• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POPULLI DHE PUSHTETI

February 10, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Populli dhe pushteti
Astrit Lulushi

Qeveria është bërë si “Shtëpia e Gjetheve”, relike e kohës së vjetër; për të jepen vetëm statistika: Sa njerëz e vizituan për të parë gjethet mureve jashtë e brenda dhe sa fitime nxorri për një vit turistik. Është vjedhja, korrupsioni, mashtrimi, fitimi që e shtyn njeriun t’i hyjë politikës. Njerëzit e ndershëm po ikin.
Dikur, në periudhën para Rilindjes (evropiane), kur familjet kryesore ose tregtarët organizuan për herë të parë një qeveri për qytetin e tyre, ata jo vetëm që siguruan disa ndarje të pushtetit përmes votimit por u munduan për të zvogëluar probabilitetin që shefi ekzekutiv i qeverisë të mund të merrte pushtet autokratik.
Për një kohë në Genova, për shembull, administratori kryesor i qeverisë duhej të ishte një person i jashtëm – pra, dikush pa anëtarësi në ndonjë nga familjet e fuqishme në qytet. Për më tepër, ai detyrohej të merrte një mandat të caktuar; ishte i detyruar të linte qytetin pas përfundimit të mandatit; dhe i ndalohej të martohej në ndonjë nga familjet e qytetit. Në Venecia, kur një qeveritar u përpoq të bëhej autokrat, atij iu pre koka. Kështu, doket e mëpasshme u ndoqën në procesione zyrtare, duke krijuar një xhelat simbolik me shpatë, si kujtesë të dënimit të destinuar për çdo udhëheqës që përpiqej të qeveriste si tiran.
Mendja shkon se mbase kjo traditë, simbolikisht, duhet adoptuar. Është diçka për të cilën njerëzit duhet të mendojnë kur shohin ngjarjet sesi rrokullisen Sistemi aktual është prishur. Qeveria sillet si grup banditësh. Popullit duhet t’i rikthehen të drejtat e uzurpuara. A është e nevojshme që vendit t’i duhet të rrënohet që gjërat të fillojnë të vihen në vend? Është e lehtë të shohësh se politikanët nuk janë të përjetshëm, por ata nuk duan të ikin. Kanë afër 80 vjet në pushtet. Eksperimenti që me kokëfortësi ndjekin është përfundimisht i korruptuar – 45 vjet diktaturë dhe 30 vjet tranzicion.
Libri i Ezdras jep një shembull të mirë se çfarë duhet të bëhet me ata që përpiqen të manipulojnë pushtetin: Një Trekëmbësh ndërtuar nga trarët e shtëpisë së tyre dhe atje të varen nëse abuzojnë. Kërcënimi me ligj është thjesht dordolec – është frika e atentatit (fizik, politik, ekonomik), që i mban politikanët në linjë (dhe nuk është populli nga i cili kanë frikë).
Lord Acton kishte të drejtë: “Ku keni një përqendrim të fuqisë, shumë shpesh personi me mentalitetin e gangsterit merr kontrollin”. Historia e ka provuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, populli, pushteti

“Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”

November 4, 2016 by dgreca

ILIR IKONOMIIlir Ikonomi sjell në Tiranë biografinë “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”/*1-ilir-ikonomi-esati

Një libër biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i UET Press, është punimi më i ri i gazetarit të “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, i njohur për suksesin me Faik Konicën (2011) dhe Ismail Qemalin (2012). Ky libër, fryt i një studimi katërvjeçar, për herë të parë i sjell lexuesit një trajtim të paanshëm dhe neutral të Esat Pashës (1864-1920), të cilin autori e karakterizon si njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare. Qysh në krye, Ikonomi shtron pa mëdyshje pyetjet që ka marrë përsipër t’u përgjigjet në libër: A ishte Esati mercenari që shiste atdheun për një grusht para? Apo ishte pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtor i të huajit? Përse i zemëronte disa qeveri dhe ia dilte të miqësohej me të tjera? Si arrinte ky njeri pa ndonjë shkollë të fuste në dilema edhe diplomatët e përpunuar në universitetet europiane? Ku e mësoi artin e të folurit, që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse, sesa belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?
Përgjigja e autorit është komplekse, ashtu si vetë jeta e Esat Pashës. Në thelb, Ikonomi përpiqet që, nëpërmjet personazhit të tij, të na zhysë në periudhën e formimit së shtetit të ri shqiptar dhe të rrëfejë shumë nga misteret e asaj kohe, kur Shqipëria përballej herë me shpresat e ngritjes, herë me kaosin e rebelimeve dhe herë me fatalitetin e pushtimeve të huaja. Ai nuk moralizon, por thjesht paraqet faktet, duke e lënë në dorën e lexuesit të gjykojë mbi Esat Pashën, i cili edhe sot është objekt debatesh të ndezura. “Personalisht, – shkruan Ikonomi, – nuk më lidh asgjë me Toptanët dhe nuk kam ndonjë interes për të qëndruar në këtë, ose në atë anë të debatit. Aty nuk ka tradhtarë dhe heronj. Aty ka fakte të ftohta që mund ta bëjnë lexuesin të argëtohet ose të trishtohet nga çmenduria njerëzore, por kurrsesi të kalojë në indinjatë apo ekzaltim, kur ndeshet me një poshtërsi a me një heroizëm”. Autori sqaron se libri i tij i drejtohet publikut të gjerë e jo thjesht studiuesve të historisë. Megjithatë, shpjegon Ikonomi, studimi i Esat Pashës nuk mund të mos mbështetej mbi një burim të shëndoshë arkivor, të pandotur nga rrëfimet gojore dhe nga interpretimet subjektive. Për këtë arsye ai ka kërkuar në shumë arkiva për të nxjerrë një arsenal të tërë dokumentesh pak ose aspak të njohura deri më sot.
Por Esat Pasha që na sjell Ikonomi nuk është personazhi statik, që jeton i kyçur në një botë të veçuar, siç e kemi përfytyruar deri më sot. Mjeshtërisht, autori e bën Esatin të flasë dhe të komunikojë me lexuesin në terrenin shqiptar të kohës. Me kujdesin e tij të njohur për detajin, Ilir Ikonomi na zhyt natyrshëm në jetën e Esat Pashës, na bën të shohim dhe të prekim mjedisin ku ai jetonte, të kuptojmë psikologjinë e tij, të thithim të njëjtin ajër.
Libri ka shtrirje të gjerë, por përqendrohet kryesisht në ngjarjet e viteve 1912-1920, periudha më delikate e krijimit të shtetit shqiptar, kur ekzistenca e Shqipërisë ishte vazhdimisht në pikëpyetje. Në biografinë e Ikonomit, Esati rezulton si njeriu ambicioz që nuk e duron tutelën e askujt dhe dëshiron të mbretërojë në një Shqipëri larg ndërhyrjes së Fuqive. Por, shpjegon autori, ky ishte thjesht një iluzion në klimën e rivalitetit mes Fuqive europiane për influencë në Shqipëri. Kjo klimë ndërlikohej edhe më shumë nga synimet e fqinjëve ballkanikë për t’i shkëputur ndonjë copë trupit të dobët të shtetit të ri.
Libri të befason me galerinë e personazheve që lëvizin dhe e ndikojnë botën shqiptare të fillimshekullit të njëzetë: Ismail Qemali, Syrja bej Vlora, Myfit Libohova, Faik Konica, Princ Vidi, Leopold Berchtold, Sidney Sonnino, Carlo Aliotti dhe Nikolla Pashiç janë vetëm disa prej tyre. Esati jep e merr me ta, diku përfiton me zgjuarsinë e tij proverbiale, diku lëshon për t’u rikthyer në skenën politike.
Esat Pasha ruajti një hije dominuese në dekadën e parë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ndërsa të tjerët u bënë figura kalimtare, Esati arriti të qëndrojë dhe të qeverisë sa mundej në një Shqipëri pa institucione dhe pa miq të fuqishëm. Një ditë, tregon gazetari amerikan Gordon-Smith, duke pirë kafe me Esatin në Durrës, e pyeta për atë që thoshin njerëzit, se pashai sundonte me dorë të fortë. Esati u përgjigj: “Shqipërinë njeriu e qeveris siç mundet e jo siç duhet”.
Për disa, ai u bë një pasha i urryer, sepse bashkëpunoi me Serbinë dhe kërkoi ndihmën e saj për të shtypur rebelimin e Haxhi Qamilit. Për të tjerë, ai ishte prijësi që mbrojti Shkodrën, guxoi t’i kundërvihej rebelimit proturk dhe luftoi në anën e Antantës, bllokut fitues në Luftën e Parë Botërore, ndërkohë që rivalët e tij u rreshtuan me fuqinë humbëse, Austro-Hungarinë.
Ky punim, – sqaron Ikonomi, – nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat Pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia. Ikonomi ngrihet mbi meskinitetin e disa kritikëve të Esatit, të cilët nuk përfillin terrenin ekstremisht të mjerueshëm ku u ngrit dhe funksionoi shteti i ri shqiptar. Megjithatë, autori nuk mungon të nxjerrë në pah dobësitë në karakterin e Esatit, duke na dhënë përshkrime të balancuara, me teknikat e një studiuesi modern e të përmbajtur.
Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi Bejtullah Destani, autor i dhjetëra punimeve historike. “Libri, – shkruan Destani, – është i derdhur në një stil transparent, inteligjent dhe të përmbajtur, ku asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ai ndërthur parashtrimin e qartë të dokumentit historik me rrëfimin konciz dhe tërheqës.”
Biografia përmban rreth 60 fotografi të cilësisë së lartë, disa prej të cilave publikohen për herë të parë. Ajo është e pajisur me shënime në fund të faqeve, me një bibliografi të hollësishme dhe me treguesin e emrave.(Kortezi: Mapo)

 

Filed Under: Histori Tagged With: “Esat pashë Toptani: Njeriu, Ilir Ikonomi, Lufta, pushteti

Ismail Kadare: Pushteti është çmenduri

September 6, 2015 by dgreca

Nga Jorg Magenau/*
Udhëtim nëpër histori: Tre janë tregimet e kandidatit shqiptar për Çmimin Nobel, Ismail Kadare që ribotohen me titullin “Die Schleierkaraëane” (Sjellësi i fatkeqësisë): Tregimet janë si vera, sa më e vjetër aq më e mirë. Nëse paraqiten te lexuesi shumë herët, nuk kanë ndikim. Po të bazoheshim në parimin e Ismail Kadare-së, kjo do të marrte disa qindra vjet, derisa procesi i “plakjes” së nevojshme arrihet. Sepse sipas tij, bëhet fjalë për shkrirjen e modelit arkaik në pëlhurën e jetës aktuale, apo në shndërrimin e ndodhive në ngjarje mitike, sepse vetëm në këtë mënyrë është e mundur që njerëzit të flasin për ata që vuajtën tmerret. Në mit, historia është atje dhe ende e largët.
Prej disa vitesh, shkrimtari shqiptar është një nga favoritët për të fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Ai, për ta marrë mesa duket nuk do e marrë kurrë edhe pse është një nga shkrimtarët më të mëdhenj evropian. Roli i tij në Shqipërinë komuniste, nën regjimin e Enver Hoxhës është bërë shpesh objekt kritike, ai ishte anëtar i partisë dhe i parlamentit dhe ishte një nga të preferuarit e diktatorit.

Skenarët e maktheve surreale
Por çfarë do të thotë kjo, që letërsia e tij është një analizë e thellë dhe prezantimi i marrëdhënieve të shtypura? Kadare duhet të ishte i afërt për të depërtuar në këto analiza. Nuk ka asnjë shkrimtar, i cili është në gjendje të paraqesë atmosferën e frikës, dhunës, përgjimit, denoncimit dhe të oportunizmit, të gënjeshtrave dhe besëtytnisë dhe fuqinë e spekulimeve si ai. Ai e ngre me mjeshtëri imazhe të frikshme të shoqërisë në një skenar surrealist, duke i paraqitur si një realitet absurd, me një realizëm të ftohtë e të matur.
Ai shpesh kapërceu në tregimet e tij në periudha të ndryshme, në mënyrë që të tematizonte të tashmen shqiptare. Kështu në tre tregimet e tij “Die Schleierkaraëane”, që ribotohen, tregime të nisura rishtazi, ai paraqet thuajse gjithçka në kohën e Perandorisë Osmane në Shqipëri. Çuditërisht, këto rrëfime janë publikuar për herë të parë në Gjermaninë lindore (DDR) në vitin 1987, në kohën e Perestrojkës. Joachim Röhm ka realizuar përkthimet e Kadares, duke i sjellë në një gjermanishte të përsosur.
Pjesë nga një shkrim më i gjatë i Jorg Magenau me titull në origjinal “Erzählungen von Ismail Kadare /Macht ist WSahnsinn”(Kortezi:Shqiptarja.com)

Filed Under: ESSE Tagged With: eshte cmenduri, Ismail Kadare, pushteti

“Çlirimtarët”, pushteti, dhe gjaku në mes

November 19, 2014 by dgreca

Nga Sulejman GJANA*/
Festat e fundme lokale kushtuar “çlirimit” të qyteteve pa luftë dhe bilanc lufte, me “çlirimtarë” që hynin në qytete e krahina pas largimit të gjermanëve me shpejtësi – nëpërmjet mjeteve të motorrizuara, janë një tallje me bujën e “çlirimit” dhe heroikën që duhet të mbartë akti i çlirimit të atdheut nga çizmja e huaj.
Por “çlirimtarët” harrojnë se për “trimëritë”, si dhe për të gjitha bëmat e tyre të pretenduara gjatë LDB, ka patur asokohe dhe gjenden ende dëshmitarë okularë, të cilëve u kujtohet kënga e famshme satirike tepelenase, e pamohuar asokohe dhe e përcjellë brez pas brezi, strofa e parë e së cilës thoshte: “O lele erdhi gjermani, me makina të mëdha / Ne u fshehëm prapa ferrës, shyqyr Zotit që s’na pa / Se po të na kish parë, do të kishim bërë hata / Do ia kishim grirë mishin, do ia bënim pastërma…”.
Sa here që populli i pyeste “trimat” shallkuqë e yllkuqë se përse nuk i kishin rënë ndonjëherë dushmanit, merrnin përgjigje se “nuk kishim dyfekë e fishekë, ndaj e lamë të kalonte…, ja sa të sigurojmë dyfekët e fishekët, pastaj do të na shohë dushmani se kush jemi”.
I bindur se komunistët “çlirim” quajnë boshatisjen e territorit të Shqipërisë londineze pas tërheqjes strategjike të gjermanëve drejt Berlinit, nuk mund të jem aspak dakord me një poet-“patriark”, që pretendon se e ashtuquajtura Luftë Nac-çlirimtare “është faqja më e lavdishme në të gjithë historinë e popullit shqiptar”.
Bilanci tragjikomik i të ashtuquajturës “LuftëNac-çlirimtare”, me pjesën e tij komike nuk justifikon as 1 % të shifrave të trumbetuara nga historiografia komuniste për gjoja okupatorët e vrarë gjatë LDB. Ndërsa me pjesën e tij tragjike të masakrimit të shqiptarëve jokomunistë në Luftën Civile gjatë periudhës 1943-1944 dhe më pas, gjatë shtypjes së rezistencës spontane apo të organizuar, është dhe mbetet thjesht bilanc rrëqethës. Mbetet bilanc tragjik dhe rrëqethës për numrin 10 herë më të lartë të shqiptarëve-viktima të një lufte absurde vëllavrasëse, në krahasim me okupatorët e vrarë. Dhe për këtë, meritën e vetme e të padiskutueshme e kanë komunistët shqiptarë me në krye themeluesit serbë të PKSH-së, që ishte thjesht një shtab i ri agjenturor i serbëve në kushtet e reja.
Pasi u mundën menjëherë dhe tepër shpejt në betejat e rezistencës së Prillit 1939, nga një prej fuqive më të mëdha të kohës e me pretendime të kahershme territoriale ndaj Shqipërisë londineze, por sidomos pas tradhtisë së pashoqe nga Fuqitë e Mëdha dhe Lidhja e Kombeve, shqiptarët e paarmatosur ranë shpejt në grackën e premtimeve për bashkimin e trojeve të tyre etnike nën Perandorinë e Italisë.
Pas aktit të pushtimit, natyrshëm filloi procesi i administrimit të trojeve shqiptare, tashmë nën “Perandorinë e Romës së Tretë”. Proces ky në të cilin u përfshinë si administratorë shumë irredentistë, që e menduan kolaboracionizmin si zgjidhja më oportune në kushtet e krijuara, me argumentin: të shpëtohej me çdo kusht ç’kish mbetur, sepse Shqipëria duhej doemos të mbijetonte atëkohë e të jetonte përjetësisht. Ajo ishte sipas tyre kryekauza dhe kryearsyeja; ndërsa atdhetarët duhet të ishin veçse kurbanë në altarin e saj. Përveç pakicës së arrivistëve të paskrupuj dhe inatçorëve të pandreqshëm me Mbretin Zog, fatkeqësisht shumica e pranoi kolaboracionizmin vetëpërbaltës “për të garantuar mbijetesën e atdheut dhe kombit”.
Mbretërorët shqiptarë e kundërshtuan me armë pushtimin dhe politikisht e diplomatikisht kolaboracionizmin, por në kushtet e krijuara kjo rrymë duhej pranuar si realitet dhe me të duhej negociuar si faktor me peshë reale në politikën dhe qeverisjen e atëkohshme të vendit. Dhe ky proces politik duhej kryer gjithmonë në interes të çështjes kombëtare, që kish dalë në plan të parë, e që kërkonte lëvizje dhe zgjidhje inteligjente, gjatë luftës dhe më pas, në konferencën e ardhshme të Paqes.
Të joshur nga vetëqeverisja e lejuar prej shqiptarësh, por me një mëkëmbës-kujdestar të Fronit italian mbi krye, e sidomos të joshur nga investimet fillestare italiane dhe nga ideja e vetëvendosjes finale të popujve pas nënshkrimit dhe publikimit të Kartës së Atlantikut në fundvitin 1941 nga Ruzvelti dhe Çurçilli, irredentistët shqiptarë në qeverisjen e kohës arritën ta bindin në shumicë popullin shqiptar se ajo situatë e përkohshme duhej shfrytëzuar për bashkimin e trojeve etnike dhe kapërcimin e saj me kosto sa më minimale njerëzore e materiale. Por këtë ide dhe situatë nuk mund ta pranonin kurrsesi komunistët serbë e grekë dhe monarkofashistët serbë e grekë, të cilët,bashkë dhe veç e veç, u joshën dhe u mbështetën edhe nga Aleatët e Mëdhenj, gjithmonë në këmbim të kontributeve të tyre ushtarake kundër Boshtit, sidomos pas hyrjes në luftë të BS më 22 qershor 1941. Ndaj të alarmuar, serbët dhe grekët futën menjëherë në veprim veglat dhe aleatët-kolaboracionistë të cungimit të mëtejshëm apo zhbërjes përfundimtare të Shqipërisë – komunistët internacionalistë shqiptarë, të vetmit në të gjithë botën, që jo vetëm nuk ngritën kurrë rishikimin e problemeve të pazgjidhura territoriale, por asgjësuan kundërshtarët e tyre nacionalistë pikërisht për shkak të shpalljes së kësaj kauze.
Është dhe mbetet proverbial për nga saktësia, konkluzioni se zhvillimet shqiptare pas themelimit të PKSH, dhe sidomos pas ardhjes në pushtet të komunistëve, janë thjesht zhvillime logjike, të programuara nga jashtë e të zbatuara me përpikmëri nga seti më i përbindshëm agjenturor e antishqiptar që ka njohur ky komb gjatë gjithë historisë së tij.
Bilanci tragjik në jetë njerëzore dhe dëme materiale e shkatërrim të zhvillimit perspektiv bazuar në projektet dhe trendin e para LDB, realizuar nëpërmjet zbatimit barbar të Luftës Civile dhe më pas të Luftës së Klasave, nuk mundej dhe nuk do të ish i përmasave të arritura, nëse nuk do të zbatoheshin nga strukturat më të zeza agjenturore e antishqiptare: PKSH dhe Sigurimi i Shtetit. Dhe kur i bashkëngjit këtij bilanci edhe bilancin tragjik të gjenocidit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve, prej armiqve historikë, në trojet e mbetura jashtë kufijve shtetërorë, bëhet e qartë se Golgota shqiptare ka qenë e programuar më së miri dhe me qëllime afatgjata.
Thënë shkurt, farën e Luftës Civile në Shqipëri e futën komunistët serbë, të cilët shfrytëzuan kolaboracionizmin komunist për të shfarosur kundërshtarët politikë dhe për të terrorizuar mbështetësit e tyre dhe mbarë popullin, në synimin për të marrë dhe siguruar pushtetin kolaboracionist të shqiptarëve filoserbë e filogrekë të Shqipërisë londineze. Dhe për të ilustruar këtë të vërtetë do të mjaftonte fjalia lapidare e shkëputur nga raporti që Miladin Popoviç i shkruante Titos pas zhbërjes me urdhër të tij të Marrëveshjes së Mukjes: “Druzhe Tito… Nacionalistët shqiptarë në Mukje, me vendimin për krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë Etnike dolën hapur për luftë kundër popullit serb dhe atij grek, prandaj urdhërova denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes dhe shpalljen hapur të luftës kundër tyre, me të gjitha armët, deri në asgjësim të plotë…”.
Historiografia komuniste shqiptare nuk mund ta mohojë faktin se inkursionin komunist në Vlorë pas Aktivit të Partisë të majit 1942, e kryesoi Dushan Mugosha me agjutant Enverin, për eleminimin e Xhepit, Qorrit, Xhindit, Çakërrit dhe të gjithë krerëve të çetës “Plakë” të Vlorës. Dhe kjo jo “për shkak të devijacionit trockist”, por sepse këta krerë kishin shprehur hapur pikëpamje nacionaliste, pakënaqësi për drejtimin e PKSH nga serbët dhe sidomos pakënaqësi për angazhimin në drejtimin e Lëvizjes komuniste në këtë zonë të mbarë klientelës proserbe të diskredituar publikisht të ish konsullatës jugosllave në Vlorë të fillimviteve‘20-të. Bërthamë agjenturore kjo që ish goditur nga shteti zogist pas zbulimit dhe dështimit të kryengritjes proserbe të Vlorës në vitin 1932, dekonspiruar asokohe bashkë me financimin serb dhe platformën agjenturore, në gjyqin special, nga rebeli i penduar Myqerem Hamzaraj.
Pas eleminimit me gjak të “fraksionit” të Vlorës, drejtimin e Lëvizjes komuniste atje e mori personalisht Dushan Mugosha, që qëndroi afro 18 muaj në Vlorë, ku rekrutoi edhe agjentët që u emëruan si drejtues të lartë në Tiranë dhe si atashehët e ambasadorët e parë të Shqipërisë komuniste në Beograd. Më pas, që të gjithë, u hierarkuan në majat më të larta të shtetit komunist shqiptar, por kryesisht në aparatin politik të PKSH, si dhe në drejtimin e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes.
Dushan Mugosha në Vlorë, pasi rekrutoi si agjentë gjithë drejtuesit e lartë lokalë të PKSH dhe të njësive partizane, ngriti kursin për përgatitjen e xhelatëve dhe atentatorëve, që kryen tortura monstruoze dhe vrasje pas shpine e të hapura të elementëve kundërshtarë dhe familjarëve të tyre, duke mos kursyer as gratë, pleqtë dhe fëmijët e porsalindur. Do të mjaftonte për këtë dëshmia e Xhelal Staraveckës, që ka pohuar se, në prani të drejtuesve të lartë komunistë si Shahin Kadare etj. (afro 15 vetë), Dushan Mugosha ka mbytur të rinj të pafajshëm me tortura, si demonstrim konkret për xhelatët, gjatë të cilave u ka nxjerrë viktimave sytë, u ka thyer të gjitha kockat dhe u ka prerë organet gjenitale dhe kokën, sipas të famshmit “Zakonik i Stefan Dushanit”, që përshkruante dhe normonte ligjërisht torturat mbi kundërshtarët e serbëve, qysh në mesjetën e hershme.
Ndër të rekrutuarit e parë si agjent serb dhe i listuar i pari prej Mugoshës ndër 5 themeluesit e Sigurimit të Shtetit, ka qenë drejtuesi komunist në krahinën e Kuçit, Xheladin Beqiraj (Karadaku). Me urdhër të tij e të Tasim Alikos me shokë, komunistët kanë vrarë me akuza të pavërtetuara për “tradhti” kundërshtarët ballistë dhe kanë masakruar e kanë shuar familjarisht të akuzuar të tjerë, ndër të cilët edhe pleq, teksa “armiqve” dhe foshnjeve u kanë prerë kokat dhe ua kanë treguar ato fshatarëve, për t’i terrorizuar.
Historianët komunistë e kanë fshehur të vërtetën për masakrën që Mehmet Shehu kreu mbi 74 ballistë të zënë robër në fshatin Matjan të Lushnjës, e të cilën Fiqiretja e pohon me letrën dërguar Dushan Mugoshës, ku shkruan: “I dashur shoku Duq! Po të bëj me dije lajmin e gëzueshëm të ekzekutimit të 74 ballistëve në fshatin Matjan të Lushnjës. Mehmeti të ekzekutuarit i përzgjodhi paraprakisht në shumicë të besimit mysliman, ndërsa dhjetëra të tjerë të besimit ortodoks i fali dhe i dërgoi në shtëpi. E si mund t’i ekzekutonte ata fshatarë të gënjyer, që ishin të besimit ortodoks, pra të të njëjtit besim me atë të popullit të shtrenjtë e të lavdishëm serb?…” (Gjaku i tradhtuar – Vladimir Dedijer, Zagreb, 1949).
Të tilla krime monstruoze komunistët kanë bërë në të gjithë Jugun e Shqipërisë, para dhe pas kapitullimit të Italisë, madje deri edhe në prag, e pas “çlirimit” të vendit.
Historianët komunistë për 50 vjet ua fshehën shqiptarëve faktin se salla e Kongresit të Përmetit ishte mbushur, brenda dhe jashtë, me foto të Titos, dhe se Hoxha në këtë kongres lexoi raportin e shkruar nga Miladini. Fakt të cilin Popoviçi ia raportoi Titos, krahas emrave të koduar dhe karakteristikave të udhëheqjes së re komuniste.
Gjithashtu u fsheh për 50 vjet fakti i sulmit të koordinuar me 3 brigada partizane shqiptare dhe 2 brigada partizane maqedonase kundër fortifikatave të Halil Alisë dhe nacionalistëve dibranë në Fushë Aliaj dhe Maqellarë, dhe më pas kundër atyre të Xhemë Gostivarit në Gostivar, fundi i të cilëve ishte parashkruar nga propozimet dhe korrespondenca midis Titos, Tempos dhe Miladinit.
Me këtë rast komunistët, të cilët i kanë përjetësuar heroizmat e tyre kundër shqiptarëve në këngë, improvizuan këngën e famshme me vargjet e njohura: “Ngrije këmbën hidhe këmbën, Dibrës o t’i bëjmë t’ëmën”. Këngë të cilën e përshtatën dhe kënduan edhe në Lumë, Kosovë e kudogjetkë, ku bënë masakra mbi shqiptarët.
Ishte Miladin Popoviçi ai që urdhëroi goditjen me artileri të rëndë dhe topçinj italianë, nga kodrat e fshatit Priskë, të Pallatit Mbretëror ku u mbajt kuvendi i Asamblesë Kushtetuese në Shtator 1943, që shpalli Këshillin e Naltë të Regjencës, emërimin e qeverisë dhe krijimin e shtetit shqiptar me sovranitet edhe mbi territoret e Shqipërisë Etnike, konform Kartës së Atlantikut. Të nesërmen komunistët shpërndanë me trakte e myzhde lajmin me titull: “Ja si i përgjigjet populli Asamblesë tradhëtare, me top” !!!
Për të bërë terror mbi popullsinë civile dhe për të çuar në vend urrejtjen për Matin zogist, të cilin serbët kurrë nuk e shkelën dot, e jo më ta pushtonin, në gusht të vitit 1944, Mehmet Shehu shfrytëzoi pretekstin e vrasjes së dyshimtë të një partizani të Brigadës I gjatë marshimit pranë fshatit Val të Martaneshit, për të masakruar 22 burra e gra të pafajshëm.
Disa ditë më vonë, Shefqet Peçi, në krye të Brigadës V, duke shfrytëzuar vdekjen e një partizaneje të plagosur prej shumë ditësh diku tjetër e me plagë të infektuar, të cilën gratë e fshatit Kurdari e mjekuan si vajzën e tyre, masakroi 24 burra e gra të pafajshëm të Kurdarisë zogiste të Dyle bej Allamanit, që ishte mik i Mbretit Zog, i major Abaz Kupit dhe oficerëve të Misionit britanik Bill Maklin, Dejvid Smajli dhe Xhulian Emeri, atashuar pranë Shtabit zogist të A. Kupit. Partizanja e gjorë, në prag të vdekjes, duke e njohur zellin vrastar të komunistëve, pasi la amanetet, u kërkoi nënave dhe motrave kurdarase që “t’i fshihnin burrat dhe djemtë”, pasi do t’ua pushkatonin, por ata nuk e besuan, pasi kujtuan se po flet përçart në grahmat e fundit, por gabuan…
Një muaj më vonë, sërish një partizane e Brigadës V të Shefqet Peçit, e plagosur dhe e mjekuar nga nënat dhe motrat lumjane të fshatit Buzëmadhe, u tha atyre që të mos i lejonin burrat dhe djemtë të shkonin në takimin ku i kish thirrur Peçi, por përsëri gabuan. E përse të dyshonin, kur u kishin shtruar partizanëve bukë e jatakë, me zemër të bardhë e me të gjitha gostitë e festës së Bajramit?! Gabuan që besuan të vetëshpallurit “vëllezër të serbëve” dhe e paguan me jetët e 22 djemve e burrave të pafajshëm, të cilët u akuzuan se kishin vrarë nipin partizan të Peçit, Hysen Cinon. Natyrisht që po i akuzonin padrejtësisht, për një vrasje që ishte kryer larg fshatit të tyre dhe në rrethana të dyshimta. Dhe përsëri, mbi kufomat e tyre u këndua kënga: “Ngrije këmbën, hidhe këmbën, Lumës o t’i bëjmë t’ëmën”. Tamam si kënga me sharjen fyese për nënat dhe gratë shqiptare, kënduar nga neoçetnikët dhe paramilitarët e Arkanit në Stadiumin “Partizani” të Beogradit më 14 tetor 2014. Ngashmëri e frikshme kjo në stilistikën e krimeve dhe të fyerjeve e përdhosjeve, midis komunistëve shqiptarë të LDB e të kohës së pushtetit, me vëllezërit e tyre të idealeve, serbët.
Thuhet se masakrat në Buzëmadhe e në fshatrat e tjera të Lumës, Peçi i bëri me urdhër dhe në përmbushje të porosisë së serbëve, të cilët po realizonin me dorën e shqiptarëve amanetin e të parëve për hakmarrje ndaj Lumës dhe lumjanëve, që në betejat e qëndresës kundër pushtuesve serbë në vitin 1912 i kishin shkaktuar armikut shekullor mijëra të vrarë.
Në shtator 1944, zv/komandanti i forcave partizane të Kosmetit, Mehmet Hoxha, urdhëroi arrestimin e nënkryetarit të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit – OKLL, të zgjedhur në Kongresin e Zall Herrit, Patër Lekë Luli, brenda territorit shqiptar, në Iballë të Pukës. Mehmet Hoxha e masakroi personalisht Patër Lulin, sipas traditës dhe Zakonikut serb të Stefan Dushanit dhe metodave të mësuara nga instruktori Stefan Dushan Mugosha, me prerje gjymtyrësh dhe nxjerrje të syve, duke ia kujtuar në shpirtdhënie Mbretin e Shqiptarëve, Shqipërinë Etnike dhe Mukjen, për çka njoftoi me ngazëllim Titon, që ia shpërbleu duke ia vulosur karrierën në Jugosllavinë komuniste.
Historiografët komunistë nuk mund ta fshehin faktin e mbytjes në tortura dhe më pas zhdukjes së qindra intelektualëve antikomunistë të Tiranës, në bodrumet e Hotel Internacional nga 16-20 nëntor 1944. Gjithashtu, nuk mund të mohojnë burgosjen dhe internimin e qindra familjeve pronare të 804 vilave të sekuestruara në Tiranë nga ata që e mbuluan me flori LANÇ-në.
Po kështu vepruan “çlirimtarët” në të gjitha fshatrat e qytetet e veriut të Shqipërisë për të krijuar terror dhe nënshtruar gegët nacionalistë, antikomunistë dhe antiserbë.
Pas “çlirimit” të Shkodrës mbeti pa u “çliruar” Malësia, që rezistonte me Prekë Calin në krye. Tirana mori urdhër nga Beogradi dhe e ngarkoi Mehmet Shehun që të nënshtronte Malësinë dhe Prekë Calin. Shehu i kërkoi kreshnikut të dorëzohej. Prekë Cali refuzoi. U shpall alarmi dhe në ndihmë të Mehmet Shehut u dërgua edhe Brigada 23, teksa anën veriore të kufirit e zunë dy brigada komuniste malazeze. Kur Shehu i kërkoi Prekë Calit të dorëzohej dhe i premtoi “gjykim të drejtë”, kreshniku i Malësisë iu përgjigj: “Ma trego se je shqiptar sikur thue, tuj hjekë prej ushtrije trobojnicën, nryshi nuk dorëzohem”. Por Shehu nuk mund ta hiqte trobojnicën sllave, ndaj sulmoi duke djegur mbarë Malësinë dhe duke dhunuar gratë e fëmijët e pambrojtur. Për të shpëtuar nderin e grave dhe jetën e fëmijëve, kreshniku u dorëzua bashkë me 15 bij e nipër, shumica nën 17 vjeç. Asnjë gjyq nuk u bë, të gjithë u masakruan, dhe amaneti i shkijeve për “varjen e Prekë Calit me konop” u çua në vend.
Ish xhelati sigurims Pjerin Kçira, vartës i Zoi Themelit, u tregonte me mburrje shkodranëve se shefi i tij njëherë ishte vonuar në një zijafet, pasi kish mbytur në tortura një “armik”. Kur kish shkuar tek shokët i rraskapitur e me duar të përgjakura, u kish thënë se e kish lodhur për vdekje njëri që, në vend të rënkimeve, thoshte “Rroftë Shqipëria Etnike”. Të gjithë shokët i kishin thënë njëzëri “Sa mirë ia bëre tradhëtarit, tani shef hajde t’i pijmë dollinë”.
Gjatë viteve ’90-të, ish shifranti personal i Enver Hoxhës, Dyl Kadesha, deklaroi publikisht në media se e kishte njoftuar personalisht Enver Hoxhën për të gjitha radiogramet e dërguara nga Hysni Kapo, Ramiz Alia e Shefqet Peçi, lidhur me masakrat serbe në Kosovë, pas çarmatosjes në mirëbesim nga partizanët shqiptarë…, përfshirë edhe Masakrën e Tivarit. Sipas Kadeshës, Hoxha ngazëllehej vazhdimisht nga njoftimet dhe në një rast kishte përqafuar Xoxen, duke u shprehur se “ky është fundi i tradhtarëve”.
Ata kurrë nuk u penduan se vranë e prenë bashkatdhetarët me bindje të ndryshme politike në luftën për pushtet, ndonëse në shumicë ishin të paarmatosur. Ata kurrë nuk u penduan dhe nuk kërkuan ndjesë që mbytën me uri mbi 400 foshnja dhe qindra fëmijë e të rritur në “Aushvicin” e Tepelenës si dhe masakruan e zhdukën mijëra Shqiptarë në të gjithë vendin, gjatë dhe pas “çlirimit”. Madje Shefqet Peçi, para 20 vjetësh, deklaroi se jo vetëm që nuk ishte penduar, porse përsëri do të bënte të njëjtat masakra në Lumë e Kurdari kundër “armiqve reaksionarë”.
Ndaj dhe në këtë prag jubileu të 70 vjetorit të “çlirimit”, nëpërmjet Iliriana Spiro Kolekës, bash tek ministria e Kulturës dhe me financimet e saj, enveristët e papenduar u përgjigjen me vargje: “Ku shkove o Enver…/ ata që bashkë me ty luftuan, po të thërrasin…/ ata lëshojnë rënkime, ku je, kur do të kthehesh…”. Dhe këto ditë rënkimet e tyre kalojnë murët e çdo ministrie e çdo institucioni të shtetit duke i kujtuar popullit, anembanë vendit me ceremoni dhe portrete, se misioni akoma nuk ka mbaruar.
* Autori është Kryetar i PLL/

Filed Under: Analiza Tagged With: “Çlirimtarët”, dhe gjaku në mes, pushteti, Sulejman Gjana

PUSHTETI NUK NGRIHET MBI MORT

November 5, 2012 by dgreca

Nga Beqir Sina/

BENSONHURST BROOKLYN NY : Fatkeqësi natyrore, ose një leksion i rëndësishme që ka shumë për të mësuar politika e Tiranës, sot, është : “Stuhia e fuqishme – Uragani Sandy, që goditit të hënën e kaluar Bregun Lindor të SHBA, ose përballimi dhe menaxhimi i saj nga politikanët amerikan – bashkëpunimi pozitë – opozitë, dhe shteti i gjithë aty ku ndodhi fatkeqësia, ndërkohë që edhe opozita ka qenë duke dhënë ndihmën e saj, për atë që i takonte dha sa i takon një opozite, pa ndërhyrë në punët që bën shteti dhe institucionet shtetërore për përballimin e fatkeqëisë….”

Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi menjëherë se nuk ishte i shqetësuar nga pasojat e mundshme që uragani ”Sandy” mund të kishte për rezultatin e tij, në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit, duke qenë se prioriteti kryesor ishte garantimi i sigurisë së jetës së qytetarëve amerikanë të kërcënuar nga stuhia e fuqishme që kishte prekur verilindjen e SHBA-së. “Prioriteti im kryesor mbetet shpëtimi i jetëve”, deklaroi Obama menjëherë pas saj.

”Jam më i shqetësuar për sigurinë e amerikanëve sesa për zgjedhjet presidenciale”, theksoi ai. Presidenti amerikan anuloi edhe fushatat elektorale të atyre ditëve në Florida dhe Wisconsin, për të qëndruar në Uashington dhe për të ndjekur nga afër zhvillimet e mundshme të uraganit ”Sandy”.

Ndërkohë, që opozita – Republikanët, Christ Christi – kryeqeveritari i Nju Xhersit, një republikan konservator dhe një nga figurat kryesore për nën president në fillim të garës së kandidatit republikan për president të SHBA, në zgjedhjet e 6 nëntorit me kandidatin Mitt Romney, jo vetëm që nuk e akuzoi presidentin Obama, por edhe e lavdërojë atë, për menxhimin e situatës në Nju Xhersi( si edhe e vlerësoi intersimin e dy telefonatave dhe lirimin e buxhetit për ndihmë nga qeveria federale nga “kundërshtari” tij Obama), duke ‘rrezikuar” shumë me këtë rastë në kampin republikan edhe të ardhmen e tij të një lidershipi në ngjitje!?.

Të njëjtën gjë që dy vjet më parë, kur një përmbytje katastrofale goditi Shkodrën dhe zonën e Nën-Shkodrës, bëri Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha: Kryeministri Berisha mbasi inspektoi zonat e përmbytura në Shkodër dhe NënShkodër, ndërsa bëri thirrje atëhere për evakuimin urgjent të banorëve dhe të gjësë së gjallë, dhe sendeve me vlerë…… theksojë se “Jemi në buzë të katastrofës” teksa tha më pas se situata mbetet e paparashikueshme dhe është një ndër ato katastrofa që “ndodhin një herë në 100 vjet”, por nuk ka asgjë për të krijuar panik…..do të theksonte Kryeministri Berisha ndërsa mobolizoi gjithë shtetin dhe institucionet qeveritare për të u angazhur në fatkeqësinë natyrore – përballimin e saj me sa më pak humbje……!

Kreu i qeverisë së Shqipërisë, dy vjet më parë urdhëroi shtimin e masave, dhe ngrti në këmbë gjithë qeverinë në Shkodër dhe zonën e NënShkodrës, ndërsa propozoi që në banesa të qëndronin vetëm kryefamiljarët. Kryeministri Berisha, dy vjet më parë në Shqipëri, ashtu si Presidenti i SHBA, Barack Obama javën e kaluar me uraganin Sandy, goditi Bregun Lindor të SHBA, pati nënvizuar se prioritare për Kryeministrin dhe qeverinë e Shqipërisë, mbetesh shpëtimi i jetëve njerëzore duke premtuar dëmshpërblim për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet, dhe përballimin e fakeqësisë, duke angazhuar të gjitha strukturat shtetërore në ndihmë të të dëmtuarave.” e njëjtë me atë të Presidentit të SHBA Barack Obama për këtë fatkeqësi natyrore.

Ndërsa, si në asnjë vend të botës, në raste të këtilla, në Shtetet e Bashkuara Jo se Jo! kryesocialisti i Shqipërisë, Edi Rama me një grup deputetësh mes tyre benjamini i Ramës, Erjon Veliaj, “turrvrap”- shkoj në qytetin e Shkodrës – dhe zonat e përmbytyra të Nën- Shkodrës, për “bërë fushat elektorale”, me fatkeqësin natyrore të atyre njerëzve që po “mbyteshin” nga uji që i kishte rrethuar nga të katër anët – Vetëm e vetëm edhe në ato momente të dhimbëshme, duke akuzuar e sharë “mbarë e mbrapsht”, shtetin sepse ” sipas tyre “Berisha e “kishte fajin”, edhe, që u përmbyt Shkodra”, e jo ta konsideronte atë një fatkeqësi natyrore dhe të jepte ndihmën e tij dhe të opozitës, duke u bashkuar me shtetin – ashtu si e pamë javën e kaluara pozitë – opozitë (Republikan dhe Demokratë) në SHBA.

Kudo ku shkoi Rama, deputete socialist me bejaminin e tyre Erjon Veliaj dhe gazetarët e tyre, zëdhënse të Edi Ramëss, me kamera në krah folën përperkeqësim të gjendjes dhe nga mundoheshin të “mbillin faren ” e panikut….si sulm ndaj qeverisë Berisha

Dy vjet më parë në se u kujtohet Rama u ndal fillimisht në zonat e përmbytura në Nënshkodrës dhe më pas hyri në qytet dhe tha se “e gjitha kjo nuk erdhi si pasojë e kapricove të motit( pra doli jo vetëm kundra qeverisë, kësaj rradhe por edhe kundra Zotit të plotfuqishëm) por, nga keqmanaxhimi i situatës dhe nga korrupsioni i qeverisë Berisha, sipas tij. Ai tha se kemi prova të mjaftueshme për të këtë dhe ai ftoj prokurorinë të hetojë. Duke shtuar se : “Prifti dhe gjithë priftat e tjerë të korruptuar duhet të japin dorëheqje për dëmet e mëdha që i sollën vendit”, vijoi ai.

Ndërsa kan kaluar dy vjet, gjithë se cili mund të bëjë pyetjen : ‘Po, ku janë ato provat e Ramës ? nga shkuan dhe u harruan – apo ai i bënte ato vetëm për propogandë duke “luajtur” edhe me fakeqësinë e njerëzve” që po jetonin t rrethuar nga uji…..

Ndërkohë, që gazetarët rreth tij – si ata të Top Channel, 24 orë News, TemA, Shekulli, Vizion Plus, gazeta Sot, edhe me varka i shihje me paraqitjen “entusiastike të lajmit” pa pik serioziteti , veçse “ngjirrëshin” duke bërtitur dhe duke treguar vetem ato imazhet më të rënda të asaj fakeqësie, për ta bërë sa më të “tmerrshme” së bashku me ndonjë deputet socialist të asaj zonje, dhe gazetarët, duke nxitur njërëzit të flisnin me “tension’ kundër qeverisë dhe Kryeministrit Berisha, se ‘po përytyshin ” dhe shteti dhe qeveria e cila nuk kishte treguar kujdes dhe nuk po vinte dorë.

Pra ato skena dhe imazhe ishin e kundërta, e asaj që pamë këto ditë në Stuhin e fuqishme – Uraganin Sandy, që goditit të hënën e kaluar Bregun Lindor të SHBA, një katastrofë e vërtet dhe një stuhi më e madhja në histori për këtë zonë ashtu si deklarojë edhe Presidenti Obama, ose një stuhi që la të vdekur mbi 100 njerëz dhe shkatojë një dëm të përllogaritur, që mund të arrijë deri në 50 milirad dollar. Në SHBA, pasqyrim shquhej për atë pasqyrimin e qetë, profesional dhe mjaft korrekt, të gazetarëve amerikan si në terren por dhe studiot e tyre-

Teksa as edhe një senator ose kongresmen, apo përfaqësues lokal e shtetëror Demokrat apo Republikan, përveç atyre që përfaqësojnë zonat e prekuar nga Sandy, nuk u panë në Bregun Lindor, bile as kandidati për president Mitt Romney, nuk u pa ashtu si Edi Rama, sa herë ka ndonjë fatkeqësi është pari si opozitar dhe del e “kakarisë” si i thonë një fjale si ” si ai kaposhi në majë të plehut”.. ashtu si në Shkodër dy vjetë më parë….

Për, koincidencë, fatkeqësia e përmbytjes së Shkodrës dhe Nën-Shkodrës, dy vjet më parë dhe fatkeqësia e javës së kaluar, pra uragani Sandy, në Bregun Lindor të SHBA, janë të dalluara nga mënyra se si u bë ndërhyrja e shetit, manaxhimi dhe interesimi i shtetit. Në të dy vendet, respektivisht si Presidenti Barack Obama dhe Kryeministri Berisha ka përkuar në shumë këndëvështrime i njëjtë me mënyrën sesi si ; Qeveria e Shqipërisë, e trajtojë atë të përmbytjes së dy vjet më parë.

Ato ishin aq të ngjashme nga qasja me të cilën e kanë përballur qoftë nga autoritetet shtetërore, apo edhe ato vendore, pavarësisht se ishin Demokrat e Republika në SHBA – Qeveri dhe insitucione shtetrore në Shqipëri, sa që mund të bëhen edhe krahasime dhe të nxirren mësime, si duhen përballuar fakeqësit natyrore nga shteti dhe cilat janë ato leksionet amerikane kur punon për vendin tëndë të gjithë duhen bërë bashkë.

Por, fatkeqësit dhe për të ardhur keq që ngjashmëri , nuk ka vetëm me opozitën dhe kryeopozitarin Edi Rama , Erjon Veliajn dhe deputet socialist.

Kryesocialisti Rama, ka qenë ai opozitar, që sa herë ndodhë një fatkeqësi në Shqipëri, del i pari duke thënë se “Fajin e ka Berisha” akuzuar qeverinë dhe insitucionet shtetrore. Rama, ngaqë është akoma ëndërr dhe i “mbytyr” nga ehthet, për tu bërë një ditë – Kryeministër, duke e ndërtuar atë me strategjinë e tij – gjithmonë si e kemi parë gjatë këtyre 8 viteve – tek fatkeqësit e njerëzve, vdekjet e tyre tek morti-

Kështu, Edi Rama ka vepruar disa herë gjatë këtyre viteve sa po qëndron në opozitë, ” ashtu si ndodhi me Gërdecin , kur theu edhe rregullat e kodit moral dhe nxorri njerëzit e tij simpatizantët dhe militantët në rrugë edhe në kohë morti ( që kurr nuk ka bërë vaki tek ne shqiptarët – si shenjë respekti, ose si me rastin Trebicka, e njëjta gjë, si me përmbytjet e Shkodrës, si edhe me aksindetet e trafikut rrugor (rënjes së autobuzit me studentët e Kosovës, aksidenti i Pukës dhe më i fundit me të Elbasanit, dhe çdo gjë kulmon me mos respektin dhe kodin moral të mortës, janë veprimet e tij të pasngjarjeve të 21 janarit 2011, kur humbën jetën katër vetë( Rama nxorri njerëzit në kohë morte përsëri në rrugë për të rëzuar qeverinë Berisha). Të njëjta gjë po “nxitë” edhe tani që digjet një ish i burgosur politik si Lirak Bejko) çdo gjë ia ka mbështetur dhe shigjetuar kundra qeverisë, shtetit dhe Kryeministrit Berisha..

“Ka njerëz në këtë vend që lindin me shpresën që të shohin vetëm morte dhe e bazojnë karriërën e tyre në to,’ ka thënë në nji dekleratë të saj edhe kryeparlamentaria e Shqipërisë zonja Jozefina Topalli më 10 janar 2010. Pra, si konkluzion do të thoja se kryesocialisti Edi Rama dhe kryeopozitari i Shqipërisë, ka si “strategjinë e tij që të bëhet Kryeministër dhe të bëjë karrier politike – mbi fatkeqësit e njerëzve dhe mortin e tyre……!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, mbi mort, nuk ngrihet, pushteti

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT