• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KEMI ARSYE TË KRENOHEMI ME NËNË TEREZËN

November 5, 2012 by dgreca

NGA AGIM REXHAJ*/

Një ndër veprat më të mëdha, të simbolit të shqiptarëve, në botën e qytetruar mu në zemër të Europës, është ndërtimi i Katedrales “Nëna Tereze” në zemër të Prishtinës, në Kryeqytetin e Republikës së pavarur të Kosovës, e cila gjithësesi ka mbas vetes edhe kontributin e çmuar të shqiptarëve të Amerikës. Ky kontribut është një gjest dashurie, respekti, dhe bashkimi për tërë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.

S’ka dyshim, se kur kujtojmë Katedralen “Nëna Tereze” në mes të Prishtinës – do të çojmë ndër mend, edhe çastin e hedhjes së gurthemelit nga presidenti i ndjerë i Kosovës; Presdenti historik, arkitekti i Pavarësisë, dr Ibrahim Rugovën,i cili do të mbahet mend si paraprijës i këtij projekti.

Do të çojmë ndërmend edhe prijësin shpirtëror,Ipveshkvin e ndjerë, Imzot Mark Sopin, biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergjin,e shume te tjere. Kujtojmë, në mënyr të posaçme punën e tyre, në nismën për ngritjen e Katedrales në Prishtinë, më 19 gusht 2006, ate dite te bekuar, ku moren pjese Shqiptarë nga te gjitha trojet etnike, si dhe nga diaspora e tri besimeve fetare,katolikë,ortodoksë dhe muslimanë, kujtojmë praninë ndërkombëtare. Kjo Katedrale, është bërë sot, pikërishtë monumenti që i shkon përshtat një figure të rrallë , nje Nobelisteje, një shenjëtoreje shqiptare si Nëna Tereza

Ne shqiptarët kemi arsye të krenohemi për Shënjtëreshën Nënë Tereza, emrin e së cilës mban Katedralja. Krenohemi me simbolin e racës tonë Arëbërore. Ajo, grua imcake, me trup të vogël, por me zemër të madhe, siç ka thënë Papa Gjon Pali II, “i dha formën Shekullit të XX”, ndërkohë që Kardinali Paskal,do ta ngrintë lart Kombin Shqiptar, tek do të thoshte:” Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhënë një nënë kaq të madhe.”, ndërsa shkrimtari ynë i madh, kandidati i përjetshëm i Nobelit,Ismail Kadare,  do ta vajtonte simbolin e dashurisë së përbotshme me shprehjen:” Bota dhe populli ynë mbetën jetim pa Nënë Terezën”.

Ne ndjehemi mirë që emri i Nënë Terezës është përjetësuar duke emërtuar Spitale, Qendra mjekimi, Shkolla, Aeroporte, rrugë, por ajo që do ta kujtojë përjetësisht misionin e saj, do të jetë Katedralja në mes të Prishtinës.

Dëshirojmë me zemër që kjo Katedrale, ashtu siç u konceptua që në gurthemel, të jetë edhe një një monument bashkimi për popullin e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar, pavërsisht përkatësisë fetare.

Modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare për popullin shqiptar, është unik,i papërsëritshëm. Vëllazërimi mes feve është një tregues i qytetërimit dhe pjekurisë së kombit tonë. Kjo vlerë, në imazhin e Shqipërisë, përbën një shembull të rrallë në Europë e në botë. Le ta ruajmë këtë trashëgimi të të parëve tanë!

Me ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Pavarur të Kosovës, u realizua më në fund, amaneti i Presidentit historik të Kosovës dr Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit – të cilët nga dritarja e qeillit – shpirtat e tyre te ndjerë, sot gëzohen dhe na falenderojnë, të gjithëve ne për atë që bëmë si shqiptarët te Amerikës, atë që bëmë së bashku në dekada për çështjen shqiptare në SHBA, kontributin që dhamë në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe demokratizmin e saj, çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovë, avancimin e çështjes shqiptare ne Maqedoni Mal të Zi, por edhe për kontributin e dhënë qysh ne fillim me ndërtimin të Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë – Kosovë,

Ndërtimi i Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë , ishte rezultat i një pune të madhe që është bërë për t’i bashkuar shqiptarët e të tre besimeve fetare, pavarësisht bindjeve tona politike , pavarësiht viseve nga kemi ardhur.

Ndërtimi i këtij tempulli të besimit fetar në mes të Prishtinës, nxorri edhe një herë në pah bujarin dhe zemërbardhësinë e madhe te shqiptarëve të Amerikës që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosoves , por kontribuan dhe po vazhdojnë të kontribuojnë për ndërtimin e këtij tempulli të shenjt, monument fetar dhe kombëtar si dhe shenjë bashkimi në mes të Kosovës, në mes të Europës.

Mirenjohja dhe falenderimi u takojnë te gjithe Shqiptareve, kudo që janë, të cilët ndihmuan dhe po e ndhmojnë ndërtimin e Katedrales “Nena Terezë” në Prishtinë, një nderim i veçante shkon për famullitarin e palodhur e atdhetar të Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”,  Dom Pjeter Popaj,

A ka gje me te bukur se fakti i përfshirjes të të gjithë shqiptarëve, nga të gjitha trojet etnike, per  ndërtimin e Katedrales ne Prishtinë?

Në pamundësi për t’i përmend të gjithë, po i numëroj disa që kontribuan me shuma të konsiderueshme;

Nga arbëreshët e Italise , Joe Dioguardi ish Kongresmeni republikan , Xhim Xhema nga Presheva, Leke Gojçaj nga Hoti i Malesise, Zef Balaj nga Shqiperia,Hary Bajraktari nga Kosova, Ibrahim Kolari nga Dibra dhe shumë të tjerë.

Në prag të këtij 100 vjetori të shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, falenderojmë mikun tonë të perjetëshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si thoshte Presidenti historik i Kosovës, i njderi Dr. Rugova, për atë që bënë që Shqipëria të mos coptohej më tej dhe të ruante pavarësinë që e kemi tash e 100 vite. Pa mikun e madh, Kombin Amerikan, nuk do ta gëzonim pavarësinë e Kosovës, nuk do ta kishim Shqipëria në NATO.

Pra , le të shërbejë edhe sonte kjo darkë, e bukur bashkimi, për rritjen e Fondeve për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, si një darkë që na mbledhë së bashku që të kontribojmë, por edhe të festojmë, në prag 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin 1912, ditën kur plaku i urtë dhe i mençur i Vlorës Ismail Bej Qemali, ngriti me ata patriotët e mbeldhur së bashku nga e gjithë Shqipëria etnikie, flamurin kuq e zi të Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut . Le t’i shërbejë kjo darkë qëllimit të saj, ashtu si dhe në të kaluarën me aktivitetet në veprimtaritë dhe kontributete e diasporës, sidomos në dy dekadat e fundit për grumbullimin e ndihmave në New York, për Kosovën, Shqipërinë e çështjen shqiptare në tërësi.

Pra si folësi i kësaj darke gjejë rastin të falenderojë secilin prej jush për këtë kontribut të çmuar dhe t’ju urojë të gjithëve mbarësi dhe lumturi në shtëpitë tuaja, Zoti u bekoftë për këtë dhuratë të madhe që po bëni për Katedralen e “Nëna Tereze” në mes të Prishtinës-! Zoti i bekfotë Shqiptarët,Kombin shqiptarë , Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kombin Amerikan!

  • Fjalimi që mbajti zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj më 14 tetor, në darkën e organizuar nga Komisioni Organizator i mbledhjes së Fondeve për ndërtimin e Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë.

Filed Under: Editorial Tagged With: agim Rexhaj, Editorial, Nene Tereza

SHPIRTI NË PAQË, INTERA GJONZENELI!

November 5, 2012 by dgreca

Javën e shkuar, pak para se të niste stuhia e tmerrshme Sandi, Teki Gjonzeneli dhe Filanda, bashkëshortja na kishin ftuar në një restorant Italian në NJ për të kujtuar vajzën e tyre të ndjerë, që ndërroi jetë në Chikago. Sipas zakonit mysliman dreka u shtrua për të përkujtuar të 40-tat. Të gjithë u lutëm për shpirtin e Interës. Tekiu na mallëngjeu me copëzat e kujtimeve që shpalosi në atë drekë morti. Kujtoi fëmijërinë e vuajtur të Interës , përbuzjen që vinte nga biografia, mohimi i të drejtave më elementare. Ndërsa motra e Interës, Monika, kujtoi preferencat e motrës në jetë, dashurinë për këngët, humanizmin, dashurinë njerëzore, pasionin për gjuhët e huaja. Vajza e madhe e Interës, Argjiro, falenderoi pjesmarrësit që kishin ardhë për t’u larguar fëmijëve dhimbjen që u ka shkaktuar ikja e nënës. Motra e saj e vogël, Filanda, duket se ende nëna do të kthehet pasi shpirti i saj është ngjitur përkohësisht në qiell…

***

Pas gjashtë vite vuajtjesh, me 20 shtator, iku nga kjo botë Intera, vajza e Teki dhe Finlanda Gjonzeneli! Intera u lind në diktaturë, prandaj dhe emri i lidhej me internimin(Intera). Pat lindur në Vlorë me 11 prill 1968. Shtatë ditë pas lindjes së saj e gjithë familja u internua. Familja  e pagëzoi vajzën me emrin Intera. Ishte një shenjë kundërshtimi ndaj regjimit. Intera u rrit në internim. Fëmijëria e saj si për cdo fëmijë të familjeve të persekutuara ishte plot dhimbje, vuajtje, poshtrime, fyerje e ofendime. Zemra e saj duroi edhe injorimin e fshatit në varrimin e gjyshit të saj të dashur që e pat rritë me përekujdes e dashuri Internën. Në varrim ishte pjesmarrse vetëm familja prej shtatë vetësh. Me dhimbje përballoi edhe varrimin e heshtur të gjyshes së dashur, ku sërish e përcolli vetëm familja. Mendja e vajzës lodhej për të gjetur përgfjigje për pyetjen:Përse kjo braktisje? Gjyshi dhe gjyshja ishin njerëz të mirë, të dashur, askujt nuk i ranë në qafë. Përse? Ajo me një buqetë lulesh qëndroi në krye të kortezhit të përcjelljes së gjyshes, që e deshi shumë.

Kur babain e saj do ta burgosnin më 16 nëntor 1981, ajo sërish duroi edhe pse e dinte se do ta ksihte më të vështirë jetën. Mori frymë thellë kur ra diktatura, por shpirti i saj qe helmuar nga braktisja e mënjanimi  nga biografia. Atëherë ishte vajzë e rritur 22 vjece. Së bashku me djalin që dashuroi shkoi në Greqi. Punoi pa u lodhur për të përmirësuar jetën. I hyri në punë zanati i rrobaqepses dhe qendistarisë, të mësuara prej gjyshes në fëmijëri. Gjuhën e vendit ku emigroi e mësoi shkëlqyer, sa që e thërrisnin edhe për përkthime. Më 1999 vjen në Amerikë  së bashku me burrin dhe dy fëmijët duke u bashkuar me familjen e prindërve që kishin ardhë më herët. I bëri shumë përshtypje madhështia e Amerikës dhe pyeti të atin: A do të arrijë të integrohem dot, babi? Shumë shpejt, vec hidhi hapat me shumë kujdes-e porositi i ati.

E ndërroi emrin si shenjëe të kohës së keqe të diktaturës, duke marrë emrin Majlinda. U vendosën familjarisht në Cikago, ku shpejt ngjiti suksesshëm shkallët e biznesit ushqimor. Zotëronte anglishten, greqishten, spanjishten dhe natyrisht shqipen. Të gjithë e donin dhe e respektonin pasi shquhej për sjellje korrekte dhe humanizëm. Kë nuk ndihmoi Majlinda! Shqiptarët po se po, por edhe të tjerët. Në varrimin e saj u panë, krahas shqiptarëve edhe spanjolle duke qare me dënes, fëmijë e të rritur.

E ndjera la pas tre fëmijë, Albanon, Argjiron dhe Filandën e vogël (së cilës i vuri për së gjalli emrin e nënës, që e donte shumë) dhe bashkëshortin. Ishte një vajzë e shkëlqyer. Ishin shumë ata që e përcollën në jetën tjetër. Të shumtë ishin dhe ata që shkuan në Nju Xhersi dhe ngushëlluan familjen, Teki dhe Filanda Gonzeneli.  Shumë  mesazhe u dërguan. Po vecojmë  mesazhin ngushëllues të dr. Prenjo Imeraj, dërguar  nga Nju Jorku në  Cikago, në momentin e vdekjes: Të dashur Teki dhe Finlanda! Të dashur Monika dhe Fatmir! Të dashur Alban, Argjiro dhe Finlanda e vogël! Në pamundësi ardhje, pranoni ju lutem, ngushëllimet më të thella nga unë dhe fëmijët e mi: Anila, Irma dhe Sokoli, për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm! Teri ishte fatzezë.Them kështu se pa ardhur mirë në jetë , sistemi i urryer komunist i shpalli luftë të paprinciptë, gjë që e tregon më së miri emri Intera, me të cilin e pagëzuat ju, prindërit e saj të shtrenjtë, pas internimit dhe persekutimit të padrejtë të familjes tuaj të sapo krijuar.

Teri ishte fatzezë se sëmundja e mallkuar, e mori para kohe. Teri do të mbahet mend gjatë, se ju ka lënë pas tre ëngjëjt e saj, të cilët tani dhe më vonë do të kenë më shumë s ekurrë nevojë për ndihmën tuaj, sidomos për ju zonja Gjonzeneli, që keni brengën dhe dhimbjen më të madhe.

Por Teri do të mbahet mend edhe për gjurmët e mira që ka lënë në farëefisin e saj, midis shoqërisë së saj,  dhe tek të gjithë ata me të cilët punoi. Mbi të gjitha, Teri do të mbahet mend për luftën titanike që bëri me sëmundjen e mallkuar dhe përpjekjet e saj mbinjerëzore për të mbijetuar. I qoftë i lehtë dhe’u i Amerikës! Shpirti në Paqë!(dgreca)

FOTO :Intera Gjonzeneli 11 prill 1968- 20 shtator 2012

Filed Under: Kronike Tagged With: Filanda, Intera Gjonzeneli, Teki

RRËFIM PËR NJË VATRAN TE RI DHE FAMILJEN E TIJ

November 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një vit pasi kisha filluar punën si editor i Diellit, kryetari i Vatrës, njëkohësisht dhe Managing Editor, z. Agim Karagjozi, më sugjeroi:- Duhet të shkruash edhe për vatranët e thjeshtë, ata që nuk u vjen radha të përmenden në kronikat e gazetës, që nuk janë të zgjedhur, por e duan Vatrën. “Përpiqu që të gjesh shembuj në historinë e Vatrës, dje dhe sot”.

Jam duke e bërë këtë kërkim dhe kam gjetur vatranë të thjeshtë që i kanë dhënë shumë Vatrës, edhe pse nuk kishin poste drejtuse, as në qendër e as nëpër degë. Së shpejti me ta do të nis një rubrikë të re në faqet e Diellit.Për ditët e sotme zgjodha një vatran nga Kosova, jo se ka bërë shumë për  Vatrën, madje nuk ka më shumë se dy vjet anëtar, pra është vatran i ri, por jeta dhe aktiviteti i tij më intriguan. Shprehja e Idriz Çelaj se “Hyrjen në Vatër, e kam konsideruar si hyrjen në një vend të shenjtë”, ishte një arsye më shumë për ta bërë objekt të këtij shkrimi.

Idriz Çelaj iu përgjigj thirrjes së Vatrës për t’u bërë pjesë e saj, pa hezitim. Edhe kur vjen në Vatër, nuk ndjehet. Kur i japin ndonjë detyrë bën ç’mund për ta kryer, kur nuk e thërrasin, nuk shfaq shenja”mbetje qejfi”.  Kur i thamë në prag të 100 vjetorit të Vatrës se a mund të gjente dhjetë veta për të plotësuar një tavolinë, ai nuk tregoi entuziazëm, por  të nesërmen, telefonoi dhe solli 2500 dollarë. Po i fus vetë nga xhepi, jo se jam i pasur, po e dua Vatrën. Po nuk gjeta, do ta plotësoj me familjen time!

Kur iu kërkua që të mund të ndihmonte në aktivitetin për promovimin e librave të Prof. Nusret Pllanës nga Vatra, ai vetëm kërkoi se çfarë mund të bënte. Dhe ditën e organizimit erdhi me gjithë makinë tek Vatra dhe ndihmoi pa u kursyer. Kontributi që dha gjatë aktivitetit ishte i dobishëm.

Idriz Çelaj është i dashuruar pas poezisë që në fëmijëri. Ai më tregon se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Ai kujton takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i dha kurajo. Kujton Idrizi: Kisha botuar një poezi. Azem Shkreli më tha: Me këtë varg tëndin mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Në Kosovë ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së letrarëve të rinj, kryetar për degën e Pejës.Në fund të vitetve ’70 ka botuar në revistën “Pena” në Austri, Illyria, Bota e Re, Zëri i Rinisë, dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i  revistës “Koha” në Mal të Zi.

Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin me poezi “Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk u zemrua. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt  vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e librit ai ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për  historinë, edhe për simbolet kombëtare, si : Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Fan S Noli, Faik Konica etj.

Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij”Nëse vdes”:  Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…

 

    KREANARI  PËR TRASHËGIMINË HISTORIKE

 

Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit e tij. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për  liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e  Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë , nga ushtria serbomalazeze. Në  fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.

Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit ( I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i  njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911,ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët  më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia  me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas.   Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf  Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën  vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.

Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.

 

        KOHË TË VËSHTIRA NË KOSOVËN E OKUPUAR

 

Idrizi e ka prejardhjen nga një familje kelmendase e zbritur nga Mbishkodra në Rugovë. Ai ndjehet krnar për trashëgiminë historike të të parëve të vet. Më i përmenduri i fisit është Çel Shabani, një ndër komandanët e luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i njohur  për  trimëritë e treguara ndër luftimet për liri, ku shquan heroizmi i tij në luftë e Nokshiqit. Çel Shabani dhe i biri, Sokol Çela, janë  personazhe të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta”, ndërkohë që Çel Shabani është personazh edhe në romanin historik të Sulejman Krasniqit.

Vetë Idrizi ndjehet krenar që ka trashëguar nga të parët e vet kontribute atdhetarie. Ai studioi në Universitetin e Prishtinës , fakulteti Filozofik, dega Gjuhë-Letërsi, por kushtet e vështira në Kosovën e okupuar ia vështirësuan ushtrimin e  profesionit. Gjatë kohës së mbylljes së shkollave, hapjes së tyre nëpër shtëpi, për disa kohë ai ishte mësues vullnetar. Demonstratat e ’81-shit e patën gjetë student. Ishte kryetar i konviktit të Letërsisë me 500 studentë dhe u tregua tepër aktiv në demonstrata. “Nëse nuk u burgosa, merita s’ishte e imja, por e ish të burgosurit politik Xun Çeta, i cili nuk dekonspiroi emrat e organizatorëve. Idrizi kujton se me çarçafët e konviktorëve u shkruan parullat për liri e Kosova Republikë.

Aktiviteti politik i tij ra në sy të autoriteve të cilët më shumë se dhjetë herë e thirrën në biseda informative në rajonet e policisë. Në bisedat informative ai pyetej për aktivitetin politik, aktivitetin kulturor,  dhe atë pedagogjik. Merita e përballimit të dhunës psikologjike, ai thotë se i takon Avokat  Bajram Kelmendit, i cili e kishte udhëzuar se si duhej të tregohej i pa përkulur në seancat e bisedave informative.

Aktiviteti politik i Idizit në kohët e vështira të Kosovës së okupuar ishte dinamik. Ai ishte themelues i degës së LDK-së në fshatin Arbanë (ish Lutogllavë). Më pas me ftesën e Mark Krasniqit ndihmoi në zgjerimin e Partisë Shqiptare Demokristiane. Idizi ishte kryetar i degës për zonën me qendër në Tërstënik(Sot Trefish), dega më e madhe në Kosovë. Ishte edhe kandidat për deputet i asaj Partie.

Duke përfituar nga përvoja e të parëve, Idrizi ka qenë pjesë e komisoneve lokale për pajtimin e  gjaqeve. Ai ishte pjesë në pajtimin më të madh të gjaqeve që është bërë Te Verrat e Llukës , ku merrnin pjesë personalitete si: Anton Çeta, Zekria Cana, Mark Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bajram Kelmendi, Flamur Gashi, Have Shala, Myrvete Dreshaj, e të tjerë. “

Idrizi shquhet për urtësi. “E kemi amanet nga Çel Shabani, që të mos krijonim konflikte mes shqiptarëve sepse pushka s’na shkon ndër shqiptarë, por vetëm ndaj shkjaut që na kishte zaptue vatrat. Shpesh herë këtë porosi ma ka përcjellë gjyshi, Zhuk Haxhia”,thotë ai.

 

                  DASHURIA PËR ARTIN E SKENËS

 

Idriz Çelaj është i dashuruar pas artit të skenës, veçanërisht pas dramës. Ai ruan në arkivin familjar shumë gazeta dhe revista, ku shkruhet për sukseset që ka arritur me trupat amatore të Pejës. Është i pasionuar pas regjisurës. Me trupën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Pejës, u nderua me çmim në olimpiadën “ Presheva ‘94”. Drama me regji të Idiz Çelaj dhe dy aktorët më të mirë të asaj trupe, Rudina  Xhara e Hysne Zeqaj, fituan çmime. Me ansamblin ’Ndrekë Luca” , regjisori i pasionuar Idriz Çelaj mori vendin e parë  me  komedinë e Kristo Floqit ”Burri-Burrë”. Në atë festival u shpërblyen katër aktorë të kësaj trupe, ku veçon Kushtrim Sheremeti, një aktor aktiv edhe sot. Meritën për zbulimin e tij e ka Idriz Çelaj.Shtypi e veçoi këtë shfaqje për nivelin e lartë të interpretimit.

Sukses tjetër arriti regjisori Çelaj në festivalin e  organizuar për nder të poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” me dramën “Takimi i orës 9” të Ernest Koliqit. Aktorët amatorë dhanë një shfaqje të përkryer. Avni Kelmendi luante rolin e Luigj Gurakuqit, Agim Desku; rolin e avokatit arbëresh  Kostandin Stresto,  Mevlude Gjuka  në rolin e Rinës, profesoreshës së matematikës,  Rudinë Xhara  interpretoi rolin e Serafinës, motra e Rinës, Rejhane Muja luajti në rolin e shërbëtores. Regjisor ishte Idriz Çelaj me asistente Rudina Xhara,  me skenografi të  Afrim Gora dhe Aida Gjinkolli.

“Në Jogodë, kujton ai, morën mirënjohje nga organizatori, Lek Përlleshi.”

Edhe kur mbërriti në SHBA, Idriz Çelaj nuk hoqi dorë nga arti. Ai është rithemelues këtu në New York i Ansamblit artistik ”Rugova”.  Në radhët e ansamblit futi së pari vajzat dhe djalin e tij për të dhënë ai shembullin i pari. Ansambli dha shfaqje me nivel dhe u vlerësua edhe në Festivalin Shqiptar që organizon Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Idrizi nuk ka hequr dorë nga pasioni për dramën. Ai është duke menduar për një projekt të afërm.

 

 

FËMIJËT, STUDENTË TË SHKËLQYER DHE SPORTISTË TË PASIONUAR

Idizi Çelaj u detyrua nga rrethanat e vështira të  luftës që ta zhvendoste familjen nga Kosova në SHBA. Me bashkëshorten Teutë dhe tre fëmijët, që kishte aso kohe, së bashku me një familje tjetër, u zhvendosën nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë dhe mbërritën në Miami, që andej në Nju Jork.Një aventurë e gjatë e plot shqetësime. Sapo shkeli në Nju Jork, ia nisi punës. Duhej mbajtur familja, duheshin shkolluar fëmijët. Nuk i përbuzi punët e krahut.Bashkëshortja Teutë, pas kualifikimit filloi infermiere në Jacobi Hospital Center dhe u bë një mbështetje e sigurtë për familjen.

Fëmijët janë të mbarë; shkëlqejnë në mësime dhe janë të pasionuar pas sporteve. Kjo është dhurata më e mirë që ata u bëjnë prindërve të tyre. Idrizi thotë për Diellin se ndjehet krenar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ky është një gëzim i prekshëm në familjen e tij, si në shumë familje shqiptare këtu në SHBA.

Vajza e madhe, Marigona, studion për mjekësi në Westchester College. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Madje katër provime të Kolegjit i pat dhënë që në gjimnaz. Pasion ka volejbollin. Pasion që e trashëgon nga i ati, Idrizi, i cili ka luajtur volejboll me përfaqësuesen e Universitetit, ku ishte shpallë “tekniku më i mirë i vitit”. Marigona ka dhe një pasion tjetër, gazetarinë. Artikulli i saj, “ A miracle  on Crompond Road “, botuar në Gazetën “The Anchor” në rubrikën ”School & Community”, u vlerësua nga lexuesit. Vajza tjetër, Albertina, është në vitin e  fundit të shkollës së mesme. Edhe ajo shkëlqen në mësime. Mjekësia  është objektivi i saj. Albertina është “Senior Editor” në gazetën “The Anchor”. Emri i saj është shënuar në faqen e parë të gazetës, ndërkohë që në çdo numër, janë botuar artikuj të saj. Në numrin e  fundit, në krye të faqes së dytë, botohet artikulli i Albertinës” Baby, it’s  Cold Outside”, ndërsa në botimin e pranverës pati  botuar artikullin” Watch Where You Throw That”. Shumë artikuj të Albertinës janë vlerësuar nga lexuesit dhe stafi i gazetës.

Vajza tjetër, Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave. Greta, më e vogla e motrave, ka pasion tenisin, ndërsa vëllai i tyre, Ardriti është i pasionuar pas futbollit.

Filed Under: Sociale Tagged With: dalip greca, Idriz Celaj, per nje vatran te ri, rrefim

100 VJET PAVARESI- ERISKON ‘KTHEHET” NE SHQIPERI

November 5, 2012 by dgreca

Promovohet vepra e Mal Berishës “Charles Eerikson..I pranishëm kryeministri Berisha dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Arvizu/

Në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë misionari amerikan që i ka shërbyer Shqiperisë, shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të pakrahasueshëm në fushën e pedagogjisë, Charles Erikson, vjen si një dhuratë në këtë muaj, përmes librit të autorit Mal Berisha. Në ceremoninë e promovimit të librit me titull “Charles Telford Erickson”, jo vetëm autori shqiptar por edhe personazhi i tij kanë marrë vlerësimet maksimale nga kryeministri Berisha, ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu dhe shumë personalitete të tjerë pjesëmarrës.

“Charles Telford Erickson nuk është amerikan , por shqiptar me pasaportë amerikane”, kështu e ka konsideruar kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij duke cituar Shtrausin.
“Ku qëndron forca e jashtëzakonshme e misionarit? Qëndron tek tek besimi i pashtershëm. Vetëm kjo forcë mund t’i mësojë njeriut që të jetë humanist i madh ungjillor i përsosur, pedagog i shkëlqyer historian dhe studiues pasionat, poet i vërtetë. Erikson dhe ungjillorë të tjerë u shndërruan në avokatë të shkëlqyer të një kombi mbi të cilën po bëheshin badërditë e kohës, por merita e parë dhe më e përsosur i takon atyre misionarëve, të cilët në dhjetëra shkrime e dokumenta informonin, sensibilizonin kombin, vendin, presidentin dhe qeveritë e tyre mbi atë çpo ndodhte me shqiptarët. Erikson i gjeti shqiptarët në një agim, i gjeti ata padiskutim kombin më të varfër dhe të zhytur në mjerim në këtë kontinent, i gjeti ata në kombin që sapo formoi alfabetin e tij, i gjeti si vendin ku pak kilometra po të largoheshe nga qyteti konstatoje se koha kishte ndaluar, kishte mbetur në kohëra të largëta, po i gjeti ata sic thotë ai ky komb është një zambak i bukur por i rrethuar prej ferrash”- us hrpeh Berisha.

Ndërsa ambasadori Arvizu duke përgëzuar autorin Mal Berisha për veprën e tij të tretë për shqipërinë vlerësoi figurën e Charles Telford Erickson.
“Ai e deshi Shqipërinë dhe i përkushtoi jetën e tij për këtë vend dhe popull. një person që përkujdesej për shqipërinë dhe e ndoqi shqipërinë gjatë gjithë jetës së tij. ai ndërroi jetë në vitin 66 dhe në fakt në këtë vit erikson do kishte kuptuar që shqipëria ishte në prag të zhytjes në një periudhë shumë të vështirë, nga më të vështirat e këtij vendi. Mendoj si do kishte menduar ai po të shihte Shqipërinë tani. Jam i kënaqur se zoti Mal pati mundësinë të futej thellë në personalitet dhe të na e sillte atë”

Vetë autori Mal Berisha, për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm në aktivitet, por i përshëndeti pjesëmarrësit nga Amerika nëpërmjet një videomeazhi në Skype.
“Jam shumë i nderuar që ia kushtova këtë vepër njërit prej figurave më të ndritura të kombit amerikan që ia kushtoi jetën Shqipërisë”

Gjatë një periudhe gati 25 vjeçare, nga 1908-1933 Charles Heriskon ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm për Shqipërinë, në atë kohë kur Shqipëria nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe dhe në mbështetjen dhe ndikimin e tij deri tek presidenti amerikan për zgjidhjen pozitive të problemeve shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arvizu, Erikson, Mal Berisha, Promovohet

100 VJET PAVARESI-FESTA NIS ME MEDVEGJEN SHQIPTARE

November 5, 2012 by dgreca

Medvegjasit mërgimtarë në kantonin Valis, në qytezën e bukur, Fully, u organizuan, si është më së miri, për të kremtuar, një përvjetor të veçantë, 100 vjetorin e shtetit shqiptarë. Për tre dekada me radhë, sa ka edhe jetë gjatësi kjo shoqatë humanitare, ka festuar 28 nëntorin dhe festa tjera, por kësaj radhe, për këshillin organizativ ishte më e veçantë dhe ishin mbledhur e tërë kryesia e kësaj shoqate me muaj të tërë, për të bashkëpunuar e për të dalur si është më së miri. Nuk mundemi ta fshehim dëshirën e madhe të medvegjasëve, që kishin, se mos po bashkohen edhe këto troje në Kosovë dhe Kosova në Shqipëri, për këtë 100 vjetorë, por kjo nuk ndodhi, e medvegjasit, presin, që një ditë, bashkimi të jetë në Bashkimin Europian. Fully, që njihet si Medvegja e dytë, ishte e mbushur me përplot bashkatdhetarë, të rinjë e të reja, mbanin nëpër vetura flamurin kombëtarë, në T-shirt dhe iu kishin drejtuar, sallës, që të zënë vend, sepse ishte frika e tyre, se mos rastësisht, nuk do të ketë vend, për të përcjellur këtë ngjarje. Për muaj të tërë, ishte diskutuar, se kush do të jetë mysafirë nderi dhe ëndrra e medvegjasëve, iu plotësua, se në mesin e tyre, ishte stërnipi i Babait të Kombit Ismail Qemajlit, shkëlqesia e tij z.Darling Ismail Vlora, një burrë shumë modest, elegant dhe historian i mirëfilltë. Së bashku me stërnipin e Ismail Qemajlit, shumë kanë pasur dëshirë, ta kenë edhe Ministrin e Diasporës në Qeverinë e Kosovës z.Ibrahim Makolli, po ashtu, edhe kjo dëshirë ju plotësua, pastaj ambasadori i Maqedonisë në Bern, z.Ramadan Nazifi e veprimtarë të tjerë, si dhe miq të shumtë zviceranë, që asnjëherë, nuk mungojnë në manifestimet e medvegjasëve.(Kortezi Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: darling Vlora, festimi, nis me Medvegjen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5713
  • 5714
  • 5715
  • 5716
  • 5717
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT