• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPIRTI NË PAQË, INTERA GJONZENELI!

November 5, 2012 by dgreca

Javën e shkuar, pak para se të niste stuhia e tmerrshme Sandi, Teki Gjonzeneli dhe Filanda, bashkëshortja na kishin ftuar në një restorant Italian në NJ për të kujtuar vajzën e tyre të ndjerë, që ndërroi jetë në Chikago. Sipas zakonit mysliman dreka u shtrua për të përkujtuar të 40-tat. Të gjithë u lutëm për shpirtin e Interës. Tekiu na mallëngjeu me copëzat e kujtimeve që shpalosi në atë drekë morti. Kujtoi fëmijërinë e vuajtur të Interës , përbuzjen që vinte nga biografia, mohimi i të drejtave më elementare. Ndërsa motra e Interës, Monika, kujtoi preferencat e motrës në jetë, dashurinë për këngët, humanizmin, dashurinë njerëzore, pasionin për gjuhët e huaja. Vajza e madhe e Interës, Argjiro, falenderoi pjesmarrësit që kishin ardhë për t’u larguar fëmijëve dhimbjen që u ka shkaktuar ikja e nënës. Motra e saj e vogël, Filanda, duket se ende nëna do të kthehet pasi shpirti i saj është ngjitur përkohësisht në qiell…

***

Pas gjashtë vite vuajtjesh, me 20 shtator, iku nga kjo botë Intera, vajza e Teki dhe Finlanda Gjonzeneli! Intera u lind në diktaturë, prandaj dhe emri i lidhej me internimin(Intera). Pat lindur në Vlorë me 11 prill 1968. Shtatë ditë pas lindjes së saj e gjithë familja u internua. Familja  e pagëzoi vajzën me emrin Intera. Ishte një shenjë kundërshtimi ndaj regjimit. Intera u rrit në internim. Fëmijëria e saj si për cdo fëmijë të familjeve të persekutuara ishte plot dhimbje, vuajtje, poshtrime, fyerje e ofendime. Zemra e saj duroi edhe injorimin e fshatit në varrimin e gjyshit të saj të dashur që e pat rritë me përekujdes e dashuri Internën. Në varrim ishte pjesmarrse vetëm familja prej shtatë vetësh. Me dhimbje përballoi edhe varrimin e heshtur të gjyshes së dashur, ku sërish e përcolli vetëm familja. Mendja e vajzës lodhej për të gjetur përgfjigje për pyetjen:Përse kjo braktisje? Gjyshi dhe gjyshja ishin njerëz të mirë, të dashur, askujt nuk i ranë në qafë. Përse? Ajo me një buqetë lulesh qëndroi në krye të kortezhit të përcjelljes së gjyshes, që e deshi shumë.

Kur babain e saj do ta burgosnin më 16 nëntor 1981, ajo sërish duroi edhe pse e dinte se do ta ksihte më të vështirë jetën. Mori frymë thellë kur ra diktatura, por shpirti i saj qe helmuar nga braktisja e mënjanimi  nga biografia. Atëherë ishte vajzë e rritur 22 vjece. Së bashku me djalin që dashuroi shkoi në Greqi. Punoi pa u lodhur për të përmirësuar jetën. I hyri në punë zanati i rrobaqepses dhe qendistarisë, të mësuara prej gjyshes në fëmijëri. Gjuhën e vendit ku emigroi e mësoi shkëlqyer, sa që e thërrisnin edhe për përkthime. Më 1999 vjen në Amerikë  së bashku me burrin dhe dy fëmijët duke u bashkuar me familjen e prindërve që kishin ardhë më herët. I bëri shumë përshtypje madhështia e Amerikës dhe pyeti të atin: A do të arrijë të integrohem dot, babi? Shumë shpejt, vec hidhi hapat me shumë kujdes-e porositi i ati.

E ndërroi emrin si shenjëe të kohës së keqe të diktaturës, duke marrë emrin Majlinda. U vendosën familjarisht në Cikago, ku shpejt ngjiti suksesshëm shkallët e biznesit ushqimor. Zotëronte anglishten, greqishten, spanjishten dhe natyrisht shqipen. Të gjithë e donin dhe e respektonin pasi shquhej për sjellje korrekte dhe humanizëm. Kë nuk ndihmoi Majlinda! Shqiptarët po se po, por edhe të tjerët. Në varrimin e saj u panë, krahas shqiptarëve edhe spanjolle duke qare me dënes, fëmijë e të rritur.

E ndjera la pas tre fëmijë, Albanon, Argjiron dhe Filandën e vogël (së cilës i vuri për së gjalli emrin e nënës, që e donte shumë) dhe bashkëshortin. Ishte një vajzë e shkëlqyer. Ishin shumë ata që e përcollën në jetën tjetër. Të shumtë ishin dhe ata që shkuan në Nju Xhersi dhe ngushëlluan familjen, Teki dhe Filanda Gonzeneli.  Shumë  mesazhe u dërguan. Po vecojmë  mesazhin ngushëllues të dr. Prenjo Imeraj, dërguar  nga Nju Jorku në  Cikago, në momentin e vdekjes: Të dashur Teki dhe Finlanda! Të dashur Monika dhe Fatmir! Të dashur Alban, Argjiro dhe Finlanda e vogël! Në pamundësi ardhje, pranoni ju lutem, ngushëllimet më të thella nga unë dhe fëmijët e mi: Anila, Irma dhe Sokoli, për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm! Teri ishte fatzezë.Them kështu se pa ardhur mirë në jetë , sistemi i urryer komunist i shpalli luftë të paprinciptë, gjë që e tregon më së miri emri Intera, me të cilin e pagëzuat ju, prindërit e saj të shtrenjtë, pas internimit dhe persekutimit të padrejtë të familjes tuaj të sapo krijuar.

Teri ishte fatzezë se sëmundja e mallkuar, e mori para kohe. Teri do të mbahet mend gjatë, se ju ka lënë pas tre ëngjëjt e saj, të cilët tani dhe më vonë do të kenë më shumë s ekurrë nevojë për ndihmën tuaj, sidomos për ju zonja Gjonzeneli, që keni brengën dhe dhimbjen më të madhe.

Por Teri do të mbahet mend edhe për gjurmët e mira që ka lënë në farëefisin e saj, midis shoqërisë së saj,  dhe tek të gjithë ata me të cilët punoi. Mbi të gjitha, Teri do të mbahet mend për luftën titanike që bëri me sëmundjen e mallkuar dhe përpjekjet e saj mbinjerëzore për të mbijetuar. I qoftë i lehtë dhe’u i Amerikës! Shpirti në Paqë!(dgreca)

FOTO :Intera Gjonzeneli 11 prill 1968- 20 shtator 2012

Filed Under: Kronike Tagged With: Filanda, Intera Gjonzeneli, Teki

RRËFIM PËR NJË VATRAN TE RI DHE FAMILJEN E TIJ

November 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një vit pasi kisha filluar punën si editor i Diellit, kryetari i Vatrës, njëkohësisht dhe Managing Editor, z. Agim Karagjozi, më sugjeroi:- Duhet të shkruash edhe për vatranët e thjeshtë, ata që nuk u vjen radha të përmenden në kronikat e gazetës, që nuk janë të zgjedhur, por e duan Vatrën. “Përpiqu që të gjesh shembuj në historinë e Vatrës, dje dhe sot”.

Jam duke e bërë këtë kërkim dhe kam gjetur vatranë të thjeshtë që i kanë dhënë shumë Vatrës, edhe pse nuk kishin poste drejtuse, as në qendër e as nëpër degë. Së shpejti me ta do të nis një rubrikë të re në faqet e Diellit.Për ditët e sotme zgjodha një vatran nga Kosova, jo se ka bërë shumë për  Vatrën, madje nuk ka më shumë se dy vjet anëtar, pra është vatran i ri, por jeta dhe aktiviteti i tij më intriguan. Shprehja e Idriz Çelaj se “Hyrjen në Vatër, e kam konsideruar si hyrjen në një vend të shenjtë”, ishte një arsye më shumë për ta bërë objekt të këtij shkrimi.

Idriz Çelaj iu përgjigj thirrjes së Vatrës për t’u bërë pjesë e saj, pa hezitim. Edhe kur vjen në Vatër, nuk ndjehet. Kur i japin ndonjë detyrë bën ç’mund për ta kryer, kur nuk e thërrasin, nuk shfaq shenja”mbetje qejfi”.  Kur i thamë në prag të 100 vjetorit të Vatrës se a mund të gjente dhjetë veta për të plotësuar një tavolinë, ai nuk tregoi entuziazëm, por  të nesërmen, telefonoi dhe solli 2500 dollarë. Po i fus vetë nga xhepi, jo se jam i pasur, po e dua Vatrën. Po nuk gjeta, do ta plotësoj me familjen time!

Kur iu kërkua që të mund të ndihmonte në aktivitetin për promovimin e librave të Prof. Nusret Pllanës nga Vatra, ai vetëm kërkoi se çfarë mund të bënte. Dhe ditën e organizimit erdhi me gjithë makinë tek Vatra dhe ndihmoi pa u kursyer. Kontributi që dha gjatë aktivitetit ishte i dobishëm.

Idriz Çelaj është i dashuruar pas poezisë që në fëmijëri. Ai më tregon se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Ai kujton takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i dha kurajo. Kujton Idrizi: Kisha botuar një poezi. Azem Shkreli më tha: Me këtë varg tëndin mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Në Kosovë ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së letrarëve të rinj, kryetar për degën e Pejës.Në fund të vitetve ’70 ka botuar në revistën “Pena” në Austri, Illyria, Bota e Re, Zëri i Rinisë, dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i  revistës “Koha” në Mal të Zi.

Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin me poezi “Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk u zemrua. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt  vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e librit ai ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për  historinë, edhe për simbolet kombëtare, si : Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Fan S Noli, Faik Konica etj.

Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij”Nëse vdes”:  Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…

 

    KREANARI  PËR TRASHËGIMINË HISTORIKE

 

Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit e tij. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për  liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e  Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë , nga ushtria serbomalazeze. Në  fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.

Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit ( I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i  njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911,ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët  më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia  me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas.   Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf  Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën  vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.

Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.

 

        KOHË TË VËSHTIRA NË KOSOVËN E OKUPUAR

 

Idrizi e ka prejardhjen nga një familje kelmendase e zbritur nga Mbishkodra në Rugovë. Ai ndjehet krnar për trashëgiminë historike të të parëve të vet. Më i përmenduri i fisit është Çel Shabani, një ndër komandanët e luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i njohur  për  trimëritë e treguara ndër luftimet për liri, ku shquan heroizmi i tij në luftë e Nokshiqit. Çel Shabani dhe i biri, Sokol Çela, janë  personazhe të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta”, ndërkohë që Çel Shabani është personazh edhe në romanin historik të Sulejman Krasniqit.

Vetë Idrizi ndjehet krenar që ka trashëguar nga të parët e vet kontribute atdhetarie. Ai studioi në Universitetin e Prishtinës , fakulteti Filozofik, dega Gjuhë-Letërsi, por kushtet e vështira në Kosovën e okupuar ia vështirësuan ushtrimin e  profesionit. Gjatë kohës së mbylljes së shkollave, hapjes së tyre nëpër shtëpi, për disa kohë ai ishte mësues vullnetar. Demonstratat e ’81-shit e patën gjetë student. Ishte kryetar i konviktit të Letërsisë me 500 studentë dhe u tregua tepër aktiv në demonstrata. “Nëse nuk u burgosa, merita s’ishte e imja, por e ish të burgosurit politik Xun Çeta, i cili nuk dekonspiroi emrat e organizatorëve. Idrizi kujton se me çarçafët e konviktorëve u shkruan parullat për liri e Kosova Republikë.

Aktiviteti politik i tij ra në sy të autoriteve të cilët më shumë se dhjetë herë e thirrën në biseda informative në rajonet e policisë. Në bisedat informative ai pyetej për aktivitetin politik, aktivitetin kulturor,  dhe atë pedagogjik. Merita e përballimit të dhunës psikologjike, ai thotë se i takon Avokat  Bajram Kelmendit, i cili e kishte udhëzuar se si duhej të tregohej i pa përkulur në seancat e bisedave informative.

Aktiviteti politik i Idizit në kohët e vështira të Kosovës së okupuar ishte dinamik. Ai ishte themelues i degës së LDK-së në fshatin Arbanë (ish Lutogllavë). Më pas me ftesën e Mark Krasniqit ndihmoi në zgjerimin e Partisë Shqiptare Demokristiane. Idizi ishte kryetar i degës për zonën me qendër në Tërstënik(Sot Trefish), dega më e madhe në Kosovë. Ishte edhe kandidat për deputet i asaj Partie.

Duke përfituar nga përvoja e të parëve, Idrizi ka qenë pjesë e komisoneve lokale për pajtimin e  gjaqeve. Ai ishte pjesë në pajtimin më të madh të gjaqeve që është bërë Te Verrat e Llukës , ku merrnin pjesë personalitete si: Anton Çeta, Zekria Cana, Mark Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bajram Kelmendi, Flamur Gashi, Have Shala, Myrvete Dreshaj, e të tjerë. “

Idrizi shquhet për urtësi. “E kemi amanet nga Çel Shabani, që të mos krijonim konflikte mes shqiptarëve sepse pushka s’na shkon ndër shqiptarë, por vetëm ndaj shkjaut që na kishte zaptue vatrat. Shpesh herë këtë porosi ma ka përcjellë gjyshi, Zhuk Haxhia”,thotë ai.

 

                  DASHURIA PËR ARTIN E SKENËS

 

Idriz Çelaj është i dashuruar pas artit të skenës, veçanërisht pas dramës. Ai ruan në arkivin familjar shumë gazeta dhe revista, ku shkruhet për sukseset që ka arritur me trupat amatore të Pejës. Është i pasionuar pas regjisurës. Me trupën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Pejës, u nderua me çmim në olimpiadën “ Presheva ‘94”. Drama me regji të Idiz Çelaj dhe dy aktorët më të mirë të asaj trupe, Rudina  Xhara e Hysne Zeqaj, fituan çmime. Me ansamblin ’Ndrekë Luca” , regjisori i pasionuar Idriz Çelaj mori vendin e parë  me  komedinë e Kristo Floqit ”Burri-Burrë”. Në atë festival u shpërblyen katër aktorë të kësaj trupe, ku veçon Kushtrim Sheremeti, një aktor aktiv edhe sot. Meritën për zbulimin e tij e ka Idriz Çelaj.Shtypi e veçoi këtë shfaqje për nivelin e lartë të interpretimit.

Sukses tjetër arriti regjisori Çelaj në festivalin e  organizuar për nder të poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” me dramën “Takimi i orës 9” të Ernest Koliqit. Aktorët amatorë dhanë një shfaqje të përkryer. Avni Kelmendi luante rolin e Luigj Gurakuqit, Agim Desku; rolin e avokatit arbëresh  Kostandin Stresto,  Mevlude Gjuka  në rolin e Rinës, profesoreshës së matematikës,  Rudinë Xhara  interpretoi rolin e Serafinës, motra e Rinës, Rejhane Muja luajti në rolin e shërbëtores. Regjisor ishte Idriz Çelaj me asistente Rudina Xhara,  me skenografi të  Afrim Gora dhe Aida Gjinkolli.

“Në Jogodë, kujton ai, morën mirënjohje nga organizatori, Lek Përlleshi.”

Edhe kur mbërriti në SHBA, Idriz Çelaj nuk hoqi dorë nga arti. Ai është rithemelues këtu në New York i Ansamblit artistik ”Rugova”.  Në radhët e ansamblit futi së pari vajzat dhe djalin e tij për të dhënë ai shembullin i pari. Ansambli dha shfaqje me nivel dhe u vlerësua edhe në Festivalin Shqiptar që organizon Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Idrizi nuk ka hequr dorë nga pasioni për dramën. Ai është duke menduar për një projekt të afërm.

 

 

FËMIJËT, STUDENTË TË SHKËLQYER DHE SPORTISTË TË PASIONUAR

Idizi Çelaj u detyrua nga rrethanat e vështira të  luftës që ta zhvendoste familjen nga Kosova në SHBA. Me bashkëshorten Teutë dhe tre fëmijët, që kishte aso kohe, së bashku me një familje tjetër, u zhvendosën nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë dhe mbërritën në Miami, që andej në Nju Jork.Një aventurë e gjatë e plot shqetësime. Sapo shkeli në Nju Jork, ia nisi punës. Duhej mbajtur familja, duheshin shkolluar fëmijët. Nuk i përbuzi punët e krahut.Bashkëshortja Teutë, pas kualifikimit filloi infermiere në Jacobi Hospital Center dhe u bë një mbështetje e sigurtë për familjen.

Fëmijët janë të mbarë; shkëlqejnë në mësime dhe janë të pasionuar pas sporteve. Kjo është dhurata më e mirë që ata u bëjnë prindërve të tyre. Idrizi thotë për Diellin se ndjehet krenar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ky është një gëzim i prekshëm në familjen e tij, si në shumë familje shqiptare këtu në SHBA.

Vajza e madhe, Marigona, studion për mjekësi në Westchester College. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Madje katër provime të Kolegjit i pat dhënë që në gjimnaz. Pasion ka volejbollin. Pasion që e trashëgon nga i ati, Idrizi, i cili ka luajtur volejboll me përfaqësuesen e Universitetit, ku ishte shpallë “tekniku më i mirë i vitit”. Marigona ka dhe një pasion tjetër, gazetarinë. Artikulli i saj, “ A miracle  on Crompond Road “, botuar në Gazetën “The Anchor” në rubrikën ”School & Community”, u vlerësua nga lexuesit. Vajza tjetër, Albertina, është në vitin e  fundit të shkollës së mesme. Edhe ajo shkëlqen në mësime. Mjekësia  është objektivi i saj. Albertina është “Senior Editor” në gazetën “The Anchor”. Emri i saj është shënuar në faqen e parë të gazetës, ndërkohë që në çdo numër, janë botuar artikuj të saj. Në numrin e  fundit, në krye të faqes së dytë, botohet artikulli i Albertinës” Baby, it’s  Cold Outside”, ndërsa në botimin e pranverës pati  botuar artikullin” Watch Where You Throw That”. Shumë artikuj të Albertinës janë vlerësuar nga lexuesit dhe stafi i gazetës.

Vajza tjetër, Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave. Greta, më e vogla e motrave, ka pasion tenisin, ndërsa vëllai i tyre, Ardriti është i pasionuar pas futbollit.

Filed Under: Sociale Tagged With: dalip greca, Idriz Celaj, per nje vatran te ri, rrefim

100 VJET PAVARESI- ERISKON ‘KTHEHET” NE SHQIPERI

November 5, 2012 by dgreca

Promovohet vepra e Mal Berishës “Charles Eerikson..I pranishëm kryeministri Berisha dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Arvizu/

Në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë misionari amerikan që i ka shërbyer Shqiperisë, shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të pakrahasueshëm në fushën e pedagogjisë, Charles Erikson, vjen si një dhuratë në këtë muaj, përmes librit të autorit Mal Berisha. Në ceremoninë e promovimit të librit me titull “Charles Telford Erickson”, jo vetëm autori shqiptar por edhe personazhi i tij kanë marrë vlerësimet maksimale nga kryeministri Berisha, ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu dhe shumë personalitete të tjerë pjesëmarrës.

“Charles Telford Erickson nuk është amerikan , por shqiptar me pasaportë amerikane”, kështu e ka konsideruar kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij duke cituar Shtrausin.
“Ku qëndron forca e jashtëzakonshme e misionarit? Qëndron tek tek besimi i pashtershëm. Vetëm kjo forcë mund t’i mësojë njeriut që të jetë humanist i madh ungjillor i përsosur, pedagog i shkëlqyer historian dhe studiues pasionat, poet i vërtetë. Erikson dhe ungjillorë të tjerë u shndërruan në avokatë të shkëlqyer të një kombi mbi të cilën po bëheshin badërditë e kohës, por merita e parë dhe më e përsosur i takon atyre misionarëve, të cilët në dhjetëra shkrime e dokumenta informonin, sensibilizonin kombin, vendin, presidentin dhe qeveritë e tyre mbi atë çpo ndodhte me shqiptarët. Erikson i gjeti shqiptarët në një agim, i gjeti ata padiskutim kombin më të varfër dhe të zhytur në mjerim në këtë kontinent, i gjeti ata në kombin që sapo formoi alfabetin e tij, i gjeti si vendin ku pak kilometra po të largoheshe nga qyteti konstatoje se koha kishte ndaluar, kishte mbetur në kohëra të largëta, po i gjeti ata sic thotë ai ky komb është një zambak i bukur por i rrethuar prej ferrash”- us hrpeh Berisha.

Ndërsa ambasadori Arvizu duke përgëzuar autorin Mal Berisha për veprën e tij të tretë për shqipërinë vlerësoi figurën e Charles Telford Erickson.
“Ai e deshi Shqipërinë dhe i përkushtoi jetën e tij për këtë vend dhe popull. një person që përkujdesej për shqipërinë dhe e ndoqi shqipërinë gjatë gjithë jetës së tij. ai ndërroi jetë në vitin 66 dhe në fakt në këtë vit erikson do kishte kuptuar që shqipëria ishte në prag të zhytjes në një periudhë shumë të vështirë, nga më të vështirat e këtij vendi. Mendoj si do kishte menduar ai po të shihte Shqipërinë tani. Jam i kënaqur se zoti Mal pati mundësinë të futej thellë në personalitet dhe të na e sillte atë”

Vetë autori Mal Berisha, për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm në aktivitet, por i përshëndeti pjesëmarrësit nga Amerika nëpërmjet një videomeazhi në Skype.
“Jam shumë i nderuar që ia kushtova këtë vepër njërit prej figurave më të ndritura të kombit amerikan që ia kushtoi jetën Shqipërisë”

Gjatë një periudhe gati 25 vjeçare, nga 1908-1933 Charles Heriskon ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm për Shqipërinë, në atë kohë kur Shqipëria nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe dhe në mbështetjen dhe ndikimin e tij deri tek presidenti amerikan për zgjidhjen pozitive të problemeve shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arvizu, Erikson, Mal Berisha, Promovohet

100 VJET PAVARESI-FESTA NIS ME MEDVEGJEN SHQIPTARE

November 5, 2012 by dgreca

Medvegjasit mërgimtarë në kantonin Valis, në qytezën e bukur, Fully, u organizuan, si është më së miri, për të kremtuar, një përvjetor të veçantë, 100 vjetorin e shtetit shqiptarë. Për tre dekada me radhë, sa ka edhe jetë gjatësi kjo shoqatë humanitare, ka festuar 28 nëntorin dhe festa tjera, por kësaj radhe, për këshillin organizativ ishte më e veçantë dhe ishin mbledhur e tërë kryesia e kësaj shoqate me muaj të tërë, për të bashkëpunuar e për të dalur si është më së miri. Nuk mundemi ta fshehim dëshirën e madhe të medvegjasëve, që kishin, se mos po bashkohen edhe këto troje në Kosovë dhe Kosova në Shqipëri, për këtë 100 vjetorë, por kjo nuk ndodhi, e medvegjasit, presin, që një ditë, bashkimi të jetë në Bashkimin Europian. Fully, që njihet si Medvegja e dytë, ishte e mbushur me përplot bashkatdhetarë, të rinjë e të reja, mbanin nëpër vetura flamurin kombëtarë, në T-shirt dhe iu kishin drejtuar, sallës, që të zënë vend, sepse ishte frika e tyre, se mos rastësisht, nuk do të ketë vend, për të përcjellur këtë ngjarje. Për muaj të tërë, ishte diskutuar, se kush do të jetë mysafirë nderi dhe ëndrra e medvegjasëve, iu plotësua, se në mesin e tyre, ishte stërnipi i Babait të Kombit Ismail Qemajlit, shkëlqesia e tij z.Darling Ismail Vlora, një burrë shumë modest, elegant dhe historian i mirëfilltë. Së bashku me stërnipin e Ismail Qemajlit, shumë kanë pasur dëshirë, ta kenë edhe Ministrin e Diasporës në Qeverinë e Kosovës z.Ibrahim Makolli, po ashtu, edhe kjo dëshirë ju plotësua, pastaj ambasadori i Maqedonisë në Bern, z.Ramadan Nazifi e veprimtarë të tjerë, si dhe miq të shumtë zviceranë, që asnjëherë, nuk mungojnë në manifestimet e medvegjasëve.(Kortezi Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: darling Vlora, festimi, nis me Medvegjen

PUSHTETI NUK NGRIHET MBI MORT

November 5, 2012 by dgreca

Nga Beqir Sina/

BENSONHURST BROOKLYN NY : Fatkeqësi natyrore, ose një leksion i rëndësishme që ka shumë për të mësuar politika e Tiranës, sot, është : “Stuhia e fuqishme – Uragani Sandy, që goditit të hënën e kaluar Bregun Lindor të SHBA, ose përballimi dhe menaxhimi i saj nga politikanët amerikan – bashkëpunimi pozitë – opozitë, dhe shteti i gjithë aty ku ndodhi fatkeqësia, ndërkohë që edhe opozita ka qenë duke dhënë ndihmën e saj, për atë që i takonte dha sa i takon një opozite, pa ndërhyrë në punët që bën shteti dhe institucionet shtetërore për përballimin e fatkeqëisë….”

Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi menjëherë se nuk ishte i shqetësuar nga pasojat e mundshme që uragani ”Sandy” mund të kishte për rezultatin e tij, në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit, duke qenë se prioriteti kryesor ishte garantimi i sigurisë së jetës së qytetarëve amerikanë të kërcënuar nga stuhia e fuqishme që kishte prekur verilindjen e SHBA-së. “Prioriteti im kryesor mbetet shpëtimi i jetëve”, deklaroi Obama menjëherë pas saj.

”Jam më i shqetësuar për sigurinë e amerikanëve sesa për zgjedhjet presidenciale”, theksoi ai. Presidenti amerikan anuloi edhe fushatat elektorale të atyre ditëve në Florida dhe Wisconsin, për të qëndruar në Uashington dhe për të ndjekur nga afër zhvillimet e mundshme të uraganit ”Sandy”.

Ndërkohë, që opozita – Republikanët, Christ Christi – kryeqeveritari i Nju Xhersit, një republikan konservator dhe një nga figurat kryesore për nën president në fillim të garës së kandidatit republikan për president të SHBA, në zgjedhjet e 6 nëntorit me kandidatin Mitt Romney, jo vetëm që nuk e akuzoi presidentin Obama, por edhe e lavdërojë atë, për menxhimin e situatës në Nju Xhersi( si edhe e vlerësoi intersimin e dy telefonatave dhe lirimin e buxhetit për ndihmë nga qeveria federale nga “kundërshtari” tij Obama), duke ‘rrezikuar” shumë me këtë rastë në kampin republikan edhe të ardhmen e tij të një lidershipi në ngjitje!?.

Të njëjtën gjë që dy vjet më parë, kur një përmbytje katastrofale goditi Shkodrën dhe zonën e Nën-Shkodrës, bëri Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha: Kryeministri Berisha mbasi inspektoi zonat e përmbytura në Shkodër dhe NënShkodër, ndërsa bëri thirrje atëhere për evakuimin urgjent të banorëve dhe të gjësë së gjallë, dhe sendeve me vlerë…… theksojë se “Jemi në buzë të katastrofës” teksa tha më pas se situata mbetet e paparashikueshme dhe është një ndër ato katastrofa që “ndodhin një herë në 100 vjet”, por nuk ka asgjë për të krijuar panik…..do të theksonte Kryeministri Berisha ndërsa mobolizoi gjithë shtetin dhe institucionet qeveritare për të u angazhur në fatkeqësinë natyrore – përballimin e saj me sa më pak humbje……!

Kreu i qeverisë së Shqipërisë, dy vjet më parë urdhëroi shtimin e masave, dhe ngrti në këmbë gjithë qeverinë në Shkodër dhe zonën e NënShkodrës, ndërsa propozoi që në banesa të qëndronin vetëm kryefamiljarët. Kryeministri Berisha, dy vjet më parë në Shqipëri, ashtu si Presidenti i SHBA, Barack Obama javën e kaluar me uraganin Sandy, goditi Bregun Lindor të SHBA, pati nënvizuar se prioritare për Kryeministrin dhe qeverinë e Shqipërisë, mbetesh shpëtimi i jetëve njerëzore duke premtuar dëmshpërblim për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet, dhe përballimin e fakeqësisë, duke angazhuar të gjitha strukturat shtetërore në ndihmë të të dëmtuarave.” e njëjtë me atë të Presidentit të SHBA Barack Obama për këtë fatkeqësi natyrore.

Ndërsa, si në asnjë vend të botës, në raste të këtilla, në Shtetet e Bashkuara Jo se Jo! kryesocialisti i Shqipërisë, Edi Rama me një grup deputetësh mes tyre benjamini i Ramës, Erjon Veliaj, “turrvrap”- shkoj në qytetin e Shkodrës – dhe zonat e përmbytyra të Nën- Shkodrës, për “bërë fushat elektorale”, me fatkeqësin natyrore të atyre njerëzve që po “mbyteshin” nga uji që i kishte rrethuar nga të katër anët – Vetëm e vetëm edhe në ato momente të dhimbëshme, duke akuzuar e sharë “mbarë e mbrapsht”, shtetin sepse ” sipas tyre “Berisha e “kishte fajin”, edhe, që u përmbyt Shkodra”, e jo ta konsideronte atë një fatkeqësi natyrore dhe të jepte ndihmën e tij dhe të opozitës, duke u bashkuar me shtetin – ashtu si e pamë javën e kaluara pozitë – opozitë (Republikan dhe Demokratë) në SHBA.

Kudo ku shkoi Rama, deputete socialist me bejaminin e tyre Erjon Veliaj dhe gazetarët e tyre, zëdhënse të Edi Ramëss, me kamera në krah folën përperkeqësim të gjendjes dhe nga mundoheshin të “mbillin faren ” e panikut….si sulm ndaj qeverisë Berisha

Dy vjet më parë në se u kujtohet Rama u ndal fillimisht në zonat e përmbytura në Nënshkodrës dhe më pas hyri në qytet dhe tha se “e gjitha kjo nuk erdhi si pasojë e kapricove të motit( pra doli jo vetëm kundra qeverisë, kësaj rradhe por edhe kundra Zotit të plotfuqishëm) por, nga keqmanaxhimi i situatës dhe nga korrupsioni i qeverisë Berisha, sipas tij. Ai tha se kemi prova të mjaftueshme për të këtë dhe ai ftoj prokurorinë të hetojë. Duke shtuar se : “Prifti dhe gjithë priftat e tjerë të korruptuar duhet të japin dorëheqje për dëmet e mëdha që i sollën vendit”, vijoi ai.

Ndërsa kan kaluar dy vjet, gjithë se cili mund të bëjë pyetjen : ‘Po, ku janë ato provat e Ramës ? nga shkuan dhe u harruan – apo ai i bënte ato vetëm për propogandë duke “luajtur” edhe me fakeqësinë e njerëzve” që po jetonin t rrethuar nga uji…..

Ndërkohë, që gazetarët rreth tij – si ata të Top Channel, 24 orë News, TemA, Shekulli, Vizion Plus, gazeta Sot, edhe me varka i shihje me paraqitjen “entusiastike të lajmit” pa pik serioziteti , veçse “ngjirrëshin” duke bërtitur dhe duke treguar vetem ato imazhet më të rënda të asaj fakeqësie, për ta bërë sa më të “tmerrshme” së bashku me ndonjë deputet socialist të asaj zonje, dhe gazetarët, duke nxitur njërëzit të flisnin me “tension’ kundër qeverisë dhe Kryeministrit Berisha, se ‘po përytyshin ” dhe shteti dhe qeveria e cila nuk kishte treguar kujdes dhe nuk po vinte dorë.

Pra ato skena dhe imazhe ishin e kundërta, e asaj që pamë këto ditë në Stuhin e fuqishme – Uraganin Sandy, që goditit të hënën e kaluar Bregun Lindor të SHBA, një katastrofë e vërtet dhe një stuhi më e madhja në histori për këtë zonë ashtu si deklarojë edhe Presidenti Obama, ose një stuhi që la të vdekur mbi 100 njerëz dhe shkatojë një dëm të përllogaritur, që mund të arrijë deri në 50 milirad dollar. Në SHBA, pasqyrim shquhej për atë pasqyrimin e qetë, profesional dhe mjaft korrekt, të gazetarëve amerikan si në terren por dhe studiot e tyre-

Teksa as edhe një senator ose kongresmen, apo përfaqësues lokal e shtetëror Demokrat apo Republikan, përveç atyre që përfaqësojnë zonat e prekuar nga Sandy, nuk u panë në Bregun Lindor, bile as kandidati për president Mitt Romney, nuk u pa ashtu si Edi Rama, sa herë ka ndonjë fatkeqësi është pari si opozitar dhe del e “kakarisë” si i thonë një fjale si ” si ai kaposhi në majë të plehut”.. ashtu si në Shkodër dy vjetë më parë….

Për, koincidencë, fatkeqësia e përmbytjes së Shkodrës dhe Nën-Shkodrës, dy vjet më parë dhe fatkeqësia e javës së kaluar, pra uragani Sandy, në Bregun Lindor të SHBA, janë të dalluara nga mënyra se si u bë ndërhyrja e shetit, manaxhimi dhe interesimi i shtetit. Në të dy vendet, respektivisht si Presidenti Barack Obama dhe Kryeministri Berisha ka përkuar në shumë këndëvështrime i njëjtë me mënyrën sesi si ; Qeveria e Shqipërisë, e trajtojë atë të përmbytjes së dy vjet më parë.

Ato ishin aq të ngjashme nga qasja me të cilën e kanë përballur qoftë nga autoritetet shtetërore, apo edhe ato vendore, pavarësisht se ishin Demokrat e Republika në SHBA – Qeveri dhe insitucione shtetrore në Shqipëri, sa që mund të bëhen edhe krahasime dhe të nxirren mësime, si duhen përballuar fakeqësit natyrore nga shteti dhe cilat janë ato leksionet amerikane kur punon për vendin tëndë të gjithë duhen bërë bashkë.

Por, fatkeqësit dhe për të ardhur keq që ngjashmëri , nuk ka vetëm me opozitën dhe kryeopozitarin Edi Rama , Erjon Veliajn dhe deputet socialist.

Kryesocialisti Rama, ka qenë ai opozitar, që sa herë ndodhë një fatkeqësi në Shqipëri, del i pari duke thënë se “Fajin e ka Berisha” akuzuar qeverinë dhe insitucionet shtetrore. Rama, ngaqë është akoma ëndërr dhe i “mbytyr” nga ehthet, për tu bërë një ditë – Kryeministër, duke e ndërtuar atë me strategjinë e tij – gjithmonë si e kemi parë gjatë këtyre 8 viteve – tek fatkeqësit e njerëzve, vdekjet e tyre tek morti-

Kështu, Edi Rama ka vepruar disa herë gjatë këtyre viteve sa po qëndron në opozitë, ” ashtu si ndodhi me Gërdecin , kur theu edhe rregullat e kodit moral dhe nxorri njerëzit e tij simpatizantët dhe militantët në rrugë edhe në kohë morti ( që kurr nuk ka bërë vaki tek ne shqiptarët – si shenjë respekti, ose si me rastin Trebicka, e njëjta gjë, si me përmbytjet e Shkodrës, si edhe me aksindetet e trafikut rrugor (rënjes së autobuzit me studentët e Kosovës, aksidenti i Pukës dhe më i fundit me të Elbasanit, dhe çdo gjë kulmon me mos respektin dhe kodin moral të mortës, janë veprimet e tij të pasngjarjeve të 21 janarit 2011, kur humbën jetën katër vetë( Rama nxorri njerëzit në kohë morte përsëri në rrugë për të rëzuar qeverinë Berisha). Të njëjta gjë po “nxitë” edhe tani që digjet një ish i burgosur politik si Lirak Bejko) çdo gjë ia ka mbështetur dhe shigjetuar kundra qeverisë, shtetit dhe Kryeministrit Berisha..

“Ka njerëz në këtë vend që lindin me shpresën që të shohin vetëm morte dhe e bazojnë karriërën e tyre në to,’ ka thënë në nji dekleratë të saj edhe kryeparlamentaria e Shqipërisë zonja Jozefina Topalli më 10 janar 2010. Pra, si konkluzion do të thoja se kryesocialisti Edi Rama dhe kryeopozitari i Shqipërisë, ka si “strategjinë e tij që të bëhet Kryeministër dhe të bëjë karrier politike – mbi fatkeqësit e njerëzve dhe mortin e tyre……!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, mbi mort, nuk ngrihet, pushteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5713
  • 5714
  • 5715
  • 5716
  • 5717
  • …
  • 5723
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MIRËNJOHJE PËRJETË PËR SENATORIN BOB DOLE, MIKUN E MADH TË KOSOVËS E KOMBIT SHQIPTAR
  • “Dijetari i fshehtësive”, një film befasues për Hasan Tahsinin
  • VEPRA E AKADEMIKUT MARK TIRTA DO MBETET GJATË NË KUJTESËN E ATYRE QË E DUAN KULTURËN SHQIPTARE
  • Dr. Riza Sadiku dhe kontributi në dokumentimin e historisë kombëtare
  • Kur pushteti humb besimin e qytetarëve
  • Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes
  • NUMRI QË ASKUSH NUK E KA NUMËRUAR…
  • KUJTIM BUZA – NJERIU QË MA RRËFENTE SHKUPIN
  • Letter of Support for Prof. Dr. Bekim Sejdiu’s Nomination for President of the Republic of Kosovo
  • BEKIM SEJDIU PËR PRESIDENT – A PO I KTHEHET KOSOVA PROFILIT INSTITUCIONAL?
  • ANTON ÇEFA – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE DHE KUJTESËS KOMBËTARE
  • Kur dija hesht, konformizmi flet…
  • Albanians for America Welcomes the SRBIJA Act and Calls for Accountability from Serbia
  • “Malësia – studime e hulumtime”
  • Ago AGAJ – Vlonjati që e mori Kosovën me vete deri në vdekje!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT