zotimin politik me terrorizmin; sot veprojnë n’emër të ndërkombëtares mirëdashëse (maskim i asaj së mëparëshmes), jo më puq me rrymat terroriste, por me të njëjtin qëndrim të terrorizmit psikologjik e gjuhësor të një kohe. Nëse, siç thoshte Guglielmo Ferrero, terrori është grykëderdhja e pashmangëshme e revolucionit, nëse ai vihet në jetë jo vetëm me dhunën fizike por edhe me atë gjuhësore, terrori i epokës sonë është ai bllok kulturor që quajmë “politikisht i ndershëm”, trajta e ndryshuar dhe e përditësuar e revolucionarizmit komunist.

E drejta demokratike për të qeverisur

Nëse sofistika klasike, e urryeshme por e shkëlqyer, e çon në skaj çdo arsyetim, sofistika e urryeshme e sotme, që është një brumë i përsosur leninizmi dhe pasmodernizmi (e që, në rastin tonë të veçantë, është stërholluesja me të cilën veprojnë mohuesit, zvogëluesit dhe ortakët e tyre, në të gjithë ngjyrimet e tyre), birëson të  njëjtën normë eristike,  por që objektivisht është shumë më poshtë se niveli i asaj të lashtë, nuk arrin t’a mbajë bisedën në skaj, duke tradhëtuar një vullnet që, nënë retorikën e re stërholluese – shkatërruese, vazhdon të riprodhojë mëtimin e hershëm të epërsisë, prirjen drejt mujshisë, idesë totalitare. Është e vështirë të qëndrosh në skaj pa e kaluar, nëse je i krekosur me sipërani ideologjike, kulturore, politike e madje morale. Vesi i hershëm i së majtës gjen në vetvete shkakun e dështimit të tij.

Kjo ndodhi e fundit, e cila nga kronikat vendore u shtri  në skenën kombëtare, qoftë sepse me që ka të bëjë me spastrimin etnik kundër – italian, prek një nyje shumë të ndjeshme të ndërgjegjes kombëtare, qoftë sepse ndërmjet kundërshtarëve t’atij propozimi të qendrës së djathtë ka institucione të rëndësisë kombëtare, tregon që në një rritje të mërisë, e majta, që mbledh studjues të njimendtë së bashku me shakllabana, që grumbullon të urtë e të skajshëm, njerëz të ndershëm e xhambazë në keqbesim, mohues e zvogëlues, e ka kapërcyer atë skaj. Ndoshta as e ka parë, duke u vetëquajtur e pagabueshme dhe përmbi çdo lidhnije morale,  por në të vërtetë ka kaluar çdo vijë ndarjeje: tragjedia e foibeve është e paprekëshme. Ky është skaji i pakapërxyeshëm, përtej të cilit hapen skenarë rrënqethës, që na bëjnë të rizhytemi në epoka kur ideologjia komuniste sundonte. E ndoshta është ky malli i fshehtë që shtyn gjithënjë e më përpara cakun e bisedës në një dëshirë vetëpohimi që kërkon të shkatërrojë, të heshtojë apo t’a mohojë kundërshtarin politik e kulturor.

Mbi krimin e foibeve nuk mund të ketë ujdi, siç nuk mund të ketë ujdi mbi rravgimin kriminal të Shoah. Përtej kësaj vije ka ndalim, sepse hyhet në zonën e errët në të cilën gjithshka është e mundur, edhe Auschwitzi, në një truall të pëgërë në të cilin mohohet thelbi i të qënurit njeri. Me këtë ndalesë liria e kërkimit shkencor nuk ndalohet, aspak nuk preket e qëndron në përgjegjësinë shkencore e morale të secilit, që mund të vendosë lirisht nëse do t’a kalojë apo jo cakun. Por politika, kur ka përgjegjësinë e qeverisjes, ka edhe të drejtën të vendosë se si mund të ndiqet në mënyrën më të mirë e mira e përbashkët, sepse pushteti demokratik mbështetet mbi këtë të drejtë. Me që koncepti i së mirës së përbashkët nuk është vetëm objektiv, por përcaktohet edhe në bazë të idesë së shoqërisë e të botës së njeriut që është zgjedhur për të qeverisur, ai vendos si t’i adresojë investimet publike për t’arritur atë që quhet e mirë publike. Ky është kuptimi i ligjëshmërisë së pushtetit, t’atij kushtetues e t’atij të zakonshëm, sepse në atë qëndron parimi i demokracisë në zbatimin e tij të plotë. Mund të kundërshtohet një vendim, edhe kjo është një pamje e dialektikës demokratike, por nuk mund të diskutohet e drejta për të vendosur, sepse nëse pushteti është i ligjësuar nga shumica e zgjedhësve, të mohohet kjo e drejtë është një veprim rrënues.

Krimet e komunizmit

Të folurit është një armë me dy presa, siç e dinte mirë Freudi . Në fakt mund të tradhëtojë synime të fshehta, si në rastin e një dokumenti të fundmë të një instituti studimesh historike, në të cilin fjala ”krimet”, që është më e përshtëshmja për të vizatuar ndodhitë e foibeve e përqark, përdoret vetëm  për “krimet italiane të luftës”. Krimet e foibeve quhen “ploja”, me një term neutral, semantikisht me dy kuptime, ideologjikisht i përshtatëshëm. E përsëri në një letër kundërshtimi kundrejt propozimit të Këshillit rajonal FVG, do t’ishin “përmallime helmuese” përpjekjet që administrata rajonale dhe shoqatat në mbrojtje të kujtesës së tragjedisë istriano-dalmate po bëjnë që paprekshmëria e asaj kujtese të ruhet në tërësinë e saj. Në të vërtetë ajo shprehje është një fjalë, froidisht, e rënë, që tradhëton vullnetin për të riprodhuar mashtrimet ideologjike mbi të cilët janë ndërtuar trajtat e pushtetit kulturor që, pra ndjell mallin e një mbizotërimi pjesërisht të dëmtuar e që urohet të jetë në mbarim. Ky po, është një mall, madje helmues.

Në këtë vijë semantike hyn edhe një shuplakë nxirëse e hedhur kundër Legës Kombëtare, shoqatë e dekoruar për merita italianizmi, që në të njëjtën letër proteste përcaktohet “një ent pa besueshmërinë e nevojshme të kompetencave e seriozitetit në truallin e kërkimeve historike”. Edhe njëherë praktika e nxirjes, por Lega Kombëtare nuk ka nevojë për mbrojtës: historia e saj, pesha e saj shkencore dhe integriteti moral mjaftojnë të vetme, për të topitur çfarëdo sulmi, çfarëdo prozhmimi. Formulari është gjithmonë i njëjti: më të mirët rrijnë majtas, kushdo tjetër i vetëm apo shoqatë, që vendoset nga ana tjetër, është për përcaktim më i keq.

Kështu zbulohet thelbi teorik dhe ideologjik prej të cilit rrjedhin, si pasoja të zbatueshme, të gjitha praktikat të përshkruara shkurt këtu dhe shumë të tjera të pashqyrtuara. Krimet e komunizmit qënkeshin, për arsye të ndryshme, më pak të rëënda se sa ata të nacionalsocializmit: kjo është logjika, t’a quajmë kështu, që ende sot duket se drejton, nganjëherë edhe si një të shkrepur të kushtëzuar (të detyruar nga dhjetëvjeçarë shplarjeje ideologjike të trurit), lëvizjet e intelektualëve të së majtës, e më në përgjithësi veprimi i politikisht korrektit i zbatuar në histori. Kundër thelbit krimprodhues dhe përfundimeve kriminale të nacionalsocializmit, kemi thënë,të gjithë, jo vetëm e majta fjalë përfundimtare, që përmblidhen në një shprehje pak të vjetëruar por krejtësisht të përshtatëshme: e keqja absolute. E njëjta duhet thënë, e mbi këtë një pjesë jo anësore e së majtës vazhdon të mos jetë e një mëndjeje, kundrejt thelbit e përfundimit, njësoj kriminalë të komunizmit, edhe se në ndryshueshmëri të skenarit, të ndërlikimeve e të pasojave. Që këtu  vjen nevoja , tashmë e pashtyeshme, për t’i vendosur sot  pranë  të të shenjtit Gjyq të Nuremergut (dhe të gjithë nëngjyqeve që kanë lejuar kapjen e dënimin e të tjerëve kriminelë nacionalsocialistë; një për të gjithë: proçesi që në Jeruzalem ka vënë mbrapa hekurave Aihmanin) një Nuremberg të komunizmit, sigurisht në trajtat që epoka jonë mund të lejojë. Ose pranohet të qëndrohet në këtë rrafsh kulturor, shkencor dhe etik, ose qëndrohet nga ana e komunizmit: tertium non datur (rrugë të tretë nuk ka).

L’opinione delle libertà

Filed Under: Politike Tagged With: Eugene Merlika, Renato Cristin, Totalitarizmi

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- FLET KRYETARI I DEGËS NË MICHIGAN, ANËTAR I KRYESISË SË FEDERATËS, Z. MONDI RAKAJ

May 27, 2020 by dgreca

Pak Histori: Dega e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA në shtetin e Michiganit është nga  më aktivet. Ajo ishte mikpritëse dhe organizatore e Kuvendit të Vatrës të 19 Janarit 2020.

Edhe në të shkuarën e largët e të afërt kjo degë është dalluar si prijëse e veprimtarive dhe kontributore ne financat e Vatrës. Historia e degës së Vatrës në Michigan i ka fillesat e saj me 14 prill 1914, datë kur nisi organizimi i themelimit të degës Nr.33 në Detroit, e cila e nisi rrugëtimin me 28 anëtarë. 

       Në Pleqësinë e parë që e udhëhoqi degën veçojmë: Kryetar i parë u zgjodh z. Lazo Dhimitri, arkëtar Dhimitër Bendy, sekretar Petraq Andon, dhe Pleqësia përbëhej nga: Marko Adams, Riza Shaban dhe Kostë Gega.

Emrat e vatranëve të Detroitit u rendit librin e nderit, ose siç e quanin vatranët e hershëm në “Radhuan e Nderit” gjatë fushatës “Për Shpëtimin e Shqipërisë” të 3 Qershorit 1917, që nisi nën kushtrimin e poezisë së Fan S Nolit ”Jepni për Nënën” me moto: Nëno mos ki frikë se ke djemët në Amerikë….!

      Ndër dhurusit e degës së Detroitit dallonin në atë fushatë: Pando Adams, Zaharia Papa, Marko Adams, Nasi Aristidi, Mihal Çeno,Angelo Lasko, Petraq Andon, Bexhet Qyteza, Hysein Hasan, Ton Anastas, Petro Grameno, Koço Grameno, George Zamo, Dhori Terova, Vëllazëria Çerava, Ilo Nase, G. Janaq, Perik Murzaku, Sotir Opingari, Krati Samarxhi,Isaak Stavre, Nonda Aristidhi, Sadik Zeinel, Vëllazëria Deke, Koli Terova, Marko G Pogradeci, Behlul Korça, dhe G.Berati.

   Dega e Detroitit do të printe edhe gjatë fushatës së Huasë Kombëtare Tetor 1920- 1921. Shumë prej vatranëve të kësaj dege blenë shuma të mëdha të “Huasë Kombëtare” për Qeverinë Shqiptare që doli nga Kongresi i Lushnjës. Fazlli Panariti nga Detroiti i priu fushatës ndër të gjithë vatranët e atjeshëm, së bashku me Halit Qytezën, që ishte kampion me 6 mijë dollar- Panariti bleu 5 mijë dollarë bono të huas, nga 7 mijë që bleu vetë Vatra.

Emri i degës së Vatërs të Detroitit do të futej në historinë e Federatës edhe në kohëndarjen e tretë të Federatës (e para kishte ndodhë më 1917), e dyta më 1925(koha e ndarjes së Nolit me Konicën, që zgjati deri më 1938, prill kur erdhën princeshat që bënë bashkimin me vizitën e tyre, Noli udhëhoqi meshën, Konica ishet shoqërusi dhe mikritsi), dhe kjo e treta pas Kuvendit të vitit 1936, që zgjati për 3 vjet. Atë kohë kishim dy Vatra, një në Boston dhe një në Detroit. Kishim dy gazeta Dielli, një në Boston me editor Nelo Drizarin dhe një në Detroit me editor Refat Xh. Gurrazezi.Bashkimi erdhi pas pushtimit të Shqiëprisë nga Italia fashiste, më 1939.

E para, ajo e vitit 1917, qe shumë e dëmshme sepse ndodhi në një kohë kur nuk kishte një qeveri Shqiptare në vend të njohur nga ndërkombtarët, që t’i dilte për zot Shqipërisë dhe të mbronte të drejtat e popullit shqiptar, barrë që e kishte marrë përsipër Vatra. E dyta zgjati shumë dhe i shpenzoi energji Vatrës. Edhe e treta, nuk kaloi pa pasoja, e përbashkëta ishte se dyja vatrat e njihnin dhe e adhuronin Mbretin Zog.

Edhe pse dega e Michiganit e uli tempin e veprimtarive pas ’90-tës, vatranët e vjetër Julian Çefa, Kujtim Qafa, Vasel Ujkaj dhe të tjerë e mbajtën gjallë frymën vatrane dhe e ruajtën anëtarësinë në qëndër së bashku me një grup vatarnësh.

Dega e vatrës në Michigan u rithemelua me 14 Janar 2012, me rastin e 100 vjetorit të Federatës, me kryetar Alfons Grishaj, sot nënkryetar i Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA, ndërkohë që dega drejtohet nga Mondi Rakaj, i cili është edhe anëtar i kryesisë së Federatës.

Për të mësuar rreth përballimit të pandemisë, gjendjes shëndetsore të vatranëve dhe familjeve të tyre, marrdhëniet e kryesisë së degës me vatranët, dhe situatën e tanishme të Pandemisë, ne biseduam me Kryetarin e degës z. Mondi Rakaj. Ndiqeni bisedën:

DIELLI: Përshëndetje Mondi! Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur nga COVID-19?

MONDI RAKAJ:- I dashur Z Editor, Ju falenderoj intersimin dhe për këtë intervistë. Po ashtu keni falenderimet tona edhe për punën tuaj të palodhur që bëni për gazetën Dielli dhe Vatrën. 

Duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, fatmirësisht, nga rrethi im familjar si këtu në SHBA, ashtu edhe në vendlindje, e në  Europë ,nuk kemi pasur asnjë të prekur nga COVID 19 . Nga rrethi miqësor dhe nga radhët e vatranëve, ka pasur raste të infektimit nga COVID-19. Në fakt zona e Detroitit ishte një nga zonat më të prekura nga infeksioni.

DIELLI: Si është situata tani në Michigan?

-MONDI RAKAJ: Situata në Michigan për momentin, është më mirë, numri i të infektuarëve ka rënë shumë. Ditën e djeshme, e Martë 26 Maj, përshembull, u raportuan 229 të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave ishte 26 të vdekur në mbarë Michiganin. Krahasuar me një muaj më pare, janë shifra minimale sepse kishim rreth 3000 të infektuar dhe 700-800 persona të vdekur në ditë(24 Orë). Gjithësesi Michigani e mori situatën shpejt në kontroll. Për rerth dy javë shteti ku jetojmë ne ndiqte hap pas hapi New York-un, por situata e vështirë kaloi.Tani Michigani është në vendine  tetë ndër shtetet e infektuar duke regjistruar 55 mijë e 104 të infektuar, dhe 5 mijë 226 të vdekur. Ndër të infektuarit 16 mijë e 670 janë mbartës aktiv të virusit, ndërkohë që vazhdojnë testimet e  qytetarëve të dyshuar,- deri tani janë testuar 537 mijë 698 persona.

Gradualisht njerëzit po dalin nga izolimi, disa fabrika po fillojnë punën, rrugët po mbushen dhe këtë e dëshmon edhe trafiku i makinave etj. 


DIELLI: Ndërkohë Ju keni punuar dhe keni qenë në kontakt me publikun për shkak të angazhimit të kompanisë tuaj.A mund t’u përcillni lexuesve tanë një informacion më të detajuar; çfarë konkretisht bëri dhe bën kompania jua? Cilat ishin vështirësitë? A patët punonjës tuaj të infektuar?

MONDI RAKAJ-E vërtetë; puna jonë është shumëfishuar në këtë kohë pandemie.Kemi punuar me orë të zgjatura, ka pasur raste që punëtorët kanë punuar edhe 20 orë në ditë-natë pa pushim, duke dizinfektuar për të asgjesuar COVID  19. 

Puna jonë ka qenë dhe mbetet intensive sepse Stacionet e Zjarrfikseve, Stacionet e Policisë, Stacionet Urbane, Ndërtesat Federale të Ushtrisë, Librarive , Bashkive etj. kërkojnë puën pa ndërprerje, për arsye se shumë nga këto Departamente punojne 24/7 dhe kërkojnë disinfektim të përditshëm. Në shumë prej këtyre Departamenteve jemi përballur me persona të infektuar, të cilët as që ishin në dijeni për gjendjen e tyre shëndetësore. Në ditët në vijim, kushtet e tyre përkeqësoheshin dhe nuk i shihnim më në punë. Fatmirësisht,duke pasur parasysh se punëtorët tanë ishin të izoluar mjaft mirë me kostume Tyvek, doreza ,maska, nuk kemi pasur ndonjë të infektuar deri tani. I falenderoj pa masë të gjithë punëtorët për punën e tyre jashtëzakonisht të mirë në përballje me këtë pandemi te rrezikshme. 


DIELLI: Si po shkon në Detroit rihapja e bizneseve?

MONDI RAKAJ: -Me urdhër të Governatores Ëhitmer , hapja e kushtëzuar e bizneseve, do të fillojë pas datës 12 Qershor 2020. Kuptohet shumë shtetas të Michiganit nuk kanë qenë dakort me këtë urdhër të Gorvenatores, dhe ketë e kanë dëshmuar me demonstrata, biles  dhe të armatosur në Kryeqytetin e Michiganit, në Lansing,besoj se ju mund i keni ndjekur përmes mediave.

DIELLI-U mbushën tre muaj që jemi izoluar, si i keni mbajte lidhjet me kryesinë e degës dhe Vatranët?

MONDI RAKAJ-Herë mbas here komunikojmë me telefon me Vatranët në Michigan, pyesim për shëndetin dhe familjarët.Për disa prej tyre mbyllja e ekonomisë nuk ka qenë në favorin e tyre, por me ndihmë të Zotit do t’ja dalim. E falenderojmë edhe adminstratën e Presidentit Trump, që ka bërë një punë jashtëzakonisht të mire, duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në këtë kohë të vështirë, ku ka pasur edhe vatranë,që kanë perfituar PPP dhe Unemployment. 

DIELLI: A ka pasë të prekur nga dega juaj me COVID-19 dhe sa? 

MONDI RAKAJ: Po, në degën tonë kemi pasur anëtarë të Vatrës të infektuar me COVID 19, por janë kuruar në spitalet përkatese dhe sot gëzojnë shëndet te plotë. 

Disa vatranë, për të cilët ne jemi të informuar, e kanë kaluar shumë me vështirësi sëmundjen, dhe janë kuruar në spital. Shpresojmë,në ditët në vijim,kur bizneset të hapen pa kushtëzime, të mblidhemi dhe të gëzojmë dhe të ngremë një dolli, që ia dolën kësaj sëmundje.

DIELLI – A keni pasë mundësi të komunikoni në mënyrë elektronike, me mesazhe, me telefonata me vatranët, degët e tjera të Vatrës?

MONDI RAKAJ- Natyrisht, kemi marrë e na kanë marrë në telefon. I falenderoj të gjithë vatranët nga Neë Yorku, Florida , Ëashingtoni, Neë Jersey etj. për interesimin dhe kujdesin. Kemi pasur shumë komunikime të mira gjatë kësaj kohe, duke u interesuar për njeri tjetrin, me anë të lidhjeve telefonike  e rrjetet sociale etj.

DIELLI- Po me qendrën e Vatrës, a i keni ruajtë lidhjet?

MONDI RAKAJ-Me qendrën e Vatrës i kemi ruajtur lidhjet shumë mire. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, diskutojmë plane dhe projekte për të ardhmen, sapo të hapet ekonomia. 

DIELLI-Cila është gjendja reale e anëtarësisë në degën tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtarë të rinj?

MONDI RAKAJ- Gjendja reale e Vatrës në Michigan është shumë mirë, vazhdojmë me atë  anëtarësi që kemi pasur, në korrik e prapa mendojmë të antarësojmë të rinjë, disa djem të rinj nga Dardania, të sapo ardhur,janë në rrethin e simpatizanëtve të Vatrës,e duan dhe e respektojnë Vatrën, dhe kanë shfaqur dëshirë të jenë pjesë e saj.

DIELLI- Çfare mendoni për funksionimin e mëtejshëm të Vatrës në të ardhmen nëse kufizimet vazhdojnë gjatë?

MONDI RAKAJ- Shpresojmë se situate do të përmirësohet, por nëse vazhdon mendoj se do të lidhemi në konference call, dhe nëse do të jetë nevoja  do të përdorim edhe lejen essential help për të ndihmuar në vendet përkatëse.

DIELLI:Falemidnerit për bisedën!

MONDI RAKAJ: Ishte kënaqësi. Faleminderit prej jush!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Interviste, Mondi Rakaj

Botë e Qytetërime

May 27, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Natyra a Zoti shpesh bën edhe shaka, ose thjesht luan me njerëzit, ose ndoshta kërkon të thotë diçka, por ne nuk e kuptojmë. Jo rrallë njeriu pak kujdeset për çfarë ndodh në këtë botë; ka edhe raste kur kërkon t’a lërë atë, por s’mundet, Krijuesi e mban të lidhur në tokë (forcë graviteti), duke e tërhequr nga këmbët dhe duke kufizuar flutirimin e tij në qiell. Këtë fuqi, njeriu e imiton dhe e quan pushtet që e përdor për të kontrolluar tjetrin.

Si çdo gjë e natyrëshme, edhe procesi i jetës është i thjeshtë; lindje, zhvillim, vdekje. Çfarë e bën jetën të vështirë, ndonjëherë të pamundur, është vetë njeriu, i cili përpiqet të dalë nga ky cikël. Ai harron pikërisht atë që nuk duhet harruar, se vjen për të ikur, dhe lë pas gjithçka. Në këto kushte njeriu vazhdimisht krijon, shpik, kopjon, rinovon idera, qëllime, mjete, mënyra të ndryshme jetese që i kontrollon me zakone, tradita, norma, kode e ligje. 

Në një pjesë të botës, njeriu tund kokën majtas-djathtas-majtas për të thënë ‘po’, dhe lart-posht-lart për ‘jo’. Në kultura e shoqëri të tjera, në pjesën tjetër të botës, njeriu bën të kundërtën, dhe për ‘jo’ thotë ‘po’, por të dy kur takohen, habiten me gjestet e njëri tjetrit ose keqkuptohen.

Perëndimi vjen kur dielli humbet pas horizontit dhe nata bie. Lindja shënon daljen e diellt dhe fillimin e ditës së re. Por në jetë njeriu lë ditën dhe zgjedh natën, megjithëse të dyja ndodhin njëkohësisht atje ku dy gjysmat e globit ndahen. Pastaj, ç’rëndësi ka nëse shkon në drejtim të kundërt. Bota është rreth, dhe në pikën e nisjes njeriu do të mbërrijë përsëri, ndërsa rrugës do të takojë tjetrin që vjen nga drejtimi i kundërt. Duket se mendësia i vjetër nga koha kur thuhej se toka ishte e sheshtë, vazhdon të ndikojë, si ata që ikin nga diktatura, por kokën e mendjen e mbajnë të kthyer mbrapa. Bota e tyre ndryshon, por jo botëkuptimi. Njeriu jeton sot duke menduar dje, ose gjithmonë bën të kundërtën e asaj që mendon. 

Në gjeopolitikë shpesh përdoret termi “Perëndim” – veshje perëndimore, njerëz perëndimorë, art perëndimor, muzikë perëndimore, modë perëndimore, filozofi perëndimore, kulturë perëndimore – për të përshkruar vendet e zhvilluara të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Në skajin tjetrën qëndron Lindja – mendje e mbyllur, shtypje, autokraci, korrupsion, varfëri, trafikim, mashtrim – me Rusi, Kinë dhe vende të tjera të Azisë Lindore, dhe pjesë të Europës Juglindore, në varësi të politikave. 

Por mungon konceptimi i qytetërimit Verior dhe Jugor. Kur thua Qytetërim Verior të krijohet më shumë një imazh i të ftohtit polar sesa i shteteve kombe. Ndoshta në kulturën Veriore mund të përfshihej Rusia dhe sferat e saj të ndikimit në Azinë Qendrore. Ballkani lëkundet Lindje-Perëndim. Qytetërimi Jugor mund të përfaqësohej me Afrikën dhe Azinë Jugore dhe Juglindore. Gjithashtu, mund të shtohej edhe një civilizim i pestë Qëndror, për të përshkruar Lindjen e Mesme. Kështu, Bota do të dukej më gjithë-përfshirëse, e rrumbullakët dhe më kuptimplote – jo si dikur, kur njeriu mendonte se jeta zhvillohej në vijë të drejtëdhe dhe Toka ishte e sheshtë. Por konceptet nuk krijohen nga asgjë, ato lindin me ndryshimin e botëkuptimit, ose nga mënyra se si e shohim vendin e botën ku jetojmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Liria, Bote e qyteteruar

Tiranë: Opozita angazhohet që reforma zgjedhore të kryhet brenda majit

May 26, 2020 by dgreca

Nga Ilirian Agolli-Tirane- Zeri I Amerikes/

Opozita u angazhua sërish sot që të bëjë gjithçka sa i takon asaj për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda datës 31 maj.

“Jemi të vendosur për këtë betejë. Do të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme” – tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai i bëri këto këto komente pas një takimi me ambasadoren e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

“Shqiptarët duhet të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë, që meritojnë me votën e tyre dhe Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD që nga dita e saj e parë” – tha zoti Basha. 

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, deklaroi se diskutimi me zotin Basha u bazua në të ardhmen, jo për të shkuarën.

“Udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar për të përfunduar reformën zgjedhore deri në 31 maj. Ky është një afat kohor që e kanë vendosur vet udhëheqësit në bindjen e tyre. Opozita ka një punë të madhe përpara, por ndihem e inkurajuar nga diskutimi i sotëm dhe pres rezultate” – tha ambasadorja Kim.

Partia Demokratike falenderoi diplomaten amerikane për mbështetjen ndaj reformës zgjedhore.

“Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është përparësi absolute e Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit” – tha zoti Basha.

Po sot, rinisi punën Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore. Opozita paraqiti aty propozime për transparencën e financimeve partiake. 

Fondet e dyshimta në arkat e partive politike kanë sjellë prej vitesh shqetësimin se prapa tyre qëndrojnë kapja e shtetit nga korrupsioni i niveleve të larta.

Opozita jashtë-parlamentare shkoi sot në tryezën e reformës zgjedhore me disa propozime mbi financimin e partive, mbi kuotat gjinore dhe përcaktimin e periudhave zgjedhore.

Ndërsa opozita brenda-parlamentare propozoi rregulla të reja për të lehtësuar mbajtjen e referendumeve. 

Përfaqësuesit partiakë ranë dakord që një në tre kandidatë elektoralë të jetë zonjë, që zgjedhjet të mbahen në një muaj të pranverës ose të vjeshtës dhe që financimet private të partive politike të reduktohen me ligj, duke shtuar fondet shtetërore, për të larguar partitë nga korrupsioni politik.

Opozita propozoi uljen në minimum të financimeve private ndaj partive politike, forcimin e transparencës, verifikimin e financimeve dhe ndëshkimet për shkelësit. 

Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. 

Opozita propozoi që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti, i cili nga e vet angazhohet të paguajë më shumë për të mbajtur partitë.

Aktualisht ky raport është 1/10. Pra, partitë lejohen të marrin financime private 10 herë më shumë se sa financimet publike.

Raporti i ri nuk është vendosur ende nga tryeza, por qëllimi është që hendeku të ngushtohet sa më shumë.

Projekt – ligji i sjellë nga opozita, shton mekanizmat shtetërorë në kontrollin e shpenzimeve në fushatë, me qëllim që të ulet përdorimi i parave të pista në zgjedhje.

Takimi tjetër është pas dy ditësh, ai vlerësohet si më i rëndësishmi nga pjesëmarrësit, sepse ka të bëjë me fshehtësinë e votës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilirian Agolli, Opozita

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 563
  • 564
  • 565
  • 566
  • 567
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT